• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Delegacioni i Kryesisë së Vatrës vizitë në degën e Vatrës Worcester, Massachusetts

December 18, 2023 by s p

Mbas një Kuvendi Zgjedhor model e shumë të suksesshëm të degës së Vatrës Boston, delegacioni i kryesisë së Vatrës i përbërë nga drejtori i degëve z.Mondi Rakaj dhe arkëtari i Vatrës z.Besim Malota zhvilluan një vizitë në degën e Vatrës Worcester, Massachusetts. Në takimin e ngrohtë e vëllazëror, z.Rakaj e z.Malota u takuan me një pjesë të kryesisë së Degës së Vatrës Worcester Boston Massachusetts. Ata vlerësuan punën e shkëlqyer ndër vite të kësaj dege dhe marrëdhënien korrekte me qendrën. Në takim u diskutuan ide dhe mendime për të përfshirë komunitetin në përkrahje të Vatrës si zëri më i fuqishëm kombëtar në mërgatën e Amerikës. Miqtë vlerësuan lidershipin e kryetares Efi Qeleshi dhe punën studimore të sekretarit Prof.as.dr.Thanas Gjika. Kryetarja e degës së Vatrës Worcester, Massachusetts Efi Qeleshi shtroi një darkë në respekt dhe nderim të të gjithë të pranishmëve dhe bashkëshortit të saj themeluesit të kësaj dege të ndjerit Mihallaq Qeleshi në 4 vjetorin e largimit për në amshim.

Filed Under: Politike

ZËRI I AMERIKËS ORGANIZOI PRITJE PËR KOLEGËT, BASHKPUNTORËT DHE MIQËT E DR. ELEZ BIBERAJT ME RASTIN E DALJES NË PENSION   

December 16, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

Të ënjtën që kaloi, Zëri i Amerikës organizoi një pritje për familjen, kolegët, miqët dhe bashkpuntorët e Dr. Elez Biberajt me rastin e daljes së tij në pension pas 43 vjetë shërbimi në detyra të ndryshme me rëndësi në Zërin e Amerikës: Shef i Shërbimit në gjuhën shqip, Drejtor i Euro-Azisë dhe për një periudhë Drejtor i Përgjithëshëm (në detyrë) i Zërit të Amerikës.  Frank Shkreli: Dr. Elez Biberaj, ikona e gazetarisë dhe fjalës së lirë, në Zërin e Amerikës del në pension | Gazeta Telegraf.  Z. Biberaj, për disa vjetë, fillimisht, ka punuar gjithashtu edhe në Drejtorinë e Shtypit të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Informacion (USIA). 

Në ftesën e Zërit të Amerikës për pritjen e organizuar nga kolegët e Z. Biberaj thuhej gjithashtu se Dr. Biberaj – përveç detyrave të larta – ai ka mbështetur dhe ka këshilluar e ndihmuar qindra gazetarë të cilët kanë mbuluar lajme dhe ngjarje nga më të ndryshmet, duke filluar nga Lufta e Ftohtë e deri tek shembja e komunizmit. Përfshir fillimet e demokracisë në ish-Bashkimin Sovjetik dhe në Evropën Lindore, luftërat në Ballkan dhe integrimin e vendeve të Evropës Lindore në institucionet euro-atlantike, si dhe autoritarizmin rus putinist në rritje dhe pushtimin brutal të Ukrainës nga Rusia, ndër të tjera zhvillime, kombëtare dhe ndërkombëtare që ka mbuluar Zëri I Amerikës nën mbikqyrjen e Elez Biberajt. Ne nderojmë dedikimin e tij ndaj misionit të Zërit të Amerikës në promovimin e lirisë dhe të demokracisë duke furnizuar audiencat anë e mbanë botës me lajme dhe infoirmacione të sakta, objektive dhe të balancuara, thuhej mëtej në atë ftesë.

Në atë takim të veçant, me rastin e daljes në pension të Elez Biberajt, folën zyrtarët më të lartë të Zërit të Amerikës, të cilët falënderuan Z. Biberaj për punën e tij prej më se 4 dekadash duke venë në dukje arrijtjet dhe kontributet e tija të mëdha. Folën dhe personalitete të tjera të ftuar, përfshir edhe ambasadorë, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Departamentit të Shtetit. Të pranishëm ishin edhe Ambasadori i Shqipërisë në Washington Z. Ervin Bushati, i cili, shkurtimisht, përshëndeti të pranishmit dhe i uroi pension të mbarë, Z. Biberaj. Z. Drilon Zogaj, Këshilltari i Ambasadës së Republikës së Kosovës, në kryeqytetin amerikan, përfaqësoi vendin e tij në atë takim.

Edhe unë me shumë kënaqësi pranova mundësinë të thoja, shkrutimisht, dy tre fjalë duke përshëndetur të pranishmit dhe Elezin në këtë ditë kaq me rëndësi në jetën dhe karrierën e mikut dhe kolegut tim prej një gjysëm shekulli.  Kisha gjithashtu edhe një porosi nga miku dhe bashkpuntori i ngusht i Elezit gjatë dekadave, Profesorit tonë të nderuar, Z. Nick Pano, që në emër të tij t’i uroja Elezit pension të mbarë:

“Përshëndetje të gjithëve. Është vërtetë kënaqësi që gjëndem në mesin tuaj në këtë ndërtesë-kryeqendër të Zërit të Amerikës me fame botërore ku edhe unë kam kaluar vitet më të mira e më të bukura të jetës dhe karrierës time. Gjithmonë vij këtu sikur në shtëpinë time. Por sot, vërtetë, është një rast i veçantë për mua të jem këtu me ju për të marrë pjesë në këtë pritje madhështore për të festuar të gjithë së bashku pensionimin e Elez Biberajt, pas 43 vitesh shërbim dhe arrijtjesh jetësore.

43 vite më parë, ai filloi së punuari në Shërbimin shqip të Zërit të Amerikës, për t’u larguar për një kohë të shkurtër tek Drejtoria e Shtypit të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Informacion (USIA). Por për fat të mirë, Elezi vendosi të kthehej tek Zëri i Amerikës në detyrën e shefit të Shërbimit shqip të Zërit të Amerikës, i bindur, më në fund, se Zëri i Amerikës ishte vendi i duhur i punës për të dhe se ai ishte personi i nevojshëm për Zërin e Amerikës.  43 vite më vonë, arritjet dhe sukseset personale dhe kontributet e tija ndaj Zërit të Amerikës, qeverisë amerikane, dhe audiencave në Shqipëri, Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, por edhe anë e mbanë botës — janë të shumëta për tu numëruar, prandaj as nuk do përpiqem të bëjë një gjë të tillë, sepse Elezi do më thotë se nuk kemi të bëjmë me sukseset e tija, por kemi të bëjmë me misionin. Me misionin e Zërit të Amerikës!

Por, megjithkëtë po ia lejojë vetes të them këtë për Elez Biberajn. Dua t’u kujtoj se kur Presidenti Xhon Kennedy ka vizituar Zërin e Amerikës në 20-vjetorin e themelimit më 1962, ai ka thenë me atë rast se: “Zëri i Amerikës bartë një barrë të madhe përgjegjësie. Kjo përgjegjësi e madhe e Zërit të Amerikës, për të thënë të vërtetën, nuk është e lehtë…”.  Dua t’u them me bindje se shumë pak njerëz e marrin këtë përgjegjësi — për të cilën ka folur John Kennedy 6 dekada më parë – aq seriozisht sa Elez Biberaj.  Elezi e jetonte dhe kryente çdo ditë këtë besim dhe prëgjegjësi me përkushtim, diçka që i ka siguruar vetes, gjatë 4 dekava të punës së tij – respektin e audiencave radio-televizive si dhe të kolegëve me të cilët ka punuar gjatë gjithë kësaj kohe.  Një ikonë e vërtetë dhe një prej heronjve të gazetarisë së ushtruar nga Zëri i Amerikës në këtë ndërtesë dhe nga korrespondentët dhe gazetarët e VOA-s, anë e mbanë botës, për 80-vjet nga themelimi i VOA-s.

Gjatë gjithë karrierës së tij, Elez Biberaj ka besuar dhe ka vepruar bazuar në thenjën e ish-gazetarit të ndjerë amerikan Eduard Murrow dhe njërit prej ish-shefave të Zërit të Amerikës, se “Nuk mund të mbrohet liria anë e mbanë botës, n[qoftse nuk përfillet mbrenda vendit tonë.”  Me këtë besim të patundur në lirinë dhe të drejtat e njeriut, Elez Biberaj ia ka kushtuar jetën dhe karrierën e tij lirisë së fjalës dhe të shtypit, lirisë dhe demokracisë në përgjithësi, si vlera të pazëvëndsueshme amerikane për mirëvatjen e një shoqërie normale, për të gjithë popujt anë e mbanë botës, përshir botën shqiptare, të cilës i ka kushtuar jetën dhe veprimtarinë e tij për pothuaj gjysëm shekulli. 

                   Dr. Elez Biberaj duke mbajtur fjalimin e rastit

Kam një porosi nga miku ynë i përbashkët, Profesori i njohur dhe i nderuar, Nick Pano që edhe në emër të tij t’ju përcjell urimet e tija për pensionimin tuaj, ndërsa shpreh keqardhjen për pamundësinë për të marrë pjesë në këtë pritje sot.  Profesori Pano shpreh respektin e tij për arritjet e jashtëzanokshme personale dhe profesionale, duke përfshir edhe kontributet e Elezit në fushën e studimeve mbi Shqipërinë dhe shqiptarët në përgjithësi. Për më tepër, Profesori Pano – historian dhe specialist i shkencave politike — veçanërisht shprehet për kontributet e Elez Biberajt gjatë karrierës së tij në detyrat e ndryshme e të rëndësishme tek Zëri i Amerikës: “Jam krenar dhe mirënjohës për qëndrimet tua parimore gjatë përiudhës që ke shërbyer në detyrën e Drejtorit të Zërit të Amerikës (në detyrë). Admiroj cilësitë aq të dukëshme në jetën tënde profesionale dhe private”, i është drejtuar Profesori Nick Pano, kolegut dhe mikut të tij, Elez Biberajt, në ditën e pensionimit të tij, duke përmbyllur mesazhin e tij me këto fjalë andmiruese: “Në përmbledhje, i dashur Elez, ju keni nderuar familjen tuaj, duke bërë krenar ata dhe komunitetin shqiptaro-amerikan, vendin tonë (Amerikën) ku jetojmë, si dhe Kombin Shqiptar. Jam krenar që të kam njohur si mik dhe si koleg për pothuaj 5 dekada, përfundon mesazhin e tij Profesor Nick Pano, drejtuar Elez Biberajt me rastin e pensionimit  nga Zëri i Amerikës, pas 43 vitesh shërbim.

Pa e zgjatur më tutje, as unë do të dija të them gjë më shumë as më mirë se Profesori ynë i nderuar Nick Pano. Edhe unë jam krenar për arrijtet tua, duke të falënderuar për miqësinë dhe bashkpunimin profesional gjatë dekatave.

Urime dhe çdo të mirë në pension!

Frank Shkreli

        Drejtori John Lipmann duke i dorëzuar Z. Biberaj dekoratën për Arritje Karriere

  I kënaqur dhe i lumtur me veten, familjen dhe me karrierën e tij

Autori me Profesorin Nick Pano, njëherazi mik dhe bashkpuntor i ngusht i Dr. Elez Biberaj gjatë dekadave.

Në një moment reflektimi pas ceremonisë festive në Washington të enjtën që kaloi

                              Të lumtë Elez! Job well done, my friend!

                        Kujtim nga festimi i pensionimit të Dr. Elez Biberaj, 

                                   Washington DC, 14 Dhjetor, 2023

A retirement celebration invitation with a picture of a person

Description automatically generated

Filed Under: Politike Tagged With: Elez Biberaj, Frank shkreli

Për Kosovën, sot, nesër dhe përjetë

December 16, 2023 by s p

Adresimi vjetor i Presidentes Osmani në Kuvendin e Republikës së Kosovës

I nderuar kryetar i Kuvendit, z. Konjufca,

I nderuar kryeministër Kurti dhe kabinet qeveritar,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,

Të nderuar ambasadorë,

Mysafirë të nderuar,

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Ju flas në fund të një viti jo të lehtë për shtetin tonë. Ishte një vit i ballafaqimit me vështirësi, në veçanti në fushën e sigurisë, meqë më 24 shtator, Kosova u përball me situatën më të rrezikshme që nga pavarësia e saj.

Një grup terrorist e paramilitar, i financuar, trajnuar dhe i mbështetur nga Serbia, e mbi të gjitha, i urdhëruar nga lidershipi i këtij shteti, kreu akt agresioni me planin e qartë që të aneksohet veriu i Kosovës dhe të shkaktohet destabilizim jo vetëm i vendit tonë, por edhe i të gjithë rajonit.

Në këtë ditë, Kosova u përball me një agresor, tinëzar në veprim, por të dukshëm në ambicie, me synimin e qartë të cenimit të themelit të shtetit tonë, Republikës për të cilën ranë shumë dëshmorë ndër breza.

Ky sulm, i cili në vazhdën e ideve e planeve shoviniste e hegjemoniste të Serbisë, ekspozoi sërish fytyrën e vërtetë të fqinjit tonë verior, ëndërr e përhershme e të cilit mbetet realizimi i konceptit fashist të “Botës serbe”.

Në këtë kohë kur është sfiduar drastikisht siguria në gjithë kontinentin tonë, plani famëkeq për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit mori përgjigjen e merituar.

Në këtë ballafaqim, terroristët vranë policin Afrim Bunjaku, ndaj ai u bë dëshmori dhe heroi më i ri në historinë e Kosovë dhe njëri nga të shumtët që ra fli në mbrojtje të integritetit dhe sovranitetit të shtetit tonë.

Ata vranë një, por mobilizuan mijëra djem e vajza nga radhët e Policisë sonë, të cilët po atë ditë dhanë mesazh të qartë: Kosova nuk zmbrapset, Kosova nuk thyhet dhe Kosova do t`i mbrojë kufijtë e saj në çdo cep dhe me çdo kusht.

Askush dhe asgjë nuk do ta largojë Republikën tonë nga aspiratat e saj legjitime për ta shtrirë sundimin e ligjit në gjithë territorin tonë.

Askush dhe asgjë nuk do ta largojë Republikën tonë nga përpjekja e çdoditshme që këtë vend ta bëjmë të sigurt dhe të dinjitetshëm për të gjithë qytetarët e saj, pa dallim.

Të nderuar deputetë,

Të nderuar të pranishëm,

Sulmi i 24 shtatorit dëshmoi sërish profesionalizmin e jashtëzakonshëm dhe trimërinë e guximin e institucioneve të sigurisë së Kosovës. Dua sërish të shprehë mirënjohjen e thellë për policinë e Kosovës, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe të gjitha institucionet e angazhuara në ndaljen e këtij agresioni të Serbisë.

Por, të nderuar deputetë, sulmi i 24 shtatorit është po ashtu tregues i qartë se Serbia dhe nomenklatura aktuale politike e saj nuk është e interesuar as për paqe të qëndrueshme, as për fqinjësi të mirë, e as për përmbyllje të procesit të dialogut me Kosovën.

Fatkeqësisht, politika e sotme e Vuçiqit është politika e djeshme e Millosheviqit.

Prandaj, ambiciet hegjemoniste nuk kanë marrë fund. Banjska ishte vetëm një paralajmërim, ndaj Serbia nuk do të heqë dorë nga planet e saj të errëta. Në esencë, Serbia me veprime të tilla po e godet gjithë Evropën, sepse po punon për interesa të faktorëve malinj që kanë për qëllim ta godasin BE-në e NATO-n, nëpërmjet destabilizimit të Ballkanit Perëndimor.

Por, pavarësisht nga këto synime të Serbisë, ne jemi këtu, siç kemi qenë në periudha të hershme të historisë, siç kemi qenë këtu më 24 shtator dhe siç do të jemi çdo ditë e përgjithmonë për t`u bërë gardianë të Republikës sonë.

Të nderuar deputetë,

Pikërisht në kohë të vështira, populli i Kosovës dhe përfaqësuesit e saj kanë ditur të bashkohen rreth kauzës në mbrojtje të shtetit tonë të ndërtuar me aq shumë sakrifica. Kjo u dëshmua edhe pas 24 shtatorit, kur i gjithë faktori politik në vend u bashkua në mbrojtje të Republikës sonë, duke dëshmuar se në përballje me politikat hegjemoniste të Serbisë, ne jemi një.

Ne, bashkërisht duhet të vazhdojmë të qëndrojmë të vendosur e të palëkundur kundër përpjekjeve për ta goditur Republikën tonë.

Në situata të tilla nuk duhet të ketë ndarje partiake apo ideologjike, duhet të ketë unitet, pa dallim.

Rreshtimi i vetëm që na duhet sot është rreshtimi në anën e shtetit tonë të pavarur e sovran.

Mbrojtja dhe ekzistimi i këtij shteti është testament i trashëguar nga brezat para nesh, prandaj e kemi për detyrë ta lëmë më të fortë e më të përparuar për brezat që vijnë pas nesh.

Ne jemi pak për të qenë të ndarë dhe me qëndrime të dallueshme për situata si kjo, kur vetëm uniteti është përgjigja e duhur për ta mbrojtur sovranitetin e shtetit tonë.

Këtë rrezik nuk e kemi kaluar, ndaj nuk duhet t`i nënshtrohemi ndarjes e dallimeve, por të jemi të bashkuar në vendosmërinë tonë në përballje me Serbinë e të qëndrojmë këmbëngulës dhe të palëkundur kundrejt sfidave të sigurisë.

Policia e Kosovës punon pa lodhur, duke u përballur me rrezik të vazhdueshëm, por, siguria nuk është vetëm përgjegjësi e tyre. Është një përgjegjësi e përbashkët që bie mbi secilin prej nesh. Prandaj, duhet të qëndrojmë vigjilentë e të bashkuar kundrejt situatave të tilla.

Të nderuar deputetë,

Procesi i dialogut me Serbinë sa vjen e po bëhet më i vështirë, kjo nga jokonstruktiviteti, obstruksionet dhe përpjekjet e Serbisë që të shkaktojnë destabilitet jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë.

Mungesa e balancit dhe e qasjes së trajtimit të barabartë në dialog i ka bërë dëm jashtëzakonisht të madh këtij procesi. Kosova akoma përballet me masa të padrejta e joproporcionale të cilat prekin drejtpërdrejt interesin e qytetarëve të saj. Në anën tjetër, duke mos vendosur masa ndaj Serbisë për aktin e agresionit të 24 shtatorit dhe për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it e gazetarëve përgjatë majit, për fat të keq ky shtet vetëm po inkurajohet që të vazhdojë të përdorë dhunë.

Një trajtim i tillë i pabarabartë i palëve do të jetë një goditje për vet kredibilitetin e procesit të dialogut dhe pengesa kryesore për suksesin e këtij procesi.

Siç e dini, të nderuar deputetë, së fundi Kosovës i është dorëzuar një propozim – draft statut për një asociacion të komunave me shumicë serbe, i hartuar nga partnerët tanë. Përderisa vlerësimi i hartuesve është se një draft i tillë është në harmoni me Kushtetutën, dua të ritheksoj se institucioni që do të duhet ta bëjë këtë vlerësim, duke u udhëhequr nga parimi i pavarësisë dhe profesionalizmit, është Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës. Është me rëndësi që të gjithë ne, pa dallim partiak, të ulemi dhe bashkërisht të përgatisim komentet tona bazuar në shqetësimet që mund t’i kemi dhe t’i dërgojmë ato në Gjykatën Kushtetuese kurdo që ky draft do të dorëzohet para këtij institucioni. Qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë që të sigurojmë përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe mos të lejojmë një pushtet të ndërmjetëm të qeverisjes apo anomali të tjera të cilat rrezikojnë funksionimin e brendshëm të shtetit tonë. Prandaj, në mënyrë që qëllimet tona të përbashkëta të përkthehen edhe në veprime të përbashkëta, përveç konsultimeve të vazhdueshme me kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit, kam ftuar në takim edhe liderët e partive opozitare, me qëllim që për këtë temë sfiduese, të ndërtojmë një qëndrim të unifikuar në mbrojtje të funksionimit të Republikës sonë.

Të nderuar deputetë,

Të nderuar të pranishëm,

Si udhëheqëse e politikës së jashtme dhe përfaqësuese e vendit jashtë, ashtu siç edhe përcaktohet në Kushtetutë, fuqizimi i aleancave ekzistuese dhe krijimi i atyre të reja, vazhdon të mbetet ndër prioritetet kryesore të punës sime.

Ky nuk është një proces i lehtë, duke qenë se përpjekjet e Serbisë dhe përkrahësve të saj në Kremlin për ta minuar pozicionin ndërkombëtar të Kosovës sa vijnë e shtohen. Synimi i tyre nuk është vetëm të dëmtojnë Kosovën, por ta dëmtojnë edhe një projekt të suksesshëm ndërkombëtar të aleatëve perëndimor që ka rezultuar me lirinë e pavarësinë tonë.

Në luftimin e propagandës serbo-ruse dhe përpjekjeve të tyre për goditje të shtetësisë së Kosovës, angazhimi im ka qenë intensiv dhe i palëkundur. Përgjatë këtij viti kam pasur afër 200 takime e bashkëbisedime me krerë shtetesh e krerë qeverish, si dhe takime shtesë me udhëheqës të tjerë institucionalë e udhëheqës të organizatave më të fuqishme ndërkombëtare.

Jam krenare për punën që kemi bërë së bashku me ekipin tim në riparimin e shumë dëmeve që janë bërë nga kundërshtarët e Kosovës dhe parandalimin e shumë të tjerave, e mbi të gjitha për punën e bërë në përmirësimin e imazhit dhe pozitës së Kosovës ndërkombëtarisht, përderisa jam e vetëdijshme se rrugë jo e lehtë na pret përpara në avancimin ndërkombëtar të vendit tonë. Kemi arritur suksesshëm t`i rikonfirmojmë gati 100 për qind të njohjeve për çdo rast kur Serbia pretendonte kinse çnjohje të shtetit tonë, e të ndërtojmë aleanca të reja me shtetet që së shpejti pritet ta marrin këtë vendim.

Aplikimi ynë për anëtarësim në Këshillin e Evropës është një dëshmi e përkushtimit tonë ndaj vlerave demokratike, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës. Njëkohësisht, dorëzimi i kërkesës se Kosovës për statusin e kandidatit në BE, vë në pah përkushtimin tonë të palëkundur ndaj integrimit dhe të ardhmes sonë evropiane.

Ndërsa sfidat vazhdojnë, ne i qasemi kësaj rruge me këmbëngulje dhe me përkushtim, e mbi të gjitha me orientim të qartë strategjik, duke adresuar shqetësimet, duke zbatuar reformat dhe duke nxitur bashkëpunim me institucionet evropiane.

Pavarësisht se sa komplekse është, ne asnjëherë nuk do të heqim dorë nga kjo rrugë, përkundër vonesave të padrejta që bëhen përgjatë saj. Por, duke pasur parasysh sfidat e sigurisë me të cilat ballafaqohet Kosova e i gjithë rajoni ynë, jam më e bindur se kurrë se anëtarësimi ynë në NATO duhet të jetë prioriteti ynë numër një. Aspiratat tona për anëtarësim në aleancën më të fuqishme ushtarake janë të vendosura, të bazuara në përkushtimin tonë për sigurinë dhe stabilitetin rajonal e global.

Me qëllim të shtyrjes përpara të prioriteteve tona, është shumë me rëndësi që shqiptarët në rajon të unifikojnë politikën e jashtme në të gjithë organizmat ndërkombëtar. Shqipëria është zëri ynë atje ku nuk kemi përfaqësim, ndaj pavarësisht dallimeve që kemi pasur në disa çështje, ne duhet të vazhdojmë të koordinohemi dhe ta konsiderojmë shtetin shqiptar jo vetëm shtet simotër, por aleat strategjik të fuqishëm në përballje me sfidat që i kemi përpara.

Në të njëjtën kohë kam vazhduar të ngrisë kudo në takimet ndërkombëtare çështjen e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, të cilët po përballen çdo ditë me diskriminimin mbi baza etnike në Serbi. Kam kërkuar reagimin e bashkësisë ndërkombëtare kundrejt spastrimit etnik të kësaj pjese me shlyerjen e adresave të tyre me qëllim të ndryshimit të demografisë. Shumë nga shqiptarët e këtyre komunave tani janë pa shtetësi e pa mundësi për të realizuar të drejtat e tyre elementare. E kur jemi te shtetësia, ka qenë e pafalshme që për vite të tëra, procedurat për marrje të shtetësisë së Kosovës për shqiptarët nga Presheva, Medvegja e Bujanoci kanë qenë të njëjta me ato që vlejnë për qytetarë që vijnë nga kontinente të largëta. Prandaj, kam propozuar që në ligjin e ri për shtetësi, i cili është duke u përgatitur, të parashihen lehtësira në procedurat për marrjen e shtetësisë për bashkëkombasit tanë nga Lugina dhe shpresoj që ky propozim do të përkrahet nga ju sapo të vijë në Kuvend.

Të nderuar deputetë,

Në këto dy dekada pune në institucionet e Kosovës, gjithnjë kam besuar se aleancat tona janë fuqia dhe përparësia jonë e madhe në çdo proces. Qytetarët tanë e dijnë më së miri këtë, sepse e kanë përjetuar e parë vet se si pikërisht fuqia e këtyre aleancave të ndërtuara mbi vlerat përbashkëta e të ndërthurura me vullnetin e qytetarëve tanë e luftën çlirimtare, na shpëtuan jetërat, na bënë të mundur lirinë pas shumë sakrificash e na ndihmuan të ndërtojmë shtetin e ëndërruar për breza të tërë.

Sot, në këtë adresim vjetor, në emër të qytetarëve të Republikës sonë, shpreh mirënjohje të thellë ndaj shteteve mike e aleate të Kosovës, pa të cilat nuk do të ishim këtu ku jemi e me të cilat, jam e sigurt, që udhëtimi përpara do të shënohet nga suksese të reja. Sot, në veçanti, dua të falënderoj aleatin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha shtetet e tjera demokratike në Evropë e përtej.

Prandaj, edhe sot, kur sfidat që Kosova i ka përpara nuk po zvogëlohen, Kosova duhet të vlerësojë e të fuqizojë më shumë se çdo herë tjetër aleancat e saj. Bashkëpunimi e bashkërendimi me ata që na qëndruan pranë në momentet më të rënda të historisë sonë nuk është as nënshtrim e as dobësi. Në fakt është veprim në shërbim të shtetit. Shteti ynë i ka themelet e forta sepse qëndron mbi sakrificën e popullit tonë, por edhe mbi partneritetet që i kemi ndërtuar. Këta partnerë luftuan krah për krah me popullin e Kosovës, edhe kur na kanosej shfarosja, edhe kur mbronim shtetin tonë para e pas pavarësisë, edhe kur shënonim sukses pas suksesi në rrugëtimin tonë për fuqizimin e pozitës sonë ndërkombëtare.

Natyrisht, kjo nuk do të thotë që gjithnjë e në çdo kohë do të pajtohemi, sepse mospajtime ndonjëherë ka edhe brenda së njëjtës familje. Por, të gjitha duhet t’i diskutojmë e t’i tejkalojmë me respekt reciprok e mbi të gjitha, duke mos lëkundur asnjëherë besimin. Rruga jonë përpara është e gjatë e aspak e lehtë. Por përkundër sfidave, jam e sigurt që puna që po e bëjmë së bashku ditë pas dite së shpejti do të na udhëheq drejt sukseseve të reja që do i shtojnë madhështinë partneriteteve tona me vendet mike e do i hapin Kosovës sonë të dashur kapituj të ri të arritjeve historike.

Të nderuar deputetë,

Të nderuar të pranishëm,

Përkundër vështirësive e sfidave të shumta, gjatë këtij viti, falë angazhimit të institucioneve të sigurisë, zbatimi i ligjit në Kosovë është realizuar në mënyrë profesionale, efektive dhe efikase.

Mbajtja e rendit dhe sigurisë publike, parandalimi dhe zbulimi i krimit, mbrojtja e të drejtave dhe të lirive të njeriut, si dhe trajtimi në mënyrë të barabartë i të gjithë qytetarëve pa dallim, kanë dëshmuar për një shërbim policor me vlerat më të larta, kompetent në të gjitha aspektet, të besuar nga qytetarët, si dhe duke na bërë krenar me performancën. Prandaj mirëpres rritjen e vlerësimit për Policinë e Kosovës, përderisa mbes me shpresë se në muajt në vijim do të bëhet edhe shumë më shumë, sidomos për njësitë që vazhdimisht janë në mbrojtje të sovranitetit tonë, duke pasur parasysh rrezikshmërinë me të cilën përballen.

Gjithashtu, si Presidente e Republikës dhe Komandante Supreme e Forcës së Sigurisë, jam shumë krenare me djemtë dhe vajzat e FSK-së, të cilët kanë ndërtuar dhe zhvilluar kapacitete operacionale për realizimin e mandatit të tyre kushtetues e ligjor. Krahas mirënjohjes dhe vlerësimit të lartë për sukseset dhe të arriturat e Policisë dhe Ushtrisë sonë dhe rritjes së buxhetit të mbrojtjes në 2% të GDP, është me rëndësi të përmirësojmë edhe statusin e mirëqenien sociale e ekonomike të personelit në institucionet tona të sigurisë.

Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë, si trashëgimtare të vlerave të luftës për liri, pavarësi dhe demokraci, u ndërtuan dhe u zhvilluan me mbështetjen e madhe të partnerëve tanë, të cilëve u jemi mirënjohës përjetësisht.

Ky sistem dhe këto vlera kanë mundësuar që Policia dhe Ushtria jonë, të na bëjnë krenar me të arriturat e tyre, si polici dhe ushtri moderne, efikase, sipas standardeve më të larta të vendeve demokratike.

Të gjitha këto të arritura të Policisë së Kosovës konfirmojnë kërkesën e arsyeshme, gatishmërinë dhe vullnetin tonë për anëtarësim në INTERPOL dhe EUROPOL, sikurse edhe sa i përket FSK-së, e cila me sukseset e saj ka dëshmuar fuqishëm se Republika e Kosovës është e gatshme dhe meriton vendin e anëtarit fuqiplotë dhe dinjitoz në NATO, si synim kryesor shtetëror i institucioneve dhe qytetarëve të Republikës sonë.

Pavarësisht kërcënimeve shumë serioze ndaj integritetit territorial të Kosovës dhe akteve të drejtpërdrejta të agresionit, e mirëpres thellimin e komunikimit, koordinimit dhe bashkëpunimit ndërmjet reaguesve të parë të Kosovës – Policisë sonë – dhe Eulexit e KFOR-it, si reagues të dytë dhe të tretë.

Të nderuar deputetë,

Është e domosdoshme që shteti ynë të funksionojë mbi parimet dhe vlerat e përcaktuara nga Kushtetuta jonë. Rol kyç në këtë aspekt ka sistemi ynë i drejtësisë.

Në ketë drejtim, jam angazhuar brenda kompetencave kushtetuese në mënyrë që rritja e kapaciteteve në sistemin e drejtësisë të përcillet pashmangshëm me profesionalizëm, integritet dhe pavarësi të këtyre institucioneve.

Askush nuk na ndalon që ajo çka është ideale, të jetë edhe ideali ynë. Sundimi i ligjit është ideal i shtetit tonë dhe secili nga ne duhet çdo ditë të angazhohet duke bërë që vendi ynë të jetë shembull i sundimit të ligjit. Shfrytëzoj këtë adresim para Parlamentit dhe qytetarëve, për të inkurajuar institucionet e drejtësisë që të bëjnë reforma të cilat destinacion e kanë ofrimin e një drejtësie profesionale dhe të pavarur për qytetarët dhe integrimin tonë në familjen evropiane, si një vend i barabartë ku sundon ligji.

Sistemi i drejtësisë i reformuar, profesional, i pavarur dhe me integritet, është obligim i institucioneve ndaj qytetarëve tanë dhe këtë obligim duhet ta përmbushim pa asnjë justifikim. Për më tepër një sistem i drejtësisë i pavarur, është edhe përgjigja më e mirë ndaj krimit e korrupsionit.

Të nderuar deputetë,

Dhe një vit po e përmbyllim të rënduar nga hija e trishtimit sepse humbëm padrejtësisht e në mënyrë të dhunshme jetë të shenjta të bashkëqytetareve tona të dashura. Liridona Ademaj është emri që kumbon fort sikurse edhe emri i shumë grave e vajzave të tjera si përkujtim i çdoditshëm i dhimbjes përvëluese që ngelet pas kur padrejtësia zë vend fuqishëm.

Kjo tashmë është një plagë e rëndë e shoqërive anë e mbanë botës. Nëse deri tani i referoheshim si pandemi, e vërteta është që kjo tashmë është shndërruar në tragjedinë e ditëve tona.

Ta kemi të qartë njëherë e përgjithmonë, dhuna me bazë gjinore nuk është thjeshtë një ‘çështje e grave’; është test për njerëzimin e një krizë shoqërore që kërkon angazhimin tonë të palëkundur për ndryshim, angazhimin e të gjithëve burra e gra bashkërisht. Dhuna me bazë gjinore është një njollë e patolerueshme në ndërgjegjen e shoqërisë sonë. Nuk është çështje private, është një turp kolektiv, një turp kolektiv me të cilin duhet të përballemi kokë më kokë. Ne qëndrojmë në një moment kyç ku duhet të deklarojmë pa mëdyshje se dhuna kundër çdo gjinie është edhe një sulm mbi thelbin e njerëzores.

Duhet të fuqizohet çdo hallkë në institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë në përballje me këtë fenomen. Në thelb, një sistem i fortë drejtësie nuk është thjeshtë një imperativ ligjor, është një gur themeli në përpjekjet tona më të gjera shoqërore për të çmontuar rrënjët e dhunës me bazë gjinore. Duke i mbajtur autorët përgjegjës e duke u dhënë atyre dënimin e merituar dhe duke siguruar drejtësi për të mbijetuarit, ne hedhim themelet për një të ardhme më të sigurt dhe më të barabartë për të gjithë.

Seksizmi është prezent pothuajse çdokund. Pothuajse secila grua e ka përjetuar atë, në një mënyrë apo tjetrën. Dallimi është në aftësinë e institucioneve për t’ju përgjigjur e në mundësitë për t’u ballafaquar me të.

Një grua e barabartë, një grua e fuqizuar, një grua e arsimuar, një grua me qasje të barabartë në pronë, një grua që ecën e sigurt rrugës, një grua të cilës i shërben drejtësia njësojë si edhe çdo burri, kjo grua është armiku më i madh i patriarkatit dhe seksizmit. Por kjo grua, njëkohësisht, është pasuria më e madhe e një shteti të avancuar e të suksesshëm. Këto duhet të jenë synimet tona, ky duhet të bëhet realiteti ynë.

E kam thënë, rithënë, e do ta them sërish, Kosova nuk ka vajza e gra për të humbur.

Të nderuar deputetë,

Brenda kësaj ndërtese ndërthuret puna jonë, puna juaj dhe interesat e qytetarëve të Kosovës.

Ky interes është parësor, ngase ju jeni kujdestar të vullnetit të popullit, teksa pesha e detyrës sonë kolektive është e jashtëzakonshme.

Aspirata jonë evropiane, llogaridhënia, sundimi i rendit dhe ligjit përcaktojnë fatin e qytetarëve tanë, të cilëve u shërbejmë.

Vendimet tona, debati dhe përkushtimi për të mirën qytetare kanë luajtur rol esencial, ndaj kam besim që sadopak t`ua kemi lehtësuar jetën.

Është detyrë e jona të udhëheqim me ndjeshmëri dhe largpamësi, duke u siguruar që çdo politikë e hartuar në shtëpinë e qytetarëve të pasqyrojë vullnetin dhe vlerat, të cilat i përfaqësojnë qytetarët tanë.

Ne duhet të bëjmë edhe më shumë, ne mund të bëjmë edhe më shumë dhe nuk do të ndalemi për të bërë edhe më shumë!

Viti në të cilin do të hyjmë nuk do të jetë pa sprova, të cilat do të kërkojnë angazhimin tonë për t`i adresuar kërkesat e atyre që kanë më së shumti nevojë, për t`i mbrojtur të pambrojturit dhe për ta mbrojtur kauzën e drejtësisë dhe të barazisë.

Përgjegjësia jonë nuk përfundon vetëm duke i trajtuar problemet, por duke gjetur zgjidhjet më të mira dhe duke krijuar mundësitë për formësimin e perspektivës më të mirë për të gjithë qytetarët tanë pa dallim.

Viti që po lëmë pas kaloi në përpjekjen tonë të vazhdueshme për shtrirjen e funksionimit të ligjit në tërë territorin e shtetit.

Ky është synim parësor i yni nga i cili nuk do të heqim dorë me asnjë kusht. Ne jemi këtu për një Kosovë më të mirë në çdo cep të saj, një Kosovë që është shtëpi e të gjithë qytetarëve pa dallim.

Ky është obligim i yni kushtetues.

Zbatimi i ligjit është sfidë e përditshme që nuk fillon e as nuk mbaron në periudha të caktuara.

Për një gjë të tillë duhet angazhim jo vetëm i të gjithë qytetarëve, por edhe i tërë spektrit politik, duke e kuptuar rëndësinë e një Kosove stabile ku rendi e ligji janë prioritete tona shtetërore, të cilat më pas mund të përkthehen në zhvillim ekonomik, krijim të një mjedisi për investitorë të jashtëm, por mbi të gjitha për ta ruajtur potencialin e rinisë sonë, e cila perspektivën e saj duhet ta kërkojë këtu.

Republika jonë është vetëm 15 vjeçare. Ndërmend e kemi forcën dhe qëndrueshmërinë, krahas trashëgimisë së skalitur si një dëshmi e përkushtimit, sakrificës dhe heroizmit të dëshmorëve tanë për Kosovën shtet.

Shteti i Kosovës tashmë është farkëtuar dhe mishëron idealet mbi të cilat u krijua dhe padyshim është dëshmi e guximit të atyre që guxuan të ëndërrojnë dhe të luftojnë për lirinë dhe pavarësinë tonë.

Sot, sikurse në asnjë vit më parë të ekzistencës së shtetit tonë, kemi nevojë të rikonfirmojmë përkushtimin dhe besnikërinë ndaj këtij shteti të ndërtuar mbi sakrifica të panumërta. Duhet të dëshmojmë se jemi të palëkundur ndaj parimeve mbi të cilat u ndërtua Republika jonë si një shtet në të cilin ka vend për të gjithë, pavarësisht përkatësisë.

Një Republikë që promovon vlerat demokratike, të drejtat e njeriut dhe shtetin ligjor.

Fuqizimi i Republikës sonë kërkon përkushtim, devotshmëri dhe patriotizëm kushtetues.

Republika e Kosovës është ndërtuar mbi sakrificën e shumë brezave, rezistencën paqësore të udhëhequr nga Presidenti Rugova, luftën tonë çlirimtare të udhëhequr nga UÇK-ja në krye me komandantin Adem Jashari, dëshmorët e martirët e shumtë dhe falë ndihmës së aleatëve tanë të prirë nga Shtetet e Bashkuara.

Shteti ynë i pavarur është një Republikë që evoluon çdo ditë, konsolidohet çdo ditë e më tepër, integrohet gjithnjë e më shumë në arenën ndërkombëtare dhe është atdheu ynë për të cilin nuk duhet të kursejmë asgjë. Sfidat nuk duhet të na ndalin e as të na dobësojnë. Nga ky tempull i demokracisë, mesazhi im këto dy dekada ka qenë dhe gjithnjë do të mbetet: Kosova për ne është më shumë sesa vetëm shtet, është ideali dhe sakrifica jonë e përhershme, është përcaktimi ynë jetësor për liri, pavarësi e demokraci. Prandaj, jemi këtu për Kosovën, sot, nesër dhe përjetë!

Filed Under: Politike

Degët në mbështetje të Vatrës, dënojnë ashpër sulmet, baltën dhe propagandën antikombëtare ndaj Federatës Vatra

December 14, 2023 by s p

Alfons Grishaj/

Me datën 13 /12 /2023, Drejtori i Degëve të Vatrës në Amerikë, z. Mondi Rakaj, thirri një takim zoom me të gjitha Degët e Vatrës në Amerikë dhe Kanada. Në takim merrte pjesë dhe Kryesia e Vatrës me Kryetar Dr. Elmi Berisha.

Z. Rakaj bëri një ekspoze për arritjet dhe sfidat që ka kaluar dhe po kalon Vatra. Ai foli dhe për detyrat e Degëve dhe anëtarëve të Vatrës.

Në mbledhjen zoom, merrnin pjesë dhe Kryetarët e Degëvë, Efi Qeleshi, Dr. Iris Halili, Mirela Kanini, Prof. Dr.Thanas Gjika, Gëzim Nika, Isuf Spahia, At. Theofan Koja, Adriatik Spahiu, Adem Malellari, Ylli Dosku. Në pamundësi për të marrë pjesë në takim, Julian Çefa dhe Toni Sufaj, kishin deleguar votën e tyre z. Mondi Rakaj. Dr. Skënder Murtezani dhe Drita Vushaj patën vështirësi teknike pë të hyrë në zoom. Në takim ishin të pranishëm dhe Kryesia e Vatrës me Kryetar Dr. Elmi Berisha, zv/Kryetari Alfons Grishaj, Kryetari i Këshillit të Vatrës Kolec Ndoja, Sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj, Dr. Dritan Demiraj, Dr. Paulin Marku, Tasim Ruko, Ilir Cubi, Besim Malota. Kryesia dhe Kryetarët e Degëve diskutuan për punën që kanë bërë, duke kërkuar më tepër bashkëpunim me Qendrën. Folësit mbështetën Kryesinë dhe Kryetarin Berisha. Në takim u diskutua dhe problemi që kanë sjellur disa përsona në Vatër, ku të pranishmit shprehen hapur kundërshtinë dhe pakënaqësinë e tyre. Kryetari Berisha falenderoi nga zemra për punën e bërë nga Degët dhe siguroi të pranishmit që në të ardhmen, bashkëpunimi do të jetë shumë më i afërt dhe më frytëdhënës.

Në mbarim të mledhjes, Drejtori i Degëve, Mondi Rakaj, lexoi një Komunikatë për Shtyp, duke i kërkuar të pranishmit që t’a votojnë kundër ose pro. Deklarata kaloi me unanimitet të plotë. Mbledhja përfundoi me sukses.

Komunikatë për Shtyp:

“Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA dënon ashpër çdo akt sulmi, balte, linçimi, proteste e njollosje ndaj VATRËS, DIELLIT e vatranëve.

Federata Vatra distancohet prej individëve që mbjellin urrejtje, ndasi, përçarje e ndarje.

Federata Vatra dënon spektaklet e ndyra mediatike para Selisë Qëndrore të Vatrës, veprimet, protestat, tubimet në kundërshtim me Kanunoren dhe që dëmtojnë imazhin e Vatrës e të kombit shqiptar.

Vatra nuk do pajtohet kurrë me pazaret dhe luftën personale të ish-vatranëve që duan shkatërrimin e Vatrës, që mbajnë peng njëri-tjetrin me video regjistrime e përgjime, që vjedhin dokumentet e Vatrës dhe i mbajnë në shtëpi, që nuk respektojnë dhe shkelin ligjet e shtetit amerikan e kushtetutën e Vatrës.

Federata Vatra iu bën thirrje të gjithë patriotëve në mërgatën e Amerikës që të distancohen nga një grup antishqiptar që sulmon Vatrën e Diellin prej dy vitesh dhe garanton çdo shqiptar se misioni dhe puna e Vatrës nuk do të ndalet asnjëherë në shërbim të kombit shqiptar e çështjes kombëtare. Vatra e Dielli janë të shenjtë dhe do të jetojnë përgjithmonë”.

Filed Under: Politike Tagged With: alfons Grishaj

“Vatra dhe diaspora shqiptare e Amerikës, krenari për kombin tonë”

December 13, 2023 by s p

Sokol Paja/

New York, 12 Dhjetor 2023 -Në Selinë Qëndrore të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra u ekspozuan veshje kombëtare të krahinave të Zymit të Hasit, Tropojës, Dukagjinit e Zadrimës nën kujdesin e koleksionistes Lajde Kolgjeraj e cila koleksionon 843 veshje kombëtare. Si pjesë e aktivitetit kulturor në bashkëpunim u ekspozuan edhe piktura me motive tradicionale kombëtare të piktores Valdete Berisha. Në emër të Vatrës përshëndeti shkrimtari Mëhill Velaj i cili theksoi rëndësinë e veshjeve kombëtare në trashëgiminë tonë kulturore. “Për Vatrën dhe gjithë diasporen shqiptare në SHBA jam këtu për të shprehur respektin dhe admirimin tim të thellë për ju. Ju jeni fryma dhe forca e komunitetit tonë larg atdheut. Përkushtimi juaj për promovimin e kulturës, identitetit dhe solidaritetit shqiptar është frymëzues për ne. Në këtë vend të largët, ju jeni mbrojtësit e trashëgimisë sonë duke e përhapur dhe e ndërthurur atë me kulturën dhe shoqërinë e re në të cilën jetoni. Me përpjekjet tuaja, po formohen ura të forta të bashkëpunimit dhe bashkëjetesës midis komuniteteve, duke ndihmuar në ndërtimin e një jete të përbashkët dhe të pasur në përvojat dhe vlerat shqiptare. Ju e vazhdoni këtë udhëtim të lavdishëm të shpërndarjes së dijes, kulturës dhe dashurisë për atdhenë në çdo hapsirë dhe në çdo moment. Jeni mrekulli dhe jemi krenarë që kemi një diaspore të tillë guximtarësh dhe të përkushtuar për çështjen kombëtare” tha ndër të tjera në fjalën e saj koleksionistja Lajde Kolgjeraj.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 118
  • 119
  • 120
  • 121
  • 122
  • …
  • 667
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ÚJ IFJÚSÁG (1968) / “PËR TË ARDHMEN DËSHIROJ VETËM NJË GJË : PAQE DHE QETËSI.” — INTERVISTA ME MBRETËRESHËN GERALDINË NË MADRID
  • Sot, 35 vjet nga rivendosja e marrëdhënieve me SHBA
  • Kujtojmë në ditën e lindjes Faik Konicën, një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare
  • Lamtumirë Jürgen Habermas, një prej ndërgjegjeve më të mëdha të Evropës moderne
  • Hormuzi dhe Kharg: beteja për arterien e naftës botërore
  • PRANVERA E DINJITETIT – KUJTESË E SAKRIFICËS DHE GUXIMIT PËR LIRI
  • ANGELA KOSTA DHE CHANEL BASHHYSA FITUESE TË ÇIMIMIT NDËRKOMBËTAR TË EKSELENCËS “DIVINAMENTE DONNA” NË SENATIN E REPUBLIKËS ITALIANE
  • “TASHMЁ JEMI TЁ VJETЁR PЁR T’U KTHYER NЁ SHTЁPI” – POEZI NGA ORIADA DAJKO
  • IRONIA DHE HIPOKRIZIA RRETH PRONËSIMIT TË KATEDRALËS NË SHKODËR
  • Dita e Verës – Festa e lashtë e ripërtëritjes shqiptare
  • Luan Rama sjell në Tiranë tablotë ikonike të piktorëve francezë për Shqipërinë dhe shqiptarët
  • Në Tiranë u zhvillua koncerti “Me Zanin e Bjeshkëve” i këngëtarit Gëzim Nika “Mjeshtër i Madh”
  • Shqipëria ka nevojë për Xhorxh Uashingtonët e saj
  • Kriza globale, nga Ukraina në Lindjen e Mesme
  • IRONIA DHE STILI NË DEBATET MES NOLIT DHE KONICËS 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT