Luz Thaqi, Nju-Jork, 26 Dhjetor 2021
E nderuar familje Gashi, bashkëshorte Tone,vlla Ardian, djem e vajza të të ndjerit Sylejman Gashi,i nderuari minister Prof.DR. Rifat Latifi,i nderuar president i Konf.Panshqiptara,”Vatra” z. Elmi Berisha te nderuar miq, të nderuar bashkëvendës.Shkrimtari i yne i permasave botrore, Ismail Kadare në njërën nga veprat e tij shkruan: ”Jeta është shumë e pabesë, të lë kur se pret fare…”. Kjo e pa pritë, si një mallkim që udhën ta thyen, na ndodhi edhe ne, me mikun tonë, tani në amshim, Sylejman Gashin… Dhe, kur të vdes një mik, të cilin e ke mbajtur në folenë e shpirtit, fshehurazi të prek në ndërgjegje, të drithëron dhimbja e rëndë plumb. Largimi i Syles, nga bota e të gjallëve, na i ka mbush shpirtrat me plot zjarr, na ka dërguar në vorbullën e vajtimit të përhershëm, kujtime, të cilat prore do të frymëzohen nga emri i mikut tonë, gazetarit mbarëkombëtar, familjarit të përkushtuar dhe atdhetarit të denjë, Sylejman Gashi!Në jetën shoqërore, rëndom ndodhë që njerëzit e shquar, të kulturës, politikës, artit e shkencës si dhe të historisë sonë kombëtare, të veçohen nga të tjerët, për aftësitë intelektuale, për përkushtim në çështjet madhore, për veprimtaritë e devotshme dhe pathyeshmëri të vullnetit, idealit të lartë që e kanë në shpirt që frymon me fatin e popullit të vetë. Të tillë njerëz të veçantë lindin në çdo kohë, janë të nevojshëm dhe bashkërisht e forcojnë trungun e historisë së një kombi. Brezat që pasojnë, të kaluarën e rimarrin, pikërisht në përmjet këtyre njerëzve të spikatur, siç ishte Sylejman Gashi. Një nga këto figura që do lë gjurmë në historinë tonë ma të re të kombit për liri dhe pavarësi, e qe do e quaja vazhdimësi e historisë atdhetare e të mëdhenjve Noli dhe Konica dhe patriotëve të tjerë shqiptarë në SHBA, pa dyshim se ishte atdhetari Sylejman Gashi.Është e pamundur që, me disa rreshta të përshkruhet një jetë dhe vepër aq e madhe e një personaliteti të tillë i cili çdo dite ka lëne gjurmë në kohë, por jeta dhe vepra e tij flasin vetë. Këtë më së miri e shpjegon Petro Marko kur shprehet: ”Askujt mos i beso përveç veprës sate. Të gjithë të lënë përpos asaj”.Megjithatë, ndjej obligim shpirtëror dhe miqësor, ose borxh ndaj një fjale për mikun tim në amshim, Sylejman Gashin: Ishte dimër i vitit 1992 , kur ishim të dëbuar nga puna dhe jetonim, sikur i mbarë populli ynë, me shpresa te i Madhi Zot, që të bënte diçka për ne. Të tjerat shpresa ishin të humbura, të thinjura e të tretura. Në një çajtore në Klinë përplot mysafirë e përcillnim Ditarin e mbrëmjes të RTP-se, gjersa e prisnim me padurim raportimin e Sylejman Gashit. Zëri i tij ishte i vetmi zë i shpresës. Njerëzit Sylejman Gashit i besonin. Në veten time, shpesh pyesja, ku e bazonte Syla gjithë atë shpresë? Dhe, dy vite ma pas kur edhe vetë u vendosa ne NY, pata rastin që të shoqëroheshim dhe të bashkëpunonim se bashku, e kuptova qasjen e Sylejman Gashit. Thjesht, Syla me devotshmëri u përgjigjej kërkesave të popullit në përputhje me kohën kur kombit tonë po i përgatitej një kataklizëm i tmerrshëm nga pushtuesi serb. Në stuhitë e atij udhëkryqi, të asaj cope të historisë sonë, shumë të përvuajtur, por edhe krenare, Syla tregonte orientimin e tij shpirtëror që ishte pjesë e qenies së popullit, dhe çdo minutë e çdo ditë të bardhë, ishte i gatshëm për çdo sakrificë, duke e kryer me ndershmëri misionin e tij, para ndërgjegjes kombëtare, duke i dalë zot pareshtur atedheut, duke mbjellë optimizëm.I pandalur ishte Sylejman Gashi në mision e shenjtë të reporterit të devotshëm nga Kryeqyteti dhe vendi më vendimmarrës për fatet e popujve në botë. Duke mos mundur t’i kapërthej bashkëpunimet e tija aq të mëdha, nga themelimi dhe puna si redaktor në gazetën ”Illyrija” në N.Y.,RTP (RTK),RTSH,”Rilindjen”, “Zëri”, e me dhjetëra gazeta e portale anë e mbanë mediave shqiptare, Syla ishte unikal. Dhe në shtëpinë e tij e shumë vite më parë, do më tregoj zyrën, nga e cila raportonte pa ndalur, për të më shtuar kërshërinë se sa orë punonte në ditë dhe, kur nëse pushonte ose jo. Më thoshte: ”Me duhet ta zë kohën dhe raportimet ne mediat në atdhe, punoj ndonjëherë edhe 20 orë në dite, por kjo më jep kënaqësi”.Syla ishte i pranishëm në çdo vend dhe në institucione amerikane ku debatohej për Kosovën, ishte i akredituar në OKB-e, punonte për Departamentin e Shtetit, udhëhiqte dhe moderonte si dhe u përkthente delegacioneve politike, ushtarke, kulturore, qeveritare e tjera nga tërë bota shqiptare që vinin në SHBA. Ai aranzhonte takime, i përgatiste ato, u ndihmonte mysafirëve si të dukeshin sa më në nivel, çfarë të kërkonin…Shumë nga ta i thërriste edhe mysafirë në shtëpi, dhe në fund i intervistonte për mediat në atdhe. Pra, çdo gjë fillonte dhe përmbyllej me angazhimin e pandalur të Sylejman Gashit. Pas çlirimit ai u përcaktua që përvojën e tij shumëvjeçare nga SHBA-te ta praktikonte për disa vite në Kosovë duke i ndihmuar asaj dhe duke e lënë familjen në N.Y.Sylejman Gashi, nuk ishte vetëm një reporter-gazetar, por ishte shumë më shumë se kjo, ai sensibilizonte qeveritarët dhe njerëzit me influencë të SHBA-ve dhe nga mbarë bota në OKB-e për çështjen e Kosovës. Syla nuk e kreu detyrën e Ambasadorit edhe pse nga Qeveria e Kosovës qe emëruar Ambasador i parë pranë OKB-së, por bëri më shumë për Kosovën se çdo ambasador tjetër. Në këtë rrugëtim të tij të madhërishëm, Sylejmani ishte shumë profesional, principial dhe i dinjitetshëm. Thjesht, ishte njeri i madh, me një fisnikëri të paparë, dinjitet të lartë dhe integritet të pakontestueshme. Qëndronte vertikal dhe i papërkulur asnjëherë. Këto virtyte të veçanta ia garantonte niveli intelektual, kultural dhe bontoni i tij i veçantë. Dhe, deri në çastet e fundit të frymës së tij, ai u gjend , brenda qenies dhe shpirtit të popullit, veçmas për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, për të cilën aq shumë kontribuoi. Ndaj, Syla, për mbarë shqiptarinë, jo vetëm për botën intelektuale dhe gazetarinë shqipe, përherë do të jetë kujtim i dashur, i respektuar, ashtu siç e meriton, nga historia e popullit tonë, sot dhe nesër. Trupi i tij pushon në tokën iliro-dardane, ndërsa shpirti i tij fisnik shtegton mbi qiellin shqiptar.Një nderim dhe mirënjohje të veçantë dua t’ia shprehi familjes, bashkëshortes, Tone Gashit (e cila me qëndrimin e saj dinjitoz dhe tepër titanik deri në frymën e fundit i qëndroi pranë dhe e pandarë bashkudhëtarit të jetës), si dhe fëmijëve të tyre, të cilët janë shëmbëlltyrë e ndritur e shpirtit dhe e veprës së Sylejman Gashit, atij burri qëndrestar e guximtar të tokës së Kosovës.Përjetësisht i falem kujtimit, punës dhe veprës së këtij atdhetari unikal, vepra të cilën e la trashëgim me frymëzimin e saje do t’i kapërcej shekujt.U prehtë në paqe, dhe i qoftë i lehtë dheu i Kosovës, të përjetësuarit, Sylejman Gashit, i Kosoves per te cilen aq shum beri dhe aq shumë e deshi.