• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BURRAT QË NUK DUAN TË HUMBASIN

March 3, 2021 by dgreca

Nga DACIA MARAINI/

E përktheu Eugjen Merlika/

 E kuptoj se sot është e vështirë të flasësh për tjetër, por dua të tërheq vërejtjen e atij që lexon mbi tatëpjetën e rrezikëshme që po merr dhuna kundër grave. Për të gjitha desha të ndaloj mbi rastin Ceccarelli që ka paguar përcjelljen mortore të saj ndërsa ishte shumë mirë, duke kërkuar të gjente një njeri që me pagesë të kujdesej për babain e moshuar dhe djalin e vogël. Pësonte trajtimin e keq të një shoku të dhunshëm. Por përse nuk I ngrinte padi? Mund t’a marrim me mënd se Clara kishte frikë të keqësonte gjëndjen. Shoku, Renato Scapusi, nuk lejonte të braktisej dhe e frikësonte me kërcënime të vazhdueshme. Por veç frikës, me gjasë Clara nuk e padiste duke ditur se gratë nuk besohen. Po nëse ajo gënjen? Nëse bëhet fjalë për maninë e përndjekjes? A mos ndoshta ajo do t’a verë në një dritë të shtrembër?

            Clara është vrarë me tridhjetë goditje të tërbuara me thikë, që i kanë shpuar mëlçinë, zemrën, fytin, mushkërinë. Në fillim burri iku, pastaj u paraqit në polici.”Donte të më linte dhe un nuk e duronja”. I njëjti argument. Thuajse ai argument ligjëronte atë vdekje të llahtarëshme. Por nëse historitë përsëriten gjithmonë të njëjta, a nuk mund të parashikojmë shkatërrimin e të ndihmojmë këto gra më parë se të humbasin jetën? Ndodh kështu: të dy janë dashuruar, madje kanë lindur edhe fëmijë së bashku. Por në një farë çasti ai fillon të bëhet xheloz për pavarësinë e saj e nis keqtrajtimin. Ajo kundërpërgjigjet, ai shton dhunën gojore; ajo kërcënon me ikje; ai fillon me grushta. Ndonjë herë (por jo atëherë kur duhet) ajo e padit. Në këtë rast ai qëndron paksa larg për pak e pastaj rifillon përndjekjen. Pastaj shtiret sikur pendohet, i jep një takim jashtë shtëpije e n’atë rast e vret. Dikush pyet përse, ndërsa në Vend pakësohen vrasjet, shtohen vrasjet e grave çdo vit?

            E kam shkruajtur por po e përsëris: çdo arritjeje të pavarësisë femërore i përgjigjet një humbje e privilegjeve mashkullorë. Ata burra, që janë shumica, e kanë një minimum barazpeshe e urtësie në vetvete, pranojnë ndryshimet edhe se humbasin. Të tjerë, më të dobët e më frikacë, që njëjtësojnë burrërinë me zotërimin, nuk lejojnë autonomi të reja femërore e më parë se të humbasin kontrollin dhe zotërimin mbi gruan, që e quajnë të tijën, parapëlqejnë t’a vrasin.

            “Corriere della Sera”, 1 mara 2021   E përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Politike Tagged With: burrat qe nuk humbasin, Eugjen Merlika

Lajçak: Marrëveshja Kosovë-Serbi mund të arrihet brenda mandatit të qeverisë së re në Prishtinë

March 2, 2021 by dgreca

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, tha të martën se pret që marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, të arrihet brenda mandatit qeverisës të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit.

Ai i bëri këto komente pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër vizitës treditëshe në Prishtinë, në përpjekje për të sigurur rifillimin e bisedimeve menjëherë pas themelimit të institucioneve të reja të Kosovës, pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, në të cilat doli fituese lëvizja Vetëvendosje.

“Po unë mendoj se ne mund ta përfundojmë këtë proces me një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve gjatë mandatit të zotit Kurti dhe zonjës Osmani dhe nuk shoh ndonjë pengesë pse të mos e arrijmë”, tha zoti Lajçak duke nënvizuar se autoritetet në Kosovë kanë mirëkuptim për rolin e rëndësishëm të bisedimeve që sipas tij mund të përmbyllen për disa muaj.

“Nuk kërkon vite, por nuk është në të drejtën e Bashkimit Evropian të vendos. Ne nuk po i nxitojmë palët. Ne nuk jemi duke ngadalësuar procesin. Ne jemi këtu dhe është në dorën e Kosovës dhe Serbisë se sa shpejt dëshirojnë të ecin. Nëse dëshirojnë të takohen në baza mujore ne jemi aty, nëse duan të takohen në baza javore ne jemi aty, pra ne jemi këtu për të lehtësuar dhe siç e thashë, pëfundimisht nuk na duhen edhe dhjetë vjet të tjera, as pesë dhe tre vjet, nëse ka përkushtim dhe gatishmëri nga palët”, tha zoti Lajçak.

Ai tha se me administratën e re amerikane të presidentit Joe Biden, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara po punojnë në baza ditore për të njëjtin qëllim; për të çuar përpara Kosovën dhe rajonin drejt së ardhmes evropiane.

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani tha se procesi i bisedimeve duhet të rishikohet.

“E bëra të qartë në emër të institucioneve të Kosovës dhe në veçanti në emër të institucionit që drejtoj, që po ashtu udhëheq me politikën e jashtme, që për ne procesi i dialogut duhet ta ketë një “reset”, pra një rishikim i cili ndër të tjera ndihmon që Republika e Kosovës të jetë e përgatitur dhe mbi të gjitha të respektojë interesat e veta, interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës në një proces i cili patjetër duhet të rezultojë me njohje reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë në kufijtë aktual të Kosovës dhe me Kushtetutën aktuale të Kosovës”, tha ajo.

Zonja Osmani tha se institucionet e reja të Kosovës do të angazhohen në bisedime por, me një qasje të re dhe nuk do të lejojnë që tërësia tokësore e Kosovës të të bëhet pjesë e bisedimeve.

“Pra përfitimi final është anëtarësimi në Bashkimin Evropian e jo të konsiderohet Kosova si një shportë me pemë e perime ku çdo kush merr diçka prej saj duke e shndërruar në një shtet jofunksional, i cili nuk i duhet as qytetarëve të saj, nuk i duhet as rajonit e nuk u duhet as partnerëve tanë ndërkombëtar”, tha zonja Osmani.

Të hënën, kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha pas takimit me zotin Lajçak se nuk është kundër bisedimeve me Serbinë, por kërkon që ato të jenë parimore dhe të përgatitura mirë.

Zoti Lajçak, pas Kosovës do të shkojë në Beograd, është vënë në përpjekje për të siguruar vazhdimin e bisedimeve gjatë këtij viti, meqë vitin e ardhshëm është Serbia që do të mbajë zgjedhjet e reja presidenciale e parlamentare, gjë që do të çonte në një periudhë tjetër të pezullimit të bisedimeve që filluan dhjetë vjet më parë.

Serbia kundërshton pavarësinë e Kosovës të shpallur në shkurt të vitit 2008 por është përfshirë në bisedime për normalizim marrëdhëniesh që është kusht për integrimet evropiane.

Filed Under: Politike Tagged With: Marrëveshja Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak

JAM KETU!

March 2, 2021 by dgreca

-Në përkujtim të përvjetorit të lindjes së Profesorit Sejfulla Malëshova/

Nga Naum PRIFTI/

PARASHIKIM GJENIAL/

Në Plenumin e Beratit në tetor 1944, Sejfulla Malëshova e kritikoi ashpër Enver Hoxhën për lëkundje të vijës së partisë midis dy ekstremeve, oportunizëm dhe sektarizëm. Vrasjet e kundërshtarëve politikë nga njësitet guerile dhe nga atentatorët, në rrugë e nëpër lokale, të kryera me urdhër të Partisë, ai i cilësoi akte terroriste. Parulla e përdorur “në emër të popullit”, nuk kishte asnjë bazë ligjore. Malëshova paralajmëroi se po të vazhdohej në këtë rrugë, partia do të katandisej në një bandë me vrasës e kriminelë. Parashikimin e tij gjenial e vërtetoi koha. Profesor Malëshova bëri një gabim të pafalshëm taktik kur propozoi krijimin e postit të kryetarit të Partisë. Nuk kishte kandidat më të kualifikuar dhe me të gjitha premisat e mundshme veç Sejfullait. Bagazhi i tij përmbante aktivitet të gjatë patriotik me shumë figura kombëtare. Faik Konica dhe Fan Noli e konsideronin “poetin rebel” Lame Kodra si dishepullin e tyre dhe bashkëpunëtor të radhës së parë. Në botimet shqiptare si edhe në ato të Federatës “Vatra” në Amerikë dëshmohet veprimtaria, inteligjenca dhe patriotizmi i Sejfulla Malëshovës. Shkrimet e tij publicistike ishin orientim për platformën kombëtare. Fan Noli, i cili ia njihte zotësitë intelektuale dhe atdhetare, e mori në kabinetin e tij qeveritar në 1924. Malëshova ishte një nga veprimtarët e KONARE-së (Komiteti i Çlirimit Nacional) e krijuar në Vjenë nga emigrantët e majtë, Përveç studimeve filozofike e politike-ushtarake, Sejfulla Malëshova kishte mbrojtur disa grada shkencore dhe ishte njohës i disa gjuhëve. Si bashkëpunëtor shkencor në Akademinë e Shkencave të Moskës, Sejfulla Malëshova në koordinim me shumë patriotë atdhedashës shqiptarë ishte në krye të lëvizjes për një Shqipëri të lirë. Ai ishte aktivist me përvojë revolucionare dhe konsiderohej prijës i përpjekjeve të emigracionit shqiptar për çlirimin e vendit. Duke i ditur zotësitë e tij, propozimi në Berat ishte sfidues për Enver Hoxhën sepse detyrimisht sekretari do të spostohej në plan të dytë, prandaj e hodhi poshtë si të panevojshëm dhe të parakohshëm.

Për politikën e jashme Sejfullai udhëzonte të mbahej distancë e njëjtë si ndaj Bashkimit Sovjetik, ashtu edhe ndaj Amerikës dhe Britanisë së Madhe. Vënia e Aleatëve në të njëjtin plan sfidonte Jugosllavinë dhe Bashkimin Sovjetik, çka i dha rast Enver Hoxhës ta damkoste si oportunist. Në politikën e brendshme Malëshova kërkonte përkrahje për zhvillimin e tregut privat. Kjo qasje mjaftoi për ta etiketuar si liberal.

Të gjithë ata që guxuan ta kritikonin Enver Hoxhën në plenumin e Beratit, më vonë e pësuan dhe u eliminuan njëri pas tjetrit nga mjeshtri i prapaskenave. I pari e pësoi intelektuali Sejfulla Malëshova. Për mënjanimin e Malëshovës, Enver Hoxha kërkoi mbështetjen e Koçi Xoxes, Pandi Kristos, Tuk Jakovës, Kristo Themelkos, Gogo Nushit, Hysni Kapos. Të partishmit me arsim të kufizuar e hoqën qafe, me gëzim e lehtësim profesorin e nderuar, dijenitë dhe horizonti i të cilit i bezdiste. Kompleksi i inferioritetit të Enver Hoxhës mori shpërblimin e merituar me përjashtimin e Malëshovës.

Pas përjashtimit nga Byroja Politike, filloi e tatëpjesta e pafund e profesor Malëshovës. E shkarkuan edhe nga posti i Ministrit të Arsimit, madje nuk e lanë as kryetar të Lidhjes së Shkrimtarëve. Në gusht 1947 u provokua Konferenca III e Lidhjes së Shkrimtarëve. Doktor Dishnicës iu kërkua të bënte autokritikë për parathënien e tij në librin “Vjersha” të Sejfulla Malëshovës ku ai i jepte atribute të çmuara autorit si poet e mendimtar. Ndryshe nga ç’pritej, Dr. Ymer Dishnica deklaroi se nuk i hiqte asnjë presje parathënies që kishte shkruar. Kjo i zemëroi autoritetet dhe si pasojë Sejfulla Malëshova, Ymer Dishnica dhe Skënder Luarasi u përjashtuan nga Lidhja dhe u shkarkuan nga detyrat që kishin. Sejfulla Malëshovën e degdisën në Patos me detyrën e magazinierit të një depoje, Ministrin e Shëndetësisë Doktor Dishnicën e dërguan mjek të thjeshtë në Spitalin e Tiranës, pastaj e “transferuan” në Berat, ku punoi gjithë jetën, deri sa u shemb diktatura, ndërsa Luarasin e hoqën nga Drejtoria e Teksteve pranë Ministrisë së Arsimit dhe e emëruan mësues në Shkollën Pedagogjike.

Në vitin 1947 Sejfulla Malëshova u përjashtua nga Byroja Politike, i akuzuar si oportunist dhe properëndimor. Këto cilësime të PPSh-se do mjaftonin për ta ngritur figurën e tij në piedestalin e demokratëve.

JAM KETU

Një pasdite tek bisedonim me profesor Skënder Luarasin përpara Liceut Artistik në Tiranë pashë të kalonte te ana tjetër e trotuarit një burrë i moshuar, me ecje të qetë, paksa i ngadalshëm, por i përqendruar, pa shikuar as majtas as djathtas.

-E njeh atë burrë? – më pyeti profesor Luarasi që ndoqi shikimin tim.

-Më duket se jo, – i thashë.

–Profesor Sejfulla, – më tha ai.

E thërriti me emër dhe Sejfullai ktheu kokën e përshëndeti me dorë, buzëqeshi hijshëm me mirësjellje dhe vazhdoi rrugën e vet.

– Në Tiranë ai u mënjanohet takimeve se dyshon që e gjurmojnë. Tregohet i kujdesshëm, për të mos vënë asnjeri në pozitë të keqe, – më tha profesori.

Vetë Skënder Luarasi shquhej për guxim qytetar dhe nuk druhej ta takonte e të bisedonte me të internuarin Lame Kodra. Madje ngacmonte edhe kolegët e tij, që kalonin aty pranë dhe bënin sikur nuk i shihnin. “I dashur mik, a nuk po e njeh profesor Sejfulla Malëshovën?” Paksa të zënë ngushtë, kolegët kërkonin të falur, këmbenin dy fjalë formalisht dhe largoheshin shpejt nga frika se mos i shihte kush që po takoheshin me një të damkosur nga partia.

Nga mesi i viteve 1950 mësova nga kunati im Dhori Çaushi, i emëruar ndihmës dentist në Patos, se Sejfulla Malëshova punonte si magazinier në një nga depot e ndërmarrjes. Aty Sejfullai kryente dënimin si i internuar. Sipas rregullave ai duhet të flinte në një dhomë më vete, po për ngushticë strehimi, e kishin rrasur tok me 5-6 djem të rinj beqarë të flinin si në kushte konvikti, me shtrate druri ala-marinarçe. Dhori më tregonte se në netët e ftohta të dimrit, profesori mbështillej me batanije dhe kërrusur mbi shtrat lexonte ose shkruante.

Malëshova qëndroi i internuar disa vjet në Patos, përpara se të transferohej në Fier. Në periudhat e shkurtëra të zbutjes së luftës së klasave, Sejfullai erdhi disa herë në Tiranë për punë personale, sigurisht duke marrë leje nga Dega e Brendshme e Fierit. Zbutjet ishin si pranvera të parakohshme, të cilat pasoheshin gjithmonë nga acare dimri më të hidhura.

Dy herë ditën, në mëngjes e mbrëmje, Malëshova duhej të paraqitej në Degë për të vërtetuar që ishte aty. Vendasit e kureshtarët e shihnin profesorin të kalonte para sportelit të dezhurnit të Degës së Brendshme, duke ngritur dorën lart, si t’i thoshte: “Jam këtu!” Ky ritual i pandryshueshëm vazhdoi derisa vdiq më 1971.

PËRKTHYESI I TALENTUAR

Lame Kodra (pseudonimi letrar i Sejfulla Malëshovës) është përkthyesi i shumë poezive të zgjedhura dhe veprave nga një sërë autorësh me famë botërore, midis tyre hyjnë: “Ançari” i Pushkinit, “Punëtorët e Avlemendit” i Heinrik Haines, “Mbreti i Tulës” nga Gëte, cikël me poezi nga Nekrasovi, prozë nga Bokaçio dhe F. Argondica, “Kopshti i qershive” i Çehovit, prozat poetike të periudhës romantike të Gorkit “Zgalemi” dhe “Stuhija”. Stili i prozës së tij poetike është i dallueshëm për lirizëm të thellë dhe forma sintaksore si “mbi të thinjin shesh” ose “si e zezë vetëtimë” me të cilat ai ruante kadencën dhe ritmin e origjinalit, pa krijuar kurrfarë disonance. Ja një fragment i paharrueshëm nga “Zgalemi”:

“Mbi të thinjin shesh të detit, era fryn dhe mblidhen retë. Midis detit edhe reve, kryelartë shkon Zgalemi si e zezë vetëtimë. Prek me krahë ai valët, si shigjetë ngritët reve, dhe këthet dhe retë gjegjin gazin-kthimë të asaj shprese.”

Në periudhën e zbutjes së tensionit politik, në kohën e Krushovit, Malëshovës iu lutën të përkthente nga origjinali dramën e Çehovit “Kopshti i qershive”. Ai e përktheu, por u zhgënjye kur nuk e pa emrin e përkthyesit në frontespic. Protestoi te drejtoria e shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” se e kishin mashtruar, se nuk ishte e drejtë të mos figuronte emri i tij, por ankesa nuk u përfill. Duket se urdhri për t’ia fshirë emrin kishte ardhur nga lart. Shtëpia Botuese iu lut të përkthente edhe vepra të tjera, me kusht që të mos i vihej emri, por Lame Kodra, edhe pse kishte nevoja të ngushtshme të kompensonte rrogën e tij qesharake si magazinier, nuk pranoi. Për të, dinjiteti personal kishte më shumë vlerë se shpërblimi material.

SI E DUA SHQIPERINE

Poezinë “Si e dua Shqipërinë” e lexova për herë të parë në antologjinë e klasës I të shkollës unike. I magjepsur prej bukurisë së saj e mësova menjëherë përmendësh dhe nuk e harrova kurrë. Më kujtohet se në shtypin letrar shqiptar të viteve ’60-’70 u ndez një diskutim interesant midis estetëve dhe kritikëve për fillesat e realizmi socialist në Shqipëri, dhe kujt i takonte të ishte nismëtari. Mendimi se themelet i vuri Migjeni u kundërshtua me argumentin se krijimtaria e tij artistike i përkiste suazave të realizmit kritik ku temat e mjerimit dhe protestat sociale ishin rryma e viteve ‘30. Kryeveprat e Fan Nolit “Anës lumenjve:, “Marshi i Barrabait” nuk u përshtateshin kallëpeve të realizmit socialist. As autorë si Qemal Stafa e Veli Stafa, këngë të luftës, poema satirike “Epopeja e Ballit Kombëtar” e Shevqet Musarait, nuk i përmbanin elementet e realizmit socialist. Bartësin e vërtetë të kësaj metode të re letrare, Sejfulla Malëshovën, nuk guxoi ta përkrahte askush. Poezitë e tij të shkruara në prag dhe gjatë viteve të luftës, të mbledhura në vëllimin “Vjersha” më 1945, çelën shtegun drejt metodës së realizmit socialist, pavarësisht se më vonë kjo metodë u bë gangrena e letërsisë. Poezitë e Malëshovës “Si e dua Shqipërinë” janë modele të shkëlqyera me një konceptim të ri për artin nga këndvështrimi proletar.

“S’kam çiflig e s’kam pallate,

S’kam dyqan me katër kate,

Po e dua Shqipërinë,

Për një stan në Trebeshinë,

Për një shkarpë e për një gur,

Për kasollen mi Selishte,

Për dy ara në Zallishte,

——————————-

Unë e dua Shqipërinë,

Për tërfilin mi lëndinë,

Për një vajzë gjeraqinë.

Dhe për ujët që buron

Nga një shkëmb e gurgullon

Nëpër lisat gjethe-shumë,

Edhe zbret përposh në lumë.

Unë e dua Shqipërinë

Për një lule trëndelinë.

——————————–

Ku hamalli nëpër skela,

Ngarkon hekur e varela,

Këmbëzbathur bythëçjerrë

Punon vetëm për të tjerë.”

Portretin e dokerit Malëshova e jep me vërtetësi dhe mjeshtëri. Si vargjet ‘me mesazh’ ashtu edhe poezitë me motive shoqërore shquhen për muzikalitet me bukuri të jashtëzakonshme. Për këtë arsye ato mbaheshin mend me lehtësi dhe recitoheshin nga njerëz që mund t’i takoje në çdo kënd. Kështu ngjau që gjatë një stërvitje ushtarake në vitet ’70 dëgjova një oficer të recitonte vargjet:

“Këmbëkryq përmbi selishte

Po nis këngën pleqërishte,

Ndez çibukun dhe kujtoj

Djalërinë që më shkoj.”

I nxitur nga kureshtje e pyeta oficerin nëse e dinte se të kujt ishin vargjet.

-Nuk e di, – më tha,- por më pëlqejnë.

Nuk ia zbulova autorin, se mbase oficeri do skandalizohej, por u gëzova që poezia e Sejfullait ishte jetësuar në formën e vargjeve popullore, si krijime anonime, që përcillen brez pas brezi.

PARADOKSI I DEMOKRATIT TE ANATEMUAR

E kam dëgjuar shpesh pyetjen: Si shpëtoi Sejfullai? Si ngjau që Enver Hoxha nuk e pushkatoi apo nuk e burgosi atë ndërsa figura të tjera më pak të njohura dhe me më pak peshë i capërleu? Enver Hoxha nuk shihte kurrfarë rreziku prej tij, as imediat, as potencial, mbasi Sejfullai ishte tip meditativ, i mbyllur në vetvete, njeri i letrave, pa shokë, pa shoqëri, i vetmuar si asket. Partia e eliminoi Sejfulla Malëshovën duke e dënuar me vdekje civile të ngadaltë, të mënjanuar, i lënë për tu harruar. Për mua, ironia dhe paradoksi manifestoheshin para ekraneve atëherë kur në mbyllje të çdo kongresi të PPSH-së, Byroja Politike edhe delegatët këndonin bashkarisht “Internacionalen” e poetit francez Eugjen Potje, përkthyer shqip nga ‘liberal-oportunisti’ Sejfulla Malëshova. “Internacionalja” tingëllonte paradoksale në gojën e komunistëve superdogmatikë shqiptarë, që të vetizoluar nga gjithë bota bërtisnin “për bllokadë e rrethim të egër imperialisto-revisionist”, ndërsa refuzonin ndihmat e ofruara nga shumë shtete perëndimore, sepse “vinin nga armiq të betuar të vendit të vetëm socialit”.

Sejfulla Malëshova ishte vizionar atdhedashës dhe për artin- Lame Kodra- me mendimet e tij demokratike, me krijimtarinë letrare, me përkthimet e shkëlqyera ishte prurësi i një bote të re në letërsinë dhe kulturën shqipe.

Filed Under: Politike Tagged With: Naum Prifti, pervjetori, Sejfulla Maleshova

SFIDAT NË MENAXHIMIN DHE ORGANIZIMIN E KLINIKËS EMERGJENTE GJATË PANDEMISË COVID-19

March 1, 2021 by dgreca

Prof. Asoc. Basri Lenjani MD.PhD, Drejtor i Klinikës Emergjente Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), në një rrëfim ekskluziv për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, analizon shërbimet mjekësore emergjente në Kosovë që prej fillimit të pandemisë Covid 19 dhe përcjell mesazhin se jemi në rrezik nga vala e tretë dhe u bën thirrje qytetarëve të zbatojnë masat e rekomanduara. Me Dr. Basri Lenjani bisedoi gazetari i ‟Diellit” Sokol Paja.

SHËRBIMET MJEKËSORE EMERGJENTE

Shërbimet mjekësore emergjente paraqesin një sistem të organizuar, dizajnuar për të ofruar kujdes mjekësor emergjent në vendin e ngjarjes, gjatë transportit të të sëmurëve ose të lënduarve deri në spital. Klinika emergjente merret me pranim, monitorim, ekzaminim, observimin, diagnostikimin, trajtimin të të sëmurëve emergjentë, kritik, deri në stabilizimin dhe sistemin e tyre në reparte sipas gjendjes klinike, ose lëshimin në shtëpi pas stabilizimit definitiv. Sistemi SHME nuk ka një rrjet të konsoliduar dhe të integruar të shërbimeve emergjente mjekësore. Që nga përhapja e sëmundjes COVID-19 klinika emergjente ishte në vijën  e parë të frontit, duke shërbyer në funksion thelbësor e duke u bazuar në ligjin e kujdesit mjekësor emergjent në identifikimin e sëmundjeve, lëndimeve dhe të sëmurëve të prekur me COVID19, duke i izoluar nga të sëmurët e tjerë me qëllim të ofrimit të kujdesit mjekësor emergjent deri në stabilizimin definitiv. Në të njëjtën kohë, gjatë ditëve të para të pandemisë, sistemet shëndetësore kishin një rënie në numër të të sëmurëve që kërkonin kujdes akut (ose mos paraqitje ED) emergjent për shkak të COVID-19, mbeten që më vonë të analizohen. Pandemia COVID-19 dhe përgjigjet lokale, rajonale dhe kombëtare ndaj saj kanë përparuar më shpejt se çdo entitet tjetër mjekësor në shumë nga përvojat tona profesionale. Klinika emergjente aktualisht ka  507 m2, me 22 shtretër  për qëndrim ditor (1 shtrat për 100.000 banorë).

SHËRBIMET MJEKËSORE EMERGJENTE NË EUROPË

Shërbimet mjekësore emergjente në Europë ballafaqohen me sfida që rrjedhin nga ndryshimet e dinamikës së jetës, përparimet shkencore të cilat rrisin kërkesën për përparimin e mënyrës së ofrimit të SHME. Mungesa e kapaciteteve hapësinore, barnave, materialit shpenzues,  kapaciteteve diagnostikuese, laboratorike,  sistemi të mirëfilltë referimi, stafit mjekësor si dhe stafit mbështetës. Mangësitë dhe problemet e konstatuara në shërbimin e emergjencave. Shfrytëzimi i ulët i SHME. Një shkallë tejet e ulët e përdorimit të ambulancave të emergjencës, mënyra për transportimin e të sëmurëve. Mungesa dhe nevoja e trajnimeve profesionale fokusuar veçanërisht për mjekët emergjent dhe infermierë e ndihmësit e tyre. Mungesë e standardizimit (shërbimit klinik dhe përkufizimeve). Mbajtje jo e mirë e të dhënave mbi pacientin (kartelat mjekësore dhe regjistra). Që nga shkurti, SHSKUK-së, spitalet regjionale si dhe  në të gjithë botën kishin vetëm një vision e mision: Luftën kundër për të sëmurët me Covid-19 si dhe përpjekja për të parandaluar përhapjen e virusit, kryesisht i panjohur. Vizitat  mjekësore në ED u ulën ndjeshëm gjatë pandemisë COVID-19. Një % shqetësuese e kësaj ulje ishte midis të sëmurëve që zakonisht do të ishin pranuar në spital, duke sugjeruar shtyrjen e konsiderueshme të kujdesit mjekësor. Ne u përpoqëm të përshkruajmë dhe karakterizojmë ndikimin e COVID-19 në pranimet në spital përmes ED, me një fokus specifik në grupin e diagnozës, moshën, gjininë.

RASTI PARË I REGJISTRUAR ME COVID19,  13 – 20 MARS 2020 NË KOSOVË

Më 13 mars 2020, Ministri i Shëndetësisë, deklaroi:  njoftoj se MSH pas përfundimit të analizave në IKSHPK të 15 rasteve të dyshimta: dy kanë rezultuar pozitivë dhe gjendja e tyre shëndetësore rezulton të jetë stabile, njëra ishte e moshës 20 vjeçare me nënshtetësi italiane dhe tjetri i moshës mbi 77 vjeçar me nënshtetësi Kosovare. Janë marrë të gjitha masat kundër personave me të cilët ata kanë qenë në kontakt. Statistikat IKPSH 25.02.2021. “Numri total i rasteve pozitive është 67.469 raste nga 294.985 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.582 raste të vdekjes, kurse numri i rasteve aktive është 6.968”. Rastet e konfirmuara me COVID19 në Klinikën emergjente, 15-20 raste. Numri i shtretëve të shfrytëzuar mbi 100 %. Prolonogimi i testeve PT-PSR. Qëndrimi i gjatë i të sëmurëve në K emergjente mbi 72/h.  Kapacitet i limituar.

FORMIMI I KOMITETEVE, DETYRAT, ROLET DHE PËRGJEGJËSITË

Formohet Komiteti i ShSKUK për menaxhim të situatës me Covid19 në Mars, 2020. Meqenëse anëtarët e grupit të Komitetit i ShSKUK për menaxhim të situatës me Covid19, sjellin përvojë profesionale në menaxhimin e spitalit, udhëheqjen e kujdesit shëndetësor dhe menaxhimin e infermierisë, ata shpejt përcaktuan çështjet më emergjente për të cilat ata, si drejtues, dëshirojnë të punojnë, duke përdorur perspektivat e tyre të ndryshme dhe përvojat personale. MSH Formon Komitetin për Koordinimin dhe Vlerësimin e Situatës Emergjente me Koronavirus COVID-19. Mars, 2020. Grupi i punës i Komitetit për menaxhimin e COVID 19  SHSKUK –së. Meqenëse anëtarët e grupit punues për menaxhiminn e Komitetit të ShSKUK-së sjellin përvojë profesionale në menaxhimin e klinikave, udhëheqjen e kujdesit shëndetësor dhe menaxhimin e stafit mjekësor, ata shpejt përcaktuan çështjet më emergjente për të cilat ata, si drejtues, dëshirojnë të punojnë, duke përdorur perspektivat e tyre të ndryshme dhe përvojat personale. Anëtarët e grupit punues te Komitetit të ShSKUK-ës për menaxhimin e  covid 19 diskutonim se çfarë bën një udhëheqës në një situatë të veçantë siç është pandemia dhe veprimet e përqendruara që duhet të ndërmerren për të mbajtur  klinikat COVID 19 dhe jo COVID 19 në gjendje të mirë. Përvojat tona pasqyrojnë ndikime të ndryshme të COVID-19 në secilin nga vendet dhe spitalet tona, lloje të ndryshme të spitaleve (publike dhe private), si dhe përvojat tona, duke shkëmbyer përvojat tona të sfidave dhe praktikave më të mira për të përgatitur spitalet për t’iu përgjigjur pandemisë dhe cilat zona kanë nevojë për forcim të mëtejshëm.

SFIDAT DHE MËSIMET E MARRA PËR DREJTUESIT E KLINIKAVE

Cilat janë sfidat dhe mësimet e marra për drejtuesit e Klinikave? Çfarë duhet përqëndruar dhe cilat masa paraprake dhe ndryshime në udhëheqje duhet të merren për / në të ardhmen? Për të filluar t’i përgjigjemi këtyre pyetjeve, ky vlerësim i parë përqendrohet në Planin e Menaxhimit dhe Udhëheqjes në emergjencë për COVID-19. Zotërimi i fazës së parë të madhe me COVID-19 ishte nevojë për vendimmarrje të shpejtë për ndryshime të thella në strukturat organizative dhe solidaritet të madh me stafin e kujdesit shëndetësor.

SFIDAT E VENDIMMARRJES GJATË COVID-19

Nga qendrat e kujdesit parësor te spitalet e kujdesit terciar, sfida ka qenë t’i përgjigjesh një virusi të ri që ka ndryshuar mënyrën tonë të jetës sot. Në Spanjë, një nga vendet më të ndikuara evropiane, spitalet ishin mbingarkuar nga një ortek pranimesh DE si dhe njësitë e kujdesit intensiv. Aneksi ofron një përmbledhje të shifrave që lidhen me vendin tonë dhe ndikimin e COVID-10 deri më tani. Për më tepër, shumë vende në botë si dhe tek ne zgjodhën t’i shtyjnë operacionet dhe ndërhyrjet e parashikueshme, por duke rritur kapacitetet e MIQ(shtretër, ventilator, personel), në mënyrë që të jenë të gatshëm për një numër të madh të sëmurëve kritikë me COVD 19. Prandaj, të gjithë ne u përballëm me të njëjtat vështirësi themelore: Një situatë e jashtëzakonshme shëndetësore, që askush nuk e kishte provuar kurrë më parë. I gjithë sistemi i kujdesit shëndetësor duhej të mësonin lëvizjet duke marrë njohuri nga organizata ndërkombëtare si OBSH, dhe gjithashtu duke ndjekur kërkimet e fundit. Shumë informacione të reja në lidhje me situatën pandemike, e të cilat duheshin marrë në konsideratë për vendimet e të gjithë kemi përjetuar strategji themelore të përbashkëta: Grupit i punës i Komitetit për menaxhimin e COVID 19  SHSKUK –së takoheshim çdo ditë për të diskutuar dhe vendosur se si të mirëmbahet funksionaliteti i SHSKUK, sa i përket personelit, hapësirës dhe furnizimeve dhe si mund të mirëmbahet ose zvogëlohet ose rritet kapaciteti i trajtimit spitalor, në përputhje me situatën. Për më tepër, komunikimi i duhur dhe një menaxhim i ndryshëm i informacionit ishin gjithashtu një çështje e veçantë. SHSKUK- së  grupi punës për menxhimin COVID 19  me Drejtorët Klinika COVID 19 ishin ne takime pune çdo ditë. Përveç protokolleve të reja për të gjithë profesionistët, ekzistonte një raport ditor për numrin e të sëmurëve, rastet problematike, duke dhënë udhëzime se si të trajtohen në të gjitha Klinikat me COVID 19 siguria, ED në laborator, kujdes intensiv dhe izolim / karantinë. Në SHSKUK -ës, ekipi përbëhej nga njerëz të ngarkuar me Klinikat kryesore të kujdesit shëndetësor të QKUK-ës dhe shërbimet që mund t’i përgjigjeshin krizës shëndetësore, jo vetëm mjekësore, por edhe në lidhje me logjistikën, të tilla si depot, higjena, barnat, materiali shpenzues, pajisjet mjekësore, komunikimi, transporti dhe inxhinieria. Mungesa dhe krijimi i një ekipi përgjigjes COVID-19  SHSKUK-së, gjithashtu, dhe përbëhej nga infermierë, specialistë të sëmundjeve infektive, menaxherë ekzekutivë dhe personel shtëpiak, pas evaluimit duhet të mendohet në këtë drejtim? Përvojat në Gjermani  për menaxhimin e pandemisë COVID-19 në Spitalin Hebre në Berlin formuan Bordin Ekzekutiv, personelin mjekësor, drejtorin e ED, MIQ me ekspertët e higjienës, zyrtarin e komunikimit, shefin biomjekësor dhe drejtues e tjerë. Në Dubai, u krijua një qendër komande ku një grup udhëheqësish kryesorë shëndetësorë dhe menaxherë administrativë zhvilluan një plan të plotë të strukturuar në kontrollin e përhapjes së pandemisë.

ORGANIZIMI I ZONAVE DHE EKIPEVE TË REJA DHE SHSKUK

Organizimi i zonave dhe ekipeve të reja dhe SHSKUK-së duke përdor një strategji të ndryshme për të ruajtur shërbimet mjekësore dhe në të njëjtën kohë për të parandaluar përhapjen e virusit apo edhe një shpërthim brenda spitalit: Vendosjen e profesionistëve në grupe, në zona të ndryshme spitalore dhe ndryshimin e modeleve të ndërrimit të punës për të zvogëluar ndër-infeksionin, rrezikun midis profesionistëve, spitalet fushore të triazhit jashtë ndërtesës nuk kishim nevoje para KE, ku shqyrtimi dhe identifikimi i rasteve të mundshme mund të bëhet para se  të hynë të sëmurët Klinikat COVID 19 për të mbajtur të ndarë të sëmurët me COVID-19 dhe jo-COVID-19, megjithëse ato sollën sfida të tjera. Nuk kemi ide se çfarë na pret. Objektet e kujdesit shëndetësor dhe veçanërisht departamentet e urgjencës duhet të jenë të përgatitur për këtë. Jemi ne, ne mund të bëjmë atë që mundemi dhe të shpresojmë që editoriali im i ardhshëm të jetë i qetë. Mbrojtja e personelit. Pandemia paraqiti disa kërcënime për stafin mjekësor: vetë virusi dhe ngarkesa e punës për shkak të situatës së re të punës të përshkruar më sipër. Mbajtja e njerëzve të shëndetshëm, mbrojtja e stafit nga infeksionet ishte një detyrë e rëndësishme e udhëheqjes. Kishte reagime të ndryshme midis punonjësve ndaj informacioneve të reja dhe vendimeve të reja, disa ishin shumë të frikësuar dhe të pasigurt për situatën dhe të tjerët ishin pothuajse të pakujdesshëm. Por ishte shumë e rëndësishme të krijoheshin politika për hyrjen në spital dhe të riorganizohen protokollet e parandalimit dhe kontrollit të infeksionit në rutinën e stafit të spitalit. Në spitalet portugeze, grupet e punës u krijuan nëpër spitalet kryesore dhe filluan të zbatojnë aksionin e ndërgjegjësimit për profesionistët e kujdesit shëndetësor. Planet e emergjencës u kryen dhe po rregullohen me kalimin e ditëve. Në Kenia, si në shumë vende të tjera, u bë e detyrueshme për të gjithë njerëzit që hynin dhe lëviznin në spital të mbanin maska ​​kirurgjikale dhe askush nuk mund të hynte në portën kryesore nëse nuk vishnin një maskë. Kontrolli i temperaturës është bërë në pika të ndryshme në dhe kushdo me një temperaturë mbi 38 gradë u zhvendos në një zonë të caktuar për vlerësim të mëtejshëm. Në shumë spitale, brenda vetëm disa javësh, ndonjëherë edhe vetëm disa ditë, stafi u mësua të mbante një maskë gjatë gjithë kohës që ishte në detyrë, dhe të mos kishte më takime prezentuese me një numër të madh njerëzish në dhoma të vogla. Kudo që ishte e mundur, u zbatua një punë në distancë, esp. për stafin e administratës.Tek ne fillim ishte në gjendje të anashkalonte burokracinë e prokurimit të materialeve të konsumit kirurgjikal për të qenë në gjendje të siguronte shpejt sanitizues dore, PPE dhe maska ​​kirurgjikale dhe N95 për të gjithë stafin e saj. Atyre që punojnë në pavijonet COVID-19 dhe atyre që punojnë në departamentin e emergjencës.

SIGURIMI I PAJISJEVE MBROJTËSE PERSONALE

Sigurimi i Pajisjeve Mbrojtëse Personale (PPE) ishte një sfidë globale në fillim të pandemisë, SHSKUK-se spitalet dhe mjekësia parësore u përballën me një mungesë të PPE dhe shumë shpejt disa profesionistë të shëndetit morën teste pozitive COVID-19. Në shumë vende, zinxhirët e furnizimit u prishën pothuajse në asnjë kohë dhe çmimet për PPE u rritën jashtëzakonisht shumë. Grumbullimi dhe sigurimi i PPE për të gjithë punonjësit ishin tema kryesore. Fillimisht, nuk kishte kontrolle dhe kontrolle mbi lëshimin e maskave dhe spitali shpejt kuptoi që njerëzit po vinin një numër të madh maska ​​për të marrë në shtëpi, dhe më pas u prezantua një sistem ku infermierja përgjegjëse e njësisë ishte përgjegjëse për shpërndarjen e PPE për të siguruar që rezervat nuk ishin shteruar për shkak të grumbullimit dhe përdorimit pa mend. Spitalet e tjera shpërndanë maska ​​dhe dezinfektues punonjësve dhe familjeve të tyre. Kosova pritet të sigurojë falas 360 mijë vaksina, kurse pjesën tjetër do ta blejë. Ndërkohë zyrtarë të OBSH-së në Kosovë parashohin që procesi i vaksinimit në Kosovë nuk mund të fillojë para stinës së pranverës.

KONLUZIONET, MENAXHIMI DHE UDHËHEQJA

Menaxhimi dhe udhëheqja në këto kohë të papara ka sfida të natyrshme të mundimshme, pasi spitalet kanë një sfidë të rëndësishme në balancimin e kohës, interesin më të mirë kombëtar, rajonal, të biznesit, punonjësve dhe pacientëve. Kalimi nga një strategji e njohjes sistematike të rasteve të mundshme në atë të zbutjes së epidemisë kërkonte shërbime të mjekësisë emergjente spitalore për të zbatuar masa të menaxhimit të krizës, për të garantuar kapacitetin e pranimit dhe shtrimit në spital. Gjetjet tona demonstrojnë ulje të pranimeve në spital përmes KE gjatë pandemisë dhe sugjerojnë që disa të semurë mund të kenë shtyrë kujdesin e nevojshëm. Përvojat tona nxjerrin në pah rëndësinë e përfshirjes në çdo hap dhe përgatisin protokolle, politika dhe procedura rigoroze, në mënyrë që të standardizojmë kujdesin dhe të sigurojmë sigurinë e të gjithëve. Kujdesuni për stafin tuaj, pastaj stafi juaj kujdeset për pjesën tjetër. Nevojiten hulumtime të mëtejshme për të përcaktuar pasojat klinike dhe operacionale të kësaj vonese. Ka pasur ndryshime të konsiderueshme në modelet e kërkimit të kujdesit gjatë pandemisë COVID-19. Rëniet në vizitat e KE, veçanërisht për grupe të caktuara demografike dhe proceset e sëmundjes, duhet të nxisin përpjekje për të kuptuar këto fenomene, të inkurajojnë kërkimin e duhur të kujdesit dhe të monitorojnë për sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë që mund të rezultojë nga kujdesi i vonuar ose i shtyrë. Përmes kësaj krize pandemike, kishte mësime kryesore, praktika të mira dhe të këqija, që duhet të ndahen. Shpejtësia mund të përsosë. Kjo pandemi na ka treguar se udhëheqja e mirë është thelbësore, plani i detajuar, ofrimi i shërbimeve cilësore shendetësore, financimi i qëndrueshëm i SHME, sigurimi i resurseve njerëzore dhe kapitale, sigurimi i sasive të mjaftueshme të barnave dhe materialit shpenzues, krijimi i mekanizmit të vleresimit dhe promovimit të teknologjise mjekësore dhe të komunikimit, sigurimi i kapaciteteve diagnostikuese për kryerjen e testeve bazë dhe atyre të shpëtimit të jetës, sigurimi i një sistemi të mirëfilltë referimi. Ndryshimi i sistemit, sigurimi i protokoleve që do të mundësonte vendimmarrje korrekte emergjente, si në diagnostikim, trajtim të bazuar në algoritmet, teknikat e përzgjedhjes sipas standardeve ndërkombëtare. Sigurimi i edukimit specialistik dhe EVP për mjekë emergjentë dhe nevoja të mjekësisë emergjente. Motivimi i personelit që punon në Kliniken Emergjente. Stafi mjekësor i emergjencës mbajnë një përgjegjësi të madhe në këtë pandemi. Ne duhet të sigurojmë triazh dhe menaxhim të hershëm të pacientëve me infeksion të dyshuar ose të konfirmuar COVID 19. Më e rëndësishmja, ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të parandaluar departamentet tona emergjente përhapjen e infeksionit. Masat e ndryshme të ndërmarra nga departamenti kanë ndihmuar në sigurimin e moralit të mirë të stafit dhe respektimin e rreptë të procedurave të sigurisë. Ne ndajmë mësimet e marra në mënyrë që të tjerët që menaxhojnë ED në të gjithë botën të mund të përfitojnë nga përvoja jonë.

STANDARDET E PROFESIONALIZMIT MJEKËSOR

Profesionalizmi mjekësor bazohet në standarde individuale por edhe institucionale. Jo vetëm  standarde klinike, por edhe  etike, të vlerave e të sjelljes. Nigel Crisp, 2006. Mesazh: Jemi në rrezik nga vala e tretë. Na ndihmoni në mënyrë që të mos kemi nevojë ta mbyllim komplet ekonominë siç ka ndodhur para disa muajve. Respektoni masat e reakomanduar nga IKSHPK dhe OBSH-së.

Me shëndet çdo gjë na duket e kënaqshme, kurse kur jemi të sëmurë asgjë nuk na kënaq. – Artur Shopenhauer.

Filed Under: Politike Tagged With: Prof. Asoc. Basri Lenjani MD.PhD, Sokol Paja

It’s time for Greece to follow Israel’s example and recognize Kosovo

March 1, 2021 by dgreca

– Five EU members do not recognize Kosovo. Greek recognition would send an important message that would surely benefit Brussels’ initiative. 

By Akri Çipa*/

Since 2008, the Republic of Kosovo has joined international organizations, has become a vital part of the international community, and has been a key factor of stability in the Balkans. In terms of democratic standards, Kosovo fares better than some of its neighbors, as evidenced by its latest exemplary elections. It is time for Athens to finally join the more than 100 countries that recognize its irreversible independence.

Doing so would advance Greek interests and elevate Athens’ diplomatic clout. Not only Greece would offer an important contribution to peace and regional stability, but it would also be an important gesture to nurture closer Greek-Albanian ties.

This month, Israel established full diplomatic relations with Kosovo, in a move widely supported and coordinated by the United States. Greece has the opportunity to follow Israel’s example and finally establish full bilateral ties with the Republic of Kosovo.

Despite repeated attempts by Serbia and its allies to contest the legitimacy of Kosovo’s sovereignty, its independence was upheld by the International Court of Justice. In its 2010 Advisory Opinion, the court noted that Kosovo’s declaration of independence did not circumvent or break any international law, attesting to its international legality.

Kosovo’s diplomatic ties with Israel countered, once again, the assumption that its independence serves as a dangerous precedent for secessionist movements. The five EU member states that still refuse to acknowledge an independent Kosovo, including Greece, have indirectly hidden behind this argument.

However, Israel’s decision directly contradicts this misleading and outdated narrative. Considering how Israel faces with the Palestinians one of the thorniest and most complex territorial disputes in the world, its recognition showcases and reinforces the fact that Kosovo’s independence is a sui generis case and that in no way can be used to predetermine or influence the outcome of other disputes.

The lack of normalization between Kosovo and Serbia remains the most problematic security issue in the Balkans. At the same time, it hinders their integration in the European Union and creates openings for foreign interference. Outside powers have an interest in preserving the status quo and keeping the region in a limbo.

Greece has the opportunity to contribute in breaking the current deadlock and injecting positive energy that could help facilitate the resolution of the conflict. Such a move would surely be welcomed by most Western countries, as well as EU institutions.

The European External Action Service, which continues its efforts to facilitate a comprehensive agreement between Kosovo and Serbia, has its hands tied in many regards due to the fact that five EU members do not recognize Kosovo. Greek recognition would send an important message that would surely benefit Brussels’ initiative. 

Furthermore, the new administration in the United States has pledged to enhance its efforts to settle the conflict and help them towards mutual recognition. This was emphasized most recently in U.S. President Joe Biden’s letter to Serbian President Aleksandar Vucic.

Athens’ recognition of Kosovo now, in line with the U.S. position, would assist this end goal and would earn goodwill in Washington. After all, the moment is especially ripe. As part of the commitments it undertook during the White House summit last September, Serbia has pledged to not lobby other countries against Kosovo’s recognition for one year.

Differently from the other EU non-recognizers, Greece has a Liaison Office in Kosovo, at ambassadorial level, and has emphasized that it seeks to strengthen economic relations. Foreign Minister Nikos Dendias’ visit in Kosovo last October was focused on the region’s EU perspective and the dialogue between Kosovo and Serbia.

The visit emphasized that there is increasing bilateral engagement. Establishing full diplomatic relations would create new opportunities for deeper cooperation on issues of mutual concern.

The establishment of Kosovo-Israel ties set an important precedent. Athens would be wise to learn from it.

*Article was first published by The Brussels Times

Filed Under: Politike Tagged With: Akri Çipa, Grecece to follow, kosovo, recognize

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 310
  • 311
  • 312
  • 313
  • 314
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT