






Sokol Paja/
Yonkers, New York, 27 Shtator 2025 – Shqiptarët e Amerikës të kryesuar nga Liga Qytetare Shqiptaro – Amerikane në bashkëpunim dhe mbështetje nga organizat e shoqatat shqiptare në Amerikë nderuan në një ceremoni festive ekskluzive kontributin e Joe Dioguardit e Shirley Dioguardit në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Presidenti i Ligës Qytetare Shqiptaro – Amerikane Joseph J. DioGuardi ka punuar intensivisht për çështjen kombëtare shqiptare në Uashington që nga viti 1989, shoqëruar ngushtë nga Shirley Cloyes DioGuardi, këshilltare për çështjet e Ballkanit. Në përkujdesin e veçantë të Agim Aliçkajt, Behlul Gashit, Ismer Mjekut dhe ekipit mbështetës, nderimi për ikonat e kauzës shqiptare erdhi në festën e ditëlindjes së tyre të 75-të e 85-të, mes shqiptarëve, popullit që mbrojtën me çdo kusht interesat dhe lirinë e tyre. Pas këndimit nga Merita Halili të hymneve kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipërisë e Kosovës, u shfaq për të pranishmit dokumentari “Një jetë kushtuar lirisë” në nderim të historisë dhe veprimtarisë së Ligës Qytetare Shqiptaro – Amerikane. Dokumentari kishte në qendër veprimtarinë e Joe e Shirley Dioguardit në institucionet amerikane në shërbim të çështjes shqiptare, ku në qendër ishin përpjekjet për lirinë e Kosovës përballë regjimit gjenocidal të Millosheviçit.
z.Agim Aliçkaj në fjalën e tij veçoi kontributin e ikonave kombëtare Dioguardi në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë e trojet etnike.
Kryeministri i Republikës së Kosovës z.Albin Kurti në fjalën e tij vlerësoi punën, përkushtimin, vizionin, lidershipin dhe përpjekjet e Dioguardëve për të sjellë zërin shqiptar në institucionet amerikane. Ai veçoi kontributin e Joe e Shirley Dioguardit në lobimin e tyre pranë Presidentit Klinton e Bush për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Kurti përkujtoi me nderim të veçantë vëllezërit: Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyqi e Batalionin “Atlantiku”. “Ju do jeni përherë pjesë e historisë dhe të ardhmes sonë” tha kryeministri Kurti teksa i dhuroi Joe Dioguardit një helmetë ilire punuar në filigram dhe librin për Skënderbeun, ndërsa Shirley Dioguardit një punim në filigram të gastronomisë punuar prej mjeshtrëve të Kosovës.
Shirley Dioguardi në fjalën e saj vlerësoi dhe falënderoi punën e bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro – Amerikane në mbështetje të kauzës shqiptare. Joe Dioguardi në fjalën e tij prezantoi librin kushtuar veprimtarisë së shkëlqyer të Ligës Qytetare Shqiptaro- Amerikane në shërbim të çështjes shqiptare. Z.Christopher Hyland në fjalën e tij vlerësoi punën e Dioguardëve në Senatin e Kongresin Amerikan për të çuar përpara çështjen e Kosovës. Z.Edward Cox në fjalën e tij theksoi dedikimin, integritetin e pasionin me të cilin e ka shoqëruar gjithmonë kampionin Dioguardi në arritjet e tij për kauzën e lirisë së Kosovës. Fjalime emocionuese mbajtën në takim z.Vedat Gashi, z.David Tubiolo e Diamant Hysenaj në vlerësim të figurës së çmuar të Joe Dioguardit e Shirley Dioguardit.
Kryetari i Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha i emocionuar në fjalën e tij propozoi që emrat e
Joe and Shirley Dioguardi të ndryshohen në “Kosova” dhe “Shqipëria” në nderim e vlerësim të punës së shkëlqyer për çështjen kombëtare shqiptare, Shqipërinë e Kosovën në veçanti. Dr. Berisha i quajti Dioguardët patriotë të shkëlqyer dhe qënie njerëzore të mrekullueshme që punuan mbi 36 vjet për çështjen kombëtare. Dr. Berisha falënderoi përzemërsisht kryeministrin Albin Kurti që u bë pjesë e nderimit për të festuar ditëlindjen e kontributorëve e miqve të shkëlqyer të kombit shqiptar. Në fund të takimit folën dhe përfaqësues nga Shoqata “Mërgata Shqiptare”, Marko Kepi nga “Rrënjët Shqiptare” dhe “Komuniteti Shqiptar i Teksasit” të cilët vlerësuan dhe çmuan punën atdhetare të Dioguardëve.
Një festë e shkëlqyer nderimi e mirënjohjeje nga shqiptarët e Amerikës për Joe Dioguardin e Shirley Dioguardin, dy emra të ndritur të historisë kombëtare në shërbim të çështjes shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.



