• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Timsi”, shteti-parti dhe partia-shtet

April 13, 2024 by s p

Sokol Paja/

Skandali “Tims” është padyshim ndër skandalet më të rënda në shtetin shqiptar të tranzicionit postkomunist. I harruar dhe i kaluar në heshtje prej muajsh prej organeve ligjzbatuese, kopjimi, ruajtja dhe transferimi i të dhënave personale të shqiptarëve e shtetasve të huaj nën posedim të personave të paautorizuar përbën një akt të pastër kriminal, një precedent të tmerrshëm të rënies së shtetit ligjor, gjunjëzimit të institucioneve, cënimit të sigurisë kombëtare të një vendi anëtar të NATO-s dhe shkelje të një sërë ligjesh, marrëveshjesh e konventash ndërkombëtare. Një ditë e zezë për shtetin ligjor dhe shtetin e së drejtës. Shteti shkërmoqet prej punonjësve shtetërore. Shteti ka dështuar totalisht të mbrojë të dhënat e qytetarëve të Republikës. Asnjë përgjegjësi nga zinxhiri komandues e drejtues i cili duhej të jepte llogari që ditën e parë të skandalit të rrezikshëm e të paprecedentë.

Të gjitha skandalet kombëtare në shtetin shqiptar mbajnë një përgjegjës: Edi Rama. Kryeministri më i dobët dhe më i dëmshëm i Shqipërisë e shqiptarëve vazhdon “mbretërimin” e tij të mandatit të tretë duke sjellë pasoja të tmerrshme në ekonominë, sigurinë shtetërore e keqmenaxhimin e aseteve kombëtare e shtetërore. Dëbimi nga Shqipëria i 1 milion shqiptarëve në 11 vite keqqeverisje, shpartallimi i shtetit ligjor, kontrolli i medias, presioni i vazhdueshëm mbi drejtësinë dhe skandalet e njëpasnjëshme si rasti “Xhaçka” ku partia – shtet shpërfill Gjykatën Kushtetuese duke mbrojtur mandatin e deputetes në papajtueshmëri me Kushtetutën, tregojnë gjendjen e vendit dhe katandisjen e vazhdueshme prej më shumë se një dekadë. Partia- shtet ka kryefjalë të vetme vjedhjen e çdo qindarke publike. Korrupsioni në Bashkinë e Tiranës, vjedhjet masive në çdo ministri e drejtori, ku “rrugët” dhe “tatimet” janë gropa e zezë e parasë publike. Zhvatja është kthyer në sistem.

Në skandalin “Tims” është e pashpjegueshme sesi Këshilli i Sigurisë Kombëtare nuk ka thënë asnjë fjalë dhe nuk është marrë asnjë masë. As Komisioni Hetimor Parlamentar as arrestimi i ish drejtorit hajdut Muça, nuk i lajnë mëkatet e këtij skandali me përmasa të frikshme. Shteti është thyer e kthyer nën komandën e patronazhistëve dhe aktivistëve, specialistët dhe punonjësit me integritet janë zëvendësuar apo transferuar në periferi. Partia është kthyer në shtet dhe shteti në parti. Shteti ka rënë nën thundrën e partisë-pushtet. Vjedhja e të dhënave personale të shqiptarëve si hyrje-daljet e personave në pikat kufitare, dokumentet biometrike të shtetasve, gjeneralitetet e tyre, ngjarjet kriminale, ngjarjet nën hetim të raportuara në sistemin e brëndshëm të policisë, aksionet e policisë së shtetit, dosjet hetimore më të bujshme, lista terroristëve apo personave me rrezikshmëri të lartë dhe në kërkim kombëtar apo ndërkombëtar, gjobat e makinave të qytetarëve të Republikës, strategji, plane veprimesh apo informacione të ndryshme sekrete të rëna në duart e personave jo përgjegjës përbëjnë një akt të tmerrshëm kundrejt interesit të shtetasve të Republikës dhe interesave të vetë shtetit shqiptar. Një tradhti e tmerrshme, shteti “shet” të dhënat sensitive të shtetasve. Vetëm largimi i kryeministrit Rama dhe të gjithë atyre që fusin duart në xhepat e shtetit, në kurrizin e qytetarëve dhe institucioneve e shpëtojnë Shqipërinë nga plagët shumëplanëshe dhe të shumanëshme.

Në një shoqëri demokratike perëndimore, qeveria do kishte rënë 100 herë, ndërsa në Shqipëri Rama me shpurën e tij vazhdon vjedhjet e abuzimet, shoqëria e qytetarët heshtin dhimbshëm. Është jetike për Shqipërinë dhe shqiptarët që jo vetëm të ketë ndëshkim shembullor mbi skandalin “Tims” por institucionet shtetërore përgjegjëse të kërkojnë ndihmë nga BE, NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për rritjen e kapaciteteve të sigurisë e mbrojtëse kibernetike, ndryshim të legjislacionit dhe rritje të kapaciteteve të specialistëve të fushës me qëllim që skandale të tilla të mos rrezikojnë qytetarët, institucionet dhe vetë shtetin. Shteti ka rënë, Republika në rrezik jetik.

Filed Under: Opinion

“Dreams Within a Dream”

April 13, 2024 by s p

Eridana Çano, prill 2024/

Arti i Nazmi Hoxhës nuk mund të kufizohet vetëm nëpërmjet një zhanri të vetëm. Ai është mjeshtër i kompozimeve, i peizazheve, i nudove dhe i portreteve, të cilat të bëra bashkë sjellin një dëshmi të shkathtësisë dhe të thellësisë së tij si artist, pjesëza të ndryshme ëndrrash brenda një ëndrre të madhe arti. Me një zotësi të jashtëzakonshme, ai i vesh veprat e tij me një mantel të mistershëm.

Te cikli i pikturave “Nudo” vërejmë aftësinë e përdorimit të ngjyrës në sipërfaqen e telajos, efekte herë të dukshme e herë të padukshme sjellin një ngarkesë unike emocionale. Ngjyra është elementi i vetëm kompozues që prek trupat e zhveshur, të cilët duket sikur po tentojnë të shkëputen nga sipërfaqja, ashtu si nëpër ëndrra, ku vëllimet qëndrojnë pezull.

Cikli “Eden” mbart të njëjtat gjurmë, të njëjtën frymë emocionale, me ndryshimin e vetëm se Nazmiu nis të eksperimentojë duke na shfaqur tashmë mikrokozmosin e tij. Mikrotrupa qiellorë të stilizuar në një formë unike shfaqen në telajo. Duket sikur nga aty po nis jeta në një ekspansion të pandalshëm.

Cikli i portreteve në sallën “Tako Artistin” shfaq figura nga historia dhe kultura shqiptare, duke rrëmbyer thelbin e shpirtit të një kombi dhe të popullit të tij. Stili i të pikturuarit të portreteve karakterizohet nga një ndjenjë e fortë realizmi dhe përkushtimi për të kapur shpirtin e subjekteve të tij, fakt ky të cilin mund ta dallojmë lehtësisht në sytë e personazheve: plot emocion, të thellë dhe me karakter. Konture pothuajse të padushme i bëjnë portretet të duket sikur dalin nga telajo e shkrihen në vështrimin e vizitorit.

I papërkufizuar në gjininë e pikturës, gjithmonë në kërkim të mistikes dhe të të qenit i veçantë në shprehinë e tij artistike, Nazmiu bën një kapërcim horizontal në artin e tij, që pas ikjes në Amerikë dhe jetesës atje. Mënyra e jetesës dhe e gjithë dinamika se si funksionon qyteti i Nju-Jorkut ku ai jeton, reflektohet te cikli i pikturave “Blinds”, të cilat përbëjnë një pikëpamje unike për llojin e pikturës së tij, duke përfshirë elemente më moderne (vertikalizimin dhe vezullimin e xhamave të ndërtesave, udhëkryqet e rrugëve dhe dinamikës të zhvillimit urban), duke eksperimentuar me ngjyrën dhe formën, me një zhvendosje drejt abstraksionit, përdorimit më ekspresiv të ngjyrës dhe një qasje më të lirë e më dinamike ndaj kompozimit.

“Central Park”-u i Nju-Jorkut është “parku i madh artistik i peizazhit”, nga ku pasqyrohet ndërthurja e teknikës tradicionale me praktikat bashkëkohore, duke krijuar vepra të reja dhe inovative. Ndryshimi i stinëve në këtë “park të madh ëndrrash” ngjall për Nazmiun ritme të reja kompozuese dhe ngjyruese. Metaforat që mbështjellin pemët në periudha të ndryshme të vitit, këtë herë shfaqen në telajo duke sjellë një frymë më metafizike: atë çka artisti sheh i mrekulluar përtej shtëllungave ngatërruese të degëve të pemëve.

E tërë ekspozita, e shtrirë nëpër të gjitha hapësirat e COD-it, synon të kapsulojë thelbin e veprës së Nazmi Hoxhës, mikrokozmosin e tij, ku pasioni dhe përkushtimi luajnë një rol të rëndësishëm në format se si ai shprehet. Pikturat e Nazmiut nuk janë vetëm përvoja pamore; janë dialogë me shikuesin, që ofrojnë një vështrim në shpirtin e artistit dhe në kujtesën kolektive të një kulture. Trashëgimia e tij i përket bukurisë, emocioneve dhe kërkimit të paepur të së vërtetës artistike.

Nazmi Hoxha lindi në Tropojë të vjetër, më 15 tetor, 1955. Pasi mbaroi shkollën 8-vjeçare në qytetin e Bajram Currit, fitoi konkursin në liceun artistik “Jordan Misja”, Tiranë, dega pikturë. Pas përfundimit të liceut, në vitin 1979 vazhdon “Akademinë e Arteve të Bukura”, Tiranë. Më pas, ai emërohet “Mësues vizatimi” në shkollën 8-vjeçare të Tropojës së vjetër deri në 1984. Në vitin 1985-1987, punon me grupin e punës për ngritjen e muzeut “Bajram Curri”. Nga ky vit, emërohet “Mësues vizatimi” në fshatin Llugaj të rrethit Tropojë deri në vitin 1989. Në vitin 1990-1992 kalon në krijimtari të lirë, vendim ky i marrë nga “Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve”. Në vitin 1993 fillon punë në RTV Tiranë, te “Filmi Artistik” si piktor, pastaj si drejtor i “Filmit Artistik dhe Dokumentar”. Në vitin 2001 punon në kompaninë e sigurimeve “SIGAL” si piktor i reklamave dhe në 2003-shin, në “Qendrën Shqiptare për të Drejtat e Njeriut”. Në vitet 2006-2007 punon në Postën Shqiptare, në “Sektorin e Pullës”. Në vitin 2008 fiton llotarinë Amerikane dhe që atëherë jeton në Amerikë.

Aktiviteti artistik: viti 1981: ekspozita e parë vetjake në qytetin e Bajram Currit; viti 1987: ekspozitë vetjake në Pallatin e Kulturës, Tiranë; viti 1990: promovon ekspozitën në “Lidhjen e Artistëve dhe Shkrimtarëve”, Tiranë; viti 1991: ekspozitë vetjake në Galerinë e Arteve Figurative; viti 1992: ekspozitë vetjake në Muzeun Kombetar, Tiranë; viti 1995: ekspozitë vetjake në Galerinë e Arteve, Tiranë; viti 1996: ekspozitë vetjake në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës, Tiranë; viti 2005-2006: dy ekspozita të tjera në Galerinë e Arteve, Tiranë.

Çmimet e fituara: 1987, çmimi “Piktori më i mirë i vitit”, akorduar nga Këshilli Qendror i Rinisë; 1988, “Çmimi i dytë Kombëtar”, akorduar nga Këshilli Qendror i Rinisë; “Çmimi i tretë kombëtar në peizazh”, me rastin e 40-vjetorit të çlirimit të atdheut; 1989, “Çmimi i tretë në gazetari”, organizuar nga gazeta “Drita”; 2007, titulli “Ambasador i Paqes”, akorduar nga forumi “Imazh Media” si piktori i vitit.

Nazmi Hoxha jeton sot në SHBA dhe ushtron aktivitetin e tij artistik me ekspozita vetjake dhe në grup.

Hapur për publikun:

10 prill – 10 maj 2024

Orari i hapjes për vizitorët:

E hënë – e premte:

09:30 – 14:00/17:30 – 20:30

E shtunë: 17:30 – 20:30

Hyrja nga bulevardi kryesor

Filed Under: Opinion, Reportazh

E veçanta e lobimit të Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane 

April 12, 2024 by s p

Analizë nga Rafael Floqi

Lobimi është një veprim dhe është një nga elementet ndikues efektiv në politikën amerikane. 

Arritjet e DioGuardit dhe Bordit të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane në vitet e para të Lidhjes Qytetare hodhën terrenin për njohjen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 dhe rëndësinë e përfshirjes së Amerikës në rajon. “The Albanian Quest for Freedom and the End of Yugoslavia”: i shkruar nga hon. Joseph J. DioGuardi redaktuar nga Faton Bislimi, dokumenton historinë e përpjekjeve të suksesshme lobuese nga DioGuardi dhe Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane gjatë periudhës së vitit 1985, kur DioGuardi u zgjodh për herë të parë në Kongresin e SHBA-së, në 1993, kur JugosIlavia pushoi së ekzistuari si Federata Socialiste që ishte dikur. Ky libër është një enciklopedi e gjallë e veprimtarisë të Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane në dobi të çështjes shqiptare, është një katalog gjithë arritjeve të saj. 

Legjislacioni amerikan i Kongresit ofron mundësi të shtuara për grupet lobuese për të përdorur ndikimin politik si një mjet për të krijuar legjislacion produktiv, dhe me një rritje të dollarëve të lobit që po shpenzohen, është me kohë të kujtojmë se pse lobimi është i ligjshëm dhe pse lobimi është i rëndësishëm për një produkt produktiv si qeverisja në SHBA.

Po pse është i ligjshëm lobimi? Dhe cila është veçantia e Lobimit të Lidhjes ? 

Lobimi shpesh keqinterpretohet ose kritikohet si ryshfet, gjë që nuk është e vërtetë. Lobimi është një praktikë e kryer qoftë nga individë apo nga organizata ku ndërmerren fushata publike (të cilat janë të regjistruara ligjërisht në qeveri) për t’i bërë presion qeverive për veprime specifike të politikave publike.

“Përballë fatkeqësive, dashuria për kauzën e Kosovës nxiti vendosmërinë e Z Dioguardi për të qëndruar për atë që është e drejtë” dhe e bëri kongresmenin e ri Dioguardi t’i bashkohej çështjes të popullit të origjinës së tij “Dashuria për çështjen e Kosovës i kapërcen kufijtë, duke i bashkuar anëtarët e Ligës në një qëllim të përbashkët për të mbrojtur dhe mbështetur të drejtat e njeriut të shqiptarëve të shtypur në ish-Jugosllavi. 

 Ligjshmëria e lobimit vjen nga Kushtetuta dhe nga demokracia jonë pjesëmarrëse amerikane. Ai mbrohet e drejta për të lobuar shpesh neglizhohet në shumë të drejta të mbrojtura nga Amendamenti 1. Ndonëse asnjëherë nuk përdoret shprehimisht termi “lob”, theksohet në mënyrë specifike e drejta “për t’i bërë peticion Qeverisë për një korrigjim të ankesave”  Kjo përkthehet në kohët moderne, si një e drejtë për të lobuar, një e drejtë e adresuar në Kushtetutën e SHBA.

Sipas shtetit të së drejtës, Ligji për Zbulimin e Lobimit parashikon gjithashtu ligjshmërinë e lobimit politik. Për sa i përket degës legjislative dhe ekzekutive të qeverisë, ky akt përcakton se çfarë përbën një lobist dhe regjistrimin e tij të kërkuar nga qeveria, nga cilat përbëhen veprimet lobiste dhe si duhet të respektojnë lobistët për të shmangur ndëshkimet. Akti i Zbulimit të Lobimit u miratua me 1995 për të siguruar që lobimi të regjistrohet publikisht. Ndërsa pranon rëndësinë e lobimit, akti i lejon publikut të vlerësojë çdo ndikim të padrejtë, që mund të ketë ndikim në vendimmarrjen në qeveri. E themeluar në vitin 1989 nga ish-anëtari i Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Joe Dioguardi, organizata lobiste “Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane” ndihmoi në sensibilizimin e opinionit amerikan për shtypjen e shqiptarëve në Kosovën e viteve -90-të nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviçit. Momentet kryesore të kontributit të saj për çështjen shqiptare janë përmbledhur në një botim të përgatitur nga aktivisti Faton Bislimi. dhe është në qendër të një botimit me titull “Përpjekjet për Lirinë Shqiptare dhe Fundin e JugosIlavisë”. Një momentet me te veçantë qe i ka rënë ne sy si Momenti i parë historik është fakti se në Kongresin e Shteteve të Bashkuara për herë të parë zgjidhet një ligjvënës me prejardhje shqiptare. Zoti Dioguardi, siç e dini, ka prejardhje arbëreshe, pra gjak shqiptari. Në vitin 1986, për herë të parë në Kongresin e Shteteve të Bashkuara ai paraqet rezolutën e parë për të drejtat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi në atë kohë. Ajo që më bën mua përshtypje dhe besoj publikut e të gjithë shqiptarëve, është se këtë kohë vetëm një ligjvënës, zoti Dioguardi e kishte nënshkruar këtë rezolutë dhe në Senat miku i tij, zoti Bob Dole. 

Por vetëm një vit më vonë, në vitin 1987 e njëjta rezolutë merr përkrahjen e 58 ligjvënësve amerikanë, si në Dhomën e Përfaqësuesve ashtu edhe në Senat. Vetëm një vit i është dashur zotit Dioguardi, edhe para fillimit të krijimit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, për ta rritur përkrahjen në rreth 60 ligjvënës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky ishte fillimi më i mirë i mundshëm. Kjo është historia i thelbit do të thosha nga e cila buron mandej Liga në vitin 1990 dhe aktivitetet e tjera. 

Siç ka tash e 30 e ca vite vazhdon të jete në ballë të frontit diplomatik dhe lobist për të mbajtur kauzën kombëtare shqiptare në kuadër të përparësive të Shtëpisë së Bardhë, e veçanërisht të Kongresit të Shteteve të Bashkuara. Ajo kurrë se ka ndarë lobimin në baza partiake. Liga edhe sot e kësaj dite i shërbe kombit, atdheut dhe vazhdon të punojë me udhëheqësit kyç të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara, qofshin ata demokratë, apo republikanë. 

Mos harroni, s’do të ishte e mundur as ndërhyrja në Kosovë e as shpallja e pavarësisë së Kosovës, sepse njëra ndodh në kohën e një presidenti demokrat e tjera në kohën e një presidenti republikan, respektivisht zotit Clinton dhe zotit Bush. 

Një nga veçoritë e Lobimit të Ligës është lobimi dypartiak qe kapërcen dallimet politike dhe nënvizon rëndësinë e përpjekjeve bashkëpunuese në formësimin e politikave efektive dhe nxitjen e ndryshimeve pozitive. “Në një peizazh politik të polarizuar, lobimi dypartiak shërben si një mjet i fuqishëm për të kapërcyer ndarjet, për të nxitur dialogun dhe për të promovuar zgjidhje që përfitojnë të gjithë. Dhe kjo është një arritje e Ligës qe e vazhdon dhe sot. .Me ka tërhequr vëmendjen një video në internet e ish senatorit tani Presidentit Biden aso kohe, kundër Kosovës po me këmbënguljen e Ligës shpejt ai ndërroi mendim dhe ka qene një mbështetës i saj. 

Se dyti aktivitete i lobist i Ligës nuk ka qene i shpërqendruar po i drejtuar ndaj atyre përqafuesve te Kongresit apo Senatit qe kane role drejtuesi ne komisionet e punëve te jashtme të cilat përcaktojnë politikat e drejtimet e kontrollit te administratës, Pasi dhe fondet e lobimit nuk shkojnë për drejtuesit e ligës por për të influencuar fushatat e atyre politikanëve që kanë zë në zgjidhjen e çështjes shqiptare 

Dhe se treti i gjithanshëm dhe konkret, po përmend këtu një rast që mësova se miku im Anton Lajçaj në një moshë mjaft të re në 30 tetor 2003 një student shqiptar dëshmoi ne Senatin amerikan për shkeljen e te drejtave te shqiptareve në Malësi se bashku me prof. Nail Dragan. Gjatë bisedës mësova një fakt anekdotik se Dioguardi pat dërguar në Malin e zi Kongresmenin mikun e tij, me origjine Hebre Tom Lantosh dhe qeveria e Gjukanoviçit e kishte urdhëruar hotelin të mos i jepte atij dhomën e prenotuar dhe madje i kishin prerë dhe ujin në banjo që mos rrinte në Tuz, por të shkonte në Podgoricë. 

Kaq miq të besuar kishte Dioguardi që i kishte angazhuar për çështjen shqiptare.

Megjithëse pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, angazhimi i lobit shqiptaro-amerikan sikur është zbehur. Sot, kur Kosova është e pavarur dhe Shqipëria është një vend demokratik. Kjo është një çështje që na brengos në vazhdimësi, sepse ka qenë ndryshe përkrahja e mërgatës sonë gjatë luftës në Kosovë, ku njerëzit kanë ndarë kafshatën e bukës për të ndihmuar Kosovën dhe shqiptarët, që po përjetonin tmerrin e fundshekullit 20 në mes të Evropës. Ne nuk jemi më në atë gjendje. Tani kemi shtetin e pavarur të Kosovës. 

Fuqia në aspektin e përkrahjes nuk mund të jetë sikur ka qenë në vitet 90 e veçanërisht gjatë luftës në Kosovë. Puna e Ligës nuk ka përfunduar, sepse shteti i Kosovës në formësimin e tij të plotë ende nuk e ka përfunduar. Të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni të Veriut ende janë të cënuara, sikur edhe në Mal të Zi. Mos të flasim për Luginën e Preshevës, e cila do të thosha se është pjesa më e dhimbshme e kauzës tonë kombëtare. Jo më kot Liga po promovon çështjen e Preshevës për të qenë pjesë e marrëveshjes dypalëshe Kosovë- Serbi. Nga na tjetër sot lobimi ndërpartiak për shkak te divergjencave te mëdha politike mes palëve është më i vështirë. 

Kosova dhe Shqipëria kanë shtetet e tyre, kanë buxhetet e tyre, kanë ministritë e jashtme të tyre. Se sa bëjnë këto shtete për kauzën kombëtare është përgjegjësi e atyre që kanë pozita zyrtare dhe por Liga vazhdon ta bëjë punën për interesin kombëtar të shqiptarëve në Ballkan, e veçanërisht, për formësimin e mëtejshëm të Republikës së Kosovës. Madje sot, kur vëmendja e administratës amerikane sot është përqendruar tek kriza në Ukrainë apo Gaza. 

Fokusi ynë duhet të jetë mbajtja në pjesën frontale të politikës së jashtme amerikane, të interesit të Kosovës. Ne këtë mund ta arrijmë vetëm përmes miqve tanë në Kongresin e Shteteve të Bashkuara se është interes i administratës së Shteteve të Bashkuara që të mos lejojë ndryshimin e orientimit të superfuqisë dhe vendit si superfuqi. 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur një rol kryesor në përpjekjet diplomatike për të gjetur një zgjidhje paqësore, për pavarësinë e Kosovës, duke u angazhuar në negociata dhe duke promovuar dialogun ndërmjet palëve për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme”. “Mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë një forcë shtytëse në avancimin e kauzës së pavarësisë së Kosovës, duke demonstruar një përkushtim për respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe promovimin e të drejtave të të gjithë popujve për vetëvendosje”. 

Rëndësinë e këtij njeriu për kombin shqiptar e ka vlerësuar me se miri armiku më i madh i shqiptarëve Milosheviçi, kur tha se ai ndodhej në Hagë për shkak të Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane dhe Joe Dioguardi tregon se nuk ishte në dijeni të kësaj dhe i kërkoi një patrioti shqiptar nga Kroacia që t’ ja dërgonte regjistrimin video të cilin ju e keni parë. 

Siç thotë dhe Joe, siç i ka thënë edhe i ati, qe na përsëriti Gur- gur bëhet kalaja kala-kala bëhet Kosova dhe Shqipëria me një vrull që është një i veçantë për një 80 e ca-vjeçar dhe shoqen e tij Shirley Kloes Dioguardi. Që ashtu siç e ka mbiemrin “Dio ci guardi”, zoti na e ruajt.

Filed Under: Opinion

Çmimi “Lumo Skëndo” për veprën më të mirë në fushat e publicistikës, eseistikës dhe studimtarisë për vitin 2023

April 12, 2024 by s p

Nga Uran Butka, anëtar i jurisë/

Çmimi “Lumo Skëndo” për veprën më të mirë në fushat e publicistikës, eseistikës dhe studimtarisë, është i rëndësishëm sepse mban emrin e Mid’hat Frashërit (Lumo Skëndo), një personalitet madhor i historisë dhe kulturës shqiptare.

Në këtë ceremoni , po kumtoj vetëm për lidhjen e Lumo Skëndos me Librin, meqenëse prilli është muaji i Librit, por edhe se ky çmim sivjet jepet për.një botim të shkëlqyer të studiuesit Ilir Ikonomi “Fan Noli –apostulli”.

Lumo Skëndo, kur ishte 17 vjeç, në Stamboll, ku jetonte në familjen e Sami Frashërit dhe pranë Naimit dhe mes bibliotekave të pasura të tyre, ai themeloi Bibliotekën personale “Lumo Skëndo” 1897, gjë që rrëfente pavarësinë e tij intelektuale. Librat ishin miqtë e tij, dashuria e tij më e madhe, pasuria e tij, jeta e tij.

Në vitin 1898, kur ishte 18 vjeç, Lumo Skëndo u bë shpirti dhe mendja e “Kalendarit Kombiar”, me botues Kristo Luarasin. Në çdo numër të “Kalendarit Kombiar”, kësaj enciklopedie të vërtetë të kulturës shqiptare, gjendet pena dhe mendja e Lumo Skëndos.

Gjithë përpjekja e tij u bë misioni për ringjalljen shpirtërore dhe kombëtare të shqiptarëve nëpërmjet gjuhës shqipe dhe librit, diturisë së librit.

Në këtë periudhë të fundit të Rilindjes, ai hartoi dhe botoi librat e tij për shkollat shqipe “Këndimet për çunat”, metodat për mësimin e gjuhëve te huaja, kujtimet për Abdyl Frashërin, Sami Frashërin, Naim Frashërin si edhe më pas studimet për veprën e Naim Frashërit, ku janë mbështetur studiuesit e mëvonshëm për Naimin, pa e cituar Lumo Skëndon.

“Po e shohim se tani se fuqia e njeriut nuk është vetëm te fuqia e grushtit, si në kohë të shkuara, por te qytetaria,, diturija e librit, puna, mbrothësia” shkruante ai

Kjo veprimtari për gjuhën dhe diturinë e çoi te Kongresi i Manastirit, kryetar i të cilit ai u zgjodh kur ishte 27 vjeçar, ndërmjet mjekrave të shquara, për miratimin e alfabetit plotësisht latin dhe botimet e librave më këtë alfabet.

Më 14 korrik 1908 ai botoi gazetën “Lirija” e cila i solli shërbime të mëdha lëvizjes kombëtare dhe kulturës shqiptare.

Në vitin1909 botoi revistën Kulturore “Diturija”

. Padyshim “Diturija” (e Lumo Skëndos) është sot për sot mjerisht e vetmja gjë për mua, që po e shndrit pakë a shumë qiellin e diturisë së vrazhtë të Shqipërisë”shkruante Gjergj Pekmezi, albanolog.

Vlerësime të çmuara kanë dhenë edhedhe albanologët Holger Pedersen, Norbert Jolkli , Gustav Ëeigand, të abonuar në këtë revistë.

Deviza e Lumo Skëndos ishte, “Lufta për gjuhën dhe diturinë ështe një formë tjetër e luftës për të rrojtur”.

Në vitin 1913 dha dorëheqjen nga qeveria e Ismail Qemalit dhe shkoi mësues filloreje në Elbasan, qendër e kulturës në atë kohe. Jepte mësimin e shqipes dhe të diturisë. Në filim të vitit 1914 ai shpalli një nismë, me rastin e vizitës së Edit Durham në Shqipëri, që qytetarët e Elbasanit të jepnin nga një grosh për t’i blere Mis Durhamit një stilograf të florinjtë, për librat e saj mbi Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Nga një grosh, që të kishte një pjesëmarrje sa më të gjerë (ekziston në arkiv lista e tyre ). U ble stilografi i florinjtë dhe një delegacion me ne krye Lumo Skendon ia dhuroi mbrojtëses se madhe të kombit tonë, kur ajo zbriti në Vlorë, 1914

Në vitin 1914 si shumë patriotë u mërgua nga Shqipëria për shkak të lëvizjes haxhiqamiliste dhe shembjes së shtetit shqiptar. Në Bullgari nis botimin e librave të tij të çmuar “Hi dhe Shpuzë” (proza poetike), “Letra nga një udhetim në Zvicër” (publicistike) dhe “Popullsia e Epirit” (histori). I vazhdoi botimet në Zvicër 1919 me veprat historike në frëngjisht “Shqiptarë e Sllavë”, “Rilindja shqiptare”, “Shqiptarët ne vend të tyre dhe jashtë”, “Pritmi i Shqipërisë”, “Çështja e Epirit”, etj, vepra që ua dërgonte personaliteteve të politikës dhe kulturës botërore, që do të vendosnin për fatin e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris.

Në vitin 1921, kur ishte kryetar i delegacioni Shqiptar në ate Konferencë, ai në bashkëpunim me albanologun Mario Roques, çeli katedrën e gjuhës shqipe në Universitetin e Gjuhëve të huaja dhe jepte mësime per gjuhën dhe literaturën shqiptare.

Në vitin 1924 boton librin me ese “Plagët tona” ku vinte gishtin mbi plagët e shoqërisë dhe rrëfente si shëroheshin ato.

Në vitet 1923-1925 kur ishte ambasador i Shqipërisë në Greqi. Ai mbrojti si askush çështjen çame dhe promovoi kulturën shqiptare dhe librin shqiptar. Në bisedën e Mid’hat Frashërit me kryeministrin grek, Venizelosi pranoi:

“Në Paris qeshë i shtrënguar të mbronj interesat e Greqisë, bëra detyrën time, si edhe ju bëtë tuajën. E shoh që kishit të drejtë. Teza juaj ishte më e vërteta dhe unë përulem para jush”.

Dha dorëheqjen si ambasador i Shqipërisë në Athinë, me motivin “Asgjë të mos japim nga trupi i mëmëdheut” si protestë për faljen e Shën Naumit dhe majës së Kelmendit, u kthye në vendin e tij dhe bëri jetë private, kryesisht me veprimtari kulturore. Çeli në Tiranë librarinë “Lumo Skëndo”, të cilën e ktheu në një vatër të librit dhe kulturës shqiptare, por edhe evropiane. Mjafton të përmendim kujtimet e vetë Lumo Skëndos për këtë librari me titullin “Kujtimet e një librari”

Ndërkohë ku botoi një mori studimesh e artikujsh problemorë dhe shkencorë për të gjitha çështjet shqetësuese të shoqërisë shqiptare të viteve ’30 e ’40, theksojmë biografitë, bibliografitë shqiptare për të gjitha botimet e autorëve shqiptare e të huaj, botimi i veçantë “Udhëtarët e huaj në Shqipëri”, rubrikat kritike “Duke lexuar një libër”, “Tribunë gramatike”, studimet për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, Fjalorin e Marko Boçarit,studimet për autorët e vjetër të letersisë etj, etj.

Ai i kundërvihet errësirës së asaj kohe, duke përhapur dritë, dritën e diturisë e të kulturës. Një nga ngjarjet më befasuese kulturore të kryeqytetit shqiptar ishte hapja nga Mid’hat Frashëri e dy ekspozitave të librit shqiptar. E para, me gjithë botimet e Kristoforidhit; e dyta, me veprat e shkrimtarëve të vjetër të shqipes. “Meshari” i Buzukut (broshurë), veprat e Bogdanit, Bardhit, Budit, Matrangës, Kavaliotit, De Radës, Dorsës, Kamardës, shkrime të vjetra fetare, shkollore, gjuhësore. Gjithashtu, ai çeli në Tiranë edhe një ekspozitë dokumentare e fotografike për Lidhjen e Prizrenit si edhe një ekspozitë me botimet shqiptare e të huaja për Skënderbeun.

Popullariteti i Mid’hat Frashërit rritej gjithnjë e më shumë, ai u shndërrua në një institucion kombëtar kulture.

Ai vazhdoi të punonte me këmbëngulje për themelimin e Bibliotekës Kombëtare, të pasuruar më pas me thesarin e bibliotekës së tij madhore në 40 mijë volume. Në testamentin e tij 1929, ai shprehu vullnetin që bibliotekën e tij dhe çdo pasuri tjetër të tundshme dhe të patundshme i linte për krijimin e një Instituti Albanologjik, që të ishte qendër e studimeve shqiptare edhe nderi e lavdi ynë personal”.

Dëshira a tij u plotësua në vitin 1916, kur me ndihmën humane e financiare të Agron Shehaj ngritëm së bashku Institutin e Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, ku po botoj 12 vëllimit e veprës se zgjedhur të tij, një pasuri kulturore e panjohur dhe e paçmuar e historisë dhe kulturës shqiptare.

Në vëllimin IX veç të tjerash, vijon edhe leterkëmbimi i famshëm i Lumo Skëndos, me figurat e shquara të botës shqiptare, natyrisht edhe me Fan Nolin, si edhe me personalitetet më të shquara politike, shteterore dhe kulturore të Botës. Mes tyre edhe një letërkëmbim me kryministrin Shefqet Vërlaci Tiranë, ku Kryeministri e fton në ditën e 28 nëntorit 1937.

Zoti Kryetar,

Ju ngjatjetonj për telegrafin dhe jam fort mirënjohës për nderin që më bëni.

Mjerisht unë kam një shëndet të dobët, që nuk më permeton të marr pjesë në ceremonira. Veç kësaj edhe Z. juaj e kupëtoni se në përfaqësi të tilla është mirë të zgjidhet një njeri që të mos jetë dyqanxhi.

Midhat Frashëri

Po e mbyll bisedën me letrën e të dashurës së tij rumune, Angele Romano, me të cilën pati plot 25 vjet letërkëmbim të bukur. Ajo e ftonte të bashkëjetonin së bashku në një vend më të qetë e të sigurt. Më 28 Nëntor 1933 ajo i dërgonte një kartolinë: “Po të shkruaj me nxitim, ngase nuk doja të shpëtonte kjo ditë pa të thënë që nuk e harroj, përvjetorin e një dite të lumtur për vendin tënd. 28 nëntorin. Jam krenar për ty dhe për vendin tënd”.

Por Mid’hati mes Shqipërisë dhe Angeles zgjodhi vendin e vet, mes dashurisë dhe detyrës zgjodhi pasionin për kombin e tij.

Ilir Ikonomi është shpallur fituesi i Çmimit “Lumo Skëndo” për vitin 2023.

Libri i tij “Fan Noli – Apostulli” është vlerësuar si vepra më e mirë në lëmin e publicistikës dhe eseistikës.

Filed Under: Opinion

DASHURIA DHE NJERIU ME FLATRA

April 11, 2024 by s p

(Romani i shkrimtarit Visar Zhiti në Rumani)

TRAGJEDIA E THEKSHME QË DËGJIMI NUK E PERCEPTON.

Nga Prof. Dr. Adrian Lesenciuc

Në numrin e fundit të revistës dyjavore kombëtare të kulturës “Tribuna”, e cila botohet në kryeqendrën e Transilvanisë, në Rumani, Cluj Napoca, është botuar një ese e prof. dr. Adrian Lesenciuc për romanin “Perëndia mbrapsht dhe e dashura” e shkrimtarit tonë të mirënjohur Visar Zhiti, botuar në Shtëpinë Botuese A të ALAR-it. Adrian Lesenciuc është poet, prozator, kritik letrar, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, filiali Brashovë dhe ka manifestuar një interes të posaçëm për letërsinë shqipe. Libri është përkthyer mjeshtërisht nga Cătâlina Frâncu dhe është promovuar në Teatrin Kombëtar “Marin Sorescu” dhe i janë kushtuar disa emisione televizive nga Televizioni Kombëtar i Rumanisë TVR.

Një roman me densitet të jashtëzakonshëm poetik, Dashuria dhe njeriu me flatra, (titulli në origjinal: “Perëndia mbrapsht dhe e dashura”, shën. ynë) shkruar nga Visar Zhiti, i kërkon lexuesit pak kohë për t’u mësuar jo aq shumë me kthjelltësinë dhe qashtërsinë e imazheve të marra nga realiteti i papërpunuar dhe të dhëna sipas një rendi kujtese ose imagjinate, por dhe me troçitjen faktike.

Megjithëse një roman i bëmave të kujtuara, thellësisht të brendëzuara dhe të mbarsura nga një model kulturor i përjetimit të dramës, megjithëse një ravijëzim i brendshëm i fakteve në një orë drejtpeshimi midis njësive të mëdha kohore, historia nyjtohet në mënyrë epike dhe propozon një dyfishim të trajektores faktike, me lirikën dekoruese të interierëve të dramave të mëdha.

Në lëçitjen e këtij libri nevojitet një kohë shtesë leximi, në të cilën harmonitë e tragjedisë mund të prodhojnë dridhërimën e mëvonshme dhe kështu të riprodhojnë në mendjen e lëçitësit muzikën e dramës, jehonën e saj.

Shtresëzimi i rrëfimit, përmes vendosjes alternative në rrafshe të ndryshme narrative, më pas, duke projektuar nënshtresën thellësisht lirike si lëndë e tejdukshme dhe e rrjedhshme, e cila lejon përfshirjen e zgjatimeve të reja epike, e bën romanin Dashuria dhe njeriu me flatra një shembull të mjeshtërisë autoriale të poetikës romanore. Sigurisht një tragjedi, në një botë bashkëkohore, e cila, e tërhequr në margjina, duke asgjësuar mitet e mëdha dhe duke e rrëgjuar perceptimin e botës në dinamikën e vetëlëvizjes, pa pika referimi kulturore, epistemike apo fetare, e ka vrarë tragjedinë, e eliminon atë nga menjëhershmëria e shkrimit, romani Visar Zhiti nuk është anakronik. Përkundrazi, në përputhje me një prirje europiane për të ringjallur qendrën e eposit parak, pa lënë pas dore përzierjen e zhanreve specifike për shkrimin e këtyre kohërave – shkrimtari shqiptar është mjeshtër i kësaj zgjidhjeje të shkrimit nën shenjën e synimit të tij, jo i përafrimit me modën – në afërsi të një prirjeje për të ringjallur mitet parake dhe rigrupuar mjetet poetike në kuptimin e rikrijimit të një rrugëtimi të gjerë epik.

Visar Zhiti na ofron një roman aktual, si të nxjerrë nga thellësia e veprës së Eskilit, por sjell në ditët e sotme dhe frymëmarrjen bashkëkohore romanore, në mënyrën aktuale të ekspozimit të interierëve të indinjuar nga historia.

Nëse Eskili kishte propozuar përdorimin e tragjedisë si mjet për të promovuar një model (në frymën e kohës dhe vendit) të të kuptuarit të botës, që përfshinte dashurinë për atdheun ose kultin e virtytit, Zhiti nuk i shmanget linjës eskiliane, por sjell në plan të parë, në vend të tragjedisë së atrisianëve të Agamemnon-it, Hoeforët, Eumenidët dhe Orestias, apo vetë kalaja e Mikenës, tragjedia e disa personazheve të shkëputur nga realiteti i një shekulli shtypjeje dhe një rajon jo larg nga verilindja e Peloponezit.

Në rrëfimin e çiftit Felix Konti – Ema Marku shkruhet tragjedia e një Shqipërie të drobitur nga regjimi komunist. Visar Zhiti na bën të harrojmë se ka pasur dikur, në kohët parahomerike që letërsia bashkëkohore shqiptare (kryesisht Ismail Kadare) shfrytëzon, duke përditësuar hapësira të vjetra dhimbjeje, kalaja mikenase që bashkohet me Trojën dhe e ekspozon Shqipërinë në lakuriqësinë faktike si vendi i tragjedisë, si Atdheu i Absurdit, si Absurdland.

Në një aktakuzë të vonë, personazhi Felix parashtron arsyet e një akuze nga një rast i komunizmit shqiptar që nuk pati shanse në një gjyq në asnjë gjykatë të historisë – i dalë nga vitet e komunizmit venal, personazhi imagjinon se ai mund të shkojë në Tribunalin e Hagës për të hedhur në gjyq gjithë atdheun – duke theksuar atë që në projeksionin mizor të realitetit të atyre kohërave përkthehet në një tragjedi të panevojshme, të cilën perënditë nuk e kishin kërkuar, që fati nuk mund ta shpjegojë dhe që kori i lashtë nuk mund të qetësojë, por përpara të cilit një Europë e shurdhër nuk ka forcë të përkulet:

““…jemi i vetmi vend në botën moderne që ka dënuar jo vetëm njerëzit, por edhe emrat, edhe varret, madje edhe kuajt, pemët, deri dhe fotografitë, thoshte Feliksi, diktatori me gërshërë i priste, në fillim kokët, pastaj fotografitë e atyre kokëve, ose anasjelltas, gërshërët janë ende në Muzeun Kombëtar, me bojë të zezë nxinte nëpër fotografitë historike ata që nuk i donte më, jashtë nga albumet, nga kujtesa kolektive […]” (fq. 286-287).

Në lexim e sipër, faqet e romanit shndërrohen gradualisht në faqet e aktakuzës së Feliksit, të ekspozuar në një Europë të shurdhër ndaj dramave, në një Europë që tashmë ishte zhveshur nga mitet e mëdha, por veçanërisht nga rrëfimet e mëdha themeltare. Feliksi bëhet një personazh absurd në kërkimin e tij donkishotesk për të arritur dy qëllimet e lirimit dhe të gjykimit planetar. Rrugëtimi i tij europian nis në një Itali të lirë, në Bari, ku ai i kundërvihet dhunës ndaj të ikurve shqiptarë në gadishull Italian, duke nëpërmendur dhe dhunën e hasur tek La Ciociara, romanin e njohur të Alberto Moravias. Dramat e historisë shqiptare po shpalosen si ato mikene, më parë: “Lufta e Dytë Botërore s’ka mbaruar ende për ne, andej në bregun tjetër… ju them unë, dezertori i saj…” (f.30). Brenditë e jetës së tij, përpara se të udhëtonte rrugën nga Bari në Vjenë, të shënuara nga ndalesat dhe shpotitë, megjithëse Feliksi është arsyetari i Shqipërisë, janë shënuar nga pika referimi të qarta, mes tyre vdekja e babait, e dërrmuar nën peshë, e sëmundjes që lindi nga shqetësimi, apo pasqyra e familjes së kohëve të hershme, duke refuzuar të ekspozojë fytyrat e të pranishmëve komunistë:

“Natyrisht fytyrat nuk janë tonat, – kishte thënë një djalë xhaxhai i babit, i liruar nga burgu dhe që erdhi për vizitë fshehurazi një mbrëmje. – Si të të duket jotja fytyra, kur atë ta ka marrë… shteti? Dhe e vendos fytyrën tënde ku të dojë, në rresht, në parakalim, në aksione të detyruara, si tullat në mure fabrikash, ose si tabelë qitjeje në kufi ose e nxin. I heq pjesë, buzëqeshjen, i shkul flokë, krihu kështu, urdhëron, jo këta vathë, i nxjerr njërin sy, të dy, veshët, dhëmbët, tortura, ah! Sa të shkon trishtimi, por nuk lejohet… Ti ta duash pasqyrën, a je i bindur se po të rrëfen të vërtetën? Mundohu të kuptosh veten, të ndreqësh çfarë nuk të pëlqen, jo thjesht në fytyrën tënde, por më thellë, në shpirt”, – kishte thënë djali i xhaxhait i babit, që, megjithëse s’ishte i vjetër, pinte duhan me llullë. Pas atij tymi shtëllunga-shtëllunga, jo vetëm fjalët e tij, por edhe buzët, nofullat, sidomos vështrimi i rëndë, merrnin mister.” (f.72).

Në këtë kuadër të tragjedisë së përgjithësuar, të shtetit që shtyp individin, drita e romanit përqendrohet te historia e dashurisë. Fotografi Felix Konti, gjatë viteve të ushtarisë në Shkodër, mbërrin aksidentalisht në sallën e gjyqit dhe, duke qenë i pranishëm në gjyqin e gjimnazistes Ema Marku, me një bukuri, zgjuarsi dhe vendosmëri të paimagjinueshme, arrin ta kapë atë në një foto. Historisë së mungesës së dhimbshme të babait i shtohet, gjysmë shprese, edhe iluzioni i përmbushjes përmes dashurisë për Emën. Ema do t’i përgjigjet atij në përputhje me rrethanat.

Të dy pozicionohen kundër sistemit dhe shtypen. Feliksi është kundër sistemit nga mospërshtatja e thjeshtë në politikën diktatoriale që përkthehet me “shtypjen e mendimit”, por kundërshtari i vërtetë i regjimit është Ema. Ka një fisnikëri në qëndrimin e saj që përcillet nga familja – duke vizituar burgun ku ishte ajo, gjyshja e Emës do t’i thotë kryerojës: ” Dal, tha, vij me e pa, se me kët rast shof dhe Shqypninë. Atë të burgjeve dhe vuajtjeve, se Shqipëritë e tjera qenë shembur.” (fq.192-193) – dhe një vendosmëri për të çrrënjosur burgun e kthyer si një hapësirë ​​kastrimi (shih kortezhin e grave, f.200) dhe abuzimin seksual.

Duke arritur ta kthejë takimin e rastësishëm në një histori dashurie që digjet nga densiteti i tragjedisë greke, Visar Zhiti ekspozon paralelisht me rrugët e kërkimit europian të heroit të tij, kujtimin e kësaj historie të konsumuar nën dërrmimin e një shoqërie që nuk i kishte zhveshur rrobat e së keqes.

Heronjtë e lidhur me zinxhirë reduktohen në një trup të vetëm. Por dashuria e tyre kushtëzohet nga kontekstualizimi: “Do të më doje ti, po të mos ishte diktaturë? – më pyeti Ema një mëngjes herët me zërin mërmëritës, paksa të ngjirur” (f.216), kushtëzohet nga prania e së keqes: “e keqja na bën të kuptojmë më mirë se kush jemi” (f.219). Kontekstualizimi ndodh në një shkallë shumë më të madhe, duke e vendosur historinë në absolutin tragjik, të trashëguar nga Eskili. Vrasja brutale e Emës në post-komunizëm, drama e Feliksit, kërkimi i tij për ta bërë zërin e tij të dëgjohet në një hapësirë ​​të shurdhër ndaj tragjedisë e përforcojnë dramën. Absurditeti i reales turbullohet nga zëri i sistemit: “Ajo që është personale është kolektive dhe ajo kolektive është personale” (f.222), thotë një agjent i Sigurimit. Ka, do të thonë, një risi, të cilën askush nuk mund ta kundërshtojë dhe e reja është trans-sistemike, trans-historike, trans-kulturore. Tragjedia e vërtetë është shurdhim dhe heshtje në dramën njerëzore.

Në atë hapësirë ​​të kalimit përtej, mes shekujsh dhe mijëvjeçarësh, të koloraturës së një kryeqyteti europian, Vjena, ku ndodh tragjedia e vërtetë, lind historia e Visar Zhitit, e cila bëhet në vetvete aktakuza që Feliksi nuk mund ta ekspozojë. Sepse, përfundimisht, personazhi fotograf nuk bën gjë tjetër veçse praktikon atë që në shqip quhet thjesht: “dritëshkronjë” (f.100).

Përkthimi dhe shënimet nga Dr. Luan Topçiu

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 94
  • 95
  • 96
  • 97
  • 98
  • …
  • 858
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT