• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DITËLINDJA E MUNGUAR

July 2, 2017 by dgreca

1 Shefqet dhe Bukurie DobraNga Shefqet Dobra/ 20-06-2017. Në këtë ditë, ti Bukuri do të mbushje 68- vjeç, por, më tepër, për fatin tim të keq, ti nuk e arrite këtë ditë, dhe unë në vend që ta festoj këtë ditë më ty, do të kujtoj vitet kur ne i festonim bashkë ditëlindjet. Kisha shkruar diçka për mungesën tënde në këtë ditë, por momenti është ai që të bën të ndryshosh të gjitha planet dhe mendimet që ke; momenti është ai që të ndryshon edhe jetën; për më mirë a për më keq. Ja si më ndodhi që ta fshija tërë atë që kisha shkruar: gjithë natën thuajse nuk fjeta, duke menduar që ti, të nesërmen, në ditën kur duhej të gëzonim së bashku, do të mungoje. Unë nuk do të uroja si herët e tjera…

Në mëngjes nuk ndihesha mirë. U ngrita. Do të shkoja të laja sytë, kur m’u dëgjua sikur ti në kuzhinë përplase lugën në tenxhere. Instinktivisht, ndërrova drejtim, erdha të të shikoja çfarë po gatuaje, dhe me mendjen që kur të më ndjeje, do të më thoshe si herët e tjera:

  • Hë, se më trembe, ç’më vjen si hije!

Po kur u ndodha në derë të kuzhinës, aty mbretëronte qetësia. U hutova dhe mbeta si i ngrirë në derë. Ti nuk ishe aty. Po ç’ishte kjo që dëgjova? A mos erdhe ti të më kujtosh sot në ditëlindjen tënde.  Unë vërtetë jam harraq, nuk i mbaj mend ditëlindjet si ti, por tënden nuk e harroj kurrë. Është e para ditëlindje që nuk ta urova dhe kurrë nuk do të ta uroj dot më. Kjo është dita që gjithnjë do ta ndjejë mungesën tënde; gjithnjë kjo datë, mua do më shkaktojë tronditje të forta psikologjike, dhimbje të madhe në shpirt, por, mos e dhëntë Zoti, të më ndodhë si sot. Kush mund ta besojë si u ndjeva unë, që shqisa e dëgjimit më zhgënjeu. Kjo është dita, kur 68 vjet më parë, Zoti të kishte planifikuar të ishe shoqja e jetës time, e kënaqësive dhe më tepër e vuajtjeve të pafundme.  Ishe ti ajo që sakrifikove aq shumë për mua, e që nuk u ankove kurrë. Ditëlindjet tona i kemi festuar të gëzuar së bashku, i kemi festuar edhe të ndarë e me lot në sy – unë në Spaç e Qafë-Bar, ti në baltrat e Tërbufit – punoje me lopatë për të ushqyer fëmijët, por atëherë jetonim me shpresën se një ditë do takoheshim përsëri e do t’i festonim përsëri së bashku. Kjo shpresë na bënte të fortë, kurse kësaj radhe, kjo ndarje nuk na jep shpresë për t’u takuar edhe njëherë.

Këtë ditë do ta kishim festuar të gjithë bashkë, por fati deshi që kësaj here ne të mos uronim për jetë më të gjatë e më të lumtur, por unë do të lutem për ty, do t’i lutem Zotit me dhimbje në shpirt për vuajtjet që kalove këtu. Besoj se Zoti të ka rezervuar Xhenetin, sepse Ti e meriton, sepse kurrë nuk e prishje gojën e nuk mallkove askënd.

Unë agjërova gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit. Ti vitet e fundit nuk agjëroje se ishe sëmurë, por ngriheshe për të më shërbyer, më bëje kafen… Këtë Ramazan isha vetëm… I kam kënduar shpesh ato ajete që thuhet se janë për këto raste. Ta kam çu selamin; nuk di në i ke marrë a jo, sepse prej atje, nuk kanë ardhur kurrë përgjigje për këto punë, por unë besoj në Zot, besoj se selami të ka ardhur; lutjet që kam bërë për ty, Zoti do t’i ketë pranuar. Këto i kam bërë edhe për nënën, edhe për Lindën tonë të dashur, që ti tani u vajte afër. E lashë të pres edhe ditën e Bajramit e pastaj ta publikoja shkrimin. Edhe para një viti nuk e festuam dot se ti ishe në spital por, atje ta urova. Edhe 50-vjetorin e martesës nuk e festuam dot se përsëri ti ishe në spital. Kurrë nuk do më hiqet nga mendja 6-të nëntori kur ishim te varrezat në Lushnje; ishte hera e parë pas 22 vjetësh, që ti nuk qave te varri i Lindës tënde. As premtimin që më kërkove dhe që ta premtova nuk do ta harroj, po nuk e mbajta dot fjalën që të premtova, se unë nuk jam i fortë sa ishe ti; për këtë kërkoj të më falësh sepse unë do mundohem, do të gjej forca për ta mbajtur premtimin që të dhashë.

Ç’zemër të madhe që kishe moj Bukuri! Në kohën e shpirtit më shumë mendoje për mua, sesa për vete; nuk e dorëzove shpirtin pa i thënë Benit:

  • Babin, babin!

E kishe fjalën që fëmijët të kujedeseshin për mua. Ti vuajte shumë sepse më pate fat

mua, po kurrë nuk u dëshpërove, kurse unë ndihesha krenar se të pata fat ty, që më ndenje pranë e më inkurajoje. Kur unë sëmuresha, ti më thoshe gjithnjë:

  • Sa ke vuajtur ti!..

Ti mendoje për vuajtjet e mija dhe më qaje hallin, kurse vuajtjet e tua nuk i zije me gojë. Optimizmi yt ishte i pakrahasueshëm, mua më mungonte. I humbisja shpresat shpejt. Ti më jepje kurajo. Ti ke tri data, në tre vende të ndryshme, që unë do t’i kujtoj për ty:

5 Dhjetorin, që pas gjithë asaj kohe që vuajte në spital, ndërrove jetë në Itali.

8 Dhjetorin kur të përcollëm për në botën tjetër në Shqipëri

20 Qershorin, ditën kur linde në Librazhd.

Unë isha pranë teje gjatë gjithë kohës që vuajte. Jetova me dhimbjet e tua, ligështohesha, por ti grua e dashur, sado shumë që vuaje, ishe më e durueshme nga unë. Gjithnjë pyesja veten:

  • Ku e gjen gjithë këtë forcë!

Kurrë nuk mbajë mend që kur jemi bashkuar, të sëmuresh e të zësh krevatin, veçanërisht këto vitet e fundit… Ti ke zënë një vend të veçantë në zemrën time, jo vetëm si grua, më tepër për vuajtjet e sakrificat që ke bërë për dashurinë që kishe për mua. Shumë gra, nga ato që jetonin ndryshe nga ju, që mburreshin për biografinë e ofiqet e burrave tyre, dhe ju urrenin se ishit gra armiqsh, por kur u ndodhte burrave tyre, siç na ndodhte neve, ato, shumica prej tyre, braktisën jo vetëm burrat, por edhe fëmijët, se edhe fëmijët ishin armiq të partisë. Bënin kështu që të tregonin sa e donin partinë, kurse ti, ju gratë tona të shumëvuajtura, pranuat çdo sakrificë, se për ju familja ishte më e shenjtë nga çdo privilegj. Ju jeni heroinat e vërteta, por të përçmuara nga njerëzit bastard të asaj kohe.

Këto janë kujtimet që japin dhimbje dhe që më bëjnë mua, mos të të harroj për asnjë moment. Ma ke lënë shtëpinë plot djem e vajza, nipër e mbesa, nuk më mungon asgjë, por, mungesa jote më ka legjendisur. Sidoqoftë, është tjetërkush që vendos për këto, se po të ishte në dëshirën tonë, nuk do më mungoje ti tani. Unë do të të kujtoj gjithnjë me shumë respekt, sa të jetoj. Por, atje ku je ti, veç fotografisë e dhimbjes që më shkakton, nuk kam ç’të shikoj tjetër. Asnjë festë, vit të ri, edhe Bajramin që sapo e festuam, unë erdha në Shqipëri, jo për ta festuar, por, që të vij atje ku je ti, të ta çoj selamin ty, nënës e gocës tonë.

Bashkë nuk do të festojmë më. Këtë fat, paskemi pasur risk, edhe pse nuk i bëmë keq asgjëje. Zoti të pastë bërë vend në Parajsë! Ferrin e provove këtu, në këtë jetë. Kujt duhet t’i shërbejnë këto lloj kujtimesh, ne që vuajtëm apo atyre që na bënë të vuajmë; të paktën të ndjejnë pendesë, të lehtësojnë shpirtin e tyre.

Ne kurrë nuk do dëshironim që edhe ata të provonin fatin tonë.

Filed Under: Opinion Tagged With: DITËLINDJA E MUNGUR, Shefqet Dobra

Vrau nënën… dhe babën

July 1, 2017 by dgreca

 

1-ilir-levonja-2-288x300-1

Nga Ilir Levonja/

1) Në Shqipëri politika, klima e saj e ashpër, po mbulon shumë probleme sociale. Ose më saktë, kësi ngjarjesh. Të cilat jo rastësisht janë kronika të dorës së dytë e të tretë. Thënë kaq pështiras, sa do të na duhet kohë të kuptojmë se sa shumë po humbim. Vetëm e vetëm duke u marrë me promotorët, sharmin, lukun. Duke u shkuar nga pas me tifozllëk. Duke qënë edhe ne dashje pa dashje, po si ata, promotorë të kësaj vetvrasje sociale. Por edhe shkaktarët të firos shqiptare anë e mbanë globit. Megjithatë do të vij dita, kur shqiptarët mes kulturës së grekëve, romakëve, bizantit…, shqiptarët që i shtuan jetën otomanizmit. Shqiptarët që bastarduan vetveten me luftë klasash, si pushkatime dhe punë të detyruar etj. Që dënuan klerikët e tyre, me akuzën se në mesjetë kisha dogji të gjallë Galileo Galilein e Xhordano Brunon. Një absurditet që të bën të qash nga dhuna e marrëzisë rreth tëmthave të kokës. E pyet veten robi? Vërtet e bëm ne këtë. Vërtet baballarët tanë? Gjyshrit, ata që sot i gjen edhe rrugëve të kryeqyteteve të botës, u rrisin fëmijët, fëmijëve emigrantë. E për çfarë përralle shqiptare mund t’u flasin të vegjëlve? Për çfarë? Sërish për kuçedrën dhe bajlozin e zi. Duke anashkaluar krimin kombëtar brenda sojit.

Nip, babai im, një bazhdar, (zanati i kandarxhiut) vrau pesëdhjetë vetë, vetëm për t’u bërë kapter.
Shqiptarët mund dhe të jenë promotorët e globalizmit. Këtë e kupton fare mire, kushdo që prek aeroporte. E kur shikon të rinj që presin prindërit. Ka nga ata që kanë krah ndonjë afrikano-amerikane. E …, ndonjë a dy fëmijë me ngjyrën e ëmbël të një lëkure ndryshe për sytë e shqiptarëve. Prindërve nga epoka e magazinave, e planeve, e ekonomisë së përbashkët. Që, sado djali përpiqet, prapë çehrja e sojit të tollonave duket.
Gjithsesi shqiptarët vet, duan të jenë aktivë në globalizimin. Ndaj nuk është e rastësishme që janë një komb që kanë jashtë vendit përqindjen më të madhe. Rreth 40%… Dhe akoma duan të ikin.
Nga ana tjetër të vjen pështirë kur vë re se, shqiptarët në vendin mëmë. Me portalet e tyre online… me të gjitha agregatet e modës të një pedagogjie partiake, u mburren, ose u krekosen, u servirin të rinjëve krenarinë dhe origjinën e emrave të shquar nëpër botë. Çfarë nuk po bëjnë të nxjerrin shqiptar, përshembull Xhorxh Uashingtonin. Një kulturë e devijimit dhe e të mbulurit të të përrmjerurave me hi. Sepse dominohen nga ata të cilët po ndërtojnë këtë demokraci me blloqe të skaduar betoni.
2) Sa here që përmendim ndonjë vrasje. Si përshembull krim brenda familjes. Shumë njerëz na thonë, pse aty ku jetoni ju, nuk ka të tilla. E vërteta është se ka. Por shkaqet e prejardhjes së tyre janë komplet ndryshe. Ka edhe krim rruge. Ka edhe mizerje rruge. Por ju garantoj se, pjesa dërrmuese vine nga ato problem sociale të cilat Shqipëria jonë është vite larg. Por ju siguroj se në raport me popullatën dhe një banalizimi mendjesh, karshi realitetit të mundësive të hapura. Janë krime të një perversiteti njerëzor. Jo për shkake të ekzistencës për kushte minimale. Jo për një cop toke, a një shtesë muri, një zorrë uji. Një pemë gardhi. Për zgjedhje, kuti vote, jo e jo, hiqeni nga mendja. A hasmëri absurd të kohës.
Megjithatë për ne, rracën e bukur, plot virtute folklori, është e paimagjinueshme që një fëmijë i rritur hallesh, të marr çiften e të vrasi prindërit. Nënën dhe babain. Kush është prind e ka të memorizuar çapitjen e fëmijëve nëpër atë shtëpi. Ku u mpleksën sa here dita, nata, vaktet me hallet e tjera. Ku qoftë nëna a babai sy plot shpresë, nga televizori. I rrisin me drita, pa drita, me ujë pa ujë. Me zemërplasjen e së përditshmes pa punë me shumicë. Me edukatën se në çdo zyrë, kudo që të shkosh do lekë. Duhet të japësh. Në çdo ambulance lagje a spital. Prindër me sytë nga westerunioni. Brenda një katastrofe faturash ilaçesh gjoja të rimbursuara e energjie që akoma mbahet me lukun e hidroncetraleve të ekonomisë së përbashkët. Po edhe atje ku ka një, është e tëra informale. Dhe meritë veç e një karriere partie, a një militantizmi absurd.
Në një vend me një të përditshme ku të gjithë kanë të drejtë. Dhe ku askush nuk ka faj. A vritet nëna? A vritet babai? A vritet fqinja për një tel gardhi. Mirë shtetarët, me mbivendosjet dhe marrinat e tjera. Të strukturave kallpe, po i vrasin qytetarët e tyre. Po shqiptarët pse e vrasin njëri-tjetrin. Për hatër të kujt? Në emër të kujt? A vritet nëna…? Kur ti bir e di, që ajo nuk është asgjë tjetër, po një qënie duar lidhur, këmbë lidhur. E pa gojë, e pa vesh. Një qënie produkt i dështimeve vjeçare të një kaste perverse shërresh. Sepse më i rëndësishëm është sherri i tyre se, projektet sociale, i dhënies së mundësisë, i punës etj.
3) Kuotat më të ulta sot, në mëndesinë e botës shqiptare, i kanë pikërisht problemet sociale. Dhe politikat për përmisimin në përkrahjen, rimbursimin, a pensionimet. Menaxhimet e burimeve njerëzore pasi në një shoqëri normale, forca e shëndosh e ndihmonë atë në nevojë. Për një balancim të jetës. Por tek ne ështe rekord numri i ndjekesve tek një tryezë opinionistësh politik, se ai në një studio ku plasin marrëzitë tona. Shkaqet e tyre. Problemet sociale janë dorë e dytë dhe e tretë. Ndaj në Shqipëri ka shumë njerëz që kanë frikë nga e drejta e tyre. Dhe janë peng i një kulture dorovitje. I një mendësie pa dhënë nuk bëhet asgjë. Ashtu si ka me shumicë njerëz që kollarja, titulli, bluza a uniforma…, nuk janë nder e përgjegjësi. Por minerë përfitimi. Duhet të jemi vendi kampion ku përgjegjësinë intelektuale, e ka zëvendësur inati personal.
O ja dal, o bëhet si them, o bie e vdes.
E kundërta ndodh në botë, kuotat më të larta i kanë problemet sociale. Kjo me programe dhe angazhim instutucionesh. Nga shtetërorët deri tek privati. Janë një lloj unison. Aq sa presidenti merr borxh tek shoku, ashtu si njeriu i thjesht tek shoku a miku i vet. Tek ne problemet sociale i zgjidh westernunioni, bamirsitë e orientit dhe kishat e bizantit. I zgjidhin kryqi i kuq dhe gjysmë hëna e kuqe. I zgjidhin demonstrimet publike me show. Ku iksi telefonon nga një lokal i veçantë se, do e marri në punë. Ose do i japi ca lekë iksit. Ndaj dhe qytetari shqiptar, i ngjan atij varfanjaku që pret me sytë nga bota. Që urren ymrin, zotin, veten. Vret edhe prindin. Një krijesë krejt e bastarduar. Që nuk lexon më Lulet e mollës. Por historitë refrektare, kujtimet e lidervë që kërkojnë vota. Histori intrigash e vrasjesh.

Filed Under: Opinion Tagged With: dhe babën, Ilir Levonja, Vrau nënën

Lufta e enveristave karshi Enverit

June 30, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

1) Eshte koha të themi, kjo fal kësaj shërrnaje demokrate… se humbja e PD-së nuk mund t’i faturohet më, vetëm Bashës. Madje Bashës i duhet hequr kapelja për këtë rezultat. Dhe duhet shkundur e kujtuar. Mjaft më nën çadër, nën rrebesh pështymash. Kuitjesh, krakëllima legenash e uturakësh. Paska qënë diku tjetër orgjia e saj. E humbjes. Pikërisht te ky legenizimi total i ”demokratëve” që ngulin e shkulin prasë midis ngrirjes dhe dorëheqjes, standarteve, familjarëve në parti etj. Si kunati, vjehrri, krushku, vëllai… një moral legenash që koha po e verteton më së miri.

PD-ja paska humbur që nga momenti kur Basha u zgjodh kryetar. Sigurisht me mbështjen e plot të Berishës. Dhe berishistëve që sot po dalin sa të tillë, aq edhe fashista, aq edhe enverista. Të gjithë flasin për standarte. Dhe shtrëmbërojnë buzët. Megjithëse në këto 27 vjet demokraci. Apo histori zgjedhjesh. Kurrë nuk i përmendën. Kurrë nuk i kërkuan tek ishët. Kurrë nuk i përmënden me çunat e komunistëve që nderonin me grusht tek temthi. Kurrë tek çunat e liderëve që sot janë miliarderë dhe subjekte filmi në Hollywood. Kurrë tek dhëndurrët, krushqit. Apo tek të dashurit e gocave që u bënë deri atashe. Dhe sot i gjejnë tek Basha dhe kunati i tij. Kjo nuk quhet më, jetë militante me dy standarte, por me më shumë se dy fytyra. Ndaj them që etapa e dytë, pas kohës së gjuajtjes me gurë. Eshtë kjo, koha e legenave.

2) Në historinë e zgjedhjeve tona. Ka pasur një alibi krejt absurde. Justifikimi i humbjes me vjedhjen e votës. Të gjithë liderët e deritanishëm. Përfshi këtu edhe kryeministrin aktual. E kanë justifikuar humbjen me faktin e vjedhjes. Dhe këto vitet e fundit me shitjen dhe blerjen e saj. Them absurd, pasi kushdo që ka përjetuar orë korridoresh partie. E di fare mire se të gjitha këto strategji janë sa të parapërgatitura. Aq edhe të sulmuara. Të gjithë kërkonin ndihmën e të fortëve. Madje u qeshte fytyra kur shikonin më në fund praninë e tyre në derë. Aq sa militanti intelektual, nën vetullat e vështrimit të të fortit, dukej një mendje bythë. Ky i dyti i nënshtrohej verbërisht një binjde se ai kundërshtari ishte vërtet një pocaqi kriminel dhe shushunjë enveriste. Ndërkohë që e vërteta qe ajo, që të dyja palët. I forti dhe shefi, vinin nga kjo shkollë. Nga ato bindje. Për rrjedhojë edhe atmosfera do i ngjante asaj në kushtet e punës së detyruar. Kur njeriu ia merrte shpirtin njeriut nën emrin e diktaturës së proletariatit dhe luftës së klasave. Kjo u bë vazhdë dhe sot është një kulturë gangrenë e demokracisë sonë. Të gjithë besonim verbërisht se zgjedhjet vidheshin. Megjithëse botërisht e dinim mirë, se edhe ne, planin për të fituar zgjedhjet me vjedhje e kishim. Por dështuam. Nga ana tjetër fitonim përvojën e justifikimit. Zgjedhje pa standarte. Zgjedhjet u shitën. Zgjedhjet u vodhën etj.

3) Sot përshembull Sali Berisha po i thotë një ndjeksi të tij në FB se nuk e uroi Edi Ramën për shkak të pjesëmarrjes së ulët në votime. Në fakt ashtu është pjesëmarrje tepër e ulët. Një pjesëmarrje për të qarë hallin. Por pas përvojave politike, pas kërkimeve, ka një përfundim. Që pjesëmarrja e ulët ndodh kur njerëzit nuk i besojnë më politikanëve të tyre. Të thuash që vet Berisha nuk bën pjesë në këtë përfundim social, është si me ja fut vetes. Nga njëzetë e shtatë vjet demokraci. Ka qeverisur dymbëdhjetë. Dhe ka drejtuar njëzetë e dy vite partinë. Megjithatë 99% e administratës partiake, nuk i përmendi statutin. Dorëheqjen, apo familjen … askush. I besuan të gjitha, vjedhjen e votes. Mashtrimin qytetar. Manipulimin etj. Kush ia përmendi, ai një apo dyshi, iku emigrant në Amerikë. Kurse sot këta 99-përqindshat kanë marrë zjarr e flak. Dhe i kujtojnë Bashës statutin. Dorëheqjen. Standartet europiane etj.

Sa paradoksalë që jemi. Sa absurd?!

E ngritëm një kulturë me mashtrim të vetvetes, tani kërkojmë ta zhbëjmë me shurrë.

4) Mbrëmë në një studio televizive, pashë përshembull Patozin. E them që në krye, më vjen keq që emra si ai, apo si Blushi do i mungojnë kuvendit të shqiptarëve. Patozin e kam ndjekur edhe në shkrime. Një elegance për tu patur zili. Po ndryshe në një studio ku ankohej me atë devizën e shqiptarit gjynahqar. Që, unë kështu e ashtu, unë nuk kam luftuar për vete, as për këtë e as për atë. Eshtë një lloj qaravitje shqiptare. Nuk ka arritje me qaravitje dhe justifikim hapje krahu, a dorëzimi. Apo përmendje standartesh. Futje sëmundjesh etj. PD-ja nuk është e sëmurë. Eshtë më keq se kaq. Në PD ka rënë epidemija për shkak të trashëgimisë. Arritja eshtë e ftohtë. Bëhet me gjoks, jo me naivitet shqiptari.

Dhe standartet, jo vetëm ti, por çdo bir pd-je do bënte mire t’ia kujtonte më së pari liderit shpirtëror. Shumë nga ne akoma nuk po duan ta kuptojnë se, jemi infektuar aq keq, sa do duhet një karantinë e gjatë për tu shëruar. Dhe kjo nuk ndodhi në katër vjet. Epidemitë shkaktohen nga mbartja. Nga koha … flen dhe zgjohen. Luftohen, flen prapë. Por kurrë nuk vdesin. Dhe për këtë pyesni Berishën se është mjek. Dhe e njeh fare mire sojin e kolerës. Një lloj epidemie klasike.

Të urosh kundërshtarin është praktikë normale në një vend normal. Të heshtësh është praktikë e kolerës që thotë jeni popull dhe rroftë populli kur më votoni mua. Dhe jeni mut, e u bëfshi mut, kur nuk më votoni mua.

Kjo ndodh veç tek ne, dheun e paradoksit.

5) Në vitet e para të demokracisë. Soji që krijoi këtë antikulturë. Prirej që dështimet e veta, para nesh, t’i mbulonte edhe me propogandë. Një e më dy ai apo ky janë enverista. Eshtë për të ardhur keq që edhe pas kaq vitesh, shqiptarëve u serviren këto prroçka propogande. Sepse karshi të gjitha dëshmive dhe mënxyrave midis njëri-tjetrit. As vëllai vëllait nuk i kërkoi ndjesë. As profesori, profesorit. As intelektuali, intelektualit. Jo më shtetari, shtetarit. Paradoksi më i madh përshembull, fillon nga Edi Rama. Një djalë nomeklature që bën propogandë me vargjet e Fishtës. I bukuri poet, nuk është asnjë gjë tjetër, shembulli i gjallë, produkti i luftës së klasave të babait. Shpërbërë e denigruar prej etërve të Edi Ramës. Mirëpo ne na argëtojnë këto gjëra. Në vend që të ulemi atje në shesh, të kapim duart, të qajmë mënxyrat që i shkaktuam dhe po i shkaktojmë njëri-tjetrit. Bëjmë akoma propogandë…u shërbëjmë propoganduesve. Më zi se Enveri dhe më zi se Hitleri, sa kohë që bëhemi robër të njëshave. Dhe sa kohë e lëm veten të përdoremi. Merremi me humbje kohe me shumicë. Kërkojmë jo të bëjmë dallimin midis ngrirjes dhe dorëheqjes. Por të përmbushet qejfi jonë shtazarak, i filozofisë, kështu dua dhe ma ka qejfi mua.

Ndaj e gjitha është po ajo, lufta e enveristave karshi enverit. Lufta e shushunjave, e legenëve dhe e uturakëve.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, karshi Enverit, Lufta e enveristave

BUROKRACI

June 30, 2017 by dgreca

1-astrit_lulushi-300x223

Nga Astrit Lulushi/

Thuhet se një sistem i mirë shkurton rrugën drejt suksesit – kjo ndodh me një burokraci konkuruese ose nën kontroll. Por jo rrallë, burokracitë nuk përballen me konkurrencë reale prandaj veprojnë si çdo monopol tjetër që përdor burimet e veta pa-efikasitet, sepse nuk i duhet të konkurrojë. 

Sociologu gjerman Max Weber ka argumentuar se burokracia e kontrolluar përbën mënyrën më të mirë për organizimin e aktivitetit njerëzor dhe se proceset sistematike dhe hierarkitë janë të nevojshme për të mbajtur rendin, për të maksimalizuar efikasitetin dhe për të eliminuar favorizimet. Por Weber gjithashtu e shihte burokracinë e pakontrolluar si kërcënim për lirinë individuale, dhe se një shtim në burokratizimin e jetës njerëzore mund t’i bëjë individët ta ndjejnë veten si të mbyllur në kafaz. 

Termi “burokraci” rrjedh nga frëngjishtja dhe është kombinim i fjalës franceze bureau – zyrë ose tryezë pune – me fjalën greke kratos – sundim ose pushtet. Shprehja u krijua në mesin e shekullit të 18-të nga ekonomisti Jacques de Gournay dhe kishte kuptim satirik. Gournay kurrë nuk e shkroi atë, por në një letër nga një bashkëkohës citohet: I ndjeri Gournay ndonjëherë thoshte: “Në Francë kemi një sëmundje e cila i jep të drejtën vetes për të shkatërruar francezët, kjo sëmundje quhet byromani.” 

Që nga koha e krijimit, fjala “burokraci” ka zhvilluar kuptime negative. Burokracitë janë kritikuar si joefikase dhe poshtëruese për individin. Pasojat dehumanizuese të burokracisë së pakontrolluar u bënë temë kryesore në punën e shkrimtarit Franz Kafka dhe pjese qendrore për romanet e tij Procesi dhe Kasta.  Burokracia jashtë kontrollit apo buromania pati pasoja tepër të thella tek Kafka, nëse nuk harrohet fakti se për vitet që jetoi (1883 – 1924), ai nuk botoi asnjë roman dhe 90 për qind të krijimtarisë së vet, e dogji –  që mund të kuptohet edhe si zhgënjim në dukje pafund i përpjekjeve të njeriut për të dalë kundër sistemit, dhe ndjekja e kotë dhe e pashpresë e një qëllimi të paarritshëm. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Astrit Lulushi, Burokraci

Një analizë e zgjedhjeve

June 30, 2017 by dgreca

Nga Reshat  Kripa/

Një anekdotë e vjetër tregon se kur Neroni i vuri zjarrin Romës, populli u ngrit në revoltë dhe rrethoi pallatin perandorak. Neroni, i frikësuar, thirri këshilltarin e tij, të urtin Seneka, dhe i tha: – Si t’ia bëjmë, ata po hyn në pallat? Seneka iu përgjigj:    – Hidhua fajin të krishterve. Në atë kohë krishterimi kishte vetëm pak kohë që kishte lindur dhe Shën Pjetri ndodhej në Romë. – Po, a do të më besojnë? – pyeti Neroni.\ – Populli beson çdo lloj gënjeshtre që i serviret, – iu përgjigj Seneka.

Mendoj se kjo sentencë e Senekës u realizua plotësisht në vendin tonë   me rezultatin e zgjedhjeve që sapo përfunduan. Populli u besoi gënjeshtrave të shumta të Edi Ramës se tani e tutje do të hanin “me lugë të florinjtë”, siç thoshin dikur ish komunistët. U besoi gënjeshtrave për qindramijrat që do të punësoheshin, për shërbimin shëndetësor falas, për heqjen e taksave për bisnesin e vogël, për legalizimin e banesave e të tjera, e të tjera që do t’u kryekan brenda një afati të shkurtër. I besoi politikës së drogës së përhapur në çdo skaj të vendit. I besoj trafikimit të saj në çdo skaj të botës. U përul përpara blerjes së votës për një thes mielli dhe për një shumë mizerabile të hollash që shpesh herë nuk i kalonte të pesëmijë lekët apo ndoshta edhe më pak. Populli u besoi këtyre prrallave ndaj i dha shumicën dërmuese prej 74 deputetë Partisë Socialiste, ndërsa Partisë Demokratike 43, Lëvizjes Socialiste për Integrim 19, Bashkimit Demokratik per Integrim  dhe Unitet 3 edhe Partsë Social-Demorate, apo më mirë Tom Doshit, 3. Natyrisht një rezultat i tillë shokoi edhe ata parashikuesit më të aftë të rezultateve, Të tre forcat politike pretendonin me të madhe per fitoren. Madje kreu i socialistëve pretendonte per 71 mandate. Si ka mundësi që ai morri më tepër? Si ka mundësi që Shkodra që, për njëzetepesë vjet. ka qenë bastione e së djathtës të fitojë vetem 5 mandate, ndërsa partitë e majta, ajo Soaialiste, LSI dhe Social-Demokrate të rrëmbejnë 6 të tilla madje edhe në përqindjet e fituar për çdo parti PD-ja të fitojë me një diferencë fare të vogël ndaj socialistëve, në një kohë kur në zgjedhjet e vitit 2013 dhe ato bashkiake më 2015 diferenca ishte shumë më e madhe? Si ka mundësi që Kavaja, djepi i demokracisë ia dha votat për deputet Partisë Socialiste, ndërsa në zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë fitoi kandidati demokrat? Pikërisht në këto pyetje duhet të vihet theksi i arsyeve të shkaqeve të mësipërme.      Le të fillojmë t’i analizojmë ato. Qysh me daljen e listave për kandidat për deputetë të PD-së, në skakierën e politikës së kësaj partie filluan të shfaqen thirrje histerike për dorëheqjen e menjëherëshme të drejtuesit të Partisë Demokratike, Lulzim Bashës dhe këto thirrje nuk zhvilloheshin nga njerëz të zakonshëm por nga ata që me vite kishin qenë në krye të politikës së djathtë në rang kryetarësh  të Kuvendit të Shqipërisë apo minstrash të qeverisë demokratike dhe që mungonin në këto lista për disa arsye, të cilat unë nuk jam në gjenjde t’i gjykojë,  . Dua t’i pyes këta individë:

  • Si mendoni ju të nderuar, a mund të jap dorëheqjen kryetari i nje partie pesëmbëdhjetë

apo njëzetë ditë para zhvillimit të zgjedhjeve? A mund të  mendoni  që  kryetari  i  ri  për  një

kohë kaq të shkurtër do ta çonte partinë në fitore? Një thirrje e  gabuar  e  bërë  në  një   kohë

të gabuar.

Unë nuk e besoj dhe mendoj se edhe shumica e demokratëve do të kenë të njejtin mendim. Atëherë përse? Përse militantët e kurdisur prej jush filluan të  bëjnë një fushatë te egër kundra drejtuesit të Partisë Demokratike, ndoshta më të egër se dhe ajo e kundërshtarëve politikë. Ishte pikërisht kjo një nga arsyet që çoi në humbjen e thellë të Partisë Demokratike, Këtij korit tuaj më vonë iu bashkuan edhe zëra të tjerë që arritën kulmin, me përfundimin e zgjedhjeve, kur dolën edhe me të ashtuquajtura peticione të hapura ku vazhdonin të kërkonin dorëheqjen e tij dhe duke ia ngarkuar atij të gjithë përgjegjësinë e humbjes. Po ju të dashur kundërshtarë të Lulzim Bashës, a nuk poaskeni patur asnjë lloj përgjegjësie në këtë humbje? A nuk keni gabuar edhe juve ne karrieren e gjate politike?

Le të përqëndrohemi në disat të dhëna të nxjerra edhe nga e kaluara kur Partia Demokratike ishte në pushtet.

Po  marr  dy  raste . I pari është për ish-Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë.

Ishte viti 2012. Tre figura të shquara të të përndjekurve  politikë, Bardha  Gjonmarkaj,

vajza e kapedanit të Mirditës,  dy herë e dënuar politike dhe pjesën tjetër të periudhës totalitare e internuar nëpër kampet e errëta të komunizmit, Abdyl Kërluku i dënuar për qëndrimin e tij antikomunist nga regjimi totalitar, i ridënuar përsëri për tentativë arratisje nga kampi i punës së detyruar nëpërmjet një tuneli që kishin gërmuar fshehurazi dhe qëndrestari i orëve të para të rezistencës antikomuniste, nismëtari i shoqatës tonë burri i urtë dhe i shquar, Faik Selenica, kishin ndërruar jetë. Të tre ishin të moshës mbi 85 vjeç. Por nuk ishin vetëm këta.

Lidhur me sa më sipër shoqata e jonë i propozoi Qeverisë Shqipatre një projekt-ligj për këtë çështje dhe për disa të tjera dhe qeveria e dërgoi atë në Kuvend. Çfarë përmbante ky projekt ligj:

  1. Shpërblimin financiar  me  një   këst  të  vetëm  të  atyre që kanë mbushur moshën 85 vjeç. 2. Shpërblimin     financiar    të      atyre   që     në dëshminë  e dënimit politik kanë edhe  nenin  që  i konsideronte veprimet e tyre terroriste. 3. Ndryshimin  e  afatit  të   periudhës  së  vrasjes  pa   gjyq   nga   30  nëntori  1944,  deri në  25  tetor 1944. 4. Zgjatjen e afatit  të  dorëzimit të   kërkesave që   kishte  përfunduar  më  30  qershor 2009 deri më 31 dhjetor 2013.

Projekt ligji kaloi për shqyrtim në Komisionin e Ligjeve dhe atë të Ekonomisë të cilët e miratuan madje  duke ndryshuar moshën nga 85 vjeç në 75 dhe ia kaloi seancës plenare por, çuditërisht, megjithëse kaloi më shumë se një vit ky projekt-ligj nuk kaloi në seancë dhe praktikisht nuk u miratua.

Moszbatimi i këtij ligji u shfrytëzua nga Edi Rama, i cili kur miratohej ligji e dënshpërblimit të të përndjekurve politikë i nxorri deputetët nga salla, ndërsa tani kur mori pushtetin  filloi zbatimin e tij dhe të këtij projekt-ligji duke menduar se me këto do  të mashtronte të përndjekurit politikë. Këtë armë në dorë ia dhuruat pikërisht ju që jeni vetë një anëtare e kësaj shtrese dhe duhej të miratonit çdo projekt-ligj që paraqitej për ta. Por ju nuk i bëtë..

Rasti i dytë për ish-ministrin Arben Imami. A nuk ishit ju që braktisët Partinë Demokratike qysh në vitin 1992 duke formuar të ashtuquajturën Aleanca Demokratike që në vitin 1997 u lidh me Partinë Socialiste dhe bandat rebele, madje ju u veshët edhe gjeneral. A nuk ishit ju që u emëruat dy herë ministër në qeveritë sosialiste pas vitit 1997? Me këto të dhëna mendoj se ishte e prapanueshme që Qeveria  Demokratike e riverndosur në vitin 2005 t’ju emëronte përsëri ministër por, për fat të keq kjo ndodhi dhe tani pretendoni se qenkeni një nga themeluesit e Partisë Demokratike.

Përmenda   këto   dy   raste   pasi   janë  më  flagrantet .por  jo  më  pak  flagrante  dhe

luftënxitëse janë thirrjet e disa personaliteteve të tjera të  Partisë  Demokratike.  Më  lejoni  t’i citoj:

Genc Ruli:

“ U them atyre që ende e duan PD-në dhe që ende ju duhet PD-ja,nëqoftese ai nuk jep dorëheqjen deri nesër, atëherë shkoni te selia e PD-së dhe dëbojeni atë, gruan dhe kunatin, ashti siç dëboi Jezusi tregëtarët nga tempulli”.

Jozefina Topalli: “Në këto kushte,nëse Basha nuk jep doreheqjen e parevokueshme, demokratët duhet të marrin në dorë me protesta dhe forma të ndryshme demokratike, me synim kthimin e PD-së demokratëve”

Besnik Mustafaj: Unë  nuk  kam  besim  se  Basha   pa   një  presion  të  fortë do  ta  pranonte  këtë  lloj

procesi. Basha nuk është njeri autokritik, pasi ka pasur shumë raste që duhet në këto katër vite të ishte vetëkorigjuar dhe nuk e ka bërë. Nuk ka nxjerrë mësime nga gabimet e bëra”

Arben Imami: “Kreyetari i PD-së, me gjithe respektin për personalitetitn e tij,duhet të largohet nga posti i kryetarit të partisë. Unë jam me këtë deklaratë: Nëse zoti Basha do ta uzurponte atë vend,sigurisht që do të ketë reagim. Kjo është e kuptueshme.

A janë thirrje të një intelektuali demokrat këto? A nuk janë në kundërshtim me statutin e Partisë Demokratike thirrje të tilla histerike? Në cilën pikë të tij thuhet se kryetari mund të shkarkohet me revolta apo thirrje historike. Më e madhe kjo bëhet kur këtë e bëjnë ish-krerë të kësaj parite. Kjo është me të vërtetë për të ardhur keq.

Përse ndodh kjo? Më vjen keq ta them por shqiptari ka brenda vetes së tij nje gen të keq që i ngjallë cmirën për këdo që ngrihet mbi veten e tij. Ja një anekdotë tjetër e lidhur me këtë temë:

“ Tre vëllezër iu drejtuan Perëndisë për t’iu dhuruar diçkja që do t’i ndihmonte të jetonin normalisht. Zoti i pyeti të tre, sipas moshës, se çfarë kërkonin.

I pari tha:Dua një shtëpi të bukur me një kopësht ku të lulëzojnë të gjitha llojet e luleve.

I dyti ,:Dua një arë të madhe ku të mbjellë të gjitha bimët që ndodhen në botë.

Ndërsa i treti:Unë nuk dua asgjë por ju lutem ua hiqni edhe atyre ato që kërkuan.”

Ky ishte ai geni i keq që e vuri kundër edhe  dy  vëllezërve  të  tij. Pikërisht  këtë duan të bëjnë këta bandillë me kryetarin që vetë e zgjodhën  para katër viteve.

Lidhur me sa përmenda më sipër ndoshta edhe unë do të doja që Basha të jepte dorëheqjen por jo si pasojë e ultimatumëve nga indivinë apo grupe të ndryshme. Moszgjedhja e tij mund të bëhet vetëm me anën e zgjedhjeve, vetëm me anën e votës së lirë. Një praktike të tillë i duhet dhënë fund në rast se nuk duam të shkatërojmë partinë tonë të ngritur me aq mund.

Së fundi edhge vetë  Basha iu përgjigj këtyre thirrjeve histerike. Ja çfarë tha ai:

Unë marr të gjitha përgjegjësitë për rezultatin.Tani demokratët dhe shqiptarët meritojnë një bilanc të plotë dhe ballafqim të hapur dhe të vërtetë mes atyre që punuan me mish dhe me shpirt për fitoren e Partisë Demokratike dhe atyre që u ngritën kundra sapo humbën kolltuket Sa kam gabuar dhe ku kam, gabuar nuk e përcaktoj unë, por këtë nuk mund ta përcaktojnë as ata që nuk punuan asnjë ditë për fitoren e Partisë demokratieke”

Ndërsa më poshtë vijon:Kam vendosur të ngrij të  gjitha  funksionet e  mia   organizative  si  kryetar  i  Partisë

Demokratike dhe t’ua delegoj ato dy nënkryetarëve dhe sekretarit të përgjithshëm për të organizuar me fuqi të plotë vendimarrëse garën për kryetarin e Partisë Demokratike sipas parimit “ Një anëtar, një votë”.Oraganizimi i zgjedhjes së kryetarit të tij ka filluar, dy nënkryetarët dhe sekretari kanë hartuar programin përkatës. Po ngrihen komisionet dhe më datën 22 korrik janë zgjedhjet për kryetarin.

Le të heqim dorë nga mënyrat përçarëse dhe le të bashkohemi për një proces demokrati. dhe europian, përndryshe duhet të mbajmë përgjegjësinë për shkatëtërimin e partisë që shembi e para regjimin totalitar komunist dhe vendosi sistemin demokratik.. Ndaj të bashkuar le të ecim gjithmone përpara për një shqipëri demokratike. Le të paraqesi kushdo kandidaturën e tij dhe ai që do të fitojë le të drejtojë Partinë Demokratike drejt së ardhmes.

Së fundi, më lejoni ta mbyll këtë analizë me meszhin e dhënë nga lideri historik i Partisë Demokratike, zoti Sali Berisha, i cili ta;Gjykoj se është detyrim ligjor dhe moral i çdo anëtari apo drejtuesi të PD-së të kontriboajë në integritetin, transparencën, besueshmërinë e këti procesi në luajalitet të plotë të vlerave dhe rregullave demokratike që ndajmë njeri me tjetrin! Rruga e ringritjes nuk është kurrë e lehtë. Ajo kalon përmes bashkimit dhe jo përçarjes, as edhe përjashtimit. Unë kam besimin më të thellë se ne kemi vullnetin e hekurt që të bashkuar  të kryejmë me sukses të plote ringritjen e fuqishme të Partisë Demokratike që presin sot me padurim anëtarët, mbështetësit tanë, pret e djathta shqiptare dhe miqtë tanë në mbarë Europën dhe botën’

Çdo fjalë tjerët është e tepërt.

*Autori eshte Anëtar i  Kryesise së Degës së Tiranës së Shoqatës Antikomunsite të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë

Filed Under: Opinion Tagged With: Një analizë e zgjedhjeve, reshat kripa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 480
  • 481
  • 482
  • 483
  • 484
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Çamëria… heshtja që vret”
  • SHQIPTARËT DHE PROJEKTI EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT A MUND TË DEGRADOJË NË NJË NARRATIVË ILUZORE?
  • Brigitte Bardot: “seks bomba bionde” që revolucionarizoi kinemanë franceze
  • “Leksikoni i së drejtës publike – Nocione dhe institute të së drejtës publike”
  • Lugina e Preshevës dhe e drejta e munguar për shtetësi dhe votë në Kosovë
  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren
  • Yllka Lezo për median europiane: Shqiptarët kërkojnë drejtësi të paanshme në Hagë
  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT