• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti takuan kryeministrin Grek Kyriakos Mitsotakis

February 18, 2022 by s p

Krerët e Republikës së Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në margjina të Konferencës së Sigurisë në Mynih (MSC) janë takuar me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis.
Në takim me kryeministrin Mitsotakis, krerët shtetërorë theksuan rëndësinë e avancimit të raporteve mes dy shteteve. Ata po ashtu kanë theksuar rëndësinë e njohjes së shtetit të Kosovës nga Greqia, si hap i rradhës i natyrshëm drejt thellimit të mëtutjeshëm të raporteve.
Më tej, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti kanë kërkuar përkrahje nga Greqia në procesin e liberalizimit të vizave, duke theksuar se liberalizimi i vizave për Kosovën mbron kredibilitetin e BE-së dhe se ky proces nuk duhet ndërlidhur me procese të tjera.
Sipas krerëve shtetërorë, Kosova mbetet e palëkundur në orientimin euro-atlantik dhe synimin për anëtarësim në NATO, OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare.Në këtë takim, është diskutuar edhe për intensifikimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Greqisë në fushën e sigurisë, tregtisë, kulturës, si dhe sfera të tjera të interesit reciprok.

Filed Under: Politike

“DIELLI” BËHET 113 VJEÇ / FOTO KOLAZH NDËR VITE

February 15, 2022 by s p

“Dielli” i Vatrës, “Dielli” i shqiptarëve të Amerikës, “Dielli” i botës shqiptare, “Dielli” i diasporës, “Dielli” i kombit shqiptar sot feston ditëlindjen e 113-të. “Dielli” është gazeta më e vjetër në botën shqiptare, krenaria dhe identiteti i Vatrës, vatranëve e shqiptarëve të Amerikës. “Dielli” është institucion atdhedashurie. “Dielli” është dritë që do ndriçojë përjetë qiellin e shqiptarisë. “Dielli” është e shkuara e tashmja dhe e ardhmja e historisë së lavdishme të kombit tonë, gjuhës, kulturës, medias, traditës dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve të Amerikës, Kanadasë dhe trojeve shqipfolëse.

Filed Under: Politike

EMIN EDDIE EGRIU, NJË SHQIPTAR PËR KONGRESIN AMERIKAN

February 12, 2022 by s p

Sokol Paja/


Shqiptaro-Amerikani Emin Eddie Egriu një profil i fortë politik dhe patriotik, mes botës së bisnesit dhe studimit të kulturës, politikës dhe religjionit, zotërues i katër gjuhëve: anglisht, italisht, spanjisht dhe shqip, kandidon për Kongresin Amerikan në Uashington DC si përfaqësues i Distriktit 26 në Western New York. Emin Eddie Egriu nga selia qëndrore e Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra i bëri një thirrje të sinqertë dhe të përzëmërt të gjithë pjesëtarëve të komunitetit shqiptar në USA, sidomos në New York dhe konkretisht në zonën e Buffalo. “Është shumë e rëndësishme në këtë garë që të kem mbështetjen dhe përkrahjen e komunitetit tim pikë së pari. Çdo kandidat ka nevojë si fillim që të gjejë mbështetjen në përkrahësit e bijtë e atdheut të tij. Është një fushatë e shtrenjtë e cila ka filluar me mbledhjen e fondeve në Buffalo dhe tani kam marrë një mbështetje të fortë dhe nga komuniteti amerikan. U jam mirënjohës dhe falenderues çdo personi që po kontribuon. Është një garë e fortë si fillim brenda Partisë Demokratike. Anketimet e deritanishme dhe historiku i përballjeve politike në të kaluarën time tregojnë se unë jam më i favorizuar për të shkuar drejtë fitores” shprehet për Diellin e Vatrës z.Emin Egriu. Shqiptaro-Amerikani Emin Eddie Egriu jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej 52 vitesh. Është veprimtar aktiv dhe një nga personalitet shqiptare të diasporës sonë i cili ka kontribuar gjithmonë për çështjen kombëtare. Emin Eddie Egriu është i specializuar në fushën e biznesit, kulturës, politikës e ligjit. Emin Eddie Egriu është një ndër kandidaturat shqiptare më të fuqishme në skenën politike të komunitetit shqiptar në USA. Familja e Emin Eddie Egriu është me origjinë nga Dibra e Maqedonisë së Veriut, familje e cila emigroi nga Dibra që në vitin 1969. Ata emigruan si fillim në Itali në Romë e më pas erdhën në Amerikë në Brooklyn New York. Emin Eddie Egriu në pikat e fushatës së tij premton: Lobim të fuqishëm për çështjen shqiptare në Institucionet Amerikane si në Senat, Kongres, Departament të Shtetit dhe në të gjitha institucionet e shtetit amerikan. Një fuqizim ekonomik për mbarë hapsirën shqipfolëse në Ballkan, forcimi i edukimit të brezave në trojet shqiptare, synimi i forcimit të arsimit profesional dhe gjetja e mundësive për tregjet e punës. Lobim i fuqishëm për gjenerimin e tregjeve të punës dhe produkteve shqiptare në BE ose drejtëpërdrejtë në Amerikë. “Nëse duhet të zhvillojmë vendet tona, si fillim duhet të luftojmë varfërinë dhe zhvillojmë tregun e punës” shprehet z.Egriu. “Siguria e Ballkanit dhe trojeve shqiptare garantohet vetëm më mbikëqyrjen e Amerikës dhe rolin e saj parësor si garantuese dhe udhëheqëse e proceseve në Ballkan, ashtu siç Amerika e ka ndihmuar kombin shqiptar në histori. Ne si komb duhet ti jemi përjetë mirënjohës Amerikës. Nëse unë zgjidhem në Kongres do të loboj fort në Uashington për fuqizimin ekonomik dhe politik të shqiptarëve në trojet shqipfolëse dhe synimi është që të liberalizohen vizat me Amerikën” shprehet kandidati për Kongresin Amerikan Emin Eddie Egriu. Ai ka ndihmuar në integrimin e emigranteve dhe komunitetit shqiptar në Buffalo të New York e në shumë shtete të tjera të Amerikës me anë të lidhjeve dhe miqësisë që kishte familja Egriu e cila ka qenë gjithmonë si një bazë e fuqishme patriotike dhe komunitare në ndihmë të bashkëkombasve shqiptarë. Vëllai i Emin Eddie Egriu, Naxhi John Egriu ka marrë pjesë në luftën e Kosovës si pjesëtar i Batalionit Atlantiku me profesion spajperist. Përgjatë bisedës në Vatër, Emin Eddie Egriu zbulon për Diellin se ka qenë këshilltar i Colin Powell së bashku me Joe DioGuardi, Ekrem Bardhën, NAAC e shumë personalitete e organizata të tjera shqiptare në negociatat e paqes për krizën në Maqedoni pas luftës në Kosovë në 2001, në Shtëpinë e Bardhë në Uashington DC ku u mbajt një demonstratë e fuqishme për këtë çështje. Emin Egriu është themelues dhe drejtues i kompanisë së ndërtimeve ‘Egriu’. Në rrëfimin për Diellin, z.Egriu tregon se ka dhënë kontribut të qënësishëm te ‘Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane’ dhe ‘Albanian Roots’. Ka qenë koordinator për gjeneralin Wesley Clark në zgjedhjet presidenciale të vitit 2004. Ai ka ndihmuar shumë biznese fillestare (start-up) përmes të cilave janë krijuar mbi 3000 vende të reja pune në ShBA, të fokusuara në zonën e Bufalos dhe Niagara Falls. Mbështjetja për Emin Egriun është një mbështetje për zërin e fuqishëm shqiptar në Uashington dhe një ndihmë e madhe për lobimin e çështjes dhe interesave kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në trojet shqipfolëse. Emin Eddie Egriu u bë anëtar i Vatrës dhe u zotua se do të mbështesë Vatrën dhe Diellin në të gjitha etapat dhe proceset ku veprojnë fuqishëm në dobi të komunitetit shqiptar dhe çështjes kombëtare.

Filed Under: Politike

NJË INKUNABULË NGA VITI 1481, E PARA E LLOJIT TË TILLË E CILA FTON SHQIPTARËT DHE PRELATËT KISHTARË NË LUFTË KUNDËR TURQVE

February 12, 2022 by s p

Ilustrimi 1 – Papa Alexandri VI

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies – Budapest

Ilustrimi 2 – Faqja e pare e Inkunabules se Stefan Tegliatit nga viti 1481
Ilustrimi 3 – Faqja e 8-9 inkunabules se Stefan Tegliatit nga viti 1481
Ilustrimi 4 – Faqja e fundit e Inkunabules se Stefan Tegliatit nga viti 1481

Center for Albanian Studies – Budapest

Stefan Teglati, prelat i lartë kishtar, shkrimtar dhe orator i humanizmit, i respektuar dhe i nderuar në shumë rrethe intelektuale, filozofike dhe politike të shteteve të ndryshme ishtë një ndër të parët ideatorë të Europës së Bashkuar. Një gjë të tillë ia mundësuan njohjet me personalitet e shquara me ide të përparuara si në aspektin religjioz ashtu edhe në atë letrar si dhe lidhjet me qendrat më të zhvilluara evropiane të kohës. Këto ide pasqyrohen shumë qartë në veprat e tij, ku vihen re angazhimet e tij në sferat politike, religjioze dhe kulturore duke ndikuar shumë në krijimin e një mendimi të planifikuar të përgjithshëm në rrethet dhe personat që njihte.

Stefan Teglati (Stephanus Teglatius de Taleazis) ishte i njëzeteteti me radhë si kryeipeshkëv i Tivarit. Sipas burimeve arkivore kishte lindur në Venedik në vitin 1445, por të parët e tij ishin me origjinë nga Shqipëria. Pasi mbaroi studimet e larta për teologji, dhe para se të emërohej si kryeipeshkëv i Tivarit, Stefan Teglati shërbeu për një kohë si noter te zyra noteriale e Nikola Perotit, ipeshkëvit të Sipontit dhe si kancelar i kardinalit Besarion, ku përshkroi një numër të madh të dokumenteve origjinale që ruhen në Manastirin e Shën Nilos në Grotaferratë afër Romës, i cili administrohet nga arbëreshët e Italisë. 

Në periudhën kohore gusht 1462 janar 1463, me rastin e regjistrimit të pasurisë dhe pronave të Manastirit, të cilin kardinali Besarion e merr në kujdesin e tij, Teglati përshkruan rreth 85 dokumente, pastaj përpilon inventarin e hollësishëm të sarkistisë dhe regjistrin e plotë të librave dhe dokumenteve që ruheshin aty. Me këtë rast, Stefan Teglati firmos në dokumente: “Ego Stephanus Thegliatius publicus apostolica et imperiali auctoritate notarius” (Unë, Stefan Teglati, noter publik me autoritet apostolik dhe perandorak).  

Në vitin III të pontifikatit të tij, papa Sikstit IV (1471-1484)  me 26 nëntor të vitit 1473 e emëroi kryeipeshkëv të Tivarit (Shih D. Farlatin dhe J. Coletin, në Illyricum Sacrum, vëll. VII, f. 96, të cilët në fakt e shënojnë gabimisht vitin e emërimit të tij – 1475). Ndërsa më 3 korrik të vitit 1475 siç shënohet në dokumentet origjinale në Arkivin Sekret të Vatikanit, fondi Obligationes et Soluciones, vëll. 81, f. 220r, Stefani pagoi taksën e detyrueshme për emërimin e tij si kryeipeshkëv në shumën prej 80 fjorintash, me një vonesë të konsiderueshme për shkak se kryeipeshkvia e tij ishte mjaft e varfër dhe e rrezikuar nga turqit. 

Në kryeipeshkvinë e Tivarit shërbeu me ndërprerje në periudha të caktuara kohore. Në vitin 1477, 1479, 1481 ishte në Romë siç dëshmohet nga Rationes Camerae, vëll. 719, f. 17-18 dhe 168, të Arkivit Sekret të Vatikanit.

Gjatë qëndrimit të tij në Romë në vitin 1477, mori pjesë në shugurimin e ipeshkvit të kishës së Shën Mërisë së Transtibertinës, ndërsa në vitin 1479, ai ishte i pranishëm në shugurimin e disa ipeshkëve në kishën e Shën Marisë supra Minervam, kurse në vitin 1480 edhe në shugurimin e Leonard Wisbach-ut për “Soldanien” etj.   

Papa Sixti IV e ftoi përsëri në Romë Stefanin, në vitin 1483 për të marrë mendimin e tij në lidhje me paqen me Venedikun, i cili kishte pushtuar Ferrarën. Më 30 dhjetor të vitit 1484, ai ishte përsëri në Romë, siç vërehet nga vëllimi me dorëshkrime i Breveve, të mjeshtrit të ceremonive Brochard Argentinit, vëll. VI, f. 9v ku gjejmë të shënuar: “Kryeipeshkvi i Tivarit, Stefan Teglati, mori pjesë në takimin e fshehtë konsistorial për kanonizimin , të cilin në vitin 1484 e drejtoi papa Inocenti VIII.”  Papa  Sxti IV, e emëron si ipeshkëv të Torcellos, në ishullin Buran afër Venedikut. Sipas burimeve arkivore dhe literaturës së njohur deri me sot, Stefani është kryeipeshkvi i parë që ka mbajtur titullin “totius serviae primas” (duke filluar nga viti 1475) në kryeipeshkvinë e Tivarit.

Gjatë kohës që drejtoi kryeipeshkvinë e Tivarit, Stefani kur gjente kohë të lirë nga obligimet e shumta kishtare, i përkushtohej me zell të madh studimit dhe leximit të librave të shenjtë. Duke qenë në situatë të vështirë financiare, por edhe i kërcënuar nga rreziku u turqve ai në fund të shërbimit të tij si kryeipeshkëv i Tivarit e bashkoi këtë kryeipeshkvi me kryeipeshkvinë e Patrasit. (Për këtë shih F. Ughellus, Italia Sacra, vëll, V). 

Në vitin 1485 u transferua te kisha e kryeipeshkvisë së Torcelanit, duke mbajtur edhe titullin e kryeipeshkvit të Patracensis siç konfirmohet nga letra e tij e vitit 1490 (Shih Cornelium, vëll. I, Monumenta Ecclesia Torcelanensis, f. 20 si dhe F. Ughellus, Italia Sacra, vëll, V), kur shkruan për kryeipeshkvinë e Torcelanit dhe në të cilën thuhet: “Stefanus de Teglatius, kryeipeshkëv i Tivarit dhe i Patrës, u transferua te kisha e Torcelanit në vitin 1485 me 5 shtator.” Ndërsa në dorëshkrimet e D. Farlatit dhe J. Coletit të cilat ruhen në Museo Correr në Venedik shkruhet: “ka abdikuar nga kryeipeshkvia e Tivarit sepse gjatë shërbimit të tij si kryeipeshkëv i Tivarit, më shumë qëndronte në Venedik sesa në Tivar.” Vdiq në Venedik më 1 korrik të vitit 1515.

Stefani ishte burrë i ditur dhe elokuent. Këtë e dëshmoi në studimin e shkrimit të Shenjtë dhe pjesë nga këto studime na kanë arritur deri më sot. Në vitet 1475 dhe 1478, Stefan Teglati shkroi në latinisht “Commentarios in Cantica Canticorum“ (Komentarë për Këngën e Këngëve) e cila përbëhet nga njëzet himne dhe tetë kapituj. Qëllimi i i këtij komentuari të “Këngës së Këngëve” ishte të paraqiste Krishtin Shpëtimtar se si bisedonte me të dashurën e tij, Kishën. Kjo punë e vërtetë e mendjes së tij vërehet edhe në interpretimin e shkrimeve. Këto komentarë ruhen edhe sot në BAV (kodiku 1049 dhe në Belunesi Coenobii PP. Servorum Mariae) dhe janë redaktuar nga Georgius de Costa ipeshkëv i Ulyssiponensi (26 nëntor 1464 – 29 qershor 1500.

Inkunabula që na intereson ne, është shkruar nga Stefan Teglati në vitin 1481 dhe mban titullin: “Stephani archiepiscopi Antibarensis sermo habitus in materia fidei contra Turcorum persecutionem ex solemnitate gloriosi apostoli et evangeliste Johannis.” (Predikim i Stefanit, kryeipeshkvit të Tivarit, i mbajtur në çështjet e besimit kundër persekutimeve të turqve, me solemnitet për nder të apostullit dhe ungjilltarit Gjon). Shënimin e mësipërm e gjejmë për këtë inkunabulë edhe te Fabricius në Bibliotheca Mediolanensi & infim. Latin., në librin e tetëmbëdhjetë të Bibliotekës së tij. Në këtë kodik pergameni me dorëshkrime origjinale gjejmë këtë shënim: “ky predikim u mbajt në Romë në kishën e Shën Gjon Lateranit nga shkëlqesia e tij at Stefan Teglatius, në vitin 1481.”

Duke u ndalur te misioni i kishës si “Qytet i Zotit” Stefani në mënyrë të përgjithshme përshkroi pushtimet turke, rrezikshmërinë e tyre dhe pothuajse me të njëjtat fjalë si edhe më parë iu ishte drejtuar papës dhe të pranishmëve të tjerë në Bazilikën e Lateranit dhe u foli edhe pjesëmarrësve të Koncilit të V të Lateranit ku  citoi fjalë nga Bibla si “Kush i trembet Zotit, bën mirë” etj.  Në predikimin e tij në kishën e Lateranit në vitin 1481, Stefani foli me një gjuhë shumë të zhdërvjellët jo vetëm për çështje teologjike, por edhe për ato politike që shqetësonin të gjithë perëndimin e asaj kohe. Predikimi i tij në atë kohë i bëri thirrje jo vetëm mendjes së të pranishmëve, por në të njëjtën kohë kërkoi të zgjoje edhe emocione të forta, duke vënë theksin te egërsia e turqve. Ai tregoi për mjerimin e qytetit të Konstantinopojës, dhe të popujve të Trapezuntit dhe të atyre rreth detit të Egje, ku përmendi pushtimin e selanikasve, të popullit të Mitilenit, dhe Peloponezit duke theksuar edhe shkretimin e provincave të Azisë dhe të Evropës. Qytetet dhe kështjellat e Thesalisë, Maqedonisë, Epirit dhe të Ilirisë janë me rëndësi të veçantë për ne tha Stefan Teglati. Ai edhe atëherë, por edhe tani në Koncil, e quajti turp për të gjithë të pranishmit gjithë këtë situatë, ku dhunohen virgjëreshat, prisheshin martesat, shiteshin si robër burra, gra, vajza dhe fëmijë, por kishte edhe raste kur vriteshin të gjithë siç ishte rasti me qytetarët e Drishtit etj. Ai u bëri thirrje atyre të hapnin sytë e të shihnin mjerimin e nënave dhe të fëmijëve, si dhe zhdukjen e relikeve të shenjta në Kalçedoni, në Eube, në Krujë, Drisht, Lezhë dhe Shkodër, vende këto të shkretuara nga turqit në një kohë të shkurtër duke mbetur të shkatërruara dhe pa banorë.

Sipas shënimit të njërit prej të pranishmëve Jakob Geradit prej Volterës, predikimi u prit shumë mirë dhe Teglati mori shumë lavdërime, ndërsa autori i këtij shënimi për kryeipeshkvin e Tivarit shkruan “vir maioris elegantie quam doctrianei” (Burrë me elegancë dhe dituri të madhe). Duke pasur parasysh se ky predikim i Stefan Teglatit u mbajt menjëherë pasi turqit kishin bërë masakrën e Otrantos në vitin 1481, kuptohet që përshtypjet dhe interesimi për të ishte shumë i madh. Ai bëri edhe shumë përshtypje për paraqitjen e argumenteve të forta logjike me një gjuhë të rrjedhshme dhe lehtë të kuptueshme për të gjithë të pranishmit, ndër të cilët ishin edhe vetë papa, si dhe disa kardinalë, kryeipeshkëvë dhe ipeshkëv të Romës si dhe shumë personalitete të nderuara të kohës.

Ndërsa vepra tjetër e S. Teglatit po nga viti 1481 Opusculum de futura tribulatione hoc tempore finiente (botuar në Romë nga shtëpia botuese e Iohannis, në vitin 1481, në format In foglio dhe sot gjendet në Bibliotekën Ambroziana të Milanos, në signaturën Stamp. Ross.1213 /inter. 2/) i kushtohet Giovanni Arcimboldi-t, i cili në vitin 1473 ishte zgjedhur kardinal në Kurinë Papnore dhe ishte edhe kryeipeshkëv i Milanos.

Stefan Teglati (Stephanus Teglatius) arriti një popullaritet të madh në Romë që në fillim të viteve ’80 të shekullit XV, veçanërisht në rrethet kishtare, ku dallohej për predikimet e tij të zjarrta dhe shumë të ashpra kundër pushtuesve turq. Në një rast, gjatë një predikimi më 27 dhjetor të vitit 1480 ai i rikujtoi papa Sikstit IV (i cili rregullisht merrte pjesë në predikimet e Stefanit), rrezikun e madh vdekjeprurës që vinte nga turqit. Gjatë tri dekadave në vijim, ai mbajti rreth dyzet e gjashtë predikime, ku përveç papës, ishin të pranishëm edhe kardinalët dhe gjithë kleri i lartë që shërbente në Romë ose ndodhej aty, por, njëkohësisht të pranishëm ishin edhe shumë emra të njohur të kulturës, artit, shkencës dhe politikës që jetonin dhe punonin në Romë ose në qytetet përreth. Përveç predikimeve dhe kundërvënies së hapur të pushtimeve turke, veçanërisht atyre në viset e Ballkanit të cilat ai i njihte për mrekulli, në shumë raste kreu edhe detyrën e diplomatit në misione shumë të rëndësishme qofshin publike, qofshin sekrete të cilat ia besoi papa Sikstit IV. Gjatë pontifikimit të papës Aleksandrit VI (1492-1503), u emërua si kapelan papnor. Për vetë faktin se ishte shumë mirë i informuar për depërtimet dhe sulmet turke, nga të cilat qytetet shqiptare kishin pësuar shpesh dëme të pallogaritshme, dhe ai i kishte përjetuar vetë ato si në Tivar, Shkodër, Drisht, Durrës etj, predikimet e tij që më vonë u botuan edhe si inkunabula edhe sot e kësaj dite ruajnë një vlerë të madhe, si për nga ana përmbajtësore-faktografike-dokumentare ashtu edhe për nga idetë dhe mendimet filozofiko-letrare. 

Me rastin e pushtimit të qyteteve shqiptare si Shkodra e Drishti nga turqit, qytetarët e këtyre qytete vërshuan drejt Venedikut dhe qyteteve të tjera italiane, kurse pushtimi i Otrantos paraqiste rrezik serioz për vetë Italinë, Stephanus Teglatius mbeti njëri prej luftëtarëve më të fortë të partikularizmit, diferencave fetare dhe politike duke qenë ithtarë të fortë të idesë së bashkimit të princave të krishterëve dhe tërë besimtarëve të tjetë (në këtë rast edhe vetë klerit) në luftë kundër turqve.

Në katedralen e Shën Pjetrit në Romë, Stefan Teglati mbajti predikimin e njohur “Oratio coram Innocentio VIII pro die Pentecostes habita” (Predikim në prani të papës Inocenti VIII i mbajtur në ditën e Rrëshajave) në vitin 1487, i cili u botua menjëherë si inkunabulë dhe arriti sukses të jashtëzakonshëm me të. Ndërsa në vitin 1492, predikimi i tij me titull: “Oratio de passione Domini” (Predikim për pasionin e Zotit) u vlerësua shumë lart nga papa. Në këto predikime, Teglati nga njëra anë sulmoi ashpër mossukseset dhe humbjet e princërve të krishterë, kurse nga ana tjetër, me mjaft mjeshtri mbante lart moralin e të krishterëve duke sjellë shembuj konkretë nga e kaluara e largët, por njëherësh edhe nga kohët të cilët ai vetë i kishte përjetuar, siç ishte rasti i Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Në njërin prej predikimeve më brilante të tij dhe njëherësh në thirrjen e përgjithshme të drejtuar botës së krishterë në përgjithësi dhe papës Aleksandrit VI në veçanti, më 1 nëntor 1492 (edhe ky predikim është botuar dhe ka ardhur deri në ditët e sotme) ai pësoi një zhgënjim, sepse kishte pritur shumë më shumë nga të gjithë, e posaçërisht nga vetë papa Aleksandri VI.

Ne sot njohim shtatë vepra të Stefan Teglatit (Stephanus Teglatius de Taleazis), gjashtë nga të cilat janë incunabula dhe pesë nga ato ruhen në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit në Vatikan, ndërsa një ruhet në Bibliotekën Ambroziane të Milanos dhe një vepër antikuar-rare (të rrallë) që ruhet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit në Vatikan. Të gjitha veprat (inkunabulat dhe antiquaret e rralla) janë shtypura në Romë, nga pesë botues të ndryshëm dhe të gjitha janë në formatin “In foglio” (format ky pak më i madh se A3). 

Në vazhdim sjellim titujt e saktë të të gjitha veprave, vitin e botimit, botuesin dhe vendndodhjen e çdonjërës, për t’u lehtësuar punë studiuesve dhe historianëve që dëshirojnë të merren me këto vepra:

  1. Sermo de materia fidei contra Turcorum persecutionem. Romë: Stephan Plannck, 27 dhjetor 1480, In foglio (Sot gjendet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, me signaturë: Inc. IV. 371 /inter. 14/);
  2. Opusculum de futura tribulatione hoc tempore finiente. Romë: Per Iohannis, 1481, In foglio  (Sot gjendet në Bibliotekën Ambroziana të Milanos, me signaturën: Stamp. Ross.1213 /inter. 2/);
  3. Stephani archiepiscopi Antibarensis sermo habitus in materia fidei contra Turcorum persecutionem ex solennitate gloriosi apostoli et evangeliste Johannis. Romë: Per Johannis, 1481, In foglio (Sot ruhet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, në signaturë: Incun. IV. 543 /inter. 7)/;
  4. Oratio coram Innocentio VIII pro die Pentecostes habita. Rome: Stephan Plannck, 3 qershor 1487, In foglio (Sot gjendet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, në signaturë: R. I. IV.1734 /inter. 22/);
  5. Oratio de passione Domini. Romë: Eucharius Silber, 20 prill 1492, In foglio (Sot gjendet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, në signaturë: Inc. IV. 54 /inter. 19/);
  6. Oratio in die Omnium Sanctorum. Romë: Andreas Freitag, 1 nëntor. 1492, In Foglio (Sot gjendet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, në signaturë: Inc. IV. 51 /inter. 30/);
  7. Oratio habita in decima sessione. Romë: per R. P. D., 4 maj 1515, In foglio (Sot gjendet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, në signaturë: R. I. IV. 2107 /inter.27/).

Me 4 maj 1515, Stefan Teglati mori pjesë në hapjen e sesionit të dhjetë të Koncilit V të Lateranit. Meshën e fillimit të punimeve të Koncilit e mbajti kryeipeshkvi polak Jan Laski. Duke treguar respekt dhe nder të veçantë për Stefan Teglatin tashmë të plakur, Laski i jep atij fjalën. Predikimi i tij ishte nxjerrë nga psalmi i dyzet e tetë: “I madhërishëm është Zoti e tejet i lavdishëm,/ në qytetin e Hyjit tonë!/ mali i tij i shenjtë, kodrinë e bukur/” (përkthimi sipas Biblës, së përkthyer ngas Simon Filipaj, Ferizaj, 1994, f. 710, Psalmi 48). Predikimi i tij u shqua për mençuri, përmbajtje dhe ishte si një udhërrëfyes për vazhdimin e punimeve të mëtejshme të Koncilit të V të Lateranit, me theks të veçantë te domosdoshmërinë e zbatimit të reformës së përgjithshme kishtare, sidomos pas skizmës gale. Fjalia e fundit e predikimit të tij iu drejtua papa Aleksandrit VI: “Ti i cili ke fuqinë e të plotfuqishmit … me dekretin tënd të drejtë, reforma shpirtërore dhe shekullare e vërtetë duhet të shpërndahet gjithandej në tërë botën, për të nxjerrë shpatën e Zotit me dy tehe, forca e së cilës të është besuar dhe urdhëro, dhe komando që paqja e përgjithshme universale dhe bashkimi i përgjithshëm shoqëror të mbizotërojë në mes të krishterëve…” (Međutim, njegova optimistična asumpcija da bi papa mogao nametnuti mir hrišćanskim vladarima nije bila adekvatna za praktičan nastavak političkih planova.)

Është interesant se Stefan Teglati kishte njohje dhe bashkëpunonte edhe me ipeshkvë të tjetë që shërbenin në trojet shqiptare. Kështu p.sh. ai jo vetëm që e njihte Martin Segonin, ipeshkvin i Ulqinit, por edhe bashkëpunonte me të siç ishte rasti i martesës, përkatësisht i vënies së kurorës martesore të Marin Biçikemit me Katerina Dabre, ku Teglati ishte njëri nga dëshmitarët e kurorëzimit. Ai bashkëpunoi edhe me Engjëllorët e Drishtit dhe me fisnikë të tjerë shqiptarë, veçanërisht me ata të cilët jetonin ende në Venedik dhe rrethinat përreth.

Filed Under: Politike

Rusia: ringjallja e kundërshtarit të vjetër

February 11, 2022 by s p

Shkruan: Albulenë Halili/

Në analizën dhe rekomandimet e fundit zyrtare të NATO-s nën emrin NATO 2030: United for a New Era (NATO 2030: Të bashkuar për një epokë të re), thuhet se NATO duhet të vazhdojë qasjen me dy drejtime: të parandalimit dhe dialogut me Rusinë. 

“Aleanca duhet t’u përgjigjet kërcënimeve dhe veprimeve armiqësore ruse në një mënyrë politike të bashkuar, të vendosur dhe koherente, pa u rikthyer në “punët e zakonshme” që ndalojnë ndryshimet në sjelljen agresive të Rusisë dhe rikthimin e saj në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, NATO duhet mbetet e hapur për të diskutuar bashkëjetesën paqësore dhe për të reaguar pozitivisht ndaj ndryshimeve konstruktive në sjelljen dhe qëndrimin e Rusisë. NATO duhet të evoluojë përmbajtjen e strategjisë së saj të dyfishtë për të siguruar efektivitetin e saj të vazhdueshëm duke rritur kostot për agresionin rus dhe të zhvillojë një përgjigje më gjithëpërfshirëse ndaj formave hibride të agresionit rus, duke mbështetur në të njëjtën kohë shtrirjen e shtuar politike për të negociuar kontrollin e armëve dhe masat e zvogëlimit të rrezikut.” 

Dekadat e kaluara aleatët transatlantikë ia kishin lejuar vetes mendimin se Rusia mund të jetë një partner, madje se mund  të shndërrohet një ditë edhe në aleatin e tyre. Shumë gjeste të Rusisë e kishin zbehur këtë mendim naiv, por momenti kyç që ka shkërmoqur këtë ide përfundimisht ka qenë agresioni ushtarak në Ukrainë në vitin 2014. Rusia sot nga aleanca atlantike shihet si një rival. Megjithatë, “Kjo nuk është një Luftë e Ftohtë e re”, shkruan Bremer. “Rusisë i mungojnë aleatët ndërkombëtarë të Bashkimit Sovjetik, thirrja ideologjike dhe muskuli ushtarak.”

Koncepti rus mbi botën është tërësisht darvinian dhe hobsian, ndaj dhe politika e tyre e mbrojtjes dhe sigurisë në kohë paqeje nuk bën dallim nga koha e luftës. Që nga koha e fillimit të Luftës së Ftohtë, Stalini mendonte që ishte krejtësisht jashtë logjike që politika e jashtme ruse të mbështetej në vullnetin e mirë kolektiv ose në të drejtën ndërkombëtare. Zhvillimi i marrëdhënieve midis NATO-s e Rusisë filloi pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, kur Rusia u bë pjesë e forumit të dialogut të quajtur, Këshilli i Bashkëpunimit Veri-Atlantik në vitin 1991, i cili u trashëgua në vitin 1997 nga Këshilli i Partneritetit Euro-Atlantik. Përmes Programit të Partneritetit për Paqe, Rusia ka qenë një partner i Perëndimit në misionet e menaxhimit të konflikteve në Ballkan në vitet ‘90, ndërkaq në vitin 1997 janë vënë marrëdhëniet bilaterale midis tyre përmes Aktit Themelues NATO-Rusi. Nevoja për konsultim dhe bashkëpunim praktik në sferat e interesit të përbashkët bëri që në vitin 2002, NATO e Rusia të krijojnë Këshillin NATO-Rusi, moment i cili shënon pikun e marrëdhënieve e bashkëpunimit midis dy subjekteve tradicionalisht kundërshtare.    

Pas sulmit të 11 shtatorit, përpara botës dhe SHBA-ve si fuqia udhëheqëse e saj, shfaqej një kërcënim i ri, atipik, vështirë për t’u luftuar vetëm, siç ishte terrorizmi. Andaj jo vetëm që SHBA kishte zbarkuar dhe angazhohej aktivisht me të tëra resurset politike-ushtarake në Lindjen e Mesme, por edhe të gjithë aktorët botërorë që e perceptonin terrorizmin si kërcënim të sigurisë globale, i konsideronte bashkëpunëtorë të mundshëm. Përveç se me aleatët e vetë brenda strukturës së sigurisë së Paktit të Atlantikut të Veriut, këtë qasje e mbante edhe me kundërshtaren e saj tradicionale, Rusinë, duke pranuar interesat dhe ndikimin e saj në këtë rajon të turbullt. Pa dyshim se Rusia mbetet e pranishme në rajonin e Lindjes së Mesme, por gatishmëria e saj për të intervenuar politikisht e ushtarakisht gjatë Luftës së Sirisë, ka eroduar besimin e Perënsimit se Rusia është një partner i besueshëm në luftën kundër terrorizmit. 

Invazioni rus mbi Gjeorgjinë në vitin 2008 bëri që momenti unipolar që kishte pasuar rendin bipolar të Luftës së Ftohtë, të sfidohet seriozisht duke bërë që të marrë fund miti i krijuar, se kërcënimi i luftës do të zhduket nga mjedisi strategjik pas-sovjetik. Politika e jashtme tradicionale ruse ishte ringjallur sërish në formën e doktrinës Medvedev. Kjo doktrinë përbëhej nga pesë parime themelore, edhe atë: “Rusia njeh përparësinë e parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare”, “Bota duhet të jetë multi-polare”, “Rusia nuk dëshiron konfrontim me ndonjë vend tjetër”, “Mbrojtja e jetës dhe dinjitetit të qytetarëve tanë, kudo që të jenë, është një përparësi e padiskutueshme për vendin tonë”, dhe “Siç është rasti i vendeve të tjera, ka rajone në të cilat Rusia ka interesa të privilegjuar”.

 Në vitin 2014, aneksimi i Krimesë nga ana e Rusisë ka bërë që themelet e fuqisë ushtarake njëpolare të SHBA-së dhe Perëndimit të vihen në seriozisht në pikëpyetje. Këmbëngulësia ruse për t’u vendosur në vendin që sipas saj i takon në rendin ndërkombëtar të pas Luftës së Ftohtë, përbën sfidën më të madhe për stabilitetin e Evropës dhe për strukturat aktuale të sigurisë perëndimore. NATO po përballet me një mjedis të sigurisë krejtësisht të ndryshëm, të imponuar nga Rusia. Kriza në Ukrainë ka shpalosur edhe një herë ambiciet tradicionale të Rusisë për influencë në Evropë. 

Sipas presidentit Putin, shembja e Bashkimit Sovjetik shënoi jo vetëm shpërbërjen e një sistemi politik, por tëhuajësimin e një qytetërimi. Andaj, duke marrë parasysh procesin e zgjerimit të NATO-s dhe bashkëpunimin e Perëndimit me shtetet ish-sovjetike, ai e konsideron Rusinë si qytetërim nën kërcënim. Duke u nisur nga këto premisa, Rusia ka krijuar lëvizjen politike Euroazianizmin, sipas së cilës qytetërimi rus nuk përket në Evropë ose në Azi por në konceptin gjeopolitik të Euroazisë. Koncepti gjeopolitik i Euroazisë, si një nga projektet më ambicioze të politikës së jashtme ruse i materializuar si Unioni euro-aziatik në janar të vitit 2015 nga Putini, është ideuar nga ideologu i ekspansionizmit rus me qëndrime të së djathtës ekstreme, apo eminenca gri – Aleksandër Dugin. Doktrina Putin përshkohet para së gjithash nga qëllimet dhe dëshira e tij për të imponuar dhe mbajtur një sferë ruse të influencës përtej kufijve të saj. Sfera e influencës kthehet kësisoj sërish si diskurs qendror në politikën e saj tradicionale të gjeopolitikës së përhershme. Botëkuptimi rus mbi sigurinë është koherent me pozitën e saj gjeostrategjike, si shteti me sipërfaqen më të madhe tokësore në botë, i rrethuar me kufij tokësorë në të katër anët e saj. Tendencat për krijimin e një tampon zone e cila e ndan atë nga kufiri i menjëhershëm i NATO-s është si rezultat i krahasimit që ajo bën me pozitën gjeostrategjike të SHBA-së, e cila në mënyrë natyrore e ka këtë privilegj, e ndodhur midis dy oqeaneve. Përderisa doktrina e re ushtarake ruse e konsideron zgjerimin e NATO-s si kërcënimin kryesor të sigurisë së saj, kjo ka bërë që Rusia, shtetet e saj fqinje, apo republikat ish-sovjetike, të vijojë t’i shohë si oborri i shtëpisë së saj. Këndvështrimi rus mbi shtetet e oborrit të vet janë pika vitale e sigurisë së saj, aty ku koncepti mbi sovranitetin dhe pavarësinë e shtetit bie ndesh me nevojën ruse për siguri. Pikërisht këtu qëndron dallimi midis dy botëkuptimeve, atij perëndimor e atij rus mbi sigurinë. Studiuesi britanik Keir Giles, shpjegon:

“Ekziston një konflikt i drejtpërdrejtë midis nocioneve tona që shtetet në periferi të Rusisë duhet të jenë sovrane, të pavarura dhe të afta të vendosin vetë të ardhmen, dhe nocionit rus, sipas të cilit për të siguruar sigurinë e vet, ajo duhet ta kontrollojë dhe zotërojë një thellësi të konsiderueshme përtej kufijve të saj, që do ta mbrojë nga përafrimet me të. Kjo është një zgjedhje binare.” 

Nga ana tjetër, eksperti rus i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe punëve të jashtme, Fjodor Lukianov, shpjegon se “ajo që e ka alarmuar Rusinë nuk është vetëm zgjerimi i NATO-s, por edhe transformimi i saj”. Ndryshimi i mjedisit të sigurisë globale implikon edhe ndryshimin e paradigmës të të bërit luftë. Në rastin e NATO-s, procesi i transformimit të organizatës është në funksion të ndërrimit të kësaj paradigme dhe përshtatjen e saj me këtë mjedis të ri. Por, organizatat perëndimore si NATO e Bashkimi Evropian, mbështeten në sisteme të rregullave, për dallim të fuqive pretendente për dominim global, si Rusia e Kina, botëkuptimi i të cilave për rendin ndërkombëtar është diametralisht i kundërt me atë perëndimor. 

Rusia, për dallim nga NATO shquhet për të bërit luftë në mënyrë jokonvencionale ose multidimensionale, apo ajo që nga Perëndimi emërtohet si lufta hibride. Por, mënyra ruse e të bërit luftë nuk përkon me konceptin perëndimor të luftës hibride, që përfshin një kombinim të luftës konvencionale dhe asaj bërthamore. Lufta e Brezit të Ri, si mënyrë ruse e të bërit luftë në shekullin XXI, vjen nga doktrina ushtarake ruse dhe Shefi i Gjeneralshtabit Valeri Gerasimov dhe është një amalgamë e fuqisë së fortë dhe asaj të butë, që përfshin veprime asimetrike të të gjitha domeneve. Lajtomotiv i kësaj lufte mbetet lufta informative, e cila sipas të menduarit rus, për dallim nga koncepti perëndimor, nuk kufizohet vetëm gjatë kohës sa zgjat lufta, por është një luftë e përhershme, për të mos thënë një modus vivendi e saj për të mbijetuar në mjedisin aktual të sigurisë globale sipas perceptimit të saj.

Kriza aktuale në Ukrainë, ka risjellë në ligjërimin e marrëdhënieve ndërkombëtare çështjet e diskutuara gjatë Luftës së Ftohtë. Anëtarësimi i mundshëm i Ukrainës në NATO përfaqëson për Rusinë vijën e kuqe dhe një nga kërcënimet më të mëdha të sigurisë së saj. Rikthimi i perandorisë sovjetike në Evropën Qendrore e Lindore mbetet për Rusinë një ëndërr, por parandalimi i zgjerimit të NATO-s në lindje dhe krijimi i një rendi të ri të sigurisë evropiane mbeten qëllime të saj, të cilat ajo do të përpiqet t’i arrijë me të gjitha mjetet e në mënyrë makiaveliste.   

Rusia paraqet sfidë serioze edhe për rendin perëndimor në Ballkan, për të cilin aleatët transatlantikë, sidomos Shtetet e Bashkuara, kanë bërë investime thelbësore. Që nga gjysma e dytë e shekullit XIX, kur zë fill politika e jashtme ruse më e re, Ballkani është pjesë e pandashme e interesave kombëtare ruse, madje përbën thelbin e politikës evropiane të Rusisë. Ballkani paraqet sferën tradicionale të interesit për Rusinë. Arsyeja kryesore për këtë është e natyrës gjeopolitike, meqenëse edhe vetë politika e jashtme ruse është e bazuar kryesisht në gjeopolitikë. 

Ndër arsyet e tjera radhiten prejardhja sllave dhe feja ortodokse e shumicës së popujve ballkanikë, politikë e cila daton që nga shekulli XIX dhe së fundmi arsyet ekonomike, të lidhura ngushtë me çështjet e infrastrukturës, kryesisht ujore pa përjashtuar ato tokësore. Kështu, influenca ruse është rritur dukshëm në dekadën e fundit me prezencën e saj në rajon në sektorët ekonomikë, politikë, energjetikë, ushtarakë dhe të tjerë. Ndër gjërat më të rëndësishme për prezencën dhe pretendimet ruse në Ballkan duhet pasur parasysh: aspektet energjetike, marrëdhëniet bilaterale të Rusisë me vendet e Ballkanit, influenca kulturore historikisht e pranishme te popujt sllavo-jugorë e ortodoksë dhe roli i Rusisë si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit. 

Rritja aktuale e interesimit të Rusisë për Ballkanin, për studiues të shumtë ka të bëjë me përfundimin e momentit uni-polar amerikan dhe nevojën e krijimit të një rendi ndërkombëtar pas-unipolar. Por, pa mëdyshje që prania ruse në Ballkan është një antipod i Perëndimit në përgjithësi. Pas përplasjeve në Ukrainë rreziku për përplasjen e radhës në Ballkan, qe një rrezik i denjë për t’u konsideruar seriozisht. Këtë e pati deklaruar që në vitin 2015, Sekretari i Shtetit i SHBA, John Kerry, se në sajë të lidhjeve historike me Rusinë, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Kosova ishin “në vijën e zjarrit”, ashtu si shtetet Baltike, Gjeorgjia, Moldavia dhe Transnistria. Ndonëse, pas kësaj deklarate paralajmëruese, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut u bënë dy anëtaret më të reja të NATO-s, prania ruse në Ballkan përbën akoma një nga sfidat më të mëdha për rendin perëndimor në gadishullin e vjetër evropian, dhe jo vetëm.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 244
  • 245
  • 246
  • 247
  • 248
  • …
  • 669
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT