• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

E ardhmja e Kosovës është në NATO dhe në Bashkimin Evropian

February 10, 2022 by s p

PRISHTINË, 10 Shkurt 2022-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ I dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, ka mbërritur në Kosovë. Nga takimet në Prishtinë Presidenca dhe Qeveria e Republikës së Kosovës dërguan komunikatat:

Presidentja Osmani priti në takim të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, të cilin e ka përgëzuar për detyrën dhe për rolin aktiv të shtetit të tij në rajonin e Ballkanit.

Në takim me z.Peach, Presidentja Osmani tha se Mbretëria e Bashkuar është ndër aleatët kryesor, me rol kyç në procesin e çlirimit, pavarësimit dhe shtetndërtimit të Kosovës. Sipas saj, sa më i madh roli i këtij shteti në proceset e rëndësishme të rajonit tonë, aq më të mëdha e më të dobishme do të jenë rezultatet për qytetarët e Kosovës.

Presidentja Osmani, ka përgëzuar edhe Ambasadën Britanike në Kosovë, e cila sipas saj po bën punë të çmuar në mbështetjen e projekteve, duke përfshirë sundimin e ligjit dhe viktimat e dhunës seksuale.

Duke folur për zhvillimet aktuale politike, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova është e përkushtuar ndaj dialogut, si proces i përqendruar në njohje reciproke.

Sipas Presidentes Osmani, dialogu duhet t`i trajtoj palët në mënyrë të barabartë. Ajo ka përsëritur qëndrimin se pala kosovare është konstruktive në dialog dhe se Serbia po shkakton obstruksione duke mos i zbatuar marrëveshjet e nënshkruara. Në këtë kontekst, ka përmendur edhe ndikimin negativ të Rusisë në rajon si një tendencë e hapur për destabilizimin e rajonit.

Presidentja Osmani në takim me emisarin Peach ka theksuar se shteti i Kosovës është i përkushtuar për ta rritur bashkëpunimin me Britaninë e Madhe, sidomos në çështjet ekonomike dhe ato të mbrojtjes.

Filed Under: Politike

Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe me mbi 100 mijë fjalë

February 10, 2022 by s p

Shkruan: Eneida Jaçaj

Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe me mbi 100 mijë fjalë, pasurohet me gegërishten dhe njësi frazeologjike, krijohet kartoteka dixhitale 

Ngrihen 11 grupe pune për fjalorin normativ, futen edhe huazimet e përligjura

Zhvillimeve dinamike dhe të vrullshme të shekullit të XXI, që kanë prekur të gjithë spektrin e fushave jetësore, nuk mund të mos u shpëtonte as gjuha e folur apo e shkruar. Gjuha shqipe ka qenë nën trysninë e zhvillimeve të reja dhe, si pasojë, sistemi leksikor i saj është pasuruar ndjeshëm.  Ashtu siç është paralajmëruar, Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka nisur projektin për hartimin e Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe, i cili është parashikuar të përfundojë në fund të vitit 2023, dhe do të publikohet në vitin 2024. Pas fjalorit të parë latinisht-shqip të Frang Bardhit të vitit 1635, i pasuar nga disa fjalorë të tjerë, njëgjuhësh apo dygjuhësh, shpjegues apo tematikë, për herë të parë, gjuha shqipe do të ketë një vepër madhore, ku do të përfshihen rreth 100.000 njësi leksikore (90.000 fjalë dhe 10-12.000 njësi frazeologjike). Fjalori   të jetë një vepër normative dhe informuese, pasi në të do të përfshihet e gjithë pasuria leksikore, ku për herë të parë do të futen fjalë edhe nga dialekti gegë, shprehje frazeologjike; vepra do të ketë dyfishin e pasurisë leksikore të fjalorit shpjegues të shqipes. Në krye të punës përgatitore për veprën e madhe gjuhësore qëndrojnë dy profesorë të nderuar: Valter Memishaj dhe Jani Thomai. Janë ngritur 11 grupe pune që po bashkëpunojnë për të konkretizuar veprën e madhe të gjuhës shqipe; po punojnë specialistë të shqipes nga Shqipëria, nga Kosova e Maqedonia e Veriut, nga Presheva, nga Universiteti i Kozencës, i Palermos, i Munihut, i Selanikut, gjithashtu edhe gjuhëtarë shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, puna për fjalorin ka marrë karakter më të gjerë, jashtë kufijve të Shqipërisë.

Pasuria leksikore dhe gegërishtja 

Ashtu siç e theksova edhe më sipër, në fjalor do të përfshihet pasuria leksikore e frazeologjike nga gegërishtja, toskërishtja, nga të folmet arbëreshe, arvanitase e nga të folmet e ngulimeve shqiptare në vende të tjera në Evropë dhe më gjerë. Gjithashtu do të futen kuptime, njësi frazeologjike, që janë mbledhur në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi. Sipas specialistëve mendohet se nga dialektet dhe të folmet krahinore në fjalor do të zërë

vend një pasuri me rreth 10-12.000 fjalë. Pra, i jepet përparësi dialekteve, por pa hequr dorë nga leksiku i shqipes standarde. Ajo që vlen për t’u theksuar është se futen për herë të parë fjalë nga gegërishtja, duke pasur parasysh se Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në 1972 është  shoqëruar me reagime, edhe pas viteve ’90, sa i takon përjashtimit të përdorimit të dialektit të veriut në letërsi, fjalor dhe drejtshkrim. Pra, gjuha letrare kombëtare shihej si “mbidialektore”, ku si bazë e gjuhës letrare ishte marrë toskërishtja. Kjo thuhej edhe në veprën e Xhenet Bajron (1976): “Toskërishtja ka qenë bërthama fillestare e shqipes standard”. Asokohe pati reagime nga klerikët e Shkodrës, pasi  me gegërishten, ishte shkruar gjysma e letërsisë shqipe e që vazhdonte të shkruhej në diasporë nga kollozë të kulturës shqiptare, si Martin Camaj, etj. Fjalori i Madh i Shqipes do të ketë fjalë të përzgjedhura nga të dyja dialektet, por duke mos u shkëputur nga bazat e shqipes standarde. 

 Kartoteka dixhitale 

Si do të procedohet për përzgjedhjen e fjalëve dhe shprehjeve frazeologjike?

Grupi i punës po punon për ngritjen e një kartoteke (data base-i ad hoc), që do të

shkojë deri te 150.000-160.000 fjalë e njësi frazeologjike. Prej tyre do të bëhet përzgjedhja e

njësive që do të zënë vend në fjalor rreth 90.000 fjalë e rreth 10-12.000 njësi

frazeologjike. Përzgjedhja leksikore dhe frazeologjike do të bëhet edhe duke u ndalur te veprat e Gj. Fishtës, e M. Camaj, e E. Koliqit, e F. Arapit, e I. Kadaresë, e D. Agollit, e B.

Xhaferit, e P. Arbnorit, e A. Podrimjes, e A. Shkrelit, e D. Mehmetit, e R. Qosjes, e A. Demaçit,

e M. Isakut. Ndërsa nga letërsia artistike do të zërë vend në fjalor një pasuri me rreth 15.000 fjalë të reja.

Termat profesionale

Zhvillimet dinamike në të gjitha fushat kanë shtuar ndjeshëm edhe numrin e termave. 

Janë përcaktuar 26 fusha të dijes, të shkencës, të teknikës, të artit, medies, gazetarisë etj., nga të cilat do të meren fjalët terminologjike. Sipas specialistëve, do të përdoren dhjetëra fjalorë terminologjikë, tekstet shkollore (parauniversitare e universitare), botimet shkencore të studiuesve, revista shkencore etj. Parashikohet që numri i termave të rinj do të jetë rreth 10.000 njësi, duke e ruajtur natyrën e fjalorit si një fjalor i përgjithshëm e duke mos e kthyer atë në fjalor të mirëfilltë terminologjik.

Huazimet

Zhvillimi i teknologjisë si përdorimi i rrjeteve sociale dhe televizioni, kanë bërë që shumë fjalë të huaja të panevojshme të zëvendësojnë fjalë të shqipes. Të rinjtë e sotëm, në mënyrë të pavetëdijshme, përdorin fjalë të huaja pasi qëndrojnë gjithë kohën e tyre para televizorit dhe i-phonëve, duke lundruar në botën informatike. Gjithashtu, shumë figura mediatike përdorin fjalë të huaja, për snobizëm linguistik, por kjo përdhos gjuhën shqipe, gjuhën më të lashtë pellazge. Pra, fjalë që shumë mirë mund të përdoren në shqip, nuk ka kuptim që të zëvendësohen padrejtësisht me fjalë të huaja. Kërkohet një ndërgjegjje kombëtare dhe ndërkombëtare, nga shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë, që të ndërmarrin nisma dhe veprime me fëmijët për të mos harruar shqipen. Por, duhet theksuar, se ka disa fjalë ndërkombëtare që duhen huazuar, që nuk mund të shqipërohen, të cilat do të quhen huazime të përligjura, do të përfshihen në fjalorin e ri të shqipes.  Mendohet se numri i huazimeve mund të shkojë edhe te 2-3.000

njësi të reja. Vepra e madhe e gjuhës shqipe do të publikohet në 2024, dhe shpresojmë që grupi i punës të bëjë një punë sa më të vyer dhe të suksesshme. Rroftë Gjuha Shqipe!

Filed Under: Politike

Skavica, një test lirie

February 9, 2022 by s p

Marjana Bulku/

Të mësuar historikisht nën thundrën e pushtimit ne si popull nënshtrohemi lehtësisht. Herë prej të fortit,herë prej të huajit, herë prej diktatorësh a udhëheqësish të vështirë jo pak herë ndodh që të pushtohesh edhe prej fatit të lig por mos ndodhtë kurrë që të pushtohesh nga e keqja .Pushtimi vjen në forma të ndryshme, njësoj si vargonjtë që të robërojnë shpirtin , ëndrrat dhe dëshirat derisa të burgosin në paliri .A ka robërim më të madh sesa të jesh spektator i tjetêrsimit të territoreve të tua?!Ajo që po ndodh sot me Hidrocentralin më të përfolur në vend Skavicën është testi i fundit i lirisë jo vetëm të dibranëve por më gjerë , sepse ky fat i pret të tërë banorët që nuk bëhen Zot i trojeve të tyre .Dhunimi i trojeve sot mbase nuk vjen me luftra dhe pushtime , por me “ investime” e projekte që nuk diskutohen me zotrit e tokave.Ata shpërfillen e injorohen në rastin më të keq Dhe ky nuk është veçse një shpronësim “ modern “ i fshatarit nga toka, i qytetarit nga lagja, rruga, qyteti ky është pushtim i ri territorial dhe fundi i lirisë.Zbrazja territoriale ka filluar që kur ikjet masive imponuan ikje dhe jo shpresë .Liria për të ikur ia mbylli portat lirisë për të trashëguar pronat që të parët na lanë trashëgim . Qofshin ata edhe varre, gjurmë të harruara apo rrëfenja të pashkruara ato janë thesari i vetëm që mban vulë fisesh, krahinash autentike që po tentohen të mbyten nga investime ujore. Zoti i ka falë lumin më të gjatë në Shqipëri Dibrës , lumin Drin që po tja tjetêrsosh rrjedhën do të fundosësh në llumin e pa arsyjes historinë tonë .Ky test i fundit i lirisë që mban peng pushtetarë e vendimmarrës, tregtarë interesash dhe pazaresh nuk duhet të jetë varri masiv iLirisë së qytetarëve që ikin , heshtin, heshtin ikin.Ka një të drejtë që êshtë thelbësore qysh në antikitet ku e drejta lindi edhe nuk u zgjidh dot kurrë ; prona , ajo çka zoti ia fali njeriut dhe i tha ; është e jotja, mos e prek ! E kur dikush kêrkon ta prekë , tjetërsojë , dhunojë , reagimi duhet të jetë i pashmangshëm. Instrumentat reagues ekzistojnë ; ato janë shqisat, arsyeja dhe zëri, ato janë të zgjedhurit, zgjedhësit dhe komunikimi, ato janë debati, shkrimi, vota.Kohët e fundit qarkullon edhe një instrument tjetër mjaft i detajuar specifikisht , një peticion kundër ndërtimit të HEC Skavicës hartuar nga Profesoreshë Ferzileta Gjika dhe stafi, i cili është një bashkim zërash të arsyjes për ti thënë jo këtij deformimi territorial që mbyt Dibrën dhe historinë tonë.Ky test lirie vë në provë liritë tona të mendimit dhe dashurisë për vendin tonë.A e duam historinë tonë?!A e duam natyrë florfauna plot?A duam t’ua trashëgojmë fëmijëve çka na lanë trashëgim të parët?!A duam të na dëgjohet zêri dhe e drejta?!A duam që rrugës së Arbrit tja ndjejmë frytet duke u kthyer në shtëpitë tona?!A duam të ndjehemi të lirë në trojet tona apo ti braktisim forcërisht ato .Skavica është testi jonë i lirisë .Mos e humbim!

Filed Under: Politike

Ndikimi i Ligës Qytetare shqiptaro-amerikane dhe DioGuardit te politika amerikane për çështjes së Kosovës

February 8, 2022 by s p

Jusuf Buxhovi/

Faton Bislimi: “Te Quest for Albanian Fredoom and the Ende of Jugoslavia Hon. DioGuardi and the Albanian American Civil Legue 1985-1993”, botoi Albanian American Fondation, New York 2021. Roli i Ligës Qytetare shqiptaro-amerikane te politika amerikane për ngritjen e çështjes së Kosovës nga rrënimi i autonomisë së saj dhunshëm nga Serbia më 23 mars 1989 e deri te te internacionalizimi i saj në nivel botëror që për pasojë do të ketë edhe ndërhyrjen ushtarake të NATO-s nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999, me ç’rast Kosovas, sipas rezolutës 1244 të KS të OKB futet nën protektoratin ndërkombëtar si një fazë kalimtare që do t’i paraprijë pavarësisë së shpallur më 17 mars 2008, është i një rëndësie thuajse historike. Ky vlerësim ka të bëjë me lobimin shqiptar në nivelet më të larta të politikës amerikane nga kongresi, senati, ku do të përfshihen senatorë, kongresmenë me ndikim dhe personalitet të tjera të rëndësishme të politikës amerikane. Ç’është e vërteta puna e lobimit të Ligës Qytetare Shqiptaro-amerikane do të fillojë edhe më herët, sapo të shpërthejnë demonstratat e marsit të vitit 1981 me kërkesën për republikën Kosovës, që nga politika e atëhershme jugosllave u karakterizua si “kërkesë armiqësore” me prapavijë kundërrevolucionare për ç’gjë, nga dy kryesitë e vendit (ajo e shtetit dhe e partisë) edhe u aprovua platforma politike për Kosovën, që i hapi rrugën diferencimit shumëvjeçar, si një proces që çoi te privimi i popullatës së Kosovës nga të drejtat kushtetuese si dhe diskriminimi i saj mbi baza nacionale në përputhje me planet hegjemoniste të Beogradit që Kosova të rikthehej nën tutelën e siç ishte në kohën e Rankoviqit, pra të humbte pozitën e elementit konstituiv të federatës jugosllave që ia garantonte kushtetuta e vitit 1974. Diskriminimi kushtetues i shqiptarëve si dhe dënimet drakonike që pasuan për vite u përcollën me reagime nga Liga Shqiptaro-Amerikane në planin e brendshëm, pra të lobimit te politika amerikane (senatorët dhe kongresmenët), që t’i kundërvihet kësaj fushate, po edhe të merren parasysh kërkesat e shqiptarëve për avancimin e pozitës së tyre kushtetuese në federatë, si dhe ngritjen e saj si çështje të pazgjidhur në planin e ndërkombëtar. Në këtë drejtim vihet me të drejtë në spikamë roli i ish kongresmenit amerikan me prejardhje arbëreshe, Joe DioGuardi, i cili udhëhoqi Ligën Qytetare Shqiptaro-amerikane nga vitet 1985-1993. Gjatë kësaj kohe, në Kongresin amerikan u sollën disa rezoluta, me të cilat u kërkua rikthimi i pozitës kushtetuese të Kosovës në përputhje me atë të vitit 1974 si dhe ndalja e represionit ndaj popullatës shqiptare, që pas vitit 1990 e këndej, gjithnjë e më shumë po merrte përmasat e një aparthejdi të hapur. DioGuardi dhe lobi shqiptaro-amerikan, i dhanë ndihmë të madhe edhe lëvizjes kombëtare për liri, demokraci dhe pavarësi nga themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës më 23 dhjetor 1989 dhe në vazhdimësi, duke përkrahur atë dhe konceptin e saj të rezistencës aktive institucione (me shtetin paralel) deri te rezistenca e armatosur.Në këtë libër, me fakte, argumentohet puna e madhe e Ligës Qytetare Shqiptare-amerikane nën drejtimin e Joe Dioguardit, me ç’rast sillen thuajse të gjitha dokumentet meritore që iu drejtuan senatit dhe kongresit amerikan, pastaj kongresmenëve dhe senatorëve të rëndësishëm që dhanë ndihmesë të madhe e të vazhdueshme që çështja e Kosovës të kthehet në prioritet të politikës amerikane nga ai juridik e deri te politik.Në tersi, ky libër, si i tillë, sjell informacion autentik nga veprimtaria e Ligës Shqiptaro-amerikane në dobi të çështjes së Kosovës nga shfaqja e saj në vitet e tetëdhjeta e deri te faza dinamike e angazhimit amerikan për të, angazhim ky që ia hapi dyert ndërhyrjes ushtarake, protektoratit, dhe së fundi, edhe shpalljes së pavarësisë së saj. Libri, i tillë, megjithatë, krahas faktimit të një angazhimi konkret në rrethanat e caktuara, sjell edhe mesazhe të qarta rreth domosdosë që lobi shqiptaro-amerikan të aktivizohet edhe në rrethanat e tanishme në mënyrë që politika amerikane të vazhdojë mbështetjen për konsolidimin e mëtutjeshëm të shtetit të Kosovës, veçmas në raport me sfidat e mëdha me Serbinë, e cila po mundohet që me lobimet e shumta në Kongres dhe Senat, shtetësia e Kosovës të pengohet që të fitojë edhe legjitimitetin e plotë ndërkombëtar përmes njohjeve dhe pranimit në OKB.

Filed Under: Politike

PARALAJMËRIMI IM NJË VIT MË PARË, FATKEQËSISHT, U VËRTETUA!

February 7, 2022 by s p

Aktivizohet lobimi serb në Washington

Nga Frank Shkreli*
See the source image

Gjatë disa viteve jam munduar të paralajmëroj diasporën në Amerikë dhe dy shtete shqiptare për situatën në të cilin gjëndet sot, si komuniteti shqiptaro-amerikan ashtu edhe dy shtetet shqiptare — Shqipëria dhe Kosova — përsa i përket lobimit në Washington, në mbështetje të interesave kombëtare të shqiptarëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Jo më larg se një vit më parë kam paralajmëruar se Serbia po përpiqej të rivendoste në Washington reputacionin që gëzonte dikur – në marrëdhëniet e saja me Shtetet e Bashkuara, duke ringjallur si kurrë më parë edhe lidhjet e vjetra nepërmjet veprimtarive më aktive lobiste në Amerikë.

Në këtë ndërkohë, siç kam shkruar një vit më parë, lobimi në mbështetjte të interesave kombëtare të shqiptarëve në Ballkan, vitet e fundit ka pësuar një goditje të rëndë —Frank Shkreli: Serbia i ka ndezur motorrat e lobomit në Washington | Gazeta Telegraf – Ishte largimi, një vit më parë, nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara, i njërit prej mbështetësve më të mëdhej dhe të fundit të një brezi politikanësh amerikanë – të pakën deri më tani — mbështetës të Kosovës, të Shqipërisë dhe shqiptarëve në përgjithësi, ish-kongresmeni Eliot Engel dhe shumë të tjerëve para tij.  Z. Eliot Engel i shërbeu me besnikëri komunitetit shqiptaro-amerikan për pothuaj tre dekada dhe kryesoi për një kohë të gjatë edhe grupin e palodhur të kongresistëve të çështjeve shqiptare, (Albanian Caucus), i cili mund të ekzistojë ende në emër, por jo në fakt.  Përveç, Z. Engel, as emërat e dikurshëm të politikanëave amerikanë që ishin në krahun e shqiptarëve nuk janë më aty – të gjithë pothuaj janë në pension ose në amshim. Vihen re përpjekje aty këtu, nga komuniteti shqiptaro-amerikan për të ringjallur veprimtarinë lobiste në Washington, por ato janë nisma individësh, të cilat duhet të mirëpriten për entuziazmin e tyre – por nuk ma merr mendja se ato mund të kenë të njëjtin efekt dhe influencë që kishin dikur përpjekjet lobiste të organizuara mirë nga komuniteti.  Kam paralajmëruar me kohë se, heret ose vonë, ky boshllëk i veprimtarive lobiste shqiptare në Washington, do të mbushej nga grupe lobuese ose shtete të cilat kanë për qëllim të zhdukin ose të pakën të minojnë influencat politike që ushtronte dikur komuniteti shqiptaro-amerikan, në nivelet më të larta politike, diplomatike dhe ushtarake në Washington. 

Ja pra, ndonëse më vjen keq të them, por paralajmërimi im se një gjë e tillë do të ndodhte heret ose vonë, është vërtetuar dhe frika ime është realizuar se Serbia, duke parë konfliktet dhe përçarjet midis Shqipërisë dhe Kosovës, në të cilat ajo luajti rolin kryesor, si dhe mosangazhimin e komunitetit shqiptaro amerikan – Beogradi zyrtar u hodh në aksion diplomatik në Washington. Jo se Serbia nuk zhvillonte veprimtari lobiste më përpara në Washington, (ekzistonte madje edhe grupi (“Serbian Caucus) por ato ishin minimale pasi nuk i dëgjonte njeri, sepse për arsye të krimeve të Serbisë në Kosovë dhe në Bosnje ishte e vështirë të bindin qarqet e politikës ose publikun amerikan për qëndrimet e tyre. Por, përpjekjet e Beogradit në fushën lobiste në Wasshington sot, duken mirë të organizuara, mirë të financuara dhe një lobim të organizuar shqiptar.   

Paralajmërimet e mia për një organizim më të fortë të lobimit serb në Washington, nuk morën aq shumë kohë për tu realizuar, në fakt. Siç duket lobimi serb është vendosur këmbë kryq në Washington me zyrë dhe organizim legal për të influencuar politikën zyrtare amerikane në favor të interesave të Serbisë në Ballkanin Perëndimor, natyrisht, gjithmonë në dëm të Kosovës dhe interesave shqiptare në përgjithësi.  Si hap i parë, njoftohet se është formuar/riformuar grupi i kongresistëve amerikanë, “Serbian Caucus” në Kongres që si, zakonisht, kongresmenët, pjesë e këtij grupi, do mbrojnë interesat serbe në Washington.  Siç duket, ndër aktet e para publike që “Serbian Caucus” ka ndërmarrë, është dërgimi këto i një letre Presidentit Xho Bajdën, (shih më poshtë) duke bërë të njohur ekzistencën e tyre, si një forcë për tu përballur me të. 

E kam thenë edhe përpara se lobimi serb nuk do ta ketë të lehtë veprimtarinë e tij në Washington për të propaganduar kundër Kosovës, sidomos, kur kanë të bejnë me Presidentin Bajden, i cili e njeh mirë historinë dhe situatën në terren – por serbët janë të durueshëm, nuk nguten.  Ata e njohin mirë Z, Bajdën dhe presin. Investimet i kanë filluar tani, por rezultatet e dinë se nuk mund të ndjehen menjëherë. Mjafton që të hidhen dyshime, të bëhen pyetje, me qëllim që të ngadalsohen përpjekjet për integrimin e Kosovës në entet ndërkombëtare dhe të  ndikojnë negativisht në njohjet e mëtejshme diplomatike të Kosovës në nivel ndërkombëtar. 

Duke i hedhur një sy shpejt e shpejt emrave të 16 kongresistëve që kanë nënshkruar letrën dërguar Shtëpisë së Bardhë, m’u duk sikur pothuaj asnjë prej tyre nuk mund të ketë qenë në Kongres 20-vjet më parë, gjatë luftës në Kosovë. Shumica të rinjë, disa për herë të parë në Kongres, që as nuk dinë shumë për Kosovën dhe as për luftën dhe as për krimet që Serbia ka bërë atje, 20-vjet më parë.  Në fakt, letra e kongresistëve amerikanë drejtuar Z. Bajdën, nuk përmend fare Kosovën, as se ekziston, megjithëse dihet se misioni dhe vet qëllimi i ekzistencës së “Serbian Caucus”, është Kosova.  Në letrën dërguar Presidentit Bajdën, theksohet historia e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara, me rastin e 140-vjetorit të marrëdhënieve midis dy vendeve, duke e cilësuar Serbinë si, “një partnere të pazevëndësueshme të Shteteve të Bashkuara”. 

Media të ndryshme flasin për burime të konsiderueshme financiare dhe njerëzore që Beogradi zyrtar i ka kushtuar këtij misioni lobist, përfshir dyfishimin e stafit të ambasadës serbe në kryeqytetin amerikan. Prandaj, nuk është për tu çuditur aspak që Vuçiqi ka dërguar si ambasador të Serbisë në Washington, Marko Gjuriqin, njeriun më të besueshëm të tij, i cili para se të vinte në Washington, ai ka kryesuar Zyrën e qeverisë serbe, përgjegjëse për Kosovën, për një periudhë prej pothuaj 10-vjetësh.  

Ndërkaq, Tirana zyrtare është angazhuar që me çdo kusht të realizohet plani i  Beogradit për një “Ballkan të Hapur” – një nismë kjo pa përfshirjen dhe pa miratimin e Republikës së Kosovës — pikërisht ashtu siç e dëshiron Serbia, për interesa të veta dhe të Rusisë në rajon dhe ashtu siç i do t’i shohë Beogradi shqiptarët në të dy anët e kufirit – të ndarë e të përçarë. Serbia nuk ia doli me luftë, por po arrinë objektivat e sajë në paqë!  Ndëkohë që Serbia dhe komuniteti serb në Amerikë kanë ndërmarrë fushatën më të madhe lobiste në historinë e marrëdhënieve serbo-amerikane – Tirana dhe Prishtina zyrtare flejnë, ndërsa komuniteti shqiptaro-amerikan, vazhdon të bejë seri– me ndonjë përjashtim të vogël individësh aty këtu – sot për sot mbetet, kryesisht, vetëm një spektator ndaj zhvillimeve politike në rajon dhe ndaj fushatës së egër lobiste të Serbisë në Washington. Shpresoj që ky mosangazhim, nga ana e komunitetit shqiptaro-amerikan të jetë i përkohëshëm, pasi komuniteti sot – ky brez i ri — është shumë më i përgatitur se shqipotarët në këtë vend, 20-30 vite më parë, si për nga numri  njerëzve të përgatitur në fushën politike dhe akademike ashtu edhe nga pikëpmaja e financave dhe bizneseve të shumta.

Sa shpejt mund të ndryshojnë gjërat, për më keq, dua të them, për shqiptarët, madje edhe në Washington, ku çeshtjet shqiptare kanë mbizotëruar dhe influencuar për disa dekada tani politikën amerikane, në nivelet më të larta në Kongres dhe në Shtëpinë e Bardhë, por edhe më gjërë në publikun amerikan. Ndërkohë që Tirana dhe Prishtina zyrtare dështojnë të punojnë dhe të veprojnë në bashkpunim serioz me diasporën, sidomos me komunitetin shiptaro-amerikan, për të bashkrenduar veprimtaritë në mbrojtje të interesave kombëtare, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar – sidomos këtu në Shtetet e Bashkuara!  Komuniteti shqiptaro-amerikan ka bërë shumë në fushën e lobimit në mbrojtje të interesave të Kombit shqiptar në Shtetet e Bashkuara gjatë 3-4 dekadave të fundit. I takon tani këtij brezi të ri shqiptaro-amerikanësh që, pa vonesë, ta marrë stafetën e mbrojtjes së interesave të Kombit shqiptar këtu në Shtetet e Bashkuara, bazuar në përvojën e shkëlqyer të lobimit shqiptar në këtë vend gjatë 50-viteve të fundit, që në të vërtetë e ka zanafillën në fillim të shekullit të kaluar – me veprimtarët e dalluar  historikë të këtij komuniteti – Fan Noli e Faik Konica. 

 Frank Shkreli

Këtu më posht mund të lexoni në anglisht letrën origjinale të nënshkruar nga 16 kongresistë (Serbian Caucus) amerikanë, drejtuar Presidentit Biden, në favor të Serbisë!

Image
Image
Image

Autori me ish -Kongresistin Eliot Engel, mbrojtsin e pazëvendsueshëm të interesave të Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi në Kongresin amerikan për tre dekada

A picture containing text, sign

Description automatically generated

*Autori ka qenë Drejtor Ekzekutiv i organizatës lobiste shqiptaro-amerikane—Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC)

Image

Ambasadori serb në Washington, Marko Gjuriq dhe Kongresistja Claudia Tenney nga Nju Jorku, anëtare e (Serbian Caucus)

FOTO GALERI

FOTO GALERI 

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 245
  • 246
  • 247
  • 248
  • 249
  • …
  • 669
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT