• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FARI I ARBЁRISË

February 4, 2018 by dgreca

“ Qindra vjet më parë, kur Shqipëria lindte vetëm trima e luanë, në qytetin e dëgjuar të Krujës………”-Fan S. Noli/

                                                                                                                         1 eugjen merlika

NGA EUGJEN MERLIKA/Studimi i historisë, ndër të gjitha shkencat humanitare, është ai që nxit më shumë flatrat e fantazisë, për t’u shkëputur nga jeta e zakonshme e çdo dite e për t’u kredhur në kohë të tjera, të afërta apo të largëta. Në këto përfytyrime lind dëshira për t’u njëjtësuar me ato kohë, mjedise, zakone e njerëz, me të cilët do të donim të nisnim një bisedë të gjallë edhe se na duken aq të largët, por që në thelb janë si ne. Edhe se kanë jetuar qindra apo mijra vite më parë, ndërmjet tyre e nesh shumë gjëra kanë mbetur të përbashkëta.

Njeriu lind, jeton dhe vdes. Me pak fjalë kjo është historia e njerëzimit. Lindja dhe vdekja janë dukuritë më të zakonshme, ndaj të cilave, njeriu, megjithë fuqinë e mëndjes, është krejt i pazoti t’i ndryshojë. Ato dukurí janë stacionet ku nis e përfundon udhëtimi i secilit mbi këtë planet të zgjedhur e aq bujar. Mes tyre rrjedhin ditët, javët, muajt, vitet, koha, një karvan i pandalshëm, që nuk njeh fillim e mbarim, por vetëm mbart e shkarkon pa ndërprerje, pa mëshirë…

Jetët e njerëzve ngjasojnë. Të gjitha përmbajnë në vetvete kush më shumë e kush më pak gazin, dhimbjet, kënaqësitë, lotët, dashurinë, urrejtjen, vuajtjen, mundimin, sakrificat, sodisfaksionet, zhgënjimet, dëshpërimin, fitoret, humbjet… Raporti ndërmjet tyre përcakton dhe atë që quhet fat e njëkohësisht dhe vendin që ze secili në bashkësinë njerëzore. Në këtë ecje të vazhdueshme e të pafund shumica dërmuese kalon pa lënë gjurmë, si ujët e lumit që derdhet në det, ndërsa pak, shumë pak shquhen, ngrihen përmbi të tjerët për nga fuqia e mëndjes, e shpirtit e karakterit. Kështu lindin profetët, shenjtët, burrat e shtetit, ligjvënësit, shkencëtarët, filozofët, strategët, shkrimtarët… Janë ata që japin drejtimin e ecjes, që emërtojnë kohët, që përcaktojnë ritmet, që ndriçojnë rrugët, paçka se ka ende nga ata që besojnë se “masat e bëjnë historinë”. Janë farët, vepra e të cilëve është pasuria më e çmuar që trashëgon njerëzimi në përgjithësí e çdo popull në veçantí.

Për ne, shqiptarët, fari më i shndritshëm që ndriçoi mëndjet e zemrat në rrugën e gjatë e të errët të ecjes sonë, qe Gjergj Kastrioti. Pér madhështinë e Tij, fuqinë trupore, aftësitë luftarake  e shtetërore, meritat si apostull i Shqiptarizmit dhe mbrojtës i Krishterimit është shkruar kaqë shumë sa nuk mund të  shtohet asgjë.

I paisur me dhuntí të rralla e forcë të pashembullt karakteri, u shqua mbi të gjithë bashkëkombësit e Tij  për nga vlerat dhe pasojat e një veprimtarie  që, pothuajse njëzëri, është quajtur sipërnjerëzore. Sot, në largësi kohe të konsiderueshme, mbas  disa qindvjetorësh ecjeje në shtigjet e errëta e të thepisura të historisë sonë, ne kuptojmë më mirë se sa mbinjerëzore ishte gjithshka që përballoi e mposhti Gjergj Kastrioti, që nga fuqia ushtarake e Perandorisë më të madhe të kohës, në një nga kulmet e saj të forcës, e deri tek vështirësitë e formimit e të drejtimit të një kombi-shtet, të prirur më shumë për të ruajtur interesat klanore të principatave, se sa për të punuar për të mirën e tij. Kjo vepër madhështore, që bëri figurën e Tij simbolin më të spikatur të idesë së Kombit shqiptar dhe farin më të qëndrueshëm udhërrëfyes të historisë së tij, qe një epope çerek shekullore luftërash në truallin e lashtë të Arbërit, që vendosja gjeografike e kishte bërë të përballej gjithmonë me stuhitë e kohëve.

Turqit, të mahnitur nga cilësitë e princit arbër, i vunë epitetin Iskander-bej, princ Aleksandër, në ngjasim me botpushtuesin më të madh të lashtësisë. Nëse me të e bashkonte prejardhja etnike e aftësitë strategjike të luftëtarit, ndryshimet në karakteret dhe në prirjet e veprimtarive ishin të dukëshme. Aleksandri u shqua si një strateg botpushtues me aftësí të rralla që, në më pak se dhjetë vite, arriti të krijojë një nga Perandoritë më të mëdha të historisë së njerëzimit, ndërsa Skënderbeu spikati si komandant i ushtrive të vogla mbrojtëse, përballë sulmeve të fuqisë më të madhe ushtarake të kohës.

Të dy vdiqën të pathyer në beteja. Mbas vdekjes Perandoria e Aleksandrit erdhi duke humbur shkëlqimin, u coptua e mbaroi ashtu si Shqipëria që humbi lirinë e i u nënështrua natës së gjatë të pushtimit shumë shekullor. Këta fakte lartësojnë më shumë imazhin e personazheve, duke i vënë të dy në Panteonin e historisë botërore, e i bëjnë heroj kombëtarë të popujve të tyre.

Gjergj Kastrioti i u dorëzua amëshimit dhe historisë, por emri dhe vepra e Tij u bënë pjesë të indeve të shqiptarëve që, brez mbas brezi, e përcollën në këngët dhe legjendat, e ruajtën në kujtesë, në zemër, në vetëdije, në ritet e tyre në Shqipëri e kudo në botë ku vunë këmbë. Jeta dhe bëmat e Tij frymëzuan dhe shoqëruan çastet më të rëndësishme të shekujve, ngjarjet e hidhura e ditët e pakta të gazit. Figura e Tij plot shkëlqim, e përcjellë nga Barleti, ka hyrë në ndërgjegjen e Kombit shqiptar si një monument, me gjithë peshën legjendare të imazhit të shpëtimtarit të Atdheut. Por mbas këtij imazhi fshihet jeta e një njeriu, pjesa e parë e së cilës është më shumë e zhytur në mjegullën e legjendës se sa në saktësinë e fakteve të njohura.

Thuhet se lindi në qytetin e Krujës në vitin 1405, në familjen e një princi që ishte kthyer në vasal të Sulltanit si pasojë e betejave të humbura kohë më parë. Ishte mashkulli i fundit i familjes së Gjon Kastriotit dhe Vojsavës, që përbëhej nga katër djem e pesë vajza.. Duke marrë për të vërteta variantet e Barletit dhe Gjon Muzakës, në moshën tetëvjeçare së bashku me vëllezërit merret peng nga Sulltani për të garantuar besnikërinë e t’atit kundrejt tij. Ishte një goditje e fuqishme që do të rrëzonte në gjunjë edhe burra të sprovuar e jo më një fëmijë ende kërthijë, që papritmas gjëndet i vetëm, larg prindërve, vëllezërve, motrave, shokëve, vëndlindjes, në mes të një ambienti të panjohur, të cilit nuk i njeh as gjuhën. Por instikti i fortë mbrojtës i racës i jep forcën për të qëndruar.

Ishte trauma e parë e madhe që pëson në jetën e Tij. I duhet të mësohet me disiplinën e fortë të shkollës së jeniçerëve që është baza e fuqisë ushtarake të shtetit otoman. Aty mëson se jeta nuk të përkëdhel, nuk të fal asgjë, se gjithshka duhet fituar në një garë të pamëshirshme e të pafund. Episodet e ndryshme të dueleve e provave të forcës dëshmojnë për një pregatitje fizike e ushtarake të përsosur. Kështu ngjit shkallët e karjerës nën vështrimin miratonjës të Sulltan Muratit II, që i beson poste gjithënjë e më të rëndësishme, duke qënë i bindur se vitet kanë bërë punën e tyre e Skënderbeu nuk do të ketë tjetër synim veç lavdisë së Perandorisë. Gabohet Sulltani ashtu sikurse do të ishte gabuar kushdo që do të mendonte se dhjetëvjeçarët, nën trysninë e përditëshme të edukatës dhe mendësisë osmane, do të kishin mbytur në embrion çdo kujtesë të fëmijërisë, të familjes, të dheut të lindjes.

Malli dhe dashuria për familjen e shfarosur, për dheun dhe njerëzit e Arbërit ishin si prushi i mbuluar me hi, i pashuar në zemrën e djaloshit. Që këtu fillon sipërnjerëzorja në jetën e heroit, përballimi i një periudhe tridhjetëvjeçare në rolin e aktorit që duhet të rrezatojë besnikërinë për Sulltanin e, në fshehtësi, të derdhë lot të hidhur për gjithshka të dashur, nga e cila e kanë shkëputur me forcë që fëmijë. Duhej qëndrueshmëri e nerva të çelikta, por edhe një formim shpirtëror i pazakontë për t’i dalë në krye një gjëndjeje të tillë. Duhej forcë karakteri që buron nga ADN e molekulave dhe është pikërisht kjo forcë që përcakton personalitetin, i cili është në gjëndje t’i prijë e t’i paraprijë ngjarjeve me përmasa madhore. Në sajë të këtij karakteri, Skënderbeu i lavdisë otomane e i shkëlqimit të oborrit të Sulltanit ruan dhe mbron si gjënë më të shtrenjtë Gjergj Kastriotin, e lindur mes shkrepave të Krujës, duke përcaktuar si synimin kryesor të jetës jo lluksin, famën apo ofiqet vetiake por lirinë e Atdheut. Ai është i vetëdijshëm për rreziqet dhe vështirësitë e sipërmarrjes së lirisë, për të cilën ëndërron e thur plane, por karakteri e shtyn me forcë të hedhë mbas shpine dyshimet e t’i besojë Zotit në qiell dhe shpirtit liridashës të popullit të tij në tokë.

Kur i paraqitet rasti i parë për të sendërtuar ëndërrat, nuk nguron të veprojë me vrullin e një djaloshi e me pjekurinë e një të moshuari. Ishte tridhet e tetë vjeç, në kulmin e fuqisë së trupit, të  shpirtit e të mëndjes e jeta i reduktohet në një qëllim të vetëm: liria e Vendit të të parëve.

“ Lirinë nuk u a solla un, atë e gjeta këtu mes jush…” janë fjalët e para që u drejton bashkatdhetarëve, në agimin e asaj epopeje të gjatë e zulmëmadhe që u bë kuintesenca e historisë së shqiptarëve. Entuziazmi i çastit madhor të Kombit i zbeh dhimbjen për dramën e Tij të brendëshme, atë të vetmisë që e rrethon. Nuk gjen më prindërit e vëllezërit kanë vdekur në rrethana të paqarta. Pranë ka vetëm një motër të re, të tjerat janë të martuara e nga ndarja me to kanë kaluar tridhjetë vite. Legjenda na thotë se Skënderbeu gjeti nënën, Vojsavën, së cilës pritja e gjatë dhe dëshpërimi i kanë humbur arsyen, sa që të mos njohë as të birin. Kjo do të kishte qënë goditje shumë e fortë për zemrën e Gjergjit që, në përfytyresën e tij, kishte ruajtur figurën e bukur të nënës së re e të përkëdhelive të saj, që ishte rritur me to në shpirt e fantazi e tani prekte me dorë pasojat tragjike të asaj dite të mallkuar, kur i grabitën fëmijërinë.

Por koha shtërngon e nuk i le shteg për të vajtuar. Arkivon në shpirt dhimbjen e merr përsipër detyrën e prijësit, në të cilën nuk ka më vend për jetën vetiake. Betejat e pabarabarta që e presin, për të cilat Ai, më shumë se kushdo tjetër, është i vetëdijshëm në rolin e Davidit i rrëmbejnë mendimet, energjitë, shqetësimet. Duhet organizuar qëndresa mbasi mllefi i Sulltanit për “tradhëtinë” është shumë i madh dhe kundërveprimi do të ketë goditje marramendëse. Vrapon për në Lezhë ku princave kolegë e bashkëluftëtarë mundohet t’u përcjellë një të vërtetë të qartë si drita e diellit: lirinë e fituar mund t’a ruajnë vetëm nëse janë të bashkuar e nuk i besojnë sirenave të huaja apo të interesave vetiake, nëse janë të ndershëm e të vendosur për të përballuar barrën që i bie secilit. Vitet e gjata të luftërave e vunë në prova, herë herë të rënda, besën e lidhur në Lezhë.

Me mobilizimin e principatës së Tij Krujë – Mat – Dibër dhe ndihmat e princëve të tjerë në pak kohë krijoi e stërviti një ushtri që pagëzohet në Torvioll me fitoren dhe lavdinë. Betejat pasojnë njëra tjetrën e buzëqeshjeve të shqiptarëve i përgjigjet rritja e famës së prijësit e lindja e shpresës së Evropës së krishterë në mbrojtjen e qytetërimit të saj. Mbreti i Arbërvet mbulohet me lëvdata e premtime ndihmash e mbështetje, sidomos mbas rrethimit të parë të Krujës, në të cilin qëndresa shqiptare shihet si dukuria më e dobishme e shpresëdhënëse për t’i vënë fre lakmisë pushtuese të Perandorisë osmane drejt Perëndimit të krishterë. Por ndihmat janë më shumë me fjalë se me vepra e vitet e luftërave lënë gjurmët e tyre në jetën e arbërve. Çmimi njerëzor e lëndor është i rëndë e prijësi, që e kalon pjesën më të madhe të kohës pranë luftëtarëve të Tij, vuan shpirtërisht. Ai nuk mban asgjë për vete nga trofetë e luftërave, u a shpërndan gjithshka oficerëve dhe ushtarëve. Ata janë për Të familja e madhe ndërsa Ai është për ata prindi, vëllai, mësuesi, gjenerali, komandanti, Mbreti. Në këto marredhënie gjendet edhe kyçi i fitoreve në betejat e vazhdueshme, i sukseseve e i jetëgjatësisë së tyre.

Megjithatë jo gjithshka ecën përsosmërisht në ata vite luftërash e lavdije. Jo gjithmonë aleatët janë të ndershëm e korrektë me Mbretin. Princi më i fuqishëm i Lidhjes, Gjergj Arianiti, e kërcënon me prerjen e ndihmave nëse nuk martohet me të bijën, Donikën. Kështu në moshën dyzet e gjashtë vjeçare Skënderbeu ndërton çerdhen e Tij familjare, për t’i dhënë Arbërisë edhe trashëgimtarët e kurorës e për të mbajtur të lidhur aleancën luftarake për lirinë.

Cmira ngre krye në disa raste e përcakton sjellje që dëmtojnë luftën e përbashkët, madje arrin të marrë edhe trajtat e tradhëtisë së hapur e të kalimit në fushën kundërshtare. Janë të tjera goditje që merr padrejtësisht Ai që kishte përbuzur lavdinë e Sulltanit për të mbrojtur lirinë e popullit të Tij. I rëndon shumë tradhëtia e gjeneralit të Tij më të mirë, Moisi Golemi e më shumë ajo e princit Hamza. I pari u tërhoq nga premtimet e turqve për të mundur Skënderbeun e për t’i zënë vendin Atij si Mbret i emëruar nga Sulltani. I dyti pasqyron një ves të lashtë, kompleksin e Kainit që, fatkeqësisht, jo rrallë vazhdon të jetë burim dramash e tragjedish edhe në ditët tona.

Hamzai ishte njeriu më i afërt që kishte Skënderbeu në shtabin e Tij, ishte djali i vëllait Stanish, i pari i djemve tё gjon Kastriotit. Mbante ndër deje gjakun e Kastriotëve, edhe se nga nëna origjina ishte turke. Kishte ndarë me ungjin të gjitha dëshirat e projektet, që nga planet e thurura në Edërne deri tek marrja e vulës së Qatipit të Sulltanit në Nish, për t’u kthyer në “Krujën e bekuar” atë 28 nëntor 1443. Kishte luftuar me trimërí përkrah ungjit në betejat me turqit. Deri sa ungji ishte beqar Hamzai qe një djalë besnik e i qetë, kur Ai u martua në mendjen e tij filluan të shfaqen ide ogurzeza,

.Për shumë kohë, thellë në vetvete,  kishte  ëndërruar skeptrin e Mbretit të Arbërisë, por erdhi një çast në të cilin lindja e një fëmije i bëri pluhur e hi të gjitha ëndërrat. Trauma e pësuar çoi në një trallisje e çoroditje të ideve e të ndërgjegjes. Valët e fuqishme të ambicies për pushtet mbytën tek Hamzai parimet e ndjenjat deri në atë pikë sa t’i kundërvihet ungjit në krye të ushtrive armike. Sa i madh zhgënjimi e sa e thellë dhimbja në shpirtin e Gjergj Kastriotit, kur u gjend i tradhëtuar edhe nga nipi. Bota i u përmbys mbi kokë, por edhe një herë tjetër karakteri i jep forcë të përballë tragjedinë, sepse për një të tillë bëhet fjalë kur një Kastriot, gjaku i tij, pështyn mbi sofrën e të parëve e mbi sakrificat e një populli që lufton për mbijetesë deri në frymëmarrjen e fundit. Mbasi e ka thyer në betejë  dhe e ka zënë rob, ndihet i paguar por çduhet të bëjë me të? Mbas këshillimeve me gjeneralët e Tij e një lufte të brëndëshme vendos t’i falë jetën, ashtu siç kishte bërë edhe me Moisi Golemin. Po ndërsa ky i fundit u kthye me të gjitha ofiqet në rradhët e ushtrisë e mbeti besnik deri në vdekjen e llahtarëshme, për Hamzanë dielli i Arbërit perëndoi e ditët e tij u ngrysën në një burg të Italisë, në një breg deti, por nuk ishte Adriatiku. Hamzai më vonë u kthye në Shqipëri duke jetuar në vëzhgim prej njerëzve të Skënderbeut, pastaj mundi të arratiset në Turqi, ku kishte lënë gruan dhe fëmijët. Atje thuhet se jetoi edhe ca kohë i përbuzur nga Sulltani dhe i urryer nga turqit, mbasi quhej shkaktar i humbjes së turpëshme të disa viteve më parë në Albulenë. Vdiq i helmuar nga turqit.

Zemra e lënduar e prijësit të Arbërit ishte një zemër e madhe, ishte përbërësi i dytë i personalitetit të Tij së bashku me karakterin. Në një kohë kur rregullat e kodit moral e shtetëror në periudhë lufte ishin pothuajse të ngurta, Ai arrin të falë tradhëtinë e vërtetë. Instiktivisht më vjen ndër mënd krahasimi me një tjetër prijës, që për gati gjysëm qindvjeti shumkush e vuri përkrah Skënderbeut si vlerë, që “tradhëtitë” e shpikura i dënonte me vdekje në serí, madje ishte krenar se serinë e kishte hapur bash me kunatin e tij….

Luftërat e pareshtura e raskapitën Vendin. Një  brez shqiptarësh që i kishin filluar ato pa i u  dirsur mustaqja, tashmë ishin të thinjur para kohe.Tokat e mbetura djerrë ishin treguesit e pakësimit të forcave njerëzore, ndërsa hordhitë e Anadollit nuk reshtnin së dynduri drejt trojeve të Arbërit. Fuqitë e prijësit kishin filluar të ndjenin peshën e një jete të tërë të kaluar mbi shpinë të kalit me shpatë në dorë. Nga ana tjetër vitet zulmëmëdha nuk kishin qenë aq bujarë me të nga ana shpirtërore. Shumë herë ishte plagosur zemra e heroit e shumë probleme kishte përballuar mendja e Tij. Cmira, zili e intriga të princave të ndryshëm e kishin vënë në provë të fortë durimin e Tij. Nga shokët e vjetër të luftës kishin mbetur pak. Ndihmat nga Italia fqinjë, mbas vdekjes së Papës Piu II ishin pakësuar ndjeshëm dhe arka e Shtetit, nëse mund të quhej e tillë, ndjente mangësi. Kishin mbetur të paprekura aftësitë strategjike të Komandantit dhe entuziazmi i ushtarëve e, në veçantí ai i atyre të gardës.

Gjergj Kastrioti e kuptonte se qëndresës së tij po i avitej fundi. Ishte i qetë në ndërgjegje, mbasi e kish kryer detyrën që i kishte vënë vetes në të rit e vet. Por e mundonte e ardhmja e Vendit të cilit i mbrojti lirinë për gati një të katërt shekulli. Parashihte se humbja e luftës, kurdo që të vinte, do të ishte me shumë dhimbje. Bashkatdhetarët e Tij nuk do të humbisnin vetëm lirinë, por edhe pasurinë e ndoshta edhe jetën. Thellë në shpirt mendonte fatin e gruas  e të djalit, ende shumë të ri. Si prijës largpamës, të cilit i rëndonte në ndërgjegje e ardhmja e bashkëluftëtarëve që kishin ndarë me Të jo vetëm gazin e fitoreve, por edhe mundin, sakrificat e humbjet e njerëzve të dashur, kërkoi të gjejë një rrugëdalje. I drejtohet Ferdinandit, djalit të mikut të Tij Alfonsit, Mbret i Napolit, të cilit jo shumë kohë më parë i ka ndihmuar për të shuar kryengritjet e baronëve vartës të tij. Prej tij merr premtimin e mikpritjes së bashkatdhetarëve që do të braktisin Atdheun e pushtuar nga turqit.

Këto janë projekte që i përkasin një të ardhmeje kur Ai të mos ishte më në jetë, për çastin duhej vazhduar lufta, por duhej një tjetër besëlidhje, mbasi ajo e para ishte zbehur e kish humbur forcën vepruese. Thërret përsëri në Lezhë princat, mundohet të shuajë kundërshtitë e të sendërtojë një tjetër marrëveshje. Por trupi e shëndeti i Kryetrimit nuk i përgjigjen më dëshirave të Tij. Sëmuret nga malarja e në shtratin e vdekjes i buzëqesh për të fundit herë lajmit të fitores në një tjetër betejë. Fitoret vazhdojnë për inercí edhe se Ai nuk ishte më në krye. Por deri kur?

Para pak kohësh i është dashur të mundë në një betejë të përgjakëshme një tjetër arbër, që ishte vënë në shërbim të armikut, Ballaban Pashë Batrën, një tjetër bir të kësaj toke që vinte t’a shkelte atë me ushtritë e armikut.

Napoleon Bonaparti, kur u nis për në Shën Helenë, në vështrimin e fundit brigjeve të Francës, psherëtiu: “Eh Francë, të kishe më pak tradhëtarë!”. Ndoshta në netët e etheve kllapitëse të Lezhës edhe Gjergj Kastriotit i faniteshin në përfytyresë fytyrat e atyre që interesat e tyre të ngushta i vunë përmbi idealet e “shekullit të madh”. Ndoshta i vjen në mënd viti 1448, kur ngurimi i princave dhe pengesat e Gjergj Brankoviçit i bënë të humbiste mundësinë e bashkimit me Janosh Huniadin për të ndryshuar fatet e luftës se dytë të Kosovës e, ndoshta, të gjithë aventurës ushtarake turke në Ballkan.

Prijësi i Arbërisë mori një tufë thupra, i bëri bashkë e i a dha princave t’i thyenin. Mbasi asnjëri nuk arriti t’a kryejë veprimin, i ndau fije fije në mënyrë që të thyheshin lehtë. Kuptimi e morali janë ata të zakonshmit, të cilët i urti Gjergj kishte 25 vite që i përsëriste: vetëm duke qënë të bashkuar mund t’i qëndrohej së keqes, në të kundërt e keqja nuk do të kursente asnjërin. Ishte një nga mësimet e mëdha të Burrit më të shquar të kësaj toke, por që fatkeqësisht u vu në zbatim pak herë e pasojat i paguam në të gjitha kohët, deri në ato më të vonat….

Ai mbylli sytë në Lezhë duke mbjellë lotët në të gjithë sytë e arbërve, për të cilët do të fillonte periudha më e errët e historisë së tyre. U varros çuditërisht aty e jo në Krujë, ndoshta për t’i kumtuar historisë se Ai nuk kishte përkatësi krahine apo qyteti, i përkiste të gjithë atyre që flisnin gjuhën e Arbërit. Shpirti i Tij u ngrit lart në Qiell nga ku sodit me dhimbje dertet shekullore të Vendit të tij, ndërsa në të nuk i mbeti asgjë. Kockat i morën Turqit si hajmali të fuqisë mbinjerëzore të heroit, ndërsa armët përfunduan në Vjenën e largët. Për Arbërinë Ai, që ndёrroi jetё 550 vite më parë, mbeti fari i përjetshëm, i pashuar, i pakrahasueshëm.

Filed Under: Opinion Tagged With: Eugen Merlika, FARI I ARBЁRISË

Fadil Berisha, “Mërgimtari i Vitit”

February 3, 2018 by dgreca

New York-Fadil Berisha pranon çmimin Mërgimtari i Vitit/

1 Fadil Berisha

-Fadil Berisha pranon çmimin Mërgimtari i Vitit nga Ministri Gashi: “Çmim që kam afër zemrës”/

New York, 3 Shkurt 2018 – Gazeta DIELLI/ Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike njëkohësisht dhe zv. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Dardan Gashi, në ditën e parë të vizitës zyrtare në ShBA, ka takuar artistin dhe fotografin e mirënjohur, Fadil Berisha. Së bashku me Konsullen e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York, Teuta Sahatçiu në ambientet e Konsullatës, Berishës ju nda edhe çmimi traditional “Mërgimtari i Vitit”.
“Bashkatdhetarët tanë si z. Fadil Berisha janë duke i dhënë imazhin më të mirë kombit shqiptar nëpër vendet ku jetojnë dhe veprojnë. Me punën e tyre dhe sukseset e jashtëzakonshme të arritura jane bërë shembull i integrimit dhe promovimit të vlerave të kombit tonë”, tha Ministri Gashi.
Ndërsa Berisha, puna e të cilit flet vëllime i emocionuar tha: ‘Kam fituar shumë çmime – por ky është më i dashuri sepse është afër zemrës”.

Fadil Berishës retroaktivisht për kontributin e tij në promovimin e kulturës shqiptare në botë dhe sukseset në lëminë e fotografisë i më 2 gusht të vitit 2017 i është ndarë çmimi “Mërgimtari i Vitit”, çmim i përvjetshëm që ndahet në bazë të Rregullores 2/2016 MeD për Ndarjen e Çmimit Mërgimtar i Vitit.

Gjatë vizitës në ShBA, Ministri Gashi do të realizojë takime me komunitetin shqiptar në New York dhe Ëashington si do të realizojë takime me Kongresmenë, State Departamentin e ShBA dhe Odën Amerikanë të Ekonomisë – Drejtorinë për Evropë. /b.j/

Filed Under: Opinion Tagged With: “Mërgimtari i Vitit”, Fadil Berisha

DEMARKACIONI: EDHE UJKU I NGOPUR, EDHE TUFA E DHENVE E PAPREKUR?

February 3, 2018 by dgreca

Dr.Islam Lauka

Nga Dr. Islam LAUKA/

 Kёto ditё, janё shtuar pёrpjekjet pёr zbulimin e ideve “tё reja”, “krijuese” pёr zgjidhjen e çёshtjes sё Demarkacionit me Malin e Zi. Analistё, ekspertё dhe drejtues partish politike, janё vёnё nё garё, kush e kush tё paraqitet me ide sa mё “origjinale”, nё mёnyrё qё tё mbetet nё histori si njeriu qё u hapi rrugёn e lёvizjes sё lirё shqiptarёve tё Kosovёs dhe qё arriti tё ruajё tё paprekur miqёsinё e Kosovёs me aleatёt e saj strategjikё.

Midis kёtyre ideve, spikat ajo pёr ratifikimin e Marrёveshjes sё Demarkacionit, duke i shtuar asaj njё letёr zotimi, nё bazё tё sё cilёs, Kosova dhe Mali i Zi bien dakord qё, gjatё shёnjimit tё kufirit, tё bёjnё korrigjimet pёrkatёse, mbi bazёn e dokumenteve dhe fakteve tё reja, tё panjohura mё parё. Sipas mbёshtetёsve tё kёsaj ideje, ky proçes duhet tё kryhet, brenda njё afati prej 2 vitesh, nga momenti i ratifikimit. Ata pretendojnё se kanё zbuluar formulёn magjike tё njё kompromisi, tё pranueshёm si pёr Prishtinёn, ashtu dhe pёr Podgoricёn, pra njё zgjidhje qё i nxjerr tё dy palёt fituese. Me kёtё formulё magjike tё alkimistёve tё rinj tё Prishtiёs, edhe ujku ngopet, edhe tufa e deleve mbetet e paprekur.

Duket paradoksale, por e njёjta formulё magjike po ofrohet, kёto ditё, nga Athina pёr Marrёveshjen Detare me Shqipёrinё, pra tё ratifikohet ajo, pastaj, gjatё zbatimit nё terren, tё merren parasysh pretendimet e Tiranёs. Po si nuk ndodhi, qoftё edhe njё herё tё vetme, qё fqinjёt e shqiptarëve, t’i ratifikojnё marrёveshjet sipas variantit tonё, pastaj, gjatё zbatimit nё terren, ne t’i marrim nё konsideratё pretendimet e tyre? Pёrse u dashkёrka qё gjithmonё, shqiptarёt t’i ratifikojnё marrёveshjet nё bazё tё kushteve qё ua imponojnё fqinjёt?

Ne duhet tё vetёdijёsohemi qё jetojmё nё shekullin e 21-tё dhe jo nё epokёn e Mesjetёs qё njihet si koha e alkimistёve. Edhe kёta tё fundit duhet tё vetёdijёsohen pёr kёtё fakt, sepse “zbulimet” e tyre nuk mund tё shiten mё, si dikur.

Duke iu rikthyer Marrёveshjes sё Demarkacionit me Malin e Zi, duket se, mё shumё se zgjidhje e problemit, “formula e re” pёrbёn mashtrimin e radhёs pёr popullin e Kosovёs.

Sё pari, deri tani, autoritetet zyrtare tё Malit tё Zi janё shprehur se e konsiderojnё tё mbyllur, pёrfundimisht, çёshtjen e Demarkacionit tё kufirit me Kosovёn. Nё pёrgjigje tё pyetjes, nёse po kёrkohet ndonjё zgjidhje tjetёr, pёrfshirё atё pёr njё letёr zotimi, a deklaratё tё pёrbashkёt, Kёshilltari i Kryeministrit tё Malit tё Zi, Srdjan Kusoviç, deklaroi se qёndrimi i vendit tё tij nuk ka ndryshuar as nuk do tё ndryshojё.

Sё dyti, ta zёmё, nё mёnyrё hipotetike, se Mali i Zi bie dakord me formulёn magjike tё alkimistёve tanё. Çfarё do tё thotё zbatimi i saj nё praktikё? Asgjё mё pak se pёrjetёsimi i kufirit midis dy vendeve tona nё vijёn Qafё Çakorr-Kullё. Ajo qё alkimistёt duan tё na e shesin si “formulё tё re” ёshtё po aq e vjetёr sa historia e marrёdhёnieve ndёrkombёtare. Nё çdo marrёveshje demarkacioni ekziston njё klauzolё pёr korrigjime qё diktohen nga terreni, gjatё proçesit tё shёnjimit tё kufirit. Mundet, qё nё vende te caktuara, kufiri tё shmanget pak nga ai qё ёshtё fiksuar nё letёr, pra tё mos vendoset nё kёtё shkёmb, por nё atё tjetrin, jo nё kёtё pёrrockё, por nё atё tjetrёn, jo nё perlinё, por nё rudinё, etj. Kёto janё shmangie tё domosdoshme pёr shёnjimin e kufirit nё terren qё, nё aspektin e pёrfitimit tё sipёrfaqёs, nuk kanё asnjё vlerё pёr palёt. Nё fund tё kёtij proçesi hartohet protokolli qё fikson kufirin e shёnjuar midis dy vendeve. Nuk ka asnjё dyshim qё ratifikimi i Marrёveshjes sё Demarkacionit, do tё çonte, pashmangshёm, nё nёnshkrimin e protokollit qё do tё fiksonte, pёrfundimisht, mbetjen e Qafёs sё Çakorrit dhe Kullёs nё Mal tё Zi. Ky ёshtё shqetёsimi themelor qё lidhet me zbatimin e Marrёveshjes sё Demarkacionit, jo “korrigjimet” qё kanё tё bёjnё me vendosjen e kufirit nё kёtё apo atё gur, pёr tё cilat shqetёsohen alkimistёt.

Nga ana tjetёr, disa politikanё tё lartё, pёrfshirё Presidentin e vendit, Hashim Thaçi, po kёrkojnё me ngulm ratifikimin e kёsaj marrёveshjeje. Sipas tyre, Kosova i ka plotёsuar tё gjitha kriteret pёr liberalizimin e vizave, me përjashtim tё Demarkacionit. Ata theksojnё se ratifikimi i kёsaj marrёveshjeje, automatikisht, do tё çonte nё liberalizimin e vizave dhe nё pёrshpejtimin e proçeseve integruese euroatlantike.

Kёta politikanё harrojnё njё fakt tё thjeshtё: nuk janё ata qё përcaktojnё, nёse Kosova i ka plotёsuar apo jo kriteret pёr liberalizimin e vizave, por ёshtё Brukseli ai qё vendosё pёr kёtё çёshtje. Nёpёrmjet pёrfaqёsuesve tё vet tё lartё, komisionerёve, apo titullarёve tё zyrёs sё BE-sё nё Prishtinё, ai e ka bёrё tё qartё se: nga 95 kritere, Kosova ende nuk i ka plotёsuar dy- demarkacionin dhe luftёn kundёr korrupsionit; se tё dyja ato janё njёlloj tё rёndёsishme, pra nuk ёshtё demarkacioni kriter i dorёs sё parё dhe lufta kundёr korrupsionit, i dorёs sё dytё; se po nuk u plotёsuan kёto dy kritere, Kosova duhet ta harrojnё liberalizimin.

Qёndrimi im rreth Marrёveshjes sё Demarkacionit me Malin e Zi ka qenё dhe mbetet i qartё dhe i prerё:

Marrёveshja e nёnshkruar mes Kosovёs dhe Malit tё Zi, me 26 gusht 2015, “Mbi Kufirin Shtetёror” ёshtё e gabuar dhe nё dёm tё interesave tona kombёtare e shtetёrore. Si e tillё, Marrёveshja e Demarkacionit duhet tё futet sa mё shpejt nё rendin e ditёs tё Kuvendit tё Kosovёs dhe tё votohet kundёr ratifikimit tё saj. Do tё kishte qenё nё nderin e qeverisё, sikur ajo ta kishte pёrcjellё atё nё Parlament me mendimin qё tё mos ratifikohet. Paanshmёria e qeverisё Haradinaj, nё kёtё rast, nё thelb, ёshtё ikje nga pёrgjegjёsia pёr njё çёshtje madhore si ajo e territorit shtetёror. Kufiri ёshtё i shenjtё dhe mbrojtja e tij, njё kauzё e drejtё.

Çdo pёrpjekje pёr ta shitur ratifikimin e Marrёveshjes sё Demarkacionit nёpёrmjet formulave me “letra zotimi” dhe “deklarata tё pёrbashkёta”pёr korrigjimin, nё tё ardhmen, tё kufirit me Malin e Zi, nuk ёshtё gjё tjetёr, veç mashtrim pёr tё fshehur humbjen pёrfundimtare, nga ana e Kosovёs, tё territorit nga Qafa e Çakorrit deri nё Kullё. Kjo humbje do tё rёndonte, jo vetёm nё ndёrgjegjen e brezit tonё, por do tё ishte njё minё me sahat pёr tё ardhmen e marrёdhёnieve tё Kosovёs me Malin e Zi.

Dr. Islam LAUKA

 

Prishtinë, 2 shkurt 2018

Filed Under: Opinion Tagged With: demarkacioni, Dr. Islam Lauka, Ujku dhe delet

«Dardha lulëzoi në dhjetor», një roman i madh i Shpend Sollaku Noé-së

February 1, 2018 by dgreca

floriana-gavazzi1 sollaku libri

nga Floriana Gavazzi, gazetare RAI/

«Dardha lulëzoi në dhjetor» është një roman i madh dramatik me ngjarje që zhvillohen në një sfond të caktuar historik. Ai ndjek rrugën e heroit, Nadir Rabiu – i mbiquajtur Nadi Anisa – dhe grupit të tij të miqve nga klasa e parë deri në fund të shkollës së mesme. Ky roman ka gjerësinë e një vepre informuese klasike si dhe aftësinë në përshkrimin e karaktereve dhe të vendeve. Çfarë e bën atë emocionues dhe magjepsës për lexuesin është vendosja në Shqipërinë e viteve gjashtëdhjetë dhe shtatëdhjetë. Një vend i ndarë prej Italisë vetëm nga një rrip i ngushtë detar, por aq shumë i largët dhe i padepërtueshëm në ato vite. Është Shqipëria e diktatorit komunist Enver Hoxha, një univers kampesh përqendrimi i izoluar edhe nga vendet e tjera komuniste – Jugosllavia e Titos, BRSS-ja e Hrushovit dhe, në fund, edhe nga Kina e Maos. Ne  iatalianët rreth dhunës së tmerrshme që është konsumuar gjatë diktaturës kundër një populli të tërë ne nuk dimë pothuaj asgjë, dhe kjo  vepër mbush një boshllëk të madh dhe u jep drejtësi viktimave të harruara.

Në një mjedis mbytës, të varfëruar ekonomikisht dhe kulturalisht prej përzgjedhjes izoluese të udhëheqësve të saj dhe të dominuar nga frika patologjike që mund të përfundoje në burg edhe për një frazë mospajtimi ndaj regjimit, rritet grupi e djemve beratas që i jep jetë të romanit. Ata janë myslimanë, të krishterë ortodoksë dhe hebrenj, por që jetojnë në simbiozë dhe familjet e tyre  ndihmojnë njëra-tjetrën. Gjithmonë bashkë, në shkollë dhe në lojë, protagonistët zhvillojnë një solidaritet që do të zgjasë për një jetë të tërë, ashtu siç do të zbuloni në romanet e mëvonshme të esalogjisë së Shpend Sollaku Noé-së «Bij të Saturnit». Këta miq kanë për të qenë të detyruar të mbushin radhët e diasporës dhe të nisin jetën e vështirë të intelektualëve në mërgim, të brengosur,  të sfilitur  nga punët e rëndomta dhe rreziku i humbjes së identitetit kulturor.

Qyteti i lashtë dhe fisnik i Beratit ka një rol prej protagonisti në këtë roman. Rrugët  e tij të ngushta dhe të pjerrëta, kishat e dhe xhamitë e tij, kalaja dhe lumi i tij ravijëzojnë perimetrin brenda të cilit zhvillohet shumica e takimeve dhe dialogjeve. Është vetë bukuria e këtij qyteti e tillë që i shtyn banorët në një qendresë të natyrshme ndaj regjimit komunist që kërkon të fshijë të gjitha gjurmët e një të kaluare të lavdishme.

Fëmijëria e këtij grupi shokësh, në fund të fundit, është e qetë, pavarësisht nga varfëria dhe detyrimi për të marrë pjesë me shkollën në mitingjet qesharake anti-amerikane, në ditët e krizës së raketave kubane të vitit 1962. Edhe pse nuk mungojnë fëmijët prepotente të zyrtarëve të partisë, që tiranizojnë moshatarët. Por drama nis me arrestimin për arësye politike të Munìr Rabìut, babait të Nadit – një përkthyes i fëngjishtes dhe njeri i kulturës – dhe të Abàn Vakëfit, gjyshit të shokut të Vaçi – një njohësi brilant të gjuhëve orientale. Fati i familjes Rabiu precipiton brenda një nate. Siç ishte normë nën diktaturën e Hoxhës, pas arrestimit të kryefamiljarit, gruan e tij dhe gjashtë fëmijët i dëbojnë në një kamp të kobshëm internimi, në të cilin u nënvihen angarive dhe abuzimit. Që atje e tutje, fati i rezervon për Anisën – figurë tragjike dhe heroike të Dolorosa Mater- një sërë e vuajtjesh dhe pikëllimesh që i dëmtojnë shëndetin, por që nuk arrijë ta thyejnë moralisht.

E masakruar, me katër fëmijë më pak, familja Rabìu më në fund arrin të kthehet në shtëpi. Sapo përpiqen të rifillojnë jetën në Berat, gjithsesi, Nadi, miqtë dhe familjarët e tij, janë të detyruar të pësojnë efektet e “Revolucionit Kulturor” që Hoxha imiton prej Maos: të gjitha format e besimeve fetare ndalohen; kishat, xhamitë dhe sinagogat mbyllen apo përdoren për qëllime të tjera.

Grupi i miqve tashmë është në shkollë të mesme, arrijnë dashuritë e para dhe zbulimi i seksit. Nadi kultivon talentin për muzikën dhe me kitarën e tij kompozon këngë të mrekullueshme që i çelin perspektivën e suksesit. Ata që zotërojnë një televizor mund të shohin edhe programet muzikore që vijnë nga Italia dhe të ëndërrojnë një botë tjetër. Duket sikur një erë lirie fryn në Shqipëri; regjimi bën ndonjë lëshim që përkon me një lulëzim modern të arteve, por edhe me një çelje e blerim jonormal të bimëve.

Në fund të një vjeshte të ngrohtë si stina e verës, dardha ( e Rabinjve) ashtu siçe thotë edhe titulli i romanit, lulëzon në dhjetor. Por, me ardhjen e të ftohtit të parë dhe të një stuhie breshëri të dhunshme, lexuesi e kupton metaforikisht se hapja e regjimit është e përkohshme, e gënjeshtërt dhe që po arrin një goditje e re, një rigjallërim i censurës dhe i dënimeve.

Me një intuitë brilante të fantazisë së autorit, që natyrisht nuk duam të zbulojnë në këto rreshta, familja e zvogëluar Rabiu gjen një mënyrë të efektshme për të mbetur së bashku dhe për tʼi shpëtuar një përndjekjeje të re. Por ky nuk është një fund i lumtur, sepse lexuesi ndjen hidhërimin e një brezi idealistësh të rinj, të dashuruar me kulturën dhe lirinë, të cilët janë të detyruar të jetojnë në një kafaz. Por edhe nëse individi duket sikur i nënshtrohet mekanizmave shtypëse të diktaturës, afektet familjare janë një spirancë shpëtimi, ndërsa dashuria për kulturën dhe artin frymëzon dhe çel horizonte përtej kufirit të mjegullës.

Pas një prodhimi të gjerë poetik në gjuhën shqipe dhe italiane, Shpend Sollaku Noé, figurë shumëdimensionale prej intelektuali,  i cili jeton në Itali qysh prej vitit 1992 si një mërgimtar politik, çimentohet në këtë mënyrë edhe me romanin. Ashtu si tek poezia, ai trajton veçanërisht temën e marrëdhënieve ndërmjet individit dhe pushtetit despotik. Me romanin, sidoqoftë, Shpend Sollaku Noé ka gjetur një mjet shprehës më të pasur dhe të larmishëm që dëshmon se e zotëron me mjeshtëri.

«Dardha lulëzoi në dhjetor» është pjesë e ekzalogjisë së romaneve “Bij të Saturnit”, tashmë të mbaruar së shkruari nga Shpend Sollaku Noé. Kjo hekzalogji është frymëzuar nga faktet e ndodhura vërtetë në më shumë se pesëdhjetë vjet të të kaluarës së afërt të Evropës; duke filluar nga Ligjet Raciale, për të vazhduar me diktaturën nën regjimet e ashpra komuniste dhe më gjerë. Skena e ngjarjeve, subjekti dhe personazhet gradualisht shtrihen në botë, që nga kriza e Kubës (1962) deri në depresionin e madh botëror të filluar në vitin 2008. Titujt e shtatë romanëve të hekzalogjisë janë: “Trenat e humbur të Atzel Brauner-it”, “Dardha lulëzoi në dhjetor “,” Filius Hostis “,” Ganxha “,” Scorpius “,” Kavie “,” Walscher “. Sidoqoftë, secili prej romaneve tek “Bij të Saturnit” ka jetën e vetë të pavarur edhe jashtë këtij kompozimi të madh letrar.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: «Dardha lulëzoi në dhjetor», Flora Gavazzi, një roman i madh i Shpend Sollaku Noé-së

KUJTESË: 30 VJET PA EDITORIN E DIELLIT DR. ATHANAS GEGAJ

January 29, 2018 by dgreca

1 dr.athanas-gegaj30 vjet të shkuara vdiq Dr. Athanas Gegaj. 28 janari është ditëvdekja e ish editorit të gazetës “Dielli”. Dr. Athanas Gegaj u lind me 3 Janar 1904 në Buxhë të Trieshit në Malësinë e Madhe, trojet shqiptare në Mal të Zi. Ai pat studiuar në Kolegjin Illyricum t’etnëve franceskan në Shkodër, ku kreu maturën 1927-28. Më 1931 studioi në Louvain në Belgjikë, ku u laurua në histori-filozofi. Posa u kthye në Shqipëri u shugurua frat. Dha mësim në kolegjin franceskan deri në pushtimin fashist të Shqipërisë. Për shkak të kundërshtimit të pushtimit, u internua në Itali. Që nga ai moment nuk i kthye më në Shqipëri. Më 1941 e barktisi petkun franceskan. Dr. Athanas Gegaj shërbeu si sekretar i Mbretit Zog në mërgim.Më 1962 erdhi në SHBA, ku u bë editor i gazetës Dielli, duke e kryer këtë detyrë për më shumë se 8 vjet.

Ndër veprat kryesore që shkroi Dr. Athanas Gegaj, është monografia “L’Albanie et l’invasion turque au XVe siècle” (Arbëria dhe pushtimi turk në shek. XV, Louvain – 1937), si dhe shumë artikuj të ndryshëm në shtypin françeskan të “Hyllit të Dritës”, dhe shumë shkrime, analiza, shkrime historike, editoriale në gazetën Dielli.

Ndërroi jetë me 28 janar të 1988 në Santa Monica, Los Angeles, California.

Me këtë rast po sjellim një intervistë që Dr. Athanas Gegaj, kur ishte editor I Diellit ia dha Zerit të Amerikës me rastin e 500 vjetorit të vdekjes se Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Intervista u botua për here të pare në gazetën Dielli pasi u trasmetua nga Zeri i Ameriës.(Dielli)

***

 

Intervistë e Zërit të Amerikës me historianin Athanas Gegaj për Heroin Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu me rastin 500 vetorit të Vdekjes së Heroit.

-Kjo intervistë u transmetua nga Zëri i Amerikës më 18 e 19 Janar të vitit 1968-

Zoti Gegaj, kur Fan Noli shkroi librin e tij mbi Skënderbeun më 1949, ai tha se vepra juaj frëngjisht mbi Skënderbeun ishte më e mbaruara që kishte parë dritën gjer në vitin 1949, si nga forma, nga lënda dhe nga baza dokumentare. Përsa kohë punuat për këtë vepër dhe kur e mbaruat?

I mbetem mirënjohës Peshkop Nolit për lavdërimin që shprehu për veprën time “L Albanie et l’invasion turque au XV-e siècle’ ose “Shqipëria dhe invazioni turk në shekullin e XV-të “At Noli ka qenë një njeri me kulturë të gjerë dhe ishte po në të njëjtën kohë një ekspert i çështjeve të historisë meskohore të Shqipërisë. At Noli gjeti në këtë vepër gjëra qe e interesuan si studioz kompetent të jetës dhe të veprave të Skënderbeut, prandaj si shqiptar i madh që ishte, ai cëmonte në kulm çdo gjë që ka te bëjë me historinë e popullit shqiptar dhe me lartësimin e tij si komb. Për sa i përket veprës time “Shqipëria dhe invazioni turk në të XV-tin shekull” kam punuar dendur dy vjet. Kërkimet e para i bëra në vitin 1935 dhe vazhdova në kërkime dhe në përgatitje të librit gjatë vitit 1936. Në dhjetor të këtij viti libri ishte gati për shtyp,por duke qenë thezë doktorale, m’u desht ta mbroj publikisht në një nga Aulat e Universitetit të Louvain,ku kisha kryer studimet e mia. Libri u gjet interesant dhe autoritetet e Universitetit aprovuan botimin e tij. Libri në fjalë u botua më 1937 në Louvain-Paris dhe një Shtëpi Botuese e Parisit u ngarkua për shpërndarjen dhe shitjen e tij.

Ku i bëtë kërkimet dhe,në qoftë se i mbani mënd, nën cilët profesorë?

Kërkimet e mia filluan në Paris për ca muaj, ku veçanërisht në “Bibliothèque Nationale” të qytetit gjeta shumë material të dorës së parë. Kurioziteti im u ngjallë veçanërisht kur për kombinacion, më ra në dorë një botim i të mirënjohurit profesor rumun, Constantin Marinesco, i shkruar frëngjisht: ”Alfonsi i V,mbreti i Aragonës e i Napolit dhe Shqipëria e Skënderbeut”, botuar në formë broshure nga Shkolla Rumune në Paris më 1923. Libër i vogël po, por një zbulesë për sa i përket historisë së Skënderbeut e relacioneve mes Shqipërisë dhe mbretërisë së Aragonës e të Napolit. Nga Parisi kalova në Napoli, në Romë, në Firence dhe në Venedik, duke u ndalua për ca kohë dhe në Milano. Në arshivat dhe në bibliotekat e këtyre qyteteve gjeta material të shumtë dhe fillova të përpiloi librin. Profesori im i mirënjohur,që e mbikqyri të tërë materialin më dha aprovimin e tij për botim,ky ishte Adoph De Mayer i Universitetit te Louvain.

Si filluat të interesoheni për të shkruar një libër mbi Skënderbeun?

Interesimi im për historinë e Skënderbeut është një gjë tipikisht shqiptare. Aj është heroi i kombit tonë dhe një fytyrë ndërkombëtare që zotëron në historinë e Europës në të XV shekull. Për më tepër Skënderbeu është ai personalitet që ka nderuar dhe nderon çdo kohë popullin shqiptar. Po interesimi im për historinë ë Skënderbeut fillon atëherë kur isha student në Shkodër, dhe veçanërisht kur arriti nga Amerika “Historia e Skënderbeut” botua në Boston nga At Noli me 1921 me anën e Organizatës Vatra. Ky libër entuziazmoi të tërë moshën e re shqiptare,sepse kishte meritën që jo vetëm se kishte shkrojtur në një gjuhë të bukur,por nga ana tjetër paraqiste heroin tonë në një dritë të re. Leximi i këtij libri më ka shoqëruar për shumë vjet e më në fund më shtyu të kërkoi gjëra të reja për rreth heroit tonë,për t’i paraqitur, edhe botës së jashtme Skënderbeun sipas nevojave të kritikës historike,duke ndarë në sa ishte e mundur fytyrën e tij gjigante nga legjendat.

Ç’ishin disa nga problemet që përballuat gjatë shkrimit të kësaj vepre?

Problemet që m’u paraqitën në përgatitjen e kësaj vepre qenë të shumta. Më së pari duhej që unë t’u zhveshja nga çdo simpati e ndjenjë personale. Historia në këtë rast lipsej të ishte një histori kritike, e bazuar mbi dokumente të kohës, mbi botime, me vlerë kritike që në çdo kohë janë bërë mbi Skënderbeun. E qe një problem i rënde, sepse Skënderbeu, si në çdo zemër shqiptare, ashtu edhe në mua, mbetej përherë hero i kombit, që gjësend nuk mund ta shndërrojë fytyrën e tij! Nga ana tjetër kërkova me çdo mjet të konfrontoj historinë e vërtetë me botime të panumërta mbi Skënderbeun. Këtu m’u desh të luftoj për të paraqitur një Skënderbe sipas thënieve historike; po në të njëjtën kohë kërkova, me çdo kusht me çdo mjet, që Skënderbeu të mbetej dhe aj, që na e paraqet legjenda ose më mirë kronika e kohës. Për këtë gjë luftova, por kërkova të mbetem objektiv në çdo rast.

Cilat janë disa nga gjërat e ra, që nuk diheshin më parë, dhe që i vutë në dukje ju në librin tuaj?

Në përgjithësi nuk ekzistonte një vepër kritike mbi Skënderbeun. Botimet kritike ishin marrë me ca probleme të historisë së Skënderbeut, dhe ato që u paraqiteshin si histori kritike, kishin mungesa te shumta nga çdo pikëpamje. Merita modeste e veprës time është koordinimi i të gjitha këtyre botimeve, duke i konfrontuar me dokumenta të kohës. Merita e kësaj vepre prandaj mbetet në ndarjen e legjendës nga historia dhe në udhëzimin e ri të një studimi kritik të jetës dhe të veprave te Skënderbeut. Për këtë gjë gurrat e arshivave dhe aktet zyrtare të kohës më udhëzuan të ndaj legjendën nga historia e vërtetë e Skënderbeut.

Ç’është rëndësia e këtyre zbulimeve?

Rëndësia e këtyre zbulimeve për rreth historisë se Skënderbeut është kryekreje në metodën e re e kritike që përdora për të paraqitur Skënderbeun në dritën e vërtetë të jetës se tij dhe të veprave të tija. Duke punuar në këtë mënyrë kërkova që Skënderbeu të mbetej aj që është. Dhe më vjen mirë të ju them se historia e Skënderbeut sa më kritike të jetë, aq më gjigante na paraqitet jeta e tij. Legjenda e lartësoi tepër, por historia e kritika, gjë që kërkova të realizoj me çdo mënyrë, nuk e vogëlsojnë fytyrën e tij si luftëtar, si strateg, si hero i një kohe dhe i një kombi.

Sipas mendimit tuaj, Zoti Gegaj, ç’kuptim ka, ose ç’kuptim duhet të ketë jeta e Skënderbeut për shqiptarët në kohe të sotme?

Jeta e veprat e Skënderbeut janë një shembull i pavdekshëm në gjiun e popullit shqiptar. Kujtimi i tij i drejtoi të gjitha luftërat e orvatjet për liri, që bëri populli shqiptar gjatë shekujve të robërisë deri në ditën e independencës së tij. Jeta dhe vepra e Skënderbeut janë të bazuara në bashkim të gjithë shqiptarëve. Si në kohëra të kaluara,ashtu edhe sot,jeta dhe veprat e Skënderbeut janë të bazuara mbi vëllazërim të gjithë shqiptarëve, mbi lirinë e vendit nga i huaji, mbi të drejtat e barabarta te çdo qytetari, mbi respektin e çdo shqiptari të ndershëm, dhe mbi ruajtjen e traditave tona, atë të besës, të burrërisë, të mikpritjes dhe të krenarisë kombëtare. Për më tepër Skënderbeu na mëson se shqiptari nuk do të kursejë gjësend për t’i ardhur në ndihmë një shqiptari tjetër dhe për të krijuar një atdhe të përbashkët shqiptar, ku secili të jetojë i lirë dhe të punojë për atë vend që na e lanë trashëgim të parët tonë. Ky vend është Shqipëria e Shqiptarëve,ku secili është zot në shtëpi të tij dhe kërkon të jetojë me dinjitet e në bashkim,ashtu siç na mësoi Skënderbeu. E ku na mësoi edhe një gjë tjetër: Shqipëria është e gjithë shqiptarëve. Këta do ta mbrojnë me çdo mjet e me çdo sakrificë për Atdheun e Shqiptarëve, dhe si vdiset për liri,pa u bë skllav i huaj, pa përulur karakterin burrëror të popullit shqiptar.

Cili është shkaku që Skënderbeu vonoi të kthehet në Shqipëri për të rrëmbyer Krujën dhe principatën e tij nga duart e turqve?

Shkaku kryesor që Skënderbeu vonoi të marrë në dorë drejtimin e rezistencës shqiptare, qytetin e Krujës dhe principatën e atit të tij është njohuria e thellë e fuqisë Otomane. Për më tepër ai, nuk shihte një fuqi tjetër në Evropë,që te ishte gati të përballej me ushtritë e sulltanëve, që po marshonin ngadhënjyese në të gjitha anët. Shqipëria ishte ndarë në principata, pothuajse të gjitha nën influencën e huaj, turke ose veneciane. Kishte për më tepër parasysh historinë e atit të tij, që nuk pati përkrahje, dhe sa herë ngriti krye, qe përulë nga ushtria e sulltanëve. Me gjithë këta Skënderbeu ishte në kontakt me princat shqiptarë dhe ëndërronte të kthej sa më parë në Shqipëri për të drejtuar rezistencën shqiptare. Kur pa se një fuqi e re, Hungaria po luftonte në brigje të Danubit, atëherë Skënderbeu gjeti kohen e volitshme,u kthye në Shqipëri dhe organizoi vendin për të përballuar fuqinë Otomane. Deçizioni i Skënderbeut të kthehet në Shqipëri dhe të organizojë vendin kundër fuqisë otomane është një nga deçizionet më me pergjegjësi të historisë. Vetëm një Skënderbe mund të merrte një deçision të atillë!E për këtë gjë,ai është i madh dhe i pavdekshëm në historinë e popujve.

Cilët kanë qenë faktorët që Skënderbeu, me një fuqi të vogël mundi të bëjë ballë forcave të mëdha e të armatosura gjer në dhëmbë të sulltanëve të Turqisë?

Faktorët kryesorë që Skënderbeu me një ushtri te vogël mund t’u bëjë ballë forcave të armatosura të Sulltanëve të Turqisë, sipas mejtimit tim, janë këto: Skënderbeu ishte strateg i përsosur, një komandant, që nuk dinte çka është frika, një njohës i vendit dhe i zakoneve shqiptare; dhe për më tepër Skënderbeu nuk e la kurrë armikun që t’i imponojë planet e tija në luftë. Fuqitë shqiptare Skënderbeu i ndante sipas nevojave të rasteve; ky linte përherë një rezervë dhe shtegun të hapur, që të mos rrethohej nga armiku. Më tepër Skënderbeu qe ai që e sulmonte armikun duke i dhënë ushtrisë së tij një shembull që ka mbetur një traditë burrërie shqiptare. Ai përballonte vdekjen si një ushtar i thjeshtë. Ku ishte rreziku më i madh aty ishte Skënderbeu. E nuk kishte ushtar shqiptar që të mos kërkonte të bëjë atë gjë që bënte Skënderbeu! Më në fund Skënderbeu dhe kapedanët e ushtarët e tij luftonin për liri. Ai dhe ushtarët e tij e dinin se nuk u mbetej tjetër veçse vdekjes ose lirisë. Për këtë gjë Skënderbeu e trimat shqiptarë shkruan epopenë shqiptare të shekullit të XV. Kjo është epopeja më e bukur e çdo kohe.

Skënderbeu bashkë me mbrojtjen e Shqipërisë mbrojti edhe Krishterimin dhe qytetërimin e Evropës nga sulmet e turqve. Pra përse disa vende të Europës, sidomos Venediku nuk i dhanë përkrahjen e duhur?

Nuk ka dyshim se Skënderbeu mbrojti qytetërimin europian dhe ua theu hovin fuqive otomane që ishin gati të marshojnë në Itali dhe në Europën qendrore. Skënderbeu pati ndihma nga Alfonsi i V i Aragonës dhe i Napolit, si dhe nga papët e Romës që e kishin kuptuar mirë rrezikun otoman. Sa për Venedik, sadoqë ishte një fuqi e madhe detare kjo për shkaqe tregtare kërkonte të mbante marrëdhënie të mira me Turqinë; dhe ishte rivale e mbretit të Aragonës e të Napolit. Më vonë më 1463 e kuptoi rrezikun dhe përkrahi Skënderbeun, por qe tepër vonë.

Pas “Lidhjes së Kapedanëve” që u bë në Lezhë, e cila e vuri në krye Skënderbeun, çfarë formasg administrative u shtuan asi kohe në Shqipëri?

Sipas Lidhjes së Lezhës, Skënderbeu mbetej kryekomandant i forcave shqiptare. Dalë nga dalë të gjithë i bashkoi për rreth vetes së tij, duke u lënë liri në administrimin e principatave të tyre. Këto principata ishin shumë të kufizuara e shpesh te okupuara nga turqit ose nga Venediku. Secila principatë i jepte Skënderbeut përkrahjen me ushtarë, por shpenzimet e luftës i përballonte Skënderbeu, shpesh herë i ndihmuar nga Mbreti Alfons, papët e Romës, nga Raguza dhe nga të ardhurat e kripës. Më vonë pati përkrahje dhe nga Venediku. Forma administrative në Shqipëri në këtë kohë ishte ajo që zotëronte në Europë, duke mos harruar se deri qyteti i Krujës ishte qytet i lirë, prandaj forma administrative u mbështet në ligjet e vendit.

Sipas mendimit tuaj, çfarë drejtimi do të kishte marrë fati i Shqipërisë sikur Skënderbeu të kishte jetuar më gjatë?

Po të kishte jetuar më gjatë Skënderbeu, sadoqë ishte i shtytur në moshë, fatet e Shqipërisë do të ndryshonin. Ai më 1463 bëri një marrëveshje me Republikën e Venedikut, i siguroi Shqipërisë përkrahjen e saj dhe ai vetë qe emëruar komandant suprem i ushtrive shqiptare-veneciane. Për më tepër Skënderbeu do të kishte kohë të udhëzojë djalin e tij Gjonin, kështu që rezistenca shqiptare e përkrahur nga tjera fuqi europiane,do të mund t’i siguronte Shqipërisë lirinë dhe indipendencën; këtë gjë e meritonte dhe ca fuqi të kohës kishin filluar ta kuptojnë rëndësinë strategjike të Shqipërisë.

Dhe qysh prej kohës që është botuar vepra juaj dhe ajo e Fan Nolit mbi Skënderbeun, a kanë dalë në shesh dokumenta të tjera që nuk diheshin më parë rreth jetës dhe luftërave të Skënderbeut?

Studimet përmbi jetën dhe veprat e Skënderbeut nga koha e botimit të veprës time e pastaj kanë vazhduar. Më së pari është vazhdimi i botimit të Acta Albania dhe Acta Albanie Veneta; këto të fundit përgatitur nga Qendra e Studimeve Shqiptare të Italisë. Dhe At Valentini është duke botuar “Studi Veneti” te ”Fondazionit Cini”, që kanë të bëjnë me historinë shqiptare gjatë shekujve XIV-XV. 500-vjetori i vdekjes së Skënderbeut nga shume pikëpamje shpresoj të jetë deçisive përsa i përket epokës së Fatosit tonë kombëtar.

***

Shënim

Shënojmë se 500-vjetori i vdekjes së Skënderbeut u kujtua me nderime të mëdha në Kosovë dhe në të gjitha viset shqiptare në ish-Jugosllavi. Në këtë përvjetor historik në Prishtinë u organizua një simpozium ndërkombëtar për jetën dhe veprën e heroit tonë kombëtar, ku u shquan historianët nga Shqipëria ne krye me Profesor Aleks Buda. Ky akademik i përmendur në kumtesën e tij për Skënderbeun citoi vazhdimisht Barletin, Nolin dhe Gegaj. Kjo ishte ngjarja më e madhe kulturore që kishte përjetuar Kosova deri atëherë. Profesorët nga Shqipëria sollën ne Prishtinë filmin “Skënderbeu” dhe disa relike te tij. Një natë para se të fillonte simpoziumi në teatrin e Prishtinës u dha një shfaqje teatrale për Skënderbeun. Rolin e heroit tonë kombëtar e luajti për mrekulli Hasan Salaj. Në oborrin e fakultetit bashkë me disa studentë tjerë biseduam me profesorët nga Shqipëria. Ishin shumë të përzemërt, sidomos Aleks Buda. Vlen për t’u shënuar se intervista e Dr. Athanas Gegaj dhënë Zërit të Amerikës u dëgjua në atë kohë me shumë vëmendje sidomos nga familjaret e tij në Malësi të Madhe në Mal te Zi. Trieshi qe është vendlindja e Dr.Athanas Gegaj e nderoi heroin tonë kombëtar në mënyrë të posaçme me rastin e 500-vjetorit të vdekjes, duke i dhënë shkollës tetëvjeçare emrin Gjergj Kastriot-Skënderbeu që e mban me guxim e respekt për gati një gjysmë shekulli, pavarësisht kërcënimeve të ndryshme. Kështu veproi edhe Ostrosi i Krajës në Mal të Zi, mbasi edhe ata para një gjysmë shekulli e pagëzuan shkollën e tyre Gjergj Kastriot-Skënderbeu. 500-vjetori i vdekjes së Kastriotit solli një ringjallje të vërtetë kombëtare në trojet tona te pushtuara nga sllavët e Ballkanit. //Gjekë Gjonlekaj

Filed Under: Opinion Tagged With: 30 vjet, ditevdekja, Dr. Athanas Gaga, Kujtese

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 444
  • 445
  • 446
  • 447
  • 448
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT