• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Produktet e universitetit të Tiranës dhe partia

October 22, 2017 by dgreca

  • Marrëzia jonë është kaq e bukur, kaq me ethe, sa e gjitha çfarë ndodh në Shqipëri është material brilant për syrin regjisorial. Tek ne asgjë nuk ndodh seriozisht. Tek ne gjithçka bjerret në preteksin e yçklave të njëpasnjëshme që dalin. Ne jemi robër të dyshimit.

5-Ilir-levonja-2-288x300-1

Nga Ilir Levonja/ Florida/

Ajo që të bën përshtypje në këtë zallamahinë e çështjes Tahiri, me aktorë komisionin e mandateve, treshen e prokurorëve, Tahirin vet, publikun që pret, ku midis ka plot femra të eksitura, punë trendi etj…, është ballafaqimi i mësueses më nxënësen. Apo i pedagoges me studenten.

Ky ballafaqim midis zonjës Hysi, rojtares a kuratores së ligjeve qeveritare dhe prokurores Imeraj. Një rob nga grigja jonë, por që i irriton ”reformatorët” me faktin që paska lindur në Tropojë. Dhe po të vësh re sot faqet në shtypin e ditës, ka aq shumë mllef komentesh ku prokurorja del si një kamikaze për emrin e Berishës. Nuk e di, por marrëzia jonë është kaq e bukur, kaq me ethe, sa e gjitha çfarë ndodh në Shqipëri është material brilant për syrin regjisorial. Tek ne asgjë nuk ndodh seriozisht. Tek ne gjithçka bjerret në preteksin e yçklave të njëpasnjëshme që dalin. Ne jemi robër të dyshimit. Dhe kështu kemi për të mbetur. Madje për hatër të këtij dyshimi dhe inatit me iksin apo ypsilonin, nuk e kemi problem të falim çdo mëkat, çdo padrejtësi popullore a sociale.

Jo më kot sot të gjithë po merren me zhbirimin e lidhjeve të prokurores me Berishën, se sa me kartelin e drogës ku përmendet Tahiri. Por mos u nxitoni në përfundime se, prokuroria e Katanias ka akoma prova të pa shpalluara.

Por jemi tek ballafaqimi i mësueses me nxënësin. Eshtë si të thuash ballafaqim i investitorit me produktin. E para, pedagogia plot ironi i kujton prokurores doktorimin, çfarë është dhe çfarë nuk përbën provë. Madje me pyetje që karakterizohen rëndom me atë ë-në shqiptare. Provë është kjo, ë? Thotë media 3 tonë drogë, kjo është prove, ë? E dyta, përballë saj nxënësja që me qetësi i kujton mësidhënien se cili është roli i prokurorit dhe cili i gjykatës etj.

Pse e shoh këtë ballafaqim si një sadifaksion historik? Një rast që do i ofronte vendit intelektualët e vërtetë. Produktet e universitetit të tij. Dhe për më tepër respektin e brezave që po rriten për katedrat edukuese të baballarëve të tyre. Por nuk ndodhi. E gjitha u kthye në një ironi pyetje përgjigjesh.Kur duhej të ishte një bashkëpunim i forte në kuptimin e vlerave intelektuale. Aq më tepër kur jemi peng i një reforme në drejtësi duke mbetur në klasë vit pas viti për aderimin në europë. Një bashkëpunim ku askujt tjetër, nuk do i takonte për të qënë më krenar se sa  universitetit dhe kësaj pedagoge për studentin e tyre. Por nuk ndodh. Ndodhi e kundërta. Kjo pedagoge që sot është një shtetare partiake, bëhet vazhdimësi e asaj inteligjence mediokre, produkt i universitetit të Tiranës. Jo për fajin e universitetit. Jo për fajin e Shqipërisë, por për fajin e partisë.

Tani se cila është prove dhe cila nuk është e tillë, është bajate t’ia tregosh një pedagogeje të jurispudencës. Por duhet ndonjëherë edhe ajo përvoja me fjalë po bajate prej popullit. Ajo që sipas teje prove është muti, jo era e tij. Tahiri vetëm erë po lëshon. Se cili është dallimi e dashur pedagoge, po ta ilustroj me një bisedë poetike mes gjermano amerikanit Charles Bukowksi dhe së vjehrrës. (Ndofta një vjehërr artistike) Gruaja plot edukate e mirësjellje i ankohej përse njerëzit përdorin fjalë të pista? Në fakt edhe ai ishte një përdorues i hapur i tyre, më shumë se aq. Mbase ajo po i binte pragut që të dëgjonte dera.

Dhe ai iu përgjgij, sepse po të përdorim këtë fjalorthin tend plot edukatë e kulturë, nuk ka më jetë pasi bëhet një jetë e mërzitshme. Kjo po ndodh edhe aty, një edukim i mërzitshëm po vret Shqipërinë ditë më ditë. Dhe sigurisht ti je pjesë e tij.

Filed Under: Opinion Tagged With: dhe partia, e universitetit të Tiranës, Ilir Levonja, Produktet

LE TE NDEZIM TE GJITHE NGA NJI QIRI ….!

October 21, 2017 by dgreca

1 ok Sami repishti2

Shkruan:  Sami Repishti, PhD./Ridgefield,CT.USA. Pak ditë ma parë, lexova në shtypin shqiptar fjalen e mbajtun në “Parlamentin Rural’ (qytetarë të thjeshtë dhe ekspertë) nga zonja mirditore Dott. Rigerta Loku, e diplomueme në Universitetin e Romës “La Sapienza”, tashti me banim në Rubik, Mirditë, dhe managjere e nji ndermarrje bujqësore-blegtorale të suksesshme themelue nga ajo dhe bashkëshorti i saj, Z. Leonard Tusha.

Amerikanët kanë nji shprehje: “Ashtë ma mirë me ndezë nji qiri se me mallkue errësinën!” Tue lexue fjalimin e saj të plotë erdha në përfundimin se Zonja fshatare e Mirditës, me arsim të naltë universitar, me fjalimin e saj ka “ndezë nji qiri” që ban  dritë në botën e sotme të errësinës shqiptare, ku njerëzit me sy nuk shohin, ata me veshë nuk ndigjojnë, dhe të tjerë të dehun nga jeta e luksit ose të lodhun nga vuejtjet e përditëshme nuk kanë aftësinë e duhun me mendue për gjendjen e vendit të tyne, ose kanë humbë shpresën e nji të ardhmje ma të mirë. Viktima të rrethanave jo të favorshme, kategori qytetarësh të pafaj janë nënshtrue nji fati të egër që ushqen shoqëninë shqiptare me dëshprim. Fjala e Zonjës Loku, fshatare mendje-ndritun dhe prendimore, lëkundi ndërgjegjet e fjetuna të shumicës së konformueme nga vorfënia, dhe trazoi gjumin e rehatshëm të klasave shfrytëzuese. Përgëzimet e mia!

Asgja e re në Shqipërinë tonë të mësueme me këto fatkeqsitë që e ndjekin me shekuj: shtypje e uri, frikë nga autoriteti e frikë nga papunësia që mbulon vendin.

Çka tha Zonja Rigerta Loku, universitare e suksesshme dhe e paisun me shpirtin e sakrificës që kërkon nji jetë të ndershme për çdo qytetar shqiptar? Ajo tha:”Lironi karriket dhe ejani në fshat”! Unë do të shtojshe: ‘… Karriket që keni fitue me zgjedhje as të lira as adekuate dhe të mbajtuna me egërsinë e mbrojtjes së ‘çiflikut të trashëguem….. ‘

Reagimi i klasës politike në pushtet u ndigjue menjiherë. Jehona e shtypit partiak  ushtoi kudo. I papërgatitun për nji reagim të këtill, rilexova fjalen e saj në tanësi dhe nuk u përmbajta pa përsëritë fjalën e “Mësuesit” :”O Zot, fali se nuk dinë se ç’ bajnë!”

Zonja Rigarta Loku ka folë sinqerisht për jetën që ka jetue e përsëri jeton, si dëshmitar okular i kësaj jete. Nga ku foli? Nga tribuna e Parlamentit Rural, “…në njenin nga sesionet e mbledhuna nji herë në vit me ftesë për njerëzit e thjeshtë” spjegoi nji koleg i imi.

Cilin ofendoi ajo? Deri tashti, asnji shqiptar ose i huej, nuk ka denoncue fjalën e saj si ofenduese. Fjala e saj ashtë, e do të mbetet për shumë kohë, material për diskutime të hapuna- sepse nuk ka asgja konspirative në ato fjalë, dhe organet gjyqsore nuk kanë tregue se ajo dyshohet të ndërmarrë nji veprimtari .… subversive!

Atëherë, cili ashtë “faji Loku”?

“Faji Loku” ashtë guximi i nji qytetareje shqiptare me të drejta të plota morale dhe ligjore me folë botënisht për gjendjen e vendit të vet, për të mirat dhe të metat e shtetit dhe të vuejtjeve të shoqënisë shqiptare. Qellimi? Me tërheq vemendjen e “kokëve të mëdha” për problemet akoma ma të mëdha të qytetarëve të vegjël, punëtorë qyteti të krahut e të mendjes, e fshatarë të katundeve shqiptare të harrueme, bujq e blegtorë që paguejnë taksa nji shteti që paguen rrogët mujore të “kokëve të mëdha” por që mbetet i shurdhë për hallet e të tjerëve të harruem fare. Zonja Loku i ra nji kumbone që tingëlloi familjare tek shumë bashkatdhetarë që lexuen të artikuluem mendime e shqetësime që ata vetë i mendojnë por nuk kanë qenë në gjendje me artikulue.

“Faji Loku” i zgjoi ata dhe ato, tregoi se “perandori nuk kishte rroba” dhe se nëpunësit e tij sherbejnë pa mendue me evitue vuejtjet në nji vend ku kërcënon uria e përditëshme e papunësisë masive! Ajo tregoi gjithashtu që ka edhe nji rrugëdalje të ndershme, të vështirë dhe larg dritave verbuese të saloneve dhe muzikës së tajvaneve të qyteteve tona, atje në fshat ku punohet me ngulm dhe pa zhurmë…dhe ku puna shpërblehet me sukses, për vete dhe për shoqëninë shqiptare. Nji koleg zemërmirë dhe sensitiv më shkruente:”…ajo ishte e ftuar, si shumë të tjerë, të fliste për çeshtje dhe probleme që kanë lidhje me sipërmarrjen e saj dhe vendlindjen e zonës ku banon”. Dhe ajo foli për vete, për Kristinën, dhe për gjithë të tjerët.

Cili ashtë “faji” në togfjalshin “faji Loku”? Ndoshta sepse ajo ishte idealiste, e trembun nga errësina që rrethon atë dhe shoqet e fshatit, krahinës, e atdheut të saj, “…ajo që preku jo vetëm të pranishmit në sallë (deputetë e ministra të nderuar!) por edhe shumë mendje e zemra që ushqejnë shpresa për ditë ma të mira për vete e për fëmijtë e tyne.(Zonja Loku ashtë nanë e dy fëmijve të vegjël). Por, “…ajo grua e zgjuar,- shkruen kolegu i im,- dhe ata që tha i dilnin nga zemra sepse fundja këta janë hallet e përditëshme të qytetarëve të thjeshtë! Ajo është njeri shumë pozitiv dhe duhet të shërbejë si burim frymëzimi për kedo!”

Ashtu mendoj edhe unë!

“Faji Loku” nuk i pelqeu politikës dhe “baballarëve të kombit” sepse autorja vuni pikën mbi germën “i” dhe zbuloi “perandorin e çveshun”,sepse ajo uzurpoi “privilegjet e paprekëshme” të opozitës me qenë monopoli i kundërshtimeve në sferën politike. Natyrisht “gojët e këqia” gjetën nji rast shumë të rrallë në Shqipërinë e sotme me sha, ofendue, çpifë e ndoshta edhe me ndjekë penalisht këte “apostazi të pafalëshme”. Kjo  ashtë Shqipëria e jonë sot!

…….

Ç’ tha , në të vertetë, Zonja Loku?

“Unë kam mbaruar studimet e larta në Romë”, filloi ajo. “E kthyer në Shqipëri. në provincën time, u gjenda duke administruar nji tufë dhishë prej 350 krerësh…” Dhe përfundoi:” Ja ku jemi. Problemet i njohim të gjithë. Të gjejmë zgjidhjen së bashku me shumë modesti, dashuri për këte tokë, për Shqipërinë rurale, për Shqipërinë urbane, Shqipërinë europiane; ne fshatarët jemi në dispozicionin tuaj”. Mbrenda këtyne paragrafeve kapitale gjinden kërkesat.

Ajo kërkoi: “Fshati ka nevojë të rilindë, ri-mbkëmbet, rianimohet. Le të quajmë si të doni, fshati ka nevojë për kapital njerëzor, të shembim rrugën e braktisjes, dhe të ndërtojmë rrugën e kthimit.”

Ajo kërkoi: “Mbështetje dhe forcimin e atyne mikroekonomive rurale që modestisht prodhojnë punësim…Inovacion dhe informacion…(që) të vej atje tek shtalla, jo unë të vij në parlament për të marrë informacion…Pa fshat të zhvilluar nuk ka qytete të zhvilluara. Po nuk na zhvilluat ne, ju nuk zhvilloheni kurrë!”

Ajo kërkoi: “Ndihmë për agrikulturen dhe agroturizmin…Traditë e përzier me zhvillim dhe inovacion do të ishte për ne një përzierje jetësore….të mbështetni fermierin e ri që me shumë vështirësi e sakrifica çon përpara farmën…Të mbështesim fshatarin…ato fshate ku varfëria dhe mrekullia jetojnë në mënyrën ma fantastike të mundshme…”

Ajo kërkoi: “Ejani në fshat. Ejani të shikoni….në doni bukë, kripë e zemër të mirë, ejani në fshat, në doni qetësi e dashuri, ejani në fshat! (Por) …atje nuk shkon makina, e atje ku nuk shkon makina nuk shkon gjë…Nuk shkon as jeta!”

Ajo kërkoi: “Jepni ujë dhe rrugë fshatit dhe keni dhëne zhvillim…Të pyetet shoqja e ime Kristina: Çfarë do? ‘Unë dua ujë dhe rrugë’. Se ka dinjitet Kristina. Nuk i kërkon asgjë tjetër Shtetit të saj veçse ujë dhe rrugë…”

Ajo kërkoi: “Fshati të rilindë…fshatari ti kthehet fshatit të tij…Nuk është proces i lehtë as i shpejtë, por edhe ne nuk shkojmë asgjëkundi. Duke ndihmuar fshatin dhe Shqipërinë…Por kush thotë se ky vend nuk bëhet KURRE e vret fshatin dhe Shqipërinë…..Na vret ne njëmijë herë!”

Ajo kërkoi: të besojmë se “ky vend do të bëhet se i ka të gjitha mundësitë për tu berë. Dhe ne jemi këtu” premtoi ajo. “Ky vend ka nevojë për punëtorë që kanë pak llafe dhe shumë punë”. Ajo deklaroi se “fshati nuk ka as politikë, nuk njeh parti, nuk ka opozitë, as pozitë…por Parlamenti duhet të drejtojë që secili prej organeve të bëj funksionin që i perket”..…“Na presim” deklaroi ajo.

Ajo kërkoi: “Unë, ne kërkojmë bashkëpunim dhe mirëkuptim. Politika agrare specifike afat-shkurtë dhe afatgjatë. Ujë vaditës dhe ujë pirës, kredi të buta, moderim të çmimit të punimit të tokave, farërave, subvencione e mbështetje, por kërkojmë edhe informacion… “

Dhe ma në fund pyetjen e madhe:”Çfarë duhet të bëjmë ne?”

Nga shtypi mësova se “fjala e saj është ndërprerë vazhdimisht, jo vetëm se ajo përlotej dhe fshinte lotët me shami, por edhe sepse të pranishmit në atë sallë, si rrallë herë shpërthyen me duartrokitje mbështetse”. (Panorama, 2 tetor 2017)

……..

Leximi i materialit të sipërm dhe familiarizimi me përpjekjet e mëdha të Zonjës Loku për nji ndërmarrje bujqësore moderne dhe efikase me solli në mend leximet e eksploratorëve të Amerikës në vitet e para të popullzimit të kontinentit të posa-zbuluem. Vështirsitë e mëdha që tejkaluen ata janë symbol i fortësisë dhe frymës aventureske të eksploratorëve të shekujve 16 e 17 në kontinetin e ri. Ata studjohen nga të gjithë dhe kanë marrë emnin prestigjoz “frontier people”, elementë guximtarë që thyen çdo pengesë në rrugën e tyne zbuluese nga nji “frontier” në tjetrin, deri në brigjet e Pacifikut. Tregimi i akteve të tyne jashtëzakonisht të guximëshme janë dhe sot landë e mësimit në shkolla, subjekt i letërsisë së vrazhdë amerikane dhe i filmeve të pafund ku pasqyrohen këto akte. Ata janë elementë frymëzues për admirim, për ndërmarrje –individuale dhe kolektive- dhe aksione guximtare. Analisti David Brooks përshkruen:”frontier people”- qendrimi themelor i amerikanëve ka qenë me drejtue shikimin tonë plot shpresë kah e ardhmja, jo me shikue me inat zbehjen e disa orientimeve madhështore. Vështirësitë e “frontier people” ftojnë për nji energji, nji forcë rinore, punë të vazhdueshme dhe janë cilësi që kanë qenë gjithmonë veçoritë përcaktuese të kombit amerikan. Figura e “frontier people” kërkon njilloj individi, nji aventurier-zbulues që punon shumë, individ i disiplinuem që ec në rrugën ku përfundon me nji ’transformim të vetëvetes’….; Filozofia e ekonomisë që përqafon ndërmarrjen e lirë ka qenë shumë individualiste; megjithate, lidhje të ngushta të bashkësisë vendore, të ndërtueme mbi marrëdhanje që ushqejnë frymën e ndërmarrjes me guxim, dhe që bashkëndajnë parimet e nji moraliteti biblik, kanë ndihmue me përcaktue standartet e përbashkëta të karaktereve.”

Për mendimin tim, rasti i doktoreshës Rigerta Loku dhe i bashkëshortit të saj ashtë nji shembull shqiptar i karakterit të formuem nga “frontier people” në shekujt e parë të emigracionit europian në Amerikë, dhe meriton të njejtin respekt.

Fatkeqsisht, marrëdhanjet politike, zakonisht të vështira në Shqipëri, sot kërkojnë nji orientim të ri të shoqënisë, me gjak të ftohtë e qendrime të studjueme mirë, ndershmëni e vetëmohim. Inati dhe zemrimi në politikë janë armë të forta në fushatat elektorale dhe për sondazhet e zakonshme; por ata janë të tmerrshme dhe shumë damprurëse në qeverisje, në marrëveshje që kërkojnë kompromise, dhe në formulimin e legjislacionit të vendit, në mes tjerave. Tek ne, kjo gjendje ashtë e qartë! Ashtë kjo gjendje që shqetëson heroinën tonë të dallueme!

Shqipëria që kërkon Zonja Loku ndërtohet vetëm nga nji sistem qeveritar e nji shoqëni shqiptare demokratike që na sot nuk kemi në vendin tonë. Sigurisht, konteksti i procesit demokratik ashtë i nji randësie të dorës së parë. Por demokracia që ne të gjithë dëshirojmë – e nuk perkrahim!- varet nga shkalla e qytetnimit në vendin tonë, nga nji atmosferë që nuk ushqen dëshprim- ashtu si sot!- por nji shkëmbim serioz ideshë, varet nga mundësia me bindë palën kontestuese që mendon ndryshe, nga marrja në konsideracion e argumenteve të ndryshëm, dhe nga spjegimet tona. Liria e fjalës, e shprehjes së lirë, e shtypit janë garancia ma e mirë se vendi jonë nuk zbret në kaos e diktaturë. Nji udhëtim i gjatë prej 10.000 kilometrash fillon me nji hap. Për ne, ky hap i parë ashtë dialogu i hapët në nji atmosferë mirëbesimi të ndërsjellë që në Shqipëri sot nuk ekziston.

Në ditët e vështira të kaosit ekonomik te shkaktuem nga “kriza botënore” (1929-32),  presidenti i ndjerë amerikan, Franklin D.Roosevelt, u shpreh kështu:

”… Vendi i jonë (SHBA) ka nevojë, dhe në se nuk gabohem, kërkon ndërmarrje guximtare, kombëngulëse, me eksperimentue për gjetjen e përgjigjes së duhun. Ashtë diçka e natyrëshme me eksperimentue nji metodë, dhe me vlerësue rezultatet; në se dështon, duhet pranue dështimi pa komplekse e publikisht, dhe me fillue nji metodë tjetër. Ajo që ashtë e domosdoshme, dhe në rradhën e parë, ashtë nevoja e eksperimentimit që eventualisht zbulon rrugën që duhet ndjekë”(Washington 12 maj 1932)

Eksperimenti i suksesshëm i çiftit Loku ashtë nji shembull ndriçues. Mendoni për nji moment: sikur 1000, 5000, 10.000 bujq e blegtorë shqiptarë që imitojnë shembullin e tyne të ndezin nji qiri si ata. Dhjetë mijë qirinj në Shqipëri do të shkatërronin errësinën e sotme –nji herë e përherë!

———————————————————————–

* City University of New York

Filed Under: Opinion Tagged With: GJITHE NGA NJI QIRI ….!, LE TE NDEZIM TE, Sami repishti

HAJDUTËT JANË KUDO….SITUATA ËSHTË DËSHPËRUESE

October 19, 2017 by dgreca

VRASJA E GAZETARES SE ANTIKORRUPSIONIT/

1-frank-300x212 

Nga Frank Shkreli/”Hajdutët janë kudo. Situata është dëshpëruese”.  Këto ishin fjalët e fundit të gazetares së vrarë malteze, Daphne Caruana Galizia në portalin e saj, 30-minuta para se të gjënte vdekjen të hënën — një prej gazetarëve më të njohur investigativë në Maltë e ndoshta edhe në Evropë, ndërsa përshkruante gjëndjen e krijuar politike në Maltë. Ajo gjeti vdekjen, nga plasja e një bombe që ishte vendosur në makinën e saj, pak pasi ishte larguar nga shtëpia. Daphne Caruana Galizia njihej për kurajon dhe luftën e saj me penë, kundër korrupcionit, jo vetëm në Maltë, por edhe jashtë kufijve të saj. Portali “Politico” e kishte përmendur më heret gazetaren Galizia si një prej 28 individëve të cilët do të kishin një ndikim të madh në Evropë gjatë vitit 2017, për punën e saj diligjente, në përpjekje për të zbuluar aferat korruptive në skenën politike të Maltës.   Gazetarja Galizia njihej anë embanë Evropës për punën e saj në fushën e gazetarisë investigative.

Rrjeti televiziv ameirkan CNN e cilësoi portalin e saj “Running Commentary”, ose Komenti në Vijim, si njërin prej portaleve më me influencë në fushën politike të Maltës dhe si faktorin kryesor që detyroi Kryeministrin e atij vendi, Z. Joseph Muscat të bënte thirrje për zgjedhje të reja katër muaj më parë, pasi ajo kishte bërë akuza të hollësishme dhe të një pas njëshme, kundër Kryeministrit të vendit, duke akuzuar për lidhjet e tij me skandalin e dalur nga botimi i pautorizuar i të ashtuquajturave “Panama Papers”, pikërisht për lidhjet me familjen Alijev që udhëheq Azerbaixhanin.   Sipas disa burimeve të medias, bashkshortja e Kryeminsitrit maltez ishte akuzuar gjithashtu, ndër të tjera, se kishte një llogari sektrete bankare në Panama, ndonëse sipas raporteve në media, thuhet se këto akuza janë përgnjeshtruar si nga Z. Muscat ashtu edhe nga bashkshortja e tij.

Ndërkaq, megjithse pranoi se gazetarja Galizia ishte ndër kritikët më të ashpër të tij, personal dhe politik, Kryeministri Muscat dënoi, siç u shpreh ai, “pa rezervë” , duke e cilësuar vrasjen e gazetares si “një sulm barbar kundër një personi dhe kundër fjalës së lirë në vendin tonë”, ndërsa urdhëroi shërbimet e sigurisë malteze që të përdorin maksimumin e burimeve të tyre për të zbuluar vrasësit.   Ai u citua t’u ketë thënë gazetarëve se, “Sot ësht një ditë e zezë për demokracinë tonë dhe për lirinë tonë të shprehjes”.

Reagimet ndaj vrasjes barbare të gazetares malteze ishin të shpejta dhe të forta gjithashtu nga burime qeveritare dhe jo-qeveritare edhe jashtë Maltës.   Zëdhënsja e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), Heather Neuhart e dënoi ashpër vrasjen e gazetares Galizia duke e cilësuar atë si një, “Akt prej frikacaku, që mori jetën e një prej gazetareve më të talentuara dhe të guximshme, të një gazetarje e cila ia kishte kushtuar karierën e saj luftës për zbatimin e ligjit dhe luftës kundër korrupcionit”, duke hedhur sado pak dritë mbi këtë fenomen shoqëror në vendin e saj.   Zëdhënsja e DASH tha gjithashtu se FBI-ja amerikane i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Kryeministrit të Maltës për ndihmën amerikane në zhvillimin e hetimeve dhe për zbardhjen e vrasjes barbare të gazetares malteze Daphne Curuana Galizia, në moshën 53-vjeçare. Ndërkaq, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve me qëndër në New York, me anë të një deklarate u bën thirrje autoriteteve të Maltës që sa më shpejt që të jetë e mundur të kapen vrasësit dhe të garantojnë drejtësinë për zbulimin e vrasësve të gazetares së njohur.   Sipas këtij enti për mbrojtjen e gazetarëve, Znja Galizia kishte njoftuar policinë e vendit dy javë më parë, se ajo kishte marrë kërcënime për vdekje nga perosna të pa njohur.   “Daphne Caruana Galizia kishte hetuar korrupcionin në fushën politike dhe tregtare, por edhe krimet në radhët e botës kriminale”, thuhet në deklaratën e Komitetit për Mbrojtjene Gazetarëve.  “Prandaj hetimet për vrasjen e saj duhet të jenë të gjithanshme, të besueshsme dhe të shpejta”, shprehet mëtej Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve nga Nju Jorku.

Edhe në Evropë pati reagime të shpejta ndaj vrasjes barbare të gazetares së njohur të Maltës.   Presidenti i Parlamentit Evropian Antonio Tajani, u shpreh në “Twitter” se rasti i gazetares Galizia, “Është një shembull tragjik” i një gazetarjeje e cila “Sakrifikoi jetën, në përpjekjet e sajë për të zbuluar të vërtetën”.   Ndërsa, Drejtori i Konsorciumit Ndërkombëtar të Gazetarëve Investigativ, Z. Gerard Ryle u bëri thirrje autoriteteve të Maltës që të “Bëjnë hetime të shpejta dhe vrasësit t’i sjellin sa më parë para drejtësisë”.   Ndërsa Komisioni Evropian shprehu shqetësimin e tij të madh për vrasjen e gazetares Galizia dhe e dënoi aktin duke bërë thirrje për kapjen sa më parë të atyre që kryen këtë akt të tmershëm.

“Jemi tmeruar nga fakti se një gazetare shumë e njohur dhe tepër e respektuar, Znja Daphne Caruana Galizia humbi jetën në atë që siç duket ishte një sulm i paramenduar dhe i qëllimshëm”, u shpreh para gazetarëve, zëdhënsi i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas.  Ai  shtoi se Komisioni Evropian dhe Presdienti i këtij enti, Z. Jean Claude Juncker e kanë dënuar ashpër këtë akt mizor.   ”E drejta e gazetarit — për të hetuar, për të bërë pyetje që nuk janë të lehta për t’iu përgjigjur dhe për të raportuar efektivisht, –është në qëndër të vlerave dhe nevojave tona, e që duhet të mbrohet përhera.”

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, SE ANTIKORRUPSIONIT, VRASJA E GAZETARES

Tiranë- Homazhe për Robert Elsie

October 18, 2017 by dgreca

Elsie prehet në alpet shqiptare: projekti i madh që na la pas, e folura shqip nga Turqia në Ukrainë/

1 EllsieNë Tiranë u zhvilluan dje, e Marte 17 tetor 2017,  homazhet për albanologun e njohur kanadez Robert Elsie, I cili ndërroi jetë më 2 tetorNë përmbushje të dëshirës dhe amanetit të tij, trupi u soll sot në Shqipëri ndërsa te Merkuren, me 18 Tenor, do të organizohet ceremonia e varrimit në Theth.

Për të nderuar kujtimin dhe veprën e albanologut, në homazhet e djeshme morën pjesë autoritetet më të lartë të vendit.Pasi mësoi gjuhën shqipe dhe i thelloi njohuritë e tij në këtë gjuhë, Robert Elsie vendosi t’i kushtohej albanologjisë. Ai ishte autor i më shumë se gjashtëdhjetë librave si dhe të artikujve të shumtë, kryesisht në fushën e albanologjisë.Robert Elsie ka marrë pjesë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Kosovë për vite me radhë. Ai ishte anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Elsie prehet në alpet shqiptare: projekti i madh që na la pas, e folura shqip nga Turqia në Ukrainë/

Pas homazheve në Bibliotekën Kombëtare trupi i Robert Elsie i veshur me kostum popullor të zonës së Veriut të Shqipërisë do të varroset në mes të Alpeve, në fshatin Theth.I lindur në Kanada dhe i shkolluar në Gjermani, Elsie ishte një ndër ata të huajt që e donte me shpirt vendin tonë dhe na ka lënë pas një trashëgimi të madhe mbi gjuhën shqipe dhe historinë e Shqipërisë.Në faqen e tij të internetit të ndërtuar vitet e fundit dhe të menaxhuar prej tij deri sa vdiq papritur para disa ditësh, Elsie ka publikuar foto dhe studime mbi shqipen dhe Shqipërinë, por pjesa më e rëndësishme që ai i lë trashëgim studiuesve të rinj të shqipes janë regjistrimet audio të të folurës së shqipes në të gjitha trevat shqiptare brenda dhe jashtë vendit, madje që nga shqiptarët  Turqisë dhe deri tek arbëreshët e Italisë.

Konkretisht, ai ka arritur të ndërtojë një hartë me të gjithë audiot e mbledhura për të ruajtur të folurën e gjuhës shqipe në; Shqipëri (disa treva) Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Kroaci, Itali, Greqi, Bullgari, Turqi dhe Ukrainë.

Mjafton të klikosh në një pikë të hartës së gjuhës shqipe të shpërndarë pothuajse në gjithë botën dhe çdokush ka mundësi të dëgjojë inçizime zanore të shqipes nga rajonet e ndryshme të botës shqipfolëse.

“Ndonëse të folmet e shqipes janë përgjithësisht të kuptueshme për dëgjuesin i cili ka një vesh të stërvitur, ndryshime rajonale janë tepër të dukshme, dhe tepër interesante. Këtu mund të dëgjoni njerëz që flasin forma më të ndryshme të shqipes. Disa folës janë zotërues të mirë të dialektit të tyre, kurse të tjerë u zgjodhën rastësisht për të krijuar një ide se si flitet shqipja bashkëkohore në rajonet e ndryshme”- shkruan Elsie në prezantimin e këtij projekti.

Duke treguar për realizimin e projektit dhe duke falenderuar njerëzit e thjeshtë që e kanë ndihmuar në këtë rrugëtim, albanologu shkruan se “ndër ata janë shumë bujq dhe çobanë shqiptarë të cilët u habitën, madje u hutuan kur u ballafaquan me një të huaj, i cili u doli përpara dhe donte, pa arsye të kuptueshme, të kapte dhe të inçizonte gjuhën e tyre.Shpresoj se kjo përmbledhje inçizimesh do të jetë në dobi jo vetëm të dialektologëve por edhe të gjithë njerëzve në botë që interesohen për gjuhën shqipe”.
Ndarja e dialekteve të shqipes  

Në një përmbledhje të shkurtër Elsie sjell një ndarje të dialegteve dhe nëndialekteve të shqipes sipas zonave ku flitet ajo.

Dialekti Geg: Flitet në pjesën më të madhe të Shqipërisë në veri të Shkumbinit, si dhe në Kosovë, Malin e Zi, Serbi, në pjesën dërrmuese të zonës shqipfolëse të Republikës së Maqedonisë dhe në fshatin Arbanasi të Zarës (Zadar) në Kroaci.

Nëndialekti verior i gegërishtes: Flitet në shumicën e zonave shqipfolëse në veri të lumit të Matit, përfshirë Ulqin, Krajë, Podgoricë, Shkodër, Lezhë, Malësi e Madhe, Dukagjin, Pukë, Mirditë, Plavë, Malësi e Gjakovës, Lumë, Has, Kosovë dhe Preshevë.

Varianti perëndimor: Flitet në perëndim të vijës ndarëse vertikale e cila përshkon pak a shumë brezin midis Qarkut të Shkodrës dhe Qarkut të Kukësit, duke filluar nga kufiri Mali i Zi/Shqipëri dhe poshtë. Këtu përfshihen Theth dhe Shalë të Dukagjinit dhe zonat në perëndim të tij, siç janë Shkodër, Lezhë, Malësi e Madhe dhe pjesa shqipfolëse e Malit të Zi.

Varianti lindor: Flitet në lindje të vijës ndarëse vertikale e cila përshkon pak a shumë brezin midis Qarkut të Shkodrës dhe Qarkut të Kukësit, duke filluar nga kufiri Mali i Zi/Shqipëri dhe poshtë. Këtu përfshihen Nikaj-Mertur, Pukë, dhe zonat në lindje siç janë Gash, Tropojë, Malësi e Gjakovës, Has, Kukës, Kosovë dhe Preshevë.

Nëndialekti jugor i gegërishtes:  Flitet në pjesën veriore të Shqipërisë së mesme, dmth. në zonën në jug të lumit të Matit  dhe në veri të Shkumbinit. Këtu përfshihen Lurë, Peshkopi, pjesa dërrmuese e zonës shqipfolëse të Republikës së Maqedonisë (nga Dibra deri Shkup dhe Kumanovë), si dhe Krujë, Tiranë dhe Elbasan.

Varianti qendror:Flitet në ujëmbledhësin e brendshëm të lumit të Matit dhe, në lindje të këtij, deri dhe përtej Drinit të Zi. Këtu përfshihen Mat, pjesa e Mirditës, Lurë, Lumë, Peshkopi dhe Maqedonia perëndimore (bregu i majtë i Drinit të Zi në Strugë, Dibër, Kërçovë, Tetovë, Gostivar, Shkup dhe Kumanovë), si dhe Krujë dhe Fushë Krujë.

Varianti jugor: Flitet në pjesën dërrmuese të bregdetit nga lumenjtë Mat dhe Ishëm derinë Shkumbin. Këtu përfshihen Durrës, Tiranë dhe Kavajë si dhe zonat e brendshme siç janë Malësia e Tiranës, Martanesh, Çermenikë, Elbasan dhe lugina e Shkumbinit.

Të folmet kalimtare:  Fliten në një brez horizontal me një gjerësi prej dhjetë deri njëzet kilometrash në luginën e Shkumbinit, kryesisht në anën e majtë (jugore) të lumit. Këtu përfshihen pjesa veriore e Myzeqesë, Dumre, Shpat, Polis dhe Qukës.

Dialekti Tosk: Flitet në pjesën më të madhe të Shqipërisë në jug të Shkumbinit deri në Çamëri, si dhe në ngulimet e diasporës shqiptare në Itali, Greqi, Bullgari dhe Ukrainë.

Nëndialekti verior i toskërishtes:  Flitet në pjesën më të madhe të Shqipërisë në jug të Shkumbinit me përjashtim të zonave bregdetare në anën e majtë (jugperëndimore) të Vjosës. Në bregdet, kufiri jugor i këtij nëndialekti ndodhet në jug të qytetit të Vlorës.

Varianti perëndimor: Flitet në Myzeqe, Mallakastër, Berat, Fier, Skrapar, Tepelenë në anën e djathtë (lindore) të Vjosës, Përmet dhe Vlorë, përfshirë zonën në veri dhe në verilindje të qytetit të Vlorës.

Varianti lindor: Flitet në Pogradec, Korçë, Kolonjë dhe Devoll, si dhe në pjesën jugperëndimore të Republikës së Maqedonisë (bregu i djathtë i Drinit tëZi në Strugë, Ohër, Prespë dhe Manastir).

Nëndialekti jugor i toskërishtes: Flitet në zonat bregdetare në jug të qytetit të Vlorës deri në Greqi.

Varianti lab: Flitet në zonën e Labërisë, dmth. Kurvelesh dhe Himarë deri në lumenjtë Shalës dhe Pavlle, përfshirë Delvinë dhe Gjirokastër.

Varianti çam: Flitet në zonën e Çamërisë në jug të lumenjve Shalës dhe Pavlle në Shqipëri. dhe tek-tuk në Greqi deri në Prevezë.

Nëndialekti arbërisht i toskërishtes: Flitet tradicionalisht në rreth 300 fshatra të Greqisë së Mesme, sidomos në Atikë, Vioti, Evinë jugore, në Peleponezin verilindor rreth Korintit, në ishujt e Gjirit Saronik, përfshirë Salaminë, në Androsin verior si dhe në disa pjesë të tjera të Peleponezit dhe Ftiotisit. Ky nëndialekt arkaik po shkon drejt zhdukjes megjithëse mund të jenë ende rreth 50,000-250,000 folës të tij, kryesisht të moshuar.

Nëndialekti italoshqiptar (arbëresh) i toskërishtes: Flitet nga rreth 90.000 persona në jug të Italisë. Ky nëndialekt i gjuhës shqipe mund të dëgjohet, shpesh në fshatra të thella malore, në rajonet: Kalabri, Molize, Pulja, Basilikatë, Kampanjë, Abruci dhe Sicili.

Kush ka interes që të dëgjojë si flitet shqipja në të gjitha këto zona dhe variante dialektore mund të klikojë në http://dialects.albanianlanguage.net/HR-IT/

Filed Under: Opinion Tagged With: Homazhe per Robert Elsie, Tirane

MESUESI SHPETIM BRAHAJ “SFIDON” SHTETIN

October 17, 2017 by dgreca

01
(Në vend të një letre të hapur për kryeministrin e Shqiperisë, Edi Rama -Per Diejni Ministrit te Diaspores z. Pandeli MAJKO)
03
 
 NGA TAJAR DOMI/
02Organizimet në diasporë, qofshin këto shoqata, klube apo grupime me te vogla se këto, të orientuara sigurisht me një platformë ( statut ) të miratuar ligjërisht nga shteti ku këto e ushtrojnë aktivitetin, kanë në themel kontributin atdhetar që duhet të jap komuniteti dhe përfaqesuesit e tij, në këtë teritor ose më gjerë. Sigurisht janë njerëzit konkret, të ditur e të aftë, me dëshirë të madhe për ti dhënë kombit e vendit ndihmën që mundet të japin, ata që marrin përsipër krijimet e këtyre strukturave që gjithashtu në themel duhet të kenë punën që duhet bërë për të mbajtur bashkë shqiptarët. Rëndësia e këtyre qendrave aktive, del në dukje më shumë në momentet e vështira, dhe kjo ka ndodhur gjatë gjithë historisë tonë kombëtare, por më së fundmi u pa në luftën e Kosovës dhe krijimin e shtetit të saj, ku diaspora kudo në botë por veçanërisht ajo në SHBA, ishte faktor i fuqishëm i fitores së kësaj lufte.
 Përvoja e këtyre organizimeve këtu në SHBA, fillon me “VATREN”, 105 vite më parë, veprimtarinë e së cilës nëpërmjet figurave të saj udhëheqëse si Fan Noli, Faik Konica e të tjerë, tashmë thuajse çdo bashkatdhetar e njeh. Por në këtë cerek shekulli, kur më shumë se gjysma e popullsisë shqiptare është shpërndarë në shumë shtete e kontinente, dhe ata jane orientuar e përfshirë në jetën e këtyre vendeve, me kalimin e viteve veçanërisht në brezat e rinj, rreziku i shkëputjes nga vendlindja, është i madh. Në këto kushte të reja, qëllimi i këtyre grupimeve në diasporë, mendojmë se duhet të përqëndrohet në ruajtjen e trashëgiminë e gjuhës shqipe, historisë e kulturës tonë kombëtare, funksion te cilin më së miri e kryejnë shkollat shqipe të hapura në qytete të ndryshme.
Një prej këtyre shkollave, ndoshta më e madhja dhe më e organizuara në SHBA, është shkolla shqipe “Gjuha Jonë” në qytetin e Filadelfias, veprimtaria e së cilës drejtohet nga shoqata “Bijtë e Shqipes” në këtë qytet. Themi kështu sepse ajo ka disa tregues që e shprehin këtë. E kjo nuk do të thotë se roli e kontributi i shkollave të  tjera në SHBA është më i pakët, pavarësisht nga madhësia, numri i nxënësve apo jetëgjatësia e tyre. Shkolla shqipe “Gjuha Jonë” hapi dyert e saj me 7 mars 2004, pra ky është i 14-ti vit shkollor i saj, dhe që nga ajo kohë jo vetëm nuk është ndërprerë asnjëherë veprimtaria e saj, por vit pas viti ajo është shtuar në numrin e nxënësve që e frekuentojnë e në cilësinë e saj. Kjo shkollë ka 5 nivele, pra ndiqet nga nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën. Këtu punojnë çdo vit 5 mësuese, një për cdo klasë dhe nxënësit marrin njohuri jo vetëm të gjuhës shqipe, por edhe të historisë e kulturës tonë kombëtare. Një orë për çdo ditë mësimi, nxënësit ndjekin pasionin e tyre për muzikën, nëpërmjet mësuesit të muzikës së kësaj shkolle. Deri më tani, kane ndjekur mësimin në të, 620 fëmijë të bashkatdhetarëve tanë, shumica e të cilëve kanë përfunduar deri në klasën e pestë. Sigurisht nuk është një punë e lehtë për organizatorët, pasi është një punë vullnetare e bërë ndër vite nga drejtuesit e shoqatës, në bashkëpunim me prindërit e mësuesit . Megjithatë, është dicka e marrë përsipër, prandaj po e bejmë atë me deshirë të madhe, duke punuar në grup, ku dora e secilit mbështet e  forcon ecurinë e shkollës.
 
Por qëllimi i këtij shkrimi, ka të bëjë me të tjerë njerëz, jashtë antarësisë së komunitetit tonë të Filadelfias dhe jashtë shoqatës “Bijtë e Shqipes”, të cilët me angazhimin e kontributin e tyre, mund te themi me plot gojën se kanë sfiduar shtetin, duke realizuar një detyrim të tij për shkollat shqipe në diasporë, furnizimin e tyre me librat e nevojshëm shqip. Ne kemi pas edhe më përpara raste kur bashkatdhetar të nderuar janë munduar dhe kanë ndihmuar në këtë drejtim. Por rasti më i fundit lidhet me atë të mësuesit Shpetim Brahaj, me origjinë nga qyteti i Kuksit, të cilin e njohëm  para dy muajsh në Qendren tonë Social-Kulturore, se bashku me dajën e tij me banim në Nju Jork, Miftar Avdili. Ata u emocionuan nga ambjenti që gjetën aty dhe që prezanton diçka nga puna e madhe që bëhet, veçanërisht me shkollën shqipe dhe me bashkatdhetarët që u ndodhën, me të cilët u shkrinë së bashku megjithëse të panjohur me parë. E kujtojmë vazhdimisht atë çfarë Miftari tha : “…unë do ta shkrija një pjesë të pasurisë për këto ambjente që bashkojnë shqiptarët…, nuk mblidhemi diku në Nju Jork kështu.” Ndërsa Shpëtimi, mësuesi mjaft aktiv që ne njohëm, e që do të na zgjidhte shqetësimin tonë të vazhdueshëm për librat e shkollës tonë shqipe, e mori me vete angazhimin për këtë, në heshtje, pa shumë fjalë e premtime. Dhe nuk e harroi kurrë.  Me kthimin në Shqiperi, ai filloi të trokas në shumë shtëpi botuese të librit shkollor, dhe me datën 23 shtator më bie telefoni ku dëgjoj zërin plot emocion të Shpetimit :” z. Tajar, kam siguruar 40 abetare dhe po aq fletore pune per klasën e parë. Këto janë dhuruar nga shtëpia botuese “SHKRONJE PAS  SHKRONJE ” e z. Roland Cano…, po ndjek edhe për klasat e tjera “. Ndjeva një gëzim përbrenda, jo vetëm se ishte zgjidh një pjesë  e atij shqetësimi që ne kishim, por edhe për faktin se paska edhe në Shqipëri  njerëz  që e duan me shpirt shkollën, gjuhën e dëshirojnë ta ruajnë atë edhe jashtë saj, megjithëse shpesh i bëhet propagandë të kundërtës. E falenderova Shpëtimin, por përgjigja e tij ishte :”…jo, unë nuk bëra asgjë, në krahasim me atë që bëni ju atje në Filadelfia dhe që unë u mahnita kur e pashë”. Dhe telefoni bie përsëri nga Shpëtimi, pas dy ditësh :”…Shtëpia botuese “PEGI” e Perparim Rustemit, ka dhuruar 40 tekste të gjuhës e leximit për klasën e dytë e të tretë, ndërsa shtëpia tjetër botuese “ALBAS” me menaxher Sevimin, dhuroi 30 copë për klasën e katërt e të pestë “. Për ne ishte një gur i madh që këto shtëpi botuese po vendosnin në historikun e shkollës shqipe “Gjuha Jone”. Po, si e arrite këtë? – e pyetëm Shpëtimin, kur ne kemi vite që merremi me strukturat përgjegjëse në ministritë përkatëse të shtetit, dhe nuk  kemi gjetur zgjidhje. “Unë mendoj- thote ai, se çdo gjë është e mundur mjafton që personat që paguhen për këtë të jenë të motivuar për punën dhe të njohin realisht sakrificën e punën e madhe që bëjnë bashkombasit tanë në diasporë, për trashëgiminë e gjuhës, historisë e kulturës tonë kombëtare, siç pashë tek ju”. Pas kësaj përgjigje, ne çonim ndërmend takimet e shumta, bisedat telefonike e i-mailet e shkëmbyera vetëm për këtë pune me qeveritë shqiptare, pa arritur thuajse asgjë. Për hir të së vërtetës, vitet e fundit ka pas perpjekje me të mëdha nga ana e ambasadës tonë në Ëashington DC, veçmas nga znj. Floreta Faber, por këto përpjekje dhe dëshira të saj me sa duket nuk janë bashkuar me të të tjerëve, e për pasojë kontributi ka qenë minimal. Nuk mund të jetë normale për shtetin, në qoftë se konsulli ynë në Nju Jork shqetësimit tonë për librat e shkollës shqipe i përgjigjet që i kemi 400 copë në Shqipëri por nuk kemi buxhet për ti sjellë, e kjo nuk lidhet me përgjegjësinë e saj, por me hallka e sektor të ndryshëm që nuk funksionojnë siç duhet, si një e tërë.
 
 Z. Kryeminister !
 
U bë një vit nga koha kur u organizua Samiti i pare i Diasporës në Tiranë, për domosdoshmërinë e të cilit ne ishim të bindur dhe mendonim se konkluzionet apo platforma që do të miratohej për në vazhdim ( të cilat sipas nesh, nuk qenë të detajuara si duhet) , do të çonin përpara mbështetjen reciproke e të përbashkët Qeveri – Diasporë. Me krijimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve, Ju bëtë një hap përpara por të cunguar, duke vendosur një ministër shteti per diasporën ( nje emer i mire menduar), e jo duke krijuar një ministri të vecantë për të, megjithëse e kishit eksperiencën pozitive të qeverisë së Kosovës e cila ka një ministri të tillë, dhe prej saj kemi perfituar edhe ne shërbimin e munguar nga qeveria shqiptare.  Dhe,  siç thote populli, me sa duken bathët, këtë nuk do ta kemi edhe për disa vite.
 
Por, shohim me kënaqësi  që paska edhe një zgjidhje: Gjeni njerëz të përkushtuar, të aftë profesionalisht e  menaxher të zot, si mësuesi Shpëtim Brahaj, vendosni në drejtim të punëve, dhe ndoshta gjërat jo vetëm që do të lëvizin por do të shkohet me siguri drejt suksesit . Dhe meqenëse jemi mësuar që vlerësimet, por edhe udhëzimet , ne shqiptarët kur i marrim nga të huajt i quajmë më të vlefshme, po citoj një mendje të tillë e cila shprehet : “…gjuha shqipe është një gjuhë e fuqishme dhe e bukur që duhet të jetë krenaria e folësve të saj dhe një mjet i shënjtë për zhvillimin kulturor dhe intelektual të kombit të vjeter shqiptar”.
 
E pra , është detyrim i çdo shqiptari, por edhe i qeverive në radhë të parë (qofshin këto të majta apo te djathta), që gjuhën shqipe të mos e lënë të asimilohet në vendet e tjera ku ata jetojnë. Dhe kjo kërkon punë, ndërgjegjësim e masa konkrete të përbashkëta, për ti shëndrruar këto qendra social-kulturore në diasporë, jo vetëm në qendra patriotike e atdhetare nëpërmjet përkujtimit të figurave e ngjarjeve të mëdha historike, por në qendra të mësimit të gjuhës shqipe në radhe të parë, nëpërmjet shkollave shqipe që e kryejnë me së miri këtë mission.  
 
            I nderuar kryeminister !  
Ndoshta do të ishte mirë që përfaqesuesit e qeverisë, por edhe ju personalisht, ti prekni, ti vizitoni këto shkolla shqipe pasi shpresojmë që në këtë mënyrë ju do të bindeni më shumë për punën e tyre, duke bërë që  kontributi juaj për to në këtë rast, ashtu si edhe i mësues Shpetimit, do të ishte i madh. Merreni këtë si ftesë publike për te vizituar “Shtepinë e Shqiptarit” në Filadelfia SHBA, në kohën më të përshtatshme për ju.
 
Shoqata “Bijte e Shqipes” ka vendosur ti vlerësojë me Certificatë Mirënjohje të tre shtepitë botuese që u përmendën më sipër, “ Shkronjë pas shkronjë ”, “Peggi “ , dhe “Albas” ,  si dhe mesuesin Shpëtim Brahaj , për kontributin e tyre fisnik e atdhetar duke furnizuar me librat e nevojshëm shkollën shqipe “Gjuha Jone” në Filadelfia, duke shpresuar se në të ardhmen  jo të largët ,shteti do të marrë përsipër nevojat e këtyre shkollave kudo në diasporë.
 
 
 
Tajar  Domi
 
Kryetar i Shoqatës “Bijtë e Shqipes”
 
Filadelfia
14 Tetor 2017

Filed Under: Opinion Tagged With: Mescessi, sfido Shtetin, Shpetim Brahaj, Tajar Domi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 460
  • 461
  • 462
  • 463
  • 464
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT