• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kush është pronari i varrezave greke të Këlcyrës, sot?

December 30, 2017 by dgreca

1 ManastiriNga Arben LLALLA/

Kryeministri Edi Rama ulërin për dënimin e falsifikatorëve të tjetërsimit të pronave, dhe  garanton hedhjen në kundërsulm ndaj grabitësve dhe falsifikatorëve. Është vjedhur prona duke përdorur një lidhje të shkurtër mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor, është çelja e kësaj faze të dytë përmes një operacioni shumë të thellë dhe të suksesshëm të goditjes së çdo akti të falsifikuar që ka prodhuar përmes veprës penale një interes të paligjshëm pasuror dhe një të drejtë tërësisht të falsifikuar mbi pronën. Dhënia fund e të gjithë kësaj historie skandaloze tejzgjatjeje dhe zvarritjeje përmes procedurave ligjore ka si parakusht goditjen e produkteve të veprës kriminale të tjetërsimit të pronës përmes falsifikimit”.

         Duke besuar se vërtetë do dënohen falsifikatorët e tjetërsimit të pronave ne do të ngremë hije dyshimi për ndërtimin e varrezave të ushtarëve grek rënë më 1940 në Shqipërisë, çështje që e ngrenë çdo diplomat dhe politikan grek në takimet me përfaqësuesit shqiptar për përfundimin sa më shpejtë të tre varrezave të ushtarëve grekë, që bashkojnë në një vijë imagjinare të rënësh, Gjirokastrën, Përmetin dhe Korçën. Në takimet dypalëshe grekët ripërsërisin se ekziston një marrëveshje ndërshtetërore për këtë çështje, ratifikuar në Kuvendin e Shqipërisë në vitin 2009, dhe e ricikluar nga Edi Rama në dhjetor 2017 duke shpallur 28 tetorin festë kombëtare shqiptare në nderim të ushtrisë greke. Por Greqia ka festën e saj kombëtare më 28 tetor, të organizohen ceremoni përkujtimore, të udhëhequra madje edhe nga priftërinj ortodoksë të Shqipërisë, por që dinë t’u këndojnë kokallave në greqisht. Aq shumë tregojnë entuziazëm për këtë pikë, sa duket sikur ndarja e ujërave dhe çëshja e pronave çame, kalojnë në hije, sikur nuk kanë diskutuar asnjëherë diplomatët dhe politikanët e dy vendeve.

Po t’i kthehemi angazhimeve të plota të palës shqiptare për të mos ua prishur dëshirat, miqve ngjittonë-fqinjë, nuk mund të mos bënim përballjen e dokumenteve me realitetin. Ndaj detyrohemi ta ngremë fuqishëm zërin, për një padrejtësi tjetër, që është bërë në kurriz të pronave që i përkasin popullit shqiptar. Dhe nuk do flasim aspak për mënyrën si u bënë zhvarrimet, apo për priftin Thomollari, që shpërtheu vite më parë, një bombë të atillë skandali që në KOASH edhe sot ia dëgjojnë gjëmën. Jo, do të flasim për një problematikë të re, që ndoshta nuk është kapur si duhet deri tani, fjala është për kishën e Shën Kollin të Grykës.

Kur në VKM, flitet për shpronësim të trojeve ku do ndërtohen varrezat dhe një nga këto vendprehje është ndërtuar pikërisht në kishën e Shën Kollit të Grykës, atëherë sipas marrëveshjes, kjo pronë është shpronësuar. Pra, i është marrë Kishës Autoqefale të Shqipërisë dhe nuk dihet kujt i është dhënë. Sipas kësaj marrëveshje kisha e Shën Kolli të Grykës, nuk i përket më shqiptarëve, por ka ndërruar pronar dhe destinacion.

Siç tregojnë të moshuarit që banojnë në ato anë, kjo kishë është ndërtuar me paratë e çobenëve të zonës, të cilët po me të hollat e tyre kanë blerë dhe truallin ku është ndërtuar faltorja, dhe me shumë mundësi, sot, as ndërtuesit e kësaj kishe, blerës të truallit dhe ndërtues të kishës, por edhe pasardhësit e tyre dhe banorët e Këlcyrës, me shumë pak gjasa e dinë që ai vend, jo vetëm ka ndërruar qëllim, por me shumë mundësi edhe pronarin. Nëse kjo është e vërtetë dhe nëse kisha e Shën Kollit nuk është më pronë e Bashkësisë Ortodokse të Shqipërisë, kemi të bëjmë me një skandal dhe vjedhje prone të padëgjuar më parë në Shqipëri. (Marrëveshjet nuk citojnë se cili subjekt është pronar dhe kujdestar i këtyre mauzoleumeve pas shpronësimit).

Të moshuarit në Këlcyrë thonë se kur kalonin automjetet aty pranë e përshëndesnin me bori vendin e shenjtë, këmbësorët ndaleshin për tu lutur. Dikur aty fëmijët e zonës kalonin pushimet në kampe verore në Manastir, por sot, gjithë ato gropa të hapura e varre të zbrazura dhe kutitë metalike me eshtra që mbushin kishën, ua shtrëngojnë zemrat e i mbushin me një ndjenjë trishtimi, pasi themeluesit dhe ndërtuesit e kësaj kishe, janë nëpërkëmbur, sepse kur e ngritën kishën e tyre, në asnjë rast nuk kishin si qëllim ta kthenin atë vend në varrezë, madje po të ishin ende gjallë do protestonin fort e do kërkonin llogari nga autoritetet e KOASH-it, sepse ua kanë rrëmbyer atë kishë qe e ndërtuan me gjakun dhe kursimet e tyre.

Ndaj pyesim: A mund të na sqarojë dikush opinionin publik, se kush është pronari i varrezave greke të Këlcyrës, sot? A është akoma KOASH-i që i administron pronat e Bashkësisë Ortodokse në Shqipërisë, në rastin në fjalë është bërë shpronësimi? Nëse është shpronësuar e ka shitur apo e ka dhuruar pronën Greqisë? Në të dyja rastet me ç‘të drejtë e ka bërë këtë dhe me vendim të cilit organ apo autoriteti kishtar? Por edhe nëse e ka akoma si pronë, kush ua jep këtë të drejtë të tjetërsimit arbitrar të pronave kishtare, Sinodit, apo Kryepeshkopit që janë kujdestarë të përkohshëm të KOASH-it dhe do të zëvendësohen nga të tjerë, siç na mëson historia kishtare? Kjo do të jetë sërish paradoksale, nëse është akoma KOASH-i pronar. Ç’punë ka dhe mbi cilën traditë, një Kishë Ortodokse Autoqefale mund të administrojë apo mirëmbajë një varrezë ushtarake të një vendi tjetër? Prandaj askush nuk mund të bëjë ç‘të dojë më Kishën Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë që është pronë kombëtare dhe trashëgimi e gjithë shqiptarëve, as priftërinjtë, as peshkopët e as Kryepeshkopi. Pronarë dhe kujdestarë të kishave është populli që i ndërtoi dhe askush nuk mund t’ia rrëmbejë atij, për t’i bërë dhurata për qoka, e për të përfituar favore.

Nëse ortodoksët e asaj zone, kanë blerë një truall dhe kanë ndërtuar një kishë për t’u falur, cili ka të drejtë pas kaq vjetësh t’ua rrëmbejë atë pronë dhe ta kthejë në varrezë? Nuk mundet që një grusht njerëzish apo më keq, një i vetëm që ka ardhur si misionar me qëllimin që ta krishtërizojë këtë popull, t’i rrëmbejë atij pronat e t’i dhurojë sa majtas djathtas. Shpresojmë që të paktën KOASH-i të mos ta ketë shitur kishën e Grykës së Këlcyrës, apo më keq të mos ta ketë falur atë, por nën ndonjë presion ekonomik a politik, të jetë detyruar t’i japë në përdorim këto prona, me gjithë peshën e përgjegjësisë historike që mbart, duke i kthyer nga faltore gjigande shpirtërore ku njerëzit luteshin e gjenin shërim, në varreza gjigande ushtarësh. Në çdo rast, ky veprim arbitrar i një Kryepeshkopit Anastasios që për më tepër është një ish-oficerë i zbulim dhe kundërzbulimit ushtar grek, përbën një skandal gjigant e kërkon sqarim dhe hetim. Ortodoksët në Shqipëri duhet të dinë se kush ua trajton pronat si t’i ketë të trashëguara nga babai, e jo sikur t’ia kenë besuar për t’i ruajtur e për t’ia kaluar ato të pacënuara, brezave që do e pasojnë.

Nëse KOASH-i do ishte i detyruar për ndonjë përfitim a mbështetje për mbijetesë, le t’ia kalonte ndonjë pronë, me qera a koncension, por kurrsesi kishën pa asnjë kriter për përdorim ideologjik, tek një shtet tjetër. Lusim Zotin që të mos jetë bërë e njëjta gjë në Gjirokastër dhe Korçë, pra që të jenë falur e tjetërsuar kisha të tjera të shqiptarëve, pasi skandali do t’a kalonte çdo masë të përfytyrueshme. Kryepeshkop Anastasi me kopenë e tij nuk ka të drejtë t’u rrëmbejë pronat shqiptarëve dhe t’ua japë grekëve për varre.

E keqja më e vogël do të ishte që të ishte ndërtuar vetëm një mauzoleum përkujtimor, në pronë të blerë ligjërisht dhe jo në truall kishtarë, nëse është falur trualli kishtar, ato tashmë konsiderohen të humbura dhe të pushtuara, pa të drejtë rikthimi. Kjo ngjarje kërkon hetim dhe sqarim, si nga organet tona kompetente, pasi ne nuk mund të lëmë askënd që trashëgiminë tonë kombëtare kulturore të na e kalojnë tek një komb tjetër, si dhe nga brenda Bashkësisë Ortodoksët Shqiptarë duhet të kërkojnë llogari për rrëmbimin e pronave të blera me gjakun e të parëve tanë.

Prandaj, Kryepeshkop Anastasi nëse nuk i lenë trajtimet intensive me fizioterapi që po merr në atdheun e tij, për të rigjetur ekuilibrin dhe forcat e humbura për të vazhduar detyrën, detyrë që duket se ka dritëhijet e veta, ndoshta ai duhet ta sqarojë edhe njëherë pozicionin e tij, mirë kësaj here, sepse historia e thotë mendimin e saj bazuar në dokumente dhe fakte, kur pashmangshmërisht figura e tij është për t’u marrë në studim, qëllimi dhe roli në Shqipëri.

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, i varrezave greke, Kush është pronari, sot, të Këlcyrës

FALENDERIM- “KARTOLINA” 500 DOLLARSHE NGA LAURA DHE GJERGJ KONDA

December 29, 2017 by dgreca

10-Laura

Për Krishtlindje dhe për Vitin e Ri 2018 në Kutinë Postare të Vatrës erdhën dhe vazhdojnë të vijnë shumë Kartolina urimi. Po vecojmë njërën nga ato, nga ato, Kartolinën e gazetares të Zërit të Amerikës, Laura Konda dhe bashkëshortit Gjergj Konda. Bashkë me urimin e ngrohtë, në mes të kartolinës ishet dhe një Chek me shumën 500 dollarë, dhuratë për Vatrën dhe gazetës e saj Dielli. Falenderime të përzemërta Laura dhe Gjergji!

Laura dhe Gjergj Konda e vizituan Vatrën me 31 mars 2017 dhe u pritën me respekt nga ish kryetari Gjon Bucaj,  i shoqëruar nga ish  zv/kryetari Asllan Bushati, sekretarja Nazo Veliu, anëtari i Kryesisë së Vatrës Marjan Cubi, anëtari i Këshillit Zef Balaj, Idriz Lamaj, dhe Zef Përndocaj si dhe Editori Dalip Greca.

Gjatë asaj vizite Dielli shkroi: Gazetarja Laura Konda tha se e kishin marrë këtë udhëtim për ta parë nga afër Vatrën dhe për të prekur historinë e saj. Me gjithë shiun që i shoqëroi gjatë të gjithë udhëtimit nga Virxhinia ne Nju Jork,ajo tha se, ia kishte vlejtë. Ndërsa Gjergj Konda tha se me Vatrën dhe Diellin atë e lidhte gjyshi i tij, një nga miqtë e Konicës dhe të Nolit, ish menaxher i parë i Gazetës Dielli që në numrin e parë të botimit. Vatranët dhe njohësit e historisë së Vatrës dhe të Gazetës së saj të mocme Dielli, e dinë se kush ishte Gjergj Konda(Gjonleka), për të cilin Faik Konica, tek bëntë bilancin njëvjecar të drejtimit të Diellit prej tij,  shkroi se pa Gjergj Gjonlekën (Konda) Dielli do ta kishte pasë të vështirë që në hapat e parë të tij.

Në kronikën e dhuruesëve të vitit që shkoi(2017) Vatra vlerëson të gjithë kontributorët që nga ta që thjesht paguajnë anëtarësinë, tek ata që reklamojnë në Gazetën Dielli,  e deri tek dhuruesit ; Mehmet Kadria $2,000(dy mijë), Demë Balidema $2.000.00 (dy mijë), Mustafë Elezi 1.000.00(një mijë dollarë-dhuratë e pvrvitshme), Avni Poanri 500.00(Pesqind), pa përmendur dhurimete  Bedri Litës dhe të tjerëve. Faleminderit të gjithëve!

Vatra dhe Dielli kane jetuar gjatë nga shpirti bujar i vatranëve dhe i shqiptarëve të Amerikës.

GEZUAR VITI I RI 2018!( Dielli)

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca, falenderim, Laura dhe Gjergj Konda

SFIDAT AKTUALE TË POLITIKËS SË JASHTME AMERIKANE

December 28, 2017 by dgreca

John_F_Kennedy-H

SFIDAT AKTUALE TË POLITIKËS SË JASHTME AMERIKANE, NË  100-VJETORIN E LINDJES SË PRESIDENTIT XHON F. KENEDI/

2 Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/

Viti 2017 shënoi 100-vjetorin e lindjes së ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Xhon F. Kenedi.  Xhon Kenedi lindur në vitin 1917 në Brukline të shtetit Masaçusets. Presidenti Kenedi, i cili është vrarë në gjysmën e mandatit të tij presidencial në vitin 1963 ishte presidenti i 35-të i Shteteve të Bashkuara, dhe mbetet njëri prej figurave më të njohura të politikës moderne amerikane  të politikës së jashtme si dhe asaj të mbrendëshme. Me rastin e këtij përvjetori të lindjes dhe në kujtim të trashëgimisë së tij politike, sidomos në fushën e politikës së jashtme amerikane të ish-presidentit Xhon Kenedi, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) lëshoi, pak kohë më parë, një deklaratë në emër të Sekretarit të Shtetit Reks Tillerson.  Në deklaratën e shpërndarë nga DASH, Presidenti Kenedi kujtohet në këtë 100-vjetor si një president i cili, “Ndoqi një politikë të jashtme bazuar në fuqinë amerikane, në angazhimin e tij ndaj mbrojtjes së lirisë, të drejtave të njeriut dhe të dinjitetit njerëzor, por edhe në përdorimin e vendosur të diplomacies, si mjet për të çuar përpara interesat kombëtare të këtij vendi dhe të kauzës së paqës, gjatë një periudhe plotë sfida të historisë tone kombëtare.”  Presidenti Kenedi, thuhet në deklaratën e Z. Tillerson, ishte një mbrojtës i vendosur i lirisë dhe të drejtave të njeriut në Berlinin e ndarë, në kulmin e Luftës së Ftoftë, ndërsa kishte deklaruar se   ai ishte një prej tyre se edhe ai ishte një berlinas.

Sekretari Amerikan i Shtetit Tillerson thekson se, në kohën e tij, Presidenti Kenedi, “Kishte deklaruar rëndësinë e integrimit të diplomacisë dhe të politikës së mbrojtjes, si mënyra më e sigurt për të mbrojtur vendin tonë kundër rreziqeve që i kanoseshin atij në fillim të 1960-ave.”  Në njoftimin e DASH citohet Xhon Kenedi të ketë thënë se, “Ne nuk duhet të negociojmë kurrë nga frika, por nuk duhet as të kemi frikë nga negociatat.

“Urtësia dhe guximi i tij na shpëtoi nga një luftë bërthamore gjatë krizës së raketave në Kubë”, thuhet në deklaratën e DASH dhe citohet Presidenti Kenedi se, “Njerëzimi duhet t’i japë fund luftës, para se lufta t’i japë fund njerëzimit.”  Sekretari Tillerson kujtoi këtë muaj ish-Presidentin Kenedi në 100-vjetorin e lindjes edhe si udhëheqës i shpresës për popujt e botës, duke përmendur themelimin e Korpusit të Paqës, Aleancës për Përparim dhe avancimit të zhvillimit ekonomik për vendet e Afrikës dhe të botës në përgjithësi, nga Presidenti Kenedi, ndërkohë që kolonializmi fatbardhësisht po merrte fund në atë kontinent.

Ndërkohë që vlersojmë presidencën e tij prej vetëm 1000-ditësh, u shpreh Kryediplomati Tillerson, “Ne nderojmë gjithashtu edhe ëndrrën për paqë të Xhon Kenedit, jo vetëm për Amerikanët por edhe për popujt kudo”.  Në deklaratë citohet një thënje nga fjalimi më vizionar i Kenedit, mbajtur në Universitetin Amerikan në Uashington DC qershorin e vitit 1963 se, “Unë jam i vetdijshëm se angazhimi për sigurimin e paqës nuk është aq dramatik sa angazhimi për luftë…por nuk kemi detyrë më urgjente” se të angazhohemi për paqë, ka thënë ish-Presidenti Kennedi me atë rast.  Në të njëjtin fjalim, theksohet në deklaratën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Reks Tillerson, shpërndarë pak më heret këtë muaj në kujtim të 100-vjetorit të lindjes së ish-Presidentit Kenedi, ai u bëri thirrje Amerikanëve dhe njerëzve vullnet mirë kudo, që të lënë mënjanë mosbesimin ndaj njëri tjetrit dhe kërcënimet e Luftës së Ftohtë dhe të bashkpunojnë për një të ardhme më të mirë globale.  “Sepse, në fund të fundit”, ka thënë Xhon Kenedi, “Lidhja jonë e përbashkët dhe më themelore, është se të gjithë ne jemi banorë të këtij planeti të vogël.  Të gjithë ne marrim frymë të njëjtin ajër dhe të gjithë ne dëshirojmë një të ardhme më të mirë për fëmijtë tanë.  Dhe të gjithë ne jemi të vdekëshëm”, citohet të ketë thënë Xhon Kenedi, sipas deklaratës së DASH me rastin e 100-vjetorit të lindjes së tij, deklaratë e cila përfundon duke theksuar se, “Të gjithë ne që punojmë në Departamentin Amerikan të Shtetit, kujtojmë dhe nderojmë shërbimin e jashtëzakonshëm që Presidenti Kennedi i ka bërë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sidomos në fushën e politikës së jashtëme.

Nuk besoj se është vetëm e rastësishme deklarata e DASH me rastin e një përvjetori të lindjes, në këtë rast të ish-presidentit Kenedi.  Besoj se pikërisht për trashëgiminë, vlerësimin dhe kujtimin që i bëhet gjithnjë politikës së jashtme të administratës afat-shkurtër të Xhon Kenedit, deklarata e DASH është jo vetëm me vend, por edhe frymëzuese edhe sot për diplomatët aktualë amerikanë, ndërkohë që përballen, ndoshta, me sfida ndryshe nga ato me të cilat përballej Xhon Kenedi në fillim të 1960-ave, por hiç më pak të rrezikshme për sigurinë e Amerikës dhe për stabilitetin dhe paqën në botë.

Ndërkaq, në një fjalim dy javë më parë në Këshillin e Atlantikut në Uashington, Kryediplomati aktual i Shteve të Bashkuara, Reks Tillerson foli mbi përballimin e sfidave të politikës së jashtme amerikane gjatë vitit 2017 dhe në të ardhmen.  Ai rreshtoi një numër sfidash dhe prioritetesh të politikës së jashtëme të administratës Trump anë e mbanë botës, duke filluar me krizën e armëve bërthamore të Koresë së Veriut dhe marrëdhëniet me Kinën, përpjekjet për të mposhtur organizatën terroriste ISIS, si dhe gjëndjen në Siri dhe Irak, përfshirë mbarë Lindjen e Mesme.  Z. Tillerson foli gjithashtu edhe për sfidat me të cilat përballet diplomacia amerikane në Azinë jugore, me theks politikën amerikane në Afganistan, Pakistan dhe Indi.  Nuk munguan komentet e Kryediplomatit amerikan edhe mbi politikën e jashtme amerikane sa i përket marrëdhënieve të Uashingtonit me Bashkimin Evropian dhe NATO-n dhe marrëdhëniet me Rusinë.  Përsa i përket marrëdhënieve me Evropën, Z. Tillerson foli për vizitat e tija të fundit në Evropë duke theksuar se kudo që vizitoi dhe në të gjitha takimet që ka zhvilluar me evropianët, vuri re se ekzistojnë gjithnjë lidhje të forta midis Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve dhe aleatëve amerikanë në Evropë. “Ekziston një bashkim i fortë rreth çështjeve me rëndësi për të gjithë ne, e të cilat janë çështje të sigurisë, çështje ekonomike dhe tregëtare”, ka thënë Tillerson në Këshillin e Atlantikut në Uashington, dy javë më parë.  “Kemi shumë për të bërë” ka theksuar ai, duke shtuar se “Mesazhi i Presidentit Trump për aleatët evropianë është se ne jemi me ju. Do të jemi me ju. Përsa i përket veçanërisht NATO-s dhe Nenit 5 për mbrojtjen e përbashkët, ne do t’i zbatojmë angazhimet tona”, tha ai, por duke iu drejtuar vendeve anëtare të NATO-s, Kryediplomati amerikan u shpreh se, “Ju nuk mund të vazhdoni të kërkoni nga populli amerikan që ai të kujdeset për sigurinë e qytetarëve tuaj më shumë se ç’kujdeseni ju vet.”

Në lidhje me Rusinë, Z. Tillerson theksoi se sot për sot nuk kemi marrëdhëine të mira me Moskën. “Okupimi i Ukrainës nga Rusia është diçka që ne nuk mund ta pranojmë”, u tha Z. Tillerson të pranishëmve.  Kjo është edhe arsyeja e vendosjes së sanksioneve të forta ekonomike kundër Rusisë, shtoi ai, dhe ato do të mbeten në fuqi për derisa Rusia nuk rivendosë integritetin territorial të Ukrainës.  Një pengesë tjetër në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, tha Z. Tillerson, janë përpjekjet e Moskës për të ndërhyrë në zgjedhjet e vendeve të tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe një numër vendesh në Evropë.  Përderisa Moska nuk i ndalon këto ndërhyrje ilegale, nuk do të ketë normalizim të marrëdhënieve midis nesh, tha Kryediploamti amerikan Tillerson.  Zgjidhja e shumë prej këtyre problemeve do të marrë kohë dhe punë të rëndë.  Por kjo është natyra e vet diplomacisë në botën që jetojmë sot, në një botë plot sfida e konflikte, nënvijoi Z. Tillerson, në fjalimin e tij pranë Këshillit të Atlantikut në Uashington, mbi prioritetet dhe sfidat e politikës së jashtme amerikane gjatë vitit 2017 dhe në të ardhmen.  “Misioni ynë në këtë jetë është që t’u japim fund disa prej këtyre konflikteve”, përfundoi ai.

Në një kryeartikull botuar të ënjtën në gazetën amerikane “Nju Jork Tajms”, Kryediplomati i Shteteve të Bashkuara, Reks Tillerson shkruan se, “Pa marrë  marrë parasyshë sfidat serioze me të cilat përballemi, mbetem optimist rreth mundësisë së diplomacisë për zgjidhjen e konflikteve dhe njëkohësisht për të çuar përpara interesat amerikane.”  Ai tha se ky besim i tij bazohet në faktin se “Diplomacia jonë përpilohet dhe zbatohet nga diplomatë patriotë dhe të dedikuar të Departamentit Amerikan të Shtetit”, të cilët shkruan ai, “Shërbejnë me durim dhe këmbëngulje për të avancuar vlerat demokratike anë e mbanë botës dhe për të mbrojtur jetën, lirinë dhe vlerat e qytetarëve tanë”.

Duke lexuar deklaratën e më sipërme të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Z. Tillerson, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Xhon Kennedit, mbi trashëgiminë dhe influencën e këtij gjigandi në politikën e jashtme amerikane që ndihet edhe sot, është inkurajues fakti se ai dhe kolegët e tij — me të drejtë — gjejnë frymëzim nga “urtësia dhe guximi” i Presidentit Kenedi për të zgjidhur disa prej sfidave me të cilat përballet aktualisht politika e jashtme amerikane dhe bota, duke marrë shembull nga urtësia e diplomacisë së ish-Presidentit Xhon Kenedi.  Është shpresëdhënës fakti se në punën e tyre të përditëshme, diplomatët amerikanë duke filluar nga kryediplomati i SHBA-ave, kujtojnë, admirojnë dhe njëkohësisht shprehin guximin dhe vullnetin ndërsa tregojnë gatishmërinë e tyre dhe të ish-Presidentit Kenedi, ashtu siç kishte deklaruar ai, për të mos kursyer asgjë, në mbrojtje të lirisë dhe të drejtave të njeriut, kudoqë të kërcënohen ato në botë.  “Le t’a dijë çdo komb, nëse na e do të mirën ose të keqen, se ne do të paguajmë çdo çmim, do t’i bëjmë ball çdo vështirsie, do mbështesim çdo vend mik dhe do të kundërshtojmë çdo armik, për të siguruar lirinë, suksesin dhe përparimin e saj kudo.  Atyre aleatëve të vjetër me të cilët ndajmë vlerat kulturore dhe shpirtërore, ne u premtojmë besnikërinë e miqëve të besueshëm.” (Xhon Kenedi, 21 Janar, 1961.)

Besnikëria e miqëve të besueshëm ndaj Amerikës — siç ishte shprehur ish-Presidenti Kenedi më shumë se gjysëm shekulli më parë – është gjithnjë një vlerë dhe cilësi dalluese dhe me shumë rëndësi në marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me vendet e tjera, sot dhe në të ardhmen, pa marrë parasysh se kush mund të jetë president i këtij vendi aktualisht, ose më vonë.

Filed Under: Opinion Tagged With: 100 vjetori, amerikane, Frank shkreli, John F Kenedi, SË JASHTME, SFIDAT AKTUALE TË POLITIKËS

Shtetësia e Janullatosit, një varr më shumë për Vorio Epirin

December 27, 2017 by dgreca

1-arben-llalla-250x299

Nga Arben Llalla/

Me turravrap publicistët tiranas për pak euro filluan të shprehin simpatinë e tyre për shtetësinë e Anastasit. Janë po ata fytyra që në fillim të viteve ‘90 e shanin, e ofendonin, e akuzonin si oficerë i zbulim dhe kundërzbulimit grek. Por çfarë ndodhi me këta analistë, publicistë apo politikanë? Thjeshtë janë blerë në panairin e kotësive të Ballkanit.

Shqipëria u ka dhënë shtetësinë shqiptare me qindra agjentëve grekë, serbë, rusë, arabë e kështu me radhë, prandaj edhe dhënia e kësaj shtetësie nuk është ndonjë çudi e madhe. Shtetësinë e Shqipërisë më lehtë e fiton një narkoman, vrasës, agjent i vendeve armike të shqiptarëve se sa një atdhedashës shqiptar. Fjala vjen, Gafur Adilit nga Kërçova prej 20 vitesh nuk ju dha shtetësia e Shqipërisë, megjithëse jetonte dhe punonte në Durrës ligjërisht, ndërsa është një kontribues i Çështjes Kombëtare.

Për dhënien e shtetësisë Anastas Janullatosit nuk ka ndodhur mrekullia, as fundi i botës, vetëm gjërat qartësohen se kush i shërben atij dhe këtij vendi. Të paktën Greqia juridikisht është në gjendje luftë me Shqipërinë dhe Ilir Meta i dha shtetësinë një “armiku” që i ka shpallur luftë Shqipërisë qysh më 1941, gjithnjë po ta shohim nga këndvështrimi i Legjistacionit të Greqisë.

Greqia për prishjen e ndërtimeve pa leje në Himarë i hoqi shtetësinë greke kryetarit të bashkisë, Gjergji Goros, ndërsa Ilir Meta për aktivitete antishqiptare në rini dhe aktivitete fetare i jep shtetësinë shqiptare Tasos Gierasimos Janullatos. Pas moshës 33 vjeçare ai njihet si Anastas Gieramos Janullatos. Mbaroi gjimnazin mashkullor në Athinë, më tej shkollën e oficerave zbulim dhe kundërbulimit më 1951-1954, në taktikën për luftën greko-shqiptare. Por, ama në fund të jetës së tij do vdesë si shtetas i vendit armik, për ta luftuar të cilin ai u edukua dhe u stërvit prej disa vitesh.

Ironia më e madhe është se Shqipërisë do i shtohet edhe një varr më shumë i ushtarëve grekë të rënë për “çlirimin” e Vorios Epirus.

Pak rëndësi ka, nëse e mori sot apo dje shtetësinë shqiptare kryepeshkopi Anastas, i cili që këtej e tutje duhet të zgjedhë nëse është pakicë greke apo shqiptar me origjinë greke, por Vangjel Dules ju shtua edhe një votë e sigurt në zgjedhjet e ardhshme.

Sa për Kryepeshkopin e ardhshëm të Shqipërisë mendoj se është paravendosur dhe do jetë Mitropoliti i Korçës At Joani Pelushi.

Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri.

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, një varr më shumë, për Vorio Epirin, Shtetësia e Janullatosit

Shqiptari më i ri Janullatos, Vendim i drejtë i Presidentit

December 25, 2017 by dgreca

1 Janullatos 1

Nga Ilir Levonja/

1) Shqiptarët dhe grekët kanë në mes tyre një luftë nervash që shpesh ka konkluduar me ngjarje të dhunshme. Mos të shkojmë më larg se lufta e dytë botërore, kur luftës së tyre për të mos u pushtuar nga Italia, iu përgjigjën me monedhën e pushtuesit, fqinjit të tyre verior, ose shqiptarëve. Të gjitha konfliktet filluan nga aty deri sa prevaluan në genocide e zbrazje krahinash. Një strategji ushtarake e zgjedhur po prej fqinjësh, kësaj here osmallinjëve, shto edhe faktin e mërive dhe pabesive midis tyre që nga historia e bizantit. Edhe pse në këtë hori kohërash kur kishin një të përbashkët me shqiptarët, lirinë karshi Turqisë perandorake…, zgjodhën dhunën e pushtuesve. Nga ana tjetër shqiptarët (kur them grekët apo shqiptarët kam parasysh qarqet që na kanë dominuar si popuj) i janë përgjigjur me një mëri gati vulgare politike deri në karshillëqe infantile me Turqinë a Italinë shto edhe besimin fetar. Kur fare mire mund të përzgjidheshin plot mënyra a plot forma të tjera. Dhe në kësi raste, diplomacia më e mire është ajo me mos solidarizimin e të të kënaqurit, kur njëri fqinj ia punon tjetrit dhe anasjelltas. Megjithatë në këtë kalvar urrejtje e përbuzje popujt mes tyre kanë plot të përbashkëta. Madje ato janë si malet… Aq sa në një mëngjes të kthjellët kushdo ka pak kohë e të kuptojë se si ai ajër mesdhetar bëhet pis nga nervat e nxehta.

2) Sapo shkruan diçka karshi kësaj vlertie popujsh, ne shqiptarët i kujtojmë njëri-tjetrit, andartët, kishën me helmimet, çështjen çame dhe plot të tjera. Biles nxjerrim arshivat deri nga Vatikani a Stambolli për të mbrojtur le të themi kishën a çështjen çame. Megjithëse kishës vet ia kemi bërë në kokë prej kohësh. Kurse çështjen çame e shkëmbëjmë me një marrëveshje politike që na jep kolltukun e bashkisë së Rrogozhinës. E thënë më thjesht, që, kur një mision shoqate, grupimi krahinor për shkak të vuajtjeve a reprezaljeve e kthejmë në parti politike, patriotizmi është një grafomani. Kështu edhe me kishat e besimin që për inat të grekut, serbit e përfitimit, iu qepëm ofertave të Turqisë aq sa sot qarqet mendje nxehta na identifikojnë plotësisht me orientin. Të paktën ne shqiptarët kurrë nuk e kuptuam se patriotizmi më i vlertë është të duam dhe të ndreqim vetveten për së pari, të rregullojmë jetën brenda vetes, brenda nesh, të ndërtojmë një shoqëri duke u lodhur me hallet tona dhe jo ato të botës. Sepse ishin pikërisht hallet tona ato që, që nga 1990-ta e këtej na çuan dhe vazhdojnë të çojnë drejt Greqisë. Ju e dini se ato male, ato rrëpira janë plot ngjarje e histori sakrificash. Po ashtu edhe rrugët e metropolove të vendit helen, por këto asesi nuk duhen të identifikohen në raportin midis të mires me të këqijat. Ne le të mjaftohemi me faktin e mire. Le të tregojmë sepse jemi të tille, sepse jemi të zotët dhe se çfarë është mirënjohja për strehën që na dhanë.

3) Aktualisht në Shqipëri po diskutohen kjo dhënia e nënshtetësisë shqiptare, Janullatosit. Plot njëzetë e pesë vite më pas. Ka pasur midis përplasje historianësh, rrymash dhe kore me tradhti. Një kalvar politik me monedhën e njëfarësojtë që edhe politika greke ka aplikuar karshi shqiptarëve që kërkojnë me të drejtë shtetësinë aty. Kanë vite përpjekje mes plot peripecish dhe për më tepër një lloj racizmi shtetëror i përftuar nga fakti që thamë më sipër. Se, si ne, si grekët jemi sunduar nga mëndjet e nxehta. Jo nga gjërat e vlerta, nga të përbashkëtat tona etj. I kemi lënë vlerat jetime dhe gojën plot benzinë. Eshtë alergjike për shqiptarët ngritja e një flamuri grek në një çati shtëpie minoritarësh, ashtu sikur gjëmë ngritja e një flamuri shqiptar në një shtëpi emigrantësh atje në Greqi. Janë detaje bajate. Sidomos për kohën. Frikë absurde që nuk e meritojmë ta posedojmë.

Megjithatë në këto diskordancat shtetërore të shtetit tonë, në raport me Greqinë dhe më tutje, ishte një vendim i drejtë. Dhe më vjen mire. Mes nesh, në politkën tone ka shumë abuzime sa është e vështirë të pranosh si tillë, si veprim të duhur të një politikani. Siç është edhe në rastin në fjalë presidenti ynë, apo lideri në prapavijë i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Kur thashë diskordancat, kam parasysh faktin se si një kryeministër nuk shkon në Greqi prej vitesh. Po kontradikton përmes fejbukut me fraza perandorësh edhe pse ka një ekonomi butaforike aty, dhe, me rrënjët në krahët e emigrantëve. Një fakt që vertetohet sot me kërkesat për politika afruese të këtij krahu. I cili normalisht, pas kaq vitesh ka ngritur jetën aty ku jeton. Nje poltikë duale që tjetër thotë dhe tjetër kërkon. Vendet e rajonit janë shumë të ndjeshëm karshi emigrantëve të tyre. Dhe sigurisht ndjekin politika afruese me vendet ku jetojnë ata. Dhe mire bëjnë.

Nuk dua të zgjatem më tutje, por e di që ka plot nga ata që do thonë, po, pse Anastasi lutjet i thotë në greqisht, kur salla është me shqiptarë? Unë fare thjesht, mund tu përgjigjem me konstatimin e Fan Nolit, ai le t’i thotë si dojë. Edhe ju i thoni si të doni, si tua ndjejë, se, atje sipër i rregullon Zoti vet.

Filed Under: Opinion Tagged With: i Presidentit, Ilir Levonja, Shqiptari më i ri Janullatos, Vendim i drejtë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 449
  • 450
  • 451
  • 452
  • 453
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT