• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ikje që nuk ndalen

March 1, 2018 by dgreca

1 Alma LIci MirakajNga Alma Liço/

E ulur pranë dritares, po vështroj me kërshëri flokët e dëborës që vallëzojnë në mënyrë kaotike, duke zbardhur gjithë ambientin  rreth e rrotull.  Rrugëtimi i ngadalshëm dhe pa kthim duket sikur i shformon ato, dhe më pas i përplas lehtas në sipërfaqet ku prekin,  për t’ju bashkuar pa asnjë mëdyshje simotrave të tyre. Eshtë një ditë e zakonshme dimri kjo për Gjermaninë, vendin e begatë që u bë streha e qindra e mijëra bashkëkombësave që u arratisën të dëshpëruar e që mbërrijnë çdo ditë për një jetë ku t’u garantohen të drejtat elementare që duhet të gëzojë çdo qënie njerëzore e epokës që jetojmë. Më shumë se trishtuese.

E mësuar me klimën e Tiranës që gjatë stinës së dimrit mbytet në shi, si dhe me shtëpitë e akullta që nuk arrijnë të ngrohen kurrë, ky fenomen është disi i pazakontë për mua. Të shijoj bardhësinë  verbuese të dëborës, ndërkohë që mbaj në trup një veshje verore, është diçka që nuk e kisha imagjinuar asnjëherë ta provoja. Përjetime të tilla ishin produkt filmash emocionues dhe personazhesh romantikë që lundronin ethshëm në oqeanin e fantazisë. Ja pra që ndodhi. Udhët e Zotit janë të pafundme dhe të mistershme në surprizat impresionuese që rezervojnë. Një portë e errët që mbyllet padrejtësisht, dhe një tjetër që hapet e madhërishme në bujarinë që ofron, në një vend të begatë. Pranë saj qëndron me krahë hapur një person shumë i rëndësishëm për mua. Eshtë dashuria e pajetuar e viteve të herëshme të rinisë, e zvarritur mes lotëve dhe privacioneve të internimit. Si në një cirkuit të mahnitshëm e të pabesueshëm, rrugët e jetës bashkohen sërish, larg Shqipërisë, larg politikës bastarde që aq mizorisht plagosi e shkatërroi pa u ndalur ëndrrat tona.

Si për të qartësuar, dhe deri diku ngushëlluar veten për fenomenin e ikjeve masive, mundohem të risjell kronologjikisht në kujtesën time të lënduar, gjithë ato ngjarje që mizorisht kanë shoqëruar ekzistencën dhe mbijetesën në Shqipëri. Ato vite shprese dhe entuziasmi naiv që u zvarritën në hapësirat e mjegulluara të zhgënjimit, ngjasojnë me ato të qindra mijëra bashkëqytetarëve të tjerë që pësuan të njejtat përjetime. Për fat të keq,  episodet e ndërlidhura tragjikisht, kanë në themel të tyre urrejtjen,  flakjen dhe refuzimin. Ato ngjarje drithëruese përcjellin mohimin e asaj të madhërishmës që Zoti e dhuron vetëm një herë, vetë  JETES.

Me sytë e mallëngjyera të kujtesës dhe imagjinatës, arrij të dalloj një vajzë të vogël hipur majë rimorkios së një makine ogurzezë. Shoqëruar nga zhurma e përbindshme e motorit të amortizuar dhe lëkundjet e pamëshirshme të shkaktuara nga rrugët me gropa, së bashku me familjen e saj, atë ditë të nxehtë shtatori, po udhëton drejt fshatit të internimit. Ajo vogëlushe, e trembur, e përhumbur mes drithërimash dhe dhjetra pyetjesh pa përgjigje, isha unë. Nuk kisha si ta dija se familja ime duhej të vuante internimin e përjetshëm, për “fajin” e vetëm se babai i tim eti kishte qenë kundërshtar i ideologjisë komuniste dhe bëmave të saj mizore, duke e paguar këtë “krim” si mijëra të tjerë, me jetën e tij. Në ato vite të tmerrshme të internimit njezët e tre vjeçar, ku u vra e u varros fëmijëria dhe rinia ime, provova vuajtjen e tejskajshme fizike dhe atë shpirtërore, provova dhe përjetova dhimbjen, përbuzjen, përjashtimin, lotët e pafajshëm e pa shpjegim, provova urinë, etjen, denigrimin, persekutimin.

Shpesh kam pyetur vehten, si i rezistuam gjithë asaj mynxyre me përmasa katastrofike???…Si ja dolëm të mbijetojmë? Vallë, ishte shpresa se ndoshta një ditë fatet do të ndryshonin, apo thjesht inercia dhe forca e vazhdimësisë së jetës që triumfonte mbi barbarinë në mënyrë të heshtur dhe të pashpjegueshme? Ndoshta ishin të dyja bashkë….nuk e di…..edhe sot e kësaj dite nuk kam një opinion të qartë për burimin e forcës së qëndresës, në atë skëterrë të përbindshme, në atë sundim gjakatar, në atë genocid të llahtarshëm, që në emër të një ideologjie të çmendur,  shqiptarët ua shkaktuan bashkëqytetarëve  të tyre.

Me një lloj nostalgjie të pezmatuar, refleksionet më rikthejnë në vitet 1990, kur erërat e lirisë dhe ndryshimit filluan të fryjnë në dyert e bunkerizuara të Shqipërisë. Po shembeshin mure ndarës, po shqyheshin gardhet me tela me gjëmba që izoluan vendin për dyzet e pesë vite nga pjesa tjetër e botës. Një ylber enigmatik dhe joshës ishte çfaqur në horizontin e errët të diktaturës. Mijëra shqiptarë kapërcyen kangjellat e Ambasadave të shteteve perëndimore për t’ja mbathur nga varfëria dhe mungesa e lirisë, mijëra të tjerë u kacavirën me litarë drejt anijeve të ankoruara në portet e vendit. Nuk u mor vesh kurrë numri i atyre bijve të dëshpëruar që humbën përgjithmonë në thellësitë e Adriatikut. Qindra mijëra të tjerë marshuan të uritur drejt maleve, për të mbërritur në shtetet fqinje. Ikje dhe vetem ikje, që kalonin përmes lotëve të nënave që ndaheshin ndoshta përjetësisht nga bijtë e bijat e tyre. Shumë syresh e paguan me jetë këtë aventurë të dëshpëruar. Plumbat e rojeve kufitare i prenë në mes shpresat dhe ëndërrat për një jete më të mirë. Dhimbje dhe lot.

Historia përsëritet në mënyrë cinike. Madje shumë më keq. Nuk ka ndodhur asnjë pushtim barbar, që ashtu si pesëqind vite më parë, të detyrojë shqiptarët të arratisen masivisht nga vendi i tyre.  Bashkëatdhetarët e mi  ja mbathin nga dhuna,  padrejtësia  e varfëria, që në emër të një ideologjie vrastare, shqiptarët ua shkaktuan shqiptarëve. Gjëmë e paprecedentë në kohë “paqeje”. Plagë që nuk mbyllen kurrë.

Ehh….sikur kjo tragjedi me përmasa kombëtare të përfundonte me rënien e rregjimit komunist. Shkërmoqja e sistemit u pasua nga një situatë kaotike e pashembullt. Në arrati nga skamja e tejskajshme dhe mungesa e perspektivës së zonave ku jetonin, qindra, mijëra fshatarë e malësorë, por edhe qytetarë të qyteteve të vogla, zbritën drejt qendrave të mëdha, duke zabtuar toka e troje, e ndërtuar në to shtëpitë e tyre. Ato mbinë në mënyrë të pakontrolluar anë e kënd. Një katastrofë e vërtetë urbanistike, shpërfytyrim i lirisë dhe qytetërimit,  grabitje, dhunim i të drejtës së pronarëve të çpronësuar barbarisht nga komunizmi për të poseduar një ditë pronën e trashëguar nga etërit e tyre, të vrarë apo të kalbur burgjeve të komunizmit. Mungesë e frikshme e funksionimit të shtetit, kaos që shkaktoi mijëra viktima në mbrojtje të një gardhi apo toke.

Pas rënies së asaj diktature të tmerrshme që kishte shkatërruar çdo ekuilibër njerëzor, kisha gjykuar se vendosja e rregullave demokratike, nuk mund të realizohej menjëherë. Në vitet e para të posdiktaturës, e përjetova si diçka normale anarshinë e tejskajshme. Izolimi dhe mungesa totale e modeleve të krahasimit, kishin lënë gjurmët e tyre në paqartësinë e funksionimit të një shteti të së drejtës. Me naivitet, kisha menduar se çdokush mund të kontribuonte në përmirësimin dhe deri diku, normalizimin e asaj situate dramatike. Mjaftonte që ta dëshironte këtë gjë. I përkisja asaj kategorie personash që kishin vendosur të jetonin në Shqipëri dhe të preknin me gëzim të ligjshëm të gjitha ndryshimet e shumëpritura. Prisja dënimin e krimeve dhe kriminelëve që terrorizuan, masakruan, varfëruan dhe përçudnuan një popull të tërë. Pretendoja se nuk do ishte e largët dita kur do të bëhej drejtësi për viktimat e pafajshme që vuajtën brez pas brezi mizorinë e diktaturës. Dëshiroja të ndodhte një fashitje e urrejtjes ndërmjet shqiptarëve, fenomen çnjerëzor që e kishte mbjellë dhe ushqyer në dekada “lufta e përbindshme e klasave”.

Asgjë nga këto nuk ndodhi. Transformimet që po konturoheshin, çdo ditë e më tepër po çfaqeshin si një fasadë me gënjeshtra e mashtrime “demokratike”. Pinjollët e familjeve të nomeklaturës komuniste, u ricikuan në të gjitha institucionet e shtetit. Ata, djajtë e kuq, që vendosën dhe zbatuan diktaturën, veshën lëkurën e qengjit dhe filluan të rrahin gjoksin për demokracinë dhe të rrëmbenin gjithë benefitet e saj. Strategu dhe mësuesi i tyre, Ramiz Alia, kishte parashikuar me detaje hapat cinike e mashtruese që  do të realizonin ndryshimin e sistemit, duke ruajtur dhe trashëguar drejtimin dhe posedimin e pushtetit nga të njejtat duar mizore….Sa dilema, sa kundërshti dhe vuajtje për të arritur në konkluzione të tilla, që përmbysën mizorisht të gjitha pritshmëritë që sjell nevoja për ndryshim.

…………Shkëputem për një moment nga refleksionet drithëruese dhe marr në duar albumin e vogël të fotove, vendosur mbi komodinë. Në faqen e parë të tij ndodhet një foto e tim eti. Pamja e tij fisnike përcjell një buzëqeshje të trishtueshme. Tre vite më parë, në një dhomë të ftohtë dhjetë metra katrorë, në qytetin e Tiranës, mbylli sytë babai im. Ati im i mrekullueshëm e i shumëvuajtur, u largua nga kjo jetë me brengën e madhe të vuajtjeve të pashpaguara.  Ai i dha lamtumirën kësaj bote, ndërkohë që askush nuk i kërkoi falje për gjakun e pafajshëm të të atit intelektual, që u vra barbarisht nga qeveria komuniste. Askush nuk kërkoi ndjesë për vuajtjet e pafundme në kampet e internimit familjar. Askush. Im atë ndërroi jetë në një dhomë të vogël, pa mundur të posedojë asnjë nga pronat e trashëguara, të katandisura në disa dosje mjerane e harta të vjetëruara. Ai mbylli sytë, ndërkohë që të ardhurat e pensionit lëmoshë, nuk i mundësonin as blerjen e ilaçeve.  Ai u largua duke mbajtur mbi shpatullat e tij të munduara, gjithë peshën e urrejtjes klasore që nuk rreshti kurrë së qeni e tillë.  Një urrejtje që vinte nga e njejta ideologji, dhe nga të njejtët persona.  Në emër të “luftës së klasave”, në vitet e pseudodemokracisë ai përjetoi flakjet nga puna të fëmijëve të tij. Në zbatim të të njejtit terror, ata, fëmijët e tij, që u rritën internimeve, duhej të riprovonin sërish hedhjen në rrugë, privacionet, padrejtësinë, varfërinë.

……Ehhhhhhhhhhh……sa dhembje të tjera mori me vehte im atë.

Pasi përkëdhel lehtas foton, e vendos sërish albumin mbi komodinë. Në përkujtim të shpirtit të tij, aty pranë,  ndez një qiri. Dy pika lot më rrokullisen në fytyrë. I le të rrjedhin. Kam nevojë të qaj.   Më ndëshkuan sërish për prejardhjen time antikomuniste. Madje, bijtë e etërve mizore, patën paturpësinë cinike edhe të ma deklaronin.  Absurde, çnjerëzore në kufijtë e të pabesueshmes.

Sakaq dëbora ka pushuar së rëni, duke shtruar një tapet të bardhë rreth e rrotull. Dy ketra të murrmë lëvizin me shpejtësi në degët e një peme që ndodhet karshi dritares, duke krijuar re të vogla të bardha lëvizëse. Këto krijesa të vogla të natyrës janë duke shijuar lirinë e tyre, atë që vendi ku linda dhe jetova për më shumë së gjysëm shekulli, ja mohoi krijesës më të madhërishme të Zotit….NJERIUT.

Filed Under: Opinion Tagged With: Alma LIÇO, Ikje që nuk ndalen

OKB mbi mundësinë e zgjerimit të BE nё Ballkanin Perëndimor

February 28, 2018 by dgreca

Nga Aida Cama/

Kombet e Bashkuara vlerësojnë se pas gjithë krizave ekzistenciale që ka kaluar BE, financiare, politike dhe gjeopolitike është e rëndësishme që me zgjerimin BE të demostrojë kontinuitet.

Symbolbild Sicherheitsrat (picture-alliance/dpa)

Bashkimi Evropian është duke i dhënë një hov të ri zgjerimit në drejtim të Ballkanit perëndimor me Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë, Serbinë e Malin e Zi. “Vendet e Ballkanit janë duke dialoguar me Bashkimin Evropian, dhe ky është një diskutim në të cilin ne nuk jemi të përfshirë”, thotë Stéphane Dujarric, zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB.

Ky është një zhvillim politik që është nxitur nga Bullgaria, e cila mban presidencën e radhës në BE. Bullgarët donin që bisedimet e pranimit të fillonin me Shqipërinë. Por BE ka shpallur si vende kryesore kandidate Serbinë dhe Malin e Zi, vende të cilave u është hapur një perspektive pranimi në vitin 2025. BE e sheh vitin 2019 si vitin vendimtar për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe është e vendosur të mos importojë konflikte kufitare nga Ballkani në BE. Në vitin 2019 pritet që Shqipëria, Maqedonia dhe Bosnjë Hercegovina të marrin statusin e plotë të vendit kandidat për pranim. Në muajin maj Bullgaria do të organizojë në Sofje një konferencë, ku secilit vend aspirant do i jepet një plan individual aksioni, modeluar sipas nevojave të vendit.

Mundësi të besueshme antarësimi

Kombet e Bashkuara vlerësojnë se pas gjithë krizave ekzistenciale që ka kaluar BE, financiare, politike dhe gjeopolitike është e rëndësishme që me zgjerimin BE të demostrojë kontinuitet. Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është t’ u ofrojë vendeve një mundësi të besueshme antarësimi në BE.

“Ne shpresojmë që dialogu midis Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit të jetë pozitiv. Vendet janë shtete sovrene dhe i marrin vendimet vetë”, thotë Stéphane Dujarric.

Ballkani ofron një mundësi të sigurt zgjerimi dhe kjo mund të shfrytëzohet për t’ i vënë kufi influencës ruse. Pikë të dobët OKB ka dy vendet ballkanike ku ka pasur angazhimin më të madh, Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën.

Në Bosnjë-Hercegovinë, zgjedhjet e tetorit pritet të tregojnë si do të jetë perspektiva euro-atlantike e vendit, për të cilën Republika Srpska bën oponencë të fortë. Kurse Kosovës i duhet të kapërcejë ato që liderët kosovarë i quajnë “paragjykime antimyslimane të institucioneve evropiane”.

Sipas Kombeve të Bashkuara “paradoksi është se Bosnjë Hercegovina dhe Kosova janë tashmë të integruara në BE. Me misionet e veta Bashkimi Evropian ka qenë i angazhuar në këto vende me aspekte të ndryshme të qeverisjes. Këto vende i kanë dhënë pjesë të sovranitetit Bashkimit Evropian, por nuk kanë ende të drejtë të gëzojnë antarësinë”.

Mundësitë e besueshme të pranimit varen edhe nga problemet që ekzisojnë brenda BE. Vështirësitë shkaktohen prej presionit të populizmit në BE. Përvoja e shkurtër e zgjerimit të BE-së me Bulgarinë, Kroacinë dhe Rumaninë ka treguar se anëtarësimi në BE nuk është zgjidhja e gjithë problemeve të ekonomive në tranzicion të Evropës lindore. Megjithëse anëtare e BE, Bullgaria vazhdon të ketë probleme si ato që janë shqetësuese në Ballkanin perëndimor, si sistem i dobët i institucioneve demokratike, korrupsion dhe standart i ulët jetese shoqëruar nga migracioni i lartë. Të njëjtat gjëra mund të thuhen edhe për Rumaninë.

Filed Under: Opinion Tagged With: i Ballkanit Perendimor, OKB, zgjerimi

SHPRESA DHE ZHGЁNJIME

February 27, 2018 by dgreca

1-Eugjen-Merlika-225x300Nga Eugjen Merlika / Duke lexuar artikullin “A po bёhet Republika Ҫeke Zvicra industriale e Evropёs” ndihet njё farё shprese, por edhe njё zhgёnjim qё tё pushton vevetiu. Shpresa lind nga mёnyra se si gazetarja italiane Burba paraqet pёrparimin ekonomik tё njё shteti qё, deri tridhjet vite mё parё, ashtu si Shqipёria, bёnte pjesё nё botёn e Lindjes komuniste, por qё sot ecёn me ritme mё tё shpejta se vetё Vendet e zhvilluara perёndimore. Njё angёshti pushton zemrёn kur mёndja shkon vetvetiu nё njё krahasim tё thjeshtё mes gjёndjes sё sotme tё Shqipёrisё e simotrave tё saj komuniste, kryesisht Republikёs Ҫeke, Hungarisё e Polonisё.

Gazetarja italiane, nё shkrimin e saj objektiv jep njё tabllo me ngjyra tё ndezura tё realitetit tё Republikёs Ҫeke e tё rezultateve tё saj makroekonomikё, pёr t’u pasur zili edhe nga Vendet mё tё zhvilluara tё botёs. Ajo tabllo bёhet tёrthorazi njё shtytje e fuqishme pёr tё na treguar se cila mund tё jetё e ardhmja nё teori e Shqipёrisё nё gjirin e Bashkёsisё evropiane. Rezultatet e shkёlqyera ekonomike t’atij shteti i kushtohen jo vetёm trashёgimisё historike e aftёsive tё popullit tё tij nё plotёsimin e kёrkesave tё njё pune sistematike, tё pёrkushtuar, serioze e me rendimentin e duhur, por edhe pranisё nё Bashkimin evropian e politikёs strategjike tё kёtij tё fundit nё drejtim tё solidaritetit e ndihmёs sё Vendeve mё tё prapambetura.

Njё nga faktorёt e prekshёm tё kёtij zhvillimi dhe njё nga shtytёsit mё tё fuqishёm tё tij, ёshtё prania nё sasi tё madhe e cilёsi tё klasit tё parё tё kapitalit tё huaj, tё madh, tё mesёm apo edhe tё vogёl nё ekonominё e Vendit. Mjafton tё kujtohet prania e prodhuesve tё mёdhenj botёrorё tё automobilёve si Skoda – Volswagen, Huyndai, Toyota, Peugeot e Citroen, veç ndёrmarrjeve tё tjera industriale, mes tё cilave 1000 – 1500 vetёm italiane. Tё gjitha kёto vёrtetojnё se atje shteti ka funksionuar duke i dhёnё sigurinё e duhur kapitalit, nёpёrmjet strategjive tё drejta e politikave tё pёrshtatёshme me normat ndёrkombёtare, sidomos pёrsa i pёrket respektimit tё pronёs e ligjёshmёrisё.

Fatkeqёsisht, nuk ka ndodhur kёshtu nё vendin tonё ku ende, mbas gati mё shumё se njё tё katёrt shekulli, problemi i pronave mbetet i pazgjidhur, madje me masat e fundit tё qeverisё shtyhet pёr nё kalendat greke. Bёjnё pёrjashtim “pronat e reja”, nё njё pjesё dёrmuese tё tyre, frut i veprimeve tё paligjёshme e korruptive. Duke u kthyer mbrapa me mendim del se nё vitet e para 90 kemi patur diçka tё pёrbashkёt me Republikёn Ҫeke, fatkeqёsisht nё kah negativ. Kanё qenё piramidat financiare, qё patёn pёr “mision”, ashtu si kanabisi i viteve tё fundit, tё bindin shqiptarёt se pasuria mund tё vijё edhe nga qielli, sepse kishte ardhur “koha pёr t’u pasuruar” pa mund, mbasi kёtё tё fundit e kishim derdhur me tё tepёr nё kohёn e Enver Hoxhёs. Piramidat lulёzuan edhe nё Ҫeki, por ndёrsa atje problemi u zgjidh me njё marrёveshje politike Shumicё – Opozitё, tek ne u desh tё kryhej njё “kryengritje” haxhiqamiliste, qё e ktheu Vendin vite mbrapa, sa i pёrket zhvillimit dhe dhjetёvjeçarё mbrapa, sa i pёrket besueshmёrisё nё seriozitetin e tij.

Nё fillim tё viteve 90, megjithё prapambetjen strukturore tё ekonomisё sё saj tё dёshtuar, Shqipёria jepte shpresa tё mёdha, nё sajё tё njё sёrё faktorёsh, potencialisht t’aftё pёr tё futur Vendin nё rrugёn e zhvillimit, si pasuritё nёntokёsore, klima mesdhetare me diell, e favorshme pёr bujqёsinё, mosha e re e popullsisё, prirja proevropiane e pjesёs mё tё mirё tё shoqёrisё, pozita gjeografike, fuqia energjitike ujore, etj.Tё gjitha kёto dhunti duhej tё gjenin njё mbёshtetje tё pёrshtatёshme nga njё shtet qё duhej tё reformohej me shpejtёsi nё mendёsinё e tij, pёr t’i hapur “oreksin” kapitalit tё huaj qё tё investonte masivisht nё Shqipёri. Fatkeqёsisht, nё sajё tё mendёsisё komuniste tё trashёguar e tё personifikuar nga pasardhёsit e regjimit, tё mungesёs sё ideve e vullnetit pёr tё krijuar bazёn e zhvillimit, nuk u bё asgjё. Kapitali i huaj erdhi me pikatore dhe ai qё erdhi ishte me shumё pikёpyetje, bujqёsia u la nё mёshirёn e fatit e tё veprimit spontan tё secilit, pasuritё nёntokёsore nuk u shfrytёzuan si duhet nёpёrmjet konçesionesh tepёr tё dyshimtё e zhvillimi mori vetёm formёn e ndёrtimeve, nё tё cilёt u luajtёn interesa tё mёdha tё cilёt u ndihmuan me tё tepёr, duke shkelur normat parake urbanistike e tё mbrojtjes sё mjedisit.

Pёrfundimet janё dramatike, sa i pёrket zhvillimit ekonomik, nivelit tё jetesёs sё pjesёs mё tё madhe tё popullsisё, punёsimit, ligjёshmёrisё, perspektivёs sё brezit t’ardhshёm. Ata bёhen ende mё dramatike kur vihen pёrballё pёrvojave si ajo e Republikёs Ҫeke, apo Vendeve tё tjera ish komuniste, tё cilёt duhet tё jenё objekt i krahasimit me objektivat tonё.

Nё kёta çaste politike, kur para nesh shtrohet me forcё nevoja e plotёsimit tё disa kushteve pёr tё filluar bisedimet pёr hyrjen nё BE, bёhet detyrim pёr klasёn politike tё hedhё poshtё çdo ngurim a mёdyshje nё sendёrtimin e atyre masave ligjore, juridike e politike qё, nё Bruksel e nё kanceleritё e vendeve tё ndryshme, quhen tё domosdoshme. E lidhur me ato masa mbetet, nё mёnyrё tё pazgjidhёshme, lufta kundёr kriminalitetit e korrupsionit, sidomos nё nivelet e larta tё shtetit dhe institucioneve tё tij. Duke gjykuar nga majat e ajsbergut tё atyre dukurive qё po dalin nё dritё ditёt e fundit mbi abuzimin e pushteteve tё ndryshme, tё lidhur me njёri tjetrin, si ai i tokave nё bregdet, dilet nё pёrfundimin se rruga e shёndoshjes sё sёmundjes nuk ёshtё aspak e lehtё dhe paraqet njё problematikё mjaft tё ndёrlikuar. Prandaj reforma nё drejtёsi dhe Vettingu, marrin njё rёndёsi tё posaçme aktualisht pёr tё dhёnё shpresёn se ёshtё ndёrruar kursi i deritashёm. Por edhe kjo ёshtё e paracaktuar tё quhet njё utopi, nёse do tё jetё vetёm shprehje e vullnetit tё klasёs politike, e cila ёshtё pёrgjegjёse nё tё mirё e nё tё keq, pёr gjendjen e Vendit dhe qё, nёpёrmjet trukesh e padish tё ndёrsjellta nё gjirin e saj, pёrbёn mё shumё problemin se sa zgjidhjen e tij.

Por neve duhet tё jemi tё vetёdijshёm se e vetmja rrugё e mёnyrё pёr tё dalё nga mbrapambetja e madhe nё tё cilёn jemi, ёshtё hyrja nё BE dhe çfarёdo çmimi pёr t’u paguar nё privilegje tё ligjёshme apo tё jashtёligjёshme tё “fatlumёve” tё shoqёrisё sonё, nuk mund tё mos paguhet, sepse e ardhmja e Vendit tonё ёshtё pёrmbi gjithshka.

Shkurt 2018

Filed Under: Opinion Tagged With: Eugjen Merlika, SHPRESA DHE ZHGЁNJIME

Lavrovi mbron krimin rusocarist

February 27, 2018 by dgreca

eshref-ymeri

Prof.dr. Eshref Ymeri/Para ca ditësh, ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov, ishte për vizitë në Beograd. Gjatë asaj vizite ai shprehu shqetësimin e Moskës lidhur me planet për krijimin e “Shqipërisë së Madhe” dhe me pasivitetin e Bashkimit Evropian për këtë çështje. Ai deklaroi:

“Natyrisht që neve nuk mund të mos na shqetësojë pasiviteti i Bashkimit Evropian lidhur me nismën që vjen nga Tirana për të ashtuquajturën “Platformë e Tiranës”, e cila është një thirrje e hapur për krijimin e Shqipërisë së Madhe” (Citohet sipas:“Lavrovi komentoi idenë e krijimit të “Shqipërisë së Madhe””. Faqja e internetit “Ria Novosti”. 21 shkurt 2018).

Ndërsa lidhur me ligjin për gjuhën shqipe në Maqedoni, Lavrovi ka deklaruar me shqetësim:“Fare pak kohë më parë, kur në Maqedoni u zhvilluan zgjedhjet parlamentare, kryetari i parlamentit, i zgjedhur në këtë post, hyri në kabinetin e vet dhe në tryezën e punës vendosi flamurin shqiptar” (po aty).

Njëkohësisht, mjetet ruse të informimit masiv bëjnë të ditur se gjatë vizitës në Beograd, Lavrovi paska lëshuar edhe një deklaratë tjetër. Ai paska thënë:

“Moska është e gatshme të dalë në rolin e ndërmjetësit në bisedimet e zgjeruara mes autoriteteve të Serbisë dhe të Kosovës” (Citohet sipas: “Rusia është gati të dalë në rolin e ndërmjetësit në bisedimet Serbi-Kosovë”. Faqja e internetit e gazetës “Izvestia”. 21 shkurt 2018).

Për dijeninë e kryediplomatit rus, në leksikun e gjuhës shqipe nuk ekziston absolutisht termi “Shqipëri e Madhe”, një term ky i shpikur nga diplomacia dhe politika grekosllave dhe i përkrahur fuqimisht nga diplomacia dhe politika ruse. Në leksikun e gjuhës shqipe ekziston vetëm termi “Shqipëri Etnike”, e banuar nga shqiptarë rrënjës gjatë shekujve. Se ku shtrihet “Shqipëria Etnike”, Sergej Lavrovi le ta mësojë, duke shfletuar Fjalorin Enciklopedik Rus, botim i Akademisë së Shkencave të Peterburgut,  cili ka dalë nga shtypi në vitin 1896. Le të lexojë atje zërin “Albania”, f. 359.

Me këtë rast, dëshiroj që Sergej Lavrovit t’i kujtoj se me deklaratën e tij kundër të ashtuquajturës “Shqipëri e Madhe”, ai, si përfaqësues i lartë i diplomacisë dhe i politikës ruse, vazhdon të mbrojë me xhelozi krimin rusocarist dhe të ndjekë me besnikëri traditën armiqësore të diplomacisë rusocariste kundër kombit shqiptar. Sepse perëndimi evropian na i copëtoi trojet tona etnike pikërisht nën presionin e diplomacisë dhe të politikës rusocariste, duke filluar nga Kongresi famëkeq i Berlinit.

Këtu po ndalem vetëm në ca momente kulmore, për të nxjerrë në pah faktin se politika rusocariste, tradicionalisht, ka mbajtur një qëndrim tejet armiqësor në periudhat e kthesave historike për fatet e kombit shqiptar, qëndrim ky që është kultivuar me shumë kujdes në radhët e mbarë opinionit publik rus.

Së pari, kur diskutimi i çështjes kombëtare shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XIX kulmoi me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit që u mblodh më 10 qershor 1878, fuqitë evropiane u mblodhën në Kongresin e Berlinit dhe më 13 korrik të po atij viti, nën presionin e fuqishëm të Rusisë, nënshkruan një traktat famëkeq për copëtimin e trojeve etnike shqiptare. Para nënshkrimit të atij traktati, sipas dispozitave të një projekti franko-austriak, përfaqësuesit e Gjermanisë, të Austro-Hungarisë, të Francës, të Britanisë së Madhe dhe të Italisë i rekomanduan Portës së Lartë që krejt trevat etnike shqiptare t’i bashkonte në një vilajet të vetëm, çka krijonte kushte për shpalljen e autonomisë së tyre në kuadrin e Perandorisë Otomane. Por agjenti diplomatik rus Hitrovo, paraardhës carist i Sergej Lavrovit, interpretoi “qëndrimin e përgjithshëm të qeverisë së tij që ishte kundër çdolloj autonomie shqiptare” (Citohet sipas: Arben Puto.“Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare të periudhës së imperializmit”. Shtëpia Botuese “8 nëntori”, vëll.I (1867-1912). Tiranë, 1984, f.34).

       Së dyti, kur të katër vilajetet shqiptare ishin në prag të shpalljes së pavarësisë dhe kur vendeve fqinje nuk u ishin ndezur ende epshet shoviniste për copëtimin e tyre, pikërisht Rusia ishte ajo, e para, që kishte marrë në dorë hanxharin për një copëtim të tillë dhe për zhdukjen e tyre nga harta e Evropës. Kështu, më 27 tetor  (9 nëntor) 1912, në një telegram sekret që i dërguari rus në Beograd, N.G. Hartvig, i dërgonte Ministrisë së Jashtme Ruse në Sankt Peterburg, thuhej:

       “Për shkak të zgjerimit të ardhshëm të territoreve të të katër aleatëve, një Shqipëri autonome do të dukej si një anomali, si një vatër e përhershme trazirash, të cilat do të ngjallnin shqetësime për paqen në Ballkan… Shqipëria do të duhet të copëtohet mes Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë” (Citohet sipas librit: “Faktori shqiptar në zhvillimin e krizës në territorin e ish-Jugosllavisë. Dokumente. Vëll. i parë (1878-1997)”. Shtëpia Botuese “INDRIK”. Moskë  2006, f. 57).

Së treti, menjëherë pas këtij njoftimi, vjen edhe reagimi i Ministrit të Jashtëm të Rusisë Sergej Sazonov, paraardhës carist i Sergej Lavrovit. Në kujtimet e veta, ky ministër, si armik i betuar i kombit shqiptar, shkruan:

“Kuptohet vetvetiu se nga ana e Rusisë copëtimi i Shqipërisë mes ballkanasve, në thelb, nuk mund të haste në kurrfarë kundërshtimesh… Lejimi i Serbisë për të pasur një dalje në Adriatik, gjatë një periudhe të gjatë kohe, u shndërrua në një problem qendror të politikës evropiane, megjithëse në vetvete ai kishte një rëndësi thjesht të karakterit lokal. Qëndrimi i zjarrtë ndaj këtij problemi i opinionit mbarëshoqëror serb, nuk vonoi të gjente jehonë edhe në Rusi. Disa qarqe të Petrogradit, shumë të afërta me oborrin e carit, dhe mbarë shtypi i kryeqytetit me kahje nacionaliste…nisën…një fushatë të bujshme, të shoqëruar me demonstrata nëpër rrugë dhe me mitingje, ku mbaheshin fjalime patriotike, në të cilat kërkohej fillimi i luftës në mbrojtje të interesave sllave…” (Citohet sipas: Sergej Dmitrijeviç Sazonov. “Kujtime”. Shtëpia Botuese “Harvest”. Minsk 2002, f.77-79).

Në këtë mënyrë, Rusia përgatiste terrenin për copëtimin e trojeve etnike shqiptare, që u konkretizua me vendimin e Konferencës famëkeqe të Londrës që u mor më 30 maj 1913. Sipas atij vendimi famëkeq, u njoh pavarësia e Shqipërisë së sotme, jashtë së cilës, me këmbënguljen e jashtëzakonshme të Rusisë, mbetën ¾  e trojeve tona etnike.

Së katërti, dy vjet pas shpalljes së pavarësisë, Rusia, që mbante në dorë hanxharin për zhdukjen e Shqipërisë nga harta e Evropës, kishte vendosur të kënaqte përfundimisht epshet shoviniste grekosllave.       Moris Paleologu, ish-ambasador i Francës në Rusi prej korrikut të vitit 1914 deri në maj të vitit 1917, në kujtimet e veta përmend një audiencë që ka pasur asokohe në Carskoje Sjello më 21 nëntor 1914, me kërkesë të carit rus Nikollaj II. Ai shkruan:“Perandori më pret me mirësjelljen e tij karakteristike, me përzemërsi dhe paksa me druajtje… Mandej, pasi shpalosi hartën e Gadishullit të Ballkanit, ai, në vija të përgjithshme, më parashtron këndvështrimin e vet se cilat duhet të jenë ndryshimet territoriale, të cilat ne, sipas vlerësimeve të tij, duhet t’i dëshirojmë: Serbisë t’i aneksohen Bosnja, Hercegovina, Dalmacia dhe pjesa veriore e Shqipërisë. Greqia të marrë Shqipërinë e Jugut, përveç Vlorës, e cila do t’i lihet Italisë” (Citohet sipas: Moris Paleologu. “Rusia cariste gjatë luftës botërore”. Shtëpia Botuese “Mezhdunarodnëje otnoshenjija. Moskë 1991, f. 129).

Në takimin me ambasadorin francez, perandori rus i çelte rrugën zhdukjes një herë e mirë nga harta e Evropës edhe të kësaj ngastre Shqipërie që mbeti pas Konferencës së Londrës, zhdukje që do të shpallej me vendimin e Traktatit të fshehtë të Londrës që u mor më 26 prill 1915 dhe ku Rusia luajti violinën e parë.

Pra, nëse diplomacia dhe politika ruse do të dëshironin të kishin marrëdhënie vërtet korrekte me Republikën e Shqipërisë dhe me mbarë shqiptarët në trojet tona etnike, atëherë ajo, pikë së pari, duhej t’i kishte kërkuar ndjesë me kohë kombit shqiptar për qëndrimin tejet armiqësor që ka mbajtur ndaj tij diplomacia rusocariste, të konkretizuar me hallakatjen e shqiptarëve nëpër disa shtete ballkanike.

Lidhur me deklaratën e Lavrovit për dëshirën e diplomacisë ruse për të marrë pjesë si ndërmjetëse në bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës, mund të thuhet ballazi se ajo tingëllon naive, për të mos thënë paradoksale. Si është e mundur që Moska të kërkojë të marrë përsipër rolin e ndërmjetësit në bisedime të tilla, kur ajo nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur? Jo vetëm kaq, por gjatë tërë kohës së luftës dhe pas luftës në Kosovë, Moska mori në mbrojtje Millosheviçin, u radhit përkrah Serbisë gjatë krimeve dhe shkatërrimeve të jashtëzakonshme që ajo bëri në Kosovë, duke e konkretizuar simpatinë e saj për Beogradin me regjistrimin në Moskë ditën për drekë të 70 mijë vullnetarëve para dyerve të ministrisë së mbrojtjes, për të shkuar në frontin e luftës dhe për të vrarë shqiptarë. Jo vetëm kaq, por përfaqësues të lartë zyrtarë rusë dolën dëshmitarë në mbrojtje të Millosheviçit gjatë procesit gjyqësor në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.

Sergej Lavrovi nervozohet dhe ngrihet kundër ligjit që aprovoi parlamenti i Maqedonisë për gjuhën shqipe, si gjuhë të dytë zyrtare. Ky është një tjetër qëndrim paradoksal i kryediplomatit rus kundër popullit shqiptar të Maqedonisë, i cili, faktikisht, përbën 40% të popullsisë së atij vendi. Me sa duket, Lavrovi nuk ka arritur të shkëputet dot nga mendësia e ish-perandorisë sovjetike, kur Moska mundohej t’i rusifikonte ish-republikat sovjetike edhe përpërmjet gjuhës ruse, duke lënë pas dore gjuhët e kombësive.

Kur njihesh me qëndrimin tradicionalisht armiqësor të diplomacisë dhe të politikës rusocariste ndaj kombit shqiptar dhe me mbrojtjen e saj nga ana e diplomacisë dhe e politikës ruse të ditëve tona, sidomos me rreshtimi e saj përkrah kriminelit Millosheviç për masakrat dhe shkatërimet e rënda që bëri në Kosovë, nuk mund  mos të të vijë ndër mend fjalimi i avokatit të shquar rus Vasilij Maklakov, i mbajtur në Dumën ruse në gusht të vitit 1915. Moris Paleologu, në kujtimet e lartpërmendura, ka shkëputur nja frazë mjaft domethënëse nga ai fjalim:

“Rusia është modeli i shtetit, ku njerëzit nuk janë në vendin që u takon” (po aty, f.9).

Mirë është që ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov ta ketë të qartë se Çështja e Ribashkimit të Trojeve Tona Etnike vazhdon të mbetet e ankthshme që asokohe kur perëndimi evropian, nën diktatin e shovinizmit carist rusomadh, i copëtoi në mënyrën më barbare nga trungu amë. Kjo Çështje Madhore e kombit shqiptar kërkon zgjidhje, kërkon zhbërjen e padrejtësisë që atij iu imponua me dhunë nga fuqitë e mëdha evropiane.

Kërkesa për kthimin e atij borxhi që na kanë fuqitë e mëdha evropiane, ushton fuqishëm në vargjet poetike, në këngët popullore që burojnë nga shpirti i popullit dhe në këngët e kultivuara të artistëve të talentuar, apo në intervista dhe artikuj publicistikë.

Çdo shqiptar me vetëdije të lartë kombëtare nuk mund dhe nuk duhet të heshtë para deklaratave të tilla të papërgjegjshme që ka lëshuar kryediplomati rus gjatë vizitës së tij në Beograd. Normalisht, kundër deklaratave të Lavrovit në Beograd duhej të ngrihej dhe të protestonte fuqishëm klasa politike shqiptare në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkup. Por, fatkeqësisht, në trekëndëshin në fjalë, nuk mund t’i kërkohet klasës politike shqiptare të reagojë siç duhet ndaj deklaratave të lartpëmendura të Lavrovit, sepse artin e nënshtrimit dhe të servilizmit para të huajve ajo e ka yll karvani. Kjo është vërtetuar katërçipërisht që në dhjetorin e vitit 1990, kur në Shqipëri u vendos sistemi pluralist. Ishte rasti më ideal që kjo klasë politike të dilte botërisht me platformën e zhbërjes së vendimeve të Konferencës famëkeqe të Londrës dhe të kërkonte me zë të lartë Ribashkimin e Trojeve Tona Etnike në një shtet kombëtar, me një stemë dhe me një flamur. Por klasa politike shqiptare heshti, paçka se pas vitit 1990, në Evropë u ndryshuan shumë kufinj dhe u krijuan 18 shtete të reja.

Le të shpresojmë se një ditë të bukur do të dalë në skenë një tjetër klasë politike shqiptare, me vetëdije dhe me moral të lartë kombëtar, e cila do të luajë rolin që i takon, duke siguruar përkrahjen e mbarë kombit shqiptar. Le të shpresojmë se kjo klasë e re politike do të bëhet Kryezonjë e Idesë Madhore për Ribashkimin e Trojeve Tona Etnike, duke e përzënë nga skena e jetës shqiptare klasën e tanishme politike pa vetëdije dhe pa moral kombëtar, servile të regjur dhe kurrizshtruar shembullore para të huajve.

       San Francisko, Kaliforni

26 shkurt 2018

Filed Under: Opinion Tagged With: Lavrovi mbron krimin, Prof. dr. eshref Ymeri, rusocarist

Të veçanta rreth personalitetit të Skënderbeut

February 24, 2018 by dgreca

Nga Anton Çefa/

Duke përsiatur herë mbas here, si çdo shqiptar, rreth jetës e bëmave të  Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, këtij personaliteti madhor, më madhori e më i shquari i kombit tonë, më kanë bërë përshtypje disa gjëra.

Edhe në veshje e në paraqitjen e jashtme njeriu shfaq botën e tij të brendshme. Në përkrenaren e Skënderbeut qenë gdhendur koka dhe brirët e dhisë: një dëshmi e shkëlqyeshme që Ai është bir trojesh të lashta mitologjike e pagane, dhe është krenar për këtë. Në mitologjinë tonë iliro-shqiptare, dhija është simboli i orëve dhe zanave – hyjneshave të çuditshme që jetonin në tokë, por që kishin në vetvete cilësi e atribute tejtokësore, që jetonin me shqiptarët dhe ndikonin në fatet e tyre, i ndihmonin a edhe i ndëshkonin ashtu si perëndeshat olimpike. Ato shitonin a edhe dënonin me vdekje, me një vdekje sa të çuditshme aq të lavdishme: duke i përjetësuar në gur.

Ato i ndihmuan kreshnikët legjendarë të eposit tonë, Mujin e Halilin, në luftën për mbrojtjen e vendit prej armikut shkja. Ato do ta ndihmonin Heroin tonë, që kishte dalë nga legjenda dhe ishte futur në histori, në atë më të lavdishmen histori të kombit tonë.

Duhet vënë në dukje, gjithashtu, që si Aleksandri i Maqedonisë ashtu edhe Pirrua i Epirit kishin në përkrenaret e tyre brirët e dhisë. Fryt i një mendësie mitologjike ilire a i një nënshtrese më të hershme pellazge. Dhe Skënderbeu edhe pse ishte Mbreti i Arbërit, e quante veten “Mbreti i Epirotasve dhe i Maqedonasve”, sado që ky emërtim nuk përputhej plotësisht me realitetin e kohës. Bile, në një letër që i dërgoi Princit të Tarantit, më 31. X. 1460, siç na e jep Noli, Skënderbeu shkruan: “Në mos gënjefshin kronikat tona, ne quhemi epirotë”.

Ai shpalosi një Flamur, po aq të çuditshëm sa edhe përkrenarja e tij. Një flamur ku ishte fytyruar një shqiponjë me dy krerë; sikur të donte përsëri të dëshmonte se i përket një humusi pjellor mitologjik e pagan. Dhe sado që Europa e mikloi dhe Vatikani e ledhatoi duke i vënë epitetet më përlavduese të kohës, si “Atlet i Krishtit” ose “Mbrojtës i Krishtërimit dhe i qytetërimit përendimor”, etj., etj. ,  ai nuk i vuri flamurit një kryq, siç do t’i përshtatej besimit, mendësisë dhe sidomos qëllimeve të Europës, dhe siç e kishin në atë kohë shumë mbretërira e principata europiane. Një qëndrim tjetër këmbëngulës dhe i përkushtuar ndaj identitetit tonë etnik.

Ai e ruajti, e shpalli dhe na e la trashëgim këtë flamur me mbretin e shpendërisë, shqiponjën me dy krerë që vështrojnë drejt dy orientimeve të kundërta: Lindjes dhe Perëndimit. A kuptimësonte kjo një totem, një trill thjesht pagan, një kult, apor qe pjellë e një ndërgjegjeje tejet të trazuar, që parandjen dyzimin e fatit, që e ndoqi dhe e ndjek historinë e kombit tonë, një dyzim i shtrirë mes dy kontinenteve, mes dy botëve, mes dy qytetërimeve, mes dy kishave, mes dy besimeve. Gjithsesi, koha e fataliteteve ka perënduar, apo nuk ka qenë asnjëherë; por identiteti i një populli është një, dhe duhet ruajtur dhe dëshmuar në simbolet kombëtare dhe në çdo rrafsh të kulturës lëndore e sidomos asaj shpirtërore.

Shumë studiues e kanë lidhur shqiponjën e Skënderbeut me shqiponjën e Zeusit të Dodonës së Epirit, për të cilën bëhet fjalë në veprat homerike, etj.; gjë që na çon rishtas në një nënshtresë kulture ilire a edhe pellazge.

Sido të jetë, ne shqiptarët e pëlqejmë dhe na ledhatohet sedra ta quajmë veten  “bijt e shqipes”, ndoshta edhe për faktin e thjeshtë që shqipja është një shpend i lirë i maleve tona, një shpend që nuk mund ta robërojë kush.

Edhe në emrin e vet, Heroi ynë ka një diçka të veçantë. Ai iu paraqit botës me dy emra: me emrin Gjergj, të familjes, – siç duket në emër të Shen Gjergjit, pajtorit të drejtësisë, forcës dhe mposhtjes e ndëshkimit të së keqes, apo në emrin e një prej heronjve më heroikë të folklorit tonë, Gjerg Elez Alisë, – dhe me emrin e të huajit, Skënderbe, një emër i përngjitur nga Iskander, në emër të Aleksandrit të Maqedonisë, emër që ia vuri Sulltan Mehmeti II, dhe nga titulli Be-beu a Beg- Begu, siç e ka shkruar Ai vetë, titull që shënonte sundimtarin e një krahine, dhe që, edhe pse nuk ishte ndonjë titull ushtarak edhe aq i lartë në sistemin e titujve ushtarakë osmanë, ai e ruajti dhe me këtë emër të dyzuar u fut në histori për ta njohur dhe vlerësuar gjithë bota si një nga strategët më të shquar të të gjitha kohëve.

Mos qe edhe kjo refleks i asaj parandjenje të dyzimit që çekëm më lart, që i diktoi nevojën të porosiste popullin e vet që, edhe pse, në një masë të madhe do të kalonte në besimin islam, gjithsesi të ruante me një përkushtim të veçantë, pothuajse fanatik, gjithçka shqiptare që përbën shpirtin e tij?  Ashtu siç ngjau në të vërtetë. Megjithëse kaluan një provë jashtëzakonisht të rëndë, shqiptarët ruajtën gjuhën, zakonet, konstruktin e vet shpirtëror, krijuan historinë dhe kulturën e vet kombëtare, duke zgjidhur pa mëdyshje dihotominë e vet në drejtimin perëndimor.

Lidhur me emrin do të theksoj edhe këtë:  në letërkëmbim dhe në dokumentet zyrtare, Heroi ynë ka përdorur formën gjuhësore gege, Skander Beg, Skanderbeg. Këtë formë e ruajti Barleti në veprën e tij “Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum Principes”, botuar në Romë në v. 1508-1510. Në portretin më të vjetër të tijin, që është cilësuar sipas Nolit dhe studiuesve tjerë si më autentiku, dhe që ruhet në Galleria degli Uffizi në Firence, shkruhet me shkronja të mëdha GORGIVS SCANDER BEK; Po ashtu, Dhimiter Frangu, në titullin e veprës së vet botuar në Venecie në v. 1541 shkruan: “Comentatorio dele cose de Turchi et del Georgiu Scanderbeg, Principe de Epyro.” Në këtë formë, emri i Heroit është ruajtur në morinë e madhe të veprave, portreteve, medalioneve, etj., që janë botuar më vonë. Atëherë, me ç’të drejtë ne nuk e ruajmë emrin e Heroit tonë, ashtu siç është në origjinal, po e deformojmë nga Skanderbeg në Skënderbeg, duke zëvendësuar atë tingull plot dritë  të “a-së” me një “ë”, që gjallon gjithnjë e hijesuar ? Është kjo një nga paradokset që ne shqiptarëve nuk na mungojnë, por i ruajmë me fanatizëm dhe kokëfortësi.

Filed Under: Opinion Tagged With: Anton Cefa, të Skënderbeut, Të veçanta rreth personalitetit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 440
  • 441
  • 442
  • 443
  • 444
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT