• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kryeministri Kurti priti delegacionin e Parlamentit Evropian të udhëhequr nga Viola Von Cramon

October 16, 2021 by s p

Prishtinë, 16 Tetor 2021 – Gazeta DIELLI /


Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti së bashku me zëvendëskryeministrin për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog, z. Besnik Bislimi, pritën në takim një delegacion të Parlamentit Evropian të udhëhequr nga përfaqësuesja për Kosovën në parlament, znj. Viola von Cramon.

Kryeministri Kurti falënderoi europarlamentarët për angazhimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës edhe tek pesë vendet mosnjohëse, për përkrahjen dhe votimin për liberalizimin e vizave dhe për mbështetjen me vaksina përmes COVAX.
 Po ashtu kryeministri u shpreh mirënjohës për vizitën dhe për gatishmërinë për të monitoruar nga afër procesin zgjedhor për komunat që mbahet nesër, më 17 tetor.

Zgjedhjet parlamentare kanë sjellë stabilitet institucional dhe legjitimitet demokratik që ka rezultuar me rritje të besimit në institucione e për rrjedhojë edhe zhvillime tjera pozitive sikurse rritja ekonomike, rritja e të hyrave dhe e investimeve, tregues të qartë të efekteve pozitive të ndryshimeve demokratike që erdhën nga zgjedhjet e 14 shkurtit, tha kryeministri.
Ai shprehu besimin që edhe zgjedhjet lokale nesër do të zhvillohen paqësisht dhe me pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve.
Europarlamentarët u interesuan për operacionin e Policisë së Kosovës, të datës 13 tetor dhe kryeministri shpjegoi se ishte operacion kundër kontrabandës dhe kriminalitetit dhe përfshinte 26 lokacione të ndryshme në gjithë territorin, 5 nga to në Mitrovicën Veriore.
Ky ishte një operacion normal i Policisë, e cila ka kryer punën në mënyrë profesionale dhe sipas procedurave ligjore, tha ai.
Lidhur me interesimin e eurodeputetëve për bisedimet me Serbinë, kryeministri tha se nuk kanë alternativë, por duhet kuptuar se as njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia nuk ka alternativë. Në dialog në Bruksel jemi për një kapitull të ri të normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve tona, ku zgjidhim çështjet e pazgjidhura me njohje reciproke, tha ai.
Ndërsa, zëvendëskryeministri Bislimi foli për mbarëvajtjen e negociatave për zgjidhjen e përkohshme për targat dhe pritjet për gjetjen e zgjidhjes së përhershme.

Përfaqësuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon falënderoi institucionet e Kosovës për pranimin dhe ndihmën e ofruar për refugjatët afganë, si dhe i përgëzoi për reformat e nisura në drejtësi, përkushtimin për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe për ruajtjen e stabilitetit institucional.
Kryeministri Kurti kërkoi nga deputetët e Parlamentit Evropian që të jenë më të zëshëm në mbështetje të demokracisë, sundimit të ligjit dhe lirisë së mediave e të mendimit në Ballkanin Perëndimor dhe ritheksoi se nuk duhet të ketë fonde të BE-së pa pranimin e vlerave të BE-së.
Pjesë e delegacionit ishin europarlamentarët znj. Roza Thun und Hohenstein (EPP), znj. Evin Incir (SD), z. Thijs Reuten (SD), z. Javier Nart (RENEW Europe), znj. Michele Rivasi (Greens/EFA), z. Timo Knaute, përfaqësuesit e Sekretariatit të Parlamentit Evropian z. Francesco Ronchi, z. Raffaele Luise, znj. Michele Rivasi, këshilltarët politikë z. Blagoy Klimov, z. Jörgen Sil, z.Simon Schelde Christensen, znj. Gesa Storz.

Filed Under: Politike Tagged With: Albin Kurti

NJË MBRËMJE ME VISAR ZHITIN NË QENDRËN “ONUFRI” NË TIRANË

October 14, 2021 by s p

MAL BERISHA

Para pak ditësh pata nderin dhe kënaqësinë të merrja pjesë në promovimin e librit më të rrallë që ndonjëherë kam patur në dorë. Ai titullohet:DORËSHKRIMET E FSHEHTA TË BURGUTShkruar nga shkrimtari ynë shumë i njohur VISAR ZHITI dhe botuar me cilësi të lartë nga Shtëpia Botuese ONUFRI. Në faqen e parë të librit, poshtë emrit të autorit dhe titullit, shkruhet: Poezi – Botim Anastatik.

Ky përcaktim i llojit të këtij botimi më shtyu të kërkoj nëpër fjalorë për të kuptuar se çfarë ishte ky lloj botimi. Sado që e kisha hasur edhe në botime të tjera si ato të Fishtës, të françeskanëve si dhe të veprave të tjera të mëparshme m’u desh të studioja kuptimin e kësaj fjale, dhe pse ishte vënë në faqen e parë të këtij libri. Në Fjalorin e Oxfordit gjeta se fjala ‘Anastatic’ vjen nga greqishtja e lashtë që do të thotë “Ringjallje”. Ndërsa në gjuhën e shkrimeve ajo ka kuptimin e metodës së riprodhimit, të rikthimit në vlerën e vet të një materieli të shkruar në letër ose siç quhet përsëri me një term të huaj “Papirografia”. Pra kjo ka të bëjë me procesin e riprodhimit grafik, i cili fillimisht është quajtur “Shtypje Anastatike”.

Zbatimi i kësaj metode daton që në vitin 1841 dhe është vënë në jetë nga pronarët e revistës ATHENAEUM në Angli. Në fillim ajo u shtyp vetëm në 4 kopje, por më pas mori përhapje shumë të gjërë për të ardhur deri tek printerat dhe fotokopjuesit e sotëm modernë, natyrisht shkallë – shkallë sipas zhvillimit të teknologjive, të secilës etapë. Në fakt brendia e librit të radhës së Visarit e justifikon plotësisht këtë emërtim duke patur një të veçantë të madhe: Ndërsa shkrimet që duhen riprodhuar me metoda të tilla, që nga litografia e deri tek dixhitalizimi, kërkojnë t’u heqin shenjat e mbetur në letër gjatë përdorimit të tyre me dorë, ose agjentëve të tjerë, si rënia e bojës, zvargia për shkak të vjetërsisë, etj, poezive të Visarit është dashur t’i hiqen shenjat e shputës së këmbës së vetë autorit. Pra ajo që sjell Visar Zhiti në këtë libër është diçka tepër e rrallë, e veçantë dhe gati e pa-besueshme, për lexuesin.

Poezi me shenja këmbësh në to!? Librin e ka përgatitur një poet dhe studiues shumë i ri, Andreas Dushi, i cili i quan poezitë e Visarit: POEZI MARTIRE. Për këtë ai ka bashkëpunuar me Enxhi Hudhrin e Shtëpisë Botuese ONUFRI.Çfarë e bën këtë libër të veçantë?1.- Poezitë janë shkruar të gjitha ndërkohë që autori ishte në burg me akuzën se shkruante poezi. Siç e thotë ai, me një dozë humori dhe ironie: “Meqë kisha rënë në burg për poezi, thashë me vete, pse të mos shkruaj edhe aty poezi!? Më keq se aq a kishte ku të shkonte?2.- Poezitë janë “trafikuar”, pra janë nxjerë nga burgu në mënyrë shumë klandestine duke ua dhënë vizitorëve që t’i merrnin dhe ti ruanin, edhe pse kjo përbënte rrezik shumë të madh edhe për atë vetë edhe të afërmit që i merrnin me vete;3.- Nga qelia deri tek marrësi i poezive ato janë “trafikuar të shtrira në TABANIN E KËPUCËVE. Duke qenë se mbaheshin për një farë kohe nën shputën e këmbëve, ato rrudheshin, zbuteshin nga djersa, prandaj merrnin format e shënjave të këmbës së Visarit.

Ato gjënden thuajse në çdo letër të riprodhuar në libër;4.- Libri nuk është shtypur në kompjutër por me vetë letrat origjinale të vëna në libër siç kanë qenë në faqet e 11 fletoreve të nxjerra jashtë burgut, pra me ANASTATIKË Në prezantimin që djaloshi i talentuar Andreas Dushi i bëri poezive, ai iu dha pjesmarrësve një ide të qartë se çfarë përmbante libri dhe pse ishte përdorur metoda anastatike. Kjo metodë në fakt në këtë libër shkakton një përzierje të ndjenjave estetike, të kënaqësisë që të jep letërsia aq e bukur që shkruan Visari me dhimbjen dhe tmerrin që mbartin ato duke pasë me vete shenjat e këmbëvë të autorit. Prandaj dëgjuesi në sallë dhe më vonë lexuesi i librit kalon në një proces reflektimi të mundimshëm sa estetik aq edhe të dhimbshëm, pasi e “vendos veten në këpucët e autorit” kur sheh se në çdo faqe ato poezi janë “shkelur” prej vetë atij.

I pyetur nëse kishte frikë nga poezitë e tij në burg dhe aq më tepër nga trafikimi klandestin i tyre, duke rrezikuar edhe për vete e sidomos për njerëzit e tij, nënën, motrën dhe të tjerë që i merrnin dhe duhej t’i ruanin, Visari u përgjigj: “Natyrisht që kishte frikë, por kishte edhe guximin për ta mposhtur atë.”Në atë çast mu kujtuan fjalët e udhëheqëses birmaneze Aung San Suu Kyi, e cila ka vuajtur dhe ende vuan në burgjet e diktaturës së vendit të vet kur thotë:“I vetmi burg është frika dhe e vetmja liri e vërtetë është çlirimi nga frika”. Visari, në systemin komunist ishte “më i lirë” në burg sesa jashtë dhe “më i burgosur” jashtë sesa brenda burgut.Rregjime diktatoriale, raciste, komuniste, fashiste, bota ka njohur shumë dhe ende njeh. Por në një mënyrë ose në një tjetër, pas rënies së diktaturave, njerëz të tillë janë rehabilituar. Mandela për shembull u bë president. Arbnori ynë u bë Kryetar Parlamenti. Në Kosovë, rrugët janë mbushur me emrat e martirëve të cilët u sakrifikuan në kohën e komunizmit, qofshin si të burgosur të ndërgjegjes apo të çështjes kombëtare. Ata janë përjetësuar, edhe për së gjalli. Edhe Visari, i cili tërë jetën kishte luftuat për lirinë, e gjeti veten një ditë të lirë, pastaj deputet, pastaj edhe ministër, edhe diplomat!Por a do vijë dita që ai dhe njerëz si ai të përjetësohen në emra rrugësh apo objektesh të artit, në muzeume apo vend-takime, për kontributin e tyre të dhënë në kushtet e reperesionit të egër diktatorial?

Sa për veprën e tyre të jashtëzakonëshme aq edhe për guximin që kanë treguar?Unë them se po. E drejta vonon por nuk harron!Falemnderit Visar që na bën trima dhe krenar!Libri ka qindra poezi por unë po veçoj atë me titull:LIRIAE di, vlejnë Dielli, Ujrat, tokat shtëpitë Pemët, qielli, pyjetPo s’me gëzojnë sa ti.Pra them se ti je Dielli, Ujrat, toka, shtëpitë, Shirat, Edhe frymëzuesja ime je ti,Fytyrë e njeriut.Është nder dhe krenari të jesh mik me Visar Zhitin dhe Eda Agaj – Zhiti Eda Agaj ZhitiAndreas DushiEnxhi HudhriShtëpia Botuese Onufri.

107Dalip Greca, Laura Rexha and 105 others7 comments1 shareLikeCommentShare

Filed Under: Politike Tagged With: Mal Berisha, Visar Zhiti

KODI MORAL NË POLITIKË

October 9, 2021 by s p

NGA ALFONS GRISHAJ

Çfarë do t’i shërbente më mirë  Shqipërisë  për të ecur përpara, “Kod Moral” në politikë apo moral i burrit të shtetit pa “Kod Politik”? 

       Kjo është një pyetje që do të sillte  përgjigje të ndryshme, ku sipas mendimit tim do të predominonte: “Kodi Moral”! Sepse pa të nuk ke kualitet personal, nuk ke staturën për një mbështetje masive, edhe për faktin se vë në pikëpyetje besueshmërinë tënde si Lider (Basha). Nëse “Kodi Moral” është kaq i rëndësishëm në figurën e politikanit përse  Lulzim Basha e shkeli  këtë kod ? 

          Në politikë, çdo lëvizje  gjurmëlënëse e ka një prapavijë diplomatike dhe lëvizje të tilla njihen si të ftohta pa trokthin  e zemrës, me  një mizanskenë të ngrirë, shtrëngim duarsh e buzëqeshje fallso, ose me një fytyrë të perënduar ku tregon se rrethanat  sollën  një vendim të padëshëruar po që duhej marrë. Sikur vendimi të merrej në bazë të normave të shkruara dhe shumica e voton … duhej përshëndetur si një arritje diplomatike dhe demokratike. Por, nëse shkelen normat dhe uni merr vendim pa votën e shumicës…është antidemokratike dhe amorale se morali nuk është një monedhë nomizmatike, por standarti më  brilant i virtytit.

              Çdo lëvizje politike deformuese apo reformuese ka një kosto: Kompromisi i Lulëzim Bashës në kurriz të liderit historik të PD-së, Dr. Sali Berisha, shtroi një pyetje për të gjithë ne: çfarë do t’i shërbente më mirë  Shqipërisë  për të ecur përpara,“Kod Moral” në politikë apo moral i burrit të shtetit pa “Kod Politik”? 

Vendimi i Berishës për të lënë Bashën si pasues qe  tepër delikat dhe  i pamenduar  mirë!  T’i dorëzosh një kontribut kombëtar të mijëra demokratëve një njeriu, kushdoqoftë ai, që nuk e njeh ende Partinë Demokratike, nuk e ka shoqëruar rrugëtimin e saj duke kaluar nëpër struktura,  shtron pikëpyetje.  Filozofi popull , kur sheh ndonjë shtëpi të bukur e  pyet të zonë : “ A e ke ndërtuar vetë apo ta ka lanë baba?”  Pra, zotni Basha e ka kollaj se shtëpinë e “të parëve “ nuk e ka ndërtuar vetë , por  as Sali Berisha nuk e ka ndërtuar  i vetëm , po aktualisht ai ka tagrin e lidershipit historik! Megjithatë, Partia Demokratike është kontribut i heronjve , mijëra qytetarëve , studentëve, fshatarëve , nxënësve, të cilët sakrifikuan për ditë më të mira  që nuk i panë kurrë! 

        Çdo përplasje mes të dyve nuk ka efektin e thyerjes së vezëve  ku fiton më e forta, por një reaksin zinxhir tek masa e elektoratit të djathtë. Në këtë kontekst mund të bëhet  fjalë  për një korrigjim, ringritje , daltim të standarteve demokratike , por përsëri  dilema do të mbizotërojë në kampin e djathtë.

       Berisha ka dhënë prova që  nga humbës ka dalur ngadhnjimtar. Zoti e ka pajisur  me  një natyrë burrërore  kalorsiake që di t’ia shtrijë  dorën kundërshtarit … shokëve të një ideali. Berisha e ka tel dhe derën 24/7 të hapur. Ndërsa Lulëzim Basha ka treguar se është një zyrtar teknik efikas , por  jo një lider   politik, sepse ai nuk qe në gjendje  asnjëherë  t’i bashkojë mendimet intelektuale ndryshe dhe oponencën delikate brenda Partisë. Ai është i kufizuar  në ballafaqim me kontribuesit real si me tel dhe derë të hapur . Ndoshta nesër ai mund t’a kuptojë sa i rëndësishëm është komunikimi, kolegjialiteti dhe do te reflektojë ?  Mbase  bëhet lider  si Toni Bler  që   e solli Partinë Laburiste në  qeverisje, ku shkelqeu si një nga Kryeministrat Laburist më me jetëgjatësi dhe më me peshë. Por, aktualisht , deri tani ai nuk i ka afruar  elektoratit të djathtë asnjë  strategji vizionare për fitore.  Burri i shtetit  tregon integritetin dhe lidershipin e vet me vendime të zgjuara që merr dhe jo me  grimasa teatrale që shfaq. 

Labirinthet e politikës :

           Në vitin 1997-98 ishte e njëjta tabllo kundër Berishës… Erdhën përfaqësues të lartë të shtetit amerikan  për të bërë DEAL  me Pjetër Arbnorin . Ai  nuk e shiti mikun e tij… biles e bëri  me turp delegacionin. Negociatorët që takuan Arbnorin nuk ishin në rang nëpunësi si ambasadorja Juri Kim, e cila  është vënë në shenjestër nga të djathtët. Pjesa dërmuese nuk e kupton   misionin e Ambasadores Kim,  dhe  ia vënë fajin për çdo prapësi. Zonja në fjalë e di  mirë se  kush është njëri apo tjetri , por ajo nuk mund të dalë jashtë linjës zyrtare  të  Shtëpisë së Bardhë  dhe Presidentit Biden që respekton fuqishëm kontributin  e Soros në mandatin e tij. Kjo është puna e tyre dhe ne nuk kemi e të drejtë  të gjykojmë Biden për prapësitë e Soros , sepse alancat e tyre janë të vjetra. Po! Ne kemi të drejtë të bëjmë zgjidhjen tonë , të jemi të orientuar se, Shqipëria është një shtet sovran, ku të kuptojmë që miqtë e huaj nuk janë Zot të vendit tonë por këshillëtarë dhe nganjëherë lojtarë  klani të rastësishëm që i bëjnë gjërat dhe për inertësi… 

Partneritet serioz nuk do të thotë diktat dhe shkelje normash demokratike, nuk do të thotë uniliteralizëm , shkelje e votës së lirë, minim të verdiktit të popullit , por sinqeritet dhe shkëmbim reciprok të marrëdhënieve bilaterale. 

           Politika është shkencë dhe slot mashine… , mvaret  cilën zgjedh, të parën apo të dytën . Nëse zgjedh shkencën,  ke vizion dhe i shërben me përkushtim misonit dhe atdheut, aleancave dhe të ardhmes si, Teodor Ruzvelt  e Regan.  Po zgjodhe slot mashine,  mbetesh gjysmak, pa horizont për të gjetur rrugën  e duhur, sepse kjo lloj politike është politikë interesash klanore, politikë prostitucioni ku  për ti shërbyer momentit shkel mbi çdo lloj norme, vizioni e strategji për të ardhmen. Paraqitje e tillë të bën më tepër humbës se fitues. 

Bota e qytetëruar ka pasur zigzake të tilla më parë , dhe në prag të mbarimit të luftës së II Botërore,  dhe  më pas . Po sjell tre shembuj të tjeshtë kur politika është slot machine, pa moral : 

– Gjenerali  MacArthur (Field Marshall  me kod moral  të lartë ), i propozoi Presidentit Truman për t’i dhënë një mësim Kinës që kish futur hundët në luftën e Koresë, por Truman në vend që të dëgjonte Heroin Amerikan, “padashur” mori anën e Kinezëve, duke e qitur në pension me arsyetimin banal: “Shkelje urdhërash” !

Sipas mendimit tim, pjesa dermuese e ushtarakëve në botë kanë një disiplinë të hekurt dhe moral të lartë se betohen për ti  shërbyer atdheut dhe kauzës. Janë të paktë ata që e shkelin këtë disiplinë. Shkelësit dënohen ose janë të predispozuar të bëhen diktatorë. 

Sikur të dëgjohej kërkesa e Gjeneral MacArtur, Kina e sotme do ishte ndryshe!

-E njëjta gjë ndodhi dhe me Gjeneral Paton (ushtarak me kod moral të lartë) që  i propozoi Dwight D. Ajzenhaureit  të sikteriste Rusët jashtë zonave që patën okupuar. Gjeneralit legjendar që u kish shti tmerrin nazistëve i shtuan një yll dhe e nxorën në pension! Ironi politike frikacakësh.

Po të merrej parasysh propozimi Gjeneral Paton…Amerika e udhëhequr nga Presidenti John Kennedi nuk do të pregaditej për  luftë bërthamore me Rusinë e Hrushovit  dhe Europa nuk do ndahej me gardhe e mure… si  Muri i Berlinit dhe  Shqipëria me Dardaninë.

– Otto Skorzeny, kriminel lufte, Koloneli SS që liroi Musolinin. Për hir të bashkëpunimit me CIA dhe MOSSAD (dhe pse ishte një nga kriminelët më të kërkuar), u mbrojt nga  interesat e politikës Slot Machine (ashtu siç mbrohen sot Sorosianët globalistë, armiqtë më të rrezikshëm të kombit tim, që duan të sakrifikojnë heronjtë  për të pastruar rrugën nga pengesat e planeve ogurzeze). Otto vdiq në shtrat nga kanceri pa u penduar për  asnjë çast për krimet që kish bërë. Ai e la pas të  shoqen milionere,

 milionat e gjakut të çifutëve dhe plaçkës së luftës dhe një pikëpyetje të madhe  për Amerikën , Anglinë dhe “drejtësinë” e Izraelit! 

Vëmendje!

          Që  politika shqiptare  të shpëtojë (Shqipëri-Dardani), duhet  të jetë e hapur, duke u larguar  njëherë e mirë nga  mendësia komuniste !

Çfarë është mendësia komuniste ? Mendësia komuniste është një zgjuarësi regresive , vdekjeprurëse, që si mikrobi hiv  ndërron formën. Shfaqet  kapitaliste,  socialiste, demokrate, humaniste, monarkiste, sipas  nevojës për mbijetesë. Ajo ka  injektim degjenerativ që  mikun e bën  armik dhe armikun e kombit,  vëlla. Fut sherrin brenda kampeve dhe ndez një fjalor rrugaçëror e amoral duke frymëzuar militantizmin,  mediat e shitura dhe njerëzit e stërlodhur , viktimat e  pafaj i bën të fajshme. Vëllezërit dhe motrat  e një ideali brenda natës bëhen armiq për vdekje! Më pas, kazani i vulgut këndon Internacionalen duke shkelur mbi idealizmin patriotik që është shkalla më e lartë e vetëdijes dhe  sakrificës. 

Të gjithë ata që merren me “politikë” i kanë të qarta  format e qeverisjes: Demokraci, Kapitalizëm, Komunizëm, Oligarki, Aristrokaci, Socializëm, Monarki, Teokraci, Kolonializëm. Fashizëm. Përveç Aristrokracisë dhe Teokracisë, populli shqiptar i ka kaluar të gjitha format e qeverisjes dhe tani  përjeton Oligarkinë e kuqe  që nuk lindi nga aristrokacia që mund të kishte dhe kuptim, por lindi nga zhelet e komunizmit, mjeshtrat kleptokratë që nuk e kanë për asgjë të shesin çdo gjë … deri   nderin e atdheun. Kështu që lufta për demokraci nuk duhet të fokusohet në kampin e të djathtës  midis njëri-tjetrit (që dhe kjo tregon një formë demokracie për ti bërë gjërat më mirë),  por  forcimin e së djathtës kundër kësaj mortaje, e cila po e shpërbën Shqipërinë. Opozita duhet të gjëjë rrugën e përbashkët. Mospërputhja e mendimeve dhe veprimeve  mund të thjeshtëzohet vetëm  në një tavolinë të rrumbullakët xhentëlmenësh duke pranuar arritjet  dhe gabimet,  humbjet  dhe sfidat. Kjo arrihet  me vullnetin e mirë të dyja palëve  si atdhetarë e largpamës politik, të cilët e duan vendin dhe Partinë Demokratike. Dhe prej kësaj tavoline në paqe me veten dhe Zotin. Në filozofi, shkaku dhe pasoja… “Shkaku” duhet të hapë rrugë dhe “Pasoja”  të korrektojë.

Sa më e fuqishme e djathta shqiptare, aq më pak orë për detashmentet e kuq oligarkë, aq më e fortë dhe e begatë do jetë Shqipëria  dhe më e afërt dita e bashkimit kombëtar…

Filed Under: Politike Tagged With: alfons Grishaj, Kodi Moral ne Politike

Hajredin Fratari: Bashkimi kombëtar vjen duke hequr barrierat Shqipëri-Kosovë!

October 8, 2021 by s p

Intervistë me sipërmarrësin e njohur dhe themeluesin e “Konfindustrias shqiptare”, Hajredin Fratari

Çerçiz Loloçi

Hajredin Fratari, nipi i kombëtarëvet Hajredin Fratari nga Mallakastra dhe Avni Gjilani nga Kosova, i biri i nacionalistit Rauf Fratari, u lind në Tiranë më 30.09.1942. Kreu Teknikumin e Ndërtimit dhe punoi si teknik në Berat. Vazhdoi shkollën, një filial nafte në Kuçovë, mandej Universitetin e Tiranës, natën, dega e Inxhinierisë së Ndërtimit, më 1966. Punoi inxhinier ndërtimi në Pukë, mandej në Tepelenë. U arrestua më 15.09.1979 dhe pas një hetuesie intensive me tortura për 13 muaj, u dënua me 25 vjet burg (15 vjet për “sabotim”, 10 vjet për “agjitacion e propagandë” dhe 5 vjet internim, (vendimi nr. 27 viti 1980). E vuajti dënimin në burgun e Tiranës, në të Ballshit, në një kamp përqendrimi me mëse 1100 të burgosur dhe në burgun e Qafë-Barit. Pjesëmarrës në revoltën e të burgosurve në burgun e Qafë-Barit, maj 1983. U torturua për 31 ditë me radhë për pjesëmarrje ne revoltë. U dërgua në burgun e Burrelit për një vit e gjysëm (1983-1985) dhe në burgun-kamp të Bulqizës (1986). U lirua më 11.09.1987.

Ku kanë nisur përpjekjet tuaja të para në fushën e sipërmarrjes së lirë?

Më muajin maj ose qershor 1990 ka filluar veprimtaria ime sipërmarrëse, sapo qeveria bëri të mundur me ligj krijimin ndërmarrjet private. Duhet të kishe 10 mijë lekë të vjetra që të hapje një numër llogarie në një bankë që të merrje lecensë. Mu deshën 2 muaj që të bëja 10 mijë lekë të të vjetra dhe u hap ndërmarrja e parë e ndërtimit në Shqipëri.

Sapo mora licensën gjëja e parë është se më vjen një djalë nga SHBA dhe më kërkoi t’i ndërtoja një vilë në Kopshtin Botanik. E kërkonte urgjent dhe për gjithë natën bëra preventivin dhe projektidenë e vilës dhe i thashë do fillojmë me bodrumin. Preventivi i bodrumit bënte 360 mijë lekë, do paguash 30 përqind dhe unë do filloj punimet sa më parë.  Emigranti shkoi në Bankën Qendrore dhe pagoi gjithë vlerën dhe ky objekt përfundoi brenda një muaji. Të thashë 30 përqind e jo gjithë vlerën e vilës, i thashë emigrantit nga SHBA. Po po, unë të njoh prej kohësh ndaj kërkoj të ndërtosh diçka për mua, më tha ai. Ndërkohë një brigatë tjetër e imja punonte për kryegjyshatën dhe ndërtova falas tre tyrbetë e para në selinë qendrore. Kam investuar rreth 2 milionë lekë për selinë e kryegjyshatës. Një kthesë në veprimtarinë time ishte ngritja e Frigoriferit Metalik, të cilin e mora për një afat 9 muajsh dhe e realizova për 6 muaj. Nga kjo punë unë përfitova 100 mijë USD. Në atë kohë fillova të bleja makineri dhe pajisje të tjera që i duheshin një firme ndërtuese.

Nga ajo kohë e deri më sot, çfarë do të vlerësonit si arritjen më të madhe në sipërmarrjen tuaj?

Ndërmarrja ime u rrit viti pasi viti, u plotësua në staf dhe në një ekip profesionistësh dhe prej tyre punët më të mira kanë qenë komplekset që kam ndërtuar në Yzberisht, në Kopështin Botanik dhe te ish artistikja Migjeni. Gjatë kësaj periudhe kam punuar edhe me fonde publike, konkuroja si gjithë të tjerët dhe fitoj objektin si oferta më e mirë. Nga 1997 hoqa dorë nga punët me tendera publikë sepse u rrit shumë edhe korrupsioni. Me ndërmarrjet time kam realizuar edhe disa ndërtime spitalore dhe objekte të tjera.

Megjithëse me prejardhje nga nga një familje atdhetarësh ndër breza, ju nuk jeni përfshirë në politikë?

Mbas vitit 1992 vura re që Partia Demokratike që aspironim shumë nuk dëshironte të kishte në gjirin e saj njerëz që kishin orgjinë nga familje atdhetarësh e të përkushtuar që kishin kontribuar ndër breza për Shqipërinë. Unë kisha fatin të isha nipi i dëshmorit të parë, të shtetit shqiptar, Hajredin Fratari vrarë më 1914 nga rrebelët, ai është njëherësh dëshmori i kombit dhe dëshmor i atdheut. Megjithatë kur PD kishte nevojën për kontributin tim, siç ishin zgjedhjet e vitit 1997, 2001 e 2005 kam ndihmuar mjaft për të bërë fushata në Tepelenë, në Mallakastër, në Tiranë. Mendoj se PD nuk ka dashur kurrë që të kishte brenda saj pjestarë nga familjet tona. Pra megjithëse jo shumë të dëshiruar në partinë e re të krijuar pas viteve nënëtëdhjetë, unë e pashë të domodoshme të përfshihem drjtpërdrejt në garën elektorale apo për të ndihmuar në fushata dhe kandidatë të tjerë. Përfshirja më e fundit nga familja ime ka qenë në zgjedhjet e fundit parlamentare të vajzës sime, Lediana Fratari, që konkuroi në Tiranë për Partinë Demokratike. Megjithëse e vënë në listë në kufirin e fundit ajo zhvillua një fushatë qytetare, me ide dhe propozime konkrete, çka u vlerësua me një numër të konsiderueshëm votash duke lënë pas shumë emra të tjerë të kësaj force politike.

Pavarësisht mospërfshirjes në politike, ju keni qenë aktiv në themelimin e një shoqate profesionistësh ‘Konfidustria shqiptare”; na thoni diçka për veprimtarinë e saj?

Në dhjetor 2005, së bashku me disa profesionistë themelova shoqatën “Konfidustria shqiptare”, një organizatë që mblidhte gjithë industrialistët e vendit. Shoqata bashkëpunonte kryesisht me konfidustrian italiane dhe vazhdon ende të funksionojë duke u marrë me projekte të donatorëve të huaj dhe të Komunitetit Europian.

Si ish i përndjekur politik, si do t’i vlerësonit raportet me PD dhe forcat e reja demokratike të krijuara pas viteve nëntëdhjetë?

Të gjithë ish të përndjekur dhe ish pronarët ishin shtylla kryesore e Partisë Demokratike dhe e forcave të reja politike të krijuara pas viteve nëntëdhjetë, por u zhgënjyen shumë nga PD sepse bëri shumë pak këtë shtresë. Këto dy shtresa do të përfitonin shumë në radhë të parë duke anulluar ligji 7501 që pranarët të merrnin tokat dhe pronat e tyre, ndërsa të përndjekurit të merrnin punë e papaguar gjatë viteve të burgut. Për ta shpërblyar këtë shtresë ishte shumë e thjeshtë, por qeverisjet e demokratëve nuk ishin të interesuar të bënini një gjë të tillë. Strehimi i të përndjekur politikë do të merrte një zgjidhje përfundimtare, majfton që të jepeshin disa parcela shtetërore për disa ndërtues, të cilat të të kishin si detyrë edhe banesat për këtë shtresë.

Sipas jush a egziston aktualisht një klimë e mirë biznesi?

Për të paraqitur limën e biznesit mjafton t’u referohesh raporteve ndërkombëtare si ai i Bankës Botërore apo raporti më i fundit i Dhomës Amerikane të Tregëtisë që thotë se vetëm në Shqipëri nuk bën dot biznes. Referuar vendeve të rajonit si në Mal të Zi, Maqedonia e Veriut, e të tjera vende që kanë taksën 9 përqind, ato janë bërë edhe shumë tërheqëse për investitorët e huaj dhe ata vendas. Në Shqipëri kjo taksë është 35.2 përqind dhe duke përfshirë edhe atë që jepet nën dorë shkon shkon deri në 40 përqind.

Një dimension pak i njohur ka qenë përfshirja juaj në krizën kosovare…

Natyrisht se për të huajt ajo ishte një krizë kosovare, por për në ishte thjesh krizë shqiptare dhe pikërisht me këtë aspect do kuptuar edhe mikpritja e mijëra njerëzve që u përfshinë në konflikt me regjimin e Millosheviçit. Kur ndodhi kriza kosovare, une po shkoja në Itali. Sa zbrita në Romë më telefonon motra dhe më thotë se në stadiumin e lojërave me dorë kanë ardhur shumë shqiptarë nga Kosova. (Siç mund ta dini nëna ime është me origjinë nga Kosova dhe lidhja ime me shtetin tjetër po shqiptar ishte pak më e veçantë). Mora disa familja nga Kosova dhe i sistemova brenda mjediseve të mia. Kur kthehem mbas dy ditësh pata shumë kërkesa dhe hapa një pallat nëntë katsh te rruga e Elbasanit dhe mora 390 veta dhe i strehova atje derisa përfundoi lufta. Kam bërë edhe një apel ndërkombëtar si rotarian dhe erdhën shumë ndiha nga vende të ndryshme të Europës.

Ka një praktikë botërore ku shoqatat e sipërmarrjes janë kritike ndaj praktikave qeverisëse; pse mungon kjo praktikë në vendin tonë?

Qeverisjet e ndryshme si të Partisë Demokratike dhe ato të Partisë Socialiste janë munduar që t’i blejë shoqatat e biznesit për t’i pasur si leva të saj. Në këtë mënyrë ato u shërbejnë interesave të tyre të ngushta ose të krerëve të tyre dhe pak komunitetit të biznesit, që janë kontributorë të rëndësishëm në një shtet demokratik. 

Në këndvështrimin e një sipërmarrësi, a mendoni se mund të bëhet më shumë për heqjen e barrierave shtetërore midis Shqipërisë-Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut e Malit të Zi ku shqiptarët janë bashkëqeverisës?

Mendoj se kjo është e qëllimshme nga influence serbe sepse është shumë e thjeshtë që të hiqet trau mes Kosovës dhe Shqipërisë, ashtu siç u unifikua abetarja, mund të bëhet edhe unifikimi doganor. S’ka nevojë për bërtitje për bashkim kombëtar, por të hiqen pengesat midis tre vendeve dhe tregu shqiptar do të kishte një frymëmarrje tjetër edhe për thithjen e investimeve të huaja, por edhe për të rritur më shumë ekonominë shqiptare.

Filed Under: Politike Tagged With: Cerciz Loloci, Hajredin Fratari

KISHA E SHËN GJERGJIT MONUMENT DALLUES I KORÇËS

October 8, 2021 by s p

     Thanas L. Gjika

Kisha e Shën Gjergjit u krijua në qytetin e Korçës me ndihmën financiare të testamentit që kishte lënë biznesmeni korçar i Rumanisë, Anastas Avramidh Lakçe (1821-1890). Sulltan Hamiti e dha lejën e ndërtimit të kësaj kishe me disa vjet vonesë dhe pasi filluan punimet, ai i ndërpreu ato disa herë. Punimet për ndërtimin e saj u kryen prej ustallarëve vendës duke përdorur gurë të skalitur, të cilët në dy breza ishin të lidhur mirë me kllapa mashkull-femër, sepse në atë kohë ende tek ne nuk përdoreshin brezat e betonit. Gurët e saj në ngjyrë gri të çelur u nxorrën nga i njëjti madem prej të cilit ishin nxjerrë e krijuar edhe shumë gurë të skalitur e shtylla zbukurimi për ndërtime të mëparëshme, si dhe më vonë u përdorën për ndërtimin e Bankës së Shtetit Shqiptar në vitin 1928. Nuk dihet nëse projekti ishte krijuar prej ndonjë arkitekti vendës, apo ishte përmirësim në rrugë praktike i projekteve të kishave të vjetra shqiptare prej ndonjë kryeustai. Deri sot nuk dihen emrat e ustallarëve, as emri i kryeustait që drejtoi punimet dhe as emri i arkitektit projektues. Ndoshta emrat e tyre mund të kenë qenë shënuar në kodikun e kishës, i cili nuk dihet ku përfundoi pas vitit 1967, viti i mbylljes së kishave, xhamive, teqeve dhe institucioneve fetare.

Në pjesën e jashtme të ndërtesës, në të majtë të dhomës së shenjtë (ajodhimës) ustallarët ndërtuan varrin ku u vendos trupi i balsamosur i dhuruesit, të ndjerit A. A. Lakçe, që u soll nga Bukureshti. Arkëmorti ishte i mbuluar me xham të trashë që mund të lejonte shikimin e fytyrës dhe trupit të balsamosur pasi zbrisje disa shkallë.

Kupola e kishës që ndriçonte nga lart sallën kishte formën e rrumbullakët dhe dimensionet e kupolave të vjetra shqiptare të trashëguara nga koha e hershme e krijimit të kishave Bizantine. Lartësia e kupolës ishte afërsisht sa një e treta e lartësisë së godinës, kurse diametri i saj ishte sa një e katërta e gjerësisë së sallës së kishës. Kjo kupolë ashtu si kupola e Kishës së Shën Marisë e Labovës së Kryqit e ndërtuar në shek VI mbas Kr. kishte lartësi e gjerësi mesatare. Ajo nuk ishte e ulët dhe e gjerë si kupolat e kishave greke dhe as e lartër si kupolat e kishave rumune, serbe e ruse (kishat ruse i kanë kupolat edhe më të larta e më të ngushta se kupolat e kishave rumune e serbe, prandaj kanë nga dy ose tri kupola).

Punimet për ndërtimin e kishës së Shën Gjergjit vijuan gjatë viteve 1899-1905, sepse sundimtari turk, për të penguar e për të marrë ryshfete i dërgonte letra Sulltanit me ankesën: “Kaurët e qytetit nuk po krijojnë një kishë, po një kala për të na luftuar”. Pasi paguheshin pare të tjera tek Sulltani e tek sundimtari turk i Korçës punimet rifillonin, e më pas ndërpriteshin, e pas ryshfetesh të tjerë, rifillonin, derisa përfunduan më 1905. Inagurimi i saj u organizua në qershor të vitit 1905. Këtë datë ma ka thënë nëna ime (Meropi) së cilës ia kishin thënë nëna dhe gjyshja e saj, se kishte lindur ditën kur u inagurua (sinaps) Kisha e Shën Gjergjit, më e madhja kishë e Ballkanit që kishte mbetur ende nën sundimin e Perandorisë Turke.

Hulumtuesi i veprave të ikonografëve dardharë, Z. Arian Çika, më sqaroi se punën artistike për kompletimin e mureve të kishës së Shën Gjergjit me piktura murale dhe ikona të artit biznatin e pati drejtuar ikonograf i talentuar dardhar Vangjel Zengo. Nën drejtimin e tij punuan dhe vëllezërit e tij bashkë me ikonografin tjetër të talentuar, bashkëfshatarin, Pandi Gjino dhe me disa të tjerë.

Kisha e Shën Gjergjit ka histori jo vetëm përsa i përket ndërtimit, por edhe funksionimit dhe prishjes së saj…

Në këtë kishë u thye për herë të parë tradita e mbajtjes së meshës në gjuhën greke, traditë e imponuar gjatë shekujve prej Patrikanës së Stambollit. Në qershor të vitit 1909 në këtë kishë u mbajt mesha e parë në gjuhën shqipe, pa marrë lejë te dhespoti (peshkopi grek Jakovi), i cili pas kësaj ngjarjeje ripërsëriti urdhërin dhe mallkimet që të mos mbaheshin askund meshë në gjuhën shqipe. Atdhetarët Korçarë të drejtuar prej Mihal Gramenos, Pandeli Cales, etj krijuan shoqërinë “Lidhja Orthodhokse” dhe filluan më 10 /23 korrik 1909 botimin e gazetës me të njëjtin emër. Me anën e kësaj shoqërie dhe të gazetës së saj u bënë përpjekjet për njohjen e të drejtave fetare të besimtarëve shqiptarë ortodoksë. Në këtë gazetë Mihali shkroi e botoi kërkesën që Shoqëria “Lidhja Orthodhokse” ia drejtoi Patrikut të Stambollit, Joakim i III, për t’ua njohur besimtarëve të krishterë ortodoksë shqiptarë të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe në kishat e tyre. Kërkesa nuk u muarr parasysh. Ndërkohë dhespoti, peshkopi grek i Korçës, Jakovi, mundi ta pengonte mbajtjejen e meshëve dhe ceremonive fetare në kishat e qytetit deri në mars të vitit 1914, kur Korça kaloi nën administrimin e qeverisë së pavarur të shtetit Shqiptar.

Në qershor të vitit 1922 në këtë kishë At Fan Noli u dorëzua Peshkop. Në janar të vitit 1931, kur ra tërmeti dy kambanoret e saj u dëmtuan dhe u puqën me njëra tjetrën. Klerikët dhe populli kishin frikë të kryenin ceremonitë fetre se mund të ndodhte shembja e kambanoreve dhe krijimi i viktimave. Atëhere usta Loni Vasil Trebicka djalë 20 vjeçar, nipi i tim eti, doli vullnetar dhe realizoi çmontimin e dy kambanoreve nga lart poshtë pa vinç duke ndërtuar skela prej druri. Ai i mbylli dy pjesët e çatisë ku ishin ngritur kambanoret, kështu që dëmtimi nuk dukej më as nga jashtë as nga brenda. Në qershor 1931 rifilloi mbajtja e meshëve dhe e ceremonive fetare në këtë kishë, gjë që vijoi deri në vitin 1967, kur u “nëna parti” duke e maskuar veten prapa “Inisiativave të rinisë” shpërtheu hapur luftë kundër besimeve dhe institucioneve fetare.

Deri në vitin 1966, kur ende lejohej puna private, anës avllisë së kësaj kishe në anën e rrugës kryesore rrinin që në mëngjez ustallarë të ndryshëm, ata që nuk kishin dyqanet e tyre, si muratorë, bojaxhinj, marangozë, ndërtues pusesh uji, punëtorë për prerje pemësh, etj. Aty ishte tregu i krahut të punës. Aty shkonte dhe im atë para se të fillonte punë si murator për mirëmbajtjen e godinave dhe avllive të Ndërmarrjes Parku i Automjeteve. Qytetarët që kishin nevojë të ndreqnin çatitë, ose avllitë, ose dritaret a dyert e dëmtuara, ose të lyenin shtëpitë, ose të prisnin pemë të mëdha, a të hapnin puse, ose të punonin kopshtet e tyre, shkonin aty dhe pajtonin me mëditje (pagë ditore) ustain ose punëtorin që u nevojitej.

Për të realizuar urdhërin e “nënës parti” në vitet 1968-1969 Komiteti Ekzekutiv i Korçës prishi tre munomente fetare të qytetit: Kishën e lashtë të Shën Marisë e cila ishte krijuar që në shek. XIII, kishë e rallë me një dhomë të nëndheshme (qimitir), Kishën e Shën Gjergjit dhe Kishën e Mitropolisë. Të tilla ndërtesa i jepnin pamje unikale qytetit të Korçës, qytet që ishte krijuar që nga koha e pushtimit bullgar (shek X-XIII). Krijimi i qytetit të Korçës vërtetohet nga emri i vet, që buron nga fjala bullgare “goricë”, nga ekzistenca e kalasë që ishte ndërtuar me gurët e lumit aty pranë dhe nga kisha Shën Mari me qimitir e ndërtuar në shek XIII. Kishë me qimitir nuk krijoheshin në fshatra, por vetëm në qytete, sepse në dhomën e nëndheshme i ruanin eshtrat e të afërmëve të tyre vetëm pasanikët e qytetit.

Për demagogji regjimi komunist i justifikoi barbarizmat e veta antifetare me disa veprime mashtruese: Prishjen e kishës së lashtë shtatëshekullore e justifikoi me nevojën e shpërnguljes së vorrezave jashtë qytetit në pjesën lindore dhe me krijimin e Kombinatit të Trikotazhit e të një lulishteje te vendi i vorrezave dhe i kishës së Shën Marisë. Prishjen e Kishës madhështore të Shën Gjergjit e justifikoi me nevojën e krijimit të një biblioteke të re në qytet. Prishjen e kambanoreve dhe të kupolës së kishës së Mitropolisë e justifikoi me nevojën për ta përshtatur godinën e kishës, si godinë për Muzeun e Artit Mesjetar. Kurse prishjen e godinës gjashtëkatshe, më të lartën e qytetit, që kishte formë vapori, “godinë me arkitekturë borgjeze”, e justifikoi me nevojën e hapjes së sheshit të ndërtimit të godinës së Komitetit të Partisë së Rrethit. Prishja e këtyre monumenteve, simbole të qytetit, kur kishte vende të tjerë për ndërtimin e objekteve të rinj për zhvillimin industrial dhe kulturor, ishte tregues i mendjeshkurtësisë së sitemit diktatorial. Ai sistem totalitar luftoi të imponohej si sistemi shoqëror më i përsosur, që u dha formën e vet socialiste qyteteve shqiptare, pra edhe qyteteve si Shkodra e Korça që kishin marrë formën e tyre gjatë historisë shumë shekullore.

Arkitekti i talentuar Petraq Kolevica, i cili mori përsipër krijimin e projektit të bibliotekës së re të qytetit, pati kurajon, që sallën e madhe të leximit dhe sallën shkencore që i vendosi në katin e dytë, t’i krijonte me mure pa dritare. Ndriçimin e tyre ai e siguroi me dritare në tavan, për të krijuar idenë e ardhjes së dritës nga qielli, si vinte nga kupola e dikurshme e kishës që kishte qenë në atë vend.

Mirëpo Ing. Spiro Koleka, Zv.Kryeministër i RPSH, gjatë një vizite në Korçë, kur kaloi në bulevard dhe pa godinën me dritare në katin e parë, por pa dritare në katin e dytë, ulëriu dhe tha se kjo godinë ishte shprehje e “qafleshëve” në arkitekturë. Ishte koha kur Mehmet Shehu, Kryeministri i vendit, kishte dalë me gërshërë në dorë në bulevardin e Tiranës dhe u priste flokët e pantallonat djemve që mbanin flokët e gjatë e pandallona të ngushta bluxhins. Kështu dhe Zv.Kryeministri, për të qenë në unison me Kryeministrin dha urdhër që të hapeshin dritare të mëdha edhe në katin e dytë të godinës. Urdhëri i tij u zbatua dhe arkitektura e biblioketës së re u shëmtua, duke ia prishur të veçantën e saj.

Prishjet e këtyre tre monumenteve madhështorë të qytetit të Korçës, bashkë me prishjen e pallatit në formë vapori të familjes Çekani, përbëjnë disa nga masakrat më të mëdha të diktaturës komuniste në fushën e trashëgimisë së arkitekturës dhe të kulturës në plan kombëtar. Shëmbeshin monumentet e kohëve të lashta dhe monumentet e kohës së Rilindjes Kombëtare, të krijuar me ndihmat e mirëbërësve shqiptarë. Nuk merrej parasysh dëmi ekonomik e ai i trashëgimisë, mjaftonte që të krijohej ideja se “nëna parti” ishte arkitektja e vetme shpirtërore dhe materiale për krijimin e Shqipërisë së re dhe të njeriut të ri.

Mbas vitit 1992, Mitropolia e Shenjtë e qytetit të Korçës e drejtuar prej bariut të mirë, Peshkopit Joan, në bashkëpunim me besimtarët e qytetit ndërmori nismën e rindërtimit të Kishës së vogël të Shën Marisë bashkë me një dhomë të nëndheshme te lulishtja pranë vendit ku kishte qenë kisha e lashtë. Kurse tani, para një viti, po ky institucion fetar mori vendim për kthimin në identitet të kishës së Mitropilisë dhe kalimin e ikonave të Muzeut të Artit Mesjetar në një godinë tjetër. Për ta realizuar si duhet këtë nismë u hap fushata për mbledhjen e ndihmave financiare në rrugë vullnetare prej qytetarëve. E përshëndeta dhe unë këtë nismë duke dhënë ndihmesën time modeste.

Shpresoj se deri sot populli i Korçës e ka mbledhur shumën e nevojshme për rikthimin e Kishës së Mitropolisë në identitet.

Ndërkohë realizimi i nismës së mërgimtarëve dardharë në SHBA, të cilët nën kujdesin e Z. Franklin Zdruli, grumbulluan shumën e nevojshme për ndreqjen dhe rikonstruksionin e Kishës së Shën Gjergjit në fshatin Dardhë të Korçës, më jep kurajën të shpreh mendimin që ne, mbi dhjetëmijë kryefamiljarë korçarë të shpërngulur në SHBA, të bashkuar pa dallim fetar, nën kujdesin e Federatës Panshqiptare VATRA e në marrëveshje me Mirtopolinë e Shenjtë të Korçës, të hapim një fushatë për të mbledhur ndihmat e nevojshme për rikrijimin e kishës madhështore të Shën Gjergjit. Kjo dhuratë, që ia fali një mërgimtar i vetëm qytetit të lindjes, por që ia shkatërroi diktatura komuniste, nuk duhet t’i mungojë Korçës Plakë si i ka munguar prej më se 50 vjetësh.

Filed Under: Politike Tagged With: Thanas L Gjika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 255
  • 256
  • 257
  • 258
  • 259
  • …
  • 654
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”
  • Festat e fundvitit u mbyllën me këngë e valle shqiptare nga Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, New York
  • Pjeter Logoreci: “Jeta dhe vepra e Aleksandër Moisiut asht nji shëmbëlltyrë pune, kulture, vullneti e karakteri”
  • “Metamorfoza”
  • Trifon Xhagjika (20 prill 1932 – 23 dhjetor 1963)
  • POETIKA E MUNGESËS DHE KUJTESËS APO ËNDRRA SI METAFORË E IDENTITETIT LIRIK
  • Umberto Eco për librin si nevojë, jo si konsum, për bibliotekën si kabinet i mjekësisë së shpirtit
  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT