• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ROBERT ELSIE – I SAKTI, I URTI, PUNETORI I MADH DHE MIKU I DASHUR I SHQIPTARËVE

June 28, 2020 by dgreca

Shkruan: Thanas L. Gjika*/

            Më 29 qershor 2020 mbushen 70 vjet nga lindja e albanologut të shquar kanadezo-gjerman Robert Eksie, prandaj po i ribotoj këto kujtime që hartova me rastin e vdekjes së tij në tetor 2017, duke i shoqëruar dhe me disa vlerësime që më dërguan disa miq të mij e simpatizantë të të ndjerit.

            Gjatë vizitës së tij të parë

            Njohja ime me Robert Elsi-n ndodhi gjatë vitit 1978. Ai kishte ardhur pranë Akademisë së Shkencave për të bërë kërkime e studime lidhur me letërsinë tonë. Donte të mblidhte material për të hartuar një histori të letërsisë shqiptare anglisht, vepër e munguar. Nga ana e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, ku punoja, më ngarkuan mua ta shoqëroja për ta ndihmuar gjatë punës në Bibliotekën Kombëtare, Bibliotekën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe në Bibliotekën e Institutit tonë…

            Më ra në sy kujtesa e tij e fortë, karakteri i tij i qetë, e folura pa nerv. Nuk qeshte me zë, por buzëqeshte heshturazi. Fliste shqip me një fjalor jo shumë të pasur, por i shqiptonte shumë saktë të gjitha zanoret dhe bashkëtingëlloret e gjuhës sonë pa asnjë theks (aksent) të huaj, prandaj nuk mund ta dalloja se cila ishte gjuha e tij amëtare. Kisha vënë re se gjermanët, francezët, italianët edhe më shumë rusët e grekët e flisnin shqipen me thekse të ndryshme, që mund t’i dalloje shpejt se cila ishte gjuha e tyre amëtare. Kur e pyeta se si e shpjegonte këtë dukuri, më tha se ai ishte rritur në Vankuver të Kanadasë, ku flitej anglishtja, por kishte mësuar që herët gjermanishten dhe gjatë shkollimit frëngjishten, keltishten, italishten, sërbishten, etj. Më sqaroi se shqipen e kishte mësuar kryesisht në rrugë autodidakte dhe se ishte përqendruar në zotërimin e gjuhës letrare të njësuar dhe nuk i njihte ende dialektet.

            Më shprehu dëshirën se po t’i jepej një bursë mund të bëhej nja dy vjet student në Fakultetin Histori Filologji. Mirëpo kjo mundësi nuk iu dha. Më tej ai erdhi shpesh në Shqipëri dhe Kosovë. Në Prishtinë mori pjesë në Seminaret e gjuhës shqipe që organizonte çdo vit Fakulteti Filozofik gjatë muajve të verës.

            Nga pamja e jashtme, nga sjellja shumë e kujdesshme, njohuritë e gjera kulturore, gjuhësore dhe letrare, mosshprehja e opinionit për të tjerët, buzëqeshja e tij disi e ngrirë, më krijuan idenë se ai mund të kishte origjinë hebraike. Mirëpo as gjatë takimeve të atyre ditëve dhe as gjatë takimeve dhe shoqërimeve të mëvonëshme, nuk e pyeta për origjinën e tij familjare. Ai nuk fliste kurrë për familjen e familjarët e tij.

            Mbante veshur pantallona dhe këmishë që nuk kishin nevojë t’i hekuroste, kurse sandalet i kishte prej një materiali plastik, që nuk kishte nevojë t’i bojatiste. 

            Një ditë, për të mësuar diçka rreth rinisë së tij, e pyeta:

            – A e ke vizituar kryeqytetin e Kanadasë?

            Ai m’u përgjigj: “Në brigjet kanadeze të Paqësorit, ka shumë njerëz që lindin, jetojnë, plaken e vdesin pa e parë Otavën, kryeqytetin e shtetit. Unë me katër shokë, pasi mbaruam maturën, me kursimet që kishim mbledhur, blemë një makinë të re dhe një çadër. Udhëtuam për gjashtë ditë duke fjetur natën në çadrën tonë. Gjashtë ditë kur shkuam dhe gjashtë ditë kur u kthyem. Kanadaja është fushë e pamasë. Iknim me orë të tëra dhe në horizont nuk shihnim tjetër vetëm fusha me grurë. Kishim përpara fusha pa fund, horizont i njëjtë, platacione me grurë, herë pak të tatëpjeta e herë pak të përpjeta. Ishte një monotoni. Tani rrugët janë sistemuar më mirë dhe automjetet janë shumë më të shpejtë…

            Ne kishim mbledhur jo shumë pare nga punët që kishim bërë gjatë kohës së shkollës, prandaj nuk mund të flinim nëpër hotele. Në hotel fjetëm vetëm në Otava. Shumicën e ushqimeve i blinim gjysëm të gatshme dhe i hanim pa i gatuar”.

            Mua nuk m’u durua dhe e pyeta: – Po prindërit, nga ana e tyre nuk ju dhanë para?

            – Mbas viteve 1950-1955, më sqaroi ai, mirëqenia e popullit kanadez ishte rritur dhe midis të rinjve u krijua një psikologji sipas së cilës, marrja e ndihmave prej prindërve ishte turp. Sejcili kishte mundësi, që me punën e vet të krijonte të ardhura të mjaftueshme për të jetuar e studiuar si të donte vetë, pra ishim të pavarur nga prindërit.

            Jeta disi e ndarë nga bota atje në Vankuverin e largët më nxiti të synoj për të ardhur e jetuar në Europë. Që në fëmijëri më ishte ngulur ideja se Europa ishte pjesa më e mirë e botës.

            Kur shkuam tek Biblioteka e Lidhjes së Shkrimtarëve, Flutura Greva shefja e bibliotekës, e sqaroi mikun se shkrimtarët, anëtarë të Lidhjes, sipas rregullit kishin depozituar sejcili nga një biografi të shkurtër mbi jetën dhe listën e botimeve të tyre. Roberti ia kërkoi dhe pasi pa disa, iu lut që t’i merrte me vete për të mbajtur shënime. Meqenëse Lidhja nuk kishte makinë kopjimi (kseroks), Flutura ia dha dhe ai i kopjoi mbrëmjeve në hotel dhe paraditeve kur punonte në Bibliotekën Kombëtare. 

            Kishte një shkrim të vogël, si shkaravitje. Shkruante me dorën e majtë, gjë që më bëri përshtypje, sepse tek ne nuk lejohej të shkruaje me dorën e majtë. Mu kujtua fëmijëria ime, kur isha në klasën e parë. Zonjushja ime, kur më pa se shkruaja me dorën e majtë, më detyroi që të mësoja të shkruaj me dorën e djathtë. Më dha detyrë të mbushja me shkrimin e dorës së djathtë faqe të tëra me gërmat a, A, b, B dhe c, C që kishim mësuar deri atëhere…  

            Në vitet 1970-1980 tek ne nuk kishin hyrë kompjuterat, kurse Roberti punonte në shtëpinë e vet në Gjermani në një kompjuter të vogël. Kjo ia shtonte atij shpejtësinë dhe saktësinë e punës. Gjatë vizitave të para, ai nuk e përmendi faktin se punonte në kompjuter, ndoshta nuk donte të na lëndonte për varfërinë tonë.

            Duke pirë kafe një ditë e pyeta:

            – Si të lindi ideja të merresh me letërsinë shqipe, letërsi e një populli të vogël dhe që është zhvilluar në një gjuhë të vështirë? Me gjuhët që dije, ti mund të studjoje letërsi më të mëdha dhe mund të arrije suksese pa u lodhur të mësoje shqipen e vështirë.

            Roberti, më sqaroi:

            – “Në Europën Perëndimore është vështirë të gjesh tema studimi në fusha si historitë e letërsive dhe historitë kombëtare të popujve. Janë kryer aq shumë studime, sa që studjuesit e kanë vështirë të gjejnë tema studimi. Një histori e plotë e letërsisë shqipe është një vepër e munguar në anglisht, prandaj mendova se ia vlente mundimi për të mësuar këtë gjuhë me anën e së cilës do të kapja një temë studimi që intereson shkencën dhe kulturën europiane.

            Letërsia shqipe, është letërsi e pasur, shtoi ai. Ka shumë popuj në Europë, që janë më të mëdhenj se populli shqiptar, si psh populli hollandez, por ky nuk ka letërsi të pasur si ka populli shqiptar. Populli shqiptar është popull që ka probleme dhe një popull që ka probleme e lëvron letërsinë shumë më tepër se popujt që nuk kanë probleme. Hollandezët janë marrë e merren me pikturë.

            Kosova zjen, prandaj atje lulëzon poezia”.

            Gjatë vizitave të mëvonshme

            Pas vizitës së parë, Roberti erdhi shumë herë të tjera në Shqipëri. Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë më vuri sërisht ta shoqëroja e ndihmoja deri në vitin 1996, kur unë fitova lotarinë amerikane dhe u largova nga Shqipëria.

            Ndoshta ishte mars -prill i vitit 1979, mbaj mend se ishte si shoqërues edhe Fatos Beja, punonjës tjetër i Institutit. Pasi vizituam Pazarin dhe Kalanë e Krujës, Roberti hapi bisedën për Bektashizmin. Pyeti nëse kishim parë ndonjë baba teqeje i cili gjatë kërcimitritual fuste një thikë ose një shtizë nëpër bullçijtë e tij. Unë i thashë se kisha dëgjuar, por nuk kisha parë gjë të tillë. Fatosi i tha se kishte parë një ritual të tillë në një teqe në Gjirokastër kur ishte 14 ose 15-vjeçar.

            Kur zbritëm në Fushë Krujë, para se të vijonim rrugën për Tiranë, Roberti kërkoi të ndalonim tek ish-Teqeja e bektashinjve. Pyetëm dhe na treguan ku ndodhej. Prej kohësh ajo ishte kthyer në ambjent të një ndërmarrjeje prodhimi. Nuk mbaj mend se si quhej dhe çfarë prodhonte ajo ndërmarrje. Tek hyrja, në të majtë të portës së madhe ishte një pllakë e gurtë e thyer. Gjysma e saj qëndronte në mur brenda një kornize të krijuar nga gurë të skalitur pjesë përbërëse e murit, kurse pjesa tjetër ishte e rrëzuar në tokë, e thyer në disa copa. Në këtë pllakë jepeshin të dhëna në arabisht për atë teqe.

            Roberti u afrua dhe u gëzua kur pa se shkronjat ishin të lexueshme. E fotografoi. Pastaj mblodhi copat që ishin për tokë, i afroi, i sistemoi sipas shkrimit dhe e fotografoi dhe atë pjesë.

            Pastaj tha se kishte ndjekur një kurs për të mësuar alfabetin e arabishtes dhe se dinte shumë fjalë të asaj gjuhe, gjë që nuk e kishte thënë më parë. Modestia nuk e linte të mburrej e të përmendëte gjuhët që dinte, studimet që kishte kryer, artikujt që kishte botuar, dhe as planet për të ardhmen.

            Të nesërmen kërkoi të vizitonte Varrin e Naim Frashërit që ndodhej tek ish-Teqeja e Kryegjyshatës Botërore. Në vitin 1937, me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë, Mbreti Ahmet Zog i Parë u interesua dhe i solli nga Stambolli eshtrat e Naim Frashërit, autorit të poemës Qerbelaja, një nga poemat më të shquara të Bektashizmit. Në kopshtin e këtij institucioni u varrosën eshtrat e poetit kombëtar. Mirëpo ky institucion, pas vitit 1967 u kthye në azil për pleq, kurse Kryegjyshin Botëror, nuk dihej ku e kishin degdisur. Kjo qendër dikur aq e rëndësishme për besimin Bektashi ndodhej në anën lindore të Tiranës mbi vargun e kodrave të Malit Dajt. Jo larg saj në vitet 1970-të u ndërtuan Uzina Traktori dhe Kombinati Poligrafik.

            Shkuam atje, takuam drejtoreshën e azilit e cila na shpuri tek vendi ku ishte Varri i Naimit. Ajo dhe pleqtë azilantë na thanë se aty preheshin eshtrat e poetit, por në shtypin e vitit 1950 ishte shkruar se eshtrat e Naim Frashërit, me rastin e 50-vjetorit të vjekjes së tij, u shpërngulën dhe ishin rivarrosur anës bulevardit kryesor, pranë godinës së Komitetit Qendror të PPSH. Kurse më 1978 me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit u krijua vorreza treshe e vëllezërve Abdyl, Naim e Sami Frashëri te kodra e liqenit artificial.

            Më 1940, me rastin e 40-vjetorit të vdekjes së poetit kombëtar, Varri i Naimit te Kryeqendra e Bektashizmit Botëror ishte rindërtuar si dhuratë e Fancesko Jakomonit, mesa duket për të marrë me të mirë Kryegjyshin Dedej, i cili nuk e kishte pranuar pushtimin italian. Duke u gdhirë 28 nëntori i vitit 1941 ky kryegjysh u vra nga njerëz të panjohur, pas takimit me Jakomonin, kur kishte kundërshtuar firmosjen e një deklarate pro pushtimit fashist.

            Varri ishte vërtet madhështor, por më vonë qeveria komuniste ia kishte dëmtuar madhështinë. Kur shkuam ne ende dukej që kishte qenë një objekt monumental i rëndësishëm. Roberti nxori aparatin dhe bëri disa fotografi. Duke u kthyer në Tiranë më tha:

            – Ky varr nuk e ka vendin këtu. Duhej të ishte te oborri i Lidhjes së Shkrimtarëve.

            Mirëpo të dy kryetarët e Lidhjes së Shkrimtarëve, as ish-kryetari i parë, Dhimitër Shuteriqi njeri me kulturë; dhe as Dritëro Agolli, kryetari aktual i kësaj lidhjeje, ndoshta e dinin ku e kishte vendin Varri origjinal i Naimit, por nuk besoj se kishin bërë ndonjë vizitë atje. Madje, as në tetor të vitit 1990, kur Instituti ynë organizoi një konferencë shkencore kushtuar 90-vjetorit të vdekjes së Naimit me pjesëmarrje edhe të disa studiuesve nga bota, nuk u mendua dhe as u dërgua kush tek asnjëri nga tre Varret e Naimit me një tufë lulesh. Ndaj të tillë veprimeve për shprehje respekti, njerëzit që krijonin kulturën e re socialiste, ishin indiferentë.

            Sot, indiferenca e tyre e asaj kohe, më kujton faktin se si po këta njerëz të letrave dhe studiuesit e letërsisë shqiptare, nuk shpunë në Librazhd një tufë me lule gjatë viteve të tranzicionit te memoriali i Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit, dy poetëve martirë të diktaturës komuniste dhe as te varri i Havzi Nelajt, poetit të varrur në Kukës…

            Ciganët, janë analfabetë dhe në Shqipëri, si në gjithë Europën.

            Gjatë një vizite tjetër Roberti kërkoi të vizitonte Shkodrën, Bibliotekën e Shtetit dhe Institutin e Lartë, sot Universiteti “Luigj Gurakuqi”. Takoi dhe bisedoi me disa pedagogë, midis të cilëve pati interes për prof. Jup Kastratin, bibliograf i mirënjohur. Mbasdite, para se të niseshim për t’u kthyer, më kërkoi ta shpija tek ish-Kisha e Madhe, e cila që nga viti 1967 ishte kthyer në pallat sporti. Brenda saj dëgjohej zhurmë e madhe, bërtitje tifozësh. Po luanin basketboll dy skuadra. Roberti, nxori aparatin fotografik, hyri dhe bëri disa foto.

            Gjatë kthimit për Tiranë, aty afër Mamurrasit, pranë një përroi pamë një grup ciganesh pranë çadrave të tyre.

Ata njerëz janë analfabetë edhe në Shqipëri si në gjithë Europën, tha Roberti.

            Duke dashur t’i mburresha, i thashë se në Shqipëri shkolla 8-vjeçare është e             detyrueshme për gjithë fëmijët dhe ciganët nuk ka si të jenë analfabetë.                   

– Në Europë mund të ketë analfabetë, por tek ne, nuk ka, shtova unë.

            Roberti shtoi:

– Nuk beson? Po deshe shkojmë t’i pyesim.

            I thashë shoferit ta ndalte makinën dhe zbritëm. Mora një libër në dorë dhe iu afruam një grupi me vjaza ku midis tyre ishte një 15-vjeçare. Iu afruam edhe më dhe duke i treguar librin, iu luta të lexonte titullin e librit. Ajo qeshi dhe tha:

– Po ku di unë të lexoj.

– Si nuk di, ti a e ke mbaruar shkollën 8-vjeçare? Gatii bërtita.

– Shkollën e kam mbaruar, po nuk kam bërë kurrë detyra me shkrim, nuk kam zënë libër me dorë. Kam mësuar vetëm ato që kam dëgjuar nga shpjegimi dhe më kanë kaluar nga një klasë në tjetrën. As motrat, as shoqet dhe as vëllezërit e mij, as mamaja e as babi nuk dijnë të lexojnë e të shkruajnë.

            Më e pabesueshme ishte kur i thashë nënës së saj, një grua e re nja 35 vjeçe të afrohej e të lexonte fjalët PARTI – POPULL – ENVER, që ishin shkruar me shkronja të mëdha me gurë të lyer me gëlqere të bardhë te faqja e një kodre përballë. Edhe ajo tha se nuk i njihte shkronjat e nuk dinte ta lexonte.

            – Mos ngul këmbë, më tha Roberti, ky popull nga që nuk e shkruan gjuhën e vet, nuk përpiqet të mësojë si të shkruajë e lexojë gjuhën e vendit ku jeton. Kjo është dukuri e ciganëve në mbarë Europën.

            Unë punoj vetëm disa ditë në muaj

                Kisha vënë re se Roberti nuk ishte i pasur, se bënte një jetë modeste, por kuptohet, dallonte shumë nga jeta tepër e varfër e ne studiuesve shqiptarë. Një ditë guxova dhe e pyeta se ku jetonte dhe ku punonte për të siguruar të ardhurat e nevojshme për jetën.

            – Unë jetoj në një fshat të vogël pranë Bonn-it. Atje nuk kam shokë intelektualë, bëj jetë të shkëputur nga banorët. Jam studjues i lirë. Lexoj e shkruaj ç’ të dua. Eshtë një komshie plakë e cila më afrohet e më bën nga njëherë muhabet.

            Për të më shuar kuriozitetin se ku punonte dhe si i siguronte të ardhurat, shtoi:

            – Unë nuk jam i punësuar në asnjë institucion shkencor, por për të sigurar të ardhurat e nevojshme për jetesën, punoj si përkthyes për qeverinë gjermane, ose ndonjë gjykatë, sa herë ato kanë nevojë. Një ditë pune në këto raste paguhet 1.000 (njëmijë) marka gjermane. Me katër ditë pune të tilla unë plotësoj nevojat e mia për gjithë muajin, madje kursej dhe qindra marka për udhëtimet.

            Pra ky studiues ishte krejt i pavarrur, i pavarrur në zgjedhjen e temave të studimit, i pavarrur dhe nga disiplina e një rrogëtari. Ndoshta kjo pavarësi i krijonte ndonjëherë vështirësi ekonomike, sepse po të mos e kërkonin si përkthyes, ai nuk kishte si jetonte. Një jetë e tillë ishte krejt e pakuptueshme për ne punonjësit e instututeve shkencorë shtetërorë, të cilëve temat e studimit dhe të ardhurat ekonomike na i caktonte drejtoria e institutit.

             Shqipëria e ka të tashmen të zezë, por të ardhmen të mbekullueshme

            Gjatë vitit 1992 Roberti erdhi dy hetë. Herën e parë në verë e pastaj në nëntor. E pyeta për emigrantët tanë në Gjermani. Më tha se kishin ambicie, se përpiqeshin të mësonin gjermanishten dhe shumë prej tyre kishin filluar punë. Pastaj shtoi: – Ty nuk të shau e nuk të kritikoi asnjë prej tyre.

            Kuptova se emigrantët tanë i kishin marrë në pyetje për të dhënë opionin e tyre për njerëzit që njihnin, ose për njerëz që interesohej shteti gjerman.

            I thashë se jeta jonë në Shqipëri ishte vështirësuar shumë ekonomikisht dhe po të hapeshin edhe një herë ambasadat, do ikja edhe unë me familjen. Për ta përforcuar mendimin shtova:

            – “Bëri mirë Isamail Kadareja që iku.”

            – “Mos u ngut”, më tha, “rri, sepse në Gjermani mendohet që Shqipëria e ka të tashmen të zezë, por të ardhmen, pas 20 vjetësh, të mbrekullueshme”. Pastaj shtoi, “Për Ismailin, mendohet se ikja e tij është pjesë e planit të Ramiz Alisë. U dërgua jashtë si i arratisur, që ta kërkoni ju pas rëzimit të diktaturës dhe të vijë si udhëheqës për të shpëtuar Ramizin e klanin Hoxha”.

            – “Nuk mund ta besoj që Isamili të pranojë të kthehet në Shqipëri për t’u marrë me politikë. Ai shyqyr që shpëtoi nga imponimet e politikës”. Roberti nuk kundërshtoi.

            Në Gjermani kujtonin se shqiptarët do të ecnin sipas rrugës gjermane, pra do ta dënonin krimin komunist dhe do t’i futeshin punës me ndershmëri e seriozitet si gjernmanët. Kështu që 20 vjet tranzicion sipas tyre ishin të mjaftueshëm për të krijuar shtetin ligjor dhe shoqërinë demokratike…

            Pas dy vjetësh, pra më 1994, duke parë korrupsionin dhe mungesën e dëshirës te pushtetarët shqiptarë për krijimin e shtetit ligjor, po në Gjermani, më tha Roberti, u krijua opinioni i kundërt, sipas të cilit Shqipëria ishte kthyer në një kazan plehrash.

            Në nëntor të vitit 1992 u zhvillua një takim shkencor me rastin e 20-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit. U diskutua problemi nëse gjuha letrare me bazë toskërishten e kishte kryer deri atëhere detyrën e saj, apo duhej ndërruar baza e saj me gegërishten.

            Gruaja ime, Julia, më tha që t’i ftonim për drekë disa studiues nga Kosova dhe Robert Elsi-n. Kështu gjatë drekës Roberti dhe profesorët Sadri Fetiu, Agim Vinca, Abdullah Zymberi u njohën me Julian, vajzën dhe djalin tonë dhe me nënën time. Studiuesit kosovarë flisnin lirshëm, kurse Roberti dëgjonte.

            Kur ikën, Julia tha: “Roberti nusëroi si nuse e bukur, si nuk foli fare!”  

            Robert Elsi ishte ateist

            Në vitin 1992 në Shqipëri u lejua rihapja e institucioneve fetare. Erdhën dhe fetarë protestantë ku bënin pjesë dhe misionarët e kishës Advendiste të ditës së shtunë, besim që nëna jonë e kishte përqafuar që në vitet 1935-1936. Ajo filloi të shkonte rregullisht në takimet e së shtunave, që oranizoheshin në salla të ndryshme që merreshin me qira. Vëllai im i madh dhe unë që jetonim në Tiranë filluam ta shoqëronim nënën në këto takime. Predikimet mbaheshin anglisht prej misionarëve të huaj dhe përktheheshin shqip prej disa djemve e vajzave të reja. Ne na interesonte ushtrimi i veshit në anglisht, gjuha që mori përhapje të shpejtë tek ne pas shkërmoqjes së diktaturës komuniste. E shtuna ishte shpallur ditë pushimi bashkë me të djelën, kështu që kishim mundësi të kalonin disa orë në ato salla predikimi. 

            Një të shtunë gjatë vitit 1994, kur po kthehesha nga një ceremoni e tillë predikimi, takova Robertin pranë Hotel Tiranës. Pasi mori vesh se unë vija të shtunave dhe dëgjoja predikimet fetare, më tha:

            – “Mos i merr seriozisht predikimet fetare, se mund të të shpëlajnë trutë dhe nuk do çash më kokën për shkencë. Unë nga ana ime jam ateist, por po të më duhej të përqafoja një besim fetar, do të pëlqeja Budizmin”, e mbylli ai bisedën.

            History of Albanian Literature / Histori e letërsisë shqiptare

            Në vitin 1995 Robert Elsie e kurorëzoi punën e tij për hartimin e historisë së letërsisë shqiptare. Atë vit ai e solli veprën e tij anglisht në dy vëllime, botim i COLUMBIA UNIVERSITY PRESS, USA.

            Mu bë shumë qejfi, kur autori më dhuroi një kopje të saj. Unë sa kisha mbaruar së studiuari një metodë të anglishtes me 52 mësime, sepse po përgatitesha për t’u larguar nga Shqipëria, sepse kisha fituar lotarinë amerikane për Green Card.

            Vepra më mahniti me informacionin e madh mbi shkrimtarët shqiptarë të të gjitha kohëve dhe të të gjitha teritorreve, me fotografitë e shumta, shumë prej të cilave ishin të panjohura për ne studjuesit e institutit. E ndjeva për detyrë që kësaj dhurate t’i përgjigjesha me një recension. Duke qenë se e njihja lëndën, m’u krijua ideja se kisha ecur mirë në anglisht. Recensioni u botua së pari te gazeta “Rilindja” e Prishtinës, e cila për shkak të përndjekjes në Kosovë, botohej në Tiranë. Një variant më të plotë e dorëzova në revistën shkencore të Institutit “Studime Filologjike” e cila delte tashmë vetëm dy herë në vit dhe me shumë vonesë. Numëri 2 i vitit 1995, ku u caktua të botohej recensioni, nuk ariti të delte nga shtypi as në fillim të korrikut 1996, kur unë me familjen u largova për SHBA.

            Lidhjet me Robertin i vijova edhe pas vendosjes sime në Amerikë. Më 1998 më dërgoi veprën “Histori e Letërsisë Shqiptare” përkthyer shqip prej Abdurrahim Myftiut, botim i shtëpisë DUKAGJINI Tiranë – Pejë 1997.

            Pasi e falenderova, i shkrova se fabrika ku punoja në turnin e tretë u mbyll dhe kisha filluar të punoja si pjatalarës në një restorant. Moszotërimi i anglishtes në nivel të mirë po më pengonte për t’u punësuar në ndonjë punë intelektuale. Roberti m’u përgjigj me të qeshur:

            – “Mos u mërzit, shumë emigrantë në Amerikë, që punojnë pjatalarës, bëhen shpejt a vonë pasanikë”.

            Herë pas here këmbenim e-mail, por fatkeqësisht ato që u shkruan në kompjuterin e vjetër, nuk i ruajta. Për herë të fundit e takova Robertin në Tiranë gjatë vizitës që bëra më 2008. Unë dhe historiani Iliaz Gogaj po ecnim në rrugë pranë shkollës Sami Frashëri. Roberti na doli para papritur. Pasi u përshëndetëm, Iliazi nxori nga çanta një kopje të librit që kishte botuar atë vit dhe filloi të shkruante dedikimin për t’ia dhuruar mikut tonë.

            Të gjithë studiuesit shqiptarë të fushave humane e deshin dhe e respektonin shumë këtë albanolog dhe i dhuronin me qejf librat e tyre. Madje unë, më 1994 i pata dhuruar dhe një punim në bakër në formë disku, basorelev me temë Gjergj Elez Alia e Bajlozi, vepër e artistit Genc Tirana.

            Duke dashur të bëja shaka, i thashë Iliazit:

            – Iliaz, ne e duam dhe i dhurojmë libra Robertit, por atij i japin aq shumë libra sa nuk ka mundësi t’i lexojë.

            Roberti nuk ma mori për keq dhe nuk reagoi me ndonjë thumb. Ndoshta e kuptoi që më kishte mbetur qejfi për dërgimin e librit tim “Kur dhe ku u shkrua Dhiata e Re” MEDAUR Tiranë 20107, 500 fq. të cilin ia kisha dërguar një vit më parë duke iu lutur që ta dorëzonte në Tybingen University, ku kishte specialistë që mund të më ndihmonin për ta bërë problem të shkencës europiane çështjen e vizitave të Shën Palit në territoret ilire, që unë e kisha trajtuar me shumë argumente në atë studim.

            – “Me të vërtet kohën e kam shumë të pakët”, e mori fjalën Roberti. “Nga librat që më dhurohen lexoj vetëm ndonjë që lidhet drejtpërdrejt me synimet e mia. Po më shtohen shumë punët. Më duket se nuk do t’i botoj dot gjithë ato studime që synoj të hartoj”.

            Letrën e fundit ia dërgova me i-mel më 29 shkurt 2016, ora 10:17 AM . Iu luta që të shkruante kujtimet e tij për Profesor Eqrem Çabejn. E sqaroja se unë bashkë me vajzën e profesorit, mendonim të mblidhnim kujtime prej atyre që e kishin njohur nga afër, sidomos prej kolegëve shqiptarë të Shqipërisë dhe Kosovës. Ia vlente të përgatitej një libër me kujtime për këtë personalitet të shquar të shkencës shqiptare.

            Roberti m’u përgjigj po atë ditë në ora 11:16 (ora e Amerikës 5:16 AM e datës 1 mars). Më falenderonte për letrën, më uronte për idenë, por më sqaronte se ishte shumë i zënë me projete të ndryshme dhe konkretisht profesor Çabejn e kishte takuar vetëm një herë. Disa muaj para se profesori të largohej nga jeta, në një takim me shkencëtarë gjermanë në Universitetin e Bonn-it, por që nuk i kujtoheshin hollësira. Më uronte që kjo vepër të kryhej me sukses dhe sugjeronte që të përkthehej dhe në anglisht…

* * *

            Po i mbyll këto kujtime duke shprehur pakënaqësinë time ndaj Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe instituteve shkencore të saj, sepse kam vënë re se këtë albanolog të shquar, që botoi 60 libra ku na solli aq shumë materiale të panjohur dhe studime të shumtë e të shumanshëm, e ka vlerësuar më shumë Akademia dhe institucionet shkencore të Kosovës se sa ato të Shqipërisë. Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar Tiranë 2008, vol. I, nuk është trajtuar si zë më vcete jeta dhe ndihmesa e këtij albanologu të shquar. Kam frikë se kjo akademi nuk do të interesohet për të sjellë në Shqipëri krahas eshtrave të tij dhe gjithë bibliotekën e tij, fondin e letrave, fotografive dhe të materialeve e shkrimeve të tij të pabotuara…

            Mezi pres të shkoj në Shqipëri e të vendos një tufë lulesh te varri i këtij studiuesi të huaj, i cili me jetën dhe veprën tij u shqua për saktësi, urtësi, punë të madhe dhe dashuri ndaj popullit tonë.

            I përjetshëm qoftë kujtimi i studiuesit Robert Elsie!  

Disa vleresime për këtë shkrim që m’u dërguan prej miqve të mij që e lexuan:

Ruben Avxhiu:

Shume interesante profesor,
Te fala, Rubeni

Kolec Topalli:  

Te faleminderit. Edhe une e kam takuar disa here, por vetem vitet e fundit dhe vetem ne Kosove. Kolec Topalli

Ilir Ikonomi:

Thanas, e lexova me shume kenaqesi. Mesova gjera qe nuk i dija edhe pse e kam njohur Robertin. Te lumte.

Iliri

Ilia Karanxha

I shtrenjtë Thanas !

Mbi të gjitha të uroj shëndet e gjithë të mirat si për ty po ashtu edhe Julisë ! Faleminderit për shkrimin dedikuar Robert Elsit të cilin e lexova me një endje e interes të veçantë. Ishte shkrojtur shumë bukur e ndërkohë mësova shumë aspekte nga jeta dhe vepra e tij. Në shtjellimin e kujdesshëm që i ke bërë figurës së tij bie në sy thjeshtësia, mënçuria dhe aftësia për të kuptuar botën shqiptare në epokën komuniste dhe paskomuniste. Sidoqoftë një shkrim me vlerë për njohjen e këtij albanologu të shquar e në të njëjtën kohë një omazh serioz për figurën e Tij. Mbarë populli shqiptar dhe bota intelkektuale, që e kanë vlerësuar gjithmonë për prodhimtarinë e pasur në fushën e albanollogjisë, e ndjeu humbjen e tij ndërsa institucionet tona kulturore shkencore ose nuk lëvizin fare ose lëvizin si kermilli e shpesh shkel e shko dhe sa për sy e faqe.

Unë vazhdoj punën për Beçikemin por me ca vështirësi se nuk është kollaj të gjenden përkthyes të latinishtes. Sidoqoftë jam në proçedurat e fundit të pregatitjese së veprës.
Edhe një herë shëndet e gjithë të mirat,

Ilia

Sadri Fetiu:

Pershendetje, Thanas i dashur,

te falenderoj per keto kujtime shume njerezore per nje njeri qe punoi me plot perkushtim per kulturen shqiptare. Roberti u prehte ne paqen e perjeteshme! Ai do te jetoje gjithmone ne kujtesen e shqiptareve. Nje shkrimtar i madh malazias ka thene: “I lumi ai qe jeton gjithmone, ai ka pase se per cka me le!”…

Te fala te perzemerta ty dhe Julies

Sadriu dhe Fetija

Rexhep Qosja:

I dashuri Thanas,

uroj te jeni mire me gjithe familjen tuaj dhe uroj te jeni mire me shendet e me suskese ne krijimtarine shkencore. Ju falemnderit per kujtimet kushtuar Robert Elsit qe m’i derguat. Prej ketyre kujtimeve te pasura me te dhena, me gjykime e vleresime te rendesishme mesova shume per albanologun e madh dhe mikun e madh te popullit shqiptar Robert Elsin.

Me keto kujtime ju me mire se askush tjeter i dolet borxhit atij.

Me perzemersi te perkushtuar,

Rexhep Qosja

* Shenim i autorit:Këto kujtime u hartuan me rastin e vdekjes së albanologut në tetor 2017. Po i ribotojmë me rastin e 70-vjetorit të lindjes bashkë me disa vlerësime lexuesish.

Filed Under: ESSE Tagged With: mik i dashur, Robert Elsie, Thanas L Gjika

KOSOVË-ÇMIM ALBANOLOGUT KANADEZ, ROBERT ELSIE

November 30, 2017 by dgreca

-Kryeministri Haradinaj ndanë çmimin “FIDES 2017” Post Mortum albanologut kanadez, Robert Elsie. E pranoi Artur Metani, mik dhe bashkëpunëtor i albanologut Elsie/

1 robert-Elsie1 Haradinaj1 ok cmim Ramo

PRISHTINË, 29 Nëntor 2017-Gazeta DIELLI/Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “FIDES 2017” për Filantropinë në Kosovë, e cila organizohet nga Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ). Kryeministri Ramush Haradinaj, tha se ndihet i nderuar që gjendet në një mbrëmje ku promovohen, vlerësohen dhe falënderohen publikisht individ, biznese, organizata të shoqërisë civile, të rinj, gra, ambientalist për kontributin e tyre.“Filantropia bashkëkohore shihet si strategji për të pasuruar kulturën e bamirësisë, me qëllim mobilizimin e drejtë të komuniteteve lokale, burimeve njerëzore e financiare. Të gjitha këto e krijojnë ekosistemin e vlerave të cilat i mbanë shoqëria jonë dhe të cilat “FIQ” kujdeset për t’i promovuar duke sjellë me afër njerëzit, institucionet dhe sektorët e zhvillimit në vend”, tha kryeministri Haradinaj.

I ftuar të ndajë çmimin “FIDES 2017” Post Mortum për kontributin në ndriçimin e historisë, kulturës dhe jetës së shqiptarëve nga Robert Elsie, albanologut kanadez i cili ndërroi jetë muajin e kaluar, kryeministri e ka cilësuar këtë si moment prekës për të.

“Është nder për mua si kryeministër, por edhe si shqiptar të nderoj me çmim një personalitet si Robert Elsie, i cili arriti ta njoh kombin tonë aq mirë dhe aq thellësisht. Robert Elsie, gjermano-kanadezi i cili iu përkushtua paraqitjes së tërësisë së artit, kulturës, fotografisë dhe historisë së shqiptarëve”, tha kryeministri Haradinaj,  duke theksuar se e admiron atë për vendin ku pushojnë eshtrat e tij në Thethin e bukur shqiptar.
Çmimin e ndarë nga kryeministri Haradinaj për Robert Elsie, e pranoi Artur Metani, mik dhe bashkëpunëtor i albanologut Elsie./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: ÇMIM ALBANOLOGUT KANADEZ, Haradinaj, Robert Elsie

ROBERT ELSIE,MIKU I DASHUR I SHQIPTARËVE

October 5, 2017 by dgreca

Robert-Elsie-1-640x504

ROBERT ELSIE – I SAKTI, I URTI, PUNETORI I MADH DHE MIKU I DASHUR I SHQIPTARËVE/2 Thanas-Gjika

-Kujtime nga Thanas L. Gjika/

Të hënë më 2 tetor 2017 vdiq Profesor Robert Elsie, albanologu më i shquar i ditëve tona në një spital të qytetit Bon të Gjermanisë, pasi ishte shtruar për t’u kuruar prej motor neuro disease. Kisha nja tre muaj që heshtja e tij dhe mospërmendja e emrit të tij në shtypin shqiptar, më ngjallte shqetësim. Më shkoi mendja të shkruaja disa kujtime për të dhe t’ia dërgoja si mirënjohje për gjithë atë punë që kishte bërë në disa fusha të albanologjisë. Mirëpo ditët shkonin njëra pas tjetrës duke u marrë sot me një gjë e nesër me diçka tjetër dhe, ja erdhi dita që më duhet t’i shkruaj, pa u konsultuar me të për disa saktësime datash dhe emrash.

Gjatë vizitës së tij të parë

Njohja ime me Robert Elsie-n ndodhi gjatë vitit 1977. Ai kishte ardhur pranë Akademisë së Shkencave për të bërë kërkime e studime lidhur me letërsinë tonë. Donte të mblidhte material për të hartuar një histori të letërsisë shqiptare anglisht, vepër e munguar. Nga ana e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë më ngarkuan mua ta shoqëroja për ta ndihmuar gjatë punës në Bibliotekën Kombëtare, Bibliotekën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe në Bibliotekën e Institutit tonë…

Më ra në sy kujtesa e tij e fortë, karakteri i tij i qetë, e folura pa nerv. Nuk qeshte me zë, por buzëqeshte heshturazi. Fliste shqip me një fjalor jo shumë të pasur, por i shqiptonte shumë saktë të gjitha zanoret dhe bashkëtingëlloret e gjuhës sonë dhe nuk mund ta dalloje se cila ishte gjuha e tij amëtare. Kisha vënë re se gjermanët, francezët, italianët edhe më shumë rusët e grekët e flisnin shqipen me thekse të ndryshme, që mund t’i dalloje shpejt se cila ishte gjuha e tyre amëtare. Roberti e fliste shqipen pa asnjë akcent gjuhësh të huaja. Kur e pyeta se si e shpjegonte këtë dukuri, më tha se ai ishte rritur në Vankuver të Kanadasë, ku flitej anglishtja, por kishte mësuar që herët gjermanishten dhe gjatë shkollimit frëngjishten, keltishten, italishten, sërbishten, etj. Më sqaroi se shqipen e kishte mësuar kryesisht në rrugë autodidakte dhe se ishte përqendruar në zotërimin e gjuhës letrare të njësuar dhe nuk i njihte ende dialektet. Më shprehu dëshirën se po t’i jepej një bursë mund të bëhej nja dy vjet student në Fakultetin Histori Filologji. Mirëpo kjo mundësi nuk iu dha. Më tej ai erdhi shpesh në Shqipëri dhe Kosovë. Në Prishtinë mori pjesë në Seminaret e gjuhës shqipe që organizonte çdo vit Fakulteti Filozofik gjatë muajve të verës.

Nga pamja e jashtme, nga sjellja shumë e kujdesshme, njohuritë e gjera kulturore, gjuhësore dhe letrare, mosshprehja e opinionit për të tjerët, buzëqeshja e tij disi e ngrirë, më krijuan idenë se ai mund të kishte origjinë hebraike. Mirëpo as gjatë takimeve të atyre ditëve dhe as gjatë takimeve dhe shoqërimeve të mëvonëshme, nuk e pyeta për origjinën e tij familjare. Ai nuk fliste kurrë për familjen e familjarët e tij. Mbante veshur pantallona dhe këmishë që nuk kishin nevojë t’i hekuroste, kurse sandalet i kishte prej një materiali plastik, që nuk kishte nevojë t’i bojatiste.

Një ditë, për të mësuar diçka rreth rinisë së tij, e pyeta:

– A e ke vizituar kryeqytetin e Kanadasë?

Ai m’u përgjigj: “Në brigjet kanadeze të Paqësorit, ka shumë njerëz që lindin, jetojnë, plaken e vdesin pa e parë Otavën, kryeqytetin e shtetit. Unë me katër shokë pasi mbaruam maturën blemë një makinë të re dhe një çadër. Udhëtuam për gjashtë ditë duke fjetur natën në çadrën tonë. Gjashtë ditë kur shkua dhe gjashtë ditë kur u kthyem. Kanadaja është fushë e pamasë. Iknim me orë të tëra dhe në horizont nuk shihnim tjetër vetëm fusha me grurë. Kishim përpara fusha pa fund, horizont i njëjtë, platacione me grurë, herë pak të tatëpjeta e herë pak të përpjeta. Ishte një monotoni. Tani rrugët janë sistemuar më mirë dhe automjetet janë shumë më të shpejtë…

Ne kishim mbledhur jo shumë pare nga punët që kishim bërë gjatë kohës së shkollës, prandaj nuk mund të flinim nëpër hotele. Në hotel fjetëm vetëm në Otava. Shumicën e ushqimeve i blinim gjysëm të gatshme dhe i hanim pa i gatuar”.

Mua nuk m’u durua dhe e pyeta: – Po prindërit, nga ana e tyre nuk ju dhanë para?

– Mbas viteve 1950-1955, më sqaroi ai, mirëqenia e popullit kanadez ishte rritur dhe midis të rinjve u krijua një psikologji sipas së cilës, marrja e ndihmave prej prindërve ishte turp. Sejcili kishte mundësi, që me punën e vet të krijonte të ardhura të mjaftueshme për të jetuar e studiuar si të donte vetë, pra ishim të pavarur nga prindërit.

Jeta disi e ndarë nga bota atje në Vankuverin e largët më nxiti të synoj për të ardhur e jetuar në Europë. Që në fëmijëri më ishte ngulur ideja se Europa ishte pjesa më e mirë e botës.

Kur shkuam tek Biblioteka e Lidhjes së Shkrimtarëve, Flutura Greva shefja e bibliotekës, e sqaroi mikun se shkrimtarët, anëtarë të Lidhjes, sipas rregullit kishin depozituar sejcili nga një biografi të shkurtër mbi jetën dhe listën e botimeve të tyre. Roberti ia kërkoi dhe pasi pa disa, iu lut që t’i merrte me vete për të mbajtur shënime. Meqenëse Lidhja nuk kishte makinë kopjimi (kseroks), Flutura ia dha dhe ai i kopjoi mbrëmjeve në hotel dhe paraditeve kur punonte në Bibliotekën Kombëtare.

Kishte një shkrim të vogël, si shkaravitje. Shkruante me dorën e majtë, gjë që më bëri përshtypje, sepse tek ne nuk lejohej të shkruaje me dorën e majtë. Mu kujtua fëmijëria ime, kur isha në klasën e parë. Zonjushja ime, kur më pa se shkruaja me dorën e majtë, më detyroi që të mësoja të shkruaj me dorën e djathtë. Më dha detyrë të mbushja me shkrimin e dorës së djathtë faqe të rëra me gërmat a, A, b, B dhe c, C që kishim bërë deri atëhere…

Në vitet 1970-1980 tek ne nuk kishin hyrë kompjuterat, kurse Roberti punonte në shtëpinë e vet në Gjermani në një kompjuter të vogël. Kjo ia shtonte atij shpejtësinë dhe saktësinë e punës. Gjatë vizitave të para, ai nuk e përmendi faktin se punonte në kompjuter, ndoshta nuk donte të na lëndonte për varfërinë tonë.

Duke pirë kafe një ditë e pyeta:- Si të lindi ideja të merresh me letërsinë shqipe, letërsi e një populli të vogël dhe që është zhvilluar në një gjuhë të vështirë? Me gjuhët që dije, ti mund të studjoje letërsi më të mëdha dhe mund të arrije suksese pa u lodhur të mësoje shqipen e vështirë.

Roberti, më sqaroi:– “Në Europën Perëndimore është vështirë të gjesh tema studimi në fusha si historitë e letërsive dhe historitë kombëtare të popujve. Janë kryer aq shumë studime, sa që studjuesit e kanë vështirë të gjejnë tema studimi. Historia e letërsisë shqipe është një vepër e munguar në anglisht, prandaj mendova se ia vlente mundimi për të mësuar këtë gjuhë me anën e së cilës do të kapja një temë studimi që intereson shkencën dhe kulturën europiane. 

Letërsia shqipe, është letërsi e pasur. Ka shumë popuj në Europë, që janë më të mëdhenj se populli shqiptar, si psh populli hollandez, por ky nuk ka letërsi të pasur si ka populli shqiptar. Populli shqiptar është popull që ka probleme dhe një popull që ka probleme e lëvron letërsinë shumë më tepër se popujt që nuk kanë probleme. Hollandezët janë marrë e merren me pikturë. Kosova zjen, prandaj atje lulëzon poezia”. 

Gjatë vizitave të mëvonshme

Pas vizitës së parë, Roberti erdhi shumë herë të tjera në Shqipëri. Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë më vuri sërisht ta shoqëroja e ndihmoja deri në vitin 1996, kur unë fitova lotarinë amerikane dhe u largova nga Shqipëria.

Ndoshta ishte mars -prill i vitit 1978, mbaj mend se ishte si shoqërues edhe Fatos Beja, punonjës tjetër i Institutit. Pasi vizituam Pazarin dhe Kalanë e Krujës, Roberti hapi bisedën për Bektashizmin. Pyeti nëse kishim parë ndonjë baba teqeje i cili gjatë kërcimit ritual fuste një thikë ose një shtizë nëpër bullçijtë e tij. Unë i thashë se kisha dëgjuar, por nuk kisha parë gjë të tillë. Fatosi i tha se kishte parë një ritual të tillë në një teqe në Gjinokastër kur ishte 14 ose 15-vjeçar.

Kur zbritëm në Fushë Krujë, para se të vijonim rrugën për Tiranë, Roberti kërkoi të ndalonim tek ish Teqeja e bektashinjve. Pyetëm dhe na treguan ku ndodhej. Prej kohësh ajo ishte kthyer në ambjent të një ndërmarrjeje prodhimi. Nuk mbaj mend se si quhej dhe çfarë prodhonte ajo ndërmarrje. Tek hyrja, në të majtë të portës së madhe ishte një pllakë e gurtë e thyer. Gjysma e saj qëndronte në mur brenda një kornize të krijuar nga gurë të skalitur pjesë përbërëse e murit, kurse pjesa tjetër ishte e rrëzuar në tokë, e thyer në disa copa. Në këtë pllakë jepeshin të dhëna në arabisht për atë teqe.

Roberti u afrua dhe u gëzua kur pa se shkronjat ishin të lexueshme. E fotografoi. Pastaj mblodhi copat që ishin për tokë, i afroi, i sistemoi sipas shkrimit dhe e fotografoi dhe atë pjesë.

Pastaj tha se kishte ndjekur një kurs për të mësuar alfabetin e arabishtes dhe se dinte shumë fjalë të asaj gjuhe, gjë që nuk e kishte thënë më parë. Modestia nuk e linte të mburrej e të përmendëte gjuhët që dinte, studimet që kishte kryer, artikujt që kishte botuar, dhe as plane për të ardhmen.

Të nesërmen kërkoi të vizitonte Varrin e Naim Frashërit që ndodhej tek ish Teqeja e KryeGjyshit Botëror. Në vitin 1937, me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë, Mbreti Ahmet Zogu u interesua dhe i solli nga Stambolli eshtrat e Naim Frashërit, autorit të poemës Qerbelaja, një nga poemat më të shquara të Bektashizmit. Ky institucion, pas vitit 1967 ishte kthyer në azil për pleq, kurse KryeGjyshin Botëror, Baba Dedejn, nuk dihej ku e kishin degdisur. Kjo qendër dikur aq e rëndësishme për besimin Bektashi ndodhej në anën lindore të Tiranës mbi vargun e kodrave. Jo larg saj u ndërtuan Uzina Traktori dhe Kombinati Poligrafik.

Shkuam atje, takuam drejtoreshën e azilit e cila na shpuri tek vendi ku ishte Varri i Naimit. Ajo dhe pleqtë azilantë na thanë se aty preheshin eshtrat e poetit, por në shtypin e vitit 1950 ishte shkruar se eshtrat e Naim Frashërit u shpërngulën dhe ishin rivarrosur anës bulevardit kryesor, pranë godinës së Komitetit Qendror të PPSH.

Më 1940, me rastin e 40-vjetorit të vdekjes së poetit kombëtar, Varri i Naimit te Kryeqendra e Bektashizmit Botëror ishte rindërtuar si dhuratë e Fancesko Jakomonit. Ishte vërtet madhështor. Qeveria komuniste ia kishte dëmtuar madhështinë, por ende dukej që kishte qenë një objekt monumental i rëndësishëm. Roberti nxori aparatin dhe bëri disa fotografi. Duke u kthyer në Tiranë më tha:

– Ky varr nuk e ka vendin këtu, të paktën duhej të ishte tek oborri i Lidhjes së Shkrimtarëve.

Mirëpo të dy kryetarët e Lidhjes së Shkrimtarëve, as ish kryetari i parë, Dhimitër Shuteriqi njeri me kulturë; dhe as Dritëro Agolli, kryetari aktual i kësaj lidhjeje, ndoshta e dinin ku e kishte vendin Varri i Naimit, por nuk besoj se kishin bërë një vizitë atje për të bërë homazhe me një tufë lulesh.

Sot, indiferenca e tyre e asaj kohe, më kujton faktin se si po këta njerëz të letrave nuk shpunë një tufë me lule gjatë viteve të tranzicionit te memoriali i Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit, dy poetëve martirë të diktaturës komuniste në Librazhd…

Duhej të vinte albanologu Robert Elsie që të sugjeronte një vend më të përshtatshëm për varrin e poetit tonë kombëtar. Ndoshta mendimi i tij ndikoi, sepse pak kohë më vonë u krijua tek Kodra e Universitetit vendi memorial i Vëllezërve Frashëri. Aty u vendosën eshtrat e Naimit e të Abdylit, dhe bustet e tyre bashkë me bustin e Samiut, eshtrat e të cilit nuk i dha e as i jep, qeveria turke, me preteksin se Sami Frashëri i përket kulturës dhe shkencës osmane.

Ciganët, janë analfabetë në Shqipëri si në gjithë Europën.

Gjatë një vizite tjetër Roberti këroi të vizitonte Shkodrën, Bibliotekën e Shtetit dhe Institutin e Lartë, sot Universiteti “Luigj Gurakuqi”. Takoi dhe bisedoi me disa pedagogë, midis të cilëve pati interes për prof. Jup Kastratin, bibliografin e mirënjohur. Mbasdite, para se të niseshim për t’u kthyer, më kërkoi ta shpija tek ish Kisha e Madhe, e cila që nga viti 1967 ishte kthyer në pallat sporti. Brenda saj dëgjohej zhurmë e madhe, bërtitje tifozësh. Po luanin basketboll dy skuadra. Roberti, nxori aparatin fotografik, hyri dhe bëri disa foto.

Gjatë kthimit për Tiranë, aty afër Mamurrasit, pranë një përroi pamë një grup ciganesh pranë çadrave të tyre.

– Ata njerëz janë analfabetë edhe në Shqipëri si në gjithë Europën, tha Roberti.

  • Duke dashur t’i mburresha i thashë se në Shqipëri shkolla 8-vjeçare është e detyrueshme për gjithë fëmijët dhe ciganët nuk ka si të jenë analfabetë.
      • – Në Europë mund të ketë analfabetë, por tek ne, nuk ka, shtova unë.
    • Roberti tha:
        • – Nuk beson? Po deshe shkojmë t’i pyesim. 
      • I thashë shoferit ta ndalte makinën dhe zbritëm. Mora një libër në dorë dhe iu afruam një grupi me vjaza ku midis tyre ishte një 15-vjeçare. Iu afruam dhe më dhe duke i treguar librin, iu luta të lexonte titullin e librit. Ajo qeshi dhe tha:
        • – Po ku di unë të lexoj.
        • – Si nuk di, ti a e ke mbaruar shkollën 8-vjeçare? Gati i bërtita.
  • – Shkollën e kam mbaruar, po nuk kam bërë kurrë detyra me shkrim, nuk kam zënë libër me dorë. Kam mësuar vetëm ato që kam dëgjuar nga shpjegimi dhe më kanë kaluar nga një klasë në tjetrën. As motrat, as shoqet dhe as vëllezërit e mij, as mamaja e as babi nuk dijnë të lexojnë e të shkruajnë.
    • Më e pabesueshme ishte kur i thashë nënës së saj, një grua e re nja 35 vjeçe të afrohej e të lexonte fjalët PARTI – POPULL – ENVER, që ishin shkruar me shkronja të mëdha me gurë të lyer me gëlqere të bardhë te faqja e një kodre përballë. Edhe ajo tha se nuk i njihte shkronjat e nuk dinte ta lexonte.
    • – Mos ngul këmbë, më tha Roberti, ky popull nga që nuk e shkruan gjuhën e vet, nuk përpiqet të mësojë si të shkruajë e lexojë gjuhën e vendit ku jeton. Kjo është dukuri e ciganëve në mbarë Europën.

Unë punoj vetëm disa ditë në muaj

Kisha vënë re se Roberti nuk ishte person i pasur, se bënte një jetë modeste, por që kuptpoet, dallonte shumë nga jeta tepër e varfër e ne studiuesve shqiptarë. Një ditë guxova dhe e pyeta se ku jetonte dhe ku punonte për të siguruar të ardhurat e nevojshme për jetën.

– Unë jetoj në një fshat të vogël pranë Bonn-it. Atje nuk kam shokë intelektualë, bëj jetë të shkëputur nga banorët. Jam studjues i lirë. Lexoj e shkruaj ç’ të dua. Eshtë një komshie plakë e cila më afrohet e më bën nga njëherë muhabet. 

Për të më shuar kuriozitetin se ku punonte dhe si i siguronte të ardhurat, shtoi:

– Unë nuk jam i punësuar në asnjë institucion shkencor, por për të sigurar të ardhurat e nevojshme për jetesën, punoj si përkthyes për qeverinë gjermane, ose ndonjë gjykatë, sa herë ato kanë nevojë. Një ditë pune në këto raste paguhet 1.000 (njëmijë) marka gjermane. Me katër ditë pune të tilla unë plotësoj nevojat e mia për gjithë muajin, madje kursej dhe disa marka për udhëtimet.

Pra ky studiues ishte krejt i pavarrur, i pavarrur në zgjedhjen e temave të studimit, i pavarrur dhe nga disiplina e një rrogëtari. Ndoshta kjo pavarësi i krijonte ndonjëherë vështirësi ekonomike, sepse po të mos e kërkonin si përkthyes, ai nuk kishte si jetonte. Një jetë e tillë ishte krejt e pakuptueshme për ne punonjësit e instututeve shkencore shtetërore, të cilëve temat e studimit dhe të ardhurat ekonomike na i caktonte drejtoria e institutit. 

Shqipëria e ka të tashmen të zezë, por të ardhmen të mbekullueshme 

Gjatë vitit 1992 Roberti erdhi dy hetë. Herën e parë në verë e pastaj në nëntor. E pyeta për emigrantët tanë në Gjermani. Më tha se kishin ambicie, se përpiqeshin të mësonin gjermanishten dhe shumë prej tyre kishin filluar punë. Pastaj shtoi: – Ty nuk të shau e nuk të kritikoi asnjë prej tyre.

Kuptova se emigrantët tanë i kishin marrë në pyetje për të dhënë opionin e tyre për njerëzit që njihnin, ose për njerëz që interesohej shteti gjerman.

I thashë se jeta jonë në Shqipëri ishte vështirësuar shumë ekonomikisht dhe po të hapeshin edhe një herë ambasadat, do ikja edhe unë me familjen.

– Mos u ngut, më tha, rri, sepse në Gjermani mendohet që Shqipëria e ka të tashmen të zezë, por të ardhmen, pas 20 vjetësh, të mbrekullueshme.

Mirëpo një e ardhme e tillë pas 20 vjetësh, ishte menduar sepse në Gjermani kujtonin se shqiptarët do të ecnin sipas rrugës gjermane, pra do ta dënonin krimin komunist dhe do t’i futeshin punës me ndershmëri e seriozitet si gjernmanët.

Mirëpo pas dy vjetësh, pra më 1994, duke parë korrupsionin dhe mungesën e dëshirës te pushtetarët shqiptarë për krijimin e shtetit ligjor, po në Gjermani, më tha Roberti, u krijua opinioni i kundërt, sipas të cilit Shqipëria ishte kthyer në një kazan plehrash.

Në nëntor të vcitit 1992 u zhvillua një takim shkencor me rastin e 20-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit. U diskutua problemi nëse gjuha letrare me bazë toskërishten e kishte kryer deri atëhere detyrën e saj, apo duhej ndërruar baza e saj me gegërishten.

Gruaja ime, Julia, më tha që t’i ftonim për drekë disa studiues nga Kosova dhe Robert Elsie-n. Kështu gjatë drekës Roberti dhe profesorët Sadri Fetiu, Agim Vinca, Abdullah Zymberi u njohën me Julian, vajzën dhe djalin tonë dhe me nënën time. Studiuesit kosovarë flisnin lirshëm, kurse Roberti dëgjonte.

Kur ikën, Julia tha: “Roberti nusëroi si nuse e bukur, si nuk foli fare.”

Robert Elsie ishte ateist

Në vitin 1992 në Shqipëri u lejua rihapja e institucioneve fetare. Erdhën fetarë protestantë ku bënin pjesë dhe misionarët e kishës Advendiste të ditës së shtunë, besim që nëna jonë e kishte përqafuar që në vitet 1935-1936. Ajo filloi të shkonte rregullisht në takimet e së shtunave, që oranizoheshin në salla të ndryshme që merreshin me qira. Vëllai im i madh dhe unë që jetonim në Tiranë filluam ta shoqëronim nënën në këto takime. Predikimet mbaheshin anglisht prej misionarëve të huaj dhe përktheheshin shqip prej disa djemve e vajzave të reja. Ne na interesonte ushtrimi i veshit në anglisht, gjuha që mori përhapje të shpejtë tek ne pas shkërmoqjes së diktaturës komuniste. E shtuna ishte shpallur ditë pushimi bashkë me të djelën, kështu që kishim mundësi të kalonin disa orë në ato salla predikimi.

Një të shtunë gjatë vitit 1994, kur po kthehesha nga një ceremoni e tillë predikimi, takova Robertin pranë Hotel Tiranës. Pasi mori vesh se unë vija të shtunave dhe dëgjoja predikimet fetare, më tha:

– Mos i merr seriozisht predikimet fetare, se mund të të shpëlajnë trutë dhe nuk do çash më kokën për shkencë. Unë nga ana ime jam ateist, por po të më duhej të përqafoja një besim fetar, do të përqafoja Budizmin, e mbylli ai bisedën.

History of Albanian Literature / Histori e letërsisë shqiptare

Në vitin 1995 Robert Elsie e kurorëzoi punën e tij për hartimin e historisë së letërsisë shqiptare. Atë vit ai e solli veprën e tij anglisht në dy vëllime, botim i COLUMBIA UNIVERSITY PRESS, USA.

Mu bë shumë qejfi, kur autori më dhuroi një kopje të saj. Unë sa kisha mbaruar së studiuari një metodë të anglishtes me 52 mësime, sepse po përgatitesha për lotarinë amerikane.

Vepra më mahniti me informacionin e madh mbi shkrimtarët shqiptarë të të gjitha kohëve dhe të të gjitha teritorreve, me fotografitë e shumta, shumë prej të cilave ishin të panjohura për ne studjuesit e institutit. E ndjeva për detyrë që kësaj dhurate t’i përgjigjesha me një recension. Duke qenë se e njihja lëndën, m’u krijua ideja se kisha ecur mirë në anglisht. Recensioni u botua së pari te gazeta “Rilindja” e Prishtinës, e cila për shkak të përndjekjes në Kosovë, botohej në Tiranë. Një variant më të plotë e dorëzova në revistën shkencore të Institutit “Studime Filologjike” e cila delte tashmë vetëm dy herë në vit dhe me shumë vonesë. Numëri 2 i vitit 1995, ku u caktua të botohej recensioni, nuk ariti të delte nga shtypi as në fillim të korrikut 1996, kur unë me familjen u largova për SHBA.

Miqësinë e vijuam edhe pas vendosjes sime në Amerikë. Më 1998 më dërgoi veprën “Histori e Letërsisë Shqiptare” përkthyer shqip prej Abdurrahim Myftiut, botim i shtëpisë DUKAGJINI Tiranë – Pejë 1997.

Pasi e falenderova, i shkrova se fabrika ku punoja në turnin e tretë u mbyll dhe kisha filluar të punoja si pjatalarës në një restorant. Moszotërimi i anglishtes në nivel të lartë po më pengonte për t’u punësuar në ndonjë punë intelektuale. Roberti m’u përgjigj me të qeshur:

– Mos u mërzit, shumë emigrantë në Amerikë, që punojnë pjatalarës, bëhen shpejt a vonë pasanikë.

Herë pas here këmbenim e-maile, por fatkeqësisht ato që u shkruan në kompjuterin e vjetër, nuk i ruajta. Për herë të fundit e takova në Tiranë gjatë vizitës që bëra më 2008. Unë dhe historiani Iliaz Gogaj po ecnim në rrugë pranë shkollës Sami Frashëri. Roberti na doli para papritur. Pasi u përshëndetëm, Iliazi nxori nga çanta një kopje të librit që kishte botuar atë vit dhe filloi të shkruante dedikimin për t’ia dhuruar Robertit.

Të gjithë studiuesit shqiptarë të fushave humane e deshin dhe e respektonin shumë këtë albanolog dhe i dhuronin me qejf librat e tyre. Madje unë, më 1994 i pata dhuruar dhe një punim në bakër në formë disku, basorelev me temë Gjergj Elez Alia e Bajlozi, vepër e artistit Tirana.

Duke dashur të bëja shaka, i thashë Iliazit:

– Iliaz, ne e duam dhe i dhurojmë libra Robertit, por atij i japin aq shumë libra sa nuk ka mundësi t’i lexojë.

Roberti nuk ma mori për keq dhe nuk reagoi me ndonjë thumb. Ndoshta e kuptoi që më kishte mbetur qejfi për dërgimin e librit tim “Kur dhe ku u shkrua Dhiata e Re” MEDAUR Tiranë 20107, të cilin ia kisha dërguar një vit më parë duke iu lutur që ta dorëzonte në Tybingen University, ku kishte specialistë që mund të më ndihmonin për ta bërë problem të shkencës europiane çështjen e vizitave të Shën Palit në territoret ilire, gjë që unë e kisha trajtuar me shumë argumente në atë studim.

– Me të vërtet kohën e kam shumë të pakët, e mori fjalën miku ynë. Nga librat që më dhurohen lexoj vetëm ndonjë që lidhet drejtpërdrejt me synimet e mia. Po më shtohen shumë punët. Më duket se nuk do t’i botoj dot gjithë ato studime që synoj të hartoj.

Letrën e fundit ia dërgova me e-mail më 29 shkurt 2016, ora 10:17 AM . Iu luta që të shkruante kujtimet e tij për Profesor Eqrem Çabejn. E sqaroja se kisha idenë që të shkruheshin kujtime prej atyre që e kishin njohur nga afër, sidomos prej kolegëve shqiptarë të Shqipërisë dhe Kosovës. Ia vlente të përgatitej një libër me kujtime për këtë personalitet të shquar të shkencës shqiptare.

Roberti m’u përgjigj që atë mbrëmje, ora 11:16 (këtu ora 5:16 AM e datës 1 mars). Më falenderonte për letrën, më uronte për idenë, por më sqaronte se ishte shumë i zënë me projete të ndryshme dhe konkretisht profesorin e kishte takuar vetëm një herë. Disa muaj para se profesori të largohej nga jeta, në një takim me shkencëtarë gjermanë në Universitetin e Bonn-it, por që nuk i kujtoheshin hollësira. Më uronte që kjo vepër të kryehej me sukses dhe sugjeronte që të përkthehej dhe në anglisht…

Po i mbyll këto kujtime duke shprehur pakënaqësinë time ndaj Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe instituteve shkencore të saj, sepse kam vënë re se këtë albanolog të shquar, që na solli aq shumë materiale të panjohur dhe studime të shumtë e të shumanshëm, e ka vlerësuar më shumë Akademia dhe institucionet shkencore të Kosovës se sa ato të Shqipërisë. Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, nuk është trajtuar jeta dhe ndihmesa e tij e shquar në albanologji. Kam frikë se kjo akademi nuk do të interesohet për të sjellë në Shqipëri krahas eshtrave të tij dhe gjithë bibliotekën e tij, dhe fondin e letrave, fotografive dhe të shkrimeve të tij të pabotuara…

Mezi pres të shkoj në Tiranë e të vendos një tufë lulesh te varri i këtij studiuesi, i cili me jetën dhe veprën tij u shqua për saktësi, urtësi, punë të madhe dhe dashuri ndaj popullit tonë.

I përjetshëm qoftë kujtimi i studiuesit Robert Elsie-t!

Filed Under: Politike Tagged With: i shqiptareve, MIKU I DASHUR, Robert Elsie, Thanks L. Gjika

Robert Elsie, një prej korifejve dashamirës të popullit shqiptar

October 4, 2017 by dgreca

Amaneti i tij i fundit: “Më varrosni ose në Shqipëri ose në Kosovë”!/

NGA MAL BERISHA/

Të dielën, papritmas ndërroi jetë njëri prej njerëzve më të dashur të popullit shqiptar, studiuesi dhe historiani i kulturës tonë, Profesor Robert Elsie. Ai ka sjellë në vëmendjen e lexuesve në gjuhën angleze dhe gjermane materiale të shkruara nga njerëzit më të shquar të botës, për në shqiptarët. Puna e tij ka filluar që në vitin 1975.
Robert Elsie do të meritonte një nekrologji ku t’i thuheshin ato që ka bërë për ne shqiptarët. Por në vend të saj, më mirë se kushdo flet uebfaqja e tij në internet aty ku çdo shqiptar dhe i huaj do të gjejë materiale me vlera të jashtëzakonëshme.
Interesi i këtij studjuesi për disa dekada ka qenë kultura, letërsia dhe historia shqiptare. Shumica e botimeve të tij janë pikërisht nga këto fusha. Çdo material i tij është i vendosur në faqen e tij të internetit dhe i përkushtohet fushave të veçanta të historisë, gjuhës, letërsisë dhe fotografisë së hershme.
Tek “Arti shqiptar” ai ia ka kushtuar punën e tij artit në Shqipëri në kuptimin më të gjerë të fjalës përfshirë përpjekjet e artistëve shqiptarë që në fillimet e veta si dhe punëve të artistëve të huaj të lidhur me Shqipërinë e shqiptarët. Ajo paraqet historinë gjithëpërfshirëse të artit shqiptar dhe tregon aspekte dhe fenomene që janë me interes për vëzhguesin e huaj dhe në shqiptarët po ashtu.
Në “Tekste dhe dokumente të historisë shqiptare” gjëndet një përmbledhje e teksteve që hedhin dritë mbi vendin tonë dhe që siç thotë autori, “shpesh injorohet nga historianët dhe dijetarët”. Ato nuk janë hartuar si një Histori e Shqipërisë apo e shqiptarëve, por janë dhënë si një përmbledhje kronologjike e teksteve historike të rëndësive të ndryshme që nga shekulli i XI – të deri në shekullin XXI, shumica prej të cilave të papërkthyera më parë.

“Gjuha shqipe” e studjuar nga Robert Elsie është e lidhur më rregjistrime në audio për të folmen tonë. Tek “Dialektet Shqiptare” ne mund të dëgjojmë të folmen dialektale rajonale të shqipes dhe mënyra sesi flitet gjuha shqipe në pjesë dhe krahina të ndryshme të botës shqipfolëse.
“Letërsia Shqiptare në Përkthim” përmban përzgjedhjen më të madhe të letërsisë tonë që është paraqitur ndonjëherë e përkthyer në gjuhën angleze. Ajo përfshin një gamë të gjerë autorësh nga e kaluara dhe e tashmja dhe përfshin shkrimtarë nga Shqipëria, Kosova dhe Diaspora Shqiptare. Ka prej tyre që janë publikuar, por shumica paraqiten para lexuesit për herë të parë.
Në “Fotografi të hershme në Shqipëri” Rebert Elsie paraqet koleksione të hershme të fotografive të Shqipërisë dhe shqiptarëve, kryesisht nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe në fillim të shekullit të njëzetë, e cila, në fakt ofron pamje të mrekullueshme të së kaluarës së popullit shqiptar.
Vdekja e tij është një humbje e madhe për kulturën dhe historinë e vendit tonë. Se sa e donte ai popullin shqiptar, më mirë se çdo gjë flet amaneti tij i fundit.
Ky nuk është rasti i parë. Edhe Harry Hodgkinson gazetar dhe shkrimtar famshëm anglez, mik i shqiptarëve, para vdekjes në vitin 1994 la amanet: “Të varrosej me arkivolin e mbuluar me flamurin shqiptar”.
Jam tejet i prekur nga vdekja Robert Elsit miqësinë me të cilin e kam konsideruar si gjërat më të veçanta të jetës time. Në takimin e fundit me të në Londër, qershor 2015 ai nuk mund të largohej pa bërë një fotografi tek busti I Skënderbut. Ai mban Medaljen e Mirënjohes akorduar nga Presidenti I Republikës së Shqpirëise z Bujar Nishani në vitin 2013.
U preftë në Paqë!

Filed Under: Opinion Tagged With: dashamires i populist shqiptar, korife, Mal Berisha, Robert Elsie

ROBERT ELSIE, BIRI SHPIRTEROR I SHQIPERISE…

October 2, 2017 by dgreca

1-Visar

NGA VISAR ZHITI-WASHINGTON/

1 robert-Elsie

Shuarja e albanalogut më të madh në botë sot, Robert Elsie, është një humbje e madhe për kulturën shqiptare, për historinë dhe për vlerat shekullore te saj, per antropologjinë, gjuhën e përkthimin, per studimet letrare e letersine, per kritikën letrare, per për fotografinë historike, etj, etj. Robert Elsie është poliedrik, i shumëplanshëm, hulumtues pasionant, zbulues i rëndësishëm, me një Shqiperi ideale që e deshi shumë e i kushtoi jetën.
Robert Elsie guxonte si një intelektual i lartë, Ai e mbrojti Shqipërinë në botë, “Çështjen Shqiptare” dhe e bashkoi në veprën e Tij me Kosovën dhe Çamërinë, pa u terhequr nga kërcënimet ballkanike e mosmirenjohja dhe i dha zë Shqipërisë, të flasë anglishten e Tij.
Ai dukej sikur e deshi çdo shqiptar dhe bëri për ta, i mbeshteti kudo, deri dhe në Tribunalin e Hages, botoi antologji shqiptare, folklor,  poetë nga të gjitha trevat, tregime,romane, nga letërsia jonë e ndaluar e shkrimtarët e burgosur, studime, albume, guida, etj, etj, deri dhe te botimi i “Lahutës së Malcisë” së Fishtës në anglisht, një kryepunë duke arritur kështu, siç thotë dhe vetë, të përplotësonte eposin europian. Kështu bëri dhe me Kanunin e lashtë të shqiptarëve, të Lek Dukagjinit.
Pelegrin i tempujve të Shqiperisë, shtegtar i maleve tona, adhurues i bregdetit, qytetar i Tiranës, mik i mrekullueshëm me ne. Mungesën e Tij të dhimbëshme e mbush vepra e Tij e madhe, sa enciklopedike, po aq dhe
akademi e shkollë, rilindase dhe moderne, e qendrueshme dhe frymëzuese per vazhdimësi. Është nder që Shqiperia ta shpallë bir të vetin dhe ta mbajë si të tillë.

Filed Under: ESSE Tagged With: BIRI SHPIRTEROR I SHQIPERISE..., Robert Elsie, Visar Zhiti

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SEJDI DIDA – INTELEKTUALI QË I DHA HASIT ARSIM, KULTURË DHE IDENTITET
  • Kur SHBA flet për Kosovën pa folur me Qeverinë
  • Banaliteti i së keqes…
  • Në Kishën e Shën Tomës në New York u mbajt meshë falënderimi në nderim të Ambasadorit Frank G. Wisner II
  • SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO AMERIKANË DHE ALEANCA SHQIPTARE NJU XHERSI (NEW JERSEY)
  • JAVË E SUKSESEVE TË LIGËS QYTETARE SHQIPTARO-AMERIKANE NË WASHINGTON
  • Angjelin Preljocaj, Odiseja e baletmaestrit që iku nga Vërmoshi në barkun e nënës, për të qenë sot pjesë e Akademisë Franceze të Arteve të Bukura
  • Shoqata “Gjergj Kastrioti”, mërgata shqiptare në Zvicër në promovim të veprës së heroit tonë kombëtar
  • Presidentja Osmani përkujton përvjetorin e Masakrës në burgun e Dubravës
  • Refuzimi i mbrojtjes në liri të të akuzuarve në Hagë, shkelje e të drejtave të njeriut
  • Të përdorur dhe të flakur…
  • 52 vite nga Kryengritja e Spaçit
  • Vendosja e Komandës së Trupave Amerikane në Kosovë, pikë kthese strategjike për sigurinë rajonale dhe integrimin Euro-Atlantik
  • Përkujtojmë sot juristin, filozofin dhe përkthyesin Abdulla Rami (20 maj 1908 – 29 janar 1973)
  • “Bekime dhe Mallkime” prezantohet në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Nju Jork

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT