• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Premiera e filmit dokumentar Kujtesa e Gurëve për arkitektin shqiptar të shekullit XV Andrea Alesi hap rrugën për njohjen e figurës së tij

April 24, 2023 by s p

Rafaela Prifti/

Premiera e filmit dokumentar shqiptar Kujtesa e Gurëve në sallën e Producers Club në Manhattan, Nju Jork të shtunën ishte prezantim filmik i një figure të Rilindjes evropiane, Andrea Alesi, (c. 1425-1505) me të cilin shqiptarët duhet të krenoheshin nëse do ta kishin njohur. Në gurin e varrit të tij të cilin sipas dëshmive e ka punuar vetë mjeshtri pak vite para vdekjes, Alesi e ka lënë të gdhendur identitetin e tij “epirot nga Durrësi”. Një nga arkitektët më të kërkuar dhe më të suksesshëm përgjatë shekullit XV, veprat dhe punimet e Alesit janë të pranishme në vende të qytetëruara evropiane të shtrira nga Sllovenia në Kroaci deri në Italinë qendrore e jugore. Megjithatë ky personalitet i artit të Rilindjes Veneciane, Italiane e Europiane është pak ose aspak e njohur nga bashkatdhetarët e tij në shekullin 21.

Me këtë shtytje Gëzim Gjyrezi, gazetar veteran i Televizionit shqiptar, u bë nismëtari i idesë si edhe skenarist i dokumentarit Kujtesa e Gurëve. Në paraqitjen përpara premierës, Gjyrezi tha se nxitjen e parë e mori nga studimet e Profesor Ramadan Sokolit dhe Profesor Shyqyri Nimanit. Intervistat me personalitete kroate si arkitekti i mirënjohur kroat Andrea Mutnjakoviç, mjeshtri fotograf Luka Mjeda dhe Meri Kunçiç sjellin të dhëna me shumë interes për Andrea Alesin si një emër i cili është “në radhën e parë të artistëve dalmatinë.” Megjithatë ato përfaqësojnë vetëm një pjesë të literaturës akademike kroate kushtuar atij i cili ka realizuar “monumente që ruhen edhe sot, ose të mbrojtura nga shteti ose nga UNESCO,” vërejti Gezim Gjyrezi në hapjen e premierës.

Xhirimet dhe pamjet e dokumentarit paraqesin disa nga punimet e mrekullueshme në mermer dhe gur të Andrea Alesit, si edhe portrete në katedralen e Shibenikut, pageimoria e Katedrales së Trogirit, relievi i pagëzimit të Krishtit në krahët e Shën Marisë si dhe Shën Jeronimi. Sipas dëshmive historike, Andrea Alesi e ka punuar të paktën tetë herë portretin e Shën Jeronimit, dijetarit për të cilin Profesor Ramadan Sokoli teorizon se është me origjinë ilire dhe të cilin mendohet se Alesi e ka krijuar si autoportret. Nëpërmjet hulumtimeve dhe dëshmive, dokumentari jep imazhe filmike të artit të krijuar nga Alesi të cilat vizitori mund t’i shoh në Evropë tek ndërtimi i Kapelës së Kishës së Shën Ungjillorit, sarkofagu i Orsinit te Bekuar, Peshkopi i parë i Trogirit në Kroaci deri te zbukurimi i hyrjes së pallatit Nimira dhe komplekseve të tjera urbane. Ndonëse jeta e tij filloi në varfëri të plotë, talenti si gurëgdhendës e ngriti në sferat më të larta të shoqërisë dalmate të kohës në Mesjetë.

Skenaristi Gëzim Gjyrezi tha se regjisori i mirënjohur Ylli Pepo, i cili nuk mund të udhëtonte nga Tirana për premierën, në bashkëpunim me ekipin e tyre, të përbërë nga profesionistë të dokumentarit si Xhemal Reçi, Lorina Pepo, Gjergji Pano, kanë punuar me përkushtim ndonëse me mbështetje të kufizuar financiare nga Ministria e Kulturës dhe Arsimit në Shqipëri. Ndërsa ekziston një shumësi me studime kroate për skulptorin shqiptar Andrea Alesi, për të gjenden vetëm pak faqe në shqip.

Krijuesit e dokumentarit Kujtesa e Gurëve vënë në dukje kontrastin e theksuar në studime si edhe mungesën e kësaj figure në historiografinë shqiptare, dhe duke hedhur dritë mbi atë hapin rrugën për njohjen e veprave të Andrea Alesit në forma të thelluara si në antologjinë e artit shqiptar, po ashtu në teologji, arkitekturë etj. Ia vlen t’i kushtosh vëmendje varianteve të emrit të mjeshtrit të madh në literaturë dhe studimet akademike. Për shkak se jetoi dhe punoi në disa vende evropiane, paraqitja e artistit të daltimit të gurit merr trajta lingustike të përshtatura të tilla si Andrea Alessi, Andrija Aleši, (Lleshi), Andreas Alexii, Andrea di Niccolo da Durazzo. Mbase nga të gjitha punimet dhe veprat e lëna në gur në objektet fetare dhe sekulare, nënshkrimi i tij në gurin e varrit si “epirot nga Durrësi” mund të jetë “pasaporta” dhe amaneti e tij për bashkëkombasit.

Premiera e filmit dokumentar të shtunën pati edhe disa befasi për pjesëmarrësit e ardhur në Producers Club. Në pjesën prezantuese të premierës u paraqitën dy video mesazhe si vlerësime të karrierës së Gëzim Gjyrezit nga kineasti dhe gazetari Petro Lati dhe regjisori i televizionit shqiptar Jani Tane. Në përfundim të premierës, familja Gjyrezi, nëpërmjet mbesës ftoi të pranishtmit të këndonin së bashku urimin Gëzuar ditëlindjen! për Gëzim Gjyrezin. Më pas vijoi një séancë me pyetje përgjigje nga audienca midis të cilëve kishte kolegë dhe të njohur të gazetarit dhe familjes së tij. Duke komentuar për angazhimin dyvjeçar si edhe orët pagjumë dhe intensitet kushtuar projektit, e shoqja e tij Mira, tregoi se kur konsumimi në punë i Gëzimit arriti deri aty sa ajo në vend që ta thërriste me emrin e tij, një ditë e thërriti “Andrea”. Salla menjëherë reagoi me të qeshura dashamirëse. Edhe po të mbaronte këtu rrëfimi do mbahej mend, por Mira e ndezi sallën edhe më shumë kur tha: “Dhe ai mu përgjigj!”

Një nga pyetjet e audiencës ishte interesimi për ta parë dokumentarin Kujtesa e Gurëve në ekran dhe platforma të tjera. Adem Belliu, pronar dhe drejtor i TV Kultura shqiptare, i cili po xhironte premierën tha se do ta ketë në programin e transmetimeve. Përsa i takon projektit të ardhshëm, Gjyrezi tha se “ky cikël do të ketë në vijim figura të tilla si Kërpaçio” e më pas Bazaiti, Mikeli i Vlorës, Albani dhe Durazzo.

Filed Under: Politike Tagged With: Rafaela Prifti

SHKOLLA E GJUHËS SHQIPE DHE E TRASHËGIMISË “BESA” NË BOSTON DHE KONTRIBUTI PËR GJUHËN, HISTORINË DHE KULTURËN KOMBËTARE SHQIPTARE

April 22, 2023 by s p

Blerina Omari, kordinatore e Shkollës së Gjuhës Shqipe dhe Trashëgimisë “Besa” në Boston, në një intervistë ekskluzive me Editorin e Diellit të Vatrës në New York, Sokol Paja, rrëfen organizimin e mësimit shqip në Boston, sfidat për ruajtjen e gjuhës, kulturës, traditës dhe identitetit kombëtar në mërgatën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

SHKOLLA E GJUHËS SHQIPE DHE E TRASHËGIMISË “BESA” NË BOSTON

Shkolla e Gjuhës Shqipe dhe e Trashëgimisë “Besa” i hapi dyert e saj në Mars të vitit 2006. Qëllimi dhe synimi i shkollës është që fëmijët e lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të ruajnë gjuhën dhe traditat e vendit tonë. Klasat zhvillohen çdo të shtunë prej ores 10-12. Programi i shkollës bazohet në metodologjinë për mësimin e Gjuhës Shqipe që përdoret në Shqiperi. Klasat janë të ndara në 10-15 nxënës për të siguruar cilësinë e mësimdhënjes dhe përqëndrimin e nxënësve. Mesueset e shkolles shqipe janë të përgatitura nga ana profesionale dhe kanë një ekperiencë në mësimdhënie si në Shqipëri ashtu dhe në US. Mësuesit që kontribuojnë me përkushtim e profesionalizëm janë: Mimoza Mustafa, Valbona Nikolla, Teuta Idrizi, Klodiana Idrizi dhe Bashkim Braho instruktor i valles pranë Shkollës së Gjuhës Shqipe dhe Trashëgimisë “Besa” në Boston.

NË QUINCY DHE PEABODY TË BOSTONIT, MËSIM E VALLE SHQIPE

Për vitin shkollor 2022/23 mësimi në shkollën shqipe zhvillohet në dy qytete Quincy (South of Boston) dhe Peabody (North of Boston). Programi i shkollës ofron 2 nivele të mësimit të gjuhës: Parashkollor, Para-Abetare, Abetare si dhe ndërthurjen e mësimit të valles nën drejtimin dhe përkushtimin e z.Bashkim Braho. Programi i shkollës bazohet në metodologjinë për mësimin e Gjuhës Shqipe në Shqipëri. Duke pasur mbështetjen e komunitetit shqiptar (prindërit) dhe dëshirën e madhe për ruatjen e traditave, dhe trashëgimisë së kulturës dhe gjuhës shqipe, shkolla shqipe, stafi i saj kanë qenë të sukseshëm për t’ia arritur këtij qëllimi dhe për të përmbushur misionin e shkollës. Këtë vit kjo gjë ka qenë e dukshme tek pjesëmarrja e lartë e nxënësve në shkollën shqipe për të mësuar gjuhën si dhe vallen që është pjesë e programit mësimor.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË USA

Është e vërtetë që mësimi i gjuhës shqipe, ruajtja e traditave dhe kulturës shqiptare shërbejnë dhe ndihmojnë vazhdimësinë e trashëgimisë tek brezave të lindur në US në lidhje me vendin nënë.

AMERIKANËT MIRËPRESIN MËSIMIN SHQIP

Shoqeria amerikane është shumë tolerante dhe e hapur ndaj diversitetit dhe mësimin e gjuhës shqipe e konsiderojnë si një pjesë të rëndësishme të formimit të fëmijëve kundrejt kulturës dhe prejardhjes familjare. Kemi disa fëmijë ku një nga prinderit është i huaj (amerikan, turk, spanjoll etc) dhe këta prindër janë shumë të interesuar që të mësojnë gjuhën shqipe si për vete dhe për fëmijët e tyre. Ata e vlerësojnë shumë punën e komunitetit dhe të shkollës për të zgjeruar njohuritë e gjuhës shqipe që dhe fëmijët të ndihen të sigurtë dhe krenarë për identitetin e prejardhjes së tyre dhe me kulturën shqiptare.

AKTIVITETET EDUKATIVE E KULTURORE NË SHKOLLËN SHQIPE TË BOSTONIT

Shkolla shqipe ka organizuar shumë aktivitete në lidhje me festa të ndryshme si për shembull festa e 7/8 Marsit ku fëmijët zhvilluan një program të shkurtër me vjersha dhe këngë kushtuar mësuesëve dhe nënave. Gjithashtu nxënësit të veshur kuq e zi festuan ditën e Flamurit në muajin nëntor ku recituan vjersha të shkurtra në gjuhën shqipe për flamurin dhe atdheun.

KUSH ËSHTË BLERINA OMARI

Aktualisht Blerina është koordinatorja e shkollës shqipe në Boston. Ajo ka qenë e angazhuar me aktivitetet e shkolles shqipe që në hapat e saj të para për disa vite si mësuese/koordinatore. Blerina ka kryer studimet e larta dhe mbas universitare për matematikë/mësimdhënie në Boston dhe ushtron profesionin e ekonomistes për siguracionet shëndetësore. Ajo jeton në Boston që prej vitit 1992 dhe dëshira për të ndihmuar komunitetin dhe për të përcjellë njohuritë e gjuhës shqipe tek brezi i ri janë arsyet kryesore për kontributin në shkollën shqipe.

Filed Under: Politike Tagged With: BLERINA OMARI, Sokol Paja

Shqiptaro-amerikanët vijojnë punën për emërtimin e rrugës “Ismail Qemali” në Staten Island, New York

April 21, 2023 by s p

Komuniteti shqiptaro-amerikanë u mblodhën në Ninos Restaurant në Staten Island duke darkuar vëllazërisht dhe diskutuar rreth detajeve të organizimit të ceremonisë së emërtimit të rrugës “Ismail Qemali” në Staten Island më 3 Qershor 2023. Ky manifestim patriotik e komunitar u iniciua nga krytari i shoqatës Albaninan American Association Staten Island Z.Naser Nika e Dr.Bahri Ceka më miqë e shokë patriotë duke pasur mbështetjen e këshilltari i qytetit mr.David Carr and këshilltares Kamillah Hanks.

Prezentë në darkën iftar dhe grupin e punës ishin përfaqësues të organizatave shqiptare Vatra, Ana e Malit, Ulqini, Rozafa etj, shumë biznesmenë, doktorë, avokatë e njerëz vullnetmirë e të ndershëm të komunitetit shqiptar në New York e më gjërë. Të gjithë pjesëmarrësit u shprehën të gëzuar për këtë ngjarje patriotike dhe dhanë mesazhe bashkimi e bashkëpunimi. “TË BASHKUAR BËJMË MË SHUMË” – me këtë motiv organizatorët u bënë thirrje të gjithëve që më 3 Qershor 2023 të bashkohem dhe të festojnë emërtimin e rrugës në nderim të heroit tonë, atit të themelimit të shtetit modern shqiptar, atit të pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemali. Rruga që do emërtohet është në rrugën Seaview Ave në kryqëzim më Father Capodanno Blvd, ku gjithë ceremonia do mbahet në parkun e qytetit që është aty përball rrugës dhë afër Oqeanit më një pamje mbresëlënëse.

Dzemal Lanica, kryetar i Shoqatës Ulqini udhëhoqi mbledhjen dhe është caktuar prej organizatorëve si kordinator për mbarëvajtjen e organizimit të ceremonisë për emërtimin e rrugës “Ismail Qemali”.

Filed Under: Politike

LUFTA E USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS DHE NATO-S,NDËRMARRJE E PËRBASHKËT ÇLIRIMTARE

April 20, 2023 by s p

Dr. Albulenë Halili
Instituti Kërkimor “Maks van der Shtul”
Universiteti i Evropës Juglindore, Tetovë/

(Tri teza)

1. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një ndërmarrje çlirimtare

Në studimet bashkëkohore strategjike gjithnjë e më tepër po zënë vend teori të reja të cilat ofrojnë një kuadër të ri që synon t’i analizojë marrëdhëniet themelore të luftës me politikën në përputhje me traditën e Klauzevicit, sipas të cilit, “Lufta është vazhdim i politikës me mjete të dhunës”. Të rimenduarit e marrëdhënies themelore të luftës me politikën dhe përshtatja me teorinë klasike të Klauzevicit mbi logjikën politike të luftës, përbëjnë qasjet më të reja teorike në fushën e këtyre studimeve dhe jo vetëm.
Duke u nisur nga ky kuadër teorik modern, padyshim edhe nga dijet tona, vijmë në përfundim se çdo studim mbi luftën çlirimtare shqiptare të fundshekullit të kaluar, pra luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të fillojë me studimin e logjikës politike të luftës, të cilën e gjejmë te studimi i pararendëses legjitime të saj – Lëvizjes Popullore të Kosovës.
Kësisoj, filozofia politike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mund të përkufizohet si vijon – çlirimi nga sundimi serb, irredentizmi përmes republikanizimit të Kosovës dhe bashkimi i trojeve shqiptare me shtetin amë, Shqipërinë, si qëllim i fundmë, i mishëruar në betimin e luftëtarit të UÇK-së, ku artikulohej arsyeja përse ai/ajo do të flijonte gjënë më të shtrenjtë e më të shenjtë – jetën.
Në përkufizimin e mësipërm do të veçoja për ta zbërthyer konceptin e çlirimit që është edhe objekt i tezës së parë të kësaj kumtese.
Konceptualizimi i çlirimit rri i dyzuar midis individit dhe kolektives dhe pandashëm me përkufizimin e lirisë si një premisë universale, nga njëra anë dhe shtypjes nga tjetri si mohim i kësaj lirie, nga ana tjetër. Filozofia e çlirimit mbështetet mbi të drejtën natyrore të individit dhe grupit të cilit ai i përket, për të qenë i lirë nga çdo zgjedhë. Premisa e parë e UÇK-së ishte çlirimi i tokave shqiptare nga pushtimi dhe sundimi serb.

2. UÇK-NATO ishin në një aleancë të heshtur për çlirimin e Kosovës

Në vitin 1999, kur fushata bombarduese e NATO-s po vijonte, një zyrtar i lartë perëndimor pati deklaruar se “NATO nuk do të kthehej në një forcë ajrore të UÇK-së”. Por si për ironi të këtij qëndrimi, kjo ndodhi. Shumë shpejt u vërtetua se në rastin e Kosovës një luftë ajrore pa atë tokësore nuk mund të siguronte një fitore. Edhe nëse do të arrihej një e tillë, në rastin më të mirë, do të ishte një fitore e Pirros. Serbët kishin vënë në zbatim operacionin “Patkoi”, një projekt të hollësishëm me synim gjenocidal, që u bë publik në prill në vitit 1999, i cili vijonte ta bënte spastrimin etnik në terren pavarësisht prej sulmeve ajrore të NATO-s, madje me intensitet të lartë e të përshpejtuar.
Kështu, konsensusi i brishtë atlantik filloi të forcohej. Konferenca e Rambujesë dhe roli i Rugovës në të e përforcoi edhe më shumë këtë bindje. Aleatët transatlantikë ishin bindur tashmë se UÇK-ja dhe ajo çfarë përfaqësonte kjo ushtri përbënte forcën dominuese në terren dhe me përkrahjen më të gjerë popullore, ndaj ishte e domosdoshme të bashkëpunohej me të. Për më tepër, gjatë fushatës së bombardimeve fati i popullsisë së mbetur civile ishte i lidhur me atë të UÇK-së. Kështu, ata vendosën për të kontribuar në një riorganizim, riorientim dhe ristrukturim të UÇK-së i cili do të ndodhte padyshim me ndihmën e kuadrove ushtarakë të Shqipërisë.
Pas kësaj kthese lufta për çlirimin e Kosovës u shndërrua në një ndërmarrje të përbashkët çlirimtare UÇK – NATO. Roli i luftëtarëve të UÇK-së në përcaktimin e shënjestrave të bombardimeve ka qenë shumë i rëndësishëm. Por, roli i tyre kryesor ka qenë detyrimi i njësiteve të ushtrisë jugosllave të dilnin në terren të hapur. Këtë e kishte pohuar pas mbarimit të luftës gjenerali amerikan Short, duke thënë se edhe pse NATO nuk ishte aleate zyrtare me UÇK-në, operimi i saj i suksesshëm në terren kishte ndihmuar aeroplanët gjuajtës të mësojnë pozicionet e ushtrisë jugosllave duke mundësuar asgjësimin e tyre.
Një nga studiuesit e njohur të marrëdhënieve transatlantike, Stanley Sloan, lidhur me këtë shkruan: “Ringjallja ushtarake e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si forca kryesore luftarake e shqiptarëve të Kosovës, luajti një rol vendimtar në shpërfaqjen e njësiteve serbe nga fshehja, duke i bërë ato më të ndjeshme ndaj sulmeve ajrore perëndimore. NATO, në fund, kishte një komponentë të forcës tokësore në strategjinë e saj, edhe nëse ajo u zhvillua në heshtje dhe me gjysmë zemre”. Gjatë kulmit të fushatës ajrore të NATO-s u shqua sidomos një bashkëpunim i madh midis grupeve të njësive të UÇK-së dhe forcave speciale britanike të cilat, në bashkëpunim me gjeneralët amerikanë që drejtuan fushatën bombarduese, janë meritorët e çlirimit të Kosovës. Ndaj me të drejtë historiani i njohur i Ballkanit, James Pettifer, shkruan: “UÇK-ja ishte gjithçka që NATO kishte”.

3. Intervenimi i NATO-s në Kosovë qe një test për të ardhmen e saj

Krerët e lartë të diplomacisë së ShBA-së dhe shteteve evropiane vendosën, më në fund, që përmes mekanizmit të NATO-s ta ndalonin gjenocidin serb mbi popullin shqiptar në Kosovë. Kjo nënkuptonte që Kosova në vitin 1999 kishte kaluar në instancat më të larta të sigurisë botërore. Për Kosovën ky ishte fillimi i zgjidhjes së një procesi 100-vjeçar. Për herë të parë gjatë historisë pesëdhjetëvjeçare të aleancës mbrojtëse NATO përdori forcën e saj ushtarake në një hapësirë jashtë territorit të saj dhe mbi një subjekt ndërkombëtar. Me këtë NATO doli nga doktrina tradicionale e saj si aleancë e cila ishte e përcaktuar të vepronte vetëm në rast sulmi dhe brenda kufijve të saj.
Në rast mosintervenimi në një krizë brenda orbitës së saj, NATO do ta vinte në pikëpyetje vetë ekzistencën e saj si një aleancë e mbrojtjes së paqes dhe demokracisë. Këtë e kishte pohuar dhe senatori Durbin në një seancë dëgjimore në Senatin amerikan në vitin 1999: “Unë besoj se NATO ka një të ardhme. Unë sigurisht besoj se Amerika ka një të ardhme në udhëheqjen e saj në botë. Ne jemi duke u testuar në Ballkan. Unë dua ta kaloj atë provë kështu që shekulli XXI të jetë një shekull i paqes”.
Pesëdhjetëvjetori i aleancës transatlantike qe një nga çastet më kulminante të historisë së saj të pas Luftës së Ftohtë. I gjithë Samiti i Uashingtonit, ku edhe u rishqyrtua koncepti strategjik dhe drejtimi i saj në mijëvjeçarin e ri, u përshkua nga zhvillimet në hapësirën ajrore ballkanike, për t’i dhënë fund gjenocidit serb mbi popullatën shqiptare të Kosovës. Koncepti i ri strategjik, i cili u miratua gjatë këtij samiti, i cili u mbajt një muaj pas fushatës ajrore të NATO-s kundër Serbisë, përmbante udhëzimet për përgatitjen e aleancës për sfidat e sigurisë, por edhe për mundësitë e shekullit XXI.
Në këndvështrimin global, ndihma e NATO-s për zgjidhjen e krizës në Kosovë luajti rol vendimtar për kthimin e besueshmërisë në këtë organizatë të krijuar për ruajtjen e sigurisë euro-atlantike dhe justifikimin e qellimit të krijimit dhe ekzistencës së saj.
Ndërkaq, parë nën thjerrëzën shqiptare, NATO përmes një aleance të heshtur i ndihmoi UÇK-së për ta përmbushur premisën e parë të filozofisë politike të kësaj ushtrie të hedhur në fillim të kësaj kumtese – atë të çlirimit, duke i hapur rrugë edhe përmbushjes së premisës së dytë, krijimit të një shteti të pavarur të Kosovës, gjë e cila, siç e dimë, u bë më 17 shkurt 2008, kur Kuvendi i Kosovës e shpalli Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.

Marrë nga libri: “UÇK – vlerë kombëtare”, botim i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë dhe Institutit Albanologjik të Prishtinës.

Filed Under: Politike Tagged With: Albulene Halili

VATRA PËRSHËNDET LIBERALIZIMIN E VIZAVE PËR KOSOVËN

April 18, 2023 by s p

New York, 18 Prill 2023 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra përshëndet liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës me shtetet e Bashkimit Europian. Ky është një vendim historik dhe i drejtë që ka gëzuar popullin e Kosovës dhe çdo shqiptar kudo ku ndodhet. Kosova ka qenë historikisht pro perëndimore dhe ky vendim i Parlamentit Evropian e afron Kosovën një hap më afër familjes europiane.

Liberalizimi i vizave është një ngjarje e jashtëzakonshme për kombin tonë jo vetëm se tregon aspiratën shekullore pro perëndimore, pro amerikane, pro atlantike por sjell një zhvillim të fuqishëm ekonomik, konsolidim të institucioneve, vazhdimësi të reformave, demokraci aktive, shtet të fortë e qytetarë me mundësi të jashtëzakonshme për të ardhmen e tyre.

Votimi i liberalizimit të vizave në Parlamentin Evropian krijon një marrëdhënie dhe lidhje edhe më të fuqishme të institucioneve dhe qyetarëve të Republikës së Kosovës me Europën.

Shpresojmë që Kosova të jetë sa më shpejt anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Europian.

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me institucionet e Republikës së Kosovës dhe kurdoherë do të jetë në mbështetje të interesit të kombit, çështjes kombëtare dhe qytetarëve shqiptarë në Kosovë, Shqipëri dhe viset e tjera etnike.

Me gëzim të veçantë

Kryetari i Vatrës

Elmi Berisha

Filed Under: Politike Tagged With: Elmi Berisha

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 148
  • 149
  • 150
  • 151
  • 152
  • …
  • 653
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT