• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”

December 17, 2025 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Në fund të Nëntorit, u publikua Strategjia e Sigurisë Kombëtare (NSS-2025), një produkt gjithëpërfshirës i Institucioneve, Agjencive, Instituteve dhe Expertëve të Sigurisë Kombëtare, që mban firmën edhe emrin e Presidentit të 47 të ShBA-ve, Donald J. Trump.

Strategjia – 2025 demostron kthesë të fortë në politikën Amerikane, pasi formalizon vizionin dhe vendosmërinë e Presidentit Trump si dhe objektivat e Washingtonit Zyrtar mbi përdorimin e instrumenteve të fuqisë për të mbrojtur sovranitetin si dhe zhvilluar interesat kombëtare dhe gjeopolitike të ShBA-ve.

Pesë mesazhe gjeostrategjike që mund të nxjerrim nga Strategjia /Trump – 2025:

Pikësëpari, përtej të përbashkëtave p.sh me Strategjin Trump/1-2017, ajo që e bën të veçantë SSK – 2025 është vizioni, qasja, përkushtimi dhe vendosmeria e Presidentit Trump-2 për ta bërë: “Amerikën përsëri të madhe” (shqip, edhe më të fortë), ose një superfuqi të pakonkurueshme, të pamposhtur dhe vdekjeprurese për cilindo shtet ose Aleancë armiqësore që/qoftë do guxonte që kërcënonte sovranitetin territorial (terësisht e pamundur) ose interesat gjepololitike të ShBA-ve!

Po ashtu konfirmohet Zotimi Nr.1 i Trump-2: “do ta shpëtojë/shërojë ShBA nga Deep State; demokracia fasadë, shteti i kapur nga korrupsioni i pushtetareve të lartë; ushtria e burokratëve majtist si dhe interesat e filantropistëve që kanë pushtuar (jo vëtëm/autori) shtetin Amerikan”, por që vijojnë të mbajnë të prangosura edhe vendet e BE, Balkanit, përfshi RSh dhe Kosovën.

Së dyti, kjo strategji konfirmon besimin e amerikanëve në projektin e Presidentit Trump-2: “interesat e ShBA mbi të gjitha, Amerikanët të parët”! Ndaj si nën-prioritete të saj janë: “rivitalizimi ekonomisë së lirë; privalimi i interesave ekonomike në çdo angazhim ndërkombëtar, përfshi kontributet për paqen; sigurinë kufitare (me çdo mjet/çmim, ngritja e murit diçital, përdorimi i fuqisë ushtarake ndaj emigrantëve të pa-ligjshëm, etj); ri-vendosjen e hegjemonisë në fushën e kërkimeve shkencore, IA, energjisë, lufta kundër krimit ndërkombëtar, narko-terrorizmit, karteleve të drogës”.

Së treti, konformohet përqasja e Trump-2: “paqe (e imponuar) nëpërmjet forcës”, pra mbajtjen e rolit të superfuqisë së pakonkurueshme ushtarake të SHBA-ve përfshi fuqinë nukleare, kibernetikës, inteligjencës Artificiale (AI), etj. Mjafton të përmendim emërtimin e Pentagonit si “Ministri e Luftës”: rritjen në rreth 1 trilion $ të shpenzimeve të mbrojtjes (2 herë më shumë se 31 vendet e NATO-s dhe 50 % të GDP-së Rusisë), investimeve për AI, forcën hapësinore, etj.

Si shëmbull përmendim “sulmin më të suksesshëm të historisë së njerëzimit”, që fuqia ushtarake e ShBA (37 orë fluturim, 6 avion B-2 me kosto 2-Bilion $ sejcili; 12 bomba GBU-57 me nga 14 tonë; dhjetra raketa Tomahawk dhe 125 avionë F-35) realizuan ndaj bazave bërthamore të Ajatallah-ut të Iranit, i cili në 36 vitet e sundimit kërcënonte Izraelin dhe mbarë qytetërimin: “me shfarosje nga faqja e dheut”! Kështu, ky sulm mbetet edhe si mesazh i fuqisë shkatërrimtare të ShBA ndaj diktatorëve gjakatarë, ose të shkalluarve nga fuqia e gjithë-Pushtetit (Putinit, Kim Jong, etj), nëse guxojnë të sulmojnë këdo nga 32 anëtarët.

Strategjia Trump-2 nuk ka të bëjë dhe aq me vlerat, as me promovimin e demokracisë dhe as me traditën që europianët i kanë marrë si të mirëqëna/falas kontributet e SHBA-ve gjatë një shekulli për paqen dhe sigurinë. Në fakt kjo strategji fokusohet në ekspozimin e fuqisë së pakonkurueshme si dhe privalimin e interesave amerikane. E thënë më qartë: “epoka kur ShBA-të kontribuonin për paqe dhe siguri falas ka perënduar!

Së katërti, ndërsa mbetet ende e varur nga garancia strategjike amerikane, (veçanërisht nga (pa) fuqia bërthamore), brënda 2027 Europës i duhet: “të zhvillojë kapacitete për të vetë-marrë barrën e përgjegjesisë së mbrojtjes konvencionale ndaj çdo fuqie kundërshtare”. Mbas rënies së Murit të Berlinit, ShBA mbajtën peshë kritike në garantimin e sigurisë, në luftën kundër Millosheviçit, programet për zgjerimin e NATO-s, etj, në këtë strategji konfirmohet se: “Amerika as po largohet nga NATO dhe as po braktis BE-në, por kërkon që Europa të zhvillojë/marrë pa iluzione përgjegjësit”!

Në shtesë(5-ti) (!) ripërcaktimi i kushteve për ri-vendosjen e dialogut dhe stabilitet strategjik me Rusinë (kushti nr.1 paqa në Ukrainë); (!!) marrëdhëniet me Kinën do të dominohen nga interesat ekonomike si dhe parandalimi i përballjes ushtarake për Tajvanin; (!!!) dhe në Lindjen e Mesme me konsilidimin e paqes, për sa kohë që nuk kërcënojnë por çimentojnë supermacinë dhe interesat amerikane jo vetëm në Rajon.

Pesë gjetje & rekomandime strategjike për RSh dhe Kosovën nga leximi i Strategjisë Trump – 2025:

Epoka e garancive strategjike nga ShBA ka përfunduar, pasi kjo strategji demostron një zhvendosje tektonike në gjeopolitikën amerikane, me pasoja në Europë, veçanërisht në Ballkan ku prezenca amerikane mbetet me peshë vendimtare. Kështu mesazhi kësaj strategjie është i qartë: “në një Rend të Ri, ku ne vend të vlerave, interesat “mbeten të vetmet karta”, nuk mjafton të kesh Aleatë, por vendet duhet të zhvillojnë kapacitetet të afta për te ushtruar përgjegjësitë në fushën e mbrojtjes”!

Shqipëria dhe Kosova vërtet kanë statuse të ndryshme por fate dhe interesa të pandashme. Sigurisht, Kosova efektohet më shumë pasi dhe vetë ekzistenca e saj është rezultat i kontributit si dhe fuqisë ushtarake të USA/NATO. SSK-2025 e bën edhe me të qartë se Kosova nuk mund te bazohet përjetësisht me praninë e ShBA/NATO, pra si dhuratë (for granted). Ndaj mbrojtjen e sovranitetit dhe statusquo-së gjeopolitike, Kosova do mund t’i realizojë vetëm duke forcuar më tej dialogun dhe bashkëpunimib strategjik me SHBA për të modernizuar Sistemin e Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Ndërsa për Shqipërinë, anëtare e NATO-s dhe aspirante BE, pyetja thelbësore që buron nga kjo strategji nuk është “me kë je” (?), por “çfarë ofron” (?). Fatëkeqësisht, pluralizmi fasadë, (c)balanancat kushtetuese, korrupsioni endemik, etj kanë tronditur besimin e Shqiptarëve te demokracia funksionale.

Gjithësesi, “duke duartrokitur rritjen historike të buxhetit të mbrojtjes për 2026” (2.12 % ose 600 milion €, pra më i madhi në 35 vitet e fundit), objektivin drejt 5 % të GDP-së përveçse kërkesë të Presidentit Trump e gjej edhe si legjitimitet ndërkombëtar (ShBA/NATO/BE) si dhe oportunitet historik për të ekspozuar fuqinë ushtarake në mbrojtje të integritetit dhe interesave Kombëtare.

Pra, 5 %, ose për mbi 1.2 Miliard € për prokurimin e armatimeve dhe sistemeve të gjeneratës së fundit që rrisin aftësitë mbrojtëse si dhe masat e deterrence/shpaguese ndaj çdo vendi që kërcënon sovranitetin territorial dhe interesat gjeopolitike të RSh.

Sigurisht një analizë e thelluar e SSK -2025 kërkon angazhimin e faktorëve shtetërorë dhe ekspertizës elitare, ndërsa mbetet emergjencë kritike ngritja e një “wise group”, me personalitete të gjerësisht pranuara, që përtej pazareve part-iake përulen para interesave Kombëtare si dhe përgjegjësive shtetërore për ta jetësuar Platformën: “2-Shtete sovrane 1-Komb i vetëm”, e cila nuk kërcënon por kontribuon si balancë racionale për bashkëjetesën paqësoresi dhe integrimin Euroatlantik të Rajonit.

Së fundmi (5), kjo strategji promovon besimin e amerikanëve te “fuqia ushtarake e pakonkurueshme dhe vdekjeprurëse e ShBA-ve si dhe Leadershipi i fortë i Trump”! Nga ana tjetër, shërben si këmban alarmi për vendet e NATO/BE, Ballkanit, përfshi RSh/Kosovën për të marrë barrën në kuadër të Aleancës si dhe zhvilluar përgjegjësitë kombëtare, në mënyrë që: “jo Lufta por Paqja, rendi global, vlerat e qytetërimit dhe demokracisë të triumfojnë mbi neo-Fashistët, neo-Stalinistët, neo-Millosheviçët, shtetet dhe organizatat terroriste”!

Filed Under: Politike

Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)

December 17, 2025 by s p

Muzeu Historik Kombëtar/

Me propozimin e përfaqësuesve të dy shteteve autonome të Perandorisë Britanike të Afrikës së Jugut e të Kanadasë, Asambleja e Përgjithshme e Lidhjes së Kombeve, më 17 dhjetor 1920, e pranoi Shqipërinë si anëtare të Lidhjes me të drejta të plota.

Këto zotërime të Britanisë së Madhe, mbështesnin fort idenë e Presidentit Uilson, se kombet e vogla kishin të drejtë të ekzistonin si shtete sovrane.

Ky pranim kishte rëndësi të dyfishtë për vendin.

Së pari, u rikonfirmua njohja ndërkombëtare e shtetit shqiptar, për të cilën ai kishte shumë nevojë në rrethanat e reja të pasluftës. Këto rrethana, kishin të bënin me pretendendimet e Fuqive të Mëdha dhe vendeve fqinje në lidhje me kufijtë e Shqipërisë.

Së dyti, pranimi përbënte në fakt një akt njohjeje kolektive edhe të qeverisë së Tiranës. Pranimi në Lidhjen e Kombeve krijonte gjithashtu mundësi për shqyrtimin nga ky forum ndërkombëtar të çështjeve të mbetura pezull midis Shqipërisë dhe shteteve fqinje.

Megjithatë, çështja e kufijve të Shqipërisë mbeti e hapur. Fan Noli si kryetar i delegacionit shqiptar, argumentoi me të drejtë se gjatë Luftës I Botërore, Shqipëria nuk kishte qenë shtet ndërluftues (por asnjëanës), dhe si rrjedhim kufijtë e saj nuk mund të shqyrtoheshin nga Konferenca e Ambasadorëve.

Pavarësisht kësaj, Këshilli i Lidhjes së Kombeve, me vendimin e tij të 26 qershorit 1922, ia kaloi për diskutim kërkesën e qeverisë shqiptare Konferencës së Ambasadorëve.

📖 Burimi nga: Historia e Popullit Shqiptar III, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2007, faqe 171-173.

Filed Under: Politike

Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

December 16, 2025 by s p

Vjosa Osmani/

Gjatë takimit i përcolla sërish urimet më të përzemërta për fillimin e misionit të tij, si dhe shpresën që pontifikati i tij të sjellë dritë, kurajë dhe mbështetje për njerëzit në nevojë anembanë botës. Përcolla poashtu ftesën e përzemërt për një vizitë të tij në Republikën e Kosovës, e cila do të pritej me shumë dashamirësi nga të gjithë qytetarët tanë.

Biseduam për rolin e Kosovës, tokës sonë dardane, si vend që ka ndërtuar paqe dhe harmoni ndërfetare mbi përvojën e saj historike të qëndresës dhe sakrificës. Diskutuam gjithashtu për thellimin e bashkëpunimit në fusha që prekin drejtpërdrejt mirëqenien e qytetarëve tanë, me shpresën që Selia e Shenjtë do të marrë së shpejti vendimin e shumëpritur për njohjen formale të Republikës së Kosovës.

Kosova mbetet e përkushtuar t’i forcojë marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë dhe ta avancojë miqësinë tonë historike, duke u udhëhequr nga vlerat që na bashkojnë. Në frymën e festës së Krishtlindjes, ndamë dëshirat e përbashkëta për paqe e harmoni në gjithë botën.

Filed Under: Politike

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë

December 15, 2025 by s p

New York, 13.12.2025/

Këtë të shtunë në New York, u zhvillua një aktivitet i rëndësishëm për komunitetin shqiptar në USA, e veçanërisht për Unionin e Gazetarëve Shqiptarë, dega USA. Përfaqësues të ndryshëm nga komuniteti shqiptaro-anerikan, gazetarë, shkrimtarë, përfaqësues religjionesh, diplomatë nga Ambasada e Kosovës etj., ishin pjesë e këtij aktiviteti i cili nisi me himnet e tri shteteve, atë të SHBA, kombëtar dhe të Republikës së Kosoves.

Më pas u shfaq dokumentari “Dom”, i realizuar nga regjisori Bujar Alimani, me skenar të gazetarit Dritan Haxhia, kushtuar jetës dhe veprimtarisë së një prej figuara të rëndësishme të këtij komuniteti, klerikut Dom Pjetri. Dokumentari u shfaq në një nga sallat e Kishës “ Zoja e Shkodrës”, e cila ishte edhe mikpritsja e aktivitetit të zhvilluar nga UGSH për SHBA.

Emocione dhe përshëndetje të veçanta sollën në këtë veprimtari momentet kur Unioni i Gazetarëve, për USA, vlerësoi me çertifikata disa nga emrat e njohur të gazetarisë shqiptaro amerikane të cilët janë shquar ndër vite, si Frank Shkreli, Idriz Lamaj, Virgjil Kule, Gjek Gjonlekaj.

Këto personalitete dhe profesionistë kanë dhënë një kontribut të çmuar në publicistikën dhe mediat klasike si në ato shqiptare ashtu edhe amerikane. Mbrëmja u moderua nga Kryetari i UGSH, për USA, Dritan Haxhia dhe Koordinatorja Elona Paja Biba, si dhe pati një përshëndetje nga Tirana, prej drejtuesit të UGSH, gazetarit Aleksandër Çipa.

Dr. Pashko Camaj, sekretar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, gjatë fjalës së tij përgëzoi drejtuesit për organizimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme të gazetarisë, e veçanërisht për shqiptarët e Amerikës. Pjesëmarrës në këtë veprimtari ishte dhe kandidati për në kongresin amerikan, shqiptari Diamant Hysenaj. Mbrëmja pati surpriza të ndryshme dhe u finalizua me trokitjen e gotave të verës, duke uruar që aktivitete të tilla, të jenë të vazhdueshme..

Dega UGSH në SHBA

New York

13.12.2025

Photo & Video Credit: Adriatik Bërdaku, Ilir Rizaj

Filed Under: Politike

Rizza Milla: Radio “Zëri i Shqiptarëve” në Chicago, 3 dekada në shërbim të komunitetit dhe çështjes kombëtare

December 12, 2025 by s p

Intervistoi: Sokol Paja/

1. Cili është historiku i Radios “Zëri i Shqiptarëve” në Chicago?

Bashkësia shqiptare në Chicago ka një histori të begatë mbi njëqindvjeçare. Shqiptarët kanë jetuar dhe jetojnë ende në vendbanime të ndryshme të shtetit të Illinois-it, Milwaukee-t dhe Wisconsin-it. Ata kanë qenë të organizuar rreth shoqatave “Flamuri i Shqipërisë” dhe “Shoqata Qyteza”, ku shumica e të parëve kanë qenë korçarë, të vendosur në Chicago gjithmonë me dëshirën për t’u bashkuar, për të vepruar dhe për të ruajtur lidhjet mes veti. Takimet e tyre i çlodhnin nga punët e rënda që çdo mërgimtar i ka përjetuar në fillimet e tij.

Shqiptarët gjithmonë kanë qenë në kërkim të informimit se çfarë ndodhte në vendlindje. Para dhjetëra dekadash në Chicago botohej revista Vullnetari, për të cilën aktualisht nuk e di emrin e autorit. Më pas doli revista Krahët e Shqiponjës e shkrimtarit Bilal Xhaferri, por vdekja e papritur e Bilalit i dha fund edhe botimit të saj.

Në vitet ’70 u hap edhe një program radiofonik nga Iljaz Dragovoja dhe Xhemal Muja, por pas dy vitesh, për mungesë fondesh, u detyrua të ndërpritej. Po ashtu kemi pasur një radio-telefon të përgatitur nga LDK-ja me Ramazan Bekteshin, ku në një minutazh prej 30 minutash mund të dëgjonim lajme – edhe ky projekt u ndërpre.

Në vitin 1984 filloi punën edhe TV “Zëri i Shqiptarëve” nga Naser Hoxha, por pas një viti pushon transmetimin për mungesë përkrahjeje dhe stafesh drejtues. Edhe Pajazit Murtishi, për një kohë të shkurtër, pati të njëjtin fat për shkak të mungesës së fondeve, sepse për të realizuar një orë emisioni duhen kohë dhe përkushtim i përditshëm.

Megjithatë, shpresat dhe dëshirat e shqiptarëve për të krijuar një emision radiofonik kurrë nuk kanë munguar. Gjithmonë ka pasur ide, aktivistë dhe grupe të ndryshme që e kanë kërkuar këtë projekt.

Unë në Chicago kam mbërritur më 11 tetor 1991 dhe menjëherë jam përfshirë në aktivitetet e komunitetit shqiptar. Disa prej bashkatdhetarëve i njihja që nga vendlindja, disa të tjerë i kisha takuar gjatë studimeve në Prishtinë. Rrugët e mërgimit na bashkuan sërish në Chicago. Me këtë shkrim dua t’i përshëndes dhe t’u përulem të gjithëve që më kanë pranuar, ndihmuar dhe përkrahur gjatë rrugëtimit tim në aktivitetet e komunitetit, ku kam qenë herë pjesëmarrës, herë iniciator. Falë tyre, “Zëri i Shqiptarëve” prej 30 vitesh ka qenë një nyje e rëndësishme informative mbarëshqiptare.

2.Si lindi ideja për themelimin e Radios?

Në vitin 1992, pas konsultimeve me disa aktivistë të vjetër të komunitetit – Halil Bardhin, Luc Briskun, Iljaz Dragovojën, Muho Durakun, Bahri Hysën, Hasan Gjelajn, Bajram Krajën, Hajredin Islamin, Hasan Ramushin, Miter Pekajn, Mark Gjon Pemën, Pjetër Briskun, Andri Briskun, Pashko Pekajn, Nazim Cucën, Musa Dabecën, Zija F. Millën, Zija S. Millën, Alim Astafën e të tjerë – vendosëm të themelonim Shoqatën “Albanian Democratic League in Montenegro – Chicago Branch”, të regjistruar sipas ligjeve të qytetit të Chicago-s si shoqatë jofitimprurëse. Brenda ditësh, të gjitha familjet shqiptare u bënë anëtare dhe paguan kuotën prej 60 dollarësh.

Në një mbrëmje familjare me ftesë të patriotit të ndjerë Bahri Hysa dhe bashkëshortes së tij Hile, në një apartament të vogël por me zemër të madhe, u mblodhëm dhjetëra aktivistë për të përgatitur ceremoninë e themelimit të shoqatës. Nazim Cuca, gazetar i Radio Ulqinit, na propozoj të lidhnim një komunikim me Radio Ulqinin për të përcjellë një mesazh për zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi. Pasi e autorizuam Nazimin, u realizua lidhja direkte me gazetarin Zenel Katana. Apeli ynë ishte i qartë: shqiptarët të votonin për Partinë Shqiptare, LD në MZ.

Pas kësaj lidhjeje telefonike na lindi ideja për themelimin e një radio-emisioni në gjuhën shqipe. Në Chicago tashmë transmetonin kroatët, serbët, boshnjakët dhe maqedonasit – ndërsa disa prej tyre shpërndanin edhe dezinformata kundër shqiptarëve. Prandaj ishte e domosdoshme të kishim një zë tonin.

Nazim Cuca u ngarkua të hulumtonte për frekuencat dhe procedurat ligjore. Në tetor të vitit 1995, Nazimi thirri një mbledhje nismëtare në restorantin “Hilltop”, me pjesëmarrjen e rreth 50 bashkatdhetarëve. Fillimisht siguruan fondet për dy vite transmetim në WNDZ 750 AM, radio që dëgjohej në pesë shtete.

3.Zgjedhja e emrit të radios, cilat ishin propizimet?

U propozuan tre emra:

Hasan Ramushi – “Radio Skënderbeu”

Nazim Cuca – “Radio Ulqini”

Iljaz Dragovoja – “Radio Zëri i Shqiptarëve”

Me shumicë absolute u zgjodh emri “Radio Zëri i Shqiptarëve”.

Ekipi i parë drejtues (1995):

Nazim Cuca dhe Lindita Fteja – drejtues

Gëzim Mullabeqiri – teknik

Dino Milla – përzgjedhës i muzikës

Riza Milla – redaktor i lajmeve

Emisioni i parë u transmetua në javën e dytë të nëntorit 1995.

Mysafiri i parë: Memo Gjon Zeneli, kryetar i Festës së Flamurit.

Tema: “Përgatitjet për Festën e Flamurit”.

4. Cili ishte programacioni dhe ndikimi patriotik i radios?

Radio ZSH ka pasur gjithmonë si synim informimin e komunitetit për gjithçka që ndodhte në hapësirat shqiptare, sidomos për aktivitetet e komunitetit në Chicago. Që në fillim, orientimi programor ka qenë i qartë: ruajtja e identitetit kombëtar, informimi korrekt, bashkimi dhe organizimi i komunitetit shqiptar në SHBA. Në vetëm 60 minuta transmetim javore, radioja mundohej të pasqyronte ngjarjet më të rëndësishme. Rubrikat përfshinin:

Lajme

Ngjarje dhe data

Mysafiri në studio

Përshëndetje dhe urime

Rubrika e bizneseve shqiptare

Lajmërime të ndryshme

“Ju në telefon – Ne në mikrofon”

5. Si u mikprit radio nga komunitetit shqiptar?

Radioja u prit me entuziazëm dhe mbështetje të vazhdueshme nga dëgjuesit. Sponsorizimet e tyre siguruar jetegjësinë e radios, që për vite të tëra ishte i vetmi mjet informimi në gjuhën shqipe në Chicago.

RZSH mbajti gjithmonë qëndrim jopartiak, duke transmetuar informacione reale nga vendlindja përmes korespondentëve nga Tirana, Prishtina, Struga, Ulqini dhe qytete të tjera. Në studio kanë qenë të ftuar qindra personalitete – nga qytetarë të thjeshtë deri te presidentët e shteteve shqiptare.

Radioja ka bashkëpunuar me administratën e qytetit të Chicago-s, me zyrën e guvernatorit të Illinois-it, me zyrën e Thesarit të qytetit (Maria Pappas), me TV dhe radio shqiptare në Ballkan dhe Amerikë, si dhe me të gjitha shoqatat shqiptaro-amerikane.

Gjatë luftës në Kosovë, RZSH bashkëpunoi me Departamentin e Informimit të Shtëpisë së Bardhë, duke marrë çdo mëngjes informacione zyrtare për zhvillimet e luftës. Një moment i veçantë ishte kur Sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, dërgoi deklaratën ekskluzive nga Rambouillet për RZSH, me porosinë të mos publikohej para dalje së saj në media.

6. Cila është e ardhmja e radios në epokën e digjitalizimit?

Radio ZSH ka përmbushur me nder misionin për të cilin u themelua. Sot, në epokën e digitalizimit, dëgjuesit kanë shumë mundësi të tjera për informim dhe argëtim. Unë mendoj se ka ardhur koha që unë, Riza Milla, të zëvendësohem nga një grup i ri vullnetarësh. E gjithë puna është bërë falas, dhe është e vështirë të gjenden njerëz të gatshëm të punojnë vullnetarisht për një kohë të gjatë – shumë kanë ardhur e kanë ikur pas një emisioni të vetëm.

Radio ZSH sot transmetohet në:

WCGO 1590 AM – një herë në javë

24 orë LIVE në VOA.Radio12345.com

Facebook Live në profilin e Radios

Të dielave, 3–4 PM, po ashtu në WCGO dhe online

E ardhmja e Radios varet nga vullnetarët e rinj. Shpresoj që zëri i shqiptarëve të dëgjohet edhe për 50 vite të tjera.

7.Kush është Riza Milla?

Gjithmonë jam përpjekur të jem modest dhe të flas pak për veten. Prej 30 vitesh, mikrofonin e kam përdorur për të informuar dhe për të vlerësuar të tjerët.Jam nga Kështenja e Krajës, ku kam kryer shkollën fillore; shkollën e mesme dhe universitetin i përfundova në Kosovë. Në vitin 1980 fillova punën si mësues (klasat 1–4) ku punova deri më 1991. Ashtu si shumë krajanë, edhe unë u detyrova të largohem për t’i shpëtuar luftës në Kroaci. Më 11 tetor 1991 u vendosa në Chicago me familjen, ku jetoj edhe sot.

Në vitin 1992 isha bashkëthemelues i shoqatës “Albanian Democratic League in Montenegro – Chicago Branch”, e cila më vonë u riemërua “Shoqata Ulqini”, ku shërbeva si kryetar për një mandat. Jam krenar që, bashkë me bashkatdhetarët e përmendur më herët, kemi bashkuar komunitetin shqiptar rreth një sofre të përbashkët, duke festuar për 33 vite me radhë ndërrimin e moteve (1992–2026). Sot në festat tona marrin pjesë edhe fëmijët që dikur luanin me lodra, e tani janë prindër – kjo është pasuria më e madhe.

Po ashtu jam angazhuar në Komunitetin Shqiptaro-Amerikan, ku jam një nga themeluesit e brezit të ri që sot e udhëheq atë. Përmes aktivitetit tim kam pasur kënaqësinë të njoh shumë aktivistë, intelektualë dhe miq nga gjithë SHBA-ja. Ishte nder të merrja pjesë në shtator në ditëlindjen e Dioguardit, ku takova shokë e miq që na bashkon ideali dhe dashuria për atdheun.

Filed Under: Politike Tagged With: Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 670
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës
  • A KA PASUR LIBRA SHQIP PARA PUSHTIMIT OSMAN?
  • NGA FUSHA E SPORTIT TE ARKITEKTURA E SHTETIT
  • Pasqyrimi i gjendjes në Kosovë në fund të viteve ’80 sipas dokumenteve të Arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë
  • Fondacioni “Kalo” ringjall Luzatin e hershëm në Tepelenë
  • SALIH ZOGIANI – ERUDITI QË SHNDËRROI ANEKDOTËN NË THESAR TË KOMBIT
  • 115-VJET NGA KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE: NGA PUSHKA TE SHTETI
  • NJË GABIM I QËLLIMSHËM NGA KRYEMINISTRI EDI RAMA
  • Bostoni shqiptar përballë historisë: Ambasadori Walker sjell të vërtetën e Raçakut
  • Instituti i Historisë “Ali Hadri” sjell botimin e ri për dokumentet diplomatike të Kosovës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT