• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova-Bashkimi Evropian, 6 vjet zbatimi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit

April 2, 2022 by s p

-Kosova, Program Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit me Bashkimin Evropian/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 2 Prill 2022/ Në këtë fillim Prilli 2022 u bënë 6 vjet prej kur hyri në fuçi – nisi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e nënshkruar në 27 Tetor 2015 në Strasburg dhe e ratifikuar në parlamentin kosovar pas pak ditësh, në 2 Nëntor. 

Zbatimi ka nisur në 1 Prill 2016, kur në mënyrë ceremoniale në ambientet e Drejtorisë së Doganës së Kosovës u bë zhdoganimi i parë me tatim doganor të reduktuar konform Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Ky moment shënonte fillimin e zbatimit të MSA nga ana e shtetit të Kosovës. 

Marrëveshja për Stabilizim Asociim, e cila krijon për herë të parë marrëdhënie kontraktuale me Bashkimit Evropian, është vlerësuar ngjarja më e rëndësishme e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë në 17 Shkurtin historik 2008.

Programi Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian është miratuar në 10 Mars 2016  nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Me atë rast Ministria e Integrimit deklaronte se, mbështetja e ofruar nga deputëtët e Kuvendit kosovar miratimit të Programit Kombëtar për zbatimin e MSA-së dëshmon përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të zbatuar të gjitha reformat legjislative dhe institucionale dhe detyrimet kontraktuale të parapara me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Ky Program është dokumenti kryesor strategjik kombëtar për zbatimin e axhendës evropiane që mbulon periudhën pesëvjeçare 2016-2020 dhe fokusohet në tre aspekte strategjike të anëtarësimit në BE: Përmbushjen e detyrimeve të MSA-së; Përafrimin e legjislacionit kombëtar me legjislacionin e BE-së; Zbatimin e legjislacionit të përafruar.

Programi mbulonte të gjithë kapitujt e Acquis së BE-së. Bazuar në strukturën e Kritereve të Kopenhagës, të gjitha masat dhe prioritetet janë të ndara në tre blloqe: Kriteret Politike, Kriteret Ekonomike, dhe Standardet Evropiane.

Programi përcaktonte masat dhe prioritetet legjislative dhe zbatuese në dy faza: masat afatshkurtra (për vitin 2016) dhe prioritetet afatmesme (për vitet 2017-2020). Programi gjithashtu përcaktonte qartë përgjegjësitë e institucioneve për zbatimin e tij, si dhe afatet kohore të përmbushjes së këtyre veprimeve dhe burimet buxhetore.

Procesi për hartimin e Programit është koordinuar nga Ministria për Integrim Evropian,  me përfshirje të të gjitha institucioneve shtetërore dhe në një proces gjithëpërfshirës dhe konsultativ me shoqërinë civile dhe palët tjera të interesuara.

Zbatimi i Programit nis menjëherë me hyrjen në fuçi të MSA-së, me fillimin e muajit Prill 2016.

 Në 27 Tetor 2015 atëherë kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, njëherësh zëvendës presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, kanë nënshkruar në Strasburg Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Në ceremoninënë e zhvilluar, Marrëveshja është nënshkruar edhe nga atëherë ministri i Integrimit Evropian të Kosovës, Bekim Çollaku dhe komisioneri i BE-së për Politika të Fqinjësisë Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn.

Negociatat për marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, kanë nisur në 28 tetor të vitit 2013.

Kosova dhe Komisioni Evropian kanë vënë inicialet në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit qysh në Korrik të vitit 2014.

Procesi i nënshkrimit është ngadalësuar për shkak të mungesës së konsensusit brenda vetë Bashkimit Evropian, përkatësisht mosnjohjes së Kosovës ende nga pesë vende të BE-së.

Më vonë, megjithatë, është rënë dakord që Marrëveshja e Stabilizim Asociimit të mos ratifikohet nga parlamentet e secilit shtet anëtar veç e veç, ashtu siç ka qenë praktika me vendet e tjera.

Në 22 Tetor 2015 Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Në 24 Tetor, nisma për lidhjen e Marrëveshjes për Stabilizim Asociimin ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës u miratua nga qeveria kosovare.

Marrëveshja ka strukturë dhe përmbajtje të njëjtë sikur marrëveshjet e të gjitha vendeve të rajonit dhe përfshinë të gjitha elementet e një bashkëpunimi të plotë politik, ekonomik  ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. MSA, marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, përmban 597 faqe, në X tituj, VII anekse dhe 5 protokolle.

Në 1 Prill 2022 në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga kryetarja, Rrezarta Krasniqi, ka raportuar, Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog në Qeverinë e Republikës së Kosovës. 

Raportimi në Komision i  zv/ kryeministrit Bislimi kishte të bënte me Programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit (PKZMSA) 2022-2026. 

Zv/ kryeministri Bislimi para Komisionit paraqiti çështjet më të rëndësishme nga përmbajtja e këtij programi, siç janë: reformat politike, ekonomike, si dhe përafrimi i legjislacionit të Kosovës me atë të Bashkimit Evropian.  

Për zbatimin e këtij programi, zv/ kryeministri bëri të ditur se janë të nevojshme (dhe në dispozicion) më shumë se 46 milionë euro, nga të  cilat, tha ai,  pjesa më e madhe e tyre janë donacion nga Bashkimi Evropian. 

Duke folur për objektivat, të cilat Qeveria ka për qëllim të arrij gjatë këtij viti lidhur me Programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit 2022-2026, zv/ kryeministri Bislimi njoftoi se janë paracaktuar 220 masa, nga të cilat 90 prej tyre i përkasin fushës së legjislacionit. 

Pas kësaj, anëtarët e Komisionit ngritën një mori çështjesh, të cilat kishin të bënin kryesisht me legjislacionin, dhe ecurinë e paraparë për realizimin dhe zbatimin e Programit Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit 2022-2026. 

Ndërsa, pyetjeve dhe shqetësimeve të tyre iu përgjigj zv/ kryeministri, i cili, po ashtu kërkoi bashkëpunim edhe më të madh me Komisionin, me qëllim të përmbushjes së obligimeve shtetërore gjatë procesit të integrimeve në Bashkimin Evropian. 

Filed Under: Politike

Presidentja Osmani dhe Kryeparlamentari Konjufca bënë homazhe te memoriali i Masakrës së Lybeniqit

April 1, 2022 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca e shoqëruar nga kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri bënë sot homazhe dhe vendosën kurorë me lule në 23 vjetorin e rënies së dëshmorëve dhe martirëve në Lybeniq të Pejës.

Presidentja Osmani tha se sakrifica e martirëve dhe dëshmorëve të Lybeniqit ka bërë që ne sot ta gëzojmë aspiratën tonë shekullore për liri.

“Këtyre njerëzve që kanë dhënë gjithçka deri në më të shtrenjtën e tyre, pra, jetën e tyre u kemi borxh gjithçka sepse asnjëherë ne nuk do të mund ta shijonim lirinë, asnjëherë nuk do të mund ta arrinim pavarësinë në qoftë se ata nuk do ta jepnin jetën për të”, tha Presidentja Osmani, duke shtuar se sot ka takuar shumë familjar që kanë humbur më të dashurit e tyre, e disa e kanë humbur gjithë familjen.

“U kemi borxh për tërë jetën, por në të njëjtën kohë, është obligim i yni institucional që asnjëherë mos t’i ndalim përpjekjet tona për drejtësi. Në këtë masakër, sikurse edhe në çdo tjetër që regjimi gjenocidal i Serbisë ka kryer ndaj popullatës së pafajshme, civile në Kosovë, por edhe gjithë dëshmorët që kanë rënë, dëshmojnë se sa barbare ka qenë lufta e shtetit serb ndaj popullit të Kosovës”, tha Presidentja Osmani.

Ajo tha masakra e Lybeniqit është dëshmi e qartë e qëllimit shfarosës që regjimi i Millosheviqit që kishte ndaj popullit të Kosovës. “Nuk duhet të ndalemi ditë pas dite dhe të punojmë pareshtur të gjithë bashkërisht, pa dallim, në mënyrë që gjaku i tyre mos të shkoj huq dhe në mënyrë që kryerësit e këtyre veprave makabre, kryerësit e gjenocidit të dalin para drejtësisë”, përfundoi Osmani.

Filed Under: Politike

DIGA QË NDAN DHE SHKATËRRON

March 31, 2022 by s p

Abdurahim Ashiku/

Kësaj here nuk kam arritë me ju kuptue mirë, bashkëqytetarët e mijë dibranë. Heshtja juaj me habit e më befason. Me pëlqen të mendoj se ashtu të zgjuar siç jeni prej natyre, po mendoni të flisni kur të jetë rasti, siç bën i mençuri në kuvend. Por rasti është tani, pasi nesër mund të jetë tepër vonë…

Dhe një shënim i gazetarit…”Kur bëra thirrjen “Po Dibrës! Jo Skavicës!

Ka vite që në opinjonin dibran, atë  kombëtar dhe më gjërë , tema  e diskutimit që  bëhet gjithnjë e më shpesh është ajo për ndërtimin  e hidrocentralit të Skavicës,  rreth një problemi  jetik për luginën e Drinit të zi, për Dibrën dhe dibranët, për të shkuarën dhe të ardhmen e tyre. As më shumë e as më pak, përtej çdo retorike e sofizmash për çka qeveria jonë e sidomos Kryeministri i saj janë ekspertë të fushes, kjo është zhdukje e pellgut të Drinit, e arkeologjisë së pa studjuar të atyre trevave, zhdukje e historisë , asaj të lashtë , të kohës së Skenderbeut dhe të luftrave shekullore me serbët e pushtuesit e çdo kallëpi, zhdukje e ekonomisë dhe kulturës së atyre viseve,  specifikisht heroike e  punëtore gjithashtu, është në fjalë të fundit zhdukja e Dibrës, e trupit dhe e palcës së saj . Pas  kësaj mbeten ca shkëmbinj e ca pyje që rreth 6 muaj në vit i zë bora, ku ndonjë çoban mund të kullosë ca dhi a dele dhe dhelprat të shëtisin nëpër shkrepa.
Edhe pse nuk banoj në Dibër e jam dhe unë një votues , kësaj radhe dua të them dy fjalë , të shpreh votën time kategorikisht kundër e ti bëj nja dy pyetje kryeministrit të vendit dhe le të më quaj edhe mua tru shplarë e që nuk jetoj me fatkeqësinë e Ukrainës. Por zakonet e të parëve kanë qenë, kur ke mort në shtëpi,  mos shko të qash te komshiu. Europa dhe Amerika po e ndihmojnë dhe Ukraina po lufton dhe do të ja dalë vetë, ne u solidarizuam me të, folëm në OKB dhe në Këshillin e Sigurimit  dhe kaq mjafton për një popull të vogël si ky yni, që ka një ushtri dhe ekonomi krejt modeste, prandaj mos luani më me kartën e fatkeqësisë së saj . Po përse e mendoj të pa studjuar dhe në kufijtë e aventurës ngritjen e Digës së Skavicës dhe mbytjen e Dibrës. Le të analizojmë disa fakte .  

Pak Histroik:  

Ideja e ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës është hedhur diku para nja 50 vitesh kur ndërtoheshin hidricentralet e kaskadës së Drinit. U bënë disa studime e llogaritje dhe u pa si një çështje e ndërlikuar dhe me pasoja të rënda ekonomike, jo rentabël, bile që cënonte edhe   raportet me fqinjët e do të kishte impaktin e vet negativ. U la në sirtar dhe nuk u nxorr më prej atje . Tani ka disa vjet që po flitet me të madhe dhe propaganda e ka bombarduar aq shumë trurin e dibranëve që mendojnë se vërtetë do të ja kalojnë edhe Zvicrës. Kaq të bukura janë përrallat e gjyshes sa i kanë vënë në gjumë me sy hapur. Edhe pse e di se do te me quani nostalgjik , si dëshmitar i kohës kur ndërtoheshin hidrocentralet unë mendoj se qe krijuar një traditë , eksperiencë e stafe dhe me siguri një shtet i centralizuar si ai i kishte mundësitë për ta ndërtuar atë vepër. Por nuk e bëri si një vepër jo rentabël, pa përfitmin e nevojshëm ekonomik, me pasoja të rënda në shume plane e me që më shumë prishte se ndreqte punë.                  
Në vitin 1976 kur ndërtohej Fierza, një brigadë arsimtarësh dibranë u dërgua dy muaj për të punuar atje, isha edhe unë midis tyre. Rrugës për në Kukës ra një shi i dendur e që zgjati disa orë. Në Kolesjan rrëkeja rrëmbeu një mësues që po kthehej nga shkolla , e përplasi në një përrua dhe ai i shkreti i  la fëmijët jetimë. Në darkë fjetëm në Kukës , pasi ishte e pa mundur ecja përpara. Fjetëm në Kuksin e ri pasi ai ishte ndërtuar ndërkohë. Me nja dy shokë bëmë vizitë në Kuksin e vjetër , ndërtesat ishin aty bosh, por nuk ishin përmbytur akoma. Rrugës në drejtim të Hasit dhe të Kamit të Tropojës, nëpër kodra ishin ngritur lagje e fshatra të tëra ku pritej te stabilizioheshin banorët e fshatrave që do ti mbulonte uji. Të gjitha gjërat ishin organizuar në mënyrë të rregullt , siç kërkon një vepër serioze. Ndërsa toka atëhere me kushtetutë konsiderohej pronë e shtetit.
Nuk kam dëgjuar asnjë masë të tillë të jetë marrë këto kohë për një vepër kaq të madhe dhe që prek jetën dhe ekonominë e një rrethi të madh siç është Dibra dhe që shpërngul nga trojet e tyre jo pak, por 35 fshatra, të cilat dikur ishin rreth më vete.
E dëgjova një herë një ministreshë që kur flet përkëdhelet dhe nuk meret vesh se ç’thotë,  të spjegonte se “Kompania amerikane që është thirrur për këtë vepër ka eksperiencë në zgjidhjen  e këtyre problemeve”. Po zonja Ministreshë, por ne të kemi votuar ty të na i zgjidhësh këto probleme , prandaj zgjidhi ose na ler  rehat në shtëpitë tona, në trojet e të parëve tanë. Pa i zgjidhur , as një hap nuk duhet bërë përpara. 

Problemi ekonomik:

Në trajtimin e problemit të pronave të dibranëve që mbyten dhe duhet të kompensohen qeveria  luan me dy karta, të dyja në dëm të qytetarëve të atyre trevave.
Së pari , ata janë shumë më të pasur se dokumentacioni që posedojnë për pasurinë e tyre. Ata janë përballë qeverisë së tyre,  që vetë e kanë zgjedhur e   duhet ti arsyetojë e ti paisë me dokumentacion , ata nuk janë përballë ndonjë qeverie pushtuese.  Në sitemin e mëparshëm , toka u konsiderua pronë e shtetit dhe u kolektivizua. Në vitet e demokracisë, dibranët pa zhurmë shkuan në kufijtë e të parëve  dhe respektuan njeri tjetrin e të drejtën e pronës. Qeveritë që erdhën në radhë nuk u kujdesën që ti paisin me dokumenta pronësie qytetarët, u mjaftuan me ndonjë çerftifikate pronësie për disa dynym tokë arë. Por në gjithë Dibrën, sidomos në zonën që mendohet të zerë liqeni, qytetarët posedojnë edhe livadhe e kullota , zabele e pyje , vakëf e mal , troje e varre dhe të gjitha këto janë pronë e tyre, të gjitha duhet të evidentohen e të kompesohen .
Sëdyti,   thuhet shpesh se do të kompensohen sipas çmimit të tregut. Po kush është çmimi i tregut? Një i tillë në Dibër mungon. Kjo sepse shumë banorë të atyre anëve kanë zbritur në qytete e rreth tyre për një jetë më të mirë. Ata në masë nuk e kanë shitur tokën. Në përgjithësi ua kanë lënë të afërmve të tyre në ruajtje, ose dikujt me ndonjë qera modeste. Ata e dinë vlerën e tokës , prandaj nuk e shesin, ajo është i vetmi mall që nuk prodhohet më. Ato që përmenden si çmim tregu për tokën në Dibër e që sipas llogaritjeve  të anës së pushtetit konsiderojnë 1-1.5 Euro një m2 tokë të atij niveli, bëjnë spekullim flagrant e duket sikur tallen me njerëzit. Sipas kësaj logjike 1 m2 tokë kushton më pak se një bukë. Në llogjikën  e ekonomisë së tregut çmimet nuk i cakton blerësi, por ai që shet, ai që i meret toka në këtë rast. Prandaj kjo kërkon uljen në tryezë me grupet e interesit e pronarët e ligjshëm. Në se ndokush kërkon çmimin e tregut , mbetet  të meret parasyshë çmimi fillestar i blerjes së saj nga pronarët e ligjshëm. Në fshatin tim që është më shumë se 800m mbi nivelin e detit, janë ende gjallë dëshmitarët që tregojnë se kur një fshatar bleu në kohën e Monarkisë një copë tokë 5-6 dn. , pagoi  400 napolona ari. E po të llogaritet se lira dhe napoloni kishin rreth 7 gram një monedhë, i bie që  hallexhiu pagoi rreth 3kg. flori për një copë arë. Ky është çmimi real i tregut. Ka dhe njerëz të arsyeshëm, siç pata rastin të dëgjoj një deputet të maxhoracës, i cili tha se fatura reale ekonomike e kësaj vepre kushton miliarda dollarë. 
Po përfitimet nga ndërtimi i kësaj vepre cilat janë?
Gjatë këtyre ditëve , në përpjekje për të argumentuar nevojën e rritjes së çmimit të energjisë elektrike , Kryeministri i vëndit bëri një deklaratë kuptimplotë.
Ai tha se me  hidrocentralet  që kemi trashëguar ne mbulojmë rreth 70 % të nevojave të vendit me energji elektrike. (Po, pasi në këto 30 vjetë nuk kemi ndërtuar ndonjë vepër që të ndikojë në prodhimin vendas të energjisë, veç ndonjë heci lokal pa ndonjë ndikim të dukshëm). Athere rezulton që reth 1/3-tën e kemi blerë sipas nevojave, rastit e stinës. Në se është fjala për 1/3 e nevojave, një qeveri që ecën me laps në dorë duhet ta menaxhojë situatën. Ajo mund të bëjë kujdes me shumë për kursimin e energjise në stinët me shi, ruajtjen , apo huazimin e saj të tjerëve , për ta marrë në momente kur ne kemi nevojë. Jam i informuar se kur kemi energji tepër ne e shesim atë lire, ndërsa kur na nevojitet e blejmë shtrenjtë. Kësaj në Dibër i thonë, shit qen e blej këlyshë. Pa dashur të bëj specialistin ka shumë mënyra alternative të prodhimit të energjisë , pa ndërmarrë veprime me karakter aventure , që përmbysin një rreth të tërë dhe një pjesë të rëndësishme të teritorit të vendit. Këto ditë pata rastin të lexoj një informacion mbi një investim rreth 200 miliard dollarë që vendet e BE, do të realizojnë në kuadër të një projekti për të marrë energji nga burimet e erës dhe panelat në pa mundësi tjetër, do ti vendosin në detë. Imagjinojeni Dibrën me shtrirjen gjeografike që zë gjysmën e pjesës lindore të vendit, nga kufiri shtetror me Maqedoninë në Gjoricë e deri në Kukës, atë luginë që përshkon Drini me bukurinë që natyra  i ka dhënë . Gjatë gjithë këtij rrugëtimi disa km të gjatë në Drin derdhen lumenj e  përrenj malorë dhe këta janë mundësi potenciale për prodhim të energjisë pa bërë atë përmbytje kataklizmike që bën diga që mendohet të bëhet mbi degën kryesore të Drinit , një nga lumejtë më të gjatë e më të rëndësishëm të vendit.
Por në se do të përdoreshin burimet e erës për prodhim të energjisë, mundesitë janë të pafundme. Imagjinoni shpatet  e larta malore me dhjetra km të gjatë të Kërçinit, Deshatitit e Korabit, filloni në se doni nga gryka e Llangës e deri në Krej Lurë, në Qafë Bualli, Qaf Drajë e deri në Qaf Murrë ku  ka shpate pa fund ku era dhe flladi nuk ndalen asnjë herë. Në to nuk ka nevojë të instalohen sisteme të ndërlikuara si ai i projektit të BE, që duhet të vendosë stativë me dhjetra a qindra metra të gjatë në thellësi te detit.  Jo,  ne natyra na i ka dhënë gati, janë ekonomike dhe ekologjike njëkohësisht. Në se vërtetë do të bëhet një investim serioz në këtë drejtim jo vetëm Dibra nuk ka nevojë të mbytet, por dhe do të kemi siguruar energji elektrike për vendin tonë dhe disa vende të Ballkanit. Kam bindjen se do të duhet një perqindje fare e vogël e asaj shume që është menduar të përdoret për të mbytur Dibrën dhe historinë e saj. Po kështu mundësia e vendosjes së paneleve diellore e burimeve të tjera alternative të sigurimit të energjisë në vend , janë të pafund në Dibër e në gjithë Shqiperinë pa bërë përmbytje kataklizmike siç   bën  diga e Skacicës.  

Arkeologjia:

Dibra është një trevë e banuar herët dhe në kohen e ilirëve aty ishin Penestët. Kush ka kërshëri të mësojë më shumë mund të lexojë punimin e shkenctarit të mirnjohur dibran Adem Bunguri “Prehistoria e Dibrës”. Aty do të mësoni shumë të dhëna për lashtësinë e kësaj treve, por dhe një të vërtetë shumë të hidhur. Objektet arkeologjike në Diber janë studjuar   në një masë fare të vogël që   ka filluar pas vitit 1970-të. Kjo do të thotë se objektet arkeologjike në Dibër, në shumicën e tyre janë ende pa u studjuar. (1)  Këto do të asgjesohen përgjithmonë.  Dihet se njerëzit e parë u vendosën pranë lumejve ku kishin resurse për të banuar. Mendoni pak se Dibra dhe pellgu i Drinit janë më poshtë se shumë qytete të tjerë, më poshtë se Pogradeci, Struga e Ohri, Korça e Maliqi , sepse lumi buron prej andej  dhe rrjedh   poshtë gjatë luginës. Ka shumë gjëra për të studjuar dhe me këtë projekt ne do ti varrosim përgjithmonë ato, kemi varrosur historinë tonë , të lashtë e të re.
Gjatë zgjerimit të rrugës Bulqizë –Peshkopi, në Grazhdan, një fshat afër Peshkopisë,  u zbuluan muret e një kalaje të lashtë që u identifikua se ishte qyteti i Uskanës. Aty është luftuar me Romakët dhe penestët  në atë kohë nënë udhëheqjen e mbretit Gent,  ndihmonin mbretin Perseu të Maqedonisë. Por romakët fituan dhe Maqedonia u mund. Historia është aty dhe ka nevojë të studjohet.
Duke gërmuar tokat e bukës në fshatin Muglicë të Okshtunit u gjetën disa enë balte që tregojnë se  aty kanë banuar njerëz  së paku që nga mesjeta e hershme. Kalldrëmet në Borovë, Okshtun e  Lladymericë, qytezat ilire në gjithë Dibrën duhet të studjohen me vëmëndje, pasi deri sot pak profesionistë dhe ndonjë mësues amator janë marrë me këto punë.
Në zonën e pellgut të Drinit e në Dibër të poshtëme ka pëllëmbë e objekte arkeologjike. Një mjek amator që punonte dikur  në ato anë, duke bërë xhiro për qef të vet, zbuloi një shpellë interesante. Kur atë e vëzhguan specialistët e fushës përkatëse,  rezultoi të ishte një objekt arkeologjik i klasit të parë.
Në një emision televiziv  të kohëve të fundit u tregua për një zbulim interesant në një shpellë që nuk është në breg të lumit, por në rrëzë  të  malit të Pratit, mbi fshatin Mazhicë te Grykës së Vogël. U gjetën mbetje njerëzore aty dhe pati shumë hamendësime e spekullime, por studimet shkencore të realizuara në një shtet të përparuar të Europës, vërtetuan se ato eshtra ishin të shekullit te II-III të erës tonë, pra 1700 apo 1800 vjet më parë aty kanë banuar njerëz. Shkenca sot e zbuloi këtë fakt, por duke mbytur pellgun e Drinit dhe fshatarat që banojnë aty, ne e kemi zhdukur perjetësisht mundësinë për ti studjuar ato.

Historia: 

Historia e atyre anëve është e pasur, po shumë e pasur. Për këtë kanë shkruar shumë të tjerë dhe thjeshtë do të them disa fjalë. Është fakt historik se aty është vendlindja e Kastriotëve e për këtë flet fare qartë historiani  Kristo Frashëri në “Historia e Dibres” (2012) (2). Ka dhe një muze historik për Kastriotët, tamam aty. Po ashtu ka dokumente të sakta se në atë zonë u zhvilluan shumë beteja e masakra nga perandoria turke. Aty nuk ka gurë pa njolla gjaku. Aty luftoi Skënderbeu me trimat e tij dhe nga 25 betejat historike qe zhvilloi me turqit , 19  i përkasin Dibrës  (3). Është Skënderbeu që të gjithë fqinjët kërkojnë ta përvetësojnë, por ai mbetet shqiptar dhe pikërisht i kësaj ane ku edhe luftoi si luan për rreth 25 vjet. Kush ka shkuar në Romë dhe e ka parë atë, e din se në një nga sheshet kryesore të Romës ndodhet një përmendore e Skënderbeut mbi kalë, që ngjason me atë të Krujës, por është ndërtuar para saj. Në të është shkruar në gjuhën e tyre: ”Kushtuar Gjergj Kastiroti Skënderbut, heroit kombëtar të Shqiptarëve, mbrojtës i madh i krishtërimit dhe i qytetërimit Europian”. Ai shesh e ka emrin Piazza Albania dhe prej aty fillon një rrugë me emrin Via Tirana. Ata janë kujdesur për historinë tonë , pasi kështu bëjnë kombet e qytetëruar. Ndërsa ne jo, ne jemi gati ta mbysim përgjithmonë historinë tonë. Gjermanët e ruajnë   Holokaustin edhe pse ai  nuk ju bën   nder atyre, por e ruajnë si një dëshmi historike. Ndërsa ne e groposim historinë tonë edhe kur ajo është e lavdishme. Popujt e tjerë i krijojnë heronjtë e tyre nga legjendat, i nxjerrin nga balta, kurse ne jemi të prirur ti baltosim e përmbysim tanët edhe kur janë figura reale historike.  Kështu veprojnë vetëm kombet barbarë, jo ata të qytëruarit.
Në se do ti përmbahemi fabulës së “përrallës së Gjyshes” që u tregua kohët e fundit edhe në Peshkopi dhe që ja kalon edhe përrallave të Andersenit, sikur këto zona do të bëhen si Venecia dhe njerëzia do të lodhen duke shëtitur me gondola nëpër liqen, më lejoni të tregoj edhe unë “përrallën” time. Sa mirë do të ishte që  të mos mbytet lugina e Drinit dhe të ruhet, siç do të ju thoshte një fetar me kulturë banorëve të Thethit në Shkodër “ruajeni këtë  mrekulli të natyrës ashtu siç zoti e ka jeretisë”. Sa mirë do të ishte që kjo zonë të bëhej një park natyral me përmbajtje historike. Sa mirë do të ishte që në atë park të improvizoheshin të gjitha betejat dhe fitoret e Skënderbeut dhe të shqiptarëve në shekuj, por  dhe shumë beteja të tjera. Mund të jetë aty selia e  “Komitetit Kombëtar të Arrasit “ me atributet  e një qeverie, ku drejtoi Elez Isufi si Kryetar . Atëhere po , do të shihni se si do mbushej me turistë ai vend e si do të gumzhinte ai park me dhjetra kilometra i gjatë.  Por historia na tregon se dibranët nuk kanë luftuar vetëm me turqit. Atëhere ja vlen në këtë “muze” të ketë edhe  një pavion për luftrat legjendare me serbët , me bullgarë, gjermanë , italianë e pushtues të çdo kallëpi. Këtë e ka sqaruar mirë ushtaraku  Moisi Murra në librin e tij “ Dibra nga Antikiteti ne Monarki”   ku thotë : “Nga viti 1444 kur shqiptarët nënë udhëheqjen e Skënderbeut nisën dhe fituan betejën e parë  kundër turqëve osmanë, në Torvioll, Fushë të Kastriotit të Dibrës së poshtëme dhe deri në çlirimin e Dibrës nga pushtuesit nazi fashistë me 2 shtator 1944, dibranëve u është imponuar një luftë në çdo 10 vjet ” (4), pra gjatë pesë shekujve kanë zhvilluar mbi 50 luftëra të mëdha. Në se do të bëhej një vepër e tillë , turistëve do tu duheshin disa ditë për ta vizituar.Por që të bëhet kjo sigurish do rrugë të asfaltura, teleferikë, resorte  e infrastrukturë tjetër nga ajo që është sot. Në atë park natyral mund të ngrihen teleferikë që njerëzia të shohë edhe Qafën e gëlqeres  e të ngjitet edhe në Lan Lurë. Pse jo , më tej edhe një teleferik për te Liqenet e Lurës. Ndoshta ndonjë guximtarë do thoshte bëni dhe ndonjë pistë për të rrëqitur me ski, sepse ato zona nga bukuria nuk kanë gjë mangët nga Kolashini a Movrova, për veç dorës së njeriut që ka punuar më pak. Dikush mund të më thotë se duhen  fonde. Unë ju siguroj se do te mjaftojne fondet e  Digës dhe që ky investim mund të sjellë fitim më shumë se çdo hidrocentral, përfitime kulturore dhe ekonomike, pa shkaktuar asnjë dëm. Edhe Rruga e Arbërit për këtë qëllim u ndërtua, përndryshe ç’kuptim ka , ndërto rrugën dhe pastaj mbyt Dibrën?                                                                            Me që i përmënda fqinjët  të cilët kanë bërë masakra ç’njerezore në gjithë Dibren, ata kanë patur në qëllimet e tyre strategjike anën lindore të rrjedhës së Drinit dhe këtë objektiv e përmbush për mrekulli diga dhe liqeni që krijon ajo, i cili  siç thotë Abdurahim Ashiku, e ndan Dibrën për mesi ashtu siç ndahet berri për penës së kurrizit (5).  Ata përpiqeshin ti bindin dibranët se në se ju do të pranoni të bëheni me ne, ( me Serbinë, shën. im), ne do të ju ndërtojmë një hekurudhë gjatë bregut të Drinit që të dilni direkt në Prizeren.  Ndërsa Elez Isufi u përgjigjej : “Në na ngucshi shumë , paska qenë  thënë që ne të ngelim pa shtëpi dhe ju pa krye” (6 ).
Ky vend pëllëmbë e histori  , pëllëmbë e heroizma , po projektohet të mbytet përgjithmonë . Kush do ta mbajë përgjegjësinë para historisë. Aktorët po e po , por edhe spektatorët kanë përgjegjësi të madhe historike. Burrat e dheut që luftuan e ranë në këto  troje për ti mbrojtur  ato, nuk do të falin askënd si ai që mori kazmën, ashtu edhe ai që heshti  dhe  lejuan të mbytet një trevë historike, nga më të lavdishmet në gjithë Shqipërinë, hambar drithi e djep historie dhe një perlë e natyrës  e pa përsëritëshme në llojin e vet. Neroni , perandor i Romës, e dogji atë dhe hyri në histori. Roma e ndërtua e rindërtua, por turpi mbi Neronin ka mijëra vjet që rëndron. Nuk besoj se brezat e sotëm do ta mbajnë këtë barrë para historisë. Me gjithëse në pazar dibranët pyesin: “E ke tënden , apo ta ka lënë baba”.
Shkrmitari i njohur dibran Abdurahim  Ashiku nga Athina thërret : “Është koha që të ngrihet zëri për mos mbytjen e Dibrës, bukurisë dhe historisë së lavdishme të luginës së Drinit ” (7 ).

 Ekologjia dhe Klima

Vepra të tilla kanë ndikim të fuqishëm mbi klimën e rajonit e më gjërë. Ata i prishin  ekujlibrat e natyrës dhe biodiversitetin e kafshëve  e të bimëve  dhe sjellin ndryshime klimatike që në shkallë globale rrezikojnë jetën në tokë. Prandaj bota sot është në këmbë dhe ka ndaluar ndërtimin e digave të larta e atje ku janë po i  zmonton ato. Në SHBA, thotë Fazilete Gjika, janë zmontuar mbi 2000 diga të tilla.
Hidrocentrali i parë që është ngritur mbi rrjedhën e Drinit është ai i Spiles në teritorin e Maqedonisë, disa qindra metra larg kufirit tonë shtetror. Por edhe në teritorin shqiptar është ndjerë impakti i tij. Kush e njeh nga afër atë  zonë e din fort mirë se në stinë të caktuara edhe në ditët me diell, Gjorica dhe pellgu i saj e fshatrat e Maqedonisë përballë, mbulohen nga një mjegull e dendur dhe vetëm nga pasditja mund të shohin ndonjë rreze dielli, bimët që rriteshin dikur me bollëk tani bëhen me vështirësi atje. Ndërsa fshatrat nga Shupenza e lartë dielli i ndriçon që në orët e para të mëngjezit e buqësia zhvillohet normalisht. Se çfarë impakti pati ky hidrocentarl mbi banorët shqiptarë që jetojnë në Maqedoni, po ja lë fjalën Argëtim Fidës  , ish kryetar i Komunes ne Diber te madhe (cituar A.A.): “ Dibranët nga ndërtimi i liqenit artificial të Dibrës dhe hidrocentralit të Spiles nuk panë asgjë të mirë për këto 40 vjet,  pos humbjes së 5000 hektarë të tokës më pjellore dhe që vaditej nga dy lumenj, burimi kryesor i ekzistencës të numrit më të madh të familjeve dibrane. Sot të mirat nga prodhimi i rrymës përfitohen vetëm nga qeveria maqedone që nuk don të dijë në se këto familje u detyruan të largohen në Turqi ose ShBA për të siguruar ekzistencën “ ( 8).

Filed Under: Politike

Edhe 32 milionë dollarë shtesë nga populli amerikan për Republikën e Kosovës

March 31, 2022 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani Sadriu, bashkë me znj. Zeinah Salahi, drejtore e USAID-it në Kosovë dhe në prezencë të Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara, z. Jeffrey M. Hovenier, ka nënshkruar sot amandamentin e katërt të Grantit për Objektivat Zhvillimore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Amandamenti parashehë fitimin shtesë të 31,994,644 dollarëve, duke e rritur totalin e grantit në mbi 73.4 milionë dollarë.

“Mbështetja e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara në Kosovë është dëshmi e përkushtimit të qeverisë dhe popullit amerikan për të përforcuar mirëqenien e qytetarëve të Republikës së Kosovës përmes institucioneve efektive dhe llogaridhënëse, si dhe rritjes së mundësive për pjesëmarrje gjithëpërfshirëse demokratike dhe ekonomike”, tha Presidentja Osmani.

Me këtë marrëveshje synohet shërbimi më i mirë ndaj qytetarëve nga institucionet llogaridhënëse dhe efektive të qeverisjes, si dhe rritja e mundësive për pjesëmarrje gjithëpërfshirëse demokratike dhe ekonomike. Gjithashtu, me të synohet përmirësimi dhe bashkëpunimi ndërmjet qytetarëve, shoqërisë civile, bizneseve dhe sektorit publik në mënyrë që komunitetet lokale të kenë pozicion më të favorshëm për t’i adresuar sfidat zhvillimore të Kosovës.

Filed Under: Politike

Shqipëri – UK: 100 Vjetori e Vendosjes së Marrëdhënieve Diplomatike

March 29, 2022 by s p

Press Release

MAL BERISHA

Ftesë për mediat televizive
Viti 2022 shënon 100 vjetorin e vendosjes së Mardhënjeve Diplomatike midis Shtetit Shqiptar dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut.
Në këtë përvjetor, nën kujdesin e WESTMINSTER FOUNDATION FOR DEMOCRACY, sapo kam përfunduar një studim të gjërë, në dy gjuhët, shqip dhe anglisht me titull:
“MARRËDHËNIET SHQIPËRI – MBRETËRIA E BASHKUAR – NJË VËSHTRIM HISTORIK DHE BASHKËKOHOR.”
Paraqitja e këtij materiali do të bëhet nën patronazhin e Shkëlqesisë së Tij, Ambasadorit Britanik, Alistair King Smith:
Me datën 31 Mars 2022, në orën 11.00 në Hotel Tirana International.
Shënim: I gjithë takimi bëhet në gjuhën angleze pa përkthim simultant;
Hyrja vetëm me ftesa të cilat janë dërguar nga WFD.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 234
  • 235
  • 236
  • 237
  • 238
  • …
  • 669
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT