-Lidhja Demoratike e Kosovës është themeluar në 23 Dhjetor 1989 nga Ibrahim Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës i zgjedhur edhe në krye të partisë, dhe nga intelektualë të tjerë shqiptarë kosovarë/
– Në Lidhjen Demokratike të Kosovës pas Ibrahim Rugovës kryetar u zgjodh Fatmir Sejdiu e pastaj Isa Mustafa dhe tash Lumir Abdixhiku është kryetari i katërt i partisë…
PRISHTINË, 14 Mars 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Lidhja Demokratike e Kosovës, partia më e vjetër në demokracinë e pluralizmin Kosovar, e themeluar nga Ibrahim Rugova para afër 32 viteve, u bë sot me kryetar të ri – Lumir Abdixhikun 37 vjeçar, të zgjedhur me shumicë votash në Kuvendin zgjedhor të partisë, ku kandidatë ishin edhe nënkryetari Lufti Haziri dhe zëdhënësi Besian Mustafa, të cilët e uruan ndër të parët dhe të tre së bashku folën para mbi 300 delegatëve. Kuvendi zgjedhor u mbajt pas dorëheqjes së kryetarit të deritashëm Isa Mustafa si gjest moral pasi në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 Shkurtit 2021 Lidhja Demokratike e Kosovës mori vetëm 12,731% të votave – më së paku në gjithë historinë e saj.
Në këtë vit – 23 Dhjetor 2021 shënon 32 vjetorin Lidhja Demoratike e Kosovës, e themeluar në 23 Dhjetor 1989, nga Ibrahim Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës i zgjedhur edhe në krye të partisë, dhe nga intelektualë të tjerë shqiptarë kosovarë.
Më shumë se parti, LDK në fillimet e saj lindi si një lëvizje gjithëpopullore për Liri, Pavarësi e Demokraci, në rrethana të rënda okupimi e të dhunës së egër të Serbisë në Kosovë.
Ishte koha kur po para 32 viteve, në rrethana tragjike terrori, Serbia në Kuvendin e saj në 28 Mars të vitit 1989 miratoi “kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 si element konstituiv me të drejtë vetoje në federatën e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës pastaj dolën 7 shtete të pavarura.
Në demonstratat gjithëpopullore në mbrojtje të Kosovës nga sulmet e Serbisë, vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 Mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Podujevë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.
Që në atë kohë, Rugova dhe LDK hapur përcaktonin pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallnin idenë për shtetin e Kosovës, ndërsa theksonin se, “zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur…”.
Formimi i LDK-së dhe disa partive tjera, e pastaj Deklarata Kushtetuese për Pavarësi e 2 Korrikut e Kushtetuta e Republikës e 7 Shtatorit 1990 dhe Referendumi për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur i zhvilluar nga 26 deri në 30 Shtator 1991 me pjesëmarrje 87,01% e votim pro 99,87%, u pasuan me zgjedhjet e para pluraliste parlamentare e presidenciale, të 24 Majit 1992, në të cilat Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh president i parë i Republikës së shpallur, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.
Para 16 viteve, në ditën e përvjetorit të themelimit të LDK-së, të fundit që Rugova e shënonte, ai ritheksonte se partia që e drejtonte që nga fillimi “objektiv qendror e ka njohjen e pavarësisë më të shpejtë të Kosovës nga miqtë tanë”. Atëherë, me rastin e 16 vjetorit të themelimit të LDK-së, Rugova priti kryetarët e degëve të partisë në Kosovë dhe diasporë në Rezidencën në lagjen Velania të Prishtinës, në 23 Dhjetor 2005, më pak se një muaj para se të kaloi në amshim në 21 Janar 2006.
Në Lidhjen Demokratike të Kosovës pas Ibrahim Rugovës kryetar u zgjodh Fatmir Sejdiu e pastaj Isa Mustafa dhe tash Lumir Abdixhiku është kryetari i katërt i partisë.