• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Të shërbesh në ushtrinë amerikane

September 20, 2016 by dgreca

Në një pjesë të mirë të vendeve të botës shërbimi ushtarak është i detyrueshëm. Në Shtetet e Bashkuara sherbimi ushtarak është mbi baza vullnetare por që të kualifikohesh duhet të kalosh përmes disa testeve të vështira. Reshteri Terrelle Thomas u pranua në Forcat Ajrore nëntë vite më parë. Tani ai merret me rekrutimin e ushtarëve të rinj në Udbrige të shtetit Virxhinia. “Ishte koha kur ndiqja studimet dhe shpenzimet i paguaja nga xhepi im. Ishin kohë të vështira dhe jetoja me prindërit. Nuk më pëlqeu situata në të cilën isha ndaj shkova dhe bisedova me një rekrutues. Ishte njeri i mirë dhe më shpjegoi gjithçka në hollësi. Kështu u pranova në ushtri.” Ndërsa për Benjamin Spahr ushtria është një traditë familjare. “Nëna ime ka shërbyer në Gardën Kombëtare, im atë ka qënë oficer i Forcave Ajrore, ndaj isha mësuar me këtë stil jetese që në moshë të re.” Përfitimet arsimore që ofron ushtria janë një tjetër arsye. Por, futja në ushtri nuk është e lehtë. Përveç të qënit i ri në moshë, kandidatët duhet të kalojnë përmes testeve speciale, të mos jenë përdorues të drogës dhe alkoolit dhe të kalojnë provimin e stërvitjes fizike. Provat e para fizike kërkojnë shëndet të mirë dhe aftësi fizike. Pavarësisht këtyre sfidave, numri i grave në ushtri po rritet çdo ditë. Madison Foote është një prej tyre. “Ushtrimi i pompave më frikëson pasi nuk jam mirë, por ndjehem mirë tek të tjerat.” Ndërsa bota përballet me pasiguri të ndryshme politike dhe konflikte në mbarë botën, Shtetet e Bashkuara pritet të jenë në ballë të zgjidhjes së krizave. Shpesh kjo nënkupton dërgimin e trupave jashtë vendit. Rekruti Oludare Ogunmadewa thotë se familja e tij shqetësohet pikërisht për këtë. “Prindërit dhe familja ime janë të shqetësuar rreth kësaj. Por është një rrezik që e ndjej të nevoshëm për mua dhe fëmijët që të siguroj të ardhmen e tyre.” Frika nga e panjohura është pëngesë më e madhe sesa dislokimi në zonat e luftës, thotë reshteri Terrelle Thomas. “Angazhimi katër deri gjashtë vite është i madh. Të rinjtë 18 vjeçarë që regjistrohen mendojnë se pas katë vitesh kur janë 22 vjeç, nuk kanë moshë për të bërë diçka tjetër.” Në vitin 1973 në fund të Luftës së Vietnamit, Amerika i dha fund shërbimit ushtarak të detyruar. Shërbimi ushtarak tani është me kontratë katër apo gjashtë vjeçare. Disa e zgjasin kontratën sikurse rreshteri Terrelle Thomas i cili ashtu si shumë të tjerë ka zbuluar diçka, që është e vështirë të gjendet diku tjetër. “Miqësia. Shumë veteranë që sherbejnë 20, 30 vite, gjëja kryesore për të cilën bisedojnë me mua, kryesisht kur sjellin fëmijët e tyre në zyrat tona, është miqësitë që kanë krijuar me njerëzit që kanë takuar.” Reshteri Thomas së shpejti do të kalojë në anën teknologjike ndërsa vazhdon të ndihmojë të rinjtë amerikanë që të zbulojnë ato që ushtria ka për të ofruar.

Sqarojmë lexuesit se në rubrikat e “Dielli-it”, shqiptaro-amerikanët do gjejnë rrugët, mënyrat dhe dokumentacionin që duhet për tu rekrutuar e shërbyer në Ushtrinë e SHBA.  {SH.K}.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sherbimi, ushtrine amerikane

SHËNJTËRESHA NËNË TEREZË DHE SHQIPTARËT

September 19, 2016 by dgreca

“Un nuk jam veçse një laps i vogël në duart’ e Zotit. Është Ai që shkruan, është Ai që mendon, është Ai që vendos”- NËNË TEREZA E KALKUTËS/

1-eugjen-merlikaShkruan:Eugjen Merlika/4 shtatori 2016 do të jetë një datë e skalitur me shkronja të ndritëshme në histori.  Shënjtërimi i Nënë Terezës, në shekull Anjeze Gonxhe Bojaxhiu, një bijë e popullit tonë, e lartësuar me hirin e Jezu Krishtit në botën e së vërtetës hyjnore, krahas gëzimit, entuziazmit, kënaqësisë deri në krenari për gjakun e saj shqiptar, mendoj se është edhe një shtysë përsiatjeje të thellë mbi të shkuarën tonë, veçanërisht në lidhje me Të.

Historia e Shenjtëve të Krishterimit është shumatorja e historive të njerëzve, burra e gra, të cilët Perëndia i përzgjodhi mes krijesave njerëzore, i pajisi me frymën e saj dhe i ngarkoi secilit misionin që të vinte në jetë mësimet e saj. Ato apo ata patën jetë të gjata apo të shkurtëra, në mundime, vuajtje e dhimbje, në shembëllim të Birit të Zotit, kaluan Kalvarin e tyre, duke vërtetuar çdo ditë se njeriu nuk është një qënie e përsosur, se në të bashkëjetojnë e mira dhe e keqja, se megjithë vështirësitë e mëdha të luftës brënda vetes, me frymën e Qielllit dhe vullnetin e tokës njerëzit mund të gjejnë rrugën e Zotit. Shënjtët janë modelet, shëmbujt, udhërrëfyesit, ata që lindin një në qindra milionë, përçues të dritës Hyjnore mes mëkatarëve e vdekëtarëve të thjeshtë.

Një e tillë ishte edhe Nënë Tereza e lumturia e jonë, si shqiptarë, qëndron në faktin se edhe në mes të popullit tonë, jo shumë i dalluar në historinë e tij për fuqinë dhe qëndrueshmërinë granitike të besimit fetar, Jezu Krishti dhe Virgjëresha Marie zgjodhën një vajzë të thjeshtë si “drita e tyre ndërmjet të varfërvet”, duke e bërë këtë vajzë zëdhënësen e Tyre më besnike e më të ndritur në botën e shekullit më mizor të historisë së njerëzimit.

Anjeze Gonxhe Bojaxhiu ishte brumë i magjes shqiptare, i gatuar me miellin zero të grurit të fushave të Kosovës, e mbruajtur me respektin e fjalës së dhënë e me plotësimin, deri në vetmohim, të misionit të marrë përsipër. Ajo ishte pjellë e Shqipërisë së traditës, që njihej në dyshen e bashkangjitur “Fè e Atme”, të kënduar nga poeti kombëtar At Gjergj Fishta. Por këtu mbaron roli i Shqipërisë në veprimtarinë e bijës së saj, edhe se ajo mbeti në zemrën e saj të përvëluar nga malli, aq sa të pohojë botërisht në ceremoninë më të rëndësishme të jetës së saj botërore, kur i u dha Ҫmimi Nobel : “Nga gjaku dhe origjina jam shqiptare….”

Shqipëria, e dalë nga gati gjysmë mijëvjeçari pushtimi osman, së cilës, për të krijuar një ndërgjegje kombëtare, të domosdoshme për jetën e saj të pavarur, i duhej të ushqehej me mite heronjsh të vërtetë e të sajuar, me legjenda lashtësie e qëndrese mbijetese, e përcolli me një farë heshtjeje rrugën e murgeshës së  re, që kishte zgjedhur Urdhërin e  Loretos, në Hindinë e largët, për të vënë në jetë mësimet e Jezusit mbi mëshirën e krishterë. E shkëputur nga familja e atdheu, e kushtuar tërësisht për rreth pesëmbëdhjetë vjet arsimimit, jo vetëm të vajzave të familjeve të pasura të Kalkutës, por edhe fëmijëve të varfër të saj, murgesha Terezë kalonte jetën e saj misionare, në qetësinë e rreptësinë e Kuvendit dhe në  intimitetin e lutjeve. Deri më 1948 Motra Terezë ishte një nga shërbyeset e heshtura të Jezusit, ndërmjet mijërave të tilla në të katër anët e botës. Jeta e saj e njohur shoqërore filloi me daljen nga Urdhëri e shtytur nga një vizion hyjnor i një bisede me Krishtin dhe Virgjëreshën, e me themelimin e shoqatave të saj të bamirësisë e të “Misionareve të Mëshirës”.

Kjo jetë mbeti krejtësisht e panjohur për shqiptarët e republikës popullore, jo vetëm për zotimin kundër fetar skajor të regjimit, por edhe për mungesën e theksuar të njohurive dhe lajmeve e, ndoshta, edhe për një mospërputhje mendësie mes fakteve të kujdesit të murgeshës shqiptare për më të varfërit e të varfërvet të Hindisë, duke u pastruar me dorë krimbat nga mishi i “arixhinjve” dhe koncepteve të “burrërisë” e “trimërisë” shqiptare.  Shqipëria zyrtare qe e ftohtë dhe mospërfillëse kundrejt veprës së saj madhore me përmasa planetare, deri sa Akademia Suedeze e  Shkencavet, më 1979, do t’i jepte asaj Ҫmimin Nobel për “Mbrojtjen e Paqes”. Mërgata shqiptare jashtë mbante lidhjet me murgeshën e madhe, por hendeku mes saj dhe regjimit të Vendit të saj të lindjes që, në gjysëm shekulli, qe shprehja më e përkryer e gjithshkaje t’errët e mizore, që ishte në gjëndje të prodhonte kombi shqiptar, u thellua e u zgjerua në përmasa katastrofale. Regjimi i Enver Hoxhës, me cinizmin karakteristik të huajtur nga OZNA serbe apo GPU-ja sovjetike, modelet e policive politike të admiruara e të përvehtësuara deri në përnjisim nga Sigurimi i Shtetit shqiptar e quajti murgeshën Terezë të Kalkutës si njeri që “përdorej gjërësisht nga Vatikani dhe Gjon Pali i II për aktivitete propagandistike kundër vendt tonë”, “një agjente e rrezikëshme”, “një armike” që duhej mbajtur në mbikqyrje edhe në Hindinë e largët, mbasi “rrezikonte” lirinë e Shqipërisë.

Si pasojë e kësaj mendësie u arrit në kulme të cinizmit kriminal, të shfaqur nga zyrtarë të lartë të rangjeve të ndryshme, që nga ambasadorët shqiptarë në Vende të huaja, deri tek znj. Vito Kapo në Meksikë, e cila lutjeve të nobelistes shqiptare, të veshur me sarin hindian, për të biseduar me të i u përgjigj me mospërfilljen dhe vrazhdësinë e spikatur të kastës së saj se”nuk kemi çfarë të bisedojmë bashkë”. Ky qe çasti kulmor i i keqtrajtimit të hapur të Shënjtëreshës shqiptare, qe një thikë e ngulur në shpirtin e saj të madh, qe plaga më e thellë që mori “krenaria” për gjakun shqiptar që i rrihte në deje. Por dhimbja më therëse, e kthyer në një torturë të përherëshme, që shoqëroi pjesën e dyzuar të personalitetit të saj, atë të jetës intime, të kujtimeve të dashurive familjare të fëminisë e të rinisë së parë, e skalitur në kujtesën e saj prej tetëmbëdhjetë vjeçareje në figurat e nënës e motrës, qe pamundësia për t’i parë edhe njëherë ato. Janë të njohura përpjekjet e ndërhyrjet e drejtuesve kryesorë të botës së atëherëshme pranë autoriteteve shqiptare për të bërë të mundur bashkimin e Nënë Terezës me familjaret e saj, të mbetura në Shqipëri. Ato i përgjigjen emrave të një Xhon F. Kenedi, të një Sharl dë Goli, të një U Thant-i, të një Indira Gandi e sa e sa të tjerë. Por Shqipëria, që kishte patur, në të shkuarën e pushtimit nazifashist, burra shteti që kishin shpëtuar qindra jetë hebrenjsh me guximin dhe bujarinë shqiptare të tyre nuk gjeti, tek drejtuesit e saj komunistë, asnjë shkëndijë bujarie e shpirtmadhësie për të bashkuar, para fundit të jetës, një familje të ndarë të popullit të saj….

Të gjitha këto fakte e konsiderata i njohin mjaft shqiptarë, sigurisht i njohin mirë drejtuesit aktualë të shtetit, të pranishëm dukshëm në ceremoninë historike të 4 shtatorit 2016 në Vatikan. Por në fjalët, intervistat apo shkrimet e tyre  nuk preken aspak veprimet e turpëshme që janë  kryer kundrejt figurës më madhore të lindur në truallin shqiptar, ata anashkalohen sikur heshtja të kishte fuqinë e shlyerjes. Besoj se shumëkush në atë ditë të madhe, një nga ato që të detyrojnë t’i nënshtrohesh edhe kolektivisht provimit të ndërgjegjes, do të kenë pritur nje kërkim faljeje të sinqertë, zyrtare, të pamëdyshje të Shtetit shqiptar drejtuar Zotit dhe shpirtit të bardhë të Shënjtëreshës Terezë, për plagët e hapura të martirizimit të shërbyesve të fesë së Krishtit, madje të gjithë fevet. Drejtuesit e sotëm, kryetari i shtetit apo kryetarët e tjerë të institucioneve, në sajë të moshës së tyre mund të përligjin heshtjen prej struci ndaj të këqijave të parardhësve të tyre, por  një qëndrim i tillë nuk nderon ata e nuk i shërben së vërtetës historike, e cila, edhe mbas gjysëm shekulli masakrimi, ende është tepër larg pohimit të saj.

Por nëse në simpoziumet studimore apo hipokrizitë politike mund të vazhdohet ende “t’i shitet sapuni për djathë” shqipfolësvet, në ditën e shënjtërimit të një bashkatdhetareje, ngjarje aq e rrallë sa, për të hasur një të ngjajshme, duhet të kthehemi 1500 vjet mbrapa, duhet të kishte qënë një farë “rrëfimi”kombëtar. Do të vlente një veprim i tillë edhe për të treguar se, më së fundi, e kemi përnjisuar mesazhin e jetës së Shënjtores tonë, se falënderojmë Zotin për dhuratën e saj e se jemi gati, të penduar për mëkatet tona të stërmëdha, të kërkojmë hirin e saj si “Mbrojtëse e Shqipërisë”. Kjo gjë nuk ndodhi e besoj se të gjitha fjalët e bukura, të zbrazura pa kursim n’ato ditë, duhen shumëzuar me zero, mbasi e shkuara jonë kriminale vazhdon të jetojë ende e strukur në strofkat e fshehta të zemrave të politikanëve tanë.

E gjithë retorika mbi “kombin që i dhuroi botës një shërbëtore si Nënë Tereza, si kombi që ka brënda tij njerëz të cilët i përkasin pjesës së njerëzimit që është aq shumë e lidhur me dëshirën që të ndeshet me të keqen…” (Presidenti Bujar Nishani) është një demagogji bajate dhe e rëndomtë, në sintoni me atë të njohurën e së shkuarës, nëse nuk paditet me forcën e duhur e keqja, zotëruese e së kaluarës, e nuk gjen shprehjen e vet pendesa e thellë e sinqertë, jo hipokrizia e rradhës. Madje vetë koncepti për personazhin si “shërbëtore e botës” tregon se presidenti me gjithë vullnetin e tij, nuk arrin te shkëputet nga interpretimi laik i dukurisë. Shënjtëresha e Kalkutës nuk ishte një “shërbëtore e botës”, por një shërbyese e Jezu Krishtit dhe Virgjëreshës Marie, të cilët i kishin ngarkuar asaj misionin e shërbimit ndaj të braktisurvet e të varfërvet të botës. Së treti, nuk ishte kombi që i dhuroi njerëzimit Nënë Terezën, por Shën Tereza që, me dritën e saj të bijës së Krishtit, të ngjitur në qiell me hirin e Zotit, i dha Shqipërisë mundësinë e afrimit me Perëndinë dhe brezave të ardhshëm shëmbullin më të shkëlqyer të një jete në përputhje me fjalën e Zotit dhe vlerat më të larta të moralit njerëzor.

Presidenti, si përfaqësuesi më i larë i Shtetit shqiptar, që edhe në ditën madhështore të 4 shtatorit, nuk ka ende një ambasador në Shtetin e Vatikanit, duhet të bënte një “mea culpa” të thellë, sepse është krejtësisht e papranueshme që, në më shumë se gjashtë muaj që ishte caktuar data e shënjtërimit të një shqiptareje, të mos ngriheshin marrëdhëniet me Vatikanin në rang ambasadash. Mos pranimi i presidentit për të emëruar dy përfaqësuesit e fundit të Shqipërisë në Vatikan, nga zgjedhjet më të mira të bëra nga Qeveria aktuale, si dy nga intelektualët më të spikatur të botës shqiptare, e ngarkon atë me një përgjegjësi tepër të madhe, para së cilës frazeologjia e intervistës dhënë Radio-Vatikanit, nuk ka asnjë vlerë. Fjalët e bukura për Shën Terezën zbehen krejtësisht kur Visar Zhitit, një të përndjekuri të ndritur të komunizmit, një poeti me përmasa botërore, i cili ka qënë i pari që ka shqipëruar e bërë të njohura lutjet dhe poezitë e Shën Terezës në kulturën shqiptare, për teka të pakuptueshme, nuk i jepet emërimi si ambasador në Shtetin e Vatikanit, për t’u paraqitur me atë titull të merituar tek Papa Françesku që, në një kohë tepër të shkurtër dekretoi Shënjtëreshën shqiptare.

Këto ishin disa nga përsiatjet vetiake të asaj dite të madhe, që nxori në pah edhe njëherë, mbas evropianit të futbollit, dëshirën dhe pasionin e shqiptarëve, kudo në botë, të festojnë të bashkuar vlerat e tyre kombëtare. Le t’i lutemi Shënjtëreshës Nënë Terezë e Kalkutës, që nga amëshimi në dritën e Zotit, të bekojë e ndriçojë popullin që e lindi, duke ndërmjetësuar tek i Plotfuqishmi për faljen e mëkateve të tij.

Shtator 2016

Filed Under: Opinion Tagged With: dhe shqiptaret, Eugjen Merlika, SHËNJTËRESHA NËNË TEREZË

MUZEU I NJË HISTORIE TË DHIMBSHME…

September 18, 2016 by dgreca

1-muzeu-afrikanFOTO:MUZEU KOMBËTAR I HISTORISË DHE KULTURËS AFRIKANO-AMERIKANE NË WASHINGTON/ Nga Frank Shkreli/Dhe realizimi i një ëndërre 100-vjeçare.  Bëhet fjalë për Muzeun Kombëtar të Historisë dhe Kulturës Afrikano-Amerikane në qendër të kryeqytetit të Shteteve të Bashkuara, Washington DC, jo larg Shtëpisë së Bardhë dhe afër monumenteve dhe muzeve kryesore të kryeqytetit amerikan, përfshirë monumentin e babait të kombit, George Washingtonit. Presidenti Barak Obama, i pari president i Shteteve të Bashkuara me origjinë afrikano-amerikane, do të hapë zyrtarisht muzeun kombëtar kushtuar historisë afrikano-amerikane në këtë vend, në fund të kësaj jave, të premtën më 24 shtator, 2016.  

Përpjekjet për ndërtimin e këtij muzeu, të cilat e kanë origjinën e tyre në fillim shekullin e kaluar, ishin të gjata dhe të mundimshe, por përpjekjet serioze legjislative të Kongresit amerikan për themelimin e një muzeu të tillë, në të vërtetë, mund të thuhet se   filluan në fund të çerek shekullit të kaluar.  Ishte, pikërisht deputeti demokrat afrikano-amerikan nga shteti Georgia dhe njëri prej aktivistëve më të dalluar i të drejtave civile në Shtetet e Bashkuara, ai që pasi u zgjodh deputet në Kongresin amerikan në vitin 1988, John Lewis, ai që mori përsipër seriozisht realizimin e themelimit të këtij muzeu duke sponsorizuar projektligje të cilat më në fund çuan në nënshkrimin e projektligjit përfundimtar – nga presidenti republikan George W Bush në vitin 2003 – që përfundimisht autorizoi  ndërtimin e këtij muzeu.  Kongresi amerikan autorizoi gjysmën e shpenzimeve prej 500-milion dollarësh për ndërtimin e muzeut të ri ndërsa pjesa tjetër e fondeve është mbledhur nga donatorë privatë.

Burime të medias, të cilat kanë vizituar muzeun para se të hapet zyrtarisht për publikun të premtën e kësaj jave, njoftojnë se muzeu ve në dukje dhe nderon arritjet e afrikano-amerikanëve në fusha të ndryshme gjatë shekujve në këtë vend, ndërkohë që njëkohsisht tregon edhe të vërtetën “lakuriq”, mbi vuajtjet e komunitetit afrikan-amerikan gjatë shekujve, përfshirë skllavërinë.  Sekretari i Institutit Smithsonian, pjesë e të cilit është edhe Muzeu Kombëtar i Historisë dhe Kulturës Afrikano-Amerikane, David Skorton u shpreh për median se gjatë planifikimit të muzeut, ishim të mendimit se,  “Është jetike dhe tepër e rëndësishme që të ndërtonim një muze i cili do t’i mundësojë Amerikës të kujtojë dhe të ballafaqohet me të kaluarën dhe historinë e saj raciste… por edhe që muzeu të shërbejë gjithashtu edhe për të zbuluar gëzimin dhe shpresën, ringjalljen dhe frymëzimin”,  që ndër të tjera, përveç vuajtjeve, ishin gjithashtu pjesë e historisë së komunitetit afrikano-amerikan, gjatë shekujsh.

Presidenti Obama dhe Drejtori i muzeut, Lonnie G. Bunch III  përmendën, me rastin e dedikimit të muzeut në vitin 2012 historinë e tmershme të skllavërisë dhe të racizmit të këtij vendi, por ata theksuan gjithashtu edhe atë që ata cilësuan si triumfin e shpirtit amerikan, duke nënvijuar se muzeu i ri në kryqetetin e Shteteve të Bashkuara nuk i dedikohet vetëm kulturës dhe historisë së komunitetit afrikano-amerikan në këtë vend, por i kushtohet gjithashtu edhe historisë së Amerikës në përgjithësi, me të mirat dhe me të këqiat, ashtu siç kanë ndodhur dhe siç i ka shënuar historia e vërtetë.  Presidenti amerikan, Barak Obama tha se duke vizituar këtë muze, “Brezat e ardhëshëm do të kujtojnë rolin, nganjëherë të vështirë dhe shpesh frymëzues, por gjithmonë jetik dhe tepër të rëndësishëm që kanë luajtur afrikano-amerikanët në jetën e vendit tonë.” 

Presidenti Obama, i cili do të hapë zyrtarisht të premten Muzeun e ri kushtuar Historisë dhe Kulturës Afrikano-Amerikane, në të vërtetë muzeu i ka dedikuar atij një ekspozitë të posaçme si president i parë afrikano-amerikan i Shteteve të Bashkuara. Muzeu i ri ekspozon jetën dhe historinë e tmershme të skllavërisë dhe shtypjeve, por edhe historinë frymëzuese të kësaj pakice amerikane.  Afrikano-amerikanët kanë mbijetuar skllavërinë, kanë luftuar dhe kanë dhënë jetën për lirinë e vet dhe të tjerëve, jo vetëm në Luftën Civile, por edhe në lufërat e tjera të Amerikës, përfshirë Luftën e Dytë Botërore dhe gjatë historisë së kaluar. Ndërsa sot kanë krijuar një jetë domethënse dhe të lumtur për veten dhe familjet e tyre dhe kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontribute të vlefshme për mirëqenjen e përgjithshme të këtij vendi. 

Amerika i kishte borxh brezave të ndryshëm të komunitetit afrikano-amerikan një muze të tillë.  Kjo për hir të së vërtetës së vet historisë së dhimbshme të këtij komuniteti, por edhe për arsye të rëndësisë që ka historikisht — për Amerikën si komb tani dhe në të kaluarën — ekspozita e vërtetë e historisë plot vuajtje të komunitetit afrikano-amerikan, në një muze siç është muzeu i ri kombëtar i Historisë dhe Kulturës Afrikano-Amerikane.  Muzeu i ri nuk do të mund të shlyej historinë as vuajtjet e afrikano-amerikanëve që e pësuan keq gjatë asaj historie të tmershme por njëkohsisht edhe frymëzuese.  Por ajo që bën muzeu i ri është fakti se  muzeu do të jetë aty në kryeqytetin amerikan me një prezencë të përhershme, si një kujtesë për krimet që janë bërë ndaj popullësisë afrikano-amerikane dhe njëkohsisht detyron brezat e tanishëm dhe të ardhëshëm të amerikanëve të të gjitha racave, që të mos e harrojnë atë histori të tmershme, me shpresë që një histori e tillë të mos  përsëritet kurrë më.

Frank Shkreli

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Muzeu i dhimbjes, Washington

Serwer: Serbia, njohje Kosovës para anëtarësimit në BE

September 17, 2016 by dgreca

-Serbia duhet të kuptojë se as tash as në të ardhmen nuk ekziston shansi për anëtarësim në BE pa pranimin e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës, të cilat de fakto janë të pranuara në Marrëveshjen e Brukselit, të cilën e kanë nënshkruara Beogradi dhe Prishtina/

PRISHTINË, 17 Shtator 2016-B.Jashari/ Eksperti ndërkombëtar i politikës, Daniel Serwer, ka deklaruar për shtypin në Beograd se Serbia nuk ka shans anëtarësimi në Bashkimin Evropian pa e njohur Kosovën.“Serbia duhet të kuptojë se as tash as në të ardhmen nuk ekziston shansi për anëtarësim në BE pa pranimin e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës, të cilat de fakto janë të pranuara në Marrëveshjen e Brukselit, të cilën e kanë nënshkruara Beogradi dhe Prishtina”, citohet ai sot në gazetën “Blic”, e cila e prezanton ekspert botëror me ndikim i politikës.“Shtete të BE-së e kanë njohur Kosovën dhe nuk do t’i lejojë Serbisë të bëhet anëtare pa zgjidhjen e kësaj çështje”, shprehet Serwer.“Në fund të procesit, Beogradi do të jetë nën presion të madh që të heq të gjitha pengesat për anëtarësim, përfshirë edhe njohjen e Kosovës”, përfundon eksperti  për Ballkanin.

Deklaratën në gazetën e Beogradit e transmeton sot edhe media në Prishtinë duke theksuar që në titull se, “Serwer ia kujton Serbisë: Harrojeni BE-në pa e njohur Kosovën”.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: ne BE, njohje Kosovës, para anëtarësimit, Serwer: Serbia

Kostumi që i rri ngushtë Kanunit dhe traditës

September 16, 2016 by dgreca

Nga Dukagjin HATA/

 Arkitipi i keqbërjes dhe krimit, si pasojë e devijimeve dhe çrregullimeve të personalitetit, kushtëzohet nga shumë faktorë, qofshin socialë, kulturorë, ekonomikë, gjenetikë e të tjerë, qofshin të lindura në rrethana të kushtëzuara në faza të caktuara të jetës së njeriut. Por hakmarrja dhe gjakmarrja, si produkt kolektiv i një shoqërie, e kushtëzuar nga Kanuni dhe e ligjeruar në mbijetesën e maleve tona, ka të bëjë me mungesën e gjatë të shtetit në shoqërinë shqiptare. Kjo mungesë është ezauruar me anë të Kanunit të Lekë Dukagjinit, Kanunit të Skënderbeut, Kanunit të Dibrës, Kanunit të Papa Zhulit (në disa treva të jugut të vendit) si dhe disa lloj ligjësish të mishëruara në besëlidhje, karare e itifaqe, që kanë rregulluar bashkëjetesën e njerëzve në komunitet.

Në kohën e funksionimit të shtetit, qoftë dhe një funksionim i mangut e me një problematikë të mprehtë si ky i yni, Kanuni duhet të kishte vetëm vlera muzeale. Mbijetesa e Kanunit në Shqipëri, edhe në kushtet e funksionimit të shtetit dhe institucioneve, ka të bëjë me qasjen e grupeve kriminale ndaj traditës, për të   gjetur tek disa elementë të saj, strehë për vrasjet, trafiqet dhe keqbërjen e tyre.

Nevoja e bandave dhe grupeve kriminale për t’u mbështetur tek Kanuni ka qenë një nevojë e ngutshme, por ky nuk ka qenë një kanun real, por një kanun i modifikuar, sipas nevojës së tyre për të mbijetuar në terrenin e vështirë shqiptar.

Periudha tranzitive në Shqipëri, përveç zgjimit të energjive dhe resurseve të fjetura, të ndrydhura apo të keqpërdorura dikur të individit shqiptar, riaktivizoi të gjitha negativitetet e traditës, që iu kanë shërbyer dhe iu shërbejnë grupimeve të caktuara sociale dhe klaneve të aferave të ndryshme, për të mbijetuar në errësirën e botës së krimit dhe të devijimeve të tjera të arketipit social. Starti i lirisë në Shqipëri u projektua dhe funksionoi si start i më të “fortëve”, jashtë të gjitha skemave, formulimeve dhe rregullave institucionale, kodeve morale dhe atyre shpirtërore, që kanë në themel demokracinë e brendshme të individit dhe të shoqërisë, të vetëdijshëm për atë se çfarë kërkojnë të bëjnë në një stad të caktuar të mbijetesës së tyre. Një nga kodet më të keqpërdorura të kësaj tradite, siç e thamë, është Kanuni, simbolika konstitucionale e të cilit, e vlefshme në kohën kur mungonte shteti, po shndërrohet në një mjet ndëshkimi në luftën e egër të bandave të armatosura dhe elementëve të vetëpenalizuar në zeje kriminale, edhe tani, në kushtet e funksionimit të shtetit dhe të luftës së tij për të bllokuar botën e krimit. Në zonat ku kanuni ka vepruar si një rregullator i brendshëm i jetës së fisit, veçanërisht në Veri të vendit dhe në disa zona rurale të tjera, po shfaqet dukuria e shndërrimit të tij, në mjaft raste, në një selektiv të përgjakur të dimensionit kriminal të shoqërisë shqiptare. Por jo vetëm në këto zona. Ai po shndërrohet me përdhunë, në këto raste, në një keqinterpret të “së drejtës”, e cila shtegton nga njëra palë kriminale te tjetra, duke lënë prapa saga tragjike vrasjesh në errësirë që i etiketohen kanunit. Kështu, me anë të një kanuni të ri, lahen hesapet dhe qërohen llogaritë midis grupeve e bandave rivale, midis familjeve e fiseve mafioze, për interesa jashtëkanunore, që lidhen me aspekte të errëta të botës së trafiqeve, drogës, vrasjeve seriale, etj. Elementi shoqërisht i rrezikshëm në Shqipëri e ka përshtatur kështu kostumin kanunor të traditës, këtë relike që ka vetëm vlera muzeale, – dhe shteti me tërë energjinë e ligjit dhe të së drejtës lypset ta bllokojë funksionimin e kanunit me çdo kusht, – sipas qepjes së re të mafies.

Është më tepër se e dhimbshme, gati një fatalitet, të dëgjosh përditë lajme të trishta për familje të tëra që po shkojnë drejt shuarjes, për viktimat e radhës që mbushin kronikat e zeza nën okelion ” larje hesapesh”. Bie fjala, në rrethin e Tropojës, janë me qindra të vrarët në emër të këtij kanuni të ri, absurd, ku mpleksen të gjitha fijet e krimit të rëndomtë dhe atij të organizuar, me të gjitha prapavijat e hapura dhe të fshehta të segmenteve dhe klaneve mafioze, që menaxhojnë me “duar të pastra” këtë “rreth fatal”. Po kështu, në këtë “rreth fatal” të kësaj psikoze të re kanunore, janë shenjuar qindra viktima në Fushë Krujë, Mat, Vlorë, Fier, Berat, etj duke na kujtuar çdo ditë, se jetojmë në një vend ku jeta e njeriut vlen pak, shumë pak, aq sa ç´vlen një fjalë e lëshuar qesim ose një biletë e prerë për në parajsën e bardhë të drogës e të skemave të tjera mafioze.

Sot shumë krime që lidhen me luftën e trafikantëve të drogës dhe femrave i faturohen Kanunit, por për ç’Kanun bëhet fjalë kur në themel të këtij Kanuni aplikohet ligji i moscënimit të askujt për çfarëdo shkak apo arsye?! Bandat vrasin për llogari të tyre, cënojnë jetën e njerëzve, të fëmijëve dhe femrave, vrasin dhe përçudnojnë kufomën (të gjitha këto në kundërshtim flagrant me Kanunin) dhe e gjithë kjo jo se nuk kuptohet prejt tyre se është një devijim i skajshëm ndaj Kryedokumentit historik të së drejtës, por ashtu iu intereson t’i paraqesin motivimet e tyre kriminale, nën projeksionin e një tradite të cënuar e të marrë peng në mënyrën më cinike të mundshme.

Sot kur oferta e dyerve të Brukselit për Shqipërinë është më afër se kurrë, duket paradoksale dhe anakronike që fëmijë e gra në disa treva të veriut shqiptarë qëndrojnë të ngujuar nga frika e gjaksve, që fëmijët e familjeve në gjak nuk shkojnë në shkollë nga frika e hakmarrjes dhe gjakmarrjes, që familjarët në gjak nuk mund të punojnë tokat e tyre, duke rrezikuar familjet të vdesin nga uria, në kundërshtim me frymën e çdo mendësie kanunore në Shqipëri. Ky  ngërç i gjatë kriminal, ky oktopod gjigand, po mban peng rendin, stabilitetin social dhe pritshmëritë e shqiptarëve drejt BE-së. Rivaliteti mes bandave e grupeve krimnale për trafiqe droge, femrash etj, po kthehet në një përditshmëri të sëmurë shqiptare, e shoqëruar me përplasje, vrasje, inidicie dhe pasoja të rënda të veprimit të botës së krimit mbi shoqërinë shqiptare, duke ia faturuar të gjitha këto «mëkate» Kanunit.

Cinizimi dhe pafytyrësia e këtyre keqbërësve arrin deri atje sa të përfshijë në këtë soj «larje hesapesh», me anë të Kanunit, dhe individë që bëjnë punën e shtetit, qofshin në sektorët e antikrimit, qofshin në zyrat e shtetit ku iu jepet drejtim punëve të kësaj shoqërie.

Para disa kohësh, u dorëhoq nga policia efektivi i komisariatit të Rrëshenit Aranit Dedaj, i kërcënuar nga një trafikant me dy emra, ish funksionar i lartë i pushtetit vendor në  Mirditë. I akuzuar për mbjellje në sipërfaqe të mëdha dhe trafikim të lëndëve narkotike, ky person arriti ta kërcënonte punonjësin e policisë A. Dedaj brenda në ndërtesën e komisariatit si dhe në gjykatën e rrethit gjyqësor Lezhë, duke e quajtur atë fajtor për arrestimin e tij. Lënia nga Gjykata e Apelit në «gjendje të lirë» e këtij kultivuesi dhe trafikanti, i dha mundësinë këtij të fundit që të përndjekë ish oficerin e përkushtuar A. D, të cilin e akuzon me anë të «Kanunit» se i paska borxh!

Baronët e krimit, hakmarrjes dhe gjakmarrjes kanë kthyer vendin e shqiponjave në një tokë të rivalitetit të botës së keqbërjes, hashashit dhe krimit, duke e zhvendosur oferën e Bashkimit Evropian për Shqipërinë në kalendat greke.  Bota e krimit ordiner dhe atij të organizuar lyp që t’i vesh Kanunit dhe traditës një kostum moderniteti, por ky kostum iu rri atyre aq ngushtë, sa çdo përpjekje e tyre në këtë drejtim duket absurde dhe groteske.

Si pasojë e gjithë kësaj, hakmarrja dhe gjakmarrja në disa treva shqiptare ndodhin me një përpikmëri logaritmike, si vdekje të paralajmëruara nga bota e krimit dhe të pandëshkuara nga institucionet e shtetit dhe të së drejtës.

Shoqëria shqiptare, tejet e lodhur nga kjo histori, veçabnërisht familjet e përndjekura nga hijet e frikës së ndëshkimit dhe hakmarrjes, familjet në gjak dhe të ngujuara nga frika e krimit, apelon që më në fund të bllokohet nga shteti ky dimension antishoqëror me pasoja të rënda sociale, ekonomike e humane, të ndërpritet ky makth keqbërje e krimi pa alibi, që po e çon Shqipërinë vite të tëra pas në hartën e vendeve të sigurisë, të ndërpritet kjo aferë vdekjeje që kërcënon çdo ditë e me një agresivitet të rëndë rendin dhe stabilitetin qytetar.

Filed Under: Opinion Tagged With: Dukagjin Hata, Kanuni, Kostumi i ngushte

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 539
  • 540
  • 541
  • 542
  • 543
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT