• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Isa Boletini, konsulli rus, Ura e Ibrit dhe Stano i BE-së

August 19, 2024 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Para 121 vjetësh ndodhi një bela e madhe në Mitrovicë, e cila do t’i shkaktonte kokëdhembje të mëdha Sulltan Abdyl Hamditit, i cili mori të gjitha masat dhe i bëri koncesione carit rus vetëm për qetësimin e situatës në këtë qytet kosovar. Por, edhe pse sulltani e largoi Isa Boletinin nga Mitrovica dhe dënoi me vdekje atentatorin shqiptar të konsullit rus, situata mbeti edhe më tej kritike. Por, as sulltani osman dhe as valiu i Kosovës apo ndonjë palë e tretë e përfshirë në këtë rajon nuk do të mund të imagjinonte se 120 vjet më vonë në Mitrovicë dhe rrethinë situata do mbetej edhe më tej “shpërthyese” dhe problematike”.

Derisa organizatori/vrasësi i policit shqiptar të Republikës së Kosovës mbetet i strehuar në Serbi, BE-ja, përmes zëdhënësit të saj Peter Stano, bënë thirrje që ura mbi lumin Ibër, të cilin në kohën e lashtë banorët e quanin Ujëbardhë, të qëndrojë e mbyllur si “rezultat i një numri të madh rrethanash të vështira politike”. Nëse heqin datat dhe emrat e protagonistëve, krijohet përshtypja se ndodhemi akoma në telashet e pranverës së vitit 1903, kur në këtë rajon strategjik shqiptar zhvillohej një diplomaci konfrontuese midis fuqive evropiane dhe rajonale, gjë e cila del në pah nga dimensioni që mori çështja e hapjes së konsullatës ruse dhe më pas edhe nga aktiviteti permanent propagandistik edhe antishqiptar i konsullit Shqerbin në mesin e popullatës ortodokse serbe në rrethinën e Mitrovicës.

Kërkesa për internim të Isa Boletinit dhe vrasja e konsullit rus

Viti 1903 është një pikë kthese për zhvillimet në Vilajetin e Kosovës. Zhvillime të rëndësishme që ndodhën në rajon në këtë kohë, të tilla si miratimi i Programit të Reformës së Mürzsteg (1903), Kryengritja e Ilindenit, por pa dyshim ngjarja ma pikante ishte vrasja e konsullit rus në qytetin e Mitrovicës, në veri të Vilajetit të Kosovës, prej nga vinin provokimet e bandave dhe të shtetit serb. Vrasja e konsullit Shqerbin tensionoi situatën jo vetëm në Mitrovicë, por edhe marrëdhëniet midis Perandorisë Osmane dhe Rusisë.

Në këtë kohë, një peshë të veçantë kishte pjesa veriore e Vilajetit të Kosovës, e cila përmes Sanxhakut të Novi Pazarit krijonte një lidhje strategjike me Vilajetin e Bosnjës, i cili pas Kongresit të Berlinit hyri nën kontrollin ushtarak të Austro-Hungarisë, ngjashëm me protektoratin ndërkombëtar që u vendos aty pas Paqes së Dejtonit.

Në rajonin verior të Vilajetit të Kosovës ekzistonte një rivalitet i madh politik, ekonomik dhe ushtarak ndërmjet fuqisë evropiane austro-hungareze dhe pretendimeve serbe dhe ruse për dominim dhe ushtrim të influencës në Ballkanin Perëndimore. Në këtë kontekst, Vilajeti i Kosovës, sidomos në fillim të shekullit 20, u bë cak i orekseve hegjemoniste territoriale serbe. Krahas pranisë së fuqishme të klerikëve serbë dhe rusë në Vilajetin e Kosovës, gjithnjë e më shumë kishte interesim për hapjen e misioneve diplomatike në territorin e Kosovës: në Shkup, Prizren, Prishtinë dhe në Mitrovicë. Për më tepër, sipas dokumenteve osmane, Mitrovica konsiderohej zemra e Shqipërisë në atë kohë për shkak të lidhjes hekurudhore me Pejën, Shkupin, Yeni Pazarin, Prishtinën dhe Prizrenin. Ky rajon kishte një lidhje të drejtpërdrejtë me Sanxhakun e Novi Pazarit, që ishte një rrip i ngushtë midis shteteve sllave të Serbisë dhe Malit të Zi, që shërbente njëkohësisht edhe si pykë për të pamundësuar bashkimin politik të këtyre dy shteteve dhe për të ruajtur një kalim në Kosovë, Maqedoni dhe, prej këndej, në Egje. Kjo ishte arsye përse Austro-Hungaria, Rusia, Perandoria Osmane dhe Serbia dëshironin që përmes pranisë politike dhe ushtarake në qytetin e Mitrovicës të shtrinin influencën e tyre në këtë rajon strategjik.

Në kontekstin e ruajtjes së status quo-së në rajon, Rusia e mori në konsideratë hapjen e një konsullate në Mitrovicë në përgjigje të idesë se interesat e veta ishin lënë në hije nga iniciativat e Austro-Hungarisë, rivale të saj në rajon. Duke e marrë në konsideratë reagimin e dhunshëm të shqiptarëve, që kishte të ngjarë të përkeqësojë situatën në mënyrë të pakontrolluar, guvernatori i atëhershëm i Kosovës në përgjigjen për konsullin rus në Shkup, vuri në dukej të metat e hapjes së konsullatës ruse në Mitrovicë, duke sqaruar se emërimi i një konsulli atje nuk ishte i përshtatshëm për shkak të faktit se Mitrovica ishte një vend i vogël, ai gjithashtu paralajmëroi se hapja e një konsullate atje do të ishte e privilegjuar për shtetet dhe qeveritë fqinje, si dhe i shkroi se nuk kishte asnjë konsull të ndonjë shteti në Mitrovicë.

Ndërsa autoritetet osmane kërkuan që largimi i konsullit të shtyhej deri sa shqiptarët të qetësoheshin, gjenerali që përfaqësonte Serbinë në Stamboll këmbënguli në lëvizjen e Shqerbinit në Mitrovicë sa më shpejt të ishte e mundur. Edhe serbët lokalë u përpoqën të mobilizoheshin nga Serbia për konsullatën ruse në Mitrovicë. Gjithashtu në një telegram të koduar të dërguar në Ministrinë e Brendshme nga Kosova, raportohej se konsulli serb i Prishtinës kishte organizuar një mbledhje të pleqve dhe anëtarëve të këshillit shpirtëror nga fshatrat e rrethinës së Kolashinit në Mitrovicë për të hartuar një dokument që mbështeste hapjen e konsullatës ruse në Mitrovicë, pa njoftuar autoritetet lokale.

Rusia, krahas insistimeve për hapjen e Konsullatës së saj në qytetin e Mitrovicës, kërkonte nga Porta e Lartë edhe një kusht të madh, dërgimin e Isa Boletinit në internim, për shkak se ai kur e dëgjoi lajmin për ardhjen e konsullit rus, nisi një lëvizje të organizuar kundër hapjes së misionit konsullor rus në qytetin e tij. Ky udhëheqës i njohur shqiptar në këtë rajon, gjithashtu mobilizoi njerëzit e Novi Pazarit duke i dërguar një telegram qeverisë osmane se ata nuk e mirëprisnin ardhjen e një konsulli rus. Kjo ishte arsyeja përse guvernatori osman i Kosovës ishte i bindur se hapja e konsullatës ruse do të ishte e mundur vetëm pasi disa individë të largoheshin nga rajoni. Faktori Isa Boletini duhej të merrej seriozisht.

Në anën tjetër, pala ruse do ta ngrinte shqetësimin për mospërmbushjen e premtimit të dhënë nga shteti osman për internimin e Isa Boletinit nga Mitrovica dhe dhënia e akreditimit për konsullin e emëruar. Në të njëjtën kohë, shteti rus kërcënonte se mosrealizimi i këtyre kërkesa do të thoshte ndërprerje e marrëdhënieve diplomatike me shtetin osman. Pas këtij kërcënimi, Isa Boletini do të largohej nga Mitrovica për në Stamboll, jo me metoda ushtarake, por me bindje, dhe ai do t’i jepej një detyrë prestigjioze nga Sulltani në lidhje me mbrojtjen e tij, por trazirat shqiptare në rajon nuk mundën të parandaloheshin.

Sulltan Abdul Hamidi gjithashtu i udhëzoi zyrtarët të bënin atë që ishte e nevojshme për të parandaluar përshkallëzimin e ngjarjeve. Kur Stambolli të kuptojë se nuk do të jetë në gjendje të parandalojë hapjen e konsullatës ruse, u përpoq të vonojë hapjen sa më shumë që të jetë e mundur, por në fund u pajtua për fillimin e punës së konsullit rus në Mitrovicë.

Shqerbin më në fund mbërriti në qytetin e Mitrovicës më 26 janar 1903 dhe menjëherë filloi aktivitetet e tij, duke vizituar fshatrat me popullatën ortodokse serbe në fshatrat përreth qytetit. Sipas një dokumenti osman, një aktivitet i tillë i konsullit rus Gregory Shqerbina kishte ngjallur shqetësimet e popullsisë shqiptare në rajon. Sipas Edith Durham, besohet se konsulli rus, i cili ishte në mesin e trupave osmane, personalisht qëlloi dhe vrau shumë shqiptarë dhe madje komandoi edhe baterinë e artilerisë osmane që ishte angazhuar për të shtypur një revoltë shqiptare. Thuhet se kjo sjellje e konsullit rus i kishte acaruar shqiptarët në ekstrem dhe në shenjë hakmarrje në mars të vitit 1903, deri ai po shëtiste jashtë qendrës së qytetit, ushtari osman Ibrahim bin Halid, e qëlloi për vdekje. Burimet shqiptare thonë se ushtari osman Ibrahim bin Halid (Ibrahim Haliti), ishte nga fshati Llashticë i rrethit të Gjilanit.

Kjo vrasje e konsullit rus ishte dëshmia më e mirë se përkundër gatishmërisë së Portës së lartë për t’i bërë koncesione shtetit perandorak rus, situata në Mitrovicë mbeti konfrontuese dhe epiqendër e rivaliteteve midis shteteve fqinje dhe atyre evropiane. Kjo duket qartë edhe nga reagimi i skajshëm i Serbisë ndaj njoftimit të kontit austriak Aehrental, ministër i Jashtëm, për ndërtimin e hekurudhës së Sanxhakut, e cila do të kalonte nëpër qytetin e Mitrovicës, ku jeta ishte e mbushur me rreziqe dhe pasiguri dhe ku gjatë historisë telashet midis shqiptarëve dhe serbëve e tërhoqën vëmendjen e opinionit publik më shumë se gjithandej në Kosovë.

Muri i Berlinit dhe përpjekja serbo-ruse për ndarjen e veriut të Kosovës më 1999

Me ngritjen e befasishme të Murit të Berlinit në gusht 1961, ndarja gjermane u çimentua – në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe Lufta e Ftohtë arriti në pikën kritike. Bashkimi Sovjetik dhe Gjermania Lindore (RDGJ nuk kishin zgjidhje tjetër për të ndaluar fluksin e refugjatëve nga Gjermania Lindore në Perëndim. Në vitet e mëparshme kishin ikur tre milionë qytetarë, shpesh të rinj të kualifikuar, të cilët ia kthyen shpinën socializmit që ekzistonte në të vërtetë në tokën gjermano-lindore. SHBA-të reaguan me kujdes ndaj ndërtimit të murit. Pika e kontrollit Charlie – Kalimi kufitar në Friedrichstrasse ishte një simbol i dimensionit ndërkombëtar të konfliktit të Berlinit. Kur Berlini Lindor filloi ndërtimin e murit, shumë prisnin përfshirje më të madhe të SHBA-së. Por administrata Kennedy dhe politikanët gjermanë reaguan me maturi. Ata e dinin: bota ishte në prag të një lufte të re bërthamore.

Edhe në qershor të vitit 1999 bota ishte të një konfrontim të madh SHBA-Rusi, kur kreu ushtarak i Rusisë po bënte përpjekje që në mënyrë të njëanshme të krijonte në sektor ushtarak rus nga lumi Ibër e tutje. Millosheviqi edhe pse kishte pranuar Marrëveshjen Tekniko-Ushtarake të Kumanovës, po lëvizte të gjithë gurët për ndarjen e Kosovës. Në fakt, në kohën kur ende po vazhdonin bombardimet e NATO-s ndaj caqeve ushtarake serbe, diplomacia ruse kishte filluar presionet për një sektor rus paqeruajtës në veri të Kosovës. Më vonë presidenti Ahtisaari, i Finlandës, ka pohuar se përpjekja ruse për të kapur bazën ajrore të Sllatinës ishte krijuar për të mundur ndarjen e Kosovës si pjesë e një marrëveshjeje sekrete me Millosheviqin. Ai këmbëngulte se asnjë shpjegim tjetër nuk përfshin plotësisht ngjarjet konfuze të atyre ditëve dramatike.

“Unë jam i bindur se ishte rënë dakord midis forcave të armatosura ruse, si dhe shërbimeve të inteligjencës dhe udhëheqjes jugosllave që Rusia të merrte kontrollin e pjesës veriore të Kosovës dhe të formonte një sektor të vetin”.

Ahtisaari pohon se ky plan sekret shpjegon arsyen përse Millosheviqi pranoi marrëveshjen e paqes të cilën ai dhe Viktor Chernomyrdin ia kishin dorëzuar në Beograd, miratoi ofertën e paqes që ai solli në Beograd dhe pse rusët punuan për të ndaluar bisedimet ushtarako-teknike për të blerë më shumë kohë. Një pretendim i tillë serb mund të kuptohet edhe nga qëndrimi që përfaqësonte asokohe presidentit kroat Franjo Tugjman, i cili në një takim me ambasadorët e të G-8 në Kroaci në Zagreb më 22 maj 1999, pati deklaruar se „forcat serbe duhet të tërhiqeshin në pjesën veriore të Kosovës, ku duhet të vendoseshin edhe trupat e huaja, duke përfshirë njësitë ushtarake ruse“. Ndaj këtij propozimi të presidentit kroat pati reaguar e përditshmja e pavarur “Novi List”, e cila akuzoi se ideja e tij përbënte “një marrëveshje të Jaltës” ose ndarje të Kosovës.

Dështimi rus për të vendosur një vijë ndarëse mbi lumin Ibër përmes krijimit të një sektori rus, ishte pa dyshim meritë e shkathtësisë diplomatike të zëvendëssekretarit amerikan Strobe Talbott dhe ekipi i tij, të cilin sekretarja Medlin Albright e kishte dërguar në Moskë për finalizimin e detajeve të përfshirjes së Rusisë në KFOR.

“Uashingtoni këshilloi mençur Strobe Talbotin t’i zhyste rusët në diskutim dhe t’i mbajë aty derisa sa të miratohet rezoluta një Nju Jork,“ thotë Wesly Clark, i cili po ashtu ishte kundërshtari më i madh që rusëve t’u jepet një sektor i veçantë. Por, meqë Rezoluta e OKB-së nuk e qartësoi rolin e Rusisë brenda KFOR-it, ekipi rus nën drejtimin e ministrit të Mbrojtjes Sergei Ivanov me ushtarakët e lartë Anatoli Kvashnin, Leonid Ivashov, gjenerali Ivashov dhe Viktor Zavarzin dhe këshilltari politik Vladimir Putin ia dolën dinakërisht të fusnin në Prishtinë, e më pas në bazën ushtarake të Sllatinës kontingjentin e trupave ruse të dërguara nga Bosnja. Kjo situatë kritike nxiti angazhimin urgjent të presidentit amerikan Bill Clintoin, zëvendëspresidentit Al Gore, sekretares Medline Albright, Sekretari të Mbrojtjes, William Cohen gjeneralëve Hug Shelton, Wesly Clark dhe të shumë diplomatëve dhe ushtarakëve të tjerë amerikanë, të cilën me vendosmëri e dështuan plani serbo-rus për ndarjen e Kosovës.

Talbot i tha ministrit rus të Mbrojtjes: “Nuk mund të kemi ndarje. Synimi ynë nuk është ta ndajmë Kosovën, por sapo të vendosim një vijë, kemi ndarje. Të gjithë serbët do të derdhen në sektorin rus”. Ndërsa, kryeministri i ri, Sergei Stepashin, i cili kishte punuar në nivele të larta në shërbimet e inteligjencës ruse, në takim me Talbotin theksoi: “Duket se ne kemi shmangur një përshkallëzim në Kosovë ashtu siç kemi shmangur një përshkallëzim të tillë në krizën e Kubës shumë kohë më parë”. Në anën tjetër, lidershipi i BE-së në Samitin e Kölnit vazhdonte të merrte për vete meritat e përfundimit të luftës në Kosovë.

Pas shumë netëve të gjata dhe negociatave të vështira të pafundme, SHBA dhe Rusia më 18 qershor 1999 arritën marrëveshjen për pjesëmarrjen e trupave ruse në KFOR. Përfundimi: Rusisë nuk do t’i jepej asnjë sektor më vete. Trupat ruse do të shpërndaheshin në mes të 45,000 paqeruajtësve të NATO-s dhe do t’u përgjigjeshin komandantëve kombëtarë të NATO-s. Konfigurimi përfundimtar paqeruajtës, ishte shumë i ngjashëm si në Bosnjë. Ndoshta për çështje balance, veriu i takoi Francës.

Dialogu për çështje trafiku dhe vazhdimësia e “revolucionit të drunjve”

Që nga paslufta veriu i vendit u bë oazë krimi, ku shqiptarët dhe serbët bashkëpjesëmarrës të zellshëm. Në anën tjetër, kalimi mbi Urën e lumit Iber të Mitrovicës u pika më e nxehtë e Kosovë, ajo herë bllokohej me gjëra të rënda herë bëhej e pakalueshme nga mbyllja që bëhej prej KFOR-it. Është e qartë se shpresa e vetme ishte dialogu i Brukselit, që filloi në vitin 2011 për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Por, tani qe jemi në vitin 2024, as nuk kemi normalizim marrëdhëniesh, as marrëveshje finale dhe as hapje të plotë të urës mbi Ibër. Përjashto Asociacionin, ku ka një përkushtim dhe vendosmëri ndërkombëtare, Procesi i Brukselit ka degraduar në telenovelë trafiku. Nëntë vjet më vonë, në tetor 2015 ishte arritur Marrëveshja e Brukselit për heqjen e barrikadës dhe rivitalizimin e urës së Ibrit. Bashkimi Evropian, përkatësisht Zyra e BE-së në Kosovë, që është kompetent për zbatimin e kësaj marrëveshje, kishte nisur punimet e rivitalizimit të urës e cila ishte parashikuar se do të zgjasë deri në qershor të vitit 2016, dhe më pas pritej që ura e Mitrovicës do të hapej për lëvizje të plotë të lirë, për këmbësor dhe automjete. Dhe tani kur Qeverisë së Kosovës doli me nismën për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullimin e veturave, pos shtetit fqinj të Vuçiqit, dolën kundër edhe ndërkombëtarët.

Ndërsa, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ndonëse e pranon se urat janë për bashkim të njerëzve, thotë se Ura e Ibrit është “çështje shpërthyese dhe problematike” dhe “nëse keni një problem, atëherë e zgjidhni me dialog, jo me vendime të njëanshme”. Mund të mos na pëlqejë, por ky qëndrim i ndërkombëtarëve është imponim i një zgjidhjeje kundër vullnetit të shumicës, kur pakica serbe është kundër, atëherë nuk është i rëndësishëm vullneti i shumicës edhe atëherë kur kemi të bëjmë me rregullat e trafikut dhe jo vetëm me ndryshimet kushtetuese. Ndoshta mënyra se si mund të kuptohet Kosova sot është nëpërmjet qëndrimit të ndërkombëtarëve për urën e Mitrovicë. Nëse parafrazojmë mendimin e Talbot-it se “por sapo të vendosim një vijë, kemi ndarje”, atëherë duhet kuptuar që tani se pikërisht aty nesër mund të jetë kufiri i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ky opsion do të shënonte momentin lapidar të ndarjes së brendshme të Kosovës.

Vazhdimi i telenovelës të Urës së Mitrovicës, që ndan pjesën veriore të qytetit e cila është e banuar me shumicë serbe pas spastrimit etnik të shqiptarëve dhe pjesën jugore që është me shumicë shqiptare, ndoshta është simbolika më e keqe e dështimit të etablimit të Perëndimit në Kosovë dhe rajon. Nëse vazhdohet me këtë qasje ndërkombëtare, kur vendimi Qeverisë së Kosovës konsiderohet i njëanshëm edhe përballë strukturave ilegale të Serbisë, vazhdon të funksionojë në praktikë strategjia e komunikimit të drejtpërdrejtë të serbëve të Kosovës me Beogradin, që nënkupton dëgjueshmërinë e tyre vetëm ndaj Beogradit. Si mund të ndodhë integrimi i serbëve në sistemin e Kosovës përderisa vendimet e Kosovës: për targat e automjeteve, për zhbërjen e strukturave ilegale serbe, për ndalimin e dinarit serb, për mosnjohjen e pasaportave ilegale dhe për ndalimin e funksionimit të paligjshëm të Postës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, konsiderohen të njëanshme.

Nëse është kështu, atëherë i bie që operimi dhe vendimet e Qeverisë së Serbisë që kanë të bëjnë me Kosovën nuk janë të njëanshme! Në këtë kontekst, çfarë kuptimi ka referenca nga Marrëveshja Themelore më 27 shkurt 2023 dhe Aneksi i Zbatimit të 18 marsit 2023, që parashikon se: “Palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën në bazë të të drejtave të barabarta”. Të gjitha veprimet e paligjshme e deritanishme të Serbisë, jo vetëm që paraqesin shkelje serioze të parimeve të fqinjësisë së mirë, por ato krejt hapur synojnë ta minojnë funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

Ndërsa, thirrja e serbëve lokalë për ta penguar hapjen e urës përbënë cenim të rendit kushtetues, që nënkupton nevojën e veprimit të shtetit dhe institucioneve të rendit. Nëse i referohemi nenit 155 të kushtetutës së Spanjës, të një vendi anëtar të BE-së, në rast se një komunitet i Spanjës nuk e respekton Kushtetutën, atëherë qeveria është e detyruar që ta obligojë atë me forcë e ligjit që ta bëjë atë. Për çfarë vetëm në rastin e Kosovës çdoherë duhet pasur përjashtime.

Kundërshtimi, sidomos ai evropian, i hapjes së urës, insistimi për ruajtjen e strukturave ilegale të shtetit serb brenda territorit të Kosovës, kërkesa për rikthimin e valutës së shtetit serbe dhe së fundi edhe njohja e njëanshme nga BE-ja e pasaportave të qendrës koordinuese ilegale serbe, tregon BE-ja se po ndjek një “zgjidhje”, edhe pse ajo kundërshtohet nga pozita dhe opozita dhe shumica e qytetarëve të Kosovë, që e shpi dialogun në një ngërç dhe njëkohësisht e forcon pozicionin kundërshtues të përfaqësuesve radikalë serbë në Kosovë kundër integrimit në sistemin shtetëror kosovar.

Për më tepër, sipas logjikës së Stanos, i cili natyrisht me këtë rast nuk përfaqëson qëndrimin personal, por të BE-së, në çdo shtet të rajonit mund të gjendej një komunitet etnik që do të kërkonte të mbante një rrugë apo urë të mbyllur si shenjë e sfidimit të pushtetit qendror. Por, ai dhe ndonjë zyrtar evropian është mirë ta kuptojnë se bllokimi i rrugëve është “armë” e njohur e Beogradit, kur në gushtit të vitit 1990 serbët e Kroacisë patën bllokuar rrugët përreth qytetit kroat Kninit, duke vendosur mjete të rënda transportuese, por edhe zhavorr e drunj, në atë që quhej si “revolucioni i drunjve.”

Dhe nëse edhe pas tridhjetë e katër vjetëve vazhdojmë të normalizojmë logjikën e “revolucionit të drunjve,” atëherë i tërë procesi i Brukselit fillon t’i ngjajë stilit të bisedimeve për çështjen e arsimit në Gjenevë në kuadrin e konferencës për ish-Jugosllavinë në fillim të viteve 1990-ta, i cili sipas ambasadorit Gerht Ahrens, drejtues i këtij procesi, shqiptarëve ua krijonim përshtypjen se problemi i Kosovës ishte ndërkombëtarizuar, ndërsa serbëve se tema e arsimit është një çështje e brendshme e Serbisë, ndërkohë që qëllimi i vërtetë ishte përgatitja e terrenit për hapjen e negociatave politike për statusin e Kosovës. Nëse është kështu, atëherë na del se krejt marrëveshjet e Brukselit janë një instrument për paketimin diplomatik të status quo-së dhe të negociatave të pa fund, përkatësisht derisa të krijohet një momentum i ri për realizimin e një ndarje të brendshme të Kosovës në vija etnike, në Kosovën serbe dhe Kosovën multientike, por askund shqiptare.

Rasti i ndarjes së brendshme territoriale të Bosnjës-Hercegovinës me shumicë myslimane tregon se ato e dobësojnë dhe e pengojnë funksionimin e shteteve. Megjithëse Serbia, që i nisi tri lufta dhe i humbi ato, që nga qershori i vitit 1999 bashkë me miqtë e saj nisi një fushatë për ta kthyer përmbysë të vërtetën e asaj që ndodhi në Kosovë, ajo ka punuar pareshtur për të mohuar krimet e kryera në Kosovë dhe gjetiu, duke ekzagjeruar dhe vetëviktimizuar serbët e Kosovës, Bosnjë dhe të Kroacisë.

Kësisoj, ajo krijoi qëllimisht kundër-narrativë, sipas së cilës kishte viktima, përfshirë edhe kriminelë, nga të gjitha anët. Kështu Serbia, megjithëse krimet e saj u kualifikuan si më të rënda që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, në fund ajo përfitoi nga krimet e luftës, sepse ruajti territorin e RS dhe ende kontrollon veriun e Kosovës, duke thurur plane për t’ia aneksuar fillimisht atë pjesë Serbisë. Kjo s’është fantazi, është e shkruar, e formuluar qartë, është doktrinë që pret orën e saj. Gjithashtu, siç pohonte shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, “bombat e NATO-s ndëshkuan Serbinë me 1999, por jo edhe doktrinën e saj”.

Dhe pikërisht mbi këto premisa duhet kërkuar interpretimin e politikës hegjemoniste serbe ndaj Kosovës, e cila pikënisjen e saj në fundin e shekullit 19 dhe fillimin e shekullit 20, përkatësisht problemi me konsullin rus, i cili kishte zbarkuar në një qytet kosovar një agjendë serbe dhe që po krijonte rrëmujë dhe shqetësime si për popullatën vendore shqiptare, ashtu edhe për autoritetet e shtetit osman. Ishte pikërisht koha kur shteti serb po bënte gjithçka për të penguar konsolidimin e lëvizjes kombëtare shqiptare dhe ndërtimin e një aleance me shtetin perandorak të Austro-Hungarisë, një fuqi evropiane që po mbështeste krijimin e një shteti etnik shqiptar në Ballkan që e shihte si digë kundër depërtimit të influencës sllave.

Ngjashëm si atëherë, Serbia që nga paslufta është orvatur që përmes dimensionit rus të shkaktojë trazira në brendësi në territorin e Kosovës. Kështu, Serbia dhe Rusia po udhëheqin me sukses projektin e pengimit të etablimit të Perëndimit në Ballkan dhe në veçanti në Kosovë. Por, ndoshta tani, kur Perëndimi është i përqendruar në luftën e Ukrainës, në luftën e Gazës dhe në krizat e reja që duken në horizont, rreziku i projektit serb, të cilin asokohe e parandaluan amerikanët, duket po aq i madh sa në qershor të vitit 1999. Dhe, nëse ajo çfarë është fituar në fushëbetejën diplomatike amerikane-ruse në bisedimet e Moskës dhe Helsinkit në qershor të 1999, të rrezikohet përmes procesit infinitiv të Brukselit, atëherë ky do të ishte një dështim i madh i NATO-s dhe i Perëndimit për etablimin e suksesshëm në Kosovë dhe në rajon.

Pragmatizmi, si exit strategji

Nëse edhe pas njëzet e pesë vjetëve ura mbi Ibër vazhdon të mbahet e mbyllur, kjo dëshmon ose dështimin e BE-së ose fjala është për ndonjë skenar të panjohur për ne. Ky është një mister i madh për mua. BE-së nuk i mungon kreativiteti, por të thuash se hapja e urës nxit rebelimin e komunitetit serb, duket skandaloze për aq kohë sa dizajnuese e turbullirave të tilla ka qenë dhe mbetet lidershipi i politik e shtetëror i Beogradit, i cili ndjek strategji të njëjtë me atë të Millosheviqit në vitet 1980, duke i thirrur serbët për padëgjueshmërinë ndaj Qeverisë së Kosovës.

Prandaj, në këtë situatë delikate Qeveria e Kosovës për shumë arsye duhet të lëvizë me shpejtësi për të evituar një përplasje serioze me Perëndimin, para së gjithash me SHBA-në, ngase krijohet perceptimi i gabuar se pala problematike nuk na qenka Beogradi, por Prishtina. Dhe nëse duam të shmangim këtë kurth, mendoj se Qeveria duhet të bëjë një tërheqje të sërishme nga pozicioni i tanishëm.

Pra, pavarësisht se BE-ja ka dështuar ta përmbushë këtë marrëveshje që nga qershori i vitit 2016, Qeveria e Kosovës ka një varg arsyesh që të tregohet më e kujdesshme për shmangien e një diskursi konfrontues me partnerët ndërkombëtarë, sidomos me SHBA-në, që janë garantues të vetëm të stabilitetit në Kosovë dhe regjion.

Është e vërtetë që aleatët e mëdhenj të Kosovës – SHBA dhe BE, janë seriozisht të pakënaqur që nuk po gjejnë tek udhëheqja aktuale e Kosovës atë bindshmëri që e kanë gjetur në qeveritë e mëparshme. Kjo është pjesë e traditës diplomatike mes fuqive të mëdha dhe shteteve më të vogla dhe ka peshën e vet në funksionimin e sistemit ndërkombëtar. Të mësuar me këtë mendësi, aleatët perëndimorë nuk është çudi se shohin si provokim vendimin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës mbi lumin Ibër, për të cilën më 2015 BE-ja premtoi se do të hapej brenda vitit 2016.

Shumë qendra ndërkombëtare të vendosjes perëndimore, të kënaqura me përmbysjen e Millosheviqit, besojnë se Serbisë duhet t’i njihet një peshë e veçantë në Ballkan, veçanërisht duke pasur parasysh intencën për shkëputjen e saj nga influenca e Rusisë si dhe për shkak të luftës në Ukrainë. Por, është tepër naive të besohet që një vend si Serbia, që luhatet mes Lindjes dhe Perëndimi, mund të shërbejë si faktor stabiliteti në rajon.

Nuk mund të besohet se pikërisht një vend si Serbia, e cila historikisht që nga krijimi si shtet ka operuar midis Lindjes dhe Perëndimit, mund të shkëputet nga koncepti hegjemonist, nëse nuk përballet me vendosmërinë e Perëndimit. Prandaj, është jo serioze kur BE-ja e politizon dhe shkakton përhap panik sikur ura mbi Ibër të ishte ekuivalenti i Murit të Berlinit.

Meqë synimi i Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës nga vendet e QUINT-it, Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, është cilësuar si i njëanshëm, vendi ka nevojë për një qasje më pragmatike, që do të nënkuptonte një tërheqje me marrëveshje të afatizuar sesa të kemi një tërheqje imponuar dhe pa asnjë benefit.

Qeveria e Kosovës do të duhej para vendeve të Qunit-it dhe NATO-s të prezantonte një koncept realist dhe një shtyrje të limituar kohore, të paktën deri pas zgjedhjeve nacionale në vend, për implementimin e pakushtëzuar të vendimit për hapjen e urës mbi Ibër, sepse kjo urë nuk është as nuk mund të bëhet më e fortë se Muri i Berlini. Njëkohësisht, një lëvizje pragmatike e Qeverisë së Kosovës do të ishte një exit-strategji për evitimin e kurthit të Beogradit për vetëviktimizimin e komunitetit serb në vend, dhe gjithashtu evitimin e perceptimit të gabuar, se nuk është Serbia, por Kosova fajtori i mungesës së procesin e Brukselit.

Por, një lëvizje e Qeverisë së Kosovës duhet të ishte në mënyrë kategorike e limituar në kohë: të paktën të shtyhej deri në pranverë e vitit që vjen, domethënë derisa në SHBA të jetë përmbyllur procesi zgjedhor për lidershipin e ri. Sepse, sa për evropianët, bazuar nga eksperienca e viteve 1990, mund të themi se BE-ja nuk ka vullnet ose nuk dëshiron apo edhe nuk mundet që ta “nxjerr macen nga përsheshi”.

Kjo qasje bëhet edhe e nevojshme edhe për shkak të rrethanave në vend, në rend të parë, për të shmangur çfarëdo alibie për mospjesëmarrjen e serbëve lokal në zgjedhjet parlamentare, të cilat pritet të mbahen brenda pak muajve. Në këtë mënyrë, Prishtina do ta dekonstruktonte strategjinë e Beogradit që pas krijimit të vakumit institucional në veri, të shtynte përfaqësuesit e partive politike serbe t’i bojkotonin zgjedhjet nacionale dhe kjo automatikisht do i linte serbët të pa përfaqësuar edhe në nivelin qendror. Dhe në një rast të tillë, saga e vetëviktimizuese do të bëhej më agresive dhe njëkohësisht Kosova do të shikoj si palë problematike dhe automatikisht do të fuqizonte pozicionin serb në dialogun e Brukselit. Kësisoj do të shtohej vendosmëria ndërkombëtare për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, një institucion një etnik, i cili do të hapte shtegun për ndarjen e brendshme të Kosovës në vija etnike sipas modelit boshnjak. Dhe pas kësaj, Beogradi do të kishte në dorë një levë tepër të fuqishme për kontestimin e shtetit të Kosovës, jo vetëm nga jashtë, por edhe nga brenda.

Në të njëjtën kohë, Perëndimi, SHBA dhe BE, nëse sinqerisht janë kundër bosnjëzimit të Kosovës, në komunikim me palën problematike, domethënë me Serbinë, duke ia bërë të qartë se ndarje të brendshme të Kosovës nuk mund të ketë. Ndryshe, një qëndrim i luhatur, siç ka ndodhur në shumicën e rasteve që nga paslufta, do të ishte një inkurajim për strukturat kriminale dhe rrjedhimisht kjo situatë do të ndikonte në rritjen e tensioneve në veri të Kosovës. Dhe çdo përshkallëzim eventual do të ishte një dhuratë e madhe për Rusinë, e cila si askund tjetër në rajon, në Kosovë e minon me vendosmëri projektin e etablimit të Perëndimit dhe njëkohësisht përmes vetos së saj e mban të mbyllur derën e Këshillit të Sigurimit si instrument bllokues për integrimin e plotë të shtetit të Kosovës në sistemin ndërkombëtar.

Në anën tjetër, kundërshtimi, sidomos i evropianëve, për hapjen e urës, pavarësisht motiveve të zyrtarëve të Brukselit, nga sfiduesit e rendit kushtetues të Kosovës, në rend të parë nga lidershipi i shtetit fqinj, po shfrytëzohet me agresivitet propagandistik për koncesione të reja dhe realizimin me sukses të strategjisë së mosdëgjueshmërisë së serbëve lokalë ndaj institucioneve të Kosovës. Inkurajon ruajtjen e mëtutjeshme të strukturave ilegale serbe brenda territorit të shtetit të Kosovës. Në këtë mënyrë, Beogradi po gëzon benefite të dyfishta: një njërën anë, me paratë e BE-së po financon strukturat paralele në Kosovë dhe në anën tjetër po kërkon dhe marrë koncesione përmes Procesit të Brukselit, si Asociacioni apo akomodime të reja për Kishën ortodokse serbe të Kosovës.

Kërkesa më anakronike e Brukselit kundër aplikimit të euros në transaksionet bankare, pasi kjo formë “shkakton krizë humanitare”, dhe mirëkuptimi ndaj kërkesës së Vuçiqit për rikthimin e valutës së shtetit serb brenda Kosovës dhe së fundi njohja e njëanshme e pasaportave të qendrës koordinuese ilegale serbe, tregon se BE-ja po ndjek një “zgjidhje”, e cila çështjen e normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi e ka zhvendosur në periferi dhe as që duket në horizont. Me kërkesa të tilla të njëanshme ndaj Kosovës, BE-ja njëkohësisht ka forcuar pozicionin e përfaqësuesve radikalë serbë në Kosovë për kundërshtimin e integrimit të serbëve.

Me këtë qasje, me apo pa dashje BE-ja po krijon përshtypjen sikur marrëveshjet e paimplementuara të Brukselit dhe i gjithë procesi i dialogut po merr një formë të re, përtej asaj që e ishte specifikuar me rezoluta e OKB-së në shtator të vitit 2010, dhe, tani në vend të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, gjithnjë e më shumë ka një tendencë të sforcuar që përmes strategjisë së lodhjes të mbahet gjallë ideja se shtetësia e Kosova nuk është e përmbyllur dhe rrjedhimisht edhe statusi i saj është i diskutueshëm, e që në fakt dhe për ironi përputhet me parimin serb të përkohshmërisë së çdo gjëje në Kosovë. Kjo përshtypje po ndërtohet mbi premisën se vetë BE-ja marrëveshjet e arritura në Bruksel, Aneksin e Ohrit apo Marrëveshjen për Lëvizjen e Lirës dhe për Targat e të tjera po i përdor më shumë si strategji për blerjen e kohës sesa si intencë që në një kohë reale të përmbyllë dialogun për normalizim të plotë të marrëdhënieve në mes dy shteteve të vogla dhe fqinje të Ballkanit Perëndimor përmes një Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse, finale dhe ligjërisht të detyrueshme.

“Koha.net“

Filed Under: Opinion

LAJMI I “AMBASADORIT” NË MEDIAT KOMBËTARE TË TIRANËS

August 17, 2024 by s p

Televizioni më i ndjekur në Shqipëri e mbarë diasporën shqiptare në botë “Top Channel”, gazeta historike “Koha Jonë”, gazeta më e klikuar “Tema” dhe dhjetëra portale të ndryshme pasqyruan në këtë formë gënjeshtrën e turpshme të “ambasadorit” se gjoja nuk paska pasur informacionin e përditësuar dhe i qenka referuar zgjedhjeve të Vatrës të para dy viteve e gjysmë.

https://top-channel.tv/…/berisha-e-paraqet-si…

https://kohajone.com/…/berisha-e-paraqet-si-sekretare…

https://www.gazetatema.net/…/mal-berisha-i-con-sali…

Filed Under: Opinion

Tre kujtime të paharrueshme nga Ismail Kadare!

August 17, 2024 by s p

Agron Gjekmarkaj/

Sot të gjithë folëm në tavolinat e restorantit “ Piaca” ku u mblodhem për të kujtuar Ismail Kadarenë duke ja ndier mungesen e konfirmuar prezencen mes nesh. Askush prej nesh nuk qe aty për ti percaktuar atij statusin në letrat shqipe apo ato boterore , për atë është kujdesur vetë, si bir i talentit të tij gjenial me vepren shumë dimensionale që i la qyteterimit tonë.

Ndoshta ishim aty si deshmitar kush më shumë e kush më pak të një mardhënjeje njerzore ku secili sipas këndveshtrimit të tij ka gjithmonë diçka për të rrefyer.

Personalisht e kam filluar komunikimin me shkrimtarin si lexues i tij nga fundi i viteve 80 ku mes rreshtave kerkonim rrugë për lirinë e mohuar dhe horizonte per shpresat tona, duke na ndikuar në të menduar, në të shkruar e në të folur.

Po ashtu e mbase më teper pas viteve 90 tek vepra e tij ndonjëherë të zhgenjyer nga realitetet që jetonim po aty kerkonim udhezuesin, modelin, parimet e mbi të gjitha krenarinë intelektuale të një Shqiperie që mes shumë mundimesh deshironte të bëhej si gjithë Europa!

Në pranveren e vitit 2005 kur po mbyllja ciklin e studimeve në universitetin “La Sapienza” me një punim mbi letersinë fantastike ku objekt studimi kisha “Kush e solli Doruntinen?” i them profesorit udheheqes Francesko Mucioli si mendon nëse arrij ti marr një interviste Kadaresë për të ballafaquar analizen tonë me atë çka ai vete mendonte për subjektin dhe personazhet e tij. Më pa më habi “sei matto” ( je i marrë ) më tha me dashamirësi, si mund ti afrohesh një ciklopi të tillë- duke shtuar – do të ishte një mrekulli nëse ja del”?

U ulem dhe bashkarisht shkruam 13 pyetje dhe fati e desh që në Romë ato ditë qelloi miku Mark Marku i cili ma mori persiper se do e provonte duke i shpjeguar Kadaresë se i duheshin për një shok në keto rrethana!

Pas pak ditësh më vjen posta, një zarf me emrin e Markut përsipër.

Ismail Kadare me shkrim dore u ishte përgjigjur pyetjeve të mia! Duke i patur ato faqe ndjeva sigurinë e diçkaje që koleget e mi nuk e kishin.

Po atë vjeshtë me Ardian Ndrecen profesorin e Urbanianes së Romës e takuam në shtëpinë e tij në Tiranë. Nga ajo ditë lindi një raport për mua unik. Nuk mund të them se e kisha mik Ismail Kadarenë, më duket fjalë e madhe, e pamerituar, sidomos kur e degjoj të perdoret pa doganë pas vdekjes së tij me lehtësinë e dites, edhe pse shpesh na ftonte për dreka e darka në shtëpinë e tij në Tiranë e Qerret per gjatë viteve apo vinte tek tonat, ne grupin kulturor të filologjikut Mark Markun, Persida Asllanin, Dhurata Shehrin ! Interesohej për kurrikulat, mësimëdhënien, kritiken, librat në qarkullim, rrymat, revistat. E ndiqte kohen kulturore të vëndit të tij me vemendje të madhe. Temë të preferuar shpesh me ne kishte derivat e gjuhes shqipe, qendrimet e debatet.

Nuk ishte as pak i zymtë, kishte humor të hollë e qeshte ëmbel.Nuk lejonte ti afrohej asnjë formë e banalitetit.

E konsideroj veten të privilegjuar me fat si deshmitar i disa bisedave mes tij dhe At Zef Pllumit.

Aty ka qënë edhe zonja Helena Kadare ! Shqiperia e klerit katolik , e burgjeve të komunizmit në vete të parë shkruesi, bartësi i memorieve dhe shkrimtari i pazakontë e i perbotshem gjeten sintoni, forcë e deshirë për tu bashkuar në trashigimitë e medha duke respektuar diversitetin.

Pader Zefi dhe Babazoti i “Çështje të marrëzisë” vëllezer në roman të ndarë gjatë nga hipostazat shqiptare më në fund takohen , të tillë dukeshin në bisedë. Nuk ndahej më në letersia po i afronte subjekte bashkëkohësisë apo kjo e fundit u bë letërsi.

Mbi varrin simbolik të Fishtes në Kishen e Fretenve të Giuhadolit në Shkoder në 2007, ku Kadare shfaqej i menduar At Zefi i afrohet e i thotë me gegnishten e tij kumbuese të cilen nuk di ta flas si ai “Nigjo Ismail unë jam i vjeter e drejt fundit por sa të kem frymë kam me të mbeshtetë, kam me kënë në krahun tan në llogoren europiane të shqiptarve.

Qysh në kohen e Ismail Qemalit e Princ Vidit, qytetnimi europian ka pasë anmiq në Shqipni e nuk i janë da kurrë, aktivizohen si shpirtna të keqij sa herë ajo afrohet, kanë me të sulmue egersisht”! Ishte koha kur eseja “Mbi identitetin europian të shqiptarve” kishte shkaktuar dallgët e veta.

Vjet në verë e takova për të fundit herë në një darkë korriku, ishte zonja Helenë dhe Alda Bardhyli unë me familjen time. Në të shumtën e kohes fliste me time bijë Sofinë atij moti 11 vjeç dhe jo me ne të rriturit.

Gjithmonë kam menduar mbi këtë takim të fundit dhe zgjedhjen e tij për të biseduar më gjatë me një femijë. Ai kishte gjithmonë një mesazh për të ardhmen e keshtu do të mbetet shkrimtari që i flet asaj në krye të “ Çetës së Profetenve”!

Në këtë drekë për të e pa të keto me erdhen në mend!

Filed Under: Opinion

“Musinetë” që nuk i vijnë më Shqipërisë!

August 16, 2024 by s p

Dr. Iris Halili/

Viti 1983. Komunizmi ishte në kulmin e tij. Varfëria ishte po e tillë. Unë isha në klasën e gjashtë të 8 – vjeçares. Dajën e kishin çuar në burgun e Qafë – Barrit që ishte një skëterrë në rrëzë të humnerës. Gjyshja ( të cilën ne e kemi thirrur gjithmonë nëna ) vazhdonte lutjet që komunizmi të rrëzohej. Por ja që stinët i linin vendin njëra – tjetrës dhe asgjë nuk ndryshonte në jetët tona. Ajo shpesh kujtonte të atin që për sa ishte gjallë mundohej ti jepte gajret duke i thënë: “Duro Gano, sa te bien gjethet pa do bien edhe këta. Stinët ndërronin, gjethet binin dhe nëna i kthehej të jatit: “Ja mor baba edhe gjethet ranë dhe këta prape janë në pushtet”. “Ej moj bij , prit sa të dalin gjethet”. Kështu ranë dhe dolën kaq shumë gjethe, prindërit e nënës u plakën dhe ndërruan jetë, po kështu po plakej dhe vetë ajo ndërkohë të tjera gjethe binin dhe dilnin sërisht, por komunizmi shqiptar qëndronte stoik duke mbjellë terrorin që ujitej nga lufta e klasave, këtij eksperimenti të pashoq shoqëror që kultivoj vëllavrasjen. Burgjet populloheshin gjithmonë e më shumë me viktima të pafajshme dhe tashmë rradha u kishte ardhur fëmijve dhe nipërve të armiqeve të popullit pasi lufta e klasave duhej shtrirë kurdohere dhe pa mëshirë. Kampet e internimit ishin kthyer në varreza njerzish të gjallë që vuanin pa ditur psenë. Banorët e tyre ishin nga të gjitha moshat, nga më të vjetrit deri tek bebet që lindeshin, rriteshin dhe martoheshin në rrethim pa guxuar as të pyesnin “përse?”.

Si çdo pushtet që arrin të shfrytëzojë pikërisht ato karaktere njerzore që i shërbejnë më mirë qëllimit të tij, komunizmi u mbështet tek shpirtrat e ligj dhe individët sociopat që në emër të idealit të partisë nuk kursenin ti shkatërronin jetën kujtëdo që urrenin apo xhelozonin. Këta lloj ushtarësh të partisë komuniste shqiptare nuk bënin gjë tjeter vetëm se kopjonin modelin e kryeudhëheqësit të tyre.

Sindroma e kompleksit të inferioritetit apo xhelozisë djaloshare që mori kaq jetë njerzish të pafajshëm përbën një tjetër analizë të Enver Hoxhës, udhëheqësit sociopat që drejtoi me dorë të egër vendin tonë. (Sipas Shoqatës Amerikane të Psikologjisë (APA), sociopatia është një model i sjelljes dhe një gjendje komplekse e shëndetit mendor që karakterizohet nga një model i vazhdueshëm i shpërfilljes dhe shkeljes së të drejtave të të tjerëve. Karakteristikat kryesore janë mungesa e empatisë, mashtrimi, impulsiviteti, irritueshmëria, agresiviteti dhe një prirje për të manipuluar ose shfrytëzuar të tjerët për përfitime personale. Ata mund të mos ndiejnë keqardhje për veprimet e tyre, edhe kur këto veprime dëmtojnë të tjerët, dhe mund të përsërisin sjellje që kanë pasoja negative pa mësuar nga përvojat e mëparshme).

Padyshim figura më ikonike që u viktimizua prej tij mbetet vajza e mënçur shqiptare, shkrimtarja e parë, politikania e parë, sociademokratia e parë, e emancipuara e parë, disidentja e parë grua Musine Kokalari.

Unë pata dëgjuar për Musinenë shumë vite më parpara se emri i saj të njihej nga brezat e fillim viteve 90-të. Musineja ishte mikja më e ngushtë e gjyshes sime në kohën e rinisë, të dyja lindur në 1917-tën dhe mbaruar Shkollën e Nënës Mbretëreshë në 1937-të. Më parë të dyja kishin studiuar në shkollën e Dakos ku mësimin e kishin marrë nga vetë Motrat Qiriazi. Në ato vite rinore ishin deklaruar si motra gjaku. (Ky është një zakon i lashtë dhe i veçantë që ka ekzistuar në traditën shqiptare dhe jo vetëm. I njohur ndonjëherë si “ritual i gjakut” ose “vëllazërim me gjak”. Dy ose më shumë individë ndanin gjak duke përdorur një mjet të mprehtë për të shkaktuar një lëndim të vogël, dhe më pas e shkrinin gjakun e tyre së bashku. Rituali kishte për qëllim të krijonte një lidhje të të pandashme midis individëve, që shpesh konsideroheshin si vëllezër ose motra, edhe pse nuk ishin në të vërtetë të lidhur biologjikisht).

Gjyshja më rrëfënte se Musineja ishte shumë e shkathët, gati si djalë çamarok. Të dyjave u pëlqente të intepretonin dramat që luheshin në shkollë. “Ishte në fakt teatri që na lidhi më shumë. “Musineja ishte e apasionuar pas leximit dhe bashkë diskutonim për librat dhe shkrimtarët e preferuar. Atë më shumë se çdo gjë e tërhiqte letërsia, ndërsa mua kimia. Shkruante me shumë pasion dhe ëndrra rinore ishte të bëhej shkrimtare”. Librin ‘Siç më thotë nënua plakë’, ma pati dhënë me dedikim dhe kur hetusia më zbarkoi në shtëpi ditën e arrestimit të djalit, çfare nuk më punuan kur e gjetën në biblotekë . Filluan të ulërisnin dhe kërcenonin: “Pale ke edhe librin e të deklasuarës, armikes së popullit; Do të të çojmë dhe ty atje ku është ajo”. Rrëmbyen të gjithë koleksionin e librave përfshirë edhe botimin e parë të “Qerbelasë” që Naim Frashëri ja kishte dhuruar stërgjyshes tuaj Sabrete Vila Fratari të cilën poeti i kombit e kishte mbesë”. Nëna më pas më rrëfente se me Musinenë flisnin për çdo gjë, bile ajo edhe i pat rrëfyer si Enver Hoxha i pati propozuar për martesë . ‘Ai, budallai më ka propozuar, martesë, pale e kam edhe kushëri moj Gano’. Musineja nuk kishte pikën e respektit per Enver Hoxhen dhe në një farë mënyre ja kishte shprehur edhe atij. Seç i kishte gjetur edhe një nofkë alla gjirokastritshe, por që tani me gjithë shtrydhjen e kujtesës nuk më vjen ndër mënd”.

Sipas arësyetimit të nënës, “Enveri ishte i djallëzuar dhe nuk duhej nënvleftësuar pasi kishte “aftësine e të pa- aftëve”, që është aftësia e njerzve pa inteligjencë të spikatur, si dhe pa talent apo intelektualitet. Kështu ata perfeksionojnë djallëzine dhe ligësinë dhe falë këtyre janë në gjëndje të plotësojnë ambicjen që nuk u njeh kufi”.

Ndryshe nga shumë vajza të tjera të shkollës Nëna Mbretëreshë, nëna dhe Musineja nuk ishin përfshirë në lëvizjen komuniste. “ Musinenë në fakt e tërhiqte politika, megjithëse ishte shumë e drejtë për të qënë pjesë e saj pasi ishte një vajzë parimore dhe atdhetare. U kthye në Shqiperi me shpresën se komunistët do ta njihnin pluralizmin dhe lirinë e fjalës, sikur u patën premtuar popullit gjatë luftës. Por idealizmi dhe guximi i saj u tapos burgjeve dhe internimeve”.

Me instalimin e diktaturës komuniste fati i Musinesë dhe i gjyshes sonë morri tatëpjetën, njëra se kishte dalë kundër sistemit dhe tjetra se kishte patur bashkëshortin kundër sistemit. Njëra u damkos armike e popullit dhe tjetra bashkëshortja dhe më pas nëna e armikut të popullit. Jetët e tyre ishin kështu të “dënuara” nëpër Shqipëri dhe asnjëra nuk e kishte takuar më tjetrën deri kur një ditë dimri të vitit 1983 teta Ermioni, komshija jonë e dashur me orrigjinë nga Gjirokastra ( djali i të cilës punonte infermier në spitalin e burgut) vjen në mëngjes më heret se zakonisht dhe jep lajmin se Musineja po lëngon nga kanceri dhe e kanë sjellë urgjentisht në spitalin e burgut. Po atë pasdite nëna vendosi të vizitonte miken e vjetër -motër për të cilën kishte shume mall dhe dashuri. Ne të tjerët prisnim me ankth kthimin e saj dhe mbaj mend sapo hyri në korridorin e apartamentit pa hequr mirë këpucët u vesh në lot, të cilat i kishte mbajtur gjatë gjithe rrugës për të mos u dalluar nga kalimtarët. Ajo qante dhe tregonte në të njëjtën kohë: “E takova Musinenë dhe nuk e njoha, ishte transformuar e gjitha. Nuk donte që ta zgjaste takimin me mua. ‘Gano pse ke ardhur moj motër, ik sa më parë mos të të shikojnë këtu me mua, boll ke hallet e tua , edhe unë të duhem. Ik të keqen mos të të shohin’. I çova ca portokalle, por as ato nuk donte ti merrte. ‘Nuk i ha dot Gano, dhe këtu nuk do mi lënë ti fus në gojë. Merri mbrapsh dhe çoja mbesave’. Më pyeti për të gjithë. Kujtesen e kishte shumë mirë por vete ishte firasur e tëra. Nga Musineja që pata njohur kishte mbetur vetëm zëri vibroz që akoma përcillte shpirtin virtuoz. Kur i thashë “ Si na iku jeta jonë kështu moj Musine e dashur” ajo ma ktheu : ‘Eh moj Gano, por të paktën ti ke dy fëmijë, pa më shih pak mua….’ Kështu me zemër të plasur u ndamë dhe po e ndjeja që ajo më ndiqte me sy. Me ata sytë që nga të bukur, të mëdhenj dhe ngjyrë kafe ishin kthyer në të vegjël dhe kishin marrë një nuancë si të verdhë”.

Teta Ermioni të nesërmën na tregonte që në spitalin e burgut urdhri për Musinenë ishte që të trajtohej fare minimalisht dhe të kthehej sa më shpejt nga kishte ardhur. Per shumë kohë më vonë nëna na fliste pothuaj çdo ditë për Musinenë. Kur e mësoi vdekjen e saj u trondit edhe më shumë, por në ato kohra lajmet që vinin për njerzit e dashur ishin gjithmonë dhe më të renda, kështu që stinët, bashkë me gjethet që binin dhe dilnin sërisht, sillnin vetëm shtimin e lotëve të nënës që sikur gjithmonë na thonte: “Nuk po më thahen kurrë ”.

Shumë vite më vonë një mikja ime, juriste e njohur me origjinë nga Rubiku, më rrëfente që ndonëse ishte fare e re në moshë i kujtohej shumë mirë gruaja fisnike Musine Kokalari që fshinte rrugët e qytetit. “Njerzit kishin frikë ti flisnin. Por edhe ajo nuk shoqërohej me askënd. Një zymti më vëte ishte varrimi i saj. Vetëm shoferi i komunales dhe tre a katër ‘të tjerë të deklasuar’ që jetonin po në Rubik e shoqëruan në banesën e fundit që në fakt për Musinenë nuk kishe shumë ndryshim nga “banesat” ku ajo kishte jetuar prej mëse 40 vitesh skëterre. Banorët e provincës veriore ndiqnin këtë “kortezh” tragjik pas dritareve apo dyerve të hapura aq sa për të vendosur njërin sy; Kaq mjaftonte për ti dhënë një vështrim të fundit asaj zonje që me stoicizmin e saj në fakt kishte fituar respektin e heshtur në të gjithë zonën”.

Enveri apo “aventurieri”, sikurse e quante Musineja, nuk zgjodhi ta vrasë, pasi si sociopat që ishte ai ndjente më shumë kënaqësi kur shihte si ajo vuante çdo ditë e më tepër. Qëllimi i tij ishte ta poshtërronte dhe denigronte Musinenë, por këtë nuk e arriti dot pasi ajo nuk u përkul kurrë, por i qëndroi deri në fund bindjeve të saj nacionaliste, antikomuniste dhe pluraliste duke mbetur kështu femra opozitare më fuqishme në politikën dhe demokracinë shqiptare.

Dhe pyetja që të vjen natyrshëm në këto raste është: Ku jane sot “musinetë”? Fakti që nuk marrim dot përgjigje e bën edhe më të madhërishme figurën e saj, por edhe lëndon më shumë fatin tonë si shoqëri shqiptare që fatkeqësisht asnjëherë nuk kemi ditur të zgjedhim njerzit e duhur në kohën e duhur!

Filed Under: Opinion

ÇABEJ I DISKUTIMEVE NE KONGRESET DHE KONFERENCAT SHKENCORE

August 15, 2024 by s p

Shkruan: Prof. dr. Shefki Sejdiu/

Përpara se të parashtroj disa mendime rreth diskutimeve të Çabejt në tubimet shkencore, temë kjo jo aq e rëndomtë për analiza dhe vlerësime rreth kontributit të një personaliteti të shquar të dijes shqiptare, do t’i thoja disa fjalë rreth institucionit të tubimeve shkencore pa hyrë në imtësira rreth karakterit dhe rangut të tyre.

Tubimet shkencore si forma organizimi e pune janë të një rëndësie të veçantë informimi e interkomunikimi shkencor. Ekziston mendimi i arsyeshëm se shkenca më së shumti përparon përmes tubimeve shkencore dhe separatëve . Në këto tubime zhvillohen edhe aktivitete interkomunikimi intelektual e hulumtues interesash e formash të shumëllojta.

Format e komunikimit dalin nga vet natyra e punës dhe aktorëve që alternativisht bëhen edhe dhënës dhe marrës të mesazheve, që presupozon rolin e folësve përkatësisht dëgjuesve, në këtë rast të kumtesave e të debatit. Nëse një referues trajton çështje të ndryshme, pjesëmarrësi dëgjues mund të motivohet e të cytet të reagojë ndaj kumtesës të një a më tepër referuesve dhe mendimeve të parashtruara. Këtë kompleksitet problemesh e trajtimi e imponon shumësia e universit preferencial kognitiv që kurdoherë është në qendër të vëmendjes së hulumtuesve.

Gjatë procesit të komunikimit shkencor qoftë ky edhe i institucionalizuar siç është edhe i tubimeve shkencore, paraqiten forma institucionalisht e motivisht të ngarkuara që shprehen si diskutime, intervenime (ndërhyrje), respektime (sqarime), debatime, polemizime, qortime (të buta e të ashpra) e grindje, që krijojnë paradigmë edhe hierarkike nocionesh komunikimi.

Konferencat shkencore kanë qenë pjesë e pandashme e veprimtarisë së frytshme shkencore të Çabejt. Ai përfaqësoi gjuhësinë shqiptare në vend dhe jashtë vendit. Çabej i konsideronte diskutimet shkencore të një rëndësie të veçantë. Diskutimin në Kuvendin e Parë të Studimeve Ilire (1972) e ka filluar me fjalët që meritojnë të shënohen: “Besoj, thotë Çabej, se DISKUTIMET e djeshme dhe të sotmet na kanë vërtetuar më së miri që në kongrese e në kuvende DISKUTIMET e SHKËMBIMET e mendimeve shpeshherë dalin më të frytshme se kumtesat, ligjëratat e referatet” .

Në saje të formimit të tij intelektual e shkencor Çabej ka ndërtuar një sistem pune e veprimi në tubime shkencore nivelesh të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare ku janë trajtuar çështje albanologjike të periudhave të ndryshme që nga lashtësia deri në gjysmën e dytë të shekullit XX.

I bindur për kompleksitetin e çështjes, Çabej iu kushtua çështjes me seriozitetin më të madh (e, për çështje të tilla është e nevojshme pjesëmarrja e hulumtuesve shqiptarë me kumtesa e me diskutime) sepse duhej përballur me ide e pikëpamje jo gjithherë shkencore të bazuara, subjektive e simpliciste, intencionale e me referenca jo të plota e jo reale. E, dihet tanimë se fusha apo aksi i referencës është hapësirë ku rrahën mendimet për hulumtimin dhe gjetjen e reales, të cilën pra duhet hetuar, gjetur, veçuar, njohur e vlerësuar brenda universit kognitivo-referencial. Por, kur realja, e vërteta, e kërkuara perceptohet dhe konceptohet e shtyrë nga motive intencionale, subjektiviste e individualiste, ky lloj perceptimi shpie tek shumësia e mendimeve që provokojnë debat. Mbi këtë bazë motivuese edhe qëndrojnë ndërhyrjet e Çabejt rreth kumtesave e diskutimeve të dhjetëra studiuesve të njohur si V’. Georgiev, Katiçiq, Desnickaja, Gëlëbov, Rich, Al. Roseti, Mihaescu, Galdin, V. Pisani, C. De. Simone, Bonfante, St. Mann, Z. Skiro, Ajeti, Ceka, Z. Sako, Demiraj, Lafe etj.

Po, si duket paraqitja e Çabejt në diskutimet në vend dhe jashtë vendit, përkatësisht në raport me vendorët dhe të jashtmit?

Me bashkëkombësit e tij Çabej është kolegjial, didaktik e principiel; me të huajt (mysafirë) tek Çabej vërehet ndjenja e mikëpritjes, e përgjegjësisë dhe e respektit, por edhe e parimësisë dhe konsekuencës.

Jashtë vendit, Çabej me bashkëkombësit e tij është i afërt, i kujdesshëm dhe metodik, kurse me të huajt është i matur, i paimponueshëm, serioz, dinjitoz, principiel, me një ndjenjë të theksuar kompetence, përfaqësimi e përgjegjësie intelektuale.

Te Çabej edhe si diskutues duket i çartë formimi dhe informimi si në fushë të gjuhësisë njashtu edhe në disciplina të tjera konvergjuese që lidheshin me origjinën, atdheun, historinë dhe gjuhën e popullit shqiptar.

Çështjet rreth të cilave Çabej ka debatuar në konferenca janë nga më të ndryshmet: si ato rreth origjinës së popullit, të gjuhës dhe vendit të formimit, rreth autoktonisë dhe argumenteve dhe dëshmive të sjella nga disciplina të tjera konvergjuese diakronike, rreth fenomenit të ambiguitetit, apriorizmit, simplifikimit, rreth fiksimit të kritereve, rreth subjektit gjuhësor, rreth shtresimeve dhe krahasimeve midis gjuhëve (psh. mesapishtes e shqipes), rreth ndarjes kentum-satem, rreth marrëdhënieve kelto-ilire, rumuno-shqiptarëve, rreth kontakteve dhe ndikimeve lashto-greko-proto-shqiptare, latino (proto) shqiptare, rreth evoluimit të tingujve, rreth gemina(n)teve në shqipe, rreth ndikimit të faktorëve të jashtëm në karakterin ballkanik të shqipes, rreth nyjave, rreth leximit dhe interpretimit të mbishkrimeve, etj.

Në të gjitha këto çështje të trajtuara nga të tjerët, çoftë në formë kumtese apo diskutimi, Çabej në ndërhyrjet e veta tregohet njohës i mirë i problemeve me sens të theksuar të çështjes interdisiplinare, induktivist e komparativist, që mjeshtërisht shfrytëzon evidencat gjuhësore dhe kontkstet e ndryshme për njohjen e çështjeve që trajtoheshin.

Në diskutime Çabej çorton çasjet simpliciste, arbitrare, improvizuese, intencionaliste, si dhe rekonstruktimet dhe gjeneralizimet e bazuara në të dhëna ekskluzivisht të izoluara e eksterne (Vl. Georgiev). Përkujton kritere e parime universale e specifike, vlerësuese, saktësuese (E. Lafe); sugjeron përcaktimin e vlerave të koncepteve si p. sh., invencion, konservacion gjuhësor (Sh. Demiraj) .

Shikuar nga aspekti metodologjik Çabej ndjek rrugën e argumentimit dhe arsyetimit: nuk e çorton autorin (e kumtesës apo diskutuesin), por idenë e tij të shfaqur hic et nunc; në disa raste pa e shfaqur në mënyrë explicite mospajtimin me referuesin apo diskutuesin, Çabej ia kundërvë mendimin e vet (si te Boissin). Ndodhë që të pajtohet me mendimin e referuesit për çështje të caktuara (Roseti, Ajeti), por me qëllim përforcimi e potencimi sjell edhe mendime të ngjashme të të tjerëve, pra përforcon hipotezën. Ka raste kur duke mbrojtur mendimet që aty shfaqen (A. Desnickaja) mbron edhe të vetat, kështu që (shpeshherë) përdor edhe mënyra indirekte komunikimi (Georgiev, Desnickaja, Çabej).

Ndodh që referuesit a diskutuesit Çabej t’ia pranojnë njërën anë të sqarimit të çështjes, por gjatë diskutimit Çabej jep sqarime edhe për pjesën tjetër (tek Bonfante) . Diskutimi i tij shpeshherë është sqarues e mjaft diskursiv, pra edhe argumentues me elemente krijimtarie spontane të dala nga një situatë ad hoc; shumë diskutime të Çabejt u ngjajnë kumtesave të shkurtëra me rezultate të dukshme.

Bie në sy edhe realizimi gjuhësor, përkatësisht strukturimi formal e përmbajtësor për këtë lloj komunikimi shkencor. Toni dhe ritmi si dhe struktura e tekstit janë të stilit akademik dinjitoz (V. Georgiev: centracionist, kategorik, autoritar = Çabej: decentracionist, relativist, tolerant) .

Çabej në rrafshin preferencial përdor referenca të plota dhe joekuivoke dhe jo-intencionale, eviton struktura të tipit elokutor, si: them, kundërshtoj, heth (poshtë), korrigjoj e, në vend të tyre përdor modelet: më duket, mendoj, supozoj, saktësoj, etj.

Përdor veten e parë të shumësit për rezultate, suksese, kurse veten e I të njëjësit e përdor tepër rrallë që sugjeron modesti dhe vetpërgjegjësi. Në diskursin debatues të Çabejt më shpesh del veta e tretë e njëjsit apo pavetësorja si forma objektive e depersonalizuese (Traimer, Ajeti) .

Gati gjithëherë emrat e individëve, qofshin ata autorë të kumtesave, diskutues apo reflektues, janë të paraprirë nga titujt, thirrje dhe struktura të tjera honorifike.

Në Diskursin debatues të Çabejt në Konferenca shkencore më së shpeshti hasën format dëgjim, observim, mendim, pritje, dëshirë, urim, përgëzim, kurajim, pohim, saktësim, sqarim, plotësim, prurje, përzgjedhje, krahasim, argumentim, vlerësim, konkludim, të artikuluara me struktura verbale, rëndom në vetën e parë shumës, struktura këto që përbëjnë një lloj paradigme konceptuale ndërkomunikuese e vlerësuese shkencore.

Dhe për fund do të shtoja se shumë raste Çabej nuk i hesht as ngatërrimet (e që dalin me qëllim apo pa të) midis primares e sekondares, universales e partikulares, esenciales e formales, kreatives e improvizueses, shkencores e arbitrares, kompatibiles e inkompatibiles – kategori këto kundërvënëse aksiologjikisht dhe epistemiologjikisht relevante.

(Nga libri ne doreshkrim)

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 70
  • 71
  • 72
  • 73
  • 74
  • …
  • 857
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Sounds of Albania…
  • Fuqia e vërtetë…
  • Qyteza dardane në Kodren e Pecës – Kukës
  • Realiteti i përballueshmërisë për amerikanët
  • IL PICCOLO DI TRIESTE (1913) / INTERVISTA EKSKLUZIVE ME PRENK BIB DODËN, PRINCIN E MIRDITËS, MBI DORËZIMIN E SHKODRËS DHE FATIN E ARDHSHËM TË SHQIPËRISË
  • NYC Flag Raising for Albania’s Independence Day – Recognition of our Community’s Contributions and History
  • Data 10 Dhjetor shënon Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut
  • ELITEN E RE DUHET TA MBËSHTESIM
  • Në Parlamentin e Rumanisë u promovua fjalori akademik rumanisht–shqip: një ngjarje historike për dy kulturat
  • LAHUTA NE UNESCO FITORJA SHQIPTARE PERBALLE PRETENDIMEVE SERBE
  • Një reflektim mbi “Strategjinë Kombëtare të Mbrojtjes” të ShBA-së, miratuar ditët e fundit
  • “Ukrainë, paqe e pamundur me pushtuesin (Putinin)”
  • INSTITUTI I KUJTESËS KOMBËTARE SHQIPTARE NË STUTTGART
  • Presidentja Osmani priti në takim Raportuesin e Parlamentit Evropian për Kosovën, z. Riho Terras
  • ROLI I SALI BUTKËS NË SHPALLJEN E REPUBLIKËS SHQIPTARE TË KORÇËS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT