• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HOMAZHET DHE LAMTUMIRA PËR DALIP GRECËN DO ZHVILLOHEN MË 19-20 MAJ 2022

May 17, 2022 by s p

Homazhet në nderim të Dalip Grecës do të zhvillohen ditën e Enjte me datë 19 Maj 2022 nga ora 2-8pm në shtëpinë mortore me adresë: Joseph A. Lucchese Funeral Home, 726 Morris Park Avenue, Bronx.

Ceremonia e lamtumirës do të zhvillohet ditën e Premte më datë 20 Maj 2022 ora 11:30am në varrezat me adresë: Woodlawn Cemetery, East 233rd Street and Webster Avenue, Bronx. 

I përjetshëm kujtimi dhe nderimi.

NJOFTIMI NGA FAMILJA DHE SHTËPIA MORTORE:

Visiting will be Thursday from 2-8pm at Joseph A. Lucchese Funeral Home, 726 Morris Park Avenue, Bronx. Interment will be Friday 11:30am at Woodlawn Cemetery, East 233rd Street and Webster Avenue, Bronx. 

Dalip Greca, a resident of the Bronx, died on May 16, 2022. He was 71. Mr. Greca was born on October 10, 1950 in Lushnje, Albania to Sherife (Qosja) and the late Rexhep Greca. Throughout his life he worked as an editor-in-chief for “Dielli Newspaper”, editor for “Illyria Newspaper”, editor-in-chief for “Gazeta Republika”, editor-in-chief for “Gazeta Ora e Fjales”, and his proudest achievement in life is his contribution to Vatra, the Pan-Albanian Federation of America. He is survived by his wife, Xhemile (Hoxha) Greca, whom he married on July 31, 1977; his daughter Alma and her husband Latif Sharka, and their children Banush and Danny; his daughter Elisabeta and her husband Eduart Shehu, and their children Kelvin and Nicholas; and his son Dorjan Greca and his wife Kristina, and their children Blake and Jaxon. Dalip was a great husband, an amazing father and a loving grandfather. Dalip Greca was a great Albanian, a special publicist, a prominent patriot, a distinguished activist, and a man so loved and respected by the community. He dedicated all his knowledge and his work to the Albanian community in America and in the world. 

He will live forever in our hearts and our minds.  He was a tireless, wise, hardworking, systematic, noble and far-sighted person. Dalip Greca was the man symbol of sacrifice, patience, calmness, wisdom, simplicity and perseverance. Dalip Greca, with all the people he collaborated with, was always distinguished as a loyal collaborator, also an exemplary family member and a distinguished Albanian in the American Diaspora. 

Filed Under: Politike Tagged With: dalip greca

SHUHET DALIP GRECA, IKONA E DIELLIT, VATRËS E MEDIAS SHQIPTARE NË AMERIKË, VATRA MESAZH NGUSHËLLIMI

May 16, 2022 by s p

E nderuar familja Greca

I shtrenjtë dhe i paharruar miku ynë i përjetësisë Dalip

Sot për familjen Greca, Vatrën, Vatranët, Shqiptaro-Amerikanët është një ditë zie dhe trishtimi.

Sot, më datë 16 Maj 2022, në orën 4.23 PM në New York, zemra e mikut tonë të çmuar Dalip Greca ndaloi përgjithmonë.Ikja e befasishme na ka shkatërruar të gjithëve në shpirt. Ky largim i shpejtë dhe i padrejtë na ka vrarë fort e mërzitur pafundësisht.Një largim fizik që lë pas shumë trishtim, keqardhje e dhimbje të thellë te familja, miqtë e bashkëpunëtorët.Ne do ta kujtojmë e respektojmë përjetë kontributin tënd të shquar, dedikimin dhe përkushtimin në punët që bëje, korrektësinë e detyrave, besnikërinë e premtimeve e miqësive, përkushtimin e devotshmërinë ndaj komunitetit, miqve, medias dhe kombit shqiptar.Ikja e Dalip Grecës largon brenda nesh një copë të rëndësishme jete të kthyer në përkujtim të përjetshëm.Sot, të gjithë kemi humbur shumë. Miqtë një mik special, shok, vatran, patriot, familjar e veprimtar të pa zëvendësueshëm në kauzat ku Dalip Greca bëhej pjesë. Në emër të Federatës Pan- Shqiptare të Amerikës VATRA, në emër të të gjithë vatranëve, të Shqiptaro-Amerikanëve e të familjes sime ju përcjell ngushëllimet tona më të ndjera, më të sinqerta e më të dhimbshme familjes Greca për humbjen e pakthyeshme të mikut tonë Dalip.Lutjet dhe përshpirtjet tona si vatranë e komunitet janë më të afërta e më të ndjera se kurrë pranë familjes Greca, familjarëve e miqve në këto momente trishtimi, lamtumire, humbje e zie.Mirënjohje për jetë të jetëve o Dalip Greca për gjithçka që po na lë pas ikjes sate në përjetësi.Pushofsh në paqen e amshuar, në mbretërinë e qiellit miku ynë i paharruar.

I pikëlluar thellë

Pranë familjes e miqve, me nderime të veçanta

Kryetari i VATRËS

Elmi BERISHA

Shënim: Në gazetën Dielli, në vazhdim do të jepen detaje rreth organizimit të ceremonisë së lamtumirës dhe nderimeve.

Filed Under: Politike Tagged With: dalip greca

Një lutje për shëndetin e mikut tonë të çmuar Dalip Greca

May 15, 2022 by s p

Që prej dy ditësh, miku ynë i shtrenjtë Dalip Greca po lufton fort për shëndetin dhe jetën e tij.Familja, miqtë, kolegët e bashkëpunëtorët e tij dhe i gjithë komuniteti lutet për shëndetin e Dalipit.Me besimin në Zotin fuqiplotë, të lutemi të gjithë që Dalipi ta kalojë sa më parë këtë moment shumë të vështirë dhe ta kemi sa më shpejt pranë nesh.Zoti i dëgjoftë lutjet tona.

Filed Under: Politike

MITINGU I MADH I 13 MAJIT 1910 NË BOSTON NË PËRKRAHJE TË KRYENGRITSËVE TË KOSOVËS DHE KRYEKOMANDANTIT ISA BOLETINI

May 13, 2022 by s p

Me rastin e 112 Vjetorit të Mitingut të Bostonit në Përkrahje të Kryengritjes së Kosovës.

Mitingu i 13 Majit 1910 në Boston miratoi Rezolutën e hartuar Nga Faik Konica dhe përkrahur nga Imzot Noli, e cila dënonte krimet e ushtrisë turke ndaj grave dhe fëmijëve.

  • Rezoluta kërkoi Autonominë e Shqipërisë të drejtuar prej Kryekapedanit Isa Boletini- 
  • Përveç shqiptarëve në mitingun-portestë morën pjesë amerikanë, armenë, sirianë, grekë, arumunë etj…

NGA DALIP GRECA

Gazeta”Dielli” mbetet regjistri më i vjetër dhe më i saktë që ka regjistruar dhe regjistron historinë e shqiptarëve të Amerikës. Brezi i sotëm i shqiptaro-amerikanëve, e ka për detyrë të njohë historinë e paraardhësve të vet, për t’u bërë i vetëdijshëm për detyrimet ndaj Atdheut dhe Kombit. 

 Përmes Diellit shqiptarët e parë që shkelën Tokën e Lirisë, mësuan jo vetëm të shkruanin e të lexonin, por edhe të mësonin ABC-në e patriotizmit. Si organ i Shoqërisë Kombëtare Besa-Besë nga 15 Shkurti i vitit 1909 e deri me 28 Prill 1912, kur u bë organ dhe zë i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës”VATRA” e në vijim, gazeta i edukoi dhe vazhdon t’i edukojë lexuesit e saj me dashurinë dhe detyrimet ndaj Kombit.

Ishte fat për gazetën dhe lexuesit që në krye të saj ishin drejtues të kalibrit të Fan S. Nolit dhe Faik Konicës, që për kohën ishin intelektualisht më të zëshmit. Noli vijoi traditën që krijoi tek KOMBI së bashku me themeluesin Sotir Peci, ndërsa Faik Konica, e ngriti më lart nivelin e gazetës duke u diktuar shqiptarëve të Amerikës një ritëm të ri në luftën për çështjen Kombëtare.

      Ai u diktoi shqiptarëve idënë e bashkimit.Shembullin e dha në  Shkurt të vitit 1910, ku nxiti dhe u bë dëshmitar i bashkimit të dy shoqatave të fshatit Dardhë ” Mirëbërse” dhe”Patriotike” të cilat u shkrinë në një dhe në këtë shembull, krijuan Lidhjen e Përbashkët. Konica ishte i pranishëm të Dielën e 24 Prillit 1910, kur të dyja shoqëritë votuan bashkimin në Vëllazërinë Dardhare. 

Ishte kjo ide që dy vjet më vonë, me 28 Prill 1912 çoi në krijimin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”.

KRYENGRITJA E KOSOVËS E VITIT 1910 NË FAQET E GAZETËS “DIELLI”

Gazeta Dielli, përmes informacioneve nga atdheu,përmes përkthimeve të gazetave angleze, amerikane, franceze,  i mbante shqiptarët e Amerikës të lidhur me zhvillimet në hapsirat etnike dhe u apelonte atyre për detyrat që u dilnin. Kështu ndodhi edhe gjatë vitit 1909-1910, ku Xhon turqit kishin zhgënjyer me mosmbajtjen e premtimeve dhe shqiptarët ishin hedhur në Kryengritje, veçanërisht në Kosovë. Dielli sillte në faqet e veta informacione, botonte artikuj, kryeartikuj nga shtypi i huaj që i referoheshin ngjarjeve, por edhe publikonte informacione të drejtëpërdrejta që vinin nga fronti i kryengritjeve.

Masakrat e ushtrisë turke, veçanërisht ndaj fëmijëve dhe grave, i mbushnin me urrejtje shqiptarët e Amerikës. Dielli përkthente në shqip artikujt pozitiv të gazetës”Times” të Londrës dhe përgënjeshtronte gazetat që mbanin anën e turqëve që kryenin masakra siç ishte rasti i TEMPES-it të Parisit apo të tjera gazetave, që mbanin anën e Turqisë.

Dielli duartrokiste Times-in tek shkruante” Sipas mendjes tonë, s’ka gjykim më të lajthitur se sa dëshirë e turqëve për të shtruar Shqipërinë me masa të rrepta….Veç në u shofshin fare malsorët, mund të arrijë ushtria turke ta shtrojë Shqipërinë…Malet e Gegërisë nuk mund të qetohen me udhën që ka zënë Turqia…”

Në faqet e Diellit botoheshin korrespondenca nga Stambolli të 30 Prillit 1910, ku raportohej se ushtria turke ende nuk po e merrte dot Kaçanikun edhe pse numri i të vrarëve dhe të plagosurve nga të dy palët ishte i madh, ndërsa spitalet e Shkupit dhe të Selanikut të mbushur me ushtarë të plagosur. 

Dielli raportonte se: Kryengritsit shqiptar ishin të organizuarë në tri formacione të mëdha; Një në afërsi të Prishtinës, një i dytë ndohej në grykën e Kaçanikut-e cila është 12 milje e gjatë me shkëmbinj në të dy anët, – dhe një e tretë ruan udhën nga Prizreni në Ferizaj.

   Dielli informonte se gazeta më e madhe e Bostonit për atë Kohë TRANSCRIPT, botoi me 4 maj shkrimin”Shqiptarët fitojnë prapë”, ku raportohet për marrjen e Gjakovës nga kryengritsit.

Dielli informonte në shqip dhe anglisht, përmes Times-it, Daly Telegraph, SECOLO për zhvillimet më të fundit nga fronti i luftës… Kryengritja është e organizuar mirë, shkruante Secolo. Kur shkoi gazetari i Secolo(gazetë që dilte në Milano) tek kryengritësit në Kaçanik u çudit me organizimin, mikpritjen, dhe çiltërinë e tyre. Një nga krerët e kryengritjes, Idris Seferi(të cilin turqit e vranë pas shpine pas disa ditësh me të pabesë, kur krerët ishin thirrë në kampin turk për bisedime), kur e pyeti korrespondenti i Secolo-s se përse luftonin shqiptarët, Idirz Seferi u përgjigj: -Luftojmë për Autonomi, jo për të sjellë përsëri Sulltan Hamidin!U lodhëm nga Turqia. Duam Liri!

Korrespondenti raportonte se muslimanë dhe të krishterë luftonin vëllazërisht, krah për krah. Katolikët kishin për udhëheqës dom Angelon.

TIMES-I raportonte se sipas llogarisë të qeverisë turke, në Gegëri ndodheshin rreth 50 mijë armë të mira dhe shumë xhebhane. Malsorët me gjithë varfërinë e madhe kishin paguar nga 8 lira për një dyfek, dhe s’kishte të ngjarë t’i dorzonin armët, kurrë.

TIMES-I, i përkthyer në gazetën Dielli, denoconte pabesinë e turqëve, të cilët i ftuan 11 krerët shqiptarë për bisedime, por mbajtën peng 5 prej tyre. Gazeta e përgënjështron propagandën e gënjeshtër turke që pretendonte se kryengritësit ishin në shërbimin e të huajëve. Po ashtu denoncohej vrasja pas shpine e Idriz Efendisë, që ishte një nga krerët e ftuar për bisedime.

Gazeta”Levante” që botohej në Stamboll, shkruante se kryengritësve u printe Isa Boletini. 

Agjensia prestigjioze “Reuter”, e përkthyer në gazetën “Dielli” raportonte se topat e ushtrisë turke kishin rrafshuar një fshat të tërë.

Secolo i përshkruante çnjerzore masakrat ndaj fëmijëve.

Sipas gazetës Dielli të datës 13 Maj 1910, shtypi amerikan raportonte se me 12 maj, pas pesë ditësh të përgjakshme lufte, pasi humbi më shumë se 200 ushtarë dhe shumë të tjerë të plagosur, ushtria turke e mori grykën e Cernalevës, që e mbanin 4 mijë shqiptarë, por kryengritsit mbajnë ende Pejën dhe Gjakovën. Turgut Shevqet Pasha kërkon ushtarë të tjerë.

Dielli ekspozonte me detaje krimet e ushtrisë turke dhe viktimat e pafajshme shqiptare, veçanërisht fëmijtë dhe gratë, e pambrojtura, të cilat pasi përdhunoheshin thereshin shtazërisht.

THIRRJA E GAZETËS DIELLI PËR PROTESTË TË MADHE

“Dielli” duke përcjellë masakrat e ushtrisë turke apelonte tek shqiptarët e Amerikës, duke bërë thirrje për të ngritur zërin e protestës. Çdo faqe e gazetës është e mbushur me lajme nga kryengritja. Në fund të prillit dhe në fillim të majit 1910 botohet thirrja për miting të madh të protestës të shqiptarëve të Amerikës.

Dielli shkruante: Të Dielën, me 13 Maj kemi miting të madh në Boston për të protestuar kundër vrasjes së grave dhe fëmijëve! Gjithë shqiptarët duhet të vijnë dhe të protestojnë. Kemi ftuar amerikanë, armenë, grekë, sirianë dhe arumunë….

Dielli njoftonte se mitingu ishte shumë i rëndësishëm dhe se në fund të mitingut do të miratohej një Rezolutë që ishte hartuar dhe e firmosur nga Faik Konica, drejtor i Diellit dhe nga Imzot Fan S. Noli, që e përkrahte rezolutën. Përmes saj do t’u bëhej thirrje shqiptarëve të Amerikës që të mblidheshin dhe të ngrinin zërin e protestës kundër krimeve të ushtrisë turke në Kosovë.

  Përmes Thirrjes që u drejtohej shqiptarëve, hartuesi i saj Faik Konica, konstatonte se gjithë bota e shihte me çudi dhe simpati kryengritjen e shqiptarëve në Kosovë.

           Konica shkruante: Një e katërta e Shqipërisë(Kosova) u rrëfye e zonja  t’i bëjë ballë Perandorisë Ottoman.

Veçojmë nga Thirrja: Është gënjeshtër se kryengritësit janë reaksionarë; është gënjeshtër që janë vegla guvernash të huaja….Gegët luftëjonë për autonominë e tyre, një autonomi e konsakruar në praktikë prej 450 vitesh.Vetëdia se luftojnë për një qëllim të drejtë ua shtojë kryengritësve trimërinë. Lufta e Kaçanikut dhe e Cernalevës i provuan botës se shqiptarët janë më të zotë se turqit. Spitalet e Shkupit dhe të Selanikut të mbushur plot me ushtarë turq të plagosur, dëshmojnë se ç’mësim u dhanë shqiptarët turqve, të cilët, të tërbuar nga turpi, dhe të pazotë të çfryjnë mërinë e tyre mbi burrat, nisën të vrasin gratë dhe fëmijët e shqiptarëve. Mijëra gra shqiptare u turpëruan dhe u therën prej ushtarëve të Turqisë….Mijëra çilimi u munduan dhe u therën prej këtyre egërsirave me fytyrë njeriu.

 Ushtarët turq i vunë fëmijët në sungji posi në një hell, dhe me këto viktima të pafajshme, të ngritura si flamuj, turqit nxitnin njeri-tjetrin për të bërë të këqia më të tmerruara ndër shqiptarët e pambrojtur.

Bota e tërë i sheh me tmerr dhe ndot këto ndyrësira të gjakshme.

Po neve, a do të flemë?

Neve, a do t’durojmë të derdhet gjaku i vëllezërve tanë pa protestuar?

Shqiptarë;

Të dielën që vjen, të mblidhemi me shumicë në Boston dhe të protestojmë. Mitingu që gatitëm për të Dielën që vjen , me ndihmën dhe në hijen e  Shoqërisë Besa-Besë, do të jetë më i madhi dhe më i rëndësishmi që është bërë ndonjëherë prej shqiptarëve të Amerikës.

  Do të vijnë në miting amerikanë, armenë, grekë, sirianë, vlleh etj… Mos u tregoni të ftohtë me gjakun tuaj!

 Thirrja ftonte çdo koloni shqiptare, çdo qytezë, çdo fshat që të dërgonte delegatët e vet dhe oratorë të zot për të folë në miting. Le të vijnë me qindra nga çdo anë!

 O burrani, që të dalim faqebardhë!

                MITINGU I MADH, E DIELË 13 Maj 1910

Mitingu u organizua të Dielën me 13 Maj 1910. Ja si e përshkruan gazeta Dielli situatën e krijuar: Që në orën 12 të drekës bashkatdhetarët nga Bostoni me rrethina, por dhe nga fshatrat e qytetet e largët, nga shumë shtete të Amerikës nisën të mblidhen në Knights of Honor Hall, në 730 Washington Street. Flamuri i kuq me shqiponjën e zezë me dy krerë valonte përkrah flamurit amerikan, brenda dhe jasht sallës.

   Pak nga pak salla nisi të mbushet. Bashkatdhetarët bisedojnë me njeri-tjetrin. Fokusi i bisedave përqëndrohej tek kryengritsit shqiptar dhe krimet e turqëve, veçanërisht ndaj fëmijëve dhe grave të pambrojtura.

Në orën 12 e 30 hyri në sallë drejtori i Dielli, hartuesi i Rezolutës z.Faik Konica i shoqëruar nga nënkryetarin i Besa-Besë Sotir Lezi.

   Djelmëria dardhare kishte zënë një tram dhe kishte vendosë aty flamurin e Skënderbeut dhe të Amerikës.Kur të rinjtë hynë në sallë të gjithë u ngritën në këmbë dhe duartrokisnin.

Delegatët e dërguar nga çdo anë, veçan nga Natick, Chochituate, Marlboro, Attleboro, Southbridge etj. zunë vend në sallan e zbukuruar. I flakti atdhetar Misto Gorguzi kishte ardhë nga Nju Jorku, por kishte dhe shumë të tjerë të ardhur së largu. Ndër delegatët zyrtarë ishin dhe këta: Filip Kristoforidhi, i biri atdhetarit dhe prozatorit të njohur Kostandin Kristoforidhit Elbasansit. Filip Kristoforidhi ishte delegat i Shoqërisë “Dallëndyshe” të Nju Jork-ut,  Dhimitraq N. Negovani, delegat i Manchesterit, N.H,  Z.  George Kozma i Southbridgit, Z. Vangjel Gurla i Worcesterit etj.etj.

Nisën të vinin edhe të ftuarit amerikanë si i përndershmi   Dr. Turku nga Natick, një grupim prej komunitetit grek, komuniteti armenë, arumunë dhe komunitet e tjerë. Ishin të pranishëm shumë gazetarë amerikanë. 

         Pak para orës 2 pasdite, të gjithë u ngritën në këmbë dhe pritën me duartrokitje hyrjen në sallë të Përndershimt Atë Fan S Noli, i cili kishte nxituar të mbërrinte në kohë pas një meshe të dhënë për të parën herë në Taunton. 

Ra në sy mungesa e Kryetarit të Shoqërisë Besa-Besë të ndershmit patriot Josif Pani i cili sapo i ishte nënshtruar një operacioni. Barra e kryetarit të miutingut i ra nënkryetarit të Shoqërisë më të madhe, nikoqire e mitingut, Besa-Besë. Z. Sotir Lezi. Ai u prit me duartokitje të zjarrta.

Z. Lezi tregoi shkurtazi qëllimin e mitingut dhe pasi falenderoi pjesmarrsit, delegatët dhe të ftuarit, prezantoi Faik Konicën.

FAIK KONICA: DUAM VETËQEVERIM NËN DREJTIMIN E  ISA BOLETINIT

Faik Konica, duke iu drejtuar kryetarit të mitingut, delegatëve dhe të ftuarëve, paraqiti Rezolutën e hartuar prej Tij, dhe e përkrahur nga i Përndershmi At’ Fan Noli.

Ai tha se Rezoluta do të votohej në fund të mitingut.

     Më pas Konica mbajt një fjalim, ku prezantoi situatën e kryengritësve në Shqipëri dhe krimet e ushtrisë turke. Duke qenë se ky fjalim është pak i njohur, po e risjellim për interes të lexuesve dhe studiuesve.

Zotërinj;

Dy vjet më parë, Xhon turqit na ftuan në tryezë për të diskutuar Kushtetutën dhe për të gëzuar lirinë dhe vëllazërinë. Dhe ne, si të verbër, shkuam në ziafetet e tyre. Por një këngë popullore e Toskërisë thotë:

Ziafe’ i Osmanllisë

Është helm i Shqipërisë…

Vërtetësia e kësaj thënie u provua në këtë rast. Gëzimi u bë hidhërim; të vetëthënurit vëllezër i nxuarën maskat, dhe llokumet e tyre na dualën nga hunda. Sot, xhon turqit në vend të llokumeve na qëllojnë me gjyle topash…E çpuan Gegërinë dhe …Gegëria lëvizi….Më në fund turbullimi u bë një Kryengritje e vërtetë…Kryengritja e tanishme nuk është një kryengritje lokale. Nuk është një mëri kundër xhelepeve, nuk është mëri kundër ndonjë kajmekami, a ndonjë yzbashi, është e përgjithshme. Turbullime të tilla kanë ngjarë shumë herë në Shqipëri.Në s’mori pjesë në të Toskëria dhe Shkodra, kjo nuk është faj i Gegërisë së Sipërme(Kosovës), se gegët e kuptojnë aq mirë karakterin e përgjithshëm të kësaj kryengritjeje sa dërguan përfaqësues edhe në Shkodër, edhe në Dibër, edhe gjetkë. Tani që ne jemi mbledhur këtu, janë mbledhur edhe ata në malet e Dibrës për të marrë vendimin nëse do ta ngrenë apo jo flamurin e kryengritjes. Në Malësi të Shkodrës, në Dibër, në Mat, kryetari Isa Boletini ka dërguar kudo njerëz që të këshillojnë bashkim dhe të kërkojnë ndihma në armë. Ata kanë depërtuar edhe në radhët e ushtrisë së Shefqet Pashës që të bëjnë propagandë shqiptarëve toskë të bashkohen me kryengritsit. Kjo Kryengritje ka karakter të përgjithshëm edhe për faktin se të krishterë e muslimanë luftojnë krah për krah me njeri tjetrin kundër ushtrisë turke. Një nga krerët e Malësisë Marko Fonda së bashku me 300 luftëtarë malsorë iu bashkua ushtrisë që komandon Isa Boletini. Kjo kryengritje ka karakter gjithëshqiptar edhe për faktin se nga përfundimi i saj, Shqipëria do të fitojë Lirinë apo do të vdesë!(Në fakt ishte prologu i Pavarësisë-dg)

…Po të shtypen Gegët, Turqia do të shtyp edhe Toskërinë, do të mbyll shkollat,do t’na shtojë vergjitë, do të na dërgojë me mijëra të shuhemi në Jemen, do t’na mundojë dhe do t’na shtërngojë të shpërndahemi dhe të arratisemi nëpër botë…Në qoftë se gegët fitojnë, nëse Kosova bëhet një principatë e vogël autonome, ambicja, sedra e vëllezërve tanë do të rritet, dhe do të përpiqen të shpëtojnë edhe toskët…

        Zotërinj, kur krisi Kryengritja e tanishme(më e madhja që në kohën e Ali Pashë Tepelenës) disa nga ne besonin se turqit, si njerëz që lëvdohen se janë të qytetruar, do të harronin të vjetrat dhe se do të silleshin në fushën e luftës si i ka hije një shteti të qytetruar. Po më të shumtët nga ne(jam dhe unë një ndër ta-F.K) i kishin kuptuar më mirë Xhon turqit dhe kishin dyshime.Kujtojin fjalën popullore të Plakës Shqipëri,- Ujku qimen e ndërron por zakonin nuk e harron!

         Më vjen keq që dyshimet tona u vërtetuan.Një nga parimet themelore të qytetarisë së sotme është që lufta të bëhet vetëm me ata që kanë armët në duar, jo kundër grave dhe fëmijëve.Por turqit s’qenka të zot ta kuptojnë këtë parim, ose nëse e kuptojnë, le ta vënë në praktikë… Fakte dhe jo fjalë, fakte të thata të tmerruara në thatsinë e tyre, na provojnë se si e kuptojnë Xhon turqit detyrën e një shteti të qytetruar…

Motin e shkuar, famë ndyeri Xhavit Pasha, i cili ishte në krye të ushtrisë turke në Gegëri, dogji dhe shkatërroi krejt një qytet të vogël, Bizzin, kryevendin e Lumës dhe pesë fshatra: Namgi, Galvica,Mamzi, Pebregi dhe Golecioni. Këto emra fatzeza, që ndodhen edhe në hartat gjeografike të botës botuar para vitit 1909, do të përpiqeni më kot t’i gjeni në hartat e mëvonshme, ato nuk do të egzistojnë…Pse u shkatërruan ato. Sepse andej kishin dalë shumë prej kryengritësve. Bizzi dhe pesë fshatrat e tjerë të zhdukur, s’kishin kala, s’kishin burra të armatosur, s’kishin përveçse gra dhe foshnja…

O vise të mjera, kush do t’këndojë dëshprimin tuaj? 

Dje të gjalla, dje plot jetë dhe këngë-dhe sot? Ah vëllezër!

-Sot gërmadha të veshura me mallëngjim!

…Nuk po flasim për turpet që iu bënë grave. Lista e krimeve është e gjatë, subjekti për të vajtuar e për të vjell’. Do t’ju përmend vetëm dy fakte: Të ngjarën e Bllacit dhe të Strelacit. Turqit për të ndëshkuar  Bllacin, fshat afër Ferizofiqit(Ferizaj)dhe Prizrenit, hyjnë në fshat  dhe këto kafshë me fytyrë njeriu, turpërojnë të gjitha gratë, të reja apo plaka. Në Strelatz, tjetër fshat afër Pejës, kafshët ushtarake të Turqisë, përdhunuan tri vajza 14 vjeçare, të cilat pasi i turpëruan, fatkeqet varën vehten.

        E dini vëllezër se këto fakte i bëmë botërisht të njohura në gazetën “Dielli” të Vjeshtës së tretë 1909, dhe 7 Janarit 1910. Guverna turke u ndje ligsht nga këto të vërteta por nuk mundi t’i përgënjeshtrojë, përveçse ndaloi Diellin të hynte në Shqipëri. Menjëherë nxuarëm “FLAMURIN” dhe i ribotuam faktet, këshilli Ministror, ndaloi dhe Flamurin, por ne nuk u ndalëm.

Zotërinj, nëse ushtria u suall me poshtërsi në kryengritjet e vitit që shkoi(1909), në ato të këtij viti po sillet më poshtërsisht. Sipas Daily Telegraph të Londonit, ushtria turke shkatërroi fare 10 fshatra,  kemi arsye që të besojmë se dëmi është shumë herë më i rëndë….Dimë se në Goden 500 gra dhe fëmijë ranë viktima të ushtrisë turke. Ushtarët turq të mundur në fushën e betejës, të turpëruar nga luftëtarët trima shqiptar, u kthyen pas dhe u derdhën nëpër fshatra të pambrojtur dhe kryen krime, duke turpëruar gra, që më pas i vrisnin, masakronin dhe fëmijët. I dërguari i gazetës së madhe të Milanit, SECOLO, pa me sytë e tij gra shqiptare të tmerruara me fëmijët në krah që vraponin t’u shpëtonin maskrave dhe ç’nderimit. Le të shpresojmë se shumë nga këto gra të gjora me fëmijët e tyre arritën në kampin e ushtrisë të Isa Boletinit, kryetarit fisnik,  dhe të kenë shpëtuar nga masakrimi.

        …Zura në gojë emrin e kryekapedanit shqiptar Isa Boletini, i njohur deri më sot vetëm nga penda çpifarake e Serbve dhe turqve, kundër të cilëve ai po i mbron shqiptarët që prej 15 vite. Isa Boletini është një symbol i bukur i luftëtarit shqiptar. Mesatar nga mosha, Ati i dashur i nëntë djemve, ka pëlqyer më shumë jetën e thjeshtë dhe modeste të një kryetar-mali se sa shkëlqimet e hoborrit turk. Sulltani i shkuar u përpoq me çdo mënyrë që ta mbajë në Jelldiz këtë malsor me fjalë të pakta. Po, as titujt, as argjendi, nuk e bindi, dhe Xhon-Turqit nuk arritën të fitojnë miqësiën e tij, aq më tepër Sulltan Hamid.Isa Boletini është i tërë për Shqipërinë. Burrë me nder, me ment dhe karakter të fort, u tregua i lindur për Kryetar, kur arriti të bashkojë 40 mijë shqiptarë, nga bajraqe dhe fe të ndryshme, dhe t’i lidhë më një disiplinë të fortë, që të huajt e vlerësojnë më të lartë se atë të ushtrisë turke.

Tani pyesim, ç’fund do të marrin këto punë? 

    Zotërinj, njohim vetëm një fund- vetëm një fund mund të pëlqejmë: VETËQEVERIMIN.

Dhe vetëm një barrë ka fuqinë, forcën e karakterit, që ta verë vetqeverimin në punë; Ay është Kryekapedani i kryengritësve, ISA BOLETINI!

    Nuk jemi armiq sistematikë të Turqisë. Kemi qenë dhe dëshirojmë të jemi subjekt besnik të Madhështisë së Tij, Sulltanit, por s’duam të qeverisemi më dreq për dreq nga Turqia. U ngopëm. MJAFT! 

 Kemi derdhur qindra herë gjakun tonë për Turqinë,  kemi luftuar në luftrat e saj. Ne i dhuruam një Kushtetutë.Dhe për të gjitha këto Turqia na përgjigjet me TOPA!….

REZOLUTA E PARAQITUR NGA KONICA, PËRKRAHUR NGA NOLI

Ja rezoluta e paraqitur nga Faik Konica:

  • Ky miting mësoi me tmerr dhe me ndot masakrat ndaj grave dhe fëmijëve shqiptarë prej ushtrisë turke në Shqipëri;
  • Ky miting dënon sjelljen e Guvernës turke si barbare dhe të pandershme;
  • Përhiron Times-in e Londrës, që i këshillon Turqisë moderim;
  • Dënon TEMPES-in e Parisit, që nxit turqit të masakrojnë shqiptarët.
  • Përkrah dhe i dërgon të fala Kryekapedanit Isa Boletinit dhe tregon admirim për të dhe kalorsin’ e ushtrisë Kombëtare të Shqipërisë.
  • U lutet Fuqive të Mëdha të kenë mëshirë për gjakun e pafajshëm të grave dhe fëmijëve shqiptarë, dhe të intervenojnë Turqinë që të pushojë masakrat.
  • Ky miting çfaq besimin se e vetmja zgjidhje e çështjes shqiptare është Autonomia me Kryekapedan Isa Boletini për Vali brez pas brezi.

              ***

Fan S. Nolin në fjalën e tij , ndër të tjera, tha se: Jam në një mendje me çfarëdo fjale të bashkatdhetarit tonë të shkëlqyer dhe mikut tim Faik bej Konica, fisnik nga Lindja dhe nga Letrat, dhe përkrah me gjithë zemër Rezolutën që Ai u paraqiti për aprovim.

At Fan Noli, në fund pyeti sallën me delegatët: A JU PËLQEN REZOLUTA?

Kujt i pëlqen, le të ngrerë duart!

Të gjithë u ngritën dhe Urata thirri”U VOTUA!”

Salla shëprtheu në duartrokitje….

Filed Under: Politike Tagged With: 13 Maj 1910, dalip greca, Isa Boletini, Mitingu I Bostonit, Rezoluta e Faik Konices

Bisedë me znj.Shukrije Ramadani, bashkëshorten e Heroit Agim Ramadani

May 13, 2022 by s p

Bisedoi Keze Kozeta Zylo

Mu shterrshin sytë nëse pushoj,

Lirinë tënde me ëndërrue,

mallkue qoftë gjaku im,

nëse m’vrasin pa luftue.  Agim Ramadani

Sapo të arrija në Bajram Curr, në rast se e kanë varrosur pa mua, do ta zbuloja ta shikoja e përqafoja për të fundit herë…  Shukrije Ramadani

Shukrije Ramadani, bashkëshortja e Heroit Agim Ramadani është një zonjë heroinë shqiptare nga Zhegra e Gjilanit.  Historia e tyre është shumë frymëzuese për brezat, shpresoj që një ditë ajo të zërë vend në botën e artit në majat e tij në Hollivud.  Krimet serbe duhet të mësohen dhe dënohen në gjithë shkollat e botës dhe të njihet ashtu siç njihen krimet naziste kundër hebrenjve dhe popujve.  Që të arrihet kjo duhet që elita e Kombit, artistët e famshëm shqiptarë në botë, bizenesmenët dhe regjisorët duhet të jenë bashkë dhe të hartojnë platformë për të sensibilizuar mbarë opinionin e artit, ashtu siç është bërë në politikë nga Diaspora Shqiptaro Amerikane.

Pershendetje znj.Shukrije Ramadani, po përshëndes një grua heroinë, ju jeni bashkëshortja e Heroit të Atdheut Agim Ramadani çdo të thotë të jesh përjetësisht krah tij?

Liria e Kosovës nuk u arrit lehtë. Ajo është produkt i punës së pandalshme të shumë gjeneratave. Ajo është ëndërr e realizuar, dashuri e dhimbshme sfidë e tmerrshme dhe një ndjenjë e veçantë, që na ka mbajtur gjallë idealin, ëndrrën dhe dëshirën për të vazhduar me  kërkesat tona për jetë më të mirë, më të dinjitetshme, liri, demokraci dhe bashkim kombëtar. Si fëmijë kundërshtuam regjimin e egër serbo-sllav dhe u rritëm me ndjenjën se pa u hequr qafe armiku nuk kemi frymëmarrje të lirë. Shpesh në qoshe fletoresh gjejë ende sloganin, që aq shpesh e përdornim. ‘’Për dashuri sakrifikoj jetën e për ideal sakrifikoj dashurinë‘‘.

Ideali ishte ai, që na lidhi me dashurinë e përjetshme, e cila më mban të fortë dhe me plot elan edhe pas 23 vitesh mungesë fizike të dashurisë sime platonike.

E dinim që liria sakrifica kërkon, që këto sakrifica dhimbje do të na linin pas, por nuk mund ta merrja me mend çfarë force kishte dhimbja dhe se mua do të më binte e vetme ta përballoja.

Dhe tani, kur çdo mbrëmje bie me lutjen që në ëndërr ta kem dhe çdo mëngjes ngrihem, duke i

thënë mirëmëngjesi vetëm ëndrrës sime e shoh sa e vështirë është sakrifica, sa e dhimbshme është liria kur nuk mund ta gëzosh ashtu siç e ke ëndërruar, ashtu siç e ke dëshiruar.

Tregoni ju lutem për njohjen tuaj me Agimin deri në kurorëzimin si bashkëshort?

Me Agimin u rrita në të njëjtin fshat, ku u shkolluam në bankat e përbashkëta të klasës së njëjtë, që nga fëmijëria e deri në shkollë të mesme, kur rrugët padrejtësisht na u ndanë. Ishim

nxënësit më të mirë, jo vetëm në fshatin dhe shkollën tonë në Zhegër, por edhe pasi dolëm në Gjilan në drejtimin Ekonomi dhe Financa, të dy shkëlqyem si nxënës shembullorë.  Ishte më i suksesshëm së unë në shkencat ekzakte dhe e plotësoja në gjuhë e letërsi. Ende ruaj fletoret me shkrimin e tij, kur më kryente detyrat e vështira të matematikës apo me vargjet e poezive në fletë të fshehura brenda tyre. Nuk e di kur jam dashuruar në të. Kur luanim pjesë të ndryshme teatrale, mbrëmjeve poetike, kur ai ishte ylli i mbrëmjes apo gjatë ekspozitave kur ishte më i miri në çdo konkurs ku ishim bashkërisht pjesëmarrës. Pas kryerjes së shkollimit të mesëm, të dy konkuruam për pranim në Akademinë Ushtarake në Zagreb, ngaqë e shihnim si rrugën më të duhur për përmbushjen e idealit tonë, që populli ynë të ketë oficer të shkolluar për luftën, që e kishim të patjetërsueshme.

Universitetet i keni pasur të ndara pasi keni studjuar në profesione të ndryshme, na flisni për lidhjet tuaja dhe jetën studentore nën regjimin kriminel serb?

Pasi u regjistruam, unë u dënova për demonstratat e vitit 1981, ku isha pjesëmarrëse bashkë me Agimin, por për mua kishte fakte me foto që isha pjesëmarrëse dhe me dënuan me largim nga partia Komuniste dhe largim nga shkolla e mesme, ku isha në përfundim të vitit të katërt.

Kjo më privoi nga e drejta në pjesëmarrjen e konkurrimin për Akademinë Ushtarake që patëm planifikuar bashkërisht dhe na u ndanë rrugët për 5 vite të tëra, që i kaluam me letra e telefonata të vazhdueshme për përmbushjen e boshllëkut që na krijoi largësia. Agimi kreu Akademinë e Komunikacionit në Kroaci në shkollën prestigjioze ‚“Ivan Goshnjak“‘ dhe doli si kapiten i klasit të parë dhe unë e kreva Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë si dhe drejtimin për edukatore.

Pas martesës për katër vite me radhë jetuam në Bosnjë  Hercegovinë, ku na lindën dy djemtë, Jetoni dhe Edoni dhe me fillimin e luftës në Kroaci pas një etape të vështirë luftimesh sapo siguruam pasaportën për mua dhe fëmijët migruam në Zvicër, ku jetoj ende bashkë me tre fëmijët tanë.

Në Zvicër na lindi edhe vajza Lorina, që ishte misi i babit.

Heroi Agim Ramadani ka qenë Komandant i Brigadës 138 në Betejën e Koshares, vendi ku u hoq kufiri shqiptaro-shqiptar, si e përshkruani këtë betejë heroike?

Si e përjetuat rënien në krye të betejës më 11 prill, 1999 si bashkëshort dhe si Hero, ku ishit ne atë moment kur ju njoftuan për rënien e Tij në Luftë për Kosovën?  Në atë betejë janë vrarë gjithsej 113 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishit mundësi të komunikonit me familjet e dëshmorëve në atë kohë?

Që kur migruam e kam pasur të qartë se sapo të fillojë lufta në Kosovë Agimi do t’i bashkohet ndër të parët, se ai ishte rritur me atë ideal, ishte formuar dhe profesionalizuar mu për atë.

Andaj, isha e përgatitur për të gjitha pasojat që do të sillte lufta për liri, e dija që nuk do ta kem të lehtë në rast se i ndodhte diç Agimit,ashtu siç e dija se isha mjaft e fortë ta vazhdoja e vetmuar me dashurinë e përjetshme për të dhe idealin tone, për Lirinë e Atdheut.

Por ajo që s’mund ta mirrja me mend është fakti se si  kaq shpejt do të mund të harronim sfidat, dhimbje,gjakun dhe luftën tonë shumë shekullore për liri!

Lufta në Koshare ishte mu ashtu siç e përshkruajnë kriminelët serb në filmat dokumentarë, që i kanë realizuar për t’i mbuluar humbjet e shumta. E egër, e vështirë dhe e përgjakshme skajshmërisht.

Unë isha vetëm një javë në atë betejë dhe pashë si dukej ferri.

Pashë aq shumë vrasje e ushtarë të gjymtuar e të vrarë sa humba ndjenjën e dhimbjes dhe të emocionit. Ushtarë, që në vend të mbështjelljes së plagës parapëlqenin një kafshatë bukë ngaqë kishte humbur aq gjak sa aq i bënte nëse do të jetonte pas plagëve të marra, ai dinte arsyen pse i kishte ato plagë, falë atdheut dhe lirisë së tij për të cilën kishte fluturuar, nga Amerika, nga Australia, nga Azia e çdo cep Evrope, ku ishin takuar në frontin për çlirimin e atdheut, të atdheut që kishin njohur përmes dashurisë së prindërve dhe përmes mallit të gjyshërve që kishin migruar nga dhuna serbe në tërë botën dhe falë asaj dashurie ata ishin aty, roje atdheu për të cilin flijoheshin me vet dëshirë!

Shokët e Agimit më njoftuan se Agimi ishte i plagosur dhe më kërkonte në front, u nisa me bindjen se diçka nuk shkon, se Agimi i plagosur duhej të sillej në shërim në Zvicër e jo të dërgohej në një shtet tjetër dhe sapo arrita më kumtuan lajmin e kobshëm, të cilin e ndjeja thellë në shpirt, por se pranoja assesi dhe vendosa se sapo të arrija në Bajram Curr, në rast se e kanë varrosur pa mua, do ta zbuloja ta shikoja e përqafoja për të fundit herë, por as kjo nuk m’u lejua, ngaqë kishte vetëm një ditë që ishte varrosur dhe zbulimi i varrit kërkonte procedura ligjore. Nuk doja të bindesha nga ligji, por u binda nga varret e reja që ishin afër Agimit, secili nga ushtarët e rënë ato ditë, ishte më i ri se Agimi. A kisha të drejtë ta veçoja nga shokët e tij nga ushtarët, që i deshi ma shumë se fëmijët e tij!

Dhe, pranova mos ta shihja më kurrë, përveçse në ëndrra që më përcillnin vazhdimisht dhe në dëshirën e pashuar, ta kisha përqafuar edhe një herë.

Dhe qëndrova  në atë luftë të tmerrshme ku vetë m’u dash t’i bindja ushtarët në front dhe në spitalin ushtarak të Tiranës se Agimi nuk ishte i vdekur, gënjeshtër ishte lajmi i shpërndarë se Agimi kishte rënë. Më duhej të përbija lotët e të bindja secilin se sapo bisedova me Agimin dhe më dërgoi t’i lajmëroj që ishte shëndoshë e mirë dhe i priste në Kosovë vetëm të ishin të fortë dhe të bashkuar ashtu siç i donte ai, vetëm për të ngritur moralin e tyre, ngaqë çdo aksion dhe betejë e suksesshme lidhej me emrin e tij dhe lidhja emocionale e Agimit me ushtarët ishte aq e fortë sa frikoheshim se do të binte komplet fronti në rast se kuptohet se Agimi kishte rënë.

Kur Komandant, Rrustem Berisha, deshi të m’i dorëzonte armët e Agimit e luta që armët e Agimit të mos pushonin deri të mos mbetej këmbë armiku në atdheun tonë dhe armën e krahut të Agimit ia dorëzova atij, ndërsa armën e dorës shokut të tij, Xhafer Gashit. Ajo që ka qenë më e vështira gjatë kësaj kohe sa kam qëndruar në luftën e Koshares, ku kam bartur uniformën e Agimit dhe armët e tija ishte lajmi mbi vrasjen e shokut të pushkës, Salih Çekut!

Ju keni tre fëmijë: Jetonin, Edonin, dhe Laurinën, si ka qenë rritja e tyre pa baba dhe konkretisht si janë integruar me jetën?

Vitet ikin fëmijët u rritën me dashurinë time të paskajshme, me shpresën të mos i lazdroja duke u dhuruar dashurinë e të dyve, u shkolluan e u bënë kuadro të suksesshme në Zvicër, ku jetojmë ende. Një kohë i ktheva në Kosovë për të përmbushur amanetin e Agimit, ku qëndruam për 10 vite, por meqë Kosova ende nuk ofronte kushtet me të cilat ishin rritur dhe shkollimi nuk ishte në nivelin që kërkonim, vendosëm prapë të ktheheshim në Zvicër dhe fëmijët të kryenin shkollimin dhe profesionalizmin e tyre të duhur. Të gjithë kanë krijuar familjet e tyre dhe perëndia më ka bekuar me nuse të mira nga Kosova dhe nipat Agimin, Kolosin dhe mbesat Katanen dhe Emën.

Projektet e mia të realizuara pa Agimin, janë të mangëta, pas luftës së Kosovës u shfaq kërkesa për operacione të rënda emergjente për ushtarët e lirisë, e Kosova e lënduar, nuk mund t’i ofronte.

Cilat janë disa nga projektet tuaja të realizuara si dhe për të ardhmen?

Bashkë me dy shoqe të mia Anelies Schneller dhe Valdete  Hotnjani, krijuam Shoqatën ‘’Shpresa”, përmes së cilës sollëm në Zvicër për operime të rënda  mbi 120 ushtarë, që kishin humbur pjesë të trupit. Tani jam në përgatitje të ‘’Fondacionit Agim Ramadani’’, i cili do të merret me zbardhjen e materialeve letrare dhe artistike, që ka lënë prapa Agimi, me ndihmën e familjarëve  të dëshmorëve dhe ushtarëve të lirisë, si dhe mbështetjen e vlerave të studentëve shembullor për studime jashtë vendit në drejtimin e artit dhe të letërsisë.

Shpresoj shumë se me këtë projekt do të arrijmë të ndihmojmë njerëzit me të cilët do të mburret Kosova.

Bota nuk pushon nga luftërat shpesh më duket sikur po cmendet dhe po del nga binarët, ja konkretisht jemi në luftën ruso ukraniase, ku kjo e fundit është pushtuar nga Putini-Hitler, shumë ukrainas I janë përgjigjur thirrjes së Atdheut duke lënë rehatinë në vendet perëndimore.  Të njejtën gjë bëri dhe Agim Ramadani ku ju jetonit me fëmijët në Zvicër, cfarë do të kujtoni në atë kohe?

Pasojat e luftës vazhdojnë me gjenerata, mu për këtë më dhemb se tani në një pjesë të Evropës po luftohet prapë për mbrojtje të identitetit, të lirisë dhe njerëzores. Fatkeqësisht ata që e përjetojnë më së shumti dhe më së rëndi janë gratë dhe fëmijët.

Uroj që sa më parë bota të vetëdijesohet dhe mos të lejojë luftëra të pakuptimta ngaqë vetëm një jetë kemi dhe kjo të kalohet me luftëra e dhembje është shumë e padrejtë.

Cili është mesazhi juaj për Diasporën Shqiptaro Amerikane?

Diaspora Shqiptare në Amerikë e ka treguar qartë rolin e saj, jo vetëm gjatë luftës së Kosovës, por dhe para e pas saj. Janë pjesë krenare e historisë së sukseseve të Kosovës dhe e lirisë së saj. Janë krenari kombëtare dhe vlerë e veçantë me të cilën mburremi të gjithë. Ende Kosova ka nevojë për mbështetje të kësaj pjese andaj sic thote Kenedi presidenti Amerikan se: “Kurrë mos pyetni çka bëri Atdheu për Ju, por Ju çka bëtë për Atdheun!”

Ju faleminderit fort e nderuar znj.Ramadani për këtë bashkëbisedim motërzor midis nesh! 

Lavdi Heronjve dhe Dëshmorëve të Atdheut!

Ju  falenderoj znj.Zylo për interesimin dhe kohën tuaj, ju përshëndes dhe përqafoj me dashuri motre!

12 Maj, 2022

New York, USA

Filed Under: Politike Tagged With: Agim Ramadani, Kozeta Zylo

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 227
  • 228
  • 229
  • 230
  • 231
  • …
  • 669
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT