• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NUK MUND TË BASHKJETOJË NATO ME KOMUNIZMIN — GULAGU SHQIPTAR DHE HESHTJA E DIPLOMATËVE PERËNDIMORË NË TIRANË

May 24, 2021 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

–Kryeministri Edi Rama, njëherazi edhe Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë: “Komunizmi ishte në anën e duhur të historisë”.  

–Fatbardh Kadilli, kandidat për Kryetar të Partisë Demkoratike të Shqipërisë:  u shpreh ditët e fundit se ai do ta ndajë partinë e tij “demokratike” nga “kultura e anti-komunizmit”. 

Në trojet shqiptare dhe mëtej po zhvillohet stërvitja ushtarake historike e Aleancës së Atlantikut Verior, NATO, “Defender Europe 21”, një ngjarje kjo që duhet të përshëndetet nga të gjithë shqiptarët që besojnë në vlerat perëndimore, të cilat NATO ka promovuar dhe i ka mbrojtur ç’prej themelimit të saj në Prill të vitit 1949. Kjo stërvitje është me të vërtetë një ngjarje që na jep shpresë se Shqipëria mund të bëhet, eventualisht, megjithë paaftësitë e klasës politike shqiptare të këtyre 30-viteve për të ndërtuar shtet. Respekt për burrat dhe gratë në uniformë, ushtarakët tanë dhe të aleatëve tanë nga shumë vende, nga të dy anët e oqeanit. 

I kujtoj lexuesit se objektivi themelor i Aleancës së NATO-s ishte dhe mbetet mbrojtja e lirisë dhe sigurisë së vendeve aleate anëtare të kësaj aleance ushtarake, me të gjitha mjetet politike dhe ushtarake që ajo ka në dispozicion.   Aleanca NATO mbetet pra instrumenti kryesor i sigurisë së komunitetit trans-atlantik, i cili me veprimtarainë e tij ushtarake, njëkohësisht, shpreh edhe mbron vlerat e përbashkëta demokratike, të lirisë dhe të drejtësisë. Falënderës të Madhit Zotit që e kemi NATO-n se për ndryshe, nëqoftse do të ishte krejtësisht në duar të kësaj klase politike të këtyre 30-viteve të kaluar, Shqipëria do të ishte sot edhe më keq se ç’është.

Po cilat janë këto “vlera të përbashkëta demokratike” që mbron NATO dhe që duhej të ndanin të gjitha vendet aleate të Nato-s, përfshir Shqipërinë. Pasi jemi gjithnjë në atmosferën e zgjedhjeve të 25 prillit, zgjedhjet e lira, të drejta dhe demokratike janë një element kyç për një shoqëri demokratike.  Për 30-vjet tranzicion Shqipëria, përfshir zgjedhjet e fundit, nuk ka zhvilluar zgjedhje të pakontestueshme dhe të pranueshme nga të gjithë, si të lira dhe demokratike, përfshir entet ndërkombëtare, siç është ODIHR-i dhe nga faktorët kryesorë politikë shqiptarë.  Për shkeljen dhe mospërfilljen e vlerave perëndimore nga qeveritë shqiptare të tre dekadave të kaluara, mjafton të lexoni raportet vjetore mbi të drejtat e njeriut të enteve të ndryshme perëndimore, ku Shqipëria, megjithëse anëtare e NATO-s, vazhdon të mbetet “pjesërisht e lirë” dhe ndër vendet më të korruptuara në botë.  

Megjithëkëtë, diplomatët perëndimorë në Tiranë i trajtojnë politikanët shqiptarë sikurë këta na qenkan “jeffersonian democrats”, demokrat si Jeffersoni, njëri nga baballarët e Kombit amerikan.  Jo, more jo, nuk janë të tillë, as nuk duan të jenë të tillë. Këta nuk kanë asgjë të përbashkët as me Xhefersonin as me demokracinë.  Për 30-vjet tani, ata nuk janë distancuar nga e kaluara komuniste – pjellë e të cilës janë – dhe as nuk kanë marrë ndonjë masë serioze për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare.  Politika shqiptare aktuale, me një paturpësi arrogante vlerëson “të mirat dhe sukseset” e regjimit të Enver Hoxhës, njërit prej diktatorëve më të egër që ka njohur historia evropiane dhe botërore. Merreni me mend, se sa keq janë punët, një kandidat i shpallur për Kryetar të Partisë Demokratike (Fatbardh Kadilli), në opozitë, u shpreh ditët e fundit, se ai do t’a ndajë partinë e tij “demokratike” nga “kultura e anti-komunizmit”. More zotëri nga cili “anti-komunizëm”? Çfarë betë ju për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare gjatë këtyre viteve?  E mbarë shoqëria shqiptare, çfarë ka mbjellur gjatë tre dekadave të fundit, po korrë tani. Në prak të greminës, politikisht, ekonomikisht, ndërkohë që presim nga ish-prokurorët komunistë t’i sjellin atij vendi drejtësi. Jeni mbi një kapërcyell — të distancoheni nga komunizmi kini frikë, por as nuk kini bindjen morale dhe politike, se duhet të bëni një gjë të tillë. Janë një numër deklaratash dhe veprimesh nga përfaqsues të partisë në pushtet, që janë venë në lëvizje kohët e fundit, e që lënë të nënkuptohet se distancimi zyrtar nga e kaluara komunizmi dhe dekomunistizimi i shoqërisë shqiptare nuk është në rendin e ditës me këta pushtetarë, megjithë praninë e anijeve të NATO-s në Durrës. 

Kryeministri aktual nuk e fsheh fare mbështetjen e tij për ish regjimin dictatorial, ndërkohë që muajt e fundit është shprehur nga foltorja e Kuvendit, ndër të tjera, se “komunizmi ishte në anën e duhur të historisë”. Persona të tjerë të zgjedhur në Kuvendin e ardhëshëm kanë shprehur të njëjtat ndjenja.  Në këtë ndërkohë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka njoftuar fillimin e një rishikimi të historisë për të vendosur njëherë e mire, sipas disa vërejtësve,  hegjemonizmin enveristo-stalinist — historik dhe kulturor — mbi Kombin shqiptar nga pothuaj të njëjtit “historianë” nostalgjikë të komunizmit, të cilët e kanë shkruar, fillimisht, atë histori.  Çfarë tragji-komedi!  Ndërkaq, ndërsa këta udhëheqës shqiptarë po merrnin foto nga platformat e anijeve të NATO-s në Durrës me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe me autoritetet e larta ushtarake amerikane — në mes të Tiranës, aty përball Kryeministrisë dhe Presidencës, është dëmtuar ato ditë, për të disatën here, “Postblloku” që bashkon (burgun) Spaçin me Berlinin – një memorial ky që përkujton viktimat e komunizmit në Shqipëri. Hapni sytë e reagoni.  Kjo tregon se e shkuara komuniste nuk është e shkuar, të nderuar diplomatë, por është aktuale, mu aty në qëndër të Tiranës ku jetoni e punoni edhe ju. Nëqoftse nuk doni ta shihni, kjo është puna juaj, por kjo e shkuar komuniste po bëhet realitet në jetën politike dhe ekonomike të vendit, për ditë e më shumë.  Ndoshta ju nuk mund ta ndaloni këtë frymë të re nostalgjike për komunizmin në Shqipëri, por të pakën do u lutesha mos u bëni palë me të keqen, të mos heshtni ndaj këtyre dukurive se ju jeni ata që do duhej të përfaqësonit dhe të mbronit vlerat perëndimore të lirisë e demokracisë, pikërisht ato vlera për të cilat ekziston NATO.Të nderuar përfaqësues perëndimorë në Shqipëri, ju lutem si një shqiptaro-amerikan i thjesht dhe u bëj thirrje: mos u bëni palë e “turpit në radhët e të paturpshëmve”! Flisni për dekomunistizimin e Shqipërisë, para se të jetë vonë.

Edhe kjo ka të bëjë me drejtësinë, sidomos në përvjetorin e revoltës antikomuniste në burgun e Spaçit. Shikoni se sa poshtë ka renë politika shqiptare në 30-vjet post-komunizëm.  Fatkeqësisht, votuesit shqiptarë kanë dy alternativa politike, asnjëra më e mire se tjetra: një, Partinë Socialiste e cila me krenari mbron komunizmin si një sistem që “ishte në anën e duhur të historisë”, sipas Kryeministrit Rama dhe Partinë Demokratike, një kandidat i shpallur për kryetar i të cilës bën thirrje që kjo parti të largohet nga “anti-komunizmi”, që nënkupton të bëhet më shumë ashtu si partia si motër socialiste. Kjo është alternativa që Partia Demokratike ofron, të pakën nepërmjet një kanddiati të saj për kryetar të ri?  Po cili është ndryshimi midis jush?  Më mirë bëhuni bashkë, të dy partitë kryesore, se këtë po promovojnë edhe ndërkombëtarët aty në Tiranë — një parti-shtet me një udhëheqës të përjetëshëm – me kult personaliteti. Mblidhuni të gjithë rreth tij dhe duartrokisni.  Rroftë demokracia alla-shqiptarçe! 

E buono per Albania! 

Sido që ta merrni, sido që të mendoni ju të nderuar përfaqsues diplomatikë dhe të klasës politike shqiptare — Shqipëria nuk mund dhe nuk do të bëhet një aleate e denjë e NATO-s pa dekomunistizimin njëherë e mirë të shoqërisë shqiptare dhe pa distancimin (por edhe pastrimin) e bindshëm të kësaj klase politike shqiptare — të sotëme dhe të nesërme – nga trashëgimia komuniste, ashtu siç kanë bërë vendet e tjera ish-komuniste, që tani janë anëtare të denja të NATO-s.  Si një taksapagues amerikan, unë do të dëshiroja që Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore, të jenë gjithmonë pranë Shqipërisë, jo vetëm për një çeshtje – megjithëse tepër e rëndësishme – siç është vendosja e drejtësisë në vend – por të jenë pranë saj edhe në mbrojtje të të gjitha vlerave të tjera perëndimore të përbashkëta demokratike që mbron NATO-ja – përfshir edhe dekomunistizimin e shoqërisë dhe distancimin nga gulagu komunist i Enver Hoxhës. Është e qartë se kuadrot e nomenklaturës së Partisë në pushtet nuk besojnë në distancimin nga e kaluara komuniste, por kjo është e vetmja mënyrë për ta bërë Shqipërinë pjesë të familjes evropiane dhe euro-atlantike, si dhe një vend anëtar të denjë të NATO-s me të cilin do të krenohemi të gjithë, kudo që jemi. Heshtja e përfaqësuesve diplomatikë të vendeve anëtare të NATO-s në Tiranë në lidhje me këtë çeshtje nuk u ben nder as vendeve që ata përfaqësojnë dhe as NATO-s që këto ditë po zhvillon stërvitjen ushtarake “Defender Europe 21”.  Në këtë 48-vjetor të Revoltës antikomuniste në burgun e Spaçit, ndoshta kini nevojë për një rifreskim të kujtesës se çfarë përfaqësonte regjimi i Enver Hoxhës. Për të parë nga afër dhe pjesërisht Gulagun e Enver Hoxhës, do të sugjeroja që përfaqsuesit diplomatikë në Tiranë dhe sidomos politikanët shqiptarë aktualë dhe ata që të pretendojnë të bëhen udhëheqës të atij vendi nesër, të vizitojnë Spaçin, Tepelenën e të tjera vende të persekutimit dhe të vrasjeve të viktimave të pafajshme të komunizmit – tmerin e Spaçit të cilin ish-ambasadori amerikan, Donald Lu, gjatë një vizite atje, e kishte cilësuar si “një dëshmi të brutalitetit njerëzor”.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Komunizmi, NATO

SIMPOZIUMI DIASPORES, VATRA DHE MASHTRIMI

May 21, 2021 by dgreca

-ORGANIZATORET E VERTETE TE SIMPOZIUMIT JANE NE TIRANE TE DIRIGJUAR NGA NJU JORKU DHE VIRXHINIA,POR TJETER HERE DO TE MERREMI ME TA…

SIMPOZIUMI I DIASPORËS DHE MASHTRIMET ME EMRIN, LOGON DHE VULËN E FEDERATËS PANSHQIPTARE TË AMERIKËS” VATRA”/

Të Shtunën me 22 Maj 2021, nga burime të tërthorta, mësuam se organizohet nëpërmjet Zoom- një Simpozium i fokusuar në çështjet tona Kombëtare. Pa i paragjykuar ligjëruesit Vatra i falenderon për studimet e tyre shkencore dhe i uron sukses Simpoziumit por nuk mund të anashkalojmë mashtrimin e organizatorëve, që shfrytëzojnë në mënyrë të paligjshme emrin dhe Logon e Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA” , me adresë zyrtare  2437 Southern BLVD, Bronx, NY 10458 -USA dhe me 12 degët e saj në Amerikën e Veriut dhe Kanada. Në pronësi dhe në përdorim të Federatës VATRA është edhe gazeta e saj ”DIELLI”. 

Studiuesit e nderuar janë mashtruar dhe kanë menduar se janë ftuar në emër të Vatrës së vërtetë dhe se nuk janë informuar për egzistencën e fraksionit që është përjashtuar për shkelje të Kushtetutës së Federatës.

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA i ka paditur në gjyq mashtrusit që kanë rrëmbyer vulën dhe Logon e Vatrës në në mënyrë të paligjshme(kopje nga interneti) dhe e kanë përdorur në publik në media, në rrjetet sociale, kanë bërë ftesa për aktivitete, si në rastin konkret,por edhe kanë grumbulluar fonde në mënyrë të paligjshme…. 

Vatra komunikoi me 10 nga ligjeruesit e ftuar në këtë simpozium dhe mori prej tyre përgjigjen keqardhëse se nuk kanë qenë të informuar nga organizatorët se ata nuk përfaqësojnë Vatrën e vërtetë. Ndjejmë keqardhje për këtë mashtrim.

Njëri prej ligjëruesëve u përgjigj menjëherë se e ka bojkotuar Simpoziumin për shkak të mashtrimit. Për ta respektuar nuk po ia përmendim emrin. Qëllimi ynë nuk është prishja e veprimtarisë, por na vjen keq se këtu janë përfshirë dhe historian të njohur,që mburren për qëndrim kombëtar -një pjesë prej të cilëve e kanë ditur se çfarë përfaqësonin organizatorët, por duke qenë në lidhje miqësie më pjestarë të fraksionit u kanë shërbyer atyre, duke kontribuar në përçarjen e diaspoërs. Na vjen keq se në këtë ndërmarrje janë përfshirë dhe Institucione nga Tirana dhe Prishtina…U bëjmë thirrje atyre që ta përdorin autoritetin e tyre shkencor për ta bashkuar jo për ta përçarë Diasporën, boll po e bën përcarjen qeveria.

Saktësojmë se ky grup është në minoracë dhe vjen nga dy gjysma degësh me anëtarësi familjare dhe një grup i vogël të pakënaqurish. A mund ta quajnë veten Vatër dy gjysma degësh përballë 13 degësh dhe qendrës?

Thashethemet që përhap grupi përcarës për Federatën Vatra se gjoja është pro greke e komuniste është e pabaza dhe dashakeqëse. Për herë të parë Federata VATRA ka një Kryetar nga KOSOVA, Z. ELMI BERISHA po ashtu edhe Presidenti i Nderit AGIM REXHAJ është po nga Kosova, sekretarja është nga Çamëria. Përse u shqetësuan kaq shumë përçarësit e VATRËS tash që në krye kemi Kosovë e Çamëri?

ORGANIZATORET E VERTETE TE SIMPOZIUMIT JANE NE TIRANE TE DIRIGJUAR NGA NJU JORKU DHE VIRXHINIA,POR TJETER HERE DO TE MERREMI ME TA…

FEDERATA PANSHQIPATRE E AMERIKËS VATRA MBETET E PËRKUSHTUAR NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE DHE ASNJËHERË NUK DO TË SHFOKUSOHET NGA KY QËLLIM.

Filed Under: Politike Tagged With: Mashtrimi dhe Simpoziumi

Berisha: Padi për shpifje kundër Sekretarit të Shtetit Blinken

May 20, 2021 by dgreca

VOA- Në Shqipëri, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi të enjten se ka vendosur të hapë një proces gjyqësor për “shpifje”, ndaj Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken, lidhur me njoftimin ditën e djeshme nga ana e këtij të fundit, se “po shpall përcaktimin publik të shtetasit shqiptar Sali Berisha, ish-President i Shqipërisë, ish-Kryeministër i Shqipërisë dhe ish-anëtar i Parlamentit të Shqipërisë si i përfshirë në korrupsion në shkallë të lartë” duke i ndaluar për pasojë, atij dhe familjes së tij (bashkëshortes dhe dy fëmijëve)hyrjen në territorin e Shteteve të Bashkuara.

Në një konferencë për shtyp, zoti Berisha tha se “kam udhëzuar avokatin tim në një vend neutral dhe të respektuar, si Franca që të ngrejë ndaj zotit Blinken një padi direkte para Gjykatës Korreksionale të Parisit, për shpifje publike”.
Zoti Berisha u shpreh se “për arsye që janë tërësisht të panjohura për mua, Sekretari i Departamentit të Shtetit ka publikuar dje, pa asnjë paralajmërim dhe në mënyrën më të papritur, më shpifëse, vlerësime të gënjeshtërta për personalitetin tim”. Ai nënvizoi, ashtu si dhe në deklaratën e djeshme, se “që kur kam nisur jetën time politike, por ju garantoj se potë shkoni më tutje, që kur kam prekur rrogën e parë në borderot e shtetit dhe deri dje nuk ka njeri në Shqipëri apo në botë që mund të thotë se unë kam qenë i implikuar në një aferë të çfarëdoshme korruptive”.

Zoti Berisha, u shpreh se ai u detyrua të ndërmerrte një veprim të tillë, për shkak të “dinjitetit të nëpërkëmbur”, por se “në mënyrë kategorike ky nuk është një akt kundër SHBA-ve, për të cilat ushqej të njejtat ndjenja por ndaj një njeriu I cili pa rreshtuar as prove, fakt apo argument, ka ngritur akuza që nuk mi kanë ngritur askush kurrë ndaj meje, as kundërshtarët më të egër”.
Akti Anti-Kleptokraci dhe për të Drejtat e Njeriut

Identifikimi i zotit Berisha nga Sekretari i Shtetit Antony Blinken si person që i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara për arsye korrupsioni në nivel të lartë bazohet tek Klauzola Anti-Kleptokracisë dhe për të Drejtat e Njeriut, siç quhet neni 7031 (c) i ligjit për Financimin e Departamentit të Shtetit, Operacioneve Jashtë Vendit dhe Programeve që kanë lidhje me to. Kjo klauzolë ka si synim luftën kundër korrupsionit si dhe mbështetjen e të drejtave të njeriut duke vënë në shenjestër aktorë të huaj, të korruptuar apo të përfshirë në shkelje të të drejtave të njeriut, të cilëve u mohon vizën amerikane.

Në bazë të kësaj klauzole, Kongresi i kërkon Sekretarit të Shtetit të pengojë hyrjen në Shtetet e Bashkuara të zyrtarëve të huaj për të cilët shefi i diplomacisë amerikane ka informacion të besueshëm se “kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt ose jodrejtpërdrejt në korrupsion në nivel të lartë, përfshirë korrupsion që lidhet me shfrytëzimin e burimeve natyrore, ose për përfshirje në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut”.

Klauzola parashikon sanksione me mohim vizash edhe për të afërmit e zyrtarit në fjalë.

Masat që shenjestrojnë zyrtarë të huaj të korruptuar apo të përfshirë në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut e kanë zanafillën në ligjin e vitit 2008, por në rrjedhën e viteve Kongresi ka bërë amendime të tjera, ndër to duke specifikuar në vitin 2015 se zyrtarët e shenjestruar mund të identifikohen edhe publikisht nga sekretari i shtetit.

Filed Under: Politike Tagged With: Berisha: Padi për shpifje, Sekretarin Blinken

DR. BERISHA- SEKRETARIT BLINKEN: PUBLIKONI FAKTET!

May 19, 2021 by dgreca

Pergjigje zotit Antony Blinken, Sekretar i Departamentit te Shtetit te SHBA per vendimin e tij per te ndaluar hyrjen time ne SHBA!

Zoti Sekretar!Nga mediat u njoha me vendimin tuaj te shpallur ne twitter per te ndaluar hyrjen time ne SHBA.Lidhur me kete vendim dua te shpreh sa vijon.Gjate 30 viteve ne politike nuk ka ekzistuar kurre asnje akuze ne adrese time, nga asnje person, asnje institucion vendas apo i huaj per abuzim te fondeve publike dhe çfaredo lloj tjeter korrupsioni.Shtoj gjithashtu se gjate te gjitha viteve te mia ne pushtet, por dhe deri me sot, familjaret e mi nuk kane perfituar kurre nga fonde dhe asete publike dhe kane zbatuar me rigorozitet te plote ligjet e vendit. Ata deri me sot nuk kane qene kurre nen akuze nga drejtesia shqiptare apo e ndonje vendi tjeter.Duke shprehur keqardhje per vendimin dhe duke e konsideruar ate pa asnje baze konkrete, ju ftoj te beni publike çdo fakt e dokument qe administrata e juaj, apo kushdo ne bote, mund te disponoje per te argumentuar pretendimin tuaj per mua dhe familjaret e mi.Gjithashtu gjykoj se nje nder faktoret me kryesore qe qeveria qe une kam drejtuar arriti te anetaresoje Shqiperine ne NATO, te firmose Marrveshjen e Stabilizimit Asociimit dhe liberalizoje vizat me Bashkimin Europian, te arrije nivelin e pragut te MCAC, dhe te terheqe investime madhore, por edhe te shenoje kulme ne marredheniet midis dy vendeve tona mike, ka qene lufta e suksesshme kunder korrupsionit dhe krimit te organizuar e dokumentuar kjo dhe ne raporte dhe vleresime te qeverise se SHBA.Gjate 30 viteve ne politike une kam patur ne SHBA, dhe kam me shume se ne cdo vend tjeter, miq te medhenj, me te cilet ndihem gjithnje krenar. Mirenjohja ime mbetet e pakufishme per gjithçka vendi i juaj i madh ka bere per lirine e kombit tim.Po keshtu jam perpjekur dhe nuk kam nguruar kurre te marr cdo vendim ne interes te perbashket midis dy vendeve.Dua te theksoj se vendimi juaj nuk mund te lekunde kurre admirimin tim per vendin, kombin e madh e mik amerikan dhe miqte e mi ne SHBA.Zoti sekretar!Une kam 8 vite qe kam dhene doreheqjen nga çdo funksion drejtues dhe jam larguar nga pushteti por kam qendruar i vendosur ne mbrojtjen e interesit publik dhe kombetar te shqiptareve, ashtu siç i vleresoj une ato.Une kam denoncuar me shume se kushdo tjeter ne kete vend publikisht brenda dhe jashte vendit, krimin e organizuar shqiptar dhe bandat e tij, kartelet e droges, lidhjet e tyre me zyrtaret me te larte shqiptare, por edhe te huaj, korrupsionin e papermbajtur qeveritar ne Shqiperi.Po keshtu une kam mbeshtetur reformen ne drejtesi e te gjitha ndryshimet kushtetuese, por kam kritikuar dhe denoncuar çdo akt te ndermarre ne kundershtim flagrant me amendamentet kushtetuese per vendosjen e kontrollit te plote politik mbi sistemin e drejtesise.Une gjithashtu kam denoncuar ne mediat shqiptare dhe te huaja, duke ditur shume mire pozicionin por edhe lidhjet e panumerta te tij, multimiliardierin George Soros, si korruptorin me kryesor te politikaneve te sotem dhe ne gjykimin tim, si nje armik te vertete te demokracise ne vendin tim.Perveç kesaj kam denoncuar i pari dhe me forcen me te madhe, publikisht dhe vetem publikisht, projektin e ndryshimit te Kufijve te Kosoves, i pregatiur nga fondacioni i George Sorosit ne Beograd, per çka dhe dhe jam kercenuar per pasoja, por natyrsht nuk jam impresionuar.Se fundi, duke mos pretenduar kurre se une jam i pagabueshem, duhet t’ju garantoj se une ndjehem krenar me te gjitha qendrimet e mia dhe ju siguroj se ato kane qene dhe do te jene te motivuara vetem nga interesi publik dhe kombetar i kombit shqiptar dhe e verteta, te cilat une i kam mbrojtur njelloj si sot edhe ne kohen kur te rinjte shqiptare ekzekutoheshin ne kufi per realizimin e endrres tyre amerikane.Sinqerisht Sali Berisha!

Filed Under: Politike Tagged With: Antony Blinken, Dr. Berisha, pergjigje

Reflektim lidhur me librin studimor ,,THE OLD BRIDGE ‘’ të Dr. Arjeta Ferlushkaj

May 18, 2021 by dgreca

Nga Mëhill VELAJ/*

 Arjeta  Ferlushkaj është një emer e shquar në shkencen Albanologjike, andaj në fillim të këtij promovimi dua ta ngre kumtin se vlerat e saj shkencore nuk kërkojnë vetëm admirimin tonë por edhe përkrahjen qoftë institucional por edhe atë të publikut të gjërë. Mesa kam lexuar e kuptuar nga ky libër…. ,, përveç studimeve të thelluara në çështje teorike të veprave letrare nga letërsia shqipe, lexuesi në këtë libër gjenë edhe artikuj formues dhe informues të vlefshëm për autorë, vepra, figura e personazhe të botës shqiptare dhe të diasporës te cilet ne harkun kohor prej nje shekulli lane gjurmete denja ne letersine dhe rrjedhat shoqerore e kombetare ,,. Studiuesja Ferlushkaj gjatë përpunimit të këtij libri verehet se ka ndjekur metodat studimore bashkëkohore kryesisht, me fokus kryesor në shkollat e kritikës letrare që kanë në vëmendje tekstin e më pak autorin e shkëputur, total nga plani e shija subjektive. Prirja për ta vlerësuar një vepër nisur më shumë nga emri i autorit nuk është e re. Është një “problem” që e ka dëmtuar jo pak artin e vërtetë, letërsinë si art i fjalës. Prandaj gjakimi ne këtë pikë i autores Ferlushkaj që të përcjellë frymën e një kritike të vërtetë sa i takon vlerësimit që i duhet bërë një krijimtarie duke i ikur aspektit subjektiv duhet vlerësuar këtë qasje objective dhe racionale të saj. Ne si  shoqate se bashku me Vatren ku bejne pjese shume nga ne, nëpër vite kemi organizuar veprimtari te perbashketa, si seminare,promovime, takime te natyres shkencore e datave historike, synojmë që të organizojmë të tjera seminare, pse jo edhe konferenca shkencore për data të rëndësishme historiko-letrare, për shkrimtarë tëndryshëm apo edhe për dukuri letrare. Një temë diskutimi mbase do të jetë prirja e letërsisë së diasporës. Në to secili pjesëmarrës në seminar ose konferencë të përgatisë shkrime për autorë të diasporës, apo të bëhen analiza rreth prirjeve tematike dhe të formës letrare që po ndjekin autorët e diasporës për takrijuar tabllon apo mozaikun e bukur të kulturës sonë nacionale këtu në diaspore. Kjo duhet të jetë një domosdoshmëri përderisa në Shoqatën Shkrimtareve Shqiptaro-Amerikanë kemi krijues e studiues me grada shkencore. 

Promovimi i librit te dyte te Arjeta Ferlushkajt Arjeta Ferlushkaj na bënë nder si komunitet shqiptar. Le të jetë pra ky pasqyrim bibliografik i Arjetes si njëlloj përforcimi i dialektikës dhe kronologjisë se veprimtarisë dhe angazhimeve të se saj studimore ndër vite e cila e përforcon aspektin e saj shkencor me theks të veçantë librin studimor të saj ,, The OLD BRIDGE -URA E VJETER’’. Kjo vepër studimore tregon dhe shpërfaq nivelin e saj të lartë shkencor përkushtimin akademik dhe misionin e kjartë qe ia ka vënë vetës kjo artiste dhe studijuese e veçantë. Libri i autores Ferlushkaj të cilin po e promovojmë sot shquhet për metodologjinë shkencore, konceptimin e kjarte, nivelin e qensishëm akademik, si dhe forcën e mbarështrimit e përpunimit rrënjësor e kronologjik të subjekteve që ajo merr në trajtim. 

LIBRI ËSHTË I KONCEPTUAR SI NJË LLOJ MOZAIKU SHKENCOR ,, 

1. Në pjesën e parë të librit ,, Shfletime ‘’…… vihet në dukje rëndësia dhe vlera e disa autoreve të traditës dhe atyre bashkëkohorë si :Atë Bernadin Palaj, Vinçenc Prennushi, si dhe autore të kohës moderne si Ferik Ferra, Mark Lucgjonaj, Fran Camaj, Alfred Çapaliku, Mentor Quku etj ku se bashku bëjnë simbiozën letrare në mes të kohërave dhe breznive. 

2. Në pjesën e dytë ,, Hulumtime dhe studime ‘’….Na shfaqet fuqia shkencore dhe ana kontemplative e studjueses Ferlushkaj ku përmes istrumenteve teoriko – letrare duke shfrytëzuar metodat bashkëkohore e hulumtuese të një niveli të lartë shkencor. Autorja përmes metodologjise krahasimtare reflekton për emrat eminent të kulturës dhe letërsisë kombetare si Ernes Koliqi, Elvira Dones , Ridvan Dibra, Qyteti – protagonist antihero ne romanin ,, Kronike ne Gur” të Kadaresë, Albana Melyshi – Lifschin, Ag Apolonin nga Kosova etj. duke mos anashkaluar edhe shkrimtarin martir të Shkodrës Qemal Draçini ( 1922 – 1947 ) i cili kishte vdekur në kazamatet Komuniste nga torturat. 

3. Në pjesën e tretë të librit ,, Urat e shtypit shqiptar të diaspores’’ ,, në artikullin studimor për gazetën ,, Albania ‘’ ( 1897 – 1909 ) të drejtuar nga Faik Konica autorja Ferlushkaj thekson vizionet dhe prirjet e natyrshme të këtij vigani të Kulturës shqiptare ë cili gjakon të kulturën perendimore si një urë lidhëse drejt qyteterimit të cilit ne i takojmë me shekuj e mileniume. 

4. Në pjesën e fundit të librit ,, modele suksesi’’kemi dy shkrime publicistike të kushtuara modelit progresist dhe integrues të shqiptareve që jetojnënë SHBA me theks të veçant Dr. Ermira Babamusta dhe organizatën rinore ,, Rrënjëtshqiptare – Albanian Roots’’ që ndoshta është edhe motivi i titullimit të këtij libri shkencor. I gjithë ky përshkallëzim dhe përkushtim shkencor e studimor në kohë dhe hapësirë e forcon bindjen e lëxuesve dhe receptuesit të vemendshëm e intuitiv se :për formimin e duhur teoriko – letrar dhe përkushtimine mbarështrimin shkencor të kësaj studijuese të talentuar si në planin ideo – artistik po ashtu edhe të metodologjisë dhe hulumtimit shkencor dhe durimin e saj të çeliktë në objektivat e saj për ti kontribuar letërsisë dhe shkencës shqiptare. Kjo vepër vertetë i ngjanë një ,, ure të vjetër ‘’ në mestë kohërave, brezave, rrjedhave letrare e historike, personazheve ,gjurmeve e vlerave letrare e historike të shumë figurave e personaliteteve të dijes, shkencës, artit e kulturës shqiptare te cilat ka ditur t’i sublimoj e mbarështroj në formen me të mirë kjo studijuese e cilai i bënë nder dhe e pasuron histografinë dhe albanologjinë tonë. 

       Studijuesja Ferlushkaj nuk i mjafton vetvetës sepse nuk është egoiste por Altruiste në shkencë andaj rrezet e vlerave dhe rrezatimit të shumë përsonaliteteve që i kontribuan kauzës kombetare e letërsisë kombetare deshiron ti ndaj me lexuesit e studiuesit dhe opinionin e gjërë i cili jo rrallë di të mos jetë i etur për njohje dhe keto vlera sublime. Është krenari kombetare dhe kulturore për ne por edhe diasporen shqiptare ne Amerikë në përgjithësi kur vajza e brumosur me kulturën iluministe të Shkodër locës rrezet e saj të diturisë i shpërndanë edhe përtej Atlantikut gjegjësisht në mendjet e shpirtërat e diaspores shqiptare e etur për integrim kulturor, vatër e kandil dije ,e cila ndizet që një shekull në bërthamen e tokës Amerikane. 

  Autores Arjeta Ferlushkaj i urojmë suksese në punën e saj shkencore e studimore e cila duke i kontribuar letërsisë, etnografisë, albanologjisë, dhe kulturës shqiptare e lartëson emrin dhe sakrificën e saj sublime në fushën studimore e bashk me të emrin shqiptar e bënë edhe me të dinjitetshëm para syve të botës.

   Urime e suksese, le të jetë pra ky promovim vertetë uralidhëse mes brezave, kulturës dhe kontributit letrar nëbreza ku keto se bashku ta krijojnë tabanin dhemozaikun e pasur të kulturës shqiptare edhe pertejAtlantikut 

  • Autori eshte Kryetar i Shoqates se Shkrimtareve Shqiptaro-Amerikane. Kumtese e mbajtur ne veprimtarine e organizuar ne Seline e Federates Panshqiptare te Amerikes”VATRA” me 16. 05.2021.

Filed Under: Politike Tagged With: Dr.Arjeta Ferlushkaj, Mhill velaj, The Old Bridge

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 295
  • 296
  • 297
  • 298
  • 299
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT