• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AT GJERGJ FISHTA: “Krenët e Shqyptarisë” — të Gegërisë dhe Toskërisë në Lidhjen e Prizrenit

June 10, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

Gjergj Fishta Wiki & Bio
A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence
A person with a beard

Description automatically generated with medium confidence
A person wearing a hat

Description automatically generated with low confidence

Lidhja historike Shqiptare e Prizrenit, meriton të kujtohet, sidomos në këtë kohë të turbullt nëpër të cilën po kalon Kombi shqiptar në trojet e veta shekullore. Ngjashëm deri diku me situatën e sotme ndërkohë që jemi dëshmitarë të lojrave të të huajve me fatin e shqiptarëve, autoritetet shqiptare të Lidhjes së Prizrenit 145-vjet më parë, pas vendimeve të padrejta të Kongresit të Berlinit në kurriz të shqiptarëve, u mblodhën në Prizren, të vendosur dhe të bashkuar për të luftuar në mbrojtje të torjevee shqiptare dhe të interesave të kombit, në përgjithësi. Për t’u përballur me sfidat e asaj periudhe, aty morën pjesë përfaqësues nga të gjitha trojet shqiptare, pa dallim – për herë të parë që prej kohës së Gjergj Kastriotit -Skenderbe – për të biseduar mbi fatet e Kombit. 

Në këtë 145-vjetor, po e kujtojmë këtë ngjarje të madhe historike për Kombin Shqiptar – me përvujtëri, modesti dhe me respektin më të madh për burrat e Kombit të Lidhjes së Prizrenit – me ndihmën e Poetit të Kombit, At Gjergj Fishtës, i cili i ka dedikuar Lidhjes së Prizrenit, “Kangën e Nandë” të veprës së tij madhështore, “Lahuta e Malcisë”.  Në këtë poemë, Fishta fton Zanën që së bashku me poetin të këndojë në “Lahutë”, ngjarjen historike të shqiptarëve —   Lidhjen e Prizrenit.  Ai e fillon vjershën me thirrjen e Ali Pashë Gucisë. Mbas vendimeve të Kongresit të Berlinit, Ali Pashë Gucia hedh kushtrimin anë e mbanë trojeve shqiptare për të mbledhur në Prizren, burrat më në shenjë të kombit. “Krenët e Shqyptarisë”, të Gegërisë dhe Toskërisë. Duke iu përgjigjur kushtrimit të Ali Pashë Gucisë, turren kreshnikët e Kombit në qytetin zëmadh të shqiptarisë, në Prizen për të marrë pjesë në Lidhdjen Shqiptare të Prizrenit.

A group of people standing in front of a building

Description automatically generated with medium confidence

M’ato maje të Prizrenit

Ku kanë ndejun rend pas rendit

Me Ali Pashën në krye të vendit…

…Ai nuk asht, more lum vasha

Tjetërkush veç se Ali Pasha

Që për të drejta të Shqyptarisë

Vet ia jep zjarmin shtëpisë,

E s’i dhimben nanë as djal:

Për to jetën vet e falë.

Në qoftë se më lejohet të jem pak krahinor e të përmend që Fishta, përveë Ali Pashë Gucisë, ndër të tjerë pjesëmarrës në Lidhjen e Prizrenit, në poemën kushtuar Lidhjes së Prizrenit, i dedikon disa rreshta edhe Vat Marashit, Bajraktarit të fisit të Shkrelit:

E njaj tjetri ma përtej

Me ata dy mustakë të mëdhej

Me i prekë m’shoq që ka për bri vedi,

Ai nuk ashtë, jo Diomedi,

Por ashtë Bajraktari i Shkrelit,

Si njaj pyrgu m’ball të kështjellit,

Që s’e tremb as topi as shpata,

E i thonë emnit Marash Vata…

Natyrisht, se në poemën e tij Fishta përmend disa ndër pjesmarrësit dhe u këndon atyre si grup i dalluar dhe i zgjedhur ndër shqiptarët e asaj kohe e hapësire:

Jo që ka aty burra të tjerë,

Bajraktarë, Krenë e Beglerë

Që për fjalë e për urti

Për trimni, për bujari

Nuk ia lëshojnë vendin kurrkuej

As në Shqipni as ndër të huej…

 Jo që ka aty burra të tjerë,

Bajraktarë, Krenë e Beglerë

Që për fjalë e për urti

Për trimni, për bujari

Nuk ia lëshojnë vendin kurrkuej

As në Shqipni as ndër të huej…

Në Epopenë Kombëtare të Fishtës, “Ora e bardhë e Shqipënisë”, i shef krerët e Shqiptarisë, “Trima në za, burra me nderë”, të mbledhur aty në Prizren – nga mrizet e lartësive të malit më të lartë, Lubotenit, ku e Mira ka ndejën e vet dhe gëzohet, ndërsa thërret Zanën e Sharit –

 “Në gjuhë të ambël të Shqyptarit,

Thirrë i paska Zanës së Sharit”, 

Dhe e pyet nëse i njihte ata burra të rreshtuar në Kuvendin e Prizrenit. Zana, disi e habitur para asaj pamjeje madhështore të “homeridëve të rinj”, mendon se Shqiptarët e mbledhur aty, mund të jenë Akejt e vjetër që dikur kishin “kallur” Trojën e vjetër ose, ndoshta mund të ishin Dardanët. Ban buzën në gaz Ora e maleve dhe i shpjegon Zanës motër se ata nuk ishin,

“As Akejë, as s’janë dardanë,

as vigaj, as katallaj”, Por ishin pjesëmarrësit heronj shqiptarë: Ali Pasha, Marash Vata, Abdyl Frashëri, Prenk Bib Doda, Toptani, Zogolli, Gjetë Gegë Shllaku, Çun Mula, Mar’ Lula, Dod Preçi, Vrioni, Deralla, Shan Deda, Abdullah Dreni…

Ndërsa Abdyl Frashërin, Kryetarin e Lidhjes së prizrenit,  At Gjergj Fishta e portretizon kështu në poemën e tij, kushtuar Lidhjes së Prizrenit:

A e she’ ‘i herë njat burrë zeshkan,
Me kollçikë e me fistan,
Që m’ a ka synin si zhgjeta,
Që m’ i bajn t’ gjith t’u ngjatjeta,
E që folka ashtû pa u zé,
Herë tue mâtë, mandej tue pré:
Që prandej njat fjalë që e flet,
Mbreti as Krajli nuk i a shklet:
Pse edhè e tij bujare
Larg permendë âsht n’ tokë Shqyptare
Për kah pupla e për kah dija,
Pá të cilat s’ rron Shqypnija?
Ai âsht trimi Frashër Begu,
Që gjithkund, ku e qiti shtegu,
I la naâm aj Toskënís,
Faqe t’ bardhë i la Shqypnís.

Gjergj Fishta kujton në poemën e tij mbi Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit se, ndërkohë që Ora dhe Zana bisedojnë me njëra tjetrën, Abdyl Frashëri hap Kuvendin dhe flet me një gojtari të shquar, si i përket derës së tij letrare, mbi vjetërsinë e fisit shqiptar, kulturën e lashtë të tij, trimërinë e qëndresën gjatë shekujve, dashurinë për Atdhe dhe për luftërat shekullore të racës shqiptare për të ruajtur lirinë dhe pavarësinë.  Abdyl Frashëri vazhdon fjalën e tij, sipas poetit, duke bërë thirrje për daljen zot të trojeve shqiptare të sakatuara. Për shpëtimin e tokave shqiptare, Hotit, Grudës e Plavë e Gucisë nga Mali i Zi.  Ndërsa Bajraktari i Shalës, Mar’ Lula deklaron para Kuvendit se për ‘të dhe për shqiptarët mbarë, si shkjau, si turku janë armiq të njëjtë. Në fund, sipas vjershës kushtuar Lidhjes së Prizrenit në “Lahutën e Malcis”, Ali Pashë Gucia propozon që nga Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit t’i dërgohej një letër fuqive të mëdha të asaj kohe dhe mbretit  në Stamboll– “Të shtatë krajlave dhe Mbretit të Stambollës”, duke venë qartë në dukje se trojet shqiptare nuk janë as të italianëve, as të ‘hinglizvet, as e francezëvet’, as të gjermanëvet e as të sllavëve dhe as otomanëve, këndon Fishta. Ai ka përfunduar vjershën e tij kushtuar Lidhjes së Prizrenit, se Mbretit të Stambollit, i cili “do t’i falë Shkodër e Malci” Knjazit të Malit të Zi, t’i bëhet e qartë se Shqipëria nuk “ashtë një shportë me fiq”, për t’ua shpëndarë miqve peshqesh, sipas oreksit të ditës.

“Por ashtë toka e t’Parvet tonë,

Asht Atdheu, po, i Skanderbegut…

Prandej s’ka as Krajl as Mbret

Që ket tokë e falë a e shet…

Po sot, a ka sot burra Shqiptaria, si dikur motit, që të mbrojnë interesat kombëtare dhe të mos shesin, as mos të falin tokën dhe interesat kombëtare të shqiptarëve, përfshir edhe ato ekonomike, për interesa afat shkurtëra, personale e partiake. Në këtë udhëkryq të historisë së Shqiptarëve dhe në këtë përvjetor historik për Kombin Shqiptar, 145-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, nga do t’ia mbajnë udhëheqsit e sotëm shqiptarë, nga do e drejtojnë timonin e anijes kombëtare drejtë të ardhmes? Këtej apo andej? Drejt një rruge pa krye që çon në greminë, apo drejt horizonteve të reja, duke ndjekur shembullin e heroizmave, besës, burrërisë dhe të bashkimit kombëtar të Gjergj Kastriotit-Skenderbe dhe të trimave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit?

145-vjetori  i Lidhjes historike Shqiptare e Prizrenit duhet të kujtohet, sidomos në këtë kohë të turbullt nëpër të cilën po kalojnë sot shqiptarët. Ngjashëm deri diku me situatën e sotme politike në Kosovë dhe në Shqipëri, ndërkohë që jemi dëshmitarë të lojrave të të huajve me fatin e shqiptarëve.  Autoritetet shqiptare të Lidhjes së Prizrenit 140-vjet më parë, pas vendimeve të padrejta në kurriz të shqiptarëve të Kongresit të Berlinit, u mblodhën të vendosur dhe të bashkuar, për të luftuar në mbrojtje të trojeve dhe të interesave të kombit në përgjithësi. Për t’u përballur me sfidat e asaj periudhe – të bashkuar dhe të bashkrenduar për të njçjtaat objektiva – në Prizren morën pjesë përfaqësues nga të gjitha trojet shqiptare pa dallim – për herë të parë që prej kohës së Gjergj Kastriotit – Skenderbe, për të biseduar mbi fatet e Kombit. Po e kujtojmë këtë ngjarje të madhe historike për Kombin Shqiptar – me përvujtëri, modesti dhe me respektin më të madh për burrat e Kombit, pjesëmarrës në Lidhjen e Prizrenit, në mbrojtje të trojeve shqiptare, 145-vjet më parë. 

LIDHJA E PRIZRENIT – (Lahuta e Malësisë – At Gjergj Fishta)

Shkrepi dielli buzës Cukalit
eja e t’këndojmë, oj Zanë e malit
eja e t’këndojme n’Lahutë t’Malsisë
si ata krenat e Shqiptarisë
në Prizren na janë bashkue
për me folë se si me e pështue
prej capojve t’Malit t’Zi
që ka dyndun top e ushtri
me hi n’Plavë, me hi n’Gusi
me marrë Shkodrën me Malsi
der’ ku danë vendi me Dri
pse, po tjonë, Mbreti i Stambollës
dorë i dhanka Knjaz Nikollës
me ndezë zjarm ai n’votra tona
me nga qetë ai n’ara tona,
me ba dru n’zabele tona
e me gra e vasha tona,
me lujtë Shkjau harushë me ne
thue s’ka Shqiptarë mbi dhe.
Por po kisht’, besa, Shqiptarë
kisht’ Shqiptarë zemër bujarë
burra t’urtë, trima luftëtarë
që s’po u tutshin këta me dekë
n’erz e n’tokë me pasë me i prekë…

E plotë në linkun më poshtë….

Gjergj Fishta – Lidhja E Prizrenit (teksteshqip.com)

At Gjer Fishta ne biblioteke duke punuar mes librash- foto Lidhja e Prizrenit

                                        At Gjergj Fishta në zyrën e tij

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

Diplomatët dhe sanksionet e tyre vijnë e shkojnë, cënimi i sovranitetit dhe integritetit territorial është i pakthyeshëm

June 9, 2023 by s p

Nga MSc. Agim Aliçkaj/

LETËR E HAPUR KRYEMINISTRIT TË KOSOVËS Z. ALBIN KURTI

I nderuar Kryeministër Kurti,

E keni zgjedhë rrugën e vështirë, rrugën e ndërtimit të shtetit dhe të lavdisë kombëtare. Të gjithë ne të tjerët, që e duam vendin tonë me zemër dhe e kuptojmë drejt situatën, jemi në shërbim tuajin dhe të qeverisjes suaj të koordinuar me Presidenten Vjosa Osmani dhe me Kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca.
Gjëja më kryesore është që të qëndroni bashkë unik dhe mos ta humbni përkrahjen e jashtëzakonshme, të më shumë se 75% të popullit të Kosovës dhe më shumë se 90% të Mërgatës, sidomos këtu në SHBA.
Padrejtësia e hapur dhe nënçmimi i shtetit të Kosovës nga zyrtarë dhe diplomatë evropianë dhe amerikanë e ka kaluar çdo kufi, është bërë e pakuptimtë, neveritëse dhe e padurueshme. Dëshira e tyre e kotë për ta shkoqë Serbinë fashiste nga Rusia fashiste me çdo kusht, në kurriz të Kosovës i ka shëndrruar ata në politikanë të dështuar por të rrezikshëm për Kosovën.
Këtë mashtrim dhe gënjeshtër serbe po e shtyen me forcë Ambasadori amerikan në Beograd Christopher Hill, i cili është vënë hapur në shërbim të kriminelit Vuçiq. Kërkim falja e tij për bombardimin e Serbisë nga NATO për ndalimin e gjenocidit serb mbi shqiptarët është kundër vendimit të Kongresit amerikan dhe interesave të popullit amerikan. Lidhjet e gruas së Z. Escobar me Beogradin janë shumë të dyshimta. Ndërsa Z. Lajçak nuk është ndërmjetësues, por përfaqësues serb në dialog.
Si amerikan, më mbuloi turpi, duke i parë kriminelët serb të dërguar në Kosovë nga kryekrimineli Vuçiq t’i rrahin ushtarët e pafajshëm të NATO-s. Dajakët ndaj tyre ishin shpulla në fytyrat e z. Hill, z.Escobar, z.Lajçak dhe diplomatëve tjerë që po i ledhatojnë kriminelët serb. Si shqiptar jam i zhgënjyer dhe i befasuar me përpjekjet e tyre për t’i arsyetuar kriminelet serb, duke ju fajësuar juve, në vend se të kërkojnë arrestimin e tyre.
Ultimatumi i tyre që t’i plotësoni me zor kushtet e kriminelëve serb është përzierje flagrante në punët e brëndshme të Republikës së Kosovës dhe i kalon të gjitha normat diplomatike. Kërkesat normale veç i keni plotësuar, i keni paralajmëruar zgjedhjet e parakohëshme në katër komunat dhe e keni pranuar si tërësi Marrëveshjen e Ohrit. Ky është kontribut i jashtëzakonshëm për deeskalim të situatës. Serbia fashiste nuk bën asgjë për deeskalim, vetëm qet kushte dhe këtë ndërkombëtarët e quajn “sjellje konstruktive”.
Tërheqja e policisë speciale nga pjesa veriore dhe dorëzimi i objekteve shtetërore te bandat serbe do të thotë humbje e sovranitetit. Prandaj forcat e sigurisë është e nevojshme të shtohen derisa kriminelët të zhduken, jo të zvoglohen. Krijimi i i çfarëdo asociacioni serb si parakusht, e hapë rrugën për parakushte tjera të pafundme dhe sjellë deri te shkatërrimi i shtetit. Këto nuk bën as të konsiderohen.
Ju lutem ta vizatoni një asociacion pa kompetenca ekzekutive, bazuar në kushtetutë të Republikës, ja jepni fotokopjen Z. Escobar dhe Lajçak dhe i siguroni se do të fillojë zbatimi në kuadër të marrëveshjes, pasi që ta nënshkruajë dhe pranojë Serbia fashiste. Dhe, jua bëni me dije se pjesëmarrja e pakicës serbe në zgjedhje nuk mund të konsiderohet koncesion por është obligim demokratik dhe privilegj. Në të njejtën kohë kriminelët serb duhet të shkojnë në burg, jo në zgjedhje.
Në seancën dëgjimore historike në senatin amerikan, të organizuar nga senatori i fuqishëm Bob Menendez, Këshilltari i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Z. Derek Chollet e pranoi zyrtarisht se diktatori serb Vuçiq dhe regjimi i tij janë të ndërlidhur me krimin e organizuar në Serbi dhe veri të Kosovës.
Në pyetjen e senatorit Menendez se pse edhe pas një viti nuk ka informatë për garanci se asociacioni serb nuk do të shëndrrohet në “republika srpska”, Zëvendës Ndihmës Sekretari për çështje Euroaziatike dhe Ballkan, Z. Gabriel Escobar nuk kishte kurrëfarë përgjigjeje. Deklaratat e tij se asociacioni ka për qëllim integrimin e pakicës serbe në Kosovë është iluzion ose mashtrim me qëllim.
Kjo seancë dëgjimore u bë e mundur në saje të angazhimit të jashtëzakonshëm të Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane në krye me figurat historike Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, të Bordit të Ligës dhe të përkrahësve të shumtë të saj. Ne do të vazhdojmë të lobojmë në Washington edhe më me forcë, për kauzën tonë të drejtë. Për të parë pjesën kryesore të seancës dëgjimore mund të klikoni linkun :
https://www.youtube.com/watch?v=pV4gQJfdlxE
Vazhdoni me paraqitje publike të fakteve të cilat e dokumentojnë se Kosova është viktimë dhe Serbia agresor, në shtypin ndërkombëtar dhe ate konstruktiv të vendit, nëse ekziston. Flisni pa u ndalur për çështje me fakte dhe argumente, me aftësi dhe kompetencë që ju i posedoni, siç janë demokracia, mirëqënia, respektimi i të drejtave të njeriut, përfshirja, barazia, ligjshmëria dhe orientimi pro-amerikan.
Deklasojeni kriminelin Vuçiq me fakte për gjenocidin serb, sjelljet e tashme kriminale serbe, përkrahjen e tyre për agresionin rus në Ukrainë dhe orientimin e tyre pro-rus. Merreni me veti në xhep dhe përdoreni sipas nevojës librin e xhepit të Dr. Nusret Pllanës dhe MSc. Agim Aliçkaj, në të cilin për 20 minuta mësohen krimet 200 vjeçare serbe ndaj shqiptarëve.
Shprehja e mospajtimit me diplomaci dhe respekt për çështje të ndryshme me diplomatët perëndimorë është e drejtë dhe obligim i juaji, sidomos në takime të mbyllura. Ata duhet ta kenë të qartë se nuk mund të kërkojnë lëshime nga ju për t’ja bërë qejfin kriminelit Vuciq, por duhet të ju bindin me fakte dhe argumente. Ne të tjerët, sidomos në Diasporë e kemi detyrë t’i ekspozojmë, ti kundërshtojmë hapur dhe t’i kritikojmë ata me emër e mbiemër pa marrë parasyshë pozitën e tyre.
Ne të gjithë e duam Amerikën me zemër dhe përjetë, por nëse zyrtarët të caktuar amerikanë në pozita momentale, për interesa ndryshme apo gjeo-politike, i cënojnë interesat e Kosovës të cilën vetë e kan krijuar, përgjigjia e jonë duhet të jetë JO pa kurrëfarë dileme. Jo me vullnetin tonë. Nëse ata e gjejnë mënyrën të na detyrojnë me zor, është turpi dhe përgjegjësia e tyre historike. Liria është liri dhe nuk mund të konsiderohet borxh ndaj askujt.
Nuk na duhet asgjë miqësia me askend nëse e sakatojmë shtetin. Nëse miku na kërkon ta vrasim veten, nuk duhet ta dëgjojmë sepse nuk është më mik. Nuk na lejohet kurrësesi të shkelim mbi gjakun e 1432 fëmijëve të masakruar nga ushtria terroriste serbe, të qindra-mijërave viktimave civile, mijëra dëshmorëve dhe heronjëve të lirisë në krye me komandantin legjendar Adem Jashari dhe familjen e tij martire që e dhanë jetën në mbrojtje të pragut të shtëpisë dhe tokave shqiptare.
Diplomatët vijnë e shkojnë, bashkë me sanksionet e mundëshme, padrejtësitë, interesat dhe tekat e tyre. Por, nëse cënohet sovraniteti dhe integriteti territorial i shtetit, dëmi është i pakthyeshëm dhe i përhershëm. Qëndroni pas vendimit tuaj për të mos ia dorëzuar republikën demokratike bandave kriminale serbe. Këtë mund ta bëni vetëm me ushtri dhe polici të fortë e të përgaditur mirë. Serbia e kupton vetëm gjuhën e forcës.
Komuniteti shqiptaro-amerikan është shumë i brengosur dhe i irrituar përtej mase me veprimet e fundit të përfaqësuesve të Departamentit të shtetit. Efektet e këtij zemërimi do të ndihen shpejt nga zyrtarët amerikanë në afat të shkurtër por edhe në kampanjën presidenciale e cila veç sa ka filluar.
Kërkesat për dorëheqjen tuaj për shkak të sjelljes kriminale serbe dhe fajet e të tjerëve janë absurde. Jeni duke punuar me mençuri, trimëri dhe përkushtim në ballafaqim me Serbinë fashiste. Edhe po të donit nuk keni kujt të ja dorëzoni Kosovën. Pjesa më e madhe e opozitës së Kosovës dhe pozita e Shqipërisë në krye me KM Edi Rama, si dhe përkrahësit e tyre në media janë ndër fajtorët kryesorë që i kan dhënë dhe po i japin kurajo Serbisë fashiste për të vazhduar me veprime agresive me shpresë të nënshtrimit të Kosovës.
Fati i shtetit të Kosovës dhe ardhmëria e kombit shqiptar varet nga suksesi i juaj. Do ta keni mjaft vështirë për një kohë, por të gjithë sëbashku do t’ja dalim. Drejtësia mund të vonohet por do të ngadhënjej mbi padrejtësinë. Fitorja është e jona.

Filed Under: Politike

“Kosovë-Serbi” mund të ndihmohet nga Shqipëria vetëm përmes komunikimit të drejtpërdrejtë e konstruktiv me institucionet e Kosovës dhe Kryeministrin Kurti

June 8, 2023 by s p

Ilir Meta/

Situata e krijuar në mes të Serbisë dhe Kosovës mund të ndihmohet nga Shqipëria vetëm përmes komunikimit të drejtpërdrejtë e konstruktiv me institucionet e Kosovës dhe Kryeministrin Kurti.

Nuk ka nevojë për ndërhyrje të njëanshme dhe jotransparente, të cilat acarojnë apo përkeqësojnë situatën, e cila paraqitet delikate.

Qeveria shqiptare në asnjë rast nuk duhet të flasë apo të propozojë politika që duhen zbatuar brenda në Kosovë, pa u konsultuar paraprakisht me Kryeministrin dhe institucionet legjitime në Kosovë.

Asociacioni i Komunave është një marrëveshje tashmë e pranuar nga qeveria aktuale e Kosovës, dhe ajo garantohet në Marrëveshjen e Brukselit dhe në Aneksin e Marrëveshjes së Ohrit, të realizuara me mbështetjen dhe negocimin e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Zgjidhja se si do të arrihet Asociacioni, gjendet pra tek respektimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.

Z. Kurti ka treguar vazhdimisht përgjegjësi dhe vullnet të palëkundur për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Ndërsa tek Z. Vuçiç nuk e kemi parë në asnjë rast një gjë të tillë, përkundrazi një sërë veprimesh të tij kanë demonstruar të kundërtën.

Z. Rama, nëse do të donte të luante një rol mund ta bënte këtë, jo duke luajtur rolin e patronazhistit mbi Kosovën, por vetëm duke i kërkuar Beogradit nënshkrimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit dhe zbatimin e tyre, njohjen e Kosovës nga Serbia dhe heqjen dorë nga strategjia e tensionimit të vazhdueshëm të situatës.

Foto: BBC news.com

May be an image of text

See Insights and Ads

Boost post

Like

Comment

Share

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Meta

Prurje të reja në historinë e komunitetit dhe të ardhmen e tij si “familje e madhe shqiptare” nga Festivali i Usterit

June 7, 2023 by s p

Rafaela Prifti/

Nga datat dy deri katër qershor Festivali shqiptar i Usterit me jetëgjatësi 40 vjeçare ruajti traditën e respektuar por solli edhe risi e projekte afatgjate për historinë e bashkësisë shqiptare këtu edhe përtej oqeanit Atlantik. Ceremonia e inagurimit të rrugës Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ardhja e mysafirëve arbëreshë dhe pasurimi i pavionit shqiptar për muzeun e historisë së Usterit përbëjnë tri nga veçoritë më të spikatura të tij. Ndonëse festivali mbahet në këtë qytezë, historikisht pjesëmarrësit vijnë nga shtete e vende larg e afër. Tenda e madhe në oborrin e Kishës Ortodokse Shqiptare Fjetja e Shën Mërisë rrethakohej me flamujt e banderolat e bizneseve shqiptare që mbështetën veprimtarinë. Kisha, si organizatore me përvojë të gjatë në mbledhjen e fondeve, është amvisë e mirë e vendorëve dhe mysafirëve, siç shihej tek manifestimi i trashëgimisë shqiptare duke nisur nga menyja artizanale e gastronomike deri te programi i larmishëm artistik. Lidhja me grupin arbëresh ishte një homazh për heroin kombëtar, për të cilën djemtë e Kishës së Shën Mërisë si mikpritës ishin veçanërisht të kënaqur.

Frank Zdruli, me origjinë nga Korça, dhe Presidenti i kësaj shoqate, i ardhur në Massachusetts në vitet e adoleshencës e vlerëson shumë ruajtjen e traditës, riteve dhe gjuhës shqipe. “Në rolin drejtues si President i Djemve të Shën Marisë, ndihma dhe dhurata jonë me e vlefshme për Festivalin dhe për gjithë shqiptarët ështe padyshim inagurimi i emërimit të nderit rrugës Salisbury në emër të Heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Scanderbeg Way. Akoma më mbresëlënëse është prania e pasardhësit të familjes Kastrioti Loris Castriota Skanderbegh dhe Kryebashkiakut të “Horës së Arbëreshëvet” Piana degli Albanesi nga Sicilia, Rosario Petta në këtë ditë historike dhe ceremoniale. Do ta kujtoj për jetë pasi ashtu si 6 shekuj më parë na i bashkon përsëri heroi ynë kombëtar dy komunitetet shqiptare më të vjetra larguar ndër dy kontinentet në 555 vjetorin përkujtimor të Gjergj Kastriotit Skenderbeut.”

Banor i Usterit prej një kohe të gjatë, Frank vetë ka marrë pjesë në festivalin shqiptar në fillim si valltar. Ai mban mend se fillimisht programi i valleve ishte nismë e grupit të parë që u krijua në Boston me Dhimitraq Demirin dhe AANO (Albanian American National Organization). Pas dhjetë vjetëve, në 2007, kur ai erdhi me familjen në Uster, Frank Zdruli u bë pjesë e grupit organizativ të kishës dhe prej atëherë ai dhe Greg Steffon kanë qenë bashkëkryetarë të shtatë festivaleve në Uster.

Këtë vit Frank dhe Greg ia kaluan “stafetën” organizatorëve të rinj. Zdruli thotë se përvoja e tij tani mund të shërbejë për të këshilluar dhe ndihmuar në ruajtjen e traditave të bashkësisë shqiptare duke u përqendruar më shumë te brezat e rinj. “Rritja e nivelit të Festivalit por edhe e komunitetit shqiptar në vazhdimësi kërkon edhe ndarjen e detyrave në rolet e drejtuesve të tjerë. Tani eksperienca jonë e fituar duhet të vihet në funksion të këshillimit të ekipit të ri drejtues dhe fokusimi jonë si drejtues duhet të jetë tek forcimi i komunitetit në një solidifikim të brezit të ri që rritet në Uster,” thotë Frank.

Frank Zdruli e vlerëson pasurimin dhe dokumentimin e historisë së bashkësisë shqiptare për muzeun e qytetit si pjesë me rëndësi e trashëgimisë sonë. Një nismë e tillë e cila është e inkuadruar në festival është gjithashtu një projekti në vazhdimësi e sipër, nën kujdesin dhe e koordinuar nga qendra shqiptare pranë Politeknikumit të Usterit. Frank thotë se “së bashku me kolegun tim Gregory Steffon energjitë tona tashmë janë vënë në ecurinë e projektit afatgjatë që kemi ndërmarrë me Muzeumin Historic të Worcester dhe Albanian Project Center të WPI për të dixhitalizuar historinë e komunitetit shqiptar si pjesë e historisë.”

Dielli e ndoqi festivalin që nga dita e hapjes dhe në vazhdim. Ndonëse në ditët e fundjavës, moti ishte me reshje dhe temperaturat e ulëta, pjesëmarrësit ishin të shumtë. Në mbyllje i pyetëm mysafirët arbëreshë për mbresat nga Festivali i Usterit. Ata thanë se bashkësia këtu i kishte pritur krahëhapur dhe se “ishin ndjerë pjesëtarë të familjes së madhe shqiptare” përtej Atlantikut.

Dje, të ftuar në Katedralen ortodokse shqiptare të Shën Gjergjit në Boston, ata me zonjat e tyre u pritën nga anëtarë të bordit të Kishës, pjesëtarë të shoqatave e aktivistë të komunitetit. Kryebashkiaku Rosario Petta dhe gazetari Loris Castriota Skanderbegh e ripërforcuan “lidhjen vëllazërore” në një vend që ka domethënie të shumëfishta historike “për të gjithë që kanë gjak shqiptari,” thanë ata.

Foto: nga e majta, Petrit Alibeaj, Sami Ajdini, Erik Hoxha, Mark Kosmo, Brunilda Sota, Rafaela Prifti, Giusepina, David Kosta, Rosario Petta, Dhimiter Demiri, Frank Zdruli, Loris Castriota Skanderbegh, Grazia Vietri, Elisabeta Cani, Enertila (Eni) Kosta, Naum Prendo, Evans Liolin,

Ulur: Neka Doko, Feride Istogu Gillesberg, Erand Sojli, Adriaktik (Adriano) Hila, Luljeta (Gulia) Batelli, Klojdan Pepi

Foto: Flamuri historik i Shën Gjergjit në Fondin e trashëgimisë kulturore Fan Noli, Kryebashkiaku Rosario Petta, gazetari Loris Castriota Skanderbegh, Neka Doko, Përgjegjëse e Bibliotekës memoriale Fan Noli

Foto nga Festivali

Filed Under: Politike Tagged With: Rafaela Prifti

Presidentja Osmani priti në takim të përfaqësuesin special të ShBA-ve, Gabriel Escobar dhe atë të BE-së, Miroslav Lajčák

June 6, 2023 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim përfaqësuesin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar dhe përfaqësuesin Special të BE-së për Dialog, z.Miroslav Lajčák.
Në takim, Presidentja Osmani ka shprehur përkushtimin e plotë që të punohet së bashku me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që në veri të vendit të sundojë rendi e ligji dhe të ruhet sovraniteti i Republikës së Kosovës.
Sipas Presidentes Osmani, ndëshkimi i grupeve kriminale dhe individëve që përdorën dhunë ndaj policisë, gazetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it, EULEX-it dhe qytetarëve, është rruga e vetme për stabilitet të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Prandaj, theksoi ajo, presim që institucionet ligjzbatuese ta bëjnë punën e tyre, në përputhje me ligjin, në mënyrë që grupet kriminale përgjegjëse për dhunën të përballen me drejtësinë.
Presidentja Osmani ka potencuar se zgjedhjet e reja në komunat në veri të vendit mund të organizohen në përputhje me kornizën aktuale kushtetuese e ligjore dhe në këtë kontekst, ajo shtoi se duhet të sigurohet pjesëmarrje demokratike e qytetarëve që jetojnë në këto katër komuna.

Në takim me të dy emisarët, Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e fuqizimit të aleancës me SHBA-të dhe BE-në, në përmbushjen e synimeve të përbashkëta për rrugën euroatlantike dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 154
  • 155
  • 156
  • 157
  • 158
  • …
  • 667
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. promovon romanin “Brenga” të Dr. Pashko Camaj 
  • ASOCIACIONI SI ENTITET PARA-SHTETËROR APO VETËMENAXHIMI SI GARANCI E RUAJTJES SË RENDIT KUSHTETUES NË KOSOVË
  • Luana Bajrami, aktorja nga Kosova feston 25 vjetorin me Oscar dhe hyn në Histori
  • Çfarë e bën mashkullin burrë?
  • Pse Hoxhë Hasan Tahsini ishte drejtuesi i lobit shqiptar në Stamboll
  • Artan Shabani, piktori i ngjyrave që vuan dramën e Çamërisë
  • Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, por stresi i jep krahë: Pse biem pre e gënjeshtrave?
  • Shuhet lahutari rugovas Rrustem Bajrami-Imeraliaj, 1932-2026
  • PËKUSHTIM XHEVAT KORҪËS
  • Shqiptarët në Philadelphia festuan Ditën e Verës
  • RAKETAT SUPERSONIKE TË SERBISË: SINJAL ALARMI PËR SIGURINË NË BALLKAN
  • MONOGRAFI E RËNDËSISË SË VEÇANTË
  • BALLKANI PERËNDIMOR NDËRMJET ARKITEKTURËS SË PAQES DHE RREZIKUT TË RIFORMATIMIT GJEOPOLITIK
  • Zgjidhja e mençur angleze e Shekullit XIX – Krijimi i Pullës Postare
  • Love Bombing si dukuri digjitale

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT