FOTO:MUZEU KOMBËTAR I HISTORISË DHE KULTURËS AFRIKANO-AMERIKANE NË WASHINGTON/ Nga Frank Shkreli/Dhe realizimi i një ëndërre 100-vjeçare. Bëhet fjalë për Muzeun Kombëtar të Historisë dhe Kulturës Afrikano-Amerikane në qendër të kryeqytetit të Shteteve të Bashkuara, Washington DC, jo larg Shtëpisë së Bardhë dhe afër monumenteve dhe muzeve kryesore të kryeqytetit amerikan, përfshirë monumentin e babait të kombit, George Washingtonit. Presidenti Barak Obama, i pari president i Shteteve të Bashkuara me origjinë afrikano-amerikane, do të hapë zyrtarisht muzeun kombëtar kushtuar historisë afrikano-amerikane në këtë vend, në fund të kësaj jave, të premtën më 24 shtator, 2016.
Përpjekjet për ndërtimin e këtij muzeu, të cilat e kanë origjinën e tyre në fillim shekullin e kaluar, ishin të gjata dhe të mundimshe, por përpjekjet serioze legjislative të Kongresit amerikan për themelimin e një muzeu të tillë, në të vërtetë, mund të thuhet se filluan në fund të çerek shekullit të kaluar. Ishte, pikërisht deputeti demokrat afrikano-amerikan nga shteti Georgia dhe njëri prej aktivistëve më të dalluar i të drejtave civile në Shtetet e Bashkuara, ai që pasi u zgjodh deputet në Kongresin amerikan në vitin 1988, John Lewis, ai që mori përsipër seriozisht realizimin e themelimit të këtij muzeu duke sponsorizuar projektligje të cilat më në fund çuan në nënshkrimin e projektligjit përfundimtar – nga presidenti republikan George W Bush në vitin 2003 – që përfundimisht autorizoi ndërtimin e këtij muzeu. Kongresi amerikan autorizoi gjysmën e shpenzimeve prej 500-milion dollarësh për ndërtimin e muzeut të ri ndërsa pjesa tjetër e fondeve është mbledhur nga donatorë privatë.
Burime të medias, të cilat kanë vizituar muzeun para se të hapet zyrtarisht për publikun të premtën e kësaj jave, njoftojnë se muzeu ve në dukje dhe nderon arritjet e afrikano-amerikanëve në fusha të ndryshme gjatë shekujve në këtë vend, ndërkohë që njëkohsisht tregon edhe të vërtetën “lakuriq”, mbi vuajtjet e komunitetit afrikan-amerikan gjatë shekujve, përfshirë skllavërinë. Sekretari i Institutit Smithsonian, pjesë e të cilit është edhe Muzeu Kombëtar i Historisë dhe Kulturës Afrikano-Amerikane, David Skorton u shpreh për median se gjatë planifikimit të muzeut, ishim të mendimit se, “Është jetike dhe tepër e rëndësishme që të ndërtonim një muze i cili do t’i mundësojë Amerikës të kujtojë dhe të ballafaqohet me të kaluarën dhe historinë e saj raciste… por edhe që muzeu të shërbejë gjithashtu edhe për të zbuluar gëzimin dhe shpresën, ringjalljen dhe frymëzimin”, që ndër të tjera, përveç vuajtjeve, ishin gjithashtu pjesë e historisë së komunitetit afrikano-amerikan, gjatë shekujsh.
Presidenti Obama dhe Drejtori i muzeut, Lonnie G. Bunch III përmendën, me rastin e dedikimit të muzeut në vitin 2012 historinë e tmershme të skllavërisë dhe të racizmit të këtij vendi, por ata theksuan gjithashtu edhe atë që ata cilësuan si triumfin e shpirtit amerikan, duke nënvijuar se muzeu i ri në kryqetetin e Shteteve të Bashkuara nuk i dedikohet vetëm kulturës dhe historisë së komunitetit afrikano-amerikan në këtë vend, por i kushtohet gjithashtu edhe historisë së Amerikës në përgjithësi, me të mirat dhe me të këqiat, ashtu siç kanë ndodhur dhe siç i ka shënuar historia e vërtetë. Presidenti amerikan, Barak Obama tha se duke vizituar këtë muze, “Brezat e ardhëshëm do të kujtojnë rolin, nganjëherë të vështirë dhe shpesh frymëzues, por gjithmonë jetik dhe tepër të rëndësishëm që kanë luajtur afrikano-amerikanët në jetën e vendit tonë.”
Presidenti Obama, i cili do të hapë zyrtarisht të premten Muzeun e ri kushtuar Historisë dhe Kulturës Afrikano-Amerikane, në të vërtetë muzeu i ka dedikuar atij një ekspozitë të posaçme si president i parë afrikano-amerikan i Shteteve të Bashkuara. Muzeu i ri ekspozon jetën dhe historinë e tmershme të skllavërisë dhe shtypjeve, por edhe historinë frymëzuese të kësaj pakice amerikane. Afrikano-amerikanët kanë mbijetuar skllavërinë, kanë luftuar dhe kanë dhënë jetën për lirinë e vet dhe të tjerëve, jo vetëm në Luftën Civile, por edhe në lufërat e tjera të Amerikës, përfshirë Luftën e Dytë Botërore dhe gjatë historisë së kaluar. Ndërsa sot kanë krijuar një jetë domethënse dhe të lumtur për veten dhe familjet e tyre dhe kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontribute të vlefshme për mirëqenjen e përgjithshme të këtij vendi.
Amerika i kishte borxh brezave të ndryshëm të komunitetit afrikano-amerikan një muze të tillë. Kjo për hir të së vërtetës së vet historisë së dhimbshme të këtij komuniteti, por edhe për arsye të rëndësisë që ka historikisht — për Amerikën si komb tani dhe në të kaluarën — ekspozita e vërtetë e historisë plot vuajtje të komunitetit afrikano-amerikan, në një muze siç është muzeu i ri kombëtar i Historisë dhe Kulturës Afrikano-Amerikane. Muzeu i ri nuk do të mund të shlyej historinë as vuajtjet e afrikano-amerikanëve që e pësuan keq gjatë asaj historie të tmershme por njëkohsisht edhe frymëzuese. Por ajo që bën muzeu i ri është fakti se muzeu do të jetë aty në kryeqytetin amerikan me një prezencë të përhershme, si një kujtesë për krimet që janë bërë ndaj popullësisë afrikano-amerikane dhe njëkohsisht detyron brezat e tanishëm dhe të ardhëshëm të amerikanëve të të gjitha racave, që të mos e harrojnë atë histori të tmershme, me shpresë që një histori e tillë të mos përsëritet kurrë më.
Frank Shkreli