• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DITA NDËRKOMBËTARE E RADIOS, 2019…

February 13, 2019 by dgreca

–   Dialog, Tolerancë dhe Paqë/

1-Franku

NGA FRANK SHKRELI/

“Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Radios, le të kujtojmë dhe të njohim rolin e këtij mjeti të fuqishëm mediatik për të promovuar dialogun, tolerancën dhe paqën”. Kështu është shprehur Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, në mesazhin e tij për të shënuar 13 Shkurtin, Ditën Ndërkombëtare të Radios.

Radio-ja, sidomos në të kaluarën, para shpërthimit të teknologjisë informative dhe transmetimeve satelitore, por edhe sot njihet gjithnjë si një medium që mund të ketë numrin më të madh të njerzëve që e ndjekin anë e mbanë botës. Natyrisht, se në botën e zhvillimeve moderne të teknologjisë informative, edhe shërbimet që ofron radioja po ndryshojnë gjithashtu në hap me ndryshimet e tjera në fushën e shpërndarjes së lajmeve dhe të informacionit, ndërsa ente të ndryshëm mediatike kanë adaptuar ndryshimet teknologjike që ofron në këtë fushë shekulli i ri dhe media shoqërore moderne. Si gjithmonë, ashtu edhe sot, radioja është unike në rolin e vet për të bashkuar komunitetet dhe për të promovuar një dialog pozitiv për bërjen e ndryshimeve, qoftë në nivel vendor ashtu edhe atë ndërkombëtar.

Duke u përballur me nevojat dhe me sfidat e dëgjuesve të saj, radioja si një mjet mediatik shumë i përhapur botërisht, mundëson transmetimin e pikëpamjeve të ndryshme dhe u jep hapësirë zërave që për ndryshe nuk do të dëgjoheshin për zgjidhjen e problemeve dhe të sfidave me të cilat përballet cilado qoftë shoqëri ose komunitet në botë. Radioja, sidomos transmetimet ndërkombëtare radiofonike — nepërmjet valëve të shkurtëra dhe të mesme gjatë Luftës së Ftohtë dhe deri më në ditët tona – kanë shërbyer si një platformë për dialog dhe për debate demokratike mbi çeshtjet me rëndësi vendore, rajonale dhe ndërkombëtare. Njihet tanimë roli historik që kanë luajtur gjatë Luftës së Ftohtë — radiot ndërkombëtare perëndimore, siç janë Zëri i Amerikës, Radio Evropa e Lirë dhe BBC-ja – në shembjen e komunizmit ndërkombëtar dhe në arritjen e objektivave të strategjisë së perëndimit kundër komunizmit, duke shërbyer vazhdimisht, sipas Kartës së Zërit të Amerikës, si një “Burim i besueshëm dhe autoritar lajmesh. të sakta, objektive, dhe gjithëpërfshirëse.”

Transmetimet ndërkombëtare perëndimore dhe sidomos Zëri i Amerikës, të cilin e njoh mirë, pasi kam punuar për këtë ent për 30-vjet në detyra të ndryshme përgjegjësie – ç’prej themelimit të tij gjatë Luftës së dytë Botërore dhe më vonë gjatë Luftës së Ftoftë e deri në ditët e sotëme, është angazhuar, jo vetëm si detyrim gazetaresk –por madje edhe si detyrim ligjor, si asnjë ent tjetër mediatik –që të thotë të vërtetën. “Është i famëshëm transmetimi i parë i Zërit të Amerikës, kur folësi ka deklaruar se: “Lajmet mund të jenë të mira ose të këqia. Ne do t’ju themi të vërtetën”. Zëri i Amerikës për më shumë se 75-vjetë — përfshirë Zërin e Amerikës në gjuhën shqipe – ka qëndruar vazhdimisht dhe gjithmonë, pa asnjë dyshim, në mbështetje të përpjekjeve për liri e demokraci jo vetëm në trojet shqiptare, por edhe kudo në botë. Ç’prej fillimit, VOA, sidomos ka shërbyer si shembull i zbatimit dhe ruajtjes së parimeve të lirisë së fjalës dhe të shtypit të lirë.

Në Ditën Ndërkombëtare të Radios – sipas fjalëve të Drejtoreshës së Përgjithëshme të UNESCO-s, Zonjës Audrey Azoulay në mesazhin me këtë rast — “Le të bashkohemi përball shqetësimeve të përbashkëta për të promovuar dialogun dhe pjesëmarrjen”, për të zgjidhur problemet me të cilat përballen shoqëritë vendase dhe bota në përgjithësi. Le të festojmë në këtë ditë, sipas saj, “Rolin e madh të radios duke përdorur këtë mjet mediatik për të zgjëruar horizontet tona, me qëllim që të ndërtojmë shoqëri më të harmonishme.”

Duke filluar nga radiot e mëdha ndërkombëtare e deri tek radiot vendore, në mesazhin e saj me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Radios, zyrtarja e lartë e UNESCO-s, shtoi duke thënë: “Le të kujtojmë rolin e rëndësishëm që luan radioja në nxitjen e debatit publik rreth çeshtjeve të ndryshme, në angazhimin e shoqërisë civile në këtë debat dhe kontributin e saj në frymëzimin e mirëkuptimit të përbashkët, bazuar në temen e këtij viti kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Radios: “Dialog, Tolerancë dhe Paqë”.

Sepse sfidat me të cilat përballemi, përfundon mesazhin e saj Drejtoresha e UNESCO-s, “Varen gjithnjë e më shumë nga aftësia jonë për të komunikuar dhe për të folur me njëri tjetrin me qëllimin për të gjetur zgjidhje të përbashkëta”, për problemet me të cilat përballet shoqëria e të cilat kërkojnë zgjidhje urgjente.

Gëzuar Dita Ndërkombëtare e Radios!

1.Radio 1.JPG

Kryeqendra e Zërit të Amerikës në Washington.

1 radd

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

Territore apo treg në këmbim të njohjes?! Kjo është çeshtja!

February 12, 2019 by dgreca

1-enver-Bytyci

Nga Enver Bytyçi/

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës u pozicionua dje rreth idesë së Vuçiq, Ramës dhe Thaçit për ndryshimin e kufijve dhe ndarjen e Kosovës. Sipas akademikëve, ndarja e vendit është një projekt i vjetër i Beogradit dhe shumë e dëmshme për Kosovën. Ndërsa sot kreu i kësaj Akademie, Nexhat Daci, përgenjështroi se deklarata e shpallur dje është firmosur prej tij. Hulumtova në internet për të gjet një kryetar të dytë të ndonjë akademie të shkencave në botë, që predikon dhënien e territoreve të vendit të tij një vendi tjetër fqinjë, por më kot. Kurrkund në botë nuk ndodh kjo, ashtu siç nuk ndodh që kreu i një shteti të punojë për tjetërsimin e territorit të vendit të vet. Megjithatë nuk dua të ndalem në këtë. Ajo me të cilën publiku shqiptar është përballur këto dy muajt e fundit ka të bëjë me dy skema të ndryshme për zgjidhjen e konfliktit idis Kosovës e Serbisë si dhe keqinterpretimin e mbështetjes amerikane. Në Kosovë ka tashmë dy rryma politike, të cilat elaborojnë dy skema të zgjidhjes së konfliktit shqiptaro-serb. Rryma e parë është ajo që kryesohet nga Hashim Thaçi e mbështetet nga Nexhat Daci. Sipas kësaj rryme në dialogun me Serbinë duhet zbatuar skema “Territore në këmbim të njohjes”. Kjo rrymë politike proserbe ka shpallur në publik idenë mashtruese, sipas së cilës “Kush është kundër kësaj skeme, është kundër SHBA-ve”! Dhe duke qenë pengesë taksa e qeverisë Haradinaj për mallrat serbe, kjo kategori politikanësh të marrë peng propogandojnë se “Haradinaj është kundër SHBA-ve, meqenëse ai nuk pranon të heqë ose të pezullojë taksën”! Ndërkaq sot ambasadorja amerikane në NATO Kay Bailey Hutchison, foli ndryshe. Ajo tha se çeshtja e taksës është çeshtje në mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo deklaratë e një prej autoriteteve diplomatike më të spikatur të Amerikës përgenjështron gënjeshtrat e Thaçit dhe të tijëve se “Amerika dhe Presidenti Trump na qenkan për heqjen e taksës dhe ndryshimin e kufijve”. Ndërsa sot u dha edhe një dëshmi tjetër pro kësaj teze. Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeu i bëri thirrje Europës që të bashkohet për të përballuar kërcënimin rus dhe kinez. Dhe nëse departiamenti i Shtetit Amerikan i përmbahet kësaj formule të ndalimit të influencës ruse në Europë, atëherë është e sigurt se SHBA-të nuk mbështesin ndryshimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, sepse ky ndryshim ka e do të ketë ndikim të kundërt. Kësisoj ngrehina e gënjeshtrave dhe mashtrimit e ngritur nga Rama e Thaçi bie! Rënia e ngrehinës së mashtrimit të autorëve dhe aktorëve të faljes së territorit të Kosovës – Serbisë avantazhon skemën e zgjuar të Ramush Haradinajt: “Treg në vend të njohjes”! Sipas kryeministrit, Kosova mund të japë treg, por jo edhe territore në këmbim të njohjes nga Serbia. Kësaj formule i shërben kërkesa që “Serbia ta njohë Kosovën e kjo e fundit të heqë taksën ndaj saj”! Por pavarësisht kësaj, Hashim Thaçi, Edi Rama, Nexhat Daci dhe dacër të tjerë të joshur ose të kërcënuar nga Beogradi vazhdojnë me këmbngulje spekullimet e manipulimet për heqjen ose pezullimin e kësaj takse, me qëllim që gjatë periudhës së pezullimit dy presidentët, Thaçi dhe Vuçiq, të mund të nënshkruajnë marrëveshjen në dobi të krijimit të Serbisë së Madhe! Spekullimi me amerikanët vazhdon të mbetet pjesë e arritjes së qëllimeve serbo-ruse për Kosovën. Në fakt Vuçiq është në pozicion shumë të vështirë. Ai nuk mori mbështetje publike nga Vladimir Putin për Kosovën. Ndërkaq opozita proteston vazhdimisht kundër arrogancës së tij në qeverisje. Atij i duhet një aksion politik domethënës në dialogun me Kosovën, me qëllim që të rikthejë pozitat e humbura në elektoratin e tij. Këtë shans përpiqet t’ia japë Thaçi dhe Rama, megjithëse dhe këta gjenden tashmë të tronditur në pozicionet që kanë. Rama është i rrethuar nga jashtë dhe nga brenda. Thaçi është i kapur dhe shpejt do të bëhet objekt sulmi nga ana e opozitës së Kosovës. Nëse Kosova thellon konfliktin politik për shkak të skemës së Thaçit për të dhënë territore në këmbim të njohjes nga Serbia, atëherë ajo mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Vënia dhe heqja e taksës është atribut i qeverisë. Haradinaj nuk dëshiron që ta heqë atë. Madje ai është i vendosur për të përballuar presionin e stisur të Hashim Thaçit. Megjithatë Haradinajt i duhet edhe më tej të përballojë sulmet, intrigat dhe kurthet e Hashim Thaçit. Këto kurthe e intriga mund të vijnë psh nga bashkëpunimi i presidentit me Lidhjen Demokratike. Sot Abdullah Hoti është shprehur për pjesmarrjen e partisë së tij në këtë qeverisje. Kjo do të thotë që Thaçi punon për të krijuar një mazhorancë tjetër pa shkuar në zgjedhje të parakohshme. Nëse do të ndodhin zgjedhjet e reja, partia e Thaçit do të shkonte në vendin e katërt pas Vetëvendosjes, AAK-së dhe LDK-së. Për këtë arësye Thaçi është në kërkim të një formule tjetër. Por ajo parti politike që ia jep këtë shans Hashim Thaçit është e destinuar të shuhet njësoj si Partia Demokratike e Kosovës. Këtë do ta dëshmojnë zgjedhjet e reja, kurdo që ato mund të bëhen. Ndryshimi ose përpjekjet për ndryshimin e kufijve të Kosovës dhe heqja e taksës nga një kryeministër tjetër, veç Haradinajt, do të jetë bumerang politik për partitë që do të punojnë për projektin serb të Ramës e Thaçit me moton “Territore në këmbim të njohjes”! Fitorja do t’i takojë skemës së Haradinajt të përkrahur nga Albin Kurti “Treg në këmbim të njohjes”! Tirane, me 12.02.2019

Filed Under: Opinion Tagged With: Enver Bytyci, Territore apo treg në këmbim të njohjes?!

NJË RIANGAZHIM I SHTETEVE TË BASHKUARA NË EVROPËN QËNDRORE

February 11, 2019 by dgreca

2-Frank-shkreli-2-300x183-1-1

Nga Frank Shkreli/

Të ënjtën që kaloi, Departamenti Amerikan i Shtetit, (DASH) njoftoi se politika e jashtme amerikane, përveç tjerash, do t’i kushtohet këtë javë Evropës, më saktësisht disa vendeve ish-komuniste të Evropës Qëndrore.  Në njoftimin për mediat thuhet se Sekretari Amerikan i Shtetit, Z. Michael R. Pompeo do të vizitojë nga 11 deri me 15 shkurt, Budapeshtin, Bratisllavën, Varshavën (një ndalesë ku do t’i bashkohet edhe Zëvëndës Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence), pastaj Brukselin dhe në fund të javës edhe  Reykjavikun.  Njoftohet se me të arritur në Hungari të hënën, kryediplomati amerikan është takuar me Kryeministrin e atij vendi, Z. Orban, me Ministrin e jashtëm dhe me Ministrin e mbrojtjes, për të diskutuar mbi një numër çështjesh që prekin marrëdhëniet dypalëshe amerikano-hungareze, përfshirë bashkpunimin në fushën e mbrojtjes, çështje të energjisë dhe të sigurisë, mbështetjen për Ukrainën dhe mënyrat për të kundërshtuar influencën ruse dhe kineze në rritje e sipër në rajon dhe për përforcimin e Aleancës perëndimore, ndërkohë që do të gjejë kohë të takohet edhe me udhëheqsit e shoqërisë civile të atij vendi.

DASH thekson në njoftimin e tij mbi vizitën e kryediplomatit amerikan në Evropën Qendrore se pas Hungarisë, të martën Z. Pompeo do të ndalojë në Bratisllavë të Sllovakisë ku ka në plan të takohet me Presidentin e atij vendi, Z. Kiska, me Kryeministrin, Z. Pellegrini dhe me Ministrin e jashtëm, Z. Lajcak,  për bisedime mbi marrëdhëniet amerikano-sllovake të sigurisë si dhe çështje që kanë të bëjnë me rajonin e Evropës Qëndrore në veçanti dhe subjektetë  rëndësishme botërore.  Në Sllovaki, Sekretari Amerikan i Shtetit do të vizitojë edhe Memorialin e Lirisë, ku më shumë se 400-veta kanë humbur jetën duke u përpjekur të largoheshin nga ish-Çekosllovakia komuniste për në Austrinë e lirë duke filluar nga viti 1948 e deri në vitin 1989.   Në këtë këndveshtrim, gjatë vizitës së tij në kryeqytetin e atij vendi, zyrtari i lartë amerikan do të zhvillojë një bisedë me studentët sllovakë mbi trashëgiminë e lirisë dhe demokracisë perëndimore dhe për triumfin e saj mbi komunizmin, 30-vjet më parë.

Ndërkaq, gjatë vizitës së tij në Varshavë, Z. Pompeo do të takohet me Ministrin e jashtëm, Z. Czaputowicz për të diskutuar çështje të sigurisë dhe të energjisë, me qëllim të përforcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të ngushta midis Shteteve të Bashkuara dhe Polonisë.  Në Varshavë, së bashku me Zëvëndës Presidentin amerikan, Z. Mike Pence — sipas njoftimit të DASH — Z. Pompeo do të marrë pjesë në konferencën e përbashkët në nivel ministror, të organizuar nga SHBA dhe Polonia, “Për Promovimin e paqës dhe të sigurisë në Lindjen e Mesme”.

Nga Varshava, Kryediplomati amerikan do të udhëtojë për në  Bruksel, ku rpitet të takohet me Ministren e Jashtme të Bashkimit Evropian, Z-njën Federica Mogherini për bisedime për bashkpunimin midis Shteteve të Bashkuara dhe BE-së, mbi një numër çështjesh, përfshirë gjëndjen në Venezuelë, përforcimin e sigurisë në Evropë dhe për mënyrat për të përballuar kërcënimet nga Irani dhe Rusia.

Në këthim e sipër për në Washington, Sekretari Amerikan i Shtetit do të ndalojë në Reykjavik të Islandës, ku pritet të takojë Kryeministrin e atij vendi, Z. Jakobsdottir dhe Ministrin e jashtëm, Z. Thordarson për bisedime, ndër të tjera, mbi çështje të sigurisë në Atlantikun verior.

Në vigjilje të vizitës së Z. Pompeo në Evropë, nga zyra e zëdhënsit të DASH është shpërndarë për median një dokument (Fact Sheet) në lidhje me vizitën e Kryediplomatit amerikan ku thuhet se, “Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për një aleancë të fortë, të bashkuar dhe të aftë, bazuar në mbrojtjen e përbashkët, në demokraci dhe në liritë themelore të njeriut”.  Më tej theksohet se, “Vizita e Sekretarit të Shtetit shënon 30-vjetë nga koha kur vendet e Evropës Qëndore shpartalluan perden e hekurt, duke rivendosur kështu lirinë dhe sovranitetin e tyre, ndërsa kanë zgjedhur, njëkohësisht, rrugën e demokracisë perëndimore, gjë që u ishte mohuar atyre për dekada të tëra dhe kanë përforcuar angazhimin e tyre ndaj këytre vlerave, duke u bërë anëtar të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian.”

Ndërkohë që në dokumentin në fjalë — i shpërndarë për median një ditë para se të arrinte në Evropë, Z. Pompeo – nenvijohet edhe njëherë angazhimi i Shteteve të Bashkuara ndaj këtij rajoni, ndërkohë që theksohet se, “Shtetet e Bashkuara zotohen për një angazhim më të madh diplomatik, ushtarak, tregëtar dhe kulturor me vendet e Evropës Qëndrore, me qëllim për të forcuar lidhjet e këtij rajoni me Perëndimin, ndërsa ky rajon përballet me trysnitë që po ushtrojnë atje Rusia dhe Kina.  Bazuar në vlerat tona të përbashkëta që ndajmë me njëri tjetrin, do të garojmë për një influencë pozitive për të siguruar për brezat e ardhëshëm një të ardhëme demokratike, të begatë, dhe të sigurt”, thuhet në dokumentin në fjalë, që siç duket, në thelb, përshkruan objektivat e bisedimeve që do të zhvillojë Sekretari Amerikan i Shtetit në këto ish-vende komuniste gjatë vizitës së tij, këtë javë, në Evropën Qëndrore.

Në këtë 30-vjetor të shembjes së komunizmit në Evropë, dokumenti thekson se Shtetet e Bashkuara po ri-angazhohen për një aleancë transatlantike të fortë, të bashkuar dhe të aftë për tu përballur me çdo sfidë, e bazuar në parimet e mbrojtjes së përbashkët, bazuar në demokraci dhe në liritë bazë të njeriut.  Sipas këtij dokumenti, “Angazhimi i Shteteve të Bashkuara ndaj artikullit 5 të NATO-s është i çelikt.  Ne presim nga të gjithë aleatët që të investojnë mjaftueshëm për të plotësuar nevojat dhe përgjegjësitë për mbrojtje të vet dhe ndaj nevojave të aleancës NATO”, thuhet në njoftimin e DASH për media, ndërkohë që i bëhet thirrje Hungarisë dhe Sllovakisë që të plotësojnë detyrimet e tyre ndaj aleancës.  “Ne i trajtojmë aleatët tanë si aleatë dhe presim prej tyre që të mbajnë angazhimet e marra, si aleatë.  Si anëtar të NATO-s dhe të OSBE-së, si dhe instuticioneve të tjera transatlantike, qeveritë tona janë betuar se do të punojnë pa pushuar për të drejta dhe liritë e qytetarëve tanë.  Vendet demokratike janë aleatët tanë më të fortë. Një shoqëri civile aktive si dhe një medie e lirë, janë gurthemelet e një demokracie pluraliste”, thuhet gjithashtu në njoftimin e DASH, shpërndarë për media, një ditë para së Sekretari Amerikan i Shtetit të fillonte të hënën vizitën e tij këtë javë në disa vende të Evropës Qëndrore.   Dokumenti përfundon me thirrjen për zgjërimin e bashkpunimit drejtë prosperitetit dhe lirive demokratike, ndërsa thekësohet se, “Anë e mbanë Evropës Qendrore kemi shtuar mbështetjen për luftën kundër korrupsionit, përfshirë bashkpunimin dhe mbështetjen për gazetari investigative për të bërë hetime se ku bashkohen korrupsioni dhe të korruptuarit rajonalë me influencat ruse dhe kineze” anë e mbanë atij rajoni, përfundon dokumenti i ashtuquajtur “Fact Sheet”, i DASH dhe i përhapur me rastin e vizitës disa ditëshe të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Z. Mike  Pompeo këtë javë në Evropën Qendrore.

Ekspertët thonë se vizita e Sekretarit Amerikan të Shtetit     amerikan këtë javë në Evropën Qendrore në veçanti dhe në vendet ish-komuniste të Evropës në përgjithësi, po bëhet në përpjekje për të kapur kohën e humbur, gjë që sipas tyre kishte hapur dyertë për përhapjen e influencave politike, diplomatike dhe ekonomike të Rusisë dhe Kinës në rajon.   Ish-ambasadori amerikan në Poloni, Z. Daniel Fried citohet nga Zëri i Amerikës të ketë thënë se angazhimi dhe interesimi amerikan për Evropën Qendrore kishte rënë pas zgjërimit të Bashkimit Evropian dhe NATO-s në atë rajon,   ndërkohë që vëmëndja e Washingtonit ishte çvendosur në Azi dhe në konfliktet e Lindjes së Mesme.  “Shumë amerikanë mendonin se puna jonë kishte kryer në atë rajon, por nuk ishte ashtu”, është shprehur ish-ambasadori Fried, tani pranë Institutit Atlantic Council në Washington, duke shtuar se ky është një proces që, sipas tij, kishte filluar me administratën e ish-Presidentit Barak Obama.  Shpresojmë të mos jetë një përpjekje e vonuar nga ana e diplomacisë amerikane për të rikapur kohën dhe mundësitë e humbura, megjithëse për këtë kanë përgjegjësite e veta edhe klasa e korruptuar politike e shumë vendeve ish-komuniste, që kanë krijuar një mjedis dhe atmosferë të volitshme për angazhimin e politikave dhe metodave korruptive ruso-kineze, anë e mbanë rajonit.

Filed Under: Opinion Tagged With: amerika, Evropa Qendrore, Frank shkreli

2019-a do të duhej të jetë viti për një marrëveshje

February 9, 2019 by dgreca

2019-a do të duhej të jetë viti për një marrëveshje, 8 shkurt, 2019/

1 Amb_Scot_Kosnett

Editorial i përbashkët i ambasadorëve Scott dhe Kosnett/

Guximi dhe kreativiteti i udhëheqësve në Athinë dhe Shkup për ta zgjidhur mospajtimin që zgjati me dekada do të duhej ti frymëzonin të gjithë në rajon.  Si ambasadorë të SHBA-së në Beograd dhe në Prishtinë, jemi të bindur se udhëheqja politike e matur e vizionare mund të çojë te një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, marrëveshje që në thelb e ka njohjen e ndërsjellë.  Kjo e arritur do të vinte themelin për të ardhme më paqësore dhe më të begatshme për të gjithë popujt në këtë rajon.

Për këtë arsye sot bëjmë thirrje: është koha që Kosova ta pezullojë taksën, që Serbia të përgjigjet në mënyrë konstruktive, që të marrin fund provokimet nga të dy anët, që Beogradi dhe Prishtina ti kthehen dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe që të dy palët ta përqafojnë paqen guximshëm.  Nëse e bëni këtë, jemi optimistë se mund të arrini një marrëveshje historike për normalizim në 2019-ën.

E keni mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’ju ndihmuar që të keni sukses dhe të ndërtoni besimin e nevojshëm për ta ndërtuar dhe zbatuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse.  Para ca kohësh, Presidenti Trump iu shkroi udhëheqësve të Serbisë dhe Kosovës për ti nxitur të dy vendet për ta “shfrytëzuar këtë çast dhe për të treguar udhëheqje politike në marrjen e vendimeve që i marrin parasysh interesat e të dy vendeve”.  Presidenti Trump shtoi: “Do të ishte jashtëzakonisht për të ardhur keq nëse nuk shfrytëzohet kjo mundësi unike për paqe, siguri dhe rritje ekonomike”. Presidenti Trump ishte po aq i qartë edhe në fjalimin e tij gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara: udhëheqësit e përgjegjshëm e kanë për detyrë t’ju shërbejnë qytetarëve të tyre.

Ne besojmë se një marrëveshje është e mundshme dhe shpresojmë të festojmë bashkë me ju, ashtu siç e festojmë guximin e prijësve grekë dhe maqedonas.  Në fakt, Presidenti Trump tashmë i ka ftuar Presidentin Vuçiq dhe Presidentin Thaçi në Shtëpinë e Bardhë për të shënuar këtë të arritur sapo të ndodhë.  Shtetet e Bashkuara nuk e caktojnë dhe nuk do të caktojnë se si duhet të duket zgjidhja, por besojnë se duhet të jetë e zbatueshme në Kosovë dhe në Serbi dhe duhet ti kontribuojë stabilitetin afatgjatë të rajonit.  Iu takon prijësve dhe ekipeve të tyre për ti rifilluar bisedimet që udhëhiqen nga BE-ja për të hulumtuar çka është e mundshme dhe për të komunikuar në mënyrë të hapur me qytetarët e tyre – për të siguruar se negociatat pasqyrojnë vullnetin e popullit dhe për t’ju ndihmuar për të tejkaluar ankthin dhe dyshimin.

E kuptojmë se kjo nuk është e lehtë.  Nuk jemi të verbër përpara ngjarjeve historike dhe tensioneve të vazhdueshme që kanë sjellë te mosbesimi dhe keqkuptimi që e rëndojnë marrëdhënien.  Për këtë arsye, çfarëdo marrëveshje duhet të jetë e gjerë dhe e leverdishme për të anët, për t’ju dhënë të dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë hise në suksesin e saj.  Kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara për të punuar me Serbinë dhe Kosovën për të siguruar që të dy anët në mënyrë efektive e ndërtojnë dhe e zbatojnë një marrëveshje jetëgjatë.  Hapat e kohëve të fundit të ndërmarrë si nga Beogradi, po ashtu edhe nga Prishtina që ngrenë tensionet duhet të ndalen nëse do të ketë ndonjë shpresë për të mundësuar paqe, mbarësi dhe drejtësi të përhershme në rajon.  Nëse të dy anët dështojnë për ta shfrytëzuar këtë mundësi, rrezikoni ta humbisni mundësinë më të mirë në një brez.

Status quo-ja ka shkaktuar ngecje të përparimit ekonomik dhe politik në të dy vendet, si dhe ka bërë që profesionistët dhe të rinjtë ta kërkojnë të ardhmen e tyre në vende më stabile me ekonomi më dinamike.  Në vend të tyre po zënë rrënjë krimi i organizuar, korrupsioni dhe elementet e tjerë ekstremistë duke kërcënuar sigurinë në rajon dhe në Evropë.

Asnjëri vend nuk përfiton nga obstruksionizmi dhe vonesat e vazhdueshme.  Qytetarët e Serbisë dhe Kosovës meritojnë të ardhme ku fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve të njohin paqen dhe mbarësinë e jo konfliktin dhe vështirësitë ekonomike.

Një marrëveshje kompromisi, e qëndrueshme dhe e zbatueshme, është në interes të të dy vendeve.  Stabiliteti dhe mbarësia afatgjatë e Kosovës dhe Serbisë varen në kthimin te dialogu i udhëhequr nga BE-ja dhe guximi për të tejkaluar të kaluarën dhe të për të ndërtuar të ardhmen e përbashkët së bashku.  Nëse Serbia dhe Kosova janë të gatshme për tu nisur në këtë shtegtim, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të qëndrojnë përkrah jush në çdo hap të rrugës.

Filed Under: Opinion Tagged With: 2019-ta, Editorial i përbashkët i ambasadorëve, Kosoves Serbi, Scott dhe Kosnett

KRIZA KOMBËTARE, FAJSIA E POLITIKËS DHE PËRGJEGJËSIA E MEDIAS

February 8, 2019 by dgreca

Shqipëria ka hyrë në dekadën e tretë të Demokracisë postkomuniste por mjerisht mentaliteti dhe psikologjia e të bërit politikë nuk kanë evoluar krahasimisht me fillim vitet ’90. Jemi atje ku e nisëm, të varfër në ekonomi, të varfër në shpirt, të pasur në banalitete e të sunduar nga krimi. Demokracia në Shqipëri duket se vuan nga sëmundja e pashërushme e shekullit; të jep idenë e një të sëmuri me kancer; atje është vrarë shpresa, është ligjëruar vjedhja e votës dhe e pronës, është përzjerë krimi me shtetin dhe politikën, amoraliteti sundon mbi moralin…./

dalip-ok

NGA DALIP GRECA/

Që shqiptarët po përjetojnë krizën më të thellë Kombëtare, kjo nuk mund të diskutohet.Brezat që do të vijnë do t’u bëjnë gjyqin atyre që na drejtojnë dhe që na kanë çuar në këtë krizë totale. Nuk është vetëm mundësia e humbjes së territoreve, që mezi i siguruan paraardhësit patriotë përgjatë shekujve, por edhe boshatisja e trojeve,emigrimi masiv, varfëria ekstreme, kriminaliteti, përdhunimi, amoraliteti, vjedhjet, vrasjet, përçarja kombtare. Gjithçka është në krizë. Shqipëria e ka humbë orientimin dhe duket se ecën symbyllazi, duke imituar somnambulët, ndërsa Kosova po përpëlitet mes ekzistencës së shtetit, ruajtjes së integritetit dhe politkbërsëve rrahagjoksë “patriotë”, që akuzojnë njeri-tjetrin për tradhëtarë.

Shqipëria dhe Kosova që vetëqeverisen si shtete të pavarura janë për momentin model më i keq që nuk të japin krenarinë e të qenurit shqiptar për mënyrën e të bërit politikë, ku parlamentet e të dy vendeve kthehen në arena përleshjesh, ku jo kultura-por fjalorët banalë shiten për moral, ku deputetët tanë shahen me libër shtëpie, ku forca dhe jo logjika, përplasin pozitën me opozitën ose e kundërta, ku i pari i shtetit nuk e ka për gjë që ta shesë banalitetin e fjalorit të vet për modernizëm, fjalor që do t’ia kishin zili edhe shtetarët e politikanët në Rwanda e gjetkë.

Si mund të predikojnë politikanët tanë se synojnë të shkojnë në Europë kur sillen si harbutë dhe të paedukuar? Në cilën Europë duan të shkojnë këta? Në Shqipërinë Europiane gjithçka duhet të jetë europiane, që nga sjellja, nga jetesa, nga mënyra e të folurit, nga bindja ndaj rregullit dhe ligjit. Por tek ne secili që merret me politikë vepron sipas motos “Ligji jam unë”! etj…

Shqipëria prej 106 vitesh shtet i pavarur, Kosova prej 11 vitesh shtet më vete, sillen rreth vetes si gurët e mullirit pa drith. Mjafton të hapësh TV në Tiranë apo Prishtinë dhe nëse ke nerva, dëgjo broçkullat e politikanëve dhe gazetarëve, që sillen rreth vetes dhe marrin poza të diturish, të dëgjosh gazetarët opinionbërës, që hiqen si kompentë në të gjitha fushat. I shihni me kujdes; janë po ata që bëjnë opinione për politikën; janë po ata që gjykojnë krimin dhe kriminelët, japin opinione për rendin, për dashurinë, për etikën, për veshjen, për krehjen, për turizmin…për gjithçka. Janë po ata….. sikur nuk ka të tjerë Shqipëria! Madje disa prej tyre duken si të punësuar nëpër studio televizive.

A e ndjenë media shqiptare përgjegjësinë që ka në trazicionin tejet të zgjatur të Shqipërisë postkomuniste? Në një shoqëri demokratike media ka rol të pazëvendësushëm në demokratizimin e shoqërisë dhe funksionimin e një shteti. Ajo mund ta mbajë drejt timonin e  drejtësisë ose mund ta hedhë vendin në anarki me anësitë politike dhe me paaftësitë e saj(Kujtoni vitin e mbrapshtë 1997, ku media i priu anarkisë). Paraardhësit tanë, që janë marrë me gazetari, na kanë lënë pas mësimin se jo kushdo mund ta luaj rolin e gazetarit, veçanërisht tani, kur interneti bën këdo gazetar. Ish Editori i Diellit, Bahri Omari, në kohën e tij konstatonte se Gazeta është instrument të cilin po nuk e përdore mirë, jep pemët më të hidhura për një Komb. Derisa gazetarija, timoni më i fortë, që drejton qytetarët, mbetet në duar gjysmakësh të paditur,apo mercenarë të paguar, nuk është e mundur të shpëtojmë nga anarkia shoqërore. Komenti është i tepërt. Sot media është e modernizuar por shfrytëzimi që i bëjmë ne shqiptarët është më së shumti primitiv(ndiqni komentet në rrjetet sociale)…Shihni gazetat e varfëra shqiptare që sajojnë skoupe të paqenë, shihni dhe nivelin shumë të ulët të komenteve në publikimet online të lexusve militantë, dhe binduni për krizën e përbashkët të medias dhe ndjekësve të tyre që për model kanë njeri-tjetrin.

Shqipëria ka hyrë në dekadën e tretë të Demokracisë postkomuniste por mjerisht mentaliteti dhe psikologjia e të bërit politikë nuk ka evoluar krahasimisht me fillim vitet ’90. Jemi atje ku e nisëm, të varfër në ekonomi, të varfër në shpirt, të pasur në banalitete e të sunduar nga krimi. Demokracia në Shqipëri duket se vuan nga sëmundja e pashërushme e shekullit; të jep idenë e një të sëmuri me kancer; atje është vrarë shpresa, është ligjëruar vjedhja e votës,instrumenti bazë i demokracisë.

Shiheni efektivitetin e polikbërsve shqiptarë dhe mateni me atë çfarë është arritur në Shqipëri në këto 28 vite demokraci: Vendi ynë është bërë më i varfër, edhe pse pakica e pasur dhe e kriminalizuar, nuk dinë se ç’kanë. Pasuritë e dyshimta kurrë nuk u hetuan pasi Drejtësia jonë së bashku me politikën kanë bërë Padrejtësi…se Drejtësia jonë, ashtu si politika, janë militante, janë dhe të kriminalizuara. Pa e pastruar me rrënjë kancerin nga demokracia shqiptare nuk ka shërim të Shqipërisë, nuk ka demokraci reale.

Po kush merret me politikë në Shqipëri?

Mjafton të shihni Parlamentin që kemi sot, duke llogaritur dhe ata që u përzunë si kriminelë. Fatkeqsisht Shqipëria vuan mungesën e elitës Kombëtare në udhëheqje, e cila është zëvendësuar nga militantët. Fatkeqsisht Shqipëria jonë po prodhon elitë false, shitblerja e diplomave të universiteteve apo plagjitarurat pasuniversitare, janë tregues i degradimit të shoqërisë. Mjerisht bëhen politikanë ata që nuk i duhen Shqipërisë dhe shqiptarëve, bëhen ata që s’kanë asgjë të përbashkët me artin e të bërit politikë, bëhen ata që delegon bota e krimit, e cila dërgoi në Parlament edhe kontigjente të drejtëpërdejta të kriminalizuara.

Ka ardhë koha që shqiptarët të reflektojnë dhe të bëhen zotë të vetvetes dhe të votojnë ata politikanë që u duhen, që nuk e kanë shitë veten dhe shpirtin, që kanë karakter të pastër, që vetingun nuk presin t’ua bëjnë të tjerët por ia bëjnë vetes çdo ditë, ata që nuk betohen për Partinë që i ka bërë të pasur, por që janë idealistë dhe betohen dhe luftojnë për Kombin. Një shoqëri që nuk nxjerr në krye elitën idealiste, është e destinuar të dështojë.

Gati një shekull më parë , ish editori i gazetës “Dielli” në SHBA, Bahri Omari, tek krahasonte politikbërjen në Amerikë me atë në Shqipëri konstatonte se në Shqipëri të gjithë duan të bëjnë politikë, të gjithë duan të bëhen shkrimtarë, të gjithë kritikojnë, por sa efekt ka kritika dhe kush e bën atë?.

Në Shqipëri konstatohet se populli merret me politikë dhe politikanët merren me biznes. Deri kur?

Deri atëherë, kur votuesit të mos mendojnë të shesin votën, qoftë edhe për të mbajtë shpirtin gjallë, pra as për një thes miell e as për 50 mijë lekë, kur votuesi të denoncojë jo vetëm vjedhësin kundërshtar politik, por edhe militantin apo udhëheqësin e vet. Kur vota të marrë shenjtërinë e vet e paprekshmërinë, vetëm atëhere do të kthehet Demokracia reale, ajo për të cilën luftuam në fillimin e proceseve.

 

Le t’i mbyllim këto radhë me konstatimin e Bahri Omarit, gazetarit që e drejtoi Diellin e përditshëm nga 7 korriku 1916 deri në 3 nëntor 1919:  Në Amerikë, kritikat i bëjnë ata njerëz që janë të zotë, krerët e punëve, dhe populli mban sehir dhe bën gjykimin e vet. Po ne shqiptarët, u bëmë të gjithë politikanë, kritikanë, shkrimtarë të klasit të parë, kurse s’kemi haber fare nga çështja. Kështu çgjaksohet njeri dhe tjetri dhe pastaj mbushen zemrat me inate dhe mërira.

Shikoni se ç’ndodh në Shqipëri 100 vite më pas këtij konstatimi dhe nëse mundni, i hiqni një presje Bahri Omarit të ndjerë, i cili edhe para Prokurorit dhe gjykatësitë, tek dënohej me pushkatim, edhe para skuadrës së pushkatimit, deklaroi: ” Unë edhe në varr do t’i shërbej Shqipërisë!”. Edhe pse e lanë pa varr, ai ende na mëson se duhet t’i shërbejmë Kombit. Po ku t’i gjejmë idealistët e këtij kalibri?!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca, Kriza Kombetare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 391
  • 392
  • 393
  • 394
  • 395
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT