• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJOHJA E KOSOVËS NGA IZRAELI- BASHKIMI EUROPIAN, NË TË NJËJTËN LINJË ME SERBINË?

February 3, 2021 by dgreca

-DUKET SE BE I KA NXJERRË KARTONIN E KUQ KOSOVËS PËR HAPJEN E AMBASADËS NË JERUZALEM./

NGA DALIP GRECA 

Nënshkrimi i marrveshjes për marrdhënie diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit me 1 shkurt 2021 përmes një ceremonie virtuale nuk ishte i papritur për diplomacinë botërore. Natyrisht që ky moment do të vinte një ditë pasi u paralajmërua 5 muaj të shkuara me marrëveshjen Serbi-Kosovë me 4 shtator 2020 nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë nën kujdesin e presidentit të 45-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Një nga pikat e marrëveshjes për stabilizimin ekonomik, e nënshkruar nga të dyja palët paralajmëronte njohjen e Kosovës prej Izraelit dhe vendosjen e marrdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Citoj: “Kosova dhe Izraeli pajtohen të njohin njëri-tjetrin.”…në fund shtohej edhe një detaj: “Serbia do ta zhvendosë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem.”

     Arritja e akordit të vendosjes së marrdhënieve diplomatike mes Izraelit dhe Kosovës ka për “kumbar’ Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo vetëm pse marrëveshja u arrit gjatë takimit të 4 shtatorit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, por edhe pse në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes me 1 shkurt 2021 morën pjesë edhe Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i shtetit Matthew Palmer (I dërguari i SHBA për Ballkanin) si dhe ambasadori amerikan në Prishtinë. Menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit N. Price, e përshëndeti marrëveshjen dhe e cilësoi të hënën e 1 Shkurtit, ditë historike. Nga ana e tij dhe ish kryetari i Komisionit të Jashtëm të Kongresit, z. Eliot Engel e vlerësoi si një ditë të madhe për të dy shtetet: “Urimet e mia të përzemërta për shtetin e Izraelit dhe Republikën e Kosovës për vendosjen e raporteve diplomatike. Kjo është një ditë e madhe për të dy vendet”, shkroi Engel në Twitter.

  Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” ndjehet mirë që u konkretizua një nga pikat e marrëveshjes të 4 shtatorit, jo vetëm pse ajo ishte e pranishme ditën e nënshkrimit në Washington me kryetarin e saj dhe bashkëpunëtorët e tij, por edhe për faktin se në gjykimin e saj vendosja e marrdhënieve diplomatike me Izraelin është një hap përpara i diplomacisë kosovare i ndihmuar nga ajo amerikane. Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, z. Elmi Berisha, në emër të Vatrës e ka përshëndetur marrëveshjen me një deklaratë publike të nesërmen e pasnënshkrimit.

      Gatimi i marrëveshjes gjatë administratës së Presidentit Trump dhe nënshkrimi gjatë administratës së re të Presidentit Biden tregon edhe një herë se SHBA harton politika afatgjata gjeostrategjike, pavarësisht se kush parti qeveris në Shtëpinë e Bardhë.

     Diplomacia kosovare është e ndërgjegjshme se me njohjen e 117 nga shteti i Izraelit nuk ka mbaruar beteja e njohjeve, shpresojmë që të mos rinisë ajo e çnjohjeve, që dirigjohet nga Beogradi. Sërish presidenti serb Aleksander Vuçiç me deklaratën e tij të pas ceremonisë se nënshkrimit të marrëveshjes të vendosjes së marrdhënieve diplomatike mes Izraelit dhe Kosovës, tregoi se nuk u qëndron marrëveshjeve, edhe kur i firmos me dorën e tij. Edhe premtimet e tij gjatë marrëveshjes së 4 shtatorit se do ta zhvendoste ambasadën nga Tel Avini në Jeruzalem, duket se do të përfundojë në kalendrat greke. Ai ka thënë se nuk ishte dakord që në Washington në marrëveshjen e 4 shtatorit. Më herët ka deklaruar se mund të hapë në Jeruzalem një përfaqësi ekonomike, tregtare. Edhe pse Vuçiç u zotua para persidentit Trump dhe firmosi marrëveshjen ku detyrohej   të ndalte fushatën e çnjohjeve të Kosovës, në deklaratën e pasnënshkrimit të marrëveshjes, ai jo vetëm shprehu nervozizëm për paktin diplomatik Kosovë-Izrael, por edhe paralajëmroi Izraelin se Serbia mund të rishohë marrdhëniet me  të; dhe komentoi se parashikon: shumë shtete arabe nuk do ta njohin Kosovën tash që nënshkroi me izraelitët. Indirekt, larg gjuhës diplomatike, kjo do të thotë se Vuçiçi e kori i tij diplomatik, kanë nisë t’u fryjnë në vesh arabëve: Kosova Ju tradhëtoi, u bashkua me armikun tuaj!

Po në fakt, ku ishin deri dje shtetet arabe, të cilat më shumë janë treguar të interesuara për të eksportuar ekstremizëm fetar e sekte terroriste në Kosovë se sa bashkëpunim e miqësi me shqiptarët?

Rrugëtimi diplomatik i Republikës së Kosovës do të jetë i vështirë edhe për shumë kohë, qoftë për shkak të Serbisë, e cila duket se do t’i rikthehet fushatës së çnjohjeve, qoftë edhe për shkak të qëndrimit të unionit Europian. Bashkimi Europian e priti ftohtë nënshkrimin e marrëveshjes për vendosjen e marrdhënieve diplomatike me Izraelin, për të mos thënë se i nnxori kartonin e kuq Prishtinës pse nënshkroi çeljen e ambasadës në Jeruzalem. Deklarata që erdhi nga BE-ja përmes zëdhënësit P. Stano e trajtonte veprimin e Kosovës për hapjen e ambasadës në Jeruzalem si një hap të gabuar, që e largon shtetin e Kosovës nga BE. Deklarata-koment e zëdhënsit i kujton shtetit kosovar se të gjitha ambasadat dhe delegacionet e shteteve anëtare të Bashkimit Europian janë të vendosura në Tel Aviv dhe jo në Jeruzale, duke iu bindur rezolutave përkatëse. Indirekt, deklarata i tregon Kosovës se nuk po e respekton rezolutën e më të  mëdhenjëve të Europës, dhe se do ta ketë të vështirë që të gjejë shtegun për anëtarësim në BE. A duhet t’i trembet Kosova këtij paralajmërimi apo duhet të vazhdojë me realpolitikën në konsultim të përhershëm me Washingtonin? Përderisa çlirimi i Kosovës dhe Pavarësimi i saj kanë arkitekt Amerikën, ajo duhet të vazhdojë të dëgjojë Washingtonin, përderisa Brukseli e sheh me syrin e njerkut. Nuk është fjala që ajo të bëjë të fortin, por as nuk duhet të trembet nga kërcënime të tilla. Çfarë ka bërë BE për Kosovën në gjithë këta vite të pasluftës dhe të pas pavarësimit? Ka 13 vjet që është shpallë Pavarësia e saj dhe ende 5 shtete të Unionit Europian nuk e njohin: Spanja,Greqia, Sllovakia,Rumania dhe Qipro. Çfarë ka bërë BE për ta zgjidhur këtë ngërç? Asgjë. Dhe ironia është se sot Evropa ka në krye politikanë e diplomatë nga vende që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ndërkohë dhe i dërguari i saj për dialogun Serbi-Kosovë është nga një shtet mosnjohës i pavarësisë së Kosovës. E si do të luftojnë ata për integrimin e Kosovës në BE?

Kosova është i vetmi vend ku nuk është aplikuar liberalizimi i vizave edhe sa kohë duhet të presin qytetartë e saj për t’iu afruar BE-së?

Filed Under: Politike Tagged With: BE -Serbi, dalip greca, Kosova-Izrael

LAMTUMIRË “ORIENTIMIT PERËNDIMOR” TË SHQIPTARËVE

February 1, 2021 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Jo se shqiptarët janë anti-perëndimorë, jo, jo.  Janë udhëheqsit e tyre.  Ndërsa, shqiptarët po boshatisin trojet drejtë perëndimit për një jetë më të mirë, udhëheqsit e tyre politikë shprehen mbështetës të vlerave të lindjes.  Këtë e vërtetoi, ditët e fundit, për të disatën herë gjatë këtyre viteve edhe Kryeministri aktual i Shqipërisë, Zoti Edi Rama i cili me sfida dhe me kërcënime të drejt për drejta ndaj Bashkimit Evropian, vazhdon — me hapa të vegjël por të sigurt — ta largojë Shqipërinë dhe shqiptarët, në përgjithësi, nga orientimi perëndimor i tyre, një angazhim ky i shpallur nga rinia shqiptare pas shembjes së komunizmit, me parullën, “E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa”. 

Ditët e fundit, Kryeministri i Shqipërisë, Zoti Rama tha se ai vazhdon t’i ketë sytë nga lindja, drejt Turqisë dhe Lindjes së Mesme, duke shtuar se “Por ne nuk jemi të detyruar të presim tregun e BE domosdoshmërisht, sepse ka tregje të tjera. Është e mundur që produktet tona të mishit të dalin në tregje të mëdha në Lindje, që nga Turqia në Lindjen e Mesme”,  një kërcënim ky që ai e ka bërë edhe herë të tjera, në kontekste të tjera, qoftë ai, qoftë zëdhënsit e tij, gjatë viteve. Frank SHKRELI/ Lamtumirë BE- Alo Putin, Erdogan, Ajatollah, Xi Jinping? | Gazeta Telegraf — Ndërkohë që thirrjes së Ambasadores Amerikane, Zonjës, Yuri Kim drejtuar udhëheqësve të partive shqiptare që të mos vënë kriminelë në listat zgjedhore për parliament, Zoti Rama iu përgjigj ambasadës amerikane se partitë nuk janë përgjegjëse për pastërtinë e kandidatëve për në Kuvend. E çuditëshme ishte përgjigja e tij ndaj thirrjes së ambasadores amerikane:

“Ne kemi ligjin, zbatojmë ligjin. Përgjegjësia e kujtdo që gënjen në vetëdeklarim është përgjegjësi individuale jo partie.  Partitë nuk janë drejtori policie, verifikojnë në bazë të ligjit dhe sipas ligjit i kemi bërë verifikimet gjithmonë.  S’kemi ndërmend të ngremë salla torturash në selitë e partive…”, u shpreh Z. Rama. Siç duket, nga toni i përgjigjes — me zemërim dhe inat ndaj diplomates amerikane — sikur përfaqsuesja e Washingtonit, vërtetë, bëri thirrje për “salla torturash”, për të siguruar pastërtinë e kandidatëve.  Thjeshtë, Ambasadorja amerikane, bëri thirrje që partitë të mos përfshijnë individë të koruptuar në listat e kandidatëve për zgjedhjet e ardhëshme parlamentare në Shqipëri, duke i përcjellur klasës politike shqiptare mesazhin e administratës së re të Presidentit amerikan, Zotit Joe Biden se ajo është e vendosur t’i vejë një theks të ri luftës kundër korrupisonit. Sipas një kronike të Zërit të Amerikës nga Tirana, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, kërkoi “Të kontrollohen mirë kandidatët, që të mos promovohet korrupsioni, të mos fyhen votuesit dhe të mos minohet demokracia shqiptare”, ndërkohë që disa ditë më parë ambasadorja, Kim, kur u takua me drejtuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka thekësuar “Mbështetjen e SHBA për t’ju përgjigjur kërkesave të popullit shqiptar për politikë më të pastër, duke filluar me politikanë më të pastër”.  Një deklaratë kjo që siç duket zemëroi Kryeministrin e Shqipërisë.

Dekriminalzimi i politikës shqiptare ka qenë dhe është një vlerë amerikane, por edhe perëndimore, në përgjithësi.  Asnjë vend nuk është i pastër nga korrupsioni. As Amerika dhe as vendet e Evropës Perëndimore nuk kanë një politikë të përsosur dhe të pastër nga korrupsioni, por ama përpiqen, me aq sa është e mundur, me anë të ligjit dhe të normave të tjera të vlerave të shoqërisë, që të sigurohet një integritet politik nga partitë dhe nga individët e aprovuar prej tyre, që të kandidojnë si përfaqsues të denjë dhe të pa korruptuar të popullit.  Me doemos, përzgjedhja e kandidatëve të pa korruptuar është një përgjegjësi e udhëheqësve dhe e strukturave të tjera të partive politike, si edhe e enteve ligjore, por edhe e vet individëve.  Por, përzgjedhja e kandidatëve të pa korruptuar është edhe përgjegjësi ligjore, politike dhe morale e një shteti dhe përfaqsuesve të tij.  Sidomos, kur këta politikanë të përjetëshëm që pretendojnë për 30-vjet tani, të pakën me fjalë, se aspirojnë vlerat dhe orientimin perëndimor të Shqipërisë.  Ndërsa me vepra, por shpesh edhe me fjalë kërcënuese ndaj perëndimit — siç është rasti i deklaratave të fundit të Kryeministrit Rama – se Shqipëria nuk ka pse të presë për Evropën, ka alternativa tjera dhe jo vetëm për tregje, si Turqia dhe Lindja e Mesme.  

E kam thenë edhe herë të tjera se deklaratat kërcnuese nga udhëheqsit më të lartë të Tiranës zyrtare, në mbështetje të idesë se Shqipëria mund të këthejë sytë drejt alternativave të tjera aleancash jashtë BE-së, janë të pa përgjegjshme dhe të dëmshme për procesin e integrimit të shqiptarëve në Evropë, si dhe kundër interesave afatgjata kombëtare të shqiptarëve, në përgjithësi.  Deklarata të tilla kërcënuese duket se bëhen me qëllim për të dëmtuar ose për të neutralizuar përball interesave të tjera të huaja, jo vetëm atmosferën e bisedimeve me përfaqsues të BE-së, por dashtë e pa dashtë, mund të influencojnë negativisht edhe marrëdhënjet e kombit shqiptar me aleatët historikë të tij, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dihet se Washingtoni antarësimin e Shqipërisë dhe të Kosovës në Bashkimin Evropian e kanë pasur vazhdimisht dhe e kanë si një përparësi të politikës së tyre karshi shqiptarëve dhe të objektivave afatgjata të politikës amerikane në Ballklanin Perëndimor dhe në Evropë. 

Nëqoftse se vërtetë e do një gjë të tillë Tirana zyrtare, Shqipëria nuk do të futet në Europë me kërcënime por me një punë maksimale për përmbushjen e kushteve kryesore të Bashkimit Evropian, ashtu siç kanë bërë të gjitha vendet anëtare të këtij tregu.  Shqipëria duhej të kishte qenë anëtare e Bashkimit Evropian me kohë.  Për këtë nuk e ka fajin krejtësisht BE-ja siç pretendon Kryeministri Rama dhe politikanë të tjerë shqiptarë.  Shqipëria ka humbur — gjatë këtyre 30-viteve post-komunizëm — aq shumë raste të mira për integrim të plotë euro-atlantik.  Për këtë mungesë, fajin e kanë kryekput udhëheqsit shqiptarë, për mangësitë e tyre për tu përballur vet me korrupsionin, për tolerancën dhe madje edhe për nxitjen e korrupsionit si mjete këto për të siguruar fitore në zgjedhje due për të ruajtur pushtetin personal dhe partiak.  Koha nuk pret. Demokracia nuk pret! As Evropa nuk pret gjithmonë për shqiptarë! 

Ndërkohë që shqiptarët, si gjithmonë — sidomos rinia — është e orientuar drejt Perendimit, gjë që po e tregon edhe me largimin në masë nga trojet e veta drejtë Perëndimit – është e vështirë të kuptohet se si Kryeministri dhe politika shqiptare, në përgjithësi, shprehimisht pranojnë se i ka sytë drejtuar nga lindja, me të cilën siç duket klasa politike shqiptare — ndryshe nga pjesa dërmuese e shqiptarëve — ka më shumë gjëra të përbashkëta me lindjen se sa me vlerat perëndimore.  Veprat, sjelljet dhe deklaratat e një pjese të klasës politike shqiptare janë një çoroditje e këtyre vlerave dhe çdo ditë e më shumë kjo klasë politike po na bën të humbasim besimin historik në thënjen e Naim Frashërit se, “Dielli vërtetë lind në Perëndim”, për shqiptarët.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Lamtumire, Orientim Perendimor

SH.B.A:“Biden-Harris Victory”: nji hap drejt “ …a more perfect union!”

January 28, 2021 by dgreca

Shkruan: Sami Repishti, PhD. /

Ridgefield, CT.”Ne, Populli i Shteteve të Bashkueme, me Qellim të formimit të nji Unioni ma të persosun”(theksi im)…. lexohet në fjalinë e parë të Preambulës së Kushtetutës Amerikane të shkrueme ma shumë se dyqind vjet ma parë. 

      Tue interpretue këte shprehje, Zonja Nancy Pelosi, kryetare e Dhomës së Përfaqsuesve të SH.B.A-s shkroi, me 2 korrik 2017: 

     “Themeluesët (e shtetit tonë) e kuptuen se Kushtetuta do të ishte ma shumë se nji strukturë ligjore. Kushtetuta do të ishte shprehja  themelore e aspiratave tona si popull dhe si shtet….nepërmes kuadrit (kushtetues) çdo brezëni  Amerikane punon të jemi sa ma afër ”…nji unioni ma të persosun”. (Theksi im!) Fitorja e ekipit “Biden-Harris Victory” ashtë nji hap përpara drejt qellimit: nji unioni (bashkim shtetesh) ma të përsosun!

    Ky besim i patundshëm për ma shumë se dy shekuj, u thye me datën 6 janar 2021 nga nji turmë pa tru dhe rrebelë pa kauzë, e nxitun nga askush tjetër por vetë Presidenti i Amerikës, Donald J.Trump, Jr. i mundun keqas në votimet e fundit dhe tani jashtë Shtëpisë së Bardhë. Shtypi amerikan doli me tituj të mëdhej: TRUMP INCITES MOB.(Trumpi nxitë rrebelët) Ai bani thirrje: 

    “Na do të shkojmë (në Capitol Building) dhe unë do të jemë atje bashkë me ju, na do të ecim deri atje në Capitol Building dhe do të duertrokisim senatorët guximtarë dhe deputetët , e zonjat, dhe ka mundësi që na nuk do të duertrokisim për shumë kohë për disa prej tyne….. Sepse ju nuk do të merrni në duert tueja atdheun tuej me dobësi. Ju duhet të tregoni forcë. Na jemi tue kerkue që Kongresi të baj atë që ashtë e drejtë, dhe vetëm  zgjedhsit e zgjedhun ligjërisht, të zgjedhun ligjërisht…..Na do të luftojmë. Na do të luftojmë deri në fund. Sepse në se ju nuk luftoni ju nuk do të keni nji atdhe përsëri. Shkoni në Capitol, dhe luftoni pa frikë deri në fund; përndryshe do të mbeteni pa atdhe”. Presidenti Trump me gjithë premtimin e dhanun nuk doli nga Shtëpia e Bardhe….!(Theksi im) Turma pa tru u nis dhe lojalistët e ish-Presidentit u drejtuen kah Capitoli. 

   Reagimi i popullit amerikan ka qenë i shpejtë dhe pa rezerva: ata hodhën poshtë “gënjeshtren e madhe” që lëshoi ish Presidenti rebel për vjedhjen e votave; prodhimi i imagjinatës tij të smurë krijoi huti në fillim, por vendosmëni në udhëheqje. Zonja Pelosi, u shpreh:

     ”Presidenti i Shteteve të Bashkueme ka nxitë kryengritjen, Kjo lëvizje ashtë rebelim i armatosun kundër vendit tonë të perbashkët. Ai duhet të largohet. Ai ashtë nji gënjeshtar, dhe nji rrezik edhe sot për këte komb që na të gjithë e duem. I them këto fjalë me dhimbje në zemër”. Me këte deklaratë ajo kërkoi fillimin e procesit për “impeachment”(akt paditës) dhe denimin e ish Presidentit Trump për herën e dytë.

   Nji mendje e ndritun, filozofi amerikan, Timothy Snyder, autor i nji analize magjistrale të botueme ne The NYT Magazine të datës 17 janar 2021,  shkruen:

   “ …Kur Presidenti Trump foli para ndjekësve të tij me 6 janar (2021) dhe kërkoi nga ata me marshue drejt Capitolit të Shteteve të Bashkueme, ai veproi ashtu si ka ba gjithëmonë. Ai nuk e shikoi demokracinë elektorale seriozisht, as pranoi legjitimitetin e versionit (demokratik) amerikan. Këtu ashtë baza e mendimit politik të Donald Trump. Mospranimi ose mosrespektimi i sistemit demokratik, nxitën atë në formimin e nji sistemi të imagjinuem nga ai”. Këtu del personaliteti i tij si narsicist ekstrem, gënjeshtar patologjik, i uritun për pasuni dhe hakmarrës…. 

    Nga ana politike, kryetari republikan i Senatit, Mitch McConnell  deklaroi para Senatit: “ Turma e pa tru u drejtue nga gënjeshtra,…. {Rrebelët) u provokuen nga Presidenti dhe nga personalitete tjera të fuqishme. Këta u përpoqën me shfrytëzue frikën e dhunën që synojshin me parandalue procedurën specifike të degës së parë (Dhomës) të Qeverisë Federale, që ata nuk e duen….” 

     Amerikanët kanë durue shumë me përkrahjen e tyne për “shpirtin e Amerikës”. Por beteja “për shpirtin e këtij kombi” vazhdon, dhe miljonët e Amerikës sot presin që Administrata e re Biden-Harris dhe Kongresi 117-të t’I jap fund njiherë e përgjithëmonë aventurave të  rrezikshme!

   E gjitha kjo katrahurë vetëm për nji “gënjeshtër të madhe”!

   Cila ishte “gënjeshtra e madhe?” Ish Presidenti Trump refuzoi me pranue rezultatet e zgjedhjeve presidenciale te 3 nandorit 2020 menjiherë mbasi Komisioni Qendror i zgjedhjeve njoftoi se ish N/Presidenti Biden kishte fitue  7 miljonë plus vota ma shumë se kundërshtari i tij Trump. “Na kemi fitue”, deklaroi Trump publikisht, “dhe pala tjetër ka mashtrue dhe manipulue. Prandej unë nuk pranoi.” 

    Reklamimi i Trump-it nuk ka asnji fakt që e justifikon. Ashtë thjesht gënjeshtër!

    E gjithë kjo pa asnji fakt konkret, as dokument. Votimet e nandorit  2020 konsiderohen nga ekspertët si ma të rregulltat dhe ma të besueshmet që njihen në Amerikë. Rezultatet u aprovuen nga të gjitha Dhomat e Perfaqsuesve dhe Senatet e 50 shteteve amerikane. Trumpi insistoj në rinumrimin e votave në disa shtete. Edhe kjo kerkesë u pranue dhe rezultatet nuk treguen nji ndryshim. Ma shumë se 90 ankesa janë paraqitë para Gjykatave Federale Amerikane, dhe asnji prej tyne nuk ashtë pranue. Edhe Gjykata Supreme e Amerikës hodhi poshtë kërkesen republikane me formulen “without merit” (pa merita). 

    Trump vendosi me përdorue forcen. Demonstratorë të  bindun planifikuen akte terroriste. U vendos që Governatorja e shtetit Michigan, dhe ai i shtetit Virginia, të “grabiten” të izolohen në nji pyll, dhe të ekzekutohen ”nga populli” nji trajtim qe na kujton ish diktatorin italian Mussolini i ekzekutuem me kokë poshtë, dhe ish udhëheqsin rumun Çaushesku dhe zonjën e tij dhe përfundimin e tyne tragjik. Për fat të mirë FBI zbuloi komplotet dhe arrestoi nji numër aktivistësh “trumpistë”. Kjo nuk e pengoi ish-Presidentin me luftue pa kuartier dhe me kerkue mos-certifikimin e fitores së ish N/Presidentit Biden.

     Mbetej edhe akti i fundit: certifikimi i votimeve nga Dhoma e Perfaqsuesve me 6 kallndor. Këtu ndërhyni ish-Presidenti i mundun dhe tentoi “nji grusht shteti” që do të shpërndante Kongresin, dhe, ashtu si flitet, të formohej nji grup i zgjedhun që të deklaronte fitoren dhe marrjen në dorë të pushtetit. Në këte moment ata do të bajshin thirrje Trump-it dhe do ta deklarojshin ate si presidenti legjitim i SHBA-s.

   E gjithë bota ka deshmue pamjet e frikshme të sulmuesve në Capitol Hill. Shumë janë shqetësue dhe me të drejtë. E pabesueshmja ngjau dhe tashti asht nji fakt i pamohueshëm. Demokracia amerikane pësoi nji sulm të papritun për të parën herë në historinë e këtij vendi. Për afër tri orë, “rrebelët” u sollën nepër zyra të Kongresit, tue shkatërrue dyert, dritaret dhe dokumente. Në orën 6:30 të mbramjes Policia dhe ndihma e ardhun dëbuen të gjithë agresorët, pastruen mjediset e damtueme dhe në orën 8:00 të mbramjes, Dhoma e Përfaqsuesve Amerikanë filloj punën e saj në rregull të plotë e simbas programit, dhe përfundoi me certifikimin final  të zgjedhjeve elektorale të 3 nandorit 2020, si dhe deklaroi kandidatin demokrat Joseph R. Biden, Jr. si Presidenti i ardhëm i Amerikës. Mbas këtij “incidenti të urrejtëshëm’ demokracia amerikane tregoi forcën e saj, dhe fitoi përfundimisht.

   Ajo që tërhoqi vrejtjen e veshguesve  kanë qenë dy episode:
e para, N/Presidenti M.Pence, refuzoi urdhnin e Presidentit Trump, me gënjye tue tregue numrin falso të  votimit që do të justifikojshin ”fitoren” e Trumpit. “Kushtetuta kërkon nga unë vetëm numrimin e votave dhe deklarimin publik të numërimit. Asgja tjetër” tha ai Me këte gjest, N/Presidenti Pence  dermoi shpresën e fundit të ish Presidentit për nji “fitore”. Për këte ai u denue nga “rrebelët” dhe u kercënue me vdekje. Dhe, 

e dyta, dhetë republikanë votuen kundër Trumpit. Ishte “thyemja” e parë e“fortesës Trump”!  

    Në nji situatë të këtillë, kryetarja e Dhomës së Përfaqsuesve, Nancy Pelosi, deklaroi se Dhoma planifikonte me demaskue veprimtarinë e Trumpit dhe me kerkue nga Kongresi denimin për herë të dytë (Impeachment)  të fajtorit. Nji akt i këtill nuk do të lejonte ate me kandidue për presidencë ma vonë- nji andërr që ai sot ushqen!.

   Nji sulm kundër Capitolit në Washington, D.C kaloi edhe imagjinatat  ma të ndezuna të nji udhëheqsi, dhe na kujton revolucionet e tetorit 1917, djegjen e Reichstagut me 1933 dhe aktet tjera barbare që kryejnë rrebelët e pakontrollueshëm në raste të këtilla. Kjo klasë injorantësh dhe qellimzezë sulmoi “Katedralen e Demokracisë” me shpresë se me dhunë do të fitonte barbarizmi që i cilëson në perpjekje me mohue fitoren e marrun nga votimet e lira. Demokracia triumfoi!

   Fajtorët pësuen denimin e duhun, u arrestuen dhe do të dalin para gjykatave amerikane. Frymëzuesi i tyne, megalomaniaku Trump do te kalojë në harresë si nji i çmendun që kishte zanë nji vend të pamerituem, dhe nxitës i trazimeve që tronditen opinionin publik, tue shkelë betimin e dhanun solemnisht me mbrojtë dhe mbështetë Kushtetutën. Fatkeqsisht nji oficer policie u vra nga demonstruesët,, dhe katër tjerë vdiqën në rrethana  akoma të pasqarueme.

 * * *

    Të gjitha “kauzët e humbuna” kuptojnë se jeta e tyne mbahet gjallë me gënjeshtra, të mëdha  e të vogla, gënjeshtra që mbështeten nga bindja se kerkohet nji narrativë që mobilizon masat e popujve me veprue me nji politikë dhune, dhe në emën të nji ideologjie. Pak kombe në botë mund të deshmojnë për këte gjykim ma mirë e ma plotësisht se shqiptarët që mbijetuen fashizmin italian, nazismin gjerman, shkombëtarizimin jugosllav, sovietizimin  rus e infiltrimin e maoistëve kinez në ekonominë tonë. Gënjeshtra, gënjeshtra, të vogla e të mëdha….

    Ç’ashtë “trumpizmi” në formën që dëshmuem ne? Argumente për vjedhjen e votave,                                                                           dhe nji fiksion i elaboruem  që lufton me krijue nji “realitet” që nuk ekziston , “an alternative reality”, dhe me mohue “të vertetën” që vritet pa mëshirë sepse “ e parandësi”, dhe e zevendsueme me mendimin e “udhëheqsit të pagabueshëm dhe të padiskutueshëm”. 

     Nji atmosferë ku qytetet e mëdha paraqiten si qendra të korruptueme plot me “zezakë” dhe jo të “bardhë”, që manipulohen nga “elita të bardha”; ku Barak Obama quhet si “nji huej”, nji lëvizje socialiste cakton taksat për ju, e ju nenshtron qeverive të mëdha e të fuqishme, media liberale me shkatërrue familjet dhe vlerat konservative, universitete dhe shkolla që mësojnë për të rinjte nji histori që urren Ameriken, anmiqsi kundrejt  të bardhëve që kercënojnë vizionin e veçante të kombit (i njohun si “exceptionalism”)…dhe çdo tjetër version urrejtje.”Trumpizmi ashtë koshient për ate që urren: liberalizmin, emigrantët, nderhymjet në ngjarjet e jashtëme, e sidomos pluralizmin etnik dhe racor etj.  Asht pergatitja për nji atmosferë “nihilizmi konspirativ” që zakonisht përbuzë arsyen dhe frikësohet nga “ndryshimet” që imponon koha! 

    Sot, Trumpi humbi, por ai dhe rrethi i tij do  të gjejnë mënyra me mbajt prezencën e tyne në Partinë Republikanë,ose me formue nji Parti politike të re, me përgatitë nji shumicë për nji fitore të ardhme: “nacionalizmin kristian”(sic!) dhe klasën e bardhë e të pakënaqun. Andre Higgins i referohet Ambasadorit gjenial amerikan në Moskë, George Kennan, kur shkruen për”…paralajmërimin e fuqisë së madhe që kanë forcat e mshehuna me gënjeshtra të mëdha. Bashkimi Sovjetik (në 1944) ishte nji rast i këtill që ka provue se”… ekzistojnë disa çfaqje shqetësuese në lidhje me qeniet njerëzore”. Sukseset e propagandës sovjetike në vitet e mbas L2B e konfirmon këte gjykim. 

     Unë e kam perjetue në Shqipëri në vitet 1945-46. Ashtë e frikëshme me deshmue shumë individë që bien  viktimë e “kerkesave”  e me besue praktikisht çdo gja, sidomos gënjeshtrën.  Ska randësi që nuk ashtë e vertetë ajo që kerkohet. Për ata që e besojnë gënjeshtra bahet e vertetë: fiton vlerën dhe të gjithë pushtetin që ka ‘e verteta”. Përvoja e Ambasadorit Kennan në Bashkimin Sovietik u çfaq këto vite në Amerikë, nji vend ku  dhjetra miljonë qytetarë “besojnë” të “vertetën e trillueme” nga Trumpi : Kandidati Biden ka humbë votimet në nandor 2020, e se  ai inaugurohet President në mënyrë të  pa ligjshme ….“gënjeshtra e madhe”!  

“Populli nuk dëshiron gënjeshtra; por gënjeshtari do të gjej gjithmonë persona që i lejojnë vehtes me u gënjye” (Macchiavelli, Il Principe) Presidenti i Sllovenisë, J.Jansa, uroi Presidentin Trump për fitore. “Ashtë krejtësisht e qartë që populli amerikan ka zgjedhë  Z. Trump” tha ai, dhe ankohet që “ aktet mohohen nga shtypi kryesor!” (sic!). Peter Kreko i The NYTimes, korrespondent në Budapest, e shef i nji grupi hetimor, shkruen se këto gënjeshtra janë rezultati i “tribal mind-set” që shikon çdo përpjekje si nji ballafaqim në mes të së mirës dhe të së keqes të ngulituna në traditën tribalistike. Kështu përpjekja politike merr  formën e nji lufte dhe kërkon mbështetje pa kondita për udhëheqsin/bajraktarin e grupit tribal. Në se ju flisni kundër  keni “tradhëtue”.                                                                                                                                                                    

   Ajo që ban këte situatë nji gjendje të rrezikëshme nuk ashtë vetëm se tribalizimi ashtë i papajtueshëm me pluralizmin politik dhe politikën demokratike; por “ tribalizmi ashtë nji formë natyrore e politikës. Demokcacia ashtë nji deviacion!”(P.Kreko) “Dobia” e nji gënjeshtre të madhe u provue gjatë shekullit 20 me sloganin se jahudinjwt janë përgjegjës për të gjitha të kqiat dhe dominojnë të gjithë botën. Rezultati i kësaj gënjeshtre monstruoze u vulos për jetë me turp nga krematoret hitleriane dhe gulagët sovjetikë në Siberinë e akulltë- nji turp i përherëshëm dhe I pashlyeshëm për të gjithë njerëzimin!

    Sot, vendi i jonë duhet të ngrihet nji shkallë ma nalt në udhëtimin tonë për nji union (bashkim shtetesh) ma të persosun!  Republika e Shteteve të Bashkueme të Amerikës duhet të ngrihet përsëri në piedestalin e nderit që meriton, dhe të rifitojë admirimin e botës  ashtu si e meriton. Ky ashtë misioni  historik i çiftit Biden-Harris. Nji hap i madh drejt “…nji unioni ma të përsosun”!

   “Barka e demokracisë amerikane u sulmue nga vetë Presidenti Trump. Ajo nuk u tund! Por ky akt vandal na kujton se jemi në nji gjendje ku aksionet me parandalue “sulme” të këtilla kerkojnë gjeste të forta e kuptimplote, dhe sidomos ide të reja, sisteme mendimi të reja. Sot, na duhet të rikujtojmë “kontratën sociale” në mes të  popullit e qeverisë dhe të angazhohemi për idenë e nji atdheu të bashkuem tue i dhanë fund ndasisë së thellë që krijoi presidenti i deshtuem, dhe të mendojmë se sa të lidhun jemi njeni me tjetrin, me kuptue se afrimi në mes nesh ashtë nji domosdoshmeni objektive”. (T. Snyder, Yale U.)

Me 21 janar, Joseph Biden deklaroi publikisht denimin e “supremacisë së bardhë në SHBA” dhe kaloi ne histori si presidenti i parë! Hapi i parë drejt bashkimit kombëtar ashtë ndershmënia!

    “Ajo që ngjau në Capitol Hill mbas disfatës së Trumpit ka qenë nji lajm I keq per ‘populistët’ e Europës” shkruen intelektuali francez Dominique Moisi, i Institutit Montaigne. “Tregon dy gjana: Në se zgjidhni  ‘populistët’  ata nuk largohen lehtësisht, dhe në se nuk i zgjidhni shikoni se çka janë në gjendje me ba tue mobilizue pakënaqsinë popullore”. Udhëheqsit e lëvizjes populiste njeni mbas tjetrit  u distancuen tue mos u shprehë në favor: Marine le Pen, Francë, Matteo Salvini, Itali, Gert Wildert e Thierry Baudet, Holandë, Presidenti Duda, Poloni, Viktor Orban, Hungari, Erdogan, Turki, nuk gjetën guxim me përkrahë  rebelin pa kauzë, Donald Trump.     

   Prof. Snyder  formulon tezën se periudha mbas shkeljes së vertetës ashtë pre-fashizëm, nji hap që siguron ardhjen e fashizmit në formën e tij ma të plotë….Kur heqim dorë nga e verteta na i japim të drejtën atyne që me pasuni ose me karizma krijojnë nji spektakël në vendin e së vertetës” Nji fenomen të këtill e kemi përjetue edhe në Shqipërinë tonë me fashizmin, e sidomos me komunizmin- manifestime të mëdha e të zhurmëshme me mbulue”gënjeshtrën e madhe” qeveritare. Na humbim aftësinë me dallue fiktiven që na ofrohet. Trump nuk ka vision përveç glorifikimit personal. Trumpi  ka imitue udhëheqsit fashistë e pro-fashistë tue predikue fjalën e tij si “të verteta” absolute. Terminologjia e perdorun ashtë shpesh herë e huazueme nga ata. Shprehja “fake news” ashtë naziste “Lugenpress”, Gazetarët janë “armiqt e popullit” ashte frazë hitleriane me heshtë shtypin e lirë etj . Ne nji atmosferë të këtill, ish Presidenti e ndiente vehten të fortë me quejtë të gjithë kundërshtarët “gënjeshtarë”. Hannah Arendt e quen këte fenomen “fabrikim i faktualitetit” . 

   Mbi politikën e jashtëme: Presidenti Biden besohet se do të hjedhë posht parullën “Åmerica first” si nji manifestim superioriteti që ofendon të gjithë kombet e botës, e damshme, dhe që na kujton parullën hitleriane “Deutschland uber alles”. Biden premtoi se do të fillojë bisedimet me Iranin, do të firmojë marrëveshjen pesëvjeçare me Rusinë  të Traktatit të Armatimeve, të forcojë lidhjet me NATOn-n, dhe të tërheq kërcënimet bajate të ish presidentit, si dhe do të anulojë direktiven raciste për ndalimin e emigracionit nga gjashtë vende myslimane….në kërkim të nji bote ma paqësore!.  Njikohësisht, Presidenti Biden do të ndeshkoj Rusinë për përpjekjet e saj me influencue zgjedhjet amerikane në 2016 dhe përsëri në 2020, si dhe me forcue bashkëpunimin me vendet e botës në luftë kundër virusit Covid 19 që ban sot kerdinë në botë.  Ai ashtë koshient i përpjekjeve ruse me krijue trazime ne zonën e Ballkanit, natyrisht me ndihmen e Serbisë. Në qershorin e kaluem kur u fol për nji marrëveshje serbo-kosovare, i pyetun për Kosovën ai tha: 

  “Nji zgjidhje komprehensive që sjellë njohjen reciproke, ruen sovranitetin dhe integritetin territorial të dy shteteve, dhe forcimin e institucioneve demokratike ashtë esenciale për Kosovën e Serbinë që të ecin përpara. Kjo kërkon bashkëpunimin transatlantik“(Illyria N.Y) 10 korrik 2020, që nënkupton SHBA. Shqiptarët kanë nji mik të madh në SHBA.

    Ashte përshtypja e përgjithëshme se Presidenti Josep R. Biden Jr.do të jetë individi i privilegjuem të kryesojë përpjekjet tona per nji hap cilësor drejt nji unioni ma të përsosun. Kjo përshtypje merret edhe nga përmbajtja e fjalimit tij inaugural me 21 janar 2021.  Citojmë:

   “Kjo ashtë nji ditë demokracie, nji ditë historike, nji ditë e shpresës”. Ai falënderoi të gjithë para-ardhësit- dhe Zotin “që bani të mundun nji tranzicion paqësor të pushtetit,” dhe premtoi se “andrra drejtësi për të gjithë nuk do të vonohet ma tej sidomos sot me kercënimin e ekstremizmit politik, supremacisë së të bardhëve,  terrorit domestik që na duhet të ballafaqojmë e do të shkatërrojmë”. Ai  numroi momentet historikë që lejuen avancimin e kauzes së barazisë sociale:. 

     Sot,”ndigjoni bindjen time: mosmarrëveshjet nuk duhen kthye në ndasi. Dhe unë u betohem se do të jemë presidenti i të gjithë amerikanëve. Dhe do të lufotj me ngulm si për ata që votuen për mue dhe ata që nuk votuen për mue….Shen Åugustini,shenjt i Kishës sime shkruen se nji popull ashtë nji masë njerëzish e percaktueme ngsa objektet e përbashkëta të dashunisë tyne… Ashtu si thonte edhe nana ime kuptoni të tjeret tue veshë kpucet e tyne,” në se dëshirojmë me tregue pak tolerancë dhe përvujtëni.

  Kemi nevojë për fuqi me përballue vështirësitë e nji dimni të errët” me smundje e vorfëni.

Të dashtun qytetarë amerikanë: e mbylli sot këte fjalë ashtu si e fillova. Jap besën se gjithëmonë do të jemë në nivelin tuej. Do të mbroj Kushtetutën, dhe do të mbroj demokracinë tonë. Unë do të mbroj Amerikën. Unë do të jap gjithë vehten time në sherbim për ju, dhe me ndihmen jo të pushtetit që kam por të mundësive që krijohen. Jo interesin personal, por për të mirën publike….Zoti e bekoftë Amerikën, dhe ushtarët tonë. Falemnderit  Amerikë!” deklaroi ai.

    Joseph R. Biden, Jr ashtë presidenti i dytë katolik (mbas J.F.Kennedy) ne 245 vjet, i devotshëm, dhe i frymëzuem nga mësimet e marruna në familje dhe shoqëni katolike. 

Filed Under: Politike Tagged With: Biden-Harris, Sami Repishti PhD

The Biden Administration Needs a Point Man for the Balkans

January 27, 2021 by dgreca

By Akri Çipa/*

President Biden and his foreign policy team have a wide array of international challenges to address. The Balkans is not expected to be a high priority on that list. Nevertheless, the opportunity is there for the United States to bring change in the region.

In the 1990s, the United States played a primary role in the Balkan peninsula and spearheaded the successful intervention that stopped Serbia’s genocidal campaign against Kosovo’s Albanians. With the support of the United States and other Western allies, Kosovo declared its independence in 2008. Unfortunately, supported by Russia and China, Serbia refuses to acknowledge Kosovo’s sovereignty. The EU-facilitated dialogue process, that was supposed to bring the parties together towards finding a lasting solution, has failed to deliver.

Meanwhile, malign foreign powers have exploited the dispute to meddle in Balkan affairs and hold the region back from integrating into Western organizations. Ongoing conflicts create avenues for influences that threaten the balances of the region. On the other hand, these threats are heightened by corrosive corruption, bad governance, and the lack of economic opportunities observed throughout the region. While Russia continues to be a destabilizing force, China is making important economic, trade, and diplomatic advances in the region. Strong American leadership is needed to halt these forces.

This was understood by the Trump administration. Secretary Pompeo’s appointment of Deputy Assistant Secretary Matthew Palmer as Special Representative for the Western Balkans and the following presidential appointment of Ambassador Richard Grenell as Special Envoy for the Kosovo-Serbia dialogue were important signals about direct reengagement. However, despite grasping the lymphatic need for the US contribution towards solving the conflict, the Trump administration was unable to settle it.

Instead of backing down, the Biden administration should step up its efforts. By keeping the focus on the Balkans high, while correcting the evident mistakes observed in the most recent initiative, the new administration can succeed in bringing about much needed progress. To do so, President Biden needs to retain the Special Envoy position and appoint someone who has a deep knowledge of the region and grasps its dynamics.

Congressman Eliot Engel would be the perfect fit for the job. The Jewish legislator from the Bronx lost the primary against his Democratic challenger in June, however he has expressed his interest in giving a contribution in the Biden administration. With his vast foreign policy experience as a member and chairman of the House Foreign Affairs Committee, the 16-term Congressman understands like no other the US interests in the Balkans and how to advance them. He has been a determined voice on the most important developments in the Balkans since the beginning of the 1990s. Under his leadership, the House Foreign Affairs Committee devoted considerable time to the region. In fact, one of the last hearings he presided as the Chairman of the Foreign Affairs Committee was dedicated to policy recommendations for the next administration.

Critically, Congressman Engel understands the importance of US leadership. As he explained during the HFAC December 8 hearing, “American involvement in the Balkan Wars of the 1990s was the pinnacle of [the] post-Cold War power and influence. It also represented how such leadership can be put to good use.”

Congressman Engel is a strong believer in the transatlantic relationship and has always supported US-EU cooperation. This quality is pivotal at a time when everyone concurs that Western coordination is needed for the dialogue between Kosovo and Serbia to succeed. The European block is their largest economic and trading partner and both countries aspire to join the union in the near future.

Lastly, Congressman Engel’s role in the dialogue between Serbia and Kosovo would be critical to counterbalancing the eschewed position of the European Union. Both Josep Borrell, EU’s top diplomat, and his Special Representative for the dialogue, Miroslav Lajčák, originate from two countries – respectively Spain and Slovakia – that do not recognize Kosovo’s independence. Despite expected Serbian skepticism, Congressman Engel’s engagement would serve to assuage this asymmetry and enhance the dialogue process. After all, guarantees will be needed to help the parties reach an agreement, as well as for its implementation.

Prior to the November elections, the Biden-Harris campaign made it clear that a President Biden would work with “the European Union to revitalize the dialogue between Kosovo and Serbia.” They pledged to help facilitate a “stabilizing, just, and comprehensive settlement between the two countries that respects Kosovo’s territorial integrity and achieves full mutual recognition.” The Biden administration must not miss the opportunity to succeed.

*Akri Çipa is a Balkan expert and consultant. He holds a Master of Science in Conflict Resolution from Columbia University in New York. His articles have been published in the National Interest, Balkan Insight, Jerusalem Post, Euractiv, Brussels Times, and more. Twitter @AkriCipa. This piece was first published in Balkan Insider.

Filed Under: Politike Tagged With: Akri Çipa, Biden Administration, for Balkans, Point Man

Dr. Vjosa Osmani & Kryeministri Hoti, lule për hebrenjtë

January 27, 2021 by dgreca

U.d. Presidentja e Kosovës, dr. Vjosa Osmani nderon kujtimin për hebrenjtë në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit/

U.d. Presidentja e Kosovës, dr. Vjosa Osmani në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit, në shenjë nderimi për viktimat ka vendosur buqetë lulesh te pllaka përkujtimore për hebrenjtë, e cila ndodhet në oborrin e Qeverisë së Kosovës.

Ajo ka thënë se gjenocidi ndaj hebrenjve është barbaria më e madhe që njeh historia njerëzore deri më sot.

 “Sot, duhet ta kujtojmë dhe të ndihemi krenar për ndihmën të cilën shqiptarët i dhanë komunitetit hebraik në vitet e trishtimit. E përderisa kujtojmë kalvarin e hebrenjve, nuk ka si të mos përmendet edhe ndihma e shtetit izraelit ndaj kosovarëve të dëbuar dhunshëm në luftën e vitit 1999”, ka thënë u.d. Presidentja Osmani.

Sipas zonjës Osmani Holokausti do të kujtohet përgjithmonë.

 “Përkujtimi i Holokaustit është riafirmim i të vërtetës, një nevojë prej së cilës nuk duhet të hiqet dorë asnjëherë dhe në asnjë rrethanë”, ka thënë u.d. Presidentja Osmani.

*** 

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, përkujton viktimat e Holokaustit

Prishtinë, 27 janar 2021– Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, bëri homazhe dhe vendosi lule te pllaka përkujtimore për hebrenjtë, që pësuan gjatë Holokaustit, në vendin ku ishte Sinagoga e fundit, në shënim të Ditës Ndërkombëtare përkujtimore  të Holokaustit.

“Besoj që populli shqiptar është populli që më së miri e kupton popullin hebraik dhe bashkëndjen me vuajtjet që ka pas gjatë historisë.  Unë jam krenar që si popull shqiptar, gjatë periudhës më të vështirë të Luftës së Dytë Botërore, kemi ndihmuar pjesëtarë të këtij komuniteti, të gjejnë strehim në Kosovë dhe Shqipëri. Kjo tregon përkushtimin e familjeve shqiptare për t’u dalë në ndihmë këtij populli në momentet më të vështira”, tha kryeministri Hoti.

Holokausti ishte një prej kapitujve më të errët të Luftës së Dytë Botërore, kur në kampet e përqendrimit gjatë përndjekjes sistematike dhe çnjerëzore, u shfarosën  miliona hebrenj.

Filed Under: Politike Tagged With: Avdulla Hoti, Dr. Vjosa Osmani, Hebrenjte

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 298
  • 299
  • 300
  • 301
  • 302
  • …
  • 654
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT