• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një e rënë me shumë goditje

December 6, 2014 by dgreca

Nga Gani QARRI/Zyrih/

Loja e saj u tregua mjeshtërore, ajo do ta nxjerrë atë edhe një herë fituese mbi të tjerët, ani-pse asgjë nuk është më si më parë dhe as si do duhej të ishte në këtë vend. Madje më kot për të satën herë, të gjithë votuesit e devotshëm që për shumë kohë besuan në premtimet e pa mbajtura të liderëve “mrekulli-bërës“, ndjehen thellësisht të dëshpëruar nga të zgjedhurit e tyre lajkatar.
Dëshpërimi i tyre, do të vazhdoj si deri më tani,pasi që asnjëra nga ofertat e cilitdo politikan nuk u realizua dhe ato as për së afërmi nuk u plotësuan ashtu si ata përbetoheshin dhe shpresohej gjatë.
Me gjithë pompozitetin e propagandimit galopant, nuk ka fjalë që u mbajt në plotëni dhe gjithmonë ndodhi e kundërta nga sa u tha dhe trumbetua për vite me radhë.
Përkundër të gjithave, udhëheqësit e djallëzuar të rrethuar nga garda e matrapazëve të vjetër, të vetëquajtur “menaxher të rinj”, si trupë e sprovuar e manipuluesve politik- janë përgatitur herët dhe kujdesur që me kohë, për ta bërë veten dhe partinë ku gravitojnë, lojtar të pa përjashtueshëm nga proceset zgjedhore dhe pazaret politike të cilat pa ndërprerë torturojnë opinionin me stërzgjatjen e tyre, tash e sa muaj.
Madje, edhe pse më në fund u tha e shkrua se gjoja negociatat për krijimin e qeverisë filluan dhe kinse ato ende vazhdojnë, aksioni i lojtarit kryesor politik nuk nisi që vërtetë të arrihet ndonjë zgjidhje e njëmendët, por për të lodhur kundërshtarët dhe shkatërruar parti e koalicione, të cilat pas trazimeve të sapo-ndodhura, edhe në raste e situata të tjera, vështirë se mund të arrijnë ujdi dhe njësohen edhe një herë si më parë.
PDK, përkundër asaj se ende bënë sikur negocion “seriozisht” me LDK-n, falë ndërskamceve të Ismet Beqirit e Lutfi Hazirit dhe ndihmës direke të klanit Hamiti, përfaqësuesi i të cilëve në minutat e fundit kur padroni i tyre dha shenja se po humbte durimin dhe shpresat e mbetjes në pushtet, u kujdes të qonte “selam” bukur të sertë nga një metropol evropianë, ajo arriti dy-tri qëllimet e saj më të mëdha, të cilat gjatë kohë mund ti ketë ëndërruar, të zhvilloheshin kështu, siç ndodhi përfundimisht-tani:
1.Shkatërroi koalicionin pas-zgjedhor të njohur si “VLAN”, kthyer në barrikadën e parë serioze dhe pengesën më të madhe të deritanishme për ardhjen e PDK-s, në pushtet, grupim i cili në fillim linte përshtypjen se vërtetë ishte unik dhe i vendosur në qëllimin që i kishte vënë vetes, për të “siguruar” më në fund, “ndryshimet” në vend.
Përfaqësuesit e partive në “VLAN-ë”, më kot betoheshin çdo ditë se koalicioni i tyre ishte i fortë e i pa thyeshëm dhe se ashtu do të qëndronte deri në fund, për tu qarë vetëm pakë kohë -pas aksioneve “tragjike” të aktorëve hamletian, ups-pardo, operacioneve tragjikomike të doktorëve-hamitian, të cilët vërtetuan edhe me këtë rast, sa intrigant e përqarës të rafinuar brenda-partiak, kanë mbetur si çdo herë.
Thonë se “selamxhia” nga Evropa edhe më herët e paska folur “rrjedhshëm” anglishten e përvetësuar nga kurset e përkthimit në QIK, gjatë viteve të 90-ta, apo ai dhe një “sulltan”-hamit tjetër, qenkan stolisur edhe me tituj (plagjiat) shkencorë, notat e të cilëve sado që nuk flasin mirë as me nderim për asnjërin, lanë të kuptohet se soji i tyre janë specialist të vërtetë të ndarje-përçarjeve brenda dhe ndër partiake.
Bile ata kryen me aq përpikëri pjesën e detyrës që kishin marrë mbi vete, sa që si pyka më e fort dhe ende e pathyeshme brenda LDK-s, i bënë gropën e përmbysjes së tërësishme partisë, në emër të së cilës veprojnë hapur kundër saj dhe përçanë me sukses e në mënyrë të pariparueshme koalicionin e lartcekur, i cili pas këtij rasti, në asnjë mënyrë nuk mund të bashkohet më si herën e parë.
2.PDK,me ndihmën dhe besnikërinë e personazheve hamletiane brenda LDK-s, dhe instruksionet me zell e profesionalitet sigurimsash që i ofroi klanit i cili i shërben asaj, arriti Qëllimin më të madh, që më në fund ta sjellë buzë greminës dhe qoi para shkatërrimit përfundimtar konkurrenten e saj më të fuqishme në fushën politike, të paktën sa i përket numrit të votave që ajo me gjithë problemet e vazhdueshme përbrenda, deri më tani mori nëpër zgjedhjet vendore.
Ndaj, sido që të zhvillohen ngjarjet, LDK assesi nuk do të dal e pa-lagur thellë nga kjo aventurë, me të cilën PDK, falë punës së klanit të saj besnik aty, përveç tjerash arriti që ta bëjë atë qesharake para të tjerëve, jo-serioze për dialog dhe të pabesueshme për lidhje koalicionesh me partitë konkurruese edhe në të ardhmen.
3.Si rrjedhojë PDK- do të tentoj zgjedhje të reja, kurse loja e krejt këtij plani të mirë-studiuar, si shprehja e gatishmërisë për bisedime nga ana e PDK-s, nuk ishte dhe as nuk është assesi edhe bindje e njëmendët për zgjidhjen e “ngërqit” në formën siç ajo deklaron, ani pse përmes joshjes për “bashkëqeverisje” me cilën do parti duke favorizuar LDK-n,nga VLAN, arriti qëllimin kryesor mometal duke prish përfundimisht dhe në mënyrë të pariparueshme, unitetin ndërmjet koalicionit paszgjedhor.
Përveç kësaj PDK, futi përçarjen më të madhe të kohëve të fundit brenda vet LDK-s, si konkurrenten kryesore politike, dhe tani do të nxjerrë kushte të papranueshme edhe ndaj saj, për të pamundësuar një koalicion qeveritar me kryeministër nga radhët e LDK-s.
E kështu, përfundimisht ajo e çliruar nga shumë barrë, si fitimtare e pa-diskutueshme,do të shkoj në zgjedhje të reja, me kundërshtar tanimë jo vetëm të pa-bashkuar, por edhe të ndarë e të përçarë, si koalicion dhe parti, në mënyrë që kësaj radhe PDK ti fitoi zgjedhjet edhe më bindshëm dhe me numër edhe më të madh të votave, sidomos nga votuesit e frustëruar të LDK-s, e ndoshta edhe të partive tjera, për të vazhduar- vet, kryesimin dhe udhëheqjen qeveritare me partner të dëgjueshëm dhe të gatshëm që tu nënshtrohen si deri më tani, plotësisht dëshirave të saj.

Gani Qarri Cyrih, 6 Dhjetor 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: me shumë goditje, Një e rënë

TË MERREMI EDHE ME HISTORINË, POR MË SHUMË ME AKTUALITETIN

December 6, 2014 by dgreca

NGA HASAN KOSTRECI/
Ja edhe festat e Nëntorit, së fundi kaluan dhe bashkë me to edhe debatet e nxehta që herë pas here u zhvilluan nëpër studio, ku më i angazhuar ka qënë kanali televiziv “Shqip”me drejtuesen e tij zonjën R. Xhunga, e cila diskutimet rreth tyre, e sidomos për 29 Nëntorin, e filloi nga “Bujani” i Tropojës dhe doli në jugë të Shqipërisë në Gjirokastër dhe për çudi, tek shtëpia e diktatorit Enver Hoxha, e cila, siç doli edhe nga diskutantët, nuk paskësh qënë as origjinalja, por e ndërtuar dhe bërë e re gjatë viteve të diktaturës. Megjithatë, në ato e të tjera takime u fol me objektivitet, përjashtuar ndonjë historiani fanatik, i cili nuk kishte kurajo të mohojë e të hedhë poshtë atë ç’ka ka thënë e shkruar për dyzet e ca vjet, por u pranua dhe ranë dakord, se deri në vitin dyzet e tre dhe pikërisht deri në “Mbledhjen e Mukjes”, ballistë, komunistë e legalistë qenë të gjithë sëbashku dhe qëllimi i tyre i vetëm ishte që të përzinin okupatorin nga vëndi, por vendimet që aty u morën, ranë ndesh me interesat e jugosllavëve, prandaj dhe ai takim historik, për fat të keq, dështoi dhe midis shqiptarëve paskëtaj nisi ajo luftë civile, e cila me ardhjen e komunistëve dhe diktaturës së Enver Hoxhës në pushtet, u kthye në “Luftë Klasash”.
Pati nga një pjesë pretendime për ta festuar këtë datë ashtu si dikur, por kjo do ishte absurde, prandaj edhe ndërhyrja e ambasadorit amerikan, zotit Arvizu, kur gjatë ceremonisë në kujtim të çlirimit të Tiranës, fotografitë e diktatorit nisën të qarkullojnë, qe më se e nevojshme dhe duke e quajtur figurën e tij një monstër, që i shkaktoi Shqipërisë dhe shqiptarëve, fatkeqësi të mëdha, nxiti, për çudi, reagimin e të birit të tij, Ilir Hoxhës, i cili në vënd që me këtë rast, të distancohej nga krimet e të atit dhe ta dënonte, përkundrazi, i doli në mbrojtje dhe me këtë gjest, njollosi edhe më shumë veten dhe familjen e tij, por edhe i bindi njëkohësisht shqiptarët, se genie të këtij lloji, mbeten përherë njësoj dhe janë të pandreqëshem.
Kontribut në ato ditë debatesh dhe diskutimesh, për mendimin tim, dha edhe dëshmia disa herë, e zotit R. Perllaku, i cili e quajti Enverin një diktator, vrasës dhe anti shshqiptar, ndërsa sistemin që ai ndërtoi, një fatkeqësi, sepse u nis me triska dhe përfundoi me tollona dhe kur e thotë këtë një idealist dhe komunist i orëve të para, bëhet sigurisht dhe më i besueshëm nga ato që thotë i biri i tij, Ilir Hoxha, i cili ndofta mban mënd dhe ka nostalgji për kënaqësitë dhe të mirat materiale që i vinin nga i ati, por nuk di apo s’do që të dijë edhe për krimet që ai ka bërë ndaj shqiptarëve dhe popullit të vet, por është njëkohësish absurde të mendosh, se a mundet një deklaratë të tillë ta bëjë edhe një gjerman për Hitlerin apo një italian për Musolinin. Sigurisht që jo, por në Shqipëri çdo kush mund të bëjë apo të thotë ç’të dojë; Mund të përgënjeshtrojë ngjarje apo histori sipas dëshirës; Të quajë tradhëtarin hero, e anasjelltas dhe kjo, sepse edhe demokracia tek ne, ashtu siç kishim komunizmin, është tjetër lloj.
Ka patur gjatë atyre ditëve edhe ndonjë batutë, si pyetja , përshëmbull që z, P. Xhufi i bëri në studio bashkëbiseduesit të tij, se pse edhe në formacionet balliste, nuk kishte vajza, apo rrëfenja me dy të dehur e z. P. Majko, njëri më sa mbaj mënd, ishte shkrimtari
D. Agolli, i cili e pyeti tjetrin, se pse nuk ka gjithashtu edhe ndonjë këngë për “Ballin”, por nuk u muar edhe aq mirë vesh, në se këto u thanë për të të qeshur, apo e kishin seriozisht, megjithatë në ato ditë folën jo vetëm historianë, por edhe persona të thjeshtë, të cilët e njihnin realitetin dhe dinin gjithashtu, se ç’ndodhi në atë luftë, por, siç thamë, festat tashmë kaluan dhe të merremi pak edhe me aktualitetin.
Para pak ditësh tek “Opinioni” u diskutua reth hapjes së dosjeve, nëqoftëse do realizohet, dhe sipas informacionit që aty u dha, secili paskëtaj do ketë mundësi, që të shkojë e ta marë atë vetë ( ndofta edhe mund të paguajë), por kjo duket pak qesharake, sepse vlerë ky veprim do kishte, nëqoftëse bashkëpuntorët e asaj periudhe të sigurimit, të dilnin e të shiheshin nga të gjithë në gazetë, ndërsa deklarata e zoti Klosi, të nesërmen e asaj dite, se më shumë me dosje janë nga të persekutuarit, nuk e besoj, por edhe sikur, “Lufta e Klasave”gjatë atyre dyzet e pesë vjetëve, s’u bë për të apo ndaj kolegëve të tij, që ishin sekretara partie, oficera sigurimi, ushtarakë të lartë, ministra e të tjerë, sepse këta dihej që ishin të rekrutua qysh në fillimr nga ai regjim dhe njëkohësisht i shërbyen , prandaj dhe kanë ende nostalgji, po u bë pikërisht ndaj kësaj shtrese, e cila e vuajti me burgje, internime dhe persekutim të gjatë.
Kemi gati një çerek shekulli, që në realitet as kapitalizëm nuk po mundemi dot të ndërtojmë, por as dhe demokraci dhe kjo, siç shihet, ndodh, sepse si politika, ashtu dhe intelektualizmi apo biznesi, përfaqësohen nga të tillë persona që o janë pjesë e ish diktaturës ose pasardhës tyre, por nga që populli thotë se rrallë ndodh që edhe nga ferra mund të dalë ndonjë trëndafil, të le të kuptosh se shumica e atyre që shërbejnë sot nëpër këto institucione, kanë të trashëguar të njëjtin mentalitet.
Thyerja e dyerve të ambasadave njëzet e katër vjet më parë, bota nuk na e quajti huliganizëm, por një shpërthim ndaj diktaturës; Kacavirrjen gjithashtu e mijra të rinjëve, gra, pleq e fëmijë nëpër litarë e anijeve për t’u larguar, sigurisht jo vandalizëm, ndërsa vrasjet, grabitjet ordinere në dyqan apo në rrugë, që janë duke ndodhur sot, apo vjedhja e bankës dhe e thesarit të shtetit, janë vërtet skandaloze, që nuk na e justifikon kush dhe këro të bëjnë të mendosh se o ne si shoqëri jemi prishur keq dhe nuk ka sy për t’u ndrequr, o qeveritë që ikin e vinë nuk janë në binarë dhe duhet që të kthjellohen
Jemi në muajin Dhjetor të vitit 2014, që na kujton Dhjetorin e nëntëdhjetës, ku me rrëzimin e diktaturën, optimizmi dhe shpresat e shqiptarëve për t’u bërë si Europa, qenë shumë të mëdha, po a u realizuan ato, apo mbetën dhe vazhdon që të mbetën ende ëndëra.

Filed Under: Opinion Tagged With: EDHE ME HISTORINË, Hasan Kostreci, ME AKTUALITETIN, POR MË SHUMË, TË MERREMI

NJË SHQIPTARO-AMERIKAN PËR GUVERNATOR TË BANKËS SË SHQIPËRISË?

December 6, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Media të ndryshme në Shqipëri njoftojnë se pas disa këshillimeve midis Presidentit të Republikës , Z. Bujar Nishani dhe Kryeministrit të vendit, Z. Edi Rama dhe pas shqyrtimit të një numri kandidatësh të mundëshëm për postin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, thuhet se Presidenti i Republikës është duke marrë në konsiderim për këtë post të rëndëishëm tre kandidatë, njëri prej tyre, Nick Markola, një bankier me përvojë shumëvjeçare, i cili shërben si Drejtor Menaxher dhe Drejtor i Kërkimeve i bankës “Fieldpoint Private Bank& Trust” në Greenwich,” në shtetin Connneticut të SHBA.Zoti Markola, përveç shtetësisë amerikane mban edhe shtetsinë shqiptare, që është një ndër kushtet kyçe për detyrën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Ai ka një curriculum vitae me një përvojë të pasur. Në detyrën e tanishme si bankier ku menaxhon disa miliarda dollarë, Nick Markola shërben si Drejtor Menaxher dhe Drejtor i Degës së Kërkimeve për një bankë e cila është themeluar nga mbi 30 persona, ndër më të njohurit në botën amerikane të biznesit dhe të financave dhe njëkohësisht shërben edhe si Kryetar i Komisionit që merret me investimet. Markola, megjithse në moshë të re, ka bërë një karjerë në Amerikë për t’ia pasur lakmi në fushën bankare, të investimeve dhe të financave, me një përqëndrim në fushën ndërkombëtare të investimeve, në një numër sektorësh ekonomik dhe në rajone të ndryshme të botës me ekonomi në zhvillim e sipër.
Sipas portalit Linkedin, ndër detyrat e tjera me rëndësi gjatë karjerës së tij deri tani, Markola ka shërbyer si ekzekutiv i bankës “Thomas Weisel Partners”, me zyra në New York dhe në San Francisco. Nga viti 2005 -2006, Nick Markola ishte ekzekutiv i lartë me firmën për investime “PGA Fund of Hedge Funds” në New York, ndërsa përpara asaj, ai ka shërbyer si ekzekutiv i bankës së famshme “Citigroup”, një nga bankat më të madhe në Shtetet e Bashkuara dhe në botë, me filiale bankare e financiare në më shumë se 100-shtete të botës. Para Citigroup, ai ishte bankier në detyrën e Zëvëndës Presidentit me Bank of America, gjithashtu një nga bankat më të mëdha në botë. Përvoja e tij bankaro-financiare mbrenda një periudhe të shkurtër, shtrihet edhe në fushën e investimeve shumë të suksesshme të pasurive të paluajtshme.
Është kjo një përvojë jashtzakonisht e pasur për një shqiptaro-amerikan me origjinë nga trojet shqiptare autoktone të rrethi të Ulqinit, i cili para se të futej në botën e financave dhe të investimeve, i riu Nick Markola u përgatit në bankat e shkollës, duke ndjekur studime universitare dhe pasuniversitare, në disa universiteteamerikane ku siguroi me “Suma Cum Laude” tri diploma. Ai u diplomua me ddiplomë BS në Accounting (kontabilitet) nga Herbert H. Lehman College në New York. Pastaj markola arriti të bëhet magjistër i dyfishtë pasi që mbrojti dy magjistratura në shkollën e biznesit Leonard N. Stern School of Business të universitetit të njohur New York University në New York. Diploma e pare e magjistrit ishte MBA in Finance (magjistër i administrimit të biznesit dhe financave) dhe diploma e dytë e magjistrit ishte MS in Financial Engineering(magjistër shkencash inxhinier financiar). Markola pstaj u specializua në fushën bankaro-financiare dhe në degën e investimeve duke arritur titullin CIMA (analist i certifikuar për menaxhim kapitali) nepërmjet IMCA dhe University of Pennsylvania Wharton School of Business, në Philadelphia.

I sukseshëm në fushën e tij të zgjedhur profesionale, Nick Markola është nderuar me një numër urdhërash dhe dekorimesh dhe si ekspert i njohur në qarqet ku punon, ai ftohet shpesh si analist për të komentuar mbi çështjet ekonomike dhe financiare në mediat më të njohura të biznesit në Amerikë dhe në botë, siç janë Fox Business News, Bloomberg News, dhe shumë rrjetë të tjera botërore. Ai është gjithashtu edhe autor i shumë artikujve mbi subjektin e financave dhe të fushës bankare, ndërkohë që ai gjenë kohë të shërbejë edhe në një numër drejtorishë (boards) të firmave të mëdha amerikane fitimprurëse si dhe të kompanive jo fitimprurëse.
Ndonëse është shumë i nxënë me profesionin e tij në analet e botës bankare dhe financiare me një konkurrencë të nivelit shumë të lartë, Nick Markola prap se prap, disi gjenë kohë që madje të angazhohet edhe në veprimtaritë e shumta të komunitetit shqiptaro-amerikan. Në të vërtetë, ai është një aktivist i dalluar i brezit të ri të komunitetit shqiptaro-amerikan. Markola është Bashkthemelues, ish-Kryetar dhe tani Zëvëndës President i grupit APEN, që është një “Rrjetë i Profesionisteve dhe Biznismenëve të rinjë Shqiptarë në Amerikë”. Markola gjithashtu është anëtar i bordit të projektit të shqiptaro-amerikanëve më të sukseshëm, “Albanian American Success Stories” dhe ka shërbyer në drejtoritë e organizatave më të vjetra shqiptaro-amerikane, siç janë Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan dhe organizata pan-shqiptare Vatra.
Më duhet të rrëfej kënaqësinë time kur e lexova lajmin në median shqiptare se në listën përfundimtare që Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani po konsideron për Guvernatorin e ri të Bankës Shqiptare, ishte edhe emëri i një shqiptaro-amerikani. Pikëspari më erdhi mirë për ketë lajm sepse me sa kam unë njohuri, kjo është hera e parë që një shqiptaro-amerikan me përvojë të lartë perëndimore si Nick Markola, po konsiderohet për një detyrë të lartë shtetërore ose qeveritare në Shqipëri, siç është institucioni i Bankës Shtetërore të Shqipërisë. Së dyti, më erdhi mirë se një djal i ri, shqiptaro-amerikan, i cili ka bërë emër si ekspert në fushën e tij këtu në Shtetet e Bashkuara, ku atij i është dashur të konkurojë për pozitat e tija, me më të mirët e Amerikës dhe të botës mund të thuhet – është gati të ofrojë përvojën e tij të konsiderueshme në këtë fushë dhe të japë kontributin e vet për Shqipërinë.
Sipas burimeve të medias, Presidenti i Republikës do të dekretojë brenda disa ditësh kandidatin e preferuar prej tij dhe pastaj ta dergoj tek Kuvendi i Shqipërisë, me shumicë dërmuese, i cili gjithashtu duhet të japë miratimin e tij. Nëse Presidenti Nishani do të dekretoj Nick Markolën për Guvernator të Bankës së Shqipërisë ose jo, kjo natyrisht është e drejtë dhe privilegj i tij si ekzekutivi i shtetit shqiptar. Për mua ka rëndësi fakti që Nick Markola, një shqiptar nga diaspora — e për më tepër një shqiptaro-amerikan — është në listën përfundimtare të tre kandidatëve që po shqyrtohen për tu dekretuar për Guvernator të Bankës Shqiptare. Unë e shikoj këtë rast si historik, pasi mos u gabofsha është e para kandidaturë nga jashtë për një post në një institucion të lartë shtetëror, siç është Banka e Shqipërisë. Për këtë fakt, komuniteti shqiptaro-amerikan ndihet i nderuar dhe jam i sigurt se vet Nick Markola e ndjenë veten të nderuar dhe të privilegjuar për mundësinë që i është dhënë për të paraqitur kandidaturën e tij për këtë post të këtij institucioni shtetëror, që mundësisht të ndajë përvojën e tij të konsiderueshme bankaro-financiare të Amerikës me bashkatdhetarët e tij duke dhënë një kontribut të rëndësishëm drejtë zhvillimit të Atdheut të parëve të vet.

Filed Under: Opinion Tagged With: BANKËS SË SHQIPËRISË?, Frank shkreli, NJË SHQIPTARO-AMERIKAN, PËR GUVERNATOR TË

SA AKTUALE !!.. MBAS 101 VJETËSH…

December 5, 2014 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/
Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…/
Ditë e bukur e festës sonë kombëtare, vajzat veshun Kuq e Zi…/
(Foto:Tetove, 28 nentor 2014)/
●Atdhetari Mark Kakarriqi, një bashkpuntor i Luigj Gurakuqit dhe Ismail Qemalit, per ngritjen e Flamurit kombtar në Vlonë, me 28 Nandor 1912, edhe ky i “harruem”…
Në vitin 1913 ishte aksioner në Vienë. Një gazetar e pyeti për luftën e shkodranëve në mbrojtjen e qytetit të Shkodres, të rrethuem nga malazezët: Po kur, të mbarohen burrat, çka keni ndër mend me ba ju? Marku e shikoi… dhe iu pergjegjë shumë gjakftohët:
– “Keni harrue zotni, se luftën tek né do ta vazhdojnë gratë trimnesha!”
●Tue shikue foton naltë mu kujtue thanja e Mark Kakarriqit dhe pyeta veten:
Cila këtu nga këta Vajza Shqiptare në 28 Nandorin e 2014… nuk asht Nora e Dedë Gjo’ Lulit, Tring Smajlja, Kupe Danja, Katrin Tomja apo Shote Galica? …
E pikrisht, për këto Vajza, ka këndue i madhi At Gjergj Fishta:
“…Edhe t’ mirë po e kisht’ ba nana:
Ardhun shtatit si “breshana”,
synin hyllë, ballin si hana,
dishka njethë si molla n’ gêm:
qi ka dalë m’ ka ashtu té dera,
sikur ban me çilë pranëvera;
sikur ban dielli me dalë
nepër aha, brej e halë:
Kaq gja t’ mirë Zoti ka falë!
***
E ta dijë Knjazi n’ Cetinë,
se edhe n’ qitët Shqiptarët ai fare,
der’ t’ jetë gjallë ndo’i bijë Shqiptare,
qi per erz, Besë, e Atdhé,
këto edhe desin si me lé…”
At Gj. Fishta, TRINGA tek “Lahuta e Malcis”
●101 Vjetë që këta dy Burra vlersonin dhe PARASHIKONIN …
Melbourne, Dhjetor 2014.

Filed Under: Opinion Tagged With: 101 VJETËSH..., SA AKTUALE !!.. MBAS

HAPJA E DOSJEVE DHE TE PERNDJEKURIT POLITIKE

December 4, 2014 by dgreca

“Ish të përndjekurit”te jenë palë në proçesin e ‘hapjes së dosjeve’/
SHKRUAN:FILIP GURAZIU*/
Shoqata e ish të përndjekurve politikë Shkodër, e ndjeshme ndaj zhvillimeve të politikës shqiptare, duke dashur që të kontribuojë sa më tepër në krijimin e një klime të mirëkuptimit social, si premisë e nevojshme dhe e domosdoshme për konsolidimin e demokracisë në Shqipëri, me anën e këtij shkrimi paraqet publikisht shqetësimin në lidhje me ‘proçesin e hapjes së dosjeve dhe ligjit të lustracionit’. Gjejmë rastin të sqarojmë opinionin publik, se ne ( Ish të Përndjekurit Politikë Shkodër) kemi qenë , jemi dhe do të jemi PRO ‘proçesit të hapjesë së dosjeve dhe ligjit të lustracionit’ dhe se në gjykimin tonë, kurrë nuk mund të kemi mirëkuptim social dhe unitet kombëtar në qoftë se ‘ E VERTETA’ fshehet dhe i mohohet masës së gjërë. ‘ E verteta ’ sado e hidhur që të jëtë është pambarimisht më e mirë se ‘gënjeshtra’, pasi ‘ e verteta ‘ qetëson shpirtrat, shëron plagët dhe rindërton të ardhmen kurse ‘gënjeshtra’ bën të kundërtën; vetëm armiqëson, dhe shkatërron !
‘Proçesi i hapjes së dosjeve dhe ligji i lustracionit’ pasojë e së shkuarës rënqethëse të periudhës së diktaturës komuniste dhe veprës së sajë më të fëlliqur , ‘luftës së klasave’ pati dy grupe protagonistësh; shtypsin dhe të shtypurin. Shtypësi ishte “fitimtari”, komunisti Enverist që për të fituar dhe mbajtur pushtetin ( sipas metodës Staliniste-Enveriste ) duhej të zhdukte dhe të neutralizonte çdo person që mendonte ose mund të mendonte ndryshe, kurse ‘të shtypurit’ ishin “ humbësit” , d.m.th. ato të mjerë që mbartnin vetëm një “faj të pafalshëm” : nuk pajtoheshin me krimin komunist. Natyrisht konflikt nuk ishte kaq i thjeshtuar, pasi në kompleksitetin e tij përfshinte veset më të ndyra të shoqërisë njerëzore…
Mekanizmi i shtypjes, për të kontrolluar situatën dhe për të justifikuar dënimet para masës së gjërë, kërkonte spijunë dhe dëshmitarë që shërbenin në proçese gjyqësore të montuara. Njerëzit më të preferuar për këtë qëllim gjindeshin në gjirin e ‘klasave të përmbysura’. Rekrutimi bëhej me metodën e dhunës së diktaturës, kundërshtimi për të “bashkëpunuar” kishte për pasojë dënimet nga më të lehtat, siç konsideroheshin pushimi nga puna e deri ne internim dhe burgosje… Duhet të pranojmë se fatkeqësisht, spijunë me dosje dhe dëshmitarë të “instruktuar” pati me bollek, por kjo nuk i “turpëron” shqiptarët, në se kujtojmë se ne Gjermaninë Lindore, mekanizmi i diktaturës prodhoi 800.000 spijunë me dosje !
‘Shkaku’ i kësaj situate tragjike ishte dhuna Enveriste e vënë në zbatim nga Komitetet e Partisë, Sigurimi i Shtetit, Hetusija, Prokurorija dhe Gjykatat me ‘Pasojë’ degjenerimin moral të një pjese të popullsisë shqiptare si dhe përndjekjen politike të një pjese tjetër. Natyrisht, shoqëria post komuniste, duhet të mbajë qëndrim ndaj ‘shkakut’ dhe ‘pasojës’ dhe kjo është e pasqyruar në proçesin në fjalë, por duke u nisur sipas eksperiencës juridike botërore dhe sipas traditës kanunore shqiptare bëjmë thirrje që më i ashpër të jetë qëndrimi ndaj ‘shkakut’ se sa ndaj ‘pasojës; “ ma zi gërgasi se sa vrasësi”.
Duke konsideruar se ‘proçesi i hapjes së dosjeve dhe i ligjit të lustracionit’ përbën një dukuri me ndikim të gjërë dhe të mprehtë në gjirin e shoqërisë shqiptare, shumë e ndjeshme ndaj kësaj teme, si dhe dëshirën tonë për një zhvillim të suksesshëm , apelojmë para organeve egzekutive dhe ligjvënese për një zhvillim transparent të proçesit, gjë që nuk mund të bëhet pa pjesëmarrjen e të gjithë palëve të interesuara. Me qenë se pala me e prekur dhe si rrjedhim më e interesuara për një proçes të drejtë, gjithëpërfshirës dhe transparent është ajo e ish të përndjekurve politikë, Shoqata apelon me forcë për të drejtën e kësaj shtrese që të bëhet palë në process, vetëm kështu proçesi do të mund të bëhet i besueshëm, pra i suksesshëm.
*Për Shoqatën e Ish të Përndjekurve Politikë Shkodër

Filed Under: Opinion Tagged With: ‘hapjes së dosjeve’, "Ish të përndjekurit"te jenë palë në proçesin e, Filip Guraziu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 698
  • 699
  • 700
  • 701
  • 702
  • …
  • 865
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT