• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MPJ e Kosovës: Izraeli ka të drejtë të mbrohet nga Hamasi

May 16, 2021 by dgreca

Ne Foto:Flamujt e Izraelit dhe Kosovës para ndërtesës së ministrisë së Jashtme të Kosovës. Foto nga arkivi./

Ministria e Jashtme e Kosovës (MPJ) ka thënë se Izraeli ka të drejtë dhe detyrim të mbrojë popullin e tij kundër 2,000 raketave të shkrepura ndaj civilëve, vetëm nga Hamasi.

Ky është reagimi i parë zyrtar i Kosovës, që nga përshkallëzimi i dhunës mes Izraelit dhe grupit militant Hamas që udhëheq me Rripin e Gazës, gjashtë ditë më parë.

Duke shprehur pikëllim për të gjitha viktimat, në reagimin e ministrisë së Jashtme të Kosovës vlerësohet se Hamasi po mban civilët palestinezë si pengje të luftës së tij.

MPJ u bën thirrje palëve të përfshira në konflikt për përmbajtje, ndalje të dhunës dhe arritjen e një zgjidhjeje paqësore.

Shpërthimi i dhunës gjatë gjashtë ditëve të fundit pasoi disa javë tensionesh në rritje në Jerusalemin Lindor, që kulmuan me përleshje në një vend të shenjtë të nderuar nga myslimanët dhe hebrenjtë. Hamas – grupi militant palestinez që drejton Gazën – filloi të lëshonte raketa pasi paralajmëroi Izraelin të tërhiqej nga vendi, duke shkaktuar sulme ajrore hakmarrëse izraelite.

Që nga fillimi i luftimeve të paktën 148 njerëz janë vrarë në Gaza, sipas zyrtarëve palestinezë, dhe Izraeli ka raportuar 10 të vdekur, përfshirë dy fëmijë. Izraeli thotë se dhjetëra militantë janë midis të vdekurve në Gaza, ndërsa zyrtarët palestinezë të shëndetësisë thonë se numri i të vdekurve përfshin 41 fëmijë.

Komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje për t’i dhënë fund konfliktit të përshkallëzuar. Të dielën vonë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të zhvillojë një takim.

Filed Under: Politike Tagged With: e drejta per Mbrojtje, Izraeli, MPJ e Kosoves

Mjerim i politikanëve kosovarë….

February 4, 2021 by dgreca

-që harrojnë se për njohjen e Kosovës nga Izraeli, Shqiptarët duhet t’i jenë mirënjohës presidentit Donald Trump/

Nga Elida Buçpapaj/ 

Më 1 shkurt Kosova dhe Izraeli zyrtarizuan marrëdhëniet diplomatike përmes një ceremonie virtuale nga ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi ku të dy homologët nënshkruan dokumentin ku shkruhej se Kosova dhe Izraeli vendosën marrëdhënie diplomatike.

Pas një periudhe disa vjeçare në një stanjacion të plotë të diplomacisë të Kosovës, falë politikbërjeve krejtësisht të gabuara nga lidërshipi kosovar që vendosi në peshore interesat personale, në 4 shtator 2020, në mes të pandemisë, në mes të Shtëpisë të Bardhë dhe të Zyrës Ovale ku ishin ftuar në nivelet më të larta shtetërore përfaqësuesit politik të Kosovës dhe të Serbisë, Presidenti i SHBA Donald Trump bëri me dije se pas kontakteve të tij personale me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu ishte rënë dakord që Izraeli të njihte shtetin e Kosovës!

Natyrisht kjo njohje ishte një ngjarja më e madhe e kësaj dekade për Kosovën, për nga rëndësia superngjarje për diplomacinë Perëndimore dhe superlajm për shtypin botëror . Që i atribuohej direkt Presidentit Donald Trump.

Nuk mund të mos marrin me mend se për këtë njohje duhet të kenë qënë të interesuara të gjitha administratat Amerikane prej kur Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, pra nga administrata e presidentit George W.Bush, në administratën e të cilit Kosova u njoh si shtet i pavarur.

Njohja e Kosovës nga Izraeli është një sukses direkt i presidentit të 45-të të SHBA Donald Trump dhe natyrisht kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu.

Njohja e Kosovës nga Izraeli ka rëndësisë e shteve më të fuqishme dhe është një nga shtyllat e fuqishme themelmbajtëse të shtetit të Kosovës.

Janë shumë hebreo-amerikanë që kanë dhënë kontributin e tyre për atë që është arritur sot në Kosovë, emra emblematikë të administratave, politikës të jashtme, diplomacisë dhe të këtij komuniteti në SHBA si Tom Lantos, Madeleine Albright, Wesley Clark, Richard Holbrooke, Elie Wiesel, Johanna Jutta Neumann, Norman Gershman e të tjerë e të tjerë, emra të cilët Kosova duhet t’i ngulë dhe të mos i shqisë kurrë nga memoria e saj historike!

Pikërisht shkak për këtë opinion shërbeu amnezia dhe censura e lidërshipit e diplomacisë kosovare e shqiptare, sepse në të gjitha deklaratat zyrtare të shqiptuara më 1 shkurt 2020 rreth zyrtarizimit të marrëdhënieve midis Izraelit dhe Kosovës pala kosovare shprehu mirënjohjen në mënyrë të gjeneralizuar , kur e ka për detyrim të shprehet në mënyrë eksplicite, se njohja e Kosovës nga Izreali i detyrohet Presidentit Donald Trump i cili në kontakt me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu e arriti këtë sukses madhor!

Periudha 4 vjeçare e presidencës Trump nëse ka qenë e vështirë për shqiptarët, kjo për shkak të kastës me në krye Hashim Thaçin, Edi Ramën, Isa Mustafës and CO të cilët vunë në rrezik integritetin territorial të Kosovës. Kjo kastë në vend që të aktivizonte dhe fuqizonte me figura të reja lobin e mirënjohur shqiptaro-amerikan LQSHA të kryesuar nga ish kongresmeni Republikan Joe DioGuardi afroi tek presidenti Donald Trump njerëzit e Hashim Thaçit, i cili që t’i shpëtonte Hagës ishte i gatshëm ta coptonte Kosovën! Coptimi i Kosovës nuk është fjalë goje, por spiral i ri konflikti.

Kjo është e vërteta, të cilën nuk e shqiptojnë as politikanët e Kosovës, as diplomacia shqiptare dhe as shtypi shqiptar i klientelizuar nga politika e korruptuar.
Shqiptarëve pak duhet t’ju interesojë se cili është President i SHBA, a është Republikan apo Demokrat, sepse për shembull Kosova është një arritje si e presidentëve Republikanë ashtu edhe atyre Demokratë gjithmonë në aleancën Euro-Atlantike dhe të bashkëpunimit të SHBA me BE.

Mjafton të kujtojmë fjalët e ish kongresmenit republikan Joe DioGuardi, që nuk u afrua nga administrata e presidentit Donald Trump, (jam e bindur prej intrigave të shqiptaro-amerikanëve), i cili në 3 nëntor 2020 një ditë para zgjedhjeve në SHBA deklaroi se kësaj here mbështet kandidatin e Demokratëv, por se “Shqiptarët do të kenë miq në Washington D.C. edhe nëse fiton Biden edhe nëse fiton Trump!”

Këto katër vite që lamë pas kanë qenë të vështira edhe për vetë SHBA, (sikur për shqiptarët e gjithë Perëndimin e botën mbarë) nga pandemia Covid 19, nga vrasja e George Floyd, nga protestat Black Lives Matter (BLM), nga vandalizmat ndaj monumenteve e pronës publike e private deri tek sulmi në Kapitol më 6 Janar 2020.

Por nuk është as e para dhe as e fundit herë që Amerika ka zjerë për drejtësi, jo më kot është demokracia më e madhe e botës! Amerika kur bie, ngrihet edhe më lart, gjithmonë falë bipartizanizmit midis Republikanëve dhe Demokratëve dhe anasjelltas.

Mjafton të kujtojmë veprimin e Zvpresidentit Mike Pence më 6 janar të 2021 apo një deklaratë nga Sekretari i Shtetit i sapozgjedhur nga Presidenti i 46-të i SHBA Joe Biden, Antony Blinken, edhe ky me rrënjë hebreje, se “qasja e ashpër të Trump ndaj Kinës,ishte e duhur por taktika e gabuar”.

Ndërsa ne shqiptarët kemi tre detyrime kryesore që duhet t’i përmbushim si strategji kombëtare: t’i jemi mirënjohës SHBA, aleanca me të cilën është jetike, ekzistenciale; së dyti të forcojmë lobin shqiptaro-amerikan në SHBA me personalitete e figura, jo të emëruar nga partitë dhe së treti që është themelore: ta pastrojmë politikën shqiptare, kosovare e maqedone nga kasta e vjetër, kjo gangrenë e korruptuar që është armiku i popullit të vet, sepse i shet interesat e vendit për të përjetësuar pushtetin, duke rrezikuar paqen dhe stabilitetin e rajonit e më gjërë.

Ndërsa urojmë që Presidenti Joe Biden të ndikojë në Vatikan që Papa Françesku të njohë shtetin e pavarur të Kosovës!

Sa më tepër njohje Kosova aq më tepër çlirohet Serbia nga e shkuara e saj….    

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Izraeli, Joe DioGuardi, Papa Françesku, president Donald Trump, SHBA, Vatikan

VATRA PËRSHËNDET MARRËVESHJEN MES KOSOVËS DHE IZRAELIT

February 2, 2021 by dgreca

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, përshëndet dhe mbështet fuqishëm marrëveshjen ndërmjet shtetit të Kosovës dhe shtetit të Izraelit për njohjen dhe vendosjen zyrtare të marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve dhe rritjen e bashkëpunimin në shumë fusha. Izraeli bëhet shteti i 117-të që e njeh Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran. 

Në këtë ditë historike të forcimit dhe më tej të miqësisë mes SHBA-së, Kosovës dhe tashmë  edhe Izraelit, i shpreh mirënjohje të thellë dhe vlerson Shtetet e Bashkuara të Amerikës për kontributin dhe rolin e veçantë për këtë arritje e kësaj marrveshje historike-politike-diplomatike.  Njohja e shtetit të Kosovës prej Izraelit është arritja më e madhe diplomatike e Kosovës gjatë vitit diplomatik dhe mbi të gjitha forcim i mëtejshëm i miqësisë me aleatin më të madh të Kosovës, SHBA. 

Akti historik i njohjes së shtetit të Kosovës nga Izraeli, forcon më tej pozicionin e Kosovës, imazhin, institucionet dhe diplomacinë e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe është një hap përpara drejtë realizimit të aspiratës euroatlantike të popullit dhe institucioneve të shtetit të Kosovës. Në këtë proces të vështirë historik, VATRA falenderon Kryeministrin e Kosovës, z.Avdullah Hoti dhe Ministrën e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Haradinaj-Stublla, për punën e bërë dhe suksesin e lartë që është një garanci e mëtejshme në fushën e diplomacisë së Kosovës, integrimit dhe forcimit të institucioneve. Marrëveshja Kosovë – Izrael, është një gur themeli i fortë në miqësinë mes popullit shqiptar, izraelit dhe popullit mik amerikan. Mbështetja nga Shtetet e Bashkuara, miqësia e re dhe e fortë më Izraelin e bëjnë Kosovën më të fortë, forcon pozitat e shqiptarëve në rajon. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeve, Shtetet e Bashkuara hedhin jë hap të fuqishëm diplomatik që ndihmon paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Në këtë proces kompleks VATRA ishte prezente dhe u angazhua pandërprerë nëpërmjet komunikimeve dhe takimeve të vazhdueshme ku delegacioni i VATRËS në Uashington, loboi fuqishëm me miqtë e tanë në Shtëpinë e Bardhë, duke shfrytëzuar njohjet personale dhe institucionale në takimet me Ambasadorin Granell dhe përfaqësues të tjerë të Shtëpisë së Bardhë. Gjatë gjithë këtij procesi i qëndruam afër duke i shoqëruar e këshilluar delegacionin e shtetit të Kosovës në Uashington. 

Përgjatë vitit 2020, po ashtu VATRA forcoi edhe më tej lidhjet e saj me diplomacinë në Uashington, me diplomacinë e Kosovës duke nënshkruar memorandum me Ministren e Jashtme Meliza Haradinaj Stublla dhe jemi në përgatitjen përfundimtare të nënshkrimit të marrëveshjes me diplomacinë e Tiranës zyrtare pas zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit. VATRA do ta luajë kurdoherë rolin e saj atdhetar e diplomatik sa herë që shtrohet për diskutim fati i shteteve amë Shqipërisë e Kosovës. VATRA do të jetë prezente duke lobuar me miqtë në Uashington sa herë që të merren vendime për fatet e popullit, shtetit e kombit shqiptar. 

Rroftë Kosova

Rroftë Shqipëria

Rroftë Amerika

Rroftë kombi shqiptar

I gëzuar për këtë ditë

Me respekt e falenderim të veçantë

Filed Under: Featured Tagged With: Elmi Berisha, Izraeli, kosova, Vatra

Kosova dhe Izraeli vendosin marrëdhënie diplomatike

February 1, 2021 by dgreca

Kosova dhe Izraeli formalizuan marrëdhëniet diplomatike, vendim i cili nga të dyja shtetet u cilësua si “historik”.

Nga Nadie Ahmeti & Mimoza Sadiku*/

Në një ceremoni virtuale të mbajtur të hënën, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi nënshkruan dokumentin ku thuhet se të dyja shtetet vendosin marrëdhënie diplomatike, me qëllim që të rrisin bashkëpunimin në shumë sfera.

Ministri izraelit, Ashkenazi tha se të dyja shtetet po bëjnë histori.

“Sot po bëjmë histori. Po vendosim marrëdhënie diplomatike ndërmjet Izraelit dhe Kosovës, një moment që është pritur nga shumëkush. Kjo është hera e parë që marrëdhëniet diplomatike po vendosen përmes Zoom-it. Sot ne kemi mundësi që të rrisim bashkëpunimin me popullin e Kosovës, me të cilin kemi marrëdhënie të ngrohta dhe miqësore”, tha ai.

Ministri izraelit tha se dëshiron që me Kosovën të bashkëpunojë në shumë fusha, përfshirë fushën e ekonomisë, të shëndetësisë e inovacionit.

Ai po ashtu theksoi rëndësinë e marrëveshjes së Uashingtonit, për normalizim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të së cilës ishte edhe njohja nga Izraeli, dhe shtoi se Jerusalemi zyrtar do që Ballkani Perëndimor të jetë një rajon stabil.

“Izraeli dëshiron një Ballkan stabil. Marrëveshja e nënshkruar në Uashington për përparim ekonomik në mes të dy miqve tanë, Serbisë dhe Kosovës ne na inkurajon. Izraeli e konsideron Serbinë një partner po aq të afërt dhe të rëndësishëm në Ballkan. Ne do të vazhdojmë të punojmë për të thelluar dialogun tonë në Serbi”, tha Ashkenazi.

Ndërkaq, minstrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Haradinaj-Stublla, tha se pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, vendosja e marrëdhënieve diplomatike nuk do të ishte e mundur.

“Vendosja e këtyre marrëdhënieve diplomatike nuk do të ishte e mundur pa bekimin dhe përkushtimin e fuqishëm të Shteteve të Bashkuara”, tha Haradinaj-Stublla.

Kryediplomatja kosovare shtoi se Kosova ka pritur një kohë të gjatë për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Izraelin dhe sipas saj, të dy shtetet “ne hapim një etapë të re historike mes dy shteteve tona, që kanë qenë dëshmitarë të një kaluare të gjatë dhe sfiduese për të ekzistuar si njerëz dhe për t’u bërë shtete”.

“Sot, Izraeli bëhet shteti i 117 që e njeh Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran”, shtoi Haradinaj-Stublla.

Haradinaj-Stublla tha se vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin forcon subjektivitetin ndërkombëtar dhe hap horizonte të reja për Kosovën.

Çfarë thuhet në dokumentin e nënshkruar nga Kosova dhe Izraeli? 

Në dokumentin e nënshkruar të dyja shtetet zotohen që të bashkëpunojnë në shumë sfera.

“Të udhëhequr nga vullneti i përbashkët për të promovuar dhe forcuar lidhjet miqësore, si dhe për të zgjeruar horizontet e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe bazuar në parimet universale të ligjit ndërkombëtar; duke riafirmuar përkushtimin e përbashkët për të forcuar bashkëpunimin e frytshëm në sferën politike, ekonomike, të tregtisë, teknike e kulturore dhe në sfera të tjera të interesit të përbashkët, (Kosova dhe Izraeli) kanë vendosur që të themelojnë marrëdhënie diplomatike në nivel ambasadorësh”, thuhet në dokumentin të cilin e nënshkruan kryediplomatët e Kosovës dhe Izraelit.

Dokumenti i nënshkruar për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ishte i shkruar në katër kopje: në gjuhën shqipe, angleze, hebreje dhe serbe.

Në këtë ceremoni mori pjesë edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin, Matthew Palmer.

Në dokument po ashtu thuhet se aspektet teknike të këtij vendimi, përfshirë edhe akreditimin e ambasadorëve respektivë “do të jenë objekt i diskutimeve të mëtejme përmes kanaleve normale diplomatike”.

Ambasadorja e Kosovës në Izrael do të jetë Ines Demiri, e cila më 2020 ishte emëruar e ngarkuar me punë në po këtë shtet.

Gjatë ceremonisë, në mënyrë simbolike u zbulua edhe pllaka që do të vendoset pranë amabasadës së Kosovës në Jerusalem.

Dy ministritë po ashtu nënshkruan memorandum për konsultime politike dhe memorandum për bashkëpunim zhvillimor. Që të dy këto memorandume ishin të shkruara në gjuhën angleze.

Osmani dhe Hoti mirëpresin vendosjen e marrëdhënieve me Izraelin 

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani ka mirëpritur vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit.

“Marrëdhëniet ndërmjet dy popujve tanë kanë qenë historikisht të fuqishme e të bazuara në solidaritet dhe miqësi. Akti i lidhjes së marrëdhënieve diplomatike hap rrugën për thellimin e bashkëpunimit dypalësh ndërinstitucional si dhe në fusha të tjera të interesit të përbashkët”, tha Osmani përmes një deklarate për media.

Ndërkaq, kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, në një konferencë për media, tha se vendosja e marrëdhënieve me Izraelin, thyen “bllokadën e njohjeve”.

Hoti po ashtu tha se ceremonia e sotme, flet për efektin dhe rëndësinë e marrëveshjes së Uashingtonit, të arritur më 4 shtator, 2020.

“Vendosja e marrëdhënieve diplomatike tregon qartë për efektin dhe rëndësinë që ka marrëveshja e 4 shtatorit dhe i nxjerr gabim kritikët që vazhdimisht e kanë kritikuar këtë marrëveshje, edhe duke e kritikuar dhe mos e pranuar njohjen nga Izraeli e cila ka ndodhë në Shtëpinë e Bardhë dhe sot është konkretizuar”, tha Hoti.

Etapë e rëndësishme për Kosovën

Njohësit e çështjeve politike, Artan Muhaxhiri dhe Donika Emini, thonë se vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit do të ndikojë në konsolidimin e Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare, në procesin e njohjeve të reja dhe anëtarësimin e saj në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Ata po ashtu shtojnë se hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, mund të prodhojë reagime.

Njohja reciproke mes Kosovës dhe Izraelit është pjesë e marrëveshjes së Uashingtonit të 4 shtatorit 2020, që ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë. Kosova po ashtu është zotuar se do të hapë misionin e saj diplomatik në Jerusalem, kurse Serbia është zotuar se do ta zhvendosë ambasadën e saj ekzistuese në Izrael nga Tel Avivi në Jerusalem.

Muhaxhiri: Marrëdhëniet diplomatike me Izraelin, rikthejnë Kosovën në fokus 

Artan Muhaxhiri, njohës i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se krijimi i raporteve institucionale në mes këtyre dy shteteve, do ta rikthejë në fokus Kosovën në rrafshin ndërkombëtar.

”Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në rifillimin e një angazhimi të Kosovës dhe për Kosovën në sferën ndërkombëtare, pasi tashmë është e qartë se ekziston një stagnim sa i përket avancimit të Kosovës në aspektin ndërkombëtar. Prandaj, edhe ndërtimi i marrëdhënieve me Kosovën do ta rikthejë në fokus Kosovën dhe do krijojë një potencial të ri, i cili gjithsesi duhet të shfrytëzohet në mënyrë maksimale nga institucionet e Kosovës”, tha Muhaxhiri.

Emini: Njohja nga Izraeli, sinjal për njohje të reja

Edhe Donika Emini, drejtoreshë ekzekutive e Platformës CiviKos, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin, mund të jetë edhe sinjal për shtete që nuk e kanë njohur Kosovë, të marrin një vendim të tillë, pavarësisht problemeve të brendshme që kanë.

“Krijimi i marrëdhënieve më Izraelin është shumë me rëndësi, për shkak se Izraeli ka tejkaluar problemet e brendshme me Palestinën për ta njohur Kosovën. Kjo normalisht për Kosovën është shumë sepse ky element mund të përdoret edhe nga vendet jonjohëse të Bashkimit Evropian. Ka disa shtete të cilat nuk e njohin Kosovën, me arsyetimin se kanë problem të ngjashme në territorin e tyre, siç është Spanja. Tashmë ky element mund të përdoret nga Kosova, përderisa Izraeli ka tejkaluar Palestinën, Spanja mund të tejkalojë problemin e Katalonisë që nuk krahasohet me Kosovën, për të vendosur marrëdhënie diplomatike apo komunikim diplomatik”, tha Emini.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes së Uashingtonit, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu pati thënë përmes një letre se këto zhvillimet në mes të Izraelit dhe Kosovën mund të çojnë drejt një epoke të re, në të cilën mund të përfitojnë të dyja palët.

Hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, “mund të nxisë reagime”

Megjithatë, Donika Emini shprehet se hapja e ambasadës së Kosovë në Jerusalem mund të shkaktojë reagime nga shtetet tjera të botës, por që nuk do mund të ndikojnë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Tash, vendosja e ambasadës në Jerusalem, Kosovës mund t’i kushtojë në marrëdhëniet diplomatike të cilat deri më tani i ka pasur solide me Turqinë, por edhe njohjet që Kosova i ka synuar nga bota arabe, e të cilat nuk i ka pasur. Tashmë është një diplomaci shumë e re e Kosovës, pa traditë, por duhet të dinë shumë mirë se si duhet të navigojnë në situata të tilla. Duke marrë parasysh se jo vetëm stagnimi i njohjeve apo marrëdhëniet me Turqinë, por edhe me Bashkimin Evropian mund të ketë problem, pasi menjëherë ka pasur reagime nga BE- ja për zhvendosjen e ambasadës së Serbisë në Jerusalem dhe ndërtimit të ambasadës së Kosovës në Jerusalem”, thekson Emini.

Zhvendosja e ambasadës, “vendim i rëndë për Serbinë”

Përveç Kosovës, sipas marrëveshjes së Uashingtonit edhe Serbia do të zhvendosë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem, të cilin Izraeli e konsideron si kryeqytet të shtetit. Megjithatë, deri më tani Serbia nuk ka marrë asnjë veprim për të përmbushur këtë pikë të marrëveshjes.

Ky vendim është jashtëzakonisht i vështirë për shtetin e Serbisë, konsideron Artan Muhaxhiri.

“Ky do të jetë një vendim i vështirë për Serbinë sepse Serbia ka marrëdhënie tradicionalisht shumë të mira me vendet arabe dhe ky vendim do ta dëmtojë raportin e Serbisë me këto vende, duke ditur raportet që ato kanë ndaj shtetit të Izraelit. Pra, edhe ky është një fakt që duhet të shfrytëzohet nga shteti i Kosovës për të dëshmuar hipokrizinë politike të Serbisë, e cila dëshiron që të përfitojë nga të gjitha palët, që shpeshherë duke u shfaqur kontradiktore”, thekson Muhaxhiri.

Administrat e ish-presidentit Donald Trump e njohu Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit më 2017 dhe në maj të vitit 2018 hapi ambasadën amerikane në këtë qytet.

Ky vendim nxiti kritika në mesin e palestinezëve, vendeve me shumicë myslimane dhe shumë shteteve në Evropë, të cilët shprehën shqetësimin se një vendim i tillë do të mund të minonte prospektet për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez.

Ai po ashtu bëri të ditur se mëngjesin e 1 shkurtit ka miratuar kërkesën e Haradinaj-Stubllës që Kosova të hapë ambasadën në Jerusalem.

Po ashtu, Izraeli ka falënderuar Kosovën për rolin që ka marrë në luftën kundër antisemitizmit.

*Kortezi: Radio Evropa e Lire

Filed Under: Featured Tagged With: Izraeli, kosova, marrdhenie diplomatike

IZRAELI NJEH KOSOVEN

January 29, 2021 by dgreca

-ME 1 SHKURT 2021- KOSOVA DHE IZRAELI LIDHIN MARRËDHËNIET DIPLOMATIKE/

Në 1 Shkurt  2021 Kosova dhe Izraeli lidhin marrëdhëniet diplomatike/

-Ministria Kosovare e Punëve të Jashtme dhe Diasporës: Njohja nga Izraeli është ndër arritjet më të mëdha për Republikën e Kosovës e cila është bërë e mundur falë mikut e aleatit tonë të përjetshëm, Shteteve të Bashkuara të Amerikës/

PRISHTINË, 29 Janar 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës dërgoi sot këtë komunikatë:

Republika e Kosovës po hyn në një etapë të re historike me Shtetin e Izraelit. Shtetësia dhe subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës po konsolidohet fuqishëm.

Ditën e Hënë me datë 1 Shkurt, me një ceremoni solemne virtuale, do të firmoset formalizimi i marrëdhënieve diplomatike mes Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit.  

Firmosja zyrtare e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike do të bëhet nga Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Meliza Haradinaj-Stublla dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Izraelit, z. Gabriel Ashkenazi.

Njohja nga Izraeli është ndër arritjet më të mëdha për Republikën e Kosovës e cila është bërë e mundur falë mikut e aleatit tonë të përjetshëm, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Ky moment tejet i rëndësishme për ne, është përjetësim i miqësisë së gjatë, mes popujve tanë, që tani po kurorëzohet me lidhjen e marrëdhënieve diplomatike”, është shprehur me këtë rast shefja e diplomacisë kosovare, duke shtuar se Kosova është përjetësisht mirënjohëse ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Për detajet e ceremonisë mediat vendore e ndërkombëtare do të njoftohen me kohë.

Me rëndësi:

Linku i video mesazhit të Ministres znj.Meliza Haradinaj-Stublla.

https://www.facebook.com/105233457889389/posts/232950885117645/

Filed Under: Featured Tagged With: Izraeli, Kosova-Izrael, njohja

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Fjala e Kryeministrit Kurti në konferencën e përbashkët me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg
  • DEKLARATË e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, lidhur me takimin e nesërm Kurti-Vuçiq
  • DREJTËSIA DHE PASTËRTIA E LUFTËS SË UÇK-së
  • TË PIKTUROSH ATË QË NDJEN…
  • JO NDARJE, ASOCIACION, EKSTRATERRITORIALITET-JO SHAMIJA, JO PËRÇARJE DHE PIKË
  • Presidentja Osmani ia dorëzoi “Urdhrin Hero i Kosovës”, familjes së heroit Sali Çekaj
  • #SiSot ndërroi jetë veprimtari i Rilindjes Kombëtare dhe Mësuesi i Popullit Petro Nini Luarasi
  • Koha e Gjenive: Lord Byron dhe Bonaparti
  • Napoleon-i dhe trojet shqiptare… mbi dy shekuj pas vdekjes së tij
  • KOSOVA DHE SERBIA RINISIN DIALOGUN NË NIVEL TË LARTË NË BRUKSEL
  • Kosova pret “Defender Europe 23”
  • E KEQJA VJEN CDO DITE NGA PAK…
  • KALLUSHI, RUGOVA DHE XHEMA…
  • Rikthimi i grekoproblemit në Himarë për shkak të korrupsionit shqiptar
  • LEONARD NEWMARK OBITUARY

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT