Skenar të tërheqjes zvarrë të njerëzve mund të shihen vetëm në shtetin e ashtuquajtur islamik dhe këto veprime kanë mundur të ndodhin edhe në kohën e inkuizicionit/
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Nuk po mund të besoj. Po me dukët një ëndërr e keqe. Apo po shtirem se është një ëndërr që nuk do të dëshiroja ta shoh. Mirëpo, fatkeqësisht është një realitet i tmerrshëm që lexova në portale shqiptare: Daut Haradinaj paralajmëron anëtarët e Komisionit për veteranët e UÇK-së se do të tërhiqen zvarrë nëpër shesh. Është ky një paralajmërim shokues, tmerrues e shqetësues. Është një veprim çnjerëzor që kohëve të fundit mund të shihen duke u kryer vetëm në shtetin e ashtuquajtur islamik nga xhihadist e terrorist dhe në kohën e inkuizicionit. Është kjo një deklaratë jashtëzakonisht e pamatur por edhe naive e thënë në kohën kur e tërë bota është duke e dënuar me forcë gjithë atë tmerr që është duke ndodhur në hapësirën e shtetit islamik ku po kryhen masakra nga më të vrazhdat që i njeh njerëzimi. Dhe tash sipas Daut Haradinajt e njëjta gjë do të mund të ndodh edhe në Kosovë të cilën gjë do të mund ta bëjnë ish-ushtarët e UÇK-së, të cilët ideal patën çlirimin e vendit dhe gëzimin e të drejtave të shqiptarëve që ishin nëpërkëmbur nga okupatori fashist serb. Këtë sigurisht se nuk do ta lejojnë të ndodh kurrën e kurrës këta heronjë të ditëve tona, mirëpo kjo vetëm se po hedh në sipërfaqe dhe po argumenton se ka të tillë që mendojnë se do të duhej të ndërmerren edhe këso masa makabre që tek qytetarët e kosovës janë të papranueshme dhe të dënueshme.
Të mbretëroj toleranca dhe mirëkuptimi
Është më së e domosdoshme që procesi i verifikimit të veteranëve të UÇK-së të jetë real dhe në lista të futën vërtetë ata që e meritojnë, ata që me pushkë në dorë luftuan për çlirimin e atdheut. Pa dyshim se këtu rol të madh luajnë edhe komandantët e niveleve të ndryshme të cilët më për së afërmi i njohin luftëtarët që ishin nën udhëheqjen e tyre. Nuk duhet në asnjë mënyrë që në ato lista të gjenden të tillë që kanë lidhje farefisnore apo të tjerë që vetëm kanë parë “ ëndërr” se kanë qenë ushtarë të UÇK-së. Pavarësisht se ku gjenden pengesat, gabimet apo lëshimet e mundshme është më së e domosdoshme që të mbretëroj toleranca e mirëkuptimi në mënyrë që ky proces të përfundoj siç është më së miri. Për këtë ka mundësi reale që të ndodh kështu vetëm nëse kërkohet vullnet e dëshirë nga të gjithë. Së këndejmi as nuk është koha e aq më pak nevoja që të ndërmerren masa drastike ndaj askujt edhe nëse ka gabuar apo që eventualisht ka bërë ndonjë lëshim që lehtë mund të përmirësohet.
Ai që ka bagazh atdhetar duhet të jetë shumë i matur
Daut Haradinajt duhet t’ia përkujtojmë se nisur nga ai bagazh i madh atdhetar që ka familja e tij ka paralajmërim është i ngutshëm dhe shqetësues. Është shqetësues sepse nxit, cyt e “ josh” njerëzit e pandërgjegjshëm që të ndërmarrin hapa radikal që do të shpijnë në rrezikimin e prishjes se situatës në Kosovë, e cila edhe ashtu është mjaft e brishtë. Dhe duhet ta dijë Daut Haradinaj se po të ndodh një gjë e keqe nga ky paralajmërim famkeq edhe ai do të këtë një përgjegjësi nëse jo penale sigurisht se morale po se po. Për një komandant të nivelit të Daut Haradinajt do të duhet të mbretëroj durimi e maturia si dhe mesazhi për veprime që shpijnë në zgjidhje të problemeve me mirëkuptim dhe tolerancë e jo që të paralajmërohet një veprim që nuk duhet të zë vend në Kosovë. Janë vetëm gjykatat ato që i dënojnë njerëzit dhe askush tjetër.
SULMET NDAJ LIDERSHIPIT LULZIM BASHA NUK E SHPËTOJNË NGA DALLGËT ANIJEN E LIDERSHIPIT TË SË MAJTËS
Nga Ramiz LUSHAJ/
Lulzim Basha, si lider i ri euro-atlantik i të sotmes, nuk ra në kurthin e politikës aktuale superbizantine të mazhorancës Rama-Meta për një mandat të dytë si kryebashkiak i metropolit shqiptar. Jo se Lulzim Basha nuk do të fitonte, siç ka fitue për deputet i Tiranës më 2005 kur kryetar i shtabit elektoral kundër tij ishte Edi Rama, siç ka fitue në Elbasan si deputet e si qark më 2009 kundër Edi Ramës e Ilir Metës dhe siç fitoi më 2011 kundër Edi Ramës për kryetar bashkie i kryeqytetit. Po këta donin për ta tërhjek atë në një përballje sa ma kohëplotë e frontale elektorale në Tiranë, që ky të mos mundet me u marrë gjithësisht si lidership misionar me Elektoriadën Lokale 2015 në krye të PD-së e të koalicionit opozitar në të gjithë territorin e Shqipërisë, etj. A mos kujton ndokush se mazhoranca është e ngopur edhe sikur të humbin Opozita në kryeqytet apo dhe në shkallë vendi? Jo, more, jo. Këtyne, të dyve, Ramës dhe Metës në sulltanatin e mazhoranës, parasëgjithash e mbigjithçka iu duhet “koka” e Lulzim Bashës. Ky është sllogani i fshehtë i mazhorancës makbethiane drejt 21 qershorit 2015.
Në perspektivë: me lulëzimin e Lulzim Bashës si kryetar i Opozitës së sotme e kryeministër në ardhmëri të shpejtë, dyshja Rama e Meta veniten dhe vetëm veniten politikisht në Shqipëri e tek Ndërkombëtarët – Miqtë e Shqipërisë, përndryshe deri apo pas zgjedhjeve Parlamentare 2017 këta mbeten të pakohshëm në krye të vendit si dhe të partive të tyre, e partitë e tyne. PS dhe LSI do të kërkojnë që, pas Marrëveshjes së Prillit 2013 në Shkodër, të arrijnë (ndoshta) në bashkim aliazhor e me lider të ri bashkëkohor.
Aktualisht: dyshja Rama e Meta janë në krizë, në një krizë të papame prej nesh e të paprovueme e të pa përballueshme prej tyne. E kanë tejet të vështirë me e menaxhue e aq ma shumë me e tejkalue. Kriza e shumëfishtë ekonomike, financiare, politike e Shqipërisë. Kriza i ka kaplue kaherit e ngërçue me ngjarjet e fundit të parlamentarëve të vet, edhe këta dy liderat kryesorë të mazhorancës, në krye të vendit: kryeministrin e kryeparlamentarin. Ma saktë: kjo është Kriza e Moralit. Kriza e Besimit. Saktësisht: kjo është Kriza e Lidershipit të Mazhorancës. Në këtë krizë e kanë futë veten e tashti e kanë të vështirë me dalë prej oktapodit të saj. Ju duhet një shteg, një udhë, një “kurban” politik i shpejtë, i madh… E ky, sipas kthinave e kthetrave të tyne politike, është Lulzim Basha. E kjo po duket në deklaratat e shumta kërcenuese ndaj tij nga dy partitë politike në pushtet: PS dhe LSI.
Përpjekja e fundit e dyshes Rama-Meta është largimi nga skena politike e lidershipit Lulzim Basha, sepse po e shohin si një fuqi demokratike lidershipi në krye të PD-së. Një lidership me vizionin , frymën e imazhin e tij. Një lidership menaxher i mirë i politikës së ditës e të perspektivës. Një lidership që ndryshe nga Rama e Meta nuk ndrroi parti prejce nga Dhjetori ’90 kur ishte simpatizant i PD-së e deri më tani që është lideri i saj kryesor. Një lidership me përkrahje popullore të pazakontë në demonstratat e protestat paqësore të dy viteve të fundit. Një lidership që u rrit i tillë si lidership në vite e vende e struktura shtetërore të demokracinë euro-atlantike. Një lidership me profil e format ndër-kombëtar, që e don e kërkon e sotmja dhe e nesërmja shqiptare. Nëse do ikte Lulzim Basha nga drejtimi i PD-së e i Opozitës e do të vinte një tjetër lider tjetër i ri, atëherit dyshja Rama-Meta do ta kishin pushtetin ma jetëgjatë dhe kriza e shumëfishtë në Shqipëri do të ishte ma të madhe, sepse Krizen e tyne të Lidershipit si Maxhorancë do ta përcillnin tek Opozita.
Shprehje e Krizës aktuale të Lidershipit Rama-Meta është dhe përfshirja de facto në koalicionin elektoral për Zgjedhjet Vendore të PDIU me kontratën e fundmarsit 2015, të kullufitjes të asaj, Partisë të Frymës së Re Demokratike të një ish-presidenti qyshse në zgjedhjet lokale 2013 në bashkinë e Korçës, marrja në disa funksione zyrtare shtetërore e diplomatike të disa elementëve të njohur të së djathtës që i vihen në funksion me përulje lojës politike të së majtës, etj. Kjo ka dy anët e medaljes: edhe tregon fuqinë e lidershipit Lulzim Basha në përballje politike dhe pafuqi të mazhorancës për t’u përballur me kuazën e lidershipit Lulzim Basha, i cili e ka ankorue të sigurtë anijen e tij politike euro-atlantike jo larg brigjeve të detit politik me fuqi tek ndjekësit e simpatizantët e të djathtës, kurse mazhoranca e ka në lundrim të largët, në mes dallgëve të veta…, si këto të kohëve të fundit.
Dekriminalizimi i politikës
Nga Edmond BANUSHI/
Pas bojkotit të Kuvendit nga opozita për disa muaj dhe kërkesës së saj për dekriminalizim, më në fund u arrit të bëhej një rezolutë e përbashkët për Dekriminalizimin e Kuvendit, më datë 24 dhjetor 2014. Thelbi i saj ishte “Opozita dhe mazhoranca qeverisëse angazhohen të punojnë së bashku me konsensus, me ndihmën e Bashkimit Evropian, për çështjen e individëve me rekorde kriminale, të cilët mbajnë një post publik ose kërkojnë të zgjidhen apo të emërohen në një të tillë, bazuar në standardet evropiane dhe me asistencën e Komisionit të Venecias”. Siҫ shihet qartë asgjë nuk arrihet pa ndërmjetësimin e të huajve.
Por si rrodhën ngjarjet më pas?
Dy muaj më pas kryeministri deklaroi në emisionin “Opinion”, se ai, nuk ishte në dijeni të deputetëve me të shkuar kriminale! Ndonëse të gjithë kishin dëgjuar për disa “të fortë” në radhët e mazhorancës, askush nuk i vuri rëndësi, pasi tek ne gënjeshtra në politikë konsiderohet normale. Por ajo që të bën më shumë përshtypje është fakti se e konsideronte normale që një kriminel, siҫ e quajti më vonë kur akuzoi opozitën si zëdhënëse të tij, të shkojë në zyrën e ministrit të brendshëm, të denoncojë një krim dhe për 6 muaj të mos njoftohet prokuroria. Madje ai dhe ministri i tij e dhanë verdiktin. Dëshmitari është aktor dhe akuzat janë false. Dhe unë ashtu besoj, por do pres së paku të shprehet gjykata për të. Ndërsa ajo që ndodhi pasi Toma e bëri publike akuzën me të cilën do dridhte mazhorancën është akoma më keq. Kryeprokurori u takua me kryeministrin dhe kryetarin e paralamentit, i cili ishte i akuzuari se do të vriste me pagesë dy deputetë dhe me siguri u premtoi “vënien” e drejtësisë në vend. Për më pak se 20 ditë u sqarua gjithҫka Toma, Durimi dhe Marku gënjejnë, kryeparlamentari jo, po ministri e kryeministri nuk penguan drejtësinë, krim edhe ky, që nuk kallëzuan dhe hetuan gjashtë muaj? A do ishte zbuluar gënjeshtra sikur të ishte e tillë, disa muaj më parë? Kaq e thjeshtë qënka të takosh ministrin e brendshëm nëpër shtëpia private e ta gënjesh ministrin e brendshëm në zyrën e shtetit jo për pak gjë por për vrasje të deputetëve?!
Dhe të presësh pas kësaj që njerëzit e thjeshtë të kenë besim tek policia, organi i akuzës dhe drejtësia në përgjithësi!
Kjo tregon sesa të qartë e kanë pushtetarët tanë ndarjen e miqësive personale nga detyra dhe ndarjen dhe pavarësinë e pushteteve.
Opozita në vazhdim bëri shumë mirë që për të dhënë autorizimin kërkonte prova fajësie për dy deputetët e mazhorancës. Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale nuk e kanë bërë formale dhënien e autorizimit, thjesht mund të hetohesh pa të. Dhe është pa kuptim kërkesa e arrestit për një të paakuzuar. Mendoj se duhet të rrinte në seancë dhe të votonte. Deklaratat e menjëhershme të ambasadës amerikane ishin dy asiste për PD-në, si në rastin e përjashtimit të Doshit nga grupi parlamentar, ku në dallim nga kryeministri që tha se u përjashtua ngaqë kritikonte dhe i bënte presion qeverisë, e thanë hapur, pretendohet të jetë i përfshirë në veprimtari kriminale. Po kështu edhe kur përshëndeti prokurorinë. Largimi nga Kuvendi mund të krijojë përshtypjen e gabuar tek njerëzit, se SHBA-të mendojnë qe dekriminalizimi është detyrë eskluzive e organit të akuzës. Është krejt e kundërta. Vetëm në Amerike avokati mbrojtës dhe prokurori janë në të njëjtin nivel. Nëse do të lëshojë terren politika, disa prokurorë, veҫanërisht ata që kanë dobësi kamerat, do ta kujtojnë veten si mbrojtësit e shenjtë të së drejtës, të moralit publik, duke përfituar nga funksioni do përpiqen të bëjnë “vëzhgimin civil” mbi sjelljet e politikanëve dhe të kushtëzojnë zgjedhjet ose prishin mazhorancat e brishta. Rrëmuja ligjore që mbretëron tek ne, ligje dhe akte nënligjore në kundërthënie, është terreni i duhur për delirantët e zellshem. Do të kishim kështu një (de)kriminalizim alla Putin, që mesa duket mbetet idhulli i disa politikanëve.
Por si arritëm deri këtu?
25 vjet më parë ne jetonim në diktaturë, ku armiku pushkatohej, burgosej dhe në rastin më të mirë i sekuestrohej gjithҫka dhe internohej. Kjo bëri që “Njeriu I ri” të mos kishte një kufi të qartë midis politikës, betejës për fitore dhe hakmarrjes. E megjithatë që në zgjedhjet e para demokratike (në radhët e Partiës Demokratike të paktën) u bë kujdes që të mos kandidoheshin njerëz me të shkuar kriminale, të dënuar për krime ordinere. Dhe kjo ishte vijimësia logjike e 8 dhjetorit. Atë natë të “fortët” dhe hajdutët e batanijeve të Qytetit Studenti u strukën, pasi ata nuk kishin ideale. E pra kjo është politika e mirë, ideali, solidariteti, të bërit vepra në shërbim të komunitetit, administrimi i mirë.
Por Njeriu i ri nuk u zhduk. Ai vuri re se politika ishte burim pasurie dhe u transformua duke hyrë në politikë nëpërmjet të gjitha partive. Nuk është e vështirë t`i dallosh. Sa më shumë ngjiten në pushtet, aq më shumë trashin zërin. E shprehin hapur që për ta kundërshtari është armik dhe kjo justifikon cdo aleancë të pamoralshme. Betejat politike janë raasti më i mirë i dhunës verbale. Është kjo arsyeja që në Kuvendin e Shqipërisë deputeti plagosi simbolin e Lëvizjes Studentore dhe akuzohet sot kryetari i tij për organizim vrasjesh. Sidoqë të shprehet gjykata për ҫeshtjen Doshi, Rilindja dështoi në premtimin e madhe se do ta sillte politikën pranë qytetarit. Ramës nuk ia dha njeri me zor Tomën dhe Markun. Ai i përdori për të fituar vetë dhe tani do paguajnë të gjithë.
Megjithatë ajo që na intereson të gjithëve është pyetja, a mund të bëhet dekriminalizimi i politikës, d.m.th. Kuvendi, pushteti lokal dhe administrata publike të mos jenë streha e kriminelëve?
Së pari duhet të ndryshohet Kodi Zgjedhor. Me një ligj që ka për qëllim të nxisë besnikërinë ndaj liderit dhe jo llogari-dhënien para qytetarit, deputetët në rastin më të mirë do jenë gënjeshtarë. Ky ligj mund të shërbejë në vendet me demokraci të konsoliduar për të krijuar stabilitet politik dhe gjithëpërfaqësim, por nuk besoj se është rasti ynë. Partitë të mëdha ose jo, i përshtaten dhe pasqyrojnë mjedisin ku lulëzojnë. Sa më afër ky mjedis me parajsën, aq më afër engjëjve do të jenë deputetët, sa më afër ferrit mjedisi, aq më afër djallit ata.
Së dyti mazhoranca dhe opozita duhet të bëjnë një pakt të hekurt, të detajuar dhe të tejdukshëm nën dritën e diellit për të larguar kriminelët, sepse gjithmonë do ketë me të kaluar të tillë, ose të bërë gjatë ushtrimit të detyrës.
Pra mund të bëhet. Problemi është: Kur?
Përgjigja që me vjen në mendje është një pasazh nga Bibla: Rojtari i shenjtorit Isa, atyre që e pyesnin: Kur do agojë? u pergjigjej “Do vijë mëngjesi, por është akoma natë. Nëse dëshironi të pyesni, ejani një herë tjetër.”
DIKTATURA NUK ËSHTË VETËM NJË ËNDËRR E FRIKSHME…
– Çeshtja Doshi para se penale është një aferë politike tinzare/
Nga KOLEC TRABOINI/
Kur dëgjon nga prokurorët që nuk sjellin asnjë fakt të qenësishëm para Këshillit të Mandateve të Kuvendit Popullor, por përsërisin pafundësisht si robotë të telekomanduar se duam ta arrestojnë deputetin Tom Doshi se kështu e kërkon procedura, me të vërtetë drithërohesh se kështu flisnin vetëm prokurorët e Enver Hoxhës pa asnjë nuancë dallimi, ndoshta me shkakun, le të hamendësojmë, se këtë punë si prokurorë e kanë bërë zellshëm edhe në kohën e diktaturës komuniste dhe përballë kishin një njeri që kishte në rrethin familjar e fisnor 5 të pushkatuar nga regjimi monist. Nuk duam të paragjykojmë por më thoni ju lutem që të kthjellohem, në cilin vend të botës, veç diktaturave tipike, mund të paraqitet një akuzë e tillë budallaqe dhe pas disa orësh deputeti të shkojë në qeli. Nuk marr përsipër të them cila është e vërteta, e sajimit apo ekzistimi të një plani të Ilir Metës për eliminimin fizik të deputetit të Shkodrës, njëkohësisht as të marr në mbrojtje kauzën e Tom Doshit se ai i ka avokatët e tij të specializuar, por jam sinqerisht i trishtuar me këtë gjendje katastrofave në institucionet tona të drejtësisë që janë themeli i shtetit, ku ligjet interpretohen në mënyrën më banale dhe mjerane madje edhe të dënueshme. Të arrestohesh se ke thënë kështu e jo ashtu, fort e lemeritshme kur ke parasysh se një Fullan, mik darkash e drekash i politikanëve të lartë, e nxorën nga qelia ani pse ishin vjedhur jo pak por mbi 7 milion dollarë në Bankën e Shtetit. Po kush pyet sot për paratë e popullit? A keni parë të lëviz prapanicën nga kolltuku ndonjë nenpunës në Kontrollin e Lartë të Shtetit që duhej të ishte më i fuqishëm e rigoroz se vetë prokuroria. Po le të vazhdojmë me linjën e arsyetimit të çeshtjes së deputetit Doshi, që kërkojnë ta dënojnë për një fjalë e the – nuk e the, kur vetë drejtori i policisë së shtetit tha publikisht një të pavërtetë spektakolare, që nuk e kam takuar dëshmitarin Bami të cilin më vonë doli se e kishte takuar. Pse nuk ndalohet edhe ky bashkë me Tom Doshin me të njëjtën akuze sepse në të vërtetë kemi një delikt verbal. Po a ka ndonjë pikë dinjiteti funksioni i një shtetari apo nënpunësi, ndërkohë që deputeti që ankon kundër kryeparlamentarit se ky ka kurdisur një atentat, arrestohet pamëdyshje për dyshimin që kish, kur dyshimi nuk përbën krim. Pra kish bërë të njëjtën gjë si drejtori i policisë së shtetit. A mundet ligji të interpretohet ndryshe në të njëjtën kohë e për të njëjtën çeshtje ku janë përfshirë të dy palët? Meqë ndodh kësisoj, atëherë në këtë vend nuk duhet të flasësh as kur kërkon të mbrosh jetën tënde e të familjes, se po vihet në funksion neni 55 i lemeritshëm që po folë për shtetarët të pret burgu. Mesazhi ogurzi për popullin dhe intelektualët është i qartë: Mos guxoni të flisni. E frikshme për opinionin publik! Dëshiroj të jem i gabuar në hamendësime por ndjej një instalim sado në zanafillë të diktaturës, sepse të mos harrojmë diktaturat nuk janë vetëm pjella të komunizmit, i pjell edhe kapitalizmi kur pushteti bie në duar autokratësh e sistemi demokratik nuk funksionon, i pjell edhe ambicia për pushtet të individëve të mbështetur nga forca të errëta apo të verbra. Kemi parë se si Italia, një vend demokratik, ka kaluar në diktaturën e Musolinit, Gjermania shkallë shkallë me demagogji në atë të Hitlerit, Greqia me grusht shteti në Juntën e Jorgo Papadhopulos e plot shembuj të tjerë. Kur institucionet e shtetit marrosen e dalin jashtë kontrollit, do të ndodh që, “Republika të lëngojë për vdekje, ata që i rrinë mbi krye janë mikrobet e saj. Poshtë tellallët tallen me delet e molisuna që ecin kryeulëta e shohin kah qielli me do sy pa shprehje. Në nji vend të tillë edhe gabimisht me e thanë të vërtetën s’ta falin”, siç thotë R. Michels. Pra nëse nuk e kundërshton të keqen, nëse intelektualët janë në frikë, nëse media kapet nga pushteti dhe hesht, diktatura është pas dere. Ajo vjen pak e nga pak, fiton terren dhe një ditë zgjohesh nga ëndrrat e këqija e thua nga na erdhën e si na mbiu kjo e keqe. Se ja del deputeti i LSI-s që e kemi edhe në krye të komisionit të sigurisë kombëtare (na ruaj Zot)dhe ja përforcon edhe kryetari i parlamentit duke shfaqur në publik dokumentat personale të qytetarëve a një deputeti në kundërshtim me ligjin mbi fshehtësinë e informacioneve familjare apo individuale. Pyes a ma jep mua njeri çertefikatën familjare të Metës apo kartelën e tij shëndetësore nëse unë dyshoj se ai ka ca probleme serioze me shëndetin në bazë të asaj që shoh kur del e jep intervista në një gjendje jashtë kontrollit dhe dinjitetit të kryeparlamentarit. Nuk besoj. Por edhe unë nuk besoj se jam aq i pamend të bëj këtë marrëzi, jo se do të dënohesha me burg por se nuk ma lejon ndërgjegja personale as ajo profesionale si gazetar. E shihni pra si vepron ai që është në krye të Parlamentit pa i hyrë ferr në këmbë. Po prokurorët pse heshtin. Kuptohet se edhe ata tashmë janë si dele e butë ndaj pushtetarëve, pjesë e tufës së madhe të frikës publike. Kësisoj e jo ndryshe vjen një ditë dhe vendoset pushteti absurd që e ka emrin diktaturë. Por nëse e lëmë të ndodh kjo atëherë nuk do të ketë alibi askush. I duhet thënë ndal para se të jetë vonë, para se të na tufëzojnë, siç bënte diktatura komuniste, përndryshe kthehemi sërish në epokën e errët ku pushteti dhunon popullin e vet.
Dekomunistizimi sjell dekriminalizimin!
Nga Hakik MENA*/
Pavarësisht se kush janë dhe kë përfaqësojnë deputetët Doshi dhe Frroku, mënyra e arrestimit të tyre, është jashtëzakonisht e rrezikshme, madje e frikshme, deri dhe terrorizuese për shoqërinë shqiptare. E them këtë sepse ky akt është bërë, sipas vlerësimit të ekspertëve më të mirë të ligjit, por edhe arsyes njerëzore, në kundërshtim me çdo procedurë ligjore e krejtësisht në mënyrë arbitrare. Një arrestim i tillë, i transmetuar “live” nga Tv-të, brezit të vjetër i ka sjellë ndërmend ditët e para të instalimit të diktaturës komuniste në Shqipëri. Këtij skenari, deri tani i mungojnë veç skenat e “zbulimit të armëve në kisha”, por pjesa tjetër është pothuajse një “rilindje” e aktorëve të vjetër të Sigurimit, me prokuror Aranitin e kryexhelat Koçin. Në këtë situatë kaotike institucionale e ligjore që po kridhet sot shteti shqiptar, logjikshëm shtrohet pyetja: ku e gjejnë guximin ky mishmash politikanësh, deputetësh, prokurorësh e madje edhe ish-kalecësh Sigurimi, – të lidhur me fije të dukshme e të padukshme me ish byronë e Partisë komuniste – për të orkestruar arrestime të tilla, të ngjashme me reprezaljet e kohës së diktaturës komuniste?! Mos vallë pushtetarët e sotëm, pinjoj të byroistëve, duke menduar se kanë përballë veç një opozitë të plogësht, të pa vendosur, pa identitet, e kanë ndarë mendjen ta hedhin edhe hapin e fundit drejt çimentimit të pushtetit të tyre politik?! Dhe si për ta vërtetuar perceptimin tonë për mungesë rezistence, këtë tentativë për përjetësim të pushtetit, “djemtë e byrosë” po rreken ta bëjnë pa u maskuar hiç, krejt ashiqare, e pa ua “bërë syri tërr”, duke kërcënuar, arrestuar madje me tentativa për të eliminuar deputetë të kuvendit, që janë tekefundit përfaqësues të popullit?! Në këtë pikë më ngjan e detyrueshme pyetja nëse vërtet neokomunistët në pushtet po kuturisin të hedhin hapin e fundit drejt një sistemi diktatorial, të kamufluar si “pluralizëm shumëpartiak” por që në thelb është e njëjta gjë si modeli “demokratik putinian” apo ish-diktaturat amerikano-latine! Unë dëshiroj dhe uroj të mos jetë aspak e vërtetë, sepse pasojat dhe sakrificat njerëzore do të ishin katastrofale për shqiptarët. Por me ngjarjet e fundit, shihet se këtu kemi të bëjmë me një synim të prekshëm për ringjalljen e ish-diktaturës në formën e saj më të dukshme: – vendosjen e një pushteti personal, në shërbim të “njëshit” të partisë! Sjellje të tilla arbitrare, me shkelje kaq të trasha të ligjeve të shtetit, e në dhunim flagrant të së drejtës dhe lirisë së individit si nocione universale, nuk mund të jenë rastësi apo paaftësi e një institucioni si prokuroria! Kjo e fundit duhet thënë se ngadalë por vendosmërisht po rrëshqet në prehrin e pushtetit të mazhorancës, saqë të krijon bindjen se paditë kërrehen në zyrat e qeverisë, për t’u cicëruar të nesërmen në sallat e gjyqit. Dosja “Doshi”, – ku akuzohen nga prokuroria dy deputetë për dëshmi të rreme, kurse në fakt, në gjykimin publik, kjo ngjarje është një tentativë e mirëfilltë kriminale për zhdukjen e deputetëve rebelë, – është vetëm një përshfaqje simptomatike e trendit të rrezikshëm që ka nisur për të vendosur një pushtet absolut. “Doshi” është vetëm pika e vlimit, kurse në fakt plani ka nisur të formësohet që herët, me ndryshimet në një sërë ligjesh e kodesh me synim ngushtimin e lirisë së qytetarëve dhe sidomos krijimin e një situate ankthi e terrori shtetëror ndaj të gjithë shoqërisë shqiptare. Nuk janë rastësi tamtamet për energjinë, gjobat e makinave, sanksionet absurde e krejt të zhbalancuara në kod penal, e ligjet e tjera organike që rregullojnë marrëdhëniet mes qytetarit e shtetit. Një mendje djallëzore ka punuar fort që të na këllasë në këtë xhungël pasigurie ku ndodhemi sot, ku shumica dërrmuese po mendon kryesisht se si mund të arratiset nga vendi me ç‘të mundë. Le të sjellim në vëmendje të publikut gjithashtu dhe faktin se skenari i asgjësimit të drejtësisë në Shqipëri, po realizohet me nxitjen dhe mbështetjen e krerëve më të lartë të pushtetit neokomunist, por sidomos edhe me “aprovimin” e Parlamentit të Xhikeve, Lenkave e Bab-Lymave të vitit 2015. Këta të fundit, në rolin e palakmueshëm të “lolove publikë”, nuk po druhen aspak të vetëdiskreditohen në sytë e gjithë botës shqiptare duke votuar “grusht-bashkuar rreth partisë!” sipas direktivave të “të madhit!” Asnjë zë për be, nuk del kundër. E kjo s’mund të jetë rastësi. Kjo gjë ndodh vetëm në rastet kur krerët e një force politike synojnë të vendosin një pushtet absolut. Ndokush mund të thotë se po e ekzagjerojmë me akuzat për diktaturë dhe mund të na kujtojë madje se mazhoranca e sotme ka ardhur në pushtet me zgjedhje të lira. Po e vërtetë… të gjithë e kemi parë fitoren me “vota” të mazhorancës PS-LSI në 2013, të pagëzuar si fitorja e “një milion shpullave”. Por po ashtu kemi të dokumentuar në histori “déjà vu”-në në formën e diktaturës naziste, që erdhi në pushtet me anë të “votës”, por që më pas e ktheu pushtetin në armë për zhdukjen e kundërshtarëve dhe “armiqve” të pafaj me kampe shfarosjeje e gjenocid ndaj më të dobtëve. E kemi të provuar madje edhe në kurrizin tonë këtë histori pushteti, kur në 1944, një bandë plaçkitësish mizorë nga e ashtuquajtura Zonë e Parë Operative, – e orientuar politikisht nga armiqtë shekullorë serbët dhe rusët, – arriti të vendosë një diktaturë çnjerëzore, e cila për 45 vjet e transformoi vendin në skëterrë antinjerëzore. Këta të sotmit, e dinë të gjithë madje, edhe ata vetë e pranojnë, se janë pjellë gjenetike dhe politike e gjakatarëve të 44-ës. Ata të “parët” ishin ekspertë në krijimin e “fajtorëve pa faj”. Mjeshtra në sajimin e grupeve të “armiqve të popullit”. Ustallarë për të torturuar çdo qytetar me vlera. Me qëllim krijimin e një terrori permanent në të gjithë vendin, i cili duhet thënë se funksionoi në atë kohë. Por edhe këta të sotmit nuk po “zhgënjejnë”. Nuk e kanë harruar aspak “zejen” e tyre të torturës dhe të terrorit fizik e psikologjik mbi njerëzit. Në 1945-ën kjo gjë funksionoi ndoshta edhe për shkak të mungesës së opozitës së kohës dhe papjekurisë së shoqërisë shqiptare, që nuk dinte ç‘ishte komunizmi. Prandaj mund të thuhet se sot kushtet janë të ndryshme, në raport me kohën kur erdhi në pushtet çeta e Enver Hoxhës. Në atë kohë, për hir të së vërtetës, duhet thënë se komunistët “origjinalë” gëzonin mbështetjen e kampit socialist, dhe kjo nuk ishte e paktë për atëherë! Por sot po shohim në një formë tjetër që përkrahja nga kampi socialist i dikurshëm, është konvertuar tashmë me mbështetjen nga kampi social-demokrat në gjirin e BE-së ku gjendet më shumë se një duzinë vendesh ish-komuniste. E si për bela, burokratët evropianë që caktohen të mbajnë në patronazh Shqipërinë, shumicën e rasteve qëllojnë nga vendet e Traktatit të Varshavës! Dyshimit tonë për një diktaturë ndokush mund t’i kundërvihet me arsyetimin se sot nuk ka më një kriminel gjakatar si Enver Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij. Por unë kam bindjen se nuk ka ndonjë ndryshim të madh mes Edvin Ramës e Enver Hoxhës apo mes Ilir Metës e Mehmet Shehut. Njëlloj janë në etjen e tyre për pushtet e sundim absolut, madje edhe në vese e tendenca kriminale deri kundër shokëve e bashkëpunëtorëve më të ngushtë. Në këtë skemë na mungojnë disi tipa lombrozianë si Aranit Çela, Nevzat Haznedari, etj të cilëve vazhdojnë t’u rrjedhin duart gjak. por nga ana tjetër, pasardhësit e tyre në Prokurori të përgjithshme, – të cilët vijnë gati 99% nga shkolla komuniste – nuk u lënë gjë mangët në diabolizëm e perversitet “mësuesve” të tyre. Do të ishte e mjaftë të kujtonim seancën në këshillin e mandateve të parlamentit ku një prokuror gjuhëtrashë, nuk i jepte qëllimisht përgjigje as pyetjes se për çfarë akuzohen deputetët që kërkohej të arrestoheshin! (Sic!) Prokurorë të tillë janë për rekorde “guiness”. Kjo histori me deputetë, skenarë vrasjesh nisi si një aksion për të pastruar radhët e partive nga të “fortët”, nëpërmjet të ashtuquajturit “dekriminalizim”. Në fakt ky “dekriminalizim” s’është gjë tjetër veçse përsëritja e një kënge të vjetër, që këndohej me iso labçe në çdo fshat të krahinave antikomuniste të veriut të vendit, kur zona e thënë pushtohej prej partizanëve. Nuk është e nevojshme t’i përsërisim ato vargje, por më ngjan shumë i dyshimtë fakti që në mbledhjen e këshillit të mandateve në parlament, kishte 9 deputetë përfaqësues nga Zona e Parë Operative, që do të gjykonin për fatin e 2 reaksionarëve “katolikë” nga Mbishkodra. Kjo gjë ra në sy të të gjithëve, megjithëse askush nuk e përmendi, ndoshta nga sikleti, atë shprehjen e djaloshit të përrallës së Andersenit për rrobat e mbretit! Meqë jemi në këtë pikë, nëse ndonjë “babaxhan” ambasadash nga ndonjë vend perëndimor mik i shqiptarëve, dëshiron të purifikojë parlamentin, institucionet shqiptare, partitë e politikën, duhet të nisë fillimisht me dekomunistizimin e tyre. Kriminalizimi i parlamentit, institucioneve, partive e politikës, nuk ka ardhur nga “të fortët” por nga komunistët që kanë veshur mantelin e demokratit. Si përfundim, do të thoja se pa u bërë dekomunistizimi nuk mund të bëhet dekriminalizimi, dhe deri atëherë, ne do te jemi thjesht një shtet rrumpallo-mafioz. Nji gjë është e sigurt, po të kishte ekzistuar dëshira dhe qëllimi i mirë i politikës shqiptare për të bërë dekomunistizimin e vendit që prej viteve ‘90, – kjo edhe me shtytjen e mbështetjen e sinqertë të vendeve mike të Shqipërisë – vendi ynë do të kishte pasë tjetër zhvillim e tjetër histori. Çdo eksperiment “dekriminalizimi”, për fat të keq është i destinuar të dështojë dhe për këtë do të binden shumë shpejt edhe babaxhanët e ambasadave. Nëse këta të fundit, veprojnë kësisoj thjesht për të lehtësuar komunikimin me lojtarët kryesorë të politikës shqiptare, duke u bërë pa dashje palë më to, atëherë s’bëjnë gjë tjetër veçse po vënë në dyshim edhe këtë kuazi-demokraci që ekziston ende këtu. Nëse do vazhdohet me këtë filozofi të mbrojtjes së interesave duke bërë allishverishe edhe me djallin, dihet se fundi i kësaj rruge do të jetë i ngjashëm me skenat danteske. Kjo nuk është as e drejtë dhe as dobiprurëse, si për miqtë tanë, ashtu edhe për miliona shqiptarë që kanë fatin e keq të sundohen nga kjo klikë antikombëtare.
* Kryetar i Partise Levizja e Legalitetit ne SHBA
- « Previous Page
- 1
- …
- 675
- 676
- 677
- 678
- 679
- …
- 866
- Next Page »