• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Noli, Konica dhe pavarësia

November 26, 2024 by s p

Nga Ilir Ikonomi/

Në nëntor të vitit 1912, ngjarjet në Ballkan po lëviznin me shpejtësi. Shtetet ballkanike i kishin shpallur luftë Perandorisë Osmane dhe ajo po mundej në shumë fronte. Territoret shqiptare ishin në prag të një pushtimi të ri. Më 2 nëntor, Ismail Qemali me një grup atdhetarësh ishte nisur nga Stambolli drejt Shqipërisë për t’i dalë përpara rrezikut. Nuk ishte e qartë nëse ai synonte të shpallte autonominë apo pavarësinë. Pas një ndalese në Bukuresht, ai kishte shkuar në Vjenë për të marrë mbështetjen e Austro-Hungarisë për aktin që përgatitej të ndërmerrte. Plani ishte që të shkonte edhe në Romë, por hoqi dorë. Gazetat austriake bënin thirrje që Shqipëria të ishte e pavarur e jo autonome. Gjatë një takimi të fshehtë që pati në Budapest me ministrin e Jashtëm austriak Leopold von Berthold, ky e inkurajoi të shkonte sa më shpejt në Shqipëri për të shpallur pavarësinë. Kështu Ismail Qemali u nis nga Triestja me anije për në Durrës, ku arriti më 21 nëntor 1912.

Meqenëse lajmet për udhëtimin e Ismail Qemalit ishin konfuze dhe përhapeshin ngadalë, nuk duket që shqiptarët e Bostonit të kishin një ide të qartë për atë që po ndodhte.

Më 23 nëntor 1912, Fan Noli kërkoi në një mbledhje të Vatrës autorizimin për të shkuar në Evropë dhe në Shqipëri si përfaqësues i kolonisë shqiptare të Amerikës. Vatra nuk pranoi dhe ai iku nga mbledhja i zemëruar. Nuk është e qartë se kush e kishte ftuar dhe çfarë do të bënte Noli në Shqipëri, por ishte Konica, Sekretari i Përgjithshëm i Vatrës, ai që ndikoi për të mos ia dhënë lejen. Faik beu donte të shkonte vetë në Evropë. Në rekordet e Vatrës shënimet për këtë mbledhje mungojnë.

Po atë ditë, Noli i shkroi një letër Këshillit të Kishës Ruse në Nju Jork, ku i tregonte se disa shoqëri kombëtare shqiptare në Evropë dhe në Shqipëri, si dhe kolonitë shqiptare të Amerikës kishin vendosur ta dërgonin për të marrë pjesë në një Komitet Kombëtar Shqiptar, që do të përpiqej të siguronte pavarësinë e Shqipërisë, ose të paktën të mos lejonte copëtimin e saj. Noli i kërkonte Kishës Ruse dy muaj leje për udhëtimin e tij. Nuk është e qartë se çfarë ishte ky Komitet Kombëtar Shqiptar. Ka mundësi që fjala të ishte për grupin e shqiptarëve të Rumanisë që ishin takuar me Ismail Qemalin në fillim të nëntorit në Bukuresht dhe po e shoqëronin drejt Shqipërisë me një ndalesë në Vjenë. Në një letër lamtumire, botuar në gazetën Zër’ i Popullit që nxirrte Kristo Floqi në Nju Jork, Noli shkruante se kishte blerë një biletë deri në Vjenë për 100 dollarë (3,150 dollarë sot). Plani i tij ishte të udhëtonte në fillim për në Liverpul të Anglisë dhe, prej andej, në Vjenë. Ndoshta ai donte të bëhej njëri prej burrave që ishin nisur me Ismail Qemalin për të ndryshuar historinë.

Noli drejt Evropës

Them “ndoshta” sepse nuk ekziston ndonjë dokument që ta provojë drejtpërdrejt këtë. As Noli nuk e ka përmendur ndonjëherë, por në letrën për Kishën Ruse ai shkruante se udhëtimi i tij ishte i domosdoshëm, pasi në Evropë do të krijohej përshtypje e mirë nëse në listën e anëtarëve të Komitetit do të ishte emri i një kleriku ortodoks. Bashkangjitur letrës ishte edhe një shkresë, me të cilën Këshilli i Kishës së Shën Gjergjit e emëronte Nolin “delegat të kolonive shqiptare orthodokse të Amerikës, për të ndihmuar Komitetin Kombëtar të Shqipërisë, në përpjekjet për të siguruar pavarësinë dhe integritetin e Shqipërisë”.

Noli do të udhëtonte me Atë Naum Ceren dhe të dy kishin bërë fushatë nëpër kisha për të mbledhur fonde, por në minutën e fundit u vendos që At Cereja të mos shkonte, sepse komuniteti ortodoks u ishte lutur që të mos e linin kishën shqipe pa prift. U vendos që Cereja të nisej më vonë. Gazeta Zër’ i Popullit raportonte kështu: “Më 26 nëntor shkoi me vaporin Mauretania për të shetitur oborret evropiane si delegat i shqiptarëve t’Amerikës, miku ynë, i përndershmi Atë Fan Noli. Shqiptarët e Nju Jorkut e pritën dhe e përcollën bukur e i ndihmuan sa mundën si atdhetarë të vërtetë”.

Gazeta Dielli i uroi Nolit udhë të mbarë, por shkruante se nuk e dinte destinacionin e tij, pasi ai kishte ikur pa u marrë vesh me njeri në Boston. Duket se midis Nolit dhe Konicës kishte patur një hatërmbetje, që do të riparohej disa muaj më vonë.

Pavarësia dhe problemi i Princit

Më 28 nëntor 1912, kur Noli sapo ishte nisur për në Evropë dhe ishte ende në anijen Mauretania, Ismail Qemali, i cili nga Triestja e Austrisë kishte arritur në fillim në Durrës dhe pastaj në Vlorë, e shpalli Shqipërinë të pavarur dhe ngriti atje një qeveri të përkohshme të kryesuar prej tij. Noli arriti në portin e Liverpulit të Anglisë rreth datës 3 dhjetor dhe lajmëroi Kristo Floqin nga anija se do të nisej për në Austri, sipas planit. Mirëpo, pas zbritjes në Angli ai duhet të ketë mësuar nga gazetat se Shqipëria ishte shpallur e pavarur, prandaj udhëtimi për në Austri nuk kishte më kuptim. Noli vendosi të shkojë në Londër.

Lajmi i shpalljes së pavarësisë u prit me gëzim kudo në qarqet shqiptare. U mbajtën festime dhe konferenca, u dërguan telegrame urimi drejt Vlorës. Shumë shpejt nisi të diskutohej çështja se kush do të ishte sundimtari i ardhshëm i Shqipërisë. U hodh ideja që në fron të vihej Princ Fuadi nga dinastia e shqiptarit Muhamed Ali të Egjiptit. Më 1 dhjetor Konica mblodhi Komisionin e Vatrës, i cili ra dakord se zgjedhja e një princi mysliman do t’i sillte shumë dëm Shqipërisë. U vendos të dërgoheshin dy telegrame, njëri në Vlorë dhe tjetri në Egjipt, për të kundërshtuar këtë ide.

Në mesazhin dërguar Vlorës, Konica uronte qeverinë e përkohshme në emër të Vatrës. Telegrami vazhdonte kështu: “Vatra i lutet Kuvendit të mos pranojë një princ mysliman. Mos e bëni shtetin shqiptar si Khiva, Bukhara, Afganistani dhe Tunizia. Ideali ynë është një Shqipëri evropiane si Norvegjia, Danimarka, Holanda e Belgjika; prandaj këshillojmë me forcë zgjedhjen e një princi të denjë evropian nga një familje mbretërore, që do të sjellë në Shqipëri traditat dhe kulturën perëndimore. I nënshkruari u lutet sidomos anëtarëve myslimanë të Kuvendit që ta provojnë patriotizmin e tyre duke zgjedhur një princ të krishterë për Shqipërinë. Nëse veprojmë ndryshe, do të bënim një gabim të pakorrigjueshëm”.

Më 8 dhjetor, kryetarët e degëve të Vatrës u thirrën për një mbledhje të pazakontë në Naomi Hall të Bostonit, ku u vendos që të dërgohej në Evropë dhe në Shqipëri Sekretari i Përgjithshëm, Faik Konica. Qëllimi ishte “që të shtronte para Mbledhjes së Kombit dhe njerëzve politikë ca mendime për të zgjedhurit e një dere mbretërore për Fronin e Shqipërisë dhe për të themeluarit e Konstitucjes (Kushtetutës)”. Konicës iu dhanë 500 dollarë nga arka e Vatrës për udhëtimin (rreth 15,800 dollarë sot). Ai u nis nga Bostoni në mes të dhjetorit 1912. Pak ditë para se të nisej Faik beu, The Boston Herald botoi një shkrim, ku thuhej me germa të mëdha se Faik Konica, stërnip i Ali Pashë Tepelenës, aspironte të bëhej kreu i Shqipërisë. Shqiptarët, thuhej aty, besojnë se “vetëm ai, nominalisht mysliman, por i konsideruar indiferent nga pikëpamja fetare, mund të sjellë një koalicion të harmonishëm mes myslimanëve, grekëve (shqiptarëve ortodoksë) dhe katolikëve, që përbëjnë popullsinë e Shqipërisë”. Gazeta botonte një fotografi të madhe të Konicës, ku ai shfaqej serioz e i menduar, me flokët e ndara në mes dhe me sytë që vështronin larg. Vatra nuk e përgënjeshtroi artikullin. Vetëm dy javë më vonë, kur Faik beu ishte rrugës për në Evropë, gazeta botoi një shënim nga Athanas Bodi, ish sekretar i Kishës shqiptare, i cili thoshte se nuk ishte aspak e vërtetë që Konica të qe propozuar për mbret të Shqipërisë.

Noli në Londër

Menjëherë pas arritjes mbërritjes në Londër, Noli i dërgoi një telegram urimi Ismail Qemalit: “Ju përgëzoj për veprën tuaj patriotike. Rroftë Shqipëria! Rroftë kabineti i ri!” Shkoi pastaj të vizitojë gazetat e mëdha të Londrës. Në Evening News takoi gazetarin Charles Woods, autor i librit The Danger Zone of Europe (Zona e rrezikshme e Evropës), botim i vitit 1911. Në gazetën Times, njëri nga redaktorët e lajmeve të jashtme e mbajti Nolin rreth një orë duke e pyetur për Shqipërinë. Në gazetën tjetër të njohur, The Daily Graphic, punonte Lucien Wolf, i cili një muaj më parë kishte shkruar një artikull me titull Albania for the Albanians dhe që, sipas Nolit, ishte shqiptarofil.

“Vajta në të gjitha gazetat e këtushme dhe kudo s’dëgjova veç fjalë simpatie për shqiptarët,” i shkruante Noli gazetës Dielli në Boston. “Inglizi i zakonshëm, siç dëgjova me veshët e mi dje në Royal Societies Club, nuk e do fare serbin dhe simpatizon shqiptarin, por për fat të keq di fare pak gjëra për Shqipërinë”.

Lucien Wolf i kërkoi Nolit një shkrim, të cilin ky ia dorëzoi. Artikulli u botua më 12 dhjetor në gazetën The Daily Graphic nën titullin Dëshirat e shqiptarëve dhe pse. Noli shkruante:

“Kundërshtimet e Lidhjes Ballkanike ndaj një Shqipërie të pavarur mund të përmblidhen kështu: 1. Shqiptarët janë thjesht një grumbull fisesh gjysmë barbare. 2. Ata nuk kanë fare ndjenjë kombëtare. 3. Ata janë të paaftë të vetqeverisen. Me një fjalë, argumenti i tyre është se shqiptarët nuk janë më shumë se sa indianët gjysmë të qytetëruar të Evropës. E megjithatë, këta indianë të bardhë të Evropës, sipas shkencëtarëve të pavarur janë raca më e pastër në Ballkan, qoftë si fizik ashtu edhe si moral. Virchowi i shihte ata si një racë superiore, ndërsa H. N. Brailsfordi i ka quajtur supermenët e Niçes. Lord Bajroni pohonte se në Gadishullin Ballkanik, të vetmit që i përgjigjeshin saktë pyetjes së tij se cilës kombësie i përkisnin, ishin shqiptarët tanë. Të gjithë mendonin se i përkisnin njërit prej dy grupeve, të njohur prej tyre si të krishterë dhe myslimanë. Ajo që ne shqiptarët kërkojmë, shkruante Noli, është “thjesht të trajtohemi me drejtësi dhe të na jepet një shans për të treguar se ç’jemi të aftë të bëjmë. Ky shans u është dhënë racave të tjera të Ballkanit dhe nuk duhet të na mohohet as neve”.

Noli i dha një intervistë edhe kryeredaktorit Charles Diamond të gazetës The London Catholic Herald. Intervista u botua në numrin e 21 dhjetorit, kur në Londër bisedimet për fatin e Shqipërisë ishin në vemendjen e të gjithëve.

Diamond e përshkruan Nolin si një mesoburrë i shkurtër e me trup të lidhur, me fytyrë brune e me sy të zgjuar. Mjekra e tij me majë është e krehur mirë, në trup mban një pallto të shkurtër të modës, ndërsa në kokë një kapele mëndafshi; I ngjan më tepër një mjeku të suksesshëm qyteti se sa një prifti ortodoks, shkruante Diamond. Përshtypja e kryeredaktorit ishte se Noli “e fliste anglishten më mirë se sa shumica e anglezëve”. Noli tha në intervistë se çështja shqiptare ishte e një interesi të veçantë për katolikët, meqenëse në veri jetonte një popullatë katolike, ndërsa në jug një përzjerje ortodokse dhe myslimane. Megjithë besimet e ndryshme fetare, tha ai, “shqiptarët janë absolutisht të njëzëshëm në kërkesën e tyre për pavarësi kombëtare”. I pyetur nëse përfaqësuesit e qeverisë së Vlorës të dërguar në Londër do të kishin sukses, Noli u përgjigj se për këtë nuk kishte asnjë dyshim. Ai parashikonte se në Shqipëri do të vendosej një monarki nën një princ ndoshta katolik, sepse në këtë mënyrë shqiptarët do të mund të mbanin kontakt me qytetërimin perëndimor. “Dhe nëse Konfederata Ballkanike nuk bie dakord me kërkesat shqiptare?” – e pyeti Diamond. “Atëherë, do të shpërthejë një luftë e përgjithshme evropiane, sepse Austria nuk do të pranojë kurrë”, – u përgjigj Noli.

Një Shqipëri autonome?

Vërtet Ismail Qemali kishte shpallur pavarësinë në Vlorë, por fuqitë e mëdha ende nuk e kishin thënë fjalën e tyre. Çështja e madhe ishte nëse kjo pavarësi do të njohej ose jo prej tyre. Më 16 dhjetor 1912, në Pallatin e Shën Xhejmsit në Londër u hap Konferenca e Paqes, ku merrnin pjesë Turqia dhe shtetet që kishin pretendime në hartën e re të krijuar pas tërheqjes së saj nga territoret evropiane. Një ditë më vonë, më 17 dhjetor, ambasadorët e gjashtë Fuqive, Britanisë, Austro-Hungarisë, Francës, Rusisë, Gjermanisë dhe Italisë, nënshkruese të Traktatit të Berlinit, u mblodhën në Ministrinë e Jashtme britanike Foreign Office për të zgjidhur problemet që kishin lindur, tani që një luftë evropiane ishte bërë kërcënimi më i madh. Takimet e diplomatëve do të mbaheshin në formën e bisedave informale, me pushime për çaj, në mënyrë që të kishin mundësi t’i shkëmbenin lirisht pikëpamjet. Ambasadorët u porositën që rreth bisedimeve të ruhej sekreti absolut.

Qysh ditën e hapjes, Sekretari i Jashtëm britanik Edward Grey i ftoi të gjithë të trajtonin çështjen e Shqipërisë dhe të daljes së Serbisë në Detin Adriatik. Austria dhe Italia propozonin që Shqipëria të ishte autonome. Grey u ul me ambasadorin francez Paul Cambon në prani të atij austriak, Albert Graf von Mensdorff dhe atij italian, Guglielmo Imperiali. Pas më shumë se tre orë bisedimesh, u ra dakord për formulën që Shqipërisë t’i jepej “autonomi e garantuar dhe e kontrolluar ekskluzivisht nga gjashtë Fuqitë, nën sovranitetin ose suzerenitetin e Sulltanit”. Sipas përshkrimit të ambasadorit francez në Londër, Paul Cambon, “u hap një diskutim mjaft konfuz se si do të organizohej kjo autonomi” dhe u ftua ambasadori i Austrisë dhe i Italisë që të paraqisnin një projekt paraprak. U arrit në vendimin që “Shqipëria autonome të ishte asnjanëse”. Pastaj u kalua në çështjen e daljes së Serbisë në Adriatik, që u formulua kështu nga ambasadorët: “Serbisë do t’i rezervohet dalje komerciale në një port shqiptar të lirë dhe të neutralizuar, që do të lidhet me një hekurudhë ndërkombëtare nën kontrollin evropian dhe nën ruajtjen e një force speciale, me lirinë e transportimit të çdo lloj malli, duke përfshirë municionet e luftës”.

Konsensusi u arrit shpejt, sepse Fuqitë i kishin bërë përgatitjet qysh më parë. Vjena prej kohe kishte deklaruar se duhej krijuar një shtet shqiptar dhe në këtë vendim kishte mbështetjen e Gjermanisë e të Anglisë. Rusia pranoi, sepse nuk i dukej që kjo të ishte një çështje me ndonjë rëndësi të madhe, aq sa t’ia vlente të hynte në luftë. Edhe në çështjen e daljes së Serbisë në Adriatik, Rusia kishte bërë një lëshim: Serbisë nuk do t’i jepej territor në Adriatik, siç këmbëngulte ajo, por po i lejohej akses në një port të neutralizuar dhe me anë të një lidhjeje hekurudhore. Ky ishte një kompromis për të kënaqur ministrin britanik Grey, sepse Austria as që dëshironte që Serbia të kishte dalje në një port shqiptar. Vendimi i ditës së parë mund të quhej një fitore për Shqipërinë. Në thelb, ai ishte marrë nga Fuqitë për të shmangur konfliktin e afërt. Çështja tjetër, ajo e kufijve të Shqipërisë autonome, do të diskutohej më vonë.

Lobimi i Fan Nolit

Siç del nga disa letra të Nolit, pak para se të fillonte Konferenca ai trokiti me radhë në të gjitha përfaqësitë diplomatike të Fuqive në Londër. Gjatë vizitave, tregon ai, “përgëzova përfaqësitë e shteteve mike dhe u bëra të ditur atyre të qeverive kundërshtare se një Shqipëri e lirë ishte nevojë absolute për paqen e Ballkanit”. Në Foreign Office u prit nga një zyrtar me emrin Norman. “Më priti e më përcolli me një fisnikëri dhe buzëqeshje, e cila më thoshte: Më ndje që s’mund t’ju them gjë prej gjëje saktë, por mos kij frikë. Jemi miq të Shqipërisë dhe do të përpiqemi ta çlirojmë,” shkruan Noli. Dhe vazhdon: “Iu luta guvernës inglize të mos lejojë mbytjen e një kombësie në këtë shekull qytetëror, po të ndihmojë për një Shqipëri të lirë, e cila do të jetë e vetmja shiguri për paqen e Ballkanit”.

Në Foreign Office Noli dorëzoi një Memorandum për Sekretarin e Jashtëm Edward Grey, me kërkesën që ajo t’i përcillej Konferencës së Ambasadorëve. “Kemi mësuar, – thuhej në Memorandum, – se në pjesë të ndryshme të Shqipërisë, të pushtuara nga ushtritë greke dhe serbe, është ushtruar trysni mbi shqiptarët ortodoksë, që ata të nënshkruajnë deklarata “entuziaste”, ku detyrohen të mohojnë kombësinë dhe të përshëndesin copëtimin e vendit të tyre. Të gjithë ata që i njohin ndjenjat e popullit shqiptar nga njëra anë dhe metodat serbe e greke nga ana tjetër, e marrin me mend lehtë kuptimin dhe vlerën e vërtetë të deklaratave të tilla”. Noli thotë se e ka fjalën për “disa banorë ortodoksë të Korçës”, që u kishin shkruar ministrave të jashtëm të Fuqive se, “si grekë shqipfolës” kërkonin pushtimin e përhershëm të qytetit të tyre nga Greqia.

Noli argumenton në Memorandum se një deklaratë e tillë nuk mund të ishte e vërtetë, sepse Korça është qyteti ku u hap shkolla e parë shqipe dhe shtypshkronja e parë kombëtare shqiptare, se disa nga udhëheqësit më të njohur të lëvizjes kombëtare shqiptare janë nga Korça, se në Korçë u mbajt mitingu me pjesëmarrjen e 20 mijë vetave, për të kundërshtuar alfabetin me germa arabe. Ai argumenton gjithashtu se përpjekja e parë serioze për të themeluar një Kishë Orthodokse Shqptare, në ndryshim nga Kisha thjesht politike e Patrikanës, nisi në Korçë nga Lidhja Ortodokse Shqiptare.

Ai përmend se gazetat kombëtare dhe shoqëritë shqiptare në Amerikë mbahen kryesisht me kontributet e emigrantëve nga Korça dhe rrethet. Vetëm ky fakt, manifestim i patriotizmit shqiptar në një vend të lirë, shkruan Noli, ia vlen të krahasohet me deklarimet e rreme dhe të detyruara të disa njerëzve, që janë gati të nënshkruajnë çdo gjë nën kërcënimin e bojonetave vrastare.

Në Memorandum, Noli hedh poshtë atë që ai e quan “shpifje greke dhe serbe”, sipas të cilës shqiptarët ortodoksë janë armiqësorë ndaj bashkëvendasve të tyre myslimanë. “Në Shtetet e Bashkuara, ku shqiptarët ortodoksë janë shumicë dërrmuese dhe ata myslimanë një pakicë e papërfillshme, – shkruan ai, – udhëheqësi i tyre, i zgjedhur me votim të lirë, është mysliman (e ka fjalën për Faik Konicën)… Në Shqipëri, çdo mysliman ka ndërgjegjen e të qenët pasardhës i të parëve të krishterë. Për nga shpirti, zakonet dhe traditat, myslimani shqiptar është më i krishterë se ai serb apo grek. Ai nuk ka qenë kurrë fanatik, përveçse në imagjinatën e të huajve jodashamirës ose të keqinformuar”.

Noli dhe Konica qëndruan në Londër deri nga fundi i shkurtit, sepse Vatra u kërkoi të shkonin në Trieste, ku do të mbahej një Kongres që do të mblidhte personalitete të njohura shqiptare për të afirmuar pavarësinë e Shqipërisë.

Fotot:

FOTO 1: Letra e Nolit ku konformon synimin për të shkuar në Vjenë. Botuar në gazetën Zër’ i Popullit të Kristo Floqit më 3 dhjetor 1912.

FOTO 2: Foto e rrallë e Faik Konicës para nisjes për në Evropë në dhjetor 1912. Botuar në gazetën Boston Globe të datës 12 dhjetor 1912.(Botohet për herë të parë).

FOTO 3: Origjinali i shkrimit të Nolit në gazetën e Londrës Daily Graphic, datë 12 dhjetor 1912.

Filed Under: Opinion

BRISHTËSIA E VENDIMEVE TË KONFERENCËS SË LONDRËS MBI PAVARËSINË E SHQIPËRISË PËRGJATË SHEKULLIT XX

November 25, 2024 by s p

Akademik Beqir Meta/

Pjesa e parë…

Vendimi i Konferencës së Ambasadorëve në Londër i 29 korrikut 1913, konsiderohet si akti themelor ndërkombëtar i krijimit dhe njohjes ndërkombëtare të shtetit shqiptar. Por ky vendim është sfiduar nga rrethanat  historike dhe më së shumti nga vetë vendimmarrësit në atë Konferencë, të gjithë së bashku, në blloqe politiko-ushtarake, ose nga shtete të veçanta.

Vendimi ishte një kompromis i vështirë midis dy Blloqeve të mëdha politiko-ushtarake: Antantës, e cila më së shumti ishte kundër pavarësisë së Shqipërisë, ose për krijimin e një shteti shqiptar tërësisht të reduktuar dhe anemik, i cili do ta kishte të pamundur mbijetesën e tij dhe do të ishte një pre e lehtë për t’u gëlltitur nga fqinjët e tij; dhe Bllokut Trepalësh që përbëhej nga Austro-Hungaria, Italia e Gjermania, të cilat synonin të krijonin një shtet sa më të aftë për të mbijetuar në territoret natyrale që banoheshin tërësisht ose në shumicën dërrmuese nga shqiptarët. Kjo strukturë e Konferencës do të ndikonte jo vetëm në krijimin e një shteti shqiptar të cunguar e të dobët por edhe në efektivitetin dhe soliditetin e këtij akti ndërkombëtar.

Ky akt ndërkombëtar rezultoi i brishtë në disa momente delikate gjatë gjysmës së parë të shekullit XX.

– Vendimi i Konferencës së Ambasadorëve u sfidua fill pas marrjes së tij. Sfiduesi i parë serioz dhe i rrezikshëm që provoi  se vendimi i Londrës i 29 korrikut 1913 ishte i brishtë ishte Greqia e cila orkestroi dhe realizoi të ashtuquajturën lëvizja “vorio-epirote”. Ajo ishte e detyruar të njihte vendimin e lartpërmendur formalisht dhe të deklaronte tërheqjen e trupave të saj pushtuese nga Shqipëria e Jugut. Por nga ana tjetër, ushtarë të saj, së bashku me bandat e kriminelëve nga Kreta, të maskuar si kryengritës “vorio-epirotë”, sfiduan ushtarakisht shtetin e ri, duke e detyruar qeverinë shqiptare të pranonte të ashtuquajturin Protokolli i Korfuzit, i cili çonte drejt copëtimit të shtetit të ri të njohur nga Konferenca e Ambasadorëve. Fuqitë e Mëdha, jo vetëm nuk e penguan këtë tragjikomedi, por e sanksionuan atë, madje dhe duke ushtruar presion kundrejt qeverisë shqiptare, dhe duke marrë dhunshëm edhe disa kompetenca të saj nëpërmjet Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK). Gjithashtu KNK ndaloi princ Vidin të dërgonte forca ushtarake në Jug për të shtypur forcat greke të maskuara si “autonomiste”.

– Sigurisht brishtësia u dëshmua më qartë me Traktatin e Fshehtë të Londrës të vitit 1915, ku 4 nga 6 Fuqitë vendimmarrëse në këtë konferencë, nënshkruan asgjësimin dhe copëtimin e mëtejmë të shtetit shqiptar. Kështu u zhvleftësuan plotësisht vendimet e Konferencës së Londrës.

-Pas Fillimit të Luftës Botërore, edhe Austro-Hungaria e cila kishte qenë mbështetësja kryesore e krijimit të shtetit shqiptar,  u fut në negociata me Italinë për copëtimin e Shqipërisë midis tyre, dhe gjithashtu zhvilloi negociata me Greqinë për ta tërhequr në anën e saj, duke i premtuar përfitime në Shqipërinë e Jugut.

    Po kështu veproi dhe Gjermania e cila i premtoi Athinës konstandiniste se do të mbështeste ambiciet e saj territoriale kundrejt Shqipërisë.

– Gjatë Luftës Botërore, dy akte të tjera ndërkombëtare dëshmonin zhvleftësimin e vendimit të vitit 1913 dhe këto ishin deklarata austro-hungareze për autonominë e Shqipërisë nën protektoratin e saj e vitit 1917 dhe deklarata e ngjashme italiane.

– Sfidë madhore ishte mbajtja e ushtrive pushtuese, italiane, serbe dhe franceze brenda territorit të shtetit shqiptar edhe pas përfundimit të Luftës.

– Ndërsa sfida më e madhe, ku u provua qartë se Konferenca e viti 1913 ishte zhvleftësuar, ishte Konferenca e Paqes e viteve 1919-1920, ku Fuqitë e Mëdha fituese të Antantës si dhe fqinjët ballkanikë u sollën sikur kjo konferencë ndërkombëtare gjithëpërfshirëse  të mos kishte ekzistuar. Përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha evropiane e vlerësuan si veprim të parakohshëm njohjen ndërkombëtare të pavarësisë dhe krijimit të shteti shqiptar më 1913. Po kështu edhe propozimet e qeverisë amerikane për aneksimin e Vlorës nga Italia, aneksimin e Gjirokastrës, nga Greqia, për protektoratin  italian mbi shtetin e mbetur shqiptar, ishin injorim i vendimeve të vitit 1913.

 Për më tepër, tre fuqitë kryesore evropiane iu përveshën punës për zhbërjen e shtetit shqiptar. Dy marrëveshje të konferencës që fatmirësisht nuk u realizuan, Memorandumi anglo-franko-amerikan i dhjetorit 1919 dhe i ashtuquajturi kompromisi Nitti ose marrëveshja anglo-franko-italiane e 13-14 janarit 1920 cenonin rëndë, madje akti i fundit e zhbënte tërësisht vendimin e Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1913. Fati i Shqipërisë ishte se Fuqitë fituese dhe aleatët e tyre ballanikë nuk arritën të dakordësohen plotësisht për këto propozime dhe për çështjet e tjera të kontekstit Adriatik. Po ky ishte dhe shansi i rikthimit tek vendimet e vitit 1913. U desh kundërshtimi amerikan kundër copëtimit të plotë të Shqipërisë që shkaktoi këtë ngërç, evoluimi i politikës britanike dhe lufta heroike e shqiptarëve në Vlorë, që të ndryshohej trajektorja zhvleftësuese e vendimeve  të Konferencë së Londrës 1913. Madje edhe pas kësaj, në nëntor 1920 kishte ende dilema.

– Kështu fillimisht Lidhja e Kombeve e hodhi poshtë argumentin e paraqitur nga qeveria shqiptare se shteti shqiptar ishte njohur ndërkombëtarisht de jure dhe de facto nga Konferenca e Ambasadorëve e vitit 1913. Këtë pozicion ajo do ta ndryshonte vetëm tri javë më vonë, kur Shqipëria do të pranohej në Lidhjen e Kombeve dhe ujdia e vitit 1913 do të konsiderohej e ligjshme.

– Megjithëkëtë u desh një vit tjetër përpjekje, ankthi e debatesh që Fuqitë e Mëdha të rinjihnin shtetin e pavarur shqiptar, përmes vendimit të një konference tjetër ambasadorësh, tashmë në Paris, i cili u dha më 9 nëntor 1921.

Vendimi i vitit 1921 i bëri disa ndryshime vendimit të vitit 1913, ndonëse ruajti thelbin e tij për njohjen ndërkombëtare të shtetit shqiptar.

  • Ai i qethi edhe disa territore të tjera Shqipërisë, duke sfiduar edhe një herë vendimin e vitit 1913.

-Cenoi pavarësinë e saj, duke i njohur Italisë një rol specifik në Shqipëri për mbrojtjen e shtetit shqiptar.

-I vetmi akt pozitiv ishte tejkalimi i kontrollit ndërkombëtar mbi shtetin e ri, pra nuk u rinovua ekzistenca e një Komisioni Ndërkombëtar Kontrolli me atributet e atij të vitit 1913, ndonëse një komision hetimor i LK u dërgua për të ndjekur funksionimin e shtetit të ri dhe zhvillimet politike në vend.

 Nga  ana tjetër, duhet theksuar se vendimi i Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1921 u dëshmua më solid  se ai i vitit 1913. Por edhe ai pati limitet e veta të respektimit, si akt i rëndësishëm ndërkombëtar.

Ky vendim ndikoi pozitivisht për konsolidimin relativ të shtetit shqiptar në vitet 1922-1939, por u dëshmua në disa raste  edhe brishtësia e tij.

Gjatë krizës së brendshme serioze që kaloi Shqipëria në vitet 1922-1924, jo vetëm që Italia sfidoi në fshehtësi vendimin e vitit 1921, duke nxitur destabilizimin e shtetit shqiptar me qëllim që të fitonte pozita politike dhe ekonomike monopol, por pas kryengritjes së Qershorit 1924 dhe destabilitetit të thellë në Shqipëri, edhe Londra shqyrtoi opsionin e rishikimit të vendimit të vitit 1921 pra edhe të vitit 1913.

     Gjatë viteve 1925-1934 Londra u përpoq të amortizonte përpjekjet sfiduese dhe presionet imperialiste të Italisë ndaj Shqipërisë. Pra ajo u përpoq të mbronte legjitimitetin e vendimeve të viteve 1913 dhe 1921. Por pas kësaj kohe, ajo u tërhoq nga kjo politikë dhe toleroi politikën agresive italiane që po i sfidonte ato.

Sfida me madhore ndaj vendimeve të viteve 1913 e 1921 si dhe ndaj ekzistencës së shtetit shqiptar ishte agresioni italian i 7 prillit 1939. Brishtësia  e këtyre vendimeve u shfaq edhe më e qartë kur Britania e Madhe dhe Franca nuk e denoncuan agresionin italian dhe shkeljen flagrante të ligjit ndërkombëtar, e konkretisht të vendimit të Konferencave të Ambasadorëve të viteve 1913 e 1921.

Për më tepër, edhe gjatë luftës, Britania e Madhe që ishte Fuqia më e madhe antifashiste me ndikim në Ballkan dhe Evropë, si dhe arkitektja  e vendimeve të viteve 1913 e 1921, i dhunoi ato. Më 17 dhjetor 1942, ministri i jashtëm britanik deklaroi në parlament se kufijtë e Shqipërisë do të rishikoheshin dhe diskutoheshin pas luftës; se qeveria e tij do të njihte pavarësinë e Shqipërisë, por kjo nuk do të paragjykonte riorganizimet federative ose konfederative që do të bëheshin në Ballkan pas luftës. Pra ishin dy cenime të rëndësishme substanciale të vendimit të vitit 1913 dhe të vitit 1921. Ky qëndrim u shoqërua edhe me disa akte të tjera diskriminuese e sfiduese që cenonin statusin dhe legjitimitetin ndërkombëtar të Shqipërisë të përcaktuar në Konferencat e Ambasadorëve më 1913 dhe 1921: me mosnjohjen e një qeverie shqiptare në ekzil si përfaqësuese e Shqipërisë; mosnjohjen  e statusit të Mbretit Zog njëlloj si homologët e tij ballkanikë; ndalimi më forcë i tij për t’u angazhuar në luftën antifashiste; ndalimi me forcë i tij për aderimin e Shqipërisë në Kartën e Atlantikut dhe në Kombet e Bashkuara; refuzimi i kërkesës së Shqipërisë për të marrë pjesë në Konferencën e San Franciskos dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara; përpjekja britanike për të lënë një shteg për diskutimin e kufijve të Shqipërisë, në notën e njohjes së qeverisë së Enver Hoxhës më 1945, e cila u dekurajua nga aleatët e saj amerikanë.

          Pas kësaj ekspozeje mund të shtrohen edhe dy pyetje të tjera: a- Përse ishin të brishta vendimet e Konferencave të Ambasadorëve për Shqipërinë? b- Cilat ishin arsyet që vendimi i vitit 1921 ishte relativisht më i qëndrueshëm se vendimi i vitit 1913?.

Brishtësia e vendimeve të Konferencës së vitit 1913 dhe disi më pak e theksuar e konferencës së vitit 1921 lidhet me një sërë faktorësh të cilët janë të sferës së raporteve ndërkombëtare gjatë shekullit XX, por edhe me faktorë të brendshëm shqiptar, pra me gjendjen politike, arsimore, kulturore dhe shkallën e zhvillimit të kombit shqiptar.

       Shkak themelor ishte fakti se vendimi i vitit 1913 krijoi një shtet liliput, të dobët që shtrihej në më pak se gjysmën e territoreve të banuara tërësisht ose me shumicë nga shqiptarët ( 28 000 nga 75-76 000 km2) dhe përmblidhte rreth 1/3 e popullsisë shqiptare  (700 000 nga rreth 2 milionë banorë). Kjo krijoi një disbalancë të panatyrshme me madhësinë dhe potencialet njerëzore, ekonomike, politike dhe ushtarake të shteteve fqinje (Serbisë, Greqisë, e Bullgarisë). Gjithashtu ky vendim preu korridoret ekonomike të komunikimit të trojeve shqiptare me Ballkanin dhe kontinentin evropian, si dhe ndau tregjet natyrale shqiptare të zhvilluara gjatë shekujve nga zonat që mbeten brenda shtetit të ri. Pra, thelbi dhe substanca e vendimit të vitit 1913 ishte shkaku kryesor i dobësisë së shtetit shqiptar, por edhe i brishtësisë së vetë këtij vendimi, i cili do të sfidohej shumë herë në të ardhmen.

Për më tepër, duke qenë një vendim tërësisht i padrejtë dhe në dëm të kombit shqiptar, ai do të sfidohej nga të gjitha anët: Do të sfidohej nga fqinjët agresivë të cilët, duke pasur nën sundimin e tyre popullsi të konsiderueshme shqiptare, u interesonte ta dobësonin dhe kontrollonin sa më shumë shtetin shqiptar, madje edhe ta ri copëtonin e zhduknin atë nga faqja e dheut; Do të sfidohej nga Fuqi të Mëdha, (rasti i Italisë, Francës, Britanisë së Madhe, Rusisë dhe Austro-Hungarisë gjatë Luftës së Parë Botërore dhe rasti i Italisë dhe Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.); Së fundi, do të sfidohej edhe nga vetë shqiptarët, të cilët nuk do të hiqnin dorë kurrë nga e drejta natyrale dhe legjitime për bashkimin e kombit të tyre të copëtuar në dimensione të thella nga më të thellat në Evropë.

      Konferenca e Londrës 1913 u zhvillua në prag të konfliktit të madh botëror dhe të shpërbërjes së “Koncertit Evropian”. Koha provoi se të gjitha palët e konsideruan vendimin e saj të përkohshëm. E. Grey do të deklaronte se ky vendim kishte si synim kryesor të shmangte luftën evropiane. Kështu që, kur ajo filloi, askush nuk u ndje i obliguar ta respektonte më tej atë. Pra, ndonëse pavarësia e Shqipërisë ishte rezultat i një kompromisi të vështirë ndërkombëtar dhe ishte miratuar nga të gjitha Fuqitë Evropiane , ajo do të ishte tepër e brishtë dhe madje fluide.

       Brishtësia e vendimit të vitit 1913 lidhet me ndryshimin drastik të balancës së forcave dhe raporteve ndërkombëtare, pothuajse menjëherë pas marrjes së tij. Shpërthimi i Luftës së Parë Botërore, ndryshimet drastike brenda aleancave të kohës dhe konjunktura e re politike që u krijua në përfundim të Luftës, ishin arsye themelore të minimit dhe asgjësimit të këtij vendimi. Me fillimin e Luftës së Madhe të gjitha palët u ndjenë të çliruara nga respektimi i kompromisit të vështirë që kishin arritur në vitin 1913, madje edhe mbështetësit kryesorë të shtetit të ri, Austro-Hungaria dhe Italia. Për më tepër, Italia ndryshoi anë, duke u bashkuar me Antantën  në vitin 1915, çka hodhi tërësisht  në erë vendimin e vitit 1913, pasi një nga kushtet e aderimit të saj ishte pikërisht zhbërja e shtetit shqiptar.

Përfundimi i Luftës dhe fitorja e Antantës ishte një zhvillim negativ që sfidoi hapur vendimin e vitit 1913. Tashmë nuk ekzistonin dy Blloqet dhe arkitektura  ndërkombëtare e paraluftës, e ndërtuar si rezultat i balancave të fuqisë dhe interesave midis tyre, ishte shkërmoqur. Anulimi apo injorimi i vendimit të vitit 1913 ishte njëra nga shtyllat që do tentohej të rrëzohej. Kjo lidhej me faktin se dy Fuqitë kryesore- Britania e Madhe e veçanërisht Franca, kishin qenë në anën e kundërshtuesve të krijimit të shtetit shqiptar. Për më tepër, Italia që tashmë ishte një fqinj fitues, nuk kishte rival të fuqishëm kundërbalancues në Shqipëri siç kishte qenë më parë Austro-Hungaria, prandaj ajo kishte ndryshuar në mënyrë drastike edhe politikën e saj, duke vënë si objektiv revizionimin fondamental të vendimit të vitit 1913.

Filed Under: Opinion

PAVARËSIA E SHQIPËRISË, VATRA KRENARI KOMBËTARE DHE MBROJTËSE E INTERESIT KOMBËTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS

November 24, 2024 by s p

Dr. Elmi Berisha*/

Më lejoni që përzemërsisht në emrin tim personal dhe të Federatës Panshqiptare VATRA të ju dëshiroj mirëseardhje në këtë ditë të madhe për kombin tonë, ditën e bekuar të flamurit kombëtar dhe shpalljen e pavarësisë së shtetit shqiptar. Urime 112 vjetori, dita e madhe e pavarësisë së Shqipërisë dhe flamurit kombëtar.

Jam shumë krenar që sot në këtë festë të madhe të shqiptarëve që festohet anembanë globit ku frymohet shqip, të ju informoj për angazhimet dhe veprimtarinë e organizatës më të vjetër dhe më prestigjioze shqiptare në Amerikë – VATRA, tani në rrethanat e reja kohore për kombin tonë dhe në zhvillimet e trendeve bashkëkohore politike, socio-ekonomike dhe transformimeve të mëdha shoqërore dhe teknologjike që na imponojnë angazhime dhe koncepte rë reja menaxhimi dhe veprimi por edhe qasje të re dhe proaktive që të jemi në hap me trendet e kohës.

Edhe në këtë vit një nga angazhimet mw serioze të VATRËS ishte çështja e Kosovës në aspekt politik dhe diplomatik në situatën e re politike dhe gjeopolitike në të cilën ndodhet bota, krizat globale dhe impakti i tyre në trevat shqiptare, vecanërisht në Kosovë. Kemi rritur intensitetin dhe angazhimet tona si VATËR në avansimin kualitativ me përfaqësuesit e institucioneve të shtetit amerikan dhe qarqet e tjera me ndikim si ato mediale, publicistike dhe akademike në funksion të avansimit dhe promovimit të vlerave tona kombëtare dhe interesit nacional.

Vizitat që kishim në Shtëpinë e Bardhë, Departamentin e Shtetit dhe takimet me institucionet e sigurisë të shtetit amerikan ishin në këtë funksion. Kam përcjellur mesazhet e bashkpunimit dhe koordinimit te institucionet relevante në Kosovë përfshirë edhe ato të sigurisë gjatë vizitës sime të fundit të vetëm para disa ditëve. Nga kjo ditë e shënuar, dua ta falënderoj ambasadorin tonë në Prishtinë z. Jeffry Hovenier për punën, përkushtimin dhe angazhimin profesional dhe të sinqertë në forcimin e marrëdhënieve SHBA-Kosovë si dhe bashkëpunimin tejet të ngushtë me organizatën tonë. Së bashku me bashkpunëtorët e mij kemi realizuar për këtë kohë të shkurtër vizita të shumta në Shqipëri, Kosovë dhe trojet tjera etnike shqiptare në funksion të afirmimit të interesave të bashkëkombasve tonë.

Kemi vazhduar me intensitet të shtuar angazhimet tona të gjithanshme në afirmimin dhe mbështetjen për të gjitha trojet etnike shqiptare. Kemi zhvilluar takime të rëndësishme me përfaqësues të shtetit amerikan, jemi koordinuar me udhëheqjen e Kosovës në mbështetje të procesit të përmbylljes së dialogut me Serbinë, kam nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës me pajtim të gjitha grupeve politike, jemi në në proces që një memorandum të tillë ta nënshkruajm edhe me Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Gjatë kësaj periudhe kohore kemi pritur në selinë e VATRËS President, Kryeministra, Ministra, Deputet dhe Kryetar Komunash, shkenctar, krijues, klerik dhe njerëz të tjerë më ndikim nga të gjitha trojet etnike shqiptare. VATRA kurrë nuk ka qenë më e vizituar dhe më e frekuentuar nga të gjitha profilet se sa në këto 5 vitet e fundit. Nuk ka ditë që në VATRËN tonë nuk organizohet një aktivitet.

Këtyre angazhimeve, sukseseve dhe afirmimit të vlerave tona kombëtare jo të gjithë ju gëzohen. Ka zëra ndryshe, pengesa dhe obstruksione në angazhimin dhe punën tonë. Unë jam i hapur dhe i gatshëm për mendime dhe ide ndryshe, por jo edhe obstruksione e shantazhe të mentalitetit të vjetër. Por ne nuk do të ndalemi së punuari dhe do të vazhdojmë me vendosmëri misionin tonë. Ne jemi në shekullin 21 dhe do vazhdojmë me punë, reforma, të inkurajojmë brezin e ri dhe të krijojmë hapsirë për ta që të jenë pjesë e veprimtarisë së organizatës sonë. Kjo organizatë e madhe dhe me traditë ka vend për të gjithë shqiptarët, andaj nga ky event festiv i ftoj të rinjtë dhe të rejat të na bashkohen në rrugën e bashkimit, prespektivës, triumfit dhe afirmimin të vlerave dhe interesit tonë nacional.

Me krenari mund të deklaroj se lidershipi aktual i VATRËS është shumë i përkushtuar në angazhimet dhe aktivitetet e ndryshme që organizohen pothuajse çdo ditë në VATËR. Vetëm në këtë vit janë formuar dhjetra degë të organizatës sonë, janë në përfundim pregaditjet për formimin edhe të degëve të tjera, njerëz që kanë vullnet dhe energji pozitive dhe që e duan kombin tonë. Janë gra dhe burra të përkushtuar, me integritet dhe kredibilitet moral dhe profesional si dhe pjestarë të familjeve të shquara dhe me traditë atdhetare, me kontribute të jashtëzakonshme, në trojet etnike dhe vendi i tyre i origjinës. Jam i nderuar të jem në krye të një ekipi të tillë, i falënderoj publikisht të gjithë që ndajnë kohën e çmuar por edhe mjete financiare që VATRA të jetë ajo që duhet të jetë.

Jam i lumtur të deklaroj solemnisht që premtimin tim që VATRA ta ketë një seli të veten dinjitoze që i plotëson të gjitha kriteret dhe nevojat e komunitetit tonë, po bëhët realitet. Nga vizita ime e para disa ditëve në Shqipëri dhe Kosovë, kemi zotimin e parë nga afaristi dhe bamirësi i shquar z. Kadri Morinaj që do i dhuron për këtë projekt të rëndësishëm një milion dollar. Dua ta falënderoj nga zemra në emrin tim dhe të VATRËS publikisht edhe nga ky manifestim madhështor. Jam duke punuar bashkë me ekipin tim, që në pranverën e vitit të ardhshëm, ta fillojmë këtë projekt që do e trashëgojnë breza me radhë të bashkëkombasve tanë në këtë vend të bekuar.

Të nderuar zonja dhe zotërinjë,

Rruga e ime si kryetar dhe i VATRËS si organizatë vetëm se po forcohet çdo ditë e më shumë drejt Vashingtonit, institucioneve të shtetit amerikan në të gjitha instancat. Me knaqësi mund të konkludoj se lidhja e VATRËS me Vahingtonin – Tiranën – Prishtinën – Shkupin – Podgoricën – Preshevën nuk ka qenë kurrë më e fortë dhe më e lidhur në aspektin politik, të bashkëpunimit dhe koordinimit në interes të afirmimit dhe progresit të interesit tonë nacional.

Në shtator të këtij viti kam vizituar edhe trevat etnike në Qamërinë martire. Kam takuar dhjetra motra e vëllëzër të asaj treve, kam bërë një deklaratë publike në emrin e VATRËS dhe zotohem se do e ngris në Kongres dhe Senat të drejtën themelore për qasje në pronë dhe konform kartës së OKB-së dhe Konventave ndërkombëtare për te drejtat elementare njerëzore, VATRA dhe unë do avokojmë fuqishëm për bashkëkombasit tonë në Qamëri që ti gëzojnë të gjitha të drejtat njerëzore dhe qytetare.

Ju zotohem se nuk do të ndalem dhe do të vazhdojmë fuqishëm ta zhvillojmë dhe trasojmë këtë lidhje dhe traditë në interes të prespektivës dhe prosperimit të kombit tonë. Më lejoni që nga kjo ngjarje e vecantë për kombin tonë, ti uroj rizgjedhjen Presidentit Trump, ti dëshirojmë shumë shëndet dhe suksese në realizimin e vizionit të tij për këtë vend të bekuar. Zotohemi se do të punojmë ngushtë me administratën e re të SHBA-ve, me miqtë e shumtë të VATRËS që tani vetëm se janë emeruar në pozita të rëndësishme në funksion të forcimit, avansimit dhe afirmimit të cështjes shqiptare dhe interesit tonë kombëtar.

Urime 112 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë dhe dita e flamurit kombëtar,

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që janë,

Zoti e bekoftë Amerikën,

Ju faleminderit.

* Fjala e kryetarit të Vatrës Dr Elmi Berisha në festën e Flamurit Kombëtar mbajtur në New York më 22 Nëntor 2024.

Filed Under: Opinion

IKONA E “ZËRIT TË AMERIKËS” DR. ELEZ BIBERAJ DHUROI 1 MIJË DOLLARË PËR GAZETËN DIELLI

November 23, 2024 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “VATRA” dhe gazeta “Dielli” shprehin respektin më të thellë, mirënjohjen më të përshpirtshme dhe vlerësimet më të larta për ikonën e gazetarisë shqiptaro-amerikane Dr.Elez Biberaj për dhuratën e tij bujare prej 1 mijë dollarë në mbështetje të gazetës Dielli, gazetës historike të shqiptarëve të Amerikës.

Federata “VATRA” dhe gazeta “Dielli” e falenderojnë Dr. Biberajn për bashkëpunim e shkëlqyer në dekada në të gjitha aktivitetet patriotike, komunitare, konferencat shkencore e simpoziumet, tubimet kulturore e atdhetare. Dr. Elez Biberaj i shërbeu të vërtetës, kombit e komunitetit shqiptar për 43 vite duke qenë zëri më i fuqishëm i çështjes kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e më gjerë.

Mirënjohje për ju Dr. Elez Biberaj, pasuri dhe vlerë tejet e çmuar e kombit dhe komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Opinion

PARADIGMA E GJUHËS SHQIPE NË VEPRËN E MID’HAT FRASHËRIT

November 22, 2024 by s p

Akad. prof. dr. Valter MEMISHA/

Pjesa e parë…

Para 116 vjetësh, më 14 – 22 nëntor 1908, zhvilloi punimet Kongresi i Manastirit, i njohur ndryshe dhe si Kongresi i Abesë apo Kongresi i Alfabetit të Shqipes, një ngjarje që vlerësohet si një nga gurët shënues më të spikatur në udhëtimin historik kombëtar të popullit shqiptar dhe pazgjidhshëm me të, në udhëtimin historik kombëtar të shqipes. Me këtë kongres, me ecurinë e suksesshme të punimeve dhe me vendimet e rëndësishme që ai mori, lidhet drejtpërdrejt emri i Mid’hat Frashërit, i cili u zgjodh njëzëri kryetar i tij nga 32 delegatë me të drejtë vote, që kishin dalë nga një përfaqësi me 50 personalitete nga të gjithë trojet ku flitej shqip e ku luftohej për shqipen e mëvetësimin kombëtar. Ishte vetëm 28 vjeç atëherë, por kishte mbi shpinë një përvojë 12-vjeçare në luftën për realizimin e programit të Rilindjes Kombëtare, në ballë të së cilës ishin identifikuar si figurat më të shquara të saj dy ungjërit e tij, Samiu, Naimi si dhe vetë i ati, Abdyli (Kujtojmë këtu se i ungji i tij, Sami Frashëri, ishte vetëm 29 vjeç, kur u zgjodh kryetar i Shoqërisë së Stambollit, ndryshe i “Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip” dhe që hartoi alfabetin e kësaj shoqërie dhe që i gdhendi vetë shkronjat e këtij alfabeti në plumb.). Veprimtaria e mëvonshme e M. Frashërit, sidomos ajo e periudhës së Paskongresit dhe e viteve të Pavarësisë, ndjek këtë hulli, duke u zbuluar përmes ndihmesave të çmuara në të gjithë jetën kulturore, shoqërore e politike të vendit. Studiuesi Uran Butka shkruan se “Vepra e Mid’hat Frashërit është në përputhje me formimin intelektual, jetën e tij të jashtëzakonshme dhe çështjet madhore të botës shqiptare, ballkanike e më gjerë, ndaj edhe personaliteti e vepra mid’hatiane për nga vlerat, problematikat, shtrirja dhe vizioni janë të përmasave evropiane. Mid’hati jetoi dhe veproi në katër periudha të rëndësishme të historisë së kombit tonë, në atë të Rilindjes, Pavarësisë, Luftës së Dytë Botërore dhe të Pasluftës, duke qenë edhe protagonist, edhe kronikan i tyre.”

MID’HAT FASHËRI U RRIT MES LIBRAVE E NJERËZVE TË DITUR

Mid’hat Fashëri u formua qysh herët. Ai u rrit mes librave e njerëzve të ditur dhe pohon vetë se në moshën 12-13 vjeç kishte mësuar histori e gjeografi me të ndjerin babanë e tij, Abdylin, kishte studiuar stilistikë e poetikë nga Naim Frashëri, se ishte thelluar në gramatikë nën kujdesin e Sami Frashërit dhe se ishte njëkohësisht një autodidakt i jashtëzakonshëm: lexonte, studionte dhe përkthente qysh në fëmijëri, në gjuhët persisht, turqisht, arabisht, greqisht, gjermanisht dhe frëngjisht. Kurse në moshën 17-vjeçare, ai themelon bibliotekën vetjake me emrin Lumo Skëndo (pseudonim që do të përdorej prej tij gati në të gjithë kontributin shkencor e kulturor), “të cilën e pasuroi dhe e rriti çdo ditë të jetës së tij. Librat ishin miqtë e tij, dashuria e tij, gëzimi i tij, pasuria e tij, jeta e tij”. Librat e kësaj, biblioteke, që shkonin në rreth 40.000 vëllime, sot janë pjesë e pasurisë librore të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Gjithnjë, sipas Uran Butkës, Mid’hat Frashëri “hynte në portat e Shqipërisë në prag të shekullit të 20-të: si rilindës, misionar dhe shkencëtar. Mandej, për një gjysmë shekulli, ky shërbestar i Shqipërisë shfaqet dukshëm si veprimtar i pavarësisë, burrë shteti, mendimtar elitar, diplomat, politikan, ekonomist, analist, lëvrues e studiues i gjuhës shqipe, autor tekstesh shkollore, publicist, shkrimtar, historian, gjeograf, sociolog, eseist, përkthyes, kritik, psikolog, edukator, biograf, bibliograf, librar, kronikan, antikuar i botimeve të vjetra shqipe, lider i nacionalizmit shqiptar, apostull i shqiptarizmës, kampion i kulturës shqiptare. Një figurë poliedrike me një prodhimtari të jashtëzakonshme në gjuhën shqipe dhe gjuhë të huaja, në kulturën shqiptare dhe në atë evropiane.”  

MID’HAT FRASHËRI PARADIGMA E GJUHËS SHQIPE

Në kuadrin e një parashtrimi të shkurtër, po ndalemi te një nga komponentet më të rëndësishme të veprës së tij 50-vjeçare, te paradigma e gjuhës shqipe. Theksojmë këtu se, vitet e fundit, studimi i veprës së Mid’hat Frashërit është lehtësuar ndjeshëm. Nga 13 vëllimet e planifikuara për botim më lëndë të përzgjedhur nga vepra dhe ndihmesa e tij e shumëfishtë, janë botuar deri tani (24 tetor 2014, V. M.) 3 vëllimet e para. Janë botuar, gjithashtu, 2 vëllime të revistës “Dituria” (me lëndë nga vitit 1909 -1929), drejtues i së cilës ka qenë ai vetë, si dhe janë botuar katër vëllime të “Kalendarit kombiar”, revistë të cilën e themeloi dhe e drejtoi K. Luarasi e K. Trebicka dhe në të cilën Mid’hat Frashëri botoi shumë shkrime. Lëndë të bollshme nga ndihmesa e këtij personaliteti sjellin edhe 11 vëllime të revistës “Albania” të F. Konicës (botuar kohët e fundit), bashkëpunëtor i së cilës ai qe (në këtë revistë, në moshën 17-vjecare ai boton artikullin e parë “Fe ç’është, komb ç’është?”). Po kështu, mundësitë e kontakteve të tjera me produktin e shkruar mid’hadian (fjala vjen, me materialet në Arkivin Qendror të Shtetit apo me ato në fondin ruajtës të Bibliotekës Kombëtare) sot janë shumë të mëdha. Studiuesi Xh. Lloshi, në ditën e promovimit të dy vëllimeve të revistës “Dituria” shkruan, me të drejtë se “Na është lehtësuar ndjeshëm puna jonë, mund të japim më shumë duke kursyer kohë të çmueshme, na është krijuar mundësia për ta rrokur menjëherë në pamje të plotë një degë të rrjedhës së kulturës sonë dhe jo vetëm t’i kemi edhe më të dokumentuara kërkimet tona, por po ta thosha me fjalë të tjera, na është pakësuar padituria jonë për trashëgiminë e së kaluarës. Për dobinë e veçantë të këtyre ribotimeve të përmbledhura, dëshiroj të vë në dukje, se ato na mundësojnë edhe të bëjmë gjetje të reja.” Kjo shumësi burimesh referimi e kontaktimi bën që Mid’had Frashëri, tashmë, të shihet në plotërinë e vlerave dhe të kapërcehet ajo gjendje, për të cilën studiuesi Emil Lafe thekson se “Për shkak të biografisë së tij politike në vitet e Luftës II Botërore dhe të vështirësisë së gjetjes së shkrimeve të tij, Lumo Skëndoja është përmendur e vlerësuar pak (kryesisht si kryetar i Kongresit të Manastirit, 1908).” Paradigma e gjuhës shqipe është përbërës organik i veprës së Mid’hat Frashërit. Duke iu referuar botimit të Palok Daka, Bibliografi retrospektive e gjuhësisë dhe onomastikës shqiptare 1879–1944. I, II, III (1879–1921). Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë, 1984, 926 f., vërejmë se aty përmenden 35 artikuj të M. Frashërit të shkruar në një periudhë prej 41 vjetësh (1897–1938) që lidhen drejtpërdrejt me gjuhën shqipe, si dhe 8 artikuj ku përmendet vepra e veprimtaria gjuhësore e tij.” 

MID’HAD FRASHËRI E SHEH GJUHËN SHQIPE PARËSORE PËR EKZSITENCËN E KOMBIT SHQIPTAR

Në këta artikuj trajtohen çështje të ndryshme teorike e praktike të gjuhës amtare apo për gjuhën amtare: 1. Mid’had Frashëri e sheh gjuhën shqipe parësore për ekzsitencën e kombit shqiptar, si tipar themelor të tij. Në moshën 19-vjeçare, në artikullin “Po humbasim”, botuar në Kalendarin kombiar, shkruan se “Të rrojturit e njeriut s’është vetëm me të ngrënë e me të pirë, si e kafshëve; një komb nuk rron si një kope dhensh! Duhet që njerëzia të ketë bashkim, vetëdijë që është një komb, të ketë gjuhën, me një fjalë, që çdo njeri i një kombi, të thotë: jam një copëz nga kombi im! Të gjithë duam dhe dëshirojmë një gjë: të shkojmë vëllazërisht në mes tonë, të jemi gati të vdesim për mëmëdhenë, të përpiqemi për mbrothësitë e mëmëdhetarëve dhe të gjuhës sonë.”  

2. Atë e shqetëson qëndrimi i shumë shqiptarëve në Turqi, të cilët kanë harruar gjuhën e nënës, gjuhën e të parëve, shqipen. Dhe pasi analizon gjendjen e vendit (të Shqipërisë) në fund të shekullit XIX po në këtë artikull (Po humbasim), shkruan se “Tani të shohim qysh jemi buzë rripës dhe po humbasim. Një komb duhet të ketë gjuhën e të jetë i qytetëruar, se ashtu si egërsisë dhe pa qytetari e dituri, nuk rron dot për shumë kohë. Gjuhën po e humbasim: më çdo vend të Turqisë e të fqinjëve tanë gjejmë me mijëra njerëz, që janë shqiptarë, po s’dinë gjuhën e mëmëdheut. Në tufë shqiptarët dalin jashtë mëmëdheut, martohen në vende të huaja dhe djemtë e tyre, sado që të rrojnë, zihen të vdekur për Shqipërinë! Të mendohemi, pra, a është pun’e mirë kjo që bëjmë? Është punë e pëlqyer të kemi djem, që të mos dinë gjuhën dhe kështu të humbasin vetijat e kombit tonë? Duke vajtur kështu, do të vijë një dit’ e zezë që të harrojmë fare këtë gjuhë të bukur dhe të mos quhemi më shqiptarë; do të humbasim si komb, sado që të jemi të gjallë si njerëz.”

3. M. Frashëri e vlerëson lart “Shoqërinë e Stambollit”, e quajtur ndryshe “Shoqëria e të Shtypurë Shkronja Shqip”, e cila u kthye në institucion kombëtar për të ardhmen e shqipes, për shkrimin e saj me një alfabet të vetëm e në përputhje me veçoritë e saj fonetike e fonologjike. Ai shkruan për misionin e rolin e kësaj shoqërie, krijuar një vit pas Lidhjes Shqipatre të Prizrenit: “Tek bëheshin mbledhjet në Shqipëri dhe Lidhj’ e Prizrendit, më 1879 u bë dhe një shoqëri në Stamboll. Kjo shoqëri e vogëlë, kryesuar prej Sami Frashërit, vëllaj m’i vogël i Naimit, dhe këshillonjët e së cilës’ ishin: Vasa Pasha, Jan Vretua etj., u krijua për të hedhur themelet e mësimit të gjuhës’ sënë, dhe për të gjetur një palë shkronja me të cilat të shkruhet lehtë gjuha shqip.”

MID’HAD FRASHËRI DHE SHKRIMI I SHQIPES

M. Frashëri thekson se shkrimi i shqipes në mesin e dytë të shekullit XIX, nuk ishte nevojë, ishte domosdoshmëri. Nga artikulli “Shoqëria e Stambollit” po shkëputim pjesën hyrëse të Kanonizmës (Kanonizmë e Shoqërisë së të shtypurë shkronja shqip) ku, ndër të tjera thuhet se “xhdo komp, që nukë ka shkruarë gjuhën e vet, edhe s’ka shkronja ndë gjuhët të vet, është ndë të errët dhe barbar. Edhe Shqipëtarët, tue me mos shkruarë gjuhën e tyre, dhe tue mos pasurë shkronja ndë gjuhët të tyre, kështu gjendenë; edhe pandohma e shpresa këtu e tri mijë vjet më parë (sa që mund të ngjitet istoria) që të ndritoheshinë dhe qytetëroneshinë me gjuhët të fqinjet e të huajve, u dëftye e kotë, edhe trimëria e të miratë, që kanë derdhurë gjer mbë sot, fëqinjet e të huajet u kanë vëjejturë, edhe për ata vetë ka vaturë dëm. Andaj ata që mendohenë dhe shohënë këtë të madhe të keqe dhe të madhe nevojë të shkruanjënë gjuhënë edhe të kenë shkronja e të këndonjënë ndë gjuhët të tyre. E kështu bënetë shoqëri Shqypëtarësh për të shtypurë shkronja ndë gjuhët shqip, edhe quhetë: Shoqëri e të Shtypurë Shkronja Shqip.”

Produkti dhe veprimtaria e kësaj shoqërie ka qenë me rëndësi të jashtëzakonshme, sepse jo vetëm bëri zgjidhje me vlerë të pamatë për shkrimin e shqipes, por ka një peshë e rol shumë të madh në vetë organizmin e vetë lëvizjes së Rilindjes Kombëtare Shqipatre. Sipas M. Frashërit në artikullin Naim be Frashëri, Jetëshkrim, “Shoqëri e Stambollit zgjodhi një palë shkronja dhe n’atë mot shtypi kanonizmën e saj dhe nj’abetare (Allfabetare e gjuhës shqip, Kostandinopojë 1879, ndë shkronjështypjet të A. Zelicit). Kjo allfabetare, që ka 136 faqe, nga të cilatë vetëm 10 për stërvitje t’abecesë dhe të tjeratë këndonjëtore, është bashkëpunuar prej: I. Vreto, Sh. Sami Frashëri, Pashko Vasa Shkodrani, dhe Koto Hoxhi Qestorati. Këtë abetare nuk mënojmë ta quajmë “e para abetare shqip”, se vërtet është çap i parë q’është hedhur për të shkruar’ e të kënduar gjuhën shqip, dhe për të bërë këtë gjuhë një veglë të gjallë si gjithë të tjerat; veç kësaj, shkronjësit janë përpjekur të shkrojnë në gjuhë fjeshtë shqip, pa përzjerë fjalë të huaja.”

M. Frashëri tregon vështirësitë që haste përhapja e abetares së Shoqërisë së Stambollit. Mjafton të citojmë një pjesë nga artikull Naim be Frashëri, Jetëshkrim, për të parë qëndrimin kontradiktor të vetë sulltanit ndaj kësaj abatereje (Kujtojmë se në të gjithë Perandorinë Otomane, vetëm shqipja ishte ndaluar me ferman sulltanr që të shkruhej.): “N’ata vite qeverija tyrke akoma s’kish thonj të mëdhenj dhe mledhj’ e shoqërisë bëhesh pa nonjë rrezik si dhe të shtypurit e abetaresë. Le mos harrojmë dhe këtë se, një cop abetare lidhur e arosur bukur, j’u dha Sulltanit me anë të një pushkëtari (silahshori) shqiptar. Sulltani pyeti pushkëtarin në dinte t’i këndonte ato shkronja, dhe mbi përgjigjen vërtetonjëse të këti, Për një javë, tha mbreti, të shohim kush e ka për të kënduar më mirë, ti a unë! Shqiptarët u gëzuan tepër kur mësuanë këto fjalë, me të cilat Sulltani rrëfente dashuri për mësimin e gjuhësë shqip. Por pa shkuar shumë ditë mësuan se, ay vetë Sulltan që kish thën’ ato fjalë mjaltore, paskish dhën’ urdhër në postat e në gjymrykët që të mos lenë të shkojë as një libër shqip, po t’i zënë! Gjithënjë kështu është politik’ e Tyrkut.”

Madje jo rrallë M. Frashëri përmend gjendjen e shqipes në kohën e Turqisë. Ai shkruan se “Na ish ndaluar dhe ushqimi i mendjes. Gjuha shqip ish jasak! Pse? Se kështu u donte qejfi! S’na linin të këndonim shqip, s’na linin të shkruanim shqip, s’na linin shkolla shqip! Ai që kish një libër shqip, e fshihte në vrima dhe dridhej se mos ia zinin e ta hidhnin në burg. E shoqja s’guxonte t’i shkruante kartë shqip burrit, se trembej nga valiu a nga mytesarifi. Nja dy shkolla të gjora që mezi i kishim, na i kishin mbyllur dhe mësonjësit na i kishin hedhur në burg! Ky ndalim i gjuhës ish një robëri, një robëri e zezë, që s’është parë kurrë gjetkë. Gjithë këto të këqija dhe shumë të tjera, ngjanin se njerëzit s’ishin të zotë që të mbronin të drejtat e tyre; edhe kështu njerëzia rronte në robëri, në një robëri, q’e pushton njeriun dhe e turpëron.”

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 67
  • 68
  • 69
  • 70
  • 71
  • …
  • 864
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit
  • MËKATET E ZONJËS EMA
  • GAZETA “DIELLI” SYRI I DRITËS SË SHTYPIT SHQIPTAR NE AMERIKË
  • Banda “Vatra” në kontekstin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe ndërtimit të identitetit kombëtar shqiptar
  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT