• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MODELE ASOCIACIONESH QË NUK PËRKOJNË ME REALITETIN KOSOVAR

May 20, 2023 by s p

Prof. Xhelal Zejneli/

Në vende të caktuara të Evropës, të drejtat e minoriteteve janë zgjidhur në mënyra të ndryshme: me autonomi llojesh të ndryshme apo me vetëqeverisjen e rajoneve. Për themelimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë, janë shqyrtuar rreth njëzet modele asociacionesh. Por, asnjë prej tyre – për shumë arsye – nuk përputhet me realitetin kosovar.

Me realitetin kosovar nuk përputhet as kombinimi i modeleve të asociacioneve. Midis modeleve të asociacioneve që ekzistojnë në vende të caktuara të kontinentit, në një anë dhe realitetit kosovar, në anën tjetër, kemi specifika dalluese dhe kontekste të ndryshme.

Asociacionet për minoritetet në Belgjikë, në Danimarkë, në Finlandë, në Francë, në Gjermani, në Itali, në Norvegji, në Portugali dhe në Spanjë nuk mund të shërbejnë si model për themelimin e bashkësisë së komunave serbe në Kosovë. Modelet e asociacioneve në vendet e sipërthëna janë në kundërshti të plotë me realitetin kosovar.

Shtetësia e Kosovës bazohet:

– në argumentin historik – shqiptarët banojnë në Dardani që në lashtësi, pra në një kohë kur aty s’ka pasur sllavë;

– në argumentin e bashkëkohësisë – shqiptarët në Kosovë përbëjnë 92 % të popullsisë;

– në argumentin hipotetik – midis paqes dhe konfliktit, shqiptarët janë përcaktuar për paqe dhe qëndrueshmëri.

Në fillim të viteve ’90 të shekullit XX, amalgama jugosllave u shpërbë. Prej saj u shkëputën të gjitha pjesët konstitutive të saj. Midis tyre, edhe Kosova, e cila po ashtu ishte pjesë konstitutive e federatës jugosllave. Për shkak të politikës ekspansioniste dhe pushtuese serbomadhe, disa njësi të ish-federatës, midis tyre edhe Kosova, duhej ta ndërtonin shtetësinë e vet, me luftë çlirimtare.

* * *

Modele asociacionesh në vende të caktuara evropiane:

– Komuniteti federal i gjermanëve në Belgjikë ose Komuniteti gjermanisht-folës në Belgjikë, përbën një prej tre komuniteteve federale në këtë shtet;

– Ishujt Faroe në Danimarkë;

– Ishujt Aland dhe Asambleja apo Parlamenti i popullit Sami në Finlandë;

– në Francë – ishulli i Korsikës dhe Alsasi, që është në kufi me Gjermaninë dhe Zvicrën;

– Heligoland, Shlesvig-Holshtejn (Schleswig-Holstein) dhe Autonomia e Sorbëve në Saksoni – tri modele në Gjermani;

– Tiroli Jugor, Trieste, Sardenia, Lugina Aosta në Itali;

– arkipelagu Svalbard në Norvegji;

– Azores dhe Madaira në Portugali;

– komuniteti autonom i Baskëve në Spanjë, që njihet si Eubskadi; dhe

– Katalonia në Spanjë.

* * *

Disa prej modeleve të sipërthëna, në shtetet përkatëse kanë një shkallë të lartë autonome dhe pushtet të mirëfilltë. Do prej modeleve të lartpërmendura nuk kanë ndonjë farë pushteti të veçantë. Ato karakterizohen nga njohja simbolike e kulturës së veçantë që dallohet nga ajo e popullit shumicë.

Modelet apo format e vetëqeverisjes të pakicave kombëtare që zbatohen në vende të caktuara të BE-së, nuk i përgjigjen realitetit kosovar. Në kundërshti me realitetin kosovar është edhe kombinimi eventual i elementeve të ndryshme që zbatohen:

– në Belgjikë – modelet e Belgjikës Lindore, përkatësisht vetëqeverisja e komunitetit gjerman;

– në Francë – modeli i Alsasit;

– në Gjermani – modeli i vetëqeverisjes i komunitetit danez;

– në Itali – modelet e vetëqeverisjes për komunitetin gjermanisht-folës dhe frankofon.

* * *

Me kombinimin e modeleve nënkuptohet: prej një modeli të merret statusi i përgjithshëm i asociacionit, prej një tjetri – e drejta e organizimit të sistemit të arsimit si dhe sisteme të tjera që kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me komunitetin. Këtu bën pjesë edhe rregullimi i mbështetjes financiare nga shteti amë.

Duke qenë se komunat e banuara me serbë nuk kanë kompaktësi territoriale, është parashikuar edhe modeli që parashikon organizimin e bashkëpunimit ndërmjet komunave në veri dhe komunave të tjera me shumicë serbe në pjesën tjetër të Kosovës. Me fjalë të tjera, nuk është e domosdoshme që midis tyre të ketë lidhje territoriale.

* * *

Statusi juridik dhe politik i asociacione në vende të caktuara të BE-së

Bashkësia gjermanisht-folëse e Belgjikës apo Komuniteti Federal Gjerman – Ndryshe njihet si Belgjika Lindore. Ka rreth 80 mijë banorë. Përfshin 0.7% të territorit të Belgjikës. Kjo bashkësi nuk ka kompaktësi territoriale. Bashkësia gjermanisht-folëse e ka parlamentin dhe qeverinë e vet. Kompetencat e institucione të saj kanë të bëjnë: me çështjet gjuhësore, kulturore, me çështje të arsimit, të shëndetësisë, me të drejtat e njeriut. Kanë edhe disa të drejta që u përkasin regjioneve, siç janë ato për monumentet dhe për trashëgiminë kulturore, çështjet arkeologjike, politika e punësimit. Më vonë, kanë marrë të drejta edhe për çështje të mbikëqyrjes së komunave dhe të sigurisë, të financave etj. Ky territor, disa herë ka kaluar nga Belgjika në Gjermani dhe anasjelltas, për të mbetur përfundimisht pjesë e Belgjikës.

* * *

Alsasi (emri zyrtar Kolektiviteti Evropian i Alsasit) – Është pjesë e Francës. Ndodhet në kufi me Gjermaninë dhe Zvicrën. Ka rreth dy milionë banorë. Konsiderohet si një nënndarje kulturore nga pjesa tjetër e Francës. Në pikëpamje kulturore, banorët e tij paraqesin një kombinim ndërmjet ndikimit gjerman dhe atij francez. I njihet autoriteti i qeverisjes dhe ka qeverisje vendore. Ka një autonomi të kufizuar. Autoriteti territorial është brenda Kushtetutës franceze. Gjuhë zyrtare në Alsas është frëngjishtja, ngase me Kushtetutë, gjuhë zyrtare në Francë është frëngjishtja. Kohët e fundit, në shkallë vendore, kombëtare dhe evropiane përdoret edhe gjuha alsasiane, si element i identitetit të alsasianëve. Kjo gjuhë buron nga kombinimi i dialekteve gjermane. Në shkolla përdoren frëngjishtja dhe gjermanishtja. Alsasishtja mësohet, por jo si e detyrueshme. Gjatë luftërave ndërmjet Gjermanisë dhe Francës, ky rajon pesë herë e ka ndërruar anën, varësisht kush ka qenë fitues.

Franca e ka nivelin qendror të pushtetit dhe tre nivele të tjera: rajonet administrative, departamentet dhe komunat. Sa i përket statusit politik, Alsasi nuk është rajon, por është më tepër se komunë (nivel mbi-komunal) dhe është nën-rajon (nivel nën-rajonal).

* * *

Danezët në Shlesvig-Holshtejn (Schleswig-Holstein) në Gjermani – Në Shlesvig-Holshtajn jetojnë rreth 50 mijë danezë etnikë. Kjo përbën rreth 10 për qind të popullsisë në rajonin kufitar me Danimarkën. Për shkak të përkatësisë së veçantë, atyre u njihen të drejta të caktuara si komunitet. Duke qenë një rajon i kontestuar, herë ka qenë nën kontrollin e Danimarkës dhe herë nën kontrollin e Gjermanisë.

Danezët në Shlesvig-Holshtejn nuk kanë rregullim autonom me institucione të tyre, por në zgjedhjet vendore nuk kanë prag prej 5 për qind, siç kanë partitë e shumicës gjermane. Popullata është e përqendruar në qytetin Flensburg në kufi me Danimarkën. Ky minoritet i ka objektet e veta kulturore dhe të edukimit. Në anën tjetër të kufirit – në Danimarkë – jeton një minoritet gjerman, të cilët, sipas parimit të reciprocitetit, i gëzojnë të njëjtat të drejta.

Komuniteti ka shkolla, mediume, organizata fetare, librari dhe muze.

Danimarka mban përgjegjësi për mbështetjen financiare të rregullt të komunitetit danez në Gjermani. Por, minoritetin e mbështet financiarisht edhe Gjermania. Me fjalë të tjera, dy minoritetet – danezët në Gjermani dhe gjermanët në Danimarkë – financohen prej dy qeverive. Pesëdhjetë mijë danezët në Gjermani, marrin nga qeveria e Danimarkës mbi 67 milionë euro në vit.

Qeveritë përkatëse, dy minoriteteve u garantojnë autonomia kulturore. Edhe pse konsiderohen shkolla private, me ligjin e Gjermanisë shkollat daneze për komunitetin kanë status special dhe kanë rëndësi të njëjtë si shkollat në gjermanisht.

Për ta zgjidhur çështjen e minoriteteve, në vitin 1955 Danimarka dhe Gjermania nënshkruan dy deklarata të ndara, por me përmbajtje të njëjtë, që njihen si Deklarata Bon-Kopenhagë. Sipas deklaratave, minoritetet në të dyja anët e kufirit kanë të drejta të barabarta me qytetarët e tjerë. Për nevojat specifike të minoriteteve, janë paraparë edhe lehtësira. Rregullimin e çështjeve të minoriteteve kufitare midis Gjermanisë dhe Danimarkës, vendet e tjera të BE-së e kanë marrë si shembull suksesi.

* * *

Tiroli Jugor – Është provincë autonome në Itali. Kryeqytet i tij është Bolzano. Ka rreth 540 mijë banorë. Sipas të dhënave të vitit 2011, 62.3 për qind e banorëve, gjuhë të parë e kanë gjermanishten; 23.4 për qind – italishten; 4.1 për qind – gjuhën ladine. Të tjerët, gjuhë të parë kanë ndonjë gjuhë tjetër. Provinca ka një shkallë të lartë të vetëqeverisjes me të drejta të gjera legjislative dhe ekzekutive. Ka një regjim fiskal që i lejon të mbajë për vete 90 për qind të të ardhurave. Tiroli Jugor është provinca më e pasur në Itali dhe një nga më të pasurat në BE.

Qeveria vendore bazohet në Kushtetutën e Italisë e cila ia njeh statusin e autonomisë. Për t’i ekzekutuar dhe për t’i administruar kompetencat e veta, provincës i lejohet ta mbajë pjesën më të madhe të taksave brenda. Qeveria e Provincës (Komiteti i Provincës) udhëhiqet nga guvernatori dhe nga një numër këshilltarësh. Përbërja e qeverisë duhet të jetë në përpjesëtim me përbërjen e popullsisë së provincës – sipas gjuhës. Bashkësia që flet në gjuhën ladine përbën jo më shumë se 4 për qind. Si e tillë, ajo nuk posedon fuqi elektorale. Për këtë arsye, me statutin e provincës është rregulluar që ladinët të jenë pjesë e qeverisë, pavarësisht nga rezultati zgjedhor apo nga numri i deputetëve të tyre në parlament.

* * *

Uashingtoni dhe Brukseli duhet t’i kërkojnë Beogradit që sipas modeleve evropiane të formojë asociacion për shqiptarët në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), për boshnjakët dhe për hungarezët që gëzojnë një pseudo-autonomi.

* * *

Krijimi i çfarëdo asociacioni komunash serbe në Kosovë, vë në rrezik karakterin unitar të saj. Karakteri unitar i shtetit të Kosovës vihet në dyshim, si me kombinimin e modeleve që përbëjnë autonomi territoriale dhe jo-territoriale, ashtu edhe me formimin e zonave vetëqeverisëse apo vetë-menaxhuese.

Kosova është vend demokratik, ku mbizotëron ligji, rendi, rregulli dhe ku luftohet korrupsioni, si në asnjë vend tjetër të Ballkanit Perëndimor. Minoritetet në Kosovë i gëzojnë të gjitha të drejtat, si në asnjë vend të BE-së.

Filed Under: Politike

Liria per çlirimin e Dardanise nga pushtuesit serb nen drejtimin e kriminelit me te madh te shek XXI Sllobodan Milosheviç ka emrin UÇK

May 19, 2023 by s p

Ph.D. Dritan Demiraj/

Te gjitha perpjekjet dhe tentativat per te ndryshuar emrin e saj jane kriminale, te qellimshme dhe te sponsorizuara nga dy qeverite anti Shqiptare ruso -serbe.

Pikerisht ky eshte momenti kur te gjithe Shqiptaret ne te kater shtetet e Ballkanit duhet te bashkohen dhe te protestojne kunder ketij projekti qe tenton te falsifikoje historine dhe luften e drejte çlirimtare te popullit te Dardanise dhe te Shqiperise.

Gjenerali Rexhep Selimi dhe drejtuesit e luftes Hashim Thaqi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi se bashku me drejtuesit e tjere te luftes jane heronjte e saj dhe si te tille te gjithe se bashku kemi detyrimin per te kundershtuar kete farse nderkombetare.

Ne rast se komuniteti nderkombetar do te vendoste drejtesi, atehere ne banken e te akuzuarve duhet te ishin ata te cilet e shkaktuan kete tragedi, por kjo duket se nuk do ndodhe.

Lutemi dhe urojme qe heronjte tane te kthehen sa me pare aty ku e kane vendin ne krye te shtetit te Dardanise.

Filed Under: Politike Tagged With: Dritan demiraj

VATRA PËRKUJTON 50 VJETORIN E REVOLTËS SË SPAÇIT

May 18, 2023 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA me rastin e 50 vjetorit të Revoltës së Spaçit, ditën e Shtunë më datë 27 Maj 2023 ora 11 A.M. në Selinë Qëndrore të Vatrës me adresë: 2437 Southern Blvd, Bronx, NY 10458, do të organizojë promovimi i librit: “Përtej Harrimit, Abdulla Rami” nga auditoret franceze në terrin e diktaturës, shkruar nga Ermira Xhomaqi-Godo.

Libri i kushtohet vuajtjeve dhe persekutimit në regjimin komunist shqiptar të Intelektualit

Abdulla Ramit, përkthyesit të Hygoit, ish -liceistit të Korçës, në një klasë me diktatorin Hoxha dhe bashkëstudent në Montpellier të Francës.

Abdulla Rami si antikomunist vuajti 19 vite në burgjet e diktaturës, në ferrin e Burrelit dhe vdiq në internim. Në këtë promovim do flitet për rëndësinë e Revoltës së Spaçit dhe për vlerat e librit të përkthyer nga Abdulla Rami “William Shakespeare” të autorit Victor Hugo.

Ftohet komuniteti dhe media të marrë pjesë.

Filed Under: Politike Tagged With: ermira godo

Luftë për vepra

May 17, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Lufta për punën, veçanërish kur rezulton në libër a vepër, është luftë e keqe, e padrejtë Por duhet të shkatërrojnë dukurinë që të marrin edhe emrin.

Një fat të tillë të tillë tragjik ka patur edhe Sabiha Kasimati, disidente, e cituar si një nga gratë e para shkencëtare në Shqipëri. Ajo u arrestua nga regjimi komunist më 20 shkurt 1951, pas bombës në ambasadën sovjetike. dhe disa ditë më vonë u ekzekutua pa gjyq së bashku me 21 intelektualë të tjerë.

Sabiha Kasimati (1912 – 1951) ishte nga një familje e njohur intelektuale me origjinë nga Libohova. Ajo lindi në Edirne, (në Turqinë e sotme) nga Abdurrahman Kasimati dhe Zehra Mbreshtani. Sabiha ishte më e vogla nga pesë vëllezërit e motrat. Babai, Abdurrahmani, kishte kryer studimet universitare për Mjekësi në Turqi. Në vitin 1927 u kthye familjarisht në Shqipëri dhe u vendos fillimisht në Korçë, dhe më pas në Elbasan, ku shërbeu si mjek.

Pasi u vendos në Korçë, Sabiha filloi studimet në Liceun Kombëtar, i njohur ndryshe si Liceu Francez, emër i mbetur që nga koha e Luftës së Parë Botërore, kur prezenca franceze kishte qenë mjaft domethënëse. Një nga shokët e saj të klasës ishte diktatori i ardhshëm Enver Hoxha. Në vitin 1930 Sabiha u bë gruaja e parë që u diplomua nga kjo shkollë. Ajo zotëronte rrjedhshëm disa gjuhë. Menjëherë punoi për disa kohë si mësuese në shkollën normale të vajzave të qytetit, duke dhënë lëndët Edukata morale dhe Gjuhën frënge. Më vonë u transferua si pedagoge në shkollën shqiptaro-amerikane në Kavajë, ku dha mësim Biologjinë, një nga pasionet e jetës së saj. Në vitin 1936 mundi të përmbushë dëshirën për studime të larta. Shteti shqiptar i dha një bursë studimi në Universitetin e Torinos, në Fakultetin e Shkencave Biologjike, të cilën e përfundoi me sukses. Në verën e vitit 1941, Sabiha Kasimati mbrojti doktoraturën, me temë: “Fauna ittica di acqua dolce d’Albania” (Peshku dhe fauna e ujërave të ëmbla të Shqipërisë). Me kthimin në atdhe, Kasimati emërohet mësuese në Institutin Femëror “Nana Mbretëreshë”, i cili pas pushtimit italian quhej “Donika Kastrioti”. Paralelisht me punën e saj pedagogjike, ajo i dha një vend të rëndësishëm edhe studimit të biologjisë së peshqve të detit që jetojnë në laguna, këneta, si dhe mbledhjes së materialeve për përgatitjen e veprës madhore të së ardhmes, monografinë: “Peshqit e Shqipërisë”. Për arsye shëndetësore u detyrua ta linte punën pedagogjike dhe të trajtohej në sanatoriumin kundër tuberkulozit në veri të Italisë, në Bolzano. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Kasimati vendosi të kthehej në vendlindje në vitin 1947, ndërkohë që komunistët sapo kishin ardhur në pushtet. Me krijimin e Institutit të Studimeve emërohet menjëherë si specialiste shkencore. Një vit më vonë, kur instituti mori emrin Instituti i Studimeve Shkencore, emërohet specialiste zoologe, e profilizuar për peshqit, në seksionin e shkencave biologjike. Gjatë kësaj kohe Kasimati bëri punën voluminoze të përcaktimit të bibliografisë shkencore që gjendeshin në Shqipërinë e asaj kohe. Kasimati arriti të shkruante një artikull të gjatë programor me titull “Problemet e peshkut dhe peshkimit në vendin tonë”, botuar në Buletinin e Institutit të vitit. Në atë artikull tekniko – shkencor ajo trajtoi në mënyrë analitike pasurinë iktiologjike të vendit sipas sipërfaqeve, problemet e mbarështimit dhe kultivimit të nevojshëm të disa llojeve, veçanërisht të krapit, koranit, levrekut evropian etj. Fillimisht në artikull ajo. paraqet kushtet natyrore mjaft të përshtatshme që ka Shqipëria, për një faunë të pasur lumore dhe detare. Ajo citon autorë dhe studime italiane, të cilët kanë përmendur pasurinë iktiologjike dhe mundësitë ekonomike të shfrytëzimit të saj. Më tej, Kasimati analizoi faktorët natyrorë të përshtatshëm, duke filluar nga konfiguracioni, gjiret e mëdha dhe të mbrojtura, kënetat, uji jo shumë i kripur dhe që nuk ngrinte as gjatë dimrit.

Rëndësi të veçantë ajo i atribuoi rrymave ujore, të pasura me peshq, që vinin nga deti Jon deri në veri të detit Adriatik. Një kusht tjetër i rëndësishëm që trajtoi Kasimati ishte konfigurimi i shtratit të platformës nëndet e cila është e gjerë e shtruar me rërë të imët ose baltë, ku gjenden të gjitha llojet e bimëve ujore dhe molusqeve të vogla, me të cilat ushqehen peshqit. Sipas të dhënave të studimit të saj, në këto zona gjenden kryesisht peshq të cilësisë së lartë, si Sturgeon, levreku evropian, Twait shad, Orata dhe Ngjala. Këto të fundit, sipas Kasimatit, udhëtojnë mbi 300 km deri në kënetën e Maliqit. Ajo tregon eksperimentet për rritjen dhe kultivimin me sukses të krapit në fushat e orizit. Për të bindur publikun dhe ekonomistët, ajo analizon dhe ofron disa sugjerime se ku mund të përfitojë shteti nga peshkimi, kryesisht në zonën e Nartës, ndërsa në zona të tjera potenciali ishte edhe më të madh, si në Butrintit, për shkak të mungesës së anijeve moderne. Një fenomen negativ që kishte konstatuar Kasimati ishte shfrytëzimi pa kriter i peshqve me vlera të larta tregtare dhe për pasojë sillte varfërimin e faunës detare me këto specie.

Në vitin 1949 Departamenti i Shkencave të Natyrës kreu një ekspeditë të gjatë studimore në zonat Kukës, Bicaj, Pukë, Burrel, Qafë-Shtamë; Bogë, dhe Theth, duke realizuar kështu një verifikim të gjetjeve në ujërat shqiptare. Në përfundim të kësaj ekspedite, Kasimati arriti të përshkruajë përfaqësuesit e familjeve, urdhrave, gjinive dhe llojeve të të gjithë peshqve në Shqipëri. Pas një pune shkencore, ajo i dorëzoi institutit për botim vëllimin prej rreth 200 faqesh, me titull “Peshqit e Shqipërisë”. Ky punim përmblodhi 257 lloje peshqish, të grupuar në 211 familje, duke lënë pa identifikuar dhjetë lloje peshqish, të cilët zakonisht vijnë shumë rrallë në ujërat e vendit, ose që nuk ishin hasur ende në detin Adriatik. Por pikërisht në kohën kur libri ishte në shtyp në fazat e fundit të botimit, Kasimati arrestohet.

Ajo prej kohësh kishte kundërshtuar shumë nga politikat e regjimit komunist të pasluftës, veçanërisht pas eliminimit dhe internimit të disa intelektualëve shqiptarë, të cilët shpesh nuk kishin patur asnjë lidhje me kundërshtarët politikë të PPSH-së. Një rast i tillë që e tronditi ishte vrasja e shkencëtarit dhe profesorit Selaudin Toto, njëkohësisht drejtor i Institutit të Studimeve Shkencore ku të dy kishin ndihmuar në ngritjen e institucionit. Ose siç ishte rasti i intelektuales dhe shkrimtares Musine Kokalari, motra e dy vëllezërve të pushkatuar, e cila u dënua dhe u burgos.

Këto të gjitha e kishin shtyrë Kasimatin të takohej personalisht me Enver Hoxhën, të cilin e njihte që në kohën e Liceut Francez. Për këtë takim disa studiues citojnë Kasimatin të ketë thënë:

“Kam ardhur t’ju them se po vrisni të gjithë intelektualët, dua t’ju pyes se me kë keni ndërmend ta ndërtoni Shqipërinë, me teneqexhinjtë apo këpucarët?”, dhe Hoxha iu përgjigj: “Mos lexoni iluminizmin francez, ju këshilloj të lexoni Marksin dhe Leninin”.

Më 19 shkurt 1951, një sasi e vogël dinamiti (që konsiderohej bombë) u hodh në oborrin e Ambasadës Sovjetike në Tiranë. Disa dhjetëra shqiptarë u arrestuan dhe pas hetimeve, torturave të të gjitha llojeve gjatë 2-3 ditëve, u ndanë vetëm 22 persona. Mes tyre ishte edhe Sabiha Kasimati, për të cilën autoritetet nuk dhanë asnjëherë asnjë shpjegim se çfarë e lidhte me këtë ngjarje. Në fakt, siç u mësua pas rënies së komunizmit, të gjithë të akuzuarve dhe të ekzekutuarve nuk iu bë asnjë lloj gjykimi, asnjë mundësi për t’u mbrojtur dhe asnjë apel. Më 26 shkurt, vetëm një javë pas ngjarjes, ata u morën në afërsi të fshatit Mënik, buzë lumit Erzen dhe u pushkatuan. Mehmet Shehu, në atë kohë ministër i Punëve të Brendshme, ishte përfshirë personalisht në hetimin e shkurtër të Kasimatit. Më 5 mars, ministri i atëhershëm i Drejtësisë, Manol Konomi, u shkarkua për mospajtim me shkeljen e ligjshmërisë dhe sajimin e një gjyqi që nuk ishte zhvilluar për ata 22 të vrarë tashmë.

Vepra e Sabeha Kasimatit “Peshqit e Shqipërisë” ku ajo dokumenton peshqit e liqeneve, lumenjve dhe deteve shqiptare, u botua, por jo me emrin e saj. Libri mban emrin e shkencëtarit rus Anatoly Poliakov dhe dy studiuesve shqiptarë në vitin 1955. Pas rënies së diktaturës, mos thoni se nuk kishte hezitime; Vetëm në tetor 2018, Kasimatit iu njoh merita e krijimit të idesë së një Muzeu Kombëtar të Shkencave të Shqipërisë. Në tetor 2018 u njoftua se Muzeu Kombëtar Shqiptar i Shkencave do të quhej Sabiha Kasimati dhe një zonë e muzeut do të ndahej për historinë e jetës dhe sakrificën e saj.

Photo: Wikipedia.

Filed Under: Politike Tagged With: Astrit Lulushi

Përshpirtëria e Nënës Tereze: KTHIMI TE BURIMI

May 17, 2023 by s p

Don Lush GJERGJI

“Herët në mëngjes, kur ende ishte natë, Jezusi u çua e shkoi në një vend të pabanuar e atje thoshte uratë”. (Mk 1, 35)

“Puna apo jeta pa uratë është robëri. Kisha dëshiron përtëritjen e saj dhe të botës së sotme. Mirëpo përtërija nuk është ndërrimi i traditave, i jashtëm, por mbi të gjitha i brendshëm, rrënjësor, i zemrës së njeriut me hirin e Zotit”. (Nëna Tereze)

Do të duhej që çdo veprimtari ose punë të ishte shprehje e vetvetes, e frymëzuar prej shpirtit të dashurisë dhe shërbimit; apo siç thotë Ungjilli: “Cili prej jush, nëse mendon të ndërtojë kullën, nuk ulet më parë të llogarisë shpenzimet a ka sa i duhet për ta kryer? Që, kur t’i shtjerë themelet e të mos mund ta kryejë – të mos fillojnë ta vërë në lojë gjithkush ta shohë duke thënë: “Ky njeri filloi të ndërtojë e nuk mund ta kryejë!” (Lk 14, 28-30)

Jeta, puna, brengat, pasiguritë, lodhjet, shqetësimet e jetës dhe të punës, na bëjnë gati “të huaj” për veten tonë dhe për të tjerët, duke krijuar një mentalitet dhe sjellje sipas parimit: si të gjithë të tjerët, që mos të jemi ndryshe në të mirë ose në të keqe, formalizmi dhe fariseizmi, dyfytyrësia dhe pafytyrësia.

Jeta e tillë, pa ndonjë projekt të saktë, pa ndonjë përcaktim dhe orientim, është si vozitja e automjetit pa fre, ose të një anije pa timonier, ose vozitja në gjendje të dehjes: është shumë e rrezikshme, si për ne, ashtu edhe për të tjerët.

“Urata nuk është ikje nga jeta aktive, e përditshme, edhe më pak ikje prej vetes, prej botës, tjerëve, por kërkimi më burimor i fytyrës së vërtetë dhe të sinqertë të njerëzve, të Zotit në këndin e dashurisë dhe të fesë, e cila na ndihmon për ta zbuluar, kuptuar dhe pranuar më mirë: kush jemi ne, kush janë të tjerët, kush është Zoti? Çfarë kuptimi ka jeta jonë, puna, gjithë ajo çka jemi dhe çka veprojmë? (Nëna Tereze)

Fatkeqësisht, sot, shumë njerëz nuk dinë më të luten; çka është edhe më keq, shumë besimtarë nuk dinë më të thonë uratë, të duan, sepse, janë aq shumë të drejtuar kah bota e jashtme, bota që i rrethon, sa që tërësisht i absorbon dhe zbrazë. Brendia kështu bëhet gati një “shesh tregtie”, siç thotë Ungjilli, ku ndodhë shit-blerja , në vend që të jetë tempull, vend heshtjeje dhe urate, takimi me Zotin e gjallë. “Tempulli” – njeriu jeton kështu i profanizuar, dhe Jezusi me të drejtë reagon rreptë kështu: “Pastaj Jezusi hyri në Tempull dhe i dëboi të gjithë ata që shitnin e blenin në tempull. Këmbyesve të të hollave ua përmbysi tavolinat e shitësve të pëllumbave bankat. Dhe u tha: “Shkrimi Shenjt thotë: Shtëpia ime do të jetë shtëpi urate, ndërsa ju po e shndërroni në shpellë cubash!” (Mt 21, 12-13)

Ta thërrasim edhe ne Jezusin, në tempullin e zemrës tonë, në brendinë dhe thellësinë tonë, që të vendosë rregull, të largojë prej nesh gjithçka na robëron, profanizon, shkatërron, zbrazë…, sepse vetëm me Të mund të bëjmë këtë dhe të jemi vërtetë të lirë – domethënë të mirë!

Të jesh i orientuar kah e jashtmja, pa ndonjë jetë të brendshme, shpirtërore, pa paqe, qetësi, pasuri të shpirtit, rrezikon shkatërrimin, zbrazjen, dështimin, vetë jetën. Sot njerëzit punojnë gati ditë e natë, tërë javën, me detyrime profesionale, institucionale, për përfitim, emër, sukses, kështu që në fundjavë ikin diku larg prej rrethit, kërkojnë ndonjë vend më të qetë, bukuritë natyrore, për të përballuar stresin e jetës dhe punës së përditshme. Dhe kjo gjendje vazhdon shpesh gjatë tërë jetës.

Pak kush ka fuqi dhe guxim t’i thotë vetes: ndalu, ku po shkon, çka po do, kush je? Vrapimi frenetik është rrezik permanent… Njeriu më nuk e njeh as vetveten…

Vetëdija që largohet gjithnjë e më shumë prej natyrës, kështu që lëvizjet e natyralistëve, ekologjistëve janë në rritje, edhe pse “ekologjia shpirtërore” , mbrojtja e vlerave dhe virtyteve shpirtërore: morale, fetare, njerëzore nuk hetohet shumë në opinionin publik. Tashmë njeriu rrënon gjithçka, shfrytëzon gjithçka sipas parimit latin “carpe die” – grabite ditën, mendon vetëm për vete, përfitim të madh dhe të lehtë, sa që kudo që prekë – rrënon.

Mentaliteti i sotëm është konsumist, lakmi për të pasur gjithçka, për të përdorë gjithçka, për të shfrytëzuar gjithçka, dhe së fundi për të rrënuar gjithçka… Edhe vetë njeriu në këtë këndvështrim është “vegël” apo “mjet” për punë, prodhim, ekonomi, politikë, shkencë, kulturë, pra, për përdorim dhe gjuajtje, si ndonjë lëndë apo materie.

Të jesh gjithnjë aktiv, produktiv, në shtypje, vetëm për të pasur dhe përfituar, bën që të ndihemi keq – të kemi frikë prej vetvetes; të rrezikojmë komunikimin me të tjerët, frikën, mos të them “tmerrin” prej Zotit. “Aktivizmi” është ikje e vazhdueshme prej vetes, tjerëve, Zotit, që mund të sjellë deri te skajshmëria: jeta, puna, fitimi, konsumimi, argëtimi, duke humbur drejtpeshimin me veten, dhe si pasojë e kësaj, kuptohet, edhe me të tjerët, me Zotin.

Përvojat e shumta grumbullohen në njeriun, shumë ngarkesa, brenga, shqetësime na mundojnë, nuk ka “tretje” të mirë dhe harmonike. Kjo shkakton në ne thyerjen e drejtpeshimit, harmonisë, një lloj “të thati”, sepse nuk arrijmë të kemi baraspeshë të duhur mes unë dhe të tjerët, të tjerët dhe bota, unë dhe Zoti… Pa një kombinim të mirë dhe të suksesshëm veprimi dhe kontemplimi, ne – të tjerët – Zoti, njeriu ndihet dhe është i tretur, i pakënaqur, pa siguri dhe harmoni, në ethe dhe në ankth, në kërkim dhe bredhje…

Misioni i të krishterit në botën e sotme është ky: të kemi një marrëdhënie dinamike dhe të hapur me vetveten, ndaj të tjerëve, ndaj Zotit. Vetëm kështu mund ta kemi një fytyrë për të zbuluar, jetuar, komunikuar, si shije dhe lumturi jete dhe veprimi.

“Në mbarë botën është një ankth, një uri e tmerrshme për dashuri, për Zotin. S’ka jetë të brendshme, komunikim vëllazëror pa uratë…Urata, që të jetë e frytshme, duhet të burojë nga zemra dhe duhet të jetë e aftë ta prekë zemrën e Zotit. Shikoni si i mësoi Jezusi nxënësit e tij të luten: Thirreni Zotin, Atin tuaj, lavdërojeni emrin e tij. Shpesh urata jonë është sipërfaqësore, si edhe e tërë jeta, sepse nuk e kemi ngulur mendjen dhe zemrën tonë mbi Jezusin, nëpërmjet të cilit urata jonë lartësohet deri te Zoti. Shpesh një shikim i thellë dashurie do të mund ta bënte uratën tonë më të gjallë. Unë e shikoj, Ai më shikon, është urata e përsosur… Puna nuk më huton dhe largon prej Zotit. Kur motrat tona dalin për të punuar jashtë kuvendit, të varfrit nuk kërkojnë prej tyre ushqim apo veshmbathje, por thonë kështu: Na mësoni fjalën e Zotit… Shpesh edhe unë kam menduar: do të më pëlqente të tërhiqja edhe unë me motrat kontemplative, të jetoja krejtësisht një jetë të shkëputur prej botës, të jem thjeshtë me Jezusin, por pastaj e kam kuptuar që mund të jemi në botë, duke punuar, shërbyer, duke u lutur. Atëherë unë jam personi më e lumtur në botë, sepse jetoj 24 orë në ditë me Jezusin dhe për Jezusin… Edhe të varfrit e botës, do të thosha të gjithë, duan të dëgjojnë se kanë një Babë – Atë në qiell, në Atë që i do ata.” (Nëna Tereze)

Ja, pra, kthimi te burimi: të kthehemi dhe të jetojmë me Atin tonë të mirë, që është jo vetëm në qiell, por edhe ndër ne, në tokë, për krijimin dhe jetësimin e vëllazërisë së re e cila lindë prej dashurisë së Atit. Kthimi i vazhdueshëm te burimi i pashtershëm i jetës dhe dashurisë, te Zoti, duke qenë vetvetja, ajo çka Zoti pret, kërkon, dëshiron me ne, por edhe me të tjerët, me të gjithë.

“Ja: Kisha beson se Krishti, që ka vdekur dhe është ngjallur për të gjithë, nëpërmjet Shpirtit të vet, i jep njeriut dritë e forcë që të mund t’i përgjigjet thirrjes së tij më të lartë; s’ka asnjë person tjetër nën këtë kupë qiellore që Hyji ua dha njerëzve me anën e të cilit do të mund të shpëtohemi… Kështu, në dritën e Krishtit, shëmbëlltyrë e Hyjit të padukshëm, i paralinduri i të gjitha krijesave Koncili ka qëllim t’u drejtohet të gjithëve për të shpjeguar misterin e njeriut e për të bashkëpunuar në kërkimin e një zgjidhjeje të problemeve kryesore të kohës sonë.” (GS 10)

Prishtinë, 17 maj 2023

Radio Maria – Kosovë

Don Lush GJERGJI

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 158
  • 159
  • 160
  • 161
  • 162
  • …
  • 668
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Liria fillon gjithmonë nga refuzimi për të gënjyer veten…
  • Një nderim për historinë tonë kombëtare…
  • Habermas në mbrojtës i vendosur i intervenimit të NATO-s në Kosovë
  • HYSEN S. DIZDARI, VLERA E NJË HULUMTUESI SERIOZ NË PULLAT SHQIPTARE
  • Njё Dritёro amerikan, Robert Frost (1874 – 1963)
  • 18 mars 2026, 78 vite nga lindja e poetit martir Vilson Blloshmi!
  • Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. promovon romanin “Brenga” të Dr. Pashko Camaj 
  • ASOCIACIONI SI ENTITET PARA-SHTETËROR APO VETËMENAXHIMI SI GARANCI E RUAJTJES SË RENDIT KUSHTETUES NË KOSOVË
  • Luana Bajrami, aktorja nga Kosova feston 25 vjetorin me Oscar dhe hyn në Histori
  • Çfarë e bën mashkullin burrë?
  • Pse Hoxhë Hasan Tahsini ishte drejtuesi i lobit shqiptar në Stamboll
  • Artan Shabani, piktori i ngjyrave që vuan dramën e Çamërisë
  • Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, por stresi i jep krahë: Pse biem pre e gënjeshtrave?
  • Shuhet lahutari rugovas Rrustem Bajrami-Imeraliaj, 1932-2026
  • PËKUSHTIM XHEVAT KORҪËS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT