• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FEDERATA PAN-SHQIPTARE E AMERIKËS “VATRA” DHE FUSHATA PËR SHPËTIMIN E SHQIPËRISË

December 29, 2023 by s p

Dr. Paulin Marku/

Federata Pan-shqiptare e Amerikës “Vatra” u themelua në vitin 1912 falë bashkëpunimit të disa intelektualëve shqiptarë për  bashkimin e disa shoqërive shqiptare nën ombrellën e një Federate Pan-Shqiptare të Amerikës. Që nga themelimi i saj, e në vazhdim zgjeroi veprimtarinë atdhetare në mbështetje të çështjes kombëtare shqiptare. Federata “Vatra” ishte e interesuar dhe i ndoqi me interes të madh Konferencën e Londrës dhe të Parisit si dhe nuk rreshti për të dhënë kontributin e saj dhe për të ndriçuar shqiptarët dhe të huajt që të përkrahej kauza shqiptare. Në konferencën e Londrës (1913) dërgoi në Evropë përfaqësues të vetin që të merrte kontakte me diplomate, politikan dhe me shtypin e kohës. Situata politike në Shqipëri ndiqej vazhdimisht me interes nga vatranët dhe me përpjekje të vazhdueshme për të bashkëpunuar për atdheun.

Nisma e vitit 1917 për mbledhjen e fondeve në mërgatën e Amerikës ishte një gur themeli në vendosmëri të plotë të harmonizimit të veprimtarive patriotike. Kol Tromara ishte kryetar i Vatrës. Ai i drejtohen të gjitha shoqërive shqiptare në Amerikë një thirrje për të kontribuar në fondin për shpëtimin e Shqipërisë. Letra mban datën 21 maj 1917, Boston “Letër qarkore për të gjithë Degët e Federatës dhe për të gjithë shoqëritë shqiptare fshatare, fetare e patriotike”, nga ku i drejtohej shqiptareve dhe informonte se vendimi i komisionit u mbyll me sukses dhe u arrit në përfundim që e diela, më 3 qershor 1917, të emërohet Dita e Shpëtimit të Shqipërisë dhe ftonte të gjithë shqiptaret të ndihmojnë me krejt forcën e tyre që të mblidhen një shumë prej 40.000 dollarësh, që do të përdoren për shpëtimin e atdheut. Dokumenti i kryetarit Kol Tromara shpjegonte mënyrën si do të administrohen të hollat e mbledhura nga iniciativa e Vatres. Ai pohonte se në kuvend do të diskutohen të gjitha çështjet që janë të lidhura me gjendjen në atdhe dhe mënyra si do të investohen të hollat e mbledhura. Qëllimi kryesorë ishte “për të mbrojtur të drejtat tona, për të fituar një Shqipëri të lirë dhe të madhe, për të organizuar atdhenë tonë pas çlirimin”.  

Mbledhja e 20 maj 1917 u hap pas dreke dhe u lexuan raportet e mbërritura në adresë të Vatrës. E para që u lexua para të pranishmëve ishte raporti i Mehmet Bej Konicës. Pastaj vijoi leximi i letrës së dr. Mihal Turtulli dhe dhurata e tij monetare, si nisje e një arke për të përmbajtur një komitet sipas propozimit të delegatëve. 

Komisioni mirëpriti raportet e dërguara dhe shprehu falënderim për dhuratën monetare. U hapen bisedimet për detyrën që kanë shqiptarët e Amerikës përpara atdheut në një kohë mjaft kritike që gjendej Shqipëria.

Vendimi i mbledhjes ishte sa më poshtë vijon, Botuar në Kalendarin e Vatrës të motit 1918, Federata Pan-Shqiptare “Vatra” e Amerikës. E editoi Për. At Fan S. Noli, Boston, Mas: Shtypur në shtypshkronjën e gazetës  “Dielli”, 1918, f. 62.

  1. Të caktohet e diela, 3 qershor, si dita e shpëtimit të Shqipërisë, për të mbledhur shumën prej 40.000 dollarësh të këshilluar prej dr. Mihal Turtullit.
  2. Të ftohen të gjitha Degët e Federatës me anëtarët e tyre, të gjitha shoqëritë shqiptare të veçanta, të gjitha shoqëritë fetare kombëtare dhe gjithë shqiptarët, të organizojnë mbledhje këtë ditë dhe të japin ndihmë e tyre sa më të madhe për shpëtimin e atdheut.
  3. Të ftohen të gjitha gazetat dhe rivistat shqipe të bashkëpunojnë për të mbaruar këtë vepër e cila do t’i nderojnë në syt’ e botës dhe në syt e Shqipërisë atdhetarët e Amerikës dhe do t’u japë një vend në historinë e Përlindjes kombëtare.
  4. T’u lutemi atdhetarëve tanë të ndihmojnë me 10$ e sipër, në duam që të mblidhet shuma e këshilluar prej dr. Turtullit, dhe të bëhet një punë me të vërtetë serioze me rëndësi.
  5. Pikat kryesore të programit me të cilin do të organizohet dhe do të veprojnë Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë janë këto:
  6. Hëpërhë, delegati ynë Mehmed Bej Konica, me bashkëpunim e dr. Turtullit, të marrin masa për të organizuar këtë komitet në bashkëpunim me shqiptarët e Amerikës.
  7. Si shokë të delegatit tonë, të propozohen për votim në kuvend disa atdhetarë të provuar dhe të zotë.
  8. Puna e komitetit do të  jetë të sigurojnë një Shqipëri me kufirit e saj etnografikë në Konferencën e Paqes dhe, pas paqes, të organizojnë një parti kombëtare për të mbrojtur atdhenë nga antikombëtarët dhe reaksionarët e brendshëm.
  9. Hollësitë e organizimit si dhe pjesëtarët e komitetit të shtrohen dhe të vendosen në kuvendin e afërm.
  10. U vendos që këto rezoluta t’i telegrafohen delegatit tonë me anën e z.  Aubrey Herbert.
  11. U lutemi të gjithë atdhetarëve të vënë tërë forcën e tyre që të dalim faqebardhë.

Kryetari, Kol Tromara                             Kontrollorët: Emin Bilibashi,

 Sekretari, Loni Kristo                           Xhevat  Haxhi, Aqif Përmeti, Fan S. Noli

Një artikull i Bahri Omarit shkruan për ditën e 3 qershorit 1917 e cila hyri në historinë si dita e shpëtimit të Shqipërisë, shkruante më 23 maj 1917 sa më poshtë: “Shqiptarët e Amerikës janë shpresat e Shqipërisë e cila, në lëngim dhe me vuajtje, pret një ndihmë, një ilaç të fortë nga djemtë e saj që të fitojnë shëndetin e duhur. S’ka njeri të ketë guximin t’ua mohojnë theroritë shqiptarëve të Amerikës. Po koha është e kritikueshme dhe, përveç ndihmave që kemi bërë, është nevoja për një ndihmë si ajo që na propozojnë të mëdhenjtë tanë dhe na e parashtron Komisioni i “Vatrës”. Ndihma që do të bëjmë këtë radhë është e lidhur drejt për drejt me shpëtimin e Shqipërisë dhe prandaj komisioni vendosi t’a quajnë të dielën 3 qershor që u caktua për këtë qëllim “Dita e shpëtimit të Shqipërisë”.

Nuk do të ketë shqiptar, besojmë, që të mos ketë rrotulluar në përfytyruar e tij ëndrra të bukura të ëmbla atdhesore, se si të ishte i pasur dhe t’i jepte më të shumën e pasurisë së tij për shpëtimin dhe lulëzimin e Shqipërisë. 

Çdo atdhetar e ka përfytyruar doemos ëndrrën e tij, të cilën ndofta e quante të parealizuar nga pikëpamja personale. Po nga pikëpamja shoqërore nuk është kurrë një gjë e parealizuar; një tok që nuk mund t’a bëjnë një dorë, e mbarojnë me njëherë duar të shumta. Detyra dhe nderi që na ka varur më qafë Shqipëria neve të Amerikës, është se përbëjmë një shumicë të madhe, ku mund t’a përballim çdo therori.

Shqiptarë! 

Ne duam në këto çaste kritike të lozim rolin e madh historik që kemi për barë, le t’a bëjmë, si e bënë patriotët francezë, duke zbrazur qeset tona për hir të atdheut; le të japim edhe neve si kundër dhanë francezët unazat dhe sahatet e vyera. 

Neve as na prish as na ndreq, ose një javë ose dy, qoftë edhe një muaj rogë; po Shqipëria me të përmbledhurit e atyre ndihmave nga çdo atdhetar, do të shohë një fitim të madh, do t’i bëjnë ballë çdo rreziku. Nga financa varet çdo gjë.

Të përpiqemi me gjithë fuqi të mbledhim fishekë për t’u bërë ballë armiqve të kombit si të jashtmëve ashtu edhe të brendshmëve.

Të japim shqiptarë! Të japim që të marrim Shqipërinë!(Kalendari i Vatrës i motit 1918. E botoi Federata Pan-Shqiptare “Vatra” e Amerikës. E editoi i Për. At Fan S. Noli, Boston, Mas: Shtypur në shtypshkronjën e gazetës  “Dielli”, 1918, f.65-66.) Bahri Omari.

Fushata e mbledhjes së fondeve ishte për lobimin e mbrojtjes së kauzës shqiptare. Por sipas materialeve të kohës rezulton se thirrje e kuvendit të 3 qershorit 1917 ishte deleguar në të gjithë Amerikën kudo kishte komunitet shqiptar. Kuvendi i Federatës “Vatra” e shpallte këtë thirrje të gjithë Degëve, kolonive, shoqërive kombëtare, fetare dhe fshatare dhe gjithë shqiptarëve. Citoj dokumentin e botuar nga “Vatra” në gazetën “Dielli”, 1918 ““Shqipëria është rrethuar prej armiqsh që duan t’a copëtojnë. Shpëtimin e saj e pret vetëm nga bijtë’ e saj fisnikë të Amerikës. Asnjë i huaj s’mund të na i japë lirinë dhe independencën, të cilat duhet t’i fitojmë me duart tonë, me djersën tonë, me gjakun tonë dhe me delegatët tanë të zgjedhur lirisht me zërin e popullit. Ndihi pra të gjithë me sa mundni e me sa nuk mundni. 

Mos dëgjoni fjalët e gabuara të njërit a të tjetrit, po dëgjoni zërin e delegatëve tuaj të besuar që dërguat në Kuvendin e Federatës suaj të madhe. 

I pamë punët e delegatit tonë Mehmed Bej Konica; i gjetëm të mira me një zë dhe prapë me një zë vendosmë t’i japim dy shokë të tjerë, dr. Turtulli dhe Nikoll Kasneci. Jemi të bindur që këta delegatë do  të bëjnë detyrën e tyre po t’u japim armë të mira edhe sa t’u duhen.

Ndihmoni pra pa kursyer që të shpëtojmë Shqipërinë nga mjerimet dhe t’a trashëgojmë për veten tonë dhe për bijtë tanë, dhen’ e lavdëruar të Skënderbeut. Jepni qesen dhe shpirtin për Shqipërinë’ e lirë dhe të madhe, o burrani!

Chairman-i, Hasan Bitincka.

Sekretari, Ndreko Stavro

Komisioni: Kol Tromara, Loni Kristo, Fan S. Noli, Xhevat Harxhi, Aqif Përmeti, Emin Bilibashi.

Delegatët: Bahri Omari, Kostaq Leçishti, Mina Grameno, Spiro K. Lubonja, Josif Pani, Iljas J. Përmeti, Stire Luka, Shefki Aliko, Mustafa S. Leshnja, D. J. Tushemishti, Foto Dukati, Koto Trebicka, Vangjel Spiro, Qani Bilishti, Sadik Duro, Misto Papa, Vangjel Miller, Duro Tabaku, Niço V. Grabocka, Marko Adams, Veli Hashorva, Matto Tasi, George Luarasi, Anglelo Sotir, Kol Rodhe, Stadhi Suli, Hajrulla Starja, Maliq Picari, Lambi Kreshpani, Andrea Kristo, Shefqet Frashëri, S. Blushi, Kostë Çekrezi, Adem Vishovica, Faik Babani.” (Kalendari i Vatrës i motit 1918. E botoi Federata Pan-Shqiptare “Vatra” e Amerikës. E editoi i Për. At Fan S. Noli, Boston, Mas: Shtypur në shtypshkronjën e gazetës  “Dielli”, 1918, f.68.)

Shqiptarët e diasporës iu përgjigjën pozitivisht kërkesës së Vatres për të mbledhur të holla për Çështjen Kombëtare Shqiptare. Ata shfaqeshin të interesuar për të dhënë kontributin e tyre financiar. Sipas gazetës “Dielli” çdo atdhetarë që dëshironte të ndihmonte duhet që kuota e pjesëmarrjes të fillonte me 10 $ e sipër, në mënyrë që të realizohet me sukses qëllimi i tyre. 

Në letrën e dr. Turtullit, botuar në gazetën “Dielli”, maj 1917, shkrimi i tij hapej me titullin “Çlirimi dhe e ardhmja e Shqipërisë varet nga shqiptarët e Amerikës”. Shkrimi i tij ishte mjaft frymëzues dhe flet me konsideratë të madhe për shqiptaret e Amerikës, citoj: Perëndia na zgjodhi ne, shqiptarët e Amerikës, si shpëtimtarë të Shqipërisë. Shqipëria e pret shpëtimin dhe sigurimin e saj nga ne”. Ai shtonte se duhet të dërgohen delegatë në Evrope për të mbrojtur të drejtat kombëtare.  Delegatët duhet të merrnin pjese në konferencën e Paqes dhe të kërkonin një Shqipëri të lire me kufijtë e saj etnografikë. Por, për të nisur këtë proces kërkohej para, ku sipas dr. Turtullit duhej 40.000 dhe ai do të e ishte një nder ta që do të jepte edhe ndihma monetare për këtë nismë.

Kur komisioni i “Vatres” lexoi letrën e dr. Turtullit dhe mori ndihmën financiare dërduar nga ai, të gjithë u mallëngjye dhe iu përgjigjën një zëri: “Në qoftë se Shqipëria na kërkon 40.000 dollarë për shpëtimin e saj, do të përpiqemi t’i mbledhim këto pará dhe do të nisim pa humbur kohë që sot! Kështu e do nderi dhe detyra e shqiptarëve të Amerikës”.  Mbahu nëno mos ki frikë

Se ke djemtë n’Amerikë!

“Në qoftë se fati i saj varet nga ne, Shqipëria do të çlirohet e do të trashëgohet”. (Shkrimi i referohet gazetës “Dielli” 1918, f.63-65)  

Ne relacionin e Komandës së ushtrisë italiane, drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme, Romë, 12 gusht 1917, Ushtria M. Italiane – Komanda e Lartë – Shërbimet e informacionit – Seksioni “R” Nr. 7392/S i prot. Tepër rezervat përshkruhet aktiviteti i shqiptareve të Amerikës. Në vijim të materialit informonte se shqipët e Amerikës për qëllime të çështjes kombëtare duan të dërgojnë një delegat në Konferencën e Paqes dhe kanë mbledhur një shumë prej 40.000 dollarësh vullnetarisht. (Ministero degli Affari Esteri, Archivio degli affari politici, Serie ordinaroi e di gabinetto (1915-1918), Albania Pacco 1, në dokumentet “Vatra dhe shqiptarët në Amerikë”, Dokumente historike I, 1912-1944, Beqir Meta, Hasan Bello, Prishtinë 2022.

Filed Under: Politike

VERIU I DARDANISË DHE SHKAQET E KRIZËS

December 27, 2023 by s p

Dr. Dritan Demiraj/

Me qëllim që të analizojmë me sukses situatën e sigurisë në veri të Dardanisë, duhet të analizojmë disa nga faktorët kryesorë demografikë, gjeografikë, politikë, diplomatikë dhe ushtarakë të cilët ndikojnë në këtë krizë. 

Në muajin shtator të vitit 2021, vendosjes së reciprocitetit për vendosjen e targave të përkohshme për serbët të cilët futen në Kosovë, Serbia iu përgjigj me provokime, bllokime rrugësh, sulme me armë kundër forcave të policisë së Kosovës, etj duke urdhëruar strukturat e saj paralele të cilat organizohen, financohen dhe drejtohen nga shërbimet serbe të sigurisë në bashkëpunim me agjensitë ruse të inteligjencës.  

Në këtë rajon të Kosovës, sulmet e strukturave paralele serbe të ekzekutuara ditët e fundit me përfshirjen edhe të agjentëve rusë të grupit ‘Wagner’, kanë qëlluar drejtëpërsërdrejti kundër forcave të policisë së Kosovës në Liqenin e Ujmanit, kanë bllokuar rrugët në vendkalimet kufitare zyrtare në Jarinje dhe Bërnjak, kanë ekzekutuar gjashtë sulme me armë gjatë muajit prill të vitit 2021, etj duke treguar qartazi se pas këtyre incidenteve qëndron Beogradi dhe Rusia, të cilët kërkojnë të vështirësojnë sa më shumë situatën në këtë rajon tashmë që vazhdon pushtimi ushtarak Rus në Ukrainë. 

Në datën 7 gusht 2022, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm serb Gjenerali Milan Mojsiloviç së bashku me drejtuesit kryesorë të komandave të tjera ushtarake vizituan njësitë e xhandarmarisë dhe të njësive të armatosura serbe në zonën kufitare tokësore me Dardaninë, konkretisht bazat ushtarake “Tabalije” dhe “Rudnica” dhe aftësitë e tyre operacionale për të reaguar sa më shpejtë në rast nevoje. Në këtë këndëvështrim, gjykoj se në këtë krizë ka rëndësi studimi i faktorit demografik në këtë rajon.

  1. Faktori demografik.

Në pjesën veriore të Kosovës jetojnë shumë pak serbë. Ata në vazhdimësi e kanë refuzuar regjistrimin për të vetmen arsye se dalin më pak se 30.000 qytetarë. Në qytetin e Mitrovicës ndodhet një universitet i cili frekuentohet nga studentë nga Serbia, për të vetmen arsye se diplomat merren me lehtësi. Qyteti më i afërt në Serbi nga Mitrovica është qyteti i Kraljevas rreth 150 km i cili është qytet në “zhdukje” për shkak të largimit të madh të popullsisë serbe jashtë vendit. 

Në pjesën e Gjilanit, Novobrdos, Kamenicës, Vitisë, Lipjanit, Prishtinës dhe Shterpcës jetojnë më tepër se 100.000 qytetarë serbë, por Serbia nuk shqetësohet shumë për ta. Në fakt, muajt e fundit Serbia i ka shtuar forcat e saj në kufirin e Kosovës në pjesën e Gjilanit, Vitisë, Kamenicës dhe Podujevës. Ky në fakt është një mashtrim dhe tërheqje vëmendje, sepse objektivi i tyre përfundimtar është marrja e kontrollit në veriun e Kosovës. 

Shpesh herë vendime të tilla janë mbështetur nga deklaratat e Ministrit të Jashtëm Rus Sergei Lavrov dhe zëdhënesës së tij Maria Zakarova, të cilët kanë deklaruar se: “Atje ku ka popullsi serbe nuk duhet të ketë prezencë shqiptarësh”, pra haptazi pasi dështuan në marrjen e pushtetit gjatë zgjedhjeve në Malin e Zi, në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kroaci, serbët vazhdojnë të insistojnë për mundësinë e zgjerimit të territoreve nëpërmjet shkëmbimit të tyre, krijimit të Asociacioni i komunave me shumicë serbe (Zajednica), zgjerimit të influencës sërbe në rajonin  e Ballkanit me zgjerimin e nismave ekonomike.   

  1. Faktori gjeostrategjik i Kopaonikut, parë nga aspekti i luftës elektronike, sinjaleve dhe telekomunikacionit.

Duke marrë parasysh rëndësinë strategjike të bjeshkëve të Kopaonikut (pasuritë nëntokësore, pikat strategjike të telekomunikacionit, lartësinë e Ravna Goras, etj), kërkesave të vazhdueshme të Serbisë dhe dakortësimit të tyre me ‘miqtë’ e tyre shqiptarë për ndryshimin e kufirit, qasjen e ndryshme ndaj serbëve që jetojnë në pjesën veriore dhe shtetasve të cilët jetojnë në brendësi të Republikës së Dardanisë, në prapavijë qëllimi strategjik i Serbisë është ndryshimi i vijës kufitare.

Siç e dimë edhe nga historia e kaluar, kur Serbia nuk ka interes strategjik nuk lëshon pe. Por në mënyrë të heshtur në prapavijë nëpërmjet “metodave serbe„ nën drejtimin e lidershipit të tyre “perëndimor“ do të vazhdojnë të tentojnë të përfitojë sa më shumë të jetë e mundur. Psh në vitin 2007, Serbia dërgoi për vizitë zyrtare në SHBA shefin e tyre të shtabit të ushtrisë serbe Gjeneralin Ponosh, i cili gjatë takimeve me autoritetet e sigurisë amerikane kërkoi që ta mbështesnin që maja e Kopaonikut t‘i takonte Serbisë.

Në vijim duhet bërë një analizë për rëndësinë që kjo majë sa i përket Luftës Elektronike, Sinjaleve dhe Telekomunikacionit, të cilat në gjykimin tim më shumë se Serbisë mund t‘i shërbejnë Federatës Ruse. 

Në këtë majë (si në foton e publikuar) është vendosur një radar me rreze të mesme operacionale rreth 400 km. Ky radar u shkatërrua nga aviacioni amerikan në vitin 1999. Por në atë kohë u shkatërrua vetëm kupola e radarit, sepse nëpërmjet një ashensori ai ndodhej thellë në tokë. Para disa vitesh Serbia kërkoi që të kontrollonte hapësirën ajrore të Kosovës, për kontrollin e qarkullimit të aviacionit civil, kërkesë e cila u refuzua nga NATO, duke mos lejuar aktivizimin i këtij radari. 

Serbët nuk hoqën dorë nga kjo ide, sepse në atë kohë vetëm nga kontrolli i hapësirës ajrore të Kosovës ata fitonin një sasi prej 13 milionë euro në vit dhe në të njëjtën kohë serbët planizuan të ndërtonin në bjeshkën Besna Kobila në afërsi të Vranjës një bazë tjetër radarësh për qëllim ushtarake dhe inteligjente.

Si përfundim, marrja e kontrollit të majës së Ravna Goras, do t’i mundësonte serbëve dhe rusëve vendosjen dhe instalimin e radarëve të fuqishëm të luftës elektronike (EW) dhe pajisjeve të tjera moderne ruse të zbulimit elektronik (ELINT) të afta që të kontrollinin sinjalet telefonike por jo vetëm në katër vende të NATO-s Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe deri në Greqi.

Foto të vijës kufitare dhe pozicionit gjeografik të qendrës telekomunikimit. 

  1. Liqeni  i Gazivodës ( Ujmanit).  

Liqeni i Gazivodës është liqeni më i madh në Kosovë. Ai ka një sipërfaqe prej 11.9 km2 nga të cilat 9.2 km2 i përkasin Republikës së Dardanisë dhe vetëm 2.7 km2 Serbisë. Ky liqen furnizon me ujë të pishëm qytetet: Mitrovicë, Vushtrri, Obiliq por në të ardhmen edhe qyteti i Prishtinës të mund të furnizohet nga ky liqen. Termocentralet Kosova A dhe Kosova B furnizohen me ujë po ashtu nga ky liqen artificial. Ekzistenca e këtij liqeni është shumë i rëndësishëm për mbijetesën e banorëve të këtyre qyteteve, për zhvillimin industrial dhe bujqësor të Dardanisë. Pa shfrytëzimin me ujë nga ky liqen, termocentralet mbyllen dhe Kosova mbetet pa energji elektrike. 

   Liqeni i Gazivodes. 

  1. Faktori ekonomik.

Në shtesë sa më lartë, në këtë rajon ekzistojnë pasuritë e jashtëzakonshme të pasurive minerale, të cilat gjenden në pjesën veriore të Dardanisë dhe janë vlerësuar në mbi 200 miliardë Euro. Në këtë rajon gjenden me shumicë mineralet qymyrguri, plumb, zink, argjend, ar dhe shumë minerale të  tjera. Këto pasuri përrallore padyshim që i lënë pa gjumë mercenarët serbë dhe bashkëpunëtorët e tyre shqiptarfolës. 

  1. Faktori ushtarak. 

Në Serbi ndodhet baza rajonale e Sputnikut në Beograd, në ministrinë serbe të mbrojtjes ndodhet zyra e përfaqësisë së MM ruse, ndërkohë në Nish rreth 160 km ndodhet ‘Qëndra Humanitare’ e Rusisë, e cila vepron në mënyrë të fshehtë në të cilën punojnë shumë agjentë të shërbimeve sekrete të sigurisë FSB, GRU dhe SVR, misioni të cilëve është grumbullimi i informacioneve për vendet në rajonin e Ballkanit Perëndimor.   

Por agresiviteti i shfaqur gjatë ditëve të fundit nga Serbia, nuk është asgjë tjetër më shumë sesa vazhdimi i një plani të qartë 20 vjeçar, ku vetëm në kufirin me Kosovën janë ndërtuar dhe dislokuar 48 baza operative ushtarake, nga të cilat 28 janë të ushtrisë dhe 20 të xhandarmarisë. Këto baza kanë filluar të ndërtohen që nga muaji gusht 2001, nën asistencën informative të Rusisë dhe të shërbimeve të saj të sigurisë FSB, SVR dhe GRU. Bashkëpunimi i Rusisë me Serbinë shfaqet edhe tek grupi i miqësisë Serbi-Rusi, ku nga 250 anëtarë të Parlamentit serb 151 prej tyre janë pjesë e këtij grupi.  

Serbia për momentin i ka pozicionuar forcat e saj përgjatë kufirit me Republikën e Dardanisë. Forca kryesore e cila patrullon kufirin janë efektivët e Brigadës së Xhandarmarisë. Brigada e xhandarmarisë serbe përbëhet nga 4 batalione. Batalioni katërt psh përbëhet nga shumë pjestarë të forcave speciale ‘Kobra’, njësi anti-terroriste dhe një forcë elitë policore. 

Këto janë forcat të cilat ruajnë dhe patrullojnë kufirin me Dardaninë. Patrullimet e tyre realizohen 24 orë në ditë dhe realizohen nga efektivë prej katër personash të armatosur: Dy persona të pajisur me automatik AK-47 model i përmirësuar serb, i treti me automatik/mitraloz prodhin serb model M-84  kalibër 7.62 x 54 mm dhe personi i katërt me sniper ‘Crna Strela’ prodhim serb kalibër 12.7 mm ose M-76 7.92 x 57 mm.  

Harta kufitare në Veri-Lindje të Dardanisë. 

KFOR-i ka një prani të dobët në Veri të Dardanisë. 

Përgjithësisht Republika e Dardanisë kontrollohet nga trupat e KFOR-it nga ajri me dron dhe më rradhë me helikopter. Duhet theksuar se prania e tyre me mjete ushtarake dhe me ushtarë në veri është shumë e vogël, pavarësisht sasisë prej 4000 forcash të dislokuara në vend. 

Në Veri të Kosovës ndodhen dy vendkalime kufitare zyrtare, Jarinje (Gate-1) dhe Bërnjak (Gate-31). Nga Jarinje (Gate-1) trupat e KFOR-it janë tërhequr tërësisht dhe për momentin ndodhen prapa Leposaviqit në Camp Notting-Hill, por aty ka pak mjete ushtarake dhe pak ushtarë. 

Pika kufitare në mes Novi Pazarit dhe Banjska nuk ruhet nga askush. Më herët kjo zonë është kontrolluar nga trupat e KFOR-it dhe është lejuar transporti i automjeteve deri 3.5 ton. 

Në Gate-31 në Bërnjak është i pozicionuar KFOR-i dhe policia e Dardanisë. Ky vendkalim është shumë pak i rëndësishëm dhe i qarkullueshëm. Nga Gate-31 deri në Zubin Potok nga ana e kufirit me Serbinë, ndodhen shumë vendkalime ilegale që askush nuk i kontrollon. 

      Bazat e KFOR-it në Rajonin e Mitrovicës

Bernjak-Gate-3140° 57′ 40.06”20° 32′ 56.64”
Camp Notting-Hill43° 04′ 49.61”20° 48′ 43.60”
Camp Novo Selo42° 47′ 06.61”21° 01′ 55.97”

Filed Under: Politike

Roli i diplomacisë amerikane ishte vendimtar për lirinë e Kosovës

December 26, 2023 by s p

Këtë e dëshmojnë burimet arkivore amerikane që janë deklasifikuar kohëve të fundit dhe tregojnë një angazhim të veçantë të SHBA-së për lirinë e Kosovës

Kosova është interes suprem për SHBA-në, janë fjalët e Storb Talbot, diplomat e zv. Sekretar i Shtetit amerikan 1994-2001, në raportin analitik të agjencive informative amerikane, të shkruar më 21 dhjetor 1995.

Këtë dokument të cilin e disponoj, e hasa gjatë hulumtimeve të mia në arkivat e SHBA-së me vizionin dhe punën brilante të këtij diplomati, qëndrime të cilat ndryshuan interesat gjeostrategjike të fuqive dhe interesave kundërthënëse në Ballkan.

Z. Talbot ishte direkt i përfshirë në negociata të mundimshme dhe shumë të rënda me diplomatët rusë që nuk pajtoheshin që gjeografia qendrore e Ballkanit të largohet nga interesat e tyre, përkundër ndikimit mbi një shekull. Kjo edhe kishte dëmtuar strukturën etnike kompakte shqiptare në Ballkan.

Fitorja diplomatike e z. Talbot, kishte filluar pas Dejtonit me një angazhim të matur që të zgjedhin statusin politik të Kosovës dhe ishte njeriu i raundeve të vështira karshi interesave ruse në Ballkan.

UÇK-ja ishte bërë aleate e presioneve dhe politikave qe përfaqësonin vlera e demokracive perëndimore dhe ishte çelësi i negociatave paqësore për Kosovën. Diplomatët amerikanë, duke përfshirë edhe vet presidentin Clinton, kërkuan nga Rusia që në asnjë mënyrë nuk do të lejonin ndarjen e Kosovës dhe vendimin rus për dërgimin e një numri të madh të forcave të tyre në Kosovë. Ishte vendosmëria e presidentit Clinton në telefonatën me presidentin Jelcin që duhet të funksionojë vetëm një komandë e forcave ndërkombëtare në Kosove dhe e kishte njoftuar se me lidershipin politik të UÇK-së, kishte bashkëpunim dhe i besonte në marrjen e përgjegjësive edhe pas vendosjes së forcave të KFOR-it në Kosovë. Ky bashkëpunim funksiononte shumë mirë me diplomatët e SHBA-së, ishte cekur cekur në bisedë, duke admiruar lidershipin politik të UÇK-së.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës, zë vend qendror në historinë e re te Kosovës jo vetëm për kthesën e madhe që i dha zhvillimeve të brendshëm në terren, por edhe për angazhimin e diplomacive ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjes se Kosovës, që në sipërfaqe dolën tri politika me qasje të ndryshme në raporte me çështjen e Kosovës.

Ishte diplomacia anglo-amerikane ajo që tregonte vendosmëri në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, diplomacia evropiane që kishte mos unitet në veprimet e saj dhe ishte hezituese për një linjë të ashpër kundër Serbisë dhe diplomacia ruse me aleatët e saj që mbronte interesat serbe me fanatizëm në Kosovë. Kosova i nxjerri në sipërfaqe edhe dallimet e diplomacive ndërkombëtare në raporte me Kosovën dhe interesat e tyre në Ballkan.

Pas refuzimit kategorik për negociata me përfaqësuesit politik të shqiptarëve të Kosovës nga Millosheviqi në Dejton, e vetmja rrugë për të nxjerrë në tavolinën e bisedimeve çështjen e Kosovës ishte fillimi i rezistencës së armatosur në Kosovë, që në një mënyrë apo tjetër ishte si rezultat i veprimeve të diplomatëve ndërkombëtarë që nuk arritën ta bindin Millosheviqin për negociata paqësore me shqiptarët e Kosovës.

Në planin e brendshëm, UÇK-ja, përbënte pikën kulmore në zhvillimin e lëvizjes për liri në Kosovën e pushtuar që paralajmëronte një kthesë historike në organizimin e shqiptarëve për liri dhe pavarësi nga Serbia. Për diplomacinë ndërkombëtare UÇK-ja përbënte bazën kryesore që t’i bënte presion Millosheviqit për negociata me përfaqësuesit shqiptarë të Kosovës.

Rezistenca e Millosheviqit ndaj diplomatëve amerikanë në Dejton, gjatë vitit 1995, për mos hapjen e negociatave me shqiptarët e Kosovës për kthimin e një statusi autonom te Kosovës, ishte e madhe.

Dalja publike e UÇK-së dhe reagimi i diplomatëve ndërkombëtar ndryshoi skenën e Ballkanit përgjithmonë.

-Deklaratat kontroverse të Richard Gallbard ishin nxitëse për Millosheviqin i cili pa hezituar përdori brutalitetin dhe dhunën e forcave serbe, masakrat ndaj civileve shqiptarë në Drenicë, duke u bërë argument se ai regjim ishte diktatorial dhe okupues.

Analistët e CIA-s për Ballkanin, kishin informuar diplomatët amerikanë me parashikimin dhe analizat analitike se serbët pretendojnë që të formojnë Serbinë e madhe duke përdorur dhunë dhe pastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës . Gjatë viteve ‘91 dhe ‘92 përkrahje popullore të shqiptarëve të Kosovës për një rezistencë të mundshme kundër Serbisë pas mos përfshirjes së Kosovës në konferencën e Londrës-Hagës për Jugosllavinë, ishte më e madhe se në vitet 1996/97. Mirëpo ishte pikërisht diplomacia perëndimore që i sugjeronte përfaqësuesve shqiptarë në Kosovë që mos të binin pre e provokimeve serbe për të realizuar planet e tyre të shkatërrimit të strukturës etnike duke bërë pastrimin etnik të Kosovës nga shqiptarët. Këto konstatime i bazonin në mundësinë e një destabilizimi të gjithë regjionit të Ballkanit dhe pas një analizës së bërë ndaj kapaciteteve ushtarake në rajon dhe të Shqipërisë në veçanti.

Analiza e CIA-s e fundvitit 1992-1993, për mundësinë e ndihmës dhe përkrahjes nga ana e Shqipërisë dhe rezistencës së armatosur në Kosovë, ka përshkruar dhe ka dhënë në detaje fuqinë dhe kapacitetet ushtarake e teknike të Kosovës, ku parashihte që Serbia me kapacitetet e trashëguara të gjithë armatës Jugosllave përbënte rrezik për rajonin. Aq më keq, mund të kalonte brenda edhe territorit të Shqipërisë së veriut në emër te ndjekjes se guerilës së shqiptarëve të Kosovës.

Kështu, përkundër përkrahjes popullore në Kosovë për rezistencë të armatosur kundër brutalitetit të forcave serbe, nuk mendohej se do të kishte sukses. Sugjerimet e diplomatëve anglo-Amerikan në këto rrethana, potenconin se pasojat do të ishin të paparashikuara.

Analiza e agjencive informative amerikane e dhjetorit te vitit 1995, duke përfshirë edhe CIA-n e shihte Kosovën me interes të veçantë për SHBA-në. Analizat e shërbimeve amerikane për UÇK-në kishin filluar nga paraqitja publike e disa personaliteteve të rëndësishme dhe mediave vendore dhe ndërkombëtare duke qartësuar se nuk ishte vullneti i shqiptarëve dhe fuqia e tyre për t’i rezistuar forcave serbe, por ishin të detyruar t’i kundërvihen masakrave dhe gjenocidit të policisë dhe ushtrisë serbe në Kosovë.

Paraqitja e strukturave dhe intelektualëve që përfaqësonin konceptin dhe vizionin e UÇK-së, dhe idenë e qartë për lirinë e Kosovës, kishin filluar të kenë ndikim.

Intervista e Fehmi Lladrovcit dhënë BBC-së, në pranverën e vitit 1998, ishte shumë domethënëse për ekspertët ndërkombëtarë që ju sugjeronin diplomatëve të shtetit të tyre që të kenë takime direkt me përfaqësues të UCK-së.

Takimet me përfaqësuesi e UÇK-së në Kosove dhe perëndim me diplomatët perëndimor, këta të fundit filluan që të marrin në konsideratë disa liderë politikë të UÇK dhe filluan që të mbështeten në marrëveshjet dhe përgjegjësitë e tyre.

Profili i përfaqësimit politik të UÇK-së ishte në një mënyrë apo tjetër edhe përzgjedhje e diplomatëve perëndimorë të shtyrë nga diplomacia anglo – amerikane që filloi të bashkëpunojë në të mirë të paqes në Kosovë.

Në tetor të vitit 1998, amerikanët në mesin e shumë partnerëve për të arritur paqen në Kosovë e trajtonin edhe bashkëpunimin me UÇK-në si faktori më i rëndësishëm për një marrëveshje paqësore për Kosovën. Këtë e dëshmojnë shumë shkresa dhe dokumente të kohës të bëra nga zyrtarë të qeverive të kohës, e të cilat i disponoj po ashtu.

Sot, pas këtyre viteve organizimi politik e ushtarak që arriti dhe detyroi disa diplomaci të fjetura të organizojnë Konferencë ndërkombëtare për Kosovën, UÇK të quhet ndërmarrje kriminale është turp

Prof. dr. Lulzim Nika

Filed Under: Politike

VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN DHE VITIN E RI 2024

December 24, 2023 by s p

Të nderuar bashkombas,

Të dashur vëllezër e motra vatranë,

Më lejoni që në emrin tim personal, të familjes sime, të Federatës Pan –Shqiptare të Amerikës VATRA dhe të gazetës DIELLI, t’ju uroj: Gëzuar e Përshumëvjet Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2024.

Kaluam një vit të shkëlqyer me plot sfida e arritje. Këtë vit ishim më afër Kosovës, Shqipërisë, trojeve etnike e komunitetit tonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vizita e Vatrës në Selinë e Shenjtë, Vatikan, pritje – përcjelljet e Presidentëve, Kryeministrave, Kryeparlamentarëve, Ministrave, Kryebashkiakëve, politikanëve e patriotëve nga Shqipëria, Kosova, e trojet etnike e kthyen Vatrën në një “Seli të Shenjtë” të shqiptarizmës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të dashur vëllezër e motra:

Përzëmërsisht uroj për ju e familjet tuaja çdo bekim, sukses, paqe dhe mirësi në këtë Krishtlindje e Vit të Ri. Lindja e Krishtit është një festë e madhe e cila na kujton të jemi më solidarë, më të bashkuar dhe më të dashur me njëri-tjetrin. Si Vatranë dhe shqiptaro-amerikanë në vitin e ri që po vjen, lutemi dhe do të punojmë për mirëqënien e çdo shqiptari kudo ku vepron, jeton e punon; Shqipëri, Kosovë, Trojet Etnike e kudo flitet, gëzohet dhe festohet shqip. Në këtë Vit të Ri uroj të kemi më shumë gëzim për të festuar e sa më shumë shpresë për mirëqënie e zhvillim si Vatër e komunitet shqiptar. Uroj të kemi sa më shumë ditë të lumtura, të bekuara e më të begata për shqiptarët në çdo cep të globit.

Fuqia hyjnore i udhëheqtë hapat tanë dhe ndriçoftë mendjet e zemrat e atyre që e kanë humbur rrugën, logjikën dhe moralin.

Uroj dhe lutem për paqe, për besim dhe lumturi në familjen e çdo shqiptari. Begatia, gëzimi, lumturia, dashuria dhe bekimi i madhit Zot mbretëroftë në çdo vatër të familjeve shqiptare.

GËZUAR

Zoti i bekoftë shqiptarët, Shqipërinë, Kosovën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, miqtë dhe aleatët e kombit tonë.

Më gëzim dhe lumturi për ju

Kryetari i VATRËS

Elmi BERISHA

New York, 24 Dhjetor 2023

Filed Under: Politike

Mark Gjonaj rizgjidhet Kryetar i Këshillit Koordinues të Diasporës

December 23, 2023 by s p

diasporashqiptare.al/

Këshilli i ri Koordinues i Diasporës pati mbledhjen e tij të parë më datë 18 Dhjetor 2023. Gjatë këtij takimi u zgjodhën strukturat e reja të këtij këshilli si dhe u prezantuan anëtaret e rinj pas përfundimit të mandatit të parë. Për këtë mandat të dytë, rizgjidhet kryetar Mark Gjonaj, përfaqësues i komunitetit shqiptar në SHBA, nën kryetare Anxhela Paparizo, përfaqësuese e komunitetit shqiptar në Kanada dhe sekretare Ira Londo përfaqësuese e komunitetit shqiptar në Greqi

***

Deklaratë e plotë për Shtyp e KKD

Dita Kombëtare e Diasporës mbledh Këshillin Koordinues të Diasporës me kryesi të re

Në kuadër të Ditës Kombëtare të Diasporës dhe Ditës Ndërkombëtare të Emigrantëve më 18 dhjetor, u zhvillua mbledhja e Këshillit Koordinues të Diasporës, ku këtë herë ka përkuar edhe me mandatin e dytë të këtij këshilli.

Me pjesëmarrje nga qeveria shqiptare dhe institucionet mbështetëse, diskutimet e gjata janë mbyllur me shumë pozitivitet e vullnet të palëkundur për rienergjizimin e organeve të Diasporës, me zgjidhjen dhe realizimin e çështjeve të rëndësishme.

Mbledhja u hap nga Kryetari i Këshillit, z. Mark Gjonaj, i cili duke i uruar suksese anëtarëve të zgjedhur për herë të parë, u ndal tek rëndësia e diasporës shqiptare në fusha të ndryshme të vendit dhe angazhimin që duhet të kenë anëtarët e këtij Këshilli në forcimin e marrëdhënieve të Diasporës me institucionet shtetërore shqiptare.

Të pranishëm në mbledhje Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani, zv/ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Artemis Malo dhe Zv/ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, z.Besart Kadia. Ministri Igli Hasani ka falënderuar anëtarët duke theksuar se “Këshilli synon mbrojtjen dhe forcimin e marrëdhënieve me diasporën shqiptare si dhe i siguroi ata për mbështetjen e plotë në veprimtarinë e tyre”.

Ministrja e Kulturës, znj. Elva Margariti, në fjalën e saj prezantoi projektet dhe angazhimin që ka kjo ministri për diasporën shqiptare.

Lavdrim Krrashi, Kryetar i Nënkomisionit për Diasporën dhe Migracionin, ndër të tjera u ndal në të drejtën e votës duke theksuar se ndryshimet e Kodit Zgjedhor kanë parashikuar të drejtën e diasporës për të votuar dhe si ligjvënës janë angazhuar në dhënien e kontributit në drejtim të mundësimit dhe përmirësimeve ligjore që i shërbejnë interesit të diasporës sa i takon votimit nga jashtë vendit.

Gjithashtu, pjesë e takimit ishte edhe z.Ilirian Celibashi, i cili në fjalën e tij siguroi bashkëpunimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të realizuar votën e diasporës.

Znj. Romina Kuko theksoi rëndësinë e regjistrimit të adresave të diasporës shqiptare dhe punën që po bën Ministria e Brendshme për të thjeshtuar procedurat e regjistrimit nëpërmjet portalit e-Albania.

Në pjesën e dytë anëtarët u njohën me aktivitetet e institucioneve shtetërore të diasporës si dhe diskutuan për ecurinë e mëtejshme të punës dhe funksionimin e këtij Këshilli, me qëllim krijimin e një bashkëpunimi më të afërt mes institucioneve shtetërore me komunitetet shqiptare kudo në botë.

Në pjesën e fundit janë miratuar ndryshime të rëndësishme në Rregulloren e Këshillit dhe janë zhvilluar zgjedhjet për mandatin e ri të kryesisë. Anëtarët zgjodhën si kryetar z. Mark Gjonaj, nënkryetare znj. Angela Paparizo si dhe sekretare znj. Ira Londo.

Këshilli Koordinues për Diasporën falenderon njëzëri të gjithë anëtarët dhe kryesinë e mandatit të mëparshëm për kontributin e tyre.

Anëtarët e Këshillit Koordinues për mandatin 2023-2027 janë si më poshtë:

Mark Gjonaj – Kryetar – Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Anxhela Paparizo – Nënkryetare – Kanada

Ira Londo – Sekretare – Greqi

Anila Hyka Smorgrav – Francë

Ardian Lekaj – Holandë

Besmir Rrjolli – Itali

Brikena Muharremi – Britani e Madhe

Drita Gjongecaj – Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Emina Cunmulaj – Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Ermal Sulaj – Greqi

Lazim Destani – Gjermani

Mirela Mezani- Zvicër

Rosario Peta – Itali

Sezar Jakupi – Australi

Vaxhid Sejdiu – Zvicër

Mbledhja vjetore e Këshillit Koordinues të Diasporës: Perspektiva Dhe Bilanci I Një Mandati Të Vështirë

Si çdo vit më 18 dhjetor ditën kombëtare të Diasporës, Këshilli Kombëtar i Diasporë ka zhvilluar mbledhjen vjetore. Një moment bilanci ky për punën e bërë gjatë këtij viti, por edhe për rizgjedhjen e kandidatëve të rinj. Mandati i 15 të zgjedhurve të parë përfundoi. Një mandat në kohë të vështirë, tërmeti i nëntorit 2019, dy vite pandemi, shkrirja e institucionit tw ministrit tw Shtetit pwr Diasporën, pezulli administrativ dhe në fund mbyllja e mandatit. 2/3 e Këshillit të parë nuk janë më, pjesë e tij janë emra të rinj, profesionistë e aktivistë të komuniteteve që përfaqësojnë. Emra ti rinj, frymë e re, prej tyre pritet shumë!!!

Mbledhja u hap nga Kryetari i Këshillit, z. Mark Gjonaj, i cili në fjalën e tij, falenderoi anëtarët e mëparshëm të Këshillit për kontributin e tyre.

Duke i uruar mirëseardhjen anëtareve të rinj Gjonaj theksoi se Diaspora luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e identitetit shqiptar dhe nuk e ka harruar borxhin që e ka për tokën amë e për gjithë trojet shqiptare.

“Ajo jep kontributin në fushat e kulturës, ekonomisë dhe jetës sociale që mund të krijojmë një të ardhme më të mirë për atdheun dhe për shtetet që jetojnë tani. Diaspora nuk është eksperiment as talking points (temë diskutimi). Është një resurs që nuk është shfrytëzuar siç duhet. Ka ardhur koha që Shqipëria ta konsiderojë Diasporën si partner dhe asset. Minimumi Shqipëria duhet ti japi të drejtën e votës Diasporës që është një e drejtë themelore” tha ndër të tjera në fjalën e tij Gjonaj.

Ministri për Evropën dhe Punët e jashtme, z. Igli Hasani falënderoi anëtarët duke theksuar se Këshilli synon mbrojtjen dhe forcimin e marrëdhënieve me diasporën shqiptare si dhe i siguroi ata për mbështetjen e plotë në veprimtarinë e tyre.

“KKD-ja është instrumenti më i rëndësishëm që ka shteti shqiptar për të komunikuar dhe për të ndërtuar ura lidhëse me Diasporën dhe unë jam besimplotë që ekipi që jeni formuar aty do të dijë ta çojë përpara misionin e vet në mënyrën më të mirë.

Kjo mbledhje vjetore vjen pak jave pas samitit të diasporës i cili ishte një mundësi e jashtëzakonshme për të shkëmbyer ide konkrete mbi mënyrat se si duhet të punojmë së bashku në çdo fushë për të zgjedhuar dhe konsoliduar bashkëpunimin mes nesh” tha ai duke shtuar se “ Mesazhi që unë mora nga samiti është që Sfida qe keni përpara është vërtet e madhe sepse pavarësisht punës së madhe e shumë të mirë që është bërë në vite nga të gjithë ju në kuadër të këshillit apo në mënyrë të pavarur ne vetëm sapo kemi gërvishtur sipërfaqen e një potenciali të jashtëzakonshem dhe them se vetëm sapo kemi hedhur themelet e bashkëpunimit me Diasporën”.

Ministrja e Kulturës, znj. Elva Margariti, në fjalën e saj prezantoi projektet dhe angazhimin që ka kjo ministri për diasporën shqiptare.

Z. Lavdrim Krrashi, Kryetar i Nënkomisionit për Diasporën dhe Migracionin, ndër të tjera u ndal në të drejtën e votës duke theksuar se ndryshimet e Kodit Zgjedhor kanë parashikuar të drejtën e diasporës për të votuar dhe si ligjëvënës janë angazhuar në dhënien e kontributit në drejtim të mundësimit dhe përmirësimeve ligjore që i shërbejnë interesit të diasporës sa i takon votimit nga jashtë vendit.

Gjithashtu, pjesë e takimit ishte edhe z.Ilirian Celibashi, i cili në fjalën e tij siguroi bashkëpunimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të realizuar votën e diasporës.

Znj. Romina Kuko theksoi rëndësinë e regjistrimit të adresave të diasporës shqiptare dhe punën që po bën Ministria e Brëndshme për të thjeshtuar procedurat e regjistrimit nëpërmjet portalit e-Albania.

Në pjesën e dytë anëtarët u njohën me aktivitetet e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, Qendrës së Botimeve për Diasporën dhe Qendrës së Studimeve dhe publikimeve për Arbëreshët.

Anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës kanë ndjekur me kujdes prezantimin e gazetës Diaspora Shqiptare, punën, sfidat dhe zhvillimin e saj, si dhe impaktin që ka pasuar në Diasporë. Gazeta ka trajtuar me sukses historitë dhe çështjet e komunitetit shqiptar në botë.

Me rëndësi, nga kjo mbledhje ishte miratimi i ndryshimeve në Rregulloren e Këshillit dhe zgjedhja e drejtuesve të tij. Anëtarët zgjodhën si kryetar z. Mark Gjonaj, nënkryetare znj. Angela Paparizo si dhe sekretare znj. Ira Londo.

Fjala e plotë e kryetarit të KKD Mark Gjonaj.

Gëzuar ditën e Diasporës

Kanë kaluar 4 vjet që kur është formuar KKD. Gjatë kësaj kohe kemi kaluar më të vështirat, dy vjet të paimagjinueshëm të pandemisë, një tërmet dhe ndryshimet e strukturave të KKD-së. Një periudhë që ka pikëpyetje dhe është çudi që ekziston akoma KKD sot. Po marr këtë minutë që të nderoj ish antarët themelues të KKD-së. Po e filloj me ish kryeministrin dhe ministrin e Diasporës z. Pandeli Majko, Ardian Radovicka, Adriana Bejko, Bashkim Beqiri, Endri Hatillari, Gazmend Kapllani, Namik Shabani, Visar Tasimi, Sokrat Sina. Një falenderim i madh për shërbimin e tyre dhe ditët e panumërta që kanë dedikuar për çështjen e KKD-së. Për vullnetin e tyre që e kanë mbajtur KKD-në me zor. Që kanë qenë zëri i lartë për diasporën. Kanë bërë sakrifica dhe kanë dhënë kontribut vetëm për interes të mërgimtarëve dhe fëmijët e tyre që kanë lindur në tokë të huaj. Një falenderim për Anila Hykën, Brikena Muharremi, Ardian Lekaj, Rosario Petën dhe Lazim Destanin që po vazhdojnë mandatin e dytë në KKD. Do të përshëndes anëtarët e rinj të KKD-së. Familja është shtuar. Emina Çunmulaj nga SHBA, Drita Gjongecaj nga SHBA, Sezar Jakupi nga Australia, Ira Londo dhe Ermal Sulaj nga Greqia, Mirela Mezani nga Zvicra, Anxhela Paparizo nga Kanadaja, Besmir Rrjolli nga Italia, Vaxhid Sejdiu nga Zvicra. I falenderoj sepse për një muaj është e dyta herë që po vijnë në tokën amë që po i lënë familjet, kohën e punën që të japin kontributin e tyre të jashtëzakonshëm. Falenderimet më të mëdha për meritat e tyre.

Historia e Shqipërisë është shqiptari vet që përfaqëson shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë, në Kosovë në Mal të Zi në Maqedoninë e Veriut, Çamëri, Luginën e Preshevës edhe vet Diasporë.

Edhe pse gjeografia na ndan edhe kufijtë na ndajnë nëpër shtete është kultura, historia, gjuha dhe dashuria për kombin tonë që na bashkon, e që gjithë zemrat e shqiptarëve rrahin njëlloj kudo që janë në botë.

Diaspora luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e identitetit shqiptar dhe nuk e ka harruar borxhin që e ka për tokën amë e për gjithë trojet shqiptare. Që jep kontributin në fushat e kulturës, ekonomisë dhe jetës sociale që mund të krijojmë një të ardhme më të mirë për atdheun dhe për shtetet që jetojnë tani. Diaspora nuk është eksperiment as talking points (temë diskutimi).

Është një resurs që nuk është shfrytëzuar siç duhet.

Ka ardhur koha që Shqipëria ta konsiderojë diasporën si partner dhe aset.

Shteti ynë duhet të mbrojë, të investojë në Diasporë në të drejtat e tyre. Jo vetëm me fjalë por me vepra. Minimumi Shqipëria duhet ti japi të drejtën e votës Diasporës që është një e drejtë themelore.

Jam mëse i gëzuar dhe i kënaqur me anëtarët e KKD-së dhe me ministrin Hasani bashke me institucionet që plotësojnë KKD-në. Jemi partnerë, kemi një energji, një vullnet që është një urë lidhëse me diasporën dhe me linjën tonë. Dhe që kemi punuar për të mirën e kombit tonë. Ai që nuk e do kombin nuk e do as zotin as vetveten. Le të përveshim mëngët sepse puna qe pret ta bëjmë së bashku do të flasë vet. FALEMINDERIT

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 116
  • 117
  • 118
  • 119
  • 120
  • …
  • 667
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Sot, 35 vjet nga rivendosja e marrëdhënieve me SHBA
  • Kujtojmë në ditën e lindjes Faik Konicën, një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare
  • Lamtumirë Jürgen Habermas, një prej ndërgjegjeve më të mëdha të Evropës moderne
  • Hormuzi dhe Kharg: beteja për arterien e naftës botërore
  • PRANVERA E DINJITETIT – KUJTESË E SAKRIFICËS DHE GUXIMIT PËR LIRI
  • ANGELA KOSTA DHE CHANEL BASHHYSA FITUESE TË ÇIMIMIT NDËRKOMBËTAR TË EKSELENCËS “DIVINAMENTE DONNA” NË SENATIN E REPUBLIKËS ITALIANE
  • “TASHMЁ JEMI TЁ VJETЁR PЁR T’U KTHYER NЁ SHTЁPI” – POEZI NGA ORIADA DAJKO
  • IRONIA DHE HIPOKRIZIA RRETH PRONËSIMIT TË KATEDRALËS NË SHKODËR
  • Dita e Verës – Festa e lashtë e ripërtëritjes shqiptare
  • Luan Rama sjell në Tiranë tablotë ikonike të piktorëve francezë për Shqipërinë dhe shqiptarët
  • Në Tiranë u zhvillua koncerti “Me Zanin e Bjeshkëve” i këngëtarit Gëzim Nika “Mjeshtër i Madh”
  • Shqipëria ka nevojë për Xhorxh Uashingtonët e saj
  • Kriza globale, nga Ukraina në Lindjen e Mesme
  • IRONIA DHE STILI NË DEBATET MES NOLIT DHE KONICËS 
  • MËRGIM XHEVAT KORҪA, IN MEMORIAM

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT