• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Paketa e madhe/ Nga hekurudha Tiranë-Rinas-Durrës, te rehabilitimi i HEC-it të Fierzës, çfarë fiton Shqipëria nga Procesi i Berlinit! Ja marrëveshjet që pritet të firmosen

October 16, 2023 by s p

GAZETA PANORAMA/

Komisioni Evropian, në mbledhjen e nivelit të lartë të Procesit të Berlinit sot në Tiranë, do të prezantojë një paketë të madhe me investime nga buxheti i Bashkimit Evropian.

Paketën në detaje pritet ta paraqesë Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në fillim të muajit nëntor, kur edhe do të publikohet programi vjetor i zgjerimit me raportet e progresit për vendet që u janë hapur bisedimet për anëtarësim, si Serbia, Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, si dhe vendet kandidate për anëtarësim, si Kosova dhe Bosnje-Hercegovina.

Në tërësinë e tij, Procesi i Berlinit ka në thelb ekonominë. Nga marrëveshjet që pritet të firmosen do të përfitojnë të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Kosova, Maqedoni e Veriut dhe Bosnje-Hercegovinë do mund të tërheqin investime në drejtim të projekteve infrastrukturore, energjetike, turizëm dhe bujqësi.

Instrumenti i Investimeve për Ballkanin Perëndimor është një platformë unike dhe e suksesshme bashkëpunimi që i bashkon përfituesit, donatorët dhe huamarrësit për të përmirësuar harmonizimin dhe bashkëpunimin e investimeve për zhvillimin socioekonomik të Ballkanit Perëndimor. Instrumenti është një iniciativë e përbashkët e Komisionit Evropian, Bankës së Zhvillimit të Këshillit të Evropës, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankës Evropiane të Investimeve, donatorëve dypalësh dhe vendeve përfituese në Ballkanin Perëndimor, e nisur në dhjetor 2009, për të siguruar asistencë teknike dhe financiare për investime strategjike ne rajon.

Instrumentit iu bashkuan edhe Banka Gjermane për Zhvillimi dhe Banka Botërore, e më pas edhe Agjencia Franceze e Zhvillimit. Instrumenti i Investimeve për Ballkanin Perëndimor kombinon grante, hua dhe kontribute të përfituesve për investime në infrastrukturë në sektorët e energjisë, mjedisit, sektorin social, transportit dhe digjital, si dhe për zhvillimin e sektorit privat. Projektet që lidhen me Shqipërinë kanë të bëjnë me Hekurudhën TiranëRinas-Durrës.

Qëllimi i projektit është rehabilitimi i 34.5 km hekurudhore midis Tiranës dhe Durrësit, si dhe ndërtimi i 7.4 km rrugë të reja hekurudhore midis Tiranës dhe aeroportit ndërkombëtar Nënë Tereza në Rinas. Ky është një projekt shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, që do të krijojë mundësi ekonomike, duke përfshirë edhe turizmin e qëndrueshëm dhe do të mundësojë lëvizjen “e gjelbër” midis zonave më të mëdha urbane në vend. Një tjetër projekt është By-Pass i Tiranës.

Është projekti i ri i miratuar në Samitin e Sofjes ne vitin 2020. Ky projekt investimi parashikon ndërtimin e një unaze të gjatë 21.5 km përreth kryeqytetit, e cila përfshin katër ndërkalime, një urë dhe nënkalime e mbikalime. Projekti është tashmë i përfunduar në shumicën dërrmuese të tij. By pass-i është njëkohësisht pjesë e dy korridoreve rrugore që përshkojnë vendin: Korridorit Adriatiko-Jonian, që do të lidhë Triesten në Itali me Kallamatën në Greqi dhe Korridorin VIII, që lidh Maqedoninë e Veriut me territorin shqiptar, me dalje në Portin e Durrësit dhe detin Adriatik.

Vlera e projektit është 150.9 milionë euro. Bashkimi Evropian ka dëenë kredi prej 31.9 milionë euro, ndërsa BERZHi ka mundësuar një kredi prej 109.2 milionë euro. Të dyja kreditë dhe granti janë siguruar, në sajë të punës së mirë përgatitore të projektit, nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. 2.5 milionë euro janë grante dhe kontributi i qeverisë shqiptare është 7.3 milionë euro.

By-pass i ri po ndërtohet në rajonin dhe nyjën më të populluar të sistemit rrugor të vendit. Ai ka lidhur rrugë që tashmë janë të ndërtuara, si autostradat TiranëDurrës me Tiranë-Elbasan. Ky by-pass ka reduktuar trafikun, ndotjen dhe aksidentet si dhe ka lehtësuar fluksin e trafikut transit nga anët e tjera të vendit.

Tjetër projekt është rehabilitimi i HEC-it të Fierzës. Projekti për rehabilitimin e Hidrocentralit të Fierzës është i dyti propozim shqiptar i miratuar në Samitin e Sofjes. Projekti ka një vlerë totale investimi prej 42.7 milionë eurosh, nga të cilat 27.2 milionë euro është kredi nga Fondi Gjerman i Zhvillimit KfW, 8.4 milionë euro financim i BE-së dhe 7.1 milionë euro financim nga qeveria shqiptare.

Filed Under: Politike

Sistemi politik i Shteteve të Bashkuara dhe disa tipare karakteristike të tij

October 14, 2023 by s p

Dr. Ernest Nasto

Ekspert i politikës amerikane/

Në Shtetet e Bashkuara ka filluar tashmë, siç dihet, fushata zgjedhore për garën e 5 nëntorit 2024 që do të vendosë fatin e Shtëpisë së Bardhë për 4 vitet e ardhshme. Po ashtu në kërkim të votës së zgjedhësve do të jenë të gjithë anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve si edhe 34 senatorë. Le të shohim me këtë rast disa karakteristika të sistemit politik amerikan duke venë në dukje edhe veçori të tij krahasuar me vende të tjera të zhvilluara perëndimore.

Organizimi politik i SHBA bazohet në Kushtetutën e tyre, në fuqi prej 1789 dhe më e vjetra ndër kushtetutat e sotme, e cila e përcakton formën e regjimit si një republikë federale të tipit presidencial.

Shtetet e Bashkuara janë republikë, sepse kreu i shtetit zgjidhet periodikisht dhe nuk trashëgohet si në sistemet monarkike. Republika dhe monarkia janë dy llojet e vetme të organizimeve politike në kohën tonë, dhe ndër vendet me sisteme republikane mund të përmendim Italinë, Francën, Gjermaninë, Zvicrën, etj, e po ashtu edhe Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit e të Europës Lindore. Ndërkaq një sërë vendesh të tjera janë monarki, që do të thotë se posti i kryetarit të shtetit mbetet kurdoherë brenda së njejtës familje duke u trashëguar brez pas brezi. Shembuj monarkish janë Mbretëria e Bashkuar, Spanja, Holanda, Norvegjia, Suedia, Kanadaja, Australia, Zelanda e Re, etj. Të gjitha këto janë monarki kushtetuese me nivele të larta të zhvillimit të demokracisë.

Republika amerikane është po ashtu federale sepse njësitë e saj përbërëse, shtetet, kanë kompetenca të gjera dhe ligje të veçanta të cilat shpesh janë të ndryshme nga ligjet e administratës qendrore. Shtetet ruajnë kështu një shkallë të lartë sovraniteti, dhe kjo është pak a shumë e vërtetë edhe për vende të tjera me të njejtin organizim federal, qofshin ato republika apo monarki. Ndër vende të tilla mund të rreshtojmë Gjermaninë, Zvicrën, Austrinë, Indinë, Meksikën, Kanadanë, Australinë, Brazilin, ndërsa në Ballkan kemi shembullin e Bosnjë-Hercegovinës. Ndërsa në formën tjetër të organizimit, atë unitare, qeveria qendrore ushtron sovranitet të plotë në të gjitha aspektet, dhe ligjet e saj janë të vlefshme në tërë territorin. Vende me organizim unitar janë republika si Italia, Franca, Irlanda, Portugalia apo Shqipëria, si edhe monarki si Holanda, Suedia, Norvegjia, etj.

Shtetet e Bashkuara janë më në fund një republikë e tipit presidencial, pra ku kreu i shtetit kryeson njëkohësisht edhe qeverinë, e për këtë arsye s’egziston posti i kryeministrit. Republika presidenciale janë pothuaj të gjitha vendet e Amerikës Latine, Turqia, Filipinet, Indonezia, etj, dhe në to presidenti zgjidhet drejtpërsëdrejti nga votuesit. Ndërkaq një numer republikash të tjera janë të tipit parlamentar, d.m.th. të tilla ku posti i kreut të shtetit ështe i ndarë nga ai i kreut të qeverisë (kryeministrit). Shembuj republikash parlamentare janë Italia, Gjermania dhe shumica e republikave europiane, padyshim edhe Shqipëria, dhe në to kreu i shtetit zgjidhet jo nga votuesit por nga organi ligjvënës, parlamenti.

Të tri degët e pushtetit në shtetet e sotme moderne konsiderohen ato legjislative (ligjvënëse), egzekutive (ligjzbatuese) dhe gjyqësore. Karakteristikë e demokracive të zhvilluara të tipit perëndimor, ku sigurisht bëjnë pjesë edhe Shtetet e Bashkuara, është ndarja e tyre në kuptimin që asnjera s’mund të ketë mbizotërim absolut të të dy të tjerave dhe kontrolli i ndërsjelltë që ato i bëjnë njera-tjetrës (checks and balances). Kjo ndarje ishte një tipar që etërit themelues të Amerikës e theksuan në mënyrë të veçantë, duke pasur parasysh pervojën e hidhur të vendeve europiane të asaj kohe e duke synuar të shmangnin përçarjet që në Botën e Vjetër kishin pasur pasoja gjakderdhjesh masive e të vazhdueshme. Më vonë edhe kushtetutat e epokës moderne anembanë botës u frymëzuan gjerësisht nga parimet e asaj amerikane.

Kongresi i Shteteve të Bashkuara është organi ligjvënës dhe përbëhet nga 2 dhoma: e ulta, ose Dhoma e Përfaqësuesve, me 435 anëtarë të zgjedhur nga çdo shtet sipas numrit të popullsisë, dhe e larta, ose Senati, me 100 anetarë, nga 2 për secilin shtet. Përfaqësuesit zgjidhen për një mandat 2 vjeçar ndërsa senatorët për 6 vjet. Për këtë arsye në nëntor të çdo viti çift janë në garë të gjithë përfaqësuesit dhe 1/3 e senatorëve, dhe numri i mandateve është i pakufizuar me ligj. Sa për kompetencat e secilës dhomë mund të themi se ajo e Përfaqësuesve ka për detyrë të hartojë e të miratojë ligjet, ndërsa Senati mundet t’i ndryshojë apo t’i refuzojë ato. Vetëm pas miratimit nga të dy dhomat, ligji përkatës shkon tek Presidenti për t’u nënshkruar e për të hyrë në fuqi.

Presidenti dhe kabineti i tij përbëjnë pushtetin ligjzbatues, ose egzekutiv, me detyrë zbatimin e ligjeve të miratuara nga Kongresi. Presidenti zgjidhet një herë në 4 vjet nëpërmjet një mekanizmi me 2 faza: të martën e parë të nëntorit mbahet votimi popullor dhe pastaj, më 14 dhjetor, një organ i posaçëm, Kolegji Elektoral, zgjedh presidentin.

Dega e tretë e pushtetit, ajo gjyqësore, përbëhet nga gjykatat e të gjitha shkallëve, ato lokale, të apelit e gjykatat e larta të secilit shtet. Instanca e fundme është Gjykata e Lartë (Supreme Court) e Shteteve të Bashkuara, e cila ka për detyrë të përcaktojë nëse ligjet janë në përputhje me Kushtetutën.

Kolegji Elektoral që përmendëm është një nga aspektet e sistemit politik amerikan që dallohen nga ato të demokracive të tjera. Ai është një organ i posaçëm prej 538 anëtarësh, me detyrë të vetme zgjedhjen e presidentit. Kjo metodë votimi indirekte është e vetmja e tillë në tërë botën perëndimore. Kjo do të thotë se vota popullore s’përcakton drejtpërsëdrejti fituesin e garës presidenciale por vetëm përbërjen e Kolegjit Elektoral. Kjo bën që në disa raste fituesi i votës popullore të mos arrijë të sigurojë shumicën në Kolegjin Elektoral, pra të mos zgjidhet president i vendit. Kjo ka ndodhur 6 herë deri më sot në historinë amerikane: në zgjedhjet e viteve 1800, 1824, 1876, 1888, 2000 dhe 2016.

Një aspekt tjetër për t’u shënuar janë edhe partitë politike, dhe veçoria qendron në atë që ato s’përmenden askund në Kushtetutën amerikane. Megjithatë partitë kanë mbizotëruar jetën e vendit qysh prej viteve 1790. Në secilën epokë kryesore kanë qenë 2 parti të mëdha, dhe prej vitit 1860 ajo Demokratike dhe ajo Republikane. Duhet theksuar këtu fakti që edhe pse emrat e tyre kanë mbetur të njejtë, ideologjitë e partive kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në ndryshim të vazhdueshëm. Prej mesit të shekullit të kaluar mund të thuhet se partia Demokratike ka përfaqësuar pozicione e politika të qendrës së majtë, ndërsa ajo Republikane të qendrës së djathtë.

Partitë amerikane kanë një organizim të lirshëm dhe pa organe drejtuese që të përcaktojnë “vijën e partisë”. Kështu përfaqësuesit e tyre në Kongres munden të votojnë në favor të ligjeve të propozuara nga partia kundërshtare, pra të “devijojnë”, pa u druajtur nga ndonjë pasojë ndëshkimore prej partisë së tyre. Të dy partitë kanë komitete kombëtare të cilat merren kryesisht me mbledhje fondesh e me funksionet adminstrative, por drejtues praktikë konsiderohen kurdoherë zyrtarët e zgjedhur, pra sipas rastit, presidenti, apo kryetarët e grupeve në Senat e në Dhomën e Përfaqësuesve.

E më në fund veçori e sistemit amerikan janë edhe zgjedhjet primare, që kanë një traditë shumë më të gjatë e më të zhvilluar se në Europë. Ato janë në thelb një garë brenda secilës parti për të përcaktuar kandidatin e saj zyrtar që do të përballet me kandidatin e partisë kundërshtare. Garat primare zhvillohen si për postin e presidentit, ashtu edhe për ato të senatorëve, të përfaqësuesve të çdo distrikti elektoral, të governatorëve të shteteve etj.

Kuptohet që të gjitha këto tipare që përshkruam janë përsosur vazhdimisht duke krijuar mundësinë që demokracia amerikane dhe ligji i saj themelor Kushtetuta, të mund të mbijetojnë edhe në kohë kërcënimesh e krizash, dhe me jetëgjatësinë dhe qendrueshmërinë të jenë shembuj edhe për vende të tjera të mëdha apo të vogla.

======

*Autori është n/kryetar i degës së Federatës Vatra për Chicagon

Filed Under: Politike

NJOFTIM NGA VATRA: NUK KA TAKIM TE SHTUNEN – VATRA ANNOUNCEMENT OF NO MEETING ON SATURDAY

October 12, 2023 by s p

PAN-ALBANIAN FEDERATION OF AMERICA “VATRA” 

2437 Southern Blvd, Bronx, NY, 10458 

USA 

Dear Members of Council, Vatra Leadership and members, 

As some of you may know, on October 11, 2023, the former branch of VATRA, the “Manhattan Branch” had sent an invitation for a meeting at our central office, to  Vatra’s President Elmi Berisha; Chief of Staff, Pashko Camaj; Secretary, Nazo Veliu and  Honorary President, Agim Rexha. This request has also appeared on social media long  before it was presented to the VATRA’s Leadership, which is a direct contradiction of  VATRA’s bylaws. 

In response to their illegitimate request, we wish to provide the following clarification: 

1- The “Manhattan Branch” is the only branch that has not signed the agreement with the  President and VATRA’s Leadership as requested by our bylaws. 

2- The “Manhattan Branch” has not paid the obligatory fees for the last two years, as  requested by our bylaws. 

3- The “Manhattan Branch” has continuously violated the VATRA codes and its laws.

4- The “Manhattan Branch” was asked to hold a meeting, to reconfirm the membership  and elect the new Chairman, because Agustin Mirakaj was expelled from VATRA and  under the legal actions for false and defamatory accusations.  

5. The “Manhattan Branch” has ignored all the pleads by VATRA’s Leadership to stop  the accusations and conform with VATRA’s codes. Instead, its chairman has engaged in  a demeaning propaganda and has issued continuous threats of even “taking VATRA by  force,” a clear and brazen violation of VATRA codes of 1926 (article 9) and the revised 2023 Code, in violations of articles 3, 42, 37, 49, 85, 88. 

Their allegations that VATRA’s Leadership is in violation of articles 27 and 30  of the Code, have no legal basis and are ridiculous. 

We ask the members of VATRA not to fall prey to this short-sighted  propaganda, which is in flagrant contradiction with the Codes of VATRA and laws of the  United States. 

In addition, please note that any member of our bellowed VATRA who violates  the Code by joining the illegitimate request for the meeting, will be in violation of  VATRA’s Codes and bylaws, and will be held responsible for such actions. 

We thank you for your understanding and consideration. 

Respectfully, 

VATRA LEADERSHIP 

12 October -2023, New York

Filed Under: Politike

Lindja e Mesme, jo peng i Hamasit

October 11, 2023 by s p

Nga Akri Çipa/

Sulmi terrorist i Hamasit ndaj Izraelit në 7 tetor tronditi opinionin publik ndërkombëtar për hir të shkallës së shkatërrimit dhe makabritetit.

Por, ndryshe nga si mund të kishte ndodhur një dekadë më parë, ky agresion vjen në një Lindje të Mesme tashmë të tjetërsuar. Bota arabe nuk ka më armiqësinë e dikurshme kundrejt shtetit hebre. Në fakt, qëndrimet e shteteve arabe varionin nga ato të moderuarat, si në rastin e Arabisë Saudite, deri tek deklarata si të Emirateve të Bashkuara dhe Bahreinit që dënuan në mënyrë të drejtpërdrejtë veprime të Hamasit.

Në këtë kontekst të ri rajonal, ku dinamikat kanë ndryshuar katërcipërisht që nga Marrëveshjet Abrahamike, të cilat normalizuan marrëdhëniet ndërmjet Izraelit dhe disa shteteve arabe, Shtetet e Bashkuara reaguan, jo vetëm për të ofruar mbështetje për Izraelin, por edhe për të mbajtur gjallë përafrimin mes Izraelit dhe botës arabe. Mbi të gjitha, për shkak se mund të argumentohet se pjesë e synimeve të Hamasit ka qënë pikërisht frenimi i kësaj klime të re, të cilën Uashingtoni po përpiqej ta kurorëzonte me një marrëveshje ndërmjet Izraelit dhe Arabisë Saudite, një nga vendet lider të botës arabe.

Prandaj, në këtë situatë, vlen të analizohet dhe përgëzohet qasja që kanë pasur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe përpjekja e drejtpërdrejtë e të gjithë aktorëve konstruktivë për të izoluar konfliktin dhe për të shmangur çdo lloj përshkallëzimi të mëtejshëm.

Në rradhë të parë, deklaratat e të gjithë përfaqësuesve të administratës amerikane kanë qënë të drejtpërdrejta në mbështetje të Izraelit, duke ofruar garanci qoftë nga pikëpamja politike dhe diplomatike, qoftë nga plotësimi i nevojave që mund të ketë shteti hebre në raport të armatimeve dhe të asistencës ushtarake.

Shqetësimi kryesor, si nga pikëpamja izraelite, edhe nga ajo amerikane, është zgjerimi i konfliktit nëpërmjet aktorëve të tretë. Nisur nga ky fakt, që në deklaratën e tij të parë në lidhje me krizën në Izrael, por, mbi të gjitha, në adresën publike në datën 10 tetor, Presidenti amerikan Joe Biden u përpoq të dekurajojë çdo iniciativë të tillë, duke paralajmëruar se do të kishte pasoja të forta për cilindo që do të përpiqej të përfshihej.

Të dyshuarit kryesorë në këtë plan janë organizata të tilla si Hezbollahu dhe Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës, të cilat kanë aktivitet dhe peshë të madhe politike në Liban. Drojë nga ana tjetër ka dhe në lidhje me Sirinë, si për qëndrimin e qeverisë së drejtuar nga Bashar Al-Asad, ashtu edhe të grupeve militante të lidhura me Iranin që veprojnë lirisht në territorin sirian.

Gjithaq e rëndësishme është përpjekja për të shmangur përfshirjen e Autoritetit Palestinez, që kontrollon Bregun Perëndimor. Duke e izoluar konfliktin vetëm me Hamasin dhe Xhihadin Islamik (organizatën tjetër që vepron në Gaza), shmanget përgjithësimi i një konflikti të gjerë ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve, por shfaqet përballja aktuale ashtu sikurse është: ndërmjet shtetit të Izraelit dhe organizatave terroriste, të njohura si të tilla nga komuniteti ndërkombëtar.

Përveç deklaratave të qarta të Presidentit Biden për të dekurajuar aktorë të tjerë destabilizues, ka pasur dhe një punë të madhe diplomatike nga ana e Sekretarit të Shtetit. Ky i fundit, ka komunikuar në mënyrë të pandërprerë që nga dita e shtunë me aleatët dhe partnerët amerikanë në rajon. Pjesë të këtyre diskutimeve, sikurse ka deklaruar publikisht Sekretari Antony Blinken dhe zëdhënësi i tij, ishte theksimi i mbështetjes pa ekuivok, të Shteteve të Bashkuara për Izraelin.

Këto kanale komunikimi më të gjithë aktorët rajonalë janë tejet të rëndësishme për të garantuar koordinim, por edhe për të pasqyruar qëndrimet dhe shqetësimet, mbi të gjitha, duke marrë parasysh që një pjesë prej këtyre vendeve, si fjala vjen Egjipti dhe Jordania, kanë presione të ndryshme të brendshme dhe të jashtme.

Përtej reagimit diplomatik dhe qëndrimit politik, elementi i dytë i mbështetjes amerikane për Izraelin ka ardhur në formën e garancive në fushën ushtarake. Shtetet e Bashkuara mbeten kontribuesi kryesor në sigurinë e shtetit të Izraelit, ku vlen të rikujtohet angazhimi 10-vjeçar për asistencën e sigurisë të shenjuar nga Memorandumi i Mirëkuptimit SHBA-Izrael. Arritur në vitin 2016 gjatë Administratës Obama, Memorandumi i garanton Izraelit një mbështetje me 3.8 miliardë dollar në vit. Në situatën aktuale, është i qartë vullneti i Administratës Biden për të shkuar edhe më tej saj, duke shpërndarë asistencë shtesë sipas nevojës.

Ky vullnet shikohet qartësisht edhe në Kongresin amerikan, ku liderë të rëndësishëm e kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të shqyrtuar sa më shpejt mundësinë për të përcaktuar asistencë shtesë për Izraelin në kuadër të krizës aktuale.

Krahas gatishmërisë për asistencë, nga pikëpamja e sinjalizimit nuk mund të mos përmendet dhe vendimi i Departamentit të Drejtësisë për të vendosur në Mesdheun Lindor USS Gerald R. Ford, aeroplanmbajtësen më të re dhe më të madhe të flotës amerikane. Prania në rajon është një tjetër masë parandaluese drejtuar aktorëve destabilizues potencialë në këtë situate, veçanërisht Iranit dhe rrjetit të organizatave të lidhura me të.

E gjithë politika e ndjekur nga administrata amerikane që nga terrori i filluar nga Hamasi ditën e shtunë ndjek në njëfarë forme manualin e përdorur në maj 2021, kur ishte dhe përballja e fundit në shkallë të madhe ndërmjet Hamasit dhe Izraelit. Edhe në atë rast, aktivizmi amerikan para dy vitesh, përtej mbështetjes së plotë publike për Izraelin, u fokusua tek angazhimi i forcave konstruktive rajonale dhe koordinimi me partnerë si Egjipti dhe Katari për të krijuar kushtet e një armëpushimi, që në fakt erdhi pas 11 ditësh luftime.

Por, ajo çfarë ndryshon në këtë rast është shkalla e barbarisë e sulmit të Hamasit dhe pamundësia logjike për ta përmbyllur konfliktin përsëri me një armëpushim të thjeshtë, pa adresuar në sensin më të gjerë kërcënimin e vazhdueshëm terrorist që qëndron mbi krye.

Ndërkohë që Izraeli vazhdon fushatën kundërpërgjigjëse ndaj Hamasit do të nevojitet pashmangshmërisht një lidership i vazhdueshëm amerikan në rajon për të larguar hijet e një zgjerimi më të madh të konfliktit, por edhe për të krijuar konditat për një modus vivendi të ri pas neutralizimit të Hamasit. Për shkak se, pavarësisht se dramën e fillojnë terroristët, tragjeditë, vuajtjet dhe pasojat i përjeton gjithmonë popullsia e pafajshme civile, në këtë rast, si ajo izraelite edhe ajo palestineze.

Filed Under: Politike Tagged With: Akri Çipa

Presidentja Osmani dekoroi post mortem me Medaljen Presidenciale të Meritave, Milan Shuflajn, Vinçenc Gjinin dhe Shime Deshpalin

October 11, 2023 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani gjatë vizitës zyrtare në Kroaci, i ka ndarë post mortem, Medaljet Presidenciale të Meritave albanologut e historianit kroat, Milan Shuflaj, Vinçenc Gjinit,  kompozitor, pedagog dhe figurë e shquar e muzikës shqiptare dhe Shime Deshpalit, muzikolog dhe shkrimtar shqiptar i Arbneshit të Zarës.

Sipas Presidentes Osmani, Milan Shuflaj, është meritor për ndriçimin dhe trajtimin e problemeve të ndryshme në fushën e historisë mesjetare shqiptare, por edhe në fushën kërkimore të albanologjisë.

Ndërkaq Vinçenc Gjini, sipas Presidentes kultivoi traditën tonë të muzikës, sikundër që u mor me studime nga fusha e artit muzikor, duke lënë gjurmë me angazhimin në disa institucione kulturore të Kosovës.

Edhe të dekoruarin e tretë, Shime Deshpalin, muzikologun dhe shkrimtarin shqiptar të Arbneshit të Zarës, Presidentja Osmani e vlerësoi për gjithë veprimtarinë e tij jetësore kushtuar muzikës, ruajtjes së traditës shqiptare dhe kultivimit të saj.

“Nëpërmjet pasionit të tyre dhe punës së palodhshme, ata kanë hedhur dritë mbi aspektet unike dhe shpesh të nënvlerësuara të identitetit shqiptar. Puna e tyre shërben si një urë lidhëse që lidh brezat e kaluar, të tashmen dhe të ardhshme, duke siguruar që thesaret e trashëgimisë shqiptare të mos humbasin”, ka theksuar ndër të tjera Presidentja Osmani.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 115
  • 116
  • 117
  • 118
  • 119
  • …
  • 653
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT