• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DONALD TRUMP ZGJIDHET PRESIDENT, MEGJITHATE TOKA VIJON E RROTULLOHET NORMALISHT RRETH DIELLIT….

November 9, 2016 by dgreca

* Megjithse shumë veta në Amerikë dhe jashtë saj ndjellnin zi se në rast të fitores së Donald Trump, bota do merrte fund, kjo nuk ndodhi.Toka gjithnjë rrotullohet rreth diellit dhe bota vazhdon jeten normale./1-trump-ok-6

* Mbrëmë para se të njoftoheshin rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, Presidenti amerikan siguroi bashkatdhetarët e vet dhe tërthorazi edhe botën, të gjithë ata që mund të ishin të shqetësuar me fitoren re kandidatit republikan Donald Trump se, “Çfardo të ndodhë sonte, dielli do të lind përsëri nesër dhe se Amerika do të vazhdojë të jetë gjithnjë vendi më i mirë në botë”, u shpreh Presidenti Obama./

* Në traditën më të mirë të kulturës politike amerikane, Presidenti Obama i telefonoi Donald Trump për t’i uruar fitoren dhe e ftoi në Shtëpinë e Bardhë për të biseduar mbi tranzicionin e qeverisjes./

*.  Duke treguar dinjitetin e humbses edhe kundërshtarja e tij gjatë fushatës shpesh tepër të ashpër për president, demokratja Hillary Clinton telefonoi Zotin Trump për t’i uruar fitoren.  Donald Trump, nga ana e tij uroi Zonjën Clinton dhe familjen e saj për fushatën…/

1-frank

Nga Frank Shkreli/Fushata e tejzgjatur dhe e lodhëshme për president të Shteteve të Bashkuara, më në fund u mbyll të martën me zgjedhjen e kandidatit të Partisë Republikane Donald Trump.  Megjithse shumë veta në Amerikë dhe jashtë saj ndjellnin zi se në rast të fitores së Donald Trump, bota do merrte fund, kjo nuk ndodhi.  Toka gjithnjë rrotullohet rreth diellit dhe bota vazhdon jeten normale.  Këtë e dinte më së miri edhe Presidenti i tanishëm Barak Obama, i cili bëri një fushatë të fortë kundër Donald Trump, në mbështetje të kandidatës demokrate Hillary Clinton.  Mbrëmë para se të njoftoheshin rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, Presidenti amerikan siguroi bashkatdhetarët e vet dhe tërthorazi edhe botën, të gjithë ata që mund të ishin të shqetësuar me fitoren re kandidatit republikan Donald Trump se, “Çfardo të ndodhë sonte, dielli do të lind përsëri nesër dhe se Amerika do të vazhdojë të jetë gjithnjë vendi më i mirë në botë”, u shpreh Presidenti Obama.Në traditën më të mirë të kulturës politike amerikane, Presidenti Obama i telefonoi Donald Trump për t’i uruar fitoren dhe e ftoi në Shtëpinë e Bardhë për të biseduar mbi tranzicionin e qeverisjes.  Duke treguar dinjitetin e humbses edhe kundërshtarja e tij gjatë fushatës shpesh tepër të ashpër për president, demokratja Hillary Clinton telefonoi Zotin Trump për t’i uruar fitoren.  Donald Trump, nga ana e tij uroi Zonjën Clinton dhe familjen e saj për fushatën që zhvilluan dhe e falënderoi atë për shërbimin e saj ndaj Atdheut tonë, tha ai.  Presidenti i ardhëshëm amerikan, Donald Trump, në fjalimin e tij drejtuar kombit me rastin e fitores, theksoi se ka ardhur koha që të shërojmë plagët e ndarjes dhe të përçarjes, ndërsa u bëri thirrje, “republikanëve, demokratëve dhe të pavarurve anë e mbanë këtij vendi, që të bashkohemi si popull dhe si komb.”  Ai u angazhua se do të shërbejë si president i të gjithë amerikanëve, pa dallim.   Duke iu referuar atyre që nuk e kanë mbështetur në të kaluarën, Donald Trump kërkoi prej tyre “Këshillat dhe ndihmesën, me qëllim që të punojmë së bashku për të unifikuar vendin tonë të madhërishëm”, theksoi presidenti i ardhëshëm amerikan.

Edhe pas fitores së Donald Trump pra, kjo është gjithnjë Amerika që e kemi njohur deri tani — betejë e fushatave dhe e debateve politike të ashpra elektorale — por më në fund me gjithë të metat e këtyre fushatave – kjo është ende edhe Amerika e pajtimit, e shtrirjes së dorës midis kundërshtarëve politikë e angazhimit dhe e përpjekjeve të tyre për të punuar së bashku për të mirën e vendit.

Duke iu drejtuar komunitetit ndërkombëtar, në fjalimin e tij Donald Trump e siguroi botën se ndërsa administrata e tij do të kujdeset pikëspari për interesat kombëtare të Amerikës ashtu siç kishte premtuar gjatë fushatës, Shtetet e Bashkuara nën udhëheqjen e tij, “Do të kenë marrëdhënie të mira me të gjitha vendet që duan të kenë marrëdhënie të mira dypalëshe me ne.  Presim të kemi marrëdhënie shumë të mira me të gjithë.”  Ai shtoi se, me të gjithë popujt dhe me të gjitha kombet do të kërkojmë gjërat që na bashkojnë, “Jo armiqësi, jo konflikt, por partneritet”, theksoi Trump në fjalën e tij drejtuar komunitetit ndërkombëtar.

Fitorja e Donald Trump nuk është vetëm një fitore për të.  Është shumë më e madhe dhe unike në historinë politike të Partisë Republikane dhe më gjërë.  Jo vetëm që ai fitoi si kandidat i Partisë Republikane për President si një njeri që nuk merrej me politikë më parë — por republikanët siguruan shumicën edhe në të dy dhomat e Kongresit amerikan – Senati dhe Dhoma e Përfaqsuesve — mbeten nën kontrollin e Partisë Republikane, gjë që ia bën më të lehtë atij zbatimin e programeve dhe politikave që u ka premtuar votuesve amerikanë gjatë fushatës.  Në mendimin e shumë vërejtësve, fitorja e Trumpit është, siç e ka quajtur ai, një lëvizje, një revolucion i votuesve kundër elitës politike amerikane, një situatë politike e pa parë ç’prej kohës kur u zgjodh president Ronald Reagan, 36 vjetë më parë.  Por çdo fitore ka edhe humbësin ose humbësit e vet.  Natyrisht se humbësja kryesore është Hillary Clinton dhe Partia Demokrate e cila dështoi jo vetëm të siguronte presidencën por edhe dy dhomat e Kongresit, që mbeten gjithnjë nën kontrollin e Partisë Republikane.  Por ka edhe humbës të tjerë në këtë mes, të cilët ishin krejtësisht të gabuar me parashikimet e tyre mbi kandidaturën dhe fitoren e Donald Trump – përfshirë këtu median, sondazhet, analistët dhe opinionistët, elitën politike, aleatët dhe përfaqsues të biznesit.  Askush nuk parashikoi fitoren e Donald Trump, përkundrazi të gjitha këto grupe dhe individë e paraqisnin si të pamundur një gjë të tillë megjithse sondazhet kanë treguar se 7 nga 10 amerikanë nuk ishin të kënaqur me mënyrën se po shkonin punët në Amerikë.  Për më tepër ata mendojnë se Amerika është në rrugë të gabuar dhe kërkonin ndryshimin e status-quosë.

 

Natyrisht se megjithë fjalimin që mbajti mbrëmë Donald Trump dhe megjithë premtimet për bashkpunim me të gjithë, përfshirë edhe kundërshtarët e tij, mbetet për t’u parë që pas një fushate të ashpër politike, nëse ai do të mund të bashkojë vendin dhe të mbajë premtimet.  Donald Trump është në kuptimin e vërtetë të fjalës, njeriu që nuk është marrë me politikë – njeriu që gjithë jetën e tij është marrë me biznes dhe që ka vepruar jashtë politikës — i pari pra në historinë amerikane pa përvojë politike dhe ushtarake të mëparshme, që zgjidhet president i Shteteve të Bashkuara.  Prandaj dyshimet rreth mënyrës se si do të veprojë ai në Shtëpinë e Bardhë, do të vazhdojnë nga skeptikët, mbrenda dhe jashtë vendit.

Por tani është koha për tu qetësuar. Fitorja e Donald Trump nuk do të sjellë fundin e botës, siç tha edhe Presidenti Obama.  Amerika do të vazhdojë të jetë Amerikë.  Kushtetuta amerikane garanton se asnjë person dhe asnjë institucion ose degë qeveritare ka monopol mbi pushtetin.  Dhe falë sistemit politik amerikan prej tri degësh qeveritare — të përpiluar nga baballarët e këtij kombi shekuj më parë — asnjë individ përfshirë edhe presidentin amerikan, nuk mund të bëhen diktatorë.  Presidenti kontrollohet nga Senati dhe Dhoma e Përfaqsuesve dhe megjithëse janë nën kontrollin e republikanëve, siç ishim dëshmitarë edhe gjatë fushatës, as republikanët nuk janë të gatëshëm të ndjekin sy mbyllur politikën e Donald Trump-it.  Kështu vepron sistemi politik amerikan. Nuk është as një person, madje qoftë ai edhe presidenti, as një degë e vetme e qeverisë që i bën gjërat në kokë të vet.   Por mënyra se si vepron gjithashtu sistemi amerikan, historikisht, është një dëshmi se ata që sot janë të kënaqur me fituesin, do të zemërohen eventualisht kur të shohin se disa prej premtimeve të bëra gjatë fushatës nuk do të zbatohen dhe kështu fillojnë të balancohen edhe politikat.

Në këtë situatë të re politike amerikane, përsa u përket marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe botës shqiptare në përgjithsi, përfshirë diasporën do të kisha një këshillë: ne si shqiptaro-amerikan jemi anëtar të njërës ose tjetrës parti, demokratë ose republikanë apo të pavarur politikisht.  Si të tillë kemi të drejtën e votës dhe bazuar në ndërgjegjen tonë jam i bindur se kemi hedhur votën tonë për  kandidatët ose kandidatet e partisë tonë të preferuar në nivel kombëtar, shtetëror ose vendor.  Ky është një privilegj dhe nder i veçantë për të gjithë ne si individë që jetojmë në Shtetet e Bashkuara dhe si të tillë duhet ta trajtojmë.   Jo vetëm si komunitet shqiptaro-amerikan në terësi, por edhe si udhëheqës të shqiptarëve kudo në Shqipëri, në Kosovë dhe në trojet tona në Ballkanin Perëndimor, nuk është një gjë e mençur për interesat kombëtare shqiptare dhe për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane në përgjithsi si komb shqiptar të tregohemi haptas për një kandidat, ose për një parti.  Është me rëndësi, për të gjithë ata që u japin  rëndësi marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, që kombi shqiptar të ruaj balancin e ndërtuar për shumë kohësh tani në marrëdhëniet e tij me dy partitë kryesore politike amerikane si dhe me përfaqsuesit e tyre qoftë në Shtëpinë e Bardhë dhe sidomos në Kongres. Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, pa marrë parsyshë fituesit dhe humbësit në zgjedhjet amerikane – duhet të jenë dhe të kultivohen si marrëdhënie afatgjata të interesit të përbashkët, por më shumë në interesin e shqiptarëve, midis dy kombeve dhe jo si lidhje të përkohshme midis individëve dhe partive. Mos të luhet me këto marrëdhënie për interesa personale. Kombi shqiptar ka nevojë për Shtetet e Bashkuara!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Donald Trum zgjidhet President, Frank shkreli, toka rrotullohet njesoj

SUZANNA SHKRELI, EDHE PSE NUK FITOI, GUXOI

November 9, 2016 by dgreca

1-bishop-suzanna

Te gjithe e dinim se shqiptaro-amerikania Suzanna Shkreli do ta kishte te veshtire garen elektorale perballe republikanit me pervoje te gjate te kundershtarit te saj politik , republikanit  teper te afte Mike Bishop, qe eshte nje nga zerat me aktiv ne Kongresin Amerikan, por ajo guxoi dhe per kete duhet te pershendetet e te urohet.

2-suzanna

Suzana fitoi 39 perqind te votave, ndaj 56 perqind te republikanit Mike Bishop, 3 perqind te Jeff Wood te Liberalve dhe 2 perqind te Maria Green e te Gjelberve.

1-suzanna

Shqiptaro-amerikania mori 142, 333 vota, ndaj 203, 827 vota te Mike Bishop, 9,577 te Jeff Wood dhe 5,638 te Maria Green.

Ne humbjen e Suzanna Shkrelit mendoj se duhet te merren parasysh keta faktore te humbjes: Hyrja me vonese ne garen elektorale, ndikoi jo pak ne rezultatin e saj.

Se dyti, konsumimi i Partise  Demokratike ne pushtet, kishte koston e vet.

Humbja e Hillary Clinton ne Shtetin e Michiganit, nuk ishte pa pasoje, efekti domino kishte pasojat e veta.

Dhe se fundi kundershtari i saj, qe eshte nje nga politikanet me ndikim ne Michigan dhe ne Kongres, natyrisht kjo  ia beri me te veshtire garen shqiptaro-amerikanes.

Gjithesesi shqiptaro-amerikanet ndjehen krenare qe Suzanna guxoi dhe kandidoi. Le te shpresojme se kjo pervoje e re do t’i sherbeje jo vetem asaj.

Suzanna Shkreli hyri ne gare me platforme te qarte dhe mesazhe qe hyne ne rezonance me masen e madhe te grave pse ajo perfaqesoi nje kauze delicate, luften kunder  abuzuesve seksualë – për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje dhe abuzimit të fëmijëve, mbrojtjen e te drejtave te grave dhe mbrojtjen e grave te perdhunuara e te pambrojtura, ate kauze qe ajo e ben cdo dite ne sallen e gjyqeve dhe ne jeten e perditshme. Ajo eshte nje femer me kurajo, qe nuk eshte terhequr perballe se keqes. Suzanna mbetet nje luftetare kurajoze.

Gazeta Dielli dhe Vatra ne qender por dhe dega teper active ne Michigan, I dhane mbeshtetje Suzanes, ashtu sic I dhane edhe shqiptaret e Michiganit.(Dielli)

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca, guxoi, Suzana Shkreli

“SHQIPËRIA EVROPIANE” DHE KRIMET E KOMUNIZMIT

November 7, 2016 by dgreca

Shkruan: Eugjen Merlika/

1 eugjen-merlika (2)

 “Ajo që është keq për moralin është keq edhe për politikën”- J.J.Rousseau  në  “Letër D’Alembert-it”/

Ka disa ditë, që kur u njoftua dekorimi i 67 “ballistëve”, të pushkatuar më 21 tetor 1943 në Divjakë të Lushnjes nga Brigata e I sulmuese, prej Kryetarit të Shtetit, Bujar Nishani, një pështjellje e madhe ka pushtuar mediat dhe politikën shqiptare, me gjithë problemet e shumta e të mëdha që kjo e fundit duhet të përballojë.

Ndjeshmëria e madhe e mjediseve shqiptare kundrejt së shkuarës sonë, tregon se ne mbetemi shpirtërisht të lidhur me të, duke prapësuar çdo prirje për t’u shkëputur prej saj, kryesisht njollave e çfaqjeve negative. Mbas 25 vjetësh të tjetërsimit të sistemit ende ngurojmë të rishkruajmë historinë e mbetemi robër të së shkuarës, me të gjitha kundërshtitë e saj, me dëme të mëdha për ecjen tonë përpara. Kundërveprimet e ashpra, në të gjitha nivelet, ndaj vendimit të Kryetarit të Shtetit, për t’i u njohur mbas gati tre të katërtat e qindvjetorit, 67 shqiptarëve të thjeshtë faktin se ata kishin qenë viktima të një krimi politik, të padenjë për një popull të qytetëruar, dëshmojnë se idhtarët e atij krimi gjënden edhe sot mes nesh.

Ata janë jo vetëm në veshjen e ish zyrtarëve të lartë të regjimit komunist, apo t’ashtuquajturve “veteranë”, të cilët n’atë kohë nuk kishin mbushur as njëzet vjeç, por edhe në brezat e tjerë, deri në të katërtin. Ndër ta bëjnë pjesë njerëz të pushtetit, tw ish roganeve të dhunës shtetërore, të shoqërisë civile, të partive politike, por edhe përfaqësues të inteligjencës jo proletare. Kjo masë jo e njëtrajtëshme, që në këto ditëështë paraqitur si një “bllok graniti”, në mbrojtje të “fitorjeve” të luftës N.Ҫl. dhe në ridënimin e gjithë kundërshtarëve të partisë komuniste gjatë e mbas luftës, me qëndrimin e saj të vendosur tregon se e gjithë frazeologjia për “demokracinë”, “vlerat evropiane” frymëzuese, Shqipërinë “perëndimore” e anëtare të Nato-s etj., janë të gjitha “gjethe fiku” për të maskuar një të vërtetë të hidhur e dëshpëruese. As brezi i katërt i Shqipërisë komuniste nuk don ose nuk është në gjëndje të ketë një ndërgjegje të tijin, të shkëputur nga dogmat e gjyshërve e nga mashtrimi i 70 vjetëve, kryesisht për luftën e dytë botërore.

Pa dashur të përsëris vetveten n’analiza t’asaj periudhe historike e pa hyrë në hollësitë e saj, më duket se bisedat e ditëve të fundit, në mediat pamore apo të shkruara, na venë përballë një problemi që, më shumë se sa me interpretimetnë kah historik t’atyre ngjarjeve, ka të bëjë me një çështje formimi moral të shoqërisë sonë. Përtej vendimit të ligjshëm të Presidentit që, për herë të parë në 25 vjetët e pas komunizmit, ka guximin të verë gishtin zyrtarisht mbi plagën më të thellë të sistemit që n’embrion, atë të dhunës e terrorizmit, me të cilët u mbruajt komunizmi shqiptar, simbas modelit të Rusisë bolshevike të Stalinit, më duket se të gjithë ata diskutime mund të përmblidhen në një pyetje të thjeshtë : si qytetarë, jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të botës, a duhet të kemi një qëndrim të prerë e pa mëdyshje kundër dhunës politike, ushtarake, policore, në të gjitha format e saj të larmishme, në të gjitha rrethanat e ngado që të vijë?

Nga përgjigja që ne, si shoqëri, me sinqeritet i japim kësaj pyetjeje, varet përkatësia jonë bindjeve, vlerave, ligjeve e praktikave të botës së qytetëruar e demokratike. I gjithë kundërveprimi masiv ndaj vendimit të Presidentit, mjerisht na provon se ne jemi ende shumë larg koncepteve njerëzore, që janë në bazën e moralit të vërtetë, jo pse nuk i njohim, por sepse paragjykimi dhe padija historike me të cilët jemi mbruajtur na e bëjnë të pamundur përqafimin e tyre.

Episodi, aq shumë i përfolur, është një shembull tipik i mos zbatimit të ligjeve të moralit në gjëndjen e jashtzakonëshme të luftës civile. Duke marrë për të vërtetë versionin zyrtar të ngjarjes, po sjell fragmente të shkurtëra të një dokumenti të AQSH : F.41, viti 1943, D. 32, Fl.4. Bëhet fjalë për letrën që komandanti i brigatës së I, Mehmet Shehu i dërgoi më 30 tetor 1943 Shtabit të përgjithshëm t’ushtrisë n.çl. Mbas një beteje mes partizanëve komunistë të Brigatës së parë dhe forcave balliste, të fituar nga të parët, u zunë robër 172 vetë dhe u vranë 10-15 të tjerë. Ka një ligj të lashtë sa bota dhe luftërat, jo gjithmonë të respektuar : robërit e luftës nuk vriten. Por si veproi fituesi kundrejt bashkatdhetarëve të tij? Ja çfarë thotë vetë ish Kryeministri i Shqipërisë: ”Robërit i gjykuam. Gjyqi përbëhej prej meje, nënkomisarit të komandës dhe një partizani të Bat. I të Brigatës. Neve (gjyqi) vendosëm ekzekutimin e 65 ballistëve. Të tjerët, 29 vullnetarë për brigatë dhe batalione të vendit, të tjerët u liruan të çarmatosur…… mua më duket se kemë qënë gabuar, kemi ekzazheruar, kemi qënë shumë të rreptë. Do të mjaftonte pushkjatimi i 15-20 ballistavet nga më përgjegjësit. Porse këtë rradhë gabimi, faji kryesor është i imi…… i rrëmbyer nga temperamenti mikroborgjez i çastevet, qesh i mejtimit për këtë masë të pa masë!…… Gjurmët e këtij terrori (nënvizimi im)duhen çdukur dhe shpresojm se do t’a shdukim në t’ardhmen. Kjo do të vlejë shumë edhe për mua personalisht, që të mos nxitem herë tjetër, të jem m’i matur e të mos lë të tërhiqem nga sentimentet dhe buçitjet e çastevet që në mua çfaqen akoma si konsekuencë e një origjine mikro-borgjeze, patriarkale, prapanike, mesjetare.”

Se sa e sinqertë qe kjo “autokritikë” na e vërtetojnë dokumentat angleze, nga të cilët po shkëpus vetëm një frazë :”Në fshatin Ҫepan të Skraparit, ai (Mehmet Shehu) torturoi Seit Ҫepanin, të birin e Asllan Ҫepanit, duke i prerë me sharrë të dy këmbët dhe duke e lënë të vdesë në agoni”. Një skenë rrënqethëse, për primat filmash të tmerrit !

Një tjetër dëshmi është ajo e FrancoBenantit, një mjeku italian që shërbeu e luftoi në formacionet partizane : “Nga mesi i korrikut (1944), Mehmet Shehu dogji fshatin e Tërnovës, n’afërsi të Dibrës, duke vrarë 130 gra e fëmijë. Më 5 gusht në Kostenjë, në rajonin e Ҫermenikës, divizioni i tijmasakroi 32 të pafajshëm, mes të cilëve edhe disa të porsalindur. Menjëherë pas Breneshit, në zonën e Zaranikës, ai vari në litar 18 persona, për t’u hakmarrë për vdekjen e një partizani. Pastaj për të kurorëzuar veprën, Shehu u sul në zonën e Matit, në lindje të Tiranës, ku në ditët e fundit të gushtit, pushkatoi dhe dogji 76 persona.”

            Duke u kthyer përsëri në episodin e Divjakës, simbas Xhelal Staraveckës, atëherë komandant batalioni i Brigatës I, kriteri i zgjedhjes së të pushkatuarve, me ndërhyrjen e Dushan Mugoshës, ishte edhe fetar, sepse u liruan 19 robër ortodoksë. Ky fakt na kujton terrorizmin e islamistëve të Shebabit që, në universitetin e Kenias, vrisnin të gjithë ata qënuk mbanin përmëndësh Kuranin….. Vlen të përmendet edhe përgjigja e Enver Hoxhës, atëherë Komisar i shtabit të përgjithshëm, të cilën e gjejmë në dokumentin n. 33 të 5 nëndorit 1943 : “Ky ekzekutim, shoku Mehmet, si kundër që e njeh edhe vetë në letrën që i çon shtabit, është i tepëruar dhe pa vend dhe shumë i gabueshmë pse në vend që të na sjedhij fitime na dëmton….. Letra jote që i çon Shtabit të Përgjithshëm për këtë çështje, na siguron se do ti moderoç ndjenjat e inspiruara nga momenti dhe nuk do të përsëritet më gjë punë e tillë, dhe herë tjetër nuk do të mungojë gjakftohtësia….” Se sa u zbatua kjo porosi e pamë më sipër. Por brënda gjinisë vërejtjet pranohen, edhe se krimet e Mehmetit, të “spanjolit” simbas Pandi Kristos, një tjetër kolegutë luftës, “ngjethnin erën”siç shprehej dikur i madhi Shaekespaere. Por ata nuk e penguan që ai zotëri të qeveriste Shqipërinë për afër 30 vjet, dhe ende sot t’i këndohen bëmat e “lavdishme”!

Kjo ishte ngjarja, simbas pohimeve të vetë atij që e ka ideuar e zbatuar e ky është gjykimi i tij rreth saj e njëkohësisht edhe i Enver Hoxhës, të parit të komunistëve shqiptarë. Bazuar mbi të vërtetën e këtij fakti historik, Shoqata Antikomuniste e ish të Përndjekurve politikë i kërkoi Presidentit dekorimin e atyre viktimave të dhunës. Ndoshta Presidenti kërkoi të japë një provë të shkëputjes së pas komunizmit nga krimet e kësaj natyre të parardhësve, një ide e lëvdueshme, që gjeti një kor kundërshtimesh ndaj vendimit. Doli në pah një masë e madhe njerëzish, deri në nivelet më të larta të politikës, të cilët në këtë rast i u kundërvunë dënimit të krimit, edhe kundër logjikës më parake të moralit njerëzor, edhe kur ai u shfaq në format e tij më mizore, më tragjike.

Cila është përfytyresa që i japim t’ashtuquajturve “aleatë strategjikë”, Evropës e SHBA, sado të prirur qofshin segmentët e majta të tyre për të heshtur e për të mos vënë në dukje or’e çast krimet e komunizmit, duke dalë në mbrojtje të një krimi, të kritikuar atëherë nga vetë ushtruesit e tij ? Cili është mësimi që i përcjellim të rinjve tanë me këtë zell në hymnizimin e terrorit komunist të luftës e të mbas luftës së dytë botërore, ende treçerek shekulli mbrapa ? Ҫfarë besueshmërie mund të kemi si shoqëri e si shtet, duke vazhduar së mbajturi në piedistal kriminelët e hajdutët e duke poshtëruar kujtimin dhe veprën e atyre që kanë ndriçuar historinë tonë me shëmbujt e ndershmërisë, të shtatit moral e të atdhedashurisë ?

Kemi nevojë të nxjerrim në pah vlerat tona të vërteta, ato që u shpalosën madhërisht gjatë luftës së dytë botërore, jo duke masakruar njerëz, duke vrarë robër, gra e fëmijë, por duke shpëtuar qindra hebrenj të strehuar në shtetin tonë të bashkuar. Kemi nevojë të shohim përpara, jo duke ringjallur idhujt e rremë të historisë sonë, por duke i braktisur ata, duke i a dorëzuar gjyqit të historisë së vërtetë e duke pohuar me të madhe vullnetin tonë për të dënuar krimin, nga çdo anë që të vijë e çfarëdo ligjërimi të ketë. E parë në këtë vështrim e gjithë pështjellja e ditëve të fundit më duket se qe një rast i humbur në pohimin e vlerave tona e tëdëshirës sonë për të qenë pjesë e bashkësisë së qytetërimit të kontinentit tonë.

Nëntor 2016

Filed Under: Opinion Tagged With: “SHQIPËRIA EVROPIANE” DHE, Eugjen Merlika, krimet e komunizmit

Samiti i Diasporës pa Diasporë, Bashkim apo “PERÇARJE”…?

November 6, 2016 by dgreca

*Si bashkëthemeluese e TV “Alba Life” dhe e shkollës Shqipe “Alba Life” ….s’ka të drejtë askush të më përfaqësoje, sepse si anëtarë të Diasporës nuk kemi zgjedhur asnjë përfaqësues të shkollës shqipe, ndryshe quhet private dhe një rrugë jo e ndershme./

*…. “Working together is success”, përndryshe, samiti i Diasporës bëhet pa Diasporë…/

Nga Keze Kozeta Zylo/2-shkolla-kozeta-300x137

Bashkimi është një nga fjalët më kuptimplote dhe më të rëndësishme për Kombin tim, por në se nuk e zbatojmë në praktikë kjo fjalë kaq e rëndësishme dhe kaq e bukur shëmtohet sepse zëvendësohet me “PERÇARJE”…Bashikimi i Kombit bëhet kur mblidhen pozitë, opozitë dhe Diasporë së bashku. Ndonëse pozita dhe opozita I ka “përfaqësuesit” e vet në Parlament, Diaspora akoma nuk i ka përfaqësuesit e saj për këtë samit.

Konkretisht jemi tek samiti i Diasporës i propozuar nga k/ministri Edi Rama, por në bazë të informacioneve publike që kam të botuara në gazeta lexoj se opozita, presidenti dhe shumë të tjerë nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët për këtë samit, pra aktiviteti me togfjalëshin e madh “samiti i Diasporës” kryhet i njëanshëm…që i shkon jo samitit.

Këtu në Diasporë në Amerikë meqënse jetoj mjaft aktivisht prej gati 20 vjetësh dhe e njoh mirë punën që bëhet pasi i kam pasqyruar shumë aktivitete të rëndësishme dhe kam qenë e ftuar si media “Alba Life” TV, asnjëherë nuk jemi mbledhur për të diskutuar rreth samitit, dakordësisë për këtë samit dhe nëse ndodh dakordësia që për mua ngelet utopike, ëndërr, kush duhet të na përfaqësojë?…

A nuk do të ishte mirë që njerëz që punojnë fort për Kombin, të integruar në Amerikë, politikanë shqiptarë në Amerikë që janë fare të paktë, kryetarë shoqatash, dhe ambasadorja në Washington dhe në UN të takoheshim dhe te diskutonim rreth Samitit të Diasporës?

Kryeministri dhe këshilltarët e tij rreth Samitit në se “ka” të cilët të krijojnë përshtypjen se punojnë si celula ilegale s’duhet të kërkonin vetëm aplikimin në online, pa program, pa asgjë, bosh, duhet të sillnin programin e detajuar, çështjet që do të diskutonin dhe në fund në se binim dakord të dilnin përfaqësuesit në një konferencë shtypi për ta bëre publike në të gjithë Diasporën. Si mund të shkohet pa program, të marresh rrugën, të harxhosh dollarët lumë dhe të vihesh në rresht si delet? Konkretisht si bashkëthemeluese e TV “Alba Life” dhe e shkollës Shqipe “Alba Life” me një program tejet serioz dhe me plot profesionalizëm s’ka të drejtë askush të më përfaqësoje, sepse si anëtarë të Diasporës nuk kemi zgjedhur asnjë përfaqësues të shkollës shqipe, ndryshe quhet private dhe një rrugë jo e ndershme.  Duhet të bëhej votimi që të zgjidheshin përfaqësuesit e Diasporës, po kjo do të ndodhte në se kishte një strategji, në se kishte një vullnet të mirë për të arritur ndershmërisht atje ku të çon demokracia e vërtetë. Si mund të marrin guximin ata që e organizojnë këtë samit që në fakt akoma s’kanë deklaruar emrat e tyre, por veprojnë në ilegalitet, dhe të thonë publikisht përfaqësuesit e Diasporës, kur asnjë nuk është zgjidhur nga Diaspora që të më përfaqësojë?  Ç’mjerim! Të jetosh në Amerikë dhe të të hajë përsëri miku, shoku, servili, djalli, dreqi me të bir, është më se përçarje është më se tronditëse…

Vetëm së bashku ëshë suksesi, vetëm së bashku ëshë BASHKIMI!

“Working together is success”, përndryshe, samiti i Diasporës bëhet pa Diasporë…

5 Nëntor, 2016

Staten Island, New York

Filed Under: Opinion Tagged With: apo “PERÇARJE”…?, bashkim, Keze Kozeta Zylo, Samiti i Diasporës pa Diasporë

Tsipras do të takohet me babain e çështjes çame Servet Mehmeti

November 6, 2016 by dgreca

*Kur dëgjon Ministrin e Jashtëm të Greqisë Kotzias, të deklarojë se çështja çame nuk ekziston, xhaxhi Serveti i ndjen sytë e ti bëhen si deti i Arpicës. Kur dëgjon ti thuhet se shtëpia, toka, babai i tij, nuk ekzistojnë, deti i syve të tij dallgëzon furishëm. Kur dëgjon ti thuhet nga Kotzias se në moshën 2 a 3 vjeçare ai është dënuar nga Gjykata si bashkëpunëtor i nazizmit, furia e dallgëve në detin e syve i mbyt faqet dhe zemrën. Servet Mehmeti është në Tiranë. Atdheu i tij është Shqipëria. Shtëpinë, tokën dhe babain i ka në Arpicë…/

1-arian-galdini-620x330Nga Arian Galdini/*Servet Mehmeti është një burrë me flokët e bardha borë, i cili ka ardhur 2 apo 3 vjeç në Shqipëri. Është bir në një familje me shumë fëmijë që u rritën vetëm nga nëna e tyre sojlie, për të cilën, kur e kujton e flet për të, xhaxhi Serveti përlotet. Vuajtjet dhe sakrificat e nënës së tij për të ushqyer, shkolluar e rritur me dinjitet fëmijët e saj, xhaxhi Serveti i ka të skalitura si 10 urdhëresat e Zotit në pllakat e gurta të Moisiut. Ajo nënë çame, nuk i pa kurrë varfërinë, mungesat, padrejtësitë, si shkase e arsye për të ushqyer smirë, mllef, ligësi, dorëzim apo marifete te fëmijët e saj. Përkundërazi, çdo ditë mjerimi e zbukuroi me këngët e gëzueshme të krahinës së Çamërisë. Çdo mungesë e padrejtësi e mveshi me histori burrash e trimash Çamërie që luftonin për të mbrojtur vendin e tyre, tokat, pronat dhe familjet e tyre, që lundronin deteve për të bërë tregëti me botën, që punonin nga agimi në muzg për të ndërtuar të mirat, që së bashku zhvillonin qytezat, lagjet dhe fshatrat ku jetonin, e që kurrë nuk bënin armiq, e që lindnin e vdisnin kryelartë. Asnjëherë nuk e pa a dëgjoi nënën e tij, Servet Mehmeti që të shante, mallkonte a urrente ndokënd për hallet e mëdha që i kishin rënë si male mbi shpinë. Ajo dinte të bënte gjellë e haje të shijshme edhe nga ajri. Dinte ti ngopte fëmijët e saj me gëzimin e buzëqeshjen e saj. Dinte ti ngrohte kur kishin ftohtë, me dashurinë e saj. Kur ishin pa strehë, ajo u tregonte fëmijëve të saj se trimat e Çamërisë ishin yjet e qiellit dhe i mbronin ata nga shiu, bora, ftohma dhe të ligjtë. Kur gjenin strehë, ajo u thoshte fëmijëve se pluhuri i yjeve të qiellit i kishte bërë ato mure e atë çati, që ata të ishin gjithmonë e të pandarë nga trimat e Çamërisë. E kur fëmijët e pyesnin se përse ishin pa shtëpi, përse ishin pa baba, përse ishin të varfër, ajo me sytë lart nga qielli e të lagëta si deti Arpicës u përgjigjej, i kemi edhe shtëpinë, edhe të mirat edhe babain, i kemi. Fëmijët që kurrë nuk e kishin parë të qante nënën e tyre, i uleshin përreth e përpiqeshin të kuptonin nga valët e detit të lotëve që i rrëshkisnin në faqe nënës së tyre, se nëse i kishin të gjitha këto, çfarë i kishte prurë larg tyre. Jemi në atdheun tonë, por jo në vendin tonë, u thoshte teksa psherëtinte nëna. Me kaq e mbyllte detin në sy dhe niste të këndonte tumankuqen a ndonjë këngë tjetër të gëzueshme çamërie. Ku e gjente forcën ajo nënë që detin e lotëve ta mbyllte me këngë të gëzueshme, asnjëherë nuk e kuptoi askush. Derisa fëmijët u rritën e këngët u bënë histori dhe historitë u bënë kujtesë, e kujtesa u bë ndërgjegje, e ndërgjegja u bë kushtrim. Në ditët e sotme, xhaxhi Serveti është ai plaku i moçëm e i urtë që qëndron në udhëkryq e të dëfton se cila është rruga që të çon e të kthen, e cila është ajo që stë kthen. Deti i Arpicës në sytë e nënës së tij është bërë shkumë e bardhë dallgësh të rrepta në flokët e tij. Këngët e trimave të Çamërisë janë bërë urtësi në fjalët e tij. Historitë e Çamërisë janë bërë fuqi dhe drejtësi në mendimet e veprimet e tij. Kujtesa është bërë kudhra dhe çekani i karakterit të tij. Ndërgjegja dhe kushtrimi janë bërë arsyeja e jetës së tij. Njëlloj si atëherë kur ishte 2 a 3 vjeçar, ai pyet, përse jam larg detit të Arpicës, larg shtëpisë sime, larg babait, përse? Me këto pyetje ai jetoi çdo ditë të jetës së tij. Me këto pyetje u bë edhe njëri ndër themeluesit dhe Kryetari i parë i Shoqatës Çamëria. Me këto pyetje u përlesh para Kuvendit të Shqipërisë në vitin 2004, ndërsa e përgjakte policia që mbronte deputetët që kishin frikë të votonin Rezolutën Çame. Me këto pyetje e fitoi Rezolutën Çame. Me këto pyetje iu bë krah e mbështetje Shpëtim Idrizit, Tahir Muhedinit e të tjerëve që të themelonin Partinë e Kauzës Çame. Me këto pyetje refuzon ti bindet kufizimeve të moshës dhe si një luftëtar i paepur e nis dhe bitis ditën duke notuar në detin e Arpicës që i kanë ngulitur në mendje sytë e lagët të nënës së tij. Ai noton në ato sy, noton në atë det sepse kërkon bregun. Është Uliksi i kohëve moderne. Kërkon Itakën e tij. Kërkon atë Itakë ku ka shtëpinë, babain dhe detin ku lundronin të parët e tij. Do të prekë ata gurë që ngriti me duar babai i tij për të ndërtuar shtëpinë. Do të shkelë në atë tokë prehet babai i tij e shumë të tjerë që u vranë e masakruan pabesisht nga bandat e Napoleon Zervës. Do të shohë atë prag prej ngaku e larguan përdhunshëm, krejt pa arsye ndërsa ai ishte vetëm 2 a 3 vjeç. Do të shkojë në vendin e tij. Në Tiranë e ngado në Shqipëri, të gjithë ata që e njohin Servet Mehmetin, e nderojnë si një njeri e burrë të rrallë. Shpesh ai ngjason me ndonjë nga ata yjet lart në qiell si në rrëfenjat e nënës së tij që ka zbritur këtu si burrë i çmuar Çamërie. Ai këtu është në atdheun e tij. Por nëna i ka lënë amanet që të mos harrojë kurrë vendin e tij, shtëpinë e tij, babain e tij. Kur dëgjon Ministrin e Jashtëm të Greqisë Kotzias, të deklarojë se çështja çame nuk ekziston, xhaxhi Serveti i ndjen sytë e ti bëhen si deti i Arpicës. Kur dëgjon ti thuhet se shtëpia, toka, babai i tij, nuk ekzistojnë, deti i syve të tij dallgëzon furishëm. Kur dëgjon ti thuhet nga Kotzias se në moshën 2 a 3 vjeçare ai është dënuar nga Gjykata si bashkëpunëtor i nazizmit, furia e dallgëve në detin e syve i mbyt faqet dhe zemrën. Servet Mehmeti është në Tiranë. Atdheu i tij është Shqipëria. Shtëpinë, tokën dhe babain i ka në Arpicë. Nëse Ministri Kotzias thotë se Servet Mehmeti nuk ekziston, ndoshta duhet që vetë Kryeministri Tsipras të vijë në Tiranë për ta pirë një kafe me xhaxhi Servetin. Xhaxhi Serveti nuk është armik i Greqisë, nuk i uren grekët. Përkundërazi. Atje në Greqi ai ka vendin e tij ka tokën, shtëpinë, pronat dhe babain e tij. Ai do vetëm të shohë detin e Arpicës. Është thinjur duke notuar në detin e Arpicës nëpërmjet syve të nënës së tij. E nuk do që sytë e tij të bëhen det Arpice për fëmijët e tij. Do vetëm të shohë detin me sy, që ta heqë detin nga sytë.

  • E dergoi per Diellin, z. Kolec Ndoja, Kryetar i deges se Vatres , South Florida

Filed Under: Opinion Tagged With: Arian Galdini, do të takohet, e ceshtjes came, me babain, Servet Mehmeti, Tsipras

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 529
  • 530
  • 531
  • 532
  • 533
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Çamëria… heshtja që vret”
  • SHQIPTARËT DHE PROJEKTI EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT A MUND TË DEGRADOJË NË NJË NARRATIVË ILUZORE?
  • Brigitte Bardot: “seks bomba bionde” që revolucionarizoi kinemanë franceze
  • “Leksikoni i së drejtës publike – Nocione dhe institute të së drejtës publike”
  • Lugina e Preshevës dhe e drejta e munguar për shtetësi dhe votë në Kosovë
  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren
  • Yllka Lezo për median europiane: Shqiptarët kërkojnë drejtësi të paanshme në Hagë
  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT