• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AGRESIONI PSIKOLOGJIK NËN GUNËN E NACIONALIZMIT

March 23, 2013 by dgreca

Nga Fatbardha DEMI/

“Nëse ka burrë ose grua të krishterë që do të më japë fjalën se nuk do të flasë më shqip në shtëpinë e tij, të ngrihet e të ma thotë, sepse unë do ia fal të gjitha mëkatet që ka bërë që nga dita e lindjes.Më mirë të keni një shkollë greke në fshatin tuaj, se sa të keni përrenj e lumenj !”
Shënjtori grek Kozma Etoliani/

Thirrjet naziste si “Dhoma gazi për shqiptarët!” janë bërë një dukuri  tashmë e zakonshme në rrugët dhe ngjarjet e ndryshme në Maqedoni. Kështu ndodhi edhe në ndeshjen me Danimarkën në shkurt të 2013, të të ashtuquajturve “tifoza” maqedonas, që nuk i shqetësuan aspak qeveritarët e këtij shteti multietnik.

Por këto thirrje të përseritura anti-shqiptare, nuk trazuan as qetësinë e Zv/kryeministres së Maqedonisë Teuta Arifi, as të Presidentit Nishani apo Kryeparlamentares Jozefina Topalli, që u takuan në Tiranë duke shprehur kenaqësinë për “forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vëndeve, të cilat përbëjnë një shembull të bashkëpunimit të fqinjësisë së mirë për rajonin e Ballkanit.” Të dy njoftimet (ç’farë rastësie!) ndodhën në të njejtën datë, të gazetës “Bota Sot” 07.02.2013. Pra, siç thuhet :“Qentë (tifoza) le të lehin, karvani (i miqësisë ndëretnike i Ballkanit) të ecë përpara !”

Ky karvan nuk e ndal ecjen edhe kur digjen flamurët shqipëtare, kur rrihen barbarisht fëmijet, kur mohohen të drejtat e shpallura në Kushtetutën e vëndeve ku jetojnë, për barazi politike, ekonomike, arsimore  dhe kryhet çkombëtarizimi dhe pastrimi etnik. Por papritmas, në qiellin pa re të marrdhënieve “të shkëlqyera” ndërshtetrore ballkanase, në Konferencën e Mynihut gjëmoi rrufeja e “albanofobisë” në rajon.

Ç’farë tha dhe ç’farë nuk tha Kryeministri Berisha në Mynih?

Ajo që tha Sali Berisha në Konferencen “Mbi sigurinë dhe stabilitetin në Europën Jug- Lindore dhe Kaukaz” nuk ishte e paditur. Që Kombi shqipëtar padrejtësisht ishte copëtuar në pesë shtete është fakt historik i njohur dhe qëndron jashtë agjendave politike dhe Konventave europiane, si veprim historik i së kaluarës. Ajo që nuk tha Kryeministri ynë, ishin FAKTET  konkrete dhe të kryera në mes të ditës të shteteve fqinjë, të udhëhequra nga ideollogjia raciste dhe pushtuese. Kjo veprimtari, dënohet dhe është e përfshirë në Konventa të ndryshme europiane mbi sovranitetin shtetëror, të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve, çfaqjeve dhe veprimtarisë raciste. Në nivelin europian, si një nga objektivat parësorë të bashkëpunimit juridik dhe policor, është parandalimi dhe luftimi i racizmit e i ksenofobisë dhe për këtë qëllim funksionon edhe një Institucion – “Osservatorio europeo per i fenomeni di razzismo e xenofobia”. (‘European Monitoring Centre on Racism and Xenophobia’ – EUMC) sostituito e trasformato, nel 2007, dall’ Agenzia dell’UE per i diritti fondamentali’). (1)

Por që të lëvizin këto ingranazhe ndërkombëtare, si në çdo çështje të thjeshtë administrative, duhet të ketë një ANKESË, e faktuar nga pala e dëmtuar dhe te bëhet INFORMIMI i opinionit ndërkombëtar me anën e masmedias.

Nuk mund të mos u jemi mirenjohës, kontributit patriotik të Diasporës dhe shoqatave shqiptare brënda vendit, që i kanë bërë të njohura Organizmave ndërkombëtare veprimtarinë e fqinjëve kundër interesave jetike të Kombit Shqipëtar. Por vetë Shteti ynë, që është nënshkrues i shumë Konventave dhe anëtar në Organizmat ndërkombëtare ka heshtur.

Albanofobia dhe veprime që cënojnë sovranitetin e Shtetit dhe dinjitetin e një popullsie kombëtare, pik së pari duhej të ishte problem madhor i brëndshëm, pra i vetë Qeverisë sonë. Si shpjegohet që nuk kemi parë asnjë seancë parlamentare ku të trajtohen  ngjarjet e ndodhura, ndërkohë që ëndrrat vorio-epirote,  “diskriminimi” i minoritarëve grekë e sërbë, i veprimtarisë “kriminale” të shqipëtarëve të Kosovës, zhurmojnë në parlamentet e shteteve fqinj, po edhe në Instancat më të larta ndërkombëtare ?

Thirrjet naziste në Maqedoni se “shqipëtari i mirë është shqiptari i vdekur” dhe veprimtari të tjera (që do të shtjellohen më poshtë) janë dukuri, që në shkencën e historisë, psikologjisë dhe teorisë ushtarake, emërtohen “luftë ose agresion psikologjik” dhe në formë më zyrtare “operacione psikollogjike”.

 

Përdorimi i “armës” psikologjike është i njohur që në lashtësi

 

Por studimi shkencor, e ka zanafillën në fillimin e shk. 20. Historiani dhe psikoanalisti anglez J.F.C.Fuller qe i pari që përdori shprehjen “operacione psikologjike”. Më 1920 ai parashikoi se një luftë psikologjike, me kohë, mund të zëvëndësonte luftën tradicionale.  Sipas studiuesve të fushës ushtarake, në kohë paqje, kur veprimet luftarake janë të pamundura,  “operacionet psikologjike” përbëjnë armën e vetme vepruese.(2)  Në praktikën ushtarake të shteteve, që mbas Luftës së Dytë Botërore ka organizma të posaçme që merren me operacionet psikologjike, me synimin e sigurisë së vendit të tyre apo të suksesit të qëllimeve gjeopolitike mbi një vend tjetër.

A mbrohet Shteti dhe popullsia shqiptare nga kjo “armë” që specialistët e përcaktojnë “vrasëse pa ndotur duart”? Fillimisht duhet kuptuar se ç’përfaqëson “lufta psikologjike”, ç’mjete përdor dhe pasojat e saj. Me qënëse është një veprimtari që kryhet si brënda shoqërisë, ashtu edhe në botën kriminale dhe ushtarake, mjetet e dhunës psikologjike trajtohen hollësisht nga psikologët dhe specialistët e ushtrisë.

“Lufta psikologjike qëndron në përdorimin e propagandës dhe veprimeve të tjera psikologjike me qëllimin kryesor: të ndikojë në mendimet, ndjenjat, sjelljen dhe veprimet mbi grupet e armiqve (shqipëtarëve në rastin tonë-shën im) në mënyre të tillë, që të ndihmojë arritjen e synimeve nacionale” (3)

Mjeti kryesor i propagandës është FJALA. Por a mundet fjalët të dëmtojnë e të shkatërojnë njeriun? Sipas studiuesve, përdorimi i propagandës mashtruese është i dëmshëm për formimin e lirë dhe natyral të mendimit personal e të publikut, dhe dëmi  pasqyrohet si tek vetë njeriu ashtu edhe tek shoqëria (4) Shëmbulli më i fundit i një agresioni psikologjik të paramenduar me hollësi, ka qenë intervista e deputetit të Parlamentit grek, Kristo Papas (me një biografi fashiste shumë interesante) në janar 2013. Si u realizua lufta psikologjike, nga deputeti grek?

Së pari: Përfaqësuesi zyrtar grek, paturpësisht shpalosi fakte anti-shkencore historike.

“Për fat të keq popullsitë në veri të Greqisë janë popullsi që përbëhen nga grekë të cilët ndërruan besimin, ndërruan dhe përfituan një ndërgjegje të rreme kombëtare… Përsa i përket prejardhjes së fisit shqiptar nëse do të mundeshim ta quanim fis shqiptar, sepse siç u thashë është një konglamerat popullsish të cilët janë tërësisht me prejardhje greke, pavarësisht se mund të kenë humbur ndërgjegjen e tyre kombëtare… nëse dikush do ta lexojë dhe kuptojë vërtetë historinë nuk ekziston Shqipëria. Në fakt nuk është Vorio-Epiri Grek, në fakt gjithë Shqipëria duhet të jetë një Provincë greke”.

 

Së dyti: Biseda u zhvillua brënda territorit të Shqipërisë dhe jo në Greqi, siç do të ishte e natyrshme për ideollogjinë që ndjek ky shtet. I bërë në mes të Kryeqytetit shqipëtar, shprehu guximin për të kaluar nga fjalët në vepra, siç kërcënoi qartas gjatë ligjërimit “patriotik” helenist.“Historia vazhdon me të drejtën e më të fortit…Të jeni të sigurt se si parti dhe si grekë kemi gjithmonë në mendje zgjidhjen për çështjen e Vorio-Epirit…një Epir që është grek dhe një pjesë e tij në këto momente ndodhet në duar të huaja, në duart e shtetit shqiptar… ministri i Jashtëm na ka pohuar se Vorio-Epiri është në zemrat tona” Këtë kërcënim, nuk mund ta quajmë “personal” te K.Papasit, me qënëse Parlamenti apo ndonjë personalitet shtetëror grek, nuk e ka dënuar. Ky agresion psikologjik, afro 23 vjeçar i Shtetit helen mbi minoritarët dhe pseudo-minoritarët grekë, (në shkëmbim të vizave, “pensioneve”,bursave shkollore etj)  ka nxitur veprimtari kundra sovranitetit te Shqipërisë për Autonominë e Vorio Epirit, dhe urrejtjen ndaj shqipëtarëve. (4)

 

Së treti: Duke njohur gjëndjen e ushtrisë shqipëtare, ku ushtarakët nuk marrin dot as pagat e misioneve të NATO-s dhe duke ditur se dora e ligjit nuk i arrin qytetarët , përfaqësuesit fetarë dhe shtetërore të fqinjëve, deputeti grek kërcënoi drejtpërdrejt shqipëtarët dhe Qeverinë, për të krijuar ndjenjën e FRIKËS për sigurinë e tij dhe të sovranitetit të vendit tonë: “Ta dini se forcat e armatosura greke janë shumë herë më të fuqishme se forcat e armatosura të Shqipërisë...Zgjidhja e vetme për çështjen e Vorio-Epirit formulohet: Liri në Vorio-Epir. Nëse kjo nënkupton dhe ushtrinë greke në Vorio-Epir atëherë edhe ushtria greke do të jetë në Vorio-Epir…

 

Së katërti: Tundja para syve të “Ligjit të Luftës” ngjall tek shqipëtarët mosbesimin në marrëdhëniet dhe marrëveshjet midis dy shteteve dhe qënies në NATO.  “Dua t’ju them se ekziston edhe ligji i luftës midis Shqipërisë dhe Greqisë. Ligji i luftës nuk shfuqizohet me një deklaratë të Papulias, apo me një deklaratë të ministrit të Jashtëm. Ligji i luftës votohet në Parlament dhe nuk është shfuqizuar zyrtarisht dhe si rrjedhojë jemi në gjendje lufte”. Ajo që synoi deputeti grek, ishte t’iu ngjallte shqipëtarëve ndjenjën disfatiste “se gjithshka është e humbur”, me qëllimin për t’iu hequr dëshirën e organizimit për kundër-veprim.

 

Së pesti: Deputeti grek, synoi të krijojë ndjenjën e inferioritetit dhe të mosvlerësimit të vetvetes, duke goditur shtetin, simbolet, figurat historike, krenarinë dhe ndjenjat kombëtare : “Keni ndërtuar një shtet fallco. Keni vjedhur heronj, ngjyra dhe flamunj dhe përpiqeni të vërtetoni se jeni shtet. Për fat të keq nuk jeni shtet… Ndërgjegja shqiptare, ndërgjegjësimi kombëtar shqiptar është një fenomen, i cili u shfaq në fillimet apo nga fundi i shekullit të 19, madje nëse doni u shfaq në fillimet e shekullit të 20 …U mbështetët si popull në gjurmë të huaja, të vjedhura, nuk keni gjurmën tuaj. Edhe Heroi juaj Kombëtar është Jorgjo Kastriotis, një feudal grek i helenizmit mesjetar…popullsite tuaja në rrugëtimin historik treguan se nuk dinë të mbajnë as besën, dhe arritja e tyre luftarake e vetme dhe më e madhe është plaçkitja”.

Psikologia Cinzia Sintini pohon se “Dhuna psikologjike është një veprimtari shkatëruese e armiqësore që mund të kryhet në një formë të hapur ose të fshehtë. Çvlerësimi i gjithçkaje që një person bën apo mendon, për atë që interesohet apo në atë që beson…Ai qe i nënshtrohet dhunës psikologjike ndodhet ne një gjendje stresi të vazhdueshëm (5)

 

Së gjashti: Shprehu diktatin grek dhe mospërfilljen e institucioneve të Shtetit, si një realitet që duhet pranuar nga shqipëtarët. “Nga ana e palës greke u shtrua çështja…që thotë se Greqia do të paraqesë në mënyrë të njëanshme në OKB hartat e kufinjve detarë me vendet fqinjë…Greqia i konsideron se këto janë kufinjtë e saj”.

Biseda mbyllet me thirrjen luftarake: “Vëllezër guxim, nuk ju kemi harruar. Jeni dhe jemi grekë dhe Vorio-Epiri është grek dhe do të bëhet sërish grek!”,që ushtoi edhe më 10 prill 1994,  në afërsi të fshatit Peshkëpi (Gjirokastër) ku u vranë nga grekët ushtari 20 vjeçar Arsen Gjini, kapitenin Fatmir Sali Shehu dhe u plagosën shumë të tjerë.

Pëfaqësuesi i Shtetit grek, e mbylli me sukses “luftën” e tij, sepse nuk pati si objekt sulmi psikologjik vetëm minoritarët dhe pseudo-minoritarët, siç ka bërë lirshëm që pas 90-ës, por nëpërmjet kanalit satelitor News24 , të gjithë shqipëtarët në Botë. Kujt i vlejti monologu nostalgjiko-fashist, mbi bazën e një historie të sajuar, i përfaqësuesit të Parlamentit grek? Vetëm mbështetjes së hapur të Shtetit grek për veprimet e minoritarëve në postet zyrtare, siç qe rasti i Spiro Kserës, ish Prefektit të Gjirokastrës, i cili në përvjetorin e Traktatit famëkeq të Korfuzit deklaroi se ndihej “Prefekt i Vorio-Epirit (“Shekulli” 1.01.2009), ish Kryebashkiakut të Himares Vasil Bollano dhe së fudmi partisë “Mega”, që kërkojnë autonominë e sajesës politike të Vorioepirit. Por mbi të gjitha, për një çfaqje kriminale të ALBANOFOBISË.

 

Albanofobia nuk ekzizton, ajo është një krijesë e shekullit të kaluar!

Kështu u shpreh deputeti A.A. i PS në News24. “Sali Berisha foli për Albanofobi, është injorancë dhe qesharake, sepse kush ka fobi ndaj nesh?” (18.02. 2013, ballkanWeb). Na lind dyshimi në se këto pohime të përfaqësuesit të Kuvendit, pa kaluar as muaji kur në të njejtin kanal kolegu grek fyejti, mashtroi dhe i kërcënoi shqipëtarët dhe shtetin e tyre, vijnë nga verbësia  apo synimi i mbulimit të kësaj veprimtarie armiqësore?

Albanofobia sikurse ksenofobia, sjelljet raciste, dhuna psikologjike, propaganda, dhe agresioni psikologjik, krahas shumë formave të tjera të ndikimit psiqik, përfshihen në strategjinë më të përdorur në kohët moderne – të LUFTËS psikologjike.

Sipas studiuesve, në këtë veprimtari shkatërruese, bashkë-punojnë specialistë dhe personalitete të fushave të ndryshme shkencore. Shprehje e këtij bashkëpunimi janë “punimet shkencore” mbi origjinën dhe historinë e Kombit arbër, si në rastin e Enciklopedisë Maqedonase (17 shtator 2009). Sipas akademikut B. Ristovski ajo paraqet fakte “shkencore” për shqiptarët e ardhur pas shk. 16 në Maqedoni. Se ata u nxitën nga Ali Pashe Tepelena dhe “me ndihmën e bandave të kaçakëve terrorizuan popullsinë maqedonase duke i detyruar të shpërngulen, për rrjedhojë vatrat maqedonase dhe fshatrat e tyre u populluan me shqiptarë. (Gazeta “Koha”18.09.2009). Edhe në librat sërbe të historisë, hartuesit e tyre dëshmojnë se shqipëtarët kanë kryer “genocid” ndaj popullit serb, me qëllim që t’i largonin serbët nga Kosova. Ata përshkruhen si plaçkitës të kishave, ndërsa në të vetmin vend ku përmenden ilirët, ata quhen “grabitqarë” (« Shekulli » online 30.09.2010). Akademikët serbe si historiani Gjuretiq, arrijnë kaq larg me fantashkencën e tyre historike, sa të pohojne se: “Mbi 80% të shqiptarëve të sotëm, nga burimet relevante historike, janë me origjinë serbe dhe janë po ata serbë të islamizuar pas Betejës së Kosovës(1389).( 6)

Studiuesi Peter Prifti pohon se:“Grekët i shohin shqiptarët si vllehë, d.m.th. pa rrënjë, pa shtëpi, pa tokën e tyre, sikur ata nuk ekzistojnë si popull me kombësinë e vet… Thonë se shqiptarët nuk ekzistojnë fare.”(7)

Këto studime “shkencore” bëjnë pjesë në luftën psikologjike për të krijuar bindjen se shqipëtarët nuk janë autoktone, karakterizohen historikisht nga një karakter kriminal dhe vihet në dyshim qënia e tyre historike, siç u shpreh edhe deputeti grek. (shiko “Racizmi historik, dëshmi e mëndësisë ideollogjike dhe politike e së kaluarës dhe nxitës konfliktesh në të ardhmen”).

I gjithë ky arsenal luftë-nxitës psikologjik, i drejtuar kundër shqiptarëve, nuk është dënuar asnjëherë nga organet kompetente të Shtetit dhe nuk është bërë i njohur Organizmave Ndërkombëtare prej tij, megjithëse përbën shkakun kryesor të urrejtjes ndëretnike në Ballkan. Albanologu i njohur kroat, Milan Shufllai, që në vitin 1913 në librin e tij  “Acta et Diplomata res Albaniae mediae actatis illustrantia” vëren se, të gjitha informacionet për këtë vend e për këtë komb (shqipëtarët-shën im), na i japin vetëm armiqtë e Shqipërisë (!) (8)  Mënyra më e përhapur e agresionit psikologjik është trazimi i fakteve të vërteta me ato të sajuara, për arritjen e bindjeve negative për ngjarjet, heronjtë apo idealet që udhëhoqën periudha të ndryshme të Historisë sonë. (më hollësisht në “Riciklimin e tezave  anti-shqipëtare të shk. 19 në masmedian shqip-shkruese”).

William Nichols (drejtor i “This week magazine”) pohonte se “Zëvëndesimi qoftë edhe i një fjale, mund të ndihmojë për të ndryshuar rrugën e Historisë. (9) Në këtë drejtim, kanë dhënë kontributin e tyre në median elektronike dhe shtypin e përditshëm, sidomos disa autorë minoritarë brënda vendit, por edhe autorë të huaj (studimi për Skëndërbeun sllav e Oliver Shmidit etj), që kanë ngjallur revoltën e studiuesve dhe të lexuesve shqipëtarë.

 

Përfaqësuesi i fesë ortodokse sërbe Amfilochio Radoviç ka thënë:

“Cila është mënyra më e mirë për ta larguar nga historia dhe për të goditur shpirtërisht një njeri apo një popull? Duke vrarë tek ay çdo kujtesë historike dhe të shkatërosh, dëshmitarët që i rikujtojnë këtë memorje”. Kjo strategji e luftës psikologjike e fqinjëve tanë mbi tekstet mësimore shqiptare të historisë, u vu në jetë që pas 90-ës, ku një nga rastet më tipike qe e ashtuquajtura nismë për rishikimin e teksteve të Historisë “në përputhje me standardet e konventave të Këshillit të Europës dhe UNESKO-s”, siç u pretendua nga ana e Greqisë, e ndjekur më vonë edhe nga shtetet e tjera.

Fillimisht, më 4 prill të vitit 1998 u nënshkrua Marrëveshja “Mbi bashkëpunimin kulturor midis qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë” ku u kërkua (ne pikën 1.3.5) të shqyrtohej mundësia e futjes së greqishtes si gjuhët fakultative në shkollat e mesme shqiptare, por jo të gjuhës shqipe në shkollat greke.

Në 3 prill 2003, u rifirmos në Athinë, protokolli “Mbi bashkëpunimin kulturor midis qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë”.  Në kuader të kësaj marrëveshjeje, më 28 tetor 2004 , Ministrja greke e Arsimit Marjeta Janku, jep një intervistë për stacionin televiziv grek NET, ku pohon se : “do të hiqen nga librat e historisë, kryesisht të palës shqiptare, pasaktësitë dhe ngjarje të cilat helmojnë marrëdhëniet dypalëshe…”. Kjo deklarate u bë vetëm pak ditë pas kthimit nga një vizitë e Ministres me presidentin grek Stefanopulos në Shqipëri, i cili nuk harroi të zinte në gojë Vorio Epirin gjatë një mitingu në Dropull të Gjirokastrës.

Me gjithë akuzën e Ministres Janku, për frymëzimin e nxënësve shqipëtarë me idenë “e Shqipërisë së Madhe”, siç dëshmojnë  historianët shqipëtarë, janë tekstet e historisë së Shtetit helen, ku studiuesit grekë vazhdojnë të përfshijnë brenda kufirit të Greqisë, shumë vise që janë zyrtarisht në Shqipëri. Ky fakt vazhdon t’iu mësohet nxënësve grekë, (por edhe femijëve të emigrantëve shqipëtarë-shën im) sot e kësaj dite, dhe në tekstet e tyre përmëndet shpesh termi “Vorioepir”. (10) Rrjedhojë e këtij agresioni psikologjik në tekstet shkollore, është dobësimi i misionit të shkencës historike shqipëtare në edukimin kombëtar të brezit të ri, duke i lene pre të çdo sulmi anti-kombëtar mediatik  dhe fallsifikimeve historike.

Luftë shkatrimtarëve ! 

Ky qe kushtrimi i shkrimtarit të shquar Viktor Hygo, për të ngritur popullin francez, në mbrojtje të monumenteve historike nga kriminaliteti.  Në atë kohë, romancierit të shquar as do t’i shkonte ndërment se kjo veprimtari, mund të përdorej edhe si  “armë” për qëllime gjeopolitike dhe mjet i rëndësishëm në programin e luftës psikologjike. Zhdukja e dëshmive mbi origjinën, autoktoninë dhe vlerat e larta të kulturës sonë historike, që ushqen krenarinë kombëtare, i hap rrugën çkombëtarizimit dhe krijon kushte për shpalosjen e tezave raciste si një popull pa histori, barbar dhe nomad. Në Kosovë, masakrimit prej ushtrisë së Milosheviçit, ju nënshtrua jo vetëm popullsia, por edhe çdo arkiv dhe objekt kulturor e historik i shqiptarëve. Ky krim i ushtrisë serbe në kohën e luftës, kish filluar me kohë në ish Jugosllavi, me anën e tjetërsimit të trashëgimisë materiale shqipëtare, me  çertifikatat “historike” te akademikëve sërbe. Studiuesi Jahja Draçolli dëshmon se “Gjatë viteve 1956, 1968, 1986 dhe 1993, del se, nga fondi i gjithëmbarshëm i monumenteve të kultit, afro 2/3 evidencohen në kuadër të monumenteve të kultit ortodoks serb, përkatësisht janë regjistruar 22 manastire dhe 110 kisha të ritit ortodoks serb, 25 xhami, 29 monumente të kultit të ritit bizantin, të cilat u përvetësuan nga serbët apo mbi rrënojat e tyre u ngritën kisha e manastire serbe, që nga shekulli XIII e deri në ditët e sotme. (11)

Rasti më i freskët i shkatërrimit të dëshmive historike të vazhdimësisë iliro-shqiptare në Shtetin tjetër fqinj, në Maqedoni ishte ay i Kalasë së Shkupit ku së fundmi janë zbuluar shumë objekte që dëshmojnë se kjo treve është banuar nga fise ilire. Arkeologët maqedonas, (rast i paparë për këtë shkencë) po gërmojnë me buldozerë dhe pa lejuar asnjë specialist të kombësisë shqipëtare. Në Shqipëri, kjo veprimtari është në aktivitet të plotë, dhe siç thotë populli ”një rrugë e dy punë”, ka përfitim si politik edhe financiar. Sipas dëshmisë së Pr. Gjergj Fishtes kemi “vjedhjet e ikonave dhe ikonostaseve nga kishat, po ashtu (janë zhdukur) objektet arkeologjike nga depot e muzeumeve, deri edhe Epitafin e Gllavenicës, nga ambientet e Muzeut Kombëtar. Vetëm monedha të statusit arkeologjik të nxjerra nga nëntoka e Shqipërisë identifikohen mbi dy milion copë… vandalizmi i pikturës murale në Kishën e Valshit në Shpat etj. Kësaj veprimtarije kriminale i shtohen nisma ku qeveria propagandon projekte për ndërtime të reja brenda hapësirës së Akropolit të Kalasë së Lezhës. Janë kryer një numër i restaurimeve të kishave shqiptare, duke i shkatërruar elementet autoktone dhe origjinale të tyre dhe duke lënë të paprekura vetëm elementet bizantine dhe greke. Me këtë i është shkaktuar një dëm i pallogaritshëm trashëgimisë kulturore të kombit shqiptar”. (12)

Deri këtu kanë arritur forcat e ushtrisë greke në vitin 1941, në luftën për çlirimin e Vorio-Epirit.

Kështu ju përgjigjen pyetjes për kryqin lapidar, të ngritur matanë qafës së Kërrabës.  Aty nuk kishte dhe nuk ka, as manastir, as kishë, as “ushtarë grekë të rënë në luftën kundër fashizmit”. Atëherë pse duhej të ngrihej ai kryq aty? Pra, kryqi atje, siç quhet në fjalorin ushtarak eshte nje “pikë ose kuotë e kapur në luftë”.(13)

Një tjetër kryq i përmasave të mëdha, në fshatin e Boboshticës (Korçë) betoni i të cilit u trazua me kockat e banorëve vëndës, u ngrit vetëm për një ushtar të gjendur në mal nga fshatarët dhe i varrosur prej tyre. Ngritja e kryqeve në të gjithë Jugun dhe të varrezave “të dëshmorëve greke” është një mjet tjetër i luftës psikollogjike kundër shqipëtarëve dhe një “mesazh” për të ardhmen që synohet. Tani çdo udhëtar apo banor i zonave ku ngrihen këto përmendore, do të përkujtojë jo luftën e italianëve me grekët, por krimet që bëri ushtria greke në gjithë jugun e Shqipërisë si ay në Panarit të Kolonjës ku u masakruan 400 fëmijë gra dhe pleq nga andartët greke (14) duke ja kaluar edhe mizorive të serbëve të fillim shk 20 “të cilët rrënuan kulm e themel, dhjetra e dhjetra fshatra të Gollobordës”. Mit’hat Frashëri shprehet se “rrënimet e turqve e të serbëve do të na duken lojra, krahasuar me ato të grekëve, të cilët asgjesuan më shumë se 300 fshatra të  lulëzuara ne Jug” (15)

Sipas psikologëve, krijimi i kushteve që e risjellin në memorjen kolektive krimet e së kaluarës, shkaktojnë ripërjetimin e tyre, pra një traum të re psiqike për popullsinë. Për këtë synim psikologjik , dëshmon këmbëngulja për kërkim të eshtrave të “dëshmorëve të atdheut ” në 696 pika në territorin shqipëtar nga ana e shtetit grek. Kjo kërkesë (urdhëresë) diktohet edhe kur  banorët të indinjuar pohojnë se: “Ne e dimë historinë që mbart fshati dhe gjithë zona. Unë vetë jam i moshuar, dhe di që në asnjë oborr apo rrugë të këtij fshati nuk ka varre të tilla. (Sitki Qyldedi nga fshati Hormovë)  (16)

Në vend të ngritjes së memorialeve të viktimave civile shqipëtare të masakrave të fqinjëve tanë, Shteti shqiptar merr persipër të ngrejë edhe varreza të tjera (10 mijë m²) në tokën tonë, të paguaje shpronësimet dhe t’i përkujtojë çdo vit. (17)  Si kundër-përgjigje të këtij nënshtrimi anti-kombëtar të Shtetit shqipëtar, Greqija as që ka ndërmënd të lejojë ndonjë përkujtimore të genocidit të saj mbi popullsinë civile të Çamërise, dhe Sërbia, me dhunë ushtarake shkatërron Lapidarin e ushtarëve shqiptarë në Luginën e Preshevës, të dëshmorëve të rënë në luftë kundër skllaverisë së një shteti racist.

Operacionet psikologjike ju interesojnë forcave të armatosura në kohë lufte, konfliktesh dhe të paqes

 Kështu pohon Marco Cannavicci (psikiater, kriminalog, Drejtor i sektorit të Psikologjisë ushtarake Difesan, Romë) duke sqaruar, se “për konflikt nënkuptojmë një rrezik ndaj sigurimit shtetëror, jo gjithmonë ushtarak, por që përfshin fushën politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore”.(18)  Me qënëse “agresioni psikologjik”, që sipas specialistëve është një mjet lufte në kohë të paqes, ai nuk zihet kurrë në gojë nga politikanët tanë dhe sidomos ata europianë. Kjo veprimtari e hapur anti-kombëtare ndaj shqiptarëve, fshihet nën gunën folklorike të “nacionalizmave ballkanike”, që fut në një thes, si xhelatin edhe viktimën, dhe lejon vijimin e saj në emër të luftimit të “ekstremizmit nacional”.

Filed Under: Opinion Tagged With: agresioni psikologjik, Fatbardha Demi, nen gunen e nacionalizmit

Cilësitë e njeriut të sotëm modern

March 23, 2013 by dgreca

Nga Arjan Th. Kallço*/

Nuk ka asgjë të re që krijohet, transformohet dhe zhvillohet në botë pa iu referuar së shkuarës, jo vetëm si koncept denjësisht kohor, por edhe racional, deduktiv dhe selektiv. Vetë bota nuk do të kishte kuptim, nëse vëmendja jonë nuk do të ndalej tek pyetja : nga vijmë dhe ku shkojmë? Ndoshta pjesa e dytë e pyetjes do të merrte më shumë kuptim, nëse do ta shtronim ndryshe se, ku duam të shkojmë. Ku duam të shkojmë dhe ku po shkojmë kanë një dallim thelbësor jo vetëm gjuhësor, ata që e njohin mirë funksionin e një shoqërie, por edhe filozofik e shkencor. Fjala duhet shpreh të gjitha idetë dhe përpjekjet se cili është synimi final i një shoqërie, ndërsa e dyta i jep shkas interpretimeve të ndryshme që shumëkush e mendon si rrjedhje e lirë dhe pa asnjë synim, një lloj liberalizmi pa rregulla dhe kaotik, si vetë shoqëria shqiptare në këto 23 vjet.

Shoqëria njerëzore në të gjitha fazat e saj të kaluara edhe pse ka qënë e prapambetur në të gjitha marrëdhëniet e saj me natyrën dhe me veten, përsëri ka patur në vetvete disa rregulla herë të shkruara, herë jo që e qeverisnin jetën. Nuk diskutohet se këto rregulla me kalimin e kohës janë përsosur, kanë ndeshur në oshilacione dhe shpesh në lloje qeverisjesh që kanë diktuar ecurinë e saj dhe të këtyre marrëdhënieve. Por faktori kryesor ka qënë dhe mbetet njeriu, pa të cilin nuk do të kishte kuptim shoqëria dhe vetë jeta. Nëse i referohemi së shkuarës dhe e nisim me qytetërimin grek, Sokrati tek libri i tij Sofia apo Urtësia ka hedhur disa ide lidhur me cilësitë e njeriut dhe sjelljen e tij në shoqëri. Disa nga më kryesoret tek të cilat ai e shikonte formimin e tij dhe tek i cili shpresonte kanë si bazë të mësuarit dhe të zbatuarit e rregullave apo ligjeve. Nuk mund të mendohet se cilësia e parë absolute është zgjuarsia e tij, jo domosdoshmërisht në kuptimin e një njeriu në arritjet e gjeniut, faktor që nuk do e çonte shoqërinë në regres, por përkundrazi nënkuptonte qeverisjen e familjes dhe të qytetit. E dyta shprehet qartë urtësia  që mësimet t’i zbatosh në jetë dhe jo vetëm për vete, por për të gjithë shoqërinë. Po t’i renditim disa prej tyre do të shohim se në dukje janë të “prapambetura” me nocionet e sotme të njeriut modern.

T’i mësosh shpejt gjërat tek të cilat do të punonin.

T’i ruanin në kujtesë ato që mësonin

T’i dëshirosh mësimet e mara, sepse në sajë të tyre e qeveris mirë shtëpinë dhe qytetin, pra në mënyrë më të përmbledhur të kuvendosh mirë njerëzit dhe t’i përballosh mirë ngjarjet njerëzore.

Momenti i dytë i cili meriton vëmendjen e studiuesve është krijimi i fesë, doktrinave të saj duke e parë krijuesin si të gjithëpushtetshëm dhe të krijuarin të varur tërësisht prej tij, pasi është krijesë e mendjes dhe inteligjencës së tij. Debatet e ndryshme dhe shpesh paaftësia për një gjykim dhe reflektim jashtë ndikimeve të ndryshme të epokave, sollën jo pak ngatërresa dhe konfuzion tek vetë dijetarët dhe filozofët që i afronin apo i largonin, pra i merrnin për bazë për  filozofitë e tyre këto lloj ndikimesh.

Po t’i referohemi fesë dhe predikimeve që ajo bënte në lidhje me disa porosi të Perëndisë, fatkeqësisht jeta e njeriut ka humbur shumë kohë duke u marrë me disa cilësi që gjetën zbatim tek pjesa më e madhe e shoqërisë, por jo tek të gjithë dhe këtu mësimi më i keq që iu servir shoqërisë është “Bëni si them unë, por mos bëni si bëj unë”. Ky mësim është fati më tragjik i njerëzimit që shumë herë precipitoi në luftra dhe dikatura, duke i anashkaluar porositë, pasi ato nuk ishin për të ashtuquajturit e zgjedhur. Po e anashkaloj pjesën e parë të porosive, pasi kanë të bëjnë drejtpërdrejt me besimtarët dhe po kalojmë në pjesën e dytë kur porositë kalojnë nga miti i kultit të tij, tek njerëzit e shoqërisë dhe të afërmit.

Ndero nënn dhe babain

Mos vri

Mos bëj tradhëti

Mos vidh

Mos jep dëshmi të rremë

Mos e dëshiro shtëpinë, gruan, skllavin, të mirat materiale të komshiut tënd

Por bota dhe shoqëria edhe pse këto porosi u bënë të pranishme dhe të shenjta për të gjithë, nuk u zbatuan kurrë nga ata që vetë i huajtën si mësime të shenjta. Qeverisjet dhe njerëzit e tyre u përleshën, u gjakosën për pushtet në një mizori spektakolare të betejave, kurtheve dhe prapaskenave nga më makabret. Edhe sot realiteti botëror vazhdon përsëri në të njëjtën rrugë, pavarësisht se shumë gjëra kanë ndryshuar, por instikti shtazarak ngre krye sa herë që cënohen pushtetet.

Po ia frojmë ngjarjet dhe qëndrojmë në shekullin e kaluar dhe pikërisht në vendin tonë dhe shoqërinë shqiptare në një sistem që i krahasuar me këtë të sotmin nuk ka dyshim se ishte mijëra herë më human. Partia e Punës dhe lideri i saj gjatë disa dhjetëvjeçarëve përgatitën dekalogun e fashmëm që u bë present në Kongresin e 5-të saj dhe që ishte etaloni ku secili duhej ta shihte veten dhe me të cilën duhej të përballej. Analogjizmat edhe sikur të duam t’i shmangim, në shumë raste i referohen pikërisht dhjetë porosive të Perëndisë. Lidhur me besnikërinë apo bindjen dhe ndërgjegjen mendoj se janë marrë dhe vetëm përpunuar duke ia përshtatur diktrinës në fuqi të kohës. Sigurisht që të arrihej deri tek dekalogu, është dashur kohë, prova dhe punë e jashtëzakonshme e të gjitha strukturave partiake dhe shtetërore. Por farë na thotë dekalogu i 10 cilësive?

1. Anëtarët e Partisë sonë revolucionare duhet të jenë besnikë ndaj mësimeve të marksizëm-leninizmit, ndaj Partisë dhe popullit tonë…

2. Komunistët duhet të jenë të pajisur me një disiplinë të çeliktë e të ndërgjegjshme, me një vullnet të hekurt për zbatimin e vijës së
Partisë

3. Kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë që ata të jenë zbatues mekanikë të direktivave…

4. Anëtarët e Partisë sonë marksiste-leniniste duhet të jenë të ndërgjegjshëm se qenia në Parti nuk sjell e nuk mund të sjellë as më të voglin privilegj personal…

5. Komunisti duhet të jetë i lidhur ngushtë me masat, të dëgjojë me vëmendje e respekt zërin e tyre, të jetojë e të punojë me masat…

6. Anëtar i mirë dhe konsekuent i Partisë sonë është ai që ka kurdoherë parasysh dhe e zhvillon pa frikë luftën e klasave…

7. Anëtar i mirë dhe revolucionar i Partisë është ai që me punën e me sjelljen e tij u fiton besimin dhe dashurinë njerëzve, që i edukon…

8. Çdo komunist duhet të pajiset me një vigjilencë me të vërtetë revolucionare, për mbrojtjen e vijës së Partisë dhe të pastërtisë së idealeve të saj…
9. Anëtari i Partisë duhet të karakterizohet nga një drejtësi e kuIluar, pa njolla në ndërgjegjen dhe në veprimet e tij,të jetë parimor…
10. Komunisti revolucionar duhet të punojë me një ndërgjegje të lartë atje ku e ka caktuar dhe ku ka nevojë Partia, duke vënë kurdoherë e mbi të gjitha interesin e përgjithshëm…

Sot në kohët moderne shoqëria njerëzore për një arsye apo një tjetër i ka qëndruar besnik dekalogut dhe shtrirja e tij kudo ka bërë që edhe ndarje më të vogla të shoqërisë, duke mos e patur ta krijojnë atë. Një dekalog i filozofëve do të ishte shumë më i vështirë që të krijohej apo përfshihej në këto dhjetë pika, pasi nuk do të ishin të mjaftueshme dhjetë, por ndoshta njëzet. Pika e parë e statusit që duhej ta dallonte nga të gjithë të tjerët është të qënit objektiv dhe karakteri objektiv i të gjithë punës së tij. Kjo do të vlente edhe për studiuesit e tjerë të sferës shoqërore dhe në veanti për arsimin, pasi natyra e reformave shqiptare hoqi nga vëmendja pikërisht thelbin e arsimit : karakterin objektiv të vlerësimit dhe të selektimit. Por kjo situatë bëhet më e rëndë kur vetë selektimi bëhet sa për të thënë dhe mbi asnjë kriter matshmërie, por vetëm mbi bazën e fitimit, sikur arsimi të ishte një biznes. Të bësh biznes me arsimin do të thotë të bësh biznes me dijet dhe me të ardhmen e një kombi. Pak kohë më parë një dekalog qarkullonte në internet edhe për poetët, të cilin mund ta gjeni në faqet e shtypit dhe gazetave on line të sjellë enkas për të gjithë poetët e vërtetë shqiptarë.

Dekalogë të tjerë nëpër faqet e gazetave, revistave dhe internetit mund të gjesh me shumicë, bile dhe për femrën dhe mashkullin ideal të kohëve moderne, por që vlerësimi nuk ka të bëjë shumë me thelbin, sesa me shfaqjen. Njëri prej tyre karakterizon mashkullin ideal : i sjellshëm, respektues, i dashur, i natyrshëm, i ëmbël, i edukuar, i vëmendshëm, energjik, fisnik, elegant.

Cilat janë karakteristika apo cilësitë negative të njeriut shqiptar sot? Kjo ishte pyetja që e bëra për miqtë në rrjetin social FB, duke dashur të theksoja se në gjithë këtë tranzicion të gjatë shqiptar vetë shoqëria jonë ka humbur jo pak nga natyra e saj deri në vitet ’90. Nuk do të rri e debatoj me njerëz që nuk e kanë jetuar atë kohë, as me ata që imoralitetin ta shesin për moral, fatkeqësisht apo fatmirësisht kjo kohë i nxorri të gjitha në shesh dhe në dramaticitetin e vërtetë të realitetit shqiptar. Çdo ditë që kalon na e zbulon me ngjarjet tragjike që deri dje as nuk i njihnim se cilat ishin. Ndoshta nuk ka nevojë për komente apo opinione të mëtejshme dhe të stërgjatura, pasi shumë syresh i kam dhënë në studimet apo shkrimet e mia të shkuara. Megjithatë ka një moment ku duhet të ndalet vëmendja jonë shqiptare: ku është shteti dhe rendi ligjor shqiptar? Kësaj pyetjeje duhet t’i përgjigjemi seriozisht dhe sa më shpejt, sepse do të vuajmë për shumë kohë pasojat e një shoqërie të krimbur ku fjala NJERI nuk do të ketë më kuptim. Në sondazh morën pjesë rreth 25 persona nga të cilët mbi një e treta preferon të mos përgjigjet me opinion të vetin.

Jorgena : Abuzimi, gënjeshtrat, dyfytyrësia ……

Eni, Denisa : Fitimi pa punuar . Shqiptarët duan t’i fitojnë gjërat pa punuar.

Amir, Alda : xhelozia…

Jerdina : Xhelozia, interesi, servilizmi dhe mendjemadhësia e kotë…. Të gjitha këto të bëjnë që ta shumëzosh, njeriun që nuk ia vlen, me zero….

Marsela : Interesi, mungesa e sinqeritetit po e shkatërron gjithnjë e më shumë shoqërinë.

Ola : Mosmirënjohja….

Dhori : Gjumi, ai që fle kur zgjohet pëllet për politikanët.

Suela : dembelizmi, duan të rrinë të hallakaten me një gotë birrë pa punuar…

Mjafton të ndalemi tek tre cilësitë e para negative dhe do të shohim se abuzimi është ngritur në moral shtetëror dhe shoqëror; gënjeshtrat janë thelbi i shoqërisë; dyfytyrësia karakteri i njeriut të sotëm modern.

 *Pedagog i Gjuhës italiane

Universiteti I Korces

Filed Under: Opinion Tagged With: Arjan Th Kallco, cilesite, modern, njeriu i sotem

Kosova dhe koncesionet

March 23, 2013 by dgreca

Opinion Nga Gani Qarri/ Zvicer

Që nga marrëveshja e 24 shkurtit të vitit kaluar,nga bisedimet e zhvilluara me ndërmjetësimin e BE-së,ndërmjet dy palëve,siç dihet përfitoi vetëm Serbia. Ajo përparoi edhe më tej drejt integrimit evropian, kurse Kosova përveç sakatosjes me fusnotë, varfërisë dhe stagnimit të brendshëm nuk mundi të ecte asnjë hap përpara,duke mbetur aty ku ishte në izolim të plotë dhe e lënë në vetmin e saj të madhe,nga Bashkësia Evropiane.

Përveç tjerash,vendi ynë vazhdon të ndrydhet e diskriminohet edhe nga jashtë,për çka para do ditësh edhe një numër i vogël studentësh nga fakultete të ndryshme të Universitetit të Prishtinës,me rastin e vizitës së kryediplomates evropiane në kryeqendrën e shtetit tonë, baroneshës Eshton (Catherine Ashton)shprehën me të drejtë shqetësimin e tyre për shkak të mos liberalizimit të vizave dhe praktikisht – izolimit total vetëm të Kosovës në Ballkan.

Deri më tani, të gjitha shtetet e rajonit kanë përfituar në forma të ndryshme edhe financiarisht nga liberalizimi i vizave përveç lëvizjes së lirë të qytetarëve të tyre në Evropë,e cila bënë përjashtim vetëm për vendin tonë që si për madhësinë e kufizuar gjeografike ashtu edhe me numrin e vogël të banorëve që ka,është vetëm një pikë e vogël uji në këtë oqean,ndaj Kosova me asgjë nuk mund ta rrezikoj BE, as stabilitetin e saj edhe po ndodhi liberalizimi i vizave me te.

Ndaj,athua ka të bëj krejt kjo vetëm me kushtet dhe standardet që kërkohen nga BE, apo është ky edhe një veprim i një anshëm dhe qëndrim i padrejtë politik ndaj shqiptarëve, pasi që siç dihet vendi ynë nuk ishte nxitës as shkaktar por vetëm njëri nga viktimat e pafajshme dhe më të mundimshme të njërës nga luftërat e fundit nga më agresivet në rajon.

Por, a duhet të brengosen shqiptarët vetëm për trajtimin e tyre të pa barabartë nga Bashkësia Evropiane, apo duhet të frikësohen edhe për koncesione të reja ndaj ish shtetit pushtues-serb, me të cilat prapë mund të kushtëzohet Kosova nga BE, në të gjitha bisedimet e pafund që do mbahen edhe në të ardhmen me Serbinë.

Për fat të keq,me gjithë koncesionet e deritanishme,të mëdha dhe të dhimbshme nga ana jonë,me të cilat që nga marrëveshja e 24 shkurtit të vitit kaluar,përfitoi vetëm Serbia,duke përparuar edhe më tej drejt integrimit evropian, përkundër të gjitha kompromiseve,që nga fillimi i bisedimeve për statusin e vendit,bisedimet e ashtuquajtura teknike e deri tek këto të fundit politike, që tani po vazhdojnë për veriun e vendit me Serbinë, BE-pa të drejtë e mbanë  Kosovën të izoluar.

Me këto qëndrime, ajo bllokon çdo hapje rruge vetëm për pjesëtarët e popullit shumicë në Kosovë, kur dihet se pakicat,përveç diskriminimit POZITIV nga ligjet e vendit tonë, edhe për sa i takon lëvizjes së lirë kanë rrugëdalje nga më të ndryshmet duke filluar që nga e drejta e shtetësive të dyfishta,të cilën bashkëkombësit tanë nuk e gëzojnë,ndaj të vetmit shqiptarët e Kosovës në rajon,vazhdojnë edhe sot,të trajtohen pa të drejtë nga BE -si qytetarë të dorës së dytë.

Kështu që Kosova, përveç peripecive të panumërta edhe pas rreth 14-vitesh çlirimi,dhe mbi pesë vjet nga shpallja e pavarësisë së saj, mbetet jo vetëm vendi më i varfër por edhe vendi më i izoluar në Evropë,përderisa për po kaq vite dhe mbi një dekade të kaluar,qeveritë e Serbisë vijnë e shkojnë,por ato asnjëherë nuk obligohen nga BE, as Faktori Ndërkombëtar për ndryshim qëndrimesh politike ndaj statusit të vendit tonë dhe heqjen e pengesave të gjithfarshme para rrugëtimeve integruese të Kosovës drejt BE-së.

Kështu krijohet përshtypja se burokracia evropiane sikur nuk mund të mbijetoj pa trajtimin në këtë mënyrë të një viktime të pa fuqishme siç është Kosova,e cila nuk është në gjendje për tu mbrojtur vet nga teket dhe padrejtësitë e tilla,ndaj edhe është e dënuar të kalojë këtë periudhë të rëndë mbylljeje fizike dhe frustrimi të brendshëm-e të përgjithshëm psikologjik.

Por në anën tjetër, po nga kjo BE,nuk hezitohet fare që shtetit tonë të ri edhe më tej t`i kërkohen bisedime pa kusht dhe koncesione të pafund,qoftë edhe në kurriz të sovranitetit,kërcënimit të kushtetutës dhe rrezikimit të tërësisë së vendit tonë,në mënyrë që Serbisë ti sigurohen medoemos kushtet për integrim në Bashkimin Evropian

Për aq më keq, nga Serbia jo vetëm se nuk kërkohet njohja e pavarësisë së Kosovës, por as heqja e saj nga kushtetuta serbe, si “pjesë- përbërëse” e këtij shteti hegjemonist sllav, i cili me gjithë mbajtjen e Kosovës lindore nën sundim,edhe nën këto rrethana, kërkon për ditë e më shumë,bile vazhdon edhe më tej që të mos ngopet vetëm me ato toka shqiptare që pa të drejtë i mbanë edhe sot nën sundim.

Për tu rritur dëshpërimi edhe më tepër, as “lule-bora” e Edita Tahirit e cila i`a mërdhiu vendit tonë me “fusnotë” jo vetëm se nuk e ka ndërmend të shkrihet  “me ardhjen e Pranverës”,siç na premtonte ministresha, por  ajo fatkeqësisht sa vjen e ngurtësohet që nga mbirja e saj artificiale, në konkubatorin e Brukselit,për damkosjen e saksisë së republikës sonë, nga infektimi i së cilës, Kosova assesi të shërohet.

Pa marrë parasysh koncesionet që bëri vendi ynë vitin e kaluar,Serbia në këto bisedime shkon me pretendime për koncesione të reja nga shqiptarët, duke vazhduar me politikën e saj të njohur, edhe Evropën edhe Kosovën.

Madje e trimëruar nga lëshimet tona dhe përkëdheljet nga ana e BE-së, ajo edhe pas kaq vitesh çlirimi,guxon të deklaroj hapur se nuk do ta njoh “kurrë” Pavarësinë e Kosovës,derisa për komunat serbe në vendin tonë, kërkon me cinizëm, asociacion me fuqi ekzekutive, për ta çrregulluar tërësisht shtetin tonë të ri dhe të vogël.

Frika më e madhe,vjen nga fakti i hidhur se përveç shkeljes vitin e kaluar, me “Fusnotë”, mbi Republikën e Kosovës – këtë vit Serbia, me miratimin e qeveris së Kosovës dhe faktorëve evropian, po arrin të krijoi edhe një formacion destabilizues si ai i ashtuquajturi “asociacion etnik dhe territorial i komunave serbe” vetëm për këtë komunitet pakicë, në brendësi të territorit tonë.

Ngase duke u nisur nga përvoja e hidhur që kemi me ekstremistët serb në veri, ky i ashtuquajtur “asociacion” shumë lehtë dhe shpejtë mund të kthehet në bombë me sahat për stabilitetin e vendit dhe shpërthime me porosi sipas dëshirës dhe nevojës, sa herë që ato mund t`i duhen Serbisë për ta destabilizuar dhe penguar mbarëvajtjen e shtetit tonë.

Droja për ecjen e Kosovë përpara , bëhet edhe më e madhe ,kur kihet parasysh zhvillimi i pamjaftueshëm ekonomik dhe forcimi i mangët i rendit dhe ligjit, të cilat ende janë në nivelin fillestar,kurse pretendimet serbe edhe më tej nuk pushojnë të vejnë në pikëpyetje kufijtë dhe shtrirjen e shtetësisë në gjithë territorin e vendit.

Për fat të keq,jo vetëm se niveli i sigurisë në vend, lë shumë për tu dëshiruar,por Serbia përveç pjesëtarëve ekstremist të pakicës serbe ka edhe shumë bashkëpunëtorë të shitur shqiptar të cilët mund ti hedh në veprim si me telekomandë-sa herë që asaj i konvenon për ta destabilizuar Kosovën.

I vetmi fat i shqiptarëve, mund të quhet mbështetja Amerikane ndaj popullit tonë dhe ndihma politike që ofrojnë përfaqësuesit e saj shtetëror, sidomos në planin e jashtëm dhe në momentet delikate kur Kosova duhet të zhvilloj bisedime të vështira,e cila pa ndihmën e SHBA-së,shihet qartë se nuk ka forcë, dije as mundësi,që tu dal mbanë.

Por edhe gjendja e rëndë e pjesëtarëve të popullit shqiptar,sidomos të atyre që jetojnë nën shtetet fqinje dhe zhvillimet dramatike të politikës në shtetin amë, e bëjnë edhe më të domosdoshme mbështetjen amerikane, e cila shihet se edhe sot është me rëndësi jetike si për shtetin e Kosovës ashtu edhe për kombin në përgjithësi, pasi që shqiptarët janë të vetmit në rajon të cilët edhe në këtë shekull lirie e përparimi global,mund të diskriminohen kudo, në trojet e tyre etnike,dhe përkundër të gjitha padrejtësive ndaj nesh, megjithatë vetëm nga ne kërkohen vazhdimisht koncesione të reja dhe të pafund.

Ndaj,as heqja e pavarësisë së kushtëzuar,nuk ndihmoi shumë vendin tonë,sepse përmes këtij dialogu absurd, Kosovës i krijohen sërish pengesa të reja me kërkesa abuzive, për krijim asociacionesh me fuqi ekzekutive-shtetërore të cilat rrezikojnë seriozisht tërësinë territoriale dhe pavarësinë e shtetit që po ndërtojmë,derisa Serbisë i bëhen lëshime të një pas njëshme edhe pas nënshkrimit të cilësdo marrëveshje.

Madje,për fat të keq ajo tolerohet edhe më tej, ti zbatoj vetëm ato marrëveshje që asaj i konvenojnë, duke mos heqë dorë edhe më tej, as nga strukturat e saj kriminale në veri pa zëvendësimin e tyre me forca ekzekutive-shtetërore të cilat sërish do ta rrezikonin në vazhdimësi vendin tonë edhe në të ardhmen.

Edhe mënyra se si po zhvillohen këto bisedime, lë shumë për tu dëshiruar, ngase ato nuk janë transparente dhe as të miratuara në kuvendin e Kosovës,ku zyrtar jo plotësisht profesionist, të një rangut të pa mjaftueshëm adekuat dhe jo sa duhet të kualifikuar po vendosin për fatin e vendit dhe popullit duke dalë jo rrallë dhe pa të drejtë edhe mbi fuqitë kushtetuese të shtetit tonë të ri.

Bile, sikur të mos mjaftonin tronditjet e vitit të kaluar  që i`u bën Republikës sonë me “fusnotë” e cila edhe tani vazhdon ti bëj hije të ftohtë asaj, këto ditë paralajmërohet pranimi i të ashtuquajturit “asociacion i komunave serbe”,që tek çdonjëri nga ne shkakton huti dhe frikë për rendin, stabilitetin dhe ardhmërinë e shtetit që po ndërtojmë.

Megjithatë,ky me siguri nuk do të jetë kompromisi i fundit nga pala jonë. Ndaj lind pyetja se cili do të jetë koncesioni i dhembshëm i radhës për shqiptarët, nëse jo rrudhja e mëtejme e hapësirave tona gjeografike, me shtyrjen e dhunshme të kufijve nga ana e Serbisë edhe më në brendi të territorit tonë.

Bile edhe kjo kohë ndoshta nuk do të jetë fort e largët,ngase demarkacioni i kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, një ditë pa tjetër se duhet të ndodhë,ndaj të gjithë shqiptarët duhet ta kenë parasysh rrezikun që mund ti vije vendit,me rastin e demarkacionit kufitar ndërmjet dy shteteve,kur në emër të arritjes së marrëveshjeve dypalëshe dhe për të kënaqur një pjesë të pretendimeve hegjemoniste e territoriale serbe,Bashkësia Evropiane mund të kërkoj edhe koncesione tokësore nga Kosova, anipse pretendimet territoriale serbe, vazhdojnë të mbeten rrezik permanent për integritetin dhe sovranitetin e vendit tonë?!.

Cyrih, Mars 2013

Filed Under: Opinion Tagged With: bisedimet Koosve-serbi, Gani Qarri, kosova dhe koncensionet

Hot e Grudë-të mohuara dhe të harruara !

March 22, 2013 by dgreca

Nga Fahri Xharra/

O Perendi a ndjeve,/

E Ti rrin e gjuen me rrfé,/

lisat n’per male kot !/

(Fishta)/

Nuk po kërkoj as që po lypi shqiptar në Mars, nuk më shkon mendja se po e kërkoj të pamundurën – thjesht një thirrje për të u mos shkombëtarizuar ata që kanë mbetur në ato anë. Jemi një. Edhe pse historia ishte e pa mëshirëshme për ne: na ”ndanë e na  coptuan”. Pse në thonjëza ”na ndanë e na coptuan”? Asgjë më tepër se një rivizatim në hartën gjeografike që u krye, një rivizatim me dhunë e me terror, një rivizatim grykësie..

A mos është ky një nacionalizëm romantik i imi? Jo, sepse edhe në kohërat e ndarjeve dhe coptimeve i kishim miqët tanë që nuk munden ndryshe të veprojnë përveq  në ruajtjen e shënimeve për ne se ku ishim dhe ku mbetëm. Tokat ”lëvizin”. Nuk i dihet.

Malësia e Madhe është pjesë e trojeve shqiptare dhe shtrihet në lindje të Podgoricës (Mal të Zi) e vazhdon deri në pjesen veriore të Liqenit te Shkodres, duke perfshirë një pjesë të mirë të Qarkut Malësi e Madhe në Shqipëri. Është zonë malore me lartësi mbidetare midis 800 e 1700 m. Në tërë këtë hapësirë rrjedh lumi i Cemit, i cili buron nga Alpet Shqiptare (Bjeshkët e Nemuna) dhe derdhet në Moraçë.

Kjo krahinë shqiptare shtrihet në pjesën veri-përëndimore të Shqipërisë, që nga Shala deri te Shpella e Berishës në brigjet e lumit Moraça. Në Mesjetë ky regjion njihet si Pulti ose Pulati ne dokumentat Bizantin. Ky regjion ka një popullsi autoktone shqipetare. Qendra kryesore eshtë Tuzi ne Mal të Zi kurse Kopliku në Qarkun Malësi e Madhe në Shqipëri (malesia.eu)

Hoti është zonë bjeshkore e Malësisë së Madhe në pjesën veriore të trojeve shqiptare dhe tani ndodhet nën administrimin e Malit të Zi. Hoti, një ndër pesë malet e Malësisë së Madhe, është ndër më të vjetrit, por edhe ndër më të rëndësishmit e kësaj treve. Emërtimin e parë në dokumente të vjetra e gjejmë në vitin 1414 me “Certi Hocti” (disa hoten), çfarë tregon për një popullsi jo të madhe të këtij Mali. Malet më të njohura në këtë zonë janë, Bukoviqi dhe Cemeri. Objekt fetar më i rëndësishëm është kisha në Brigje të Hotit.

Në të kaluarën ilire kjo zonë ishte pjesë e “Maleve të Labeatëve” (mons labeatis). Me pushtimet romake bie nën administrimin e vendasve (në varësi romake). Shënohen edhe rebelët me Balshaj rreth fillimeve të shek. XV (Balshajt ishin kryezotët feudalë, që mblidhnin detyrime e taksa). Me 1415, këta “rebelë” gjetën strehim pranë Venedikasve në Shkodër, ku u ndihmuan edhe me të holla (Kolec Traboini).

Në vitin 1417 gjinden emërtime të ndryshme si “Otto” ose “De Hottis”. Në arkivat e ish-shtetit të Venecias, flitet për luftë guerilase kundër princërve të Balshajve në vitet 1416-1417, si dhe popullimi i Hotit afër territoreve të sotëm që përkon me vitin 1426, në mes malit Veleçikut e Liqenit. Në vitin 1455 përsëri deklarohet besnikëria ndaj Venecias, së bashku me komunitetet e Zetës së lartë (superiore) me inisiativën e Stefano Cernei. Me 1474, Hoti del si Mal në vehte me një kryetar, emruar pastaj Vojvodë, i cili është në bashkëpunim me Venecien. Pak më vonë, ka një emigrim në Siçili, ku përkon me pushtimin turk, ndoshta për t’u shpëtuar reprezaljeve. Edhe sot në Siçili (Itali) gjinden rradhë mbiemra Hoti.

Me 1479 kur sulltan ishte Mehmeti i dyte (1451-1481) Perandoria Osmane e pushton malësinë dhe nga kjo zonë formon nahien e Hotit. Nën pushtimin osman popullsia e prirë nga feudalët zhvillojnë disa kryengritje e luftëra ndër vitet: 1565-1575, 1596, 1601, 1609, 1610-12, 1624, 1638, 1652-53, 1668-69 ,1698-99 ,1712, 1732, 1808, 1822, 1832-34, 1838, 1844, 1856, 1862, 1871-72, 1879, 1883, 1869.

Thjesht një tokë e papërkulur; dhe që i bëri ballë deri edhe me sot çkombëtarizimit.

Sipas traditës popullore të Malsisë, të parët e ketyre fiseve shqiptare ishin nga Bosna dhe Hercegovina, te cilet ishin detyruar te shpernguleshin drejt jugut pas invazionit sllav dhe dhe më vonë pushtimit osman,dhe ishin vendosur ne keto anë. Pikërisht Eposet e kreshnikve shqiptar (Cikli i kengevë Muja dhe Halili, nga Lugjet e Verdha (Jutbina) diku ne Kroaci ose Bosnje) e vertetojne me së miri tezen se Iliro-Shqipetarët ishin deri vonë prezent ne brendësi të Bosnjes dhe Hercegovinës.Tradicionalisht besohet se në fillim ishin 12 fise shqiptare te Malsisë; Kelmendi, Hoti, Gruda (Sumasi), Shkreli, Kastrati, Trieshi (Triepshi), Piperi, Kuçi, Vasojeviçi, Krasniqja, Gashi dhe Bytyçi. Sipas Legjendës i pari i tyre që erdhi ne Malesi quhej KEQ PREKA dhe kishte 5 djem; Lazar Keqi (Hoti), Ban Keqi (Trieshi), Kras Keqi (Krasniqi), Piper Keqi (Piperi), dhe Vaso Keqi (Vasojeviçi).Trieshi ishte vellau i vogël i Hotit ndersa Piperi dheVasojeviçi me kalimin e kohës u sllavizuan plotesisht, sikurse nje pjesë e Kuqit, kurse Krasniqi me ardhjen e turqve u islamizuan.

Vlen për tu sqaruar se për kuvende të përbashkëta hotjanët kishin edhe Kishën e Brigjes (S. Giovanni Decollato). Festa kryesore e Hotit është Shën Gjoni (Shnjoni). Por mbas të gjitha këtyre, vjen viti i zi 1913, kur Fuqitë e Mëdha, në Shqipërinë e Malësinë e Madhe e bashkë me këto edhe Hotin, ku mjerisht  kjo dhuratë ju bë Malit të Zi. Kjo ndarje nuk ishte vetëm territoriale, ajo ndau mbi të gjitha fise, familje e shtëpi, doke e zakone, e fatkeqësisht edhe sot kjo ndarje në Europën e Re quhet Tabu. Gjithsesi, hotjanët emigruan e migruan, por kudo që ata jetojnë, rrezatojnë jo vetëm shqiptari, por mbi të gjitha mall për vendin e tyre, çfarë do të thotë, t’i dalin për zot kudo e kurdo. Hoti i mbetur mbas 1913, është pjesë e komunës Kastrat.

Me ndryshimin e parë të kufirit malazezo-turk të vitit 1876, një pjesë e Malësisë së Madhe – Koja e Kuçit dhe Trieshi mbetën nën sundimin malazez. Kurse në Konferencës e Londrës të vitit 1913 u vendos që Malit të Zi t’i jepeshin edhe krahinat tjera shqiptare që ka sot dhe në këtë mënyrë Malësia e Madhe u nda në dy pjesë. Kufirin  shtetëror shqiptaro-malazez do ta vendosi Komisioni Ndërkombëtare i drejtuar nga rusi Sergej Potapov.( nga Tomorr  Toplica).

 

Gruda është një regjion malor në jugun e Malit të Zi. Gruda është saktësisht në veri të Liqenit të Shkodrës me kryeqendër Tuzin, vendi më i banuarnë Malësi.

Gruda në përbërjen e saj ka Romano-Katolik, dhe musliman të cilët jetojnë në Tuz dhe në fshatrat Milesh dhe Dinosha. Kisha e Grudës është në Priftën, dhe si e tillë njihet edhe si kisha më e vjetër në këto anë (1528); dhe është shenjë mbrojtëse për shqiptarët  sepse është referenca më e qartë e vazhdimësisë shqiptare në këto anë.

Historikisht  së bashku me Hotin, vëllezërit fisnor, Gruda ishte në shenjestëren turke. Malet në verilindje të Tuzit janë dëshmitaret e vërtetë të kryengritjeve më të mëdha kundër Turqëve për gjatë hapave historik për Pavarësinë e Shqipërisë; dhe jo rastësisht aty shënohen momentet më të dalluara të rezistencës së Shipërisë veriore.

Gruda dhe Dinosha ishin në fokusin e luftës kunfër Imperatorisë Otomane dhe Malit të Zi përgjatë vitit 1880..

Viti 1911 është i njohur për Kryengritjen e Madhe të Deqiçit nën udhëheqjen e Dedë Gjon Lulit dhe Sokol Bacë Ivezajt duke e ngritur flamurin shqiptar për herë të dytë pas vitit 1469. A nuk është kjo ngjarje për t`u mos harruar?

Në gjysmën perëndimore të Grudës ngritet Mali i Deçiqit dhe rrjedhë Lumi i Cemit nëpërmjet Grudës duke e ndarë Deçiqin prej Sukës dhe duke formuar kufirin në mes tokave të fiseve të Grudës ati Kuçi. Gruda është vendlindja e legjendës Smjl Martini Ivezaj dhe bijës së tij Tringës ( të gjithë kemi dëgjuar për Tringën e Grudës), pastaj pë Dedç Nikç Ivezaj, Zef Martini Ivezaj ( Zef martini i Grudës), Bac Vuksanin, Sokol Bacin.

Kemi dëgjuar edhe për qytetëzen e Mileshit , vendlindjen e Bac Kurt Gjokajt, Mehmet Murat Gokajt, Halil Hakajt i Dinoshës, etj.

Më duhet të përmendi Tuzin e Mlësisë, i cili është edhe sot qyteti më i rëndësishëm i Malësisë. Shqiptarët e sotit të Tuzit janë nga fiset Hoti , Gruda , Trieshi dhe Kuçi.

Në lutjet e tona të përditshme, shqiptarët nuk e përmendim atdheun. I lutemi Zotit, i kërkojmë falje për gabimet e bëra. I lutemi të na dhurojë pasuri, fat dhe mirëqenie. I lutemi të na shpëtojë nga e keqja, nga i mallkuari. I lutemi të na shpëtojë familjen; por vetëm lutje për veten vetjake. A e keni dëgjuar kënd të lutet për atdheun? Askush nuk na ka mësuar për një lutje të tillë. Nuk i lutemi Zotit që ai t`na shpëtojë kombin, atdheun. Nuk i lutemi Zotit të na shpëtojë nga zhbërja. Nuk i lutemi Zotit që të na ruajë kombin.

U nguta ta përfundoj këtë shkrim se nuk i dihet: ”Nata bars e dita plle” thoshte një fjalë e urtë popullore. Nuk i dihet ,le te mbes si e tillë e shkruar se ndoshta një ditë do të zgjohemi dhe të lexojmë se “edhe Hoti e Gruda nuk  u morrën pa dëshirën tonë. Në pajtim me “miqësinë “e mirë fqinjësore me Malin e Zi e në bashkërendim me “administrues it miqësorë” u pajtuam që edhe Hoti e Gruda të ndahen nga trungu.”

Ne duhet të ”bindemi ”se”te dhenat historike shqiptare, sipas historianeve, kane qene nën ndikimin e regjimit komunist te gjysmës se shek.XX dhe nga propaganda nacionaliste gjatë rilindjes kombetare.”  dhe si të tilla ato duhen të ndryshohen, sepse:

” ideologjia zyrtare e komunizmit diktonte qe cdo realitet i krijuar nga sundimi i jashtem duhej cilesuar si i erret dhe te urrehej gjithmone.” Çfarë arsyetimi i paskrupullt?

Kur humb vetëdija, humbet  edhe historia,”Nata bars e dita plle” .E kuptuam?

Gjithnjë e më shumë bindem se padija është sëmundje ngjitëse e dija sëmundje unikale dhe rrallë bartet te tjetri! Na duhet të gjejmë një formulë, që të pakten edhe po të mos ndalojmë epideminë e padijes, ta kthejmë edhe dijen në epidemi…(Agron Bala.)

Filed Under: Opinion Tagged With: Fahri Xharra, Hot e Grude, te harruara

KRIMBAT E INTERNETIT

March 22, 2013 by dgreca

Nga Alfons GRISHAJ* /

Në historinë e Internetit, nje pjesë e shqiptarëve janë më të prapambeturit dhe më mjeranët në komentet e tyre. Nëse komentet e tyre, kombet e tjera japin mendime të vlefshme për të përmirësuar gjërat që i rrethojnë, disa shqiptarë, jo vetëm që nuk e bëjnë atë, por përkundrazi, shikojnë se si të përmbysin çdo arsye apo arritje, të shpifin të paqenat më monstruoze, të ndërtojnë alibira kriminelësh dhe të thurin lavde kacamijsh… Duke bërë një investigim personal (duke paguar specialistin investigues), rreth disa komenteve pa emër ndaj personit tim, rezultoi se:

Autorët e këtyre komenteve janë njerëz që i njoh  mirë jo vetëm unë, i njeh mirë Shkodra dhe komuniteti i Michiganit, po ashtu çdo komunitet ku ata kanë jetuar. Kategoria e lartpërmendur rezulton të jenë Spiunë të damkosur të ish sigurimit të shtetit,dhe UDB-es e segmenteve të lidhura me të. Po nga kjo kategori “njerzish”u atakua në mënyrë denigruese personeli i Ambasadës Shqiptare në Washington, që është ekipi më i shkëlqyer e më profesional që ka qenë ndonjë herë në SHBA. Ambasadori Galanxhi me stafin e tij, është i kudondodhur në hallet dhe gëzimet e shqiptarëve në mbarë Amerikën. Një diplomat i denjë për t’u ballafaquar me sfidat e kohës në çdo takim ndërkombëtar.

E njëjta kategori denigron gjithë fondin e personaliteteve kulturore e historike që nga Mbreterësha Teutë e deri tek Mbreti Zog, nga Pjetër Bogadani tek Nënë Tereza, pa kursyer as Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, duke i thurur lavde tradhëtarit Ballaban Pasha, që helmonte puset e shqiptarve për t’i gjunjëzuar nën zgjedhën e pushtuesve osmanë. Kështu, këta mjeranë radhiten në anën e armiqve shekullorë, të cilët, me tezat e tyre arkaike ende synojnë ta paraqesin në sytë e botës popullin tonë si një popull pa histori dhe qytetërim.

Në “emër” të demokracisë, kjo kategori e cila, ka punuar kundra saj që në hapat e parë, fyen dhe denigron Sali Berishën, Jozefina Topallin, Lulzim Bashën e dhjetra personalitete të politikës shqiptare, të cilët punojnë me konseguencë për realizimin e projektit për Shqipërinë europiane. Shajnë Dritëro Agollin e Naum Priftin, me të cilët shoqëria shqiptare duhet të krenohet për nivelin ku e kanë ngritur këto shkrimtarë letërsinë tonë. Shajnë gjithashtu Don Frano Kolën, një figurë pajtuese e jashtëzakonshme, një atdhetar që ka bërë aq shumë për çështjen e Kosovës. E shumë intelektualë, politikanë, shkrimtarë apo editorë, në të dy krahët e politikës, majtas e djathtas, në Shqipëri e diasporë. Vrapi i tyre shkon më tej, duke sharë Federatën Pan Shqiptare Vatra, e cila është një Institucion  me vlera të papërsëritshme kombëtare, që ka ndikuar bindshëm në historinë e Shqipërisë në këto 100 Vjet. Nuk lënë pa akuzuar Konsullin e Nderit Ekerem Bardha, i cili për më se 40 vjet ka kontribuar për çështjen kombëtare si askush tjetër, duke nxitur Kongresin Amerikan në qendrime të prera ndaj represionit sistematik të Jugosllavisë së atëhershme (në çështjen Ivezaj), dhe Serbisë së Milosheviçit. Më e pafalshmja dhe më e turpshmja, ishte kur edhe gëzimi martesor i Sekretarit të Vatrës për Michiganin, Mondi Rakaj (një djalë i shkëlqyer), nuk kaloi pa u atakuar në nderin e familjes nga shkrues anonimë. Çfarë shqiptarësh janë këta që në gëzimin e tjetrit kërkojnë të sjellin dhimbje e përçarje?

E drejta për të qenë përdorues i internetit sot është një e drejtë bazë, thuajse e barazvlershme me të gjitha të drejtat e tjera të njeriut, si jeta, liria, e drejta e punës,  e strehimit, e arsimimit, e përkujdesjes shëndetsore etj. Në këtë sens janë për t’u përshëndetur të gjitha masat që ndërmerr qeveria shqiptare për akses të plotë dhe me kosto të lirë të të gjithë shtetasve në këtë fushë të operimit njerëzor. Por, Shqipëria duhet  të aprovojë një amendament për fyerjet që vijnë nga Krimbat e Internetit, sikurse ndodh në të gjitha vendet e qytetëruara ku integriteti dhe dinjiteti i individit është i mbrojtur nga ligji, i cili parashikon si dënimin e fajtorit ashtu edhe dëmshpërblimin e të cënuarit. Personat anonimë që fyejnë e denigrojnë poshtë e lartë nuk kanë ndonjë dallim nga ata të cilët vënë maskat në fytyrë për të vrarë e plaçkitur. Përkundrazi, janë dhe më të rrezikshëm, sepse veprojnë sipas një parimi dhe strategjie të njohur që synon të mbjellë urrejtje dhe përçmim tek shqiptarët. Preç Zogaj, e ka artikuluar me vend këtë dukuri në një intervistë teksa citon “Marksistët kanë një thënie, vrite njeriun moralisht se e ke vrarë dhe fizikisht!.”

Çdo Gazetar, Editor apo administrator WEB-i, kanë detyrim ligjor të ndalojnë krimbat e të shkuarës të përdorin faqet e tyre për të shpifur, fyer dhe denigruar individët që përpiqen për ndërtimin e një të ardhme të ndritur për Shqipërinë dhe shoqërinë tonë. Miku im, Pjetër Jaku, dhe unë drejtojmë prej vitesh Revistën “Kuvendi” dhe WEB-in e “Kuvendit”, por asnjë herë dhe në asnjë rrethanë nuk kemi lejuar fyerje apo komente denigruese nga njerëz anonimë apo me emër. Personalisht, mund të them se mund të hap njëmijë WEB-e dhe të pres majtas e djathtas, por një gjë të tillë nuk kam ndërmend ta bëj kurrë. Do të ishte humbje parimesh, shpirti dhe inteligjenca ime do zbrisnin në nivele të ulta dhe do bjerrej misioni dhe dashuria ime për njeriun, që e ka burimin tek besimi se njeriu është shëmbëlltyra e Zotit.

Lind pyetja: “Pse e gjithë kjo urrejtje për njerëzit e ditur dhe kontribuesit e çmuar të çështjes kombëtare?”

Kam ecur me qenien e njeriut në vite, në errësirë e dritë, në paqe dhe lufte. Kam dalluar tri kategori: Kategoria e parë, hapësirën e ekzistencës së jetës e quan privilegj dhe e jeton atë sipas kushteve dhe rrethanave të parashtruara nga mesazhi hyjnor, d.m.th. nga Zoti…

Kategoria e dytë, nuk e ka kundërshtuar kurrë moralin hyjnor, por kërkon të bëjë revolucion për një jetë më të mirë, duke presupozuar se njeriu duhet të ndërtojë të ardhmen e vet duke pranuar ekzistencën e hyjnores si fakt, por jo si zgjidhje tokësore…

Kategoria e tretë është ajo me kontraversalja. Kjo kategori nuk beson në ekzistencën e hyjnores, por në ekzistencën e tij si Zot, duke harruar mbivlerën e shpirtit si thelbi i ekzistencës sonë, i arsyes dhe i përparimit, që është vetë thelbi  i trashëgimisë njerëzore. Kjo kategori që nuk njeh asnjë kod moral, nuk ka nga ta dijë se respekti dhe mirënjohja janë vlera të vërteta që ndajnë njerëzoren nga jonjerëzorja. Prandaj ata nuk kanë mirënjohje për krijuesin e tyre Zotin, për prindërit që i kanë lindur, për shoqërinë ku jetojnë, për diellin që i ngroh, për duart që i ndihmojnë. Duke bjerrë vlerat e vërteta, njeriu ka vetëm një përfundim: të transformohet në lloj tjetër, natyrisht, jo fizikisht. Në rastin konkret, kjo kategori u shndërrua në krimba, të cilët janë përhapur sot nëpër faqet e internetit.

Matthew Kelly, shkrimtar australian, the best seller, shkruan:”If you and I are not part of the solution, we are part of problem!”

Unë do t’i fal këtë herë anonimët shpifës, sepse nuk bënë asgjë tjetër përveç asaj çka kanë bërë në vite, kur spiunonin vëllezërit dhe motrat e tyre, hartonin dosje të rreme, ekzekutonin njerëz të pafajshëm, dhe pinin gjakun e popullit shqiptar… Kjo, për t’i dhënë shans fëmijëve të tyre të jetojnë një jetë si fëmijët e mi, me qëllim që urrejtja të mos trashëgohet, e madje të kenë dhe ata vetë mundësinë për të shijuar pa komplekse ideologjike lirinë e vërtetë dhe Perëndimin që e shanë gjithë jetën e tyre.

*Autori është kryetar i degës së VATRËS në Michigan

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj, analize, e internetit, Krimbat

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 818
  • 819
  • 820
  • 821
  • 822
  • …
  • 864
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT