• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOHA SHTESË në 7 vjet e 7 ditë

May 17, 2021 by dgreca

– mbresë rreth romanit “Extra time” të shkrimtarit Durim Taçi,

shkruar në vetën e dytë –

Nga Visar Zhiti/

C:\Users\User\Downloads\IMG_8317.jpg

               Visar Zhiti

“Extra time” më erdhi si një befasi me të gjitha kuptimet. Dhe i tillë është, arrin të të gjejë dhe të godet, si era mbase e të trondit si një tërmet, pa zhurmë, por i heshtur.

Se jeta kështu është, dhimbja e saj ashtu si dhe ngazëllimet, e zakonshmja dhe e pazakonshmja, etj, etj, duan dhe një sendërtim të dytë, për t’u kuptuar më mirë dhe jo vetëm kaq, për t’u ndjerë e ty të duhet ta ndalësh kohën, më saktë ta krijosh, ta rikrijosh ende më saktë, jo perjetesinë e pamundur, por të përhershmen, një të gjithmontë tonën.

Libri/ romani, besoj, mbetet më i përshtatshmi për ta mbartur rrjedhën e jetës si një praní, ëndërr dhe mister bashkë, ku e pritura dhe e papritura ngatërrohen mes tyre, shkëmbejnë dhe vendet ose kapitujt. I tillë është dhe libri yt, aq shumë filmik, që më shumë ngjan se shikohet se sa lexohet. Dhe ashtu siç ti kërkon një “extra time” – kohë shtesë rrëfimi, kështu do të duheshin dhe “extra words” për të rrefyer rrëfimin, fjalë shtesë që s’janë shpikur ende dhe ti ke nxjerrë shpirt nga fjala, pa i kërkuar ato, janë fjalë të përditëshme tonat, a u ke dhënë shpirt të ri a nga Qielli ka rrjedhur ajo frymë prej Ati a të gjitha bashkë a diçka tjetër e përtejme, një si ndihmë prej Hyu a të gjitha ishin këtu, brenda nesh.

Libri yt përjetohet, ritmi i tij është pulsim i gjallë, si një ecje e nxituar e atij që nuk ka kohë ta thotë kumtin e vet më të rëndëishëm, por që duhet thënë patjetër, shenjat e tij do të donin të kundërshtonin harrimin dhe ti ia del ta pakësosh atë, duke hequr të tepërtat, siç thoshte Mikelanxhelo për statujën, por duke vënë të tepërtën e rëndë, jo që të përftohet një statujë, por jetë e jetës.

Të teorizosh si kritikët e të thuash që është pasqyrë e një realiteti, jo, nuk ke për të qenë i saktë, – i them vetes, – as të shtosh se është një realitet tjetër paralel letrar, gabim, – prapë i them vetes, – por vêrtet “Extra time” është një të jetuar tjetër, si zanafillor, me magjinë e leximit, real si ai i përjetuari që s’lejohet të bëhet kujtim, i shpalosur në një një tashmë autoritare, të filtruar natyrisht, se ti je shkrimtari, me atë  teknologji që bëhet lënda e së përhershmes, (gjuhësisht koha e tashme e përhershme duhet krijuar medoemos), që s’është një dimension sipas logjikës së varfër të njerëzve, por vërshim njëherësh e-shkuar-e-tashme-e-ardhme-bashkë, duke i bërë një çarje çesariane barkut të Kronosit, 

Ky është libri yt, një  risi në letrat shqipe, sipas meje. Në fund të fundit ai është një rrefim në altarin e vetes, një e folur me vete, nga një tronditje supreme, ndërkaq e mbajtur 7 vjet brenda vetes dhe e zbrazur për 7 ditë si në një mit, prandaj dhe libri me të drejtë mund të quhet dhe mitobiografi, duke iu larguar vetes, si shpirti që kërkon të na ngrihet lart, për të na kqyrur me një mosfolje të shenjtë.

Shkrimtari e thyen këtë pakt nga shkaku i demonit të tij të brendshëm, ti flet dhe s’e ke për gjë t’i  rrefehesh vegimeve ashtu si dhe një ikone, apo urës, bregut pranë shtëpisë, agut, ashensorit, që pasi hap dyert, nuk sjell atë që duam dhe e nis sërisht, të vijë me ëndrrën e asaj që duam. 

Shkrimtari i jep zë të heshtur fletës së shkrimit nē kompjuter, të kaltër si një copë parajsore qielli dhe studion e krijimit e bën fushë futbolli, ku luajnë jeta me vdekjen, me arbiter fatin. Që pas lojës janë bashkë. E kush fitoi? 

Po kjo është lojë, pa fitues të vërtetë dhe humbës të vërtetë dhe Zoti e di ku është e vërteta, si e qysh. E bukur dhe frikshme! Dikur, thua ti. Dhe dikur është dhe nesër, Ti mundohesh t’i bashkosh si në një tashme. Dhuratë për fëmijët. Dhe djemtë tanë fatalisht deshëm të ishin dhe etërit tanë. Sa gabim dhe ç’dhimbje pa fund që na dëgjuan…

Dhe s’na mbeti gjë tjeter veçse t’i japim dinjitetin e merituar dhe vdekjes ashtu si jetës. 

Durim Taçi, me këtë  libër ia ke arritur, shkëlqyer mynxyrshëm a mynxyrshëm shkëlqyer a… duhen extra words. Di që nuk është libër-britmë, as requiem dritë-mugët. Është një vetvete e dytë, jo vetëm jotja. Dhe s’kish si të ishte ndryshe… 

Asaj i drejtohesh, vetvetes si tjetrit, njëlloj si botës, s’ke ç’i bën emfazës, është si pandemia, aqkollajrënëse, nuk është e veprës tënde, realiteti vërtet është habitës, dhe i një antilogjike tokësore, ndërkaq i druhesh emocioneve të tua, që t’i tregosh dua të them, por jo poezisë së fshehtë, dhe tregon ato, jo më tepër, që të mundin të shkaktojnë emocion te leximtari, te tjetri, te vetja tjetër. 

Në fund të fundit qëllimi yt më duket se është shumë më konkret, se edhe ëndrra është konkrete, edhe deliri, edhe krijimi, konkretja s’është dhe aq konkrete, ti do që Atisi yt, ashtu si birin e mitologjisë që Zeusi deshi ta ringjallë, qoftë dhe pjesërisht, ta risjellësh, të dashur dhe të bukur, sportist në fushën e jetës.

Prandaj dhe  ashensori i librit, kur i mbyll në funf fletët e veta, shohim se e ka nxjerrë atë dhe po vjen drejt nesh.    

C:\Users\User\Desktop\download.jpg

Shkrimtari Durim Taçi

http://www.arsalbanica.mk/wp-content/uploads/2019/11/extra-780x439.jpg

Filed Under: Politike Tagged With: Durim Taci, Extra Time, Visar Zhiti

MPJ e Kosovës: Izraeli ka të drejtë të mbrohet nga Hamasi

May 16, 2021 by dgreca

Ne Foto:Flamujt e Izraelit dhe Kosovës para ndërtesës së ministrisë së Jashtme të Kosovës. Foto nga arkivi./

Ministria e Jashtme e Kosovës (MPJ) ka thënë se Izraeli ka të drejtë dhe detyrim të mbrojë popullin e tij kundër 2,000 raketave të shkrepura ndaj civilëve, vetëm nga Hamasi.

Ky është reagimi i parë zyrtar i Kosovës, që nga përshkallëzimi i dhunës mes Izraelit dhe grupit militant Hamas që udhëheq me Rripin e Gazës, gjashtë ditë më parë.

Duke shprehur pikëllim për të gjitha viktimat, në reagimin e ministrisë së Jashtme të Kosovës vlerësohet se Hamasi po mban civilët palestinezë si pengje të luftës së tij.

MPJ u bën thirrje palëve të përfshira në konflikt për përmbajtje, ndalje të dhunës dhe arritjen e një zgjidhjeje paqësore.

Shpërthimi i dhunës gjatë gjashtë ditëve të fundit pasoi disa javë tensionesh në rritje në Jerusalemin Lindor, që kulmuan me përleshje në një vend të shenjtë të nderuar nga myslimanët dhe hebrenjtë. Hamas – grupi militant palestinez që drejton Gazën – filloi të lëshonte raketa pasi paralajmëroi Izraelin të tërhiqej nga vendi, duke shkaktuar sulme ajrore hakmarrëse izraelite.

Që nga fillimi i luftimeve të paktën 148 njerëz janë vrarë në Gaza, sipas zyrtarëve palestinezë, dhe Izraeli ka raportuar 10 të vdekur, përfshirë dy fëmijë. Izraeli thotë se dhjetëra militantë janë midis të vdekurve në Gaza, ndërsa zyrtarët palestinezë të shëndetësisë thonë se numri i të vdekurve përfshin 41 fëmijë.

Komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje për t’i dhënë fund konfliktit të përshkallëzuar. Të dielën vonë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të zhvillojë një takim.

Filed Under: Politike Tagged With: e drejta per Mbrojtje, Izraeli, MPJ e Kosoves

Shikonin vatanin vëllezër

May 14, 2021 by dgreca

NGA ILIR LEVONJA/Nëse ne shqiptarët vazhdojmë të merremi me konfliktin në gadishullin palestinez, kemi harruar çështjen tonë. Kemi harruar që aktualisht jemi të ndarë në 5 shtete. Që kemi dy shtete nga ku i pari është i sakatosur akoma nga mentaliteti internacional i diktaturës së proletariatit 1944-1990. Ky mendim internacional vërehet edhe në mënyrën e të të besuarit. Madje u demonstrua në luftën civile, në Sirinë e Bashar Al Asad-it. Akoma kemi pengje në kampet e Sirisë. Nocionet e tjera janë harta politike me shqiptarë e territore, të shkëputur nga vendi amë. Ajo që sot shumë kancelari lindore, përfshi edhe palestinezët e Jaser Arafatit apo Abasit, e kanë transformuar në Shqipëria e madhe, gogoli që do mbysi fqinjët. Në fakt është Shqipëria natyrale. Por ka bërë punën e vet koha, shqiptarët besimtarë e shohin me një sy internacional si vëllaun e largët. Besojnë verbërisht në misione të shenjta, deri sa kërkojnë publikisht pjesëmarrje kombëtare. Kësisoj kemi harruar të kuptojmë edhe lirinë e të të ekzistuarit, se çfarë është demokracia, shteti, arsimimi, tradita jonë dhe besimet tona fetare, veç ama si shqiptarë, të indinjohemi me dhunën nuk ka asgjë të mbrapshtë. Por që të fajësojmë njëri-tjetrin si pro Izraelit a pro Palestinës, këtu ja fusim anapulla. Të merremi se kush është pushtuesi dhe kush jo pushtuesi rishtas ja fusim anapulla. Palestinezët janë popuj arabë të nominuar si palestinezë nga gadishulli palestinez. Izraelitët janë po aq vendalinjë sa ata. Janë pasardhësit e Davidit, populli i dëbuar. Dhe populli më i përdhunuar. U takon arabëve dhe hebrejve ta zgjidhin, të japin e të marrin mes vedi. Jo neve. Ne bëjmë mirë të shohim hallet tona. Se i kemi me shumicë. Përshëmbull dy shtetet dhe 3 nocionet gjeografike a komunikojnë me njëri-tjetrin? A kanë lidhje me transe kryqetetet tona? A kemi programe mësimore, të paktën me gjuhën shqipe të njëhsuar në shkollat tona? A ia njohim diplomat njëri-tjetrit? A i gjëndemi njëri-tjetrit? A japim e marrim në tregti me shoqi-shoqin, apo e sjellim domaten nga Bullgaria. Dhe ua lëmë vëllezërve rrëkajë kanaleve etj. A besojmë shqip përpara zotave tona, qofshim orthodoksë, katolikë, a myslimanë? Se shpesh gërrëvërremi me mendësi jo shqiptare, por sipas përkatësisë së Patriarkanës, mendësisë së Orientit iranian a shkollave nga shkojmë e studiojmë. Një kavalier bir Shkodre me emrin Pashko Vasa, tha me zë plot, feja e shqiptarit asht shqiptaria. Pasha e mysliman i thekur burri, por shqiptar. Bektashi i thekur Naim Frashëri, por shqiptar. Katolik i thekur Gjergj Fishta, por shqiptar. Kuteli, e kështu plot syresh. Se hapim ca avaze ku kurrë nuk e kuptuam që besimi nuk është për me ia treguar atij tjetrit, vëllait, motrës, fqinjit, por shpirtit tënd. Se del një hajvan e u thotë shqiptarëve që shikoni, ky iks apo ai iks në vend të xhamisë shkon tek bektashinjtë e hashures. Dhe kori duartroket…, e përse? Pikërisht nga ai koncepti internacional dhe jo nga shpirti i vet në besim. Shqiptari i ka shkuar shqiptarit e ka ndërruar një të ëmbël duarsh, e kemi zakon me e vizitu tjetrin, me i ndërruar dy llafe, i themi hyrje-dalje. Pastaj bektashinjtë janë mysliman o hajvan. Por edhe po të mos ishin, kur një festë fetare i fik dritat deri politikës, çfarë të keqe ka ta qerasësh tjetrin qoftë edhe me hashure. Shikoni vatanin vëllezër e motra, Zoti ua shpërbleftë në besimin tuaj. Malet tona kanë nevojë për tempujt tanë. Ndofta nuk ju kujtohet, më 2014 në Malëbardhë, Milot, një fshat me shumicë myslimane, i ndërtuan bash në themelet e moçme, kishën atyre pak besimtarëve katolikë. E këta janë shqiptarët, këta. Dhe thojeni me zë plotë, e mburruni. Kryeqytetet tona kanë nevojë për tramvajet shqiptare. Dinë edhe shqiptarët të shtrojnë linja të hekurta, linja korenti etj. Të hapin tunele, e të gëzojnë njëri-tjetrin. Këtu t’i harxhojmë energjitë tona, jo tek Palestina me Izraelin.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja, Izrael, Shikoni Vatanin

ZGJEDHJET NË SHQIPËRI PA PJESËMARRJËN E DIASPORËS

May 13, 2021 by dgreca

Diskursi politik/

ZGJEDHJET  NË SHQIPËRI PA PJESËMARRJËN E DIASPORËS/
 
Sipas të dhënave nga KQZ numri i shqiptarëve me të drejtë vote në zgjedhjet e 25 prillit  2021 ishte 3,588,869 vetë, ndërsa numri i atyre që morën pjesë në votime ishte 1,662,386,apo 46.3% ku nga to vota të vlefshme ishin 1.578.296(95%) ndërsa të  pavlefshme 83.024(5%)! Sipas rezultatëve të publikuara me e votuara është PS me 48.68 %(74 deputet) , PD 39.43 %(59), LSI 6.81 %(4) dhe PSD 2.25%(3 deputet).Në saje të tyre rezultatëve PS ka komoditetin që të formojë e vetme qeverinë në mandatin e tretë, që është rasti i vetëm deri më tash në pluralizëm.

Nga Nail  Draga/

Ndër çështjet kontestuese në votimet  në Shqipëri paraqet pamundësia e pjesëmarrjës së popullsisë së emigruar, e cila njihet me termin e diasporës, qe është shumë e lartë, ku sipas disa të dhënave  janë rreth 1.7 milion në vende të ndryshme të botës. Duke pasur qendrim indiferent nga qeveria ndaj kësaj kategorie të qytetarëve edhe  në zgjedhjet parlamentare të cilat u mbajtën me  25 prill  vazhdon i njëjti refuzim si deri më tash, sepse ka munguar vullneti politik për miratimin e ligjit në parlament për votimin e diasporës. Dhe në  mungesë të një  ligji të tillë ata mbeten jashtë procesit zgjedhor, duke iu mohuar e drejta legjitime për të votuar për subjektët politike që do të formojnë qeverinë e re në Shqipëri. Ndërsa çështje tjetër është refuzimi i votimit i qytetarëve  që janë në vend që mund të shpjegohet nga zhgënjimi me qeverisjen, paknaqësia nga partitë politike pjesëmarrëse  në zgjedhje, si pasojë e  përbërjës së listës së tyre zgjedhore dhe  çështje të tjera.

Votoi vetëm popullsia rezidente

Nëse marrim të dhënat e INSTAT mbi popullsinë rezidente, atëhere mund të themi se në Shqipëri aktualisht jetojnë rreth 2.85 milionë njerëz, nga të cilët, rreth 528 mijë janë nën 18 vjeç dhe nuk kanë të drejtë vote. Ajo që mbetet janë afërsisht 2.32 milionë banorë madhorë  me të drejtë vote. Nëse llogarisim pjesëmarrjen si përqindje e totalit të qytetarëve me të drejtë vote, pjesëmarrja në zgjedhjet e 25 prillit ishte 1,662,386,apo 46.3% dhe kjo është shifra zyrtare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Por nëse llogarisim pjesëmarrjen si përqindje e popullsisë rezidente në moshë madhore, atëhere mund të themi se pjesëmarrja në zgjedhje ishte 72%, nuk ka dilemë se kjo përqindje  është e lartë, nëse krahasohet me vendet e tjera evropiane. 

LSI-ndikoi në  humbjen e  opozitës

Në sajë të rezultatëve sipas partive politike më së shumti e votuar ishte PS, me 768.250 vota(48.68%), PD me 622.265(39.43%), LSI me 107.536(6.81%) dhe PSD me 35.477(2.25%), ndërsa të gjitha partitë tjera kanë fituar 44.768 vota(2.82%), të cilat nuk kanë fituar mandat të deputetëve.

Ndonëse para zgjedhjeve analistë të ndryshëm por edhe të disa eksit polleve të publikuara në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit vlerësohej se do të jetë një garë interesante në mes dy partive kryesore(PS,PD)  me një rezultat të ngushtë, ndërsa për LSI-në llogaritej se ajo mund të jetë vendimtare në përcaktimin e fituesit të zgjedhjeve. 

Por, rezultatët e zgjedhjeve e sidomos LSI demantoj parashikimet sepse ajo pësoi humbje të thellë, sepse nga 19 deputet që kishte në vitin 2017, pësoi rënie në 4 deputet, duke ndikuar që opozita të pësoi humbjen e radhës, ndërsa PS të vazhdoi në mandatin e tretë qeverisës. Në këto zgjedhje PD pati rritje të dukshme të votuesve ku nga 46 deputetë në vitin 2017 arriti të fitojë  59 mandate, ndërsa PS mbajti numrin e 74 deputetëve si katër vite më parë. Ndërsa PSD, nga 1 deputet arriti të fitojë 3 deputet, duke qenë befasia e zgjedhjeve! Nga këto rezultate PS, sikurse katër vite më parë ka komoditet të formojë e vetme qeverinë.

Ndër shkaqet e humbjes së opozitës llogaritet largimi më herët i deputetëve nga parlamenti, mospjesëmarrja në zgjedhjet lokale në vitin 2019, keqpërdorimi i resurseve shtetetërore nga ana e pushtetit(PS) për fushatë zgjedhore  si dhe pamundësia e pjesëmarrjës së diasporës në zgjedhje, e cila do të ndikonte në rezultatin përfundimtar. Po ashtu mos pjesëmarrja e LSI-së në një list zgjedhore me PD-në ka ndikuar në humbjen e disa deputetëve në disa qarqe, që do të kishte ndikuar qe diferenca me PS të ishte shumë me e vogël.

Votat e pavlefshme si „partia e katërt“ në vend

Në sajë të te dhënave nga KQZ, vota të vlefshme kanë qenë 1.641.320(95%) ndërsa të pavlefshme kanë qenë 83024 vota apo 5% duke qenë numër rekord deri më tash në zgjedhjet në Shqipëri. Një dukuri e tillë nuk është e panjohur sepse edhe më herët ka pasur  vota të pavlefshme ku po cekim dy zgjedhjet e fundit, në vitin 2013  ishin  24.279 vota (1.39%), ndërsa në vitin 2017, 31.898 vota(1.98%), por numri i votave të tilla me 25 prill 2021 ka tejkaluar çdo parashikim, që paraqet çështje për hulumtim të veçantë. 

Sipas këtyre të dhënave del qartë se votat e pavlefshme dalin si “partia e katërt“ në vend, me peshë të veçantë që kanë pasur mundësi të prodhojnë numër të konsideruar deputetësh, madje duke përcaktuar edhe fituesin e zgjedhjeve.

Partitë e vogla pa mbeshtetje elektorale

Në këto zgjedhje për të parën herë morën pjesë edhe disa parti të vogla, të cilat shumica  ishin pothuaj të dalura nga Partia Demokratike, në sajë të paknaqësisë dhe animozitetit brenda këtij subjekti politik. Nga rezultati i zgjedhjeve u dëshmu se ata morën numër të vogël votash, duke mos fituar asnjë mandat deputeti. Nëse i mbledhim votat së bashku  ata kanë marrë  44.768 vota, pa ndonjë peshë të veçantë në nivel vendi. Nga votimet e 25 prillit del qartë se  me një sistem të tillë zgjedhor  partitë e vogla nuk kanë përspektivë, duke mbetur një eksperiment i dështuar  pa ndonjë peshë politike. Përfundimisht   skena politike  në Shqipëri është e përcaktuar nga dy subjekte të mëdha PS dhe PD, ndërsa LSI  mbetet çështje e hapur në ardhmën.

Për një kod zgjedhor në favor të qytetarëve

Duke marrë parasysh se Shqipëria nuk është  një njësi zgjedhore por e ndarë në 12 qarqe, votat e qytetarëve kanë vlerë vetëm në qarkun përkatës, pa pasur mundësi tjetër në mbeshtetje të subjektin politik. Nëse llogarisim votat në përgjithësi del qartë se ndarja e tillë penalizon partitë politike, ku në rastin konkret kemi të bëjmë me LSI-inë. Kështu nëse llogarisim se LSI ka fituar gjithsej 107.000 vota ajo ka fituar 4 mandate të deputetëve, nga del se 1 deputet =26.000 vota, ndërsa PSD gjithsej ka fituar  35.000 vota ku 1 deputet = 11.600 vota. Nga një llogaritje e tillë del qartë pabarazia elektorale, sepse me 107.000 vota me sistemin proporcional kombëtar LSI do të kishte jo 4 deputetë sa ka tash por më shumë! Dhe nga një llogaritje e tillë, ndryshimi ne mes pozitës dhe opozitës do të ishte shumë i ngushtë, e jo sikurse është tani.

Andaj ndryshimi i kodit zgjedhor nga ai rajonal në një njësi zgjedhore, duhet të jetë obligim parësor  i partive politike në përbërjen e re parlamentare, duke dëshmuar seriozitet për te respektuar vullnetin e qytetarëve përmes votës në zgjedhjet kombëtare. Në këtë aspekt ka modele të ndryshme, por si më  i përshtatshmi mund të shërbejë ai i Kosovës, me një prag zgjedhor me 2 apo 3%, me lista të hapura që do të jetë në favor të qytetarëve dhe  te demokracisë parlamentare.

C:\Users\Labi\Desktop\179825998_1149644845482889_5852349752899197305_n-1.jpg

Harta demanton ndarjën  veri-jug 

Në fund cekim edhe një çështje e cila ka të bëjë me paraqitjen hartografike në nivel vendi të shpërndarjës së votave nga elektorati votues në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.  Pikërisht, pa përfunduar numrimi i defintiv i votave në 12 qarqet e vendit  individë të ndryshëm filluan të publikojnë  harta me  shpërndarjën territoriale të subjektëve politike në nivel republike, duke e përcaktuar PD në veri e PS në jug të vendit. 

Ishte ky një veprim  injorantë  nga  individet malicioz  duke  deklaruar se në Shqipëri kemi  ndarje  ne bazë regjionale të vendit në veri-jug. Ishin këto deklarata të shpejtuara pa  analizuar numrin e votave në tërësi sipas subjektëve politike në tërë vendin. Por, publikimi i të dhënave demantoj një deklarim të tillë, sepse subjektët politike pjesëmarrëse janë votuar në tërë vendin sipas preferencave të tyre politike e jo nga qasja regjionale. Kështu  në veri PD e kanë votuar  134211 votues, ndërsa në jug 453521 votues  nga del  PD ma së shumti vota ka marrë në jug(77.56%) se në veri(22.43%),  ku harta e publikuar e dëshmon më së miri  një konstatim të tillë.

(Maj 2021)

Filed Under: Politike

UÇK ËSHTË MBARË KOMBI SHQIPTAR

May 12, 2021 by dgreca

-Veprimet në Parlamentin e Dardanisë janë të shëmtuara e të papranueshme/

Nga MA. AGIM ALIÇKAJ */

          Disa deputet të pasjellshëm të PDK-së, të përkrahur nga disa deputet të njejtë të partive të tjera opozitare dhe shërbëtorët e tyre në media, e kanë humbur rrugën në oborr. Kot mundohen të fshihen pas Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kot shesin pallavra se kinse ata na qenkan UÇK-ja!!  Populli i di mirë punët e tyre të ndyta anti-shtetërore dhe anti-kombëtare. I shkelën me të dyja këmbët vlerat e luftës së UÇK-së. 

UÇK JANË: -Të gjithë luftarët e lirisë nga të gjitha trojet tona, prej momentit kur bisha e egër serbe zbriti nga malet Karpate në tokat shqiptare; 

-Të gjithë të burgosurit politik; Foshnjet, fëmijët, vajzat, gratë, burrat dhe pleqtë e paaramatosur të dhunuar, të torturuar, të djegur për së gjalli; 

-Kontribuesit e mjeteve financiare për blerjen e armëve kudo, sidomos në Amerikë; 

-Bartësit e snajperave me kamion nga Las Vegasi në Los Angeles dhe me avion për Tiranë, tutje deri në frontin e luftës; 

-Mbrojtësit e UÇK-së në Kongresin Amerikan me Joe DioGuardin dhe Shirley Cloyes DioGuardin; dhe shumë përkrahës nga Mërgata në gjithë botën. 

         Pra, UÇK ËSHTË MBARË KOMBI SHQIPTAR. 

         Kërkesa për dorëheqjen e Ministres së Jashtme Donika Gërvalla është qesharake e ulët dhe pa kurrëfarë baze. Deklarata e saj para disa vjetëve nuk ka të bëjë aspak me UÇK-në dhe luftën e lavdishme gjithëpopullore. Dhënia e informatave për krimet e mundëshme politike është obligim i çdo qytetari, pa marrë parasysh çfarë pozite mbanë. Qëllimi i këtyre mjeranëve është FRIKËSIMI, e thotë znj. Kimete Berisha në stilin e saj karakteristik, origjinal, te drejtpërdrejt dhe PA FRIKË.  

          Nuk frikohet bija e trimit të pavdekshëm Jusuf Gërvalla. Nuk frikohet askush tjetër. Nuk frikohet populli i Dardanisë nga dështakët. Ata nuk e kuptojnë se efekti i veprimeve të tyre të shëmtuara në parlament është i kundërt. Populli vetëm sa neveritet dhe bindet edhe më shumë për vendimin e drejt të rrëzuarjes së tyre nga pushteti. Të dështuarit në pozitë, dalin edhe më të dështuar në opozitë. Në vend se të kërkojnë falje për veprimet e tyre 22 vjeçare në shkatërrimin e shtetit, të bëjnë ndryshime dhe të fillojnë të punojnë për së mbari. 

         Këta e paskan indoktrinuar dhe manipuluar edhe Rininë e PDK-së për të dërguar dosje dhe libër me krimet serbe te zyrja e Ministrisë së Punëve të Jashtme. E kanë huqë adresën. Këto materiale është dashur të adresohen te Vuçiqi, Thaqi, Rama dhe Mustafa, kanë patur kohë 22 vjet. Tashti le t’i adresojnë te ata dhe te zyrja e Enver Hoxhajt. Pritet dhe shpresohet se Kryetari shpresëdhënës  i LDK-së Lumir Abdixhiku ta pastrojë LDK-në nga mbeturinat e shkatërruesit të LDK-së dhe shtetit të Kosovës, Isa Mustafës. Nëse PDK vazhdon me këto veprime të ulta anti-kombëtare, do të përshëndetet me pushtetin për sa të jetë jeta.

         Këto janë përpjekje dëshpëruese për të përçarë listën Guxo dhe Vetëvendosjen, për ta dobësuar luftimin e korrupsionit dhe agresorit serb, për ta penguar ngritjen e shtetit nga qeveria Kurti. Do të dështojnë me turp, sepse këta e kanë përkrahjen e popullit shumicë. 

        Shovenisti serb Vuçiq e ka të qartë se, pas shkuarjes së Grenellit, Thaqit dhe  Mustafës, dhe ardhjes së Bidenit, Vjosës dhe Albinit, edhe luftën diplomatike e ka të humbur. Duhet pritur veprime agresive dhe trazira nga huliganët serb me qëllim të destabilizimit të shtetit të Dardanisë.

         Donika Gërvalla është nderi dhe krenaria e kombit. Vjosa Osmani dhe Albin Kurti janë shpëtimtarët e shtetit të Dardanisë dhe kombit shqiptar. Këtyre ju bashkangjiten edhe Shaip Kamberi, Ardita Sinani dhe Zijadin Sela, të gjithë bashkë në shërbim të kombit. 

         Kombi është mbi të gjitha.        

*Anëtarë i Kryesisë së Ligës Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Vatrës

Filed Under: Politike Tagged With: Agim Aliçkaj, E KOMBIT SHQIPTAR, uck

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 296
  • 297
  • 298
  • 299
  • 300
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT