Prof. Dr. Musa Ahmeti
Center for Albanian Studies – Budapest
Center for Albanian Studies – Budapest
Stefan Teglati, prelat i lartë kishtar, shkrimtar dhe orator i humanizmit, i respektuar dhe i nderuar në shumë rrethe intelektuale, filozofike dhe politike të shteteve të ndryshme ishtë një ndër të parët ideatorë të Europës së Bashkuar. Një gjë të tillë ia mundësuan njohjet me personalitet e shquara me ide të përparuara si në aspektin religjioz ashtu edhe në atë letrar si dhe lidhjet me qendrat më të zhvilluara evropiane të kohës. Këto ide pasqyrohen shumë qartë në veprat e tij, ku vihen re angazhimet e tij në sferat politike, religjioze dhe kulturore duke ndikuar shumë në krijimin e një mendimi të planifikuar të përgjithshëm në rrethet dhe personat që njihte.
Stefan Teglati (Stephanus Teglatius de Taleazis) ishte i njëzeteteti me radhë si kryeipeshkëv i Tivarit. Sipas burimeve arkivore kishte lindur në Venedik në vitin 1445, por të parët e tij ishin me origjinë nga Shqipëria. Pasi mbaroi studimet e larta për teologji, dhe para se të emërohej si kryeipeshkëv i Tivarit, Stefan Teglati shërbeu për një kohë si noter te zyra noteriale e Nikola Perotit, ipeshkëvit të Sipontit dhe si kancelar i kardinalit Besarion, ku përshkroi një numër të madh të dokumenteve origjinale që ruhen në Manastirin e Shën Nilos në Grotaferratë afër Romës, i cili administrohet nga arbëreshët e Italisë.
Në periudhën kohore gusht 1462 janar 1463, me rastin e regjistrimit të pasurisë dhe pronave të Manastirit, të cilin kardinali Besarion e merr në kujdesin e tij, Teglati përshkruan rreth 85 dokumente, pastaj përpilon inventarin e hollësishëm të sarkistisë dhe regjistrin e plotë të librave dhe dokumenteve që ruheshin aty. Me këtë rast, Stefan Teglati firmos në dokumente: “Ego Stephanus Thegliatius publicus apostolica et imperiali auctoritate notarius” (Unë, Stefan Teglati, noter publik me autoritet apostolik dhe perandorak).
Në vitin III të pontifikatit të tij, papa Sikstit IV (1471-1484) me 26 nëntor të vitit 1473 e emëroi kryeipeshkëv të Tivarit (Shih D. Farlatin dhe J. Coletin, në Illyricum Sacrum, vëll. VII, f. 96, të cilët në fakt e shënojnë gabimisht vitin e emërimit të tij – 1475). Ndërsa më 3 korrik të vitit 1475 siç shënohet në dokumentet origjinale në Arkivin Sekret të Vatikanit, fondi Obligationes et Soluciones, vëll. 81, f. 220r, Stefani pagoi taksën e detyrueshme për emërimin e tij si kryeipeshkëv në shumën prej 80 fjorintash, me një vonesë të konsiderueshme për shkak se kryeipeshkvia e tij ishte mjaft e varfër dhe e rrezikuar nga turqit.
Në kryeipeshkvinë e Tivarit shërbeu me ndërprerje në periudha të caktuara kohore. Në vitin 1477, 1479, 1481 ishte në Romë siç dëshmohet nga Rationes Camerae, vëll. 719, f. 17-18 dhe 168, të Arkivit Sekret të Vatikanit.
Gjatë qëndrimit të tij në Romë në vitin 1477, mori pjesë në shugurimin e ipeshkvit të kishës së Shën Mërisë së Transtibertinës, ndërsa në vitin 1479, ai ishte i pranishëm në shugurimin e disa ipeshkëve në kishën e Shën Marisë supra Minervam, kurse në vitin 1480 edhe në shugurimin e Leonard Wisbach-ut për “Soldanien” etj.
Papa Sixti IV e ftoi përsëri në Romë Stefanin, në vitin 1483 për të marrë mendimin e tij në lidhje me paqen me Venedikun, i cili kishte pushtuar Ferrarën. Më 30 dhjetor të vitit 1484, ai ishte përsëri në Romë, siç vërehet nga vëllimi me dorëshkrime i Breveve, të mjeshtrit të ceremonive Brochard Argentinit, vëll. VI, f. 9v ku gjejmë të shënuar: “Kryeipeshkvi i Tivarit, Stefan Teglati, mori pjesë në takimin e fshehtë konsistorial për kanonizimin , të cilin në vitin 1484 e drejtoi papa Inocenti VIII.” Papa Sxti IV, e emëron si ipeshkëv të Torcellos, në ishullin Buran afër Venedikut. Sipas burimeve arkivore dhe literaturës së njohur deri me sot, Stefani është kryeipeshkvi i parë që ka mbajtur titullin “totius serviae primas” (duke filluar nga viti 1475) në kryeipeshkvinë e Tivarit.
Gjatë kohës që drejtoi kryeipeshkvinë e Tivarit, Stefani kur gjente kohë të lirë nga obligimet e shumta kishtare, i përkushtohej me zell të madh studimit dhe leximit të librave të shenjtë. Duke qenë në situatë të vështirë financiare, por edhe i kërcënuar nga rreziku u turqve ai në fund të shërbimit të tij si kryeipeshkëv i Tivarit e bashkoi këtë kryeipeshkvi me kryeipeshkvinë e Patrasit. (Për këtë shih F. Ughellus, Italia Sacra, vëll, V).
Në vitin 1485 u transferua te kisha e kryeipeshkvisë së Torcelanit, duke mbajtur edhe titullin e kryeipeshkvit të Patracensis siç konfirmohet nga letra e tij e vitit 1490 (Shih Cornelium, vëll. I, Monumenta Ecclesia Torcelanensis, f. 20 si dhe F. Ughellus, Italia Sacra, vëll, V), kur shkruan për kryeipeshkvinë e Torcelanit dhe në të cilën thuhet: “Stefanus de Teglatius, kryeipeshkëv i Tivarit dhe i Patrës, u transferua te kisha e Torcelanit në vitin 1485 me 5 shtator.” Ndërsa në dorëshkrimet e D. Farlatit dhe J. Coletit të cilat ruhen në Museo Correr në Venedik shkruhet: “ka abdikuar nga kryeipeshkvia e Tivarit sepse gjatë shërbimit të tij si kryeipeshkëv i Tivarit, më shumë qëndronte në Venedik sesa në Tivar.” Vdiq në Venedik më 1 korrik të vitit 1515.
Stefani ishte burrë i ditur dhe elokuent. Këtë e dëshmoi në studimin e shkrimit të Shenjtë dhe pjesë nga këto studime na kanë arritur deri më sot. Në vitet 1475 dhe 1478, Stefan Teglati shkroi në latinisht “Commentarios in Cantica Canticorum“ (Komentarë për Këngën e Këngëve) e cila përbëhet nga njëzet himne dhe tetë kapituj. Qëllimi i i këtij komentuari të “Këngës së Këngëve” ishte të paraqiste Krishtin Shpëtimtar se si bisedonte me të dashurën e tij, Kishën. Kjo punë e vërtetë e mendjes së tij vërehet edhe në interpretimin e shkrimeve. Këto komentarë ruhen edhe sot në BAV (kodiku 1049 dhe në Belunesi Coenobii PP. Servorum Mariae) dhe janë redaktuar nga Georgius de Costa ipeshkëv i Ulyssiponensi (26 nëntor 1464 – 29 qershor 1500.
Inkunabula që na intereson ne, është shkruar nga Stefan Teglati në vitin 1481 dhe mban titullin: “Stephani archiepiscopi Antibarensis sermo habitus in materia fidei contra Turcorum persecutionem ex solemnitate gloriosi apostoli et evangeliste Johannis.” (Predikim i Stefanit, kryeipeshkvit të Tivarit, i mbajtur në çështjet e besimit kundër persekutimeve të turqve, me solemnitet për nder të apostullit dhe ungjilltarit Gjon). Shënimin e mësipërm e gjejmë për këtë inkunabulë edhe te Fabricius në Bibliotheca Mediolanensi & infim. Latin., në librin e tetëmbëdhjetë të Bibliotekës së tij. Në këtë kodik pergameni me dorëshkrime origjinale gjejmë këtë shënim: “ky predikim u mbajt në Romë në kishën e Shën Gjon Lateranit nga shkëlqesia e tij at Stefan Teglatius, në vitin 1481.”
Duke u ndalur te misioni i kishës si “Qytet i Zotit” Stefani në mënyrë të përgjithshme përshkroi pushtimet turke, rrezikshmërinë e tyre dhe pothuajse me të njëjtat fjalë si edhe më parë iu ishte drejtuar papës dhe të pranishmëve të tjerë në Bazilikën e Lateranit dhe u foli edhe pjesëmarrësve të Koncilit të V të Lateranit ku citoi fjalë nga Bibla si “Kush i trembet Zotit, bën mirë” etj. Në predikimin e tij në kishën e Lateranit në vitin 1481, Stefani foli me një gjuhë shumë të zhdërvjellët jo vetëm për çështje teologjike, por edhe për ato politike që shqetësonin të gjithë perëndimin e asaj kohe. Predikimi i tij në atë kohë i bëri thirrje jo vetëm mendjes së të pranishmëve, por në të njëjtën kohë kërkoi të zgjoje edhe emocione të forta, duke vënë theksin te egërsia e turqve. Ai tregoi për mjerimin e qytetit të Konstantinopojës, dhe të popujve të Trapezuntit dhe të atyre rreth detit të Egje, ku përmendi pushtimin e selanikasve, të popullit të Mitilenit, dhe Peloponezit duke theksuar edhe shkretimin e provincave të Azisë dhe të Evropës. Qytetet dhe kështjellat e Thesalisë, Maqedonisë, Epirit dhe të Ilirisë janë me rëndësi të veçantë për ne tha Stefan Teglati. Ai edhe atëherë, por edhe tani në Koncil, e quajti turp për të gjithë të pranishmit gjithë këtë situatë, ku dhunohen virgjëreshat, prisheshin martesat, shiteshin si robër burra, gra, vajza dhe fëmijë, por kishte edhe raste kur vriteshin të gjithë siç ishte rasti me qytetarët e Drishtit etj. Ai u bëri thirrje atyre të hapnin sytë e të shihnin mjerimin e nënave dhe të fëmijëve, si dhe zhdukjen e relikeve të shenjta në Kalçedoni, në Eube, në Krujë, Drisht, Lezhë dhe Shkodër, vende këto të shkretuara nga turqit në një kohë të shkurtër duke mbetur të shkatërruara dhe pa banorë.
Sipas shënimit të njërit prej të pranishmëve Jakob Geradit prej Volterës, predikimi u prit shumë mirë dhe Teglati mori shumë lavdërime, ndërsa autori i këtij shënimi për kryeipeshkvin e Tivarit shkruan “vir maioris elegantie quam doctrianei” (Burrë me elegancë dhe dituri të madhe). Duke pasur parasysh se ky predikim i Stefan Teglatit u mbajt menjëherë pasi turqit kishin bërë masakrën e Otrantos në vitin 1481, kuptohet që përshtypjet dhe interesimi për të ishte shumë i madh. Ai bëri edhe shumë përshtypje për paraqitjen e argumenteve të forta logjike me një gjuhë të rrjedhshme dhe lehtë të kuptueshme për të gjithë të pranishmit, ndër të cilët ishin edhe vetë papa, si dhe disa kardinalë, kryeipeshkëvë dhe ipeshkëv të Romës si dhe shumë personalitete të nderuara të kohës.
Ndërsa vepra tjetër e S. Teglatit po nga viti 1481 Opusculum de futura tribulatione hoc tempore finiente (botuar në Romë nga shtëpia botuese e Iohannis, në vitin 1481, në format In foglio dhe sot gjendet në Bibliotekën Ambroziana të Milanos, në signaturën Stamp. Ross.1213 /inter. 2/) i kushtohet Giovanni Arcimboldi-t, i cili në vitin 1473 ishte zgjedhur kardinal në Kurinë Papnore dhe ishte edhe kryeipeshkëv i Milanos.
Stefan Teglati (Stephanus Teglatius) arriti një popullaritet të madh në Romë që në fillim të viteve ’80 të shekullit XV, veçanërisht në rrethet kishtare, ku dallohej për predikimet e tij të zjarrta dhe shumë të ashpra kundër pushtuesve turq. Në një rast, gjatë një predikimi më 27 dhjetor të vitit 1480 ai i rikujtoi papa Sikstit IV (i cili rregullisht merrte pjesë në predikimet e Stefanit), rrezikun e madh vdekjeprurës që vinte nga turqit. Gjatë tri dekadave në vijim, ai mbajti rreth dyzet e gjashtë predikime, ku përveç papës, ishin të pranishëm edhe kardinalët dhe gjithë kleri i lartë që shërbente në Romë ose ndodhej aty, por, njëkohësisht të pranishëm ishin edhe shumë emra të njohur të kulturës, artit, shkencës dhe politikës që jetonin dhe punonin në Romë ose në qytetet përreth. Përveç predikimeve dhe kundërvënies së hapur të pushtimeve turke, veçanërisht atyre në viset e Ballkanit të cilat ai i njihte për mrekulli, në shumë raste kreu edhe detyrën e diplomatit në misione shumë të rëndësishme qofshin publike, qofshin sekrete të cilat ia besoi papa Sikstit IV. Gjatë pontifikimit të papës Aleksandrit VI (1492-1503), u emërua si kapelan papnor. Për vetë faktin se ishte shumë mirë i informuar për depërtimet dhe sulmet turke, nga të cilat qytetet shqiptare kishin pësuar shpesh dëme të pallogaritshme, dhe ai i kishte përjetuar vetë ato si në Tivar, Shkodër, Drisht, Durrës etj, predikimet e tij që më vonë u botuan edhe si inkunabula edhe sot e kësaj dite ruajnë një vlerë të madhe, si për nga ana përmbajtësore-faktografike-dokumentare ashtu edhe për nga idetë dhe mendimet filozofiko-letrare.
Me rastin e pushtimit të qyteteve shqiptare si Shkodra e Drishti nga turqit, qytetarët e këtyre qytete vërshuan drejt Venedikut dhe qyteteve të tjera italiane, kurse pushtimi i Otrantos paraqiste rrezik serioz për vetë Italinë, Stephanus Teglatius mbeti njëri prej luftëtarëve më të fortë të partikularizmit, diferencave fetare dhe politike duke qenë ithtarë të fortë të idesë së bashkimit të princave të krishterëve dhe tërë besimtarëve të tjetë (në këtë rast edhe vetë klerit) në luftë kundër turqve.
Në katedralen e Shën Pjetrit në Romë, Stefan Teglati mbajti predikimin e njohur “Oratio coram Innocentio VIII pro die Pentecostes habita” (Predikim në prani të papës Inocenti VIII i mbajtur në ditën e Rrëshajave) në vitin 1487, i cili u botua menjëherë si inkunabulë dhe arriti sukses të jashtëzakonshëm me të. Ndërsa në vitin 1492, predikimi i tij me titull: “Oratio de passione Domini” (Predikim për pasionin e Zotit) u vlerësua shumë lart nga papa. Në këto predikime, Teglati nga njëra anë sulmoi ashpër mossukseset dhe humbjet e princërve të krishterë, kurse nga ana tjetër, me mjaft mjeshtri mbante lart moralin e të krishterëve duke sjellë shembuj konkretë nga e kaluara e largët, por njëherësh edhe nga kohët të cilët ai vetë i kishte përjetuar, siç ishte rasti i Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Në njërin prej predikimeve më brilante të tij dhe njëherësh në thirrjen e përgjithshme të drejtuar botës së krishterë në përgjithësi dhe papës Aleksandrit VI në veçanti, më 1 nëntor 1492 (edhe ky predikim është botuar dhe ka ardhur deri në ditët e sotme) ai pësoi një zhgënjim, sepse kishte pritur shumë më shumë nga të gjithë, e posaçërisht nga vetë papa Aleksandri VI.
Ne sot njohim shtatë vepra të Stefan Teglatit (Stephanus Teglatius de Taleazis), gjashtë nga të cilat janë incunabula dhe pesë nga ato ruhen në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit në Vatikan, ndërsa një ruhet në Bibliotekën Ambroziane të Milanos dhe një vepër antikuar-rare (të rrallë) që ruhet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit në Vatikan. Të gjitha veprat (inkunabulat dhe antiquaret e rralla) janë shtypura në Romë, nga pesë botues të ndryshëm dhe të gjitha janë në formatin “In foglio” (format ky pak më i madh se A3).
Në vazhdim sjellim titujt e saktë të të gjitha veprave, vitin e botimit, botuesin dhe vendndodhjen e çdonjërës, për t’u lehtësuar punë studiuesve dhe historianëve që dëshirojnë të merren me këto vepra:
- Sermo de materia fidei contra Turcorum persecutionem. Romë: Stephan Plannck, 27 dhjetor 1480, In foglio (Sot gjendet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, me signaturë: Inc. IV. 371 /inter. 14/);
- Opusculum de futura tribulatione hoc tempore finiente. Romë: Per Iohannis, 1481, In foglio (Sot gjendet në Bibliotekën Ambroziana të Milanos, me signaturën: Stamp. Ross.1213 /inter. 2/);
- Stephani archiepiscopi Antibarensis sermo habitus in materia fidei contra Turcorum persecutionem ex solennitate gloriosi apostoli et evangeliste Johannis. Romë: Per Johannis, 1481, In foglio (Sot ruhet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, në signaturë: Incun. IV. 543 /inter. 7)/;
- Oratio coram Innocentio VIII pro die Pentecostes habita. Rome: Stephan Plannck, 3 qershor 1487, In foglio (Sot gjendet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, në signaturë: R. I. IV.1734 /inter. 22/);
- Oratio de passione Domini. Romë: Eucharius Silber, 20 prill 1492, In foglio (Sot gjendet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, në signaturë: Inc. IV. 54 /inter. 19/);
- Oratio in die Omnium Sanctorum. Romë: Andreas Freitag, 1 nëntor. 1492, In Foglio (Sot gjendet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, në signaturë: Inc. IV. 51 /inter. 30/);
- Oratio habita in decima sessione. Romë: per R. P. D., 4 maj 1515, In foglio (Sot gjendet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, në signaturë: R. I. IV. 2107 /inter.27/).
Me 4 maj 1515, Stefan Teglati mori pjesë në hapjen e sesionit të dhjetë të Koncilit V të Lateranit. Meshën e fillimit të punimeve të Koncilit e mbajti kryeipeshkvi polak Jan Laski. Duke treguar respekt dhe nder të veçantë për Stefan Teglatin tashmë të plakur, Laski i jep atij fjalën. Predikimi i tij ishte nxjerrë nga psalmi i dyzet e tetë: “I madhërishëm është Zoti e tejet i lavdishëm,/ në qytetin e Hyjit tonë!/ mali i tij i shenjtë, kodrinë e bukur/” (përkthimi sipas Biblës, së përkthyer ngas Simon Filipaj, Ferizaj, 1994, f. 710, Psalmi 48). Predikimi i tij u shqua për mençuri, përmbajtje dhe ishte si një udhërrëfyes për vazhdimin e punimeve të mëtejshme të Koncilit të V të Lateranit, me theks të veçantë te domosdoshmërinë e zbatimit të reformës së përgjithshme kishtare, sidomos pas skizmës gale. Fjalia e fundit e predikimit të tij iu drejtua papa Aleksandrit VI: “Ti i cili ke fuqinë e të plotfuqishmit … me dekretin tënd të drejtë, reforma shpirtërore dhe shekullare e vërtetë duhet të shpërndahet gjithandej në tërë botën, për të nxjerrë shpatën e Zotit me dy tehe, forca e së cilës të është besuar dhe urdhëro, dhe komando që paqja e përgjithshme universale dhe bashkimi i përgjithshëm shoqëror të mbizotërojë në mes të krishterëve…” (Međutim, njegova optimistična asumpcija da bi papa mogao nametnuti mir hrišćanskim vladarima nije bila adekvatna za praktičan nastavak političkih planova.)
Është interesant se Stefan Teglati kishte njohje dhe bashkëpunonte edhe me ipeshkvë të tjetë që shërbenin në trojet shqiptare. Kështu p.sh. ai jo vetëm që e njihte Martin Segonin, ipeshkvin i Ulqinit, por edhe bashkëpunonte me të siç ishte rasti i martesës, përkatësisht i vënies së kurorës martesore të Marin Biçikemit me Katerina Dabre, ku Teglati ishte njëri nga dëshmitarët e kurorëzimit. Ai bashkëpunoi edhe me Engjëllorët e Drishtit dhe me fisnikë të tjerë shqiptarë, veçanërisht me ata të cilët jetonin ende në Venedik dhe rrethinat përreth.