• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lidhja Demokratike e Kosovës, kryetar i ri Lumir Abdixhiku

March 14, 2021 by dgreca

-Lidhja Demoratike e Kosovës është themeluar në 23 Dhjetor 1989 nga Ibrahim Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës i zgjedhur edhe në krye të partisë, dhe nga intelektualë të tjerë shqiptarë kosovarë/

– Në Lidhjen Demokratike të Kosovës pas Ibrahim Rugovës kryetar u zgjodh Fatmir Sejdiu e pastaj Isa Mustafa dhe tash Lumir Abdixhiku është kryetari i katërt i partisë…

PRISHTINË, 14 Mars 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Lidhja Demokratike e Kosovës, partia më e vjetër në demokracinë e pluralizmin Kosovar, e themeluar nga Ibrahim Rugova para afër 32 viteve,  u bë sot me kryetar të ri – Lumir Abdixhikun 37 vjeçar, të zgjedhur me shumicë votash në Kuvendin zgjedhor të partisë, ku kandidatë ishin edhe nënkryetari Lufti Haziri dhe zëdhënësi Besian Mustafa, të cilët e uruan ndër të parët dhe të tre së bashku folën para mbi 300 delegatëve. Kuvendi zgjedhor u mbajt pas dorëheqjes së kryetarit të deritashëm Isa Mustafa si gjest moral pasi në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 Shkurtit 2021 Lidhja Demokratike e Kosovës mori  vetëm  12,731% të votave – më së paku në gjithë historinë e saj.

Në këtë vit – 23 Dhjetor 2021 shënon 32 vjetorin Lidhja Demoratike e Kosovës, e themeluar në 23 Dhjetor 1989, nga Ibrahim Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës i zgjedhur edhe në krye të partisë, dhe nga intelektualë të tjerë shqiptarë kosovarë.

Më shumë se parti, LDK në fillimet e saj lindi si një lëvizje gjithëpopullore për Liri, Pavarësi e Demokraci, në rrethana të rënda okupimi e të dhunës së egër të Serbisë në Kosovë.

Ishte koha kur po para 32 viteve, në rrethana tragjike terrori, Serbia në Kuvendin e saj në 28 Mars të vitit 1989 miratoi “kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 si element konstituiv me të drejtë vetoje në federatën e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës pastaj dolën 7 shtete të pavarura.

Në demonstratat  gjithëpopullore në mbrojtje të Kosovës nga sulmet e Serbisë, vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 Mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Podujevë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.

Që në atë kohë, Rugova dhe LDK hapur përcaktonin pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallnin idenë për shtetin e Kosovës, ndërsa theksonin se, “zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur…”.

Formimi i LDK-së dhe disa partive tjera, e pastaj Deklarata Kushtetuese për Pavarësi e 2 Korrikut e Kushtetuta e Republikës e 7 Shtatorit 1990 dhe Referendumi për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur i zhvilluar nga 26 deri në 30 Shtator 1991 me pjesëmarrje 87,01% e votim pro 99,87%, u pasuan me zgjedhjet e para pluraliste parlamentare e presidenciale, të 24 Majit 1992, në të cilat Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh president i parë i Republikës së shpallur, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.

Para 16 viteve, në ditën e përvjetorit të themelimit të LDK-së, të fundit që Rugova e shënonte, ai ritheksonte se partia që e drejtonte që nga fillimi “objektiv qendror e ka njohjen e pavarësisë më të shpejtë të Kosovës nga miqtë tanë”.  Atëherë, me rastin e 16 vjetorit të themelimit të LDK-së, Rugova priti kryetarët e degëve të partisë në Kosovë dhe diasporë në Rezidencën në lagjen Velania të Prishtinës, në 23 Dhjetor 2005, më pak se një muaj para se të kaloi në amshim në 21 Janar 2006.

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës pas Ibrahim Rugovës kryetar u zgjodh Fatmir Sejdiu e pastaj Isa Mustafa dhe tash Lumir Abdixhiku është kryetari i katërt i partisë.

Filed Under: Politike Tagged With: kryetar i lDK, Lumir Abdixhiku

Mimoza Ferraj: Ja roli i Ramiz Alisë dhe Sali Berishës, në ndryshimet demokratike

March 13, 2021 by dgreca

Mimoza Ferraj, një nga protagonistet kryesore të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, rrëfen rolin e Ramiz Alisë dhe Sali Berishës, në procesin e ndryshimeve demokratike. 

Ferraj, në një rrëfim për gazetën “Dielli”, New York, shprehet se Alia u gjend në presionin e brendshëm nga studentët për të lëshuar pushtetin, por zbatoi projektin e Lindjes për të mbetur sërish në pushtet komunistët, ndërsa për Sali Berishën thotë se kishte një rol ekuilibrues. Mimoza Ferraj deklaron se Lëvizja e Dhjetorit nuk i ka arritur qëllimet e saj, pasi pjesë e politikës së sotme janë njerëz të korruptuar dhe ish anëtarë të Byrosë Politike. 

Intervistoi: Eneida Jaçaj

-Si e vlerësoni rolin e Diasporës Shqiptare në çështjet e komunitetit shqiptar, brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë? 

Shqiptarët e Diasporës, solidaritetin e nisën me kontributin që dhanë para dhe pas rënies së komunizmit në Shqipëri. Në kohën e komunizmit, Zëri i Amerikës ka qenë si një fanar i demokracisë në tunelin e errët të komunizmit, ka qenë mbështetja më e fuqishme pas rënies së komunizmit në Shqipëri, dhe jo vetëm në Shqipëri, të mos harrojmë; gjithashtu, të gjitha ndihmat dhe organizimet ushtarake dhe monetare që u bënë në luftën e Kosovës. Fryma kombëtare i kalonte oqeanet dhe kufijtë evropiane! Mos harroni se Diaspora ka mbajtur me bukë të gjithë familjet e tyre në Shqipëri, për të kaluar tranzicionin ekonomik, nga komunizmi, në tranzicionin demokratik. Diaspora Shqiptare ka qenë dhe është në krye të zhvillimeve dinamike, në krye të proceseve e gatshme në çdo kohë për të ndihmuar vëllezërit dhe motrat në nevojë. Diaspora Shqiptare mbajti barën e financimit më shumë se dy dekada jo vetëm në luftë, por edhe në paqe; Diaspora Shqiptare ka qenë dhe do të mbetet solidare aktive dinamike dhe plot veprimtari. Atë që dua të nxjerr në pah është se Diaspora ndeshi në luftë grupin e lëvizjes marksiste-leniniste, ata ishin kundër përpjekjeve mes strukturave dhe kërkesave të tyre që kishin, dhe nga shërbimi kërkonin të minonin frymën kombëtare dhe solidaritetin e Diasporës. 

-Ju jeni një nga përfaqësueset e Lëvizjes Studentore, qëllimi i së cilës ishte vendosja e sistemit demokratik në vend me sloganin “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Si e shihni ju Shqipërinë sot pas 30 vitesh?  

Problemi kryesor është pastrimi i politikës nga krimi dhe drejtësia! Duhet të fillojë me pastrimin e Parlamentit dhe të partive, të cilat nuk përfaqësohen nga politikanë, por nga biznesmenë, të cilët janë në bashkëpunim me bandat kriminale, dhe janë aty për interesat e tyre private. Këta janë më të rrezikshëm se vetë sistemi komunist që e mbajti popullin në skllavëri për 50 vjet; këtu nuk ke të bësh më me frymë komuniste, ke të bësh me frymë kriminale. Në Parlament janë të gjithë ushtarët e Byrosë Politike. Ramizi ka vdekur dhe ka lënë të tjerët pas. Tranzicioni duhet të marrë fund! Të gjithë aktorët e Ramizit duhet të largohen. Pasurinë që kanë bërë, është pasuria e shtetit! Ka vdekur shpirti te populli…populli është i lodhur me të njëjtat figura kriminale dhe pret që drejtësia të veprojë mbi këta kriminelë dhe të dalin njerëz të pastër me parti të reja, dhe të fillojë jeta normale për popullin shqiptar. 

-Si arriti të formohej Lëvizja Studentore, dhe si u bëtë ju pjesë e saj?

Lëvizja Studentore i ka fillimet e veta që në  nëntor të vitit 1990. Isha unë e para në 17 nëntor 1990, ku debatova me ministrin e Transportit të dërguar nga Z.Ramiz Alia, duke i shprehur zhgënjimin tim nga politika e PPSH-së, si dhe isha e para që i shpreha Ramiz Alisë në takim kthesën për krijimin e një partie studentore. Liria nuk kërkohet, fitohet! Iu futa rrugës së kërkimit të demokracisë, së bashku me të gjithë bashkëmoshatarët e mi për një demokraci të pastër e të sinqertë. Po kështu nuk llogarita as pasojat që do më vinin nga familja ime, të cilat ishin normale për kohën dhe mentalitetin e krijuar në vite. 

-Si e shihni rolin e Ramiz Alisë në ndryshimin e sistemit? Ishte Lëvizja e Dhjetorit që detyroi Ramiz Alinë të lëshonte pushtetin, apo ishte një manovër për të bindur studentët se sollën ndryshimin, por që në fakt në pushtet mbetën sërish komunistët? 

Ramiz Alia kishte si synim përçarjen e grupit të studentëve, me qëllim realizimin e synimeve të veta. Nuk ka shumë rëndësi përmbajtja, por ideja e saj e cila ishte që ne të përçaheshim. Ramiz Alia është përgjegjës për veprimet e H.Isait. Dhuna fillimisht ishte e pranishme dhe me intensitet të lartë, madje deri në eleminimin fizik. Prova e parë jam unë kur jam goditur fizikisht kur bëra polemikë në këtë takim me Ramiz Alinë, por pavaresisht gjithçkaje, çdo përpjekje e imja dhe e gjithë studentëve që më shoqëronin u vlerësua në fund me përmbysjen e sistemit komunist, duke i lënë vendin demokracisë. Trysnia e brendshme dhe sidomos ajo e jashtme, e detyruan Ramiz Alinë që të zbatonte projektin e vendeve të Lindjes komuniste, i cili, pavarësisht se është i njëjtë për t’u zbatuar, ndryshon në bazë të kushteve dhe rrethanave të vendeve. Ramizit i duhej të krijonte një rrëmujë, të krijonte parti të ndryshme, dhe njerëzit që do të përbënin partitë, do të ishin njerëz të vënë nga ai. Kështu, Ramiz Alia e filloi me shkollën e Mjekësisë. Me anë të sigurimsave, ai ngriti studentët në demonstratë. Ramiz Alisë nuk i interesonte ardhja e pluralizmit, por synimi i tij ishte që të shfrytëzonte demostratat e studentëve dhe më pas të zbatonte Katovicën. Por Sabit Brokaj, i cili nuk ishte i informuar për planin e Ramiz Alisë, si komunist dhe si administrator i shkollës që ishte, i shtypi demonstratat. Më pas i shkon pranë një nga krerët e sigurimit dhe i thotë: “Çfarë na bëre, na prishe punë?”. Urdhri kishte ardhur nga Ramiz Alia që çdo gjë të ishte e programuar. Pasi Sabit Brokaj ia dështoi planin, Ramiz Alia atëherë urdhëroi Pandeli Majkon që të hidhte një fletërrufe. Majko ishte shoku im i Universitetit, djali i sekretares së Universitetit, Janulla Majko. Kur doli fletë-rrufeja, Majko, Ilir Meta, Arben Imami, Edmond Budina, Skënder Gjinushi, Blendi Gonxhja zhvilluan një takim me Ramiz Alinë. Ramiz Alia pasi dështoi me Fakultetin e Mjekësisë, vijoi me të tjera universitete. Në takimin me 200 studentë erdhi ministri i Transportit. Brenda studentëve ishin edhe atë studentë që Ramizi i kishte zgjedhur. Pandeli Majko ishte i zgjedhuri i Ramizit.

-Cili ka qenë roli i Sali Berishës në procesin e ndryshimeve demokratike?

Një përfshirje aktive, pasi ishte ndër intelektualët që ne si studentë donim që të na mbronte interesat tona. Ai mori përsipër mjekimin e studentëve të plagosur dhe lirimin e të gjithë studentëve të ndaluar apo arrestuar nga policia. Roli i tij ka qenë ekuilibrist, mediator dhe tolerant, në “peshoren” midis policisë dhe shtetit.

-Si u krijua PD dhe a u instalua vërtet sistemi demokratik në vend? 

 Kjo gjë ndodhi pasi erdhëm në qytetin Studenti, ku gjërat dihen. Pastaj unë, Azem Hajdari, Arben Imami, Aleksandër Meksi, Gramoz Pashko, Edmond Budina u mblodhëm në shtëpinë e Gramoz Pashkos dhe filluam të formulonim deklaratën e partisë që duhet të çohej në Ministrinë e Drejtësisë, të njihej zyrtarisht. Ai ishte programi minimal i PD-së, që u caktua të lexohej tërësisht në mitingun e shpalljes së partisë. 

-Një mesazh për politiken shqiptare sot…

Personat që përfaqësojnë Parlamentin Shqiptar, vetëm politikanë nuk janë, por ata janë biznesmenë për të cilët e kanë arritur këtë status, duke vjedhur popullin shqiptar, pasurinë kombëtare dhe duke pasur si mbështetje bandat kriminale, duke e shndërruar vendin tonë në një “Kolumbi të dyte”, por ju siguroj ashtu si El Chapo që fati u vendos në Brooklyn të US, ashtu dhe fati i tyre do jete i njëjtë. Drejtësia vonon, por nuk harron!

Filed Under: Politike Tagged With: i dr. Sali berishes, Mimoza Jaçaj, processes demokratike, Roli i Ramiz Alise

VIRUSI, VAKSINAT, ZGJEDHJET: ÇFARË PO NDODH NË GJERMANI?

March 13, 2021 by dgreca

Nga WOLFGANG MÜNCHAU – Përktheu Eugjen Merlika/Era ka ndryshuar. Gabimet rendore të kryera nga qeveria gjermane në mbarështimin e pandemisë kanë çmontuar siguritë e hershme mbi efektshmërinë dhe sipëraninë e Gjermanisë. Gjatë një debati televiziv javën e shkuar me një grup analistësh, u fol për dështim të shtetit, pasojë e kushteve çrregulluese në të cilët kanë rënë drejtuesit e Vendit, qeveria dhe parlamenti.

            Angela Merkel, e pajisur me forcën e formimit të saj shkencor, është më shumë e prirur të dëgjojë mendimin e ekspertëve, e ndoshta kupton më mirë hollësitë e këshillave që i jepen. Por edhe ajo nuk është e paprekur nga paniku, siç ndodh tek të gjithë politikanët kur gjënden nën trysni. Javën që shkoi u detyrua të kthehej mbrapsht. Këshilltarët e saj më të besuar donin që qeveria t’I përmbahej cakut të paracaktuar të 35 infektimeve çdo 100.000 banorë, si parakusht për t’I dhënë fund lockdown-it. Merkeli adaptoi një pozitë kompromisi, duke e ngritur cakun në 100 infektime, aktualisht më shumë se sa mesatarja kombëtare që vërtitet rreth 60. Kjo do t’u lejojë disa guvernatorëve të heqin shtrëngesat, nëse do t’a quajnë me vend, megjithë vonesat në vaksinimet. Në këtë fund jave vetëm gjashtë përqind e gjermanëve janë vaksinuar, kundrejt 40 përqind të anglezëve.

            Nuk habit fakti që në Mbretërinë e Bashkuar simpatitë politike janë zhvendosur vendosmërisht në drejtimin e kundërt. Hulumtimi i fundit YouGov i jep 13 pikë më shumë konservatorëve mbi laburistët. Në fund të janarit – jo shumë kohë më parë –  e majta ishte 4 pikë përpara. Edhe këtu fatet janë ndryshuar. Por ndoshta mund të jenë të përmbysura. Këto zhvendosje masive politike duhet të na shtyjnë në përsiatje. Anglezët kanë vendosur se qeveria e tyre është duke bërë një punë të mirë, e ndërmjet tyre ka edhe shumë që kanë votuar kundër Brexit-it. Gjermanët kanë vendosur se qeveria e tyre ka gabuar gjithshka në fushatën e vaksinave. Ndërmjet tyre ka edhe shumë mbështetës të CDU-së. Vaksinat do të jenë të gatëshme, me pak durim. Pritet që nga prilli e tutje vaksinat do të shtohen në të gjithë Bashkimin Evropian. Nëse gjithshka shkon mirë, nga fundi i verës mund të arrihet një imunitet i parë e i pjesëshëm i tufës. Madje edhe në Mbretërinë e Bashkuar, me shërbimin e saj shëndetësor kombëtar, janë dashur tre muaj deri sa ingranazhet të fillonin të punonin me regjim të plotë. Të vaksinohet një popullsi e tërë përfaqëson një sipërmarrje prapavije me të vërtetë titanike, sidomos n’ata Vende, si Gjermania që kanë një sistem shëndetësor të shqëndralizuar.

            Sondazhet gjermanë kanë filluar të regjistrojnë kritikat e para për mbarështimin e krizës që nga nëntori i shkuar. Në janar, kur qëndrimi filloi të ndryshojë hulumtimet për zgjedhjet politike jepnin  një shumicë të pastër CDU/CSU-së. Ata numura sot janë në rënie. Këtë të djelë janë zhvilluar dy votime  të rëndësishme vendore në Baden – Würtenberg   dhe në Renania – Palatinato. Hulumtime e fundit zbulojnë një rënie të miratimeve për CDU-në. Nëse mbahen të qëndrueshme, këto shifra do të jenë zhgënjyese, por jo katastrofike. Nuk është ende shumë e qartë se çfarë efekti mund të kenë mbi Armin Laschet, udhëheqësi i ri i CDU-së dhe dëshirës së tij për t’u bërë kandidati i partisë së tij për kolltukun e kançelarit. Nëse përfundimet zgjedhore të kësaj fund jave nuk do të jenë në dobi të CDU-së, fati mund t’i buzëqeshë Marcus Söder-it, kryeministrit bavarez e kryetar i CSU-së, duke i siguruar trashëgiminë e Angela Merkel-it. Kush e di se shortet e CDU-së do të përmbysen përsëri sapo programi i vaksinave të marrë revanin e tij? A do të jenë të gatshëm votuesit të falin gabimet e qeverisë apo do të mbeten të bindur se gjëndja e saj është tashmë e dështuar? Kur programet e vaksinave do të kenë arritur masën kritike, qytetarët  do të qetësohen nga fundi i krizës e mund të jenë të tunduar të harrojnë të shkuarën. Megjithatë në këtë pikë do të mund të mateshin gabimet e qeverisë mbi baza statistike, duke numëruar të vdekurit. Prandaj edhe se don t’i kthejë kurrizin një viti dramatik, nuk është e qartë plotësisht nëse gjindja dëshëron të zgjedhë të njëjtët politikanë. Simbas mendimit tim, kriza pandemike do të ketë rrjedhime të gjata edhe në fushën politike.

            Analistët politikë gjermanë kanë shpikur një term të dobishëm, edhe se të vagët, Wechselstimmung, për të treguar ndiesinë e përgjithëshme që përhapet në një Vend mbi veprën e keqe të qeverisë së tij, të binjakëzuar me shpresën që një qeveri e re do të sjellë ndryshime ndjellamira. Për herë të parë nga zgjedhja e Angela Merkel në  2005, kam përshtypjen se kjo gjëndje shpirtërore po vërshon sot në Gjermani. Gjatë zgjedhjeve të vitit 2017 e djathta kishte mbetur mjaft e zhgënjyer nga politika e saj për refugjatët, por qendra e kishte mbështetur. Sot qendra dhe e djathta janë të dyja të pakënaqura, dhe e majta as nuk e çon nëpër mënd që të formojë një koalicion me të.

            Është e çuditëshme të gjindemi sot në muajin e tretë të 2021, e duke kthyer shikimin mbrapa, të kujtojmë kohët e bukura të shkuara, kur kançelarja gjermane ishte universalisht e admiruar për drejtimin e saj në atdhe e jashtë tij, për numurat e infektimeve e të viktimave të Covid 19 të cilat ishin më t’ulta nga gjithë Vendet e tjera evropiane. Kjo ndoshta vlen të na kujtojë që Gjermania nuk është aq e ndryshme: është vetëm që shmangia nga përceptimi i vetvetes dhe i së vërtetës është pak i tepruar. E që të jetë një paralajmërim se sa rrënuese mund të jetë ndeshja me ngjarje të paparishikueshme.

            “Corriere della Sera”, 9 mars 2021       Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlika, Wolegang Munchau

30-VJET NGA ZGJEDHJET E PARA “PLURALISTE” NË SHQIPËRI…

March 11, 2021 by dgreca

-DHE RIVENDOSJES SË MARRËDHËNIEVE DIPLOMATIKE SHQIPTARO-AMERIKANE/

Nga Frank Shkreli/

Zgjedhjet e para “pluraliste” të 31 marsit 1991 dhe rivendosja e lidhjeve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara atë muaj, me syrin e një shqiptaro-amerikani pjesëmarrës në ato ngjarje – ishin historike por edhe zhgënjyese, njëkohësisht, për Shqipërinë. 

Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria rivendosën marrëdhënjet diplomatike më 15 Mars 1991, kur Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Muhamet Kapllani dhe ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Raymond Seitz nënshkruan atë ditë, 30-vjet më parë, në Departmentin e Shtetit në Washington, pas pothuaj gjysëm shekulli ndërprerjeje, “Memorandumin e Mirëkuptimit”, në prani të dhjetëra shqiptaro-amerikanëve dhe zyrtarëve të ndryshëm, nga të dy vendet.

Në vitin 1945 Shtetet e Bashkuara kishin kushtëzuar rivendosjen e marrëdhënjeve diplomatike me Shqipërinë — ndër të tjera kushte — me mbajtjen e zgjedhjeve të lira, duke dërguar atë vit një mision në Tiranë për të biseduar mbi këtë çështje me autoritetet shqiptare.  Por, sipas Departmentit të Shtetit, si përgjigje ndaj kësaj kërkese, qeveria komuniste e Enver Hoxhës i kërkoi misionit amerikan që të largohej nga Shqipëria.  Ashtu edhe ndodhi. Diplomatët amerikanë u dëbuan ga Shqipëria komuniste, për të mos u këthyer në Tiranë deri në mars të vitit 1991. Për Shtetet e Bashkuara, zgjedhjet e lira dhe demokratike ishin aq të rëndësishme në vitin 1991, ashtu siç kishin qenë në vitin 1945 dhe ashtu siç janë edhe sot, 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit dhe komunizmit zyrtar në Shqipëri – gjithnjë bëhet thirrje për zgjedhje të lira dhe demokratike.  Ndryshimi është se sivjet, bëhet thirrje edhe për “lista të pastra”.

Pothuaj e njëjta procedurë si në vitin 1945 qe ndjekur nga Amerika edhe 30-vjet më parë në Mars/Prill 1991, kur menjëherë pas nënshkrimit të memorandumit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Washingtonit dhe Tiranës më 15 Mars, Departmenti Amerikan i Shtetit vendosi që të dërgonte sa më shpejtë një delegacion diplomatik në Shqipëri për hedhur hapat e para për hapjen e  ambasadës së re dhe njëkohësisht për të shërbyer si monitorues në zgjedhjet e para “pluraliste”, ndonëse delegacioni amerikan konstatoi shpejt se ato zgjedhje nuk do të ishin as të lira dhe as të ndershme — që ishin caktuar të mbaheshin në Shqipëri më 31 Mars, 1991.  Delegacioni amerikan i përbërë nga katër veta dhe i kryesuar nga ambasadori David Swartz, arrijti në Tiranë, një javë pas nënshkrimit të Memorandumit në Washington dhe në javë para mabjtjes së zgjedhjeve të para “pluraliste” në Shqipëri. duke u bërë kështu misioni i parë diplomatik amerikan që shkelte në tokn e Shqipërisë ç’prej vitit 1946.  Monitorimi i zgjedhjeve të para “pluraliste” ishte një prej objektivave kryesore të delegacionit amerikan gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri. 

Ndonëse në raste të mëparshme kam shkruar mbi vizitën e misionit të parë amerikan në Tiranë 30-vjet më parë si dhe për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane që kanë vazhduar të shkojnë përpara ç’prej asaj date, kësaj rradhe — pasi jemi në prak të një raundi tjetër zgjedhjesh në Shqipëri — deshta të kujtoj atmosferën e zgjedhjeve të para “pluraliste” në atë vend, nga pikëpamja e një monitoruesi të atyre zgjedhjeve — si anëtar i delegacionit të parë amerikan në Shqipëri. Megjithëse gjendja politike kishte filluar të ndryshonte, të pakën me fjalë, në një vend si Shqipëria që ishte sunduar nga thundra e hekurt e një prej regjimeve më barbare të botës komuniste — zgjedhjet e 31 Marsit, 1991 ishin hapi i parë drejt një liberalizimi të ngadalshëm drejt hapjes së Shqipërisë ndaj botës perëndimore dhe një procesi të gjatë tranzicioni të pa fund për demokratizimin e jetës post-komuniste në vend, pas një izolimi të vet-imponuar nga ish-regjimi komunist për pothuaj 50-vjet.

Unë e kam thënë shpesh se ky tranzicion i tejzgjatur post komunist në Shqipëri i ka rrënjët gjithnjë në ato zgjedhjet e para – as të lira dhe as të drejta — si dhe në manipulimet e zgjedhjeve të mëvonshme, por edhe në mungesën e një vullneti të sinqertë të klasës politike të këtyre 30-viteve për tu përballur me të kaluarën komuniste dhe trashëgiminë e saj, përfshir mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, bazuar në standardet ndërkombëtare.  E them këtë se procesi i zgjedhjeve të para pluraliste në Shqipëri, nuk ishte as i lirë dhe as i ndërshëm. Ligjet dhe rregullat për zgjedhjet e para “pluraliste” ishin përpiluar nga partia në fuqi, dmth. Partia e Punës — dhe natyrisht ishin në favor të saj, duke u mohuar partive të tjera të posa formuara, të drejtën dhe mundësitë e barabarta për të zhvilluar një fushatë efektive.

Në zgjedhjet e para “pluraliste”, Partia e Punës gëzonte një monopol absolut mbi të gjitha aspektet e jetës politike, ushtarako-policore, ekonomike dhe shoqërore në vend, sidomos kontrollonte mjetet e komunikimit dhe median, jetike këto për zhvillimin e një fushate politike efektive. Ndërkohë që partitë e opozitës ankoheshin se nuk kishin kohë të majftueshme për tu përgatitur për zgjedhjet, pasi nuk kishin as përvojën as burimet e nevojshme për tu përballur me Partinë e Punës që i kishte rrënjët thellë në shoqërinë shqiptare.  Në të vërtëtë, nga vizitat që bënim tek zyrat e Partisë Demokratike dhe tek ajo e Partisë Republikane gjatë qëndrimit tonë atje – e që ishin dy partitë kryesore të opozitës — në Tiranë si edhe në zyrat e tyre në disa rrethe, shihej konfuzioni i tyre dhe zhgënjimi për të mos thënë se mbizotëronte një kaos i vërtetë në radhët e tyre.  Megjithë entuziazmin, kjo atmosferë pasigurie dhe ngathjeje nga ana e tyre vihej re kudo. Ishte e thekësuar mungesa e mundësisë dhe të drejtës së partive opozitare për të përdorur median publike – televizionin dhe gazetat – që kontrolloheshin fund e krye nga Partia e  Punës.  Në të vërtetë, më kujtohet se megjithë rëndësinë historike të vizitës së delegacionit amerikan dhe rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Washingtonin, arritja e delegacionit amerikan në Tiranë pothuaj u injoruar fare nga media zyrtare.  Mesa kishim mundësi të ndjeknim burimet e lajmeve në atë kohë në Tiranë, “Rilindja Demokratike”, gazeta e Partisë Demokratike të Shqipërisë, e posa formuar në atë kohë, ka qenë e vetmja gazetë me rëndësi – megjithëse edhe kjo jo me aq entuziazëm — pat njoftuar arritjen dhe vizitën e përfaqsuesve të parë amerikanë në Shqipëri, në pothuaj një gjysëm shekulli. Shtypi zyrtar i regjimit komunist, me sa ishim të informuar, nuk pasqyroi madje as takimin që patëm me Xhelil Gjonin, në vazhdën e takimeve me përfaqsuesit e partive kryesore.

Listat e kandidatëve për rrethe të ndryshme të partive të opozitës, në shumë raste, nuk ishin të plota dhe në shumë zona të vendit, partitë e opozitës nuk kishin zgjedhur as kandidatë sepse koha për tu përgatitur për zgjedhjet ishte aq e shkurtër.  Në të vërtetë, Partia e Punës kishte vendosur që – për të minimizuar rolin e partive të tjera, zgjedhjet të mbaheshin në fillim të shkurtit, ashtuqë opozita të kishte edhe më pak kohë për tu përgatitur, por më në fund kishte vendosur që – si një gjest “vullneti të mirë” ndaj opozitës, zgjedhjet të shtyheshin deri me 31 Mars. Megjithkëtë, ishte një atmosferë tejet e pafavorshme për kandidatët e partive politike të posa formuara, në krahasim me ata të Partisë së Punës, e cila manipulonte burimet dhe mjetet shtetërore në favor të kandidatëve të saj dhe kishte rrenjë të thella në mbarë shoqërinë shqiptare.

Në zyrat e partive të opozitës vihej re një mungesë dëshpëruese e mjeteve bazë për funksionimin e një zyre të thjeshtë, lere më të një qendre ose të kishin një zyrë qendrore funksionale për drejtimin e zgjedhjeve kombëtare dhe për shpërndarjen e programit dhe mesazheve të opozitës elektoratit shqiptar.  Megjithëse votimet u cilësuan nga disa monitorues të huaj, sidomos europianët, në përgjithësi, si të drejta dhe të lira, delegacionet monitoruese amerikane refuzuan t’i cilësonin ato si të tilla. Një prej tyre, Instituti Kombëtar Republikan ka thënë në raportin e tij se, “fushata e zgjedhjeve në Shqipëri nuk mund të karakterizohej si e “drejtë dhe e lirë.”

Edhe Departmenti Amerikan i Shtetit (DASH), nepërmjet zëdhënses Margareth Tutwiler, bëri një deklaratë me 3 Prill, 1991, duke informuar median amerikane se, “Bazuar në raportet e monitoruesve amerikanë dhe ndërkombëtarë, duket se procesi elektoral kishte mangësi serioze në disa fusha me rëndësi të standardeve të OSBE-së, për zgjedhje të drejta dhe të lira.”  Zëdhënsja e Departmentit Amerikan të Shtetit, ka thenë duke iu referuar Shqipërisë si një vend pa përvojë demokratike, se, “tani është në dorë të të gjithë elementëve të shoqërisë shqiptare për të mbështetur që sistemi i ri pluralist të funksionojë në mënyrë efektive”.  Zëdhënsja e DASH, me atë rast, kishte shprehur angazhimin e Shteteve të Bashkuara se Washingtoni, “Do të mbështesë vendosmërisht parimet e demokracisë në Shqipëri, si edhe ata që veprojnë për të ndërtuar demokracinë dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut”, deklaroi para 30- viteve, ish-zëdhënsja e Departmentit Amerikan të Shtetit, pas zgjedhjeve të para “pluraliste”, në Shqipëri.

Manipulimet e zgjedhjeve, që përfunduan në fitoren e Partisë së Punës, shkaktuan shpërthimin e revoltave në disa qytete, përfshirë Shkodrën ku për fat të keq të Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë, pas zgjedhjeve “pluraliste”, në qytetin verior, me 2 Prill u vranë Arben Broci, Besnik Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.  Kjo tragjedi ka lenë një plagë të rëndë për familjet e tyre, për Shkodrën dhe 30-vjet më vonë mbetet një prej ngjarjeve më makabër të historisë moderne shqiptare, e cila pret gjithnjë zbardhje dhe drejtësi, përfshir identifikimin e individëve në radhët e enteve të drejtësisë, të policisë dhe Sigurimit të Shtetit të asaj kohe. 

Fatkeqësisht, edhe sot pas 30 vjetësh të këtyre vrasjeve, ashtu siç ka ndodhur me shumë vrasje e tragjedi të tjera në historinë komuniste të vendit, nuk janë identifikuar përgjegjësit as nuk është vendosur drejtësia për këto krime shtetërore.  Nuk është zhvilluar asnjë proces drejtësie për ata që ishin, drejt për drejt, përgjegjës, ose për ata që dhanë urdhër për të shtënë me armë zjarri kundër njerzve të pafajshëm dhe të pa armatosur. Thuhet se këto të shtëna kundër protestuesve paqësorë — sipas dëshmitarve vendas — kishin ardhur nga ndërtesa e ish-Komitetit të Partisë së Punës në Shkodër.  Jehona e tyre kumbon edhe sot për drejtësi dhe përgjegjësi në koridoret e institucioneve qeveritare e shtetërore të Shqipërisë, 30-vjet vjetë pas zgjedhjeve “pluraliste” duke pritur nga reforma e re në drejtësi për një hetim serioz për identifikimin e fajtorëve. 

Më kujtohen mirë — megjithë problemet me zgjedhjet e para “pluraliste” — shpresat e mëdha që kolegët e mi dhe unë kishim ato ditë për një fillim të ri historik, për një shoqëri më të drejtë, më të lirtë e demokratike dhe më tolerante në Shqipërinë post-komuniste.  Por vrasjet në Shkodër me 2 prill, 1991 u interpretuan në atë kohë, nga ne dhe nga delegacionet e tjera ndërkombëtare në Tiranë, si një shënjë ogurzezë për të ardhmen e demokracisë shqiptare.  Mos zbardhja e këtyre vrasjeve deri më sot justifikon dyshimet tona sot e asaj dite – madje 30 vjet më vonë – dhe në prak të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021.  Shqipëria, shqiptarët dhe kombi në përgjithësi meritojnë më shumë dhe më mirë se kaq: shqiptarët duan një qeveri të përgjegjëshme dhe një parliament të denjë për shqiptarët e shumë vuajtur!

*Autori ka qenë anëtar i delegacionit të parë të Departamentit Amerikan të Shtetit në Shqipëri dhe monitorues i zgjedhjeve të para pluraliste në atë vend në Mars/Prill 1991.

Rilindja Demokratike, gazeta e Partisë Demokratike të Shqipërisë, e posa formuar në atë kohë, ka qenë e vetmja gazetë me rëndësi – megjithëse edhe kjo jo me aq shumë entuziazëm – e cila pat njoftuar arritjen dhe vizitën e përfaqusesve të parë amerikanë në Shqipëri, në pothuaj një gjysëm shekulli.

  Me koleget e mia nga Departmenti i Shtetit në Tiranë, Mars/Prill, 1991 – foto botuar sot në gazetën Telegraf në Tiranë

Filed Under: Featured, Politike Tagged With: 30 vjet, Frank shkreli, Zgjedhjet e para

KRISHTËRIMI NË SHKODËR E RRETHINA GJATË MESJETËS

March 10, 2021 by dgreca

Prof. Asoc. Dr. Edmond Malaj nga Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, sjell para lexuesit librin e tij më të ri “Hulumtime mbi historinë e Krishtërimit në Shkodër e rrethina gjatë Mesjetës” ku lexuesi gjen të dhëna që nga periudhat më të hershme e Krishtërimit në Iliri, që nga antikiteti dhe mesjeta e hershme e deri në shekujt e parë të Perandorisë Osmane. Në një rrëfim për “Dielli”-n e “Vatrës” New York, dhënë gazetarit Sokol Paja, Prof. Asoc. Dr. Edmond Malaj shprehet se libri hedh dritë mbi Krishtërimin gjatë antikitetit, duke u kufizuar kryesisht në përhapjen e këtij religjioni nga vetë figurat kryesore të tij, si Pali, Titi, Cezari, etj.

MBI HISTORINË E KRISHTËRIMIT DHE TË KISHËS NË ARBËRINË VERIORE

Në këtë vëllim janë mbledhur së bashku një numër i përzgjedhur artikujsh të botuar në një rrjedhë kohore prej dhjetë vitesh nga hulumtimet të mia mbi historinë mesjetare të trojeve shqiptare. Materiali i këtij vëllimi hedh dritë kryesisht mbi historinë e Krishtërimit dhe të Kishës në Arbërinë veriore, duke u përqëndruar kryesisht në krahinën e Shkodrës. Në këtë liber lexuesi gjen të dhëna që nga periudhat më të hershme e Krishtërimit në Iliri, që nga antikiteti dhe mesjeta e hershme e deri në shekujt e parë të Perandorisë Osmane. Në kapitullin e parë me titull “Të dhëna mbi Krishtërimin në trojet iliro-shqiptare para dhe pas Ediktit të Milanos (Viti 313)” hidhet dritë mbi Krishtërimin gjatë antikitetit, duke u kufizuar kryesisht në përhapjen e këtij religjioni nga vetë figurat kryesore të tij, si Pali, Titi, Cezari, etj, dhe në martirizimin deri para Ediktit të Milanos, dhe tolerancën fetare që të krishterët përfituan nga Edikti i Milanos (viti 313), si dhe në disa ndryshime pozitive që pati Krishtërimi pas këtij Edikti, duke pasur parasysh këtu në lidhje me të edhe zhvillimet në Iliri.

MONUMENTE KISHTARE BRENDA SHKODRËS MESJETARE

Kapitulli i dytë me titull “Në gjurmë të monumenteve kishtare brenda Shkodrës mesjetare” ka si objekt hulumtimi të gjitha kishat që kanë ekzistuar në Mesjetë brenda qytetit të Shkodrës dhe në rrethinat e saj më të afërta, apo në lagjet që ishin jo shumë larg nga muret e Shkodrës mesjetare, pra këtu bëhet fjalë për kishat, qoftë brenda kështjellës, qoftë jashtë saj. Aty kemi paraqitur të gjitha të dhënat e mundëshme në lidhje me këto kisha dhe duke u bazuar në dokumente dhe në literaturë shkencore historike, jemi munduar të gjurmojmë edhe ato kisha që kanë mbetur akoma anonime, por që të dhënat e deritanishme flasin mjaftueshëm për ekzistencën e tyre edhe pse ato nuk mund të identifikohen saktësisht me emër. Përsa i përket monumenteve, një hapësirë e veçantë i kushtohet edhe kishave të shumta të Drishtit mesjetar, i cili cilësohet nga studiuesit edhe si “fidanishte e klerit katolik shqiptar”. Hulumtimet rreth ketyre kishave, të cilat tashmë nuk ekzistojnë më, por që kanë mbetur të gjurmueshme nëpër dokumente të shumta, janë objekt një kapitulli më vete të këtij vëllimi.

URDHRA KISHTARE NË SHKODËR E RRETHINA GJATË MESJETËS

Një vend të caktuar në këtë vëllim zë edhe hulumtimi rreth urdhrave të ndryshme kishtare që kanë ekzistuar në Shkodër e rrethina që nga Mesjeta e hershme e deri në fillimet e periudhës osmane. Këto urdhra janë objekt hulumtimi i kapitullit me titull “Urdhra kishtare në Shkodër e rrethina gjatë Mesjetës”. Fjala është këtu për Benediktinët, Françeskanët, Domenikanët, Augustinianët, dhe Presbiterat. Përveç këtyre të dhënave hyrëse që ka ky  kapitull për të gjitha këto urdhra, një vëmëndje të veçantë i kemi kushtuar Françeskanëve, sepse nga të gjitha urdhrat dhe kongregacionet kishtare të Mesjetës, ai është i vetmi që ekziston akoma edhe sot dhe që ka një vijueshmëri historike të pashkëputur që nga shekulli XIII e deri në ditët e sotme. Me historinë e këtij urdhri merremi specifikisht edhe në kapitullin me titull “Françeskanët në Shkodër e  rrethina gjatë Mesjetës dhe shekujve të  parë të pushtimit osman”.

IPESHKVITË E QYTETEVE TË DRISHTIT, DEJËS, BALECIT, SARDËS DHE KRAJËS

Një objekt i rëndësishëm hulumtimi në këtë vëllim janë Ipeshkvitë e shumta rreth Shkodrës, të cilat u përkisnin qyteteve që ndodheshin fare pranë saj, si për shembull Ipeshkvitë e qyteteve të Drishtit, Dejës, Balecit, Sardës, Krajës. Krahas rendit të Ipeshkvijve të këtyre dioqezave tashmë të zhdukura, por që në mesjetë ishin fort të gjalla dhe kishin rëndësinë e tyre, ka edhe të dhëna të shumta dhe të detajuara në lidhje me monumentet lashta të këtyre dioqezave. Të dhëna mbi këto Ipeshkvi dhe Dioqeza të vjetra i kemi nxjerrë qoftë nga punime të rëndësishme shkencore, qoftë nga dokumente mesjetare të cilat zënë një vend të rëndësishem në punim. Perveç kësaj në lidhje me Ipeshkevinë e Drishtit, në kapitullin e gjashtë merren në shqyrtim edhe kanonikët e Katedrales së Drishtit, të cilët na kanë lënë një dokument me vlerë dhe unikal përsa i përket dokumenteve historike kishtare në trojet shqiptare. Ky dokument janë Statutet e Kapitullit të Katedrales së Drishtit. Pikërisht këto Statute na ndihmojnë që të kuptojmë shumë mirë organizimin, detyrimet, përfitimet, etj që ka pasur ky komunitet kanonikësh. Këto statute na ndihmojnë që të kuptojmë sadopak edhe jetën brenda  bashkësive të tjera të kapitujve të katedraleve shqiptare që duhet të kenë qënë shumë e ngjashme me kapitullin e Katedrales së Drishtit. Këto statute janë i vetmi dokument i tillë që posedojmë deri tani për kapitujt e katedraleve të Krishtërimit katolik në trojet shqipfolëse.

NGA SHËN MAURICI TE SHËN GJON VLADIMIRI

Në punim hasen të dhëna edhe për kulte të ndryshme si  p.sh. për kultin e Shën Mauricit,  apo për kultin i Shën Gjon Vladimirit, të cilit i kemi kushtuar një hapësirë të veçantë. Për këtë princ serb të Mesjetës, i cili u kthye në shenjtor dhe që nderohet sot edhe nga të krishterët katolik madje edhe nga myslimanët shqiptar, bën fjalë kapitulli IX. Një vëmendje të veçantë në këtë punim i kemi kushtuar edhe klerikëve shqiptar me banim  në Raguzë dhe veprimtarisë së tyre atje. Në këtë veprimtari një vend të rëndësishëm zënë pelegrinazhet, të cilat bëheshin nëpër vende të ndryshme të shenjta të Krishtërimit. Klerikët verior i hasim si pelegrinë që nga Jeruzalemi dhe Toka e Shenjtë (Izraeli) e deri në Shën Jakob të Kompostelas në Galicie. Për praninë e tyre në Raguzë dhe për veprimtarinë e lart përmendur bëjnë fjalë kapitujt XIII dh eXIV. Së fundmi në kapitulli në XV bëhet fjalë edhe një herë për Urdhrin Françeskan por kësaj here rezultatet e hulumtimeve janë të dhëna rreth martirizimit të Klerit Katolik në Shqipëri gjatë pushtimit osman, dhe këtu janë Françeskanët ata që zënë vendin e parë në mes të martirëve të Kishës Katolike në Shqipëri kryesisht gjatë shekujve të parë të këtij pushtimi.

LIBRI SI NJË GUIDË MBI HISTORINË MESJETARE

Për këto hulumtime janë shfrytëzuar një gamë shumë e gjerë qoftë dokumentesh, qoftë  punimesh shkencore sidomos të autorëve më të mirë në këtë fushë dhe lista e gjatë e vëllimeve dokumentare dhe të punimeve të përdorura jepet në pjesën që i kushtohet bibliografisë së punimit. Kjo bibliografi ka rëndësinë e vet, sepse synon që t’u shërbejë si një guide të gjithë atyre që duan të merren me historinë mesjetare në përgjithësi dhe me historinë e Kishës gjatë kësaj periudhe në veçanti. Bibliografia është këshilluese sidomos për studentët e historisë dhe të teologjisë së krishterë, të cilët e kanë më se të nevojshme që të konsultohen me një aparat të tillë titujsh mbi historinë e Krishtërimit në trojet shqiptare në Mesjetë. Në fund të vëllimit jepet edhe një regjistër vendesh dhe personalitetesh që e ndihmon lexuesin që të fokusohet tek pika apo çështje të caktuara. “Last but not least” një falenderim shumë të madh kam për Provincën Françeskane Shqiptare, e cila financoi botimin e këtij libri.

Filed Under: Politike Tagged With: Prof. Asoc.Dr. Edmond Malaj, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 308
  • 309
  • 310
  • 311
  • 312
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT