• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PRIORITETET: NEUTRALIZIM DUETIT RAMA-META

April 19, 2013 by dgreca

… FORMULA 3 ME 3, I SHTATI ME KONSENSUS DHE PERSPEKTIVA E KQZ LARG KTHETRAVE TË PARTIVE /

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Mbrëmë po bënim zapping nëpër TVtë e Tiranës dhe tek RAI Due, ku do të konkuronte Elhaida Dani. Kalonim sa tek Top Story, ku Balla kishte ftuar Metën, tek Opinion, tek 360 Gradë i Artur Zhejit. Të gjithë si krokodilët për të coptuar prenë e rradhës. Pa moral, pa mëshirë, pa nder dhe pa integritet, të gatshëm të pinë në gota shampanje gjakun e njëri-tjetrit dhe pastaj të bëhen vëllezër të një gjaku. Të gjitha palët, pa përjashtim. E djathta duhet të rinovohet, por ndërkohë duhet të neutralizohet turri i duetit të ri Rama-Meta. Që edhe po të ketë rotacion të jetë një ngjarje normale dhe jo dramatike. Prandaj mendova se krijimi i një partie të majtë më afër qendrës, me të përjashtuarit e Ramës, duke filluar prej Fatos Nanos, Kastriot Islamit e të tjerë, do të kishte ndikim pozitiv !

Mbrëmë, për të evituar blablablatë nëpërTVtë e Tiranës, zgjidhja fatlume të mbyllnim veshët për të mos dëgjuar hipokrizitë e krokodilëve të etur për pushtet, ndërsa tek RAI DUE përballeshim me një realitet 180 gradë ndryshe, një realitet sureal, të realizmit magjik, tek dëgjonim në duet vajzën shqiptare kur këndonte “No more tears” të Donna Summer. Sa ishim të gërdisur deri në fyt nga politika shqiptare, aq na mrekullonte Magjia shqiptare me emrin Elhaida Dani, e cila na la pa frymë, dhe ashtu si ne, i la pa frymë e i magjepsi edhe ikona të kulturës italiane si Raffaella Carrà e Riccardo Cocciante.

Dhe kjo më bëri të përsëris refrenin se është fatkeqësi e madhe për rininë e vendit tonë që ka këtë klasë politike mizerabël!

Ndërsa nga Tirana publiku shqiptar mbrëmë pështirosej nga strategjitë e bllokimit të KQZ midis palëve ndërluftuese, të cilat zgjedhjet i shohin si fundin e botës dhe jo si lindjen e një dite të re, në Itali, përmes RAI DUE Elhaida Dani magjepste publikun italian dhe shqiptar! E pra, kjo rini e mrekullueshme shqiptare të cilën e përfaqëson Elhaida Dani me shokë e shoqe meriton një klasë politike të nivelit të saj, të pastër, të talentuar, me kapacitete, të përgjegjëshme, me energji pozitive, me energji të pashtershme për të çuar vendin përpara, Shqipërinë tonë të mirë, larg të gjitha pislliqeve të kuluareve të ndyra.

Profesionalizmi, talenti, guximi i Elhaida Danit tek RAI DUE është në kontrast të plotë kundruall mbrapshtive të politikanëve shqiptarë që çakërqejfen nëpër TVtë e Tiranës, pa çarë kokën se stonojnë me avazin kërcënues duke bërë krahasimin e kobshëm të 23 qershorit 2013 me zgjedhjet e 1996 apo 1997!

Veshët na dëgjuan se Ilir Meta synonte ta njolloste procesin zgjedhor që në nisje, duke bojkotuar KQZ. Një mësim i merituar për Sali Berishën! Por çfarë faji ka Sovrani! Që shqiptarët të shkojnë në zgjedhje të paraprirë nga skenarë diabolike për të shkatërruar procesin zgjedhor që pastaj zgjatja e tij t’u përpijë muaj të gjate jete se kush i fitoi zgjedhjet!

E vetmja idé konstruktive e Metës ishte se do ndikonte tek Rama që të votonin tri ligjet përpara zgjedhjeve. Të shohim!

Duke u kthyer tek ngërçi e kriza e prodhuar aktualisht, e duke kërkuar nëpër arkiv, jemi dëshmitarë të gjithë se çdo parti kur ka qenë në pushtet, e ka patur besnikun e saj në kreun e KQZ-së. Merrini me rradhë. Por ndalemi tek kriza e KQZ e vitit 2001. Në janar të 2001, kryetari i KQZ, Fotaq Nano jep dorëheqjen. Ishte i zgjedhur nga PS dhe KQZ kishte rënë në krizë totale besimi. Kjo krizë është permanente prej 22 vitesh. PD ishte në opozitë. Kam përpara syve një deklaratë të Jozefina Topallit e cila, pasi e sheh si shumë pozitiv largimin e Fotaq Nanos nga kreu i KQZ, kërkon po ashtu dorëheqjen edhe të gjashtë pjestarëve të tjerë, kërkesë kjo që pastaj u ndoq edhe nga kreu i PS i asaj kohe Fatos Nano. Për të zgjidhur krizën e 2001, PD asaj kohe kërkoi ristrukturimin e KQZ dhe të bënte amendamente për Kodin Elektoral. PD me partitë e tjera opozitare më 2001 kërkoi një KQZ të balancuar, me tre anëtarë nga maxhoranca, tre nga opozita dhe i shtati të zgjidhet me konsensus nga të dy palët.

Kjo formulë nuk u respektua atëherë, por mund të aplikohet tani dhe të garantojë mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme për procesin elektoral të 23 qershorit!

Duke parë se KQZ ka 22 vjet që ka shërbyer si burim krizash permanente dhe tensionesh, atëherë pas 23 qershorit duhet që të gjendet një zgjidhje konsensuale mbi palët, qoftë edhe me ndryshime kushtetuese, por me çdo kusht, që integriteti i KQZ të jetë imun dhe paprekshëm prej tentakulave të ndyra të partive!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, neutralizimi i duetit, prioriteti, Rama-Meta

POROSI PËR EDI RAMËN

April 18, 2013 by dgreca

Lind pyetja, një lider që beson se i ka të fituara zgjedhjet e përse kërkon ta destabilizojë vendin?/

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Shqipëria po përgatitet të hyjë në zgjedhjet e 23 qershorit dhe prioritet i prioriteteve është garantimi i stabilitetit dhe qetësisë së vendit. Palët që do të garojnë të shpallin strategjitë e të fokusohen në programet partiake. Opozita vetvetiu është e privilegjuar, sepse ballafaqon premtimet që ka marrë maxhoranca me përmbushjet e tyre si dhe paraqet premtimet e veta. Por qetësia dhe stabiliteti është alfa dhe beta që zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme. Kjo kërkon që palët të fokusohen tek mbarëvajtja e tyre si përmbushje e interesit kombëtar.

T’i kundërvihesh stabilitetit të vendit me provokime që çojnë në kolaps sistemin 60 ditë larg zgjedhjeve është njëlloj si të riciklosh një 21 janar! Kush doli i humbur nga 21 janari? Veç viktimave, doli Edi Rama, i cili e konsumoi edhe një herë veten si radikal. Dhe Edi Rama rrezikon një riciklim të tillë pa asnjë shkak, kur duhet të ndihet i sigurt për fitoren pas bashkimit që pati me Ilir Metën, i cili në vetvete, është një tjetër gafë e lidërshipit të PS!

Lind pyetja, një lider që beson se i ka të fituara zgjedhjet e përse kërkon ta destabilizojë vendin? Siç po vepron Edi Rama, kur kundërshtari i tij është i dërmuar nga gabimet e pafundme, siç dëshmoi edhe koalicioni që pati me Ilir Metën, i cili sot Sali Berishës iu kthye në boomerang!

Le të kthehemi tek kriza në gotë e KQZ, një institucion thellësisht i politizuar prej politikës, i cili ka një funksion të sanksionuar prej një marrëveshjeje mes PD dhe PS, kur PD ishte në opozitë, me një balancë 4 me 3 për maxhorancën. Në rastin konkret, largimi nga koalicioni i LSI e prishte këtë balancë, pasi Muho ishte i propozuar nga PD, kur PD dhe LSI ishin në muaj mjalti.

Edi Rama le të mjaftohet me muajin e mjaltit që ka startuar me Ilir Metën dhe me të mirat sipas mendjes së tij që rrjedhin prej kësaj, por jo të bllokojë vendin dhe ta fusë Shqipërinë rishtas në krizë! Sepse i humburi do të dalë ai! Mezi e ka ndrequr disi imazhin prej kujtimit të 21 janarit, s’ka arsye që të ndërmarrë veprime autodestruktiviste. Një pyetje e kam për Ramën, me këto mendje që ka sot, a do ta kishte ndërmarrë atë që ndërmori më 21 janarin e 2011?!

Sa për KQZ, ai është një bunker i partive kryesore. Më 1991 kryetar i KQZ-së ka qënë Rexhep Mejdani, i cili më 1997 do të zgjidhej president i Shqipërisë. Më 1997, kryetar i KQZ-së ka qënë Fatos Klosi, i cili më pas do të emërohej kreu i SHIK-ut! Pra shihni se çfarë rëndësie, sikur fitorja të varet prej KQZ! Ky është precedenti i krijuar. I cili duhet të çmontohet! Por kjo s’mund të bëhet as sot dhe as nesër kur në prag kemi zgjedhjet e 23 qershorit. Kjo bëhet me konsensus politik nga politikanë të përgjegjshëm!

Largimi i Muhos ishte reaksion pas daljes së LSI-së nga koalicioni me PD, i cili në vetvete ishte një akt aspak normal, prej të cilit rrodhi ngërçi në gotë, votimi kundër Muhos, aq më tepër kur ishte një figurë jo e pastër, ashtu si po flitet edhe për Arben Ristanin! Sa turp, kur partitë gjejnë vetëm njerëz të njollosur dhe pa personalitet për KQZ, lehtë për t’i përdorur dhe për t’i depersonalizuar.

Hakmarrje politike e dirigjuar nga lidërshipi ishte edhe dorëheqja e dy përfaqësuesve të PS nga KQZ, e cila e dëmton vetë Edi Ramën!

Pasi veç të tjerave. Nxjerr në pah pasigurinë e tij dhe vë në dyshim fitoren.

Dhe hakmarrja, produkt i mungesës të shtetit ligjor, degjeneron në spirale.

I tillë ishte edhe sulmi fizik dhe kërcënimet nën dritën e reflektorëve dhe përpara kamerave kundër Kastriot Islamit dhe dy deputetëve të PS, të përjashtuar nga Edi Rama, të cilët votuan largimin e Muhos! E përse do të tregoheshin luajalë deputetët e PS me Edi Ramën kur ishte vetë Edi Rama që përjashtoi nga PS, duke mos i kandiduar për zgjedhjet e 23 qershorit?

Shërbimi klientelist është antimorali që po gërryen shtetin në Shqipëri! Sepse zgjedhja e kandidatëve nga kryetari i partisë është një tjetër skandal që e bënë demokracinë atje të jetë hibride.

E përse nuk u kënaq Edi Rama nga konseguencat për efektet direkte të afrimit të tij me Metën dhe distancimit të Metës nga Berisha në këshillat bashkiakë, ku tani qarku i Fierit, i cili e la vendin në klasë, e bashkë me të edhe disa qarqe të tjera, e kthyen PS menjëherë në maxhorancë?!

Përse Edi Rama nuk u mjaftua të shijonte kthimin kokëpështë të aleancës midis Berishës me Metën, në ndryshimin e balancave në disa qarqe të pushtetit lokal, përfshi edhe Tiranën, ku raportet e reja dhe bashkimi i votave PS-LSI e kthyen PD në pakicë, dhe çiftëzimi PS-LSI shkarkoi menjëherë Kryetarin e Këshillit Bashkiak të Tiranës, veteranin Njazi Kosovrasti, një besnik i PD-së, i cili u zëvendësua me Aldrin Dalipin, një tjetër besnik të PS !

Po ta analizosh, largimi i Muhos nga KQZ është i barabartë me ndryshimin e balancave në favor të PS sa i përket qarqeve të vendit. Dhe kaq!

Tani Edi Rama duhet ta rikthejë në normalitet situatën, sepse hollë-hollë, shkaktari i gjithë këtyre „tërmeteve“ është ai vetë, pasi ishte ai që ngulmoi me çdo kusht që Ilir Meta të kalonte me të, duke ia punuar Berishës!

Tani Edi Rama e ka Ilir Metën me vete dhe le ta mbajë! E fushata të vazhdojë normalisht, të garantohet e ruhet stabiliteti i vendit dhe t’i krijohen të gjitha kushtet Sovranit që ta hedhë votën në mënyrë të lirë dhe të ndershme.

Sa për veprimet e Edi Ramës, Ilir Metës e Sali Berishës për gjithë këtë që kanë gatuar përfshi politizimin lunatik të KQZ-së, këto veprime janë afatshkurta, i shërbejnë momentalisht politikës, por jo interesave të vendit dhe shqiptarëve. Vendi dhe shqiptarët kërkojnë shtet ligjor dhe politikë të pastër. Kush e plotëson këtë formulë, e vazhdon rrugën, kush nuk e plotëson, mbetet në klasë!

Por të jesh në opozitë e të ndërmarrësh veprime të gabuara e nonsense, të cilat shkojnë direkt në llogari të një kundërshtari të cfilitur nga një qeverisje traumatike tetëvjeçare, kjo është marrëzi.

Edi Rama ta varë vëth në vesh, se vendi kërkon stabilitet, qetësi dhe kushte sa më të mira për një proces zgjedhor fair and free! Në këto 60 ditë ai ka plot për t’i thënë kundërshtarit, tani që e ka në krahun e tij edhe Ilir Metën, të cilin e ka paragjykuar si shans për të marrë pushtetin duke kopjuar Berishën, i cili, siç e shohim të gjithë, prej Ilir Metës mbeti në baltë ! Po këto llogari janë personale të Edi Ramës!Nesër do të lexoni: POROSI PËR SALI BERISHËN

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, mos tabilizo vendin, porosi per Edi Ramen

TERRORIZMI KTHEHET NË AMERIKË

April 17, 2013 by dgreca

Ne Foto e Shtëpisë së Bardhë. Këshilltarët e  Sigurimit Kombëtar  të Marten në Shtëpinë e Bardhë përfshirë Drejtorin e FBI-ës, Robert Mueller, duke informuar  Presidentin Obama mbi sulmin terrorist në Boston./

Nga Frank Shkreli/

Të hënën e kësaj jave dy bomba shpërthyen në Boston të Shteteve të Bashkuara duke shkaktuar vdekjen e tre personave përfshirë një djal 8-vjeçar — dhe plagosjen e rreth 180 të tjerëve, 19 prej të cilëve janë në gjëndje të rëndë.  Autoritetet federale, shtetërore dhe vendore kanë intensifikuar hetimet për dy shpërthimet në Maratonën e Bostonit, duke premtuar se hetimet do të zhvillohen anë e mbanë botës për të gjetur personin ose personat që kanë kryer këtë akt terrorizmi.  Autoritetet thonë gjtihashtu se deri tani askush nuk ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm dhe shtojnë se nuk janë në dijeni se cili mund të ketë qenë motivi për këtë akt të shëmtuar kundër njerëzve të pafajshëm dhe nuk mund të thonë ende me siguri nëse kriminelët që kryen këtë akt të tmershëm, janë terroristë të huaj apo të mbrendshëm.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama vuri në dispozicion, “të gjitha burimet e qeverisë federale për të ndihmuar autoritetet shtetërore dhe vendore për të mbrojtur popullin nga sulme të tilla dhe sipas nevojës, për të shtuar masat e sigurisë anë e mbanë Shteteve të Bashkuara dhe për të hetuar se çfarë ndodhi”, në Boston.   Ai e siguroi popullin amerikan se ndonëse do të marrë kohë për të vendosur se çka me të vërtetë ka ndodhur, “ne do të zbulojmë, do i kapim dhe do i sjellim para drejtësisë kushdo qofshin ata që kanë sulmuar bashkombasit onë.”

Ndërsa ai vuri në dukje heroizmin e burrave dhe të grave të FBI-ës, policisë së Bostonit dhe agjencive të tjera që shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes, Presidenti Obama lavdëroi “mirësinë, zemërgjërsinë dhe dashurinë” e treguar nga banorët e Bostonit pas shpërthimit të bombave, duke thënë se nëqoftse “dëshironi të dini se kush jemi ne, se cila në të vërtetë është Amerika dhe si ne i përgjigjemi së keqes dhe keqbërsve — aty në Boston e gjeni përgjigjën: vetmohues e vetflijues, të mëshirshëm dhe të patrembur”, tha presidenti Obama, në deklaratën e tij drejtuar kombit nga Shtëpia e Bardhë.

Edhe Kryetari i Dhomës së Përfaqsuesve të Kongresit Amerikan, John Boehner, reagoi ndaj sulmit në Boston duke thënë se, “fjalët nuk mund e përshkruajnë pikëllimin që ndjenë Kongresi për familjet që kanë humbur të afërmit e vet….Këjo është një ditë e vështirë për Amerikën, por ne do të vazhdojmë në frymën amerikane duke u bashkuar në lutje dhe guxim.”

Shtëpia e Bardhë njoftoi dje se presidenti Obama do të shkojë të Ënjtën në Boston për të marrë pjesë në një shërbim ndërfetar kushtuar të vrarërve dhe të plagosurve nga sulmi terrorist, i cili prishi atmosferën festive të Maratonës së famshme të atij qyteti dhe solli dënimet ndaj këtij akti nga e mabrë bota.  Zyra e presidentit Obama njoftoi se ai do të flasë gjatë shërbimeve fetare në Katedralën e Kryqit të Shënjtë në Boston dhe shtoi se ai ka udhëruar uljen e flamujve në gjysëm shtizë, në nder të viktimave.

Sulmi terrorist në Boston, si edhe sulmi terrorist famkeq kundër kullave të larta në New York më 2001, nuk ishte një akt vetëm kundër Amerikës, por ishte një sulm kundër gjithë botës, pasi ndër 25.000 vrapuesit në Maratonën e Bostonit merrnin pjesë mijëra vrapues nga e mbarë bota dhe ku fituesi i Maratonës ishte, jo një amerikan, por një etiopian.

Si rrjedhim, reagimet ndërkombëtare ishin të shpejta dhe ngushëlluese për viktimat, në solidarizim me familjet e tyre dhe me popullin amerikan dhe njëkohësisht duke dënuar këtë akt brutal dhe të pakuptueshëm kundër  civilëve dhe njerëzve të pafajshëm, ndërkohë që udhëheqsit botërorë ofruan edhe ndihma për hetimet dhe kapjen e personit ose personave që kryen këtë akt barbar.

Edhe udhëheqsit shqiptarë dërguan mesazhe ngushëllimi për sulmin terrorist në Boston. Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, në mesazhin e tij dërguar Presidentit Obama, shkruan se, ”Ky sulm terrorist ndaj jetës së qytetarëve të thjeshtë e të pafajshëm, i bërë gjatë zhvillimit të një prej manifestimeve më popullore dhe sportive, siç është Maratona e Bostonit, ka prekur thellë gjithë zemrat e popullit shqiptar dhe mbarë njerëzimit përparimtar.” Udhëheqsi shqiptar, vazhdon mesazhin e tij dërguar Presidentit Obama dhe popullit amerikan, duke thënë se, “Si aleatë e miq besnikë të SHBA-së në luftën kundër terrorizmit, dënojmë me forcë këtë akt dhe jemi të bindur se shumë shpejt personat përgjegjës do të dalin para drejtësisë dhe do të marrin dënimin e merituar.”

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i dërgoi gjithashtu Presidentit Obama një mesazh ngushëllimi në emër të popullit të Kosovës, duke thënë se,  “Institucionet e Republikës së Kosovës dënojnë këto akte të dhunshme që morën jetët e qytetarëve të pafajshëm amerikanë, me besimin e plotë se sulmet e tilla nuk do t’i zbehin vlerat dhe idealet e shtetit dhe shoqërisë suaj, që mbesin inspirim për tërë botën, e cila synon ndërtimin dhe realizimin e demokracisë dhe lirisë së mirëfilltë.  Lutjet tona janë me ju, me popullin amerikan dhe familjarët e viktimave në këto momente të vështira”, përfundon mesazhin e saj Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Megjithse ky akt ishte shokues, Presidenti Obama tha të Martën se populli amerikan refuzon të terrorizohet dhe bëri thirrje që të mos arrihen përfundime të ngutëshme dhe pa bazë në lidhje me personin ose personat ose mbi qëllimet e këtij sulmi – se kush dhe pse e bëri — për derisa të zbulohen të gjitha faktet, duke shprehur besimin e tij se heret ose vonë, autoritetet e hetuesisë amerikane do të zbulojn ë të gjitha faktet e këtij  “akti të shëmtuar prej frikacakësh”, dhe do të sjellin para drejtësisë personin ose personat që kryen këtë sulm terrorist.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, kthehet, ne SHBA, terrorizmi

Lufta jone per jete a vdekje

April 16, 2013 by dgreca

Nga publicistika e nacionalistit Tahir Zajmi*/

Para nje jave komunistat serbo-malazes kane sulmuar prape tokat tona ne ane te Rozhajes dhe te Rugoves dhe te gjithe qe kishin mberritur per te shtene ne dore nja dy tre katunde, repartet e fuqive tona i shtrenguan qe te terhiqen pertej kufijve ku lufta gjithnje vazhdon e ashper.

Sulmi i papritur i serbo-malazezeve qe u perballua me shpejtesi rrufeje nga ana e shqipetareve ka qene nje deshtim i ri per ta dhe nje pergenjeshtrim i forte per propaganden e komunisteve tane te verbuar, te cilet kane iluzione dhe perpiqen qe tia mbushin mendjen popullit te Kosoves se’’ shoket komunista serbo-malazes’’ i kemi miq dhe si te tille ata nuk do te atakojne kufijte e Kosoves. Por fqinjet tane Sllavet, cetnike qofshin apo nacional-clirimtare, duke e ditur mire se dinakerija e tyre nuk shkon me ne popullin e Kosoves, e se vetem me anen e propagandes nuk i arrihet qellimit per te krijuar anarkine edhe ne kete vend te qete, dhe me anen e kesaj te shtere dhe nje here ne dore zoterimin e Kosoves kane bere prova dhe me arme duke na sulmuar kohe pas kohe, ne menyre qe te na dobesojne moralisht dhe materialisht qe  te mos jemi ne gjendje te mbrohemi.

Populli i Kosoves e di mire se me cilin ka te beje; e di po, se po te kthehen dhe nje here sllavet ne Kosove jo vetem do ti merren tokat dhe do tu grabitet pasuria, por do ti merret dhe jeta, do ti shkelet erzi dhe do ti masakrohet edhe femija; me nje fjale, ai e di tani se nje dynja e re sllave ne keto fusha pjellore do te thote mbarim tragjik i fisit ilir ne kete zone te Shqiperise jetike.

Ky popull qe ka jetuar tani  e kater mije vjet me pare ne keto toka, te cilat jane banuar dhe leruar per te paren here duke u lagur me gjak cdo pellembe e saj per te mbrojtur individualitetin dhe traditat e tij kombetare, ka kaluar, po, e ka bere invazion mbas invazionesh duke mbajtur ndezur ne shpirtin e tij shkendijen e lirise, por kurre si kete here, nuk ka qene me ne short dhe ne rrezik qe te zhduket fare nga faqja e dheut. Deklaratat e herepashershme te Titos dhe te perfaqesuesve te tij rreth krijimit te Jugosllavise komuniste, ne te cilen Kosova jo vetem qe nuk perfillet si toke shqiptare, por si pjese integrale e serbise se ardhshme si edhe dokumenti i ‘ marreveshjes’ se komunistave greke e bullgar mbi krijimin e ‘Federates se republikave sovjetike ne Ballkan’ qe u zbuluan ne keto ditet e fundit nga korespodenca e gazetave angleze ‘’Daliy Herard’’ dhe ‘’Daily Mail’’ nuk kane asnje pike dyshimi per qellimet e tyre kriminale kunder jetes se kombit dhe te pavaresise shqiptare.

Ne kete dokument qe u botua ne numrin e fundit te fletores tone thuhet qarte se jo vetem Kosova  por e gjithe Shqiperia do te perfshihet ne kuadrin e Maqedonise, greke- serbe dhe bullgare, per te mos ekzistuar me si shtet me vete. Gjithashtu ne nje urdher dite te Drazho Mihajlovicit qe na ka rene ne dore para ca kohe thuhet tektualisht keshtu: ‘ Duhet te parashikojme dhe te proceduojme me zonen rob te ushtareve dhe ne bashkepunim me elementin tone ( serbet e vendit), ti internojme dhe ti pushkatojme kudo qe te jene shqiptaret ose duke i shoqeruar keta deri ne komanden e batalionit per ti zhdukur me njehere etj’’.

Prandaj perpara ketij realiteti tragjik qe cakton fatin e kombit tone, ndac ta thuash per krah te pikepamjes komuniste te Titos dhe bashkepunetoreve te tij, ndac thuaje per qellimet imperialiste qe ndjek Drazho Mihajlovici me cetniket e tij gjakpiresa, populli shqiptar pergjithesisht dhe ky i Kosoves vecanerisht, qe ne kete cast eshte angazhuar me nje perleshje te re, me sllavet, duke pervetesuar kuptimin vargjeve te poetit tone kombetar;

’’me mire vdekur nen dhe duke u qare

se te  gjalle te mbetur nen shkjaun’’

ka vendosur definitivisht te shkrihet me rob e femije sesa te leri qe Kosova e tij e shenjte te shkelet e te dhunohet edhe nje here nga armiku.

*Gurra e bardhe  Pseudinimi  Tahir Zajmit

 

Filed Under: Opinion Tagged With: a vdekje, lufta jone, per jete, Tahir Zajmi

SHPRESË PËR REFORMIMIN E IMIGRACIONIT NË AMERIKË

April 15, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ne Foto: Presidenti Obama duke bërë betimin e një grupi të ri shtetasish amerikanë në Shtëpinë e Bardhë/

Çështja e imigracionit këtu në Shtetet e Bashkuara ka qenë dhe vazhdon të jetë një çështje që shkakton debate dhe mos marrveshje ndër më të ashpërat,  jo vetëm gjatë fushatave elektorale në nivel federal, shtetëror dhe vendor, por edhe në jetën e përditshme anë e mbanë Amerikës. Nuk është fjala për imigrantët që vinë këtu legalisht, por për ata që hyjnë në këtë vend ilegalisht dhe qendrojnë këtu me vite, dekada dhe ndoshta për gjithmonë si të tillë duke shkelur ligjet e imigracionit të këtij vendi.

Llogaritet se tani për tani, në Shtetet e Bashkuara mund të jetojnë rreth 11 milionë imigrantë ilegalë, megjithse numëri i vërtetë është vështirë të përcaktohet.   Shumica e tyre hyjnë në këtë vend nga Meksika, por imigrantë ilegalë në Amerikë ka pothuaj nga çdo kënd i botës, përfshirë edhe shumë shqiptarë.  Megjithëse, kryesisht për arsye të  krizës ekonomike,  hyrja pa leje e imigrantëve, sidomos nga Meksika, është ngadalësuar në mënyrë të dukshme dhe sipas disa burimeve mund të jetë në nivelin më të ulët në 40-vjetë, problemi i imigracionit ilegal vazhdon të mbizotëroj diskursin politik dhe ekonomik të këtij vendi.

Muajtë e fundit, në Uashington është venë re një ndërmarrje serioze nga senatorë të dy partive politike demokratë dhe republikanë për të zgjidhur, atë që është cilësuar si çështja e imigracionit ilegal, nismë e cila siç duket do të arrijë kulmin këtë javë,  si çështja numër një në agjendën e Kongresit. I ashtuquajturi “Grupi i të Tetëve” i Senatit amerikan dhe grupi i 6 ligjvënse të Dhomës së Përfaqsuesve, për disa javë tani janë takuar privatisht, me shpresë për të arritur një marrveshje në vija të përgjithshme, për një çështje që ka përçarë politikën dhe vendin për vite me radhë, për të mos thënë për dekada, ndërsa në të  njëjtën periudhë janë bërë edhe përpjekje për të gjetur mënyra për zgjidhjen e këtij problemi që të jetë e pranueshme për të dy palët, duke arritur një marrëveshje për një plan të gjithëanëshëm reformash të sistemit të imigracionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndër propozimet e para për të reformuar sistemin ishte ai i Senatori republikan Xhon Mekejn dhe i të ndjerit  ish-Senatorit demokrat  Eduard Kenedi, të cilët kishin hedhur propozimin e parë pothuaj dhjetë vjetë më parë, për një projekt ligj që do të konsiderohej si një kompromis.   Sipas këtij propozimi, republikanët ishin të kënaqur me  marrjen e masave më të forta përgjatë kufirit me Meksikën — gjë për të cilën kanë këmbëngulur vazhdimisht – me qëllim për të ndaluar hyrjen në masë dhe të pa kontrolluar të imigrantëve ilegalë  dhe demokratët do kënaqeshin me miratimin e një procesi, në bazë të të cilit, më shumë se 11-milionë imigrantëve ilegalë do tu mundësohej e drejta për tu bërë banues të përhershëm të këtij vendi.  Plani Mekejn-Kenedi pat siguruar edhe përkrahjen e ish-presidentit Xhorxh Bush, por nuk mori përkrahjen e nevojshme në Kongresin amerikan.   Gjatë fushatës për president, katër vjetë më parë, Barak Obama premtoi reforma të gjithanshme të imigracionit, por gjatë katë vjetëve të kaluara nuk tregoi ndonjë interesim të madh për këtë çështje.   Ndërsa në fillim të mandatit  dytë,  Presidenti Obama ka thënë se reforma e imigracionit është një prej prioriteteve të tija kryesore, duke shprehur besimin e tij se do të arrihet një konsensus në Kongres.

Komisioni i ligjeve i Senatit amerikan ka caktuar të Mërkurën e kësaj jave si ditën që senatorët e këtij komisioni do të dëgjojnë dëshmi mbi planin e Senatit,  përfshirë edhe propozimin për të legalizuar miliona imigrantë ilegalë që tani jetojnë në këtë vend, por sipas lajmeve, një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm pasi imigrantët ilegalë të kenë kaluar nepër një proces tepër rigoroz kontrolli individual, pasi të kenë kapërcyer pengesa të shumëta, dhe duke përfshirë edhe nevojën për të mësuar anglishten dhe për të pasur një vend pune.

Edhe në të kaluarën,  në Kongresin amerikan janë paraqitur propozime të ndryshme për të reformuar ligjet mbi imigracionin, por sivjet duket se ekziston mundësia më reale për të ndërmarrë reformat e nevojshme, pasi sipas një sondazhi të kohëve të fundit, 64 për qind e amerikanëve janë në favor për t’u dhënë shtetësinë imigrantëve ilegalë.  Antarët e Kongresit zakonisht tentojnë të marrin vendime në përputhje me përkrahjen dërmuese publike të çështjeve që konsiderohen nga ligjvënsit amerikanë, siç është reforma e imigracionit. Si rrjedhim, një numër kongresistësh, përfshirë edhe Senatorin republikan Xhon Mekejn shprehen optimistë se ky mund të jetë viti që, më në fund, sjellë reformat e nevojshme në sistemin amerikan të imigracionit.  Këjo sepse, edhe Presidenti Obama ka shprehur gatishmërinë e tij duke thënë se është i vendosur që të bëjë ç’është e mundur për të siguruar miratimin e reformave nga Kongresi.

Megjithëse propozimet e reja pritet të kundërshtohen nga konservatorët të cilët janë kundër legalizimit të statusit për imigrantët pa dokumenta, edhe pala republikane duket gjithashtu e vendosur për të bërë diçka për të përshpjetuar reformën mbi imigracionin, pasi nuk dëshiron të konsiderohet si partia që është kundër imigrantëve.   Senatori Marco Rubio, kryenegociatori republikan për të reformuar ligjet e imigracionit, nga prindër të ardhur nga Kuba dhe njëkohësisht  kandidat i mundshëm për president në vitin 2016 — ndërsa ishte ftuar nga tre programet e tre rrjeteve televizive kryesore të së djelës për të diskutuar problemin e imigracionit — tha në programin “Meet the Press”, të TV-NBC se ligjet që kemi tani, “nuk janë të mira për askënd…. statuskuoja është e tmerrshme për Amerikën”, shtoi ai.  Duke folur për  propozimin e ri  për imigracionin,   që përkrahet si nga republikanët ashtu edhe nga demokratët, Senatori Marco Rubio iu përgjigj intervistuesit se, ai nuk po e bën gjithë këtë përpjekje për të reformuar sistemin e imigracionit në Amerikë, për qëllime politike. Ai  tha se, “Unë jam Senator.  Unë nuk paguhem vetëm për të mbajtur fjalime.   Unë paguhem për të zgjidhur problemet”, me të cilat përballohet vendi.

Siç duket, në një përpjekje për të zbutur kundërshtimin nga konservatorët të cilët janë kundër një amnistie për imigrantët ilegalë, Senatori Rubio tha gjithashtu në një program tjetër televiziv (Fox News) se propozimet e reja për të reformuar  sistemin e imigracionit nuk janë amnisti, duke shtuar se në të vërtetë, propozimet e reja e bëjnë më të vështirë që një immigrant illegal të fitojë statusin legal, në krahasim me procesin dhe ligjet ekzistuese.

Pritet që grupi i 8 senatorëve   demokratë  e republikanë, të cilët për disa muaj tani kanë punuar për arritjen e një marrveshjeje për reformimin e sistemit të imigracionit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të njoftojnë hollësitë e propozimeve të tyre të Martën.   Media amerikane thotë se propozimet e reja për reformimin e imigracionit përfshijnë edhe rritjen e numërit të imigrantëve që vinë në këtë vend në mënyrë ligjore.  Tani, Shtetet e Bashkuara pranojnë 1 milion imigrantë në vit me dokumenta, më shumë se çdo vend tjetër në botë.  Sipas propozimeve të reja pritet që ky numër të rritet me pesë për qind, sipas gazetës Los Anxheles Tajms.

Pasi të njoftohen këtë javë  hollësitë e propozimeve të reja nga grupi i 8 senatorëve nga të dy partitë, mbetet për tu parë nëse ata do të mund të bindin shumicën e Senatit dhe të Dhomës së Përfaqsuesve, si edhe grupe interesash të ndryshme, se pas shumë vitesh dhe propozimesh të shumëta,  më në fund ka ardhur koha për një reformë të gjithanshëme të ligjeve amerikane mbi imigracionin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.   Miratimi i ligjeve të reja është kritik gjithashtu edhe për fatin  e qindra, për të mos thënë mijëra shqiptarëve dhe familjeve të tyre që mund të gjënden në këtë vend pa dokumentat e nevojshëm për një qendrim legal në Shtetet e Bashkuara.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, ne SHBA, per emigracionin, Shprese

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 809
  • 810
  • 811
  • 812
  • 813
  • …
  • 868
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË
  • MURI I BERLINIT RA, POR MURET POLITIKE DHE IDEOLOGJIKE MIDIS SHQIPTARËVE VAZHDOJNË TË QËNDROJNË
  • Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete mbi rrënojat e një perandorie
  • THANK YOU to the City of St. Petersburg and Chief Anthony Holloway for Supporting Albanian School VATRA!
  • A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?
  • Dardane Halimi: “ALB Connection was created to give every Albanian-owned business in America a voice and visibility”
  • KRIJIMI I NJERIUT TË RI: NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE TE KULTURA E PËRFITIMIT NË SHQIPËRINË E SOTME!
  • Transpozimi poetiko-dramatik i veprës “Trungu ilir” të Sabri Hamitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT