• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NËNË TEREZA NË AMERIKË

April 28, 2022 by s p

Aktivitete kushtuar Shenjtëreshës shqiptare.

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence

Ky vit shënon 25-vjetorin e kalimit në amshim të Nënë Terezës (5 Shtator, 1997) në moshën 87 vjeçare. Duket se janë në plan një mori aktivitetesh, anë e mbanë botës, për të shënuar këtë përvjetor, përfshir botën shqiptare, përfshir komunitetien shqipotaro-amerikan.  Disa prej veprimtarive në kujtim të Nenë Terezës, kanë filluar këto ditë këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Këtyre aktiviteteve u ka prirë Dr. Profesor Gëzim Alpion i Universitetit Birmingham të Anglisë, anëtar i Departamentit të Sociologjisë që nga viti 2002.  Profesori Alpion — biograf i njohur, ndërkombtarisht, i jetës dhe veprimtarisë së Nënë Terezës — është autor i dy librave në gjuhën anglisht mbi Nënë Terezën, përfshir librin botuar kohët e fundit, “Nënë Tereza: Shenjtorja dhe Kombi i Saj”–  Frank Shkreli: Nënë Tereza- Shenjtëresha dhe kombi i saj e autorit Dr. Gëzim Alpion | Gazeta Telegraf – Përveç librave, Profesor Alpion është i njohur gjithashtu edhe për kumtesat e tija të shumta — në anglisht dhe shqip –anë e mbanë botës, kushtuar jetës dhe veprimtarisë së Nenë Terezës.  Profesori Alpion më kishte njoftuar kohë më parë për turneun e tij në Shtetet e Bashkuara – vërtetë një dhuratë për publikun amerikan dhe shqiptaro-amerikan për të mësuar më shumë nga biografi i njohur në anglisht i Nënës tonë Tereze mbi jetën e kësaj figure të madhe të kombit shqiptar.

Profesori Alpion e filloi turneun e tij në Amerikë, kushtuar Nenë Terezës dhe librit më të fundit të tij, “Mother Teresa: The Saint and Her Nation”, me 26 Prill në Washington, fillimisht, me një intervistë dhënë Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe — Dr. Alpion: Brezi i ri në Shqipëri dhe Kosovë po ballafaqohet me një shpirt materialist (zeriamerikes.com)

Në intervistën e tij me gazetarën e VOA-s Menada Zaimi, Profesori i Universitetit Birmingham të Anglisë, Dr. Gëzim Alpion tha, ndër të tjera, se brezi i ri në Shqipëri dhe Kosovë po ballafaqohet me një shpirt materialist. Ai shtoi se ky shpirt, i cili është në kundërshtim me atë që kishte shprehur Nënë Tereza në jetën e saj, duhet kuptuar se nga po vjen, theksoi ai për Zërin e Amerikës. “Ne shqiptarët kemi një figurë, një shenjtëreshë si Nënë Tereza për të treguar se në jetë ka diçka që është më e rëndësishme se ana materiale. Ana shpirtërore është gjithnjë frymëzuese. Unë shpresoj që Nënë Tereza do të vazhdojë të frymëzojë shqiptarët në Ballkan në mënyrë që ne të mësojmë se si të jemi më pranë atyre që janë në nevojë”, nënvijoi Dr. Gëzim Alpion në intervistën e tij me VOA-n shqip.

Zoti Alpion shtoi për Zërin e Amerikës në shqip, se Nënë Tereza nuk duhet të shihet vetëm si një figurë që duhet studiuar vetëm nga teologët por edhe nga sociologët, studiuesit e çështjeve të grave dhe atyre gjinore. Sipas Dr. Gëzim Alpion, studimi nga shumë fusha të tjera akademike do të hidhte më shumë dritë në aspektin shumë dimensional të figurës së Nënë Terezës, citon Zëri i Amerikës në portalin e vet, Prof. Alpion.

Pas intervistës me Zërin e Amerikës, Dr. Alpion ishte ftuar nga Universiteti Georgetown, i njohur si ndër më mirët dhe më të njohurit në Amerikë dhe në botë — një takim ky i organizuar falë Entit të Studimeve Katolike të universiteti të njohur jezuit në kryeqytetin amerikan.  

Graphical user interface

Description automatically generated

Njoftimi i kumtesës së Profesorit Alpion në Universitetin Georgetown, Washington, DC

Pas kumtesës në Universitetin Georgetown, Profesori Alpion u nis për në Boston, më sakt drejt një universiteti tjetër me nam e zë, në Amerikë dhe në botë, Universitetit Harvard, për të mbajtur një kumtesë edhe atje për librin e tij më të fundit: “Nenë Tereza: Shënjtëresha dhe Kombi i Saj”, kësaj radhe organizuar nga Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Harvardit.

                              Text

Description automatically generated Njoftimi nga Universiteti Harvard për ligjëratën e Profesor Dr. Gëzim Alpion mbi jetën shumë dimensionale të Nënë Terezës

Dr. Alpion do të flasë në Harvard University, me 27 prill — në një ligjëratë e organizuar nga Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Harvardit.  Takimi do të mbahet në sallën “Harvard Hall 201”, në orën 6:00 të mbasdites.

Stema e Shoqatës së Studentëve Shqiptarë në Universitetin e Harvardit
Icon

Description automatically generated

Nga Bostoni, Profesori dhe studiuesi i njohur dhe biografi i Shën Nenë Terezës do niset për Nju Jork, metropolin e Amerikës dhe të botës, por edhe të komunitetit të madh shqiptaro-amerikan, ku të shtunën me 30 prill, në ora 3:30 pas dreke, do të paraqesë librin e tij më të fundit: “Nënë Tereza: Shenjtorja dhe kombi i saj”, në mjediset e Federatës Vatra, në Bronx New York, i ftuar nga Federata Pan-Shqiptare Vatra, organizata më e vjetër dhe më e madhe e shqiptarëve të Amerikës

Shape

Description automatically generated with low confidence

– e themeluar nga Fan Noli dhe Faik Konica – e që sivjet feston 110-vjetorin e themelimit të saj nga këta dy gjigantë të Kombit shqiptar.

Me ligjëratën e tij në VATËR, këtë të shtunë, me sa jam i informuar unë, studiuesi Alpion, të pakën siç duket deri tani, i mbyllë kumtesat e këtij turneu, mjaft të suksesshëm,  në Shtetet e Bashkuara, kushtuar promovimit të librit në anglisht: “Mother Teresa: The Saint and Her Nation” (Nenë Tereza: Shënjëtresha dhe Kombi i Saj). Por, këtu në Amerikë, nuk mbarojnë aktivitetet e tjera kushtuar Nenë Terezës në komunitetin shqiptaro-amerikan.

May be an image of 1 person, outdoors and monument

“Shën Tereza” bashkon shqiptarët në Kishën Zoja e Shkodrës më 3 Maj 2022

Ndërkaq, Kisha Katolike shqiptare, “Zoja e Shkodrës”, në Hartsdale të Nju Jorkut me statujën (në përfundim e sipër, duke pritur inaugurimin zyrtar) të Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastriotit-Skenderbe – gjithashtu ka njoftuar (si më posht) se “Qendra Nëna Tereze e Kishës Katolike Zoja e Shkodrës”, në bashkpunim me Federatën Pan-Shqiptare Vatra dhe me Gazetën Shqiptaro-Amerikane, Illyria, organizojnë, javën që vjen, gjithashtu një simpozium me rastin e 25-vjetorit të ndarjes nga kjo jetë të Shën Nënë Terezës. Ja dhe njoftimi për këtë

seminar, që do të zhvillohet javën që vjen, kushtuar Nenë Terezës shqiptare, organizuar nga tri organizata përfaqsuese të komunitetit shqiptaro-amerikan, Kisha Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës, Federata Pan-Shqiptare Vatra dhe gazeta shqiptaro-amerikane, Illyria.Graphical user interface, text

Description automatically generated

Ndërsa në Detroit të shtetit Miçigan me 24 prill, në ambientet e Qendres kulturore “Nene Tereza” të Kishës Zoja Pajtore, sipas portalit të saj, u mbajt një aktivitet i gjerë letrar për promovimin e dy librave të  autorit e biografit të mirënjohur i jetës dhe veprimtarisë së Nenë Terezës, i mirënjohuri, Dom Lush Gjergji: “Albanian people in my heart”, me nje permbledhje bisedash me Nënë Terezën dhe “Shën Jeronimi Ilir”, si përkthyes dhe dijetar i Kishës. U promovua gjithashtu edhe libri i Ines Angeli Murzaku, “Mother Teresa, Saint of the Peripheries”, ku i ftuar nderi ishte shkrimtari dhe poeti disident, Visar Zhiti. Edhe Zonja Edlira Zhiti, bashkëshortja e Visarit, përshëndeti dhe foli rreth një libri të saj kushtuar Nënë Terezes. Të ftuar ishin edhe kryetarët e Shoqatave atdhetare në Michigan.  Edhe ky ishte gjithashtu një takim i shqiptarëve të Amerikës, pa dallim, rreth Nenë Terezës, ndër ngjarjet e kësaj jave kushtuar Shënjtëreshës shqiptare, e që tregojnë një gjallëri aktivitetesh të komunitetit shqiptaro-amerikan, por edhe “Anën shpirtërore (të Nenë Terezës) që është gjithnjë frymëzuese”, për shqiptarët, siç u shpreh studiuesi dhe biografi Dr. Gëzim Alpion në intervistën dhënë Zërit të Amerikës me këtë rast. Foto nga portali i Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve në Detroit. 

            Dom Lush Gjergji duke folur në aktivitetin kushtuar Nenë Terezës, organizuar nga Kisha Zoja Pajtore e Shqiptarëve në Detroit

                 A person standing at a podium

Description automatically generated with low confidenceShkrimtari dhe Disidenti anti-komunist Z. Visar Zhiti duke mbajtur kumtesën kushtuar Nenë Terezës në Kishëpn Katiolike Shqiptare, Zoja Pajtore e Shqiptarëve në shtetin Miçigan

Foto e disa pjesëmarrësve në aktivitetin e Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve në Miçigan

Përgatitur nga Frank Shkreli

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, NËNË TEREZA NË AMERIKË

DITA SHQIPTARE E LIRISË NË UESTÇESTER TË NJU JORKUT DHE KRIMET E KOMUNIZMIT NË SHQIPËRI

April 25, 2022 by s p

Thirrje qeverisë shqiptare dhe diplomacisë amerikane

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence

Ashtu si në të kaluarën edhe sivjet, të Djelën me 24 Prill, 2022 u shënua “Dita Shqiptare e Lirisë”, (Albanian Freedom Day) në Kensico Dam Plaza në qarkun Westçester të Nju Jorkut, një ndër parqet më të bukura të këtij shteti. 

Kjo veprimtari, kushtuar lirisë shqiptare, organizohet çdo vit nga administrata e qeverisë vendase, “Westchester County Executive’s Office”, në bashkpunim me Shoqërinë Kulturore – Artistike Kelmendi dhe Familja Mernacaj, ku marrin pjesë qindar shqiptaro-amerikanë dhe të tjerë.  “Dita Shqiptare e Lirisë”, është një veprimtari patriotike, sociale, kulturore dhe përkujtimore, që i kushtohet simbolit të demonstratave antikomuniste — birit të familjes Mërnaçaj nga Kelmendi i Malësisë së Madhe, Nikë Mernacaj dhe lirisë shqiptare.  Kjo ditë simbolike, e kthyer tashmë në Ditë – Kalendari për Lirinë Shqiptare dhe ngritjen e Flamurit Kuq e Zi — bashkon në këtë datë përkujtimore, jo vetëm komunitetin shqiptar të Nju Jorkut me rrethe, por edhe përfaqësues të pushtetit lokal si dhe liderë politikë përtej kësaj zone administrative.  

                    FJALA E AUTORIT NË TUBIMIN PËRKUJTIMOR

Kjo ditë e veçantë sjellë në kujtesën e shqiptarëve të Amerikës, qëndresën e nacionalistëve anti-komunistë shqiptaro-amerikanë të cilët ç’prej strehimit të tyre në këtë vend të bekuar – të cilët si refugjatë të arratisur nga regjimi barbar komunist i Enver Hoxhës në këtë vend të lirisë, në Amerikën tonë të dashur — ata nuk pushuan asnjëherë përpjekjet e tyre kundër diktaturës komuniste në Atdheun e tyre.  Për me tepër, gjatë dekadave të luftës së ftohtë, nacionalistët shqiptaro-amerikanë, sensibilizuan gjithashtu opinionin publik amerikan dhe politikën zyrtare në Amerikë për persekutimin barbar që ushtronte shteti komunist shqiptar enverist ndaj familjeve nacionaliste anti-komuniste shqiptare, siç është familja Mrnaçaj.  Kjo traditë vazhdon me takime përkujtimore si ky sot. Për ne dhe për mijëra familje shqiptare, ato përpjekje nuk kanë marrë fund ende, megjithse kanë kaluar mbi 30-vjetë nga shembja e Murit të Berlinit. 

Prandaj, kjo ditë e shënuar si “Dita Shqiptare e Lirisë”, në këtë zonë të Nju Jorkut, është një vazhdimësi e përpjekjeve të mëhershme të brezit të kaluar të shqiptaro-amerikanëve, tek brezi i sotëm i këtij komuniteti, për të sensibilizuar opinionin amerikan dhe atë shqiptaro-amerikan, për tu kujtuar të gjithëve se regjimi diktatorial komunist i Enver Hoxhës, në formën e tij, mund të mos jetë më, por trashëgimia e tij mbijeton me nostalgjikët e tij në detyrat më të larta të qeverisë dhe të shtetit shqiptar.  Krimet e atij regjimi kanë lenë pas një trashëgimi dhe gjurmë të tmershme dhe të pashërueshme në shoqërinë e sotëme shqiptare, në sistemin ligjor dhe në politikën e ditës.  

Liria e plotë dhe demokracia e vërtetë, në Atdheun e të parëve tanë kanë qenë, janë dhe mbeten një mision i shenjtë për ne. Prandaj jemi këtu për të imformuar të gjithë ata që mund të mos e dinë se Shqipëria e sotëme — megjithse anëtare e Aleancës Euro-Atlantike, NATO, që aspiron të bëhet edhe anëtare e Bashkimit Evropian — është i vetmi vend ish-komunist i Evropës Lindore/Qendrore që:

— Nuk është distancuar, zyrtarisht, nga e kaluara e saj terroriste komuniste.

–Nuk është përballur, seriozisht, me të kaluarën e mjeruar komuniste.

–Tirana zyrtare, deri më sot, nuk ka dënuar zyrtarisht, krimet e regjimit barbar komunist të Enver Hoxhës.

–Dhe Kuvendi nuk ka caktuar ende një ditë përkujtimore, kushtuar viktimave të komunizmit në Shqipëri, ashtu siç kanë bërë vendet ish-komuniste të Evropës, me përjashtim të Rusisë. 

Arsyeja që jemi sot këtu është t’u bejmë thirrje enteve qevritare dhe shtetërore të Shqipërisë si dhe përfaqsuesve të perëndimit në Tiranë të dënojnë krimet e komunizmit dhe të kujtohen viktimat e atij regjimi çnjerzor. Ky vazhdon të jetë një mision i shenjtë për ne. Qeveritë e njëpasnjëshme – të dy partive kryesore në Shqipëri, për 30-vjet tashti, nuk kanë pasur guximin moral as vullnetin politik për t’u përballur me të kaluarën komuniste të Shqipërisë, për të dënuar krimet e komunizmit, madje as për të caktuar një ditë në vit – ashtu siç ka bërë e gjithë Evropa – për të kujtuar viktimat e pafajshme të barbarizmit komunist në Shqipëri. As përfaqsuesit ndërkombëtarë të vendeve perëndimore në Tiranë — përfshir ambasadën tonë atje — nuk mund ta ndjejnë veten krenarë se kanë bërë aq sa kanë mundur dhe sa duhej të bënin — sot e 30-vite më parë — në lidhje me viktimat e komunizmit: për dënimin e krimeve të komunizmit dhe për (mos) kujtesën e tyre në Shqipëri. “Nëqoftse jeni asnjanës në raste të padrejtësisë, ju jeni bërë palë me shtypsin.” (Desmond Tutu). U bëjmë thirrje ndërkombëtarve në Tiranë që të ushtrojnë trysni ndaj qeverisë dhe klasës politike shqiptare që të distancohen nga e kaluara komuniste, të dënojnë krimet e komunizmit dhe të kujtojnë ato mijëra e mijëra viktima të pafajshme të njërit prej regjimeve më barbare të shekullit të kaluar në Evropë.   Kjo klasë politike dhe mbështetsit e tyre ndërkombëtarë duhet të kenë turp para popullit të vet dhe para botës që për 30-vjetë tashti, sillen në këtë mënyrë të papërgjegjëshme dhe të pamoralshme me viktimat e diktaturës komuniste në Shqipëri.  Krimet e komunizmit në Shqipëri janë më shumë se një çështje “kompensimi”.  Ato janë një çeshtje e rëndësishme e drejtësisë së mohuar viktimave të komunizmit — të gjallë e të vdekur — në atë vend. Prandaj, sot, si shtetas amerikanë që jemi, në këtë 100-vjetor të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona, i bëjmë thirrje Departamentit të Shtetit që të ushtrojë trysni ndaj qeverisë dhe klasës politike shqiptare që të distancohen nga e kaluara komuniste, të dënojnë krimet e diktaturës komuniste dhe të kujtojnë viktimat e pafajshme të njërit prej regjimeve më barbare të shekullit të kaluar në Evropë. Të nderuar pjesëmarrës, kërkoni këtë edhe nga përfaqsuesit tuaj, vendorë, shtetërorë dhe federalë. 

Falënderës Zotit, ne jetojmë në Amerikë dhe nuk heshtim dhe s’do të heshtim përball të keqës së kaluar as të tashme, sado irritues të jetë qendrimi ynë për disa njerëz në Shqipëri – përfshir diplomatët ndërkombëtarë — por dhe për disa të tjerë këtu në Amerikë, të cilët justifikojnë krimet e komunizmit duke thenë, “Eh, po ashtu ishte sistemi…”.  “Ata që të tjerëve ua mohojnë lirinë, nuk e meritojnë as për veten”, ka thënë Abraham Linkolni.

Lufta jonë sot kundër komunizmit, vazhdon të jetë, siç është shprehur shkrimtari çek, Milan Kundera, “Një luftë e kujtesës kundër harresës.”  Prandaj jemi sot këtu, për të kujtuar krimet e komunizmit në Shqipëri, me qëllim që të mos përsëriten më dhe për të festuar lirinë dhe drejtësinë që na ofron Amerika, lirinë e vërtetë të cilën e dëshirojmë dhe për të cilën luftojmë edhe për Shqipërinë, për Kosovën dhe për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë në trevat e veta.  

Deri javët e fundit thuhej se kush merret me komunizmin 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit:  Komunizmi nuk është më!  Unë them, shkoni pyesni ukrainasit nëse komunizmi është a po nuk është më.  Lufta në Ukrainën e pushtuar me tankse që valvitin flamurin komunist sovjetik na kujton se liria dhe demokracia nuk janë të garantuara asnjëherë dhe për asnjë popull. Prandaj jemi këtu për të sensibilizuar opinionin amerikan dhe brezin e ri të shqiptaro-amerikanëve mbi kërcënimet — në rritje e sipër të komunizmit dhe nostalgjikëve të asaj ideologjie vrasëse — përfshir ata të Tiranës zyrtare – kërcënime ndaj vlerave të vendeve të botës së lirë e demokratike dhe sidomos kërcënimeve serioze ndaj lirisë dhe demokracisë së brishtë në trojet shqiptare të Ballkanit Perëndimor.

Këtë t’a bejmë nepërmjet organizimeve simbolike si ky sot dhe me kontakte të drejt për drejta me amerikanë të rendomtë dhe me politikanë të gjitha niveleve – vendorë, shtetërorë dhe federalë — që janë të gatëshëm të dëgjojnë shqetësimet tona.  Ne, nga ana jonë, nuk do të heshtim së foluri për krimet dhe për viktimat e komunizmit sllavo-aziatik në Shqipëri, në Kosovë dhe në trojet mbarëshqiptare — ndërkohë që do vazhdojmë të kujtojmë me nderim të thellë sakrificat e mijëra e mijëra viktima, brenda dhe jashtë Shqipërisë, siç është rasti i birit të dashur të familjes anti-komuniste Mërnaçaj — simbolit të demonstratave anti-komuniste, Nikë Mërnaçaj, të cilin e kujtojmë sot këtu në Westçester County.  I përhershëm qoftë kujtimi i tij” dhe i të gjithë viktimave të komunizmit në Shqipëri, në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare. 

Po, Shqipëria dhe Kosova kur do të njohin krimet e komunizmit dhe kur do të kujtojnë viktimat shqiptare të atij regjimi barbar sllavo-aziatik — anë e mbanë trojeve shqiptare?  “Ata që nuk njohin historinë, janë të destinuar ta përsërisin”. 

Po diplomatët perëndimorë në Tiranë kur do të kërkojnë drejtësi për viktimat e komunizmit barbar të Enver Hoxhës në Shqipëri? Mosndëshkimet e krimeve të komunizmit në Shqipëri — 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit — do duhej t’i përkisnin asaj periudhe të zezë komuniste për shqiptarët dhe për mbarë Evropën – një periudhe që mendonim se nuk do të përsëritej më.  Por, fatkeqësisht, ja ku jemi sot. Në vend të ndëshkimit të krimeve të komunizmit dhe të kujtimit të viktimave të atij sistemi terrorist, forcat nostalgjike të komunizmit në politikë dhe në sistemin e të ashtuquajturës “drejtësi” shqiptare, me arrogancën dhe indiferencën e tyre, po përpiqen të legjitimojnë krimet dhe të riabilitojnë figurën e regjimit diktatorial komunist të Enver Hoxhës.  Ndërkohë, që diplomatët perëndimorë në Tiranë heshtin para një dukurie të tillë, sikurë periudha komuniste në atë vend të ketë qenë një piknik për shqiptarët dhe jo një skenë e vërtetë krimesh, për pothuaj një gjysëm shekulli. Si ka mundësi që në qarqet më të larta të qeverisë shqiptare komunizmi gëzon edhe sot respekt dhe si është e mundur që një gjë e tillë, të jetë një situatë, moralisht, e pranueshme për vendet perendimore? Pa dënimin zyrtar të krimeve të komunizmit dhe pa distancimin serioz të Shqipërisë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës – aktualiteti politik në vend po tregon se — rrugëtimi euro-atlantik i Shqipërisë, jo vetëm që ka marrë një rrugë të gabuar, por nuk është më as i sigurt dhe as i besueshëm.  

Ju falemnderit!

Frank Shkreli

A person speaking into a microphone

Description automatically generated
A person taking a picture of a group of people in a room

Description automatically generated with medium confidence

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

Xhevat Kallajxhiu si Ikonë e Gazetarisë së Mërgimit dhe romani i tij “Larg Atdheut”

April 23, 2022 by s p

Nga Dalip GRECA*

Fillimisht dua të falenderoj dervish Eliton Pashaj, që më bëri pjesë të projektit të Teqesë së Baba Rexhebit dhe Kryegjyshatës në botimin e librit të ish editorit të Diellit Xhevat Kallajxhiu. Libri i shkruar që më 1947 në Regio Emilia, mbetur në dorëshkrim, pasi u gjet nga dervish Eliton Pashaj, mu dërgua në qershor 2020 me kërkesën që pasi ta lexoja t’i bëja një përcjellje, e cila është përfshirë në këtë botim nga faqa 5 deri në 15. E kzistenca e librit historik “Larg Atdheut” ishte paralajmëruar nga vetë Xhevat Kallajxhiu në parathënien e libërthit me 100 anekdota të titulluar”Për të qeshur”, publikuar në vitin 1976, shumica nga të cilat qenë botuar herë pas here në faqet e gazetës”Dielli”. Pas vdekjes së Xhevatit, në shkrimin përkujtimor që botoi në gazetën”Dielli”- studiuesi Peter R. Prifti e përmend romanin e pa botuar, që ishte në dorshkrim, por nuk dha më shumë detaje. Pyetja shtrohet: Përse nuk u botua libri sa ishte gjallë autori, ndërkohë që siç shkruan ai vetë, e kishte përfunduar që më 1947 në Regio Emilia, në kampet e emigrantëve politik të pas luftës, ndërkohë që ai botoi një sërë librash si: “Për të qeshur” 1960, “Bektashizmi dhe Teqeja Shqiptare në Amerikë”-1964, “Skënderbeu”-1976, “John Kenedy, kampion i Paqes dhe lirisë”, Vëllimin poetik”Lot dhe shpresa” etj. Pra përse nuk e botoi dhe librin e hershëm shkruar më 1947? Xhevati nuk foli, as shkroi në të gjallë të tij se përse nuk mundi ta botonte. Nuk mendoj se shkaku ka qenë financiar. Sipas arsyetimit time duhet të ketë qenë problematika e librit, faktet historike, denocimet e dhunës dhe të luftës civile në Shqipëri përgjatë Luftës së Dytë Botërore, ku Partia Komuniste, sipas tij, ishte shkaktare e vëllavrasjes dhe përçarjes kombëtare. Mendoj se Xhevati i frikej hakmarrjes që mund të bënte diktatura mbi familjen e tij në Shqipëri, djalin dhe vajzat, edhe pse ai, gjatë ushtrimit të detyrës së editorit, nuk bëri kompromis me diktaturën.E kritikoi atë ashpër dhe u ballafaqua me të përmes shkrimeve. Madje shkroi në gazetën”Dielli’ edhe për kritikën e hapur, që i bëri me emër Enver Hoxha. E vërteta është se “Larg Atdheut” përbën një aktakuzë të fortë, të dokumentuar, kundër Enver Hoxhës dhe diktaturës që ai instaloi me ndihmën e emisarëve të Partisë Komuniste Jugosllave. Jo vetëm kaq, por ai e akuzon Enver Hoxhën edhe për krimet e pasluftës, ku nacionalistët, përfshirë dhe vatranët Kolë Tromara, ish kryetar i Vatrës, Bahri Omari, ish kryeredaktori i Diellit, Aqif Përmeti, komandanti i Trupave Vullnetare të Vatrës, apo të tjerë si Kristo Kirka, Aqile Tase, Kol Rodhe, Ali Kuçi, e të tjerë, që shkuan të shërbenin në Shqipëri, por diktatura i burgosi dhe ka nga ata që sot nuk kanë një varr ku t’u prehen eshtrat. Libri është edhe një burim autentik historik me fakte dhe dokumente që vërtetojnë krimet e Partisë Komuniste. Eshtë një rast i lumë që këtë libër e sjell sot në dritë,Selia e Shenjtë Bektashiane. Me modesti, autori e ka cilësuar librin e tij roman historik, ndonëse ky, ngjason më shumë me një traktat historik, mbështetur mbi fakt jetsore e dokumente historike. Në qendër të librit është i riu nacionalist Pirro Skënderi,rreth të cilit shtjellohen ngjarjet. Subjekti nis me përshkrimin e rrugëtimit të refugjatëve politik shqiptar nacionalist të luftës së dytë botërore, të cilët mbarteshin me kamionë nga kampi i Santafarës, mbartjen e tyre drejt qytetit të vogël të Jugut të Italisë, Leuca, qytet që atë kohë kishte rreth 500 shtëpi, 5 mijë banorë. Qyteti ndodhet tek thembra e çizmes. Aty ishin akomoduar nga anglo-amerikanët rreth 1500 refugjatë. Refugjatët nacionalistë shqiptarë organizojnë aty veprimtari patriotike dhe politike.Autori i tregon ngjarjet e së shkuarës duke u kthyer pas në kohë, duke pasur si referencë Pirro Skënderin, i cili dëshmon vitet e luftës në Shqipëri, nisjen e veprimtarisë së nacionalistëve, të cilët e filluan luftën para komunistëve, që në kohën e pushtimit.Pirro Skënderi është pjesmarrës në Konferencën e Mukjes dhe ngjarje të tjera si luftën e batalionit të Ballit”Besnik Çano” në Kosovë, ku ra dëshmor nacionalisti Hamdi Troplini. Ai denoncon masakrat e sllavëve në Kosovë, si ajo e Bihorit e janarit 1943, ku u masakruan 5600 shqiptarë, ato të vitit 1945 e në vijim, ku u vranë më shumë se 40 mijë shqiptarë:-8 mijë në Gjilan dhe rrethina, në Prishtinë më se 3600, më Ferizaj 1200, Drenicë 4 mijë, në Pejë 3600 etj. Ai denoncon masakrat e partizanëve kundër ballistëve si pushkatimi i 67 ballistëve në Lushnje nga Brigada e Mehmet Shehut, si dhe masakrat në Vlorë, Mallakastër, Gjirokastër,Elbasan, Berat, Dibër, Korçë, ku lufta vëllavrasëse merrte jetë shqiptarësh me urdhër të komandës partizane, nxitur nga emisarët e Beogradit.Heroi i librit, Pirro Skënderi ka një fund tragjik së bashku me shokun e tij, Sulo Tomorri, që shkuan në Shqipëri për të luftuar komunizmin dhe humbën jetën me forcat e ndjekjes.Libri ka element autobiografik, ku vetë Xhevat Kallajxhiu ishte pjesë e ngjarjeve që përshkruan.
Dalja në dritë i këtij libri, mundësuar prej klerikëve të sotëm bektashian, është pa më të voglin dyshim, një shpërblim i munguar ndaj përkushtimit të tij, në historinë 800 vjeçare të besimit të ngjizur prej Haxhi Bektash Veliut. *** XHEVAT KALLAJXHIU, EDITORI I DIELLIT PËR 10 VITE Xhevat Kallajxhiu nisi të drejtojë gazetën Dielli, që nga 1 tetori i vitit 1976 deri në vitin 1986. Drejtuesit e Vatrës ia kishin bërë herët ftesën për t’u vënë në krye të gazetës më të vjetër të shqiptarëve, por atë kohë Xhevati punonte në emisionet në gjuhën shqipe të Zërit të Amerikës, punë që i siguronte jo vetëm një pagesë të mirë, por edhe një pension të mirë për kohën e pleqërisë.Siç dëshmonte ai vetë në editorialin e 1 tetorit 1984, Vatra nuk kishte mundësi dhe nuk ishte në gjendje që t’i paguante as një të pestën e rrogës që merrte në Zërin e Amerikës. Duke mos iu përgjigjur në atë kohë kërkesës së Vatrës, tërthorazi Xhevati i bëri mirë vetë Vatrës sepse kur doli në pension dhe pranoi detyrën e drejtimit të Diellit, pagesa që mori nga Vatra ishte simbolike, madje shpesh herë, siç i merrte prej Vatrës, ia kthente asaj sërish në formë dhurimi. Gazetaria ishte pasioni i Kallajxhiut. Për të gazetaria ishte një nga profesionet më të mirë, më të bukur; në gazetari ka raste të shumta për frymëzim dhe krijimtari, imagjinatë e fatntazi, shkruante ai në faqet e Diellit. Gazetaria kishte nisë shtegtimin në kuptimin e plotë të fjalës me Xhevatin që kur ishte 22 vjeçar, kohë kur mbante postin e drejtorit përgjegjës të gazetës”Demokratia”, që pat filluar botimin në Gjirokastër në pranverën e vitit 1925 deri më 1939. Xhevati kishte adhurim dhe për vetë Vatrën. Ai pat bashkëpunuar rregullisht me drejtuesit e Vatrës, që kur punonte në Zërin e Amerikës. Në arkivin e Vatrës gjenden letërkëmbimet origjinale të tij me disa nga drejtuesit e Vatrës, para se të editonte gazetën”Dielli”. Kështu psh gjatë vitit 1968, tek festohej 500 vjetori i heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, kryetari i Vatrës, Anthony Athanas, i dërgonte një letër vlerësuese për kontributin e tij kombëtar dhe e ftonte që të ishte folësi kryesor në banketin madhështor që organizonte Vatra në nderim të heroit kombëtar. Letra mbanë datën 15 shkurt 1968. Po ashtu gjenden letërkëmbime me editorin e gazetës”Dielli” Dr. Athanas Gegaj si dhe me editorin tjetër Refat Xh. Gurrazezin, me Dr. Hamdi Uruçin, Agim Karagjozin etj. Kallajxhiu i tha”Po’ ftesës së Vatrës për të drejtuar gazetën Dielli, pasi u pensionua në Zërin e Amerikës. Në shënimet editoriale ai sqaron:”Më në fund arriti koha që unë mora përsipër të kryeja detyrën e editorit të Diellit.Kjo gjë u bë e mundur kur dola në pension nga detyra që kisha në Zërin e Amerikës. Isha më i lirë.Mundësinë e jetesës ma siguronte pensioni i shtetit përfituar nga puna në Zërin e Amerikës. Nga ana e saj, Vatra më ofroi 200 dollarë në muaj, aq sa kërkova vetë. Shpenzimet për kartë e zarfa, pullat e postës, telefonatat me distancë të largët, kanë qenë të miat”… Xhevati e thoshte me krenari se”Jam editori i Diellit më pak i paguar nga Vatra, sepse ashtu kam dashur unë vetë…Kam dëgjuar se në këtë mënyrë ka vepruar edhe Refat Gurrazezi.Përveç kësaj, unë rrogën time, edhe pse fare e vogël,herë pas here, ia kam kthyer përsëri Vatrës, si dhuratë.” Përfundimisht Xhevat Kallajxhiu i shërbeu Vatrës në krye të Diellit vullnetarisht për një dekadë të plotë, 1976-1986. Ai e quante veten me fat dhe ndjehej i nderuar me pozicionin e editorit të Diellit, për të cilën shkruante me krenari” Dielli është e vetmja gazetë e trashëguar nga koha e Rilindjes; është gjithashtu e vetmja gazetë shqipe, që vazhdon të botohet qysh prej 15 Shkurtit të vitit 1909, vit kur nisi botimin në Boston. Për më tepër Dielli gëzon një emër të madh dhe ka një histori të shkëlqyer për veprimet e ndritura, të vjetra dhe të reja,në shërbim të Atdheut dhe popullit shqiptar, me Vatrën famëmadhe në krye. Përveç këtyre, Dielli ka patur si editor atdhetarë të shquar, të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme. Të gjitha këto hynin në rezonancë me shpirtin rilindas të Kallajxhiut. Mbi të gjithë, Dielli ka patur editor dhe të dy kolosët e patriotizmit, të kulturës e të gazetarisë shqiptare:Fan S. Nolin dhe Faik Konicën. Ishin të gjithë këta faktorë që Xhevat Kallajxhiu e priti me gëzim emërimin si editor i gazetës Dielli dhe pa përfillur distancën e shtëpisë së tij, që ndodhej në adresën: 3415 Lorring Dr. Apt.# 202-Forestville, MD 20028) me Bostonin, ku ishin zyrat e Vatrës. Kur kishte mbushë 8 vjet në krye të Diellit, në një shënim editorial, ai shkruan sërish për motivet që i dhanë shtysën për të drejtuar gazetën Dielli.Citoj:”I frymëzuar nga ndjenja e atdhedashurisë dhe ndjenja e përgjegjësisë, vendosa që në pozicionin e editorit, të bëja diçka konkrete, dhe të lija gjurmë në veprimet në shërbim të vendit të lindjes, të kauzave të mëdha kombëtare dhe të komunitetit shqiptar në Amerikë”. Natyrisht nuk e pati të lehtë.Kur e mori drejtimin e gazetës, niveli kishte rënë dhe nuk e kishte më lavdinë e kolosve, financat për të përballuar botimin, ishin në pikë të hallit, por ai kishte besim se do t’ia dilte. Xhevati shkruante: “Vendosa që ta nxjerr Diellin nga gjendja e një gazete lokale dhe ta ngrija në shkallën e një gazete kombëtare e ndërkombëtare, ashtu siç ishte dikur”. Natyrisht kjo nuk ishte e lehtë që të realizohej, por ishte e domosdoshme sepse vetëm ashtu Diellit do t’i jepej mundësia që të lunate rol me rëndësi në çështjen Kombëtare dhe fjala e shkruar e gazetës të peshonte si në ambientet shqiptare, ashtu edhe në qarqet e huaja. Pas tetë vjetësh punë me përkushtim vetë editori Kallajxhiu konstatonte:”Lumturisht objektivi është arritur. Sot Dielli lexohet me kujdes dhe interes nga shqiptarët e çdo kategorie dhe dërgohet në çdo vend të botës së lirë, ku ka shqiptarë; dërgohet gjithasht dhe mbahet në konsideratë në Departamentin e Shtetit në Washington dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Romë, Beograd, Athinë, Ankara, po ashtu dërgohet edhe në Tiranë.” Por çfarë ndryshimesh solli Xhavat Kallajxhiu në gazetën Dielli? Ai ktheu Diellin në një tribunë të fjalës së lirë në kuptimin e drejtëpërdrejtë,ku personalitete të zotë e me aftësi profesionale, që jetonin jo vetëm në SHBA, por edhe në Evropë, kanë rrahur me seriozitet dhe dinjitet probleme të ndryshme me rëndësi kombëtare. Së dyti, solli në fokus çështjen e Kosovës dhe mbrojti me vendosmëri të drejtat etnike dhe legjitime të shqiptarëve në ish Jugosllavi. “Flamuri i Kosovës, është i sigurtë në duart e Vatrës”, shkruante Xhevat Kallajxhiu. Ai mbrojti me të gjitha format të drejtat e Njeriut, duke vënë në dispozicion faqet e gazetës.Së treti, ka denoncuar pa ndërprerje shypjet dhe padrejtësitë e regjimit të Tiranës, duke denoncuar dhunën shtetërore. Së katërti, ka përkrahur pa dallim të gjithë institucionet fetare të shqiptarëve në Amerikë e Kanada dhe ka informuar në çdo rast rreth veprimtarive të tyre, fushatave etj. Së pesti, u ka prirë përpjekjeve për mosasimilim të racës shqiptare në mërgim, duke e vënë theksin tek ruajtja e gjuhës shqipe, veçanërisht e ka bërë këtë përmes editorialeve, reportazheve, korrespondencave; ka këshilluar në vazhdimësi prindërit shqiptarë që të mos i kursejnë sakrificat e tyre për t’i pajisur fëmijët, djem e vajza, me mësimet më të larta sepse dituria është pasuria më e çmueshme që mund t’iu lënë trashëgim. Kallajxhiu e vuri gazetën Dielli në shërbim të gjithë shqiptarëve, pa dallim krahine, besimi fetar, tendencash politike atj. Me maturinë e tij, drejtpeshimin, ai iu shmang tensioneve që vinin nga partitë politike, duke mbajtur të ngritur Flamurin Kombëtar, mbi flamujt e partive. Të gjithë shihnin veten tek gazeta që editonte Xhevat Kallajxhiu. Faqet e Diellit në kohën e tij shkëlqyen nga idetë progresive kombëtare, nga faqet e ndritura të historisë së Kombit, nga portretet dhe idetë e Rilindjes Kombëtare dhe shfletimet e bëmave të tyre kombëtare, nga botimet e dokumenteve historike, nga shfletimi i historisë dhe jetës së përditshme të arbëreshëve, nga veprimtaritë e shqiptarëve në të gjithë anët e botës, historia e Amerikës etj. Përvjetorëve historikë Xhevati u kushtonte editoriale të posaçme. Kallajxhiut iu desh që të përballej edhe me kritika të ndryshme në formën e paraqitjes së gazetës. Sipas tij formati i madh nuk i shkonte më Diellit prandaj e ndryshoi dhe e bëri gazetën nga katër faqe në tetë, por me format të përgjysmuar. Me urtësi i tejkaloi kritikat, duke mos i ofenduar kritizerët, por duke i mundur me logjikë. Për këtë qëllim përdori rubrikën”Nga tryeza e Editorit”, ku bashkëbisedonte me lexuesit dhe kritikët.Ai kishte hapur rubrika të përhershme të bashkëbisedimit me lexuesit e Diellit dhe i respektonte ata duke botuar si lavdërimet ashtu dhe kritikat, kur ishin të drejta. Vlerësimet e lexuesëve ia ngrohnin shpirtin. Psh, një lexues i shkruante”Dielli po na nderon dhe për mua ka aq vlerë dhe rëndësi, sa ka dhe gazeta”The New York Times” për amerikanët…Ju lumtë!”. Reagimi i Xhevatit”Ky mesazh i shkurtër përbën për mua një shpërblim moral me rëndësi për çmimin e punës time si editor.” Megjithatë ai tregohej modest dhe shkruante ”megjithkëtë e shoh për detyrë të theksoj këtu haptazi se merita më e madhe, u takon bashkëpunëtorëve të shumtë që janë grumbulluar rreth Diellit. Dhe ky ishte një tjetër sukses i Xhevatit, ai iu imponoi respekt bashkëpunëtorëve dhe i bëri pjesë të Diellit ashtu siç mundi të gjente sponsor për botimin e Diellit, ku familje bashkatdhetarësh morën përsipër përballimin e shpenzimeve të botimit për 6 muaj deri në 1 vit. Në gjykimin tim Xhevat Kallajxhiu mbetet një ikonë e rrallë në gazetarinë e mërgimit. Kontributi i tij prej një dekade në gazetën Dielli, është me vlera jo vetëm për kohën kur shkroi dhe editoi Diellin e Vatrës, por edhe për brezat që erdhën dhe do të vijnë pas tij. Ai ishte njohës i mirë i historisë botërore, veçanërisht asaj amerikane dhe historisë shqiptare, ç’ka pasqyrohen në artikujt e tij historikë dhe në editorialet festivë e përkujtimorë. Ai e orientoi Diellin drejt shqetësimeve reale të komunitetit, të fuqizimit të Vatrës dhe çështjes shqiptare në tërësi. Kallajxhiu i dha hapsirë mbrojtjes të të drejtave të shqiptarëve në ish Jugosllavi dhe në Shqipërinë diktatoriale, denoncoi shkeljen e të drejtave njerëzore,shtroi me guxim probleme para komunitetit, evokoi historinë kombëtare, evidentoi vlerat e Vatrës dhe të Diellit, shkroi e përcolli me shpirt e sy të përlotur bashkatdhetarët që ndërruan jetë pa e parë Atdheun, dhe ai i përcolli në jetën tjetër duke shkruar kronikat. Xhevati ka lënë pas gjurmët e një njeriu me shpirt njerëzor, të dashur,të respektuar. Pena e tij në rreshtat e Diellit dëshmoi shpirtin rilindas; e deshi me shpirt Atdheun, që ia pat mohuar shteti komunist, që e pat shpallë armik të popullit. Xhevati ishte gazetar profesionist edhe pse nuk kishte kryer shkollë gazetarie, që të imponon t’ia lexosh artikujt e shkruar nga pena e tij e të përjetosh emocione. Ishte mjeshtër për të thënë shumë gjëra në pak radhë.Nuk kërkonte fjalë bombastike; jo stili i tij ishte i thjeshtë, fjalitë dhe frazat të shkurtra,fjalët rridhnin natyrshëm. Mendoj se suksesi qëndron edhe tek fakti se kur shkruante, e mendonte lexuesin përballë vetes. I përshtatej lexuesit të Diellit.Mendoj se kishte krijuar stilin e tij vetiak.Përherë nisej nga faktet për të shtruar idetë. Editorialet e tij, kam mendimin se mund dhe duhet të studiohen nga shkollat e gazetarisë në Tiranë, Prishtinë,Tetovë e Shkup. Xhevati tregonte kujdes që në përcaktimin e titullit të shkrimit, veçanërisht tek editorialet.Kur i shfletoja koleksionet e Diellit, harrohesha me orë të tëra; më fusnin në kurth titujt dhe i shkoja deri në fund leximit. Ka qenë shumë prodhimtar Kallajxhiu.Nuk ka numër të Diellit në 10 vitet që e drejtoi ai që të mos gjesh editorial me emrin e tij. U kushtonte kujdes titujve. Po përmend disa nga titujt e editorialeve të Xhevatit:”Flamuri i Kosovës në duart e Vatrës”, “U mbars mali dhe polli një mi”, “Hakmarrja, një zakon i keq”, “Të njohim njeri-tjetrin”, “Fati i të burgosurve të Kosovës”, “Gjallëria e racës shqiptare për Amerikën”, “Sundimet absolute dhe Liria”, “Thirrje arbëreshëve në Amerikë”, “Malli i Atdheut”, “Të drejtat e Njeriut” etj. Siç shihet mesazhet e editorialeve lexohen që në tituj. Kam konstatuar se Xhevati i provoi të gjithë gjinitë publicistike. Kryeartikullin, analizën, Kronikën, reportazhin, fotoreportazhin, satirën, humorin,lëvroi poezinë, esenë, etj. Ndërkohë Kallajxhiu mbetet edhe një qëmtues plot qibër i historisë së tarikatit bektashian dhe për më tepër një vëlla shpirtëror i klerikëve të teqesë së baba Rexhebit në Detroit, Miçigan. Kumtesë e mbajtur në Vatër, me 2o Prill 2022, në promovimin e librit të Xhevat Kallajxhiut”Larg Atdheut”.

Filed Under: Politike Tagged With: dalip greca, Xhevat Kallajxhi

Presidenti Volodymyr Zelensky, ky Leonidas dhe Skënderbe i Kohëve Moderne

April 23, 2022 by s p

Dr. Iris Halili/

Presidenti  i Ukrahinës Volodymyr Zelensky, është lideri që i ka thyer të gjitha skemat steriotipe  të modelit që jemi mësuar të shohim dekadat e fundit. Tek ndjekim  Zelenskyn të luftojë në krye të popullit të tij, liderët e kancelarive të tjera të botës duken kaq skelektikë, manekina të kollarisura që dalin nga lobingjet apo makiazhi i intervistave të parapërgatitura, apo milionave të hedhura në fushata me premtime që harrohen përpara se të mbarojnë së premtuari. Sot Zelensly po konsiderohet nga te gjithë  si lideri  më frymëzues i kohës sonë . Edhe një herë na vërtetohet teoria që lideri matet nga vendimet që ai merr, dhe vendimet që ai merr nuk varen aq nga rrethanat sesa nga karakteri i liderit ;  kjo është arësyeja që lider të ndryshëm në rrethana të ngjashme  marrin vendime krejt të ndryshme. Presidenti Zelensky do të mbahet mend për qëndresën e tij dinjtoze në mbrojtje të lirisë së vendit ,  kurajon që i fali bashkëkombasve  të tij, besimit që ushqeu dhe mbajti gjallë në popull si  dhe famën që i dha vendit të tij sa heroik aq edhe të paepur. E gjithë bota njohu ngjyrat e flamurit  Ukrahinas  falë këtij populli dhe lideri që në çastet më të vështira të jetës së tyre i vunë interesat e  vendit mbi çdo gjë, duke na rikujtuar sërisht mësimin e madh të historisë se fiton moralisht kush lufton me shpirt dhe për një kauzë te drejtë , por fiton pothuaj gjithmonë ai popull që ka në krye një lider  vizionar , qëndrestar dhe me kurajo heroike. Zelensky po i shërben denjësisht vendit dhe popullit të tij, ai është lideri shërbëtor për të cilin kemi folur kaq shumë , lideri që drejton dhe lufton duke sfiduar çdo rrezik dhe duke na befasuar me mesazhet dhe qëndrimet e tij sa kurajoze aq edhe dinjitoze. Kjo luftë po na sjell çdo ditë pamje shumë tronditëse, viktima dhe shkatërrime pa fund;  por megjithë dhimbjen që shkaktojnë ngjarjet  dhe imazhet nga terreni sërisht mbetet  një shpresë dhe një krenari që  vjen natyrshëm  tek shohim se ka ende liderë që janë në gjëndje të japin dhe jetën për atdheun dhe popullin e tyre. Nuk janë të shumtë figurat në  historinë  e njerzimit që mund të krahasohen me Presidentin Zelensky, por sërisht historia ka njohur të tillë.  Në vitin 480 (Përpara Krishtit ) vetëm  300 spartane dhe një forcë e vogël me ushtarë grekë (një numër që vjen nga historia na thotë diku tek 700 ushtarë grekë )  luftuan dhe fituan kundër ushtrisë më të madhe të kohës , asaj Persiane që mendohet të ketë patur të paktën 70 mijë ushtarë , ca shifra të tjera  thonë edhe 200 mijë . Kjo betejë nga historia njihet si beteja e Termopileve . Në krye të ushtrisë spartane ishte lideri Leonidas, mbreti qytet – shtetit të Spartës ,   që nga historia na vjen si një figurë legjendare i cili  luftoi dhe fitoi në raporte krejt të pabarabarta , por që kishte një ideal , të pengonte persianët të depërtoritn në qytetin e tij. Ajo ushtri mbrojti pavarësinë e qytet- shtetit të dikurshëm Sipas të gjithë studiuesve të historisë, nëse Persianët do të kishin fituar luftën në Termopile, koncepti i lirisë sot nuk do të ishe ai që ne njohim. Po kaq madhështor është edhe lideri ynë legjendar Gjergj Kastriot Skënderbeu,  i cili për 25- vjet ishte në gjendje  të mbronte lirinë e vendit tonë si dhe të pengonte kështu  perandorinë osmane (më të madhen e kohës),  të depërtonte drej perëndimit.  Ndaj dhe Skëndërbeu nderohet botërisht dhe mban titullin e lartë: “Kalorsi i Kristianizmit”. Duke i shërbyer vendit të tij, Skënderbeu i shërbeu njëkohësisht qytetërimit Evropian . E tillë mbetet dhe qëndresa  e popullit të Ukrahinës  dhe Liderit të saj Zelensky. Lufta e tyre  nuk është vetëm në mbrojtje  të trojeve të Ukrahinës ; ajo çdo ditë e më tepër po shëndërrohet në një betëjë  për te shpëtuar Evropën dhe demokracinë  nga pushtimi rus dhe megalomania e një diktatori narcisist i cili  në jeton me ëndrrën delirante të rikthimit të Bashkimit Sovjetik në kufijtë e dikurshëm . Në Ukrahinë po luftojnë  i madh dhe i vogël, pleq dhe adoleshentë ; Ky popull është i vendosur të fitojë  ndaj një të keqeje që nuk po depërton vetëm në atë vend por që ka rrezik të  përhapet gjithmonë e më shumë në Evropën me kufij dhe histori delikate.  Sido të vej filli, lufta në Ukrahinë gjithmonë do të kujtohet jo si pushtimi makabër dhe brutal i Putinit por si qëndresa heroike e popullit të Ukrahinës dhe presidentit Zelensky, këtij Leonidas dhe Skëndërbeu bashkëkohor!  

Filed Under: Politike

Kosova, me fat – mbështetjen e vazhdueshme të miqve amerikanë

April 22, 2022 by s p

PRISHTINË, 22 Prill 2022-Gazeta DIELLI/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim senatorët e Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeanne Shaheen, Chris Murphy dhe Thom Tillis, të cilët mbërritën dje në Prishtinë. Pas këtij takimi presidentja Osmani ka shkruar: Kënaqësi të mirëpres senatorët amerikanë Jeanne Shaheen, Chris Murphy dhe Thom Tillis në Kosovë. Senatorët i informova mbi zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon. Përderisa Evropa po përjeton luftën në mes të demokracisë dhe tiranisë, Kosova, si gjithnjë, ka zgjedhur demokracinë. Avancimi i Kosovës në trajektoren e lirisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit është dëshmia më e fortë se populli jonë është i përkushtuar në rrugëtimin euro-atlantik. Kosova është më e fortë me aleatët e saj dhe jemi me fat të kemi mbështetjen e vazhdueshme të miqve tanë amerikanë.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 233
  • 234
  • 235
  • 236
  • 237
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT