• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Monumentalizimi i Mbretit Zog

December 23, 2020 by dgreca

Me rastin e 96 vjetorit të “Triumfit të Legalitetit”/

*Nga Ekrem Spahiu/

Tetë vjet më parë, më 24 dhjetor 2012, në Kryeqytetin e vendit, u vendos monumenti i Mbretit Zog, pikërisht në Bulevardin që mban emrin e tij, duke monumentalizuar kështu një datë shumë të rëndësishme në historinë e shtetit shqiptar: rivendosjen e legjitimitetit që është themelore për një shtet të qëndrueshëm.

Në Shqipëri dhe trevat shqiptare, në sheshe, bulevarde, institucione, shkolla, etj, ku është monumentalizuar historia kombëtare, kombi shqiptar përulet për të nderuar Skënderbeun, Ismail Qemalin, Mbretin Zog dhe figura të tjera që e bënë këtë histori.      

Sigurisht, ajo çfarë ata lanë pas, është vepra e tyre kombëtare. Gjithsesi, monumentet na e mbajnë gjallë kujtesën, sepse një popull që nuk mban gjallë të kaluarën, rrezikon edhe të ardhmen.

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është guri i parë i themelit të Shqipërisë, heroi i shqiptarëve dhe po aq edhe kalorësi mbrojtës i Europës. Ai personifikon një epokë të lavdishme të historisë kombëtare të shqiptarëve, që mori emrin e tij, për mbrojtjen e trojeve shqiptare dhe të lirisë. Duke monumentalizuar Skënderbeun, kombi ynë takon heroin kombëtar, në të cilin janë mishëruar aspiratat e vlerat më të spikatura të tij dhe për këtë arsye, bëhet simbol i bashkimit kombëtar dhe i luftës së tyre të përbashkët.

Ismail Qemali, me aktin themelues të Pavarësisë së Shqipërisë, ndryshoi historinë politike të popullit shqiptar, duke ndikuar në riformatimin gjeopolitik të Ballkanit në përgjithësi. I ardhur nga një derë fisnike kombëtare, me kulturë shtetari të fituar në një perandori që ishte superfuqi pesëqindvjeçare, Ismail Qemali i priu kohës dhe koha e përjetësoi në rrënjët e kombit, në historinë monumentale të tij dhe në monumentet e ngritura për të.  

Për të ardhur më afër në kohë, Mbreti Zog u bë një figurë madhore dhe qendrore e historisë së Shqipërisë, që hodhi themelet e ndërtimit dhe funksionimit të shtetit modern shqiptar, me orientim të qartë perëndimor europian. Ideator dhe realizues i administratës së parë të shtetit shqiptar, si dhe i një legjislacioni bashkëkohor ai do t’i hapte rrugë emancipimit shoqëror dhe zhvillimit të potencialeve të vendit. I gjithë korpusi i legjislacionit shqiptar i ndërtuar nën kujdesin e tij,  shënoi shkëputjen e plotë nga legjislacioni i periudhës osmane dhe e orientoi zhvillimin e Shqipërisë për nga modelet europiane dhe potencialet demokratike.

Ahmet Zogu – Mbret i shqiptarëve, u thirr dhe iu përkushtua Shqipërisë në të gjitha momentet vendimtare historike të saj, duke filluar që nga shpallja e Pavarësisë dhe gjatë gjithë jetës së tij, të cilën e lidhi plotësisht me fatet e kombit.

Shteti i ndërtuar nga Mbreti Zog, e bëri krenar shqiptarin, të denjë për të paraqitur identitetin e tij në çdo vend të botës.

Sot, shqiptarët në të gjitha trojet kombëtare, gjithnjë e më shumë po i evokojnë vlerat, kontributet dhe arritjet e Mbretërisë Shqiptare. Ajo zgjati vetëm 11 vjet, por i la Shqipërisë një trashëgimi të pashlyeshme e cila, në shumë drejtime, është e paarritshme edhe sot.

Në njohje dhe vlerësim të personalitetit, kontributeve dhe trashëgimisë së tij historike e kombëtare, me 17 nëntor 2012, me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, shteti Shqiptar me një ceremoni dinjitoze dhe madhështore ktheu eshtrat e Mbretit Zog në Atdhe, të cilat u vendosën në Mauzoleumin e Familjes Mbretërore në Tiranë, duke përmbushur kështu një detyrim historik, patriotik, moral dhe human.

Ky akt përbënte rivendosjen në vend të historisë, jo vetëm ndaj një personi sikurse ishte Ahmet Zogu, por ndaj një epoke që mori emrin e tij e që lidhet me shtetformimin e Shqipërisë. Rivarrimi i tij pikërisht aty ku partizanët komunist hodhën në erë varrin e Nënës Mbretëreshë, përbënte njëherësh riafirmimin e mirënjohjes dhe humanizmit si vlera të patjetërsueshme kombëtare të shqiptarëve.  

Sot është 96 vjetori i “Triumfit të Legalitetit”. Ahmet Zogu me karizmën e tij, me orientimin e qartë perëndimor, me dashurinë për kombin shqiptar, rivendosi shtetin ligjor, rendin dhe sigurinë më 24 dhjetor 1924, duke i rikthyer legjitimitetin qeverisë së atëhershme të dalë nga zgjedhjet e 27 dhjetorit të vitit 1923. Me këtë vepër, ai shpëtoi Shqipërinë nga zhvillime që mund ta humbisnin atë në vorbullat e turbullta dhe retë e zeza midis dy luftërave botërore.  

Në vlerësim të kësaj date të rëndësishme historike dhe për ta bërë të plotë kuadrin jubilar të një shekulli me shtet kombëtar shqiptar, më 24 dhjetor 2012, në Bulevardin “Zogu I” u vendos monumenti i Ahmet Zogut si protagonisti kryesor i “Triumfit të Legalitetit”.

Me veprën e tij, Mbreti Zog lidhi historinë dhe veprën e Skënderbeut e të Ismail Qemalit për ruajtjen dhe forcimin e identitetit kombëtar e shtetëror të shqiptarëve. Prandaj, monumentalizimi i tyre, ashtu si edhe i figurave të tjera që bënë historinë kombëtare, është në nderin, vullnetin dhe kulturën e kombit shqiptar, për të përjetësuar historinë, sepse një popull pa memorie, është një popull pa kujtesë dhe pa histori.

*ish-deputet & kryetar i PLL     

Filed Under: Politike Tagged With: Ekrem Spahiu, i Mbretit Zog, Monumentalizimi

Kriset dialogu me Serbinë, minishengeni ballkanik thembra e Akilit për Kosovën

December 22, 2020 by dgreca

Nga Eneida Jaçaj/ Po ndodh ajo që fatkeqësisht me shumë gjasa pritej! Dialogu Kosovë-Serbi, i iniciuar në Uashington më 4 shtator, dhe i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, parimisht shpresohej se do të sillte paqe dhe normalizim mes dy vendeve, duke i hapur dritën jeshile bashkëpunimit ekonomik. Gjithsesi, pavarësisht përpjekjeve të SHBA dhe BE për të vendosur ura bashkëpunimi mes dy shteteve, diaologu është parë edhe me hije dyshimi, pasi Serbia nuk e njeh Kosovën. SHBA-BE menduan t’i drejtojnë vendet drejt një marrëveshjeje ekonomike, e cila më pas mund të konkretizohej edhe me njohjen e Kosovës, nga Serbia. 

Por, gjatë këtyre ditëve ka patur përplasje deklaratash mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri i Kosovës, Abdullah Hoti, ka thënë se nuk do të ketë marrëveshje pa njohje reciproke, ndërsa kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, i është përgjigjur se, sa të jetë ai në qeverisje nuk do e njohë Kosovën. Këto përplasje në distancë dëshmojnë se dialogu Kosovë-Serbi po kriset dhe nuk do të ketë të ardhme. Situata është acaruar fill pas akuzave ndaj luftëtarëve të UÇK për krime njerëzore. Por ajo çka është më e rëndësishmja për t’u theksuar në gjithë këtë kakofoni mendimesh e qëndrimesh është minishengeni ballkanik, që mbetet të jetë thembra e Akilit për Kosovën. Krerët më të lartë të shtetit kosovar po kërkojnë me çdo kusht njohjen e Kosovës nga Serbia, në një kohë kur ende qëndron në këmbë projekti për minishengenin ballkanik. Pse i druhet Kosova minishengenit ballkanik dhe pse lidhet kaq ngushtë njohja e Kosovës me ketë projekt?

Minishengeni ballkanik

Liderët e Kosovës po këmbëngulin që dialogu me Serbinë që të ketë ecuri, duke realizuar të gjitha pikat e marrëveshjes, duhet që Serbia të njohë me patjetër pavarësinë e Kosovës. Përpos faktit që Kosova është në të drejtën e saj, në fakt në këtë rast i intereson njohja e Kosovës nga Serbia, pasi lidhet direkt me minishengenin ballkanik. 

Kujtojmë se në vitin 2019, kryeministri Edi Rama së bashku me kryeministrat e Serbisë, Maqedonisë së Veriut arritën në Ohër një marrëveshje për projektin e minishengenit ballkanik, i cili konsiston në lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve. Projekti ka për qëllim bashkëpunimin rajonal meqenëse Bashkimi Europian po vonon integrimin. Kosova nuk u përfshi në këtë marrëveshje mes vendeve të rajonit, u la në hije, pasi Serbia por edhe Bosnja-Hervegovina nuk e njohin Kosovën, dhe nuk mund të ketë projekt kur shtetet janë në konflikt me njëri-tjetrin. 

Kryeministri Abdullah Hoti por edhe ish-Presidenti Hashim Thaçi, e kanë kundërshtuar këtë projekt, me argumentin se do të risjellë minijugosllavinë, pasi Serbia e ka tregun më të zhvilluar dhe do të kontrollojë tregjet e vendeve të tjera të rajonit. Por kjo është një deklaratë që bëhet në kushtet kur Serbia nuk po e njeh Kosovën, dhe kjo e fundit nuk mund të bëhet pjesë e projektit, me të drejta të barabarta në aspektin e bashkëpunimiyt ekonomik rajonal. Pra, me pak fjalë, Kosova dëshiron të bëhet pjesë e këtij plani, por së pari duhet të njihet nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina. Këtë e ka konfirmuar vetë Hashim Thacci, se Kosova është e gatshme të bëhet pjesë e projektit, por fillimisht duhet njohja nga Serbia. Dhe kjo është arsyeja përse po këmbëngulet për njohjen e Kosovës, pavarësisht akuzave tensionuese ndaj projektit nga liderët e Kosovës. Kryeministri Edi Rama e vlerëson si projekt, por ka mbetur në udhëkryq pasi nëse nuk përfshihet edhe Kosova, do të bëjë figurë të keqe para shqiptarëve të Kosovës. Nga ana tjetër, Vuçiç pati deklaruar se Rama nuk është gati, pasi ndihet në presion nga liderët e Kosovës. Sigurisht që Serbisë i intereson zbatimi i këtij projekti pa përfshirjen e Kosovës, duke zhvilluar dhe zgjeruar tregun ekonomik të saj, në raport me tregjet e tjera të rajonit. 

Vjosa Osmani

Minishengeni ka ashpërsuar marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë, dhe kjo u dëshmua edhe me vizitën e Presidentes në detyrë, Vjosa Osmani, në Tiranë, e cila shkoi për t’i dhënë një shuplakë Ramës. Ajo i kërkoi Ramës miratimin e një rezolute që dënon genocidn serb ndaj popullit të Kosovës. Por kjo kërkesë e saj erdhi si një provokim për të parë sesa i gatshëm është Rama të dalë kundër Serbisë, në një kohë kur ende flitet për marrëveshjen e Ohrit, minishengenin ballkanik, pasi Shqipëria ka miratuar disa rezoluta ndër vite për dënimin e genocidit serb ndaj popullit të Kosovës.  Dhe sigurisht Kosovës nuk i intereson që vendet e tjera të rajonit të bashkëpunojnë ekonomisht, dhe ajo të lihet jashtë. Në këto kushte, ekspertë të çështjeve ekonomike mendojnë se kjo nismë paraqet improvizim politik përderisa Kosova nuk trajtohet aty e barabartë për shkak se nuk njihet nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina. Megjithatë do të ishte një projekt shumë pozitiv për rritjen e bashkëpunimit rajonal, duke përfshirë edhe Kosovën. Shpresojmë të ndodhë kështu, megjithëse njohja e Kosovës nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina duket shumë larg, mbase edhe e pamundur! 

Filed Under: Politike Tagged With: Eneida Jaçaj, Kriset dialogu me Serbine, Minishengeni

VATRA NGUSHELLON Z.KOLEC NDOJA PER HUMBJEN E NENES

December 21, 2020 by dgreca

Sot, e Hënë 21 dhjetor 2020, në Shkodër, është organizuar ceremonia e varrimit e Mrike Ndoja, nëna e z. Kolec Ndoja, kryetar i degës së Vatrës në Fort Landerdale, Florida dhe anëtar i Këshillit të Vatrës. 

Në faqen e tij të facebook-ut, Kolec Ndoja shkroi:”Eh moj Nane…

Shpirti jot i mire pushofte ne amshim. Mundimet, dashnia dhe bekimi yt (dhe i juaji si prind) na e kane dhane te mbaren ne jete, dashni dhe bekim edhe nder Nipa e Mbesa. 

Kjosh gjithmone e lumnueme mes nesh, si ne Parajse ku je nise, o model i Jetes se Shejtnueme!”

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA dhe gazeta e saj DIELLI ngushëllojnë z. Kolec Ndoja me familje për humbjen e nënës së tij të dashur. Ngushëllime familjes Ndoja, Nëna Mrike pushoftë në Paqe!

Filed Under: Politike Tagged With: Mrike Ndoja, nderroi jete

NJË MUZE I RI NË WASHINGTON KUSHTUAR 100-MILIONË VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT NË BOTË

December 19, 2020 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI- Fondacioni Përkujtimor i Viktimave të Komunizmit është një organizatë anti-komuniste jo-fitimprurëse këtu në Shtetet e Bashkuara, me qëndër të Washington, e themeluar me një akt të Kongresit, votuar unanimisht, në vitin 1993, “Me qëllim për të edukuar Amerikanët rreth ideologjisë, historisë dhe trashëgimisë së komunizmit”.  Ky është misioni i këtij fondacioni me moton e veprimit, “Për të mësuar të Vërtetën – Për të kërkuar Drejtësinë – Për të ruajtur Kujtesën”.

Për pothuaj tre dekada ky fondacion ka zhvilluar një veprimtari të dendur për të edukuar dhe për t’i kujtuar– rinisë dhe publikut amerikan në veçanti, por edhe vizitorëve ndërkombëtarë në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara — krimet barbare të komunizmit gjatë shekullit të kaluar dhe më vonë, krime të bëra në më shumë se 40-vende të botës të sunduara dikur nga komunizmi.  

“Nëqoftëse ne nuk u mësojmë brezave të rinjë të vërtetën historike të 100-milionë viktimave të vrara nga regjimet komuniste gjatë shekullit të kaluar, atëherë ne nuk duhet të habitemi ndaj gatishmërisë së tyre për të përqafuar idetë marksiste”, pasi nuk e njohin, shprehet Marion Smith, Drejtori i Përgjithëshëm i Fondacionit Përkujtimor të Viktimave të Komunizmit në Washington.

pastedGraphic.png

           Memoriali në Washington, kushtuar Viktimave të Komunizmit botëror 

Në vitin 2007, Fondacioni ngriti statujën Përkujtimore të Viktimave të Komunizmit në cep të rrugëve të New Jersey dhe Massachusetts Avenues, pranë selisë së Fondacionit Përkujtimor në Washington, jo larg nga ndërtesa e Kongresit amerikan dhe afër stacionit kryesor të trenave në kryeqytetin amerikan, si një kujtesë e përhershme për viktimat e komunizmit botëror, për të gjithë vizitorët dhe ata që kalojnë asajt çdo ditë.  

Mirëpo, Fondacioni i Kujtesës së Viktimave të Komunizmit, në frymën e misionit që i ka caktuar vetes ç’prej themelimit të tij — “Për të edukuar Amerikanët rreth ideologjisë, historisë dhe trashëgimisë së komunizmit”, por edhe për të promovuar lirinë për ata popuj që ende jetojnë nën regjime komuniste — ka vendosur që në vitin 2021 të hedhë një hap tjetër edhe më të rëndësishëm, për të hapë Muzeun e Viktimave të Komunizmit mu në qendër të Washingtonit, në rrugën 15-të në veri-perendim të Sheshit të njohur McPherson.  “Washington Business Journal” njofton në një artikull të gjatë botuar javën që kaloi — hapjen e muzeut më të ri privat në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, atë kushtuar Viktimave të Komunizmit në botë, dhe botoi edhe fotografinë e ndërtesës (më poshtë ku do të vendoset muzeu.

pastedGraphic_1.png

Muzeu i ardhëshëm në Washington kushtuar Viktimave të Komunizmit në botë do të hapet vitin që vjen në këtë adresë: 900 15th St. NW, karshi Sheshit të njohur McPherson.

Z. Marion Smith, Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit të Kujtesës së Viktimave të Komunizmit, u shpreh për “Washington Business Journal” se hapja e një Muzeu në Kujtim të Viktimave të Komunizmit botëror në Washington DC ka qenë një objektiv për një kohë të gjatë i fondacionit që ai drejton.  Muzeu, sipas tij, do jetë i pasuruar me ekspozita të përhershme dhe të përkohëshme dhe do të tregojë shumë histori tragjike nga nja 40-vende që janë sunduar nga diktatura komuniste një-partiake, gjatë 100-viteve të kaluar.   

Ndërkaq, Fondacioni i Kujtesës organizon programe, takime eduktaive dhe fushata mediatike që kanë të bëjnë me pasojat e komunizmit në botë dhe çdo vit shpërndanë çmime dhe dekoratën e prestigjoze të “Lirisë Truman-Reagan”, atyre që, “kanë vu në dukje due që kanë punuar dhe që kanë treguar një angazhim të gjatë në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë duke kundërshtuar ideolgjinë komuniste”, ndërkohë që fondacioni gjithnjë mbështet aktivitetet anti-komuniste në Kinë dhe në Amerikën Latine.  Siç thashë edhe më lartë, misioni i Fondacionit të Kujtesës së Viktimave të Komunizmit në botë është themeluar për të edukuar Amerikanët rreth ideologjisë, historisë dhe trashëgimisë së komunizmit dhe për të promovuar lirinë për ata popuj të cilët ende jetojnë nën regjime komuniste. Fondacioni i Kujtesës së Viktimave të komunizmit shprehet se këtë detyrë e konsideron si një detyrim solemn të vetin për t’i ekspozuar gënjeshtrat e komunizmit, të gjithë atyre që thonë se janë të gatëshëm që, pse jo, kolektivizimit dhe komunizmit si ideologji, t’i jepet edhe një mundësi tjetër veprimi, që të provohet edhe njëherë.

Brezat e rinj, sipas Fondacionit amerikan të Kujtesës së Viktimave të Komunizmit duhet të ballafaqohen me realitetin e marksizmit, në praktikë. Thekësohet se  socializmi nuk është një filozofi e mirë njerëzore due se socializmi marksist është ideologjia më vdekjeprurëse në histori. Në shekullin e 21-të, ne kemi një mundësi të mësojmë nga krimet e komunizmit gjatë shekullit 20-të dhe të ri-dedikojmë shoqërinë tonë të lirë, të bazuar në lirinë individuale, në tregëtinë e lirë, në shtetin e së drejtës, në vetëqeverisjen demokratike dhe në mbrojtje dhe respektin e të drejtave të njeriut.  Në çfarë lloj bote duam të jetojmë, në shekullin 21 — një botë e përcaktuar nga kolektivizmi e komunizmi, apo nga liria, demokracia dhe të drejtat e njeriut?  

Siç duket, me ndërtimin e një muzeu të ri — në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara dhe të botës së lirë në përgjithësi, në kujtesë të përherëshme të viktimave të komunizmit në botë — Fondacioni (Amerikan) i Kujtesës së Viktimave të Komunizmit, po përpiqet që të pakën, pjesërisht, t’i përgjigjet pyetjes se në çfarë bote duam të jetojmë në këtë shekull – nën komunizëm apo në liri.

                  pastedGraphic_2.pngPresidenti George W.Bush duke folur me rastin e dedikimit të Memorialit të Viktimave të Komunizmit me 12 Qershor, 2007, në Washington

Me atë rast, Presidenti Bush ka thenë se viktimat e komunizmit do t’i kujtojmë përgjithmonë në histori:  “Ne kurrë nuk do t’i dimë emrat e të gjithë atyre që u vranë nga (komunizmi), por në këtë vend të shenjtë, viktimat e panjohura të komunizmit do të shenjtërohen në histori dhe do të kujtohen përgjithmonë.  Ne e përkushtojmë këtë memorial sepse kemi një detyrim ndaj atyre që vdiqën — të kujtojmë jetën e tyre dhe të nderojmë kujtesën e tyre”.  

Rrezikun nga komunizmi, ish-presidenti George W. Bush e ka krahasuar me kërcënimin e terrorizmit në fillim të këtij shekulli, ndërsa është shprehur se: “Ashtu si komunistët, edhe terroristët dhe radikalët që kanë sulmuar kombin tonë janë pasues të një ideologjie vrasëse që përçmon lirinë, shtyp të gjitha disidencat, ka ambicie ekspansioniste dhe ndjek qëllime totalitare”.

Filed Under: Politike Tagged With: 100 milione viktima, Frank shkreli, Komunizmi, Muze i Washingtonit

Ndjesëkërkesa rilindiste dhe preferimi i budallallëkut ndaj hipokrizisë

December 18, 2020 by dgreca

SHKRUAN:GENC POLLO/

“Unë kam futur për herë të parë kërkesën e faljes nga anëtarët e qeverisë” thoshte  Edi Rama para tre ditësh duke shpjeguar dorëheqjen e Sandër Lleshit. Më bëri përshtypje ky pretendim. Jo për shkak të dëshirës të gjithëpranishme të Ramës që të vendosë precedentë kudo. Mbaj mend  se në vitet intensive si ministër i arsimit i kam kërkuar ndjesë një kategorie maturantësh, të cilët padashje u defavorizuan në një procedurë; por ky ishte një episod gati i humbur në kujtesë të cilin e rrithirra jo për të denoncuar përvetësimet rilindiste (kam shkruar para një muaji për disa raste syresh) por për të vënë në dukje se, bazuar në kujtesën time e në ndihmën e gugllimit, kërkesa e ndjesës nuk duket fort e pranishme në diskursin publik shqiptar përfshi këtu edhe atë të politikanëve të lartë. 

Në këtë periudhë epidemie dhe inaktiviteti relativ gjeta kollaj kohën të hulumtoj mbi pendesën e ndjesën ndërpersonale (në dallim të asaj të njeriut ndaj Zotit), koncepte të pranishme në etosin klasik greko-romak por të zhvilluar thelbësisht në fetë abrahamitike: përzgjodha ndjesën judaike apo teshuvah, e cila mu duk si më e plotë e që përbëhet nga 1) pranoj gojarisht  gabimi tim e  kërkoj ndjesë; 2) shpreh pendesë të sinqertë e vullnetin për të mos përsëritur gabimin; 3) bëj çfarë është e mundur për të korrigjuar gabimin e për të kompensuar a qetësuar personin e lënduar; 4) veproj ndryshe nëse përsëritet e njëjta situatë. Kështu e përkufizon atë Tora e hebrenjve por edhe versionet e mëvonshme në moralin europian po aty rrahin. 

Përkundrejt këtij standarti le të shohim edhe modelin e demonstruar nga qeveria Rama

Para dy muajsh ministri i brendshëm Sandër Lleshaj  i tha një deputeti polemizues  se “polic ke qenë e polic do të mbetesh!” . Me sa duket i ndikuar  nga barcoletat e kohes se Partisë se Punës ku polici, përfaqsues zyrtar por i rëndomtë i pushtetit të frikshëm,  shfaqej përherë si kokëtrashë. Më vonë Lleshaj kërkoi falje! Kujt i kërkoi falje ? Policëve që ndodheshin në drejtimin politik të tij dhe që duhen motivuar e bërë të ndjehen mirë e krenarë për punën e tyre në zbatim të ligjit? Policëve në fytyrën e të cilëve ministri shquante vetveten? Jo tamam! Lleshaj shkruajti  ne facebook se u kërkoj sinqerisht ndjesë atyre që mund të kenë keqkuptuar thelbin e reagimit tim. Atyre ? Po kujt saktë? Tërë popullit ? Apo atyre brenda policisë që janë më të ndjeshëm se të tjerët?

Prirja për të shmangur ndjesëkërkesën ndaj atyre që ke lënduar nuk filloi me Lleshajn. Në prill 2016 në Kuvend, Ditmir Bushati, asokohe ministër i jashtëm, ulur në bankën qeveritare, hedh ujë me shishe mbi deputetët e opozitës që protestonin para foltores. Më pas, po në facebook, kërkon ndjesë. Kujt? Mbase kolegëve që i “vaditi” edhe pse i paprovokuar personalisht prej tyre? Jo tamam! “…jam i keqardhur për reagimin tim instiktiv….kërkoj ndjesë qytetarëve për faktin se nuk arrita të ruaj gjakftohtësinë…” Tërë pjesa tjetër e postimit, apo gati 95% e tij, flet për farmakun opozitar, Lulzimin që mërzitet nga vetingu, Monikën që saboton integrimin si dhe sinjalizon një sihariq pas dy muajsh lidhur me negociatat me BE; gjithësesi gjëra pa lidhje me temën tonë por informative për kontekstin). 

Por modelin e ndjesës rilindiste më rezulton se e ka dhënë shefi i tyre gjashtë vjet më parë: në mars 2014, po në Kuvend, duke ju drejtuar pas polemikës

një deputeti opozitar, Rama i përsëriti disa herë “o rrotë k…!” Të nesërmen në televizion ai deklaroi se nuk ka arsye që t’i kërkojë falje deputetit por i kërkon ndjesë dy herë shqiptarëve për gjuhën e papërshtatshme (dy herë meqë ishte shef qeverie; për të tjerët mjaftonte vetëm një herë – sqaroi ai). 

Me siguri ka shembuj të tjerë të ngjashëm nga kjo qeveri por edhe këta më lart mjaftojnë për të kuptuar se ndjesëkërkesa e tyre është larg së qeni një akti i denjë moral. Të paktën në përputhje me teshuvah-n e etikës bashkëkohore. Pretendimi se jemi të parët me ndjesën publike gjithashtu duket një ushtrim PiAri ku kjo qeveri investon pa kut e masë. 

Sa më lart nuk është detyrimisht kritikë e rreptë e aq më pak opozitare. Në debatin mbi moralitetin publik duhet të mbajmë parasysh se ata pa mëkate mund të hedhin gurin e parë dhe se shembulli vlen më shumë se predikimi. Por edhe pretendimet e rreme nuk ka arsye pse t’i lemë në qarkullim. 

Mendimtarët politikë të para luftës si Mit’hat Frashëri e Branko Merxhani theksonin pa u lodhur nevojën e shëndoshjes morale të popullit shqiptar. Debati bashkëkohor dëften se kjo shëndoshje kalon mes një udhe të gjatë me të përpjeta e të tatëpjeta; me hapa para por edhe pas. Ku çdo shtysë pozitive lipset të mirëpritet. 

P. S. Ndjesëkërkesa e Blendi Klosit duket si përjashtimi që konfirmon rregullin rilindist dhe është njëkohësisht më simpatikja syresh. Klosi tha në publik se muzika në bare favorizonte infektimin me covid. Ditën tjetër ai e tërhoqi thënien dhe u kërkoi falje muzikantëve (?!?!). Është e vërtetë se pohimi i parë dhe ai i dytë duken se janë në garë për çmimin “Idioti”. Po për këtë rast Klosit mund t’i thuash budalla por jo hipokrit. 

 Genc Pollo
Ish ministër e deputet – 18 dhjetor 2020

Filed Under: Politike Tagged With: Genc Pollo, Ndjesëkërkesa rilindiste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 306
  • 307
  • 308
  • 309
  • 310
  • …
  • 654
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT