• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË DITËN E PRESIDENTIT KUSHTUAR IBRAHIM RUGOVËS – KOSOVA NDERON XHIM XHEMËN

May 25, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence

Të martën me 24 Maj, në Ditën e Presidentit, kushtuar Dr. Ibrahim Rugovës, Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani dekoroi z. Jim Xhema, shqiptaro-amerikanin e njohur, lobistin, patriotin e madh dhe filantropistin e dalluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në njoftimin botuar në portalin e Presidencës së Republikës së Kosovës, thuhet se në Ditën e Presidentit, në shenjë mirënjohjeje për kontributin për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në prani të Zëvendësambasadorit të SHBA-ve, z. Nicholas Giacobe dhe përfaqësuesve të Federatës Pan-Shqiptare, “Vatra”, Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, dekoroi z. Jim Xhema me “Urdhrin e Lirisë”.

Z. Xhim Xhema ishte dekoruar më parë edhe me “Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit”, nga Presidenti historik, Dr.Ibrahim Rugova. 

Në të njëjtën ceremoni, ditën e martë, me 24 Maj, 2022, Presidentja Osmani dekoroi me Urdhrin, “Dr. Ibrahim Rugova” edhe amerikanin, Z. Christopher Hyland.  Z. Hyland është i njohur për komunitetin tonë në Nju Jork dhe më gjërë.  Ai ka qenë zyrtar i lartë i fushatës për president të Z. Bill Clinton dhe ka punuar shumë ngusht me përfaqsues të komunitetit shqiptaro-amerikan. Ai ishte bërë pjesë e pa ndarë e këtij komuniteti me përpjekjet e tija në mbështetje të çeshtjeve kombëtare të shqiptarëve, sidomos në promovimin dhe ndërkombëtarizimin e çeshtjes së Kosovës gjatë 1990-ave. 

Presidentja Dr. Vjosa Osmani vlerësoi kontributin e të dekoruarve për afirmimin e çështjes së Kosovës ndër vite, ndërsa ka thenë: “Duke e rikthyer vëmendjen tonë te miqtë e Kosovës dhe atdhetarët tanë përtej Oqeanit Atlantik, ne e ripërtërijmë edhe kujtimin për afirmuesin e madh të demokracisë, presidentin tonë, dr. Rugovën”, ka theksuar Presidentja Osmani në ceremoninë e ndarjes së dekoratave. 

Nuk është e rastit që Presidentja Osmani i dekoron veprimtarin dhe afaristin e dalluar në Amerikë, Xhim Xhemën me dekoratën, “Urdhri i Lirisë”, pikërisht, në Ditën e Presidentit, që festohet në Kosovë — kushtuar Dr. Ibrahim Rugovës. Z. Xhim Xhema dhe Dr. Ibrahim Rugova kanë bashkpunuar ngusht me njëri tjetrin për të ndërkombatirizuar çeshtjen e Kosovës gjatë viteve 90-a dhe më vonë, jo vetëm këtu në Amerikë, por edhe anë e mbanë botës. “Presidenti Rugova”, ka thenë Xhim Xhema për Zërin e Amerikës disa vite me parë, “ishte një udhëheqës largpamës, një njeri që mbronte idenë e mjeteve paqësore, por i vendosur në udhëheqjen e shqiptarëve drejt pavarësisë.  Është vërtetë një tragjedi”, ka shtuar ai, “që Presidenti Rugova nuk jetoi të gëzonte pavarësinë e Kosovës”.

“Shpresoj që udhëheqësit e rinj të Kosovës”, është shprehur me atë rast Xhim Xhema, “të përqafojnë udhëheqjen paqësore të President Rugovës, një qëndrim që u ka siguruar shqiptarëve mbështetje në pjesën më të madhe të botës”, ka thenë Xhema për Zërin e Amerikës në vitin 2010.

Përveç atdhedashurisë së tij të flakët, Xhim Xhema dallohet për veprimtarinë e tij gjatë dekadave në Amerikë se dijti të zgjidhte dhe të bënte miqë për kauzat shqiptare në Washington, sidomos për çlirimin e Kosovës, duke siguruar mbështetjen e dy partive politike kryesore të këtij vendi – republikanë dhe demokratë.  Kishte “berë për veten”, politikanët më të dalluar dhe më me influencë të këtij vendi demokratik, njerëz me vlera morale dhe politike, por edhe human si Robert Dole, që besonin në lirinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut për të gjithë popujt, pa dallim. 

Është e pamundur të thuhet se sa shërbime i ka bërë Xhim Xhema gjatë 50-viteve të kaluara, Kosovës dhe Kombit shqiptar, lirisë e demokracisë dhe interesave shqiptare në përgjithësi, duke ndërtuar ura të forta miqësie me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kohët e fundit, mësova se kishte qenë vet Xhim Xhema, i cili kishte kërkuar nga Shtëpia e Bardhë që Presidenti Ronald Reagan, që në vitin 1985, të dekoronte murgeshën shqiptare, Nenë Terezën me “Medaljen Presidenciale të Lirisë”, dekorata më e lartë që jep presidenti i Amerikës, personave, “Me kontribute të veçanta ndaj sigurisë ose interesit kombëtar të Shteteve të Bashkuara, paqës botërore ose arritjeve të mëdha publike ose private”. Deshta ta përmend këtë fakt dhe hollësi të aktivitetit të Xhim Xhemës për të pasqyruar veprimtarinë shumë dimensionale të tij, me qëllim për t’i zbardhur faqen Kombit tonë para popullit amerikan dhe botës. 

A group of people standing in a room

Description automatically generated with medium confidence

Ishte fati ynë që komuniteti shqiptaro-amerikan kishte njerëz si Xhim Xhema i cili me veprimtarinë dhe me miqësinë e tij që kishte lidhur me politikanët më të njohur të këtij vendi – bëri që “çeshtja e Kosovës”, (the Kosovo issue”) siç i referoheshim krizës në Kosovë atëherë në fjalorin e përditshëm – në mbrojtje të të drejtave dhe lirive për shqiptarët në përgjithësi.  Ishte një periudhë shumë kritike në historinë e shqiptarëve në  shekullin XX – kur interesat e tyre kombëtare ishin vendosur në krye të listës së politikës së jashtme amerikane, gjatë dekadave të fundit të shekullit të kaluar dhe fillimim shekullin XXI. 

Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC) në vitin 2003 e kishte vlerësuar kontributin e Z. Xhema, gjatë viteve, me medaljen “Për Arritje të Mëdha në Jetë”, me motivacionin: “Për devotshmërinë e tij legjendare ndaj çështjes shqiptare dhe për punën e palodhur drejtë përmirësimit të jetës së shumë shqiptarëve, në të dy anët e Atlantikut.” 

Meritat e njohura dhe të panjohura të Xhim Xhemës gjatë dekadave janë aq të mëdha e aq të shumta, sa që nuk ka dekorata që mund të shpërblejnë veprat patriotike dhe humane të tija për një gjysëm shekulli. Modestia e tij është vërtetë një pasqyrim i asaj thënjes biblike “Mos ta dij dora e majtë çfarë bën dora e djathtë”.  Të gjithë ata që e njohin Xhimin, e dinë se nuk i pëlqejnë lavdet dhe vlerësimet.  Më fal Xhimi, por nuk kisha si mos ta shënojmë dhe ta vlerësojmë, me këtë rast, dekoratën shumë të merituar, “Urdhri i Lirisë”, që u dha Presidentja e Republikës së Kosovës, për lirinë dhe pavarësinë e të cilës punove aq shumë. Është domethënës fakti se kjo dekoratë të jepet, pikërisht, në Ditën e Presidentit — kushtuar Dr. Ibrahim Rugovës, mikut tënd të madh. Është gjithashtu një rast për të rikujtuar veprimtarinë tuaj — edhe këtij brezit të sotëm të shqiptarëve — me miqët tanë amerikanë në mbrojtje të interesave kombëtare, por edhe të ritheksojmë dhe të “ripërtërijmë edhe kujtimin për afirmuesin e madh të demokracisë, presidentin tonë, dr. Rugovën”, siç u shpreh edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani. Urimet janë shumë me vend për dekoratën e lartë të Republikës së Kosovës, “Urdhri i Lirisë! Pa kontributin e individëve si Xhim Xhema, nuk jam i sigurt se çfarë lirie do gëzonte sot Kosova.

Frank Shkreli

Xhemail (Jim) Xhema (majtas) me ish senatorin Bob Dole dhe ish presidentin Bill Clinton, në mbrëmjen e Këshillit Kombëtar Shqiptaro – Amerikan, në qershor 2003.

Xhim Xhema (majtas) me ish senatorin Bob Dole dhe ish presidentin Bill Clinton, në mbrëmjen e Këshillit Kombëtar Shqiptaro – Amerikan, në qershor 2003.

Two people holding awards

Description automatically generated with medium confidence

Presidentja Osmani i dorëzoi dekoratën, Z. Christopher Hyland.  Zoti Xhim Xhema nuk ishte i pranishëm në ceremoninë me këtë rast, por atij do i dorëzohet dekorata kur të këthehet në Amerikë delegacioni i Vatrës.

A group of people standing around a statue

Description automatically generated with low confidence

Postimi i Presidentes Vjosa Osmani: “Në Ditën e Presidentit nderuam arkitektin e shtetit të pavarur të Kosovës, nismëtarin e jetës demokratike e të angazhimit pluralist politik, presidentin historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën. Në ditën e tij, të vendosur prej vetë atij, si shenjë përkujtimi e përjetësimi të zgjedhjeve të para demokratike në Republikën e shpallur të Kosovës, më 24 maj 1992, e nderuam presidentin Rugova për vizionin e tij, e rikujtuam madhështinë e veprës së tij dhe e ritheksuam peshën e tij në jetën tonë politike.  Kjo ditë i kushtohet atij!”, ka shkruar Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Ditën e Presidentit, kushtuar Ibrahim Rugovës, Presidentit historik të Kosovës. 

A person with his hand on another person's shoulder

Description automatically generated with medium confidence

Të Dekoruarit të martën nga Presidentja e Kosovës, Dr. Vjosa Osmani: Christopher Hyland dhe Xhim Xhema. Foto credit: gazeta shqiptaro-amerikane ILLYRIA

A group of men walking

Description automatically generated with low confidence

                                     Senatori Dole, Xhim Xhema dhe Elmi Berisha

Xhim Xhema ka thënë se pa Senatorin amerikan republikan, Robert Dole, Kosova nuk do të ishte sot e pavarur.  Unë do të thoja se pa kontributin e çmuar dhe shumë të vyer të Xhim Xhemës, Kosova nuk do të ishte ajo që është sot.

         3BCC33BE7B10458BA7F2E416CE469D03.jpg Autori me mikun Xhim Xhema në Seminarin kushtuar 25-vjetorit të ndarjes nga kjo jetë të Nenë Terezës — në “Qendrën Nënë Tereza”, pranë Kishës shqiptaro-amerikane, Zoja e Shkodrës në Hartsdale, Nju Jork 3 Maj, 2022

Frank Shkreli

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

Feliks Haxhija, shqiptari i suksesshëm në fushën e zbulimit, detektivi më i kërkuar në Dallas, pronar i një agjencie survejimi

May 24, 2022 by s p

Intervistoi: Eneida Jaçaj/

Shqiptarët, larg viseve të tokës amë, në çdo skaj të botës, njihen si njerëz punëtorë, arsimdashës dhe të suksesshëm. Pjesa dërrmuese e të rinjve shqiptarë janë diplomuar në shkollat më të mira jashtë vendit, duke shkëlqyer në profesione e tyre dhe mbajnë poste të rëndësishme në vendet ku jetojnë. Komuniteti shqiptar shkëlqen si drita e diellit, duke ndriçuar jo vetëm veten, por duke lartësuar edhe kombin shqiptar. Një ndër ata shqiptarë, që na bën të ndihemi krenarë, është Feliks Haxhiaj, i cili është mjaft i suksesshëm në fushën e zbulimit. Ai është vlerësuar me shumë çmime si detektivi më i kërkuar në Dallas. Feliks Haxhija jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që prej moshës 16 vjeçare, pasi fitoi lotarinë amerikane. Ai jeton tashmë prej 22 vitesh në Amerikë. Kreu studimet atje në fushën e Kriminalistikës; përfundoi Masters Degree in Criminal Justice and Minor Security në vitin 2012. Më pas filloi punë si detektiv privat për NWI Investigations, ndërsa në vitin 2017 hapi agjensinë e tij “All Açess Investigations”. Më pas, në vitin 2019 hapi Feliks Investigations Group LLC në 4 shtete. Puna, profesionalizmi, suksesi i çdo shqiptar jashtë kufijve të Shqipërisë, na nderon si komb dhe na shtyn akoma më shumë për t’i dhënë prestigj emrit Shqipëri.-Përshëndetje Feliks! Ju tashmë jeni identifikuar si detektivi më i kërkuar në Dallas, dhe na vjen mirë të dëgjojmë kur shqiptarët shkëlqejnë në profesionet e tyre edhe jashtë vendit, duke u vlerësuar gjithashtu si njerëz punëtorë dhe të suksesshëm. Të ftoj të bësh një prezantim të shkurtër për veten, për të gjithë ata që ende nuk ju njohin. Unë, së bashku me familjen, kemi emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 22 vjet më parë. Pasi fituam llotarinë amerikane, ka qenë dhe mbetet ëndrra e çdo shqiptari, emigruam drejt “tokës së premtuar” për një jetë më të mirë. Pasi përfundova gjimnazin, vazhdova studimet në fushën e Kriminalistikës; përfundova Masters Degree in Criminal Justice and Minor Security në vitin 2012. Me përfundimin e studimeve dhe marrjen e diplomës, fillova punë si detektiv privat për NWI Investigations, ndërsa në vitin 2017 hapa agjensinë time “All Açess Investigations”. Më pas, në vitin 2019 hapa Feliks Investigations Group LLC, në 4 shtete. -Sa vite keni që ushtroni profesionin si detektiv dhe çfarë ju ka tërhequr t’i përkushtoheni fushës së zbulimit?Unë kam më shumë se 10 vjet që ushtroj këtë profesion. Zbulimi është një punë që e bëj me shumë pasion, më jep emocion, dhe e bëj me shumë përgjegjësi, duke u ardhur në ndihmë çdokujt që ka nevojë për një detektiv privat. Unë jam gjithmonë i gatshëm të ofroj ndihmën time, të jap maksimumin tim si një profesionist, me devotshmëri, punë dhe pasion. Dua të them se këtë punë e kam në gen, pasi edhe babai im ka punuar në polici në Shqiperi. Pasi bëra një kurs në Shkollën e Mesme për policinë, aty më lindi pasioni menjëherë për fushën e zbulimit. -Jeni detektivi më i kërkuar në Dallas, dhe për këtë jeni vlerësuar me shumë çmime. Cila është puna rutinë e një detektivi privat? Unë jam detektivi më i mirë në Neë Hampshire, edhe në zonën e Massachusets. Tashmë jam edhe një nga 5 më të mirët në Tampa, Florida. Unë kam punuar në shumë me agjensitë më të mëdha në Amerikë, dhe, gjatë punës kam mësuar shumë gjëra të reja, që më kanë bërë më profesional në punë time dhe të suksesshëm. Puna rutinë e një detektivi është çdo ditë survejim. Unë përgatitem një natë më përpara se çfarë do të bë, ndërsa në orën 6 të mëngjesit filloj survejimin. -Çfarë ju bën juve kaq shumë të kërkuar nga njerëzit si detektiv? Janë shtuar rastet që kanë nevojë për zbulim, apo është edhe profesionalizmi juaj që sjell rezultate?Uë kam prodhuar rezultatet më të mira për klientët. Nëse do të bëni një kërkim në NH dhe MA, unë dal i pari me 5 stars revieës. Njerëzit, zakonisht marrin në telefon detectivët me revieës më të mira ose janë të referuar nga avokatë. Sigurisht, pasioni për punën, dedikimi, profesionalizmi, më bën mua më të kërkuar si detektiv, dhe si rrjedhojë do sjellë edhe rezutate të mira. -A janë të mirëpaguar detektivët?Unë jam i kënaqur, është mjaftueshëm. Për çdo rast është minimumi 16 orë survejim. -Sa ua jep mundësinë Amerika individëve për t’u bërë të suksesshëm, apo është puna dhe këmbëngulja që të çon drejt rrugës së suksesit? Për të arritur suksesin dhe rezultate të mira, hapi i parë është shkollimi, pasi gati çdo shtet kërkon Bachelors degree in Criminal Justice për këtë fushë, edhe 4 vjet eksperiencë. Kjo fushë është shumë e vështirë, duhet edhe pak talent dhe aftësi, pasi 50% e njerëzve dështojnë. Shpesh herë ndodh që nuk munden të rrinë ulur në makinë për 10 orë në ditë, dhe kanë shumë frikë të ndjekin njerëzit, pasi mund të konfrontohen. -Cilat janë rastet më tipike që ju ndiqni? Shumica e rasteve që ndjek unë janë ëorkers compensation, infidelity, and child custody. Pra, për punëtorët që kërkojnë kompensim nga pronari, për incidente gjatë punës ose arsye të tjera, rastet e tradhtisë dhe përkujdesjen ndaj fëmijëve, kur jetojnë me një prind. -A ka raste kur ju nuk e merrni përsipër një çështje, dhe pse?Po, në qoftë se shikoj që një rast nuk ka shumë informacion, fakte apo të dhëna, apo është ongoing investigation nga policia, nuk e marr përsipër pasi nuk më lejohet. -Sa e vështirë është puna në terren e një detektivi, dhe a mund të veçoni një rast kur u është dashur shumë mund për të arritur rezultatin?Është një punë e vështirë që kërkon sakrificë dhe shumë mund. Pothuajse çdo ditë mund të konfliktohesh me njerëzit; afrohen edhe të pyesin pse ndodhesh aty dhe çfarë pune bën. Shpesh herë nuk ua hap dritaren e makinës njerëzve që vinë e pyesin se çfarë po pres apo çfarë po bëj këtu, dhe kjo bën që ata të sjellin edhe policinë. Pra duhet durim, forcë brenda vetes dhe të mundohesh të shmangesh konfliktet me njerëzit, që përballesh gjatë zonave të survejimit. -Një nga çështjet më interesante që njerëzit presin të dëgjojnë, është tema e tradhtisë. Sa për qind të rasteve mbulojnë këto çështje?Gati 50% të rasteve janë raste të tradhtisë. Një nga rastet më të çuditshme ka qenë kur kam zbuluar një person nga Tampa FL në South Carolina, që shkonte me kunatën, gruan e vëllait. Vëllai i kishte vdekur, dhe kishte edhe fëmijë me kunatën. Takova detektiven tjetër, e ndoqëm për një orë. Kaluam Florida-n, hymë në Georgia dhe për tre orë të tjera vetëm po ecte. Nuk e dinim se ku do të përfundonim. Pasi kemi ngrënë darkë, thashë që duhet të kontrollojmë dhe njëherë sepse dukej e çuditshme pasi personi kishte ngarë shumë. E kapëm duke u puthur me një vajzë tjetër. Ishte errësirë, targetin nuk e shihja dot. I bëmë një background dhe doli që ishte kunata. Gruaja e vëllait që kishte vdekur para disa vitesh. Kur e mori vesh gruaja u habit pasi tha se kur i vdiq vëllai u afrua shumë me të por mendonte se e bënte për ta ndihmuar. Ka qenë një ndër rastet më të çmendura.-Cila është ëndrra juaj më e madhe që doni të realizoni sa i takon gjithmonë fushës suaj për të cilën jeni diplomuar?Pothuajse ëndrrën më të madhe e kam arritur! Tani kam një mundësi të takoj Dog The Bounty Hunter, me të cilin do të bëjmë disa bashkëpunime.-Cila është qasja që kanë amerikanët për të punësuar një detektiv?Amerikanët e kanë në kulturën e tyre të kërkojnë ndihmë te një detektiv privat. Për çdo problem që ata kanë, na telefonojnë dhe ne u ofrojmë ndihmën tonë si profesionistë. -Shoqëria amerikane e ka qasjen shumë të afërt dhe të pranuar ndaj një detektivi, siç edhe ju e thatë. Është shoqëria amerikane më e korruptuar, e pandershme, apo është bërë pjesë e kulturës së tyre për të mbledhur fakte me ndihmën e një detektivi, për të shkuar drejt një hapi më të sigurt?Unë mendoj se të gjithë mund të kemi nevojë për ndihmën e një detektivi, sipas rasteve, por amerikanët janë më të gatshëm për të telefonuar dhe për të kërkuar ndihmën tonë. Ata kanë shumë besim te ne, pasi edhe çdo rast mbetet kofidencial. -A kanë nevojë shqiptarët për një detektiv privat apo i zgjidhin vetë çështjet e zbulimit?Shqiptarët nuk janë shumë të gatshëm për të kërkuar një detektiv, ndoshta nuk na është bërë ende pjesë e kulturës. Unë jam i gatshëm të ofroj ndihmën time ndaj çdo qytetari, por kjo do të varet edhe nga rasti. -A do të donit që profesionin e detektivit ta trashëgonit te fëmijët tuaj?Jo! Unë kam 3 vajza, nuk do të doja t’ua trashëgoja këtë profesion, pasi është punë e lodhshme dhe e rrezikshme. -Sa të suksesshme janë detektivet femra në krahasim me meshkujt?Unë mendoj se femrat nuk janë shumë të afta për ta realizuar këtë punë, pasi kjo ka të bëjë edhe me natyrën e brishtë të tyre. Gjithashtu, survejimi të merr shumë kohë gjatë ditës, dhe femrave do t’u duhet të qëndrojnë shumë kohë jashtë shtëpisë, duke lënë pas dore gjëra të tjera akoma më të rëndësishme, siç është përkujdesi ndaj fëmijëve.

Filed Under: Politike Tagged With: Eneida Jacaj

Kryeministri i Kosovës z.Albin Kurti midis nxënësve të Shkollës Shqipe “Alba Life” në Bronx

May 24, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Kombi ynë forcohet më shumë duke u mësuar fëmijëve në Diasporë Gjuhën Shqipe  A.Kurti

Kryeministri i Kosovës z.Albin Kurti erdhi sot në ditën e shtunë, në majin e trëndafilave midis nxënësve të Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit në Bronx.  

Kryeministri i Kosovës u mirëprit me plot respekt në hyrje të Qendrës “Illyria” nga z.Qemal Zylo themelues dhe drejtori i TV dhe Shkollës Shqipe “Alba Life”, shkolla që kryejnë misionin në të gjitha lagjet e Nju Jorkut dhe në Online.  Kryeministri i Kosovës z.Albin Kurti shoqërohej nga Ministri i Shëndetësisë të Republikes së Kosovës, Dr. Rifat Latifi një histori suksesi dhe znj.Liza Gashi zv/ministre në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. 

Kjo ishte vizita e parë nga kryeministri Kurti në Qendrën “Illyria” një qendër madhështore për Komunitetin Shqipar siguruar nga z.Mark Gjonaj “Nderi i Kombit”.  

Vizitën e parë Kryeministri i Kosovës e realizoi ne klasën e mësuese Mirvete Krasniqi Veselaj nxënësit e së cilës e mirëpritën me duartrokitje dhe me urimin: Mirë se erdhe Kryeministri i Kosovës Albin Kurti pranë Shkollës Shqipe “Alba Life”.  Ishte një urim që e priti me plot dashuri dhe gëzim z.Kurti dhe i uroi mësuese Veselaj dhe gjithë nxëeëve punë dhe mësim të mbarë.  Vizita e dytë ishte pranë klasës së mësuese Fatbardha Shiqerukaj, vizitë që u mirëprit me plot respekt dhe krenari nga nxënësit.  Interesante ishte dhe vizita në klasën e më të rriturve ku u takua me nxënesit, mësuese Davida Hasanaj dhe artisten e shquar Valbona Peraj.  Znj.Peraj i shpjegoi fjalët e reja që kishte shkruar në dërrasë duke e filluar me fjalën e parë “Dielli”. Ah, Deilli e ndërpreu Kryeministri Kurti, fjala Dielli është shumë i shtrenjtë për ne, pasi është Gazeta më e vjetër shqiptare “Dielli” e cila i parapriu themelimit të Federatës “PanShqiptare” Vatra themeluar nga korifejtë e Kombit Fan Noli dhe Faik Konica. Ja këtu pranë kemi dhe Dr.Latifin të cilin e kam marrë nga Amerika vazhdoi kryeministri.  Ja dhe nxënësit tanë ne te ardhmen duke mësuar Gjuhën Shqipe do të jenë më të lidhur dhe me bashkëpunues në të ardhmen me Kombin tha z.Zylo.  Interesante ishte takimi dhe me klasën e më të vegjëlve me mësuese Alda Hoxhaj e cila e falënderoi për ardhjen në Shkollën Shqipe.  Vizita e kryeministrit të Kosovës ishte një vizitë që s’do të harrohet kurrë nga mësuesit, nxënësit, themeluesit.  Vizita e tij ishte befasuese, e papritur, ishte të përshëndeste nxënësit, shkollën Shqipe “Alba Life” që po bën një punë të ndritur për Kombin, jashtë politikave, pasi partia e saj është vetëm GJUHA SHQIPE.  

Zoti Zylo e informoi për gjithë veprimtarine e Shkollës Shqipe “Alba Life” dhe aktivitetet që kryen kjo shkollë e cila ka për mesion kombëtar mësimin e Gjuhës Shqipe dhe ruajtjen e traditave të mrekullueshme të popullit shqiptar.  Më duhet të kujtoj se Shkolla Shqipe “Alba Life” është mbështetur dhe frymëzuar nga personalitete të shquara të Kosovës të cilët kanë ardhur dhe i kanë takuar kokë më kokë nxënësit duke i frymëzuar për mësimin e Gjuhës Shqipe.  Në fund pozoi me të gjithë nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” në Bronx dhe falënderoi të gjithë mësuesit për punën e vyer që po kryejnë në këtë mision kombëtar.  Ai e mbylli me mesazhin brilant:  “Mësojuni fëmijëve të Diasporës Gjuhën Shqipe!  Mos ndaloni kurrë!  Kombi ynë forcohet më shumë duke u mësuar fëmijëve në Diasporë Gjuhën Shqipe!

Gjuha Shqipe është Ashti i Kombit!  Gjuha Shqipe na bashkon! Gjuha shqipe është e ëmbel si qumështi i nënës.

Faleminderit Kosova!

Faleminderit z.Albin Kurti Kryeministër i Kosovës që erdhe u takove me pasardhësit e Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe të Adem Jasharit në Amerikë!

Vizita e Kryeministrit të Kosovës u filmua nga gazetari Valon Gërbeshi për TV “Alba Life” dhe do të transmetohet së shpejti në kanalet televizive.

21 Maj, 2022

Bronx, New York

Filed Under: Politike Tagged With: Kozeta Zylo

FAMILJA GRECA HAP TË PAME ME 28 MAJ 2022

May 23, 2022 by s p

Njoftojme familjare, miq, shokë, dashamires të familjes si dhe komunitetin shqiptar në New York e më gjërë se Familja Greca pret vizita ngushellimi per te ndjerin Dalip Greca qe nderroj jete papritur ne 16 Maj, 2022. Familja falenderon komunitetin shqiptar qe i qendroi prane gjate ketij momenti te dhimbshem. Mirënjohje secilit nga ju që na lehtësuat dhimbjen e humbjen tonë të pazëvendësueshme. E Pamja hapet ne Royal Regency Hotel te shtunen me date 28 Maj nga ora 9:00am deri ne 1:00pm. Adresa: Royal Regency165 Tuckahoe RoadYonkers, NY 10710Në gëzime e në lumturi ua kthefshim në familjet tuaja.Me respekt Familja Greca

Filed Under: Politike

UKRAINA 2022 : Fushë  beteje në  mes dy qytetnimesh : Demokraci liberale Europiane versus  Autokraci tradicionale Ruse

May 21, 2022 by s p

Sami Repishti, PhD/

(“Politika ruse ashtë e pandryshueshme: metodat, taktikat, manovrimet; mund të ndryshojnë, por Poli I Veriut i politikes ruse – me sundue botën- ashtë nji yll që nuk ndryshon. Ka vetëm nji mënyrë me trajtue nji shtet të fuqishëm si Rusia, dhe kjo mënyrë ashtë ballafaqimi pa frikë”.( Karl Marx. Korrespondent në London i gazetës së vjetër The New York Daily Tribune, 10 Maj 1872, f. 43}

    “… Ka shenja se Kremlini po përgatitet për nji betejë të gjatë, të cilen (Rusia) e shikon si nji “luftë me Perëndimin”. (Në nji koment në vitin 2018, në të cilin Z. Putin bante shaka se do të shkaktonte nji katastrofë bërthamore globale deklaroi se “….ç’farë kuptimi do të kishte nji botë pa Rusinë?” (sic!) Marrë nga Financial Times.( Panorama 26 Prill 2022)

Ridgefield, Ct.- Me 24 Shkurt 2022, Forcat e Armatosuna të Federatës Ruse sulmuen ushtarakisht Republiken e Ukrainës! Paqa në Europë u thye! “Çdo gjë ka ndryshuar në Europë, në rajonin euro-atlantik. Ky eshtë thjesht momenti I duhur kur mund të bisedojmë haptazi! (Analena Boerbok, MPJ e Gjermanisë)

     Me paramendim dhe pa deklarim zyrtar lufte, pa nji marrëveshje të maparëshme Presidenti rus Vladimir Putin theu paqen e vazhdueshme të shteteve të Europës që mbretnoi mbi atë kontinent që nga data 9 maj 1945, e njohun si Dita e Europës (Europe Day). Rusia filloi kështu nji konflikt me nji sulm banditesk ushtarak kundër nji shteti të lirë, të pavarun e demokratik vetëm për ambicie zgjanimi territorial, në shkelje të paturpëshme të të gjitha dispozitave të së drejts nderkombëtare dhe të fqinjësisë së mirë. Rusia e quejti “nji operacion special ushtarak”(sic!)

     Falë heroizmit spartan të treguem nga populli ukrainas, lufta e pabarabartë në mes dy shteteve vazhdon edhe sot me humbje të mëdha të popullsisë dhe të vlerave materiale për shtetin viktimë-Ukrainën. Akti agresiv shkaktoi reagimin e menjiherëshëm të NATO-s organizatës difensive të Åtlantikut të Veriut. Nën udhëheqjen amerikane Europa siguroi mjete dhe materiale të konsiderueshme në paisjen e Ukrainës, nji provë solidariteti e pa shembull në historinë moderne të kontinentit. Lufta në Ukrainë mori randësinë e luftës per shpëtimin e demokracisë!

    Pse Ukrainën? Anna Reid, autore, në mes tjerave, edhe të “Historia e Ukrainës”pershkruen Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, “si nji kalorës që lufton historinë”(FA May/June 2022). Me 21 shkurt 2022 Putin mbajti nji fjalim me egërsi dhe përsërti të gjitha “krimet” që Perëndimi kishte ba kundër Rusisë. “Ukraina, tha Putin, nuk ashtë thjesht nji fqinj për ne. Ukraina ashtë pjesë e pandryshueshme e historisë sonë, kulturës dhe spiritualitetit tonë. Kufinjtë e Ukrainës nuk kanë kuptim tjetër veçse me përcaktue ish administratën e së kaluemes si krahinë e Bashkimit Sovietik, e krijueme krejtësisht nga Rusia”.

    Në korrik 2021, Kremlini botoi nji esej prej 7.000 fjalësh nen drejtimin e V.Putin, me titull: “Mbi unitettin historik të Rusisë dhe Ukrainës” ku tregohej nji histori e njI fati të përbashkët. Ndamja në mes të Rusisë dhe Ukrainës ashtë prodhim i veprimeve të Fuqive Perëndimore.” Ai shkruente:”…ndryshimi me forcë i identitetit ashtë i njejtë … me përdorimin e armëve atomike të shkatërrimit masiv kundër nesh”. “Nesh” për V. Putin don të thotë “Ukrainës”…pjesë e Rusisë, me që ukrainasit nuk ekzistojnë….”(sic!)

     Për ma tepër, Ukraina portretizohet si ”shtet I falimentuem”. Në nji intervistë me strategun putinist Vladislav Surkov, ai foli edhe ma hapët: “Metoda e vetme me provue historinë e Ukrainës si frytëdhanëse ashtë marrëdhanja vëllaznore e detyrueme me dhunë” (coercive fraternal relations). Sot, e gjithë bota e qytetnueme ashtë dëshmitare për kuptimin e nji shprehje të këtill. “V.Putin perdorë forcen dhe censuren totalitare në nji përpjekje të pa kuptim me afrue realitetin me mitologjinë ruse”. (f.55)

   Ukraina e konceptueme si “njI vend i mundun nga gjeografia politike “ u desht të kalonte nga stina e urisë staliniane në grushtin e shtypjes hitleriane: miljona ukrainas vdiqën nga uria e imponueme nga Stalini (1927-29) dhe në luftën kundër Hitlerit (1941-43).

    Nji trajtim i këtill i Ukrainës nuk e pengoi V.Putinin që me 25 shkurt 2022 të bajë thirrje ushtrisë ukrainase me përmbysë qeverinë e “drogistëve” dhe të “neo-nazistëve të “qeverisë në Kiev”. Rezutatet e politikës putiniste përfunduen në bashkimin e popullit të Ukrainës në mbrojtje të lirisë dhe dinjitetit njerëzor të qytetarëve. Sentimenti I pavarësisë u ba universal mbas agresionit rus të 24 shkurtit 2022 në nji luftë për ekzistencë që nuk duket se do të përfundojë shpejt, fatkeqsisht!. Historia e Ukrainës jep sot nji mësim që nuk harrohet për Presidentin Putin!  

     Lufta ka marrë tashti karakterin e nji ballafaqimi në mes dy rregjimeve kundërshtarë: demokracinë liberale perëndimore nga njena anë, dhe autokracinë agresive të Rusisë nga ana tjetër. Ka mundësi që nji rreshtim i këtill të jetë edhe ballafaqimi i fundit me nji shtet totalitar si Rusia sot, thyemja ose tranformimi i Rusisë në nji shtet demokratik dhe plotësimi i ndertimit të nji Europe të plotë, të lirë, demokratike dhe paqësore. Ashtu si me shpërbamjen e ish-Bashkimit Sovietik, 1989,  u ba i mundshëm kalimi i nji periudhe të caktueme të historisë së mbasluftës, dhe për shumë vrojtues edhe fundi i historisë si e tillë, pikën e fundit të evolucionit ideologjik të njerëzimit dhe fitoren e universalizmit, formës së rregjimit përfundimtar: demokraci liberale, perëndimore, paqësore e sundim i ilgjit.

      Në nji analizë mjeshtrore të situatës, korrespondenti I The New York Times në Paris, Roger Cohen, me daten 8 Maj 2022  shkruen në mes tjerash mbi dallimin në mes të vlerave të heroizmit patriotik ukrainas versus dekadencës morale të nji Rusie autokratike që ashtë konteksti i mendimit të Z. Putin. Çdo gja ashtë e zezë në portretizimin e Perëndimit, në fantazinë e tij, që Perëndimoret kanë organizue nji rregjim “nazist” ne Kiev (sic!). Fantazi e smurë dhe e rrezikëshme!

    Nderkaq  Presidenti I Francës.Emanuel Macron udhëton për Berlin me festue 75 vjetorin e 9 Majit si dita e Europës (Europe Day) dhe mbron idenë se Bashkimi Europian ashtë diçka ma shumë se “ekonomia” dhe  se Europa ashtë e prirun me u transformue në nji sistem federal, ma e fortë, nji fuqi botënore e 27 shteteve me nji popullsi prej afer 450 miljonë qytetarësh të lirë, e në kundërshtim me nji shoqëni të militarizueme; me u transformue në nji shoqëni shtetesh që celebrojnë fitoren e cila  nuk lejon nji diktator me sundue me ligjë të urdhnueme nga ai vetë. Në Rusi, sot mbahet ceremonia e Luftës së Madhe Patriotike me theks në forcën ushtarake, në Europë theksohet imperativi kategorik për paqen, sepse “rreziku i nji konflagracioni ekziston”: Grozny, Aleppo, Mariupol janë këtu me dëshmue. 

    Në Europë përbuzet filozofia staliniane që predikon “forcen ushtarake si mjet efektiv me ndryshue gjeopolitiken e botës reale” nji pohim tronditës. “Për komunitetin edhe vdekja ashtë e bukur” thotë nji proverb rus, por për individin e lirë europian vdekja ashtë asgjasimi i pareparueshëm i jetës.  Nuk ka gja ma të shtrenjtë se nji jetë njerëzore e lirë dhe me dinjitet!

     Haptazi, koncepti rus për Europen ashtë nji lexim i gabueshëm I fakteve, arsyetimit dhe zotimeve të marruna për integrim, dhe jo vetëm ndjekja  e prosperitetit ekonomik që sherben për sigurimin e paqës. Në librat sovietike të historisë ruse për shkollat e mesme kam lexue këte percaktim:”Roma dhe Bizanti janë  shue; Moska ashtë Roma e tretë, dhe nuk do të ketë kurrë nji Romë të katërt”. Ky ashtë vrapimi mbas “lavdisë” që siguron ‘perandoria’ pa llogaritë marrëzinë e aktit dhe çmimin që kerkon….! Reichu i tretë nazist ashtë mësimi ma i mirë!

      9 Mars 1950! pioneri Robert Schuman, MPJ të Francës deklaroi formimin e paktit “charbon-acier” me qellim që të bahen të pamunduna konfliktet franko-gjermane dhe të eliminohet rreziku i vetëvrasjeve të përsëritëshme të dy vendeve. Berthama e Bashkimit Europian u hodh në tokën e plleshme por të gjakosun të popullsisë europiane. Nderkaq, në Moskë theksohej: “Populii i jonë (rus) ka qenë i vetmuem, i vetmuem në kohë të vështira, heroik në rrugën e sakrificës për  fitore! “(Putin) Elozhe për ‘luftën’. 

     Nji pohim pa asnji bazë! “Mbrenda mendjes së Z.Putin ashtë shumë  përbuzëse ideja se ‘shkembimet tregëtare’ sjellin paqen në mes shteteve”, nji ide frymëzuese  për 450 miljonë europianë me nji ekonomi prej 17+ triljonë dollarësh. Përgjigja e Rusisë  ka qenë zgjanimi  territorial me  forcë, e veçanërisht krijimi I nji “cordon sanitaire” deri në vitin 1989, nji andërr qe Z. Putin ndjek  edhe sot me konfliktin në Ukrainë. ”Në mendjen e tij Rusia ashtë sot Imperatoria e Romës Antike! Ish kancelarja gjermane, Zonja Angela Merkel dha këte përcaktim: “KM Putin nuk  kupton kontekstin nderkombëtar”. 

     Që nga dita e parë, sulmi kundër Ukrainës nuk ishte  luftë kundër Ukrainës por kundër Shteteve te Bashkueme dhe Bashkimit Europian, fajtorë për zhdukjen e Bashkimit Sovietik, 1989, (Romës putiniste) të njohun edhe si “burgu i popujve”, që Z. Putin e përcaktoi si “….tragjedia ma e madhe gjeopolitike e shekullit 20”. Në fjalimin e sulmit kunder Ukrainës, ai deklaroi: ”E gjithë e ashtuquejtuna ‘klika perendimore’ ashtë e formueme nga SHBA me mentalitetin e saj të nji “perandorie të gënjeshtrës”. Ashtë po ky V.Putin që me 25 shtator 2001 gjatë vizitës zyrtare në Gjermani, Presidenti rus iu drejtue edhe Parlamentit Gjerman, në pershkrimin e gazetës The New York Times ”….tue folë me gjuhën që ai e quejti të Goethes, Schiller dhe Kant, ai deklaroi: ’Rusia ashtë nji vend europian miqsor. Paqa e qendrueshme në kontinent ashtë qellimi kryesor për kombin tonë….vlerat demokratike dhe liritë ( janë)… çelsi i synimeve të politikës s mbrendshme ruse”.

     Anëtarët e Bundestagut gjerman e duertrokitën me ovacion këte frymë pajtimore që mungoi në raportet në mes Lindjes dhe Perëndimit për dekada me rradhë…..! Ukraina në 2022 zbuloi Putinin e vertetë!  

     Në nderkohë, lufta në Ukrainë ka bashkue të gjithë Europën në nji mision të shenjtë: me refuzue luftën, dhe me shpëtue lirinë dhe demokracinë e 450 miljonë qytetarëve të lirë. Kjo spjegon përkrahjen e shumë shteteve jo-europiane, me përjashtim të shteteve ekonomikisht të varuna nga Rusia ose Kina. Kjo spjegon përse shtetet pranë Rusisë kerkojnë anëtarësimin në NATO si i vetmi shans me u mbrojtë nga invazioni i Z.Putin.  

    Ide të reja diskutohen për avancimin e Bashkimit Europian pertej marrëdhanjeve tregëtare. Udhëheqsi italian Mario Draghi ka lëshue thirrjen për nji “federatë pragmatike”, nji ide që ka lidhje me ate të Shteteve të Bashkueme të Europës. Z. Draghi spjegon: 

   “ Duhet të tejkalojmë parimin e unanimitetit që përfundon në logjiken e votave kundërshtare, dhe ecën drejt vendimeve të marruna nga shumica e kualifikueme”, tue iu referue procedurës që do të mundësonte aprovimin në raste kur kalohet shkalla e përkrahjes…. Me mbrojtë Ukrainën don të thotë me mbrojtë vehten tonë, me ofrue sensin e sigurisë dhe demokracisë që kemi ndertue së bashku për 70 vjet.” 

   Sot, me debatet e pafund duket sikur Bashkimi Europian ka hye në nji fazë transformative. Politikologu frannçez Dominique Moisiu, tue folë për 9 Majin tha:”Çka ashtë ma reale? Forca sovjetike dhe Mariupoli i shkatërruem, apo jeta normale europiane ne Strasbourg? Na duhet të luftojmë me vendosmëni kundër tij (Putin) të ndertojmë ate (BE) sikur e ardhmja e jonë të ishte ne rrezik. Na nuk mund të ndertojmë Europën si fuqi botënore pa Amerikën, sepse humbasim gjysmën e Europës. Bashkimi i Botës së Perëndimit ashtë çelsi i bashkimit të Europës”. Kjo do të ishte edhe fitorja e demokracisë liberale perëndimore e andrrueme nga miljonët sot të vdekun ose ende  teë gjallë, në botën tonë plot rreziqe….!

***** 

     Europa e Bashkueme ashtë fati i bardhë i  të ardhmes sonë! 

    Aty ashtë vendi i Shqipërisë dhe Kosovës. Aty ashtë ndertesa e mbrojtjes dhe shpëtimit tonë në rast te nji rreziku nuklear rus që nuk përjashtohet. (Ne vitin 1962, me krizën kubane, dy objektiva në Shqipëri për armët nukleare kanë qenë “blloku I udhëheqësve”, Tiranë,  dhe Pashalimani i Vlorës,  simbas autorit amerikan Michael Dobbs.)  

    Manifestimet popullore te mbajtuna në Tiranë me 8 Prill 2022 në mbështetje të Ukrainës, viktimë e agresionit brutal dhe të paramenduem rus, janë inkurajuese.(Per shqiptarët, Ukraina sot kujton 7 prillin 1939 të agresionit fashist).  Roli i Shqipërisë në  OKB si I pari shtet që bashkohet me Amerikën në paraqitjen e Rezolutes për denimin e aktit agresiv rus kundër Ukrainës na nderon. Fjalimet substanciale dhe elegante të Ambasadorit Ferit Hoxha na nderojnë gjithashtu. Kosova, megjithëse nji shtet jo i njohun universallsht grumbullon ndihma për popullsinë ukrainase. Fisnikëri kosovare! KM A.Kurti theksonte:”Me qeverisjen tonë po dëshmojmë se për Kosovën, Bashkimi Europian fillon në shtëpi duke jetësuar ndryshimet të cilat transformojnë vendin tonë dhe përshpejtojnë anëtarsimin në Bashkimin Europian”. Qendrim atdhetar korrekt, dhe formulë monumentale!      

     Nji frymë pozitive vjen edhe nga Kosova.  Veton Surroi, studjues dhe njohës i mirë  i Kosovës, shkruente se “…përfshirja (ne BE) i mundëson rajonit të Ballkanit Perëndimor njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së dhe katër të NATO-s ma shpejt, si dhe frenohet përdorimi i kësaj dileme nga Rusia në rajon, dhe do t’I jepte fund idesë së shteteve të papërfunduara”. Edhe takimi i KM të Kosoves Z.Albin Kurti me ambasadorin amerikan d’Escobar (Illyria 8.IV.2022) dhe trajtimi i temës së rrezikut e nxitjes së konflikteve në Ballkan ashtë në këte hulli diplomatike.   

     Ashtë inkurajues qendrimi i personaliteteve që kanë kuptue  randësinë e bots europiane për ne. Ish ambasadori Bashkim Zeneli shkruente: “ Stalini jo vetëm që rivendosi me më egërsi diktaturën në vend, por edhe shpalosi me fanatizëm ambicien dhe projektet ekspansioniste, për të imponuar rregjimin komunist në shumë zona të Europës dhe Botës….Pavarësisht demagogjisë së madhe për bashkepunim dhe mirëkuptim me Perëndimin, që në ditët e para në Kremlin, Z. Putin shpalosi qellimet e tia për krijimin e Rusisë së madhe…”(Panorama 10.V.2022)

   Ish ministri i PJSH, Ditmir Bushati, thurte elozhe për Europën.”…Fillimi i ndryshimeve politike (lëvizja historike e studentëve universitarë,SR))  “ E duam Shqipërinë si gjithë Europa” nuk ishte zgjedhje e ndonjë kompanie  reklamuese por shprehja e aspiratës së gjeneratave të tëra për t’u  kthyer politikisht aty ku kemi berë pjesë me kohë shpirtënisht…. Europa simbolizon lirinë dhe barazinë, respektin për të drejtat e njeriut, solidaritetin, sundimin e ligjit…” janë thirrje për rikthim në gjiun e Europës. (Panorama 10.V.’22) Këto thirrje janë përsëritë për dekada me rradhë nga shumica e heshtun shqiptare, veçanerisht nga klasa politike  e persekutueme,  si mjet çlirimi nga persekutimi 45 vjeçar komunist……

     Åshte e çuditëshme situata në Shqipëri ku “Europe Day” në vend që të festohet bashkarisht dhe me solemnitetin që meriton, mbetet në harresë. Ashtë nji fakt historik që Shqipëria ka marrë pjesë me shumë sakrifica njerëzore dhe materiale në luftën kundër nazi-fashizmit për pesë vjet me rradhë. Ata që luftuen nuk kanë qenë të nji ngjyre të caktueme. Mijëra shqiptarë pa parti, dhe pa ideologji kanë dhanë jetën e tyne në përleshje me okupatorin. Për fat të keq. ky qendrim heroik dhe i pastër u keqkuptue, u keqinterpretue dhe u coptue nga diktatura e kuqe staliniste që zuri për gryke vendin tonë. Ish ambasadori B. Zeneli shkruen:” Me shpërberjen e Bashkimit Sovietik (1989) njerëzimi arriti jo vetëm….kalimin e nji periudhe të caktuar të historisë së mbasluftës, por edhe fundin e historisë si e tillë, përkatësisht pikën e fundit të evolucionit ideologjik të njerëzimit dhe universalizimin e demkoracisë liberale perëndimore, si formë përfundimtare të qeverisjes njerëzore….” 

    Edhe mbas ramjes së turpëshme të komunizmit në Ish Bashkimin Sovietik dhe satelitët e tij, tue perfshi edhe Shqipërinë, nji ngjarje e këtill me përpjestime epike ku shqiptarët muarën pjesë me guxim e dinjitet kaloi pa u vue re nga zyrtarët e vendit. Nji mungesë e madhe që duhet  reparue. Ka ardhë koha me ndermarrë aksionin e kohezionit politik shqiptar me pikënisje “Europe Day” dhe me pikësynim bashkimin tonë me botën europiane. Kjo shpresë më mban akoma të gjallë! 

    Këte inisiativë mund të marrin individë ose grupe që pranojnë se Europa ashtë shtëpia e jonë dhe që Europa përmban idealet e së ardhmes sonë!  Nji mentalitet i ri që kerkon punë të përbashkët, kerkon krijimin e nji atmosfere të “besimit ndaj njeni tjetrit”nga kampet kundërshtare, diçka jo natyrale, shkruejshin dy personalitete politike amerikane.  Por këtu kemi të bajmë me nji përpjekje me fitue besimin e të gjithë shqiptarëve, dhe nuk na lejohet me u terheqë në skutat e ndame ideologjike. E gjithë kjo varet në se kerkojmë rrugëdalje të  reja politike tue perfshi sidomos “të papritunen” ose elementin ish kundërshtar…!

    Sot jetojmë këto ditë të veshtira të vendit tonë, kryesisht për mungesë orientimi politik gjithëshqiptar, dhe përqendrimi në “parti” dhe “Individe napoleonike” dhe jo në kauzën e përbashkët kombëtare: zhvillimin e vendit nanë. Rezultati i nji zhvillimi të këtill ashtë që sot kemi nji Shqipëri me dy parti politike të organizueme me mbrojtë nji program partiak dhe me peshë në elektorat, dy parti që refuzojnë me ndihmue njena tjetrën në zgjidhjen e problemeve shqiptare, dhe që paevitueshmënisht kanë sjellë shtetin e shoqëninë shqiptare në nji vend që nuk qeveriset ashtu si e meriton: me sundimin e ligjit dhe interesin kombëtar mbi ate partiak dhe vetiak. “Sot, shkruente pak kohë ma parë ish ambasadori Agim Nesho, kemi dy forca të ndryshme: ajo e elitës politike-pozitë,opozitë, dhe ajo e popullit të lodhun nga politika e ditës”. 

      Celebrimi i “ Europe Day” dhe frymës që ai na sjellë do të ishte pikënisja ma e fortë që mund të gjindet për forcimin e bashkësisë sonë kombëtare dhe mirëkuptimin në mes nesh. Nji akt i këtill do të modifikonte qendrimet fraksioniste të këtyne viteve dhe interpretimin ma të plotë të konceptit të demokracisë liberale perëndimore, ku kundërshtari nuk ashtë “armik” por nji vëlla e nji motër shqiptare që mendon ndryshe, dhe “armiku” nuk asht shqiptar, ndoshta nji “i huej, koleg i mundëshëm” në të ardhmen. Parulla “kush nuk ashtë me ne ashtë kunder nesh” ashtë thellësisht e gabueme dhe e damshme për unitetin tonë kombëtar, dhe duhet  refuzue me përbuzëje.

     Kjo, ashtë  andrra e ime sot; dhe, testamenti i im!

  • Ish I burgosun politik ne Shqipëri (1946-56) dhe  Jugosllavi (1959-60)

 Jeton në SHBA si pedagog në pension. 

===================================================================

Filed Under: Politike Tagged With: Sami repishti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 226
  • 227
  • 228
  • 229
  • 230
  • …
  • 669
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT