• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kryeministri i pajtimit me Serbinë dhe i përçarjes së shqiptarëve!

August 28, 2016 by dgreca

Nga Enver Bytyçi/Kur kancelarja gjermane Angela Merkel erdhi në Shqipëri në korrik të vitit 2015 dhe më pas fluturoi drejt Serbisë, ajo u ndal gjatë si në Tiranë edhe në Beograd rreth idesë së “pajtimit shqiptaro-serb”. Në Tiranë Merkel i kërkoi kryeministrit shqiptar pajtimin me Serbinë dhe bashkëpunim të ngushtë të të dy vendve. Në Beograd ajo i kërkoi kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiç, jo vetëm pajtimin me Shqipërinë, por edhe me Kosovën. Rama dhe Vuçiç u zotuan para saj se do të vijonin procesin e pajtimit midis të dy popujve dhe vendeve që ata përfaqësojnë. Sipas gazetës më me emër në Gjermani Frankfurter Allgemeine Zeitung të datës 10 korrik 2015 kjo çeshtje kishte zënë thuajse vendin kryesor në agjendën e vizitës së Merkel në Tiranë. Por çfarë ndodhi? Vuçiç është angazhuar vetëm në “pajtimin” me Tiranën dhe Rama i përgjigjet atij pa bërë asnjë përpjekje që në këtë frymë “pajtimi” të përfshihet edhe Kosova. Pas zonjës Merkel Shqipërinë e vizitoi sekretari i Shtetit të SHBA-ve, Xhon Kerry, i cili udhëtoi gjithashtu në disa vende ballkanike. Ndërsa para pak javësh Xho Biden vizitoi Kosovën dhe Serbinë. Përfaqësuesit amerikanë nuk kishin si agjendë kryesore pajtimin formal midis shqiptarëve dhe serbëve, por respektimin e marrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë. Për amerikanët duket se nuk është me rëndësi ndonjë kontribut specifik plus i kryeministrit të Shqipërisë për pajtimin e shqiptarëve dhe serbëve. Kjo jo se ata nuk e duan këtë pajtim, por se duhen respektuar normat morale të sjelljes midis palëve. Për amerikanët duket se sjellja konstruktive e shqiptarëve duhet të vazhdojë, me qëllim garantimin e stabilitetit rajonal, por për ta shqiptarët si viktimë nuk kanë asnjë arësye tu kërkojnë falje agresorëve dhe vrasësve në Serbi. Për amerikanët pajtimi duhet të vijë në linjën Prishtinë-Beograd dhe jo në linjën Tiranë-Beograd. Sjellja morale kërkon që Serbia si shtet të kërkojë falje për krimet makabre që ajo ka bërë në Kosovë e shqiptarët, në radhë të parë e kryesisht ata të Kosovës, t’i përgjigjen pozitivisht, nëse ndjesa serbe është e sinqertë. Ndërkaq gjatë dy viteve të fundit këmi parë një kryeministër shqiptar, zotin Rama, që të rrëmbejë vullnetarisht, me eufori dhe makinacione mashtrimi, flamurin e pajtimit shqiptaro-serb. Në shumë komente dhe analiza kam shkruar rreth idesë së pajtimit shqiptaro-serb të inicuar në vitin 2011 nga ish-presidenti I Serbisë, Boris Tadiç, prandaj nuk kam ndërmend të ndaloj në këtë histori. Thjesht po përsëris se iniciativa dhe kërkesa e tij që konfliktin shqiptaro-serb të zhvilluar në Kosovë ta zgjidhë me bisedime midis Tiranës dhe Beogradit ishte një iniciativë provokuese e përçarëse për shqiptarët dhe kombin shqiptar. Tani jemi para një prove të re të angazhimit të Edi Ramës në intenerarin e përcaktuar nga kumbari i tij, Tadiç. Në tetor kryeministri ynë do të shkojë i shoqëruar me gjysmën e qeverisë së tij në Nish dhe aty do të marrë pjesë në inagurimin e disa projekteve që lidhin Adriatikun me Serbinë. Në këto projekte bëjnë pjesë ndërtimi i autostradës dhe hekurudhës që do të kalojnë nëpër territorin e Kosovës. Gjithçka që do të bisedohet dhe vendoset në Nish ka të bëjë më parë se me Shqipërinë me Kosovën. Por Kosova nuk do të jetë e pranishme në këto ceremoni, ajo nuk është pyetur dhe nuk do të pyetet për ato çfarë do të vendosin Rama dhe Vuçiç për të. Thuhet se do të shkojë të marrë pjesë në këtë ceremony një zv. ministër shqiptar i Pushtetit Lokal të qeverisë së Kosovës. Por ky zv. ministër nuk ka tagër dhe dijeni të flaës për projrkte rajonale. E shumta ai mund të ketë dijeni për çeshtjet që lidhen me auronominë lokale, ose për krijimin e Asosacionit të Komunave Serbe në Kosovë. Dhe një zv. ministër, nëse merr mandate përfaqësimi nga qeveria e Kosovës, mund të manipulohet shumë, shumë lehtë nga dy “udhëheqësit ballkanikë”, siç kanë dëshirë të prezantohen zoti Rama dhe zoti Vuçiç. Nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë pranuar si pjesmarrës në tryezën e Ramës e të Vuçiç për t’i bërë presion për implementimin e marrëveshjes pëe asosacionin e komunave serbe. Por një gjë është e sigurt, ai nuk është palë në atë aktivitet politik e diplomatik, është viktimë e tij, nëse do të pranojë të jetë i pranishëm. Megjithatë nuk po ndalem në formën dhe formalizimin e çeshtjes. Por ne jemi para një sprove dhe sfide të rrezikshme. Para disa ditësh disa lojtarë të kombëtares së Shqipërisë u larguan nga Tirana dhe shkuan të marrin pjesë në kombëtaren e Kosovës. U ndez një debat i nxehtë, deri te etiketimet si “tradhëtar”. Andi Bushati ishte akuzuesi i madh i atyre djemve që vendosën t’i dalin zot vendit të tyre të sapo pranuar në FIFA dhe UEFA. Po kë kemi parasysh se Bushati asnjë qasje jo atdhetare të qeverisë së të majtëve në Shqipëri nuk e ka kritikuar e qortuar e aq më pak ta ketë cilësuar si “tradhëti”, duket qartë se arma e tij e akuzave për “tradhëti” është e rezervuar për t’u përdorur si armë ideologjike. Por e theksoj përsëri se nuk është ky thelbi i trajtesës që bëj. Besoj se janë të shumtë ata që besojnë si unë, se shfaqja e këtij konflikte në dukje për sportin, nuk është në fakt për sportin. Eshtë si puna e dikujt që mbushet diku e zbrazet diku tjetër. Futbollistët nga Kosova ishin rrufepritësit, ndërsa rrufetë vinin nga sjellja e kryeministrit Rama në marrëdhëniet e tij me Serbinë e shpërfilljen totale që ai i bën Kosovës. Reagimet nga Kosova ishin të natyrës së kundërshtive me politikat e qeverisë shqiptare ndaj Kosovës. Kryeministri ynë ka marrë përsipër të flasë në emër të të gjithë shqiptarëve në rajon, edhe pse atë e kanë zgjedhur dhe njëkohësisht e kanë tradhëtuar zgjedhësit e tij në Republikën e Shqipërisë. E kanë tradhëtuar se i ka tradhëtuar ai si demagog, mashtrues dhe gënjeshtar klasi të papërsëritshëm në historinë politike të shtetit shqiptar, madje i pakrahasueshëm edhe me diktatorin dhe diktaturën e regjimit komunist. Ai ka vendosur jo vetëm të rikthejë lavdinë e viteve 1945-1948 në marrëdhëniet shqiptaro-serbe, por njësoj si atëherë të shpërfillë interesat e viktimave reale të terrorit serb, shqiptarët e Kosovës. Ai po shkon në Nish, jo për të folur e lidhur marrëveshje bilaterale, por për të imponuar marrëveshje që prekin shtetin e Kosovës. Ndërkaq në Kosovë disa ende e konsiderojnë Edi Ramën si heroin e tyre për shkak të deklaratës në Beograd se “Kosova është shtet i pavarur”. Nëse kjo deklaratë do të ishte e sinqertë, ai nuk mund të vazhdonte më tutje marrëdhëniet aq të ngushta e të ngrohta me qeverinë e Serbisë pa u bërë realitet njohja e Kosovës nga ana e Beogradit dhe pa ardhur ndjesa e Serbisë për krimet shtetërore kundër shqiptarëve në Kosovë. Por nuk ndodhi kjo. Edi Rama ka vendosur të shkojë jo vetëm në Nish, por edhe në Beograd si piktor me zhgarravinat e tij. Në Beograd do të kujtojnë dhe “ngjarjen historike” të vizitës së një kryeministri shqiptar në Serbi të para dy viteve, 67 vite pas vizitës së diktatorit komunist, Enver Hoxha. Ai nuk le rast pa dëshmuar servilizëm ekstrem ndaj gjermanëve dhe francezëve me pozat e tij pro një pajtimi shqiptaro-serb në modelin e pajtimit gjermano-francez menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Edhe modelin e zgjodhi të njëjtë, aktivizoi si shou të radhës grupet rinore të të dy vendeve për shenjë pajtimi. Dmth kopjoi pikë për pikë modelin gjermano-francez. Por kushtet, rrethanat, territori ku kanë ndodhur krimet serbe nuk janë të njëjta me ato të situatës së krijuar në rastin e pajtimit gjermano-francez. Ato ndryshojnë krejtësisht. Franca u pajtua me gjermanët dhe anasjelltas, por nuk mori përsipër të përfaqësojë bie fjala Belgjikën. Gjermania po ashtu nuk mori përsipër të përfaqësojë bie fjala, Austrinë. Edi Rama ka marrë përsipër të mënjanojë institucionet e Kosovës, përfaqësuesit legjitimë të saj dhe të hiqet si “udhëheqës panshqiptar”, ndërkohë që ai dëshiron të paraqitet i tillë vetëm në funksion të pajtimit me Serbinë dhe hapjes së rrugës së saj për integrime europiane. Ndërsa për integrimin e Serbisë në NATO nuk bëhet fjalë. Kryeministri shqiptar nuk do të lexojë faktet që rrjedhin nga ngjarjet e fundit ne Ballkan e te serbët. Megjithatë po i kujtojmë se partitë politike nga pesë shtete sllave të Ballkanit, përfshirë dhe partinë në pushtet të kryeministrit Vuçiç, në fund të qershorit të kaluar nënshkruan në Moskë në prani të presidentit rus, Vladimir Putin, një deklaratë të përbashkët “të territorit neutral në Ballkan”. Ne shqiptarët e dijmë më mirë se të gjithë popujt e tjerë të rajonit, krahas kroatëve, se çdo të thotë një Ballkan “neutral”. Mësë paku do të thotë një zonë e influencuar nga Rusia dhe e pozicionuar kundër NATO-s. Më së paku do të thotë rikthimi i teorisë së sponsorizuar nga Moska dhe e pëlqyer aq shumë nga Milosheviçi dhe e majta shqiptare, “Ballkani ballkanasve”, që do të thotë nxjerrje jashtë tij të SHBA-së dhe rikthim të Moskës në vend të tyre. Ka shumë gjasa që kjo zonë ballkanike të orientohet drejt Bashkimit Europian në pikëpamje ekonomike, një politikë e gjithmonëshme e Serbisë që gjeopolitikisht të qëndrojë në sferën ruse dhe ekonomikisht e fusha të tjera të lidhet me Europën. Por nuk është politikë e integrimit në NATO. Serbia dëshiron marrëdhënie të ngushta me Shqipërinë, por me kush që Shqipëria të injorojë autoritetin e shtetit të pavarur të Kosovës, pra që Tirana zyrtare të ndjekë de facto të njëjtën linjë politike me Beogradin. Në Europë ka vende, të cilave nuk u prish punë “neutraliteti” i Serbisë, Bosnjës, Maqedonisë, mjafton që këto vende të jenë pjesë e agjendës europiane. Shkurt në Europë nuk ka ndonjë shqetësim të theksuar nëse këto vende bëhen ose jo anëtare të Aleancës atlantike. Por për ne shqiptarët është e duhet të jetë krejt ndryshe. Ne kemi interes jetik pranimin në NATO të të gjitha vendeve ballkanike, me qëllim që t’i jepet fund konfliktit në këtë rajon. Në këtë konteks është enigmë se cilin interes ndjek kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama?! Interesin e pikturave?! Interesin e pushtetit?! Interesa materialiste dhe korruptuese me përmasa rajonale, sepse ky lloj kostumi në Shqipëri i rri ngushtë?! Interesa shpirtërore që lidhen me “lavdinë” dhe tërheqjen e vëmendjes te “partnerët europianë”?! Apo interesin e Rusisë e të Serbisë?! Të gjitha këto pyetje retorike e gjejnë përgjigjen vetëm te kryeministri ynë i pajtimit me Serbinë dhe i përçarjes së shqiptarëve.

Filed Under: Opinion Tagged With: Enver Bytyci, Kryeministri i pajtimit, me Serbinë dhe i, përçarjes së shqiptarëve!

Mark Gjonaj: Mësimet që nxora nga vepra e Nënë Terezës

August 27, 2016 by dgreca

1 Marku ok

Me rastin e shënjtërimit të Nënë Terezës, Zëri i Amerikës po zhvillon intervista me komunitetin shqiptar të Nju Jorkut. Mark Gjonaj, anëtar i legjislaturës shtetërore të Nju Jorkut është një ndër nismëtarët e një aktiviteti që do të zhvillohet në Manhatan më 4 shtator, ku pjesëtarë të komunitetit do të ndjekin shenjtërimin e Nënë Terezës dhe do të festojnë kujtimin e saj me një bust që do të zbulohet në Manhattan. Zoti Gjonaj bisedoi me kolegen Ardita Dunellari mbi figurën e Nënë Terezës, shembullin që ka lënë ajo si humaniste, si një kujtim të dashur të fëmijërisë së tij, nga vizita e Nënë Terezës në Nju Jork: Shenjtërimi i Nënë Terezës është një moment historik për komunitetin shqiptaro-amerikan në Nju Jork. Anëtari i Legjislaturës Shtetërore të Nju Jorkut, Mark Gjonaj, thotë se aktiviteti në Manhatan është organizuar me qëllimin që të festohet vepra e humanistes së madhe në ditën e shenjtërimit të saj:

“E fillojmë me transmetimin e drejtpërdrejtë të meshës nga Roma, në ora 4 të mëngjesit në Nju Jork. Presim të mblidhen qindra vetë për këtë meshë, që ta ndajmë dhe ta festojmë këtë moment me të tjerët dhe të marrim pjesë në këtë zhvillim historik. Do të kemi edhe meshën tonë nën drejtimin e Peshkopit Walsh në mesditë. Dhe më pas do të kemi një ditë të mbushur me aktivitete gazmore: kërcime, këngë, folklor”.

Aktiviteti bashkon njerëz nga fe të ndryshme në emër të dashurisë dhe përkushtimit që zoti Gjonaj thotë se dëshmoi Nënë Tereza gjatë gjithë jetës së saj. Pjesëmarrës në aktivitet do të jenë pjesëtarë të komunitetit nga të gjitha besimet. Komuniteti shqiptar, thotë politikani nga Nju Jorku, po ofron një shembull se si mund të bashkohemi të gjithë, në emër të veprës së Nënë Terezës”.

“Ne kemi qenë shumë me fat që kemi një Nënë Terezë me prejardhje shqiptare… Ky është momenti që komuniteti shqiptar të tregojë se çfarë arriti të bënte një individ, me mjete modeste. Është shembull i një jete me synime të larta, i një jete që sjell ndryshime”.

Shqiptarët, thotë zoti Gjonaj, nuk mblidhen për ta përvetësuar Nënë Terezën, por për të ndarë me botën veprën e saj në shërbim të më të përvuajturve, që ka frymëzuar njerëz nga përkatësi të tjera etnike:

“Pjesëtarë të elektoratit tim më afrohen e më thonë “E di që Nënë Tereza është shqiptare?” Pra vijnë e më informojnë mua për prejardhjen e Nënë Terezës. Janë shumë krenarë sepse në jetët e tyre kanë parë, kanë mësuar, kanë ndjekur këtë grua që do të bëhet shenjtore, ndoshta edhe janë takuar me të. Ky moment prek të gjithë njerëzit, pavarësisht nga prejardhja etnike, apo besimi fetar”.

Zoti Mark Gjonaj ruan një kujtim të dashur nga fëmijëria kur Nënë Tereza erdhi në Nju Jork dhe ai e pa nga afër nobelisten e famshme gjatë meshës, megjithëse në atë moshë nuk e kuptonte se çfarë përfaqësonte ajo:

“Kisha jonë në Bronks është kishë e vogël, por atë ditë, mesha po mbahej përjashta, në hapësirën e parkimit, për të akomoduar turmën e madhe. Nuk e dija përse po mbahej jashtë mesha, por më bëri përshtypje një grua e veshur me të bardha. Kur kaloi kutia e donacioneve, me pushtoi dëshira për të dhuruar diçka. Si djalë i vogël kisha pesë dollarë dhe vendosa t’i dhuroj. Diçka e paharrueshme ndodhi më pas: kur po ktheheshim në shtëpi, duke ecur rrugës gjeta një kartmonedhë 20 dollarëshe. Ia tregova nënës: “Sa mirë” – më tha, “Tani ke 25 dollarë”. I shpjegova se 5 dollarëshin që kisha pasur më parë e kisha dhuruar. “E sheh, të pata thënë se po dhurove nga zemra në emër të Zotit, ta kthen dyfish; e paskam pasur gabim. Zoti ta ktheu katërfish”. Është një histori që do të qëndrojë me mua gjithë jetën, se çfarë do të thotë të japësh dhe të marrësh”.

Ai e pranon se nuk është e lehtë të ndjekësh shembullin e një njeriu të tillë, sidomos për dikë në politikë. Por bota, beson zoti Gjonaj, do të ishte një vend shumë më i mirë sikur njerëzit të ndiqnin një jetë të frymëzuar nga vepra e saj. Në këtë këtë moment historik, ai shpreson që shqiptarët do të gjejnë një mision më të madh brenda vetes, në shëmbëlltyrën e bijës më të famshme që ka nxjerrë kombi:

“Ajo bëri një jetë modeste. Ajo thoshte se në fund të jetës nuk do të ketë rëndësi sa pasuri kemi grumbulluar, sa shtëpi po lëmë pas, çfarë po u lëmë fëmijëve, por nëse po e lëmë këtë botë më mirë se e gjetëm, dhe çfarë kemi bërë për ta ndryshuar botën. Në këtë kohë të kufizuar që ndajmë me motrat e vëllezërit tanë, çfarë kemi bërë për t’ia bërë jetën më të mirë? Nuk mendoj se shqiptarët në vendet e tyre po jetojnë duke ndjekur gjurmët e Nënë Terezës. Mendoj se preokupohen shumë për veten, për ato që mund të marrin, jo sa mund të japin”.

“Të gjithë mund të mësojmë nga Nënë Tereza. Por për fat të keq nuk mund të them se të gjithë ne po ecim gjurmët e saj. Ndoshta shenjtërimi i saj është momenti i duhur, sepse duke mësuar më shumë për jetën e saj mund të kuptojmë rolin që na takon”.

Për momentin, vëmendja është tek ceremonia e shenjtërimit të nobelistes shqiptare.

“Nuk e di a do të na ndodhë përsëri që të përjetojmë shenjtërimin e një personi që e kemi ndjekur gjatë jetës sonë, prandaj është një moment i rëndësishëm dhe i rrallë”.

“Ky është një moment i jashtëzakonshëm për këdo, fakti që një grua që ka jetuar në kohët tona po kanonizohet si shenjtore, është moment i jashtëzakonshëm jo vetëm për komunitetin shqiptar por për të gjithë botën”.

Por mesazhi i vërtetë i kësaj dite është vepra e një njeriu të përkushtuar ndaj humanizmit dhe dashurisë për të tjerët, thotë zoti Gjonaj. Ai kujton fjalët e urta që e udhëhiqnin Nënë Terezën në veprën e saj dhe shpreson se në ditën e shenjtërimit të saj, njerëzit do të preken nga shembulli i jetës së saj në shërbim të njerëzimit:

“Nuk ka rëndësi dhurata, por dashuria me të cilën është bërë. Ndryshimet mund të realizohen me akte të vogla. Të gjithë duhet të përpiqen të ndryshojnë botën për mirë”. Është një mënyrë e jashtëzakonshme për ta jetuar jetën. Shpresoj se kjo lloj mendësie, ky humanizëm dhe kjo dashuri do të gjejë vend tek të gjithë; bota do të ishte shumë më e paqtë në këtë mënyrë”.(ZERI I AMERIKES)

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Mark Gjonaj, Nene Tereza

TAKIMI I NISHIT- PUNË BALLKANASISH, HESAPI

August 25, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Është njoftuar se qeveria e Republikës së Shqipërisë do të takohet me qeverinë serbe në Nish. Është folur njëkohsisht edhe për pjesëmarrjen e  mundshme të qeverisë së Republikës së Kosovës, por deri tashti nuk është e qartë pjesëmarrja e qeverisë së Prishtinës, ose në çfarë niveli mund të përfaqësohet Kosova, në atë takim.

Sidoqoftë, duket se ky takim është një nismë e Serbisë dhe Beogradi duket se po bën të gjitha përgatitjet dhe planifikimet, përfshirë edhe faktin se kush do të ftohet dhe kush jo.  Ndonëse cilësohet si një takim, jo doemosdosmërisht midis qeverisë serbe dhe asaj shqiptare, por si një takim, Radio Europa e Lirë (REL), e cilëson atë si  një “dialog për marrëdhëniet e shqiptarëve dhe serbëve në rajon.Për këtë arsye edhe do të ftohen përfaqësues politikë të shqiptarëve nga Kosova”, thotë REL.Dialog për marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve në rajon, por pa përfaqsuesit legjitim të nivelit më të lartëtë strukturave të qeverisë dhe shtetit të Republikës së Kosovës së pavarur, e njohur tanimë nga 111 shtete anë e mbanë botës???!!!

Mbetet për tu pa se në çfarë niveli do të përfaqsohet Kosova, por Kryeministri serb Vuçiq citohet të ketë thënë se, “Do të mirëpresim edhe disa nga përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës dhe Metohisë, do të mirëpresim shumë njerëz në forumet e biznesit, në takime”, në takimin e ardhëshëm shqiptaro-serb të Nishit. E ku do ulen këta “përfaqsues të shqiptarëve të Kosovës e Metohisë”, në tavolinën e përbashkët apo në karrigat pas delegacionit të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, si “paper boys”, dhe si do të identifikohen ata në takimin e Nishit, si përfaqsues shqiptarë të “Kosovo-Metohisë”? Si mund të ketë një takim për “dialog për marrëdhëniet e shqiptarëve dhe serbëve në rajon”, pa përfaqësinë legjitime të niveleve më të larta politike të Republikës së Kosovës, në një takim ku merr pjesë Kryeminsitri i Shqipërisë dhe ai i Serbisë?A nuk janë shqiptarët e Kosovës, shqiptarë të rajonit? A mos vallë edhe ky takim është një vazhdim i përpjekjeve të vjetëra nga ana e Beogradit për të përçarë shqiptarët në Ballkan, në ata që sllavo-serbët i kanë cilësuar historikisht si “albanci”, ose “dobri albanci” shqiptarët e mirë–pra shqiptarët mbrenda kufijve të Shqipërisë londineze — dhe shqiptarët (e këqij) irridentista dhe problematikë nën ish-Jugosllavi, me epitetin ofendues “shiftari”, përfshirë shqiptarët e Kosovës?

A do të jetë ky një takim midis serbëve dhe shqiptarëve ku të gjithë pjesmarrësit konsiderohen dhe trajtohen si të barabartë? Në sipërfaqe duket se ky takim nuk do të jetë asgjë tjetër veçse një rast ku serbët, për interesa të veta, do të përpiqen ti tregojnë botës, sidomos asaj perëndimore, se ata janë të gatëshëm për dialog dhe bashkjetesë me shqiptarët e rajonit.  Sidomos kur të merret parasyshë se kryeministri serb e njoftoi këtë takim gjatë vizitës së fundit të Zëvëndës Presidentit amerikan Joe Biden në Beograd.  Serioziteti i këtij propozimi për takimin serbo-shqiptar dhe prapaskenat e përgatitjes së një takimi të tillë, duhet të shikohen nga këndveshtrimi se kush janë përfaqsuesit serbë, me të cilët do të takohet në Nish, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama me delegacionin e tij dhe mepërfaqsuesit e tjerë të“shqiptarëve nga rajoni”.

Në krye të delegacionit serb do të jenë trashëgimtarë dhe gjithnjë mbështetës të pandëshkuar të politikave kriminale të Sllobodan Millosheviçit, përfshirë, Kryeministrin e tanishëm Aleksandër Vuçiq, ish-ministër i informacionit në administratën e Millosheviçit nga fundi i 1990-ave.Marr me mendë se ndër të tjerë do të jetë, Ministri i jashtëm serb dhe zëvëndës kryeministër, Ivica Daçiq dhe ministri i punës Aleksandër Vulin, të cilët edhe pas kaq vitesh dhe provash, me këmbëngulje vazhdojnë të thonë se Millosheviqi nuk ishte fajtor për gjenocidin dhe për krimet kundër njerëzimit në ish-Jugosllavi.Përball këtyre përfaqsuesëve serbë, do të qendrojë delegacioni i Shqipërisë dhe me këta do të bisedojë për “marrëdhëniet e shqiptarëve me serbët” në rajon.

Bazuar në të kaluarën,  Serbia nuk e ka ndër mendë të përballet dhe siç duket nuk ka të ngjarë se do të përballet me krimet e tmershme ndaj popujve të Ballkanit si dhe me rolin e Milllosheviçit dhe ish-bashkpuntorëve të tij në ato luftëra, etë cilët sot janë në krye të shtetit serb.  Ata sillen sikurë nuk ka ndodhë gjë fare në territorin e ish-jugosllav. Ndërkombëtarët kanë insistuar se Serbia ka nevojë për zbatimin e një ligji të lustracionit që do pastronte trashëgiminë e Millosheviqit dhe që do të largonte nga detyrat e larta të shtetit dhe qeverisë serbe mbështetsit e tij dhe njerëzit e inkriminuar në luftërat e ish-Jugosllavisë, përfshirë krimet kundër shqiptarëve të Kosovës.  (Edhe Shqipëria ka nevojë për një ligj lustracioni, por për arsye të tjera që i përkasin një periudhe tjetër).

Këta njerëz jo vetëm që nuk dënojnë krimet e së kaluarës, por për ta është i pranueshëm madje edhe reabilitimi i ish-udhëheqsve kriminelë, ndërkohë që disa prej tyre kërkojnë shpalljen e tyre heronjë. Kjo bëhet në përpjekje për tëjustifikuar duke reabilituar jo vetëm politikat diktatoriale të së kaluarës, por si rrjedhim përpiqen të arsyetojnë dhe të justifikojnë edhe qëndrimin e tyre në pozita të larta udhëheqjeje në qeveri dhe në shtet.

Udhëheqsit e Ballkanit të gjysëm shekullit të kaluar e deri më sot, përfshirë kasapin e Ballkanit, Millosheviçin dhe trashëgimtarët e tij,nuk janë heronjë, përkundrazi janë mbetje e ish-regjimeve të deskrekidituara komuniste dhe si të tillë duhet të trajtohen.

Përsa i përket takimit shqiptaro-serb në Nish, dialogu është i mirë në çdo kohë dhe për gjithçka, por është procesi të cilit duhet t’i kushtohet kujdes dhe vëmendje e veçantë. A  do të jetë takimi i Nishit një hap i parë dhe tepër i nevojshëm drejtë pajtimit dhe drejtësisë midis dy popujve – e vetmja mënyrë për paqë dhe stabilitet në rajon – a por do të jetë një rast i radhës për të dëgjuar retorikën tashmë të mërzitshme serbe mbi “Kosovo-Metohinë”, gjë që nuk ka ndihmuar as nuk i ndihmon zhvillimit normal të marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan.

E kaluara historike nuk mund të përgnjeshtrohet as nuk duhet të harrohet. Kriminelët dhe mbështetsit e tyre nuk mund dhe nuk duhettë reabilitohen si heronjë. Pa një angazhim serioz për pranimin e gjenocidit dhe të krimeve kundër njerëzimit në territorin e ish-Jugosllavisë nga ana e Serbisë dhe pa një pajtim midis popujve, takimi në Nishose kudo tjetër — midis serbëve dhe shqiptarëve –nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje e kotë, sa për sy e faqe, me premtime alla ballkançe dhe pluhur syshë botës, se ja po zhvillojmë dialog.

Prandaj, pa një zotim të tillë nga Beogradi — si hap i parë minimal –takimi në Nish, sidomos në mungesë të përfaqsuesëve më të lartë të shtetit dhe të qeverisë së Kosovës, pjesëmarrjen e vet në atë takim, delegacioni shqiptar në krye me Kryeministrin Rama, duhet ta konsiderojë jo vetëm si dështimdhe përgnjeshtrim të historisë dhe të realitetit politik sot, por mbi të gjitha si një ofendim ndaj mijëra viktimave shqiptare të regjimit të Millosheviçit dhe bashkpuntorëve tij në territorin e Republikës së Kosovës. Pa një pranim të tillë ose pa një shprehje gatishmërie për një pohim të tillë nga ana e Beogradit – pa marrë parsyshë se sa takime dhe ku mbahen – nuk do të ketë as paqë të mirëfilltë midis shqiptarëve dhe serbëve dhe si rrjedhim as stabilitet e siguri në Ballkan.

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, pune ballaknasish, takimi i Nishit

Një vjetori i formimit të Asociacionit të Komunave në krahinën shqiptare të Luginës

August 25, 2016 by dgreca

Shkruan:  Refik HASANI /

Më 12 shtator 2015 , Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë ka  miratuar një  vendim mbi themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë shqiptare që përbëhetë prej gjashtë shtyllave kryesore. Që nga ajo koha asnjë vlerësim zyrtarë e institucional nga Qeveria e Republikës së Serbisë,Republika e Kosovës,Republika e Shqipërisë dhe instanca e mekanizma të BE-së dhe organizma tjera ndërkombëtar.  Dallimi është se ky  Asociacion u shpall nga domosdoshmëria e kohës.

Pasi shqiptarët jan të diskriminuar në të gjitha fushat dhe sferat dhe pa ndonj mbështetje nga Tirana, Prishtina dhe faktori politik ndërkombëtar. Kurse pakica Serbe në Kosovë pasi me pakon e Presidentit Martti AHTISAARI,  është parapar si shtet multietnik dhe pak më shumë t’i favorizoj Serbët si pakicë,  pasi u shtuan Komunat Serbe  dhe u zgjeruan ata egzistuese.   Tani, pas bisedimeve në mesë të Prishtinës dhe Beogradit në vitin 2013 u dakorduan edhe për formimin e një Asociacioni të Bashkësive të Komunëve Serbe. Më  datën 25 gusht 2015, në Bruksel, u nënshkrua Marrëveshja midis Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, për krijimin e Bashkimit të Komunave  Serbe të Kosovës. Pas protestave dhe kundërshtive të madha, nga ish-Presidentja e Republikës së Kosovës znj.Atifete JAHAJAGA, kjo marrëvëshje është dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Një aktgjykim është bërë  më datë 23 dhjetor 2015  dhe sygjeron që është në shpërputhje dhe disharmoni me frymën e kushtetutës së Kosovës .

Dallimi është , që më 12 shtator  2015 shpallën Asociacionin e Komunave Shqiptare

Shqiptarët në në Medvegjë , Bujanoc dhe Preshevë ku,  përveqë që kan Trupin Koordinues që udhëhiqet nga Qeveria e Serbisë, po ashtu edhe Këshillin Nacional që në Serbi ka mbi njëzet këso Këshilla Nacionale. Shqiptarët në këtë Rajon shpallën Asociacionin  e Komunave   Shqiptare. Provuan që t’a dërgojn  në instanca më larta nacionale si që është Gjykata Kushtetuese e Serbisë, por shumë pakë arritën.  Këto tri komuna kan mundur të dërgojn lëndën e këtij Asociacion edhe në instanca Evropiane si që është Gjykata  Evropiane për pakica, në Komisionin e Venedikut për ta  interpretuar marrëveshjen për këtë Asociacion, por edhe  në Gjykatën e Strasburgut, por kjo nuk u shfrytëzua.Para se të marr këtë rrugë për ligjshmërin e shpalljes së këtij Asociacioni Shqiptarët është dashur të ken dijen, vullnetin por edhe të koordinojn bashkërisht me Prishtinën dhe Tiranën zyratre që të tregohen unik  me njëri tjetrin. Mbi  të gjitha ende ky Asociacion nuk është miratuar nga të zgjedhurit nga Komuna e Medvegjës dhe subjektet  tjera që nuk u pajtuan me disa  detaje me rastin  e shpallje së këtij Asociacioni.  Edhe  grupet punuese që jan caktuar  me rastin e themelimit nuk dijm sa kan  kryer  punën .   Nëse  Asociacioni i Komunave Serbe të Kosovës ka marrë tani form dhe përmbatje në Kosovë dhe në Instanca më të larta të BE-ës. Asociaconi i Komunave të Krahinës Shqiptare të mbetur padrejtësisht nënë administrimin e Serbisë ende është në ,,Inkubator ’’ , që i duhet ende të rritet tek pastaj   Asociacionin  e Komunave Shqiptare duhet menduar kur të vendoset që të dërgohet për interpretim dhe nga cila instancë nacionale apo Evropiane do vendoset në favorë të këtij Asociacioni që është formuar më 12 shtator 2015.

Komplikohet kur dy subjektet politike që e themeluan Asociacionin  e Komunave Shqiptare tani pas një viti jan në opozitë. Vitin e kaluar ishte PDSH-ja e z.Ragmi MUSTAFA, ishte në pozitë ishte palë nënshkruese së bashku me PD e z.Nagip ARIFIT të Bujanocit të dy në pozitë si shumicë me Këshilltarë Komunalë  dhe Kryetar i Preshevës gjegjësisht i Bujanocit ishin me rastin e nënshkrimit të Asosacionit. Të dyja këto subjekte politike pas zgjedhjeve lokale që u mbajtën bashkarisht me ato nacionale më 24 prill 2016,ku këto dy parti shumicë që morën inciativën dhe formuan asosacionin mbetën në opozitë. Vetëm Kryetari LPD-së z.Jonuz MUSLIU,me seli në Bujanoc  ishte në kualicion me PD-në e z.Nagip Arifit të Bujanocit, por ky subjektë nuk ishte dhe prap nuk është shumicë në Bujanoc por vetëm në kualicion që kjo edhe më shumë e vështërson Asociacionin e Komunave Shqiptare  në krahinën shqiptare të Luginës. Asociacioni është formuar më 12 shtator 2015, kurse zgjedhjet e parakohshme për Kuvend Komunal të Medvegjës u mbajtën një datë më von, pra më 13 shtator 2016,u mbajtën zgjedhjet për KK të Medvegjës që nuk u duk pjekuri politike pasi Medvegja ishte në hesjtje zgjdhore e në sallën e Kuvendit të Preshevës u formua Asosacioni.Tani pas gati një viti kjo nguti humbi sikur nuk vërhet askundë.   Një vjetori i formimit të Asociacionit  të Komunave Shqiptare  në krahinën shqiptare të Luginës edhe më shumë ka krijuar konfuzion, paqartësi në këtë do të duhej të dal në ndimjhmë Prishtina  dhe Tirana zyrtare

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Asociacioni i Lugines, Refik Hasani

ZHAGITJA E KOMBIT

August 24, 2016 by dgreca

Nga Kolec TRABOINI/

Ku e kemi mbrothësinë siç thoshte Naim Frashëri. Të madhit poet shqiptar do ti thosha se qiriri yt digjet përditë, ndërkohë që bijtë e përçit turko-osman si kurvat veç krihen. Nuk dinë tjetër të bëjnë veç shkatërrimit sepse janë gjen shkatërrues, dhe si urithët gjënë më të urryer në këtë botë kanë dritën. Atë dritë që na vjen nëpër shekuj nga paraardhësit tanë ilirë – pellazgë, na vjen nga Gjergj Kastrioti, që kjo skotë e huaj, mbetur si rudiment i zi në këto troje po kërkon me çdo kush ta shuaj, kësisoj të shpërbëjnë kombin dhe historinë e shqiptarëve. Esè nga KOLEC TRABOINI Nëse duam ta njohim vetveten si komb, si popull, si qytetërim, si traditë, duhet të kërkojmë me ngulm para vitit 1479 kur ranë nën errësirën shumë shekullore trojet shqiptare dhe me zjarr e hekur arbërorët e qendrave më të mëdha u vranë, u prenë e u dogjën të gjallë, ndërsa çdo vlerë qytetërimi u rrafshua me themel. Qëllimi i pushtuesve lexohet qartë: për mos lënë asnjë shenjë të identitetit të këtij populli të lashtë. Vandalët e orientit, hordhitë barbare osmane do të vendosnin kulturën e tyre të qytetërim – shkatërrimit. Mbeti vetëm çfarë fshihte nëntoka. Por edhe nëntokën arkeologjike do të vinte koha për tu shkatërruar nga pinjollët turko-osmane, tashmë të shfaqur si gjoja elitë shqiptare. Një shekull pas pavarësisë kjo barbari e re. Durrësi dhe Tirana janë shembujt më të mirë të shkatërrimit arkeologjik. Tiranën e konsiderojnë si krijim i një halldupi me emrin Sulejman Pash brekushja, një sahanlëpirës i sulltanëve,  ndërsa mbi qytetin antik të Durrësit, arkitektët dhe urbanistët-dumbabistë, firmosën fermanët si të parët e tyre, pra dhanë leje tË bëhen ndërtime të reja sipër themeleve të ndërtimeve 2500 vjeçare për hir te interesave të xhepit, por edhe programit shkatërrues për ti lënë këto troje pa identitetin e vet historik. Një dëshirë e çmendur, e shfrenuar, që kujtesa historike të shuhet, që historia para osmane të zhduket nga trojet iliro-pellazge. Asnjë herë në histori ky vend nuk kish parë të tillë shkatërrim nga barbaret osman dhe kopilët e tyre të mbetur si farë e keqe në trojet Arbërore edhe sot e kësaj dite. Për arbërorët vendas, autoktonë, pushtimi prej hordhive vandale turko-osmane shënon kohën zero. Kështu po bëjnë edhe sot për kryeqytetin shqiptar edhe kopilët e sulltan jaranëve. Ky ishte qëllimi dhe mjeti i sulltanëve mizore dhe stafeta kaloi nga etërit tek bijtë. Bëj baba që të ngjaj. Ngulmimi i disave taliban-tallaganëve të kulturës, që të kërkohet historia dhe ngjizja e qytetërimit shqiptar në shekujt e errësirës anadollake, tregon se këtë vend që nga 1912 e përkëtej, më së shumti e kanë sunduar pinjollët e errësirës së orientit se sa bij të dritës ilire shprehje e një qytetërimi të lashtë sa bota. Janë ata që e urrejnë deri në tërbim Nënë Terezën shqiptare. Ata që kishën katolike në kështjellën e Rozafës te kohës se Marin Barletit, shkodranit të madh, duan ta bëjnë me patjetër xhami si një e drejtë osmane, si e drejtë e pushtuesit,  si një revansh historik se kështu bënë edhe dyndjet turko-osmane kur erdhën. Të gjitha kishat e shqiptarëve i bënë faltore islame dhe e konvertuan popullsinë e mbetur nën tehun e shpatës. Gjithnjë me të njëjtin qëllim, që duke pasur të njëjtin besim me pushtuesin, popullsia vendase ta identifikonte veten si turko-osmane, pra kësisoj të realizohej zhbërja e shuarja e kombit shqiptar dhe sundim i përjetshëm turko-osman në trojet arbërore. Dhe kjo do të realizohej po të mos ishte kujtesa historike mbi Gjergj Kastriotin, bëmat e të cilit tashmë i tregonte historia e Europës. Dhe a mund të na thotë ndokush si e morën guximin dhe kush i solli në ditë të sotme, ca pjella bastarde të quajtur historianë osmanologë, që erdhën nga Anadolli tek varri i atit të kombit tonë Gjergj Kastrioti dhe e mallkuan. Ndërkohë që ata që e quajnë veten shqiptarë dhe e shoqëronin heshtën e zë nuk nxorën. Por të tjerëve, kopilëve të Anadollit,  besa edhe u pëlqeu sepse Gjergj Kastrioti siç admirohet nga shqiptarët me rrënjë arbërore-ilire ashtu urrehet për vdekje nga filizat e rinj të osmanëve, të mbirë së voni pas viteve 1990 e të mbështetur financiarisht nga ngordhësira anadollake. Si është e mundur të guxojnë aq shumë. Si kanë trimërinë e shpifur të sfidojnë e të na poshtërojnë Kryetrimin e Arbërisë që e njeh historia e botës si një nga gjeneralët më të zot të gjitha kohërave, mbrojtësin e Arbërisë dhe mbarë Europës. A jemi ne shqiptarë apo çfarë dreqin jemi. Ahmet Zherka, një shqiptar trim me fletë siç thotë populli, në mes të New Yorkut shtriu përdhe dhe ja shkimi fymën një pisi serb që guxoi dhe i grisi flamurin shqiptar. Aty ku e grisi aty krisi. Ahmet Zherka, ky shqiptar i panjollë, ky bir i denjë i kombit e shkroi historinë e vet, por edhe tonën gjithashtu. I la vetes nder e dinjitet, lartësoi kombin e vet. Shqiptari i vërtetë arbëror-iliro-pellazg, autokton e jo i ngulur si gozhdë e ndryshkur nga pushtuesit,  nuk të fal kur i poshtëron Atdheun e Kombin. Po këtu në trojet shqiptare, në këtë grusht të vogël trojesh që quhet Shqipëria e vogël londineze pse zhagitemi e pranojmë të përbaltemi nga një selçuk e përç Anadolli? A nuk kishte një shqiptar ti tregonte vendin atij qen bir qeni, që mori rrugën e nxori vrer edhe në Shkodër.  A thua ka mbarue krejt ky vend e u ka tha palca e atdhetarëve? Ah të ish ndodh aty Ahmet Zherka. Dheun e varrit të Gjergj Kastriotit do të kishte ngrënë përçi i zi i Anadollit. Por, e ka një shpjegim edhe kjo heshtje poshtëruese gjithsesi. Kemi një çerek shekulli që kemi dalë nga diktatura. Ku e kemi mbrothësinë siç thoshte Naim Frashëri. Të madhit poet shqiptar do ti thosha se qiriri yt digjet përditë, ndërkohë që bijtë e përçit turko-osman si kurvat veç krihen. Nuk dinë tjetër të bëjnë veç shkatërrimit sepse janë gjen shkatërrues, dhe si urithët gjënë më të urryer në këtë botë kanë dritën. Atë dritë që na vjen nëpër shekuj nga paraardhësit tanë ilirë – pellazgë, na vjen nga Gjergj Kastrioti, që kjo skotë e huaj, mbetur si rudiment i zi në këto troje po kërkon me çdo kush ta shuaj, kësisoj të shpërbëjnë kombin dhe historinë e shqiptarëve. Dhe duhet pranuar se këto qenia të pështira, të shfaqura herë-herë me shkëlqimin e pushtetarëve sundues, deri më tani e kanë bërë punën shkatërruese mrekullisht. Prandaj i sheh që një rrugë që bashkon dy pjesët e kombit Shqipëri-Kosovë, ja japin koncesion bijve të sorollopit të osmanëve që ti taksojnë shqiptarët për rrugën që kanë ndërtuar me paratë e vetë shqiptareve. Të mos shkosh më në Mirditë, Kukës, apo Tropojë pa u paguar taksë osmanëve. I gjen bijtë e osmanëve në miniera që dikur nxirrnin edhe ar e flori, por sot ka shkuar gjithçka për dhjamë qeni dhe nuk dihet ku përfundon pasuria kombëtare e këtij populli që mbeti e mbeti skajshëm i varfër. Nuk po flasim për ushtrinë kombëtare që nuk e kemi. Dikur Gjergj Kastrioti veç për një betejë ngrinte në këmbë një ushtri prej 40 mijë luftëtarë të sprovuar me të cilët përballonte mbi 100 mijë turko-osmanë. Ku jemi sot? Një togë ushtarësh të shpartalluar që mbledhin plehra brigjeve të detit nën komandën e drejtuesve pa asnjë vlerë e autoritet komandues. Dhe na tregojnë përralla plakash buzë vatrës, se do të na mbrojë NATO, nëse i teket fqinjëve të jugut të armatosur deri në dhëmbë të na sulmojë për të realizuar ëndrrat e tyre të çmendura në Shqipërinë e Jugut. Ja kjo është historia e bijve të etërve pa lavdi, që më së shumti kanë qenë  bythë a brekë me pushtuesit.  Prandaj i sheh të dalin në fotografi e të pozojnë krenarisht me një hienë barbare, një riciklimi i përbindshëm i sulltanëve turko-osmanë në kohërat moderne në Ankara e Stamboll. Qe besa, mençuria e të parëve tanë nuk bie poshtë kurrsesi;  çfarëdo që të ngjasë e sido që të bëhet çfarë lind nga macja gjuan minj. Edhe kopilat e Orientit mbetur si bacile kolere në trojet tona arbërore, ashtu do të bëjnë. Dalin nga errësira dhe gjuajnë dritën. E ne shqiptarët autoktonë zhagitemi. Deri kur më kështu?!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Kolec Traboini, ZHAGITJA E KOMBIT

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 545
  • 546
  • 547
  • 548
  • 549
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT