• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Robert Elsie, një prej korifejve dashamirës të popullit shqiptar

October 4, 2017 by dgreca

Amaneti i tij i fundit: “Më varrosni ose në Shqipëri ose në Kosovë”!/

NGA MAL BERISHA/

Të dielën, papritmas ndërroi jetë njëri prej njerëzve më të dashur të popullit shqiptar, studiuesi dhe historiani i kulturës tonë, Profesor Robert Elsie. Ai ka sjellë në vëmendjen e lexuesve në gjuhën angleze dhe gjermane materiale të shkruara nga njerëzit më të shquar të botës, për në shqiptarët. Puna e tij ka filluar që në vitin 1975.
Robert Elsie do të meritonte një nekrologji ku t’i thuheshin ato që ka bërë për ne shqiptarët. Por në vend të saj, më mirë se kushdo flet uebfaqja e tij në internet aty ku çdo shqiptar dhe i huaj do të gjejë materiale me vlera të jashtëzakonëshme.
Interesi i këtij studjuesi për disa dekada ka qenë kultura, letërsia dhe historia shqiptare. Shumica e botimeve të tij janë pikërisht nga këto fusha. Çdo material i tij është i vendosur në faqen e tij të internetit dhe i përkushtohet fushave të veçanta të historisë, gjuhës, letërsisë dhe fotografisë së hershme.
Tek “Arti shqiptar” ai ia ka kushtuar punën e tij artit në Shqipëri në kuptimin më të gjerë të fjalës përfshirë përpjekjet e artistëve shqiptarë që në fillimet e veta si dhe punëve të artistëve të huaj të lidhur me Shqipërinë e shqiptarët. Ajo paraqet historinë gjithëpërfshirëse të artit shqiptar dhe tregon aspekte dhe fenomene që janë me interes për vëzhguesin e huaj dhe në shqiptarët po ashtu.
Në “Tekste dhe dokumente të historisë shqiptare” gjëndet një përmbledhje e teksteve që hedhin dritë mbi vendin tonë dhe që siç thotë autori, “shpesh injorohet nga historianët dhe dijetarët”. Ato nuk janë hartuar si një Histori e Shqipërisë apo e shqiptarëve, por janë dhënë si një përmbledhje kronologjike e teksteve historike të rëndësive të ndryshme që nga shekulli i XI – të deri në shekullin XXI, shumica prej të cilave të papërkthyera më parë.

“Gjuha shqipe” e studjuar nga Robert Elsie është e lidhur më rregjistrime në audio për të folmen tonë. Tek “Dialektet Shqiptare” ne mund të dëgjojmë të folmen dialektale rajonale të shqipes dhe mënyra sesi flitet gjuha shqipe në pjesë dhe krahina të ndryshme të botës shqipfolëse.
“Letërsia Shqiptare në Përkthim” përmban përzgjedhjen më të madhe të letërsisë tonë që është paraqitur ndonjëherë e përkthyer në gjuhën angleze. Ajo përfshin një gamë të gjerë autorësh nga e kaluara dhe e tashmja dhe përfshin shkrimtarë nga Shqipëria, Kosova dhe Diaspora Shqiptare. Ka prej tyre që janë publikuar, por shumica paraqiten para lexuesit për herë të parë.
Në “Fotografi të hershme në Shqipëri” Rebert Elsie paraqet koleksione të hershme të fotografive të Shqipërisë dhe shqiptarëve, kryesisht nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe në fillim të shekullit të njëzetë, e cila, në fakt ofron pamje të mrekullueshme të së kaluarës së popullit shqiptar.
Vdekja e tij është një humbje e madhe për kulturën dhe historinë e vendit tonë. Se sa e donte ai popullin shqiptar, më mirë se çdo gjë flet amaneti tij i fundit.
Ky nuk është rasti i parë. Edhe Harry Hodgkinson gazetar dhe shkrimtar famshëm anglez, mik i shqiptarëve, para vdekjes në vitin 1994 la amanet: “Të varrosej me arkivolin e mbuluar me flamurin shqiptar”.
Jam tejet i prekur nga vdekja Robert Elsit miqësinë me të cilin e kam konsideruar si gjërat më të veçanta të jetës time. Në takimin e fundit me të në Londër, qershor 2015 ai nuk mund të largohej pa bërë një fotografi tek busti I Skënderbut. Ai mban Medaljen e Mirënjohes akorduar nga Presidenti I Republikës së Shqpirëise z Bujar Nishani në vitin 2013.
U preftë në Paqë!

Filed Under: Opinion Tagged With: dashamires i populist shqiptar, korife, Mal Berisha, Robert Elsie

Shuhet albanologu i shquar, miku i shqiptarëve, Robert Elsie

October 2, 2017 by dgreca

Ka ndruar jetë, Albanologu i shquar kanadez, Robert Elsie, Mik i madh i shqiptarëve./

1.miku i shqiptareve Robert Elsie

Elsie, është emri më i dëgjuar ndër albanologët e fundshekullit të njëzet dhe fillimshekullit njëzetenjë.

Robert-Elsie-1-640x504

I lindur më 1950 në Vankuver të Kanadasë, Elsie, u njoh me shqipen dhe shqiptarët së pari gjatë viteve ’70-të, kur si student në Gjermani, vizitoi bashkë me një grup studentësh Tiranën. Në vijim Elsie u bë vizitor i rregullt i Seminarit të Gjuhës Shqipe në Prishtinë ku dhe mësoi edhe të folmen në gegnisht të shqipes, përmes njohjeve me shqiptarët e Kosovës.

Albanologu i shquar Robert Elsie, është dekoruar nga presidenti i RSH, Bujar Nishani, Nderkohë Ai ështe autor i dhjetëra librave dhe artikujve ne fushat e albanologjisë. Po ashtu, ai ka përkthyer letërsi shqipe në anglisht, si poetët Migjeni, Lasgush Poradeci e shkrimtarin Fatos Kongoli. Ai do të mbahet mend si përkthyes në anglisht i poemës së Gjergj Fishtës, “Lahuta e Malësisë”. Elsie, kishte përpiluar edhe leksikë dhe fjalor të shqipes si dhe ishte autor i një historie të përgjithshme të Shqipërisë dhe të Kosovës. Gjithashtu, ai kishte qenë përktheys gjatë procesit gjyqsor të diktatorit serb Sllobodan Millosheviq në Hagë, ku përktheu direkt dëshmitarët shqiptarë.

Jeta e Robert Elsies

Robert Elsie lindi më 29 qershor 1950 në Vankuvër (Vancouver) të Kanadasë. Ai ndoqi Universitetin e Kolumbisë Britanike (University of British Columbia), ku studioi për filologjinë klasike dhe gjuhësinë dhe u diplomua më 1972. Po në atë vit, erdhi në Evropë me një bursë studimesh. Robert Elsie vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Lirë të Berlinit Perëndimor (Freie Universität Berlin), pastaj në Shkollën Praktike të Studimeve të Larta (Ecole Pratique des Hautes Etudes) në Paris, në Institutin e Dublinit për Studime të Larta (Dublin Institute for Advanced Studies) në Irlandë, dhe në Universitetin e Bonit (Universität Bonn), ku mbrojti doktoraturën për gjuhësi krahasimtare dhe keltologji më 1978. Në atë kohë Instituti i Gjuhësisë i Universitetit të Bon-it kishte kontakte të rralla me studiues nga “Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë” dhe nëpërmjet këtyre kontakteve, ai dhe disa studentë dhe studiues të tjerë patën mundësi të vizitonin Shqipërinë disa herë në kuadër të ‘takimeve shkencore’ midis Institutit gjerman dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ai ka marrë pjesë gjithashtu në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Kosovë për disa vite me radhë. Këto udhëtime në fund të viteve 70-të dhe në fillim të viteve 80-të i gjallën një interes të veçantë për Shqipërinë e mbyllur dhe për kulturën e saj të panjohur në botë. Pasi mësoi shqip dhe i thelloi njohuritë e tij në këtë gjuhë, Robert Elsie, vendosi t’i kushtohej albanologjisë, fushë në të cilën ai më vonë do të bëhej një ndër ekspertët më të njohur. Elsie, tani është autor i më shumë se gjashtëdhjetë librave si dhe të artikujve të panumërt, kryesisht në fushën e albanologjisë. Në mes të viteve 80-të, Robert Elsie punoi si përkthyes dhe interpret për Ministrinë e Punëve të Jashtme gjermane në Bon. Qysh nga vitet 90-të deri ne fillim të shekullit të 21-të, ai ka punuar me profesion të lirë si interpret i shqipes dhe ka marë pjesë në negociata të nivelit të lartë për qeverinë gjermane, Bashkimin Evropian, Kombet e Bashkuara, NATO-n, Këshillin e Evropës, etj. Nga viti 2002, ai ka punuar kryesisht për Tribunalin e Hagës ku, ndër të tjera, ka qenë interpret në procesin gjyqësor të Sllobodan Millosheviqit. Robert Elsie, është Anëtar i Shoqatës së Evropës Juglindore (Südosteuropa-Gesellschaft), Anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe Anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Përmbledhje për veprat e tij shkencore

Në fushën e Albanologjisë, Robert Elsie i është kushtuar fillimisht letërsisë shqiptare. Ndër botime të hershme të tij janë: Dictionary of Albanian Literature (Fjalor i letërsisë shqiptare), Uestport (Westport), Konektikat 1986, dhe History of Albanian Literature (Histori e letërsisë shqiptare), Boulder, Colorado 1995, në dy vëllime. Kjo vepër e fundit doli në shqip me titullin Histori e Letërsisë Shqiptare, Pejë 1997, dhe polonisht me titullin Zarys historii literatury albanskiej (Pasqyra e historisë së letërsisë shqiptare), Torunj 2004. Ai ka botuar gjithashtu përkthime letrare në anglisht dhe gjermanisht, siç janë për shembull në vëllimin e UNESCO-s An Elusive Eagle Soars: Anthology of Modern Albanian Poetry (Një shqiponje e arratisur fluturon: antologji e poezisë bashkëkohore shqiptare), Londër 1993; Albanian Folktales and Legends (Përralla dhe legjenda shqiptare), Tiranë 1994; veprat poetike të poetit Migjeni (1911-1938) përkthyer në anglisht në vëllimin Free Verse (Vargjet e lira), Tiranë 1991, dhe në gjermanisht në vëllimin Freie Verse (Vargjet e lira), Idshtajn (Idstein) 1987; një antologji gjermanisht e poezisë shqiptare në Einem Adler gleich: Anthologie albanischer Lyrik vom 16. Jahrhundert bis zur Gegenëart (Si një shqiponjë: antologji e poezisë shqiptare nga shek. 16 deri me sot), Hildës’hajm (Hildesheim) 1988; dhe veprat e poetëve kosovarë Ali Podrimja (l. 1942) në Who Will Slay the Wolf: Selected Poetry (Kush do të vrasë ujkun: poezi të zgjedhur), Nju Jork 2000; Flora Brovina (l. 1949) në vëllimin Call Me by My Name: Poetry from Kosova (Verma emrin tim: poezi nga Kosova), Nju Jork 2001; dhe Eqrem Basha (l. 1948), në vëllimin Neither a Wound nor a Song: Poetry from Kosova (S’është plagë s’është as këngë: poezi nga Kosova), Nju Jork 2003. Këto përkthime janë bërë në bashkëpunim me shkrimtaren kanadeze, Janice Mathie-Heck (Kalgari). Kritika e tij e letërsisë shqiptare u mblodh dhe u botua në vëllimin Studies in Modern Albanian Literature and Culture (Studime për letërsinë dhe kulturën bashkëkohore shqiptare), Boulder, Colorado 1996, i cili doli në shqip me titullin Një fund dhe një fillim, Tiranë & Prishtinë 1995. Duke marrë parasysh gjendjen jashtëzakonisht të rëndë në Kosovë, gjendje kryesisht të panjohur në botën e jashtme, ai përpiloi antologjinë e parë të madhe me shkrime për temën e Kosovës në vëllimin 600-faqesh Kosovo: In the Heart of the Powder Keg (Kosovë: në qendrën e fuçisë së barutit), Boulder, Colorado 1997. Pas kësaj botoi edhe një përmbledhje tekstesh historike për Kosovën me titullin Gathering Clouds: The Roots of Ethnic Cleansing in Kosovo and Macedonia, Early Twentieth-Century Documents (Stuhi në horizont: Rrënjët e spastrimit etnik në Kosovë dhe Maqedoni, dokumente të fillimit të shekullit të njëzetë), Pejë 2002. Në vitet e mëpasshme, Robert Elsie u përqendrua më shumë në fushat e tjera të albanologjisë, si kultura popullore dhe historia. Një ndihmesë e madhe për antropologjinë shqiptare ishte libri i tij Dictionary of Albanian Religion, Mythology and Folk Culture (Fjalor i fesë, mitologjisë dhe kulturës popullore shqiptare), Londër 2001, i cili doli në gjermanisht në vëllimin Handbuch zur albanischen Volkskultur (Doracak i kulturës popullore shqiptare), Visbadën (Wiesbaden) 2002, dhe në shqip në vëllimin Leksiku i kulturës popullore shqiptare, Tiranë 2005. Ai botoi gjithashtu Kanunin në gjermanisht, Der Kanun: das albanische Gewohnheitsrecht nach dem sogenannten Kanun des Lekë Dukagjini (Kanuni: E drejta zakonore shqiptare sipas të ashtuquajturit Kanuni i Lekë Dukagjinit), Pejë 2001; dhe në bashkëpunim me Antonia Young (Bradford) dhe Ann Christine Eek (Oslo) botoi studimin antropologjik të fshatit kosovar nga antropologia norvegjeze Berit Backer (1947-1993), Behind Stone Walls: Changing Household Organization among the Albanians of Kosova (Prapa mureve të gurta: ndryshime në organizimin familjar ndër shqiptarët e Kosovës), Pejë 2003. Pas kësaj ai botoi dorëshkrimin e hershëm në gjermanisht të shqiptarit Bajazid Elmaz Doda (rreth 1888-1933), Albanisches Bauernleben im oberen Rekatal bei Dibra, Makedonien (Jeta fshatare shqiptare në Rekën e Epërme pranë Dibrës së Maqedonisë), Vjenë 2007. Në fushën e historisë, me të cilën është marrë më shumë gjatë dhjetëvjeçarit të parë të shekullit të njëzetë, Elsie ka botuar – në bashkëpunim me Robert Dankoff (Universiteti i Çikagos) – dhe ka përkthyer nga osmanishtja pjesët e veprës Sejahatname të udhëtarit osman Evlija Çelebi (1611-1683) që flasin për trevat shqiptare: Evliya Çelebi in Albania and Adjacent Regions (Evlija Çelebi në Shqipëri dhe në viset fqinje), Lajdën (Leiden) 2000, libër që doli edhe në shqip në vëllimin Evlija Çelebiu në Shqipëri dhe në viset fqinje, Tiranë 2008. Përveç kësaj, ai zbuloi dhe botoi dorëshkrimin e historisë së parë të Shqipërisë, të shkruar prej priftit llazarist francez, Jean-Claude Faveyrial (1817-1893), Histoire de l’Albanie (Histori e Shqipërisë), Pejë 2001, që doli në shqip në vëllimin Historia – më e vjetër – e Shqipërisë, Tiranë 2004. Elsie zbuloi dhe botoi gjithashtu dorëshkrimin në gjermanisht të albanologut hungarez, baronit Franc Nopça (Franz Nopcsa, 1877-1933) në Reisen in den Balkan (Udhëtime në Ballkan), Pejë 2001, që doli shqip në vëllimin Udhëtime nëpër Ballkan, Tiranë 2007. Në bashkëpunim me Bejtullah Destanin (Londër), ai botoi ditarin e poetit dhe piktorit të njohur anglez, Edward Lear (1812-1888), në vëllimin Edward Lear in Albania: Journals of a Landscape Painter in the Balkans (Edward Lear në Shqipëri, ditari i një piktori pejsazhesh), Londër 2008, që doli shqip në vëllimin Edward Lear në Shqipëri: ditar udhëtimesh, 1848-1849, Tiranë 2008. Gjithashtu u botua një përmbledhje tekstesh të hershme historike për Shqipërinë, përkthyer nga gjuhë të ndryshme, Early Albania: A Reader of Historical Texts, 11th-17th Centuries (Shqipëria e hershme: antologji e teksteve historike, shek. 11-17), Visbadën (Wiesbaden) 2003. Duke qenë se Shqipëria dhe Kosova vazhdonin të ishin relativisht të panjohura nga masat e lexuesve perëndimorë, Elsie botoi dy manualë informativ për këto vende: Historical Dictionary of Albania (Fjalor historik i Shqipërisë), Lanham, Maryland 2004; dhe Historical Dictionary of Kosova (Fjalor historik i Kosovës), Lanham, Maryland, 2004, të cilët, me gjithë titullin ‘historik’, janë vepra informative të përgjithshme. Përsëri në fushën e letërsisë, Elsie botoi një vëllim të ri të historisë së letërsisë, më të përmbledhur dhe më të shkurtër, në vëllimin Albanian Literature: A Short History, Londër 2005, që doli në shqip në vëllimin Letërsia shqipe: një histori e shkurtër, Tiranë 2006. Ai ka bërë edhe përkthime të tjera letrare, prapë me Janice Mathie-Heck: vepra të zgjedhura të këngës epike të veriut në vëllimin Songs of the Frontier Warriors: Këngë Kreshnikësh, Albanian Epic Verse (Këngë kreshnikësh, poezia epike shqiptare), Uaukonda (Wauconda), Illinois 2004; tregime të shkrimtarëve të veriut, Ernest Koliqi (1903-1975) dhe Migjeni, në vëllimin Tales from Old Shkodra: Early Albanian Short Stories (Rrëfime nga Shkodra e vjetër: tregime të hershme shqiptare), Pejë 2004; vepra të përmbledhura poetike të Visar Zhitit (l. 1952) në The Condemned Apple (Molla e dënimit), Los Anxheles 2005; antologjinë e parë në anglisht të prozës bashkëkohore shqiptare në vëllimin Balkan Beauty, Balkan Blood: Modern Albanian Short Stories (Bukuria e Ballkanit, gjaku i Ballkanit: tregime bashkëkohore shqiptare), Evanston, Illinois 2006; romanin e Fatos Kongolit (l. 1944) The Loser (I Humburi), Brixhend (Bridgend), Uells 2007; veprat poetike të Azem Shkrelit (1938-1997) në vëllimin Blood of the Quill: Selected Poetry from Kosovo (Gjaku i penës: poezi të zgjedhur nga Kosova), Los Anxheles 2008; një antologji të plotë historike të poezisë shqipe Lightning from the Depths: An Anthology of Albanian Poetry (Se fund’i ujit vetëti: antologji e poezisë shqipe), Evanston, Illinois 2008; romanin e Ornela Vorpsit (l. 1968) The Country Where No One Ever Dies (Vendi ku nuk vdes askush), Shampejn (Champaign), Illinois 2009; dhe përkthime të mëtejshme të poezisë gojore në librin e Anna Di Lellio-s The Battle of Kosovo, 1389, An Albanian Epic, (Beteja e Kosovës, 1389, një epos shqiptar), Londër 2009. Projekti më ambicioz letrar i Robert Elsie-t është sigurisht përkthimi në anglisht (në bashkëpunim me Janice Mathie-Heck) nga gegnishtja i eposit të madh letrar të Atit Gjergj Fishta (1871-1940), The Highland Lute: The Albanian National Epic (Lahuta e Malcis: eposi kombëtar shqiptar), Londër 2005, një vepër me 30 këngë dhe 15,613 rreshta. Rishfaqja në dritë e këtij eposi, të ndaluar për vite me radhë nga regjimi komunist në Shqipëri, u prit me gëzim, sidomos në veriun e vendit. Robert Elsien e ka mrekulluar edhe bota e fotografisë së hershme shqiptare. Në këtë fushë ai ka botuar dy albume të mëdha: Dritëshkronja: Fotografia e hershme nga Shqipëria dhe Ballkani, Prishtinë 2007, i cili përfshin fotografitë e para të bëra ne Shqipëri (pesëdhjetë fotografi të fotografit vjenez Jozef Sékeli (Josef Székely) nga viti 1863), dhe koleksionet e baronit Franc Nopça, të Bajazid Elmaz Dodës, të albanologut austriak Maksimilian Lamberc (1882-1963), dhe të ushtarakëve të misionit ushtarak holandez të viteve 1913-1914. Ai ka botuar gjithashtu në një vëllim trigjuhësor – anglisht, frëngjisht, shqip, të fotografive të para me ngjyra në Shqipëri dhe në Kosovë, që janë autokromat e koleksionit Albert Kan (Albert Kahn) në Paris, me titullin Shqipëria dhe Kosova në ngjyra 1913, Tiranë 2010. Së fundmi janë botuar për herën e dytë, të përditësuar dhe dukshëm të zmadhuar: Historical Dictionary of Albania (Fjalor historik i Shqipërisë), Lanham, Maryland 2010, me 660 faqe; dhe Historical Dictionary of Kosovo (Fjalor historik i Kosovës), Lanham, Maryland 2010, me 451 faqe. Këta dy libra janë përkthyer edhe shqip.  Me gjithë se puna studimore dhe, si pasojë, botimet e Robert Elsie-t janë përqendruar kryesisht në albanologji, ai ka botuar edhe vepra të tjera: Dialect Relationships in Goidelic: A Study in Celtic Dialectology (Marrëdhëniet dialektore në goidelishten: një hulumtim në dialektologjinë keltike), Hamburg 1986; dhe antologjitë poetike The Pied Poets: Contemporary Verse of the Transylvanian and Danube Germans of Romania (Poetë të shumëngjyrshëm: poezia bashkëkohore të gjermanëve të Transilvanisë dhe të Danubit në Rumani), Londër 1990; dhe An Anthology of Sorbian Poetry from the 16th-20th Centuries (Antologjia e poezisë serbe nga shek. 16-20), Londër 1990, si dhe një përkthim në gjermanisht të poetit të njohur grek Konstantin Kavafis (1863-1933) në vëllimin Konstantinos Kavafis: Das Gesamtwerk, griechisch und deutsch (Konstantin Kavafis: Veprat e plota, greqisht dhe gjermanisht), Zyrih 1997. Vendi që zë Robert Elsie ndër radhët e albanologëve është rritur edhe më shumë pas viteve 1990-të me faqet e tij të njohura të internetit, të cilat i japin botës të dhëna të hollësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Përveç faqes së tij personale www.elsie.de, Robert Elsie ka faqet: www.albanianhistory.net, e cila ofron një gamë të gjerë tekstesh dhe dokumentesh të historisë shqiptare; www.albanianlanguage.net, e cila përmban regjistrime zanore të më shumë se 150 të folmeve të shqipes nga dhjetë shtete, të incizuar kryesisht nga vetë Elsie, si dhe zërat e disa figurave të njohura shqiptare të së kaluarës; www.albanianliterature.net, që ofron koleksionin më të madh botëror të letërsisë shqiptare përkthyer në anglisht; www.albanianphotography.net, ku ndodhen koleksione të ndryshme të hershme fotografike nga Shqipëria dhe Kosova; dhe www.albanianart.net, që përmban një prezantim të artit pamor shqiptar (piktura e hershme shqiptare, veshje popullore etj.).

Filed Under: Opinion Tagged With: mik i shquar i shqiptareve, Robert Elsie, Shuhet albanologu

ME SHPRESËN E ZGJIMIT TË POLITIKANËVE SHQIPTARË

October 2, 2017 by dgreca

Nue Oroshi 20.09.2017*Gurgullimat e pranverës, shiu i verës, frytet e vjeshtës e dielli i dimrit, qëndresë, shpresë dhe mbijetesë për shqiptarët/

* Ndërsa politikanët tanë shqiptarë në këto katër stinë të vitit duhët që çdo herë kur zgjohën nga gjumi ta kujtojnë atë thënien famoze :„Zgjohu o perëndor dhe mos harro se je njeri!“

Nga Nue Oroshi/Gjermani/

Katër stinët të cilët kalojnë gjatë gjithë vitit lënë gjurmët gjatë tërë kohës si për të mirë njashtu edhe për të keq si për zot ashtu edhe për dreq.Pranvera është stina e parë të cilën e kanë pritur shumë familje shqiptare sepse vështirësitë ekonomike të shumë familjeve tona shqiptare kanë parë se kjo stinë së paku të nxjerr nga një dimër i gjatë dhe i vështirë. Këtë stinë shpëshherë nëpër shekuj e kanë pritur edhe kryengritësist shqiptarë me atë moton:’’Kur del dushku, apo dushku mbuloj fushat dhe malet në Kosovë, pranverat nuk ndalen’’.Për pranverën gëzoheshin edhe kryengritësit shqiptarë sepse nuk e kishin të lehtë t’i përballonin dimrave të vështirë dhe të ashpër nëpër shpella apo familje të besuara që rrezikoheshin t’iu shkymet qiri komplet familjës për shkak që kishin marrë guximin t’i strehojnë kryengritësit shqiptarë. E në pranverë së bashku me lulet që lulëzonin anë e kënd trojeve shqiptare paralelsisht rriteshin edhe djem dhe vajza shqiptare të shëndoshë si mollat ku në mendjet e tyre silleshin vërdallë idetë për një Shqipëri të mbarë, demokratike dhe të bashkuar aty ku përpiqeshin kordinatat e heshtjës në mës bukës së misrit dhe majeve të larta të bjeshkëve tona shqiptare.

Bjeshkë që shpëshherë u dogjën dhe u pjekën dhe u djegën por qëndruan heroikisht se në mbrendësinë e tyre kishin shqiptarët e besatuar për jetë e vdekje nëpër kohëra të ndryshme kur ipej kushtrimi për liri. E skaj atij kushtrimi në shtatë e shtatëdhjetë jehonte edhe uji i ftohtë i gurrave tona që së bashku me gurgullimën dhe jehonën e zërit mistik të kushtrimdhënesit që ipte për lirinë e trojeve shqiptare, i shtonte shpresen jetës dhe kushtrimit për lirinë e tokave Arbërore .

Deri sa gjatë kësaj stine mbilleshin pemët dhe perimët për mbijetesë, përgaditej edhe forma e kushtrimit për betejat e ardhshme që pritej të ndodhnin dhe që nuk ishin të rralla sepse tokat shqiptare shpeshherë ishin shëndrruar në udhëkryqe ku kryqëzoheshin jeta me vdekjen, orienti me oksidentin, atdhetari me tradhtarin, kushtrimtari me butakun apo plangprishurin dhe kështu me radhë.E vera ishte një stinë e nxehtë e cila sjellte bukurinë madhështinë, temperaturën por edhe mënyrën më të lehtë të qëndresës, përmes fjalës së dhënë, se qëndresa do të vazhdoj edhe në vjeshtë e dimër. Në verë edhe poetët dhe shkrimtarët e kishin më të lehtë se ata uleshin skaj një rrapi shekullor apo në një fushe ku blegëronin delet dhe mrizonin barinjët, ku shkruanin pa u ndalur për plagët e kombit, për mënyrën se si shqiptarët ishin ndarë disa me zotin e disa me dreqin, disa me diellin e disa me hënën, disa me tokën e disa me nëntokën, dhe ky përshkrim vazhdonte derisa poetit e shkrimtarit iu djersitëj balli dhe e mbulonin ato djersët e vdekjes siç thuhet në traditën dhe mitologjinë e pasur shqiptare. Dhe derisa kalonte vera pa u parë vinte stina e mbledhjës se frytave.

Quditërishtë në vjeshtë për t’i mbledhur frytat zgjoheshin të gjithë edhe ata që kishin kontribuar në dy stinët e para por edhe ata kopilat që kishin qëndruar dikund të strehuar dhe nuk kishin bërë asgjë për tokën e atdheut. Quditërishtë ata kërkonin dhe po e marrin copën më të madhe të atdheut, sa që historikishtë të tillët i kanë sjellur dhe po i sjellin shumë dëme të pariparushme tokave shqiptare.

Dhe kështu pa u vërejtur fare vie stina me e ftoftë më e vështirë për tu përballuar vije dimri. Edhe për dimrin mitologjia dhe realiteti shqiptarë ka sjellur dhe shkruar shumë ngjarje qoftë madhështore por edhe tragjike ngjarje që lidhën me ngricat e këmbëve të luftëtarve shqiptarë dikund në malet tona apo nëpër familje ku strehoheshin, dhe ndiqeshin nga pushtuesit dhe gjakprishurit shqiptarë nëpër periudha të ndryshme historike.

Në këtë stinë forcat e errta vrisnin shqiptarë atdhetarë dhe humbnin gjurmët e tyre. Ndërsa më së vështiri në këtë stinë e kishin nënat tona shqiptare të cilat duhet të kujdeseshin për shumë fëmijë, që i rritnin me shumë vështirësi dhe nuk ishin të pakta këto familje që mashkujt e rritur i kishin dikund nëpër beteja për ta mbrojtur pragun e shtëpisë, gurin e votrës, kufirin e trojeve etnike kufi që shpesheherë nëpër etapa të ndryshme historike u ndryshue por përkundër ndryshimeve që iu ba këtij kufiri malet, bjeshkët ,fushat dhe deti prap mbetën dhe do të mbesin në të shumtën e rastëve toka shqiptare.

Kjo do të ndodhë edhe në të ardhmën vëtëm nëse arrijmë që ta ruajmë rininë tonë të mos shkapërderdhët nëpër vënde të ndryshme të botës ashtu siç jemi shkapërderdhur sot, por të krijohën kushtët që të ketë mbijetesë në katër stinët e vitit dhe tokat shqiptare ta ruajnë bardhësinë pjellore, malet tona ta ruajnë forcën kushtrimtare ndërsa deti ynë shqiptarë përkundër dallgeve që mund ta trazojnë në të katër stinët e vitit ai të qëndroj i pathyeshëm,i palëkundur dhe pak i trazuarë në këto kohëra dhe ngjarje ku shpeshherë bëjnë luftë më njëra- tjetrën e bardha me të zezën, e bukura me të shemtuarën, e moralshmja me djallëzinë por secila në mënyrën e vet duke i mbrojtur parimet e veta qoftë ata që janë në anën e Zotit qoftë ata që jan në anën e djallit. Ndërsa politikanët tanë shqiptarë në këto katër stinë të vitit duhët që çdo herë kur zgjohën nga gjumi ta kujtojnë atë thënien famoze :„Zgjohu o perëndor dhe mos harro se je njeri!“

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Nua Oroshi, Stinet, zgjimi i politikaneve

Rruga e mundimshme për zgjidhjen paqësore të Çështjes Çame

October 1, 2017 by dgreca

1 arben llallaPor, sa janë vetë çamët të bashkuar, të gatshëm për të realizuar ëndrën e tyre? A do e mundin unin, të kalojnë vetveten e tyre për të zgjedhur udhëheqësin ose Moisiun që zëri i tyre të dëgjohet i bashkuar për të realizuar qëllimet e tyre?/

Nga Arben Llalla/

Marshi i rrugës për të bërë sensibilizimin e Çështjes Çame nisi i mundimshëm, me sakrifica në fillim të viteve 1990. Kjo rrugë filloi me krijimin e Shoqërisë politike-atdhetare “Çamëria”, e cila u themelua nga dëshira e madhe e shqiptarëve me rrënjë nga Çamëria me qëllimin e mirë për realizimin e ëndrrës për mrekullinë e rikthimit përgjithnjë në tokat dhe shtëpitë e tyre. Ka rreth 70 vite që shqiptarët me origjinë nga Çamëria synojnë rikthimin e premtuar dikur nga organizatat ndërkombëtare, Shqipëria dhe Greqia. Pra, shqiptarët nga Çamëria, kur u përzunë me dhunë nga EDES e udhëhequr nga Napoleon Zerva u quajtën refugjatë, të cilët do të rikthehen shumë shpejt në shtëpitë e tyre. Gjaku, vuajtjet, përpjekjet e parreshtura të çamëve për rikthim është rasti më unikal i një populli të Ballkanit, ndoshta edhe më gjerë. Rikthimi i premtuar çamëve ju duket sa afër dhe larg. Ata e ndjejnë erën e tokës së tyre, zgjaten për ta prekur, por nuk e prekin dot. Tentojnë ta shkelin, të vizitojë shtëpitë, varret, por nuk i lejojnë, sot, në kohërat moderne, në vitet ku i gjithë njerëzimi thërret e punon për një botë pa kufij, për botën e lirë.

Por, sa janë vetë çamët të bashkuar, të gatshëm për të realizuar ëndrën e tyre? A do e mundin unin, të kalojnë vetveten e tyre për të zgjedhur udhëheqësin ose Moisiun që zëri i tyre të dëgjohet i bashkuar për të realizuar qëllimet e tyre?

Shoqata “Çamëria”, e cila ishte i vetmi zë serioz i Çështjes Çame në vitet 1990, njohu dy suksese të mëdha, atë që Kuvendi i Shqipërisë më 1994 shpalli 27 Qershorin si ditën e genocidit grek kundër popullsisë shqiptare nga Çamëria dhe më 8 Prill 2004 votimi i Rezolutës së Çështjes Çame, e cila ishte Rezolutë pozitive, por e cunguar në kuptimin e plotë të saj. Më tej, u themelua Instituti i Studimeve të Çamërisë, cili arriti të organizonte dy simpoziume ndërkombëtare rreth Çështjes Çame. Por, që e heshti misionin, për të cilën u themelua pas vitit 2010.

Kështu, lindi nevoja që të krijohej një grupacion politik, parti e cila si pikë kryesore do kishte zgjidhjen paqësore të çështjes në fjalë, pra sensibilizimi i Çështjes Çame. Në vitin 2011 u bë bashkimi i dy grupacioneve politike në partinë PDIU, duke shtuar fjalën kuptimplotë “uniteti”. Kjo forcë politike sapo filloi punën u përballë me tekat kundër, të cilat nuk mund ta mundnin unin, të kalonin vetveten dhe krijuan një çarje të pasuksesshme. PDIU në drejtimin e Shpëtim Idrizit arriti të rritej me shpejtësi, emgjithëse si parti asnjëherë nuk ishte në qeveri me poste ministrash. Shpëtim Idirizi arriti që Çështjen Çame ta fusë në diskutimet e Komisionit Europian duke biseduar personalisht me shumë personalitete të njohura të politikës ndërkombëtare. Nga këto biseda u bë e mundur që Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn të deklaroi si çështje të diskutueshme mes Shqipërisë dhe Greqisë edhe Çështjen Çame. Më tej, ishte eurodeputeti gjerman Knut Fleckenstein që bëri me dije se Çështja Çame duhet të diskutohet mes dy qeverive. Këto kanë qenë ndoshta aksionet e vetme të mirëfillëta politike pas viteve 1990 që Çështjin Çame e bëri kaq të pranishme në arenën e politikës së Europës. Në këtë kohë shqiptarët me origjinë nga Çamëria që duhej të mbështesnin edhe më fort PDIU-në, e cila mbron fuqishëm çështjen e tyre, u treguan të ngurtë, egoistë duke u kthyer në hyzmeqarë të partive të tjera politike, të cilëve nuk u ka shumë ënda Çështjen Çame. Por, përkundrazi këto parti i shohin shqiptarët nga Çamëria si njerëz të huaj, të cilët në hierarkinë e posteve shtetërore të Shqipërisë nuk duhet të jenë, sepse na zemërohet fqinji, i cili disa herë ka kryer masakra mbi popullsinë shqiptare dhe herë pas here politikanët e tij deklarojnë se kanë pretendime territoriale ndaj Shqipërisë.

Pas zgjedhjeve të 2017 u pa se PDIU mori shumë vota, por pak deputetë si pasojë e kodit zgjedhor, intrigës së drejtuesëve të sotëm të shumicës, por edhe të disa figurave të njohura të komunitetit çam që punuan kundër kësaj partie kombëtare.

Por, pse mbërritëm këtu? Le ta nisim me çamët e pasur që ishin deputetë dhe që u vunë në shërbim të Dules, duke e mbajtur kalapiç, apo ndonjë tjetër që u shndërrua në hyzmeqar i Gramozit, e shumë të tjerëve. Unë mund të flas me emra, por qëllimi im asnjëherë nuk ka qenë e do të jetë përçarja e shqiptarëve, por bashkimi, duke patur parasysh thënien e Faik Konicës: “Bashkimi nuk është që të ulim kryet përpara njeri-tjetrit, por të merremi vesh njerëzishëm, e të punojmë të lirë të gjithë për një qëllim.”

Duke u bashkuar të gjithë bashkë rreth Shoqatës “Çamëria” dhe PDIU-së, ne u tregojmë të tjerëve se jemi të vendosur që Çështja Çame nuk do të harrohet, nuk do të lejojmë të sakrifikohet për kërcënimet e Greqisë. Çamët, por edhe ne shqiptarët nga krahinat e tjera duhet t’u tregojnë politikanëve dritëshkurtër se jemi gati të paguajmë me çdo çmim zgjidhjen paqësore të Çështjes Çame dhe të çështjeve të tjera mbetur pezull me Greqinë. Rrugën e zgjidhjes së këtyre çështjeve me fqinjin tonë jugor i kërkojmë në bazë të rregullave, normave dhe ligjeve demokratike ndërkombëtare. Greqia dhe BE do të jenë më të qeta dhe demokratike nëse çështjet pezull me Shqipërinë zgjidhen drejtë.

Për çudinë më të mëdha pas një retorike pozitive të Ramës 1 për Çështjen Çame, Rama 2 që doli nga zgjedhjet e 2017, në vend të kishte këtë çështjen në tavolinën e bisedimeve me Greqinë dhe BE, ta kishte më të përforcuar në programin e saj katërvjeçar, ajo e reduktoi, e hoqi sikur nuk ekzistonte.

Politikanët e huaj vazhdojnë të jenë spektik për Çështjen Çame, ata e shohin si një çështje të drejtash njerëzore, kur në të vërtetë bëhet fjalë për diçka më të thellë, për genocid, për padrejtësinë që i është bërë një populli, i cili jetonte në trojet e veta mijëra vjeçare dhe gëzonte statutin pakicë kombëtare në bazë të Marrëveshjes së Lozanës.

Shqiptarët me origjinë nga Çamëria duhet të mësojnë nga zhgënjimi i partive të tjera, nga indiferentizmi i tyre për këtë çështje kombëtare, duhet t’i besojnë partisë që lindi nga kjo kauzë, PDIU-së. E pra, zgjidhja e Çështjes Çame kalon nëpërmjet një kalvari vuajtjesh të mundimshme, ku shumëkush mund të humbë karrierën politike, por jo vetëm kaq. Pa këto sakrifica Çështja Çame nuk mund të kuptohet kurrë. Është koha që të gjithë të rrezikojmë, nëse duam të jemi pjesë të sakrificës për Çështjen Çame, pa marrë parasysh shtigjet me rreziqe të mëdha. Njeriu nuk ngopet asnjëherë me jetë e pasuri, por në fund këto nuk vlejnë asgjë, nëse s’ke bërë diçka për kombin tënd, në rastin në fjalë për Çështjen Çame. Të gjithë një ditë i japim llogari vetëm historisë, e cila nuk korruptohet, ajo mban shënime…

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, për zgjidhjen paqësore, Rruga e mundimshme, të Çështjes Çame

Nuk kandidon Ismaili, por Shqipëria dhe Letërsia e saj!

September 30, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

1 Kadare Fransua Holland

1) Në galeritë e librarisë Barnes dhe Nobël (Barnes & Noble), një vajzë e re ulur këmbëkryq, një dysheme prej shajaku të trashë ku sado e rëndë këmba, nuk pipëtinë asgjë, ishte zhytur e tëra brenda faqeve të një libri. Ka shumë si ajo, këtu përfshihem edhe unë, që për një ose disa arsye, ndofta çmimi, kutadish…, apo ajo indicja t’i hedh një sy që të di se çfarë do blej, harrohen mbi libra dhe autorë. Eshtë një ambjent i paqtë, ku historia e njerëzimit sillet në një qerthull plot oksigjen aq sa pavarsisht epokës që jetuan, mund të rrinë bashkë vëllezërit që projektuan Romën (Remi dhe Romuli) dhe ai që e dogji atë, Neroni. Një temë sa poetike dhe eseistike ku njeriu që njeh aromën e librave, e shikon me pak qeshje, me pak habi këtë paqe që ta fal indeksi gërmor, por edhe fuqia e kohës që palos gjithçka me qetësinë e amvisës kur mbush sirtarët me rrobat e lara. Aty shëtit një magji prej fryme, me aromën e kafesë diku, aq sa faqet prej letre që njeriu i Zotit ka nëpër gishta, dike e çojnë në tokat e fantashkencës, dike në në fushat e pamata të Teksasit, ku vdes e trishtuar britma, sipas Borhesit…, e dike tjetër në tokat e një realiteti zakonor, a zakonesh, që, dikush i intepreton së prapthi, dikush i përgojon, shenjon me gisht, kur dikush tjetër jep edhe jetën për faktin se e ka çështje nderi frymën breznore. E gjitha është një mbretëri mbi realitetin. Të ulur qosheve. Gjysmë të shtrirë. Mbi kryet e tyre…, koridore raftesh. Vende, kultura, gjuhë…Heshtja e gjitha, është një muzikë e florinjtë sikur të frushtullohet me ojnat e spanjishtes, një idomë që e prezanton jo gadishulli iberik, por andet ku një kondor pushon me krahët hapur. Një atmosferë që nuk e kap, por fal kësaj përvoje dhe përfytyrimit tend, mund ta jetosh. Ta dhurojnë këtë faqet e librave që ke nëpër gishta.

2) Papritur vajzës iu afrua me sa u kuptua shoqa, duke i kujtur se shkoi vonë dhe do humbnin leksionin. Mirëpo ajo ngriti dorën, nuk donte ta shqetësonin, nuk donte të ngrihej, iu lut t’i sillte ca më shumë kafe. Kaq! Dhe tjetra ia plotësoi duke i kujtuar se vet po shkonte. Asnjë përgjigje, vetëm lexim.

Nganjëherë kam përshtypjen se libraria Barnes dhe Nobël është më e madhe se bota. Se Amerika po e po. Është ajo pamje a ekzistencë njerëzore, që Horhe Luis Borhes (Jorge Luis Borges) ia dedikoj përshtypjes së tij kur i verbër vizitoi Nju Jorkun duke i thënë shoqëruesit, ja, ky qytet është pjella e fantazisë sime. Afërmendsh tjetri mbeti i çuditur, burri me peshë të rëndë në kulturën botërore të shekullit që mbaronte, ishte i verbër. Si po e shikonte ai ngjitjen e kullave drejt qiellit?

Kjo nuk është një dilemë, sigurisht nëse ke mbajtur ndonjëherë një libër në dorë.

Libri që vajza po lexonte titullohej Broken April, ose Prilli i thyer i autorit shqiptar Ismail Kadare. Kurse unë aty përbri në galerinë e Fiction ose të atij zhanri tregimor të konsideruar si sajim, jo nga realiteti. Hulumtoja në anglishten e pazhbirueshme për kapacitetim tim, të një nga eseistëve bashkëkohor Dana Xhoja-s, (Dana Gioia) një ekonomist në profesion por që sot Amerika e mban si një nga nga eseistët model të interpretimit. Në Amerikën e madhe, me letërsi të madhe, ai është ndër…, kohë më pare kisha hasur një libër të tij në shqip. A ka rëndësi poezia… (Can Poetry Mater?). Mirëpo kur të mbushet mendja se gjuha që flet është ajo që të mjafton. Të gjen belaja. Unë endesha në ligjëratën e katedrave të Kalifornisë, kurse vajza në luginat e Shqipërisë.

Me siguri nga darka do i tregonte shoqes, a të dashurit, për vendin tim, njerëzit, zakonet. Për Gjorgun me ankthin se si me vetdije duhet të vrasi, që vret… Gjakmarrja shqiptare.

M’u end nëpër kokë një botë piktoreske që në vendin tim e quajnë Veri. Kur në fakt është kërthiza e tokës amtare. Por edhe ajo koha kur katedrat e vendit e tim e trajtonin si vendi i ashpër i reaksionit pikërisht për më vitalen ndjenjë njerëzore të jetës, nderin e njeriut. Obskurantizëm kur ishte në fakt një arsenal i fuqishëm kulturor. Por, Neroni e dogji Romën, sepse donte që Roma të fillonte dhe mbretëronte me ‘të. Kështu edhe diktatura. Në fakt version i Gjorgut duhej të trajtohej ndryshe, ashtu edhe toka e tij. Por në kohë devijimet edhe pse kanë pamjen e një maje gishti, lëvizin një botë të tërë.

Çfarë dite e madhe. Ajo vajzë dhe vendi im aty: një magji.

3) Sa here që vjen vjeshta, kur afrohet dhe dhënia e çmimit Nobel, nis edhe fushata e thashjes tek ne. Kundër një njeriu të vetëm. Një shkrimtari. Që armatë ka librat, veprën. Nuk ka destrojerë, aeroplambjtëse, a raketa bërthamore. Nuk ka arshivë sekrete dhe një lukuni survejuesish e ndëshkuesish, me dhe pa uniformë. Nuk ka armatë televizonesh ku të japi mend çdo ditë në çdo vakth. E zi më zi t’ua bëj jetën. Nuk ka asgjë në dorë. Asnjë lloj vule. Ka vetëm librat ku gjallon vendi i tij. Ku flatron gjuha e këtij dheu. Nuk ka asgjë, asgjë që ka aromën e metalit të armës. Nuk ka çelsat ku mban të kyçur mirëqënien e popullit. Ku dikujt i jep një maune me miell. Dikujt i thotë, ti me që më solle në pushtet mbill e shit drogë. Vrit e prit kë të duash. Shit e bli kë të dojë qejfi. Ndërkohë që dikujt tjetër ia lëron nënën, pa punë, pa bukë, pa talent, pa aftësi…, me një fjalë e lë të paftë. Nuk i ka këto, por ka vetëm dhuntinë për t’i treguar këto. E kjo dhunti nuk është mëkat qeveritar, por fat i një populli, një vendi dhe një gjuhe.

Sapo afrohet vjeshta, i vërsulemi me ca energji që çuditërisht na afrojnë me kafshën. Nuk ngopemi. Një avaz. Një brutalitet. Një inat kokëtrashësh. Gërr, vërr. Dosje, mashtrim, letra, falsifikime, pseudonime. Gërr, vërr, punë shqiptarësh. Kundër kujt? Vetvetes. Pasi është fare e thjeshtë, gjenia nuk është asnjëherë ai qytetari, por fryma apo koha e juaj. E gjitha, me firot dhe arritjet, me zbythjet dhe me gjokset . Nuk merr, nuk ia japin. O sa qejf. Ferkojnë duart. Gëzojnë…, e morët vesh një mut ia dhanë. Gëzojnë, kafshët, si kafshët. Eshtë tragjike të gëzosh për një autor rus dhe jo për autorin tend. Tragjike dhe nuk ka fjalë të tjera.

4) Zakonisht kandidatët e përvitshëm janë mbi treqind. Nga vende të ndryshme. Midis këtyre vëndeve është emocionale kur shikon emrin e vendit tend. Pra vendin tend. Letërsinë tënde. Atë letërsi që i mban ulur njerëzit nëpër korridoret e librarive. Gjorgun malësorin e bukur brenda fatit të tij tragjik. Pra diçka nga ashti i breznisë së rracës tënde.

Ndër treqind vende Shqipëria. Një vend me halle, tokë e vogël në sofrën e mendjeve të arta. Gëzoni për letërsinë tuaj dhe krenohuni me ‘të. O avaz i vjetër, kade me turshi kastravecash.

Filed Under: Opinion Tagged With: dhe Letërsia e saj!, Ilir Levonja, Nuk kandidon Ismaili, por Shqipëria

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 464
  • 465
  • 466
  • 467
  • 468
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT