SE “ AI VALON NË FLAMURIN DHE STEMËN E TYRE MBI NJË SHEKULL E GJYSMË”
Shkruan:Prof.Dr. Vebi Xhemaili/ Tetove/
Opinione historike/
Shteti Bullgarë stemën e tyre shtetërore e kanë që nga viti 1879, pas Kongresit të Berlinit, kur u bë bashkimi i dy krahinave bullgare, Ndërsa flamuri bullgar me simbolin luanit është edhe më i vjetër se stema e tyre ku i vendojnë edhe tre luana, pasi bullgarët në luftërat e tyre për “çlirim nacional” i kanë bërë me me flamur, ku në mes figuruar luani. Pas formimit të shteti bullgar. Flamuri me luan, është i shenjtë për ta, si për ne shqiptarët shqiponja dy krenare. Bullgarët këtë luan e kanë simbol të luftërave dhe krenarisë së tyre për çlirim dhe bashkim të krahinave të tyre. Stema e tyre ka përkrenaren, tre kryqe, mbi kokë të tre luanëve, me ngjyrë të verdhë, ndërsa luani në mes qëndron në fushë të kuqe. Këta luana simbolizojnë luftën e popullit bullgarë për bashkim të tre krahinave bullgare. Sipas tyre ata i konsiderojnë të vetat edhe territoret serbe deri në Vrajë e Surdulicë. Ndërsa pa ndërprerë me propagandën e tyre kërkojnë edhe territoret shqiptare nën sundimin e këtij flamuri dhe të kësaj steme. Shteti bullgar gjatë historisë së saj gjithmonë ka kërkuar që të aneksojnë edhe tokat shqiptare me Kosovë, Dibër, Ohër deri në Elbasan.
Shteti bullgarë me këtë stemë mbi gjashtë muaj ka bërë biseda për të arritur marrëveshjen me Serbinë në prag të luftës së Parë Ballkanike, për ndarjen e territoreve të Kosovës, me qytete e Maqedonisë së sotme; nga Dibra, Elbasani, Ohri, Manastiri, Shkupi, Velesi deri në Selanik. Politika e saj ka qenë e bindur thellë se duhet ti takojnë Bugarisë. Kësaj politike fuqishëm i është kundërvu Serbia e cila kishte apetitet e veta, për të krijuar Serbinë e madhe. Këto mosmarrëveshje për ndarjen e tokave shqiptare kanë zgjatur mbi gjashtë muaj në prag të luftrave Ballkanike. Më në fund këto mosmarrëveshje për ndarjen e territoreve shqiptare u tejkaluan me ndërhyrjen e Rusisë. Kjo ishte arsyeja që lufta e Parë Ballkanike u vonua për disa muaj resht, deri më 16 tetor 1912.
Shteti bullgar i pakënaqur me luftën e Parë Ballkanike, pasi Serbia doli fituese dhe pushtoi më shumë toka shqiptare se Bullgaria. Udhëheqësit e shtetit bullgarë me fillimin e Luftës së Parë Botërore, lidhën aleancë me Gjermaninë, pasi ajo u premtoi plotësimin e kërkesave të tyre ekspansioniste në dëm të territorit shqiptarë duke i dhënë Bullgarisë territore të Shqipërisë Verilindore deri në Prishtinë, Bujanocë e Preshevë dhe tërë Maqedoninë e sotme. Bullgaria tani më duke pasur përkrahjen e Gjermanisë, me këtë stemë dhe flamur ku valonte luani, u vërsul mbi tokat shqiptare gjatë vitit në 1915 duke i mbajtur nën sundimin e saj deri në marimin e luftës së Parrë Botërore deri më 1918. Populli shqiptar gjatë këtij sundimi, duke filluar nga Kumanova, Presheva, Bujanoci, Shkupi, Prishtina, Kaçaniku, Tetova, Dibra, Struga, Kërçova, Manastiri deri në Ohër. Pra tërë Maqedoninë e sotme deri në Selanik. Shqiptarët që kanë përjetuar këtë regjim deklarojnë se ky sundim ka qenë shumë më i egër se sundimi i Parë serb.
Gjatë luftës së Dytë Botërore Bullgaria përsëri ishte aleate e Gjermanisë. Me ndihmën e ushtrisë të Hitlerit, ajo e largoi Jugosllavinë e Mbretit Aleksandar duke pushtuar territoret shqiptare; nga Kumanova, Presheva, Shkupi, Kaçaniku dhe një pjesë të fushës së Pollogut deri në fshatin Leshkë. Në Tetovë forcat nacionaliste shqiptare i thanë jo Bullgarisë. Car Borisi protestoi te Hitleri se do të del nga Koalicioni, se ai Maqedoninë e dëshironte të plotë deri në Dibër e Strugë. Më në fund Car Borisi duke parë trysninë e boshtit qendror, më në fund u pajtua që pushteti fashist bullgar të tërheq kërkesat e saja dhe të pranojë kufirin bullgar; nga fshati Lshkë në drejtim të Grupçinit, kah fshati Salallarevë , Gurgunicë, për gjatë lumit Treska (Ilirida), duke vazhduar kufiri kah Prespa dhe Ohëri, me pak ndryshime deri në vitin 1944. Pra Bullgaria e ka pasur të pushtuar pjesën më të madhe të Banovinës së Vardarit. (Nga Kosova e sotme ka pasur të pushtuar Gjilanin dhe Kaçanikun). Bullgaria në të gjitha luftërat e sajë pushtuese, ka pasur Stemën e Shtetit ku shihen tre luanë, Poashtu ajo edhe në flamurin e saj luftarak gjithmonë ka valuar luani si simbol i trimërisë së tyre nacionale. Prandaj ne shqiptarët nuk kemi nevojë të vjedhim simbolet bullgare, pasi siç dihet historia e jonë kombëtare është shumë më e pasur se historia e fqinjëve tanë me luftëra duke filluar nga shteti i ynë kombëtar në krye me Skenderbenë, të njohur ndërkombëtarisht qysh në atë kohë nga shtetet e Evropës dhe të Ballkanit.
Berisha: Tani të shembim bustet diktatorialë të Edi Ramës
Basha: Dita e bardhë e 8 dhjetorit – epoka e re e lirisë/
“Drejt Lirisë”, Basha shpall projektin e 25 vjetorit të Lëvizjes së Dhjetorit: Nuk lejojmë kthim mbrapa. Berisha: Rama mesazhe kërcënuese njësoj si Ramiz Alia/
Partia Demokratike organizoi në Qytetin Studenti forumin “Drejt Lirisë”, i cili është dhe emri i projektit për 25 vjetorin e Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ’90 vitin e ardhshëm. Nga Qyteti Studenti kryetari demokrat Basha dhe ish kryetari Berisha bënë thrirje të ngrihen kundër keqqeverisjes së atyre që i cilësuan si pinjollë të diktaturës. Basha tha se nuk do të lejohet kthim mbrapa.
“Nderim, mësim, reflektim. Ky është 8 dhjetori ynë. Kam kënaqësinë e madhe të njoftoj se pas pak javësh starton viti i njezët e pesë vjetorit të lëvizjes demokratike studentore, intelektuale dhe popullore. Duke e konsideruar këtë Lëvizje finalizimin historik të një përpjekje të gjatë, plot sakrifica sublime, vuatje të papërshkrueshme dhe akte të pabesueshme heroike të shqiptarëve të lirë kundër dikaturës, kam nderin të shpall projektin “Drejt lirisë” që do të jetë një udhëtim dhe evokim i përballjeve më madhore shqiptarëve me diktaturën”, u shpreh kreu i PD.
Berisha: Tani të shembim bustet diktatorialë të Edi Ramës/
Ndërkohë Sali Berisha, ish-kryetari i partisë Demokratike ka ngritur sallën në këmbë me duartrokitjet dhe thirrjet që përshëndesnin emrin e tij. Berisha ka mbajtur një fjalë në nderim të Ditës së Rinisë ku nuk munguan dhe akuzat ndaj kreut aktual të Partisë Socialiste.
“A mundet studentët vetëm tia dilnin në krye? Jo nuk dua t’ju zhgënjej miqtë e mi. Atë që bënë ata nuk mund ta bënin askush, por pa bashkimin e Tiranës, punëtorëve të Tiranës, të ndërrmarjeve të Tiranës që vërshuan në mënyrë të paimagjinueshme të mbronin e mbështesnin studentët, diktatura do bënte cdo gjë të gjenin një zgjidhje. Vërshimi masiv i punonjësve të Tiranës i shndërroi këtë qytet në kështjellën e vërtëtë e të pamposhtur të lirisë”. “Ramiz Alia na solli një mesazh, mos ngrini dy gishtat se do jua thyej. Këtë mesazh na dha bastard Edi Rama gjatë fushatës elektorale. Në shenjë urrejtje atërore, shembi monumentin e dy gishtave në qytetin e Kavajës. Le të betohemi këtu në këtë qytet se ne sot pas 24 vjetëve me dy gishtat lart do rezervojmë fatin e etërve tuaj. Dhe kjo është ky është nderimi më i madh i nderimit të ’90. Le ti themi Edi Ramës se ne që përmbysëm bustin e diktatorit edhe bustet e e diktatorëve të gjallë shumë shpejt do përmbysim bustet e diktatorëve të rinj të Edi Ramës e të tjerë, që dekoruan këto ditë mbi 1 mijë ekzekutorë xhelatë armiq vetëm për të nderuar kohën e tyre. Dhjetori është muaji që duhet të ngrihemi fuqishëm kundër kësaj klike. Kam besim të madh te rinia, se përsëri shpejt do thotë fjalën e saj. Nderim Azem Handarit, tribunit triumfator, studentëve që përmbysën bustin, studentëve sot që do përballen me bijtë e etërve mizorë dhe do i rrëzojnë ata”.
Arben Imami: Dhjetori ’90 shënoi aktin e themelimit të shoqërisë moderne shqiptare
Deputeti i Partisë Demokratike Arben Imami, një nga studentët e dhjetorit duke ju drejtuar të rinjve tha se kjo lëvizje shënoi dhe aktin e themelimit të shoqërisë moderne, që është baza e zhvillimit. “Nëse të rinjtë nuk janë të guximshëm, atëherë cili mbetet të jetë i guximshëm?!. Dhjetori 1990 është akti i themelimit të shoqërisë moderne. Çdo popull i drejtohet aktit të themelimit që është akti më hyjnor. Themelet e PD-së dhe themelet e shoqërisë janë vlera e lirisë. “8 dhjetorin” duhet ta shohim si një autoritet i madh tek i cili duhet të rikthehemi. Në Faustin e Gëtes thuhet se nuk e meriton lirinë, ai që nuk shkon për të në luftë çdo ditë”, u shpreh Imami.
Eduard Selami: Lëvizja e dhjetorit, lëvizja më progresive e historisë 100-vjeçare
Deputeti Eduard Selami, ish kryetar i PD, duke kujtuar dhjetorin e 1990-ës, falënderoi figurat kryesore të lëvizjes studentore, të cilët sipas tij vranë frikën, atë që mbillte regjimi i atëhershëm. “Është kënaqësi që jemi në këtë panel, ku atëherë ishin dhe Azemi dhe Gramozi. Frika ishte ajo që u përballëm ne. Frikën e vranë studentët. Azem Hajdari ishte ai që e vrau frikën, ai që çante i pari. Mënyra më e mirë për ta vrarë frikën, është ta zëvendësonim atë me shpresën. Kjo ishte arsyeja që lëvizja e dhjetorit fitoi. Lëvizja e dhjetorit, lëvizja më progresive e historisë 100-vjeçare”, u shpreh Selami.
Ai u ka kërkuar të rinjve të angazhohen në jetën e vendit, sepse vetëm në mënyrë të tillë kontribuojnë për të ardhmen. “Në detyrën e saj historike, e para doli rinia, rinia universitare. Historia e njerëzimit na tregon se progresin më të madh shoqëria e ka kur vepron rinia. Ajo mori në dorë të ardhmen e Shqipërisë. Rinia duhet të jetë e angazhuar në jetën e Shqipërisë. Arritjet nuk do të jenë të mundura e të sigurta, nëse nuk angazhohet rinia. E ardhmja jonë nuk do të jetë e mundur nëse ju nuk angazhoheni”, u është drejtuar deputeti i PD-së, Eduard Selami të rinjve pjesmarrës në aktivitetin për Ditën Kombëtare të Rinisë. Edhe Bislim Ahmetaj, ish-student i dhjetorit ka vlerësuar lëvizjen që i dha fund sistemit komunist. “Kemi qenë brez me fat, i bekuar. Rastisi që tek brezi ynë, të akumuloheshin 30 vjet urrejtje e pakënaqësi ndaj sistemit që nën udhëheqjen e princit Azem Hajdari i dha fund këtij sistemi”, tha Ahmetaj.
Mesazhi i Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në ditën e Rinisë:
“Të dashur miq, ish studentë por përjetë dhjetoristë, pjesëmarrës në Lëvizjen e Dhjetorit të lavdishëm 1990, pedagogë të atyre ditëve. Të dashur të rinj e të reja, studentë të Universitetit të Tiranës, studentë të të gjitha universiteteve, Jam i lumtuar dhe i gëzuar të ndodhem me ju sot, në Qytetin “Studenti”, në qytetin e parë të lirisë, mbas gjysëm shekulli diktature. 24 vjet më parë, këtu filloi lëvizja më e fuqishme për liri dhe të drejta njerëzore në historinë tonë. Studentët e Universitetit të Tiranës shkruan një faqe të lavdishme të paparaleltë dhe hapën një epokë të re për Shqipërinë. U mposht frika, triumfoi guximi dhe nisi rruga e ndryshimit. Me këngën – kushtrim lirie, “se mjaft në robëri”, studentët dolën nga këto godina, të pasigurtë për jetën e tyre, por të vendosur të jepnin gjithçka për lirinë e Shqipërisë. Dhe ia dolën. Marshimi dhe thirrjet për liri e demokraci, gjunjëzuan regjimin e së keqës. Tirana u bashkua me lëvizjet antikomuniste të Berlinit, Pragës, Varshavës dhe Budapestit, në atë rikthim të endërruar europian. Aty bota mbarë kuptoi vokacionin perëndimor të popullit shqiptar.
Ndaj vijmë këtu çdo 8 dhjetor, e do të vazhdojmë të vijmë për të përkujtuar me nderim Lëvizjen Studentore të Dhjetorit të 90-ës. Në këtë pelegrinazh të përvitshëm lirie, të kujtojmë misionin e përjetshëm për një ‘Shqipëri si gjithë Europa’. Ne vijmë këtu se këtu janë rrënjet tona të lirisë.
· Këtu ra diktatura më e egër e kontinentit tonë.
· Këtu kulmoi liria. Përplasjet kurajoze të studentëve gjunjëzuan shtetin policor, sigurimin dhe diabolizmin e diktaturës.
· Këtu u finalizua dhe u shpall publikisht nga lideri i Lëvizjes Studentore, Azem Hajdari fitorja e pluralizmit politik në Shqipëri.
· Këtu ndodhi bashkimi i shumëpritur i Shqipërisë me vendet e tjera të Europës ish-komuniste që kishin hedhur ndërkohë zgjedhën e komunizmit.
· Këtu u hodhën bazat ideore të demokracisë, ekonomisë së tregut dhe zgjedhjeve të lira.
· Këtu nisi rrugëtimi i Shqipërisë së lirë.
· Këtu nisi çlirimi i madh nga tirania dhe dogmat dhe prangat e saj.
· Këtu nisi lirimi i të burgosurve, të internuarve dhe të përsekutuarve politikë në Shqipëri.
· Këtu nisi nderimi, lartësimi dhe rehabilitimi i të vrarëve mizorisht nga regjimi barbar.
· Këtu lëshoi rrënjët e para dinjiteti i njeriut të lirë.
· Këtu u fituan të drejtat universale që kishin qenë mollë e ndaluar për shqiptarët.
· Këtu lindi Partia Demokratike, forca e ndryshimeve të mëdha europianizuese.
Ky qytet, ky kampus është vendi i qendresës dhe idealizmit. Është Meka dhe Jeruzalemi i lirisë dhe demokracisë shqiptare.
Qyteti “Studenti” është e do të mbetet një vend i shenjtë, një tempull lirie për shqiptarët e lirë brez pa brezi. Studentët e dhjetorit janë e do të mbeten krenaria jonë.
8 dhjetori i vitit 1990 është realisht dita e bardhë e historisë së vendit tonë. Lëvizja e Dhjetorit dhe ndryshimi politik i saj janë Rilindja e vërtetë e Shqipërisë europiane dhe moderne, pas dekadave të izolimit dhe robërisë.
Çdo komb ka nevojë që herë pas here të kujtojë trashëgiminë e tij më të vyer. Nuk është asnjeherë e tepruar. Kjo bëhet më nevojshme në ato vende ku ka akoma nostalgjikë që nderojnë diktaturat. Ne njerëzit e lire të kësaj bote nuk duhet të rreshtim së treguari të vërtetën. Nuk duhet të rreshtim së foluri për vlerat, së luftuari për lirinë. Nuk duhet të rreshtim sepse kombet që nuk dallojnë të mirën nga e keqja, që barazojnë engjëjt me mostrat, rrezikojnë të humbasin liritë e fituara.
Në emër të Partisë Demokratike shpreh nderimin dhe mirënjohjen e pakufishme:
– për gjithsecilin nga studentët e lëvizjes demokratike pa dallim;
– për të gjithë pedagogët dhe intelektualët që mundësuan ndryshimin e madh;
– për të gjithë qytetarët e Tiranës dhe mbarë vendit që e shndërruan në lëvizje të fuqishme mbarëkombëtare.
Nderim, respekt për ju brez pas brezi.
Esenca e lëvizjes së dhjetorit ishte përbashkuese e të gjithë shqiptarëve, jo përçarëse e tyre. Ishte një lëvizje që lindi nga dashuria e studentëve për vendin, për njerëzit, për familjet, për prindërit, afërmit e tyre dhe për lirinë.
Ishte rrebelimi kundër varfësirë, shtypjes dhe izolimit. Një rrebelim në emër të ëndrrës së madhe të lirisë dhe hapjes, një rrebelim që kërkonte t’i merrte me vete në rrugët e reja të së ardhmes nënat, baballarët dhe gjithë kombin. Ajo zgjoi këdo dhe i bëri të kuptonin drejt ç’ishte komunizmi që kishin jetuar dhe trashëguar.
Në frymë, mesazhe dhe veprime ajo lëvizje mbart vetëm vlera. Madje edhe debatet brenda dhe rreth saj, e lartësojnë. Sepse janë shprehje e diversitetit dhe lirisë së fituar.
Ndryshe nga shumë lëvizje të tjera, shqiptarët më pas nuk i humbën, por i fituan të drejtat e mohuara. Eshtë e qartë si drita e diellit se ajo ishte një lëvizje atdhetare. Ishte një lëvizje që i sillte shëndet një kombi të dhunuar. Atdhedashuria u bashkua me konceptet e reja të lirisë, demokracisë dhe europianizmit.
Kjo lëvizje ishte drejtimi shpëtimtar në udhëkryqin e kohës. Ajo shikonte përpara. Studentët dhe intelektualët ndonëse të rritur në vendin më të izoluar të planetit, shpallën lirinë si themel dhe substancë të antikomunizmit.
Me 8 dhjetor, bashkohet natyrshëm rinia me lirinë, si për të na treguar se liria është rinore dhe rinorja është flaka e pashuar e lirisë.
Me 8 dhjetor ne kujtojmë dhe nderojmë kreun e studentëve, liderin e lëvizjes, themeluesin e Partisë Demokratike, heroin e demokracisë, Azem Hajderin, shembullin e sakrificës të madhe të forcave të reja demokratike dhe europiane shqiptare përballë hakmarrjes së forcave të vjetra. Përkulemi para veprës dhe kujtimit të tij, përkulemi para veprës së shokëve të tij dhe gjithë studentëve që u ngritën këtu 24 vjet më parë.
Ne vijmë këtu për të nderuar, por edhe për të mësuar. Guximi i studentëve të dhjetorit, pastërtia dhe vizioni i tyre për të ardhmen kanë një rezonancë që shtrihet në kohë. Sa herë kam ardhur këtu para se të zgjidhesha kryetar i Partisë Demokratike dhe tani që mbaj këtë detyrë, zbuloj diçka të re, mësoj dhe frymëzohem nga ky qytet lirie. Me sa duket ngjarjet e mëdha politike dhe sociale që ndryshojnë përgjithmonë shoqëritë, kapin një permasë hyjnore. Ato fitojnë një simbolikë të shenjtë, ku lidershipi dhe vlerat që mbarten rrezatojnë frymëzim dhe urtësi për të gjithë.
Kjo traditë lirie udhëton me brezat, frymëzon demokratët e rinj dhe gjithë rininë shqiptare. Liria dhe atdhedashuria janë busulla jonë e mendjes dhe zemrës.
Me këtë themel lirie dhe idealizmi ne ndërtuam në dy dekada endrrën europiane. Nuk ka dyshim se Shqipëria e hapur, Shqipëria në NATO, Shqipëria e lëvizjes së lirë, Shqipëria e rrotacionit demokratik të pushtetit, Shqipëria kandidate në Europë, janë pjesë e profecisë reale dhe e bilancit pozitiv historik të lëvizjes së dhjetorit 1990.
Flas në emrin e brezit tim, e brezit tuaj më të rinj, por edhe të aktorëve kryesorë të dhjetorit 1990, kur them se ne të rritur me trashëgiminë e dhjetorit 1990, refuzojmë çdo kthim prapa drejt të vjetrës, drejt të shkuarës, drejt së keqes.
Por tendencat e kthimit prapa në mendësitë dhe praktikat e vjetra të sundimit të oligarkisë në vend të sundimit të ligjit, si këto që manifeston dyshja Rama- Meta janë në kundërshtim flagrant me frymën dhe vlerat e Lëvizjes prej nga jemi nisur si vend dhe si shoqëri.
Pothuajse 50 vjet më parë, Presidenti John Kennedy u tha studentëve të Universitetit të Vanderbilt-it, se liria pa dijen është gjithnjë në rrezik dhe se dija pa lirinë është gjithnjë e kotë.
Liria dhe dija janë dy anë të medaljes që ndërtuan perëndimin por që janë po aq të rrezikuara tek ne, sa 24 vjet më parë. Njerëz të paditur kanë kapur shtetin dhe me forcën e pushtetit po ju marrin lirinë njerëzve të ditur.
Rikthimi në ditët më të këqija të konfliktualitetit, të ushyqerit nga kjo shumicë e konfliktit politik dhe shoqëror me opozitën, me shoqërinë civile, dhe me qytetarët përmes akteve të përditshme të arrogancës, paligjshmërisë, arbitraritetit, shpërfilljes, nëpërkëmbjes dhe shfrytëzimit, hedhja në erë e urave të dialogut e komunikimit dhe kultivimi i urrejtes deri në prishjen e bashkëjetesës demokratike- të gjitha këto janë antidhjetori, janë antirinia, janë antiperspektiva.
Ne nuk kemi kontestuar e nuk kontestojmë rrotacionin, përkundrazi, ne e kemi mundësuar me qeverisjen tonë demokratike. Por ne kontestojmë dhe nuk do të pajtohemi me kthimin prapa në format hibride të shtetit policor në vend të shtetit ligjor dhe të së drejtës. Kontestojmë dhe nuk pajtohemi me asnjë lloj forme të kufizimit dhe goditjes së lirive si vlerë e vlerave. Kontestojmë dhe nuk pajtohemi me asnjë lloj forme, të organizuar apo spontane, të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të rehabilitimit të diktatorit Enver Hoxha.
Mjaft studentë të dhjetorit, të dashur miq, ishin bij dhe bija me prindër komunistë apo me biografi të mirë, siç thuhej ne terminologjinë e rregjimit të atershëm. Kjo nuk i pengoi të ngriheshin. Qoftë këta, qoftë studentët e tjerë zhvilluan atëherë konceptin modern se gjithëkush ka të drejtë të ndryshojë dhe sidomos kanë të drejtë të ndryshojnë në liri ata që që janë mbajtur në një rregjim të mbyllur skllevërish pa të drejtë zgjedhjeje.
Por askush nuk mund të vijë me Enverin, askush nuk mund të pretendojë se ka ndryshuar duke porositur apo tundur portretet e Enverit. Enveri dhe tirania kundër të cilës u ngritën studentët dhe qytetarët e lirë shqiptarë nuk mund të ndryshojë kurrë, kjo nuk ndryshon kurrë.
Si 24 vjet më parë kur rinia i bënte thirrje pasardhësit të Enver Hoxhës të hiqte dorë nga diktatura ne i drejtohemi Ramës dhe Metës:
– Të heqin dorë nga trashëgimia e diktatorit Hoxha;
– Të heqin dorë nga përqendrimi i pushtetit në dy duar;
– Të heqin dorë nga dhunimi i të drejtave tona;
– Të heqin dorë nga kriminalizimi i politikës.
Nderim, mësim, reflektim. Ky është 8 dhjetori ynë. Në këtë kuadër, kam kënaqësinë e madhe të njoftoj se pas pak javësh starton viti i njezët e pesë vjetorit të lëvizjes demokratike studentore, intelektuale dhe popullore. Duke e konsideruar këtë Lëvizje finalizimin historik të një përpjekje të gjatë, plot sakrifica sublime, vuatje të papërshkrueshme dhe akte të pabesueshme heroike të shqiptarëve të lirë kundër dikaturës, kam nderin të shpall projektin “Drejt lirisë” që do të jetë një udhëtim dhe evokim i përballjeve më madhore shqiptarëve me diktaturën.
Përballja ka qenë dhe është ngjarja dhe vlera e pavdekshme e 8 Dhjetorit që duhet ta evidentojmë e lartësojnë si një pasuri të kohës dhe brezave. Përballja e martirëve, e të burgosurve dhe të persekutuarve politikë, e qytetarëve të thjeshtë, e studentëve të dhjetorit 24 vite më parë dhe e studentëve sot. Përballja për lirinë, që mbahet e meritohet duke luftuar çdo ditë për të, duke vështruar përpara, në horizontin e ëndrrës sonë të madhe të integrimit europian të Shqipërisë.
DETAJE NGA PROJEKT LIGJI I DOSJEVE
Zbardhen detajet e pr/ligjit të propozuar nga deputetët Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizi për hapjen e dosjeve./
Drafti parashikon subjektet që do të verifikohen ku përfshihen jo vetëm drejtuesit më të lartë të vendit, por edhe të zgjedhurit vendorë dhe deri drejtuesit e departamenteve të disa prej institucioneve më të rëndësishme. Kontrolli, sipas pr/ligjit do të kryhet përmes Autoritetit të Kontrollit të Figurës, veprimtaria e të cilit parashikohet të vijojë deri në 31 Dhjetor 2030.
Subjektet që do të verifikohen
Pr/ligji parashikon subjektet e verifikimit ku përfshihen të gjithë funksionarët publikë, të cilët ushtrojnë një nga funksionet e Presidenti i Republikës së Shqipërisë, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë; anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat dhe funksionarët politikë, nëpunësit civilë të nivelit të lartë dhe të nivelit të mesëm drejtues. Gjithashtu subjekt verifikimi janë edhe anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve të gjykatave dhe prokurorive, kancelarët në gjykata e prokurori, si dhe çdo subjekt që ka statusin e gjyqtarit apo të prokurorit.
Drafti parashikon edhe verifikimin e funksionarëve të emëruar nga Kuvendi, Presidenti apo Këshilli i Ministrave, anëtarë dhe kryetarë të organeve kolegjiale drejtuese të komiteteve apo institucioneve në varësi të Kryeministrit apo një ministri, guvernatorë, zëvendës-guvernatorë, anëtarët e Këshillit drejtues dhe drejtorët e Bankës së Shqipërisë, funksionarë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, si dhe oficerët me gradë “Gjeneral” dhe “Kolonel”, Po kështu Prefektët, kryetarët e këshillave të qarkut si dhe kryetarët e bashkive dhe komunave; drejtuesit e drejtorive të administratës publike në nivel qarku dhe prefekture;
Anëtarët e këshillave të qarkut si dhe të këshillave bashkiake; Funksionarë në Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH), në Shërbimin Informativ Ushtarak (SHIU) dhe në Shërbimin i Kontrollit te Brendëshëm (SHKB); Komandanti i Gardës e Republikës; Drejtues të Policisë së Shtetit, drejtorë policie në nivel qarku si dhe në nivel komisariati; Avokati i Popullit, Komisioneri Kunder Diskriminimit, Komisioneri për Mbrojtjen e të dhënave personale dhe punonjësit e zyrave përkatëse, si edhe çdo drejtues dhe punonjës i institucioneve te tjera buxhetore të pavarura. Ambasadorë në përfaqësitë diplomatike jashtë Shqipërisë.
Drejtuesit dhe anëtarët e forumeve drejtuese në nivel qëndror apo vendor të partive politike parlamentare si dhe të atyre që financohen nga buxheti i shtetit; Drejtori i Përgjithshëm, zëvendësdrejtorët e përgjithshëm, drejtori dhe zëvendësdrejtori i Radios, drejtori dhe zëvendësdrejtori i Televizionit dhe drejtorët e departamenteve në Radiotelevizionin Publik Shqiptar; Këshilli Drejtues i RTSH, drejtori, zëvendësdrejtori dhe drejtorët e departamenteve në ATSH, si dhe drejtori dhe anëtarët e AMA-s. Rektorë, zv/rektorë, dekanë të universiteteve shtetërore publike dhe private si dhe drejtorët e shkollave të mesme publike dhe private.
Inspektori i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive. Çdo person tjetër i dekretuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë apo i zgjedhur nga Kuvendi.
Autoriteti i Kontrollit
Në draft parashikohet krijimi i Autoritetit të Kontrollit të Figurës, i cili organizohet dhe funksionon si autoritet i pavarur.
Autoriteti është person juridik publik dhe ka buxhetin e vet të pavarur, që financohet nga Buxheti i Shtetit dhe nga donacione të ndryshme. Autoriteti është organ i përhershëm mbikëqyrje dhe kontrolli i pastërtisë së figurave të funksionarëve.
Autoriteti përbëhet nga 5 anëtarë, të cilët emërohen nga Kuvendi, me propozime që vijnë nga Presidenti i Republikës; Shoqëria civile (nga të gjitha organizatat e shoqërisë civile, duke iu dhënë prioritet atyre të të drejtave të njeriut dhe shoqatave të ish të persekutuarve nga regjimi komunist). Në rast se vendi i një apo më shumë anëtarëve mbetet vakant për mungesë propozimesh ose për pamundësi zgjedhjeje, Kuvendi emëron anëtarin përkatës midis të paktën 2 kandidaturave të propozuara nga shoqëria civile. Kryetari i Autoritetit zgjidhet me votim të fshehtë nga antarët e Autoritetit
Papajtueshmëria e funksioneve
Pastërtia e figurës morale është e papajtueshme, me mbajtjen prej funksionarit publik, gjatë periudhës 24.10.1944 deri 31.3.1991 të një prej detyrave të mëposhtme:
Anëtar qeverie, anëtar i Këshillit Presidencial, kryetar dhe anëtar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm dhe zëvendës të tij, para zgjedhjeve të 31 Marsit 1991.
Sekretar i parë ose i dytë i komitetit të partisë së rrethit, sekretar i parë i rinisë së rrethit, kryetar dhe n/kryetar i organizatës së frontit demokratik, kryetar ose zv. kryetar i komitetit ekzekutiv të rrethit.
Oficer madhor apo funksionar drejtues i organeve të Sigurimit të Shtetit si dhe kryetar dege; punonjës operativ, legal apo ilegal,, bashkëpunëtor sekret i organeve të Sigurimit të Shtetit ose që ka bashkëpunuar në çdo mënyrë tjetër me Sigurimin e Shtetit, deri më 2.07.1991. Ambasador, sekretar ambasade dhe këshilltar në përfaqësitë diplomatike shqiptare. Hetues në organet e Sigurimit të Shtetit si dhe prokuror, gjyqtar apo ndihmës gjyqtar në procese hetimore apo gjyqësore për vepra penale politike ;
Denoncues apo dëshmitar rëndues në proceset hetimore apo gjyqësore për vepra penale politike.
Funksionarët publikë me mandat kushtetetues dhe çdo person tjetër i zgjedhur nga Kuvendi janë subjekte të verifikimit sipas këtij ligji. Ata nuk e ndërpresin mandatin kushtetues apo detyrën ku janë zgjedhur, por të dhënat e grumbulluara nga verifikimi publikohen detyrimisht. Në çdo rast, një funksionar publik i tillë mund të dorëhiqet përpara përfundimit të mandatit të tij dhe në këtë rast dosja e tij nuk publikohet.
Rezultatet përfundimtare të procedurës së verifikimit
Në përfundim të procedurës së verifikimit, Autoriteti: a) Kur rezulton se subjekti i verifikuar është i papërfshirë në veprimtaritë e përcaktuara në nenin 17 të këtij ligji, vendos për lëshimin e dëshmisë së pastër të figurës morale. Kjo dëshmi plotësohet sipas formularëve të aneksit “A” dhe “A/1” bashkëlidhur këtij ligji dhe nënshkruhet nga kryetari apo, në mungesë të tij, nga zëvendëskryetari. Dëshmia i komunikohet kërkuesit të procedurës së verifikimit, si dhe subjektit të verifikuar.
b) Kur rezulton se subjekti i verifikuar është i përfshirë në veprimtaritë e përcaktuara në nenin 17 të këtij ligji, vendos të lëshojë dëshminë e verifikimit të figurës morale, sipas formularit të aneksit “B/1” bashkëlidhur këtij ligji. Kjo dëshmi, e nënshkruar nga kryetari ose, në mungesë të tij, nga zëvendëskryetari, i njoftohet subjektit të verifikuar si material konfidencial. Pas marrjes së dëshmisë, sipas kësaj shkronje, subjekti i verifikuar ka të drejtë të njihet me aktet e përfshira në dosjen e tij pranë Autoritetit nëpërmjet nënshkrimit të formularit për mbrojtje të informacionit të klasifikuar.
Kur zyrtari nuk është dakord me vendimin e shkronjës “b’’, te paragrafit te parë te këtij neni apo ka pretendime te tjera ndaj komisionit, ai gëzon te drejtën te paraqesë shpjegime me shkrim dhe dokumentacion provues për çështjen brenda 30 ditëve. Autoriteti ka detyrim të shqyrtojë shpjegimet e zyrtarit dhe brenda 10 ditësh nga paraqitja e tyre të vendos:
a) lënien ne fuqi të vendimit, ose:
b) ndryshimin e tij.
Një kopje e këtij vendimi i njoftohet brenda 10 ditësh, zyrtarit dhe institucionit të tij të punës apo organit që e ka zgjedhur. Autoriteti lëshon dëshminë verifikimit, sipas formularit “përkatës”; ose lëshon dëshminë, sipas shkronjës “a” të pikës 1 të këtij neni.
Njoftimi i institucionit kryhet sipas formularit “B”. Ky vendim mund të ankohet vetëm sipas procedurës së përcaktuar në këtë ligj.
Kur subjektet verifikuese mund të ankimohen në Gjykatë
Në draftin për hapjen e dosjeve parashikohet edhe vlera e dëshmisë së verifikimit dhe e drejta e një ankimimi gjyqësor nga subjekti i verifikuar.Sipas draftit, dëshmia e verifikimit, ka fuqi të plotë provuese mbi faktin e pastërtisë së figurës së çdo funksionari publik të zgjedhur apo të emëruar, përveç rasteve kur goditet për falsitet.
Subjekti i verifikuar mund të ankimojë dëshminë e verifikimit, sipas shkronjës “b” pika 1 të nenit 23 të këtij ligji, në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.
Me kërkesë të subjektit që verifikohet, gjykata vendos zhvillimin e gjykimit. me dyer të mbyllura.
Po kështu drafti në një nga nenet e tij parashikon pasojat e dëshmisë në rastin e personave që do të kryejnë një funksion publik. Kështu kërkuesi i procedurës ose vetë subjekti i verifikuar, menjëherë pas marrjes së dëshmisë së verifikimit, të lëshuar sipas shkronjës “a ” të pikës 1 të nenit 23 të këtij ligji, e paraqet për depozitim atë në institucionin, pranë të cilit do të fillojë të kryejë funksionin publik ose pranë organit që bën regjistrimin e kandidatëve për proces zgjedhor.
Kërkuesi i procedurës, menjëherë pas marrjes së dëshmisë së verifikimit, të lëshuar sipas shkronjës “b” të pikës 1 të nenit 23 të këtij ligji, thërret subjektin e verifikuar dhe i njofton atij skualifikimin nga vazhdimi i mëtejshëm i procedurës së emërimit ose zgjedhjes, për shkak të padenjësisë së figurës së tij.
Kur subjekti i verifikuar deklaron se ka bërë ankim gjyqësor dhe paraqet kopje të aktit të ankimit, procedura e pikës 2 të këtij neni nuk pezullohet derisa vendimi i gjykatës të marrë formë të prerë.
Kërkuesi i procedurës së verifikimit, menjëherë pas marrjes së dëshmisë së verifikimit, të lëshuar e depoziton atë në dosjen individuale të personelit.
Kërkuesi i procedurës së verifikimit, brenda 3 ditëve nga lëshimi i dëshmisë së verifikimit, sipas shkronjës “b” të pikës 1 të nenit 23 të këtij ligji, depoziton dëshminë në dosjen individuale të personelit dhe njofton subjektin e verifikuar për zhvillimin e një seance të mbyllur informuese brenda 10 ditëve.
Në këtë seancë marrin pjesë edhe dy persona të caktuar nga titullari i institucionit ose organi i emërtesës. Gjatë zhvillimit të kësaj seance informuese mbahet procesverbal, i cili nënshkruhet nga të gjithë të pranishmit. Subjekti i verifikuar, nëse e kërkon, pajiset me një kopje të procesverbalit.
Kur subjekti i verifikuar deklaron se ka ankimuar procedurën e verifikimit të zhvilluar nga Autoriteti dhe paraqet kopje të ankimit të tij, seanca informuese shtyhet për t’u zhvilluar menjëherë pas marrjes formë të prerë të vendimit gjyqësor.
Në rastet e tjera, kur subjekti i verifikuar në përfundim të seancës deklaron ose depoziton dorëheqjen e menjëhershme nga detyra, akti i dorëheqjes arkivohet në dosjen personale të subjektit dhe materiali verifikues (dëshmia e verifikimit dhe procesverbali i seancës informuese) mbetet konfidencial.
Kur subjekti i verifikuar deklaron se nuk dëshiron të japë dorëheqjen nga funksioni, atëherë, brenda 10 ditëve nga seanca informuese, mbi bazën e dëshmisë së verifikimit, përfundojnë marrëdhëniet e tij të punës me motivacionin “papajtueshmëri e figurës së funksionari sipas këtij ligjit”.(Botoi:Tema)
Një e rënë me shumë goditje
Nga Gani QARRI/Zyrih/
Loja e saj u tregua mjeshtërore, ajo do ta nxjerrë atë edhe një herë fituese mbi të tjerët, ani-pse asgjë nuk është më si më parë dhe as si do duhej të ishte në këtë vend. Madje më kot për të satën herë, të gjithë votuesit e devotshëm që për shumë kohë besuan në premtimet e pa mbajtura të liderëve “mrekulli-bërës“, ndjehen thellësisht të dëshpëruar nga të zgjedhurit e tyre lajkatar.
Dëshpërimi i tyre, do të vazhdoj si deri më tani,pasi që asnjëra nga ofertat e cilitdo politikan nuk u realizua dhe ato as për së afërmi nuk u plotësuan ashtu si ata përbetoheshin dhe shpresohej gjatë.
Me gjithë pompozitetin e propagandimit galopant, nuk ka fjalë që u mbajt në plotëni dhe gjithmonë ndodhi e kundërta nga sa u tha dhe trumbetua për vite me radhë.
Përkundër të gjithave, udhëheqësit e djallëzuar të rrethuar nga garda e matrapazëve të vjetër, të vetëquajtur “menaxher të rinj”, si trupë e sprovuar e manipuluesve politik- janë përgatitur herët dhe kujdesur që me kohë, për ta bërë veten dhe partinë ku gravitojnë, lojtar të pa përjashtueshëm nga proceset zgjedhore dhe pazaret politike të cilat pa ndërprerë torturojnë opinionin me stërzgjatjen e tyre, tash e sa muaj.
Madje, edhe pse më në fund u tha e shkrua se gjoja negociatat për krijimin e qeverisë filluan dhe kinse ato ende vazhdojnë, aksioni i lojtarit kryesor politik nuk nisi që vërtetë të arrihet ndonjë zgjidhje e njëmendët, por për të lodhur kundërshtarët dhe shkatërruar parti e koalicione, të cilat pas trazimeve të sapo-ndodhura, edhe në raste e situata të tjera, vështirë se mund të arrijnë ujdi dhe njësohen edhe një herë si më parë.
PDK, përkundër asaj se ende bënë sikur negocion “seriozisht” me LDK-n, falë ndërskamceve të Ismet Beqirit e Lutfi Hazirit dhe ndihmës direke të klanit Hamiti, përfaqësuesi i të cilëve në minutat e fundit kur padroni i tyre dha shenja se po humbte durimin dhe shpresat e mbetjes në pushtet, u kujdes të qonte “selam” bukur të sertë nga një metropol evropianë, ajo arriti dy-tri qëllimet e saj më të mëdha, të cilat gjatë kohë mund ti ketë ëndërruar, të zhvilloheshin kështu, siç ndodhi përfundimisht-tani:
1.Shkatërroi koalicionin pas-zgjedhor të njohur si “VLAN”, kthyer në barrikadën e parë serioze dhe pengesën më të madhe të deritanishme për ardhjen e PDK-s, në pushtet, grupim i cili në fillim linte përshtypjen se vërtetë ishte unik dhe i vendosur në qëllimin që i kishte vënë vetes, për të “siguruar” më në fund, “ndryshimet” në vend.
Përfaqësuesit e partive në “VLAN-ë”, më kot betoheshin çdo ditë se koalicioni i tyre ishte i fortë e i pa thyeshëm dhe se ashtu do të qëndronte deri në fund, për tu qarë vetëm pakë kohë -pas aksioneve “tragjike” të aktorëve hamletian, ups-pardo, operacioneve tragjikomike të doktorëve-hamitian, të cilët vërtetuan edhe me këtë rast, sa intrigant e përqarës të rafinuar brenda-partiak, kanë mbetur si çdo herë.
Thonë se “selamxhia” nga Evropa edhe më herët e paska folur “rrjedhshëm” anglishten e përvetësuar nga kurset e përkthimit në QIK, gjatë viteve të 90-ta, apo ai dhe një “sulltan”-hamit tjetër, qenkan stolisur edhe me tituj (plagjiat) shkencorë, notat e të cilëve sado që nuk flasin mirë as me nderim për asnjërin, lanë të kuptohet se soji i tyre janë specialist të vërtetë të ndarje-përçarjeve brenda dhe ndër partiake.
Bile ata kryen me aq përpikëri pjesën e detyrës që kishin marrë mbi vete, sa që si pyka më e fort dhe ende e pathyeshme brenda LDK-s, i bënë gropën e përmbysjes së tërësishme partisë, në emër të së cilës veprojnë hapur kundër saj dhe përçanë me sukses e në mënyrë të pariparueshme koalicionin e lartcekur, i cili pas këtij rasti, në asnjë mënyrë nuk mund të bashkohet më si herën e parë.
2.PDK,me ndihmën dhe besnikërinë e personazheve hamletiane brenda LDK-s, dhe instruksionet me zell e profesionalitet sigurimsash që i ofroi klanit i cili i shërben asaj, arriti Qëllimin më të madh, që më në fund ta sjellë buzë greminës dhe qoi para shkatërrimit përfundimtar konkurrenten e saj më të fuqishme në fushën politike, të paktën sa i përket numrit të votave që ajo me gjithë problemet e vazhdueshme përbrenda, deri më tani mori nëpër zgjedhjet vendore.
Ndaj, sido që të zhvillohen ngjarjet, LDK assesi nuk do të dal e pa-lagur thellë nga kjo aventurë, me të cilën PDK, falë punës së klanit të saj besnik aty, përveç tjerash arriti që ta bëjë atë qesharake para të tjerëve, jo-serioze për dialog dhe të pabesueshme për lidhje koalicionesh me partitë konkurruese edhe në të ardhmen.
3.Si rrjedhojë PDK- do të tentoj zgjedhje të reja, kurse loja e krejt këtij plani të mirë-studiuar, si shprehja e gatishmërisë për bisedime nga ana e PDK-s, nuk ishte dhe as nuk është assesi edhe bindje e njëmendët për zgjidhjen e “ngërqit” në formën siç ajo deklaron, ani pse përmes joshjes për “bashkëqeverisje” me cilën do parti duke favorizuar LDK-n,nga VLAN, arriti qëllimin kryesor mometal duke prish përfundimisht dhe në mënyrë të pariparueshme, unitetin ndërmjet koalicionit paszgjedhor.
Përveç kësaj PDK, futi përçarjen më të madhe të kohëve të fundit brenda vet LDK-s, si konkurrenten kryesore politike, dhe tani do të nxjerrë kushte të papranueshme edhe ndaj saj, për të pamundësuar një koalicion qeveritar me kryeministër nga radhët e LDK-s.
E kështu, përfundimisht ajo e çliruar nga shumë barrë, si fitimtare e pa-diskutueshme,do të shkoj në zgjedhje të reja, me kundërshtar tanimë jo vetëm të pa-bashkuar, por edhe të ndarë e të përçarë, si koalicion dhe parti, në mënyrë që kësaj radhe PDK ti fitoi zgjedhjet edhe më bindshëm dhe me numër edhe më të madh të votave, sidomos nga votuesit e frustëruar të LDK-s, e ndoshta edhe të partive tjera, për të vazhduar- vet, kryesimin dhe udhëheqjen qeveritare me partner të dëgjueshëm dhe të gatshëm që tu nënshtrohen si deri më tani, plotësisht dëshirave të saj.
Gani Qarri Cyrih, 6 Dhjetor 2014
TË MERREMI EDHE ME HISTORINË, POR MË SHUMË ME AKTUALITETIN
NGA HASAN KOSTRECI/
Ja edhe festat e Nëntorit, së fundi kaluan dhe bashkë me to edhe debatet e nxehta që herë pas here u zhvilluan nëpër studio, ku më i angazhuar ka qënë kanali televiziv “Shqip”me drejtuesen e tij zonjën R. Xhunga, e cila diskutimet rreth tyre, e sidomos për 29 Nëntorin, e filloi nga “Bujani” i Tropojës dhe doli në jugë të Shqipërisë në Gjirokastër dhe për çudi, tek shtëpia e diktatorit Enver Hoxha, e cila, siç doli edhe nga diskutantët, nuk paskësh qënë as origjinalja, por e ndërtuar dhe bërë e re gjatë viteve të diktaturës. Megjithatë, në ato e të tjera takime u fol me objektivitet, përjashtuar ndonjë historiani fanatik, i cili nuk kishte kurajo të mohojë e të hedhë poshtë atë ç’ka ka thënë e shkruar për dyzet e ca vjet, por u pranua dhe ranë dakord, se deri në vitin dyzet e tre dhe pikërisht deri në “Mbledhjen e Mukjes”, ballistë, komunistë e legalistë qenë të gjithë sëbashku dhe qëllimi i tyre i vetëm ishte që të përzinin okupatorin nga vëndi, por vendimet që aty u morën, ranë ndesh me interesat e jugosllavëve, prandaj dhe ai takim historik, për fat të keq, dështoi dhe midis shqiptarëve paskëtaj nisi ajo luftë civile, e cila me ardhjen e komunistëve dhe diktaturës së Enver Hoxhës në pushtet, u kthye në “Luftë Klasash”.
Pati nga një pjesë pretendime për ta festuar këtë datë ashtu si dikur, por kjo do ishte absurde, prandaj edhe ndërhyrja e ambasadorit amerikan, zotit Arvizu, kur gjatë ceremonisë në kujtim të çlirimit të Tiranës, fotografitë e diktatorit nisën të qarkullojnë, qe më se e nevojshme dhe duke e quajtur figurën e tij një monstër, që i shkaktoi Shqipërisë dhe shqiptarëve, fatkeqësi të mëdha, nxiti, për çudi, reagimin e të birit të tij, Ilir Hoxhës, i cili në vënd që me këtë rast, të distancohej nga krimet e të atit dhe ta dënonte, përkundrazi, i doli në mbrojtje dhe me këtë gjest, njollosi edhe më shumë veten dhe familjen e tij, por edhe i bindi njëkohësisht shqiptarët, se genie të këtij lloji, mbeten përherë njësoj dhe janë të pandreqëshem.
Kontribut në ato ditë debatesh dhe diskutimesh, për mendimin tim, dha edhe dëshmia disa herë, e zotit R. Perllaku, i cili e quajti Enverin një diktator, vrasës dhe anti shshqiptar, ndërsa sistemin që ai ndërtoi, një fatkeqësi, sepse u nis me triska dhe përfundoi me tollona dhe kur e thotë këtë një idealist dhe komunist i orëve të para, bëhet sigurisht dhe më i besueshëm nga ato që thotë i biri i tij, Ilir Hoxha, i cili ndofta mban mënd dhe ka nostalgji për kënaqësitë dhe të mirat materiale që i vinin nga i ati, por nuk di apo s’do që të dijë edhe për krimet që ai ka bërë ndaj shqiptarëve dhe popullit të vet, por është njëkohësish absurde të mendosh, se a mundet një deklaratë të tillë ta bëjë edhe një gjerman për Hitlerin apo një italian për Musolinin. Sigurisht që jo, por në Shqipëri çdo kush mund të bëjë apo të thotë ç’të dojë; Mund të përgënjeshtrojë ngjarje apo histori sipas dëshirës; Të quajë tradhëtarin hero, e anasjelltas dhe kjo, sepse edhe demokracia tek ne, ashtu siç kishim komunizmin, është tjetër lloj.
Ka patur gjatë atyre ditëve edhe ndonjë batutë, si pyetja , përshëmbull që z, P. Xhufi i bëri në studio bashkëbiseduesit të tij, se pse edhe në formacionet balliste, nuk kishte vajza, apo rrëfenja me dy të dehur e z. P. Majko, njëri më sa mbaj mënd, ishte shkrimtari
D. Agolli, i cili e pyeti tjetrin, se pse nuk ka gjithashtu edhe ndonjë këngë për “Ballin”, por nuk u muar edhe aq mirë vesh, në se këto u thanë për të të qeshur, apo e kishin seriozisht, megjithatë në ato ditë folën jo vetëm historianë, por edhe persona të thjeshtë, të cilët e njihnin realitetin dhe dinin gjithashtu, se ç’ndodhi në atë luftë, por, siç thamë, festat tashmë kaluan dhe të merremi pak edhe me aktualitetin.
Para pak ditësh tek “Opinioni” u diskutua reth hapjes së dosjeve, nëqoftëse do realizohet, dhe sipas informacionit që aty u dha, secili paskëtaj do ketë mundësi, që të shkojë e ta marë atë vetë ( ndofta edhe mund të paguajë), por kjo duket pak qesharake, sepse vlerë ky veprim do kishte, nëqoftëse bashkëpuntorët e asaj periudhe të sigurimit, të dilnin e të shiheshin nga të gjithë në gazetë, ndërsa deklarata e zoti Klosi, të nesërmen e asaj dite, se më shumë me dosje janë nga të persekutuarit, nuk e besoj, por edhe sikur, “Lufta e Klasave”gjatë atyre dyzet e pesë vjetëve, s’u bë për të apo ndaj kolegëve të tij, që ishin sekretara partie, oficera sigurimi, ushtarakë të lartë, ministra e të tjerë, sepse këta dihej që ishin të rekrutua qysh në fillimr nga ai regjim dhe njëkohësisht i shërbyen , prandaj dhe kanë ende nostalgji, po u bë pikërisht ndaj kësaj shtrese, e cila e vuajti me burgje, internime dhe persekutim të gjatë.
Kemi gati një çerek shekulli, që në realitet as kapitalizëm nuk po mundemi dot të ndërtojmë, por as dhe demokraci dhe kjo, siç shihet, ndodh, sepse si politika, ashtu dhe intelektualizmi apo biznesi, përfaqësohen nga të tillë persona që o janë pjesë e ish diktaturës ose pasardhës tyre, por nga që populli thotë se rrallë ndodh që edhe nga ferra mund të dalë ndonjë trëndafil, të le të kuptosh se shumica e atyre që shërbejnë sot nëpër këto institucione, kanë të trashëguar të njëjtin mentalitet.
Thyerja e dyerve të ambasadave njëzet e katër vjet më parë, bota nuk na e quajti huliganizëm, por një shpërthim ndaj diktaturës; Kacavirrjen gjithashtu e mijra të rinjëve, gra, pleq e fëmijë nëpër litarë e anijeve për t’u larguar, sigurisht jo vandalizëm, ndërsa vrasjet, grabitjet ordinere në dyqan apo në rrugë, që janë duke ndodhur sot, apo vjedhja e bankës dhe e thesarit të shtetit, janë vërtet skandaloze, që nuk na e justifikon kush dhe këro të bëjnë të mendosh se o ne si shoqëri jemi prishur keq dhe nuk ka sy për t’u ndrequr, o qeveritë që ikin e vinë nuk janë në binarë dhe duhet që të kthjellohen
Jemi në muajin Dhjetor të vitit 2014, që na kujton Dhjetorin e nëntëdhjetës, ku me rrëzimin e diktaturën, optimizmi dhe shpresat e shqiptarëve për t’u bërë si Europa, qenë shumë të mëdha, po a u realizuan ato, apo mbetën dhe vazhdon që të mbetën ende ëndëra.
- « Previous Page
- 1
- …
- 700
- 701
- 702
- 703
- 704
- …
- 868
- Next Page »