• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VorioEpiriotët, helm mbi Shqipërinë!

March 28, 2017 by dgreca

Të ashtuquajturat shoqata Vorio Epiriote vazhdojnë të hedhin helm mbi Shqipërinë!1 greket ok

Nga Arben LLALLA/1 nacionalistet

Shoqatat greke në bashkëpunim me shoqatat e minoritarëve ekstremistë vazhdojnë të bëjnë aktivitete në propagandimin për aneksimin e Jugut të Shqipërisë me parrullën Autonomia e Vorio Epirit.2 greket

Më 12.03.2017, Organizatat nacionaliste “Lidhja Patriotike” dhe “Shoqata Vorioepirote “Pirros”, në praninë e rreth 100 personave, kanë organizuar, në ambientet e hotel “Imperial” në Larisa, një aktivitet përkujtimor me rastin e 103-vjetorit të “autonomisë së Vorio Epirit”.

Folës kryesorë kanë qenë elementët ekstremistë të njohur si Theodhoros Kamarinos, diplomat ish-konsulli grek në Korçë; Asterios Hamo, kryetar i “Lidhjes Patriotike”; Mondi Kolila dhe Lefter Prifti, drejtues të “Shoqatës Kombëtare Vorio Epiri 1914”, etj.

Nuk kanë munguar deklarimet e ekstremistëve, të Theodhoros Kamarinos dhe Lefter Priftit, të cilët vazhdojnë të hedhin baltë mbi Shqipërinë në emër të ëndrrës së tyre për Vorioepirin. Madje nuk ngurrojnë të kritikojnë dhe politikat e Greqisë për normalizim të marrëdhënieve me Shqipërinë.

Ish Konsulli grek në Korçë Theodhoros Kamarinos në fjalën e tij ndër të tjera tha: “Pas Luftës së Dytë Botërore, vorioepirotët ishin vendosur në shënjestër nga Sigurimi i Shtetit dhe ishin persekutuar. Por, edhe gjatë periudhës pas rënies së komunizmit, vorioepirotët janë përndjekur dhe vazhdojnë të përndiqen nga segmente të shtetit shqiptar, veçanërisht nga shërbimet sekrete.

Gjatë këtyre viteve Greqia nuk ka bërë asgjë për të ndihmuar vorioepirotët. Me politikat e saj ajo ka treguar një qëndrim antigrek, madje më antigrek se vetë Shqipëria, e cila ka ndërmarrë disa reforma për grekët.

Greqia është zyrtarisht në gjendje lufte me Shqipërinë, pasi ligji i luftës, nuk është shfuqizuar asnjëherë dhe është në fuqi akoma edhe sot. Në vitin 1985 ka një vendim të MPJ të Greqisë,për abrogimin e Ligjit të Luftës, por ky vendim prej 30 vitesh nuk është votuar asnjëherë në Parlamentin e Greqisë, pra nuk ka asnjë vlerë.

Çështja e shpalljes së luftës apo marrëveshjet e paqes parashikohen në Kushtetutën e Greqisë dhe aty shkruhet qartë se asnjë marrëveshje apo vendim nuk ka vlerë nëse nuk votohet nga Parlamenti i Greqisë.

Greqia ka vepruar në kundërshtim me interesat e saj në disa aspekte:

Ka ndihmuar financiarisht një vend armik, duke e argumentuar se ndihmat jepeshin për minoritetin grek atje.

Ka ndihmuar një shtet armik që të integrohet në organizmat ndërkombëtarë.

Ka lejuar pranimin e Shqipërisë në NATO, duke u futur në aleancë me një shtet me të cilin është në luftë. Greqia ka çështje shumë problematike me Turqinë, është aleate në NATO, por nuk ka ligj lufte me të.

Vazhdon të mbështesë politikisht një vend i cili i kundërvihet minoritetit grek dhe vetë popullit grek.

Këto problematika të rënda me Shqipërinë mund të zgjidhen vetëm nëse Greqia do të qeveriset nga qeveri patriotike.

Homogjenët grekë në Shqipëri kanë një problem të madh me vetë shtetin grek, i cili nuk i njeh në tërësinë e tyre. Këtu hyjnë grekët vllahë të Korçës, por në vend që shteti grek t’i ndihmojë me hapjen e shkollave, atje mbyllen shkolla greke dhe si rrjedhim Greqia vetë po humb një popullsi me mbi 10.000 banorë, që është me origjinë greke.

Shqipëria me programin e saj të rehabilitimit të territorit, kërkon të shkelë të drejtat  e pronës së vorioepirotëve, veçanërisht, në Himarë dhe më pas, zhdukjen tërësore të elementit grek nga Vorioepiri”.

Ndërsa Lefter Priftit i cili është me origjinë nga Korça deklarojë : “Mund të ndalohen të gjitha grabitjet e pronave dhe padrejtësitë e tjera me një veprim, bashkimin e Vorioepirit me Greqinë. Ka vorioepirotë, që janë të gatshëm të realizojnë këtë ide, ka platforma politike patriotike që na mbështesin dhe diplomatë si Theodoros Kamarinos, që janë të gatshëm të sakrifikojnë për Vorioepirin”.

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, helm mbi Shqipërinë!, VorioEpiriotët

KUR FORCA E SE DREJTES SHPETON KRIMIN KUNDER NJEREZIMIT

March 27, 2017 by dgreca

Në vend të përvjetorit/
Shkruan:Ismail Gashi-Sllovia/
Memorandum I ASSHA (SANU) per debimin e shqiptreve nga trojet e tyre etnike, ne krah me  bekimin e Kishes Ortodokse, kishte hartuar Projektin “PATKOI”, qe ishte vazhdimesi e dhjetra projeteve antishqiptare serbve, qe nga “Nacertania” e Garashninit e vitit 1844, e deri te Memorandumi I 1986.Te cilit gjate bombardimeve te NATO-se, me  gjitha formacionet e forcave ushtarake e policore te dhunes  serbe iu permbajten me perpikeri.  Ne hapesiren  lindore te treves  se Lypjanit  Gadimja e Eperme me fashtrat e aferta malore Vrelle e Plitkoviq, mbeten nje nenpatkua i projektit serbe, me fashtrat e fundit e te vetmet ,ne te cilet  shqiptaret e ndjekur nga dhuna serbe mund te strehoheshin, deri me 16 prill 1999.Ne Gedime pas sulmeve serbe fashatit  Babush te Muhaxhireve me 28 mars 1999, banoret e te cilit erdhen ne Gadime te Eperme, si dhe ne vazhdim, kur u sulmuan fashtrat Gllavice e Marec I Vogel  e Gadimja e Poshtme.  Shumica e banorve  te tyre fashtrave poashtu u strehuan ne Gadime te Eperme, Mandej pas debimit nga dhuna serbe te shqiptareve nga Kishnapola, Gadishi e Sllakovci, shumica shqiptareve te ndjekur erdhen poashtu ne Gadime te Eperme. Ndersa, me 15 prill 1999 u sulmua  Akllapi, e  sidomos asaj dite u pas sulmit tragjike ne Sllovi, me 45 te vrare. qe pervec banoreve te vet Sllovia, kishte edhe mbi 5 mije refugjate te strehuar nga hapesirat e ndryshme shqiptare, po ate dite ndodhi edhe  debimi I shqiptareve nga Samllusha. Shumica e te ndjekurit edhe nga keto fshatra u strehua ne Gadime te Eperme, si edhe banoret e ndjekur pas sulmeve te 15 prillit 1999 ne Bresalc, Zhegoci, pas Betejesse Zhegocit, ne Zhegoc dhe fshatit Verbice e Zhegocit. Te nesermen, me 16 pril 1999,mbi njemije banore, kryesisht  gra, femije e burra  te moshuar, pas udhetimit te gjithe nates me shi e te ftohet  mes  15 e 16 prillit 1999, arriten ne Vrelle te Gadimes mga vazhduan  rrugen e u strehuan ne Gadime te Eperme .
                Keshtu qe Gadimja e Eperme, Vrella e Plitkoviqi, praktikisht mbeten te vetmet vendbanimet ende te pa sulmuara nga forcat serbe. Me 16 prill 1999, per te realizuar symimin e ndjekjes, gjithnje sipas Projektit “Patkoi”, forcat e dhunes serbe organizuan sulme vrastare dhe ndjekjes se shqiptareve edhe nga keto vendbanime te mbetura. Plitkoviqin e sulmuan kah ora 11-te e paradites, pasi ishte vendbanim I vogel, me popullate te mbetur, aty nuk vonuan shume dhe vazhduan sulmet edhe ne Vrelle per te arritur ne Gedime te Eperme, diku para ores 15 e pasdites. Forca policore e ushtarake u duken nga krahu I Vrelles ne lindje te Gedimes, erdhen ne fasht duke djegur e leshuar britma kercnimi,Kallen disa objekte banime dhe objekte ndihmese.Popullata nen kercnim te dhunes serbe, masovisht doli nga shtepit dhunshem  mori rrugen e ikjes. Pjestaret e dhunes serbe arriten ne familjaret e pjeses lindore te fshatit dhe i detyruan te drejtohen ne kolone ne drejtim te Gedimes se Poshtme per ne autoudhen Shkup-Prishtine ne drejtim te Lypjanit. Gedimja e Eperme, vendbanim me shume banues, thuaja nga gjithe trevat e hapesires Prishtine, Lypjan, Ferizaj e Gjilanit me rrethine, si dhe shumefishin  e te strehuareve aty. Diku kah ore 15 gadimasit bashk me te strehuarit e tyre, mes te cileve kishin strehuar edhe kater ushtare te plagosur te UCK, me  afro 25 mije civile te pa armatosur shqiptare, ne kolone te gjate, me traktore, vetura, automjete te ndryshme madje edhe me qerre kuajsh e  deri edhe me autobuset e kompanive transportuese vendore “ Gmica”,”Nexhi” dhe “Jehona” ne percjellje, kercnimi e turture psikike e fizike,  u nisen ne rrugen e egzodit per Shqiperi. Forcat policore e ushtarake serbe, ishin ne percjellje rigoroze e kercnuese, perkunder kontrellit rigoroz te rruges, me qellim qe askush nga kolona mos te shkeputet, e te hyje ne fshatrat shqiptare. Per disa momente, disa nga familjaret u pervodhen dhe ne forma te ndryshme arriten te hyjne ne fashtrat per rreth rruge, Llugaxhi, Guvnaselle-Bujari, Banulle,Gllogoc, deri sa nuk u vrejten nga pollcia sebe, e cila menjehre vendosi police ne gjitha rruget dalese nga magjistrale ne keto fshatra  deri ne Lypjan. Ne qytezen e Lypjani, mu para stacionit policor, disa police vendore serbe, ndalen disa automjete nga kolona e qytetareve civile shqiptare, i kerncuan, I fyen dhe kerysisht ju kerkuan para dhe stoli ari. Askush nga pjestaret e kesaj kolone, deri ne afersi te Shtimes, nuk ka mundur ti shpetoje syrit vezhgues te policies dhe ushtrise vrastare serbe, Apo me ndonje forme tjeter  te ndahet nga vezhgimit kercnues serbe e te hyje ne ndonjerin nga keto fsahtra. Ashtu ne percjllje e kercnim kjo kolone egzodi vazhdonte rrugetimin ikjes nga dhuna serbe. Pati ndonje  rast qe eshte cfrytezuar mundesia e kthimit ne ndonjerin fshat shqiptar edhe deri ne Shtime, si ne Davidovc ku pak familjare arriten te  ndahen nga kjolona, dhe ne Shtime, ku me leje te policise serbe, bile me urdherin e tyre, disa familje ashkalijsh u shkeputen nga kolona dhe te futen ne ndonjeren nga familjet ashkalish te Shtimes.  Kolona vazhdoi rrugtimin e kercnimit e rrezikut Grykes se Caraleves e deri ne Duhel e Suhareke, kolona e te ndejkureve, pervec qe ishte eksponuar dhunes,plackitjes e kercniumit ishte e rrethuar per rreth rruge nga forcat policore serbe.Kishte pervec sharjeve dhe kercnimeve edhe placktije,kerkim te hollash dhe stoli ari. Gjate ketij rrugetimi dallohet postblloku policor te Fabrika e Suharekes “Ballkan” si dhe momente te shpeshta rrezikimi deri ne dhunen serbe, qe vazhdoi  deri ne Prizren.U dallua vecmas edhe kersnimi nga policia e dehur serbe ne Zhur Dhe ndonje postbllok tjeter deri e ne vendkalimin kufitar me Shqiperine Morine, ku arriten ne mbremjen e 16 prillit 1999.Gadi gjithe nata dhe ore te paradites kaloi ne kontrolim te vendkalimit ne Morine. Nje kohe popullata e shpetuar, tash e gezuar, qe arriten te dalin ne “token e premtuar” ne teritor te Shqiperise. Ku u priten nga shume media nderkombetare te cilat inqizonin e merrnin rrefimet e qyteatareve,per ate qe perjetuan ne kete rrugtim kalvari, Ne Kukes arriten te “rahatohen” ne mbremjen e 17 prillit 1999.  Kjo kolone e te ndjekureve shqiptare, gjithnje sipas projktit te Akademise Serbe “Patkoi”, qe kishte qellim debimin e shqiptareve jashte trojeve etnike nga gjithe hapesirat shqiptare te Kosoves. Shqiptaret e ndjekur nga Gedmija e Eperme, me 16 prill 1999, ishin jo vetem banore te Gadimes, Por, aty kishte edhe nga shume vende te Kosoves, qe me pare ishin strehuar ne vendbanime te ndryshme. Vendstrehimi I fundit per ata ishte Gedimja e Eperme nga e cila bashke me gedimasit u depertuan ne Shqiperi, kaluan rrugen deri ne Kalvar.Per rrugtimin e egzodit shqiptare gadimas,  dijne dhe mund te tregojne shume, vetem vet perjetuesit e asaj golgot, si dhe sa u ofenduan, si u rrehen e u lenduan fizikisht e shpirterisht, e sa u kercnuan dhe sa u plackiten e u vodhen pergjate kesaj golgote deri ne shpetimin vellezrore neToken e Premtuar, mes vellezerive ne Kukes Te Shqiperise. 
Per debimet shqiptare, golgoten e Egzodit 16 prill 1999, nga Gadimja e Eperme dhe te strehuarve te tjere shqitare aty, ngjashem dihet e njihet  edhe Egzodi  nga Mitrovica duhet dhe kemi sa te flasim e te shruajme, edhe pse poashtu njihen edhe depertimet e shume shqiptareve ne dite e kohe te ndryshme, por jo kaq masiv sic jane te njoihgura kolonat nga Gadimja e Eperme dhe masivitetit I ndjekjes se shqiptareve nga Mitrovica.  Shqiptaret dhe egzodi I tyre nga dhuna serbe,praktikisht dhe natyrshem mori tri drejtime kryesore. Ata, sipas projektt serbe Patkoi,  u depertuan ne tri drejtime te mdha. Zakonishte ku ishin dhe jane toka etnike shqiptare dhe te shtetit shqiptar. Drejt Kanalit te Shkupit-Maqedonise, ne  drejtim te Malit te Zi dhe shumicen e ndjekur shqiptare e drejtonin,  ne drejtim te Shqiperise, Serbet kishin te vetmin qellim gjenocidal, qe synin ne patrimin etnik te planifikuar, zbrazjen e trevave shqiptare te Kosoves, per moskthimin e tyre, dhe populllezimin e kesaj hapesire etnike autoktone shqiptare me “banore” serbe.

Filed Under: Opinion Tagged With: 1999, Eksodi kosovar, Ismail Gashi-Sllovia

Lek Mirakaj: Visar Zhiti, një diamant që trazon persekutorët

March 26, 2017 by dgreca

1 Lek Mirakaj*Lek Mirakaj:A nuk do ishte e mjaftushme vetë dekorata që Z.President i ka akorduar Visarit për qëndresën e tij në burgjet e komunizmit. A nuk janë të mjaftushme shprehjet e vlerësimet që lideri i Partisë Demokratike dr.Sali Berisha, ka adresuar në drejtim të personit të Visarit./1 Visar Bujar Nishani

Burgu i Spaçit. Një ditë pranvere e vitit 1980. Lek Mirakaj, ishte dërguar atje për të vuajtur ferrin e qelive dhe galerive të errëta, si të gjithë të burgosurit e tjerë politikë që gjeti në atë burg-minierë. Mes tyre ishte edhe Visar Zhiti, më të cilin thotë se ndau besim e respekt të plotë që nga momenti i takimit e deri sa dolën nga burgu, për të vijuar më tej më të njëjtin besim e respekt edhe në vitet pas rënies së regjimit e deri më sot.

Poeti dhe shkrimtari Visar Zhiti, së fundmi i ngarkuar me punë në selinë diplomatike shqiptare në Vatikan, është përfshirë sërish në një debat në distancë me presidentin e vendit Bujar Nishani, për shkak se ky i fundit dekoroi para pak kohësh një ish-hetues të regjimit komunist.

Por përgjigjja e persidentit ka qenë një akuzë e ashpër për Zhitin duke e fajësuar për rolin e spiunit gjatë periudhës së vuajtjes së burgut.

Kjo çështje hap sërish debatin mbi ish-bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit që lakohen më shpesh e më ashpër se sa vetë xhelatët e diktaturës.

Lek Mirakaj, si një ish i përndjekur politik, dhe i njohur i z.Zhiti në rrethanat e burgut, pranon të bëjë këtë bisedë për gazetën Shqiptarja.com, ngacmuar nga debate i hapur këto ditë pas akuzave për spiunim ndaj Visar Zhitit, dalë nga zyra e presidentit Nishani.

  1. Mirakaj, në çfarë rrethanash jeni njohur me Visar Zhitin? Si ka vijuar njohja juaj me të?

Lek MIRAKAJ: -Me Visarin jam njohur në kampin famkeq të Spaçit në pranverën e vitit 1980. Disa shokë të mij që kishin përfunduar para meje në burg, ma prezantuan Visarin si një djalë serioz, i ndershëm, me të cilin mund të shoqërohesha dhe të flisja pa frikë dhe pa rezerva. Që nga ajo kohë e në vazhdim, ato raporte të respektit dhe besimit të ndërsjellët i kanë rezistuar, si viteve të burgut, ashtu edhe viteve të periudhes post diktatoriale.

Si mund ta portretizoni Visarin poet të burgosur?

Lek MIRAKAJ: -Poetët mund ti burgosësh, po nuk mund ti ndalësh që të jenë poetë. Të tillë kishte mjaft në burg. Me që është rasti po përmend disa pa dashur ti dalloj nga ata, që nuk do ti përmend. Poeti martir Havzi Nela me gjithë vitet e shumta të kaluara në tmerrin e burgut, ishte i apasionuar pas të bukurës, në cilëndo formë, që mund ti shfaqej. Luan Burimi, Zyhdi Morava, Hasan Bajo, Agim Hamidi, prifti katolik Simon Zefi (Hardhija) e plot të tjerë, punimet kryesore i kanë krijuar në kushtet e burgut, duke i memorizuar. Pa dyshim në këtë grup njerëzish të talentuar dhe të guximshëm, Visari shkëlqen si një diamant, që i bën hije pothuaj të tërë shkrimtarëve të ashtuquajtur, të realizmit socialist. Dhe mos të harrojmë se nëse punimet e tyre do binin në dorën e sigurimit, pasojat do kishin qenë fatale.

Si do t’i cilësonit akuzat kundër tij, për spiunim, gjatë kohës së burgut, artikuluar drejtpërdrejt nga zyra më e lartë e shtetit, ajo e presidentit?

Lek MIRAKAJ:-Më lejoni t’ju bëj një korrigjim të vogël. Nuk do ti konsideroj “akuza” thjesht do i cilësoj “SHPIFJE” të denja për korbat që vuajnë kompleksin e fajit ndaj Visarit e tërë Visarëve që u përballën me diktaturën dhe me qëndresën e tyre i prishin qetësinë dhe gjumin, atyre që në një mënyrë apo tjetër e ndjejnë vehten përgjegjës për krimet. Për tu thelluar dhe për të qenë pak më i qartë: Shpifjet që bëhen ndaj personit të Visarit, nuk kanë të bëjnë me Visarin si individ. Ato janë në vazhdën e përpjekjeve 25-vjeçare për të disktretituar të gjithë ish të burgosurit politikë, pra edhe mua personalisht e shokët e mi bashkëvuajtës. Jetoj në SHBA, kam ndigju gjithfarë shpifjesh, sharjesh e fyerjesh, nga më skandalozet, që janë adresuar ndaj president Obames, po ashtu ndaj presdentit Trump. Asnjëherë nuk ka bërë vaki që ata ta ulin prestigjin e ofiqit në nivele të atilla, që fatkeqësisht presidenti i vendit tim u bë protagonist, duke u marrë me shpifje, që mund ti tolerohen gazetave e revistave të gossipit dhe skandalit. E thashë se ka një praktikë të mirëorganizuar për të diskretituar ish të burgosurit politikë. Në mos gabohem kjo lojë e pistë pati filluar me akuzat e sigurimsit Neshat Tozaj, që akuzonte se ish të burgosurit politikë ,kanë qënë të gjith spiunë. Jemi dëshmitar të akuzave të zonjës së zezë, alias Nexhmije Hoxhës, se ish të burgosurit e ndergjegjes kanë qënë, hajdutë lopësh. Kjo e bën më të dhimbshëm reagimin e presidentit që e rradhit vehten me të lart përmendurit.

Sidoqoftë një dokument i botuar keto ditë nga drejtori i Institutit të Studimeve për Krimet e Komunizmit Agron Tufa deshmoi se z.Zhiti edhe pse ishte tentuar ti ofrohej ky rol, kishte refuzuar ta pranonte. A e njihni ju këtë histori?

Lek MIRAKAJ:-Le ta nisim nga fundi. Për këtë histori Visari ka shkrujtur në njërin nga librat e tij, kështu që nuk bën lajm. Sigurisht që e dinja direkt nga Visari. E dinja se kisha besim të ndigjoj çdo gjë nga Visari, ai e kishte kaluar proven e “zjarrit” me qëndresën shembullore në burgjet e diktatures komuniste. Sidoqoftë është pë tu përshëndetur veprimi kurajoz i Z.Tufa që e botoi këtë dokument, pa marrë parasysh se mund të ketë pasoja meqë përgënjeshtroi presidentin e Republikës. Ai jeton e punon në Shqipëri dhe ne e dimë se si shkojnë punët atje.

A e ploteson edhe më tej portretin prej qëndrestari të z. Zhiti ky fakt?

Lek MIRAKAJ:-Do i përgjigjem shkurt kësaj pyetje. Visari as që ka nevoje për këtë dokument per të vertetuar portretin e tij prej qëndrestari. A nuk do ishte e mjaftushme vetë dekorata që Z.President i ka akorduar Visarit për qëndresën e tij në burgjet e komunizmit. A nuk janë të mjaftushme shprehjet e vlerësimet që lideri i Partisë Demokratike dr.Sali Berisha, ka adresuar në drejtim të personit të Visarit. Apo tashti do na thonë se kanë gabuar, se ishin të pa informuar. Të shpresojmë se do jenë më seriozë dhe z. president do kete kurajon civile për ti kërkuar ndjesë Visarit dhe gjithë ish të burgosurve politike. Në fund të fundit, pranimi i gabimit vetëm të lartëson. Le të shpresojmë.

Kush mund të jetë ish i përndjekuri me inicialet P.V.që u aludua dhe me ç’qëllim u përmend ai?

Lek MIRAKAJ:-Jam më se i sigurtë se individi me inicjalet P.V. nuk egziston. Ai është krijesë e fantazisë inatçore të presidentit tonë që e vuri vehten në këtë pozitë të pa këndshme. Ai mund të pretendojë se etika nuk ja lejon të zbulojë identitetin e paditësit, se i është komunikuar në mirbesim, me siguri do perpiqet të bejë lojë fjalësh, une do thonja se ky P.V, ky lloj kujdestari që paska pasur hallin e pastërtisë morale të figurës, që do përfaqesonte vëndin pranë selisë së shenjtë, nuk ekziston.President mos harro se ne kemi dëgjuar shume akuza në drejtim të personit tuaj për ngjarjet e ish-shkollës së Bashkuar, po ne i kemi injoruar. Ju nuk mundët ta përmbanit veten por vendosët ti përgjigjeni në formën më të pa përshtatshme qytetarit Visar, që ndoshta, veç protestës për dekretimin e një ish-hetuesi, donte të të nxirte edhe ndonjë guriçkë që i shkaktonte dhimbje, që në rrethana specifike si ato të Visarit është më se e kuptueshme.

-Qëndrojme pak te jeta e burgut. A keni pasur ju përvoja personale qe lidhen me spiunë në burg. A ishte e vështirë të ruheshe prej tyre. Si e zgjidhnit çështjen e komunikimit të lirë në ato rrethana survejimi?

Lek MIRAKAJ:-Të pretendoje se nuk kishte spiunë në burg do të ishte përtej absurdes, do të ishte qesharake. Mbas viteve ’60-të dhe sidomos pas revoltës së Spaçit, regjimi për ta bërë jetën e të dënuarve më të vështirë, filloi të sjell nga burgjet ordinere elementë ordinerë. Këta në shumicën dërrmuese përbënin kontigjentin e spiunëve. Për t’ju shmangur spiunëve nuk ishte shum e vështirë. Flas për t’u rujtun nga bisedat politike, dhe më besoni këto lloj bisedash, i konsumonim pa rezerva. Mjafton që të zgjidhje shokët. Fatmirësisht ne ishim një grup shokësh që kishim kaluar tërë jetën me njëri-tjetrin në kampet e internimit. Në këtë grup pa asnjë rezervë ishte pranu edhe Visari, që me ironinë e tij, me batutat e gjetura i jepte kënaqësi tërë grupit tonë. Sigurimi përpiqej që të krijonte frymën e frikës dhe mosbesimit ndërmjet të dënuarve, por pa ja arritur plotësisht qëllimit. Po ju sjell një shembull. Të githa grupet dhe individët që janë ridënuar në burg, janë dënuar me dëshmitarë të rremë, që njiheshin nga gjithë të burgosurit si dëshmitarë profesionistë. Mjafton te lexosh Fatos Lubonjën.Sipas njohjeve të mia nga puna kërkimore në arkiva, një bashkëpuntor i sigurimit në burg, thënë ndryshe spiun në qeli, kishte disa mënyra rëkrutimi. Kishte sigurisht edhe pak vullnetarë mes tyre, por të shumtët e bashkëpunëtorëve, futeshin në rrjetin e sigurimit me rrethana shtrënguese, pra përmes forcës, torturave, kërcënimeve me anëtarët e familjes e njerëzve të tjerë të dashur…

Pra ishin viktima. Në këto kushte pse duhet të diskutojmë sot e 25 vjet për viktimat dhe jo për xhelatët?

Lek MIRAKAJ:-Konstatimi juaj për mënyrat e rekrutimit është mëse i saktë. Ishte dhuna fizike dhe psiqike, ajo që i denatyralizonte njerëzit. Për të ardhur keq se sa herë hapen këto diskutime, me shumë mllef dënojme ata fatkeqë që nuk mundën ti rezistojnë atij presioni të paimagjinueshëm dhe harrojmë ata që janë fajtorët e vërtetë, bishat që nuk linin gjë pa bërë kur gjenin pika ku mund të ushtronin presion. Ky diskutim na kthen te biseda që bëmë më lart. Është një politikë djallëzore dhe e qëllimshme për të diskretituar ish të persekutuarit dhe për të injoruar fajtorët e vërtetë. E kam thënë gjatë një interviste në Zërin e Amerikës, se spiunët janë hallka e fundit në zinxhirin e personave përgjegjës për krimet e diktaturës komuniste. Janë ish-sigurimsat, ish-hetuesit, ish-operativët, gjykatësit dhe ish-prokurorët që duhen demaskuar dhe në mjaft raste edhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore, për dhunimin e të drejtave të njeriut.

A mendoni se ata qindra bashkëpunëtorë që janë vënë në shërbim në këto rrethana duhet të dalin hapur e ta distancojnë veten nga pusi i errët e plot sekrete që po mbahet i tillë, nga politika, me qellim prej 27 vitesh?

Lek MIRAKAJ:-Ju po thoni që të kemi Gunter Grras. Do kishte qenë një veprim që do i kishte hequr mundësinë dashakeqve, për të përdorur marifete si ky që u perdor karshi Visarit, për tu mbyllur gojën të gjithë atyre, që mund të protestojnë për trajtimin që i është bërë ish të persekutuarve, herë më shumë dhe herë më pak. Fatkeqësisht atë që nuk patën kurajo ta bëjnë këta individë të denatyralizuar, shpresojmë që ta bëjë autoriteti i hapjes së dosjeve të ish-Sigurimit.

Në qarqet e politikes jane artikuluar gjatë këtyre viteve dy shprehje tipike: “bashkëvuajtes dhe bashkë fajtorë” si dhe “fajin e ka sistemi jo individi”. Çfarë komenti keni për këtë?

Lek MIRAKAJ:-Pa hyrë në analizë të qëllimit për të cilin u përdor kjo shprehje, mund të them se pati pasoja më tepër se të dëmshme. Së pari as unë dhe as shokët e mi nuk e ndjejmë veten fajtorë për atë që ka ndodhur. Aq më pak mund ta ndjejnë veten fajtor: poeti H.Nela, heronjtë e revoltës së Spaçit dhe Qafë Barit, ata fëmijë të pafajshëm që vdiqën në kampin e Tepelenës sa për të përmendur vetëm disa. Do të kishte pasur një farë kuptimi kjo shprehje sikur ata që janë fajtorë dhe bashkëfajtor, të paktën të kishin kërkuar ndjesë, gjë që nuk ndodhi.

Përkundrazi duke i shmangur nga përgjegjësia, ata fajtorët, u bënë edhe më të pa fytyrë dhe agresivë. Edhe sot në tërë botën kërkohen kriminelët nazistë dhe kur identifikohen i jepen drejtesisë, pa marrë parasysh as kohën as rrethanat në të cilat ata kanë vepruar. Nuk ka dyshim qe sistemi ishte kriminal, po, për të vënë në jetë atë sistem kriminal kërkoheshin njerëz të përshtatshëm dhe të gatshëm për të bërë krime. Toleranca që ju bë kriminelëve dhe vënia e shenjës së barazisë ndërmjet dy ekstremeve të kundërta, solli atë pasojë që Partia Demokratike po e paguan sot. Krijoi përshtypjen se të dy palët e politikës janë njësoj. Një gënjeshtër monstruoze që pasuesit e Partisë së Punës po e përdorin me mjeshtëri. Fatkeqësisht njerëzit kanë filluar të harrojnë se në kurrizin e të ashtuquajtur të majte rëndojnë 50 vjet diktaturë dhe askush nga ata “bashkë vujtës dhe bashkë fajtorë” nuk ka kërkuar falje deri më sot.

A besoni se një ditë do të zbardhen të vertetat e krimeve të komunizmit?

Lek MIRAKAJ:-Të vertetat e krimeve të komunizmit. Për tu bërë transparencë e plotë e krimeve të komunizmit duhet vullnet politik dhe emancipim qytetar, gjë që në stadin aktual mungon plotësisht. Shkrimet e shkrimtarëve ish të burgosur ndoshta janë dëshmia më reale e asaj që ka ndodhur. Hapja e dosjeve të krimit komunist dhe Vetingu që kërkon transparencë për bashkëpuntorët dhe ish-komunistët, që duhet thënë se kanë qenë skalioni i parë i spiunëve të Sigurimit, po nuk u manipulua mundet të shërbejë në demaskimin e krimeve të komunizmit. Shoqëria shqiptare do jetë gjithnjë e sëmur po nuk arriti të shkëputet dhe të demaskojë krimet e diktaturës komuniste. Sot dhe brezat që do të vijnë do i jenë mirnjohës Visarit dhe atyre që me shkrimet e tyre kanë bërë që ajo periudhë e zezë, që kure mos u persërittë, të mos harrohet. Z.Visar është një pasuri kombëtare, jo vetëm për qëndresën po edhe për kontributin në thesarin e kujtesës, për të mos harruar. Do i uroja vendit tim që Visari o një tjetër Visar të jetë personi që do i japë institucionit që perfaqëson unitetin kombëtar, dinjitetin e munguar. Koha ka ardhur. Le të shpresojmë!(Kortezi:Shqiptarja.com. Publikohet me lejen e te intervistuarit)

Filed Under: Opinion Tagged With: diamant, lek mirakaj, presidenti Nishani, që trazon persekutorët, Visar Zhiti

EKSPOZITA E ARTISTIT BLERIM LUZHA, SPEKTËR ARTISTIK PLOT NGJYRA E FLORË PRANVERORE

March 25, 2017 by dgreca

2 Luzha Blerim

Ekspozitë retrospektive e Blerim Luzhës në Galerinë Kombëtare të Kosovës/

5 Vizitore2-“Puhi freskuese mes petalesh” në Galerinë Kombëtare të Kosovës në Prishtinë – ekspozita retrospektive e Blerim Luzhës, në 80 vjetorin e lindjes dhe 60 vjetorin e krijimtarisë artistike të tij, është hapur mbrëmë në një ceremoni me shumë pjesëmarrës/

1 Ekspozita Belrim Luzha

-Korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI-organ i Federatës Mbarëshqiptare të Amerikës VATRA, Behlul Jashari, ishte ndër të ftuarit në ekspozitë, nga e cila raportoi/

3 Vizitore

-Media e Kosovës:  Ekspozita e artistit Blerim Luzha, spektër artistik plot ngjyra e florë pranverore/

4 IntervistePRISHTINË, 25 Mars 2017-Gazeta DIELLI/ “Puhi freskuese mes petalesh”, ekspozita retrospektive e Blerim Luzhës, në 80 vjetorin e lindjes dhe 60 vjetorin e krijimtarisë artistike të tij, është hapur mbrëmë në Galerinë Kombëtare të Kosovës në Prishtinë.

“Blerim Luzha ka krijuar kopsht me ngjyra e me forma të ndryshme. Gjithçka ngjan sikur në Kopshtet e Samiramidas në Babiloni”, u shpreh kuratori Shyqri Nimani në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, ku theksoi “punën rreth gjashtë dekada art e bukuri”.

Shyqri Nimani për Blerim Luzhën ka shkruar: “Rëndësi parësore për të ka zhvillimi i perceptimeve të ndryshme të përdorimit të ngjyrës, yrnekut, trajtës dhe vijës, herë me kompozicione multiplikative, herë me trajtime asimetrike e herë-herë edhe me shfryrje të lira shpirtërore. Në këtë mënyrë autori përcakton filozofinë e konceptimit të krijimtarisë vetanake sipas parimit ‘simbiozë e traditës dhe e kontemporanes me vlera të mirëfillta’. Kështu, gjatë frymëzimeve nga flora natyrore krijohet një vargan me glosar të gjatë të luleve nga më të bukurat dhe nga më të llojllojshmet…:

“I urojmë ditëlindjen artistit, ndërsa e falënderojmë për rreth 17 vite sa ka punuar në Galerinë Kombëtare të Kosovës”, tha drejtoresha e Galerisë, Arta Agani, duke shtuar se disa nga veprat në ekspozitë janë të para shumë vitesh, “por çuditërisht janë bashkëkohore”.Artisti me studime e specializim edhe në Paris, Luzha nuk ka folur për veprën e vet, derisa pjesëmarrësit e shumë në hapje të ekspozitës, të cilët i falënderoi, shihnin në muret e Galerisë Kombëtare të Kosovës edhe “dizajnimet me një spektër të frymëzuar piktural që ka aromën e florës së lulëzuar pranverore”.Ekspozita retrospektive e Blerim Luzhës “Puhi freskuese mes petalesh” do jetë e hapur për një muaj, deri në 24 prill 2017.

Korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI- organ i Federatës Mbarëshqiptare të Amerikës VATRA ishte ndër të ftuarit në ekspozitë, për të cilën ka raportuar edhe për Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë.

Media kosovare vlerëson ekspozitën, KultPlus ka shkruar:

EKSPOZITA E ARTISTIT BLERIM LUZHA, SPEKTËR ARTISTIK PLOT NGJYRA E FLORË PRANVERORE

Galeria Kombëtare gjithandej ishte mbushur me piktura të artistit, me kompozicione multiplikative ku vërehej një asocim i ardhjes së pranverës. Spektri i veçantë i pëlhurave erdhi me ngjyra të ndryshme, me larushi dedikimesh unike dhe me një simbiozë mes të mirëfilltës, traditës dhe asaj të resë, bashkëkohores, kontemporanes.

Arbër Selmani

Çka panë sytë e tij nëpër Paris, në Beograd e në qytete tjera ku qëndroi për vizita studimore, kjo duke u ndërlidhur edhe me kontaktet e tij me piktorin Ibrahim Kodra, dashuria për natyrën por edhe ajo për artin si diçka që nuk ka fund, sollën lule e petale në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
Frymëzimi nga flora i doli në lule: në lulekëmborë, në luleshpatë, zogparajse, në orkide e në tulipanë, në luledielli e jasemin, jo më pak krizantemë. Blerim Luzha erdhi i tëri i kompletuar dhe me sekuencën e krijimtarisë së tij në ekspozitën retrospektive, sonte në kryeqytet.

Ekspozita retrospektive e artistit u hap në praninë e artdashësve të Luzhës. Arta Agani nga Galeria Kombëtare e Kosovës tregoi për ekspozitën e cila sjellë në retrospektivë punën e artistit.

“Së pari i urojmë ditëlindjen artistit, ndërsa e falënderojmë për rreth 17 vite sa ka punuar në Galerinë Kombëtare si kurator i koleksionit. Veprat që po i shihni sonte kanë elemente nga art nouveau e deri te op-arti, me teknike të jashtëzakonshme dhe dizajn të veçantë. Disa prej tyre janë punuar para shumë vitesh por çuditërisht janë bashkëkohore”, tregoi Arta Agani në hapjen e ekspozitës.

Galeria Kombëtare gjithandej ishte mbushur me piktura të artistit, me kompozicione multiplikative ku vërehej një asocim i ardhjes së pranverës. Spektri i veçantë i pëlhurave erdhi me ngjyra të ndryshme, me larushi dedikimesh unike dhe me një simbiozë mes të mirëfilltës, traditës dhe asaj të resë, bashkëkohores, kontemporanes.

Shyqri Nimani, kuratori i ekspozitës, derisa foli mbi jetën e artistit tregoi se ai i përket plejadës së shkollarëve që u larguan për studim në Akademitë e mëdha të Beogradit, Parisit, Ljublanës e Beogradit por u kthyen për të kontribuuar në vendin e tyre, shkruan KultPlus.

“Dhe e vërteta është se u kthyen në këtë vend, pasi specializuan në vende të ndryshme. Për Luzhën, është interesant se ai pati afinitet me Francën, artin e këtij shteti dhe e vizitoi shpesh Muzeun e Luvrit atje. E kjo ekspozitë që është hapur sonte, në fakt është koincidencë që po mbahet pikërisht në Javën e Frankofonisë në Kosovë” tregoi mes tjerash Nimani, në fjalën e hapjes së ekspozitës “Puhi freskuese mes petalesh”.

Kuratori Nimani pohoi në hapjen e ekspozitës së artisti Blerim Luzha, me punën e tij që kapë rreth gjashtë dekada art e bukuri, ka krijuar një floriadë të madhe, me trajtat, elemente, e me ngjyrat që ka përdorur.
“Ai ka krijuar kopsht me ngjyra e me forma të ndryshme. Për ata që janë sonte këtu ose edhe ata që do të kenë rastin ta vizitojnë studion e artistit, gjithçka ngjan sikur në Kopshtet e Samiramidas në Babiloni” thotë mes tjerash kuratori Shyqri Nimani.
Vetë artisti duke përshëndetur familjen dhe bashkëpunëtorët, sidomos bashkëshorten e tij, nuk ka dashur të flasë mbi veprën e tij, por vetëm është falënderuar për të pranishmit që e çmojnë dhe kësisoj e vlerësojnë karrierën e tij, një pjesë e mirë e së cilës erdhi e shpalosur në muret e Galerisë Kombëtare, nga e premtja e 24 marsit.

Blerim Luzha është ndër krijuesit e rrallë shqiptarë që tërë karrierën e tij ia ka kushtuar fushës së tekstileve. Krijimet e tij në Cikli i dezenëve shquhen për imagjinatën e pasur të stilizimeve të motiveve florale me kolorit gamash të ngrohta e të freskëta dhe me struktura atraktive.

Luzha ka punuar në projektet për pëlhura dekorative, për pëlhura të veçanta, të mëndafshit, të pambukut dhe për veshje solemne. Dy vite përfundon specializim në Paris ndërsa udhëtimet e tij studimore janë realizuar në Gjermani, Francë, Çeki, Belgjikë e në shtete tjera.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Behlul Jashari, E ARTISTIT BLERIM LUZHA, E FLORË PRANVERORE, Ekspozita, SPEKTËR ARTISTIK PLOT NGJYRA

REAGIM PER VISAR ZHITIN NGA AGRON TUFA

March 23, 2017 by dgreca

Në një status në faqen e tij në facebook, shkrimtari Agron Tufa, drejtor i Insitutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, e cilëson të nxituar, të papërgjegjshme dhe mjaft e dëmshme p deklaratën e Bujar Nishanit kundër poetit Visar Zhiti se “ka qenë spiun në burgun e Spaçit”. Statusin e tij Agron Tufa e shoqëron me dokumentin origjinal nga Sigurimi i Shtetit, të cilin e disponon ISKPK. Ja statusi i plotë:

Pa hyrë në natyrën e ndërsjelltë të replikave midis Presidentit të Republikës, z. Bujar Nishani dhe poetit të njohur Visar Zhiti, që është dhe një ish-i dënuar politik i regjimit totalitar të Enver Hoxhës, mendoj, se deklarata e Presidentit për Zhitin – “…Ka qenë spiun në burgun e Spaçit”, – është një deklaratë e nxituar, e papërgjegjshme dhe mjaft e dëmshme për këto arsye:

1. Kreu i shtetit, Presidenti, nuk duhet të transmetojë në publik, se ç’thonë thashathemexhinjtë, pa qenë i sigurtë, me fakt të dokumentuar. Kush mund t’ia refuzonte të drejtën kreut të shtetit ta shihte dosjen e Zhitit, meqë Autoriteti i Dosjeve ka filluar punën e hapjes së tyre? Z. President duhet të jetë zëdhënës i fakteve dhe jo i shpifjeve.

2. Edhe sikur, fjala vjen, hipotetikisht, poeti Visar Zhiti të kishte qenë spiun, ka një logjikë, të përfshirë në të gjitha të drejtat ndërkombëtare që thotë: “Çdo dëshmi, çdo akt, çdo pohim i personave që gjenden robër, pengje lufte, të arrestuar dhe në tortura, nuk merret parasysh”. Dhe Visar Zhiti ka qenë nën këtë presion, si çdo i burgosur tjetër, përballë bishave më çnjerëzore.

3. Por për fat të mirë, për dinjitetin e tij dhe të tjerëve që vuajtën ferrin e burgjeve të komunizmit, Visar Zhiti ka bërë të kundërtën: ka firmosur një deklaratë, që nuk pranon, që refuzon të vihet në shërbim spiunimesh. Këtë e di mirë unë e jo ndofarë shpifësi me iniciale P.V, pasi z. Zhiti ka qenë pjesë e Këshillit Shkencor të ISKK dhe na është dashur të kontrollojmë, sipas ligjit, pastërtinë e figurave.

Pafajësia e z. Zhiti do të bëhet e qartë dhe publike shumë shpejt, në një reagim institucional, zyrtar.

Me presidentin e Republikës, z. Nishani kemi pasur gjatë këtyre viteve një sërë bashkëpunimesh të suksesshme dhe me vlerë të madhe për kujtesën dhe krimet e diktaturës, për nderimin e tyre me një sërë medaljesh, për çka i jemi sinqerisht mirënjohës. Por ndjej keqardhje të thellë për deklaratën e tij të fundit, siç e thashë më sipër, të nxituar, të papërgjegjshme dhe thellësisht të dëmshme për personin që atakon dhe për ata mijëra burra, të vdekur e të mbijetuar nga diktatura gjakatare komuniste.

Filed Under: Opinion Tagged With: Agron Tufa, reagimi i Presidfentit, Visar Zhiti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 502
  • 503
  • 504
  • 505
  • 506
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KOSOVA, NJË SHEMBULL DEMOKRACIE– Mbështetja e popullit është çelësi për fitoren e zgjedhjeve
  • FRANK SHKRELI, ZËRI I NDËRGJEGJES SHQIPTARE NË MBROJTJE TË DEMOKRACISË
  • Albanian Soul, Electric Heart – Rozita Fishta’s Music Explorations
  • Ukraina si poligon i armëve të vjetruara globale: Donacionet ushtarake, gjeopolitika e Fuqive të Mëdha dhe perspektiva e paqes së qëndrueshme
  • AT GJERGJ FISHTA, 85 VJETORI I KALIMIT NË AMSHIM
  • Me veprën dhe personalitetin e Martin Segonit plotësohet panteoni humanist shqiptar me një figurë nga më të hershmet
  • Bashkimi kombëtar fillon me bashkimin e Kosovës me shtetin amë
  • PRESIDENTI WILSON NË FILATELINË SHQIPTARE
  • “Çamëria… heshtja që vret”
  • SHQIPTARËT DHE PROJEKTI EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT A MUND TË DEGRADOJË NË NJË NARRATIVË ILUZORE?
  • Brigitte Bardot: “seks bomba bionde” që revolucionarizoi kinemanë franceze
  • “Leksikoni i së drejtës publike – Nocione dhe institute të së drejtës publike”
  • Lugina e Preshevës dhe e drejta e munguar për shtetësi dhe votë në Kosovë
  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT