• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Siria: Konferenca e Paqes, lëndët kimike dhe Shqipëria

November 11, 2013 by dgreca

Opinion nga Zeno Jahaj/

Pasi është zyrtarizuar se Sekretari i Departamentit të Shtetit të SHBA-së i është drejtuar me një propozim Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë që të pranojë asgjësimin në territorin shqiptar të lëndëve kimike të identifikuara në Siri, atëherë, Shqipëria, normalisht, bëhet palë e interesuar për zgjidhjen më të mirë të kësaj çështjeje.

Në këto kushte, Republikës së Shqipërisë i lind e drejta të shprehet jo thjeshtë për pranimin apo mospranimin e propozimit, por për disa opsione, të cilat ajo i gjykon në respekt të detyrimeve dhe angazhimeve si shtet anëtar i OKB, si aleat në NATO dhe partner strategjik me SHBA.

Një nga këto opsione mund të ishte diskutimi i kësaj çështjeje në Konferencën e Paqes që pritet të zhvillohet për Sirinë. Natyrisht që Konferenca e Paqes për Sirinë është një çast shprese për zgjidhjen politike të krizës Siriane, por kjo krizë e lidhur sot me faktorët konfliktualë politikë, nesër do të mbetet potencialisht e pazgjdhur nëse nuk mban parasysh të gjithë faktorët që e mbajnë gjallë atë konflikt në të ardhmen. Një nga këta faktorë konfliktualë me rreze të gjatë kohore është edhe arsenali i armëve të shumta që ka në atë vend, midis tyre edhe i teknologjive, pajisjeve, municioneve apo lëndëve kimike.

Konferenca e Paqes mund të ishte vendi për një transparencë ndërkombëtare të kësaj çështjeje, si dhe për të ndarë me të tjerë këtë barrë, pa cënuar aspak sigurinë e vendit dhe atë rajonale. Një diskutim i tillë do mund të ndikonte për të faktorizuar më shumë prestigjin e Shqipërisë në interes të zgjidhjes së çështjeve kombëtare shqiptare.

Filed Under: Opinion Tagged With: konferenca e Paqes, lendet Kimike, shqiperia, Zaho Jahaj

Më në fund pa maskë

November 7, 2013 by dgreca

Nga Hajro Çini M.A./

Pas një përpjekje titanike për të mbuluar fytyrën e vërtetë, qytetari Bamir Topi kaloi haptazi në fushën që i përkiste prej kohësh. Jo se kjo nuk dihej. Aktiviteti i tij edhe pse tinzar dhe i kamufluar nuk linte rast për ekuivok, por të paktën ai pati sot kurajon civile të shprehet, për herë të parë, sinqerisht, se kujt spektri politik i përket. Shpresoj se akti i tij do të çlirojë nga dilema edhe ata pak pasues që realisht i përkasin shtresë së persekutuar, ish pronarëve apo të djathtëve të tjerë, që e kanë besuar deri tani.

Viktor Hygoi ka krijuar një personazh shumë të çuditshëm tek vepra e tij madhore “Njeriu që Qesh”, Barkilfedron. Ky personazh cinik, tinzar, i pabesë, i paskrupullt, i ulët, etj. etj. ka një karateristikë specifike. Ai urrente të gjithë ata njerëz që i kanë bërë atij ndere. Mosmirënjohja dhe urrejtja për bëmirësin  e bëjnë Barkilfedron ndyrësisht të famshën në llojin e vet. Mishërimi më i plotë real i këtij personazhi është edhe qytetari Topi.

Pasi u përkëdhel, u mbulua, u paraqit pikërisht ai që nuk ishte, ai u katapultua në postin më të lartë të republikës, prej ku, ai nuk la gur pa lëvizur për të dëmtuar atë parti që e ngriti në atë post. Me një tinzarllëk të pështirë.

“Bamiri nuk është injorant apo mëndje-shkurtër – këtë ta keni të sigurtë – por është një kalkulues shumë i zhdërvjellët i situatave politike. Ai hypi shkallët e PD duke luajtur me imazhin e “burrit mirë” në PD. Të përshëndeste, tregonte interes kur flisje me të, bënte “çmos” për të ndihmuar, po sic thoshte Bamiri: “këta nuk të hapin rruge” dhe normalisht nuk të mbaronte punë….. por për ironi të realitetit, Bamirit “iu hapnin rrugët në PD” – për veten e tij. Hmmmm!!! “ – Shkruan një demokrat i shquar.

Pse u kujtua në këtë moment qytetari Topi të tregohet kaq i sinqertë në qëndrimet e tija politike?! Ka disa arsye:

Së pari edhe pse u fry si gjel deti, edhe pse mori rreth 30,000 vota të zhgënjyerish, edhe pse PS u investua fuqishëm në Tiranë ti jepte vota shtesë, ai dhe askush nga partiçka e tij, e formuar në mënyrë ilegale dhe në shkelje të kushtetutës, në presidencë, nuk arriti ta nxjerrë atë antar parlamenti. Ai e di tani se pas një konsumi 8 vjeçar të pushtetit të PD-së ky ishte kulmi që ai mund të arrinte.

Pas këtij momenti, pas riorganizmit total dhe të plotë të PD-së, pas daljes së narkozës propagandistike të socialistëve si dhe një realiteti të hidhur që do të pasojë, figura e Topit në krahun e djathtë vetëm se do të zhvleftësohet, rrëgjohet, venitet dhe neveritet. Ky është momenti që Topi mund të paraqesë potencialet maksimale që do ti reduktohen çdo ditë. Pragmatizmi e detyron që ta luajë fort kartën që të marrë maksimumin e mundshëm.

 

 

 

Së dyti, pasi dështoi në uzurpimin e PD-së, pasi nuk arriti  të mbante me çdo kusht presidencën për një mandate të dytë, pasi e pa se nuk kishte asnjë vlerë elektorale ai, me të drejtë mendon, se ka një shans, edhe pse të vogël, që të katapultohet në krye të PS-së. Heqja e maskës e bën shumë interesante lojën në kampin e majtë. Atje ka pasur gjithnjë luftë bërrylash. Viktimë e kësaj lufte u bë edhe kryetari historik socialist, që nuk e pranojnë më as edhe në seli. Në këtë betejë të ashpër deri sot ka pasur të lojtarë të fuqishëm, Meta dhe Rama. Së fundi u shtua edhe Topi. Krahasuar me dy të parët, llogjikisht Topi ka disa avantazhe. Ndryshe nga Rama që ka qënë kritik i hershëm i komunizmit, me kulminacion librin “Refleksione” apo kur kërkonte vrasjen e të gjithë komunistëve, Topi nuk ka bërë ndonjëherë luftë kundër komunizmit, përkundrazi. Ndryshe nga Meta që ka bërë aleancë me Dr. Berishën, që për të majtën ishte një krim, Topi nga presidenca, pikërisht në këtë kohë i bënte luftën më të ashpër PD-së. Ndryshe nga Meta që është realisht prointegrim, Topit i nxinte fytyra në presidencë, sa herë që Shqipëria kishte progress në këtë fushë. Këto qëndrime i japin dorë të fortë Topit në krahun e majtë. Bile jo vetëm kaq. I gjithë aktiviteti i Topit në Presidencë dhe më pas i japin kredit të fortë atij në krahun e majtë, më konkretisht:

 

Propozoi në më shumë se 90 % të rasteve kriminelë, ish prokurorë, ish gjykatës të komunizmit për në Gjykatën Kushtetuese apo në Gjykatën e lartë;

Propozoi në krye të Prokurorisë së Përgjithshme të bijën e Sudes së Durrësit, një farë Ina Rama;

Dekoroi kriminelin Skënder Breca; (Vrasësin e Partiotit Xhelal Koprencka);

Dekoroi gjykatësen që kishte dënuar me varje poetin shpirtlirë Anzi Nela

Nuk dekretoi ligjin e lustracionit;

Kur në të drejtën e tij ligjore, po aspak profesionale, aspak konsekuente votoi për Edi Ramën;

E shumë e shumë të tjera. Topi nuk ka se çfarë të humbë më, prandaj doli haptaz. Ndoshta sinqeriteti, edhe pse jo në natyrën e tij, do të mund të bëjë disa pasues. Por siç është paradoks shpesh loja poltike në Shqipëri, shanset e Topit varen shumë nga lëvizjet e Metës. Këtij të fundit i intereson një Top deri kur ai erodon Ramën. Çdo lëvizje që redukton Ramën para elektoratit socialist është e mirëpritur për Metën. Por ky është caku, më tej Meta nuk mund ta tolerojë Topin, sepse edhe pse jo me kreditet e Topit në favor të së majtës, mënçuria, urtësia, pragmatizmi, vullneti dhe klasi i Metës, shumë më i lartë se ai i Topit, nuk lënë shumë rast për enthuziazëm. Meta është praktikisht afër objektivit të tij për tu bërë udhëheqësi absolute i së majtës.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: bamir topi, Hjaro Cini, Pa Maske

Kush e ka më të lehtë të përmirësohet, populli apo politikanët?

November 7, 2013 by dgreca

Shkruan: Faik KRASNIQI/

Po më kujtohet para ca vitesh një intervistë e Florin Krasniqit (pullazgjiu në Amerikë), në emisionin ‘’Rubikon’’ të Adriatik Kelmendit, ku ai e elaboroi mendimin për pushtetarët tanë që janë tani dhe që e bënë luftën. Po i citoj fjalët e Florinit “dukeshin herë-herë të pa mençur të udhëheqin politikën, por kisha menduar gabim sepse ata tërë kohën paskan menduar se si do ta marrin pushtetin dhe të ……” . Unë i bashkëngjitëm këtij mendimi të Florinit, por diçka nuk më lejon që ta besoj këtë duke e ditur për ta bërë luftën duhet të kesh të pjekur patriotizmin në gjak. Disa nga këta burra mund ta kenë pasur atdheun para interesave personale. Por, marrë në përgjithësi, me shtetudhëheqjen dhe me gatishmërinë për të vendosur rregull, rend dhe ligj si dhe të krijojnë siguri dhe optimizëm real për jetë në Kosovën e dashur, ka qenë shumë e vogël për të mos thënë “luftë” në paraqitjen sa më negative.

Është vërtetë për keqardhje, se si munden aq lehtë të jepen pas dukurive të liga (tenderomanisë) burrat që kanë ditur t’ju mbajnë popullatës në Kosovë aq lartë ”moralin” në luftë dhe ta prijnë këtë popull liridashës në beteja të egra.

Si kanë ditur aq mirë ta organizojnë popullin në një kohë lufte e tani janë ngulfatur nga parregullsitë.

Kisha dashur shumë të besoj se këta politikanë ta dënojnë veten para se t’i dënojë populli, në mënyrë që t’ia pranojnë vetes se tyre së pari se duhet t’i kryejnë përgjegjësitë që ju përkasin, nga populli që i kanë marrë, të jenë të gatshëm të bashkëpunojnë me njëri tjetrin, t’i pranojnë këshillat, duhet të mësohemi të themi : Më fal, Nuk di, Ju lutem, etj , etj.

Besoj që Qeverisja e mirë do të bëhet atëherë kur populli do e kupton përfundimisht se ai (populli) duhet të përmirësohet që të zhvillohemi si Shtet, por kjo do të duhet të ndodh para se të përmirësohen liderët tanë.

Për qeverisje të mirë lind pyetja:

Pyetja: Kush e ka më të lehtë të përmirësohet, populli apo politikanët ?

Përgjigjen do ta kuptoni kur të rregullohet QEVERISJA……

 

Filed Under: Opinion Tagged With: faik Krasniqi, kush permiresohet, populli a politikanet

Shërbëtori Thaçi dhe “e drejta” e tij

November 7, 2013 by dgreca

Opinion nga Albin Kurti/

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, po e mbron Kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, nga diskriminimi! Ja cili është rezultati politik e konceptual i dialogut pa kushte për Serbinë e për çështje të brendshme të Kosovës. Jo vetëm gjatë fushatës zgjedhore por edhe pas zgjedhjeve, Daçiqi dhe të gjithë zyrtarët e tjerë shtetërorë të Serbisë do të mund të hyjnë e vijnë në Kosovë, të flasin e të veprojnë. Në mbrëmjen e 7 tetorit, pas negociatave në Bruksel me ndërmjetësimin e Baroneshës Ashton, Thaçi sërish lëshoi pe dhe u nënshtrua.

Pas raundit më të fundit dhe më të ri të negociatave të vazhdueshme në Bruksel, në njërën anë, Thaçi deklaroi që ‘askush nuk mund të pengohet në lëvizjen e lirë’, ndërkaq, në anën tjetër, ai theksoi që ‘Kosova do ta respektojë marrëveshjen për lëvizjen e lirë, pa diskriminim’. Herën e parë bëhet fjalë për lirinë e lëvizjes si një e drejtë, kurse herën e dytë për marrëveshje politike mbi lirinë e lëvizjes. E para gjithsesi do të ishte e pamjaftueshme sepse dihet që kriminelët e armiqtë, siç e mendojnë Daçiqin shumica dërrmuese e popullit të Kosovës, nuk kanë liri të lëvizjes. Prandaj, vjen kjo e dyta për marrëveshjen politike me Serbinë e cila e zgjeron lirinë e lëvizjes (duke e shkelur në thelb atë) edhe për Daçiqin e zyrtarët e tjerë shtetërorë të Serbisë.

Kështu Daçiqi, Nikoliqi, Vuçiqi dhe krerët e tjerë të Serbisë e fituan lirinë për pelegrinazhin e fashizmit serb në Kosovë. Ata që nuk do të duhej të kishin liri të fjalës, tubimit e veprimit as në Serbi i fituan ato në Kosovë. Thaçi po ia jep lirinë e lëvizjes Serbisë në Kosovë. Pas lirisë së krijimit të Asociacionit a Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, pas amnistisë ligjore për kriminelët serbë, Serbia e fitoi edhe lirinë e fushatës për Serbinë në Kosovë. E legalizuan krimin e deritanishëm për të kaluar në një fazë të re për zgjerim e forcim shtesë.

Marrëveshja e këtillë na thotë që diskriminuesi më i madh nuk duhet diskriminuar! Sepse dihet kush është Ivica Daçiq: tetë vjet zëdhënës i partisë famëkeqe të Milosheviqit (SPS) dhe një Milosheviq-junge i spikatur; ishte bashkë me Milosheviqin kur ai ushtronte apartheidin në Kosovën e paraluftës, kur zbatonte gjenocid në Kosovë gjatë luftës dhe kur Milosheviqi i la trashëgim strukturat paralele në Kosovë pas luftës. Pas zgjedhjes në krye të partisë së Milosheviqit, më 4 dhjetor 2006, Daçiq tha se ‘askush nuk mund të thotë se nuk do të ketë përsëri luftë në Kosovë’, për të shtuar se ‘Kosova duhet të mbrohet me të gjitha mjetet’. Daçiq ishte bashkë me Nikoliqin e Vuçiqin gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 dhe që prej vitit të kaluar u bënë bashkë sërish në qeverisje me qëllime të vjetra e për qëllime të vjetra (që i kanë të ndryshme mjetet e realizimit vetëm në masën e rrethanave të ndryshuara).

Me lejen e tij për Daçiqin, Kryeministri i Kosovës ka shkelur vendimet dhe qëndrimet e qeveritarëve më të afërt të tij: zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, si dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj. Para vetëm pesë ditëve sipas shtypit ditor në Kosovë, Kuçi deklaroi: ‘Ka qenë një kërkesë e z. Daçiq që ta vizitojë Kosovën nesër dhe i është anuluar kjo vizitë dhe të tjerat me arsyetimin se gjatë fushatës zgjedhore nuk lejojmë të ndërhyjë në procese të brendshme. Kërkesat e tij gjatë fushatës do të refuzohen. Vizitat e karakterit politik dhe partiak nuk do të lejohen. Po ashtu kryeministrit Daçiq i është thënë se niveli i lartë në Serbi gjatë gjithë fushatës nuk do të lejohet të vijë në Kosovë’. Ndërsa para vetëm dy ditëve Kuçi tha se ‘ne jemi për atë që të inkurajohen serbët lokal për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale, por jo që të kemi fushatë elektorale të Serbisë në Kosovë’. Vendimin e tij qysh në fillim e pat përforcuar Ministri Enver Hoxhaj kur potencoi që ‘kjo nuk do të ndryshojë, pa marrë parasysh presionin që do të bëjë Serbia në Bruksel’. Mirëpo, duket se një presion tjetër ishte më i rëndësishëm sesa presioni i Serbisë në Bruksel – presioni i Brukselit mbi Thaçin apo edhe ai direkt i Serbisë mbi Thaçin. Kuçi dhe Hoxhaj nuk janë të vetëdijshëm se sa pak trysni nevojitet mbi Thaçin që të kryhen punë të shumta për Serbinë. Deklarimeve të tij të mësipërme, Kuçi ia pat shtuar edhe atë se ‘pala kosovare nuk do të zmbrapset karshi shantazhit të kryeministrit serb’. Tash, ose Kuçi nuk e njeh fare kryeministrin e tij, ose nuk e konsideron atë të jetë pjesë e palës kosovare.

Serbia në dialogun në Bruksel vazhdimisht shtron kërkesa të reja e kërkesa shtesë, ndërkaq Kosova bie në defanzivë duke i plotësuar pjesërisht ato (hëpërhë) për t’i plotësuar tërësisht (ca më vonë). Në Bruksel ku ndërmjetëson Baronesha Ashton, edhe koha e raundit të ri të bisedimeve edhe substanca e tyre përcaktohen nga interesi dhe nisma e Daçiqit. Kur ai është i pakënaqur (ndërkohë që është i pangopshëm) organizohen bisedime e negociata ku pak e ngapak, por gjithnjë dhe përherë e më shumë, Thaçi lëshon pe, zmbrapset dhe bën kompromise.

Pasi që iu nënshtrua Daçiqit sa i përket datës së zgjedhjeve lokale në Kosovë, Thaçi pranoi edhe kërkesat e Daçiqit për përmbajtjen e zgjedhjeve duke futur 12 mijë serbë shtesë në listat zgjedhore për komunat në veri të Kosovës. Madje, pranoi edhe kërkesat e Daçiqit për fushatën e zgjedhjeve ku Serbia po bëhet njëri ndër opcionet elektorale. Kompromiset e Thaçit nuk janë të tilla që të mos ketë më kompromise të tjera, e aq më pak të atilla që mundësojnë të ecet para. Mbase shumë më tepër Daçiq beson në shtetin e Serbisë sesa që Thaçi beson në Republikën e Kosovës.

Në shekullin e kaluar Serbia nuk kishte një kryeministër në Kosovë sikurse që tash e ka Thaçin. Ky njeri është bërë shërbëtor i dyfishtë: në njërën anë është shërbëtor i privatizimit neoliberal e në anën tjetër shërbëtor i shovinizmit serb. Është e qartë që Thaçi është në lloç të gjallë. Problemi është se teksa po fundoset gjithnjë e më shpejt, ai po e shtrëngon gjithnjë e më fort Kosovën që don ta marrë me vete.

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Albin Kurti, e drejta e tij, sherbetori Thaci

JA PSE P K SH (PPSH)… ME PASUESE,ISHIN DHE MBETEN: PARTI TERRORISTE !

November 7, 2013 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/Australi/

Shqipnia dhe Shqiptarët në vitin 1941 nuk ishin të angazhuem në asnjë front të Luftës së Dytë Botnore, dhe tue pasë mundsi me u bashkue me Trojet e veta, tue krye pra, këte bashkim në mënyrë paqsore me evolucion, pa asnjë konflikt, dora sllave gjeti terroristin Enver Hoxha, që me megallomaninë e tij çoi Popullin Shqiptar në një luftë civile, dhe per 47 vjetë Shqipnia ishte nder shtetet ma diktatoriale të Europës. Fillimi i kësaj katastrofe historike asht data 8 nandor 1941, dita e zezë e themelimit PKSH.

Instruktimi i tyne në interesin e nenshtrimit të Popullit Shqiptar, dhe premtimet e mercenarëve jugosllavë ndaj Enver Hoxhës per kolltukun e drejtuesit të shtetit vasal, sollën ate, që ky me tradhëti e spastrim tue vra shokët e bashkpuntorët e vet, mërrijti per 40 vjetë me qendrue në krye të PKSH (PPSH) dhe të shtetit, ku viktimat e masakrueme dhe të zhdukuna nder hetuesi e kampe shfarosje i kalojnë tmerret e Luftës II Botnore.

Tue iu referue gjithnjë librit “Diplomacia” me autor z. H. Kissinger, në kjoftë se Rusvelti shihte tek Stalini: “…një mik të vertetë!” dhe si dhuratë të “simpatisë” së tij prej paralitiku, i dha diktatorit Stalin “të drejten e vendosjes së pushtetit sovjetik në qendren e Kontinentit Europian…” (fq. 465) që pasohej me “mospranimin e zbarkimit të trupave amerikane në Ballkan, tue i dhurue “Jugosllavisë, perveç tokave Shqiptare të humbuna që në 1913, e që ishin të çlirueme që në vitin 1941, bashkë me ta edhe Shqipninë Nanë.”

Duhet pranue se, u “harrue” shpejt thelbi i fatkeqësisë: “Idetë ruse të drejtësisë shoqnore dhe ekonomike do të udhëheqin gati një të treten e Botës!” (fq 469). Dy shtetet ballkanike “Jugosllavia dhe Shqipnia, ishin të vetmit shtete diktatoriale komuniste mbas Luftës së Dytë Botnore, në gjithë Europen. Ndersa, nder shtetet tjera të Europës Lindore pranohet me paturpësi se: “demokracia nder ata vende asht e mbulueme me një gjethe fiku”… Kur Ushtria e Kuqe arrijti në lumin Elba: “Sunduesit e Rusisë ishin në gjendje të realizonin ambicjet e Perandorisë Ruse dhe qellimet ideologjike të komunizmit.”

Edhe pse Shteti Shqiptar i shpallun në vitin 1912, nuk kishte as një gjysë shekulli që njihej në Europë si Shtet i Pavarun, edhe pse hundët sllave kullonin nder të gjitha zyrat e të gjithë drejtuesëve të Shtetit, që nga 1913 e deri me 1939…Populli Shqiptar në gjithë historinë e kenjes së vet, asnjëherë nuk e ka pranue zgjedhen sllave as turke aqsa atë italiane, apo të ndonjë shteti tjeter të imponuem nga Fuqitë e Mëdha!

Kjo krenari kombtare duhej shpartallue me të gjitha mjetet antikomtare!

Ishte pikrisht PKSH (e ma vonë PPSH) vegla ma adapte në doren sllave, per me shkatrrue perfundimisht deri në temel binanë e Shqipnisë së ngritun me gjak dhe me sakrifica të pashembullta, gja që e vertetojnë edhe sot fletët e Historisë së Shqipnisë, ku Emnat e Atdhetarëve Shqiptarë, që dhane edhe jeten per një Shqipni të Pavarun dhe me pikpamje Europjane Perëndimore, “nuk janë askund ndër fletët e saj”! Dëshmia ma e saktë e këtij fakti asht Monumenti i Pavarsisë së 1912, i ngritun në Vlonë në vitin 1972.

PKSH dhe drejtuesi i saj terrorist Enver Hoxha, i dha provat e para me shitje të Trojeve dhe i garantoi per “besnikërinë” ndaj politikës tyne antikombtare, me të gjitha gjyqet, ndjekjet nder male, vrasjet me gjyq e pagjyq, interrnimet, shfarosjet, shnderimet, dhunimet, terrorin dhe perkufizimin e të gjitha këtyne në “luftën e kllasave, vepra më e shkelqyer e organizuar dhe drejtuar nga PKSH (PPSH), dhe udhëheqësi i saj E. Hoxha.”

Kur BRSS ishte rreth 200 miljon rob nen diktaturën e perbindshit Stalin, numri i të vramëve në luftë, në burgje e kampe shfarosje apo gulagët e tij, arrinte në 50 miljon. Kjo shifer e mnershme asht pranue edhe nga e bija e tij në vitin 1992.

Shqipnia në vitin 1944 kishte 1.200 000 banorë. Pa shenue këtu të vramit në luftë civile (të ashtuquejtun “Nacional Çlirimtare”), para vitit 1944 dhe të kosovarëve të premë në besë nga Kukësi e deri në Masakren e Tivarit, ku ishin mbi 12.000 vetë… Dy drejtuesit komunistë, (dhe asnjeni Shqiptar), anadollakët Enver Hoxha dhe Ramiz Alia, kanë vra dhe kanë krye të gjitha krimet që ka ba Stalini, por besoj, se edhe ia ka kalue jo vetem per numrin e popullsisë… por edhe me ate që nuk ka arrijtë as Lenini e as Stalini, me “Gjenocidin kunder Klerit Katolik Shqiptar 1944 – 1990”, ku janë perfshi mbi 131 Klerikë nder rreth 200 Klerikë, që ishin në vitin 1944. Pa shenue Klerikët e besimeve tjera!

Numri i të vramëve dhe të shfarosunëve nder hetuesi, kampe dhe burgje, deri në vitin 1974 në gjithë Shqipninë, i kalon 50.000 Shqiptarë të masakruem…Ndersa, numri i të burgosunëve dhe të interrnuemëve nga viti 1944, i kalon mbi gjysë miljoni njerëz.

Duhet percaktue shifra e saktë e krimeve të kryeme nga PKSH (PPSH) nga viti 1944 deri në vitin 1991, kur PKSH (PPSH) e drejtonte terrosti Enver Hoxha dhe pasuesi i tij Ramiz Alia. Mosdenimi i krimeve të komunizmit në Shqipni, asht pasojë fatkeqe që vjen nga trashigimia e qeverisjes nga bashkpuntorët e djeshem dhe të sotëm me PKSH (PPSH), qeverisë dhe vegles terroriste e masakruese të tyne: Sigurimin e shtetit.

Krimet, vrasjet, vjedhjet dhe plaçkitjet e miljona miljona dollarëve nga drejtuesit e Shtetit Shqiptar, po vazhdojnë mbas 1992… e do të vazhdojnë prap… perderisa, terroristët që vodhën e vranë Atdhetarët tanë, “më vështirësi i banë shtrati i topit”, kur ngordhin!

Pa u dënue krimet e kriminelët e Popullit Shqiptar, Asnjëherë në Shqipni nuk do të arrihet Pajtimi Kombtar, elementi i domosdoshem per Vllaznimin e Shqiptarëve mbi bazat e Paqës, Drejtësisë dhe vendosjes së Shtetit Demokratik.

Pa këta elemente kurrë Shqiptarëve nuk do t’ ua hapin askush Dyertë e Europës Perparueme. Arritja e Pajtimit Kombtar në Shqipni, siguron Qeverisje Demokratike!

Qeverisja Demokratike nga Shqiptarët e vertetë, asht mjeti ma i sigurtë edhe per arritjen e Marrveshjeve të Drejta dhe Paqësore me të gjitha Shtetet Fqinjë, ku interesat dhe detyrat e ruejtjes së mardhanjeve reciproke dhe Paqësore janë të Baraspeshueme!

***

Kurrë mos e harroni thanjen e Fratit të dijtun të Shkodres, me intelektualët e Korçës, kur Shqipnia po zharitej nga PKSH në vitin 1944… At Anton Harapi, u ka thanë:

“…Ta kundërshtojmë terrorizmin, imoralitetin, luksin e alkoolin, vesin, dhunën, pasuninë e padrejtë etj.; e, jo, të kapemi për punë feje. Të na mbushet mendja mirë, se, sikurse nuk janë fajtorë myslimanët pse janë shumicë në Shqipni, ashtu nuk kanë ma pak të drejtë kristianët, vetëm pse numri i tyne asht ma i vogël…

Me gjak e ndasi jemi ngopë. Kemi provue edhe se shka asht kthetra e huej.

Jemi rysë tashma me të gjitha provat e egoizmit vetjak e kolektiv të partive dhe kemi pa e prekë me dorë se, një popull i përçamë me grindje të mbrendshme asht i gjykuem me mbarue…

A sot, a kurrë, të mobilizohemi për Fé e Atdhé! Ja, ky asht besimi e kjo asht Shqipnia që po na zhduket ndër duer…. Nuk shpeton, jo sot, as Xhamia pa Kishën, as Kisha pa Xhaminë, por as njena as tjetra pa Shqipninë.”

Melbourne, Nandor 2013.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Fritz Radovanai, me pasueset e veta, parti terroriste, PKSH

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 784
  • 785
  • 786
  • 787
  • 788
  • …
  • 864
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit
  • MËKATET E ZONJËS EMA
  • GAZETA “DIELLI” SYRI I DRITËS SË SHTYPIT SHQIPTAR NE AMERIKË
  • Banda “Vatra” në kontekstin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe ndërtimit të identitetit kombëtar shqiptar
  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT