• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RIATDHESIMI I ESHTRAVE TË MID’HAT FRASHËRIT , NJË PËRCJELLJE DINJITOZE NGA NJU JORKU

November 12, 2018 by dgreca

1 Tonin & Frank1 arkiv Frani

Nga Frank Shkreli/

Të shtunën që kaloi, më 10 Nëntor, 2018, në Nju Jork, më saktësisht në Qendrën Nënë Tereza, pranë Kishës Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës, u zhillua ceremonia për riatdhesimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit.  Ishte ky një organizim, që u bë i mundur nga një vendim, marrë nga qeveria e Republikës së Shqipërisë korrikun që kaloi.

Qeveria shqiptare kishte vendosur që eshtrat e Midhat Frashërit, njërit prej nenshkruesve të Pavarësisë së Shqipërisë dhe njërit prej figurave më të dalluara të kulturës dhe letrave shqipe, të kthehen në Atdhe këtë muaj, me rastin e 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit dhe në kuadër të viti mbarëkombëtar, në kujtim të 550-vjetorit të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skenderbeut.   Qeveria e Kryeminstrit Edi Rama kishte marrë vendimin për riatdhesimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit, bazuar në kërkesën e Institutit të Studimeve “Lumo Skëndo” dhe kryetarit të këtij instituti, Z. Uran Butka.  Vet Z. Butka — me një delegacion nga Shqipëria, me përfaqësues nga qeveria dhe të Institutit të Studimeve Historike në Tiranë, Lumo Skëndo, të cilin ai e drejton – mori pjesë në ceremoninë e zhvilluar në Qëndrën Nënë Tereza, së bashku me shumë personalitete të komunitetit shqiptaro-amerikan si dhe anëtarë të familjes Frashëri.  Z. Butka dhe folës të tjerë nënvijuan kontributin e madh të Mid’hat Frashërit në shumë fusha kulturore dhe politike, duke e quajtur atë shumë-dimensional në aktivitetin e tij, përfshirë kontributin e madh historik si– ndër të tjera — njëri prej nënshkruesve të Pavarësisë së Shqipërisë dhe si Kryetar i Komisionit të Alfabetit shqip në vitin 1908, ku së bashku me At Gjergj Fishtën e të tjerë, ai mbështeti alfabetin me germa latine për shqiptarët.

Organizimi i ceremonisë dhe realizimi i të gjitha miratimeve të këtij procesi nga autoritetet vendore dhe shtetërore të Shteteve të Bashkuara ishte i gjatë dhe aspak i lehtë.  Gjithë këtë aktivitet prej disa muajsh e kryesoi kryediplomatja e Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zonja Floreta Luli-Faber, ambasadore e Shqipërisë në Washington.  Ajo u shpreh për Zërin e Amerikës se realizimin e rikthimit të eshtrave të Mid’hat Frashërit në Atdhe e bënë të mundur shumë aktorë e pjesëmarrës nga komuniteti shqiptaro-amerikan, e deri tek nivelet e larta zyrtare amerikane:  “Ka qenë një punë e gjatë, ka qenë një punë bashkëpunuese me qeverinë, me institucionet amerikane, me të gjithë komunitetin shqiptar.  Kemi kontaktuar një numër të madh individësh, organizatash në Nju Jork, në Uashington, në Detroit, në Boston, në mënyrë që të gjenim të gjithë informacionin e duhur për ta këthyer Mid’hatin, jo thjesht në një moment të caktuar, por ta kthenim atëherë kur festonim një nga ngjarjet më të rëndësishme, 110-vjetorin e Kongresit të Manastirit dhe menduam që kjo të ishte një nga pikat kulminante të vitit të Gjergj Kastrioti Skënderbeut.”

Ambasadorja shqiptare falënderoi të gjithë për ndihmën dhe bashkpunimin e saj, përfshirë edhe mbesën e Mid’hat Frashërit, Zonjën Najada Petrela, e cila përshëndeti të pranishmit në emër të familjes Frashëri, ashtu siç bëri edhe Thomas Frashëri, përfaqsuesi i qeverisë shqiptare, njëherazi edhe kryetari i Sekretariatit për Organizimin e Vitit të Skënderbeut, cili gjithashtu falënderoi pjesëmarrësit në këtë ceremoni në emër të qeverisë por edhe në emër të familjes Frashëri.

Folësit kryesorë në ceremoninë solemne theksuan gjithashtu edhe rolin politik të Mid’hat Frasherit gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, si Kryetar i Partisë Balli Kombëtar dhe si Kryetar i Komitetit Shqipëria e Lirë, me qëndër në Nju Jork.   Uran Butka, Drejtor i Institutit të Studimeve Historike Lumo Skëndo i tha korrespondentit të Zërit të Amerikës, Z. Ilir Ikonomi se: “Kthimi i Mid’hat Frashërit ka rëndësi historike, jo vetëm për vlerën e tij historike dhe kulturore, por edhe për faktin se është anatemuar, është përbaltur, është quajtur kriminel, bashkëpunëtor me pushtuesit.  Instituti ynë jo vetëm që e boton veprën e tij të plotë, në 14 vëllime, por u bë edhe nismëtar për kthimin e eshtrave.   Kam qenë shumë i emocionuar mbrëmë, kur u ndodha përpara varrit të Mid’hatit, bashkëpunëtorit të ngushtë edhe të tim eti, Safet Butkës, sepse kanë qenë bashkëpunëtorë dhe luftëtarë të një ideje të madhe.”

Ashtu si shumë shqiptarë, këtu dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, edhe unë e kam mirëpritur dhe e kam përshëndetur vendimin e qeverisë shqiptare për të riatdhesuar eshtërat e Mid’hat Frashërit, një vendim i cili më në fund do të bëhet realitet ditën e mërkurë më 14 Nëntor, dita kur eshtrat e tija do të prehen për gjithmonë në tokën e Shqipërisë, Shërbestar i të cilës ishte.

Pjesë e delegacionit të ardhur nga Shqipëria për të marrë pjesë në ceremoninë, që u mbajtë të shtunën në Qendrën Nënë Tereza në Nju Jork, për rikthimin e eshtërave të Mid’hat Frashërit në Atdhe, gjëndej edhe Thomas Frashëri, si përfaqsues i qeverisë shqiptare, njëherazi edhe kryetar i Sekretariatit për Organizimin e Vitit të Skënderbeut, dhe pinjoll i fisit Frashëri.   “Në Tiranë do të ketë banesën e fundit një nga shtetarët e mëdhenj shqiptarë”, u tha ai të pranishëmve.  “Kthehet, dhe këmbëngul këtu, jo vetëm Kryetari i Kongresit të Manastirit, por edhe shpirti i Lëvizjes nacionaliste shqiptare, Kryetari i Komitetit Shqipëria e Lirë dhe ideatori i Ballit Kombëtar.  Kthehet publicisti, historiani, poeti, filantropi dhe albanologu, kthehet një shërbestar i Kombit”, u shpreh zyrtari shqiptar në vlerësimin e figurës shumë dimensionale të Mid’hat Frashërit, gjatë ceremonisë në Nju Jork për përcjelljen e eshtrave të tij në Atdhe.

Unë falënderoj Ambasadën e Shqipërisë në Washington për ftesën, për të marrë pjesë në këtë ceremoni. Si shumë të tjerë, mora pjesë me kënaqësinë më të madhe dhe me shumë emocione dhe kujtime. Por, për më shumë se për veten, u ndodha aty në emër të disa bashkombasve të mi, dikur bashkpuntorë të ngushtë të Mid’hat Frashërit, “djemtë e tij” i kishte quajtur ai – të cilët nuk janë më – por që i kam njohur dhe me disa prej tyre kam pas fatin e mirë që në rininë time të punoja me ta tek Zëri i Amerikës, gjatë 1970-ave dhe në fillim të ’80-ave.  Besoj se po të ishin gjallë, do kishin qenë të pranishëm aty në Qendrën Nënë Tereza pranë Kishës Katolike Shqiptare në Nju Jork për të përshëndetur riatdhesimin e eshtrave të udhëheqsit të tyre shpirirtëror dhe politik dhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit udhëheqsit të tyre, aty në frymë shpirtërore me Nënë Terezën dhe para portretit të madh në atë sallë të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skenderbe, në këtë 550-vjetor të vdekjes.

Besoj se ceremonia për riatdhesimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit në Qendrën Nënë Tereza pranë Kishës Katolike Shqiptare, Zoja e Shkodrës — ku morën pjesë udhëheqsit e të gjitha feve të shqiptarëve si dhe përfaqsues politikë dhe pjesëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan, pa dallim – mund të konsiderohet si e jashtzakonshme, deri diku, për komunitetin tonë këtu.  Ndoshta është heret të thuhet nëse kjo ceremoni në Qendrën Nënë Tereza mund të ketë përbërë hapin e parë drejtë një pajtimi kombëtar, sado pak simbolik, në radhët e shqiptarëve këtu dhe në trojet shqiptare.  Besoj se ai vet sot, po të mund të fliste, Mid’hat Frashëri do t’i këshillonte shqiptarët se ka ardhur koha tanimë për të “ përfunduar betejën e fundit ndërmjet tyre”, ashtuqë më fund shqiptarët të bashkpunojnë për të zgjidhur sfidat dhe për të fituar betejat që e presin kombin për realizimin e një jetë më të mirë për brezat e ardhëshëm.

Ka ardhur koha që t’u themi mjaftë propagandës dhe sjelljeve anti-kombëtare që u janë bërë gjatë komunizmit dhe vazhdohet t’u bëhet patriotëve si Midhat Frashëri dhe At Gjergj Fishta!  Fatkeqsisht, regjimi komunist i Enver Hoxhës i kishte shlyer madje edhe imazhet e tyre nga fotografitë historike, në përpjekje për t’i zhdukur ata përgjithmonë nga kujtesa e historisë.  Por megjithëkëtë, veprat e tyre do të mbeten gjithnjë të paharrueshme, sepse të tilla ishin!  Përveç se lutemi që riatdhesimi i eshtrave të Mid’hat Frashërit të mërkurën në Tiranë, shpresojmë gijthashtu që vendimi i qeverisë shqiptare të shënojë njëherazi edhe fillimin e një rishikimi të historisë dhe rivelerësimin serioz të kontributit që kanë dhënë për Kombin e vet patriotët shqiptarë si Midhat Frashëri dhe At Gjergj Fishta.  Është një vendim i mirëpritur për të gjithë shqiptarët vullnet mirë kudo, për të gjithë ata shqiptarë pa dallim feje, krahine ose rrymash politike, ideali i të cilëve, sipas Mid’hat Frasherit duhej të ishte, “Madhëria dhe nderi i shqiptarit, njësia dhe bashkimi i kombit, lumturia dhe përparimi i përgjithshëm.”  Pushoftë në paqë

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Midhat Frasheri, nga Nju Jorku, percjellje dinjitoze

Pikëzime etnopsikologjike të Mid’hat Frashërit

November 11, 2018 by dgreca

1 anton_cefa

Nga Anton Çefa/

“Tipike për shqiptarin është individualizma, vetmimi, uni-primitiv. Historia, mënyra e rrojtjes së gjermësotme, e ka ndaluar shqiptarin të mendojë përgjithësisht për shoqëri dhhe për komb. Individualizma ka qenë tepër e fortë në shpirtin e tij: vetëhen dhe kasollën i ka pandehur qendra e botës dhe strumbullar të gjithësisë.  Un-i ka qenë pika në të cilën mblidhesh bota e tërë. . . . Ky mentalitet i trashëguar . . . na ndalon të mendojmë dhe të kuptojmë se lumturia individuale vjen prej lumturisë së përbashkët dhe se lumturia e përbashkët, kërkon punim të përbashkët.”

***

“Shqipëria, ashtu si të gjitha vendet e tjera ballkanike, është habitat i një populli me pasione të forta politike dhe gati për veprim.”

***

“S’është vetëm varfëri e vendit që e shtyn shqiptarin të arratiset në vende të huaj: është më tepër fryma e tij aventureske. Gjer më dje venin trimat për një mexhitkë në muaj dhe linin ështërat e tyre në Jemen, në Gjirit a në Mosull. Sot kemi kurbete të tjera, Rumani, Bullgari, Amerikë, Misir . . . dhe duke ikur ne, vendi mbetet i shkretë. Kur kthehemi nga kurbeti, më nuk e pëlqejmë Shqipërinë, se u mësuam në Bukuresht, në Misir, në Nju Jork dhe harrojmë, s’duam të mejtohemi se vendi ynë vetëm me përpjekjet tona mund të zhvillohet e të zbukurohet si ato.”

***

“Shqiptarët nuk shkrihen kaq thjeshtë në popullsitë midis të cilave ata vendosen.  Për këtë dëshmojnë kolonitë e shumta, të cilat kanë ruajtur gjuhën e tyre, zakonet dhe doket. Do të përmendja sidomos kolonitë e vogla të Asma Keuz (ishulli i Marmarasë), shtatë fshatra pranë Adrinopojës, tre fshatra në Besarabi, Borgo Erico, pranë Zarës (Dalmaci). Kam njohur njerëz nga këto lokalitete dhe jemi marrë vesh shumë mirë në shqip.”

***

“Këtë kujtim të origjinës, këtë lidhkë të besës së të parëve, arbëreshët e kanë mbajtur të gjallë dhe të fortë, kanë qenë madhështorë të kujtojnë se janë bijtë e Shqipërisë; s’e kanë harruar se gjaku, i cili rrjedh në rrembat e tyre, është tërë ai gjak që ziente në kraharor të heroit Kastriot.”

***

“Karakteri i shqiptarit nuk është i prirur ndaj armiqësisë; vëzhgimet që kam bërë, më detyrojnë më tepër të pranoj se ka më shumë shpirtmadhësi sesa në cilindo popull fqinj. Gjatë revoltave të tyre kundër turqve, gjatë grindjeve të tyre me grekët dhe serbët, shqiptarët kanë treguar bujari e zemërgjerësi, të cilën gjithmonë kundërshtarët e tyre e kanë shpërblyer me tradhti dhe mizori të ftohtë.”

***

“Autori i këtyre rreshtave (thotë Mid’hati për vete, në veprën “Shqiptarët në vend të tyre dhe jashtë”, botuar në vitin 1919. A. Ç.), ka kaluar shtatë vjet më parë nga Gjakova në Mirditë, nëpërmjet Urës së Vezirit përmbi Drin. Në mes të urës, takoi një shqiptar rreth të pesëdhjetave, që po vinte kaluar drejt nesh, mbasi ishte lajmëruar se një i huaj po kalonte në afërsi të shtëpisë së tij. Dashamirësi ynë na ftoi për ta kaluar natën në shtëpinë e vet ose, të paktën, të hanim një kafshatë bukë me atë. Ne ishim me ngut dhe nuk dëshironim të humbnim kohë, por ai nguli këmbë dhe na tha: ‘Në rast se ju nuk pranoni të jeni miqtë e mi kur kaloni fare pranë shtëpisë sime, unë nuk do të kem asnjëherë nderin t’ju pres në shtëpi, sepse ju me siguri nuk do të kini rastin që të kaloni përsëri nga kjo rrugë’. Ne u detyruam të pranonim ftesën.

***

Është e njëjta ndjenjë që e bën shqiptarin të mos pranojë ryshfet, sepse jo vetëm që miku nuk duhet të paguajë kurrë, por është një gjë akoma më e rrallë që një shqiptar të pranojë shpërblim për shërbimin e tij, kur atë e ka bërë për respekt ose për miqësi.”

Filed Under: Opinion Tagged With: Anton Cefa, Pikëzime etnopsikologjike, të Mid’hat Frashërit

Shtëpia e Bardhë në Ditën Kombëtare të Viktimave të Komunizmit

November 10, 2018 by dgreca

Shtëpia e Bardhë shënon për të dytin vit Ditën Kombëtare të Viktimave të Komunizmit/frank-1

NGA FRANK SHKRELI/

Deklarata e Shtëpisë së Bardhë mban datën e 7 Nëntorit 2018, ditës që Shtëpia e Bardhë ka vendosur për të dytin vit, t’ia kushtojë viktimave të komunizmit në botë. “Në Ditën Kombëtare të Viktimave të Komunizmit, ne nderojmë kujtimin e më shumë se 100-milionë vetave të vrarë dhe të persekutuar nga regjimet totalitare komuniste”, në mbi 40 vende të ndryshme të botës. “Ne ritheksojmë mbështetjen tonë të patundur ndaj atyre të cilët luftojnë për paqe, begati dhe liri, anë e mbanë botës”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, të shpërndarë për medien, më 7 Nëntor, data që shënon ditën e Revolucionit Bolshevik në Rusi.

Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë nënvizohet se, “Që prej Revolucionit Bolshevik të vitit 1917 në Rusi, ne kemi qenë dëshmitarë të pasojave të anktheve të mëdha, shtypjeve dhe vdekjeve të shumta. Komunizmi ka përfunduar në eliminimin e lirisë së fesë, të pronës private dhe të lirisë së fjalës. Këto tmerre kanë përfshirë vrasjet e qëllimshme të ukrainasve duke përdorur urinë si mjet eliminimi të tyre gjatë Holodomorit, përndjekjet e mëdha të rusëve gjatë Terrorit të Madh; zhdukjen e kamboxhianëve në fushat e eliminimit dhe vrasjen e qytetarëve të Berlinit ndërkohë që përpiqeshin të arratiseshin nga komunizmi gjermano-lindor për në liri në ish-Gjermaninë Perëndimore. Këto viktima dhe vuajtjet e tyre janë një dëshmi e gjallë e një fakti të pamohueshëm, se komunizmi do të jetë përgjithmonë shkatërrimtar ndaj shpirtit të njeriut dhe ndaj begatisë së njerëzimit”, theksohet në deklaratën me rastin e Ditës Kombëtare të Viktimave të Komunizmit.

Deklarata e Shtëpisë së Bardhë përfundon duke u kujtuar amerikanëve se, “Sot ne kujtojmë të gjithë ata, të cilëve u janë mohuar bekimet e mëdha të lirisë, nën regjimet shtypëse komuniste. Së bashku ne mbajmë zi, duke kujtuar humbjet e mëdha që shumë prej tyre kanë pësuar nën komunizëm dhe njëkohësisht të angazhohemi rishtas për të vazhduar përpjekjet tona për avancimin e kauzës së lirisë dhe të mundësive për një jetë më të mirë, për të gjithë”, përfundon deklarata zyrtare e Shtëpisë së Bardhë, me rastin e Ditës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, kushtuar viktimave të komunizmit në botë, më 7 nëntor 2018. Vendimi për të kujtuar artë nga 100 milionë viktimat e komunizmit botëror në nivel kombëtar këtu në Shtetet e Bashkuara ishte marrë vitin që kaloi nga Shtëpia e Bardhë e Presidentit Trump, me rastin e 100-vjetorit të Revolucionit Bolshevik, më 1917-n.

Në atë përvjetor vitin e kaluar, në gazetën “Telegraf” kisha shënuar se në Washington u organizuan ceremoni dhe konferenca akademike ku morën pjesë ekspertë dhe historianë nga e mbarë bota, për të kujtuar krimet e komunizmit anë e mbanë botës. . Ishte me atë rast që administrata e Presidentit Trump kishte vendosur që të caktonte datën e 7 Nëntorit, të ditës së Revolucionit Bolshevik Rus, si një datë kujtese për miliona viktimat e komunizmit në botë – një revolucion Bolshevik ky, që sipas deklaratës së parë të Shtëpisë së Bardhë mbi këtë ditë përkujtimore botuar vitin e e kaluar – “shënoi fillimin e disa dekadave të errëta të komunizmit shtypës,një ideologjie politike, e papajtueshme me lirinë, begatinë dhe dinjitetin e jetës njerëzore”, thuhej në deklaratën e vitit të kaluar të Shtëpisë së Bardhë me të cilën u njoftua shpallja e 7 Nëntorit si Dita Kombëtare e Amerikës kushtuar Viktimave të Komunizmit në botë.“Gjatë shekullit të kaluar”, thuhet më tej në atë deklaratë “Regjimet totalitare komuniste anë e mbanë botës kanë vrarë më shumë se 100 milionë veta dhe kanë shfrytëzuar, dhunuar dhe shkaktuar dëme të papërshkrueshme për miliona të tjerë. Këto lëvizje, nën pretendimin se ishin lëvizje çlirimtare kombëtare, në të vërtetë, kanë shkelur, sistematikisht, të drejtat e njerëzve të pafajshëm, dhënë atyre nga Perëndia, siç janë liria e fesë, liria e asociimit dhe një numër lirish të tjera bazë të njeriut që ne i konsiderojmë si të shenjta.

”Siç dihet, deri vitin që kaloi, Shtetet e Bashkuara nuk kanë pasur një ditë të tillë, kushtuar viktimave të komunizmit, ndoshta për arsyen logjike se në Amerikë nuk ka pasur viktima të komunizmit. Por u vendos data e 7 Nëntorit, ditës së Revolucionit Bolshevik rus, për të kujtuar viktimat e komunizmit kudo në botë. Sivjet, Shtëpisë së Bardhë iu bashkëngjit edhe shteti Virxhinia, ligjvënësit e së cilës vendosën marsin që kaloi, që në shtetin Virxhinia të shpallet gjithashtu 7 Nëntori i këtij viti dhe për vitet në vijim, si dita e kujtimit të viktimave të komunizmit në botë. Ka gjasë që edhe shtete të tjera të ndjekin shembullin e Virxhinias.

Me këtë rast dua të përsëris thirrjen time për të disatën herë, se edhe Shqipëria e Kosova, si dy vende që kanë vuajtur më së shumti nga komunizmi, që udhëheqësit aktualë të tyre, të bëjnë diçka simbolike për të kujtuar viktimat e komunizmit – duke caktuar, të pakën një ditë në kalendarin vjetor, kushtuar viktimave të komunizmit – ashtu siç kanë bërë shumica e vendeve ish-komuniste të Evropës Lindore dhe Qendrore. Ky duhet të jetë një obligim solemn mbarë kombëtar shqiptar, një angazhim serioz dhe i pa hile i autoriteteve qeveritare dhe shtetërore, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, në qoftë se kombi shqiptar dëshiron të shkojë përpara, krah për krah, me kombet që kanë vuajtur nga komunizmi dhe të shënojë një pajtim të vërtetë kombëtar. Një vendim i tillë zyrtar për të kujtuar viktimat e komunizmit në trojet shqiptare – duke caktuar një ditë kushtuar kujtimit të tyre – kërkon kurajë morale, vendosmëri dhe vullnet serioz për të kujtuar ato viktima të pafajshme, të një regjimi ilegal dhe shtypës. Përcaktimi i një dite kushtuar viktimave të komunizmit në trojet shqiptare, do të lehtësonte gjithashtu edhe përballimin aq të nevojshëm të politikës dhe të shoqërisë shqiptare, me të kaluarën komuniste dhe do të ndihmonte edhe në zbardhjen e krimeve të komunizmit, kësaj ideologjie çnjerëzore,të një regjimi të imponuar sllavo-aziatik mbi Kombin shqiptar.

Filed Under: Opinion Tagged With: Dita e viktimave te Komunizmit, Frank shkreli, shtepia e bardhe

Nga Wilson tek Trumpi një shekull i SHBA-së

November 9, 2018 by dgreca

Kur SHBA hoqi dorë nga neutraliteti, fati i Luftës së I Botërore dihej. Presidenti i SHBA Wilson vendosi 100 vjet më parë themelet për sistemin liberal botëror, të drejtuar nga SHBA. Trump po e shkatërron tani këtë.

1 Konf e Paqes

Konferenca e Paqes në Paris më 1919 – Katër të fortët, krerët e shteteve aleate David Lloyd George, Vittoria Orlando, Georges Clemenceau, Woodrow Wilson

Shkruan:Michael Knigge/

Në fillim të vitit 1918 presidenti amerikan Woodrow Wilson doli para dy dhomave të Kongresit amerikan dhe prezantoi planin e tij me 14 pika. Tezat e famshme të tij, kishin të bënin me synimet amerikane në Europë dhe Lindjen e Mesme. Por, kishin të bënin kryesisht edhe me riorganizimin e botës së shteteve. E drejta e popujve për vetëvendosje ishte linja drejtuese. Por 14 pikat e Wilsonit shkonin dhe më tej. Presidenti amerikan kërkonte tregti të lirë dhe dhënien fund të diplomacisë së fshehtë, si dhe krijimin e Lidhjes së Kombeve.

Kështu në vija të përgjithshme më 1918 u pa sistemi liberal botëror, i cili u ndërtua pas Luftës së Dytë Botërore nën drejtimin e SHBA. Një sistem botëror, që u vu në jetë sepse gjithnjë e më shumë vende iu bashkuan idesë. Ky sistem duket të jetë tani në rrezik, prej një presidenti amerikan, sërish.

Largim nga kolonat themelore të politikës së jashtme amerikane?

Donald Trump është rast i veçantë. Në njëqind vjetët e fundit asnjë kryetar shteti në SHBA nuk i ka vënë në pikëpyetje bazat themelore të politikës së jashtme amerikane, siç i ka vënë presideti i 45-të i SHBA.

Natyrisht që në SHBA ka pasur gjithnjë forca që kanë përkrahur izolacionin. Edhe presidenti Wilson dështoi në politikën e brendshme me konceptin e tij për një sistem ndërkombëtar paqeje. Por refuzimi i programit të tij 14 pikësh nuk u bë nga Shtëpia e Bardhë, por nga një kongres me frymë izolacioniste. Prandaj Wilson vazhdon të shihet si udhërrëfyesi i internacionalizmit amerikan. Deri në futjen në Luftën e Parë Botërore, Shtetet e Bashkuara ishin munduar t’i qëndronin larg konflikteve ndërkombëtare, sidomos atyre në Europë.

Wilson: politikë e jashtme kooperative

Wilson nxorri nga tmerret e luftës një përfundim, që SHBA do të përpiqej për politikë të jashtme multilaterale dhe të karakterizuar nga bashkëpunimi. Kjo duket qartë edhe në fjalimet e luftës, që ai ka mbajtur më 1917. Atje Wilson, thekson se bota duhet të bëhet vend i sigurt për demokracinë.

Shpesh Wilson citohet gabimisht, sikur ai të ketë thënë se SHBA duhet ta bëjë botën të sigurt për demokracinë. Ky është një ndryshim i qartë dhe me rëndësi. Sepse Wilson nuk besonte se e vetme SHBA do të ishte në gjendje ta arrinte këtë, por që mund të arrihej në bashkëpunim me të tjerët dhe nën udhëheqjen amerikane. Një „Lidhje e Kombeve” duhet të krijonte kuadrin për një politikë kooperative ndërkombëtare. Wilson kërkonte të krijonte një organizatë, në të cilën të veprohej vetëm me aprovimin e të gjithëve, ku praktikisht çdo komb të kishte një të drejtë vetoje. Sa kontroverse ka qenë ideja e Wilsonit e tregon fakti që „Lidhja e Kombeve” pati jetë vetëm tre dekada dhe që SHBA nuk u bë asnjëherë anëtare e saj.

BG Trump allein zu Hause bei der UNO (Reuters/C. Barria) “I vetëm në shtëpi” – DOnald Trump në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, 25 shtator 2018

Trump: vendime unilaterale

Nën presidencën e Trumpit, SHBA ka dalë nga shumë pakte të sanksionuara nga Kombet e Bashkuara dhe nga shumë organizata të OKB. Prandaj për shkak të qëndrimit të tij nacionalist, Trump me të drejtë mund të shihet si antipodi i Wilsonit, thotë John Cooper, profesor emeritus në Universitetin e Viskonsit. Ai ka shkruar disa libra për Wilsonin. Për Trumpin ai thotë: “Ai do që të veprojë i vetëm në botë, të tregojë burrin e fortë dhe të marrë vendime unilaterale sipas dëshirës.”

Trump dhe Wilson nuk janë pole të kundërta vetëm në rolin ndërkombëtar të SHBA. Edhe në qëndrimin ndaj migracionit, një temë e diskutuar shumë si në atë kohë edhe tani. Wilson kishte qëndrim të qartë kundër armiqësisë ndaj të huajve, që gjatë Luftës së Parë Botërore ishin kryesisht refugjatë lufte nga Europa. Kur Kongresi amerikan nxorri më 1917 një ligj për kufizimin e migracionit, Wilson vendosi veton. Kongresi vendosi me dy të tretat e votave kundër vetos së tij, një shenjë që tregon sa të mëdha kanë qenë në atë kohë rezervat kundër migrantëve.

“Wilson i urrente demagogët”

Paralelet me aktualitetin janë edhe në këtë pikë të dukshme. Me ndryshimin që, me Trumpin si president në post ka ardhur dikush që nuk i lufton armiqësitë ndaj të huajve, përkundrazi i ndezi edhe më shumë që ditën e parë të kandidimit si president. Për më tepër, Trump nuk është verbalisht kundër, por përdor edhe pushtetin që i jep posti kundër emigrantëve pa pasaportë, duke i ndarë familjet dhe dëbuar nga vendi. Përveç kësaj ai kërkon të kufizojë migracionin legal në SHBA dhe të ulë numrin e refugjatëve që pranohen në vend, në një nivel të ulët që nuk ka qenë kurrë më parë.

Është ende herët për të gjykuar si do të përfundojë kursi konfrontues i Trumpit ndaj politikës internacionaliste. Megjithatë dy vjet janë mjaft, sipas Cooper, për të qenë në gjendje që të thotë se çfarë do të thoshte Wilson për pasardhësin e tij në post: “Ai do ta shikonte Trumpin me frikë dhe tmerr.” Sepse “Trump kërkon vetëm të trazojë ujërat- dhe Wilson i urrente demagogët.” Dhe ky është një ndryshim i dukshëm midis dy presidentëve, që kanë lënë gjurmë në shekullin amerikan midis 1918 dhe 2018.(Kortezi DW)

Filed Under: Opinion Tagged With: Michael Knigge, Nga presidenti Wilson, tek Presidenti Trump

Koreano- jugorja e dashuruar në Kosovën

November 9, 2018 by dgreca

Për mua Kosova është  dhe do të  mbetet një  vend i rëndësishëm që  ka një  ndikim të  madh në  jetën time, thotë Eunji Lee./

 1 Engji1 shkolla katolike2 enxhi koreane

… Është nxënëse e klasës 11 në “Loyola – Gymnasium“ në Prizren, ku i vijon mësimet që nga klasa e gjashtë/

Nga Enver Sulaj/

Emri i saj është Eunji, por të gjithë e njohin si Engji, një trajtë e veçantë emri në gjuhën shqipe e identitetit të saj kosovar. Familja e saj është me prejardhje nga Korea Jugore dhe që nga viti 2001 jetojnë në Kosovë. Është nxënëse e klasës 11 në “Loyola – Gymnasium“ në Prizren, ku i vijon mësimet që nga klasa e gjashtë. Vitin e kaluar, ajo, bashkë me familjen ka qëndruar për një  vit në  Korenë Jugore, ku i ka vijuar mësimet në  shkollën “Taejon Christian International School (TCIS)”. Është rikthyer sërish në Kosovë, me përshtypje dhe përvoja të reja, por nuk e fsheh aspak dashurinë dhe simpatinë për vendin dhe njerëzit këtu.

Ishte një fillimi i ri, me një kurrikulë IB program, me të cilën nuk isha mësuar, thotë në filim të rrëfimit të saj Eunji. Ashtu si në Kosovë, edhe atje nga klasa e dhjetë kishin filluar me një kurrikulë të re dhe vështirësitë e shumta i kam përballuar me ndihmën e shoqërisë dhe të profesorëve.

Përveç pjesëmarrjes në kamp, ajo thotë se për ta kaluar kalsën e 10-të, secili nxënës ishte i detyruar të kryente një projekt me temë shoqërore, të cilin mund ta zgjidhnim vetë. Unë për këtë  projekt e zgjodha titullin “Ta njohim Kosovën”, që e kam ndarë në  katër pjesë, ku përfshihej hyrja, qytetet, ushqimet dhe natyra e Kosovës. Gjatë prezantimit të projektit në fund të vitit, nxënëst, profesorët, prindërit dhe vizitorët tjerë  kishin përshtypje  shumë  të  mira. Shumë njerëz ishin kureshtarë  të  informoheshin mbi një  vend të  panjohur e të  padëgjuar dhe mbetën të habitur e gojëhapur me bukurinë  dhe traditat e Kosovës. Shumë  prej tyre shprehën dëshirën  që  në  të  ardhmen ta vizitojnë  Kosovën.

Ajo thotë se një ngjarje shumë  e rëndësishme gjatë  këtij viti ishte “Olimpiada dimërore 2018” e cila u mbajt në PyeongChang, Kore. Ishte një skitar nga Kosova, të cilin ne si familje kishim dëshirë  ta takonim, por nuk ia arritëm, megjithatë, kisha nderin që t’i  vizitoja dhe të  shihja nga afër lojërat e mbajtura dhe t’i  admiroja sportistët që  me vite ishin ishin përgatitur për ato momente. Përveç kësaj, kam pasur mundësi  të  shihja një  koncert të  shumë  artistëve koreano- jugorë  të  muzikës K-pop.

Kjo përvojë  më  mësoi shumë  gjëra për jetën në  Kore dhe mbi njerëzit e kulturën koreane dhe më  dha një  perspektivë  më  të  gjerë  për prejardhjen time. Mirëpo, para së  gjithash, sërish më  mori malli për Kosovën dhe për shoqërinë që  kam këtu. Për mua Kosova është  dhe do të  mbetet një  vend i rëndësishëm që  ka një  ndikim të  madh në  jetën time, thotë Eunji Lee.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: e dashuruar në Kosovën, Enver Sulaj, Koreano- jugorja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 403
  • 404
  • 405
  • 406
  • 407
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT