Replikë 2, Peshkopit të Bylysit, Astit
Ju Peshkop Asti, më riakuzoni pa fakte sepse fakte nuk keni, por vetëm bëni akuza politike. Kjo është një metodë e vjetër klasike që përdoret për t’ju mbyllur gojën atyre që thonë dhe mbrojnë të vërtetën./
Nga Arben LLALLA/*
Në replikën time të parë i ofrova lexuesve dhe peshkop Bylysit, Astit burimet-citimet nga janë marrë të dhënat për kryepeshkopin Anastasit të Shqipërisë, pra Kryepeshkopi nuk ka qenë në zbor mujor, por në shkollën ushtarake për oficer rezervave DEA në Siru, dy vite. Për shkollën oficerë rezervë-taktika e zbatimin për në Shqipëri e ka deklaruar vetë kryepeshkop Anastas Janullato në intervistën e tij.(lexo fosnotat, pastaj bëj replikë sepse shkenca nuk njeh gënjeshtra, lexo intervistën, Dhjetor, 2011) http://www.gonia.gr/gonia.php?article=103
Në këtë intervistë vetë Kryepeshkopi deklaron ato që kam shkruar unë, prandaj nëse ju keni dyshime mundeni lirishtë ti drejtoheni gjykatës për shpifje ndaj figurës së Anastas Janullatosit. Por ju e dini mirë se ato që kam shkruar janë të vërteta. Nuk do mund të më rrëzoni asnjëherë duke hedhur baltë mbi penën time.
Sa për njohjet e Kryepeshkop Anasasit me Mitropolitin e tërbuar, antishqiptarin e përbetuar Sebastianon, unë jam vërtetoj me fotografi, fijet lidhëse ekzistojnë ende. Kryepeshkop Anastasi ka bërë disa takime me anëtarët dhe drejtuesit e organizatës SFEVA, organizatë që e ka themeluar Mitropolit Sebastianos, në fillim të viteve 1980. Fotografitë e këtyre takimeve do ti botoj kur dua unë, në kohën e duhur dhe jo kur dëshironi ju.
Kryepeshkop Anastasi, në vitin 2011, është takuar me kryetarin e shoqatës Rinia e Vorio Epirit, Theofan Kaliviotis, kjo shoqatë promovon aneksimin e jugut të Shqipërisë. Kaliviotis ka qenë këshilltar i ministrit Spiro Ksera dhe ka dhënë dorëheqje si kryetar i kësaj shoqate, sot e drejton Eleni Dhimu. Unë po ua rivërtetoj takimet e Kryepeshkop Anastasit me Kaliviotin.
Sa për dëshirën e dobësimit të Kishës Autoqefale të Shqipërisë, sikur më akuzoni Ju, unë e dua dhe e mbroj sepse ajo Kishë Autoqefale i përket kombit tim, familjes time. Për pavarësimin e kishës sime është derdhur shumë gjak, shumë thika pas shpine kanë ngulur grekët me robën fetare dhe ushtarake. Por Ju nuk doni ti kuptoni këto punë të thella. Ju z.Peshkop i Bylysit, Asti, e dini se kujt religjion fetar i përkas unë? Mos ngatërroni fenë me kombin si në mesjetë, ky ngatërrim nga ana juaj ju çon shekuj pas si nga ana e kulturës ashtu edhe nga ana e mendimit njerëzor tuajin.
Aq primitivë jeni, aq shqetësime ju kanë sjellë shkrimet e mia shkencore sa nuk më drejtoheni me profesionin tim, por thjeshtë z.Arben Llalla. Por nuk është emri që e bënë njeriun e madh, por zemra dhe puna e tij e ndershme.
Ju Peshkop Asti më riakuzoni pa fakte sepse fakte nuk keni, por vetëm bëni akuza politike. Kjo është një metodë e vjetër klasike që përdoret për t’ju mbyllur gojën atyre që thonë dhe mbrojnë të vërtetën.
VËREJ: Fotoja e parë, Kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastasi me kryetarin e organizatës Rinia e Vorio Epirit, Theofan Kalivioti, Tiranë, 2011.
Fotoja e dytën, Theofan Kalivioti, Shkurt, 2012, në Athinë duke përkujtuar dhe protestuar për Autonominë e Vorio Epirit-Aneksimin e Jugut të Shqipërisë.
*Replika e dyte
Episkopi i Bylisit, Asti replikon me Arben Llallen ne “DIELLI”
z. Arben Llalla vazhdon këmbëngul në keqinterpretimet e tij/
Shkruan:Episkopi i Bylisit-+ Asti/
Detyrohem të shkruaj për herë të dytë në lidhje me një replikë të z. Arben Llalla ndaj meje me titull “Përgjigje Peshkopit të Bylysit (sic), Astit”, botuar në disa media nga dt.21-24.4.2015. Aty artikullshkruesi vazhdon të këmbëngulë në pasaktësitë e tij dhe keqinterpreton fakte dhe ngjarje nga jeta e Kryepiskopit (apo Kryepeshkopit) Anastas të njohura gjerësisht, të cilat nuk përbëjnë asnjë lloj “lajmi” ose “zbulimi”, siç përpiqet t’i paraqesë ai.
Për ta bërë më të qartë qëndrimin jo korrekt të tij në “argumentet” që përdor, po risjell dy prej tyre.
E para: Emrat e anëtarëve të Vëllazërisë së Krishterë ZOI (JETA) ia atribuon një vëllazërie tjetër, Vëllazërisë SOTIR (SHPËTIMTARI). Kështu z. Llalla duke dashur të provojë këtë argument na ofron “burimin zbulues” nga linku i një blogu (http://paraekklhsiastikes-organwseis.blogspot.com/2009/10/blog-post_23.html). Por, e keqkupton tekstin në greqisht, ku flitet për Vëllazërinë ZOI, dhe, me dashje apo pa dashje ia atribuon emrat e anëtarëve të Vëllazërisë së Krishterë “ZOI” (JETA) një vëllazërie tjetër, Vëllazërisë “SOTIR” (SHPËTIMTARI). Siç e kisha thënë më parë në shkrimin tim, Kryepiskopi Anastas nuk ka qenë asnjëherë anëtar i Vëllazërisë “SOTIR”, në të cilën ka qenë Mitropoliti Sebastianos, në atë kohë arkimandrit.
Gjithashtu, fakti që Mitropoliti Sebastianos në fillim ka qenë në fillim tek Vëllazëria ZOI, duke u larguar më pas prej saj, si dhjetëra të tjerë, nuk i bën automatikisht miq të afërt me Kryepiskopin Anastas (atëherë dhjak), dhe për më tepër, të dy janë larguar herët në drejtime të ndryshme. Dhe nuk përbëjnë argument për të vërtetuar hamendësitë e z. LLalla për lidhje të ngushta midis tyre.
E dyta: Referimin ndaj solidarizimit të Kryepiskopit Anastas me vuajtjet e komuniteteve fetare të Shqipërisë, në kohën e errësirës së përndjekjes ateiste (referim që u përfshi në mesazhin e Këshillit Botëror të Apostullimit dhe Ungjillëzimit, në San Antonio, Teksas, SHBA, 1989), z. Llalla e keqinterpreton duke thënë, se Kryepiskopi Anastas “ka futur hundët në punët e brendshme të një shteti tjetër, pra në ato vite Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë. Ka bërë shkelje të Kushtetutës së një vendi, shtetas i cili jam unë që në lindje, ndërsa Prof. Anastas Janullatos nuk ishte dhe nuk është shtetas. Nga kjo i privohet e drejta e kritikës për zbatimin e Kushtetutës së atyre viteve. Kritikën ndaj Shqipërisë komuniste për mohimin e besimeve fetare, prof. Peshkop, Anastasi e paska bërë me prapavijë karrieriste, me qëllim që ai të propozohej Kryepeshkop i Shqipërisë.” (!)
Duke deklaruar kështu, jo vetëm që, pa dashje i dëshmon profetike fjalën dhe interesimin vëllazëror të krishterë të Episkopit Anastas (që në atë kohë ishte episkop në Afrikë), por edhe afirmon se, nuk është e drejtë të kritikohej regjimi ateisto-komunist për zhdukjen e lirisë fetare. Kështu, kritika dhe akuza i drejtohet çdo kujt që në atë kohë është lutur dhe është solidarizuar me dhimbjet e përndjekjeve fetare në Shqipëri. Siç duket këtu përfshin edhe Papa Gjon Palin II, i cili në vitin 1980 iu referua në të njëjtën mënyrë persekutimit fetar në Shqipëri, gjatë vizitës së tij në Arqidioqezën e Pulias së Italisë. Kështu z. Llalla me argumentimin e tij mbështet qëndrimin antifetar të regjimit ateist-komunist në mohimin e lirisë fetare, sa edhe Enver Hoxha do ta kishte zili zellin e tij antifetar.
Çdo lexues, duke krahasuar faktet me shkrimet e z. Arben Llalla do të kuptojë shpejt “seriozitetin dhe vërtetësinë” e shkrimeve të tij, në të cilat, për ta paraqitur Kryepiskopin si antishqiptar, përdoret gjerësisht e sistematikisht metoda e shtrembërimit dhe e manipulimit. Fantazia konspirative e artikullshkruesit të kujton metodat e njohura propagandistike, të cilat shtrembëronin qëllimisht faktet dhe sajonin histori të paqena, për t’i përdorur si akuza agjenturore, agresioni etj.
Primati i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë me punën, përkushtimin dhe kontributin e tij ka treguar pikërisht të kundërtën, gjë për të cilën edhe është dekoruar në vitin 2010 me Urdhrin e lartë “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”.
Se kush është Kryepiskopi Anastas tregon qartë figura e tij poliedrike me përmasa botërore, si: ish-President i Këshillit Botëror të Kishave, ish Zëvendëspresident i Këshillit Evropian të Kishave, President nderi i Konferencës Botërore të Feve për Paqen, anëtar nderi i Akademisë së Athinës, doktor nderi (PH.D., D.D.) i 17 universiteteve të ndryshme në botë dhe i laureuar me më shumë se 26 çmime e dekorata të ndryshme ndërkombëtare. Kryepiskopi Anastas është Primat i Kishës Orthodhokse Autoqefalë të Shqipërisë dhe njihet si i tillë nga Shteti Shqiptar për 23 vjetësh nga të gjitha Kishat Orthodhokse e më gjerë nga Shteti Shqiptar, i cili me këtë status ka nënshkruar dhe Marrëveshjen me Shtetin Shqiptar, aprovuar nga Parlamenti Shqiptar dhe Presidenti i Republikës.
Biografia e tij e njohur botërisht, nuk ka qenë e fshehtë, siç përpiqet ta paraqesë z. Llalla, por ka qenë publike madje në shumë gjuhë, patjetër edhe në shqip gjendet në mediat e Kishës, në botime të ndryshme, on line etj. E “pazbuluar” është vetëm në sytë e z. Llalla. Po kështu ndodh edhe me prejardhjen e tij.
Gjithashtu Llalla abuzon dhe keqinterpreton foto të ndryshme. Kështu bën me një foto të kohës kur Kryepiskopi ka bërë shërbimin ushtarak të detyruar. Kujtojmë se edhe në vendin tonë të gjithë ata që kanë mbaruar shkollën e lartë para vitit 1991 kanë bërë zbor për oficer rezervist.
Është e qartë se sulmet ndaj Kryepiskopit Anastas synojnë dobësimin e vetë Kishës Orthodhokse në Shqipëri, por me hirin e Zotit nuk do lejojmë që një gjë e tillë të ndodhë. Si klerikë të kësaj Kishe kemi detyrimin dhe përgjegjësinë ta mbrojmë atë nga çdo lloj sulmi të padrejtë dhe keqdashës. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë me Kryepiskopin Anastas në krye vazhdon misionin e saj të shenjtë në ndërgjegjësimin dhe lartësimin e dinjitetit njerëzor, duke dhënë në të njëjtën kohë një kontribut të vlefshëm për gjithë shoqërinë shqiptare. Krishti u ngjall!
Episkopi i Bylisit, Asti
28.4.2015
Vangjel Dule, servil i shumëfishtë
Replikë Vangjel Dules/
Shkruan: Arben LLALLA/
Vangjel Dule gënjeu të hënën i ftuar në emisionin që e drejton Enkel Demi. Dule gënjeu për atë palo flamur i cili nuk është flamur i vjetër i shteti grek, por i qeverisë së Vorio Epirit të drejtuar nga Gjeorgjio Zografu më 1914. Vangjel Dule gënjeu se ka dal rastësisht me atë flamur të Autonomisë së 1914. Flamuri që ka dalë Vangjel Dule ka të qarta shkronjat A-I(A-H, Αυτόνομος Δημοκρατία της Βορείου Ηπείρου) dhe vitin 1914. Ai ka dalë të paktën tre herë në vende të ndryshme edhe këtë unë ja vërtetoj, por ai nuk është burrë, por buravec. Vangjel Dule, gënjeu se Fredi Beleri nuk ka qenë i dënuar, Beleri ka qenë dy here i dënuar dhe atë:
a).Gjykata e Athinës më 21 Mars 1996, dënojë me 3 vjet burg shtetasin shqiptar, Fredi Belerin. Gjykata e Apelit e reduktojë dënimin në 18 muaj burg. Beleri e kreu dënimin në burgun e Koridhalos.
b).Gjykata e Vlorës me numër 224/24.9. 2004 dhe me numër 302/26.12.2006, dënojë në mungesë me 3 vjet burg, Fredi Beleri, i cili në zgjedhjet vendore të Tetori, 2003, dhunoj simbolet shtetërore shqiptare.
Unë e kuptoj Vangjel Dulen i cili është servil dhe gjendet midis dy zjarreve, atë të gjithë shoqatave të minoritetit grek, zjarrit nacionalist grek dhe nacionalistë shqiptar brenda familjes së tij të ngushtë. (Nuk e kam zakon të përmend familjarët e askujt, por Dule më detyrojë t’ia përmend për të thënë dhe mbrojtur të vërtetën, atë të vërtet që edhe vetë ZOTI përkulet.)
Pas zënkës në Gusht të 2014, gjatë ekskursionit Vangjel Dule pati një sherr me kryetaren e shoqatës Rinia e Vorio Epirit, Eleni Dhimu, dhe pas asaj zënke Dules i filluan problemet me OMONIA dhe organizatat e tjera të minoritetit grek. Sherri i fundit më 25 Prill, midis Vangjel Dules dhe kryearit të OMONIA Leonidha Papa, tregoj se ai nuk gëzon mbështetjen e minoritetit grek, prandaj kohëve të fundit kërkon të jetë i ftuar nëpër emisionet e ndryshme.
Sa për atë që Vangjel Dule deklaron se nuk ka qenë dhjak, në dy fotografitë e botuara nga unë, ai është i veshur në njërën me robën e zezë, që zakonisht e veshin dhjakët dhe priftërinjtë. Ndërsa fotoja tjetër është me veshje që mund ta veshi çdo besimtar që ndihmon gjatë meshës. Vangjel Dule nuk dha sqarim rreth takimeve me Mitropolitin e Konicës, Sebastianon, i cili ishte një antishqiptar i tërbuar, për këto takime ka interes të madh.
Në përfundim të kësaj replike me Vangjel Dulen për gënjeshtrat që tha gjatë emisionit po i ofroj lexuesve foton e tretë, ku Vangjel Dule ka dalë me atë palo flamur të aneksimit të jugut të Shqipërisë në Larisë, në aktivitetin e shoqatës PIRRO të Thesalisë.
Nuk bëhet fjalë për kohën kur ka dalë nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë Vangjel Dule me flamurin e aneksimit të jugut të Shqipërisë, por bëhet fjalë se nënkryetari i Kuvendit është person që promovon ndjenjat antishqiptare në takimet me votuesit e tij. Të paktën budallenj mos ti bëj shqiptarët Dule sepse kjo do ti kushtojë rëndë karriera e tij politike, por të kërkoj falje publike.
Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë bënë mirë të mbledhë të dhënat rreth dënimeve me burg për Fredi Belerin, për të përmbushur kërkesat e SHBA dhe BE që kandidatët për kryetar bashkie të mos të jetën njerëz me të shkuar kriminale.
Spiro Ksera me fondet e ministrisë ka financuar aktivitetet antishqiptare
Nga Arben Llalla/
Spiro Ksera gjatë kohës që ka gëzuar poste të larta në qeveritë Berisha ka qenë pjesëmarrës në disa aktivitete me karaktere antishqiptare si përkujtimi i Autonomisë së Vorio Epirit-Aneksimi të Jugut të Shqipërisë. Shpeshherë ai është parë nënshoqërinë e drejtuesve të lartë të organizatave greke ekstremiste si me Babis Karathanos, kryetar i shoqatës Autonomia e Vorio Eprit, Theofan Kaliviotin, kryetar i organizatës Rinia e Vorio Epirit, Lefter Prifin, kryetar i shoqatës Autonomia e Vorio Epirit 1914, Stravro Gjinos, kryetar i Shoqatës së Vorio Epirit ,,Pirro,, etj. Spiro Ksera ka patur takime me Mitropolitin e Konicës, Andreas dhe shumë personalitete të Greqisë që njihen për qëndrimet e tyre ekstremiste antishqiptare.
Spiro Ksera në kohën që ka drejtuar Ministrin e Çështjeve Sociale 2009-2013, ka financuar shoqatat greke antishqiptare që promovojnë aneksimin e jugut të Shqipërisë. Për disa vite ministri Ksera, ka financuar si këshilltarin e tij kryetarin e organizatës Rinia e Vorio Epirit, Theofan Kaliviotin. Kjo shoqatë ka lidhje të ngushta me shumë shoqata greke që nxisin një aneksim të jugut të Shqipërisë. Gjatë kohës që Theofan Kaliviotis ishte këshilltar i Ministrit Spiro Ksera, ai organizojë disa aktivitete për promovimin e Autonomisë së Vorio Epirit, dke provokuar rëndë shqiptarët. Gjatë kësaj kohe ka shumë mundësi që Theofan Kaliviotis të kishte pasaportë diplomatike ose shërbimi të Republikës së Shqipërisë. Kjo i krijonte lehtësi për lëvizjet e tij të shpeshta midis dy shteteve. Ka të dhëna zyrtare se Kaliviotis është paguar nga qeveria shqiptare për aktivitetet e tij për aneksimin e Jugut të Shqipërisë. Pasi ra qeveria Berisha në Qershor 2013, Theofan Kaliviotis dha dorëheqjen si kryetar i organizatës Rinisë së Vorio Epirit sepse skishte më mundësi financiare për të mbajtur drejtimin e organizatës..
Letër drejtuar Deputetëve të Dibrës për Rrugën e Arbërit
Letër drejtuar Deputetëve të Dibrës për Rrugën e Arbërit/
Shkruan:Dr.Gëzim Alpion/
Të nderuar Deputetë të Dibrës:/
z. Shkëlqim Cani
z. Bedri Hoxha
z. Roland Keta
z. Ulsi Manja
z. Sherafedin Shehu
z. Përparim Spahiu
Po bëhet një vit që nga Tryeza e Rrumbullakët që organizuam në Tiranë për Rrugën e Arbërit ku, katër nga ju dhe një deputet me origjinë dibrane, patët mirësinë ta ndiqni dhe të kontribuoni në diskutime.
Që nga ajo kohë ne nuk kemi pushuar së lobuari për Rrugën. Megjithëse jo gjithmonë nga burime qeveritare, ne vazhdojmë të jemi të mirëinformuar për çështjen e fondeve.
Në mungesë të një marrëveshje përfundimtare me palën kineze, ngurrimi i deritanishëm i Kryeministrit Edi Rama për të na pritur, pavarësisht reagimeve negative që ka ngjallur, deri tani ka qenë deri diku i kuptueshëm nga ana jonë.
Ne i përshëndesim përpjekjet e Qeverisë dhe të z. Shkëlqim Cani, në postin e Ministrit të Financave, për vazhdimin me sukses të negociateve me palën kineze, si dhe vendimin e Kuvendit të Shqipërisë për t’i hapur rrugën një marrëveshje të posaçme për vazhdimin e ndërtimit të Rrugës së Arbërit.
Në këto kushte, ne mendojmë se është në dobi të Rrugës së Arbërit dhe të Qeverisë aktuale që z. Rama të na presë në një kohë të përshtatshme në mënyrë që t’i dorëzojmë formalisht peticionin, i cili tani është përkrahur nga më se 10,000 nënshkrues online dhe në formularë. Peticioni ynë, në një formë, e ka bërë efektin e tij, aq më tepër që ky është peticioni më i gjatë në historinë e Shqipërisë që ka qëndruar larg influencave politike. Në këtë drejtim, peticioni do të ngelet i njëjtë deri në mbylljen e tij, kur të përfundojë me standarde Rruga e Arbërit.
Këtë radhë po ju shkruaj në emër të intelektualëve dibranë, që e kanë mbështetur pa rezerva këtë peticion mbarë popullor, si dhe të të gjithë përkrahësve të shumtë, që ju të ndërmjetësoni një takim me z. Rama. Përveç dorëzimit formal të peticionit, takimi me z. Rama do të jetë një rast shumë i mirë për të ndarë me të disa shqetësime në këtë fazë të finalizimit të marrëveshjes. Ne jemi të gatshëm të kthehemi në Tiranë kurdo që të jetë e përshtatshme për z. Rama deri në fund të vitit në vazhdim.
Ne jemi të hapur për të ndarë mendimet tona edhe me palën kineze po qe se shtrohet nevoja.
Shprehim bindjen se në këtë moment kaq të rëndësishëm, ju do të ngriheni mbi gjithçka që ju ndan politikisht, për të dëshmuar para elektoratit dibran se jeni në lartësinë e duhur për të përmbushur detyrimin tuaj me integritet dhe vendosmëri.
Për ne do të ishte kënaqësi dhe privilegj që në takimin që po kërkojmë të ndërmjetësoni me Kryeministrin të merrni pjesë të gjithë ju Deputetët e Dibrës.
Me respekt,
Gëzim Alpion (Dr)
https://www.facebook.com/DrGezimAlpion
____________
Ju lutemi nënshkruani peticionin për ndërtimin sa më shpejt dhe me standarde të Rrugës së Arbërit
https://www.change.org/p/complete-the-construction-of-the-arb%C3%ABri-road-nd%C3%ABrtoni-sa-m%C3%AB-shpejt-dhe-me-standarde-rrug%C3%ABn-e-arb%C3%ABrit
- « Previous Page
- 1
- …
- 668
- 669
- 670
- 671
- 672
- …
- 866
- Next Page »