• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rusia: ringjallja e kundërshtarit të vjetër

February 11, 2022 by s p

Shkruan: Albulenë Halili/

Në analizën dhe rekomandimet e fundit zyrtare të NATO-s nën emrin NATO 2030: United for a New Era (NATO 2030: Të bashkuar për një epokë të re), thuhet se NATO duhet të vazhdojë qasjen me dy drejtime: të parandalimit dhe dialogut me Rusinë. 

“Aleanca duhet t’u përgjigjet kërcënimeve dhe veprimeve armiqësore ruse në një mënyrë politike të bashkuar, të vendosur dhe koherente, pa u rikthyer në “punët e zakonshme” që ndalojnë ndryshimet në sjelljen agresive të Rusisë dhe rikthimin e saj në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, NATO duhet mbetet e hapur për të diskutuar bashkëjetesën paqësore dhe për të reaguar pozitivisht ndaj ndryshimeve konstruktive në sjelljen dhe qëndrimin e Rusisë. NATO duhet të evoluojë përmbajtjen e strategjisë së saj të dyfishtë për të siguruar efektivitetin e saj të vazhdueshëm duke rritur kostot për agresionin rus dhe të zhvillojë një përgjigje më gjithëpërfshirëse ndaj formave hibride të agresionit rus, duke mbështetur në të njëjtën kohë shtrirjen e shtuar politike për të negociuar kontrollin e armëve dhe masat e zvogëlimit të rrezikut.” 

Dekadat e kaluara aleatët transatlantikë ia kishin lejuar vetes mendimin se Rusia mund të jetë një partner, madje se mund  të shndërrohet një ditë edhe në aleatin e tyre. Shumë gjeste të Rusisë e kishin zbehur këtë mendim naiv, por momenti kyç që ka shkërmoqur këtë ide përfundimisht ka qenë agresioni ushtarak në Ukrainë në vitin 2014. Rusia sot nga aleanca atlantike shihet si një rival. Megjithatë, “Kjo nuk është një Luftë e Ftohtë e re”, shkruan Bremer. “Rusisë i mungojnë aleatët ndërkombëtarë të Bashkimit Sovjetik, thirrja ideologjike dhe muskuli ushtarak.”

Koncepti rus mbi botën është tërësisht darvinian dhe hobsian, ndaj dhe politika e tyre e mbrojtjes dhe sigurisë në kohë paqeje nuk bën dallim nga koha e luftës. Që nga koha e fillimit të Luftës së Ftohtë, Stalini mendonte që ishte krejtësisht jashtë logjike që politika e jashtme ruse të mbështetej në vullnetin e mirë kolektiv ose në të drejtën ndërkombëtare. Zhvillimi i marrëdhënieve midis NATO-s e Rusisë filloi pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, kur Rusia u bë pjesë e forumit të dialogut të quajtur, Këshilli i Bashkëpunimit Veri-Atlantik në vitin 1991, i cili u trashëgua në vitin 1997 nga Këshilli i Partneritetit Euro-Atlantik. Përmes Programit të Partneritetit për Paqe, Rusia ka qenë një partner i Perëndimit në misionet e menaxhimit të konflikteve në Ballkan në vitet ‘90, ndërkaq në vitin 1997 janë vënë marrëdhëniet bilaterale midis tyre përmes Aktit Themelues NATO-Rusi. Nevoja për konsultim dhe bashkëpunim praktik në sferat e interesit të përbashkët bëri që në vitin 2002, NATO e Rusia të krijojnë Këshillin NATO-Rusi, moment i cili shënon pikun e marrëdhënieve e bashkëpunimit midis dy subjekteve tradicionalisht kundërshtare.    

Pas sulmit të 11 shtatorit, përpara botës dhe SHBA-ve si fuqia udhëheqëse e saj, shfaqej një kërcënim i ri, atipik, vështirë për t’u luftuar vetëm, siç ishte terrorizmi. Andaj jo vetëm që SHBA kishte zbarkuar dhe angazhohej aktivisht me të tëra resurset politike-ushtarake në Lindjen e Mesme, por edhe të gjithë aktorët botërorë që e perceptonin terrorizmin si kërcënim të sigurisë globale, i konsideronte bashkëpunëtorë të mundshëm. Përveç se me aleatët e vetë brenda strukturës së sigurisë së Paktit të Atlantikut të Veriut, këtë qasje e mbante edhe me kundërshtaren e saj tradicionale, Rusinë, duke pranuar interesat dhe ndikimin e saj në këtë rajon të turbullt. Pa dyshim se Rusia mbetet e pranishme në rajonin e Lindjes së Mesme, por gatishmëria e saj për të intervenuar politikisht e ushtarakisht gjatë Luftës së Sirisë, ka eroduar besimin e Perënsimit se Rusia është një partner i besueshëm në luftën kundër terrorizmit. 

Invazioni rus mbi Gjeorgjinë në vitin 2008 bëri që momenti unipolar që kishte pasuar rendin bipolar të Luftës së Ftohtë, të sfidohet seriozisht duke bërë që të marrë fund miti i krijuar, se kërcënimi i luftës do të zhduket nga mjedisi strategjik pas-sovjetik. Politika e jashtme tradicionale ruse ishte ringjallur sërish në formën e doktrinës Medvedev. Kjo doktrinë përbëhej nga pesë parime themelore, edhe atë: “Rusia njeh përparësinë e parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare”, “Bota duhet të jetë multi-polare”, “Rusia nuk dëshiron konfrontim me ndonjë vend tjetër”, “Mbrojtja e jetës dhe dinjitetit të qytetarëve tanë, kudo që të jenë, është një përparësi e padiskutueshme për vendin tonë”, dhe “Siç është rasti i vendeve të tjera, ka rajone në të cilat Rusia ka interesa të privilegjuar”.

 Në vitin 2014, aneksimi i Krimesë nga ana e Rusisë ka bërë që themelet e fuqisë ushtarake njëpolare të SHBA-së dhe Perëndimit të vihen në seriozisht në pikëpyetje. Këmbëngulësia ruse për t’u vendosur në vendin që sipas saj i takon në rendin ndërkombëtar të pas Luftës së Ftohtë, përbën sfidën më të madhe për stabilitetin e Evropës dhe për strukturat aktuale të sigurisë perëndimore. NATO po përballet me një mjedis të sigurisë krejtësisht të ndryshëm, të imponuar nga Rusia. Kriza në Ukrainë ka shpalosur edhe një herë ambiciet tradicionale të Rusisë për influencë në Evropë. 

Sipas presidentit Putin, shembja e Bashkimit Sovjetik shënoi jo vetëm shpërbërjen e një sistemi politik, por tëhuajësimin e një qytetërimi. Andaj, duke marrë parasysh procesin e zgjerimit të NATO-s dhe bashkëpunimin e Perëndimit me shtetet ish-sovjetike, ai e konsideron Rusinë si qytetërim nën kërcënim. Duke u nisur nga këto premisa, Rusia ka krijuar lëvizjen politike Euroazianizmin, sipas së cilës qytetërimi rus nuk përket në Evropë ose në Azi por në konceptin gjeopolitik të Euroazisë. Koncepti gjeopolitik i Euroazisë, si një nga projektet më ambicioze të politikës së jashtme ruse i materializuar si Unioni euro-aziatik në janar të vitit 2015 nga Putini, është ideuar nga ideologu i ekspansionizmit rus me qëndrime të së djathtës ekstreme, apo eminenca gri – Aleksandër Dugin. Doktrina Putin përshkohet para së gjithash nga qëllimet dhe dëshira e tij për të imponuar dhe mbajtur një sferë ruse të influencës përtej kufijve të saj. Sfera e influencës kthehet kësisoj sërish si diskurs qendror në politikën e saj tradicionale të gjeopolitikës së përhershme. Botëkuptimi rus mbi sigurinë është koherent me pozitën e saj gjeostrategjike, si shteti me sipërfaqen më të madhe tokësore në botë, i rrethuar me kufij tokësorë në të katër anët e saj. Tendencat për krijimin e një tampon zone e cila e ndan atë nga kufiri i menjëhershëm i NATO-s është si rezultat i krahasimit që ajo bën me pozitën gjeostrategjike të SHBA-së, e cila në mënyrë natyrore e ka këtë privilegj, e ndodhur midis dy oqeaneve. Përderisa doktrina e re ushtarake ruse e konsideron zgjerimin e NATO-s si kërcënimin kryesor të sigurisë së saj, kjo ka bërë që Rusia, shtetet e saj fqinje, apo republikat ish-sovjetike, të vijojë t’i shohë si oborri i shtëpisë së saj. Këndvështrimi rus mbi shtetet e oborrit të vet janë pika vitale e sigurisë së saj, aty ku koncepti mbi sovranitetin dhe pavarësinë e shtetit bie ndesh me nevojën ruse për siguri. Pikërisht këtu qëndron dallimi midis dy botëkuptimeve, atij perëndimor e atij rus mbi sigurinë. Studiuesi britanik Keir Giles, shpjegon:

“Ekziston një konflikt i drejtpërdrejtë midis nocioneve tona që shtetet në periferi të Rusisë duhet të jenë sovrane, të pavarura dhe të afta të vendosin vetë të ardhmen, dhe nocionit rus, sipas të cilit për të siguruar sigurinë e vet, ajo duhet ta kontrollojë dhe zotërojë një thellësi të konsiderueshme përtej kufijve të saj, që do ta mbrojë nga përafrimet me të. Kjo është një zgjedhje binare.” 

Nga ana tjetër, eksperti rus i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe punëve të jashtme, Fjodor Lukianov, shpjegon se “ajo që e ka alarmuar Rusinë nuk është vetëm zgjerimi i NATO-s, por edhe transformimi i saj”. Ndryshimi i mjedisit të sigurisë globale implikon edhe ndryshimin e paradigmës të të bërit luftë. Në rastin e NATO-s, procesi i transformimit të organizatës është në funksion të ndërrimit të kësaj paradigme dhe përshtatjen e saj me këtë mjedis të ri. Por, organizatat perëndimore si NATO e Bashkimi Evropian, mbështeten në sisteme të rregullave, për dallim të fuqive pretendente për dominim global, si Rusia e Kina, botëkuptimi i të cilave për rendin ndërkombëtar është diametralisht i kundërt me atë perëndimor. 

Rusia, për dallim nga NATO shquhet për të bërit luftë në mënyrë jokonvencionale ose multidimensionale, apo ajo që nga Perëndimi emërtohet si lufta hibride. Por, mënyra ruse e të bërit luftë nuk përkon me konceptin perëndimor të luftës hibride, që përfshin një kombinim të luftës konvencionale dhe asaj bërthamore. Lufta e Brezit të Ri, si mënyrë ruse e të bërit luftë në shekullin XXI, vjen nga doktrina ushtarake ruse dhe Shefi i Gjeneralshtabit Valeri Gerasimov dhe është një amalgamë e fuqisë së fortë dhe asaj të butë, që përfshin veprime asimetrike të të gjitha domeneve. Lajtomotiv i kësaj lufte mbetet lufta informative, e cila sipas të menduarit rus, për dallim nga koncepti perëndimor, nuk kufizohet vetëm gjatë kohës sa zgjat lufta, por është një luftë e përhershme, për të mos thënë një modus vivendi e saj për të mbijetuar në mjedisin aktual të sigurisë globale sipas perceptimit të saj.

Kriza aktuale në Ukrainë, ka risjellë në ligjërimin e marrëdhënieve ndërkombëtare çështjet e diskutuara gjatë Luftës së Ftohtë. Anëtarësimi i mundshëm i Ukrainës në NATO përfaqëson për Rusinë vijën e kuqe dhe një nga kërcënimet më të mëdha të sigurisë së saj. Rikthimi i perandorisë sovjetike në Evropën Qendrore e Lindore mbetet për Rusinë një ëndërr, por parandalimi i zgjerimit të NATO-s në lindje dhe krijimi i një rendi të ri të sigurisë evropiane mbeten qëllime të saj, të cilat ajo do të përpiqet t’i arrijë me të gjitha mjetet e në mënyrë makiaveliste.   

Rusia paraqet sfidë serioze edhe për rendin perëndimor në Ballkan, për të cilin aleatët transatlantikë, sidomos Shtetet e Bashkuara, kanë bërë investime thelbësore. Që nga gjysma e dytë e shekullit XIX, kur zë fill politika e jashtme ruse më e re, Ballkani është pjesë e pandashme e interesave kombëtare ruse, madje përbën thelbin e politikës evropiane të Rusisë. Ballkani paraqet sferën tradicionale të interesit për Rusinë. Arsyeja kryesore për këtë është e natyrës gjeopolitike, meqenëse edhe vetë politika e jashtme ruse është e bazuar kryesisht në gjeopolitikë. 

Ndër arsyet e tjera radhiten prejardhja sllave dhe feja ortodokse e shumicës së popujve ballkanikë, politikë e cila daton që nga shekulli XIX dhe së fundmi arsyet ekonomike, të lidhura ngushtë me çështjet e infrastrukturës, kryesisht ujore pa përjashtuar ato tokësore. Kështu, influenca ruse është rritur dukshëm në dekadën e fundit me prezencën e saj në rajon në sektorët ekonomikë, politikë, energjetikë, ushtarakë dhe të tjerë. Ndër gjërat më të rëndësishme për prezencën dhe pretendimet ruse në Ballkan duhet pasur parasysh: aspektet energjetike, marrëdhëniet bilaterale të Rusisë me vendet e Ballkanit, influenca kulturore historikisht e pranishme te popujt sllavo-jugorë e ortodoksë dhe roli i Rusisë si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit. 

Rritja aktuale e interesimit të Rusisë për Ballkanin, për studiues të shumtë ka të bëjë me përfundimin e momentit uni-polar amerikan dhe nevojën e krijimit të një rendi ndërkombëtar pas-unipolar. Por, pa mëdyshje që prania ruse në Ballkan është një antipod i Perëndimit në përgjithësi. Pas përplasjeve në Ukrainë rreziku për përplasjen e radhës në Ballkan, qe një rrezik i denjë për t’u konsideruar seriozisht. Këtë e pati deklaruar që në vitin 2015, Sekretari i Shtetit i SHBA, John Kerry, se në sajë të lidhjeve historike me Rusinë, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Kosova ishin “në vijën e zjarrit”, ashtu si shtetet Baltike, Gjeorgjia, Moldavia dhe Transnistria. Ndonëse, pas kësaj deklarate paralajmëruese, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut u bënë dy anëtaret më të reja të NATO-s, prania ruse në Ballkan përbën akoma një nga sfidat më të mëdha për rendin perëndimor në gadishullin e vjetër evropian, dhe jo vetëm.

Filed Under: Politike

E ardhmja e Kosovës është në NATO dhe në Bashkimin Evropian

February 10, 2022 by s p

PRISHTINË, 10 Shkurt 2022-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ I dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, ka mbërritur në Kosovë. Nga takimet në Prishtinë Presidenca dhe Qeveria e Republikës së Kosovës dërguan komunikatat:

Presidentja Osmani priti në takim të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, të cilin e ka përgëzuar për detyrën dhe për rolin aktiv të shtetit të tij në rajonin e Ballkanit.

Në takim me z.Peach, Presidentja Osmani tha se Mbretëria e Bashkuar është ndër aleatët kryesor, me rol kyç në procesin e çlirimit, pavarësimit dhe shtetndërtimit të Kosovës. Sipas saj, sa më i madh roli i këtij shteti në proceset e rëndësishme të rajonit tonë, aq më të mëdha e më të dobishme do të jenë rezultatet për qytetarët e Kosovës.

Presidentja Osmani, ka përgëzuar edhe Ambasadën Britanike në Kosovë, e cila sipas saj po bën punë të çmuar në mbështetjen e projekteve, duke përfshirë sundimin e ligjit dhe viktimat e dhunës seksuale.

Duke folur për zhvillimet aktuale politike, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova është e përkushtuar ndaj dialogut, si proces i përqendruar në njohje reciproke.

Sipas Presidentes Osmani, dialogu duhet t`i trajtoj palët në mënyrë të barabartë. Ajo ka përsëritur qëndrimin se pala kosovare është konstruktive në dialog dhe se Serbia po shkakton obstruksione duke mos i zbatuar marrëveshjet e nënshkruara. Në këtë kontekst, ka përmendur edhe ndikimin negativ të Rusisë në rajon si një tendencë e hapur për destabilizimin e rajonit.

Presidentja Osmani në takim me emisarin Peach ka theksuar se shteti i Kosovës është i përkushtuar për ta rritur bashkëpunimin me Britaninë e Madhe, sidomos në çështjet ekonomike dhe ato të mbrojtjes.

Filed Under: Politike

Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe me mbi 100 mijë fjalë

February 10, 2022 by s p

Shkruan: Eneida Jaçaj

Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe me mbi 100 mijë fjalë, pasurohet me gegërishten dhe njësi frazeologjike, krijohet kartoteka dixhitale 

Ngrihen 11 grupe pune për fjalorin normativ, futen edhe huazimet e përligjura

Zhvillimeve dinamike dhe të vrullshme të shekullit të XXI, që kanë prekur të gjithë spektrin e fushave jetësore, nuk mund të mos u shpëtonte as gjuha e folur apo e shkruar. Gjuha shqipe ka qenë nën trysninë e zhvillimeve të reja dhe, si pasojë, sistemi leksikor i saj është pasuruar ndjeshëm.  Ashtu siç është paralajmëruar, Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka nisur projektin për hartimin e Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe, i cili është parashikuar të përfundojë në fund të vitit 2023, dhe do të publikohet në vitin 2024. Pas fjalorit të parë latinisht-shqip të Frang Bardhit të vitit 1635, i pasuar nga disa fjalorë të tjerë, njëgjuhësh apo dygjuhësh, shpjegues apo tematikë, për herë të parë, gjuha shqipe do të ketë një vepër madhore, ku do të përfshihen rreth 100.000 njësi leksikore (90.000 fjalë dhe 10-12.000 njësi frazeologjike). Fjalori   të jetë një vepër normative dhe informuese, pasi në të do të përfshihet e gjithë pasuria leksikore, ku për herë të parë do të futen fjalë edhe nga dialekti gegë, shprehje frazeologjike; vepra do të ketë dyfishin e pasurisë leksikore të fjalorit shpjegues të shqipes. Në krye të punës përgatitore për veprën e madhe gjuhësore qëndrojnë dy profesorë të nderuar: Valter Memishaj dhe Jani Thomai. Janë ngritur 11 grupe pune që po bashkëpunojnë për të konkretizuar veprën e madhe të gjuhës shqipe; po punojnë specialistë të shqipes nga Shqipëria, nga Kosova e Maqedonia e Veriut, nga Presheva, nga Universiteti i Kozencës, i Palermos, i Munihut, i Selanikut, gjithashtu edhe gjuhëtarë shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, puna për fjalorin ka marrë karakter më të gjerë, jashtë kufijve të Shqipërisë.

Pasuria leksikore dhe gegërishtja 

Ashtu siç e theksova edhe më sipër, në fjalor do të përfshihet pasuria leksikore e frazeologjike nga gegërishtja, toskërishtja, nga të folmet arbëreshe, arvanitase e nga të folmet e ngulimeve shqiptare në vende të tjera në Evropë dhe më gjerë. Gjithashtu do të futen kuptime, njësi frazeologjike, që janë mbledhur në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi. Sipas specialistëve mendohet se nga dialektet dhe të folmet krahinore në fjalor do të zërë

vend një pasuri me rreth 10-12.000 fjalë. Pra, i jepet përparësi dialekteve, por pa hequr dorë nga leksiku i shqipes standarde. Ajo që vlen për t’u theksuar është se futen për herë të parë fjalë nga gegërishtja, duke pasur parasysh se Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në 1972 është  shoqëruar me reagime, edhe pas viteve ’90, sa i takon përjashtimit të përdorimit të dialektit të veriut në letërsi, fjalor dhe drejtshkrim. Pra, gjuha letrare kombëtare shihej si “mbidialektore”, ku si bazë e gjuhës letrare ishte marrë toskërishtja. Kjo thuhej edhe në veprën e Xhenet Bajron (1976): “Toskërishtja ka qenë bërthama fillestare e shqipes standard”. Asokohe pati reagime nga klerikët e Shkodrës, pasi  me gegërishten, ishte shkruar gjysma e letërsisë shqipe e që vazhdonte të shkruhej në diasporë nga kollozë të kulturës shqiptare, si Martin Camaj, etj. Fjalori i Madh i Shqipes do të ketë fjalë të përzgjedhura nga të dyja dialektet, por duke mos u shkëputur nga bazat e shqipes standarde. 

 Kartoteka dixhitale 

Si do të procedohet për përzgjedhjen e fjalëve dhe shprehjeve frazeologjike?

Grupi i punës po punon për ngritjen e një kartoteke (data base-i ad hoc), që do të

shkojë deri te 150.000-160.000 fjalë e njësi frazeologjike. Prej tyre do të bëhet përzgjedhja e

njësive që do të zënë vend në fjalor rreth 90.000 fjalë e rreth 10-12.000 njësi

frazeologjike. Përzgjedhja leksikore dhe frazeologjike do të bëhet edhe duke u ndalur te veprat e Gj. Fishtës, e M. Camaj, e E. Koliqit, e F. Arapit, e I. Kadaresë, e D. Agollit, e B.

Xhaferit, e P. Arbnorit, e A. Podrimjes, e A. Shkrelit, e D. Mehmetit, e R. Qosjes, e A. Demaçit,

e M. Isakut. Ndërsa nga letërsia artistike do të zërë vend në fjalor një pasuri me rreth 15.000 fjalë të reja.

Termat profesionale

Zhvillimet dinamike në të gjitha fushat kanë shtuar ndjeshëm edhe numrin e termave. 

Janë përcaktuar 26 fusha të dijes, të shkencës, të teknikës, të artit, medies, gazetarisë etj., nga të cilat do të meren fjalët terminologjike. Sipas specialistëve, do të përdoren dhjetëra fjalorë terminologjikë, tekstet shkollore (parauniversitare e universitare), botimet shkencore të studiuesve, revista shkencore etj. Parashikohet që numri i termave të rinj do të jetë rreth 10.000 njësi, duke e ruajtur natyrën e fjalorit si një fjalor i përgjithshëm e duke mos e kthyer atë në fjalor të mirëfilltë terminologjik.

Huazimet

Zhvillimi i teknologjisë si përdorimi i rrjeteve sociale dhe televizioni, kanë bërë që shumë fjalë të huaja të panevojshme të zëvendësojnë fjalë të shqipes. Të rinjtë e sotëm, në mënyrë të pavetëdijshme, përdorin fjalë të huaja pasi qëndrojnë gjithë kohën e tyre para televizorit dhe i-phonëve, duke lundruar në botën informatike. Gjithashtu, shumë figura mediatike përdorin fjalë të huaja, për snobizëm linguistik, por kjo përdhos gjuhën shqipe, gjuhën më të lashtë pellazge. Pra, fjalë që shumë mirë mund të përdoren në shqip, nuk ka kuptim që të zëvendësohen padrejtësisht me fjalë të huaja. Kërkohet një ndërgjegjje kombëtare dhe ndërkombëtare, nga shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë, që të ndërmarrin nisma dhe veprime me fëmijët për të mos harruar shqipen. Por, duhet theksuar, se ka disa fjalë ndërkombëtare që duhen huazuar, që nuk mund të shqipërohen, të cilat do të quhen huazime të përligjura, do të përfshihen në fjalorin e ri të shqipes.  Mendohet se numri i huazimeve mund të shkojë edhe te 2-3.000

njësi të reja. Vepra e madhe e gjuhës shqipe do të publikohet në 2024, dhe shpresojmë që grupi i punës të bëjë një punë sa më të vyer dhe të suksesshme. Rroftë Gjuha Shqipe!

Filed Under: Politike

Skavica, një test lirie

February 9, 2022 by s p

Marjana Bulku/

Të mësuar historikisht nën thundrën e pushtimit ne si popull nënshtrohemi lehtësisht. Herë prej të fortit,herë prej të huajit, herë prej diktatorësh a udhëheqësish të vështirë jo pak herë ndodh që të pushtohesh edhe prej fatit të lig por mos ndodhtë kurrë që të pushtohesh nga e keqja .Pushtimi vjen në forma të ndryshme, njësoj si vargonjtë që të robërojnë shpirtin , ëndrrat dhe dëshirat derisa të burgosin në paliri .A ka robërim më të madh sesa të jesh spektator i tjetêrsimit të territoreve të tua?!Ajo që po ndodh sot me Hidrocentralin më të përfolur në vend Skavicën është testi i fundit i lirisë jo vetëm të dibranëve por më gjerë , sepse ky fat i pret të tërë banorët që nuk bëhen Zot i trojeve të tyre .Dhunimi i trojeve sot mbase nuk vjen me luftra dhe pushtime , por me “ investime” e projekte që nuk diskutohen me zotrit e tokave.Ata shpërfillen e injorohen në rastin më të keq Dhe ky nuk është veçse një shpronësim “ modern “ i fshatarit nga toka, i qytetarit nga lagja, rruga, qyteti ky është pushtim i ri territorial dhe fundi i lirisë.Zbrazja territoriale ka filluar që kur ikjet masive imponuan ikje dhe jo shpresë .Liria për të ikur ia mbylli portat lirisë për të trashëguar pronat që të parët na lanë trashëgim . Qofshin ata edhe varre, gjurmë të harruara apo rrëfenja të pashkruara ato janë thesari i vetëm që mban vulë fisesh, krahinash autentike që po tentohen të mbyten nga investime ujore. Zoti i ka falë lumin më të gjatë në Shqipëri Dibrës , lumin Drin që po tja tjetêrsosh rrjedhën do të fundosësh në llumin e pa arsyjes historinë tonë .Ky test i fundit i lirisë që mban peng pushtetarë e vendimmarrës, tregtarë interesash dhe pazaresh nuk duhet të jetë varri masiv iLirisë së qytetarëve që ikin , heshtin, heshtin ikin.Ka një të drejtë që êshtë thelbësore qysh në antikitet ku e drejta lindi edhe nuk u zgjidh dot kurrë ; prona , ajo çka zoti ia fali njeriut dhe i tha ; është e jotja, mos e prek ! E kur dikush kêrkon ta prekë , tjetërsojë , dhunojë , reagimi duhet të jetë i pashmangshëm. Instrumentat reagues ekzistojnë ; ato janë shqisat, arsyeja dhe zëri, ato janë të zgjedhurit, zgjedhësit dhe komunikimi, ato janë debati, shkrimi, vota.Kohët e fundit qarkullon edhe një instrument tjetër mjaft i detajuar specifikisht , një peticion kundër ndërtimit të HEC Skavicës hartuar nga Profesoreshë Ferzileta Gjika dhe stafi, i cili është një bashkim zërash të arsyjes për ti thënë jo këtij deformimi territorial që mbyt Dibrën dhe historinë tonë.Ky test lirie vë në provë liritë tona të mendimit dhe dashurisë për vendin tonë.A e duam historinë tonë?!A e duam natyrë florfauna plot?A duam t’ua trashëgojmë fëmijëve çka na lanë trashëgim të parët?!A duam të na dëgjohet zêri dhe e drejta?!A duam që rrugës së Arbrit tja ndjejmë frytet duke u kthyer në shtëpitë tona?!A duam të ndjehemi të lirë në trojet tona apo ti braktisim forcërisht ato .Skavica është testi jonë i lirisë .Mos e humbim!

Filed Under: Politike

Ndikimi i Ligës Qytetare shqiptaro-amerikane dhe DioGuardit te politika amerikane për çështjes së Kosovës

February 8, 2022 by s p

Jusuf Buxhovi/

Faton Bislimi: “Te Quest for Albanian Fredoom and the Ende of Jugoslavia Hon. DioGuardi and the Albanian American Civil Legue 1985-1993”, botoi Albanian American Fondation, New York 2021. Roli i Ligës Qytetare shqiptaro-amerikane te politika amerikane për ngritjen e çështjes së Kosovës nga rrënimi i autonomisë së saj dhunshëm nga Serbia më 23 mars 1989 e deri te te internacionalizimi i saj në nivel botëror që për pasojë do të ketë edhe ndërhyrjen ushtarake të NATO-s nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999, me ç’rast Kosovas, sipas rezolutës 1244 të KS të OKB futet nën protektoratin ndërkombëtar si një fazë kalimtare që do t’i paraprijë pavarësisë së shpallur më 17 mars 2008, është i një rëndësie thuajse historike. Ky vlerësim ka të bëjë me lobimin shqiptar në nivelet më të larta të politikës amerikane nga kongresi, senati, ku do të përfshihen senatorë, kongresmenë me ndikim dhe personalitet të tjera të rëndësishme të politikës amerikane. Ç’është e vërteta puna e lobimit të Ligës Qytetare Shqiptaro-amerikane do të fillojë edhe më herët, sapo të shpërthejnë demonstratat e marsit të vitit 1981 me kërkesën për republikën Kosovës, që nga politika e atëhershme jugosllave u karakterizua si “kërkesë armiqësore” me prapavijë kundërrevolucionare për ç’gjë, nga dy kryesitë e vendit (ajo e shtetit dhe e partisë) edhe u aprovua platforma politike për Kosovën, që i hapi rrugën diferencimit shumëvjeçar, si një proces që çoi te privimi i popullatës së Kosovës nga të drejtat kushtetuese si dhe diskriminimi i saj mbi baza nacionale në përputhje me planet hegjemoniste të Beogradit që Kosova të rikthehej nën tutelën e siç ishte në kohën e Rankoviqit, pra të humbte pozitën e elementit konstituiv të federatës jugosllave që ia garantonte kushtetuta e vitit 1974. Diskriminimi kushtetues i shqiptarëve si dhe dënimet drakonike që pasuan për vite u përcollën me reagime nga Liga Shqiptaro-Amerikane në planin e brendshëm, pra të lobimit te politika amerikane (senatorët dhe kongresmenët), që t’i kundërvihet kësaj fushate, po edhe të merren parasysh kërkesat e shqiptarëve për avancimin e pozitës së tyre kushtetuese në federatë, si dhe ngritjen e saj si çështje të pazgjidhur në planin e ndërkombëtar. Në këtë drejtim vihet me të drejtë në spikamë roli i ish kongresmenit amerikan me prejardhje arbëreshe, Joe DioGuardi, i cili udhëhoqi Ligën Qytetare Shqiptaro-amerikane nga vitet 1985-1993. Gjatë kësaj kohe, në Kongresin amerikan u sollën disa rezoluta, me të cilat u kërkua rikthimi i pozitës kushtetuese të Kosovës në përputhje me atë të vitit 1974 si dhe ndalja e represionit ndaj popullatës shqiptare, që pas vitit 1990 e këndej, gjithnjë e më shumë po merrte përmasat e një aparthejdi të hapur. DioGuardi dhe lobi shqiptaro-amerikan, i dhanë ndihmë të madhe edhe lëvizjes kombëtare për liri, demokraci dhe pavarësi nga themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës më 23 dhjetor 1989 dhe në vazhdimësi, duke përkrahur atë dhe konceptin e saj të rezistencës aktive institucione (me shtetin paralel) deri te rezistenca e armatosur.Në këtë libër, me fakte, argumentohet puna e madhe e Ligës Qytetare Shqiptare-amerikane nën drejtimin e Joe Dioguardit, me ç’rast sillen thuajse të gjitha dokumentet meritore që iu drejtuan senatit dhe kongresit amerikan, pastaj kongresmenëve dhe senatorëve të rëndësishëm që dhanë ndihmesë të madhe e të vazhdueshme që çështja e Kosovës të kthehet në prioritet të politikës amerikane nga ai juridik e deri te politik.Në tersi, ky libër, si i tillë, sjell informacion autentik nga veprimtaria e Ligës Shqiptaro-amerikane në dobi të çështjes së Kosovës nga shfaqja e saj në vitet e tetëdhjeta e deri te faza dinamike e angazhimit amerikan për të, angazhim ky që ia hapi dyert ndërhyrjes ushtarake, protektoratit, dhe së fundi, edhe shpalljes së pavarësisë së saj. Libri, i tillë, megjithatë, krahas faktimit të një angazhimi konkret në rrethanat e caktuara, sjell edhe mesazhe të qarta rreth domosdosë që lobi shqiptaro-amerikan të aktivizohet edhe në rrethanat e tanishme në mënyrë që politika amerikane të vazhdojë mbështetjen për konsolidimin e mëtutjeshëm të shtetit të Kosovës, veçmas në raport me sfidat e mëdha me Serbinë, e cila po mundohet që me lobimet e shumta në Kongres dhe Senat, shtetësia e Kosovës të pengohet që të fitojë edhe legjitimitetin e plotë ndërkombëtar përmes njohjeve dhe pranimit në OKB.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 247
  • 248
  • 249
  • 250
  • 251
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT